Nga Shpend Sollaku Noé/
Ne Foto: Shpend Sollaku Noé brenda Monumetit të Bazovicës/
Gjuhëprerë, si në foton e mësipërme/
Nën shi, i përhumbur, me trurin që vazhdon të zbrazet prej llogjikës e të mbushet prej dhimbjes. Është ajo, dhimbja, që do të më komandojë në ato dy orë të ndejtjes time mbi hekatombën e Bazovicës me emrin Foiba.
Ne foto: Pasqyrim i shtresave ne Fiobë e Bazovicë/
Nën këmbët e mia – mijra shpirtra të pllakosur, nga një strukturë e rëndë hekuri. Nën atë masë stërmadhe metalike – humnera. Që ndërpritet nga një shtresë e dendur gurësh e dheu të hedhura në erë dikur, në majin e përgjakur të 1945-ës. Që i ndan ata nga qielli i vajtueshëm mbi kokë. Edhe pse janë nën qindra tonelata metali e shkëmbinjsh, nëse gjendesh mbi ta dhe bën të pushojnë erërat, nëse mban frymën, të arrijnë deri në veshë rënkimet e atyre që u mbuluan të gjallë.Humnera që kam në këmbë quhet foiba, një lloj grope karstike, mjaft e thellë, që në rastin tonë shkresat e dokumentojnë në fakt si të krijuar prej kërkuesve të qymyrit, në fillim të shekullit XX, të braktisur më vonë për shkak të mosprodhimit. Sikur të kish mbetur vetëm një minierë e gabuar, do të flisnim sot për një pus të braktisur prej «Skoda»-s. Që i ngjan vetëm formalisht një grope karstike, që vendasit e quajnë «foiba».Ime shoqe vazhdon të shkrepë foto e të filmojë, herë pas here kërkon të më terheqë vëmendjen. Unë nuk kam fuqi as edhe të aprovoj me të tundur kokën. Aq ndihem i paralizuar. Prej tmerrit. Që dekadat nuk arrijnë ta zbehin.
Ftohtësi të dhënash teknike(?)
Para pushtimit titist të Triestes Foiba e Bazovicës ishte 228 m e thellë. Pas masakrës thellësia e saj është përcaktuar prej 198 metrash. Është llogaritur që pas masakrës janë shtuar rreth 500 m kub «material» të cilësuara si eshtra njerëzore.Edhe atherë, në atë maj të largët të 1945-ës, dëgjoheshin, të qarta, të ngjethëshme, të vazhdueshme – rënkimet prej nëntoke. Kolonat a xinxhirëve njerëzorë që binin drejt honit të thellë prej disa qindra metrash ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që të kurseheshin municionet dhe koha e ekzekutimeve: në fillim të kolonës, në buzë të gropës – ata që pushkatoheshin; lidhur pas tyre të tjerët – të gjallë, të ndërgjegjshëm për çka i priste. Pasoi një agoni që zgjati për ditë e netë, një gulcim i mundimshëm që arriti deri në veshët e atyre që, edhe pse jo më larg se pak qindra metra prej asaj grope fatale, nuk guxuan të afrohen, nuk guxuan të protestojnë, nuk guxuan tʼi kundërvihen hordhisë së kuqe.Ishin të egër partizanët e Titos, sidomos me italianët, sidomos me robërit gjermanë, sidomos me njerëzit e thjeshtë, burra, gra, fëmijë, që kishin fajin e vetëm se nuk kishin lindur sllavë.
E kishin nxjerrë shumicën e tyre nga shtëpitë në Trieste e përreth, e kishin marrë prej kampeve të internimit, prej burgjeve.Triestja ishte bërë ndërkaq jugosllave, edhe pse që prej pak ditësh. Por duhej pastruar etnikisht, duhej pastruar edhe politikisht. Ndodhi gjithandej në Ballkan, me kundërshtarët e të kuqve. Veçse këtu, duke patur parasysh vendin dhe mënyrën e shprehjes së egërsisë partizane, merr parmasa e ravijëzime tmerrësisht të veçanta.Cilët dhe sa ishin ata që flijuan këtu në emër të një fitoreje tashmë të arritur, me këtë ekzekutim masiv pa gjyq të rregullt e në kundërshtim flagrant me të gjitha konventat ndërkombëtare për trajtimin e robërve dhe të popullsisë pas luftës?
Në bazë të dëshmive të mbledhura nga të paktët dëshmitarë apo edhe nga një dokument i OZNA-s (shërbimi i athershëm sekret jugosllav), datuar 3 shtator 1945, afermohet që në këtë foibë të Bazovicës ndodhen një numër i madh kufomash të SS-ve, të Gestapos, të “Gebirgsjaeger”-ve (fanteria e lehte gjermane) si edhe të ushtarakëve italianë dhe të gërdallave të dyzet kuajve. Mbi to partizanët kanë hedhur një sasi të konsiderueshme municioni dhe eksplozivi. Pas shpërthimit të tyre një pjesë e kufomave u mbuluan nga dherat e gurët. OZNA nuk ka interes të shënojë diçka rreth atyre qindra të gjallëve të tërhequr drejt honit prej të pushkatuarve fluturimthi. As edhe numri i vikitmave nuk saktësohet. Flitet për SS, Gestapo, kuesturinë e Gebirgsjaeger, por për faktin që ishin të parmatosur, të marrë nga e kur e pse nuk shënohet asgjë.Sipas historianëve apo politikanëve italianë numri i të infobuarve mund të arrijë deri në 5 mijë; ka mes tyre që e ngrenë këtë shifër deri në numrin 7 apo 10 mijë. Të mos harrojmë që foiba mbi të cilën është ngirtur monumenti është vetëm njëra prej atyre që fshihen në këtë zonë, si atherë akoma të pyllëzuar e larg syrit kureshtar.
Pavarësisht se çʼthuhet në dokumentat jugosllave, është vërtetuar se, përveç ushtarakëve, ndër viktimat kanë pasë qenë edhe karabinierë, financierë, policë, gardianë burgjesh, fashistë dhe antifashistë, anëtarë të Komitetit për Çlirimin Kombëtar, të gjuajtur pasi kundërshtarët më të vendosur ndaj qëllimeve aneksioniste të Titos. Patën fatin e keq të jenë në buzë të foibës edhe shumë civilë italianë por edhe gjermanë, ish Wehrmacht-as, por edhe slovenë antikomunistë, madje edhe dëshmitarë të rastësishëm.
Me arritjen e Forcave Aleate në këtë zonë dhe tërheqjen e titistëve, u bë një përpjekje prej angloamerikanëve për të nxjerrë në sipërfaqe viktimat, por u hoq dorë menjëherë pas rekuperimit të kufomave të para, për shkak (apo pretekst) të gjendjes së përçudnuar të asaj që kish mbetur prej trupave dhe të pamundësisë për tʼu dhënë një emër. Një palë e dëshmive thonë se mbetjet e trupave u trasportuan gjetkë dhe u dogjën, të tjerë mbajnë gjallë versionin se u rihodhën në foibë.
Vështirë të gjendet dhe sot e vërteta e pastër, pasi, nëpër vite, pavarësisht nga iniciativa të veçuara, nuk ndodhi asnjë gjest politik për tʼu marrë në konsideratë: vetëm heshtje e qëllimshme apo diplomatike dhe përpjekje për të mbuluar të vërtetën. Vonë, shumë vonë, pas rënies së Jugosllavisë dhe të Bashkimit Sovjektik, është arritur që ato të mjera viktima të partizanëve titistë të rikujtohen nga një kompleks lapidarësh e veprash skulptorike të konsideruara si Monument Kombëtar me dekret të presidentit Scalfaro të vitit 1992.Ata që përgatitën listat e atyre që duhej të vdisnin çfarë kanë pësuar? Asgjë. Askush. Është theksuar përgjegjësia – kolektive – e komunistëve, edhe italianë, që dominuan Triesten e asaj kohe me ndihmën e Titos. Përgjegjësi e të gjithëve, domethënë e asnjërit.
Omnia fert aetas?
Vlen edhe per ne të sotmit vargu i Virgjilit?
Ta lemë vërtetë kohën që të veprojë spontanisht?
Duhet gërmuar që e vërteta të zbardhet deri në fund? Apo duhet lë pas e kaluara, për të ndërtuar një Evropë pa mërira dhe pa hakmarrje.
Ithtarët e harrimit janë të shumtë, sidomos kur vijnë nga kampi i atyre të «përgjegjësisë kolektive». Të harrojmë, në emër të paqes së sotme, në emër të paqes së nesërme.
Të harrosh domethënë edhe të falësh. Të falësh?
Po cilët? Nëse askush, akoma, nuk është vënë para përgjegjësisë? Nëse askush akoma nuk e ka kërkuar këtë falje? Pasi autorët e pacilësuar të krimit nuk mund të pronuncohen, meqë ligjërisht nuk ekzistojnë.
Në fakt, edhe pse populli italian, edhe më ngushtë – triestinët, nuk i harruan Foibet e Bazovicës, historia zyrtare bëri ç mos tʼi lerë nën pluhur. Për më shumë se një gysëm shekulli. Rezultati?
Ia mbërriti si mësim i mamëshirshëm Srebrenica…
Ia mbërritën si shqyerje e zemrave Prekazi, Reçaku, Izbica, Rezalla, Dubrava, Krusha e Madhe, Rugova e Hasi, Studimja e Vushtrisë…
Autorët e superkrimit?
Nga e njëjta zonë e afërsisë etnike– ish Jugosllavia.
Pasardhës të të njëjtave forca politike të gjenocidit të Bazovicës.
Të atyre të fajit të dikurshmëm kolektiv.
Të mbetur të pandëshkuar.
Ja edhe harruam përsëri
cili do të jetë stacioni i ardhshëm i tmerrit? Vizitorët në Monumentin Kombëtar të Bazovicës numërohen me gishta. Edhe i vetmi cicëron sʼduket edhe aq entuziast në kryerjen e një detyre që duket qartë që nuk i jep emocione.
Turizmi i krimit është i interesuar drejt atij të përditshëm. Vetëm pazarllëqe mes Madridit e Katalonjës? Sʼështë gjë ai muhabet. Që të interesohemi na duhet gjaku, shumë gjak, për një kohë të gjatë.
Vetëm ashtu mund edhe të kujtojmë dicka, ndoshta për një kohë shkurtër.