• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Nata e Zjarreve” në Prekaz

March 8, 2018 by dgreca

-Kryeministri Haradinaj në “Natën e Zjarreve” në Prekaz: Liria jonë ishte e shtrenjtë!/

07 03 2018 ZKM 3 (8)07 03 2018 ZKM 3 (1)07 03 2018 ZKM 3 (9)07 03 2018 ZKM 3 (11)07 03 2018 ZKM 3 (2)

PREKAZ, 7 Mars 2018-Gazeta DIELLI/Me “Natën e Zjarreve” në Prekaz, është përmbyllur manifestimi gjithëpopullor për shënimin e 20 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, në kuadër të aktivitete që janë organizuar nën patronatin e Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Fillimisht në Kompleksin Memorial në Prekaz, janë ndezur flakadanët e lirisë, ndërsa në Sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, është mbajtur manifestimi përmbyllës i “Epopesë së UÇK-së”.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj, kujtoi Komandantin Legjendar Adem Jashari, Familjen Jashari dhe gjithë të rënët për liri, duke thënë se Kosova është me fat që e ka Familjen Jashari, por edhe brezin e ri të kësaj familje të shtrenjtë.
“Baca Rifat më herët tha se nuk ka pasuri më të madhe sesa populli që di ta çmoj lirinë. Kjo u pa me prezencën tuaj të madhe në ndezjen e zjarreve dhe tani këtu në këtë manifestim. Është diçka e rrallë në krejt popujt e botës, e ne ndoshta pse e kemi në mesin tonë, ndoshta harrojmë t’i shohim krejt dimensionet  e asaj se çka kemi në mesin tonë. Edhe sot e kemi në mesin tonë Ademin, Hamzën, Shabanin e ri, e kemi Bekimin, Bashkimin, Lulin, Muratin, e kemi brezin e djemve tonë, por e kemi edhe bacën Rifat që na prinë. Zoti është i madh që na e fali këtë Familje dhe sot e kemi në mesin tonë. Është e drejtë e Zotit, sepse po këta tre breza u flijuan për liri, po këta tre breza sot janë dëshmitarë të asaj se liria jonë ishte e shtrenjtë, se liria jonë ishte plotë jetë të njerëzve tanë më të dashur, më të mirë. Sot bashkohemi kështu t’i kujtojmë ata që ranë për liri, Komandantin Legjendar Adem Jashari,  Familjen Jashari dhe gjithë të rënët për liri dhe njëkohësisht të dimë se jemi në tokën tonë, në atdheun tonë dhe duhet ta mbrojmë lirinë tonë”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj falënderoi kryetarin e Komunës së Skenderajt Bekim Jashari dhe gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në këtë manifestim./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Nata e zjarreve, Prekaz

FOIBE – NGA BAZOVICA DREJT STACIONEVE SREBRENICË, PREKAZ, REÇAK…

October 22, 2017 by dgreca

Nga Shpend Sollaku Noé/

Shpend Sollaku Noé brenda Monumetit të Bazovicës

Ne Foto: Shpend Sollaku Noé brenda Monumetit të Bazovicës/

Gjuhëprerë, si në foton e mësipërme/

Nën shi, i përhumbur, me trurin që vazhdon të zbrazet prej llogjikës e të mbushet prej dhimbjes. Është ajo, dhimbja, që do të më komandojë në ato dy orë të ndejtjes time mbi hekatombën e Bazovicës me emrin Foiba.

1 ok Pasqyrim i shtresave ne Fiobë e Bazovicë

Ne foto: Pasqyrim i shtresave ne Fiobë e Bazovicë/

Nën këmbët e mia – mijra shpirtra të pllakosur, nga një strukturë e rëndë hekuri. Nën atë masë stërmadhe metalike – humnera. Që ndërpritet nga një shtresë e dendur gurësh e dheu të hedhura në erë dikur, në majin e përgjakur të  1945-ës. Që i ndan ata nga qielli i vajtueshëm mbi kokë. Edhe pse janë nën qindra tonelata metali e shkëmbinjsh, nëse gjendesh mbi ta dhe bën të pushojnë erërat, nëse mban frymën, të arrijnë deri në veshë rënkimet e atyre që u mbuluan të gjallë.Humnera që kam në këmbë quhet foiba, një lloj grope karstike, mjaft e thellë, që në rastin tonë shkresat e dokumentojnë në fakt si të krijuar prej kërkuesve të qymyrit, në fillim të shekullit XX, të braktisur më vonë për shkak të mosprodhimit. Sikur të kish mbetur vetëm një minierë e gabuar, do të flisnim sot për  një pus të braktisur prej «Skoda»-s. Që i ngjan vetëm formalisht një grope karstike, që vendasit e quajnë «foiba».Ime shoqe vazhdon të shkrepë foto e të filmojë, herë pas here kërkon të më terheqë vëmendjen. Unë nuk kam fuqi as edhe të aprovoj me të tundur kokën. Aq ndihem i paralizuar. Prej tmerrit. Që dekadat nuk arrijnë ta zbehin.

Ftohtësi të dhënash teknike(?)

Para pushtimit titist të Triestes Foiba e Bazovicës ishte 228 m e thellë. Pas masakrës thellësia e saj është përcaktuar prej 198 metrash. Është llogaritur që pas masakrës janë shtuar rreth 500 m kub «material» të cilësuara si eshtra njerëzore.Edhe atherë, në atë maj të largët të 1945-ës, dëgjoheshin, të qarta, të ngjethëshme, të vazhdueshme – rënkimet prej nëntoke. Kolonat a xinxhirëve njerëzorë që binin drejt honit të thellë prej disa qindra metrash ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që të kurseheshin municionet dhe koha e ekzekutimeve: në fillim të kolonës, në buzë të gropës – ata që pushkatoheshin; lidhur pas tyre të tjerët – të gjallë, të ndërgjegjshëm për çka i priste. Pasoi një agoni që zgjati për ditë e netë,  një gulcim i mundimshëm që arriti deri në veshët e atyre që, edhe pse jo më larg se pak qindra metra prej asaj grope fatale, nuk guxuan të afrohen, nuk guxuan të protestojnë, nuk guxuan tʼi kundërvihen hordhisë së kuqe.Ishin të egër partizanët e Titos, sidomos me italianët, sidomos me robërit gjermanë, sidomos me njerëzit e thjeshtë, burra, gra, fëmijë, që kishin fajin e vetëm se nuk kishin lindur sllavë.

E kishin nxjerrë shumicën e tyre nga shtëpitë në Trieste e përreth, e kishin marrë prej kampeve të internimit, prej burgjeve.Triestja ishte bërë ndërkaq jugosllave, edhe pse që prej pak ditësh. Por duhej pastruar etnikisht, duhej pastruar edhe politikisht. Ndodhi gjithandej në Ballkan, me kundërshtarët e të kuqve. Veçse këtu, duke patur parasysh vendin dhe mënyrën e shprehjes së egërsisë partizane, merr parmasa e ravijëzime tmerrësisht të veçanta.Cilët dhe sa ishin ata që flijuan këtu në emër të një fitoreje tashmë të arritur, me këtë ekzekutim masiv pa gjyq të rregullt e në kundërshtim flagrant me të gjitha konventat ndërkombëtare për trajtimin e robërve dhe të popullsisë pas luftës?

Në bazë të dëshmive të mbledhura nga të paktët dëshmitarë apo edhe nga një dokument i OZNA-s (shërbimi i athershëm sekret jugosllav), datuar 3 shtator 1945, afermohet që në këtë foibë të Bazovicës ndodhen një numër i madh kufomash  të SS-ve, të Gestapos, të “Gebirgsjaeger”-ve (fanteria e lehte gjermane) si edhe të ushtarakëve italianë dhe të gërdallave të dyzet kuajve. Mbi to partizanët kanë hedhur një sasi të konsiderueshme municioni dhe eksplozivi. Pas shpërthimit të tyre një pjesë e kufomave u mbuluan nga dherat e gurët. OZNA nuk ka interes të shënojë diçka rreth atyre qindra të gjallëve të tërhequr drejt honit prej të pushkatuarve fluturimthi. As edhe numri i vikitmave nuk saktësohet. Flitet për SS, Gestapo, kuesturinë e Gebirgsjaeger, por për faktin që ishin të parmatosur, të marrë nga e kur e pse nuk shënohet asgjë.Sipas historianëve apo politikanëve italianë numri i të infobuarve mund të arrijë deri në 5 mijë; ka  mes tyre që e ngrenë këtë shifër deri në numrin 7 apo 10 mijë. Të mos harrojmë që foiba mbi të cilën është ngirtur monumenti është vetëm njëra prej atyre që fshihen në këtë zonë, si atherë akoma të pyllëzuar e larg syrit kureshtar.

Pavarësisht se çʼthuhet në dokumentat jugosllave, është vërtetuar se, përveç ushtarakëve, ndër viktimat kanë pasë qenë edhe karabinierë, financierë, policë, gardianë burgjesh, fashistë dhe antifashistë, anëtarë të Komitetit për Çlirimin Kombëtar, të gjuajtur pasi kundërshtarët më të vendosur ndaj qëllimeve aneksioniste të Titos. Patën fatin e keq të jenë në buzë të foibës edhe shumë civilë italianë por edhe gjermanë, ish Wehrmacht-as, por edhe slovenë antikomunistë, madje edhe dëshmitarë të rastësishëm.

Me arritjen e Forcave Aleate në këtë zonë dhe tërheqjen e titistëve, u bë një përpjekje prej angloamerikanëve për të nxjerrë në sipërfaqe viktimat, por u hoq dorë menjëherë pas rekuperimit të kufomave të para, për shkak (apo pretekst) të gjendjes së përçudnuar të asaj që kish mbetur prej trupave dhe të pamundësisë për tʼu dhënë një emër. Një palë e dëshmive thonë se mbetjet e trupave u trasportuan gjetkë dhe u dogjën, të tjerë mbajnë gjallë versionin se u rihodhën në foibë.

Vështirë të gjendet dhe sot e vërteta e pastër, pasi, nëpër vite, pavarësisht nga iniciativa të veçuara, nuk ndodhi asnjë gjest politik për tʼu marrë në konsideratë: vetëm heshtje e qëllimshme apo diplomatike dhe përpjekje për të mbuluar të vërtetën. Vonë, shumë vonë, pas rënies së Jugosllavisë dhe të Bashkimit Sovjektik, është arritur që ato të mjera viktima të partizanëve titistë të rikujtohen nga një kompleks lapidarësh e veprash skulptorike të konsideruara si Monument Kombëtar me dekret të presidentit Scalfaro të vitit 1992.Ata që përgatitën listat e atyre që duhej të vdisnin çfarë kanë pësuar? Asgjë. Askush. Është theksuar përgjegjësia – kolektive – e komunistëve, edhe italianë, që dominuan Triesten e asaj kohe me ndihmën e Titos. Përgjegjësi e të gjithëve, domethënë e asnjërit.

Omnia fert aetas?

Vlen edhe per ne të sotmit vargu i Virgjilit?

Ta lemë vërtetë kohën që të veprojë spontanisht?

Duhet gërmuar që e vërteta të zbardhet deri në fund? Apo duhet lë pas e kaluara, për të ndërtuar një Evropë pa mërira dhe pa hakmarrje.

Ithtarët e harrimit janë të shumtë, sidomos kur vijnë nga kampi i atyre të «përgjegjësisë kolektive».  Të harrojmë, në emër të paqes së sotme, në emër të paqes së nesërme.

Të harrosh domethënë edhe të falësh. Të falësh?

Po cilët? Nëse askush, akoma, nuk është vënë para përgjegjësisë? Nëse askush akoma nuk e ka kërkuar këtë falje? Pasi autorët e pacilësuar të krimit nuk mund të pronuncohen, meqë ligjërisht nuk ekzistojnë.

Në fakt, edhe pse populli italian, edhe më ngushtë – triestinët, nuk i harruan Foibet e Bazovicës, historia zyrtare bëri ç mos tʼi lerë nën pluhur. Për më shumë se një gysëm shekulli. Rezultati?

Ia mbërriti si mësim i mamëshirshëm Srebrenica…

Ia mbërritën si shqyerje e zemrave Prekazi, Reçaku, Izbica, Rezalla, Dubrava, Krusha e Madhe,  Rugova e Hasi, Studimja e Vushtrisë…

Autorët e superkrimit?

Nga e njëjta zonë e afërsisë etnike– ish Jugosllavia.

Pasardhës të të njëjtave forca politike të gjenocidit të Bazovicës.

Të atyre të fajit të dikurshmëm kolektiv.

Të mbetur të pandëshkuar.

Ja edhe harruam përsëri

cili do të jetë stacioni i ardhshëm i tmerrit? Vizitorët në Monumentin Kombëtar të Bazovicës numërohen me gishta. Edhe i vetmi cicëron sʼduket edhe aq entuziast në kryerjen e një detyre që duket qartë që nuk i jep emocione.

Turizmi i krimit është i interesuar drejt atij të përditshëm. Vetëm pazarllëqe mes Madridit e Katalonjës? Sʼështë gjë ai muhabet. Që të interesohemi na duhet gjaku, shumë gjak, për një kohë të gjatë.

Vetëm ashtu mund edhe të kujtojmë dicka, ndoshta për një kohë shkurtër.

Filed Under: Featured Tagged With: BAZOVICA, FOIBE, Prekaz, REÇAK..., Shpend Sollaku Noe', Srebrenice

Në Prekaz u mbajt manifestimi “Dita e Diasporës”

August 2, 2017 by dgreca

–Aktiviteti qendror vazhdoi me programin kulturor, përgatitur nga grupi mjaft i suksesshëm shqiptaro-slloven “Kvali” nga Sllovenia, i cili këndoi këngë të bukura shqipe/
1 DiasporaPREKAZ, 2 Gusht 2017-Gazeta DIELLI/  Në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nën patronazhin e Ministrisë së Diasporës, mbrëmë u mbajt manifestimi tashmë tradicional “Dita e Diasporës”.Manifestimi filloi me homazhet në varrezat e familjes Jashari, me moton “Një lule për Jasharët”.

Më pas, para një numri të madh të bashkatdhetarëve dhe mysafirëve të tjerë, ministri i Diasporës, Valon Murati, mbajti një fjalë rasti.“Ju keni qenë pjesë e pandashme e rrugës për lirinë e atdheut. Pa punën tuaj, liria do të ishte shumë më vështirë e arritshme. Andaj, duke respektuar angazhimin tuaj dhe lidhjen që keni me lirinë e Kosovën, mblidhemi çdo vit për të shënuar ditët e mërgimtarëve edhe në Prekaz, si simbol i sakrificës së përbashkët.  Me punën tuaj të ndershme, me angazhimin tuaj në jetën politike, ekonomike, kulturore, arsimore e sportive të vendeve ku jetoni, po e lartësoni kombin shqiptar, shtetin e Kosovës dhe viset e tjera shqiptare. Po i krijoni atdheut tuaj lidhje të rëndësishme në të gjitha sferat e jetës”, tha ndër të tjera ministri Murati.

Aktiviteti qendror vazhdoi me programin kulturor, përgatitur nga grupi mjaft i suksesshëm shqiptaro-slloven “Kvali” nga Sllovenia, i udhëhequr nga muzikologia Alma Bejtullahu. Ky grup këndoi këngë të bukura shqipe. Vlerën këtij koncerti ia shtoi edhe ikona e muzikës qytetare shqiptare Nezafete Shala, e cila për të pranishmit këndoi këngë të vjetra shqipe.

Në këtë koncert u shqua për zërin e tij karakteristik edhe Alban Spahiu, një fëmijë shumë i talentuar nga diaspora, cili këndoi këngë për Adem Jasharin dhe për mërgimtarët./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Dita e Diasporës, Prekaz

AROMË LIRIE NË PREKAZIN E PËRFLAKUR

September 18, 2015 by dgreca

Shkruan; Avdi Ibrahimi/

Në, Prekazin e përflakur, në Prekazin e heroizmave të mëdha, në Prekazin e Skënderajt, ngrihej Kompleksi memorial “Adem Jashari” këtu të shumtën e rastëve është ndalesa ime. Kushdo që viziton këtë fshat nderon dhe respekton këtë vend të shenjtë, që ne kujtojmë dhe nderojmë Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Në fakt është ky heroizmi i familjes Jasharaj, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari, që historisë më të re i kishte lënë këtë emër. Kjo gjë ia shtonte madhështinë që mbulonte Prekazin heroik.

Më duket se të gjithë vizitorët heshtin kur i afrohen shtëpive të Jasharëve nga ku duken të bëra shoshë muret dhe pullazet e shtëpive, nga predhat dhe plumbat e ushtrive pushtuese serbo-malazeze… dhe sejcili nga vizitorët do të ndiente një druajtje kur i shikon? Në faktë populli shqiptar ndihet krenar me legjendarin dhe familjen e tij, sepse ata u bënë emra të shquar në historin e lavdishme të popullit shqiptar.

Një ndjenjë e çuditshme prekte zemrën time, sa here që vizitoja këtë tempull të shenjtë të shqiptarisë, mrekullohesha nga kjo natyrë e bukur e tokës shqiptare. Lulishtarët përkujdesëshin aty për lulet e trandafilat shumëngjyrësh, rrezet e Diellit shndrrisnin mbi mermerët e bardhë e të kaftë të heronjëve dhe heroinave të atmëmëdheut ShqipëriKosovë, era e mire e gjithë atyre luleve e drunjëve të natyrës, të përziera sëbashku, krijonte një aromë lirie në Prekazin e lavdishëm.

Ecja nëpër rrugët e gjëra të shtruara në pllaka betoni që të çonte të varri i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Shaban Jashari, dhe familja Jashari, ngjan në një tempull të bukur e të shenjtë, aty bëhen nderime në shenjë respekti dhe adhurimi nga pelegrin të ndryshëm, për komandantin legjendar… komandantin legjendar të madhë… njerëzit nga mbarë bota e quajnë i Madhi komandanti legjendar… që këtë titull ia ka vënë ai me vepra konkrete vetës së tij!

Pastaj mendova se ç’do mendje mund të davaritet, të ngatërrohet, të përmbyset, ashtu siç mund të ketë ndodhur në anijën e shpëtimit të Nuhit.

Kështu zgjohet mendja e njeriut. – Legjendari ynë sëbashku me heronjtë dhe heroinat shqiptare do të na ruajnë TROJET SHQIPTARE, ngase kjo është lavdia e tyre e pavdekshme… ata janë mbrojtësit tanë…ata na  tregojnë si duhet rrugtuar të bashkur gjithë shqiptaria në të ardhmën e afërt… natyrisht se do ndeshemi edhe me stuhitë… që për fatin e atmëmëdheut tone ShqipëriKosove e viset tjera shqiptare, të vendosë vetë populli shqiptarë… assesi të mos lejojmë të bluhemi nga nofullat e të huajve!

Filed Under: Reportazh Tagged With: Arome lirie, Avdi Ibrahimi, Prekaz

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT