• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRAGJEDIA E REVOLUCIONIT KULTUROR KINEZO-SHQIPTAR

May 17, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

16 Maji, 1966 shënoi 50-vjetorin e revolucionit ideologjik dhe “kulturor” kinez. Kjo ditë shënon mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës që konsiderohet si data zyrtare e fillimit të Revolucionit Kulturor, një ngjarje që nuk ishte as revolucion dhe nuk kishte aspak të bënte me kulturën. Përkundrazi, ishte një periudhë që shkroi një kapitull të tmershëm dhe të dhimbshëm në historinë e popullit kinez, një periudhë vrasjesh e torturash, linçimesh dhe gjyqe linçi, duke e këthyer vendin në një eksperiment tragjik, në dorë të të ashtuquajturave masa revolucionare të rinjshë, kryesisht, por edhe të shtresave të tjera të shoqërisë kineze.

Është ky një përvjetor i një historie të shëmtuar dhe gjakatare të komunizmit kinez kundër popullit të vet, që sipas mediave ndërkombëtare pothuaj nuk u përmend aspak në Pekin, as zyrtarisht dhe as në median kineze, duke pasqyruar kështu ndjenjat e thella që ekzistojnë ndaj një periudhe që me të drejtë është cilësuar si një katastrofë në historinë e Kinës. Ishte një lëvizje që bënte thirrje për luftë të pa mëshirëshme klasash me qëllim të zhdukjes së elitës intelektuale dhe kundërshtarëve politikë të udhëheqsit numër një dhe të Partisë Komuniste. Revolucioni Kulturor është cilësuar si një kapitull dhune politike dhe fizike në historinë e Kinës për të cilin udhëheqsit e sotëm të Kinës turpërohen dhe për të cilin as nuk duan të flasin publikisht as zyrtarisht.
Ndonëse në Kinë, siç thashë më lartë, sipas mediave ndërkombëtare, ky përvjetor nuk u përmend nga Pekini zyrtar dhe u injorua nga media kineze, e njëjta gjë duket se ndodhi edhe në Shqipëri, ku ndonëse në dy tre raste media përmendi 50-vjetorin e Revolucionit Kulturor kinez, por pa thënë asgjë për Revolucionin Kulturor të Shqipërisë, pjellë e së cilës ishte. Me fjalimin e Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1967, Shqipëria komuniste kishte nisur gjithashtu revolucionin e saj me kopjimin e Revolucionit Kulturor kinez, duke e zhytur kombin shqiptar në një katastrofë përmasash historike, ndërkohë që ndërmori krimet më çnjërzore kundër popullit të vet, elitës intelektuale dhe fetare shqiptare si dhe kundër kulturës dhe traditave mija vjeçare të kombit shqiptar, me fjalë të tjera një fushatë kundër çdo gjëje të “vjetër”.
Gjatë 1960-ave, Kina dhe Shqipëria ishin aleatë të ngushtë në një kohë kur asnjëra palë nuk kishte shumë miqë anë e mbanë botës. Kjo aleancë midis dy vendeve komuniste, që shumë ekspertë e kanë karakterizuar si jo natyrale, u përforcua më tepër pas vdekjes së Stalinit. Në mospajtim me politikën e ish- udhëheqsit sovjetik Nikita Krushçev për destalinizimin e vendit, Tirana komuniste vendosë lidhje të ngushta, jo vetëm në fushën ideologjike, por edhe në fushën strategjike me Kinën komuniste. Të frikësuar nga kërcënimet që mund t’i vinin pushtetit komunist nga pakënaqësitë e popullit shqiptar në lidhje me gjëndjen ekonomike dhe politike në vend, pasi Mao Tse Dungu kishte deklaruar tanimë Revolucionin Kulturor dhe Ideologjik në Kinë në vitin 1965, — Enver Hoxha, në fjalimin e tij famëkeq të 6 shkurtit, 1967 njoftoi Revolucionin e vet Kulturor dhe Ideologjik. Si përfundim, Shqipëria u u përshkua me ndryshime rrënjësore në jetën e përditshme, përfshirë ndër të tjera ndryshimet në ushtri dhe në burokracinë shtetërore dhe qeveritare.
Eliminoi ministri të tëra, përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë. Kolektivizimi i tokave dhe shtetëzimi i pasurisë u përhapën anë e mbanë vendit, përfshirë edhe zonat më të izoluara të Shqipërisë. Por, rezultati më famëkeq i Revolucionit Kulturor në Shqipëri, ishte pikërisht zhdukja e kulturës kombëtare dhe përfaqsuesve të saj, shfarosja e fesë dhe e traditave shumë shekullore shqiptare, pasojat e të cilit, fatkeqsisht, shihen edhe sot në jetën politike, kulturore dhe shoqërore të Shqipërisë, madje edhe 25-vjetë pas shëmbjes së komunizmit. Gjatë 1960-ave, regjimi komunist enverist, duke u bazura në përvojn e revolucionit kinez, kritikoi, torturoi, arrestoi, vrau, internoi dhe ridënoi deri në zhdukje elitën kombëtare, përfshirë shkrimtarë, klerikë dhe artistë të dalluar. Ndër të tjera, regjimi enverist ndryshoi sistemin arsimor dhe ndaloi fenë duke e shpallur me krenari Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë, ndërkohë që organizoi grupe agjitatorësh, të rinjshë e të rejash, për të shkatërruar objektet fetare anë e mbanë Shqipërisë duke zhvilluar një fushatë të egër anti-fetare, sidomos kundër klerit katolik, të pa parë askund tjetër në botë.
Ishte kjo një përpjekje e qëllimshme nga ana e regjimit komunist shqiptar që ta izolonte edhe më shumë Shqipërinë nga rrënjët e saja të kulturës dhe të traditave europiane duke e vet-izoluar popullin shqiptar, me objektivin për ta mbajtur Shqipërinë larg atyre që regjimi komunist i kohës i konsideronte si “influenca të huaja”. Duke zhdukur në këtë mënyrë, trashëgiminë, kulturën dhe traditën e vjetër të shqiptarëve, për t’i hapur rrugën, sipas regjimit, një revolucioni të ri kulturor për të krijuar “njeriun e ri”, por në të vërtetë ishte një fushatë që u këthye menejëherë në një barbarizëm të vërtetë shfarosës kundër qytetërimit shqiptar dhe evropian.
I parë nga përspektiva e sotëme, në këtë 50-vjetor, i ashtuquajturi Revolucioni Kulturor në Shqipëri – një kopje fatzezë e Revolucionit Kulturor dhe Ideologjik të Kinës Komuniste – nuk ishte gjë tjetër veçse një krim përmasash kombëtare, i kryer nga një regjim anti-kombëtar, në emër të një ideologjie sllavo-aziatike kundër historisë dhe kulturës së kombit shqiptar.
Disa vjetë më parë, Radio Vatikani do ta cilësonte fjalimin e Enver Hoxhës të 6 shkurtit 1967, që në fakt shënoi fillimin e revolucionit kulturor në Shqipëri, si një ”kopje e turpshme e revolucionit kinez dhe një njollë e zezë në historinë e një kombi.” Ishte kjo një kohë, thuhej në komentin e Radio Vatikanit, kur një aventurier ballkanik duke ndaluar Zotin me ligj, ëndërronte të ulej vetë në fronin e Perëndisë. Thuhet se ishte një periudhë kur, “Viktimat qenë të shumta: biblioteka me libra të rrallë, ikona të vjetra të papërsëritshme, vlera arkitektonike dhe etnografike. Në atë pranverë të akullt, Shqipëria ngrohej në flakët e zjarreve, ndezur me një lëndë të veçantë: libra. Ngrohej a digjej? Kur digjej Ungjilli, Lajmi i Mirë, që ia kishte ngrohur zemrën dhe Lahuta e Malcís, që ia kishte mbajtur gjallë kujtesën kombëtare”, popullit shqiptar. Ishte ky një kapitull i shëmtuar i historisë së shqiptarëve, “Kur shembeshin një mori ndërtesash dhe kur njeriu shqiptar bëhej më pak njeri, duke humbur shumë nga vlerat njerëzore e shqiptare.” Revolucioni Kulturor i diktaturës ateisto-komuniste rrënoi faltoret e shpirtit, “duke lënë njolla kaq të zeza në historinë e kombit, njolla e farsa që kërkojnë rishkrimin e ndershëm e të paanshëm të kësaj periudhe të historisë së Shqipërisë”. Radio Vatikani më në fund ka cituar Dom Simon Jubanin, i cili gjatë meshës së parë në nëntor të vitit 1990, qe shprehur se megjithë përpjekjet e Enver Hoxhës për të zhdukur përgjithmonë fenë në Shqipëri, me shëmbjen e komunizmit në Shqipëri, “kishat e xhamitë i lartësojnë përsëri këmbënaret dhe minaretë e tyre drejtë qiellit si rrufepritëse, sinjal i shembjes së vet diktaturës”.
50-vjetori i katastrofës së Revolucionit Kulturor kinezo-shqiptar duhet të shërbejë si një kujtim për ta gjykuar dhe për ta dënuar zyrtarisht atë tragjedi kombëtare, kur “njeriu shqiptar bëhej më pak njeri” dhe kur populli shqiptar humbi shumë prej vlerave historike shpirtërore dhe kombëtare shekullore të tija. Duke shkruar me rastin e 50-vjetorit të Revolucionit Kulturor, eksperti gjerman i çështjeve kineze Felix Wernheuer thotë se ka giasë që Revolucioni Kulturor të ketë shkatërruar për gjithmonë kulturën dhe marrëdhëniet njerzore të shoqërisë. Ekziston mendimi, shton ai, se problemet e sotëme, siç janë lakmia e tepëruar për mall e para, korrupcioni dhe rënja e moralit nëpërgjtihsi, e kanë origjinën në “shkatërrimin e qytetërimit”, të shkaktuar nga Revolucioni Kulturor Kinez. Eksperti gjerman përfundon duke thënë se, “Nëqoftse shoqëria kineze merret ndonjëherë seriozisht me të kaluarën e saj, ajo nuk do të mund të injorojë as padrejtësitë e sotëme në atë vend”, të cilat janë rezultat i të kaluarës 50-vjeçare. Kjo vlenë edhe për Shqipërinë! Edhe Shqipëria duhet, jo vetëm ta kujtojë këtë katastrofë historike duke zbardhur njollat e zeza të Revolucionit të saj Kulturor, por njëkoshisht edhe të dënojë krimet e bëra. Ashtu si edhe për krimet e tjera të komunizmit pothuaj gjysëm shekullor, nëqoftse ato krime nuk gjykohen, nëqoftse nuk ndëshkohen dhe nëqoftse, të pakën nuk kujtohen në raste siç është 50-vjetori i krimeve të Revolucionit Kulturor në Shqipëri, atëherë vendi është i destinuar që t’a përsërisë atë histori tragjike të popullit shqiptar. Njëkohsisht, nëqoftse nuk zbulon të vërtetën mbi njollat e zeza të historisë së saj, siç është revolucioni kulturor dhe të periudhës komuniste në përgjithësi dhe nëqoftse nuk mëson prej saj, atëherë Shqipëria nuk mund të ketë as një vizion të qartë dhe as të drejtë për një të ardhme më të mirë të vendit dhe të kombit shqiptar në përgjithësi dhe si rrjedhim as nuk mund të bëjë pjesë në botën e vendeve të përparuara pa ndëshkimin e krimeve anti-njerëzore dhe anti-kombëtare, të shkaktuara nga Revolucioni Kulturor shqiptar 50-vjetë më parë.

Filed Under: Analiza Tagged With: E REVOLUCIONIT KULTUROR, Frank shkreli, KINEZO-SHQIPTAR, tragjedia

VLERAT AMERIKANO-EVROPIANE

May 10, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 9 Maji shënon çdo vit Ditën e Europës, një ditë kur festohet paqa dhe bashkimi në Evropë.  Kjo datë shënon gjithashtu përvjetorin e deklaratës historike të të ashtuquajturës “Deklarata Schuman” të vitit 1950, në të cilën Ministri i atëhershëm francez i Punëve të Jashtme, Robert Schuman për herë të parë hodhi idenë për një formë të re bashkëpunimi politik në Evropë. Qëllimi i idesë së tij për një Evropë të bashkuar ishte që të bënte të pamundur luftën midis kombeve europiane.  Fillimisht, vizioni i tij kishte për qëllim krijimin e një institucioni të ri që do të menaxhonte dhe do të drejtonte prodhimin e çelikut dhe të qymyrit, por që historikisht është konsideruar si fillimi i institucionit mbarë-europian, që sot njihet si Bashkimi Evropian (BE).

Kjo ditë u shënua anë e mbanë Evropës ndërkohë që institucionet evropiane hapën dyertë për publikun jo vetëm në Bruksel dhe Strasbourg  por edhe zyrat e BE-së anë e mbanë botës, në shënim të kësaj dite, organizuan aktivitete të ndryshme në shtetet ku kanë përfaqësi.  

Ndërkaq, para se të nisej për një vizitë diplomatike prej katër ditësh në disa shtete europiane për takime me udhëheqsit e tyre dhe njëkohsisht për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë kundër korrupsionit,  me rastin e Ditës së Evropës, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry përshëndeti Bashkimin Evropian në emër të Presidentit Obama dhe të popullit amerikan duke thënë se më shumë se 65 vjetë më parë ndonëse Europa ende ishte e shkatërruar nga Lufta e dytë Botërore, “Deklarata Schuman”, krijoi vizionin e   një Evrope të bashkuar dhe në paqe.  “Shtetet e Bashkuara”, shtoi kryediplomati amerikan, “janë themeluar në bazë të vlerave demokratike, vlera të cilat sot e kësaj dite i ndajmë me partnerët tanë europianë.”   Këto vlera, nënvijoi Z. Kerry, na bashkojnë përballë një numri sfidash politike dhe humanitare anë e mbanë botës.”   Në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Evropës,  Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi se, “Bashkimi Evropian shërben si shembull i vazhdueshëm i demokracisë, i lirisë dhe i begatisë, vlera këto të arritura nëpërmjet një qëllimi dhe parimesh të përbashkta të qeverive dhe popujve të ndryshëm të rajonit.”   Si të tillë, përfundoi kryediplomati amerikan mesazhin drejtuar BE-së, “Shtetet e  Bashkuara me krenari qëndrojnë pranë jush dhe me ju — si miqë dhe partnerë.”

Për këtë bashkim bashkëpunim dhe vlerash të përbashkta amerikano-evropiane foli gjithashtu javën e kaluar edhe Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken gjatë një vizite në Varshavë të Polonisë, ku manifestoi vlerat e përbashkëta të Amerikës me kombin polak dhe me Evropën në përgjithësi, ndërsa theksoi se për dy kombet tona, “trashëgimia që ne ndajmë i ka rrënjët thellë në historinë tonë, është e gjallë në komunitetet tona sot dhe u jep energji të reja parimeve që na bashkojnë.”   Numri dy i diplomacisë amerikane vizitoi Varshavën për të festuar 225-vjetorin e kushtetutës polake që është më e vjetra në Evropë, dhe e dyta në botë pas kushtetutës së Shteteve të Bashkuara,  “Një dokument”, që sipas tij, “përgatiti rrugën për themelimin e lëvizjeve demokratike anë e mbanë botës, në mbështetje të realizimit të aspiratave universale njerëzore.”   Gjatë historisë, u shpreh diplomati amerikan, “dy kombet tona kanë njohur momente triumfi dhe periudha tragjedishë të mëdha”.  Por ajo që është me rëndësi është fakti se si ne, si qytetarë dhe si qeveri, përballemi me momente të tilla historike dhe  “Nëse ne bashkohemi dhe qëndrojmë pranë dhe me njëri tjetrin në mbrojtje të lirisë, të demokracisë dhe zbatimit të ligjit, përballë rreziqeve, trazirave dhe përçarjeve që na kanosen”, tha zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

 

Numri dy i diplomacisë amerikane u kujtoi polakëve vizitën e Papa Gjon Palit të dytë (me origjinë polake) në Amerikë dy dekada më parë, duke cituar Papën Vojtila i cili ka thënë me atë rast se, “Çdo gjeneratë duhet të dijë se liria nuk qëndron vetëm në faktin se duhet të jemi të lirë të bëjmë çdo gjë që dëshirojmë – liria e vërtetë duhet të bazohet dhe të garantojë të drejtën për të bërë atë që duhet bërë, e që është e nevojshme”, në momente të caktuara historike.   

Antony Blinken foli për meritat e Bashkimit Evropian dhe të aleancës së NATO-s dhe vuri në dukje edhe debatin në lidhje me rëndësinë dhe meritat e këtyre dy organizatave sot, ndërkohë që shtoi ai, disa madje kanë venë në pikëpyetje vetë parimet e demokracisë liberale dhe nëse modeli i qeverive tona mund të mbijetojë në këto kohë krizash.  Përballë një situate të tillë, shtoi ai, ia vlen të kujtojmë se pse NATO dhe BE-ja janë aq të rëndësishme jo vetëm për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare, por edhe për sigurinë, zhvillimin dhe paqën në secilin prej vendeve anëtare.  Ndërsa popujt e Evropës Lindore shëmben komunizmin duke ndryshuar kështu hartën e Evropës, NATO dhe BE-ja, tha ai, këto dy institucione të mëdha transatlantike — të themeluara mbi parimet e demokracisë, të lirisë së individit dhe të zbatimit të ligjit — mbështetën dhe përkrahën tranzicionin paqësor të vendeve evropiano-lindore, nga komunizmi në demokraci.  Këto dy organizata, tha diplomati amerikan, do të vazhdojnë të mbrojnë primet dhe vlerat tona të përbashkëta si edhe ato vende që këto vlera e parime i ndajnë me ne.

Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit theksoi  në fjalmin e tij se, “Në radhët e NATO-s nuk ka qytetarë të klasës së dytë”, ndërsa citoi Presidentin Obama, i cili  dy vjetë më parë, në një fjalim në Varshavë ka pohuar se, “Ne qendrojmë së bashku, tani dhe për gjithmonë, sepse liria juaj është edhe liria e jonë.”

  1. Blinken, pohoi se çdo demokraci, përfshirë edhe atë në Shtetet e Bashkuara, i ka të metat e veta. Por debati dhe dialogu i sinqert janë të doesmodoshëm në një demokraci të mirëfilltë, ashtu siç është  e rëndësishme edhe ndarja dhe pavarësia e pushteteve qeveritare, si dhe respekti për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe të drejtësisë.

Edhe në Shqipëri dhe në Kosovë u shënua “Dita e Evropës”.  Pas pranimit në parim të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi të draftit përfundimtar të reformës në drejtësi,    Përfaqsuesja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin u shpreh nga Shkodra se — megjithëse Shqipëria ka shumë punë për të bërë në rugën e antarsimit në BE — ka ardhur koha, shtoi ajo, që Këshilli i Evropës të rekomandojë hapjen e negociatave për antarësimin e Shqipërisë në BE.   Ndërsa në Kosovë, ku dita e Evropës është ditë feste, u mirëprit propozimi për liberalizimin e vizave, por u theksua njëkohsisht edhe rruga e gjatë dhe e vështirë me të cilën përballet vendi drejtë integrimit të Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian.   Ministri i Integrimeve i Kosovës, Z. Bekim Çollaku pasqyroi ndjenjat e shumë  vetave në lidhje me integrimin e Kosovës në organizmat evro-atlantike, ndërsa u shpreh se, “Nuk ka rrugë të shkurtër, në udhën e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”.   Fatkeqsisht, kjo vlenë edhe për Shqipërinë.  Për një kohë të gjatë tani, zyrtarët evropianë i kanë bërë të qarta qëndrimet dhe kushtet e tyre për antarësimin e shqiptarëve në organizmat evro-atlantike. 

Demokracia nevojitë mençuri dhe virtyte, por edhe debat dhe dialog të mirëfilltë me respekt ndaj njëri tjetrit dhe kushtëzon ndërtimin e institucioneve bazë për një demokraci të mirëfilltë, përfshirë një parlament përfaqsues të popullit, parti politike të mirëfillta, shtyp të lirë, shoqëri civile me liri veprimi, polici të përgjegjëshme dhe profesionale dhe natyrisht një sistem të pavarur juridik dhe gjyqësor.  Janë këto vlera amerikano-evropiane që kanë karakterizuar NATO-n dhe BE-në gjatë dekadave – “të bashkuar në qëllime dhe parime”.   Ndonëse siç pohoi edhe Ministri i Integrimeve i Kosovës, Z. Çollaku, i cili tha se nuk ka rrugë të shkurtër drejtë integrimit në BE, është e qartë se sado e gjatë të jetë kjo rrugë, për kombin shqiptar nuk ka rrugë as alternativë tjetër përveç integrimit të tij të plotë politik dhe ushtarak në organizmat evro-atlantike!  Në “Ditën e Evropës”, kjo është dëshira jo vetëm e shumicës së shqiptarëve, por njëkohsisht është edhe vullneti dhe dëshira e miqëve perëndimorë që kombi shqiptar të zejë karrigën e vet në radhët e kombeve evropiane, aty ku gjithmonë e ka pasur vendin.  Por ky objektiv mund të arrihet vetëm nëqoftse realizimi i këtij qëllimi do të bëhet prioriteti numër një i politikës shqiptare, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, VLERAT AMERIKANO-EVROPIANE

QUO VADIS ALBANIA?

May 5, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

E di se kjo pyetje përdoret shpesh dhe si e tillë tingëllon pak si e mërzitshëme, por duke ndjekur situatën aktuale në Shqipëri — sidomos debatet mbi reformën në drejtësi — është e pamundur të mos bëhet pyetja se,“Ku po shkon Shqipëria”?  Sa për një përspektivë historike, fraza “Quo Vadis”, “Ku po Shkon?”, e ka rrënjën në traditën e krishtërë, ku sipas kësaj tradite, ndërsa Shën Pjetri po largohej nga Roma për t’i ikur kryqëzimit të  tij të sigurt, hasë në Jezu-Krishtin dhe Shën Pjetri e pyet atë: Quo Vadis Domine? Jezusi sipas kësaj tradite i përgjigjet atij: “Po shkoj në Romë për tu kryqëzuar edhe njëherë.”

 Fatkeqsisht, duket se politika aktuale në Tiranë, me veprimet dhe mosveprimet e saj, po e çon Shqipërinë drejtë një kryqëzimi tjetër, drejtë një humnere të pafund dhe të pa-parashikueshme për të ardhmen e saj si shtet dhe si komb. Rasti i (mos)reformës në drejtësi ebën njeriun tepër pesimist në lidhje me të ardhmen e vendit, si përfundim i grindjeve dhe mosmarrvehsjeve të vazhdueshme politike, dhe e bën pothuaj të pamundur përgjigjen ndaj pyetjes, senë ç’drejtim po shkon Shqipëria?  Reforma në drejtësi ka qenë dhe është një kërkesë e vendeve perëndimore, por e cila, sipas një sondazhi të kohëve të fundit kërkohet gjithashtu edhe nga 91% e shqiptarëve, si diçka e doemosdoshme dhe e nevojshme për mbarvajtjen politike dhe ekonomike të vendit. Në çdo vend tjetër demokratik, kur shumica dërmuese e popullit është në favor të një masedhe kur me një përqindje të tillë kërkon miratimin e një reforme siç është ajo në drejtësi, nuk duhej të kishte shumë debate për meritat e miratimit të një reforme të tillë të sistemit juridik dhe gjyësor, pa marrë parasyshë nëse kërkohet nga ndërkombëtarët ose jo. Në fund të fundit, kjo është një kërkesë thelbësore nga vet populli shqiptar dhe përfaqsuesit e tij politikë duhet t’i përgjigjen me miratimin e kësaj reforme nga të gjitha partitë politike!

 Përfaqsuesit perëndimorë në Tiranë, ambasadori amerikan Donald Lu dhe Përfaqsuesja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin paraqitën këtë javë versionin përfundimtar të ekpertëve amerikanë dhe europianë për reformën në drejtësi.  Dy përfaqsuesit perëndimorë u angazhuan se ata nuk do të lejojnë që reforma në drejtësi të dështojë.   E vërteta është se, sidomos Ambasadori Lu është angazhuar fuqimisht dhe personalisht duke venë madje edhe prestigjin e Shteteve të Bashkuara — si mike e Shqipërisë dhe shqiptarëve — prapa kësaj nisme madhore për Shqipërinë.  Duke ndjekur debatet dhe reagimet e kohëve të fundit, sidomos të dy partive kryesore në lidhje me këtë iniciativë, fatkeqsisht ndihem pesimist dhe dyshoj nëse përfaqsuesit perëndimorë e dinë se me kë kanë të bëjnë dhe se sa i përzier është lëmshi i politikës shqiptare.

 Reforma në drejtësi në Shqipëri është e nevojshme për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jo për Shtetet e Bashkuara dhe për Bashkimin Europian.  Si e tillë ajo duhet të jetë përparësi e klasës politike shqiptare dhe jo e diplomatëve të huaj. Por, ja ku ka ardhur situata aktuale.  Nevojitet ndërmjetësia e miqëve sepse shqiptarët nuk merren vesh me njëri tjetrin për gjërat më themelore dhe të një interesi jetik për një shoqëri moderne.  Nevojitet ndërmjetësia ndërkombëtare, për t’u thanë udhëheqsve shqiptarë: mjaft, pushoni pushkët burra e të shuhet zjarri se ne jemi ndërmjetës.  Në rregull, por, nëqoftse se edhe kësaj rradhe, ashtu si edhe me raste të tjera    të përpjekjeve ndërkombëtare për të zgjidhur mosmarrveshjet e ndryshme politike shqiptare në të kaluarën, nuk “shuhet” pushka dhe hidhet poshtë fjala dhe përpjekjet e ndërmjetsve miqë. 

Duke marrë parasyshë seriozitetin me të cilin e kanë marrë reformën në drejtësinë shqiptare ndërkombtarët — sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës — me mos miratimin e reformës, klasa politike shqiptare pikëspari do të koritë veten, jo vetëm para 91% e shqiptarëve të cilët e shohin si tepër të nevojshme një reformë të tillë, por njëkohsisht do të zhgnjejë ndoshta në mënyrë të pareparueshme ndërmjetsit ndërkombëtarë dhe miqët e shqiptarëve — Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Europian– dhe ka mundësi të afektojë negativisht marrëdhënjet afat-shkurtëra dhe afat-gjata me mbështetsit historik të kombit shqiptar. 

Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu shprehu seriozitetin e vendit të tij në lidhje me miratimin e kësaj reforme, por tërthorazi paralajmëroi edhe pasojat që mund të ketë mos aprovimi i reformës, kur theksoi se udhëheqsit më të lartë perëndimorë i kanë kërkuar Shqipërisë miratimin e reformave në drejtësi.  “Nukkamparëkurrëmbështetjetëtillëngaaleatëttuajmëtëafërtpërasnjëtemëtjetër. Tëgjithë e pranojmësa e rëndësishmeështëkjopërtëardhmen e Shqipërisë”, potencoikryediplomatiamerikannëTiranë, Donald Lu.

Por a e kupton paria e Tiranës rëndësinë e kësaj reforme dhe udhëkryqin në të cilin e ka vendosur vendin e tyre?  Klasa politike shqiptare pretendon se është pro-amerikane, pro-perëndimore dhe të pakën — sa për sy e faqe, për 25 vjetë tani — shprehet se është serioze dhe e do Shqipërinë të bëhet pjesë e organizmave të botës perëndimore, ndërsa njëkohsisht duket se politikanëve shqiptarë nuk u pëlqejnë rregullat dhe kërkesat e klubit perëndimor, siç është ndër të tjera, reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.  Për më tepër, me veprimet e saja politike dhe ekonomike, klasa politike e Tiranës, po tregon çdo ditë e më shumëse ajo në të vërtetë, Shqipërinënuk e dëshiron në perëndim, ndërsa në heshtje ndjekë dhe vepron në bazë të sloganit të zbrazët të Ramiz Alisë se Shqipëria nuk është as në “përendim as në lindje”dhe me kufij “as të hapur as të mbyllur”, siç deklarojë kohët e fundit Ministri i jashtëm shqiptar.

 Në të vërtetë, politikanët shqiptarë e kanë më kollaj të ndjekin dhe të forcojnë politikat e tyre me vendet e lindjes, pasi ato nuk kërkojnë asnjë kusht për marrëdhënje të tilla, pasi janë të zhytur vet në korrupsion dhe padrejtësi.  Autokratët, si Putini, Erdogani, kinezët, sllavët dhe të tjerë si këta nuk kërkojnë prej politikanëve shqiptarë as reforma në drejtësi, as luftë kundër korrupsionit, përkundrazi sa më të korruptuar aq më mirë dhe më të forta do të jenë marrëdhënjet midis tyre. Por a është kjo në interesin afatgjatë për kombin shqiptarë?  Kjo është një pyetje që vetëm udhëheqsit aktual shqiptarë mund t’i përgjigjen. Ka ardhur koha që “shapi të ndahet nga sheqeri”.  Ka ardhur koha që politika zyrtare e Tiranës – pozitë dhe opozitë – “të pushojë armët” dhe t’i përgjigjet më në fund pyetjes: “Quo vadis Albania?”, ku po e çojnë Shqipërinë.Ky është momenti, tashti është koha që me debatet dhe diskutimet e mirëfillta në, “log të kuvendit” si dikurë të parët tanë – të miratohet reforma në drejtësi dhe si burra të fjalës e të besës, t’i tregoni pikëspari kombit shqiptar por edhe miqëve të ngushtë historikë të shqiptarëve, se ç’rrugë do të marrë më në fund Shqipëria?  Leni fjalët dhe hapni rrugën!  Shpresojmë se ende ka burra Shqipëria që janë të vetdijshëm të momentit historik në të cilin jetojnë dhe qeverisin, ashtuqë timonin e të ardhmes së kombit shqiptar t’a drejtojnë njëherë e mirë në rrugën e mbarë duke miratuar reformën në drejtësi!(Foto:VOA)

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, QUO VADIS ALBANIA?

LIRIA E SHTYPIT, 2016

May 3, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Anë e mbanë botës, 3 Maji shënoi Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit e deklaruar si e tillë nga Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me qëllim për të nënvijuar rëndësinë e lirisë së shtypit anë e mbanë botës dhe njëkohësisht për t’u kujtuar qeverive anëtare të OKB-së, detyrën dhe përgjegjësinë  e tyre për të respektuar lirinë e të shprehurit, ashtu siç përcakton neni 19 i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut të vitit 1948 dhe Deklarata Ndërkombëtare e Windhoek e vitit 1991, një deklaratë kjo parimesh sepicifike mbi lirinë e shtypit.   Është interesant një fakt tjetër historik, ndoshta pak i njohur, se këtë vit Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, bie gjithashtu edhe në 250-vjetorin e Aktit të parë në botë në mbështetje të lirisë shtypit, miratuar më 1776, në Suedi.

Në këtë ditë të Lirisë së Shtypit në botë, gjendja e gazetarëve dhe e lirisë së tyre të veprimit dhe të kryerjes së detyrës së tyre që ata kanë ndaj shoqërisë dhe shteteve ku jetojnë, veçse vjen e keqësohet anë e mbanë botës.  Sipas statistikave, nga viti 1992, anë e mbanë botës janë vrarë 1,189 gazetarë e gazetare.  Ndërsa në raportin që botoi muajin e kaluar organizata jo qeveritare Freedom House — e cila raporton dhe mbështetë demokracinë, lirinë politike, lirinë e shtypit dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës – thuhet se sipas matjes së saj sot vetëm 13 për qind e popullësisë botërore gëzon lirinë e shtypit, ndërsa pothuaj gjysma e popullësisë botërore (46 %), nuk e gëzon këtë liri në asnjë formë.  Ente të ndryshme mediatike, me rastin e kësaj dite të lirisë botërore, i kanë bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të caktojë një përfaqësues të posaçëm për t’u kujdesur për sigurinë e gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre, me qëllim që të ndihmojë dhe të mbështesë të gjithë gazetarët dhe korrespondentët e mediave tradicionale dhe të atyre elektronike, anë e mbanë botës, ashtuqë që të kenë mundësi të zhvillojnë veprimtarinë e tyre të lirë dhe pa frikë ndëshkimi për punën e tyre si gazetarë e gazetare.

Duke shënuar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Kryetari i Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Europë, njëkohsisht edhe Ministër i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier u shpreh se, “Sot ne kujtojmë me nderim gazetarët anë e mbanë botës, të cilët përballin rreziqet, dhunën, persekutimet dhe frikësimet, në përpjekjet e tyre të përditshme për të raportuar të vërtetën.”   Kryediplomati gjerman dhe kryetari i OSBE-së shtoi se, “Media e lirë dhe e pavarur është një gur themel i pazëvendësueshëm për mbarëvajtjen e një shoqërie të lirë dhe demokratike”.  Ai nënvijoi se në këtë fushë, OSBE-ja, “Luan një rol jetik duke përcaktuar dhe duke mbrojtur standardet e përbashkëta, në promovimin e këtij parimi për lirinë e medias”, shtoi Ministri i Jashtëm gjerman.   Ndërsa përfaqsuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç tha  me këtë rast se, “Kjo ditë na kujton rëndësinë që luan media e lirë si dhe rolin thelbësor që ajo luan në shoqërinë civile. Gazetarët anë e mbanë botës”, shtoi ajo, “përfshirë edhe ata që punojnë në rajonin e vendeve anëtare të OSBE-së, po veprojnë gjithnjë e më shumë nën kushte të vështira pune.”

Ndërsa në emër të Bashkimit Europian (BE), Përfaqsuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, në deklaratën e saj me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, nënvijoi se, “E drejta e lirisë së opinionit dhe e të shprehurit përfshinë edhe lirinë për të kërkuar, për të marrë dhe për të shpërndarë informacionin.”   Ky, tha Përfaqsuesja e Lartë e BE-së, “Është çelsi kryesor i qeverisjes dhe zhvillimit demokratik në përgjithësi.   Njerzit kanë nevojë të informohen plotësisht dhe objektivisht me qëllim që të bazuar në informacionin e marrë, të kenë mundësi të formojnë opinionin e vet dhe të marrin pjesë në proceset vendim-marrëse që afektojnë jetën e tyre të përditshme.”   Federica Mogherini theksoi gjithashtu se, “Liria e informacionit ndihmon për një qeverisje më të mirë, ndërkohë që mbështetë dhe përforcon transparencën në jetën publike dhe mund të përdoret për të mbajtur përgjegjëse qeveritë dhe përfaqsuesit e klasës politikë për veprimet e tyre, sidomos në fushën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të korrupsionit.”   Në deklaratën e saj me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Përfaqsuesja e BE-së dënoi gjithashtu frikësimet dhe dhunën që po përdoret në rritje e sipër ndaj gazetarëve anë e mbanë botës ndërsa shprehu vendosmërinë e entit që ajo përfaqëson, “Për të promovuar dhe për të mbështetur lirinë e të menduarit dhe të të shprehurit, për të gjithë dhe kudo, bazuar në parimet e barazisë, mos diskriminimit dhe universalitetit – nepërmjet cilësdo media që ata dëshirojnë dhe pa pengesa kufijsh.  Kjo është e drejta juaj”, përfundoi deklaratën e saj Federica Mogherini.

Sipas organizatave të ndryshme botërore që merren me të drejtat e njeriut dhe veçanërisht me lirinë e medias në përgjithësi edhe këtë vit,  Dita Botërore e Lirisë së shtypit e gjenë median, në pjesën më të madhe të botës, në një atmosferë frikësimi, dhune, vet-censure dhe tensionesh publike dhe private.   Ndërkohë që qeveritë e ndryshme anë e mbanë botës, kanë shtuar masat e tyre shtypëse në këtë fushë — me legjislacion dhe pa legjislacion – për të kontrolluar dhe për të shtypur lirinë e medias, jo vetëm nga qeveritë por edhe nga interesa të ndryshme private të korruptuara, që mund të jenë të lidhura direkt ose indirekt me qeverinë ose përfaqsues të saj.   Arkitekti i fjalës së lirë, Thomas Xhefersoni ka thënë se shtypi, që me të vërtetë është i lirë të hetojë dhe të kritikojë qeverinë, është absolutisht i doemosdoshëm për demokracinë e një vendi që praktikon vetqeverisjen. Si rrjedhim, mbarëvajtja politike dhe ekonomike e një vendi, varet nga qytetarët e edukuar dhe të mirë-informuar.  Ai ka thënë gjithashtu se “ndonëse qeveritë tona duhet të bazohen dhe të veprojnë sipas opinionit të shprehur dhe të lirë të popullit, atëherë si rrjedhim, objektivi i parë duhet të jetë që kjo e drejtë, pra e drejta e lirisë së shtypit, duhet të ruhet dhe të kultivohet”.  Ndryshe nga shumica e udhëheqsve të sotëm botërorë, Xhefersoni besonte në triumfin përfundimtar të së vërtetës si dhe në lirinë e fjalës dhe të përhapjes së lire të ideve dhe besonte njëkohsisht në shtypin e lirë si një mjet për të arritur tek e vërteta përfundimtare.Por sot, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës së Korrespondetëve pa Kufijë, Christophe Deloire, “Për fat të keqë, është tepër e qartë se shumë prej udhëheqsve aktual botërorë janë duke zhvilluar një formë paranoje në lidhje me gazetarinë legjitime.”   Frikësimet dhe dhuna ndaj gazetarëve, thekson ai, përfundon në anashkalimin e debatit mbi pluralizmin dhe çon në shtypjen, në rritje e sipër të lirisë së medias dhe përfaqsuesve të saj, nga qeveritë autoritare shtypëse.  Z. Deloire shtoi se gazetaria e vërtetë, e cila meriton të konsiderohet si e tillë, duhet patjetër të mbrohet kundër propagandës së qeverive, në rritje e sipër, ndaj lirisë së shtypit anë e mbanë botës. “Garancia e të drejtës së publikut për të pasur në dispozicion lajme dhe informacione të pavarura dhe të besueshme është jetike nëqoftse kemi në mend të zgjidhim problemet e njerëzimit — qoftë në nivelin vendas, qoftë në nivelin botëror”, tha me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës së Korrespondentëve pa Kufijë, Christophe Deloire.

Filed Under: Analiza Tagged With: 2016, Frank shkreli, Liria e shtypit

HISTORIKE:KADETËT SHQIPTARË NGA KOSOVA PRANOHEN NËAKADEMINË USHTARAKE AMERIKANE, WEST POINT

April 21, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtë javë në Washington po zhvillon një vizitë Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) zoti Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së gjeneral-lejtënant Rrahman Rama. Në njoftimin e FSK-së për vizitën e delegacionit ushtarak të Kosovës thuhet se Komandanti i FSK-së general-lejtënant Rrahman Rama ka zhvilluar një takim me gjeneral-lejtënantin amerikanKenneth F. McKenzie, Drejtor për Politika dhe për Planifikimet Strategjike të Komandës së Bashkuar të Ushtrisë së SHBA-ve.  Sipas njoftimit, në këtë takim midis palës ushtarake amerikane dhe asaj të Republikës së Kosovës u bisedua mbi zhvillimet aktuale në FSK dhe mbi përgatitjet që po bëhen në procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës.   Njoftohet se gjenerali amerikan e siguroi palën kosovare për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për FSK-ën.  Në njoftimin e FSK-së mbi vizitën e udhëheqësve të saj të lartë në Washington kumtohet gjithashtu lajmi i mirë dhënë nga gjenerali McKenzie se dy kadetë shqiptarë nga Kosova janë pranuar në Akademinë e njohur Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, West Point. Ai  tha se dy kadetët e rinjë shqiptarë të FSK-së,të pranuar në akadeninë ushtarake më të njohur në botë, janë Arilena Shala dhe Ylli Dalladaku. Këta do të jenë studentët e parë nga Kosova që do të shkollohen në Akademinë Amerikane ushtarake me famë botërore, West Point pohoi ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ndërkohë që uroi kadetët dhe njëkohsisht edhe FSK-në, “për suksesin në përmbushjen e kritereve rigoroze akademike, që do të ofrojnë mundësi të reja për profesionalizimin dhe avancimin e kuadrove të ushtrisë tonë”.Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës shprehet në faqen e saj Facebook se ajo ndjehet, “jashtëzakonisht krenare për këtë të arritur dhe falënderuese për mundësinë që West Point u ofroi kadetëve të FSK-së, si rezultat i bisedimeve me udhëheqësit e kësaj akademie gjatë vizitës time atje në vitin 2014”, shkruan Jahjaga.  Ndërsa ambasadorja e Republikës së Kosovës në Washington Vlora Çitaku, e kënaqur për këtë sukses të dy të rinjve shqiptarë nga Kosova, u shpreh se, “Në veçanti jemi krenarë që nga 2 kadetët e pranuar, njëra është një vajzë e re. Në një konkurencë shumë të ashpër dhe rigoroze këta të rinjë, suksesshëm kaluan çdo test, dhe sot Kosovës i dhanë një lajm të mrekullueshëm”,u shpreh përfaqsuesja e Kosovës në Washington, Vlora Çiraku.  Të pranohesh në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point nuk është aspak e lehtë, por është një nder i jashtzakonshëm që gjithmonë ështl rezervuar vetëm për studentët më të mirë dhe më të shquar të kombit.  Për tu pranuar në Akademinë më prestigjioze amerikane, kadetët jo vetëm që duhet të jenë inteligjent, por duhet të jenë edhe fizikisht në gjëndje të mirë dhe individ që shquhen nga tiparet e karakterit të shkëlqyeshëm njerëzor.Ata që përzgjidhen për tu pranuar në West Point, sigurojnë një arsimim universitar që nuk e ka shoqin askund në botë, ndërkohë që të gjitha shpenzimet janë të paguara nga Akademia.  Diploma nga Akademia Ushtarake Amerikane në West Point, gjatë gjithë jetësdo i dallojë të diplomuarit e West Point nga të tjerët për nga aftësitë, karakteri dhe për zotësitë udhëheqse që ata do të kultivojnë aty, duke i bërë ata anëtarë të një grupi ndërkombëtarë të dalluar dhe shumë të respektuar.Pak histori mbi Akademinë Ushtarake. West Point ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e këtij kombi duke filluar nga Lufta e Revolucionit Amerikan kur të dy palët kundërshtuese e kishin venë re rëndësinë strategjike të West Point, si një vend me përparsi strategjike luftarake në breg të lumit Hudson të shtetit New York, që shtrihet nja 65 killometra në veri të qytetit New York. Në të vërtetë ishte Gjenerali George Washington i pari që e konsideroi West Point-in si pozicionin më të rëndësishëm strategjik ushtarak në Amerikë dhe në vitin 1779 vendosi të transferonte aty kryeqëndrën e tij dhe komandën ushtarake.  Kështjella West Point nuk u kap kurrë nga britanikët gjatë luftës së Revolucionit Amerikan. Ndërkaq, disa ushtarakë dhe ligjvenës amerikanë të kohës, përfshirë emëra të njohur të historisë amerikane si Washingtoni, Knox-i Hamiltoni dhe John Adamsi, ndër të tjerë, donin që të heqnin dorë nga vartësia në inxhinjerët e huaj ushtarakë gjatë Luftës së Revolucionit amerikan dhe bënë thirrje për krijimin e një institucioni ushtarak kushtuar artit dhe shkencës së luftës.   Më 1802, presidenti i atëhershëm Thomas Jefferson nënshkroi legjislacionin për themelimin e Akademisë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Në portalin e West Point thuhetse Jeffersoni e ndërmori këtë vendim, pasi u sigurua se kadetët që do të pranohen në atë Akademi, do të jenë përfaqsuesit më të mirëtë një shoqërie demokratike.
Janë të shumtë ta që janë diplomuar në West Point e të cilët e kanë dalluar veten gjatë historisë në luftërat e këtij vendi, duke filluar me Luftën e Parë Botërore dhe më vonë në Luftën e Dytë Botërore, udhëheqës ushtarakë me famë botërore, siç ishin gjeneralët Eisenhower, Mac Arthur, Arnold, Clark, Patton, Stillwell, Wainwright, dhe të tjerë më vonë gjatë luftës në Vietnam e deri tek kohët moderne siç është lufta në Kosovë, kur forcat e aleancës së NATO-s të udhëhequra nga Gjenerali Wesley Clark – edhe ky i diplomuar në Akademinë Ushtarake West Point, sulmuan forcatterrroriste ushtarake dhe policore të Serbisë që për vite po kryenin një gjenocid të vërtetë kundër shqiptarëve të Kosovës — të pa-parë në Europë ç’prej Luftës së Dytë Botërore.Një fakt tjetër me rëndësi historike për këtë institucion të njohur, është fakti se në vitin 1976, Akademia Ushtarake në West Point për herë të parë vendosi të pranonte kadete femëra duke diplomuar në vitin 1980, 62 prej tyre nga radhët e kadetëve që kishin filluar studimet më 1976.  Misioni i Akademisë Ushtarake në West Point është, “Për të edukuar, për të trajnuar dhe për të frymëzuar korpusin e kadetëve, ashtuqë secili kadet që diplomohet të jetë një udhëheqës i dedikuar ndaj vlerave karshi të Detyrës, Nderit dhe Atdheut… dhe gjithëherë i gatëshëm për ti shërbyer kombit të vet”. Akademia e zbaton misionin e saj duke zhvilluar kadetët me tipare të një udhëheqsi për të ardhmen, duke u bazuar në programet akademike, ushtarake dhe fizike që ofron West Point.  Sipas Akademisë, zhvillimi i udhëheqsve të ardhëshëm ushtarakë e politikë i ka rrënjët në parimet e një përgatitje etike dhe morale si dhe në Kodin e Nderit, sipas të cilit kadetët betohen se, “nuk do të gënjejnë, nuk do të mashtrojnë, nuk do të vjedhin dhe nuk do të tolerojnëas ata që bëjnë gjëra të tilla”. Secili kadet, është një udhëheqës, thuhet në portalin e Akademisë West Point dhe si të tillë janë shembull për të tjerët.
Kadetët shqiptarë nga Kosova, Arilena Shala dhe Ylli Dalladakuu pranuan në West Point thjeshtëdhe ekskluzivisht bazuar në meritat e veta duke konkuruar jo vetëm me mijëra studentë amerikanë që çdo vjet bëjnë lutje për tu pranuar në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, por ata konkuruan me më të mirët dhe me më të shkëlqyeshmit e këtij vendi, për nga sjelljet dhe karakteri por edhe për nga përgatitjet akademike dhe fizike. Dhashtë Zoti që këta dy të rinjë shqiptarë të dalin me sukses në nismën e tyre e të dallohen dhe të diplomohen nga Akademia Ushtarake më e njohur në botë dhe si të tillë të shërbejnë edhe si frymëzim për moshatarët e tyre shqiptarë kudo se me mund, djersë, moral e karakter, çdo gjë është e mundur.

Shpresojmë gjithashtu që njëkohsisht,me arritjen, me sjelljet dhe eventualishtme sukseset e shkëlqyeshme akademike dhe ushtarake që kërkon Akademia Ushtarake në West Point, Arilena dhe Ylli të nderojnë dhe t’i japin emër të mirë vetes, familjes që i rriti dhe mbarë kombit shqiptar të cilit i përkasin dhe i cili sot është krenar për ta.  Duke marrë parasyshë zhvillimet aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare, ky lajm i mirë na bën të shpresojmë se e ardhmja e kombit shqiptar do të njohë ditë më të mira kur të udhëhiqet nga gjenerata e Arilena Shalës dhe e Ylli Dalladaku, të brumosur në etikën dhe moralin, në nderin dhe në dashurinë për Atdheun që do tu ofrojë disiplina dhe edukata ushtarake dhe akademike në Akademinë Ushtarake Amerikane të West Point-it. Urimet më të përzemërta që të delni faqebardhë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, KADETËT SHQIPTARË NGA KOSOVA, NËAKADEMINË USHTARAKE AMERIKANE, WEST POINT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • 119
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT