• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRIA NË NATO: NJË PIKË E SHKËLQYESHME E HISTORISË POST-KOMUNISTE

April 5, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

nato_0Këtë javë, Shqipëria shënoi 8-vjetorin e antarësimit të saj në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO.   Po t’i hedhim një vështrim zhvillimeve politike të mbrendshme dhe të jashtme të Shqipërisë post-komuniste deri më sot, besoj se antarësimi i saj në NATO mbetet gjithnjë si zhvillimi më me rëndësi dhe arrijtja kulmore e këtij çerek shekulli në përpjekjet shekullore të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar për t’iu bashkuar organizmave ushtarake dhe politike perëndimore.  Në të vërtetë, ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha  e ka cilësuar me atë rast, antarësimin e Shqipërisë në NATO si akti më me rëndësi në historinë pothuaj të 100-viteve të fundit të vendit të tij.  Si do që ta merrësh, ngritja e flamurit të Gjergj Kastriotit – Skënderbe — para kryeqëndrës së NATO-s në Bruksel — duke u valvitur krenarisht aty pranë flamurit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është me të vërtetë një arritje historike, për të cilën — megjithë grindjet dhe mosmarrveshjet që kanë karakterizuar jetën politike të vendit gjatë këtyre 25-viteve të fundit — të gjithë shqiptarët pa dallim, krenohen.

Presidenti Xhorxh W. Bush, duke nënshkruar protokollin në tetor të vitit 2008 — një ceremoni kjo që shënoi mbështetjen zyrtare të Shteteve të Bashkuara për antarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO, para antarësimit zyrtar, prillin e vitit 2009 — ai përshëndeti antarësimin në aleancën e NATO-s, të këtyre dy vendeve të cilat, tha ai, kanë qenë, për pothuaj një gjysëm shekulli, “nën sundimin e egër komunist”.  “Ne po forcojmë partneritetin e Amerikës me kombet që dikur kanë qenë nën këthetrat e komunizmit”, është shprehur në atë kohë udhëheqsi amerikan.  Ish-Presidenti Bush, pat deklaruar gjithashtu gjatë nënshkrimit të protokollit në Shtëpinë e Bardhë, se “Menjëherë pasi Shqipëria dhe Kroacia të bëhen zyrtarisht anëtare të NATO-s (gjë që ndodhi korrikun e vitit 2009), popujt e tyre duhet t’a dinë se nëqoftse ndonjë shtet kërcënon sigurinë e tyre, çdo anëtar i aleancës tonë do të jetë pranë tyre, për t’i mbështetur.”   Ndërsa, ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s de Hoop Scheffer e pat cilësuar me atë rast antarësimin e Shqipërisë dhe të Kroacisë si, “Një përfitim për NATO-n, si një masë që do të forcojë përpjekjet e përbashkëta në ruajtjen dhe promovimin e sigurinë dhe të stabilitetit”, të vendeve anëtare dhe Evropës, është shprehur ish-udhëheqsi i lartë i alaencës perëndimore.

Për tetë vjetë tani, Shqipëria, si antare e NATO-s gëzon përfitimet por edhe ndanë me 28-vendet anëtare përgjegjësitë e mbrojtjes së përbashkët.8-vjetori i antarësimit të Shqipërisë në NATO u shënua dhe u përshëndet  në Shqipëri, si një ngjarje historike. Vihet re deklarata e Presidentit të Republikës dhe Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Z. Bujar Nishani si dhe paraqitja me këtë rast e Ministres së Mbrojtjes, Z-njës Mimi Kodheli dhe Ministrit të Punëve të Jashtme Z. Ditmir Bushati në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, për një bashkëbisedim me studentët, mbi rëndësinë që ky anëtarësim ka për Shqipërinë, por edhe për detyrimet e vendit ndaj aleancës.   Presidenti Nishani theksoi në deklaratën e tij se, “Tetë vite më parë, Shqipëria arriti të bëhej me meritë pjesë e Aleancës më të madhe politiko-ushtarake që ka njohur njerëzimi, duke u shndërruar në saje të reformave të ndërmarra, edhe të mbështetjes së pakursyer të aleatëve tanë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga një vend konsumues të sigurisë, në një vend që jo vetëm prodhon siguri, po jep kontributin e vet të qenësishëm në ruajtjen, lartësimin dhe promovimin e vlerave dhe parimeve botërore të hapësirës së lirisë e demokracisë anembanë botës”, nënvijoi Kryetari i shtetit Shqiptar. Presidenti Nishani shprehu krenarinë e vendit të tij për këtë arrijtje historike duke deklaruar se,  “Në historinë e gjatë e të vështirë të popullit shqiptar, anëtarësimi në NATO është arritja më e madhe historike, dhe merita e suksesi u takon të gjithëve që kontribuuan e vazhdojnë të kontribuojnë me dinjitet, duke bërë që flamuri kuq e zi të valëvitet krenar në Bosnje dhe Hercegovinë, Irak, Afganistan dhe kudo ku trupat paqeruajtëse dhe misionet e Aleancës shërbejnë me profesionalizëm e përkushtim”.

Ndërsa në fjalën e saj para studentëve të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, me rastin e 8-vjetorit të antarësimit të Shqipërisë në NATO, sipas portalit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë, Ministrja Kodheli solli në vëmendje punën e Forcave të Armatosura, puna e përditshme e të cilave siç tha ajo, jo domosdoshmërisht ndihet siç ndihen shërbimet e tjera që shteti sjell.   Ajo përmendi praninë e Forcave të Armatosura pranë qytetarëve brenda vendit, por theksin e vuri te pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare që rrjedhin si detyrim i të qenit vend anëtar i NATO.  Shqipëria është prezent në të gjitha misionet NATO, tha ajo, ka dyfishuar prezencën e saj në Afganistan, ka dyfishuar prezencën e saj në KFOR në Kosovë, është prezent në misionin e NATO në detin Egje, ku për herë të parë Shqipëria merr pjesë në një mision detar dhe është prezent në të gjitha strukturat komandë të NATO, kudo ku NATO me strukturat e saj është prezent.” – u tha ministrja Kodheli studenëve të Universitetit të Tiranës.

Zyrtarisht, Shqipëria u bë anëtare e Aleancës NATO më 1 prill, 2009 kur ambasadori i saj i paraqiti Departamentit Amerikan të Shtetit protokollet e ratifikuara për antarësim dhe në një ceremoni  zhvilluar me 4 prill, 2009, Shqipëria zuri vendin e saj në tavolinën e rrumbullakët gjatë mbledhjes së nivelit të lartë të aleancës në Strasbourg të Francës.

Tetë vjetë më parë në rastin e Shqipërisë, por edhe sot, sipas analistëve dhe ekspertëve të NATO-s, antarësimi i një vendi në Aleancën e Atlantikut Verior, dërgon një sinjal se vendi ose vendet për të qenë të denja të antarësimit në NATO, duhet të jenë stabile, sidomos përsa i përket gjëndjes së mbredshme politike.  Tetë vjetë më parë, shumë vërejtës kishin shfaqur shqetësimin e tyre në lidhje me sfidat, me të cilat përballej Shqipëria në atë kohë, sidomos sfidat që kanë të bëjnë me reformat politike, institucionale, elektorale dhe juridike.  Megjithëse janë shënuar përparime gjatë viteve, duke marrë parasyshë situatën aktuale politike në Shqipëri, lind pyetja pot ë bënte lutje sot Shqipëria për antarësim në NATO, a do të miratohej nga NATO dhe vendet përkatse, përfshirë Shtetet e Bashkuara.  Në këtë 8-vjetor të antarësimit në NATO, mund të themi me bindje se nuk ka dyshim që antarësimi i Shqipërisë në NATO të ketë kontribuar në përmirsimin e imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë – falë Forcave të Armatosura të Shqipërisë – dhe pa dyshim ka kontribuar edhe në stabilizimin e gjëndjes në rajon dhe në sigurinë e përbashkët në kontinentin evropian dhe më gjërë.

Por a mund të thuhet në këto 8-vjetë antarësimi — e sidomos sot — nëse Shqipëria dhe forcat politike të saj brenda vendit po mbështesin dhe po promovojnë vlerat demokratike dhe reformat e nevojshme për një vend të NATO-s, të cilat janë kushte të doemosdoshme të antarësimit në Aleancën Perëndimore?   A është mësuar gjë nga antarësimi prej 8-vjetësh i Shqipërisë në NATO dhe mënyrës se si funksionon kjo aleancë?  NATO nuk mund të marrë asnjë vendim pa konsultime me të gjithë dhe pa patur “konsensusin” e të gjithë anëtarëve!  A është ky një mësim për klasën politike shqiptare, që si përgjegjëse për fatin e kombit, të pakën të konsultohen mbi disa çështje jetike për vendin dhe kombin, duke pasur   parasyshë, mbi të gjitha, të mirën e përbashkët dhe sigurinë e të gjithë shqiptarëve.  NATO si organizatë shumëkombshe angazhohet për zgjidhjen paqësore të mosmarrveshjeve dhe konflikteve.  Është e nevojshme që — në këtë 8-vjetor të antarësimit në NATO, klasa e sotëme politike, përfaqsuese e Shqipërisë, anëtare e plotë me të drejta dhe përgjegjësi të plota në Aleancën e Atlantikut Verior – t’a pyes veten nëse në marrëdhëniet midis tyre, si individë dhe si parti,  po sillen ashtu siç meriton kjo organizatë dhe ashtu siç u ka hije shqiptarëve?  Qeveria shqiptare duhet ta pyes veten, a janë këto standardet e NATO-s, anëtare e të cilës është Shqipëria dhe a janë këto standarde të Bashkimit Evropian, pjesëtare e së cilës shpreson të bëhet?

Le të shërbej ky 8-vjetor i antarësimit të Shqipërisë në NATO për një reflektim  serioz politik dhe vëllazëror, për mënjanimin e një krize në institucionet politike të vendit, duke u konsultuar si vëllai me vëlla, mbi mënyrat se si të dilet nga ky realitet i zi, me të cilin përballet vendi.

Filed Under: Opinion Tagged With: e historise, Frank shkreli, PIKË E SHKËLQYESHME, POST-KOMUNISTE, SHQIPËRIA NË NATO: NJË

NË KUJTIM TË MASAKRËS SË TIVARIT

April 3, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Portali i lajmeve nga Ulqini, “Ulqinionline” njofton se të djelën me 2 mars, në kujtim të Masakrës së Tivarit, 72 vjetë më parë – Shoqata “Rumia” nga Ulqini, për të dytin vit me radhë, organizoi rrugëtimin tani të emërtuar, “Rrugës së të mbijetuarve të Masakrës së Tivarit” — rrugës tepër të mundimshme gjatë së cilës humbën jetën qindra ndoshta mijëra shqiptarë nga Kosovan ë udhtimin drejtë eliminimit në Tivar, në vitin 1945.  Udhëtimi simbolik prej 14 kilometrash filloi të djelën nga Tivari i vjetër dhe mori fund në fshatin Brisk të Krajës.  Në këtë rrugëtim mori pjesë një numër ndoshta jo aq i madh, por simbolik shqiptarësh nga Ulqini e Kraja, Ana e Malit, por edhe nga Kosova dhe Shqipëria, për të përkujtuar njërën prej ngjarjeve më të shëmtuara dhe më tragjike të Luftës së Dytë Botërore — jo vetëm në trojet shqiptare — por edhe në mbarë Evropën.  Një krim i vërtetë lufte, ku numri i të vrarëve të pafajshëm të shqiptarëve nga Kosova, sipas të dhënave nga disa historianë, mund të ketë arritur deri në 4300 veta.

“Ulqinionline” njofton gjtihashtu se si pjesë e programit ishte përfshirë edhe vizita tek ndërtesa famkeqe “Monopoli i Duhanit” në Tivar, aty ku thuhet se janë vrarë shumica e shqiptarëve të Kosovës, për të vendosur lule në shënjë nderimi dhe respekti për sakrificën e tyre.  Por, sipas portalit, rrugëtarët shqiptarë nuk u lejuan të hynin mbrenda ndërtesës për të vendosur kurora me lule, megjithse pronari i asaj ndërtese ishte njoftuar më përpara për ceremoninë në fjalë.  Si përfundim, grupi i “bjeshkatarëve” siç e quajnë veten rrugëtarët përkujtimorë të masakrës së Tivarit, bëri homazhe dhe vendosën lule jashtë ndërtesës dhe njëkohsisht mbodhën një pemë ulliri, simbol i traditës dhe jetëgjatësisë.

Shoqata “Rumia” si organizatore e këtij rrugëtimi vjetor për të kujtuar Masakrën e Tivarit, meriton lavdërimet e të gjithve për këtë nismë morale dhe kombëtare, me shpresën se në vitet e ardhëshme pjesmarrja në këtë përvjetor të shëndërrohet në një ngjarje me pjesmarrje më të madhe mbarë kombëtare nga të gjitha trevat, për të përkujtuar viktimat e pafajshme të shqiptarëve nga Kosova, në masakrën e Tivarit.  Masakrimi i mijëra shqiptarëve të pafajshëm gjatë rrugëtimit të tyre të detyruar për në kasaphanen e Tivarit në vitin 1945, mund të quhet lehtë si tradhëtia e madhe kombëtare.

Ndonëse kanë kaluar 72 vjetë nga kjo masakër dhe megjithse ka patur ndonjë botim aty këtu që hedhë sado pak dritë historike mbi këtë tradhëti, e gjithë kjo tragjedi nuk ka patur interesimin, e lere më shpjegimin dhe angazhimin e duhur zyrtar, as nga Shqipëria post-komuniste as nga Serbia e Mali i Zi dhe fatkeqsisht as nga Republika e Kosovës, për të zbuluar të vërtetën e kësaj masakre.  Ajo që nuk mund të mohohet është fakti se ata të shkretë u tradhëtuan dhe si rrjedhim u vranë dhe u masakruan nga elementët më kriminel të ushtrisë jugosllave dhe të Partisë Komuniste serbo-malazeze, me dijeninë dhe bashkpunimin e shokëve të tyre ideologjikë të Partisë Komuniste shqiptare dhe të regjimit të Enver Hoxhës.  Fatkeqsisht, sot kryesisht kjo masakër është hedhur në harresë, me ndonjë përjashtim aty këtu siç është rrugëtimi përkujtimor i organizuar nga Shoqata “Rumia” në Ulqin.

Masakra e Tivarit ishte një akt kriminal dhe tradhëtar i bashkrenduar mirë midis komunistëve shqiptarë dhe shokëve të tyre slave, për të eliminuar çdo rezistencë ndaj regjimeve të tyre dhe për sllavët një gjë e tillë ishte në përputhje të plotë me planet afatgjata të serbo-malazezve komunistë për të spastruar etnikisht trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë.  Krimet komuniste, sidomos ato kundër shqiptarëve, përfshirë masakrën e Tivarit, nuk mund të trajtohen më si çështje për të cilat nuk mund të flitet dhe për të cilat historianët të mos hapin tanimë dosjet në arkivat e shteteve përkatëse, për të zbuluar të vërtetën historike, përfshirë edhe përcaktimin se kush ishin përgjegjësit dhe protagonistët kryesorë që dhanë urdhërat dhe ata që kryen këtë krim kundër njerëzimit, me vrasjen e mijëra shqiptarëve.

Megjithse historiografia komuniste e kishte shlyer masakrën e Tivarit për pothuaj një gjysëm shekulli nga historia, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ajo është dhe mbetet një ngjarje që nuk mund të harrohet dhe as të zhduket lehtë nga kujtesa historike e kombit shqiptar.

Nuk duhet patur frikë nga transparenca dhe as nga zbulimi i së vërtetës mbi krimet komuniste në Ballkan, gjatë dhe pas Luftës së dytë Botërore.  Mos zbardhja e kësaj masakre dhe e krimeve të tjera anë e mbanë trojeve shqiptare do të vazhdojnë të hedhin një hije të zezë mbi ndërgjegjen morale dhe të ardhmen e kombit shqiptar, por njëkohsisht do të pengojë edhe zhvillimin e mirëfilltë të marrëdhënjeve të Shqipërisë dhe Kosovës me vendet fqinje.   Zbardhja e së vërtetës mbi masakrën e Tivarit vetëm do të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve rajonale në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës me Malin e Zi.  Kjo është një përgjegjësi personale, morale dhe kombëtare për politikën shqiptare.

Marrëddhëniet midis dy shteteve shqiptare dhe Malit të Zi duket se po shkojnë gjithnjë drejtë përmirsimit në shumë fushë, ndërsa gjatë viteve të fundit janë shkëmbyer vizita miqësore të nivelit të lartë midis tyre.  Jo më larg se këtë javë vizituan Malin e Zi, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama.  Ndërkohë, Kryeministri shqiptar gjatë vizitës në Mal të Zi njoftoi se qeveritë e dy vendeve kanë vendosur të mbajnë një mbledhje të përbashkët tetorin që vjen në Shkodër, pa dyshim një pasqyrim ky i marrëdhënieve të mira midis dy vendeve.   Kryeministri Rama u shpreh gjatë një konference me homologun e tij malazez për, “Një intensifikim të një cikli të ri marrëdhëniesh dhe e një përpjekjeje të re për të intensifikuar marrëdhëniet në funksion të përmirësimit të jetës ekonomike dhe sociale” midis dy vendve.  “Nuk ka diskutim se ne mbetemi fqinjë të dashur dhe të afërt me njëri tjetrin dhe se rruga jonë e përcaktuar qartë për të qenë krah për krah në koalicionin e shteteve të botës së lirë demokratike është një rugë pa këthim, ku ne jemi vendosur të çojmë përpara këtë marëdhënie strategjike në funksion të ardhmërisë së fëmijve këtu në Malin e Zi dhe pak më tutje në ardhmërinë e fëmijve në Shqipëri.”

Pjesë e këtij cikli të ri të intensifikimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në fushë të ndryshme, duhet të jetë edhe zbardhja e plotë dhe e besueshme rreth masakrës së Tivarit dhe e krimeve të tjera komuniste nga të dy anët e kufirit.  Kjo do të ishte me të vërtetë shënjë e një fillimi të ri marrëdhëniesh në Ballkan dhe simbol i një përpjekjeje për tu shkëputur njëherë e mirë nga krimet e së kaluarës dhe provë e një angazhimi serioz nga të dy palët për të zbuluar të vërtetën historike.  Një gjë e tillë jo vetëm që do të çonte në forcimin e marrëdhënieve midis dy popujve të rajonit, por do të tregonte gjithashtu se Tirana dhe Podgorica, si vende tani të orientuara drejtë perëndimit, janë serioze, që përveç antarësimit në NATO dhe BE, të adaptojnë gjithashtu edhe vlerat e botës euro-atlantike, pjesë e të cilës pretendojnë se duan të bëhen.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, NË KUJTIM TË MASAKRËS, se Tivarit

SENATI AMERIKAN RATIFIKOI ANTARËSIMIN E MALIT TË ZI NË NATO

March 29, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Me vota dërmuese, Senati i Shteteve të Bashkuara ratifikoi të martën e kësaj jave, anëtarësimin e Malit të Zi në Aleancën e Atlantikut Perëndimor, NATO.  Vota 92 në favor dhe 2 kundër shikohet nga ekspertët si një shënjë e qartë e Shteteve të Bashkuara se Washingtoni, jo vetëm që është kundër ndërhyrjeve dhe influencës së Moskës në Evropën lindore dhe Jug-lindore, por edhe se është gati të bëjë diçka në lidhje me përpjekjet e Moskës për të futur hundët në këtë pjesë të Evropës.  Pastaj traktati i miratuar nga Senati do t’i dërgohet Presidentit Trump, i cili pritet që ta nënshkruaj, pasi këshilltarët e tij të ngushtë — përfshirë Sekretarin e Departamentit të Shtetit, Rex Tillerson dhe Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis — kanë shprehur, kohët e fundit, mbështetjen e tyre të fortë për pranimin e Malit të Zi si anëtar të Aleancës ushtarake NATO.   Disa media amerikane njoftojnë se në një letër që Z. Tillerson u ka dërguar kohët e fundit udhëheqësve të Senatit të Shteteve të Bashkuara, krye diplomati amerikan është shprehur se anëtarësimi i Malit të Zi në aleancën perëndimore ndihmon integrimin më të madh rajonal, si dhe reformat demokratike, tregtinë dhe stabilitetin në radhët e vendeve fqinje.  Sekretari Tillerson, në letrën e tij dërguar udhëheqsve të Senatit ka thënë se antarësimi i Malit të Zi në aleancën Perëndimore, “Është pa asnjë dyshim në interesin e Shteteve të Bashkuara”.  Ata kanë ngulë këmbë që miratimi i antarësimit të Malit të Zi të bëhej përpara mbledhjes së nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet me 25 maj në Bruksel e ku, sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, pritet që Presidenti Trump të shpreh angazhimin e tij të fortë ndaj aleancës së NATO-s.   Kjo masë pret tani mbështetjen e plotë të 28-vendeve të NATO-s dhe të parlamentit malazias.  Sipas lajmeve, Spanja mbetet tani për tani, vendi i vetëm që nuk e ka aprovuar ende anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, por që pritet të bëjë një gjë të tillë së shpejti.

Në mbështetje të miratimit për të pranuar Malin e Zi në NATO folën një numër senatorësh.  Senatori republikan dhe kryetari i Komisionit Senatit që merret me Forcat e Armatosura, Xhon Mëkejn, sipas Zërit të Amerikës, u tha kolegëve të tij se, ”Kemi të bëjmë me diçka më tepër se me pranimin ose jo në NATO të një vendi të vogël prej 650-mij banorësh. Kjo është një provë në garën në të cilën jemi angazhuar me Presidentin rus Vladimir Putin”, u shpreh Senatori Mëkejn.  Ndërsa Senatori demokrat i shtetit Maryland, njëkohësisht edhe demokrati kryesor në Komisionin e Jashtëm të Senatit,  Ben Cardin, ka thënë se, “Antarësimi i Malit të Zi në NATO do të rritë sigurinë tonë, do të përforcojë aleancën dhe njëkohësisht do t’i dërgojë Rusisë një mesazh të fortë vendosmërie”, nga ana e Perëndimit. Ndërkohë që Senatori republikan i Karolinës së Jugut dhe njëri prej ekspertëve të Kongresit për politikën e jashtëme, Lindsi Graham — duke folur në favor të anëtarësimit të Podgoricës në NATO — tha se, “Mali i Zi po përpiqet të bëjë çdo gjë që urren Putini.  Aleancat e demokracive janë tmerri më i madh i tij”, u shpreh senatori republikan.  Në një  raport të Komisionit të Senatit mbi Punët e Jashtme, bashkangjitur rezolutës për ratifikimin e antarsimit të Malit të Zi në NATO, thuhet se, “Një sulm kundër Malit të Zi, ose destabilizimi i tij si përfundim i subersioneve nga jashtë do të kërcënonte stabilitetin në Evropë dhe do të rrezikonte interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara.”

Ndërkaq, Rusia e cila dyshohet për përpjekje të një grusht-shteti fund vitin e kaluar në Mal të Zi, vazhdon ta kundërshtojë anëtarësimin e Podgoricës në NATO, duke e quajtur atë si një “provokim”.  Podgorica zyrtare ka bërë akuzën se kishte zbuluar një komplot për ndërhyrje me dhunë në procesin elektoral të vendit, me qëllim të rrëzimit të qeverisë për ta zëvendësuar atë me një administratë besnike ndaj Moskës, madje ka lëshuar akuzën edhe për përpjekje për të vrarë kryeministrin e vendit.  Mediat malazeze kanë njoftuar se komplotistët u kanë thënë hetuesve të shtetit malazez se në  përpjekjet për destabilizimin politik të Malit të Zi, ata kishin ndihmën e zyrtarëve rusë.

Siç dihet, Mali i Zi siguroi pavarësinë nga Serbia në vitin 2006, por në atë vend ka një komunitet të konsiderueshëm serb, i cili tradicionalisht ka qenë dhe vazhdon të jetë besnik ndaj interesave ruse në Mal të Zi dhe në rajon.  Si i tillë – dhe në përputhje me politikën e Moskës – ashtu siç ishte kundër pavarësisë, nuk është për t’u çuditur se edhe tani komuniteti serb në atë vend, po kundërshton gjithashtu edhe anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Pa dyshim, se anëtarësimi i Podgoricës në NATO do bëjë që Mali i Zi të jetë më afër me strukturat politike, të mbrojtjes, të sigurisë dhe ato ekonomike me vendet e Evropës Perëndimore, por njëkohësisht do të thellojë edhe më shumë mosbesimin rus ndaj aleancës perëndimore, zgjerimi i të cilës drejtë lindjes ka zemëruar për së tepërmi Moskën zyrtare. Ndërkohë që Senati amerikan votoi në mënyrë dërmuese në favor të antarësimit të Malit të Zi në NATO, Rusia sikur donte të dërgonte mesazhin se mbetet gjithnjë e angazhuar në ushtrimin e influencës së saj politike dhe ushtarake në Ballkan, priti në fillim të javës në një vizitë zyrtare në Moskë Kryeministrin e Serbisë, Aleksander Vuçiqin.

Besoj se ashtu siç është në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, antarësimi në NATO i Malit të Zi, si një vend që kufizohet me Republikën e Shqipërisë dhe me Republikën e Kosovës, është edhe në interesin e dy shteteve shqiptare dhe të shqiptarëve në përgjithsi, por njëkohsisht edhe në favor të paqës dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor.  Nënkuptohet vetvetiu se nëqoftse Beogradi dhe Moska janë kundër një gjëje të tillë, atëherë s’do mend se antarësimi i Podgoricës në NATO është  jo vetëm në interesin e vet Malit të Zi, por edhe në interesin e përgjithshëm të paqës, pavarësisë dhe integritetit për të gjitha shtetet e rajonit dhe të mbarë Evropës.  Ekspertët besojnë se një Mal i Zi i pavarur nga Serbia dhe anëtar i aleancës ushtarake të NATO-s – megjithë problemet e shumta me të cilat përballet komuniteti shqiptar atje – është gjithashtu edhe në interesin e shqiptarëve nën Malin e Zi, që Podgorica të jetë e lidhur politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht, me aleancat perëndimore, euro-atlantike ushtarako-politike, e jo me Moskën dhe me Beogradin.

Filed Under: Opinion Tagged With: e Malit të Zi?, Frank shkreli, në NATO…., SENATI MERIKAN RATIFIKOI ANTARËSIMIN

JOHN F. KENNEDY DHE LUFTA E FTOHTË

March 23, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/

Vlerësohet se gjëndja ndërkombëtare sot është më keq se ç’ka qenë ndonjëherë ç’prej mbarimit të Luftës së Ftohtë.  Ishte Lufta e Ftoftë midis Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik që dominoi dhe kërcënoi botën për pothuaj një gjysëm shekulli, shpesh duke e çuar njerëzimin në prak të një lufte bërthamore.  Dihet se mbas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara me aleatët e tyre dhe Bashkimi Sovjetik dhe shtetet komuniste satelite të tij, ishin mbërthyer në një kacafytje prej dekadash për epërsi, ndikim e influencë politiko-ushtarake, në marrëdhëniet ndërkombëtare.  Mund të thuhet se kjo luftë e ftoftë midis dy superfuqive të asaj kohe arriti kulmin gjatë presidencës së Xhon F. Kennedy, presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara, 100-vjetori i lindjes i të cilit po kujtohet, këtë vit, me aktivitete të shumta anë e mbanë Amerikës.

1 Hrushovi

Ne Foto:Takimi-Kennedy Hrushovin në Vjenë të Austrisë, 3 qershor,1961/

Forcat ushtarake të Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara nuk u angazhuan asnjëherë në konflikte të drejtë për drejta gjatë Luftës së Ftohtë, por të dy superfuqitë e kohës ishin mbërthyer në antagonizma serioze ndaj njëra tjetrës, nepërmjet manovrimeve të ndryshme politike, nepërmjet koalicioneve ushtarake, NATO dhe Pakti i Varshavës, me anë të spiuanzhit dhe propagandës si edhe shtimit të armatimeve, përfshirë armët bërthamore.  Nga aleatë në Luftën e Dytë Botërore kundër Hitlerit, nuk mori shumë kohë që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik, menjëherë pas mbarimit të luftës Majin e vitit 1945, të këtheheshin në kundërshtarë të përbetuar politikë dhe ushtarakë, marrëdhënie këto që patën tensione të larta, pothuaj të vazhdueshme për disa dekada, deri në shëmbjen e Murit të Berlinit.  Bashkimi Sovjetik nguli këmbë që të ushtronte influencë politike dhe ushtarake mbi shtetet dhe popujt midis territorit të tij dhe Evropës Perëndimore, duke përfunduar kështu në instalimin e regjimeve pro-komuniste dhe pro-sovjetike në Poloni, Hungari, Bullgari, Çekosllovaki, Rumani, Shqipëri dhe eventualisht edhe në Gjermaninë Lindore.  Si rrjedhim i kontrollit absolut politik, ushtarak dhe ekonomik të Bashkimit Sovjetik mbi këto vende, Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, ndërmorën masa politike, ekonomike dhe ushtarake për të ndaluar përhapjen dhe influencën e mëtejshme të komunizmit në vendet e Evropës Perendimore, si Franca, Italia dhe Greqia.

Dihet se Deri në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara zhvillonin kryesisht një politikë izolacioniste në marrëdhëniet me Evropën.   Por pas Luftës, si përfundim i kontrollit sovjetik të vendeve të Evropës Lindore, Shtetet e Bashkuara – nepërmjet Doktrinës Truman të vitit 1947 — filluan të mbështesnin vendet e kërcënuara nga subversioni komunist dhe Plani Marshall shpërndau miliarda dollarë në ndihma ekonomike Evropës Perëndimore me qëllim për të mënjanuar prishjen e stabilitetit politik dhe ekonomik të atyre vendeve, gjë që do të bënte të mundur kontrollin e regjimeve të zgjedhura me vota demokratike, nga komunistët.

Kufiri që ndante lindjen komuniste nga perëndimi demokratik mbeti pothuaj i ngrirë në Evropë për disa dekada, por konfliktet në kontinente të tjera si në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, nuk mund t’i shmangeshin tensioneve të Luftës së Ftoftë midis dy superfuqive, të gjysëm shekullit të kaluar. Si rrjedhojë, në vitin 1949, komunistët kinezë triumfuan në luftën civile të vendit më të populluar të botës duke iu bashkangjitur kështu Bashkimit Sovjetik si një kundërshtar ideologjik i Shteteve të Bashkuara në Luftën e Ftohtë.  Në vitin 1950, Korea e Veriut kishte invaduar Korenë e Jugut dhe si rjedhim Shtetet e Bashkuara dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara dërguan ushtarë dhe ndihma ushtarake Koresë së Jugut, ndërkohë që Kina komuniste mbështeti Korenë e Veriut, një luftë të përgjakshme që zgjati për tre vjetë.  Pastaj, në vitin 1954 ra regjimi kolonial francez në Vjetnam, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara mbështetën qeverinë ushtarake të Vjetnamit të Jugut.  Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e komunizmit në atë pjesë të botës, formohet Organizata e Traktatit të Vendeve të Azisë Jug-lindore, ndërkohë që Presidenti Eisenhower dërgoi 700 ushtarë amerikanë dhe ndihma ekonomike dhe ushtarake për qeverinë e Vjetnamit të Jugut.  Ndërkohë, më afër brigjeve të Shteteve të Bashkuara, rezistenca kubane e udhëhequr nga Fidel Castro rrëxoi nga fuqia regjimin pro-amerikan të Havanës.    Për të mbijetuar, Kuba komuniste varej nga ndihmat ekonomike dhe ushtarake të Bashkimit Sovjetik duke mundësuar që kundërshtari kryesor i Shteteve të Bashkuara në Luftën e Ftohtë të kishte vendosur bazën e vet, jo më larg se 90-milja nga brgedeti i shtetit Florida.

Ja, kjo ishte pak a shumë gjëndja botërore, në shpërthim e sipër, kur filloi nga detyra presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, John Kennedy.  Prandaj nuk është për tu habitur, se Lufta e Ftohtë dhe roli i Amerikës në botë do të dominonte debatin e fushatës për president të Shteteve të Bashkuara midis kandidatit republikan Richard Nixon dhe demokratit John F. Kennedy në vitin 1960.  Të dy kandidatët   premtuan gjatë debatit të parë televiziv të një fushate të tillë, se do të shtonin dukshëm buxhetin ushtarak të Amerikës dhe të dy shfaqën qendrime të ashpra kundër Bashkimit Sovjetik dhe komunizmit ndërkombëtar.  Kennedy paralajmëroi se Moska  po shtonte numrin e raketave të arsenalit ndërkontionental bërthamor sovjetik dhe kritikoi, me atë rast, administratën Eisenhower — zevëndës president i të cilës kishte shërbyer Niksoni — se kishte lejuar vendosjen e një regjimi komunist, pro-sovjetik në Havanë të Kubës.

Për Presidentin Kennedy, Lufta e Ftohtë dhe gara e armatimeve me Bashkimin Sovjetik ishin çështje të një rëndësie jetike ndërkombëtare, pothuaj gjatë gjithë karierës së tij politike.   Në fjalimin e tij të inaugurimit president, ai kishte paralajmëruar garën midis botës së lirë perëndimore dhe botës komuniste, dnërkohë që u angazhua se populli amerikan, “Do të paguante cilindo çmim, do të duronte cilëndo barrë, do të përballte cilëndo vështirsi, do të mbështeste çdo mik  dhe do të kundërshtonte çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë.”

 

Pas dështimit të takimit të tij me udhëheqsin sovjetik, Krushçov, në qershor të vitit 1961 në Vjenë përballë kërcënimeve sovjetike, Presidenti Kennedy jep urdhër për shtimin e raketave bërthamore ndërkontinentale të Amerikës, rritë numrin e divizioneve ushtarake si edhe të forcave ajrore dhe të rezervistëve ushtarakë amerikanë.  Dy muaj pas takimit në Vjenë, Krushçovi, nga ana e tij, jep urdhër për ndërtimin e Murit të Berlinit me qëllim për të ndaluar gjermano-lindorët që të arratisën nga parasja komuniste në Gjermaninë Perëndimore.  Ndërsa në këtë hemisferë, në marrëveshje me qeverinë komuniste kubane, Krushçovi kishte  vendosë raketa bërthamore në Kubë për të mbrojtur ishullin kuban nga ndonjë sulm i mundëshëm nga Shtetet e Bashkuara.  Si përfundim i gjëndjes së krijuar afër brigjeve të Amerikës, administrata e presidentit Kennedy vendosi një blokadë detare ndaj anijeve sovjetike afër Kubës. Duke parë seriozitetin e situatës drejtë së cilës mund të çonte botën — në shkëmbim të një zotimi amerikan se Shtetet e Bashkuara nuk do të pushtonin Kubën, Krushçovi vendosi të tërhiqte anijet  luftarake dhe raketeta bërthamore sovjetike nga Kuba.  Ishte kjo në situatë tepër serioze ballafaqimi midis dy superfuqive të mëdha të kohës, që është cilësuar nga disa historianë si shumë e frikshme, situatë që pothuaj e çoi botën në prak të shkatërrimit bërthamor.

Në qershor të vitit 1962, në Universitetin Amerikan në Washington, Presidenti John Kennedy mbajti një fjalim me rëndësi që edhe sot cilësohet nga historianët si “fjalimi i paqës”, ku ai bëri thirrje për ndalimin e të gjitha provave bërthamore në atmosferë dhe foli, me admirim, për sigurimin e paqës në botë.  “Jo vetëm për një paqë për kohën tonë, por për një paqë për të gjitha kohërat”, ka deklaruar Presidenti Kennedy.  Në kulmin e Luftës së Ftoftë, ishte kjo një thirrje trumpetuese dhe e guximshme për të gjitha shtetet, që të hiqnin dorë nga armët bërthamore në favor të paqës midis popujve.

Në këtë 100-vjetor të lindjes së John Kennedy, kujtojmë se përveç shumë trashëgimive të tjera që ka lënë pas në fushën politike, ekonomike, të të drejtave të njeriut dhe në arenën ndërkombëtare, ai mbahet mendë sidomos për përpjekjet e  tija për pakësimin e armëve bërthamore dhe të admirohet për qëndrimet e tija për paqë në mbarë botën, por njëkohsisht edhe për guximin dhe gatishmërinë e tij për të mos kursyer asgjë në mbrojtje të lirisë.

Filed Under: Histori Tagged With: DHE LUFTA E FTOHTË, Frank shkreli, JOHN F. KENNEDY

KONGRESMENI ELIOT L. ENGEL MBI POLITIKËN AMERIKANE NDAJ KOSOVËS

March 23, 2017 by dgreca

  Përgatitur nga Frank Shkreli/

Përfaqsuesi demokrat në Kongresin amerikan, njëherazi edhe nën-Kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesve për Politikën e Jashtme dhe njohës i mirë i çështjeve shqiptare në Ballkan, Eliot Engel mbajti të mërkurën një fjalim mbi politikën e Shteteve të Bashkuara karshi Republikës së Kosovës.

Fillimisht, miku i njohur i shqiptarëve numëroi ato që ai tha se janë suksese dhe arritje të viteve të fundit të shtetit më të ri në Evropë, duke përfshirë ndër të tjera medaljen e parë të artë olimpike të Kosovës, mbajtjen e konferencave me rëndësi ndërkombëtare mbi bashkpunimin dhe tolerancën në fushën fetare atje, antarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në ente të tjera botërore, si dhe njohjen diplomatike deri tashti të pavarësisë së Kosovës nga më shumë se 110 shtete të botës.   Ai theksoi në fjalimin e tij në Dhomën e Përfaqsuesve, se këto janë vetëm disa prej arrijtjeve të deri tanishme të shtetit të ri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër të parat shtete që kanë njohur më së pari pavarësinë e Kosovës dhe sot jemi mbështetsi më i fortë i saj dhe me të drejtë”, nënvijoi kongresmeni Engel.  Së pari, Kosovën e njohu si shtet të pavarur  Presidenti Xhorxh Bush dhe marëdhëniet vazhduan të forcoheshin gjatë administratës së Presidentit Barack Obama. Si përfundim, Republika e Kosovës, theksoi ai, krenarisht e konsideron veten si mbështetsja më e fortë e Shteteve të Bashkuara në Evropë.

Mirëpo, Zoti Eliot Engel nënvijoi se kjo nuk do të thotë se Kosova është një vend i përsosur në çdo pikëpamje. “As ne nuk jemi një vend i përsosur”, u shpreh ligjvensi amerikan, por “Korrupsioni në Kosovë duhet të luftohet dhe reforma në drejtësi po zhvillohet me një ritëm tepër të ngadalëshëm, ndërkohë që përqindja zyrtare e papunësisë sillet diku rreth 30 për qind. Si rrjedhim, është e qartë se në Kosovë mbetet shumë për tu bërë”, deklaroi njëri prej mbështetsve më të mëdhej të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithsi, në Kongresin amerikan.

Por, në fjalimin e tij mjaft të gjatë, Zoti Engel iu këthye përsëri optimizmit të tij mbi të ardhmen e Kosovës, duke thënë se nga vizitat e shumëta që i ka bërë atij vendi gjatë viteve, ai ka parë secilën herë përparimin e bërë atje, duke thënë se “Jam i bindur për të ardhmen e shkëlqyer të Kosovës.”  Ai u shpreh se siç e ka thënë shpesh herë, se kurdo që udhtojë nepër botë si shtetas amerikan, askund nuk më presin me më shumë dashuri e miqësi se ç’është rasti kur vizitoj Kosovën. “Njerëzit në Kosovë”, shtoi ai, “me të vërtetë i duan amerikanët dhe çdo gjë amerikane”.

Ai iu drejtua Dhomës së Përfaqsuesve të Shteteteve të Bashkuara duke thënë se në këtë moment, “Mënyra më e mirë për të ndihmuar Republikën e Kosovës është me mbështetje të fortë, ashtu siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara gjatë viteve”.  Por, ai tha se ekzistojnë pengesa të mëdha ndaj zhvillimit normal të Kosovës, shumica e të cilave vijnë nga jashtë kufijve të Kosovës.   Ai tha se Kosova dëshiron, ashtu si të gjitha vendet e rajonit, të bëhet pjesë e një Evrope të sigurt e të integruar, me antarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.  Si shëmbull i këtyre pengesave nga jashtë, ligjvensi amerikan përmendi mos njohjen e shtetit të Kosovës nga “Pesë vende evropiane dhe bllokimin e antarësimit të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve Bashkuara nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia”, u shpreh ai.

“Në fakt, Serbia po përpiqet të bllokojë Kosovën në çdo rast dhe kohët e fundit ka shtuar tensionet” në rajon u kujtoi ai kolegëve të tij.  Si masa tensioni të mbsëhtetura nga Serbia, ligjvensi amerikan Eliot Engel përmendi trenin propagandistik të mbishkruar në 21 gjuhë të huaja me fjalët, “Kosova është Serbi”, me qëllim për të shkaktuar trazira në radhët e popullsisë së vogël serbe në Kosovë — dhe ndërtimin e murit famëkeq në Mitrovicë.  Për më tepër, “Serbia, vazhdon tu mohojë drejtësinë familjeve shqiptare të qindra viktimave si rezultat i fushatës serbe të spastrimit etnik kundër shqiptarëve, përfshirë rastin e tre vëllëzërve Bytyqi, shtetas amerikanë”, theksoi Z. Engel.  Ai përmendi gjithashtu edhe urdhër arrestin e Interpolit serb për Ramush Haradinaj, i cili u arrestua nga autoritetet franceze, por i cili është gjetur dy herë i pafajshëm nga tribunali ndërkombëtar, theksoi Engel.  Franca, tha ai, “Duhet ta lejojë Ramush Haradinajn të këthehet në Atdhe. Mjaft është mjaftë”, deklaroi kongresmeni amerikan para Kongresit.

Në vijim, ai shprehu dyshimin e të ashtuquajturit sukses të bisedimeve, midis Beogradit e Prishtinës, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke thënë se “Serbia po pengon integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe se kësaj duhet t’i thuhet stop njëherë e mirë!”  Në fjalimin e tij, Zoti Engel iu drejtua kolegëve ligjvenës në Kongres duke thënë se, “Ju mund të habiteni të mësoni se pas 9 vjetësh si shtet i lirë e i pavarur, Kosova ende nuk ka një ushtri të vetën.  Pra, një shtet i pavarur e sovran, pa ushtri!  Kosova”, tha ai, “ka një Forcë Sigurie, por asgjë në krahasim me forcat e mëdha të armatosura serbe dhe të furnizuara mirë nga Rusia”, në kufirin e saj.  Ai theksoi se është aburd fakti që Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin, tani për tani, themelimin e një ushtrie të shtetit të Kosovës.   Është një qëndrim që duhet të ndryshojë sa më parë nga ana e Washingtonit, pasi armët dhe furnizimet ruse vazhdojnë të dërgohen pa pengesë në Serbi, me miratimin e Vladimir Putinit.

Megjithëtë, Eliot Engel theksoi se marrëdhëniet e Amerikës me Kosovën janë të forta dhe e ardhmja e tyre është e shkëlqyeshme.  Duhet të qëndrojmë dhe të vazhdojmë në këtë rrugë, ka thënë ai.  “Si shtet i ri”, Kosova nënvijoi ai, “ka nevojë për ndihmë. Ne e dimë më mirë se çdo kush se sa e vështirë është të ndërtohet demokracia, nganjëherë haset në pengesa e herë të tjera është e mevojshme ndihma”, u shpreh ai para Kongresit.   Z. Engel nevijoi se mbështetja amerikane për Kosovën tani, është më e rëndësishme se kurrë më parë.   Kjo është arsyeja, theksoi miku i shqiptarëve në Kongresin amerikan, që Shtetet e Bashkuara të punojnë për thellimin e marrëdhënieve tona, të shtojmë mirëkuptimin dhe të vazhdojmë të mbështesim stabilitetin anë e mbanë gadishullit ballkanik.  “Kjo është mënyra e vetme për të garantuar një Kosovë më të begatshme, më demokratike dhe multi-etnike dhe kjo është mënyra që Shtetet e Bashkuara të krijojnë gjtihashtu edhe një rajon të lirë dhe në paqë në Ballkan, si pjesë e një Evrope të bashkuar.

Në fund të fjalimit, Elot Engel u bëri thirrje Shteteve të Bashkuar që të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës si shtet i lirë e i pavarur.  Për shumë vite, shtoi ai, popullit të Kosovës u ishin mbushur veshët me gënjeshtra e propagandë kundër Shteteve të Bashkuara gjatë sundimit të regjimeve komuniste shekullin e kaluar, por ata nuk i kanë besuar kurrë ato rrena, tha Z. Engel. “Populli i Kosovës, pohoi ai, është mirënjohës për të gjitha ato që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për atë vend në të kaluarën.  Është një popull të cilin e dua për mik, për miq të tillë kemi nevojë”, u shpreh Engel.

Zoti Engel e përfundoi fjalimin e tij të mërkurën, në sallen e madhe të Dhomës së Përfaqsuesve, me një mesazh për popullin dhe qeverinë e Kosovës, duke deklaruar se “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë jush dhe do të jenë gjithmonë me ju”. Ndërsa iu drejtua qeverisë së Serbisë me këto fjalë: “Ne përkrahim aspiratat e popullit serb për antarësim në Bashkimin Evropian, por Serbia duhet të ndalojë menjëherë masat që ka ndërmarrë për bllokimin e antarësimit të Kosovës dhe të ndërpresi njëherë e mirë masat luftënxitëse kundër Republikës së Kosovës.” Të dy shtetet, tha në fund të fjalimit të tij Z. Engel, “duhet të antarësohen në Bashkimin Evropian dhe eventualisht në NATO, pa u penguar nga njëra tjetra.”

Përgatiti Frank Shkreli

 

Më poshtë teskti i plotë i fjalimit të Z. Engel në anglisht:

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kongresmeni Engel, kosova, politika amerikane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT