VARGJE ME MOTIVE POPULLORE/
Nga Agim Xh. Dëshnica/
KARVANI/
Rrjedhin lotët në lëndinë,/
shkon karvani në Follorinë!/
Shkon karvani me fshatarë,/
djem të rritur, baballarë!/
Shkon karvani përpjetë zalli,/
“Mos na qani për së gjalli!”/
Ecin udhës nëpër gurë,/
nëpër va e nëpër urë!/
Përtej grykash larg më larg
mushka, hejbe, njerëz, varg,
humbi fshati i bekuar.
Ikën djemtë e hutuar.
Qiraxhi, o qiraxhi,
ndave nusesh djemtë e ri!
Qiraxhi, të zëntë çarku,
humbe djemtë larg nga pragu!
* * *
Shkojnë vaporë e vijnë vaporë,
pret më kot nusja e gjorë!
Kokën ul e qan e tjer!
Në dritare – tok me vjehrë!
Kthen në fshat pa djem karvani!
Ç’u bënë Vaska, Guri, Jani!?
Nënë e dhëmbshur sheh e ngrirë,
nuse e bukur si e mpirë!
MALL SI MAL
Për ku shkon me gas kështu?
Shndrijnë e qeshin sytë e tu…
Ndalu pak se kam dy fjalë,
për një brengë- mall si mal.
Larg i ikur, mërgimtar,
kthehesh posi zog shtegtar
ku dhe dimrit borë e ftohtë,
të gëzon e të mban ngrohtë.
Nëpër qafa erë e rreptë,
dritë e hije, pyll i blertë,
shkëmb mbi det, zambak, liqen
turbull lumi posht’ tek vjen,
Grykat, gërxhet, gurë i thatë,
rrap i lashtë, plep i gjatë,
shtegu, lart tek ngjitet qerthull,
joshin tutje nëpër mjegull.
Strehë, dritare, pus e gurrë,
zë oborresh, park e mur ,
lule e bar, qull nga vesa,
arë e bukës, plugu e lesa.
Portat, pirgjet në kështjellë,
tek lartohen drejt për qiell,
të shërojnë e heqin mallin
shuajn’ dhimbje, të qajnë hallin.
Për ku shkon me gas ashtu ?
Shndrijnë e qeshin sytë e tu.
Ndalu pak se kam dy fjalë,
për një brengë- mall si mal.
MALLI I DARDHAREVE
Dardhë o Dardhë, në pllajë mali,
ndanë detit rrimë, na mori malli…
O Dardhë e largët, e ëmbël -mjaltë,
vashat flutur, shtatin e gjatë.
E ëmbël Dardha? I hidhur mërgimi,
shtëpi e mbetur, djepi, burimi,
këndon këndezi si i shastisur,
del e pret më kot, nënë e molisur.
Na dogji malli, o Dardhë e bukur,
për kambanë e kishë, udhën e humbur,
për gurë e gardhe, ugaret e plisat,
korijet me bar, ahet e lisat,
gjethet e blerta, lulet në maj,
borën mbi bredha, pishat me majë.
Për grigjën, tek merr përpjetë,
fyellin e drunjtë e murron e sertë,
krismat në pyll, piskamën e shuar,
trokun e kalit, mezhdës lëshuar.
Mbi Gurin e Rrahut, Gurin e Vjeshtës
Gurin e Mprehtë, nën drurë gjineshtre,
sodisnim Devollin tej shpeshherë,
fushën e Korçës, Moravën me erë.
Kafè e Peros me mysafirë,
hotel Betelli me muhaxhirë,
raki e kumbullës, deh pleq e të rinj,
me vrap për shkollë, rendnim fëmijë.
Pas fluturash bridhnin ca bandillë ,
nën dritare posi bilbilë
serenatë, kitarë e violinë,
me këngë dhe mandolinë.
Shtatë gurë lëviz, lumi i Izvorit,
mulliri i Xegos, nxjerr mundin e plorit,
me trak e truk e me oshëtimë,
ashtu si dallgët buzës tek rrimë.
.
Frymë përmallimi, çan oqeanin,
burrat e gratë, qajnë për vatanin.
Për male e fusha, lumej e pyje,
të parët e shtrenjtë, të ndritur ndër yje.
Shpirti i Pecit, pranë portash ndalet,
te Kishë e Shën Gjergjit, ulet e falet.