• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MESAZHI PËR VITIN E RI: TË MBROHET FJALA E LIRË DHE DEMOKRACIA!

December 28, 2018 by dgreca

1 Frank-shkreli-Nga Frank Shkreli/

Katër organizata ndërkombëtare mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së fjalës — i janë drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë së atij vendi, Z. Etilda Gjonaj, me një letër të hapur ku i kërkojnë tërheqjen nga ligji — të propozuar prej tyre — për regjistrimin, mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e portaleve online, njoftojnë media të ndryshme shqiptare në portalet e tyre.  Siç dihet, ky projektligj është paraqitur disa ditë më parë nga udhëheqsi i qeverisë shqiptare, të cilin ai e ka pagëzuar, si një “paketë antishpifje”.  Në letrën, një kopje e të cilës i është dërguar edhe zyrës së OSBE-së në Tiranë, katër organizatat në fjalë: Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufijë, i kanë kërkuar Ramës të tërhiqet nga konsiderimi i këtij projektligji.  Në mesazhin e tyre drejtuar Kryeministrit shqiptar, ato shprehen se, nisma e propozuar prej Z.Rama, “Është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne”, theksohet në letrën e nënshkruar prej tyre, drejtuar qeverisë shqiptare.  Organizatat, të cilat njihen për veprimtarinë e tyre në mbështetjte të lirisë së fjalës dhe demokracisë anë e mbanë botës, paralajmërojnë Kryeministrin Rama se, “Nëse projektligjet e propozuara, miratohen nga parlamenti shqiptar, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet dhe do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim”, shkruhet në letrën e nënshkruar nga katër organizatat ndërkombëtare, të njohura për mbështetjen e tyre ndaj të drejtave të njeriut dhe demokracisë në botë.Përpiluesit e letrës dënojnë gjithashtu mënyrën e fshehtë se si është përgatitur dhe si është paraqitur ky projektligj, siç thonë ata, pa konsultim dhe pa asnjë informacion paraprak për publikun, ndërsa nënvijojnë moskënaqësinë e tyre me procesin e ndjekur në lidhje me këtë nismë: “Shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura, pa përfshirë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile përgjatë procesit të hartimit.  Ne ju kërkojmë të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës, në çfarë do lloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët”, theksohet më tej në letrën e tyre dërguar Kryeminsitrit Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.  Në letër thuhet gjithashtu se, “Përfaqsuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias e ka bërë të qartë se, “Shtetet anëtare nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyrueshëm për median “online”, si kusht paraprak për punën e tyre, gjë që mund të ketë një ndikim tepër negativ mbi lirinë e medias”, në përgjithsi në ato vende.

Mediat shqiptare njoftojnë se projektligji i hartuar nga qeveria e Z. Rama, propozon themelimin e një regjistri për median “online” pranë  të ashtuquajturit Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP), përfshirë edhe vendosjen e përmbajtjes së medias “online” nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash (AMA), një komision ky pranë këtij enti, i cili, nëqoftse miratohet ky projektligj, do të ketë kompetencat të gjykojë nëse media është e njëanshme apo e paanshme, nëse ajo cënon “moralin public” apo jo dhe nëse ky ent qeveritar e gjykon të arsyeshme, ai mund të vendosë gjoba deri në 8 mijë euro dhe madje të urdhërojë edhe mbylljen mediave, që ky ent vendos se kanë shkelur ligjin.

Nuk ka dyshim se nisma e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, propozimi pa këshillime me grupet e interesuara dhe paraqitja e këtij projektligji Kuvendit të Shqipërisë, ka për qëllim për të frikësuar dhe për të kontrolluar shtypin, duke kufizuar lirinë e medias – siç theksojnë edhe organizatat në fjalë në letrën drejtuar Kryeministrit shqiptar — ashtuqë nepërmjet miratimit eventual të këtij projektligji nga Kuvendi i Shqipërisë, jo vetëm të disiplinojë por edhe të dënojë median që sipas tij mund të gjykohet, si e njëanshme ose e paanashme, ose si një media që cenon “moralin publik”.  Tomas Xhefersoni, i cili konsiderohet si përpiluesi kryesor i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ka shkruar se nëqoftse me eksperimentin e demokracisë mund të konstatojmë se njeriu mund të qeveriset nga arsyeja dhe e vërteta, atëherë duhet të lëmë të gjitha rrugët e hapura që të mundësojnë që të arrihet tek e vërteta. “Rruga më me rëndësi drejtë zbulimit të së vërtertës, është liria e shtypit”, ka shkruar ai. Prandaj, “Liria e shtypit është e para që e pëson nga ata që kanë frikë nga hetimi i veprimtarive të tyre”, ka thekësuar Xhefersoni.

Thonë se Uinston Çurçilli ka deklaruar se, “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të të gjitha formave të qeverisjeve që janë provuar nga koha në kohë.”  Demokracia e vërtetë është një krijesë e brishtë, por megjithë të metat e saja, është e vetmja formë qeverisjeje që parandalon ushtrimin e pushtetit të një regjimi ose të një personi me prirje autoritare, tiranike ose despotike.  Historia na mëson që të mos përulemi para dukurive të tilla kudo qoftë, por t’i kundërshtojmë, sidomos përpjekjet arbitrare dhe imponuese nga cilado qeveri ose nga cili do udhëheqës qoftë, për të kufizuar dhe për të kontrolluar lirinë e fjalës, me anë të ligjeve të imponuara pa asnjë konsultim me grupet e interesuara të shoqërisë.  Sepse siç na këshillon edhe Tomas Xhefersoni, humbja e lirisë së fjalës, pasohet edhe nga humbja e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut, një nga një.  Beso në të vërtetën! Beso në Demokraci! Kundërshto masat antidemokratike, sepse Demokracia nuk pret!  Thuaj JO kufizimit të lirisë së shtypit!

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, fjala e lire, Frank shkreli, mesazh, Viti i ri

FJALËT E FUNDIT TË GAZETARIT TË VRARË SAUDIT JAMAL KHASHOGGI

October 20, 2018 by dgreca

FJALËT E FUNDIT TË GAZETARIT TË VRARË SAUDIT JAMAL KHASHOGGI: Mbi të gjitha, bota arabe ka nevojë për lirinë e fjalës /

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank SHKRELI/Siç është informuar tanimë mbarë opinioni botëror, gazetari i njohur saudit Jamal Khashoggi mendohet të jetë vrarë, pasi është zhdukur nga qarkullimi, më 2 Tetor, brenda konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. Sipas disa lajmeve që citojnë zyrtarët turq, Jamal Khasshoggi është vrarë brenda Konsullatës saudite, në një vrasje që ata e cilësojnë si “me paramendim”, e kryer nga një grup prej 15 burrash nga Arabia Saudite. Ndërsa autoritetet saudite kanë thënë se Khashoggi është larguar nga konsullata, i pa dëmtuar fizikisht, pak kohë pasi kishte arritur në ndërtesën e përfaqësisë diplomatike saudite në Stamboll.

Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo, pas takimit me udhëheqësit sauditë dhe turq këtë javë, për të biseduar mbi këtë çështje, informoi të enjten Presidentin Donald Trump duke i kërkuar atij t’i japë Arabisë Saudite edhe disa ditë të tjera, për të përfunduar hetimin rreth zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi, para se të njoftohet ndonjë reagim zyrtar ose marrje masash nga ana e Washingtonit kundër Riadit, si përfundim i vrasjes së gazetarit Khashoggi. Ndërkohë, po shtohen trysnitë ndërkombëtare ndaj Washingtonit që të reagojë me masa të ashpra ndaj atyre që kanë ndërmarrë këtë anti-njerëzor.

Para se të zhdukej nga qarkullimi, gazetari Jamal Khashoggi – duke folur për masat shtypëse ndaj medies në Egjipt dhe në Arabinë Saudite – kishte paralajmëruar se fatkeqësisht, “Masa të tilla të shtypëse kundër medies në ato vende nuk tërheqin më kritika nga komuniteti ndërkombëtar dhe se autoritetet në ato vende nuk pësojnë asnjë pasojë për shtypjen e lirisë së medies në vendet e tyre”.

 Jamal Khashoggi

Jamal Khashoggi ishte njëri prej gazetarëve dhe komentuesve politikë më të njohur sauditë dhe të botës arabe në përgjithësi, me një karrierë gazetareske prej pothuaj 30-vitesh. Megjithëse për një kohë të gjatë ishte i afërt me familjen mbretërore saudite, Jamal Khashoggi me shkrimet e tij, më vonë siguroi një reputacion si reformist dhe mbrojtës i Lirisë së Fjalës, duke kritikuar, ndër të tjera edhe, politikën rajonale dhe të brendshme të Arabisë Saudite. Gjatë karrierës së tij, ai ka shkruar për një numër gazetash arabe dhe për gazeta ndërkombëtare, përfshirë gazetën amerikane “Washington Post”. Të enjten “Washington Post” botoi atë që thotë se është shkrimi i fundit i Khashoggit, në të cilin ai kritikon mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe. Redaktorja e gazetës së kryeqytetit amerikan, Karen Attiah, duke paraqitur për lexuesit komentin e fundit të shkruar nga gazetari Khashoggi për “Washington Post”, shprehet se artikulli pasqyron vërtetë angazhimin dhe pasionin e tij personal për liri në botën arabe – një liri, për të cilën siç duket, ai dha jetën e tij. Khashoggi e fillon komentin duke shprehur shqetësimin e tij të thellë për mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe, ndërsa citon raportin e Organizatës Amerikane të Drejtave të Njeriut, “Freedom House” për vitin 2018, sipas të cilit, vetëm një vend i mbarë botës arabe klasifikohej si i “lirë”, e ai vend është Tunizia. Ndërsa Jordania, Maroku dhe Kuvajti karakterizohen, sipas tij, si vende “pjesërisht të lira”, ndërsa pjesa tjetër e vendeve të botës arabe cilësohen, si “jo të lira”. “Si përfundim”, shkruan ai, “Arabët që jetojnë në këto vende “jo të lira”, nuk janë të informuar ose janë të keq-informuar”, për ngjarjet ndërkombëtare, përfshirë vendet e tyre dhe botën arabe. Si rrjedhim, ka shkruar Khashoggi në artikullin e fundit, “Ata nuk e kanë të mundur të merren me çështjet rajonale dhe të ditës së përditshme që u interesojnë atyre, aq më pak t’i diskutojnë ato publikisht. Një pjesë e madhe e publikut arab bie viktimë e shpjegimeve zyrtare të këtyre shteteve – shpjegime që dominojnë psikozën publike – megjithëse shumë prej tyre nuk i besojnë versionet zyrtare. Fatkeqësisht, kjo situatë nuk ka të ngjarë që të ndryshojë”, potencon Jamal Khashoggi, në shkrimin e tij të fundit në gazetën amerikane “Washington Post”. Madje edhe Libani, që dikur konsiderohej si shembull për sa i përket lirisë së shtypit në botën arabe, tani ka rënë viktimë e polarizimit dhe influencës së Hezbollahut pro-iranian, ka shkruar Khashoggi në artikullin e botuar në gazetën amerikane “Washington Post”.

Prandaj, thekson ai, “Bota arabe po përballet me versionin e saj të një Perdeje të Hekurt, të imponuar, jo nga aktorë të jashtëm, por përmes forcave të brendshme që konkurrojnë për pushtet”, shkruan ai. “Gjatë Luftës së Ftohtë, Radio “Evropa e Lirë”, e cila gjatë viteve u bë një institucion mediatik kritik, luajti një rol të rëndësishëm, (për vendet ish-komuniste) duke mbajtur gjallë shpresën për liri. Arabët kanë nevojë për diçka të njëjtë”, ka sugjeruar Khashoggi në artikullin e fundit të botuar në gazetën amerikane. Bota arabe kishte shpresë të madhe për liri gjatë të ashtuquajturës “Pranverë arabe” të vitit 2011, ndërkohë që, sipas tij, gazetarët, akademikët dhe popullsia arabe në përgjithësi, shpresonin për një të ardhme më të ndritur dhe për një shoqëri arabe të lirë në vendet e tyre, respektive. “Ata prisnin të emancipoheshin nga hegjemonia e qeverive të tyre dhe nga ndërhyrjet e pandërprera dhe nga censura e ashpër mbi shpërndarjen e lirë të informacionit. Këto pritshmëri e shpresa u shuan shpejt, ndërkohë që këto vende ose iu kthyen statu-kuosë së mëparshme ose u përballen me kushte dhe më të ashpra se përpara”, theksohet në artikullin e fundit të Khashoggit, në gazetën “Washington Post”. “Ishte një kohë”, shkruan ai, “kur gazetarët mendonin se Interneti do ta çlironte njëherë e mirë përhapjen e lirë të informacionit nga censura zyrtare dhe nga kontrolli mbi medien. Por këto qeveri, ekzistenca e të cilave varet nga kontrolli i fjalës së lirë dhe informacionit e kanë bllokuar në mënyrë agresive Internetin. Gjithashtu, ato kanë arrestuar gazetarët vendas dhe u kanë bërë trysni kompanive të ndryshme që të mos reklamojnë produktet e tyre në gazetat specifike, duke i dëmtuar ato edhe ekonomikisht”. Në shkrimin e tij për gazetën “Washington Post”, gazetari saudit Jamal Khashoggi, shprehet se me gjithë gjendjen kritike të lirisë së medies në pjesën më të madhe të botës arabe, aty-këtu, ekziston ndonjë vend ku ende mishërohet fryma e “Pranverës Arabe”. Ai ka përmendur Katarin si një vend i cili vazhdon të mbështetë mbulimin e lajmeve ndërkombëtare, në krahasim me përpjekjet e fqinjëve të tij, për të kontrolluar përhapjen e lirë të informacionit, në mbështetje të “rendit të vjetër arab”. “Bota arabe”, sipas Jamal Khashoggit, ka nevojë për një media trans-nacionale ashtu që qytetarët të kenë mundësi të informohen rreth ngjarjeve botërore. Për më tepër”, ka shkruar ai, “Kemi nevojë për një platformë për t’u përdorur nga zërat e ndryshëm arabë”. Duke iu referuar botës arabe, ai përfundon duke thënë se, “Ne vuajmë nga varfëria, keq-menaxhimi dhe arsimi i dobët. Nëpërmjet një forumi të pavarur ndërkombëtar, larg influencës së qeverive nacionaliste (arabe) që përhapin urrejtje nëpërmjet propagandës – qytetarët e thjeshtë të botës arabe do të kishin mundësi të merreshin me zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen shoqëritë, në të cilat ata jetojnë”, ka përfunduar ai artikullin e fundit të jetës së tij për gazetën “Washington Post”.

Dikush mund të pyesë se ç’na duhet ne shqiptarëve të dimë për mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe e kudo tjetër. Për më tepër pse të informohemi për vrasjen e një gazetari arab, të cilin as nuk e njohim dhe shkrimet e të cilit nuk i kemi lexuar. Në mendimin tim, ka rëndësi që lexuesit shqiptarë të informohen për ngjarje të tilla, sepse mënyra – dhe ky nuk është i vetmi rast – siç duket aq brutale e vrasjes së një gazetari, vetëm e vetëm se në shkrimet e tija mbështet Fjalën e Lirë për veten dhe për bashkatdhetarët e tij – duhet të jetë një shqetësim serioz për të gjithë ne kudo, në Shqipëri, në Kosovë në Evropë, por edhe në Amerikë. Përpjekje të tilla për kufizimin e fjalës së lirë me ligj, duhet të konsiderohet si një kërcënim edhe për liritë e tjera bazë të njeriut. Vrasja brutale e gazetarit saudit, Jamal Khashogg-it duhet të jetë një paralajmërim ogurzi — për ata udhëheqës kudoqofshin, të cilët flirtojnë me ide për “paketa ligjore anti-shpifje”, si një mjet për të kufizuar lirinë e medies — se ku mund të çojnë masa të tilla kundër lirisë së të shprehurit dhe rreziqet që mund t’i kanosen një shoqërie që pranon propozime të tilla me duar kryq, të imponuara nga lartë. Vaj medet për atë shoqëri! Fatkeqësisht, një zë i fuqishëm arab në mbrojtje të lirisë së fjalës, siç ishte ai i Jamal Khashoggi-t, nuk është më! Zëri i tij mund të jetë heshtur përgjithmonë nga armiqtë e lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë, por fjalët e tij në mbrojtje të fjalës së lirë në vendet arabe në veçanti dhe në botë në përgjithësi, nuk do të shuhen kurrë!

Filed Under: Analiza Tagged With: fjala e lire, Frank shkreli, Jamal Khashoggi, Vrasja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT