• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJENERALI WESLEY CLARK: SIMBOL EDHE I TRIUMFIT TË PAQËS

March 24, 2021 by dgreca

(Me rastin e 22-vjetorit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë)/

   Nga Frank Shkreli/

24 Marsi i vitit 1999 është dita që shënon 22-vjetorin e bombardimit të Serbisë nga Aleanca më e fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota, NATO –të çlirimit të Kosovës nga regjimi terrorist i Sllobodan Millosheviçit. Është kjo një datë historike që do të mbetet përgjithmonë e shënuar me shkronja të arta në historinë e Kombit shqiptar – por edhe një datë që do tu kujtojë përgjithmonë brezave të ardhëshëm të shqiptarëve — miqtë perëndimorë me në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës — që i erdhën në ndihmë shqiptarëve, në një kohë të vështirë të historisë dhe të ekzistencës së tyre si komb. 

Shumë burra dhe burrëresha nga politika amerikane dhe Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë qenë pjesëmarrës në përgatitjet e gjata e të vështira politiko-diplomatiko-ushtarake si dhe në ekzekutimin e sulmeve të NATO-s kundër Serbisë – përvjetor ky që shënohet çdo vit me 24 mars. Njëri prej këtyre burrave që luajti një rol kryesor në këtë fushatë ushatarake për çlirimin e Kosovës, pa dyshim është Gjenerali amerikan Wesley Clark.  Gjenerali Clark, ish-komandanti suprem i Aleancës së NATO-s, në vitin 1999 ka udhëhequr fushatën e Aleancës së Atlantikut verior kundër forcave serbe të regjimit terrorist të Millosheviçit, në përgjigje të një fushate të egër ushtarake serbe – ku makineria e forcave ushtarake të ish-Jugosllavisë (Serbisë) sulmoi shqiptarët e pafajshëm dhe të pa armatosur, me qëllim të një spastrimi etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore në Kosovë. 

Sulmi kundër Serbisë, ishte i pari sulm i tillë në historinë e Aleancës së NATO-s, një angazhim luftarak ky që është drejtuar mjeshtërisht dhe vendosmërisht nga Gjenerali Clark. Shumë ekspertë ndërkombëtarë e kanë konsideruar fushatën ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës, si një ngjarje që mund të kishte shkaktuar një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, përfshir ndër ta edhe ish-Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Amerikës, Z. Zbigniew Brzezinski, i cili ka shkruar se kishte bindjen se në fund të luftës në Kosovë, organizata NATO dhe Rusia, mund të ishin në prak të një konflikti serioz, pikërisht për arsye të planeve dhe përpjekjeve ruso-serbe, për të ndarë Kosovën. Siç ka shkruar edhe vet Gjenerali Clark në librin e kujtimeve të tija, “Waging Modern War”, lufta në Kosovë ishte më tepër se një ndërmarrje luftarake. Por ai është shprehur se përveç strategjisë ushtarake të Aleancës NATO, si Komandanti Suprem i Nato-s, që drejtoi fushatën ushtarake kundër Serbisë – atij i duhej që njëkohësisht të bashkrendonte edhe përpjekjet dhe strategjitë politiko-diplomatike, marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat e vendeve anëtare të NATO-s dhe politikën e mbrendshme amerikane, përfshirë konfliktet dhe mosmarrveshjet amerikano-evropiane dhe konfliktet midis zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe diplomatikë të shumë vendeve anëtare të aleancës që kundërshtonin një ndërhyrje të tillë. 

Ishte pra, Gjenerali Wesley Clark ai i cili duhej t’i bashkrendonte të gjitha këto politika — konflikte pothuaj të gjitha niveleve, kombëtare dhe ndërkombëtare — për një ndërhyrje të suksesshme dhe efektive ushtarake të Aleancës së NATO-s në Kosovë, që më në fund çoi në suksesin përfundimtar dhe në triumfin e fushatës ushtarake perëndimore kundër forcave serbe dhe në triumfin e tij personal ushtarak dhe paqësor — në çlirimin dhe në pavarësinë eventuale të Republikës së Kosovës. Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada kur Gjenerali Clark, si Komandanti Suprem i NATO-s drejtonte sulmet kundër Serbisë për Çlirimin e Kosovës, ai mbetet gjithnjë i interesuar për Kosovën dhe për fatin e saj në kohë paqeje, si shtet i pavarur dhe demokratik.

Në një intervistë me “Zërin e Amerikës”, gjatë një vizite në Kosovë në vitin 2018, Gjenerali Clark ka thenë se ndonëse në paqe, Kosova përballet me sfida dhe kërcënime të brendshme dhe të jashtme, me ndërhyrjen e influencave të huaja, përfshir atë ruse, në rajon. Në lidhje me sfidat dhe me rreziqet e brendshme të Kosovës në kohë paqeje, miku i Kombit Shqiptar Gjenerali Clark është shprehur, duke i dërguar një mesazh kuptimplot dhe miqësor klasës politike aktuale mbarëshqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e më gjerë, me qëllim që politikanët shqiptarë të punojnë në një demokraci të vërtetë, për të mirën e përbashkët.  Duke iu përgjigjur një pyetjeje për kërcënimet ndaj Kosovës, Gjenerali Clark u përgjegj kështu:

“Mendoj se njerëzit këtu duhet të luftojnë për ta vendosur demokracinë, votimi është thjeshtë pjesë e demokracisë. Pjesë më e thellë e demokracisë është etika e shërbimit publik, ideja që kur merr një vend pune është me misionin e vetëm për të rritur të mirën e përbashkët, pothuajse sikur të jesh në një nga kuvendet fetare, ku merr para të mjaftueshme për të jetuar, por kurrë nuk do të jesh i pasur, dhe e bën këtë gjë për një kohë të caktuar e pastaj kthehesh në sektorin privat dhe pastaj mund të provosh veten në biznes dhe të bëhesh i pasur. Është një trashëgimi e komunizmit që njerëzit në pushtet të kenë privilegje ekonomike, ky ishte sistemi i nomenklaturës së vjetër dhe ishte ironike, sepse komunizmi thoshte se qeveria i takon çdokujt, por nën komunizëm njerëzit në pushtet kontrollonin qeverinë dhe ekonominë dhe të gjitha privilegjet. Ndërsa demokracia është të kujdesesh për të gjithë. Në administratë, si shërbyes i thjeshtë, në një demokraci duhet ta kesh vullnetin të jetosh në mënyrë modeste. Nëse doni një shtëpi në Monako, një anije të shpejtë, një shtëpi të dytë në mal, pushime një mujore të skijimit, mos hyni në qeveri, por filloni një biznes, bëjini paratë tuaja, bëjeni në mënyrën e duhur dhe ndershmërisht. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme të arrihet sot në Kosovë — krenaria për të shërbyer në sektorin publik, krenaria për sakrificën në shërbim të publikut”, ka thënë Gjenerali Wesley Clark për “Zërin e Amerikës”, në një intervistë të vitit 2018.  

     Clark briefs U.S. airmen from the 510th and 555th Fighter Squadrons at Aviano Air Base, Italy in May 1999.

Gjenerali amerikan Wesley Clark është njëri prej personaliteteve në listën e gjatë të politikanëve, diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë, të cilët për disa dekada kanë kontribuar aq shumë për drejtat e shqiptarëve dhe për mbijetesën e kombit shqiptar, në përgjithësi – në kohë lufte dhe në kohë paqeje. Gjenerali Clark vazhdon të jetë gjithashtu mik i çmuar i diasporës shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Si i tillë, sidomos në këtë përvjetor të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, të drejtuara nga gjenerali Wesley Clark 22-vjet më parë ia vlen që të dëgjohen këshillat e tija e tija – sidomos të dëgjohen nga klasa aktuale politike –përfshir mesazhin e tij më sipër, në lidhje me demokracinë, me zgjedhjet e lira dhe për privilegjin që politikanët duhet të ndjejnë, kur i shërbejnë publikut dhe që të mos përdorin postet publike për tu pasuruar vet, në kurriz të popullit të varfër.Kjo datë dhe ky përvjetor i sulmeve të NATO_s kundlr Serbisë është vërtetë historik në marrëdhëniet midis dy kombeve tona – por lind pyetja nëse klasa aktuale politike është vërtetë e ndërgjegjëshme për rëndësinë e kësaj historie dhe e kuptimit që ka për marrëdhëniet midis popullit amerikan dhe shqiptarëve. 22 vjet pas sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës — shqiptarët duhet të pyesin veten, nëse janë të denjë të kësaj miqësie dhe sakrificave të aleatëve tanë — por edhe të atyre bijëve dhe bijave të Kombit që dhanë jetën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Besoj se është e nevojshme që në këtë përvjetor, sidomos politikanët shqiptarë kudo që janë – në Shqipëri dhe në Kosovë — të reflektojnë seriozisht mbi fjalët dhe këshillat e mikut të shqiptarëve, Gjeneralit Wesley Clark, këtij simboli të vërtetë, jo vetëm të të triumfit ushtarak në Kosovë por edhe triumfit të paqës, lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare dhe në rajon. 

                 Autori me Gjeneralin Wesley Clark në një prej takimeve të komunitetit shqiptaro-amerikan të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan

See the source image

Filed Under: Featured Tagged With: 22 Vjetori, Frank Shklreli, NATO-Kosove, Wesley Clark

HISTORIA PËRSËRITET -KARRIGA BOSH E KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË-DHE NJË UDHËHEQSE NDRYSHE NGA KOSOVA

December 20, 2020 by dgreca

“Në komb t’onë, duket se tërë hollësia e mendjes dhe e zemrës, tërë bukuria e karakterit dhe e sjelljes, i kanë renë për miras gruas.” (Faik Konica, Revista Albania, 1906)

“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emërin shqipëtar…”, këndonte Naimi i madh.  Shyqyr që Naimi u ka kënduar maleve, fushave, bregoreve lumenjve dhe kodrave të Shqipërisë — dhuratës nga Zoti — si dhe “vendasve të mi të bekuar”, shqiptarëve në përgjithësi dhe jo politikanëve shqiptarë.  Sepse, politikanët shqiptarë shpesh ia dalin që me sjelljet e tyre me njëri tjetrin dhe me të tjerët, me praktikat dhe me vendimet e tyre si përfaqësues të popullit shqiptar, as nuk na kanë nderuar as nuk na bëjnë krenarë si shqiptarë, kudo që gjëndemi. 

Vizita e Dr. Vjosa Osmanit, Kryetares së Kuvendit të Kosovës dhe Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës në Tiranë ishte një rast i tillë, zhgënjyes.  Ashtu si edhe mijëra shqiptare e shqiptarë, anë e mbanë botës edhe unë mbetem i zhgënjyer dhe i hidhëruar në shpirt nga pritja që iu bë në Parlamentin shqiptar, Dr. Vjosa Osmani, bartëse e dy detyrave kryesore të Republikës së Kosovës. 

Atë ditë nuk e ndjeva veten aspak krenar se jam shqiptar.  Ju lutem lexojeni fjalimin e Zonjës fisnike nga Kosova në Paralamentin e Shqipërisë dhe më thoni se çfarë tha gabim në fjalën e saj kjo përfaqësuese edenjë e një brezi të vuajtur të shqiptarëve të Kosovës dhe pse duhej që karriga e Kryeministrit të Shqipërisë të ishte bosh për ato 14 minuta që foli Zonja Osmani. Veni re gjithashtu mos-respektin e hapët që treguan parlamentarët e pranishëm shqiptarë ndaj pranisë së Vjosa Osmanit në Kuvendin e Shqipërisë, me telefona në dorë duke lexuar dhe duke dërguar mesazhe.  Leri më duartrokitjet me dy gishta, të disa prej tyre.  Karriga bosh e Kryeministrit ishte një shprehje tjetër e qartë mos respekti për Kosovën dhe një akt bojkotimi me dashje të Zonjës Osmani.  Disa prej këtyre “burrave”, të parlamentit të Shqipërisë e treguan haptas përbuzjen dhe irritimin  e tyre ndaj zyrtares së lartë dhe gruas fisnike nga Kosova.   

Fatkeqësisht, bojkotimet kanë një histori të gjatë dhe të shëmtuar në Shqipërinë e shekullit të kaluar. Gjatë komunizmit, Shqipëria njihej botërisht si vendi i bojkotimeve. Bojkotime ndaj lindjes e perëndimit, bojkotime ndaj organizatave ndërkombëtare, madje bojkotime edhe ndaj të Madhit Zot, duke e shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, vendin bojkotues kundër Zotit.  Karriga bosh e Kryeministrit të Shqipërisë gjatë fjalimit të Zonjës Osmani në Kuvendin e Shqipërisë më kujtoi karrigat bosh të delegacionit të Shqipërisë komuniste pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe largimin nga salla të delegacionit të regjimit hoxhist, 55-vjetë më parë, kur Papa Pali i VI – i pari Papë në histori që ka vizituar OKB-ën.  Shtypi i kohës shkruante se delegacioni i Shqipërisë komuniste ishte i vetmi delegacion që u largua nga salla — për të kundërshtuar praninë e udhëheqsit të Kishës Katolike në OKB, duke shkaktuar kështu një skandal të vërtetë diplomatik në skenën botërore.  Shtypi i asaj kohe shënon se bojkotimi, nga delegacioni i regjimit komunist shqiptar, i fjalimit të Papës Pali VI në OKB – është pasuar nga një fushatë e egër, fyese dhe denigruese kundër Papës dhe Vatikanit – urdhëruar nga vet Enver Hoxha dhe shpërndarë nga mjetet e propagandës së tij me radio dhe me shtyp.   E njëjta gjë ndodhi edhe pas fjalimit të Zonjës Vjosa Osmani në parlamentin e Shqipërisë, të ënjtën që kaloi, një fjalim  të cilin Presidentja në detyrë, Zonja Osmani me të drejtë e cilësoi, “sikur i flet njeriu familjes së vet”, por trajtimi që iu bë asaj nga një pjesë e medias së oborrit të pushtetit, nuk kishte asgjë të bënte me familjen e madhe shqiptare. 

Jo, jo, Zonja Osmani, të gjithë e kuptuam shpejt pas fjalimit në parlamentin shqiptar, ti nuk u trajtove si pjesëtare e “familjes shqiptare”.  Pjesëtarë të caktuar të medias, të akredituar pranë “oborrit mbretëror”, u hodhën menjëherë në veprim duke shfryrë mllef kundër teje due duke justifikuar sjelljet e “trimave” të Shqipërisë karshi teje, një gruaje fisnike –politikane ndryshe — nga Kosova.   Unë e kam lexuar tri herë fjalimin tëndë në parlamentin e Shqipërisë, e nderuara Presidente, dhe nuk mund të gjej ndonjë arsye logjike se pse janë çuar peshë këta njerëz.  Ku e kanë hallin? 

Pse janë të zemëruar me fjalimin tënd në parlament dhe me vizitën tënde në Tiranë, në përgjithësi, megjithëse pritja juaj nga Presidenti Ilir Meta ishte dinjitoze dhe me protokoll të rasstit.  Ndoshta u zemëruan se e fillove vizitën tënde në Shqipërinë Nenë me një homazh tek memoriali i Heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, në Lezhë.  Mos vallë janë zemëruar me ty se kritikove disa prej politikave të Shqipërisë ndaj Serbisë dhe të qëndrimeve të saj ndaj Kosovës?  Ju Zonja Presidente me të drejtë paralajmëruat se, “Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë, këtu e në çdo vend tjetër të botës.” Ka gjë të keqe në këtë deklaratë?  Duket se as thirrja e Dr. Vjosa Osmanit për unfikim të ideve dhe bashkrendim të politikave dhe programeve kombëtare nuk u prit mirë.  A po u zemëruan nga thirrja e saj publike që Kuvendi i Shqipërisë t’i bashkohet Kuvendit të Republikës së Kosovës në miratimin e Rezolutës që dënon gjenocidin serb në Kosovë.  A po mos i zemërove “burrat” e Kuvendit dhe “trimat” e qeverisë së Shqipërisë dhe zëdhënsit e tyre në median e oborrit të tyre me thirrjen tënde që dy qeveritë dhe parlamentet shqiptare t’i garantojnë rinisë shqiptare, “një të tashme më të mirë e një të ardhme më premtuese.”  A po ishte mesazhi i Presidentes së Kosovës që i zemëroi ata më së shumti: Hiqni traun me Kosovën! Pyetja është pse gjithë ky mllef kundër një gruaje fisnike shqiptare e edukuar në Amerikë dhe qëndrimeve të saja atdhetare dhe thirrjeve për unifikim dhe bashkrendim të objektivave mbarëkombëtare midis dy shteteve shqiptare?

Duke marrë parasysh qendrimet e Tiranës zyrtare ndaj disa prej këtyre çeshtjeve, unë besoj se këto dhe arsye të tjera kontribuan që, fatkeqësisht, një pjesë e vizitës ssë Presidenetes së Kosovës në Tiranë të mos ishte aq e këndëshme për të as për shumë prej nesh që jemi dakort me ato që Dr. Osmani tha anë parlamentin e Shqipërisë.  Fatkeqësisht, ajo nuk u prit plotësisht si një si pjesëtare e familjes shqiptare, “në shtëpinë tonë të përbashkët”.  Duket se “establishmenti” politik, për mungesë të një fjale më të mirë shqip, u trondit nga fjalët e një përfaqusese të re të politikës shqiptare, qoftë në Kosovë qoftë në Shqipëri — frikë nga një udhëheqëse ndryshe e një brezi të ri politikanësh shqiptarë, që jep shpresë se ditët më të mira për Kombin shqiptar nuk janë larg, nëqoftse ajo dhe të tjerë si ajo nuk lejohen nga politikanët e këtyre 30-viteve të fundit të marrin në dorë frenat e të ardhmes kombëtare.

Unë jam i mendimit gjithashtu se një gjë tjetër që trazoi  zemrat e disa prej “burrave” të Shqipërisë është paragrafi i fundit i fjalimit  historic due shumë prekës të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Kuvendin e Shqipërisë, ku ajo foli, ndër të tjera, edhe për vuajtjet dhe krimet komuniste të regjimit të Enver Hoxhës dhe regjimit sllavo-komunist të ish-Jugosllavisë ndaj qindra mijëra familjeve shqiptare, në përgjithësi  dhe familjes së saj të ngushtë, në veçanti,  duke përmendur vrasjen e xhaxhait të nënës së saj, i cili është vrarë dhe varrosur i gjallë nga regjimi i Enver Hoxhës, si kundërshtar politik, varri i të cilit as nuk dihet, si shumë kundërshtarëve politikë të Enver Hoxhës.  “Përgjatë historisë sonë shumë familje janë ndarë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Të tillë e kishte fatin dhe familja ime.  Gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmershme në burgjet e regjimit serb dhe në fund kishte vdekur nga ato tortura, ndërsa xhaxhai i nënës sime, vëllai tjetër Sulejman Vuçiterna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës’- u tha ajo parlamentarëve shqiptarë.

Veshët e deputetëve shqiptarë nuk ishin mësuar të dëgjonin të vërteta të tilla në atë parliament, për krimet kotmuniste kundër shqiptarëve në të dy anët e kufirit, të dy regjimeve komuniste si motra: regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe regjimit komunist sllavo-jugollav të Titos e Rankoviqit.  Një deklaratë e tillë e guximshme nga Zonja Osmani duhet të ketë shkaktuar iiritm të madh në radhët e disa deputetëve të pranishëm atë ditë, ish-bashkpuntorë dhe nostalgjikë të atij regjimi vrasës.

Zonja e nderuar, Presidentja në detyrë e Kosovës dhe njëherazi edhe Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, u tregoi “burrave” të politikës shqiptare – si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë — si dhe përfaqsuesve të medias shqiptare, në shërbim të politikanëve shqiptarë — vlerat e gruas shqiptare: nënave, motrave dhe bijave të këtij Kombi të lashtë dhe krenar – e të cilat, sipas Faik Konicës janë dalluar gjithmonë për nga hollësia e mendjes dhe e zemrës dhe për nga bukuria e karakterit dhe e sjelljes – vlera këto që u mungojnë shumë burrave të politikës shqiptare, fatkeqësisht.  Ketë mungesë vlerash njerëzore dhe shqiptare, shumë prej tyre e treguan haptas javën që kaloi, me trajtimin që i akorduan Presidentes në detyrë të Republikës së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani, e cila la nder kudo që shkoi, sidomos me fjalimin e saj historik në Kuvendin e Shqipërisë, javën që kaloi. 

Frank Shkreli

pastedGraphic.png

                   Dr. Vjosa Osmani në Kuvendin e Shqipërisë të ënjtën që kaloi

            pastedGraphic_1.pngUrimin e saj dërguar Presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden, Presidentja në detyrë e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani e ka përfunduar me fjalët e ish-Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova: “Zoti e bekoftë Kosovën!  Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!  Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme e të përjetshme!”

pastedGraphic_2.png

 Presidentja në detyrë e Kosovës Dr. Vjosa Osmani një fjalim prekës në parlamentin e Shqipërisë përmendi faktin se një afërm i saj ishte varrosur gjallë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Ajo e kishte fjalën për kolonelin Sulejman Vuçitërna që vdiq në kënetën e Maliqit i dënuar nga Enver Hoxha si kundërshtar politik, shkruan Dashnor Kaloci në një artikull për gazetën Telegraf

pastedGraphic_3.png

A është Dr. Vjosa Osmani rugovistja/i e fundit?  Në takimin me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Z. Veliaj, Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, ka diskutuar edhe për mundësinë e ngritjes së një shtatoreje të Presidentit Ibrahim Rugova në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, njofton Klan Kosova.

                            

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shklreli, Historia perseritet, Karrigia bosh e Kryeministrit

PAK HISTORI NGA KOHËT E ZJARRTA TË MALËSISË SË MADHE

March 8, 2017 by dgreca

1 Pak Histori Nga  Frank Shkreli/

Kohët e fundit më ra në dorë libri me titull, “Pak Histori Nga Kohët e Zjarrta”, e autorit Pjetër N. Ivezaj.  Si pjesë e rubrikës, ndër libra të lexuar, po i sjellë lexuesit sado pak njohuri për daljen në botim edhe të kësaj vepre, si dhe disa shënime mbi këtë vëllim prej nja 200 faqesh i paisur gjithashtu edhe me fotografi historike të protagonistëve kryesorë.  Përmbajtja e librit të Z. Ivezaj, e botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve, Art Club në Ulqin, fund vitin që kaloi, është një kontribut me vlerë për ndriçimin e mëtejshëm sado pak të historisë së gjatë e të vuajtur, por të lavdishme të Malësisë së Madhe dhe popullit të saj, ndër shekuj.

Protagonistët e librit janë pesë bajraqet e mëdha të Malësisë së Madhe me pesë udhëheqsit e tyre por pa përjashtuar rolin e bajraqeve të tjera më të vogëla, gjithsejt 26 sipas autorit dhe përfaqsuesve të tyre të asaj kohe në Shqipërinë e Veriut.  Fjala është për bajraqet më të mëdha të Malësisë së Madhe të asaj kohe dhe përfaqsuesit e tyre:  Hoti me bajraktar të parë, Çun Mulën; Gruda me bajraktar të parë Smajl Martinin; Kelmendi me bajraktar të parë Ujkë Gilën; Kastrati me bajraktar Dodë Preçin dhe Shkreli, me bajraktar Marash Dashin.

Në librin e tij autori Pjetër N. Ivezaj mbulon ngjarjet historike nepër të cilat ka kaluar Malësia e Madhe duke i ndarë ato në tre periudha historike prej pothuaj 100-vjetësh: deri në vitin 1900, pastaj prej vitit 1900 e deri në vitin 1916 dhe  më në fund prej vitit 1916 e deri në vitin 1943.  Ai thotë se kjo është periudha që malësorët e kanë quajtur si, “Koha e luftërave dhe koha e zjarrtë”, ndërkohë që ata janë përleshur dhe kanë luftuar vazhdimisht pa u trembur, as pa u përkulur para forcave armike shumë më të mëdha në numër dhe shumë më të përgatitura për luftë, qofshin ato turke ose sllavo-malazeze.  Por, përveç luftërave të vazhdueshme, siç ve në dukej autori, malësorët ishin gjithashtu të angazhuar paralelisht në mbrojtje të vendit edhe me përpjekjet për ndërkombtarizimin e situatës së vështirë nën të cilën jetonin ata në trojet e veta.  Në lidhje me këtë, ai sjellë për lexuesin një përmbledhje dokumentacioni origjinal– bazuar në një literaturë të pasur — memorandumesh, protestash, kërkesash dhe thirrjesh të ndryshme të nënshkruara nga ana përfaqsuesit e fisve të malësorëve, drejtuar shteteve të Europës dhe enteve ndërkombëtare, përfshirë edhe përfaqësitë e tyre diplomatike në Shkodër dhe në Podgoricë.  Dokumentohen tubimet e ndryshme dhe logje kuvendesh të bajraktarëve të Malësisë së Madhe dhe besëlidhjet midis tyre gjatë periudhës që mbulon libri, si dhe kauzat për të cilat bisedohej dhe arrihej në marrveshje dhe besë, përfshirë edhe përgatitjet për luftë kundër armikut.

Në memorandumet dhe me kërkesat e tyre drejtuar botës së “qytetëruar” të asaj kohe, malësorët kërkonin ndihmë dhe mbështetje për të shpëtuar popullin e Malësisë së Madhe nga gjëndja e mjeruar në të cilën gjëndej, si rrjedhim i okupimeve, luftërave, shtypjeve dhe diskriminimeve shekullore ndaj popullsisë së kësaj treve.  Njëkohsisht, me kërkesat e tyre, ata i bënin thirrje, jo vetëm sulltanëve të Turqisë, por kërkonin edhe mbështetje ndërkombëtare që Malësisë së Madhe t’i njiheshin të drejtat legjitime për realizimin e aspiratave të veta kombëtare për liri e pavarësi si të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit.  Si një shembull tipik i këtyre kërkesave të malësorëve ishte ai, drejtuar Turqisë në vitin 1905 dhe botuar në gazetën “Shpresa e Shqypnis” në Dubrovnik, ku si kusht për të hequr dorë nga armët, Malësia e Madhe këmbëngulte në: “Njohjen e kombësisë shqiptare pa ndryshim feje; Amnisti për të gjithë shqiptarët; Çeljen e shkollave dhe kishave në gjuhën shqipe; Pranimin e çdo feje nga shërbimi turk; Përmirësimin e rendit publik me ligje që t’u përshtaten interesave të Shqipnisë, dhe më në fund ata kërkojnë, Liri fjale – liri shtypi dhe liri mbledhjesh”.

Ndërsa në një peticion të datës 8 maj, 1878 krerët e Shkodrës, Uqlinit, Tivarit, Podgoricës, Grudës, Kelmendit, Kastratit e të tjerë i dërgojnë peticion proteste ambasadorit francez në Stamboll, në emër të “katolikëve dhe myslimanëve, vëllëzër që prej shekujsh”, që të intervenonte kundër lëshimeve dhe aneksimeve të trojeve shqiptare nga ana e Malit të Zi, nën presionin e Rusisë.  Një muaj më vonë, më 9 qershor, 1878, krerët shqiptarë i dërgojnë protesë Vezirit të Shkodrës, me të cilën, sipas diplomatit francez në Shkodër Zhan Ponse, “Malësorët kërkuan një shtet të pavarur autonom që do t’i afrohej Evropës.”

Roli i Malësisë së Madhe në historinë kombëtare të shqiptarëve dihet nga historia e mirëfilltë, sidomos nga historia e shënuar nga të huajt, megjithse ka patur përpjekje – nga mbrenda, për arsye ideologjike dhe nga jashtë për arsye politike e të tjera — për ta minimizuar dhe për t’a shtrembëruar atë në të kaluarën, thotë autori.   Libri i Pjetër N. Ivezaj sjellë hollësi dhe dëshmi me vlerë të shënueshme në këtë fushë, për një njohje më të mirë të disa prej hollësive dhe dokumentacionit origjinal bazuar në burime të dorës së parë që ai sjellë me këtë rast, për një periudhë të historisë së Malësisë së Madhe në veçanti dhe të Shqipërisë në përgjithësi.  Ishte kjo një periudhë e mbushur me lëvizje patriotike, mendore dhe politiko-shoqërore të jetës dhe luftërave të shqiptarëve, jo për pushtim të tokave të tjerëve, por për mbijetesë — e pasqyruar nga veprimtaritë dhe luftërat e malësorëve — vetëm e vetëm me qëllim për të ekzistuar dhe për të jetuar në liri dhe pavarësi nga zgjedha e okupatorëve huaj osmanë dhe sllavë.Autori i librit, ‘Pak Histori Nga Malësia e Madhe’, Pjetër N. Ivezaj thotë se “Malësia e bëri të vetën në kushte të një feudalizmi të pa zhvilluar, të prapambetur, gjithnjë në mesin e dy ose më shumë zjarreve, nën rreziqet e shumta nga jashtë dhe nga brenda.”  Por “Në kushte shumë të vështira”, shkruan ai, “Ishte Malësia ajo që, në masë sado të vogël mbante lidhje me Evropën përmes, në rend të parë priftërinjve katolikë dhe krerëve e bajraktarëve, faktikisht pra nepërmjet parisë fisnore.”   Mirëpo megjithë meritat e tyre, ai konstaton se pothuaj të gjithë këta, gjatë një periudhe jo shumë të largët, ishin shpallur tradhëtarë e anti-kombëtarë.  Por, autori thotë se megjithë trajtimin jo të mirë nga historia e kaluar, që besoj se do të thotë sidomos historia komuniste, që shumë prej tyre i kishte shpallur tradhëtarë dhe armiq, ishin malësorët ata që megjithse gjithmonë në mbrojtje dhe në luftë të trojeve të veta, sipas tij, “Për më shumë se pesë shekuj kanë ruajtur traditat, folklorin, gjuhën, besën, ligjet dhe zakonet autoktone iliro-shqiptare”.Libri, me anë dokumentacionit që paraqet, shpalos edhe të dhëna mbi jetën, veprimtarinë dhe sidomos hollësi për bashkpunimin me njëri tjetrin të krerëve të Malësisë së Madhe të asaj kohe, kur vinte puna për mbrojtjen e interesave të përbashkëta, jo vetëm të Malësisë së Madhe por edhe të mbarë kombit shqiptar.  Është gjithashtu edhe një paraqitje e një pjese të historisë së shqiptarëve të asaj kohe, duke treguar, ndoshta tërthorazi, edhe disa prej zakoneve dhe traditave shqiptare, gjendjen ekonomike dhe demografike të asaj treve, por edhe kryengritjet e shumta të malësorve dhe shtypjen e tyre, mënyrat e egra të sundimit osman mbi shqiptarët dhe hollësi të tjera historike.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shklreli, PAK HISTORI NGA KOHËT E ZJARRTA TË MALËSISË SË MADHE, Pjeter Ivezaj

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT