• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Solidariteti Amerikan me Francën

November 17, 2015 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/
Të hënën mbrëma, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry arrijti në Paris për t’i shfaqur popullit francez solidaritetin e Shteteve të Bashkuara pas sulmeve terroriste në Paris. Ai arrijti kryeqytetin francez nën masa të forta sigurie, për të shprehur ngushëllimet e rastit për viktimat e terrorit, për të theksuar mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për Francën në këtë moment të vështirë, për të nënvijuar marrëdhënjet e forta që historikisht kanë ekzistuar midis dy vendeve dhe njëkohsisht për të venë në dukje vendosmërinë e përbashkët të Washingtonit dhe Parisit për të luftuar terrorizmin.
Me të arritur në kryeqytetin francez, ai shkoi në ambasadën amerikane në Paris të hënën mbrëma, ku mbajti një fjalim duke e cilësuar Francën si “Mikën më të vjetër dhe aleatën e parë të Amerikës.” Ai shtoi se ky fakt vërtetohet më së miri në periudhat më të errëta dhe më të vështira të historisë së marrëdhënjeve miqësore midis dy vendeve, duke thënë se, “Kjo ishte e vërtetë kur Laffayette kaloi Atlantikun 238 vjetë më parë për të ndihmuar Amerikanët që të realizonin lirinë e tyre. Kjo ishte e vërtetë në vitin 1917, kur ushtria e gjeneralit amerikan Pershing zbarkoi në Francë pë t’iu bashkuar frontit të aleatëve. Kjo ishte e vërtetë gjatë Luftës së Dytë Botërore kur Amerika bashkoi forcat e saja me luftëtarët guximtarë e trima të rezistencës franceze për të kundërshtuar dhe për të mundur njërën prej ideologjive më të këqia që kishte parë ndonjëherë bota.”
Kjo miqësi dhe aleancë midis dy vendeve tona sigurisht që u vërtetua edhe 14 vjetë më parë, shtoi kryediplomati amerikan John Kerry, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, në New York, në Pensilvani dhe në Washington. Duke kujtuar reagimin francez ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ai përmendi kryeartikullin në faqen e parë të gazetës së njohur franceze Le Monde në atë kohë, që pasqyronte atëherë ndjenjat e popullit francez në solidaritet me Shtetet e Bashkuara se, (“Nous sommes tous Americains”) ,”Ne të gjithë jemi Amerikanë”.
Zyrtari i lartë amerikan nënvijoi se, “Ai ishte momenti që vuri në dukje qartë se miqësia shekullore midis dy vendeve tona kishte arritur një nivel më të lartë se thjeshtë një nivel miqësie: Shtetet e Bashkuara dhe Franca nuk ishin thjeshtë vende mike. Ne jemi një familje”, deklaroi John Kerry në Paris.
Kryediplomati amerikan vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se, sot mbarë bota i bashkohet familjes tonë në pikëllimin që ndjejmë nga këto akte terroriste. “Terroristët i kanë deklaruar luftë mbarë qytetërimit. Ata vrasin grupin etnik Jeziditët vetëm se janë Jeziditë. Ata vrasin të Krishterët vetëm se janë të Krishterë. Ata vrasin Shiat vetëm se janë Shia, e ashtu me radhë”, theksoi Kerry. “Terroristët përdhunojnë, torturojnë e plaçkisin dhe këto ata i quajnë vullnet i Zotit. Ndërkohë që ai i cilësoi terrroristët si, “egërsira psikopate të rrezikshme, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetërimin”.
Barbarizmi që shkaktoi dhunën, terrorin dhe vrasjen e pakuptimtë të 132 vetëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve në Paris – përfshirë edhe katër amerikanëve – nuk është vetëm një sulm kundër Francës, u shpreh Zoti Kerry, por kur të merren parasyshë sulmet e tyre të fundit në Liban, në Irak, në Egjipt, në Turqi, dhe gjetiu, atëherë këto sulme përbëjnë një goditje kundër arsyes dhe objektivave tona të përbashkëta, me fjalë të tjera shtoi ai, ky është një sulm kundër vet qytetërimit. Duke shprehur keqardhjen e tij të thellë për humbje jete në sulmet teroriste në kryeqytetin francez, ai tha se ata që u vranë në Paris nga terrorizmi nuk mund t’i ngjallim, por duhet të bëjmë atë që mundemi — dhe kjo fillon nga një ndjenë e thellë solidariteti në radhët e njerzve të mirë dhe të ndershëm kudo, “duke u angazhuar se nuk do të frikësohemi kurrë nga terroristët dhe duke premtuar se nuk do të lejojmë që këta vrasës të realizojnë objektivat e tyre të turpshme”, tha në fjalimin e tij në ambasadën amerikane në Paris kryediplomati amerikan. Në këtë moment të vështirë për popullin francez, ai u shpreh duke u premtuar francezve se, “Motërat dhe vëllëzërit tuaj amerikanë do jenë pranë jush, ashtu siç kanë qëndruar historikisht pranëjush dhe me ju”, duke shtuar se “Sonte ne të gjithë jemi parisianë.”
Ndërkohë që Presidenti i Francës, Francois Hollande i quajti sulmet në Paris si “një akt lufte” dhe përcaktoi Shtetin Islamik si përgjegjës për to, këtu në Shtetet e Bashkuara ka patur thirrje ditët e fundit që, si rrjedhim, Washingtoni të bëjë diçka më shumë se shprehje solidariteti. Të djelën që kaloi në një program të rrjetit të televizionit amerikan, ABC, njëri prej kandidatëve republikanë për president, Senatori i shtetit Florida, Marco Rubio tha se sulmet terroriste në Paris nevojitin një përgjigjetë fortë nga organizata NATO.
Ai pasqyroi deklaratën e presidentit francez se sulmet ishin një “akt lufte”, duke u shprehur se sulmet terroriste në kryeqytetin francez ishin në fakt të tilla dhe i cilësoi si, “Sulme kundër njërit prej aleatëve tonë në NATO, dhe si përfundim, shtoi ai, duhet të vihet në veprim artikulli 5 i marrveshjes së NATOs për të formuar një koalicion me qëllim që së bashku të përballohet kjo sfidë”.
Artikulli 5 i marrveshjes NATOs përcakton që një sulm kundër njërit prej anëtarve të saj është një sulm kundër të gjithëve. Ndërkohë, që një kandidat tjetër republikan për president, ish-governatori Jeb Bush tha të djelën se nëqoftse Franca, një prej aleatëve tonë më të vjetër, më të fortë dhe më besnikë në të gjithë historinë tonë, dëshiron invokimin e artikullit 5 të marrvehsjes së NATO-s, atëherë ne duhet të marrim parasyshë kërkesën e saj, pasi sipas tij, sulmet përbëjnë një “kërcënim ndaj qytetërimit perëndimor”. Ndërkaq, Sekretari i Përgjithëshëm i NATOs, Jens Stoltenberg ka thënë se aleatët e Francës në NATO janë të gatshëm ta ndihmojnë Francën, megjithëse Parisi nuk ka kërkuar një gjë të tillë nga Organizata e Atlantikut Verior, NATO.
Me ose pa invokimin e artikullit 5 të marrveshjes së aleancës NATO nga Franca, duket se të pakën Shtetet e Bashkuara dhe Franca, pas sulmeve terroriste në kryeqytetin francez, do të rrisin bashkpunimin dhe koordinimin e veprimtarive të tyre anti-terroriste. Të martën në Paris, pas takimit të tij me Presidentin francez Hollande, Sekretari Amerikan i Shtetit tha se ata biseduan mbi një numër masash që mund të ndërmerren së bashku për të qenë më të efektshëm në luftën kundër terrorizimit. Kryedipolamti amerikan njoftoi gjithashtu nga Parisi se Presidenti i Francës, Francois Hollande do të vizitojë Washingtonin mbrenda një jave, për bisedime të mëtejshme me Presidentin amerikan Barak Obama.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, me Francën, Solidariteti Amerikan

LIRIA E SHTYPIT: KJO FERRË NË SY TË POLITIKANËVE SHQIPTARË

November 11, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Duke lexuar gazetën Illyria të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York të martën, lexova një shkrim nga korrespondenti i saj në Tiranë në lidhje me një konferencë të përbashkët me shtypin që Kryeministrit shqiptar Edi Rama zhvilloi me përfaqsuesen e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vllahutin, e cila i dorëzoi udhëheqsit shqiptar, Raportin e Përparimit (“Progress-Report”) të Komisionit Europian për vitin 2015. Ajo që më tërhoqi vëmendjen me këtë rast ishin komentet e Kryeministrit Rama mbi median, pjesë të cilës, sipas Illyrisë, ai iu referua disa herë si, “kënetë”. “Çfarë të komentoj?! Këto lajme nga këneta! S’kam çfarë të komentoj!” – ishte përgjigja e kryeministrit Edi Rama kur u pyet mbi zërat se është nën presion nga aleati Ilir Meta për ndryshime në qeveri, shkruan korrespondenti i gazetës Illyria në Tiranë, Denion Ndrenika. “Unë kur flas për “këneta mediatike”, nuk flas për median në tërësi, por flas për kënetat medatike në hapësirën ku operon media shqiptare”, citohet të ketë thënë Kryeministri Rama, duke u mbështetur, shkruan Illyria, në ato që kryetari i qeverisë shqiptare i cilësoi si “shpifje” dhe “akuza”, por pa dhënë ndonjë shëmbull konkret se kush dhe kujt i drejtohen këto shpifje dhe akuza.
Gazeta Illyriashkruan se as Zonja Vllahutin, nuk qartësoi qëndrimin e saj kur u pyet se si ndihej si ambasadore e Bashkimit Europian kur dëgjonte kryeministrin shqiptar t’i thoshte medias disa herë “kënetë”, gjatë konferencës me përfaqsues të medias shqiptare, por ajothjeshtë e shkurtimisht u shprehvetëm se, “Siç e dini edhe ju, liria e fjalës është një ndër vlerat thelbësore të BE-së dhe ne e ndjekim nga afër.”
Është e vërtetë se liria e fjalës është ndër vlerat thelbësore të Bashkimit Europian dhe në këtu në Shtetet e Bashkuara, liria e shtypit mbrohet nga artikulli i parë i kushtetutës, ndonëse mund të ketë edhe kufizime si në Europë ashtu edhe në Amerikë, siç është për shëmbull ligji kundër shpifjeve. Për më tepër,historikisht, edhe në këto vende ka patur raste abuzimi me të drejtën dhe lirinë e medias dhe trysni ndaj medias nga politikanët. Por fatkeqsisht, politikanët shqiptarë, tani dhe në të kaluarën, kudo dhe në përgjithësi — ndryshe nga kolegët e tyre në vendet Përendimore të cilave ata pretendojnë se duan tu bashkohen –shpeshherë në marrëdhënjet midis tyre dhe në takime me përfaqsues të medias — kanë venë në dukje të zëmëruar, se përsa u përket pikëpamjeve të tyre mbi fjalën e lirë dhe lirinë e medias, ata fatkeqsisht janë më afër qëndrimeve të “putinëve”, “erdoganëve” dhe “ajatollahëve” të kësaj bote, se sa vlerave perëndimore mbi lirinë e fjalës dhe të medias, për të cilat u shpreh ambasadorja e BE-së në Tiranë.
Është e vërtetë se media ka përgjegjësi gjithashtu, që ndër të tjera, të mbikqyrë veprimtaritë e qeverisë dhe të zyrtarëve të saj, duke raportuar faktet përgjithësisht dhe objektivisht, përfshirë edhe përspektiva të ndryshme por pa munguar edhe pikpamjet që mund të mos jenë në përputhje me politikën zyrtare qeveritare. Detyra e medias është që të mundësojë qytetarët të jenë të informuar më mirë, me qëllim që ata të jenë më në gjëndje për të influencuar pozitivisht veprimtaritë qeveritare në përgjithësi dhe zyrtarëve të lartë individual në veçanti. Për ndryshe, siç ka thënë Xhorxh Washingtoni, “Nëqoftse na mohohet liria e fjalës, atëherë si memecë në heshtje, do na çojnë si delet në kasaphane.”
Ndërkaq, sipas Zërit të Amerikës, dokumenti i Komisionit Europian, që iu dorëzua Kryeministrit Rama të martën, vëren se “një numër rastesh të profilit të lartë, përfshirë disa, ku faktet për dyshime për veprime të paligjshme nga ana e zyrtarëve të lartë, gjykatësve, kryebashkiakëve dhe ish ministrave, ishin publikuar nga mediat, nuk u hetuan asnjëherë seriozisht”. Ndërsa raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për Të Drejtat e Njeriut ka vërejtur më heret se një numër fushash që kanë nevojë për përmirësim, përfshirë lirinë e medias në Shqipëri, duke nenvijuar se: “Media ishte aktive dhe në masë të gjerë e pakufizuar; megjithatë, pati raste presioni politik të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi median, përfshirë kërcënime ndaj gazetarëve. Në disa raste presioni politik dhe mungesa e fondeve kufizuan median e shkruar të pavarur, dhe gazetarët raportuan se kishin ushtruar gjerësisht vetëcensurë…”.
Por të martën në Tiranë, sipas gazetës Illyria të New York-t, Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se ndonëse media në Shqipëri, “Ka të gjithë lirinë të thotë çfarë të dojë, ka lirinë të shpifë sa të dojë, ka të drejtën të akuzojë kë të dojë, ka luksin që të mos bëjë asnjë përpjekje për të provuar asgjë nga ato që thotë, unë besoj se media “nuk mund të sillet si ‘lulja mos më prek’, në kuptimin e fjalëve, sepse në kuptimin e veprave unë nuk di asnjë rast të një presioni, kërcënimi apo sulmi të mbështetur nga qeveria ndaj mediave”- komentoi zoti Rama gjatë konferencës me gazetarët.Pyes veten, si u larguan gazetarët shqiptarë nga kjo konferencë shtypi të martën: të sfiduar, të frikësuar, a po të kërcënuar — se të ofenduar po se po.
Këtu në Amerikë thonë se nëqoftse i futesh politikës, “You need to develop a thick skin”, që pak a shumë do të thotë se nuk duhet të preokupohesh shumë nga kritikat e medias ose të kundërshtarëve politikë, por të keshë durimin e nevojshëm dhe tolerancën e duhur edhe atëherë kur akuzat mund të duken të pa baza. Fatkeqsisht, në diskursin politik shqiptar të këtyre 25-viteve të fundit, midis kundërshtarëve politikë, midis politikanëve e medias dhe anasjelltas, për ditë e më shumë pohumb toleranca, po humb durimi dhe ç’është më keq dhe mbi të gjitha, po humbë njerzia.
Kjo vihet re kudo, duke filluar nga debatet, të cilat më shumë janë akuza dhe shpifje të ndërsjellta midis parlamentarëve se sa debate të mirëfillta politike që kanë të bëjnë me legjislacionin në Kuvendin e Tiranës dhe të Prishtinës, e deri tek konferencat që politikanët kanë, nga hera në herë, me shtypin. Nga diskursi politik me akuza dhe shpifje çnjerzore midis përfaqsuesve të ndryshëm politikë shqiptarë, kjo atmosferë mos tolerance ndaj njëri tjetrit –është transferuar fatkeqsisht edhe në ente të tjera të shoqërisë dhe medias, përfshirë edheprogramet televizive midis analistëve, tëcilat ngjajnë më shumë në duele me fjalë se sa diskutime intelektualësh për të frymëzuar dhe për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së shumë problemeve që kanë pllakosur shoqërinë — një dukuri e keqe kjo që vihet re anë e mbanë trojeve shqiptare.Me ndonjë përjashtim të vogël aty këtu, fatkeqsisht askund nuk ka vend për një çkëmbim normal ideshë e mendimesh pa u konfliktuar, as në nivelin politik e madje as në nivelet akademike dhe gazetareske. Të gjithë janë ngujuar në mbrojtje të ideve të tyre dhe interesave politike dhe partiake duke moslëshuar pe dhe pa u shqetësuar fare për mendimet dhe të drejtatlegjitime të tjerëve.
Liria e shtypit është baza e vlerave universale të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe e rëndësishme për të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ka thënë Presidenti amerikan Barak Obama me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit majin që kaloi.Duke lavdëruar profesionin e gazetarit, ai tha se gazetarët, “ekspozojnë padrejtësitë dhe mbajnë përgjegjës udhëheqsit si unë”, theksoi Obamaduke shtuar se:“Ajo që është gjithashtu me rëndësi është fakti se duhet folur haptazi dhe shpesh në mbështetje të këtyre vlerave të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta jonë dhe nga të drejtat themelore që ajo përmban, por që ne besojmë se këto vlera nuk janë thjeshtë vlera amerikane. Ne besojmë se disa vlera themelore, siç është liria e fjalës dhe e ndërgjegjes, është një e drejtë njerzore, por njëkohsisht është edhe e drejtë universale — një liri –zbatimi i së cilës më në fund e bën këtë botë më të mirë dhe më të fortë” për të gjithë ne, ka thënë udhëheqsi amerikan.

Për lirinë e shytpit duhet folur haptazi dhe shpesh si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lire ose gjysëm të lirë. Liria e shtypit pra,edhe për shqiptarët është një vlerëdhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet me qëllim për të bërë Shqipërinë dhe shqiptarët ndër më të mirët dhe më të fortit në botë.Si i tillë, zbatimi i plotë i lirisë së shtypit, në përputhje me vlerat shqiptare dhe universale, është edhe në interesin kombëtar të shqiptarëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Liria e shtypit

JEHONA E VIZITËS SË DOM SIMON JUBANIT NË AMERIKË, MAJ 1991

November 6, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Katër nëntori shënoi 25-vjetorin e Meshës së Parë, pas një periudhe prej 45 vjetësh persekutimesh fetare në Shqipëri, meshë e cila u celebrua nga kleriku i njohur dhe guximtar, Dom Simon Jubani, më 4 nëntor, 1990 në Shkodër. Konsiderohet kjo si mesha që shënoi fillimin e shëmbjes së komunizmit dhe rivendosjen e lirive, përfshirë lirinë fetare, në Shqipëri. Të mërkurën, në qytetin e Shkodrës u përkujtua ky përvjetor me ceremoni fetare nga udhëheqës të Kishës Katolike, ku morën pjesë edhe përfaqsues të feve të tjera. Të pranishëm ishin gjithashtu zyrtarë të lartë politik të vendit, përfshirë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ia vlen që me rastin e këtij përvjetori të kujtohet edhe vizita e parë e protagonistit kryesor të kësaj ngjarjeje me rëndësi, Dom Simon Jubanit në Amerikë, në maj të vitit 1991 dhe pritjes madhështore që iu bë atij në atë kohë anë e mbanë Amerikës, në qarqet amerikane si edhe në komunitetet shqiptaro-amerikane dhe nga besimtarët shqiptarë të tre feve.
Protagonisti një epoke të re në Shqipëri! Kështu qe cilësuar Dom Simon Jubani gjatë vizitës së tij në maj të vitit 1991 në Universitetin e San Franciscos në Shtetet e Bashkuara, universiteti që i akordoi atij doktoratën e nderit. Në maj të vitit 1991, Dom Simon Jubani, i mbijetuari i burgjeve të Enver Hoxhës, vizitoi një numër shtetesh dhe qytetesh amerikane, përfshirë San Franciskon, Los Angjelesin, New Jorkun, Detroitin dhe Washingtonin. Gjatë vizitës së tij në Shtetetet e Bashkuara, kudo shkoi, ai u prit me entuziazëm dhe si hero, ndërkohë që i ishin rezervuar nderimet dhe pritjet më të mëdha, jo vetëm nga komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe nga vet amerikanët, zyrtarë dhe joyzrtarë, me të cilët ai takua gjatë qëndrimit të tij në Amerikë, e të cilët tani kishin dëgjuar për aktin e tij guximtar. Shtypi i kohës, si ai amerikan ashtu edhe shtypi i komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshirë Buletinin Katolik Shqiptar, mbuluan vizitën e tij dhe këto shënime janë nga burime të ndryshme dhe nga kujtimet e mia të asaj vizite të paharrueshme.

Në San Francisco, Dom Jubanit iu akordua doktorata e nderit nga Universiteti i San Franciskos, i treti shqiptar, pas Nën Terezës dhe At Shtjefën Gjeçovit që është nderuar me atë titull nga i njëjti universitet, me motivacionin:
“Për qëndrimin tuaj të guximshëm ndaj lirisë së fesë madje edhe me mohimin e lirisë, duke paguar një kosto të lartë prej 26 vjetë burgim dhe kampe pune. Për përpjekjet tuaja të palodhshme dhe për thirrjet tua për një pajtim kombëtar në Shqipërinë e re postkomuniste, ashtuqë falja dhe drejtësia të kenë mundësi të zëvendsojnë shtypjet totalitare komuniste. Për bashkpunimin tuaj ekumenik me vëllëzërit e krishtërë dhe për bashkpunimin tuaj ndërfetar me besimtarët myslimanë dhe hebrejë. Dhe për praninë tuaj profetike këtu, duke përfaqësuar një numër të madh shqiptarësh të cilët kanë vuajtur persekutimet fetare dhe të cilët kanë dhënë jetën për besimin e tyre, për drejtësinë dhe për paqën.” Ky ishte motivacioni për nderimin e lartë akademik dhe njohja publike që iu akordua Dom Simon Jubanit në Amerikë — të burgosurit shqiptar të ndërgjegjës fetare dhe apostullit të lirisë fetare, nga Universiteti i San Franciskos më 4 maj, 1991.

Tepër i emocionuar nga ky nderim që iu akordua atij nga një universitet amerikan, Dom Simon Jubani nuk mundi të përmbante entuziazmin dhe kënaqësinë e tij të madhe për praninë e tij aty dhe për nderimin që iu akordua atij, duke thënë, ndër të tjera se në të vërtetë, ky ishte një nderim që i bëhej mbarë kombit shqiptar dhe vazhdoi duke thënë: “Unë nuk jam ipeshkëv, por një prift i thjeshtë katundi. Jam përpjekur të jetoj sipas besimit tim dhe të inkurajojë gjithashtu popullin tim që t’i rrij besnik Perëndisë dhe besimeve të veta fetare. Për këtë aktivitet, unë dhe vëllai im Lazëri, gjithashtu prift, kemi kaluar gjithsejt 62 vjetë në burgjet dhe në kampet e punës në Shqipërinë komuniste. Vëllai im Lazëri ishte me fat sepse vdiq atje si martir i Kishës. Por siç duket, ishte caktuar prej Zotit që unë të jem sot para jush një dëshmitar i vuajtjeve dhe martirizimit të katolikëve dhe besimtarëve të tjerë në Shqipëri. Unë e pranojë me kënaqësi këtë nderim akademik të çmueshëm, jo për meritat e mia, por në emër të klerit katolik shqiptar dhe të gjithë atyre besimtarëve të feve të tjera të cilët gjithashtu kanë vuajtur dhe kanë dhënë jetën për fe, për drejtësi dhe për liri. Sot, në të vërtetë, ju po nderoni mbarë kombin shqiptar”, përfundoi Dom Jubani fjalimin e tij me rastin e dekorimit nga Universiteti San Francisco, ndërkohë që në emër të popullit shqiptar falenderoi universitetin dhe të pranishmit. Në takimet e tija në San Francisco dhe në të vërtetë gjatë gjithë asaj vizite, Dom Jubani fliste më shumë për të tjerët se sa për veten, duke thënë se të tjerët kanë vuajtur më shumë se ai, dhe se i mbarë populli shqiptar ishte një viktimë e pafajshme e një regjimi të ashpër e të mbrapsht, që promovonte aktivitetet kundër besimit, ndërkohë që kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë, diçka e pa dëgjuar dhe e pa parë më përpara në botë, duke i shpallur luftë edhe Perëndisë.

Ndërkaq, duke falenderuar Dom Jubanin për praninë e tij aty, Presidenti i Universitetit San Francisco, At Lo Schiavo u tha të pranishëmve se Dom Simon Jubani ishte, “Një inspirim për të gjithë ne në këtë universitet, si dëshmitar heroik i fesë. Për më tepër”, shtoi ai Dom Jubani, “Është simbol i feve të shqiptarëve, kështuqë besoj se duke nderuar atë, ne nderojmë shqiptarët e të gjitha feve, për heroizmin dhe për besinkërinë e tyre ndaj besimeve të veta gjatë asaj periudhe aq të vështirë për ta. Kam bindjen”, shtoi presdienti i Universitetot San Francisco se, “Ceremnia e sotëme shpreh unitetin dhe solidaritetin tonë me popullin shqiptar. Ne shpresojmë se liria e tyre në përgjithësi dhe ajo fetare në veçanti, do të rritet e do të konsolidohet dhe se besimi në Perëndinë do të përhapet jo vetëm në Shqipëri, por anë e mbanë botës, përfshirë vendin tonë.”

Pas vizitës San Francisco ai vizitoi Los Angjelesin ku sipas Buletinit Katolik Shqiptar, Dom Jubani gjatë qëndrimit atje, ka thënë një meshë për shqiptarët e të gjitha besimeve dhe se gjatë predikimit i kishte këshilluar shqiptaro-amerikanët që të mbeten qytetarë të mirë, besnikë dhe të denjë të Amerikës, duke shtuar se duhet të ishin mirënjohës që ishin larguar nga ferri dhe ardhur në parajsë dhe si të tillë duhet të respektojnë mikpritjen që u është ofruar atyre. Gjatë turneut të tij në Amerikë dhe pas largimit nga Kalifornia, Dom Simon Jubani vizitoi komunitetet e mëdha shqiptaro-amerikane në New York dhe në Detroit, ku u prit si hero jo vetëm nga besimtarët katolikë, por edhe nga udhëheqsit fetarë të besimeve të tjera dhe nga besimtarët e tyre.
Ndonëse në bisedë me të gjatë vizitës në Washintgton ai nuk mungonte të ishte kritik ndaj Shteteve të Bashkuara dhe e quante Amerikën si vendi i paradokseve, gazeta katolike Register njoftonte në atë kohë se gjatë një vizite në një shkollë fillore në Holivud ai u kishte thënë nxensëve, se “Amerika është kampione e demokracisë, e paqës dhe e përparimit. Europa kishte të gjitha luftërat. Amerikanët janë paqësorë e duan paqën. Edhe ju duhet të jeni paqësor dhe të doni njëri tjetërin – të falni dhe të harroni”. Megjithë kritikat e tija, në të vërtetë ky ishte mesazhi kryesor i Dom Jubanit gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara dhe sidomos gjatë qëndrimit të tij në Washington.
Dom Simon Jubani, kishte rezervuar gjithashtu disa ditë për të vizituar kryeqytetin amerikan ku pat zhvilluar një numër takimesh me anëtarë të njohur të Kongresit të Shteteteve të Bashkuara që dalloheshin si mbrojtës të të drejtave të njeriut, Senatori dennis De Concini dhe Chris . përfshirë Senatorin Dennis DeConcini, Deputetin Cristopher Smith e të tjerë. Ndër takimet e tjera në kryeqytetin amerikan, Dom Simon Jubani u prit gjithashtu edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe u takua me udhëheqës të lartë të Kishës Katolike Amerikane. Në takimet e tija me zyrtarët e lartë amerikanë, ai bëri thirrje për ndihma urgjente ekonomike dhe humanitare për Shqipërinë. Ndërkaq, Kongresi Amerikan shënoi vizitën e tij në Amerikë me një kryeartikull në gazetën zyrtare të Kongresit (Congressional Record) me titull: Përshëndetje dhe nderim për Dom Simon Jubanin, një mbijetues i kampeve të vdekjes në Shqipëri (SALUTE TO FATHER JUBANI, A BRAVE SURVIVOR OF ALBANIAN DEATH CAMPS). Miku i Shqiptarëve, deputeti nga shteti Michigan, William Broomfield për informacion për kolegët e tij shkruante më 25 qershor, 1991: “Për 26 vjetë, Dom Simon Jubani mbahej në burgjet e Shqipërisë sepse refuzonte të mohonte fenë e vet. I izoluar në një dhomë të vogël me viktima të tjera të atij regjimi shtypës, ai u rrah dhe u mundua, nën kushte të rënda dhe shumë të tmershme. Vëllai i tij, gjithashtu një klerik katolik, u helmua nga rojet e burgut. Dom Jubani mbijetoi dhe u lirua nga burgu në vitin 1989. Sot e mbarë Shqipëria po çlirohet nga komunizmi… Ashtu siç mori fund tmerri i gjatë i Dom Jubanit, le të shpresojmë se edhe terri i natës së gjatë dhe pikëllues për Shqipërinë, të marrë fund këtë vit me fitoren e lirisë mbi forcat e territ.”

Në këtë 25-vjetor të meshës së parë nga Dom Simon Jubani dhe të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, kujtojmë guximin e Dom Jubanit, bashkvuajtësit e tij dhe të gjitha vikimat e komunizmit në Shqipëri, pa dallim feje ose krahine. Gjatë vizitës në Amerikë, Dom Jubani u prit me entuziazëm dhe dashuri nga të gjithë, e pa dallim, si përfaqsues i të gjithë atyre që vuajtën dhe dhanë jetën, vetëm e vetëm, sepse donin të gëzonin lirinë e fesë dhe liritë e tjera themelore të njeriut. 25-vjetë më vonë, shpresojmë që nga ajo vizitë edhe Dom Jubani të jetë këthyer në atdhe me përshtypje të mira nga pritja entuziaste dhe nderimet që iu akorduan atij nga bashkatdhetarët e vet të të gjitha feve dhe nga përfaqsues të lartë politikë dhe fetarë të Shteteve të Bashkuara.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dom Simon Jubani, Frank shkreli, vizita ne SHBA

REFLEKTIM MBI VIZITËN E AMBASADORIT AMERIKAN

October 28, 2015 by dgreca

NË BURGUN E SPAÇIT/
Fjala është për një vizitë simbolike por tepër domethënse që ambasadori amerikan në Shqipëri, Z. Donald Lu bëri të martën në burgun famëkeq të Spaçit. Menjëherë sa e pashë në facebook të Ambasadës Amerikane në Tiranë, më bëri një përshtypje të jashtzakonshme dhe nuk mund u durova dhe e shpërndava menjëherë ndër kolegët, dashamirët dhe miqtë e mi. Ë bëra këtë sepse mu duk si një lajm i mirë, për një gjest human dhe fisnik të një diplomati amerikan, që meritonte të shpërndahej. Z. Lu që në vitin e parë të mandatit vendosi të vizitonte këtë javë, njërën prej gërmadhave më të këqia të komunizmit shqiptar dhe më gjërë për të cilën ai duhet të falenderohet.
Vizita e ambasadorit Lu në burgun e Spaçit, është me rëndësi simbolike, po se po, por edhe me rëndësi praktike, sepse për një ambasador të ri është me rëndësi që jo vetëm të kuptohet politika e sotëme tepër e ndërlikuar e Shqipërisë, por edhe e kaluara e saj e errët komuniste, jo aq e largët. Është me rëndësi që diplomatë të huaj të vizitojnë burgjet dhe qendra të tjera të përqëndrimit të regjimit enverist. Por është e doemosdoshme që edhe autoritetet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar të vizitojnë burgjet dhe kampet e regjimit komunist anë e mbanë Shqipërisë, siç është ai Spaçit, të cilin Ambasadorit Lu, e cilësoi si një “dëshmi e brutalitetit njerëzor”. Ndonëse faktet tregojnë ndryshe, gjatë këtyre 25 viteve të fundit, qeveri dhe udhëheqës politikë të gjitha ngjyrave kanë thënë dhe thonë se është bërë maksimumi për ish të përndjekurit politikë. Unë do të thosha se “të bërat” morale, të cilat kanë munguar gjatë një çerek shekulli të kaluar, janë më të rëndësishme se të “bërat” materiale. Besoj se vizita e autoriteteve shtetërore dhe qeveritare shqiptare në këto gërmadha të errëta të komunizmit do të ishte një hap i parë moral drejtë pranimit se ideologjia komuniste e ish-regjimit ishte drejtë për drejtë përgjegjëse për krime kundër njerëzimit. Një gjë e tillë është e doemosdoshme siç ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Europës, gjë që ndoshta do të kontribonte më në fund, drejtë një debati të ndershëm dhe të sinqert mbi trashëgiminë komuniste në trojet shqiptare. Një trashëgimi fizike dhe morale kjo, që do a s’do Tirana zyrtare, është dhe do të mbetet pjesë e historisë dhe këto burgje do të shërbejnë si një kujtesë e një plage të pashëruar, derisa të zhduken nga kujtesa dhe nga vitet që kalojnë.
Ambasadori Lu, si asnjë ambasador tjetër amerikan e kupton mirë historinë e këtyre burgjeve të tmerrit komunist, pasi siç rrëfehet edhe vet, ai ka një histori familjare për të treguar. Stërgjyshja e tij, tha ai në deklaratën pas vizitës në Spaç, ka vdekur në një burg komunist në Kinë. “Stërgjyshja ime vdiq në një burg komunist në Kinë”, shkruan ambasadori Lu. “Ajo u arrestua ndërsa ndihmonte familjet e tjera për t’u arratisur nga Kina gjatë revolucionit të Maos në 1947. Sot, unë përkujtoj stërgjyshen time, mijëra shqiptarë dhe njerëz të panumërt kudo në botë, që luftuan për liritë që ne kemi sot”, shprehet përfaqsuesi amerikan në Tiranë, pas vizitës në burgun e Spaçit.
Vizita, që bëri të martën në burgun e Spaçit Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ishte pa dyshim plot simbolizëm dhe me rëndësi publike, dhe duket si një mesazh edhe ndaj autoriteteve shqiptare se ka ardhur koha të përballen me të kaluarën e historisë së tyre të gjysëm shekullit të kaluar. Në lidhje me këtë, e rëndësishëme ishte porosia e tij, “Për të mos e lënë në harresë tragjedinë e Spaçit”, duke nxitur, “Të gjithë të rinjtë shqiptarë që të vizitojnë Spaçin dhe të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend. Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”. A mund të imagjinohet një deklaratë e tillë nga ndonjëri prej autoriteteve të sotëme shqiptare?
Fjalët e ambasadorit amerikan janë një porosi miqësore por edhe një sfidë për politikën, për edukatorët dhe për shkollat e vendit — nga përfaqsuesi i një vendi historikisht mik i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar. Përfaqsuesi amerikan tërhoqi vëmendjen dhe nënvijoi nevojën e përballimit me historinë dhe me të kaluarën komuniste në Shqipëri, duke cituar aktivisten e të drejtave civile, poeteshën dhe autoren Maya Angelou, fjalët e së cilës janë të gdhendura në një pllakatë në oborrin e ambasadës amerikane në Tiranë, sipas të cilës, “Historia, pavarësisht dhimbjes së saj therëse, nuk mund të zhbëhet, por nëse përballohet me kurajo, nuk ka pse të përjetohet sërish.”
Nëse historia përballohet me kurajo! Kjo është pyetja. Cili politikan, përfaqsues të pozitës dhe opozitës shqiptare gjatë 25 viteve të fundit në Shqipëri, ka treguar kurajo morale dhe politike për të vizituar deri më sot burgun e Spaçit, ndonjë burg tjetër ose kamp përqendrimi, si një përpjekje për tu njohur dhe për tu përballur me atë histori, për veten dhe të tjerët. Cila do të jetë shkolla e parë që do t’i përgjigjet sugjerimit të ambasadorit amerikan dhe të organizojë një vizitë të nxënsve të shkollave fillore në këto gërmadha të territ komunist, me qëllim siç tha ai, që “të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend.” Ambasadori amerikan me qëllim të mirë shtoi se “Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ia ritregoni fëmijëve tuaj”, duke nënkuptuar se kjo histori është “treguar” tanimë. Fati i keq është se gjeneratës të cilës i referohet ambasadori, nuk i është treguar ende kjo histori ashtu siç duhet dhe në përmasat që duhet t’i mësohet. Por sado qëllim mirë është përfaqsuesi amerikan në porositë e tija, kjo është në radhë të parë detyrë dhe përgjegjësi e autoriteteve politike shqiptare dhe e sistemit arsimor të vendit. Fatkqesisht, duket se e kundërta po ndodhë, ndërkohë që vihen re tendenca dhe përpjekje – si në asnjë vend tjetër ish-komunist – për rihabilitimin e diktatorit të regjimit komunist madje edhe në raste festash kombëtare ku marrin pjesë edhe udhëheqsit më të lartë të vendit, pa kundërshtuar dukuri të tilla, duke i pranuar si të radhës.
Duket se politikanët shqiptarë e gjejnë më të arsyeshme dhe më pak të dëmshme për karierat e tyre politike, tolerancën ndaj diktatorit, se sa kujtimin e viktimave të tija, si ato të burgut të Spaçit! Është me rëndësi që ambasadori amerikan vizitoi burgun e Spaçit, por megjithë vullnetin e tij të mirë, ai nuk mund të pajisë autoritetet e shtetit dhe të qeverisë shqiptare me një ndërgjegje morale dhe pollitike që është e nevojshme për tu përballur me krimet e komunizmit në vendin e tyre.
Ka ardhur koha që udhëheqsit e sotëm politikë shqiptarë të pranojnë zyrtarisht këtë kapitull të zi të historisë moderne shqiptare gjatë së cilës u vranë dhe ku vdiqën të izoluar me mijëra bashkatdhetarë të tyre të pafajshëm, gjatë pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist. Kështu kanë bërë shumë shtete ish-komuniste, tani anëtare të Bashkimit Europian. Rruga e Shqipërisë drejtë Bashkimit Europian –nëqoftse me të vërtetë Tirana zyrtare është serioze për tu bërë pjesë e klubit të vendeve europiane me të cilat ndanë gjeografinë dhe kulturën – do të jetë e vështirë, nëqoftse krimet e komunizmit në Shqipëri nuk vlerësohen dhe gjykohen nga pikpamja ligjore, morale, politike dhe historike, ashtu siç kërkohet nga konventa dhe deklarata të ndryshme europiane.
Nëqoftse Spaçi nuk vizitohet me qëllim për të mos harruar kurrë atë histori, atëherë të pakën të vizitohen këto ish-kampe për kuriozitet, për t’u njohur me rrethanat e asaj përvoje tragjike të shumë bashkatdhetarve të vet, të cilët kanë patur fatin të dalin të gjallë së andejmi. Edhe këta janë shqiptarë dhe pjesë e të njëjtit komb! Mungesa e kujtimit të vrarëve dhe të gjallëve dhe e krimeve kundër tyre, siç ka thënë mbijetuesi i holokaustit, Elie Wisel, do të ishte baraz me persekutimin dhe vrasjen e tyre për së dyti. Të mbijetuarit e burgut të Spaçit dhe burgjeve të tjera, përfshirë ata të kampeve të përqëndrimit, kanë shumë për të thënë mbi përvojën e tyre të tmershme, nepërmjet testamenteve, kujtimeve dhe librave të ndryshëm që janë shkruar, por për arsye të moshës ata mbeten të pakët në numër dhe po zhduken dalngadalë. Dhe me zhdukjen e tyre, harrohet edhe historia, krimet e komunizmit, si dhe vrasjet dhe vuajtjet e viktimave të asaj tiranie, gjë që sipas nobelistit Elie Wiesel, do të ishte një vrasje e dytë e tyre.
Besoj se kjo ishte edhe arsyeja që ambasadori amerikan Donald Lu bëri thirrje shqiptarëve në përgjithësi dhe brezit të ri në veçanti, që “të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend.”

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, reflektim, vizita e Ambasadorit Amerikan

SULME TË ASHPËRA NDAJ LIRISË SË SHTYPIT

October 23, 2015 by dgreca

Rasti i Turqisë dhe i Shqipërisë/
Nga Frank Shkreli/
Artikulli 19 i Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut përcakton se, “Çdo person gëzon të drejtën e lirisë së opinonit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshinë lirinë për të pasur opinione pa asnjë ndërhyrje dhe për të kërkuar, për të marrë informacion,dhe për të shpërndarë këto informacione dhe ide nepërmjet medias dhe pa pengesë kufijsh ndërkombëtar”.Liria e fjalës dhe e medias është pra një e drejtë themelore e sanksionuar nga marrveshje ndërkombëtare, nënshkruar nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara. Por megjithë angazhimet e vendeve të ndryshme për të mbrojtur këto të drejta, fatkeqsisht, liria e të shprehurit dhe e medias historikisht është ndër të drejtat themelore që abuzohet më së shumti nga vet vendet të cilat me nënshkrimin e tyre të deklaratave dhe marrveshjeve ndërkombëtare, janë zotuar për t’i mbrojtur ato.
Çdo ditë, në shumë vende të botës, gazetarët si transmetues të informacionit dhe fjalës së lirë, sulmohen ndërkohë që përpiqen të bëjnë punën e tyre si gazetarë. Shpeshë, gazetarët dhe përfaqsues të medias janë viktima dhe subjekt kritikash dhe paditjesh –vetëm e vetëm sepse kryejnë detyrën e tyre — nga qeveri dhe përfaqsues qeverishë të cilët mendojnë se pushteti u jep atyre të drejtën që të përdorin fuqinë e shtetit për të frikësuar median e lirë dhe gazetarët, të cilët ata mund t’i konsiderojnë si ferrë në sy.
Turqia ka një reputacion ndërkombëtar për sjelljet dhe presionet e qeverisë kundër gazetarëve dhe lirisë së medias. Të mërkurën në Stamboll, një numër përfaqsuesish të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale, misioni i të cilave është mbrojtja e lirisë së shtypit dhe e fjalës së lirë anë e mbanë botës, u takuan në një tubim për të shqyrtuar presionet në rritje e sipër kundër gazetarëve dhe medias së lirë. Në atë takim morën pjesë përfaqsues të 9 organizatave prestigjioze botërore që merren me mbrojtjen e lirisë së medias dhe fjalës së lirë, përfshirë Institutin Ndërkombëtar të Medias, Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, Korrespondentët pa Kufij, Unioni i Gazetarëve Turqdhe Federata e Gazetarëve Europianë, ndër të tjera. Ata erdhën në përfundimin se presionet kundër gazetarëve që punojnë në Turqi janë keqësuar jashtzakonisht shumë ç’prej zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe para zgjedhjeve të ardhëshme që do të mbahen më 1 nëntor. Sipas deklaratës së lëshuar të mërkurën nga përfaqsuesit e këtyre organizatave për mbrojtjen e lirisë së medias, pas punimeve dy ditëshe të tubimit në Stamboll, ata erdhën në përfundimin se nëqoftse vazhdojnë presionet aktuale para zgjedhjeve të 1 nëntorit, ka të ngjarë që ato “të kenë një efekt të dukshëm negativ ndaj mundësisë së votuesve turq për të pasur informacionin e nevojshëm, gjë që do të prekë drejtë për drejtë demokracinë në Turqi.”
Përfaqsuesit e këtyre organizatave ndërkombëtare dhe rajonale shprehën solidarsinë e tyre me kolegët e tyre gazetarë dhe median në Turqi dhe kërkuan që menjëherë tu jepet fund të gjitha presioneve të cilat pengojnë gazetarët që të kryejnë detyrën e tyre, ose të cilat shërbejnë si masa që njëkohsisht nxisin atmosferën e vet-censurimit në radhët e gazetarëve.Në deklaratë u bëhet thirrje autoriteteve turke të marrin masa për të siguruar që të gjithë gazetarët të jenë të lirë të merren me gazetari investigative mbi çështje të interesit publik, përfshirë akuzat për korrupcion, shkeljen e të drejtave të njeriut, dhe politika, çështje të interesit vendor ose rajonal.
Serioziteti me të cilin organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e medias dhe fjalës së lirë, i shikojnë presionet kundër gazetarve në Turqi, shihet në numrin e rekomandimeve drejtuar zyrtarëve turq me qëllim përmirsimi të ushtrimit të gaztarisë së lirë në Turqi.. Përfaqsuesit e këtyre organizatave specifikisht u bëjnë thirrje autoriteteve turke — që ndër të tjera — të ndërmarrin hetime transparente ndaj sulmeve kundër gazetarëve dhe organizatave mediatike dhe t’i japin fund abuzimit të ligjeve anti-terror për të ndaluar raportimin e çështjeve të interesit publik ose për të mos shkruar kritika ndaj figurave politike. Rekomandohet bërja e reformavenë ligjet aktuale kundër gazetarve, sidomos artikullit 299, i cili mbron presidentin e Turqisë nga kritikat e mundshme, gjë që në vetvete është një shkelje e standardeve ndërkombëtare dhe që njëkohsisht të ndërmirren reforma për të mbrojtur gazetarët dhe lirinë e qëndravemediatike nga presionet politike.Porositen autoritetet truke që të mos përdoren entet dhe ministritë qeveritare, siç janë autoritetet e tatimeve, për tu bërë presion gazetarëve të cilët kritikojnë ose raportojnë në mënyrë kritike ndaj politikanëve ose akteve të qeverisë.
Ndër rekomandimet e shumëta, përfaqsuesit e organizatave për mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së medias, i bënë thirrje Presidentit të Turqisë që tu japë fund të gjitha presioneve personale dhe direkte ndaj pronarëve ose kryeredaktorëve të gazetave dhe mediave të tjera që kritikojnë autoritetet, ndërkohë që nxitën qeveritë e huaja, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian t’i bëjnë presion Turqisë që të zbatojë angazhimet e marra dhe të respektojë dhe të zbatojë standardet ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. Dhe një rekomandim me rëndësi — që vlenë për çdo vend ku presionet ndaj lirisë së medias dhe gazetarëve janë të pranishme –iu drejtuatë gjithë gazetarëve turq që të tregojnë solidarsi me kolegët e tyre të cilët punojnë nën presione ose që kritikohen nga autoritetet, si një angazhimpër të mbrojtur të drejtat e të gjithë gazetarëve. Përfaqsuesit e organizatave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe lirisë së fjalës thane, në deklaratën e tyre, se objektivi kryesor i tubimit në Stamboll dhe Ankara ishte për të treguar solidarsi me kolegët e tyre turq dhe njëkohsisht për të venë në dukje, jo vetëm për Turqinë, por edhe për vende të tjera, pasojat negative të presioneve politike në rritje e sipër ndaj medias së pavarur.Por shtypja e lirisë së shtypit në një vend është shkelje e lirisë së shtypit kudo.Shqipëria mund të mos jetë Turqi, por lajmi i djeshëm shqetsues nga Tirana se Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z. Damian Gjiknuri, i shqetsuar për një shkrim të gazetës në lidhje me Ministrinë që ai drejton, ka paditur të përditshmen Telegraf të kryeqytetit që të paraqitet para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë duke e akuzuar gazetën se, “Ka publikuar disa shkrime kundër personit tim në cilësinë e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë”. Në padinë e tij kundër gazetës Telegraf drejtuar Gjakatës së Tiranës, Ministri shqiptar, Z. Gjiknuri shprehet se, “Gjykoj se këto shkrime dhe deklarime, përveçse cënojnë rëndë nderin dhe personalitetin tim, përcjellin në publik informacione të pavërteta” dhe i kërkon Gjykatës që të detyrojë gazetën Telegraf, t’i paguaj atij si dëmshpërbim, shumën prej 10.000.000 ose $100.000 dollarë.Ai e bëri këtë padi një ditë pas botimit të një shkrimi kritik ndaj tij në gazetën Telegraf dhe një ditë para se të njoftohej raporti iKontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi auditimin në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. KLSH njoftoi gjithashtu padinë ndaj Gjiknurit në Prokurori, në bazë të cilës Ministri Gjiknuri akuzohet për shpërdorim detyre.
Interesimi im është liria e shtypit dhe jo të bërat ose të pabërat e Ministrit Gjiknuri të cilat duhet të jenë përgjegjësi e dikujt tjetër. Gazeta Telegraf ushtroi detyrën e saj duke shkruar për abuzimet në Ministrinë e Energjisë dhe të Industrisë, shpërdorime këto që siç duket u vërtetuan edhe nga KLSH.Presionet politike ndaj gazetës Telegraf janë të pavend në një shoqëri që e quan veten demokratike. Por fatkeqsisht,kjo nuk është hera e parë dhe siç duken punët, as e funditqëzyrtarë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar ushtrojnë presion ndaj lirisë së mediasdukehedhur ne gjyqe gazeta, televizione, dhe web saite, të cilat mund të jenë kritike ndaj tyre dhe punës që ata duhet të kryejnë në emër të shtetit dhe për të mirën e publikut. Përfaqsues dhe analistë në vend e kanë përshkruar gjëndjen si një situatë ku shtypi dhe media shqiptare në përgjithësi, vepron dhe punon nën kërcënime dhe vet-cenzurë si dhe nën presione politike, siç është rasti i fundit i gazetës Telegraf, paditur nga një ministër për një shkrim kritik ndaj tij. Presionet ndaj lirisë së medias janë një shënjë e keqe për respektimin e të drejtave të tjera të njeriut në përgjithësi. Historikisht, liria e shtypit është liria e parë që zhduket në rrjedhën e shkeljeve dhe të abuzimit të të drejtave të tjera të njeriut nga autoritetet e një shteti. Kur një vend nuk ka respekt për lirinë e shtypit, e njohur ndërkombëtarisht si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike, ai vend heret ose vonë, do të humbas respektin dhe do të mbytë edhe të drejtat e tjera bazë të njeriut për shtetasit e vet. Njëkohsisht presionet politike dheshtypja e lirisë së shtypit është një paralajmërim se një shtet i tillë është në rrugë të gabuar.Thomas Xheffersoni ka thënë se, “Njeriu qeveriset bazuar në arsyen dhe në të vëretetën dhesi pasojë, qëllimi ynë duhet të jetë që atij t’i lihen të hapura të gjitha rrugët për të zbuluar të vërtetën.Drejtë këtij objektivi, ne kemi ardhur në përfundimin se deri tani, rruga më efektive për të zbuluar të vërtetën, është liria e shtypit.Prandaj, liria e shtypit është liria e parë që shtypet nga ata të cilët kanë frikë nga hetimet e veprimtarive të tyre”, dhe nga ata që nuk duan që e vërteta të jetë bazë e qeverisjes.Ndërsa Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Z. Ban Ki Moon ka deklaruar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të lirisë së shtypit se, “Gazetaria cilësore ua bën të mundur qytetarëve të marrin vendime të infomuara mirë mbi zhvillimet në shoqërinë e tyre.Gazetaria shërben gjithashtu për të ekspozuar padrejtësitë, korrupcionin dhe abuzimet nga ana e pushtetarëve.Për këtë arsye, gazetarët duhet të punojnë në një mjedis ku të kenë mundësi të zhvillojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje dhe në kushte sigurie.”
Ky pra është roli i një shtypi të lirë në një shoqëri demokratike, një rol që është dhe duhet të jetë pjesë përbërse dhe e paprekur në zhvillimet demokratike të një vendi, siç është Shqipëria dhe nuk duhet të jetë subjekt paditjesh nga pushtetarët kur gazetat botojnë diçka që nuk u bie për shtat atyre.
Frank Shkreli

Ne Foto: Nga takimi i përfaqsuesve të organizatave ndërkombëtare dhe rajonale për mbrojtjen lirisë së medias dhe fjalës së lire në Stamboll.Photo Steven Ellis/IPI

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Liria e shtypit, shqiperi & Turqi, Sulme te ashpra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 122
  • 123
  • 124
  • 125
  • 126
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT