• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

11 prilli dhe këpucët e kuqe

April 11, 2017 by dgreca

Nga Flutura Açka/

Ishte mëngjesi i 11 prillit, kur për herë të parë pas atyre muajve të vitit të parë të ekonomikut, nipi i Sofo Lazrit, emri i të cilit nuk më kujtohet këtë çast, erdhi i zymtë në klasë. Rrathët e syve i kishte të kuq dhe ninëzat nuk i shiheshin nga trishtimi që e kishte zënë.Atë e kishim si lidhës me Komitetin Qendror, klasa jonë e studentëve kishte ‘privilegjin’ e madh të mos luteshim për ndonjë lajm nga kupola, por lajmet na vinin vetë; sigurisht për ata që i kishin merak ato lajme. Për vete nuk e di shumë, por një mikja ime më kujton atyre viteve që unë vetëm qeshja dhe më pëlqenin pastat.Ai vetëm tha se do ta mësonim shpejt se Shqipëria do të thyhej më dysh nga dhimbja që do të mësonte. Aty nga ora 11 a më pas, lajmi u njoftua zyrtarisht dhe natyrisht mësimi i asaj dite shkoi.

Si sekretare e grupit që isha (më shumë nga notat dhe natyra organizative) kisha për detyrë të organizoja grupin për ngushëllimin mbarëkombëtar që duhet t’i shkonte Komitetit Qendror nga çdo klasë, organizatë, zyrë, arë me miser me kubik dhe pa kubik, kantier, furrnalta, minierat, lulishte, kopësht e klinikë.E gjithë Shqipëria po bënte ngushëllimin kombëtar historik dhe po e siguronte partinë se ishte pranë saj ato ditë të rënda të cfilimës sonë. Shkurt, edhe në, nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e nipit tonë të dashur, e bëmë si mos më mire, vumë emrat tanë, të gjithë me radhë (mos e vër po deshe!), firmosëm dhe e nisëm. Çuditërisht një kopje të saj e kam në arkivën time personale, me gjithë marrëzinë që përfshin ajo.

Dhe m’u për faktin që isha biçim lidere e grupit, emri im u shënua tek studentët që do të kishin ‘privilegjin’ të mbanin kurorat, kurorat e të tjerëve. Nuk më kujtohet në fakt se cilën kurorë kam mbajtur unë me dike tjetër, por mbase atë të Frontit Demokratik, pasi nuk isha në radhët e para. Kurora ishte e rëndë dhe e vështirë ta mbaje nëpër boulevard, por deri atë ditë, kur pikërronte shi dhe kronologjia e shënoi si përlotje e natyrës ndaj fatit tone, unë pata ca periperci, jo aq të vogla po të kthehesh në kohë.

Të nesërmen, drejtoresha e godinës 15 të Qytetit Studenti ku bujtnim ne të ekonomikut, më thirri në zyrë dhe më pyeti për veshjen. “Shko vishu siç do të vishesh atë ditë dhe eja në këtë dhe të orë të shoh se a je përshtatshëm”. Edhe pse veshjet e mia i qepja vetë me time më me një ‘Butterfly’ kineze që kishin në shtëpi, nuk kisha veshje të zeza (kodi i detyruar për atë ditë), pasi ajo i urrente. Kështu që lypa te vajzat e dhomës – dhe ishim jo pak, por nja pesëmbëshjetë rioshe – dhe u sajova disi. Kur vajta te F. SH., drejtuesja e konviktit, një grua që më donte dhe e doja fort, ajo më këqyri dhe kur pa gjysmëkëpucët e mia në ngjyrë të kuqe, tha: “Flutura, hiqi shpejt, këto nuk lejohen!”.

I thashë se nuk kisha të tjera dhe se asnjëra nga shoqet e dhomës nuk e kishte numrin tim të këmbës, as këpucë të përshtatshme. Më urdhëroi të shkoja në shtëpi, në Elbasan dhe të nesërmen të isha aty ‘gjallë ose vdekur’ me këpucë të zeza.

Kështu që udhëtova me tren atë mbrëmje dhe të nesërmen në kthim, me orë e orë të tëra për shkak të vonesave të trenave atyre viteve dhe të popullimit të madh që u kishte ndodhur vagonëve nga shqiptarë të pikëlluar që po vinin për homazhe dhe të ishin afër parties atyre ditëve që armiku i jashtëm ishte duke festuar.

Mbase nëpër fqinjë a në të afërm, dhe këpucët e zeza u sajuan, kështu që këpucët e mia të kuqe, nuk ishin dëshmitare të asaj dite funeral, kur njerëzit binin nga ligía në trotuar dhe kur kurorat tona ndiqnin topin ku mbahej kuptimi i deriatëhershëm i frymëmarrjes sonë. Të nesërmen askush nuk do të dinte se si të merrte frymë pasi të ndaheshim nga udhëheqësi ynë.

Atyre ditëve në mbrëmje, në dhomën e vogël të televizorit të godinës 15 mblidheshin rreth 800 vajza dhe qanin me ligje. Kishte që rrinin më larg, por po të rrije në dhomë, mund të përfundoje të nesërmen në burg. Armiku atë ditë kuptohej lehtë, dhe partia përveç vajit, ishte syçelët të shihte kush po festonte atë ditë. Ulërima e atyre ditëve në atë sallë të vogël, është gjëja që nuk më është shlyer kurrë nga kujtesa, piskama i shponte muret, që mbase atë ditë kishin nisur të tronditeshin.

Pak ditë më pas unë iu ktheva kënaqësisë së këpucëve të mia të kuqe dhe pranverës që premtonte ngjyra për vete dhe shqiptarët, një pjesë e të cilëve mbase ende nuk i kishin palosur të errëtat. Natyrisht të përbetuarit nuk kanë harruar as sot të vajtojnë, të vizitojnë të venë që po bën jetë princeshash dhe që ka zëdhënëse ca gazetare e gazetarë që nuk kanë mundur të kuptojnë se nga cila gijotinë kemi shpëtuar atë 11 prill 1985.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 11 prilli, Flutura Acka, këpucët e kuqe

Kukullat me motive të humbura të Flutura Açkës

February 4, 2014 by dgreca

Esse-analizë rreth romanit “Kukullat nuk kanë Atdhe”/

Shkruar nga Raimonda MOISIU/

Shkrimtarja Flutura Açka konsiderohet ndër shkrimtaret më të rëndësishme dhe të admiruarat në letrat shqipe. Ajo është autore e një sërë romanesh, vëllimeve me poezi dhe publicistikë. Është mjeshtre e rrëfimit, me ndikim të jashtëzakonshëm në artin e të shkruarit, me frymë bashkëkohore, veçmas asaj në prozën moderne. “Kukullat nuk kanë Atdhe” titullohet romani më i fundit i shkrimtares Flutura Açka, i botuar nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books”, 2013. Dalja në dritën e botimit të romanit, pati jehonë për mesazhin e fuqishëm përmes ndërtimiit të ngjarjeve dhe personazheve me parafillesat, fillesat e mbaresat e tyre, dhe  për ndjeshmërinë se si e duam dhe e dëshirojmë Atdheun e vërtetë, dhe atë të realitetit të sotëm. Bota reale e Atdheut, është bota pa konvencionet e paemërta me ngjyrimet e turbullimet dhe modelet e saj të palexueshme. Atdheu real është alegoria dhe personifikimi që përshkon udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës, të kuptueshmen dhe jashtëzakonisht kuptimploten në këtë roman. Mesazh, që na kujton se sa nevojë ka shoqëria shqiptare për realitetin dhe të vërtetën, të cilët autorja Açka i përcjell aq mjeshtërisht, çka e ka bërë që, sot për sot, libri të vlerësohet nga më të mirë e zërit krijues dhe guximit qytetar e intelektual femëror në letërsinë shqipe.

“Kukullat nuk kanë Atdhe” është një libër artistik, publicistik dhe melodramatik, që  përshkruan histori e personazhe tronditëse nën mantelin gri,  ironik, satirik, komik, provokues e rrëqethës ndaj realitetit social-ekonomik-politik të një Atdheu të asfiksuar nga moderniteti ballkanik, ku dallohet qartë dhimbja, tronditja e brendshme dhe e jashtme, lufta për pushtet, frikë, izolim, vetmi, seks, skandale, vrasje, dhunë sociale e fizike, urinë dhe tejngopjen, mjerimin e trishtimin, vlerën e antivlerën, regresin e progresin, të varfër e të pasur, të moralshmen e të pamoralshmen, pesimistë e optimistë, grotesken, dëshpërimin dhe keqardhjen, lindjen e vdekjen, jetesën e mbijetesën – bashkudhëtarë të ngjarjeve dhe situatave të ndryshme dhe të pashërueshme për ndjeshmërinë e dashurisë për Atdheun e vërtetë.

Ky libër ka një efekt unifikues mbi lexuesin dhe demonstron teknikë të shkëlqyer narrative, mendim filozofik dhe  imagjinatë letraro-artistike të pazakontë të jetës, duke i përshkruar në distancë rolet e personazheve të veprës,  me mendime që dallohen për ironinë delikate, impulse të pazakonta dhe parandjellëse. Atmosferën misterioze dhe shijen e përkobëshme, autorja e mbështet në imagjinatën dhe aftësitë letrare të saj, tek e lartëson dobësinë madhore të vëzhguesit njerëzor, që  përshkohet në  shumë  nivele të rrëfimit dhe përdorimin e zakontë e të pazakontë të dialogut mes protagonistit dhe antagonistit, deviza kryesore e strukturës narrative, thriller që duket sikur del nga ekranet e “kinemasë” të farsave sociale.

Ndërsa rrekesh së lexuari nëpër faqet e romanit, e kupton se e gjen veten në çdo  rrëfim apo histori dhe e studion me kujdes atë që ndodh në rrjedhën e veprës, përfytyron dhe kupton gjithçka që rrëfyesja përshkruan me vërtetësi çfarë ka ndodhur, ekzistuar dhe ekziston. Autorja Açka mjeshtërisht artikulon idetë e trajtuara me veprimet e personazheve dhe implikimet e pasojave të tyre, peshën e konfliktit dhe kontrastet në vetvete për nga vlerat njerëzore dhe vështirësitë, që vjen më tepër nga diferenca e kulturës, profesionit dhe horizontit të personazheve. Në “Kukullat nuk kanë Atdhe”, shkrimtarja Flutura Açka na  paraqet kronologjinë e mendimeve, rreptësinë e parimeve me përqasjen e objektivit bazë. Nëpërmjet tyre autorja  shtjellon botën reale në disa etapa: parafillesa, fillesa, pragje (kapituj) edhe mbaresa -eksperimente të denja; paragrafë gjallërisht bindës në shumë aspekte të jetës së përditshme të personazheve që janë mirëvendosur me hollësitë dhe nuancat e tyre, nën efektin vital të përvojave jetësore, mes psikikes e shpirtërores.

 

Aftësitë letrare, mendimi filozofik dhe pena publcistike e Açkës penetrojnë në vetëdijen e  farsave sociale të realitetit prej rëre të shoqërisë.

 

Duke pasur parasysh se sa shumë personazhe do të hasim në krejt kapitujt paraardhës, autorja që në fillesë bën një paraqitje të shkëlqyer të personazhit kyç, Matronës, personazh dashamirës e mbresëlënës, dhe më e ndikuara në shtjellimin e rrëfenjës. Matrona, grua e vetmuar, e shëndetëshme, plot virtyte njerëzore, ndershmëri e sinqeritet, humane, tradicionale, butësi shpirtërore e brishtësi femërore, e hijshme dhe interesante, herë pesimiste e herë optimiste, me kuriozitetin e humbur dhe spontan, guxon dhe jeton brenda kontrastit dhe përplasjes mes dy realiteteve. Jeton brenda botës në apartamentin e saj, atij kontrastit fanatik të një bote të përciptë, patetike e spekulative, virtuale dhe reale, dhe dhunës verbale nga T, prej nga ku media, politika e  shoqëria ekspozojnë dhunën fizike e sociale, njerëzore, ngjethëse dhe e padurueshme, amorale dhe e qetë. Bota  jashtë apartamentit të saj – në rrugëtimin e jetës, përballimin e rezonancave dhe lidhjet të panumurta psiko-emocionale mes kukullave  të Matronës – peng i dy realiteteve brenda botës reale, “kjo është arsyeja pse Matronën me atë – botën jashtë – nuk e lidh veç dritarja e hapur. Të paktën këtë mbrëmje”. Dy realitete këto që e bëjnë rrëfimin mëse tronditës dhe të nënkuptuar në shumicën e situatave të kronikës së jetës së përditëshme.

Autorja Açka me mjeshtëri letraro-artistike, filozofike dhe përshkrime publicistike zhdërvjellese, vendos lidhjet mes Matronës dhe kukullave, pjesëmarrjen e tyre amatore me kuriozitetin e humbur në teatrin e madh jo harmonik të realitetit social-politik dhe shijeve  “përzgjedhëse” të shpërfilljes shoqërore; “Ajo, Matrona e lodhur, po i nxjerr nga jeta e saj. Në jetën e lirë. T’i bëjë pjesë të Atdheut të saj. Nëse Atdheu do të dijë t’i pranojë, nëse do të ketë bujari t’i pranojë. Nuk dëshiron të mendojë se kukullat nuk kanë Atdhe. Dilni, dilni, paci fat! Fat-mira a fat-nxira!” Me kënaqësinë, virtuozitetin dhe inkoshiencën e saj, në formën dhe ndikimin e konsiderueshëm, nëpërmjet monologut dhe dialogut rrëfyes dramatik, provokues   dhe dizajnit narrativ satirik, Açka krijon edhe lidhjet e mundshme e të pamundshme, të përballueshme e të papërballueshme, misteret dhe intrigat mes kukullave dhe protagonistëve  realë, ngjarjeve bashkëkohore dhe mënyrës si drejtohet shoqëria shqiptare, të cilat morfemojnë njëra-tjetrën dhe pikëpamjet e mprehta mbi realitetin me piroteknikën intelektuale, qytetare e guximin njerëzor.

Libri është i frymëzuar nga ngjarjet e vërteta të çdo aspekti të mundshëm të jetës dhe rizbulimin e brengave dhe traumave që gëlojnë brenda skenarit klishe e pushtetit të dështuar dhe ndjenjës naive të degradimit me vetëdijen e  farsave sociale në realitetin prej rëre të shoqërisë. “Tirana është tereni ku rehatohet Liria prej gati njëzet vjetësh. Shtrihet edhe më përtej, por në Tiranë shquhet. Por ka ca kohë që ka filluar të shqyhet prej shtriqjes së tepërt. Tërheqja nga akrobacitë e shpeshta. Parodi e madhe e lirisë po na bën të ndihemi pa Atdhe, pasi po heshtim nga cënimi i lirisë, mu prej ngopjes nga liria. Liri do të thotë edhe të mos heshtësh, duke heshtur ndërtojmë një Atdhe të frikshëm,” shkruan Açka që në krye të Pjesës 12, në faqen 222. Me lojën e bukur e të thjeshtë të sarkazmës e marazit, groteskes e anekdotave, ironisë therëse, autorja të 100 kukullave të saj “iu ngjyros numër në kurriz”, dhe në heshtje tre T-të – Trupin, Talentin dhe Trurin – Kukulla nr.6 (gazetare), nr.13 (pianiste), nr.24 (juriste), nr.30 (bisnesmene e modës), nr.31 (shkrimtare), nr.33 (stiliste), nr.66 (Biodance), nr. 69 (gazetare e pavarur) nr.71 (modele), nr. 107 (gazetare e pavarur), etj., duke iu përshtatur profesionet brenda mjedisit të realitetit shqiptar, duke prekur në mënyrë të qartë personazhe befasues në jetë, rrëfim për njerëz të zakonshëm, shkrirjen e disa grave të vërteta për të gjetur zërin e tyre të jetës. Gra-kukulla, dhe liria që ato synojnë shpesh duket si e çoroditur për jetën e me jetën mbi kuptimin dhe arsyen, logjiken dhe psikologjiken, veçmas inferioritetit maskilist. Kukulla me motivet e humbura në jetë, janë pjesëza të njerëzores dhe të universit social, ekonomik e politik. Personazhe që sjellin kënd-vizione pikërisht aty në Tiranë ku mpleksen vlera e antivlera, kotësia e shpresa, dhimbja e dashuria, dhuna e shtypja seksuale, që lindin çdo çast polemika, thashetheme, frika nga pasojat, debate me butësinë dhe agresivitetin e rotacionit të koncepteve dhe përmbysjeve të dogmave në përshpirtje të tranzicionit të lodhshëm, të stërmunduar e të stërgjatur i kohës dhe i realitetit  që jetojnë.

E guximshme, e vullnetshme, e hekurt, inteligjente, e talentuar, idhnake, e qartë dhe e kthjellët në atë që shkruan e shpreh, Flutura Açka guxon – përtej guximit të marrëzisë, gënjeshtrës, falsifitetit  e hipokrizisë, prek plagët e dhimbshme e të ndjeshme të dramës social-ekonomike dhe politike të ngërthyer  nga veset, gjykon atë realitet që rrallëkush guxon ta thotë mbi çdo vullkan urrejtjesh, etjes dhe rrezikut për hir të pushtetit, pasurisë dhe histerisë klanore, me një prekshmëri të pamohueshme mbi politikën që ngrihet syhapur lehtësisht, ngushëlluese e triumfuese ndaj diversitetit, ambicjeve, bindjeve e principeve njerëzore dhe kockës qytetare e intelektuale. Historia është më shumë për shtresat sociale të  shoqërisë. Nuk janë stereotipe “shpëtimtarë” të zotit – politikanë e deputetë të përfaqësuar në roman nga Vokërr Delia, oportunistë, aventurierë, mashtrues dhe provokatorë të drogës dhe krimit, besnikëria e të cilëve është e gjithëpranueshme, ideokracija e tyre bazë: skllavëro të tjerët për të sunduar! Personazhe banalë dhe figura të përbuzura për moralin e personalitetin e tyre të dyzuar, por që  gdhihen të varfër e ngrysen milionerë në këtë realiet të dhimbshëm.

“Morali është diktaturë”, shkruan shkrimtarja Marta Marti, që do të thotë: triumfi i moralit të pistë merr kuptimin e tij gradual, të frikshëm e të politizuar, urë zjarri feminist për të kontrolluar gjithçka. Ngopja e mosngopja për seks e para, liria e femrës dhe hija e famës: “Fama dhe femra, i kujtohet Lolita, janë dy motra siameze”! Kukullat ballafaqohen me  lirinë dhe rolin e tyre në shoqëri, zakonet dhe moralin e ngritur prej shoqërisë dhe me autoritetin e urisë mashkullore, dhunës e shtypjes seksuale, që politikisht është larg dhe i sofistikuar në monotoninë e shoqërisë dhe pikëpyetjes së vërtetës faktike.

Një nga virtytet më mjeshtërore e Açkës me përkushtimin krijues si qënie njerëzore, është  simpatia diskrete për personazhet e saj. Autorja u jep role të forta disa kukullave të saj me kryeneçësinë dhe delikatesën femërore të tyre, dilemën e gjinisë e seksualitetit në audiencën e mundshme e të paparashikueshme, metaforë e përkryer kjo e metamorfozës së jetës në  Tiranë dhe në realitin e ashpër social të mbuluar nga krizat ekonomike e sociale. Personazhe si kukulla nr.6, nr.13, shkrimtarja Marta Marti dhe poeti Mond Shpali në hije, Ed Zagoria në mërgim, Vokërr Delija me arrogancën  e veset e tij, janë përzierja imagjinare e figura intriguese në roman. Kukullave nr.6 dhe nr. 13, Açka u ka dhënë përfomancën serioze mes guximit e ankthit, që simbolizojnë portretizimin e konstruksionalizmit social-ekonomik-politik të shoqërisë së sotme. Janë personazhe të  admirueshme e të besueshme, njëra artiste dhe tjetra gazetare, që përveç përgjegjësive familjare e bashkëshortore, pranë e larg, janë pjesëmarrëse të kudogjendura dhe krijojnë besimin në rritje për kauzën e tyre. Kukulla nr.6 me syrin e mprehtë të gazetares, e ndërgjegjshme për atë që shikon e kupton ç’ndodh rrotull, me editorialet e saj, nxjerr në pah episode e ngjarje të rëndësishme në jetën e përditshme të qytetit e të shoqërisë; që nga sektet fetare që nuk dihen nga vijnë e shkojnë dhe pastrojnë paratë e krimit të organizuar, njerëzit e korruptur të politikëse të kastës në fuqi që privatizojnë e grabisin pasurinë kombëtare, nën emrin e patriotizmit – koncept korrupsioni unik ky, arrogantë e vrasës si Vokërr Delija të veshur me pushtet, famë e para, krim e ndëshkim. Me një stil të mrekullueshëm dhe balancues mes letërsisë e publicistikës, me figura letrare të godituara e të mirëvendosura në strukturën narrative letraro-artistike-publicistike, gjuhë të pastër e drejtshkrim të admirueshëm, monologje, meditime, dialogje e biseda, Flutura Açka përshkruan personazhe, figura pozitive e viktima sociale dhe nëpërmjet tyre apelon revoltën dhe zemërimin kundër arrogancës, pangopësisë, përfitimit moral e  material, krimit e dhunës fizike, seksuale e sociale të pazakontë në gjendjen sociale të sotme.

Gjatë leximit të romanit hasim zhargonin bulevardesk, larg ndrojës dhe të guximshëm të shkrimtares, por që shprehin artistikisht moralin e shoqërisë, kritikën ndaj lirisë së coroditur -shthurjes morale – dhe qëndrimin qytetar e intelektual, psiqik e njerëzor të autores, brenda përkushtimit krijues të rrëfenjës. Romani “Kukullat nuk kanë Atdhe” i Flutura Açkës, me doza të forta interesante në përjetimin e situatave e përvojave jetësore, ka prekur dhe ngritur gishtin ndaj  çështjeve më të rëndësishme e jetike, libër që tronditi muret socialë dhe mjegulloi horizontin e shoqërisë politike shqiptare, por që ndëgjegjësoi ndryshimin historik në formë e në përmbajtje – rrotacionin. “Kukullat nuk kanë Atdhe” e Flutura Açkës  është vepër e shkëlqyer e potretizimit të shoqërisë shqiptare.

Raimonda MOISIU

Hartford CT USA

Shkurt 2014

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Flutura Acka, Kukulla me motive te humbura, raimona Moisiu

Nderi (i humbur) i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare

August 27, 2013 by dgreca

NGA FLUTURA ACKA/

Diku nga fillimi i gushtit, tek shoqëroja një grup të huajsh në një udhëtim nëpër Shqipëri, këmbëngula të ndalnim edhe në ishullin e Zvërnecit, me ç’rast edhe në manastirin “Fjetja e Hyjlindesës”. Nga shkujdesja dhe vapa që ishte në zenit, nuk e kisha vënë re një tabelë rregullash në hyrje të urës, ku mes të tjerash kërkohej me lutje që vizitorët të kenë “veshje të hijshme”, gjë që ma kujtoi sapo shkela në lëndinën para kishës, njëri prej mbikëqyrësit aty, i cili më kërkoi t’u hidhja diçka përmbi supeve të mi të zhveshur, pasi veshja ime nuk “shkonte me Nderin e kishës”.

premtova se nuk do të hyja dhe se do t’ia ruaja Nderin kishës, edhe për faktin se kisha qenë edhe herë të tjera, ndonjëherë duke ndeshur edhe me refuzimin e tyre për t’u sjellë rrotull në atë vend që perëndia e ka bekuar me aq bukuri. Por për çështjen e Zvërnecit, dua të ndalem një herë tjetër më gjatë. Kjo ndodhi m’u kujtua këto ditë kur ia bëri beft çështja “kisha e Përmetit”. Dhe akoma më shumë pas meshës së disatë të sajuar në rrugë të madhe nga priftërinjtë e Kishës Ortodokse të Përmetit.
A cënon në fakt nderin dhe autoritetin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptarë incidenti me kishën e Përmetit dhe të tjera ngjarje me prapaskenë urët e zgjatura të zjarrit prej saj? Sa dorëzani dhe përgjegjësi ka në gjithë këto vetë z. Janullatos, emri i të cilit është lakuar nëpër të gjithë spiralen e marrëdhënieve shqiptaro-greke gjatë gjithë tranzicionit shqiptar?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe e të gjitha hamendjeve të ngritura, janë thënë e shpjeguar shpesh, edhe ditët e fundit madje janë evokuar sërish, kështu që unë nuk kam ç’t’i shtoj aq këtij diskursi publik. Pyetja ime si një qytetare e këtij vendi, si një qytetare as ateiste dhe as ritualiste, si mbesë e një ortodokseje të përbetuar, e cila sillej fshehur rrotull mureve të manastirit të Shën Gjonit çdo fillimqershori, është: Përse nuk ikën zoti Janullatos nga drejtimi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare edhe pas gjithë këtyre bëmave që po ndodhin me kishën që drejton ai? Sepse, siç po shkruhet dhe siç po ndodhin ngjarjet, ai nuk po e drejton siç duhet Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare, dhe në demokraci, kur nuk drejton siç duhet, duhet të japësh dorëheqjen dhe të largohesh. Ndryshe je një “diktator”, qoftë edhe në hije, qoftë edhe i veshur me petk fetar, qoftë edhe po të mos e lëçisësh siç duhet gjuhën e një vendi mikpritës.
Unë nuk i lëviz asnjë presje të gjithë mirënjohjes shqiptare mbi kontributin e z. Janullatos në ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe i bashkohem asaj pjese të arsyeshme që e nderojnë atë, por besoj ka ardhur një kohë kur vetë z. Janullatos duhet ta bëjë këtë akt (le të gjejë një arsye të përafërt me të Papës, arsye ka sa të duash) dhe ta çlirojë Kishën Ortodokse Shqiptare nga tremba jonë mbi Autoqefalinë të rreme apo të vërtetë. Por që të mos e lë argumentin në mes, po rendis disa nga arsyet përse z. Janullatos, do të duhej ta rishikonte (sa më shpejt aq më mirë në të mirë të të gjithëve) statusin e tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare:
– Me incidentin “kisha e Përmetit”, z. Janullatos e përzieu Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare në një incident diplomatik mes dy shteteve dhe vendeve fqinjë, Shqipërisë dhe Greqisë, marrëdhëniet e brishta mes të cilëve shpesh janë agravuar ose qëllimisht ose nga shkujdesja edhe nga faktori Kishë Ortodokse. Ndërhyrja e shtetit grek në marrëdhëniet shtet-kishë shqiptare, cënoi shumë rëndë pavarësinë e pretenduar nga krerët e saj. Nga kjo logjikë, po aq të drejtë do të kishin edhe maqedonët, edhe serbët, edhe rusët, të protestonin për “keqtrajtimin” të sivëllezërve të tyre ortodoksë. Dhe në këtë incident diplomatik, ai (z. Janullatos) ka përgjëgjësi personale, sepse e vuri në dyshim këtë pavarësi dhe nuk e dimë tani më i shërben Zotit apo të zotërve. Kjo do të dojë ca kohë të qartësohet dhe unë lutem që koha të jetë në favor të Nderit të z. Janullatos dhe të Kishës që drejton ai.
– Me incidentin “kisha e Përmetit”, z. Janullatos nuk mundi t’u drejtojë dhe orientojë siç duhet as vartësit e tij (Themollarin me shokë), as delet e tij të perëndisë, por i la të ngrenë krye dhe të venë dorë mbi shtetin, shtetin për të cilin predikon çdo ditë, se duhet mbajtur në këmbë me ligje e rregulla. Nuk është e tepër t’ia ripërsërisim z. Janullatos se shteti shqiptar është shtet laik dhe feja (çdo fe, në një vend si ynë që shquhet për harmoni fetare) nuk ndërhyn në punët e shtetit, e respekton shtetin dhe është transparente me shtetin për të gjitha veprimet e saj.
– Në këto 20 e kusur vite të drejtimit të tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, nuk është bërë aq sa duhet (për të mos thënë fare) për nderimin e figurave të ndritura të Auoqefalisë si të Fan Nolit, Visarion Xhuvanit, Papa kristo Negovanit dhe të tjerëve figura të vyera, emrat e të cilëve dalëngadalë po i çrregjistrohen listës së kontributeve në Kishën tonë Ortodokse.
– Në videon e shpërndarë këto ditë (në greqisht) nga z. Janullatos mbi historikun e kishës së Përmetit, qendra kulturore që i është rikthyer tashmë bashkisë së qytetit të Përmetit, që ka një emër shumë simblok për këtë qytet dhe për kulturën kombëtare, cilësohet si një vend ku do të luhet kumar dhe bilardo. Sigurisht, z. Janullatos e di se në një shtet të varfër ka pak para për kulturën, por kjo nuk do të thotë që ta rrënojmë atë për fenë, sikurse as fenë për shtetin, siç ndodhi në diktaturë. Siç edhe e vërejti faqe dheut e gjithë Shqipëria, një kishë e përmasave aq të mëdha sa u nis të ngrihej, do t’u shërbeka vetëm 20 e 30 vetëve (aq ishin në meshën e fundit në rrugë), siç edhe u shërben 100 a 150 vetëve e gjithë ajo bina betoni kitch që u ndërtua në mes të Tiranës.
Megjithatë, për mendimin tim, më mirë ngremë kisha se sa gradaciela që ia kanë marrë frymën Tiranës. Unë do të kisha dëshiruar që ngjitur me kishën të ngrihej edhe një bibliotekë dinjitoze për Tiranën. Në pallatin e kulturës “Naim Frashëri” në Përmet, më e pakta që do të bëhet, do të ngrihet një bibliotekë dinjitoze apo një kurs të rinjsh muzikantë që të ndjekin përvojën e njërit prej gjenive të kabave shqiptare, Laver Bariut. Por z. Janullatos nuk e di këtë, dhe s’është faji i tij që google earth i tij nuk ia kap kuq e zi këtë zonë të Ballkanit. Dhe më tej, pa dashur kurrsesi të përflas Nderin e Kishës Shqiptare, ca punëra që bëhet fshehurazi nën veladon, nuk janë ndonjëherë më të ndershme se kumari, aq më pak se bilardoja, ku shpesh të rinjtë e papunë shqiptarë vrasin kohën, a thua se kanë ndonjë zgjedhje tjetër?
– Me vite, prej Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare është shpallur një betejë e hapur ndaj një prifti të vetmuar në Elbasan, at Nikollë Marku i kishës së Shën Marisë, i cili është përndjekur dhe persekutuar në mënyrë të vazhdueshme prej saj. Edhe drejtuesit e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare janë prononcuar shpesh me fjalë, edhe fyese, ndaj këtij prifti për një fakt fare të thjeshtë: Ai mendon ndryshe nga krerët e Kishës Ortodokse mbi çështjen e pavarësisë së Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pikëpamje të cilat i shkojnë më afër së vërtetës. Edhe pse i pambrojtur nga shteti, i lënë dhe i përbuzur në devotshmërinë e tij, At Nikollë Marku ka gëzuar simpatinë e besimtarëve që frekuentojnë kishën e tij dhe të shqiptarëve që mendojnë si ai dhe që nuk arrijnë ta shpjegojnë dhe ta pranojnë gjithë atë mllef nga njerëz të perëndisë ndaj njeriut të perëndisë.
– Në kaq vite në drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, z. Janullatos është gjendur shpesh në qendër të debateve, siç edhe ky i fundit mbi kishën e Përmetit, që për fatin e tij të keq, kanë cënuar edhe dashurinë e shqiptarëve ndaj tij. Më mirë se kushdo, ai e di vetë, se pa këtë shpurë politikanësh puthadorës ndaj Greqisë, ai nuk do të ishte aty ku është. Ka ardhur një kohë kur Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare të flasë shqip, dhe që të ndodhë kjo, z. Janullatos duhet të ikë me Nder që të mbetet i Nderuar mes nesh. Ne kemi detyrimin ta nderojmë dhe t’i jemi mirënjohës për çfarë ka bërë deri tani. Tani ka ardhur koha të kthehet në atdheun e tij dhe ta lërë kishën të ecë vetë, e pavarur.
Misioni i Anastas Janullatosit ka mbaruar. Nëse për të shkuar në Evropë, na duhet të falim detin, të shesim dhe blejmë eshtrat e të parëve tanë, të heshtim kur na i ndërrojnë emrat, të detyrohemi të flasim joshqip për një pension europe, më mirë të mos e kemi këtë Evropë, ku duhet të hyjmë pa identitet. Shqiptarët do të dinë t’ia bëjnë të gjitha nderet dhe t’i jenë atij mirënjohës pas largimit z. Janullatos.
Detyrimi fetar dhe i perëndishëm i z. Janullatos është kryer. Ai vetë duhet të ikë, që të mbetet i nderuar dhe të mos i lërë Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare njollën e punëve jopatriotike dhe antishqiptare. Nëse do të qëndrojë deri në fund, i paepur dhe i mbrojtur nga palopolitikanët shqiptarë, na jepet e drejta të besojmë se po ëndërron të na lërë ndonjë kular zvarrë mbi dhe, të tillë që, saç do të na i ngatërrojë këmbët, po aq edhe do të mbledhë mallkimin tonë sa herë të ngatërrohemi me të. Kjo është një zgjedhje e tij (edhe e jona, që ta themi më qartë), e varrosur në ndërgjegjen e tij. Ne kemi të drejtën vetëm t’ia kujtojmë.(kortezi- Shqiptarja.com)

Filed Under: Analiza Tagged With: Flutura Acka, i Kishes Autoqefale, nderi i humbur, shqiptare

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT