• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHUARJA E ROZIT, LAJM QE PIKELLOI KOMUNITETIN SHQIPTAR

December 14, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Të shtunën më 13 dhjetor ndërroi jetë në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Rozi Theohari e njohur si shkrimtare, publiciste, poete, përkëthyese dhe autore e dhjetëra veprave në prozë dhe poezi – veprat e së cilës njihen jo vetëm në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan.
Unë e kujtoj Rozin nga komunikimet që shkëmbenim nga hera në herë me e-mail ndërkohë që i ruaj të gjitha librat e saja që ajo pati mirësinë të m’i dërgonte gjatë viteve. Lajmi i papritur se Rozi — e njohur në Shqipëri dhe në diasporën shqiptare në Amerikë si shkrimtare dhe publicist e dalluar, ndërroi jetë në Boston –pikëlloi dhe varfëroi komunitetin shqiptaro-amerikan, miq e dashamirë dhe të gjithë ata që e njohën atë për së afërmi dhe për së largu. Rozi ishte e dashur me të gjithë dhe puna e saj çmohet dhe respektohet nga të gjithë. Ajo mbante lidhje edhe prej së largu me njerzë — siç ishte rasti me mua, ndonëse nuk ishim takuar ndonjëherë — nga ajo njohuri edhe unë e ndjejë zbrasëtinë që ajo la në komunitetin shqiptaro-amerikan. Komunikimi im i fundit me Rozin ishte në tetor, kur ajo pati mirësinë të më postonte librin e saj botuar kohët e fundit në Tiranë, me titull, “Potpuri Dardhare, Kujtime nga Fëmijëria dhe Jeta e Shkollës”. Sikurë paska dashur të linte pas jo vetëm amanetet e saja, por edhe një pëmbledhje të drejtë për drejtë të kujtimeve të saja, të cilat përbëjnë bazën e këtij libri. Aty, ajo shkruan për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të dardharëve që kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës andej nga fillimi i shekullit të kaluar, e për të cilët shprehet Rozi, “Nënat dhe gjyshet tona dardhare u thinjën duke pritur tërë jetën që t’u këtheheshin shëndosh e mirë bashkshortët nga Amerika”.
Në Librin e fundit që më dërgoi Rozi me dedikimin e saj, ajo përshkruan hollësi mbi emigrimin e dardharëve, të cilat thotë ajo për ‘të përbëjnë edhe një “sfond historik tepër domethënës dhe mbështetës për ngjarjet e përjetuara prej meje e të pasqyruara në këto faqe kujtimesh”. Duke iu drejtuar lexuesit, në librin e saj të fundit, ajo e konsideron këtë “sfond historik” si “një fill real i pashmangshëm qytetërimi e fisnikërie që lidhë brezat e ndryshëm dardharë, ashtu siç është edhe plaga e dhimbshme e kurbetit, që ka përcaktuar në një masë të madhe jetën e atij fshati.” Nën efektin e kësaj klime, shkruan Rozi Theohari, ka rrjedhur edhe ai vrag ngjarjesh , “ku kam qenë e përfshirë edhe unë në kohën time, e të cilat në mënyrë figurative i kam emërtuar, “potpuri dardhare”, paqyrimi i të cilave mëton të tregojë jo thjesht jetën e një vajze dardhare, por edhe vlerat e gjithanshme natyrore, atdhetare, morale e njerëzore të Dardhës, fshtatit tonë të dashur. Ato vlera që përbejnë magjinë e papërsëritshme të atij këndi të bekuar në prehër të Moravës”, shkruan Rozi në paraqitjen e veprës së saj të fundit, të cilën ma kishte postuar, siç duke pak kohë para se të sëmuhej.

Veprat dhe puna e autores Rozi Theohari janë vlerësuar nga lexues të thjeshtë dhe nga personalitete shqiptare dhe amerikane. At Artur Liolini, Kancelari i Katedralës Orthodokse Shën Gjergji në Boston është shprehur në një mesazh drejtuar Rozit se, “Vërtetë, jeni shkrimtare jo vetëm me laps, por me zemër, sytë e mendje të pastër e të thellë… Shkrimet tuaja përmbeldhin jo vetëm faktet, por edhe frymën. Të gjithë duhet tu jemi mirënjohës”, shkruan udhëheqsi i Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë. Ndërsa ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, William Ryerson falenderon Rozin për prezantimin e historisë së shqiptarëve mërgimtarë, sidomos atyre që kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u shprehur se, “Ardhësit e parë shqiptarë këtu në Amerikë kanë ndikuar në lidhjet mes dy vendeve tona dhe mendoj se ata duhet të jenë krenarë për rritjen e miqësisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë deri në atë nivel që ka arritur sot”, është shprehur ish-ambasadori i parë amerikan në Tiranë. Ndërkohë, i ndjeri Peter Prifti e ka vlerësuar punën e Rozit Theoharit duke thënë se, “Me shkrimet tua, z. Theohari, jo vetëm që e informoni dhe e edukoni lexuesin, por ato në përgjithësi janë shkruar me fantazi poetike dhe vende vende me metaforë të gjetur…Mund të them”, shkruan Profesor Prifti se, “në fushën e shkrimeve për shqiptarët e Massachussetsit — të gjallë e të vdekur — ti ke arritur të bëhesh dhe të njihesh si “Zëri i Shqitarizmit”. Ndërsa përkthyesja Donika Omari e ka vlerësuar më së miri punën dhe personin e Rozi Theoharit duke u shprehur se kontributi i saj paraqitet me “Shumë fisnikëri, me shpirt plot dashuri për gjyshër e prindër, për të afërm e për të largët, për të huaj e për bashkatdhetarë, qofshin ata nga Dardha e origjinës a po nga Kosova e jashtë kufijve.” Donika Omari thotë në një letër drejtuar Rozit e botuar në librin “Potpuri Dradhare” se Rozit nuk i mungonte energjia, kureshtja, dhe as përgatitja por mbi të gjitha këto cilësi, ajo thotë se Rozi dallohej për ndjeshmëri dhe talent.

Anëtare dhe pjesëmarrëse e denjë në aktivitetet e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, përveçse kontriboi me shkrimet e saja në fushën e publicistikës në shqip dhe anglisht, Rozi ishte përveç tjerash edhe anëtare aktive e Shoqatës se Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe e Organizatës Pan-Shqiptare Vatra. Raimonda Moisiu, Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, në njoftimin për vdekjen e anëtares Rozi Theoharit, e cilësoi atë si një “transmetuese e përhapjes së humanizmit”, duke shtuar se “Pena e saj publicistike mjaft e njohur me editoriale, reportazhe, ese, opinione e kolumnat e saj në shtypin shqiptar në Shqipëri, në gazetën Dielli, Illyria, revista Kuvendi dhe Fjala e Lirë në Londër, paraqesin Amerikën në dy plane, si Vendi i Lirisë e i demokracisë, i mbështetur në ligje të palëkundshme dhe vendi i mijëra emigrantëve shqiptarë.” Aktive dhe e palodhur deri në ditët e fundit të jetës së saj, në reagimin e saj, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me rastin e vdekjes së Rozit, shprehet se, “Në vazhdën e traditës Rozi Theohari, në raport me vitet dhe me epokën, nuk rresht së shkruari, sjell të gjalla ëndrrat, shpresat, kontributin, veprat, idetë e shqiptarëve të parë të vendosur në Boston – e quajtur ndryshe Rilindja Kombëtare e Nolit, Konicës, Qerim Panaritit e Sotir Pecit, Josif e Vasil Panit, Goni Katundit, Kol Tromarës, Anthony Athanas, Kristaq Trebicka e At Arthur Liolini, Kosovës e Çamërisë, e shqiptarëve të vjetër e të rinj, që jetojnë e punojnë në Boston. Ajo manifestoi talent, energji, vullnet dhe ndjenja thellësisht humane”, përfundon njoftimin Shoqata e Shqkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, me rastin e vdekjes së Rozi Theoharit (Çeku).

Ndërsa, ndër reagimet e para ishte edhe reagimi në emër të Organizatës së Gruas Shqiptaro – Amerikane “Hope & Peace” (Shpresë dhe Paqë), nga themeluesja Mimoza Dajçi e cila shprehet për vdekjen e Rozi Theoharit duke thënë se, “Me shumë hidhërim po e përjetojmë humbjen e të ndjerës Rozi! Ajo nuk do t’i mungojë vetëm familjes, shqiptarëve por dhe popullit amerikan, e cila me penën e saj të ndritur bëri të njohur në botë intelektin, guximin, butësinë e ngrohtësinë e femrës shqiptare”, shkruan Mimoza Dajçi, në emër të Organizatës së Gruas Shqiptaro-Amerikane.
Lajmi i vdekjes së Rozit u prit me pikllim të sinqert prej të gjithë atyre që e njihshin atë në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe më gjërë. Rozi kishte një rreth të gjërë simpatizuesish për natyrën e saj fisnike dhe ishte shumë e shoqërueshme. Ajo la gjurmë në historinë e jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan por edhe në Dardhën e saj të dashur dhe mbarë shqiptarizmin. Familjes, farefisit, dardharëve kudo në mërgim dhe në Shqipëri, dhe të gjithë përkrahsve të veprimtarisë tone kulturore, për humbjen e bijës tuaj fisnike dhe të gjithë atyre që e njohën Rozi Theoharin — nga afër dhe nga larg — ngushëllimet dhe përdhimtimet më të sinqerta.
***
KUSH ËSHTË ROZI THEOHARI – Marrë nga libri I fundit “Potpuri Dardhare”.
Rozi Theohari vjershat dhe prozat e veta i botoi qysh në vitet’ 60 në gazeta e revista të ndryshme si “Drita”, “Hosteni”, “Shqiptarja e re”, “Fatosi” etj. Ka lëvruar vjershat humoristike e tregimin humoristik, si për të rriturit, ashtu dhe për fëmijet. Për lexuesin e rritur ka botuar disa libra: “Telashe nga emancipimi” (1969), “Në mungesë të gruas sime” (1973), “Shoku Ndricim hapi kasafortën” (1977), “Pa diagnozë” (1978), “Teto Kalina” (1990). Në vitin 1987 ka shkruar skenarin e filmit artistik “Familja ime.” Për lexuesit e vegjël ka botuar dy përmbledhje me tregime.
Rozi emigroi ne Amerikë në vitin 1994 me familjen e saj. Përvec dy fakulteteve, atij Ekonomik dhe të Historisë e të Filologjisë, të kryera në Universitetin e Tiranës, në vitin 2000 ajo perfundoi me sukses e u diplomua nga North Shore Community College në Lynn, Mass, USA, në degën “Artet Liberale.” Emri i Rozi Theoharit u vendos në Librin e Nderit “The National Dean’s List”, 1997-1998, si studente e dalluar dhe e nderuar e kolegjeve amerikane. Që prej 13 vjetësh në Amerikë vazhdon të jetë anëtare e shoqërisë së nderit “Phi Theta Kappa”.
Në vitin 2002 ajo botoi në anglisht vellimin me poezi “Two Halves”, në vitin 2003 botoi në anglisht e shqip poemën “Rozafat”, në vitin 2004 romanin “Lajthitje Dimërore”, në vitin 2005 librin “Mbi thinja fryn erë”, ne vitin 2006 librin publicistik “Jehona Skënderbegiane”; në vitin 2007 vëllimin poetik “Rozafa’s Tears On The River Drina” në tri gjuhë, anglisht, rumanisht dhe shqip.
Rozi vazhdon një aktivitet të mirë letrar në USA. Ajo është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe boton rregullisht në revistën “Pena” të kësaj shoqate. Po ashtu, boton vazhdimisht në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria”, si dhe në gazetat lokale te Massachusettsit, përfshirë edhe gazetën Dielli etj. Ka vite që ajo ishte edhe anëtare e disa klubeve të shkrimtarëve amerikanë dhe boton poezi në anglisht në gazetat lokale të Bostonit dhe merr pjesë aktive në aktivitetet kulturore dhe shoqërore të Bostonit dhe shtetit Masaçusets.
Për vitin 2005 Rozi Theohari është nderuar nga Shoqata e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë me çmimin “Pena e Artë” për librin “Mbi thinja fryn erë”.
Rozi Theohari në vitin 2006 fitoi Honour Prize në Konkursin Letrar Ndërkombëtar të “Maison Naaman Pour la Culture”, duke u bërë dhe Anëtare Nderi e kësaj shoqate. Në vitin 2011 u nderua me çmimin “Mirënjohje” nga Shoqata “Kosova” e Bostonit. Në vitin 2012, Rozi u nderua me Çmimin “Service Award” nga North Shore Community College, Massaçusets. Po në vitin 2012 ajo u nderua me çmimin “Fan S. Noli”, nga Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në botë, “Drita” për librin e saj “Kur çelin magnoliet në Boston”.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, LAJM QE PIKELLOI KOMUNITETIN, SHUARJA E ROZIT

STOP KORRUPSIONIT!

December 11, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Këtë javë, Dita Ndërkombëtare kundër korrupsionit tërhoqi vëmendjen e udhëheqsve të lartë botërorë, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) Ban Ki Moon dhe të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, si dhe organizatave ndërkombëtare jo qeveritare që merren me luftën kundër korrupsionit, siç është Transparency International.
9 dhjetori është Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit dhe shënohet çdo vit si e tillë ç’prej miratimit të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsinit, në vitin 2003.Konventa e OKB-së përcakton se Kombet e Bashkuara janë, “të shqetësuara për seriozitetin e problemeve dhe të kërcënimeve që paraqet korrupsioni ndaj sigurisë së shoqërive kudo, duke minuar institucionet dhe vlerat e demokracisë, vlerat etike dhe drejtësinë, duke rrezikuar në këtë mënyrë zhvillimin e qëndrueshëm dhe zbatimin e ligjit.”
Nuk është e qartë se çfarë efekti ka shënimi i përvitshëm i kësaj dite ndërkombëtare në luftën kundër korrupsinit, pasi Transparency International në raportin e fundit thotë se korrupsioni sa vjen e shtohet anë e mban botës, por qëllimi i shënimit të kësaj dite në nivel ndërkombëtar, është që tu kujtojë njerëzve koston e lartë të korrupsinit për shoqëritë dhe për zhvillimin e tyre në përgjithësi. Shërben gjithashtu – për ata që duan — si një rast për të theksuar rëndësinë e të vepruarit kundër korrupsinit dhe njëkohsisht kjo ditë përbën edhe një platformë për qeveritë, organizatat e shoqërisë civile, për median dhe për publikun në përgjithësi që të angazhohen seriozisht për të luftuar praktikat korruptive si dhe sfidat që paraqet korrupsioni për shoqërinë e tyre.
Korrupsioni është një fenomen i mbrapsht ekonomik dhe politik që prekë të gjitha vendet, të zhvilluara dhe ato në zhvillim e sipër, andaj OKB-ja dhe qeveri të ndryshme si dhe organizata të shoqërisë civile anë e mbanë botës, këtë ditë ndërkombëtare kundër korrupsionit e përdorin si një rast të mirë për të inkurajuar një pjesëmarrje sa më të madhe nga të gjithë sektorët e shoqërisë që të merren me shkaqet kryesore të korrupsionit dhe ta luftojnë atë me mjetet që kanë në dispozicion. Sipas Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së, në këtë fushatë kundër korrupsionit, një rol të rëndësishëm duhet të luaj shoqëria civile dhe media, sidomos për të informuar publikun e gjërë mbi faktin se si praktikimi i korrupsionit në nivele të larta të qeverisë dhe të shtetit si dhe në shoqërinë e gjërë, “Minon zhvillimin e demokracisë dhe zbatimin e ligjit — çon drejtë shkeljeve të të drejtave të njeriut, pengon zhvillimin normal të tregut, ulë standardet e jetesës dhe promovon krimin e organizuar, terrorizmin, dhe paraqet kërcënime të tjera ndaj sigurisë shoqërore.” Ban Ki Moon u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të OKB-së që për të “Shëmbur muret e larta të korrupsionit, ato që nuk kanë bërë ende një gjë të tillë, duhet të ratifikojnë dhe të zbatojnë Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit.”
Të prishet zinxhiri i korrupsionit është sllogani i OKB-së me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit për vitin 2014
Në promovimin e shënimit të kësaj dite, thuhet se korrupcioni, ndër të tjera, kontribuon drejtë mos-stabilitetit qeveritar, se korrupcioni përbën një sulm të drejtë për drejtë ndaj bazës së institucioneve demokratike, çoroditë procesin elektoral dhe krijon një situatë jo të këndshme burokratike, qëllimi i vetëm i së cilës është për të kërkuar ryshfet. Theksohet gjithashtu se ndër kostot e larta të korrupsionit për shoqërinë, është fakti se atmosfera korruptive njëkohësisht çkurajon investimet e huaja dhe thuhet se në një atmosferë të tillë, është e pa mundur që tregëtitë e vogëla të përballin kostot fillestare, pikëprisht për arsye të korrupsionit.
Ndërsa në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry shfaqi më heret shqetësimin e vendit të tij mbi pasojat e korrupsionit anë e mbanë botës dhe theksoi angazhimin e Washingtonit për të punuar me partnerët e SHBA-ve në luftën kundër korrupsionit.”Kostoja morale dhe praktike e korrupsionit nuk është më një çështje debatesh. Korrupsioni promovon mos-stabilitetin shoqëror, nxitë protesta popullore dhe revolucione”, tha këtë javë, kryediplomati amerikan me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër korrupsionit. Ai shtoi se të ardhurat nga praktikat korruptive të fshehura në bankat ndërkombëtare mundësojnë financimin e grupeve terroriste dhe mbajnë në fuqi regjime që nuk kanë asnjë përgjegjësi ndaj askujt, duke shtuar se si rrjedhim, korrupcioni rrezikon edhe sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. John Kerry tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të jenë shembull për të tjerët, duke promovuar transparencën në qeverinë e vet dhe do të inkurajojnë dhe do të mbështesin organizatat e shoqërisë civile, gazetarët dhe prokurorët, me qëllim që ata të mbajnë përgjegjës zyrtarët qeveritarë për praktikat e tyre në fushën e korrupsionit.
Në mesazhin e tij, John Kerry u bëri thirrje qeverive partnere, shoqërisë civile dhe sektorit privat që tu bashkohen Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit.Ai u bëri thirrje gjithashtu, “vendeve që janë duke përjetuar tranzicionin demokratik që të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të vendosur qeveri që janë përgjegjëse ndaj qytetarve të tyre dhe ndaj zbatimit të ligjit. Sekretari amerikan i Shtetit, gjithashtu tërhoqi vëmendjen e tij të mëparshëme, duke thënë se, “Ne sot po ritheksojmë rishtas paralajmërimin tonë ndaj kleptokratëve anë e mbanë botës: se vjedhja e pasurisë së komuniteteve tuaja nuk do të tolerohet dhe se komuniteti ndërkombëtar është i zotuar se nuk do të lejojë strehimin e juaj dhe as të të ardhurave dhe pasurive tuaja ilegale.”
Si në këtë foto të OKB-së, organizata botërore njofton se edhe këtë vit, aktivistë anë e mbanë botës protestuan kundër dukurive të korrupsionit. OKB-ja thekson se me anë të demonstratave, të protestave, koncerteve, diskutimeve dhe shfaqjeve të ndryshme, aktivistët kudo në botë të përpiqen të bindin njerëzit se ata, po të kenë vullnetin, e kanë fuqinë për t’i thënë: STOP Korrupsionit!
“Nëqoftse duhet të realizohet drejtësia, ne të gjithë si qytetarë duhet të ngremë zërin, të promovojmë sanksionet shoqërore dhe të flasim haptazi për të demaskuar problemet që rrjedhin për shoqërinë nga korrupcioni dhe të kërkojmë me këmbëngulje bërjen e ndryshimeve”, u shpreh me këtë rast, Kryetari i organizatës Transparency International, Jose Ugaz. Ndërsa Drejtori i kësaj organizate ndërkombëtare, Cobus de Swardt theksoi këtë javë me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit se, “Njerëzit anë e mbanë botës janë lodhur me dukuritë e korrupsionit dhe se ata duan të japin kontributin e vet për të ndaluar dhe për të zhdukur këtë sëmundje shoqërore. Çdo njëri mund të veprojë.Çdo njëri mund të bëjë një deklaratë kundër korrupsionit. Secili mund të refuzojë të japë ryshfet kur i kërkohet një gjë e tillë dhe të promovojë luftën kundër korrupsionit, të raportohet kur diktohen dukuri të korrupsionit në veprim dhe të mbështesin udhëheqës me integritet”, përfundoi zyrtari i lartë i organizatës Transparency International e cila ekspozon dhe lufton korrupcionin anë e mbanë botës.
Këshilla të mira këto për çdo shoqëri dhe aktivistë të shoqërisë civile kudo, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën, dhe për të gjithë ata që e marrin seriozisht rrezikun afat gjatë dhe afat shkurtë që paraqet korrupcioni i pa kontrolluar ndaj ndërtimit të demokracisë dhe të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik të çdo vendi, si edhe ndaj respektimit dhe zbatimit të të drejtave të njeriut të çdo qytetari.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, STOP KORRUPSIONIT!

TË DREJTAT E NJERIUT, 365 DITË NË VIT

December 9, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) shënon çdo vit më 10 Dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut, ditë kjo e cila kujton datën kur Asamblea e Përgjithshme e OKB-ës ka miratuar në vitin 1948 Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, duke shpallur se parimet e kësaj deklarate janë “standarde të përbashkëta për tu realizuar nga të gjithë popujt dhe nga të gjitha kombet.” Kjo deklaratë në tërësi, ndoshta si asnjë marrveshje tjetër ndërkombëtare, potencon se të gjithë njerëzit pa dallim, kanë lindur të lirë, me të drejta dhe liri të barabarta.
Sllogani që Kombet e Bashkuara kanë vendosur të përdorin këtë vit për të shënuar dhe për të promovuar ditën kushtuar zbatimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës është, “Të Drejtat e Njeriut 365”. Me idenë, sipas OKB-ës, për të promovuar zbatimin e të drejtave të njeriut çdo ditë të vitit dhe jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, me 10 dhjetor, duke nënvijuar kështu “Parimin kryesor të Deklaratës Universale, se secili prej nesh, kudo dhe kurdoherë ka të drejtë të gëzojë të gjitha të drejtat e njeriutdhe se ato të drejta janë për secilin indidvid të barabarta dhe pa dallim, të drejta këto të cilat nga bashkojnë si një komunitet global, me të njëjtat ideale dhe vlera.”
OKB-ja pranon se viti 2014 do të mbahet mend si viti i sfidave të mëdha në fushën e zbatimit të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, duke thënë se madje edhe në vendet ku më heret ishte shënuar përparim në zbatimin e këtyre të drejtave, tani vihet re një zmbrapsje, ndonëse thotë se ka patur edhe përparime të vazhdueshme në realizimin e të drejtave të njeriut në nivel ndërkombëtar. Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se 10-dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, është një rast për të shpallur rishtas angazhimin e të gjitha shteteve anëtare ndaj zbatimit të parimeve dhe standardeve që janë zhvilluar dhe promovuar gjatë pothuaj më shumë se 6-dekada, ç’prej miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor, 1948.
Në mesazhin e tij me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon tha se kjo është dita që të gjithë të ngrejmë zërin së abshku duke “Denoncuar autoritetet që mohojnë të drejtat e cilitdo person ose grup”, kudo dhe kurdoherë. Udhëheqsi i OKB-ës shtoi në mesazhin e tij se, “Ne deklarojmë se të drejtat e Njeriut janë për të gjithë ne, dhe për gjithmonë, kushdo qofshim dhe nga do qofshim”, pa marrë parasyshë ndryshimet dhe dallimet midis nesh. “Kjo”, shtoi Ban Ki Moon, “është një çështje tepër me rëndësi për zbatimin e drejtësisë ndaj çdo individi si dhe ndaj stabilitetit shoqëror dhe përparimit global.” Shtetet ku njerëzit gëzojnë të drejtat e barabarta, shtoi udhëheqsi i OKB-ës, janë vende ku zhvillohet ekonomia dhe ku shoqëria jeton dhe vepron në paqë.”Shkelja e të drejtave të njeriut është diçka më shumë se një tragjedi personale për një person ose një grup.Dhunimi i të drejtave të njeriut është një alarm që mund të paralajmërojë paraqitjen e një krize më të madhe shoqërore”, nënvijoi në mesazhin e tij, Ban Ki Moon. Më në fund, ai than ë mesazhin e tij vjetor, se çdo person mund të bëj diçka në luftën kundër padrejtësive, mos tolerancës dhe ektstremizmit kudo në botë dhe iu drejtua shteteve anëtare të OKB-së që të “respektojnë dhe të zbatojnë të drejtat e njeriut për të gjithë dhe për çdo ditë të vitit”. Njëherazi, u bëri thirrje të gjithë popujve që të mbajnë përgjegjëse qeveritë e tyre për zbatimin e këtyre të drejtave, për të gjithë dhe për 365 ditët e vitit.
Në vetë-vete — Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut të OKB-së dhe parimet që kanë udhëhequr këtë organizatë gjatë më shumë se një gjysëm shekulli, ç’prej miratimit të saj më 10 dhjetor, 1948 — diskrediton tiranitë e sotëme dhe ato tëshekullit të kaluar si komunizmin dhe fashizmin si dhe diskriminimet, krimet dhe shkeljen e këtyre të drejtave për personat që vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me këto ideologji.
Nuk jam i sigurt nëse bota shqiptare e shënon këtë ditë ndërkombëtare të drejtave të njeriut. Por nëqoftse autoritetet dhe shoqëria civile e zbatojnë thirrjen e OKB-së për të kujtuar, jo vetëm këtë ditë por edhe për të promovuar çdo ditë të vitit këto të drejta bazë të njeriut “për të gjithë dhe përgjithmonë” – atëherë, kjo ditë duhet të shikohet jo vetëm nga realiteti i sotëm, por edhe nga një perspektivë historike.
Fryma e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, duhet të shërbejë sot në këtë Ditë Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, si një rast i përshtatshëm për promovimin e këtyre të drejtave sot, por edhe për të kujtuar gjithashtu shkeljet dhe dhunën serioze ndaj këtyre të drejtave bazë të njeriut për mijëra viktima të regjimit komunist, me qëllim që të pakën viktimat e atij sistemi që janë ende gjallë, më në fund, ta ndjejnë veten se janë pjesë e pandarë e shqoërisë dhe se gëzojnë të drejta të barabarta, dinjitet dhe liri të plotë për veten dhe për familjet e tyre në krahasim me të tjerët. Trajtimi dhe ndriçimi i këtyre krimeve ndaj kyëtre viktimave dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë një periudhe prej gjysëm shekulli — madje edhe 25 vjetë pas shëmbjes së Murit të Berlinit — do të çonte drejtë një shoqërie më të hapur dhe më normale, në pajtim me vetveten. Mos trajtimi i kësaj historie të dhëmshme gjysëm shekullore për shoqërinë shqiptare, nga pikëpamja e zbatimit ose jo e të drejtave të njeriut pa dallim dhe duke mos u bazuar në vlerat universale të të drejtave universale të njeriut dhe sipas OKB_së, të të gjitha kohërave, e mbanë shoqërinë në një ngërç konfliktesh politike dhe ekonomike, që fatkeqsisht mund të çojnë edhe në konfrontime të panevojshme shoqërore. Është e nevojshme që trajtimi i krimeve të regjimit komunist nga pikëpamja e shkeljes së të drejtave bazë të njeriut, të konsiderohet brënda përmbajtjes dhe kontekstit të këtyre të drejtave universale.Një gjë e tillë do t’i shërbentejo vetëm të vërtetes historike, por edhe lartësimit të nderit dhe interesit kombëtar të të gjitha kohërave. Le të jetë ky një angazhim nga të gjithëpa dallim — në këtë ditë ndërkombëtare të të drejtave të njeriut — për tu zbatuar jo vetëm sot,por sipas OKB-së, për çdo ditë të 365 ditëve të vitit, për të gjithë dhe pa dallim.
Frank Shkreli

Filed Under: Analiza Tagged With: 365 DITË NË VIT, Frank shkreli, te drejtat e Njeriut

NJË SHQIPTARO-AMERIKAN PËR GUVERNATOR TË BANKËS SË SHQIPËRISË?

December 6, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Media të ndryshme në Shqipëri njoftojnë se pas disa këshillimeve midis Presidentit të Republikës , Z. Bujar Nishani dhe Kryeministrit të vendit, Z. Edi Rama dhe pas shqyrtimit të një numri kandidatësh të mundëshëm për postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, thuhet se Presidenti i Republikës është duke marrë në konsiderim për këtë post të rëndëishëm tre kandidatë, njëri prej tyre, Nick Markola, një bankier me përvojë shumëvjeçare, i cili shërben si Drejtor Menaxher dhe Drejtor i Kërkimeve i bankës “Fieldpoint Private Bank& Trust” në Greenwich,” në shtetin Connneticut të SHBA.Zoti Markola, përveç shtetësisë amerikane mban edhe shtetsinë shqiptare, që është një ndër kushtet kyçe për detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Ai ka një curriculum vitae me një përvojë të pasur. Në detyrën e tanishme si bankier ku menaxhon disa miliarda dollarë, Nick Markola shërben si Drejtor Menaxher dhe Drejtor i Degës së Kërkimeve për një bankë e cila është themeluar nga mbi 30 persona, ndër më të njohurit në botën amerikane të biznesit dhe të financave dhe njëkohësisht shërben edhe si Kryetar i Komisionit që merret me investimet. Markola, megjithse në moshë të re, ka bërë një karjerë në Amerikë për t’ia pasur lakmi në fushën bankare, të investimeve dhe të financave, me një përqëndrim në fushën ndërkombëtare të investimeve, në një numër sektorësh ekonomik dhe në rajone të ndryshme të botës me ekonomi në zhvillim e sipër.
Sipas portalit Linkedin, ndër detyrat e tjera me rëndësi gjatë karjerës së tij deri tani, Markola ka shërbyer si ekzekutiv i bankës “Thomas Weisel Partners”, me zyra në New York dhe në San Francisco. Nga viti 2005 -2006, Nick Markola ishte ekzekutiv i lartë me firmën për investime “PGA Fund of Hedge Funds” në New York, ndërsa përpara asaj, ai ka shërbyer si ekzekutiv i bankës së famshme “Citigroup”, një nga bankat më të madhe në Shtetet e Bashkuara dhe në botë, me filiale bankare e financiare në më shumë se 100-shtete të botës. Para Citigroup, ai ishte bankier në detyrën e Zëvëndës Presidentit me Bank of America, gjithashtu një nga bankat më të mëdha në botë. Përvoja e tij bankaro-financiare mbrenda një periudhe të shkurtër, shtrihet edhe në fushën e investimeve shumë të suksesshme të pasurive të paluajtshme.
Është kjo një përvojë jashtzakonisht e pasur për një shqiptaro-amerikan me origjinë nga trojet shqiptare autoktone të rrethi të Ulqinit, i cili para se të futej në botën e financave dhe të investimeve, i riu Nick Markola u përgatit në bankat e shkollës, duke ndjekur studime universitare dhe pasuniversitare, në disa universiteteamerikane ku siguroi me “Suma Cum Laude” tri diploma. Ai u diplomua me ddiplomë BS në Accounting (kontabilitet) nga Herbert H. Lehman College në New York. Pastaj markola arriti të bëhet magjistër i dyfishtë pasi që mbrojti dy magjistratura në shkollën e biznesit Leonard N. Stern School of Business të universitetit të njohur New York University në New York. Diploma e pare e magjistrit ishte MBA in Finance (magjistër i administrimit të biznesit dhe financave) dhe diploma e dytë e magjistrit ishte MS in Financial Engineering(magjistër shkencash inxhinier financiar). Markola pstaj u specializua në fushën bankaro-financiare dhe në degën e investimeve duke arritur titullin CIMA (analist i certifikuar për menaxhim kapitali) nepërmjet IMCA dhe University of Pennsylvania Wharton School of Business, në Philadelphia.

I sukseshëm në fushën e tij të zgjedhur profesionale, Nick Markola është nderuar me një numër urdhërash dhe dekorimesh dhe si ekspert i njohur në qarqet ku punon, ai ftohet shpesh si analist për të komentuar mbi çështjet ekonomike dhe financiare në mediat më të njohura të biznesit në Amerikë dhe në botë, siç janë Fox Business News, Bloomberg News, dhe shumë rrjetë të tjera botërore. Ai është gjithashtu edhe autor i shumë artikujve mbi subjektin e financave dhe të fushës bankare, ndërkohë që ai gjenë kohë të shërbejë edhe në një numër drejtorishë (boards) të firmave të mëdha amerikane fitimprurëse si dhe të kompanive jo fitimprurëse.
Ndonëse është shumë i nxënë me profesionin e tij në analet e botës bankare dhe financiare me një konkurrencë të nivelit shumë të lartë, Nick Markola prap se prap, disi gjenë kohë që madje të angazhohet edhe në veprimtaritë e shumta të komunitetit shqiptaro-amerikan. Në të vërtetë, ai është një aktivist i dalluar i brezit të ri të komunitetit shqiptaro-amerikan. Markola është Bashkthemelues, ish-Kryetar dhe tani Zëvëndës President i grupit APEN, që është një “Rrjetë i Profesionisteve dhe Biznismenëve të rinjë Shqiptarë në Amerikë”. Markola gjithashtu është anëtar i bordit të projektit të shqiptaro-amerikanëve më të sukseshëm, “Albanian American Success Stories” dhe ka shërbyer në drejtoritë e organizatave më të vjetra shqiptaro-amerikane, siç janë Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe organizata pan-shqiptare Vatra.
Më duhet të rrëfej kënaqësinë time kur e lexova lajmin në median shqiptare se në listën përfundimtare që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani po konsideron për Guvernatorin e ri të Bankës Shqiptare, ishte edhe emëri i një shqiptaro-amerikani. Pikëspari më erdhi mirë për ketë lajm sepse me sa kam unë njohuri, kjo është hera e parë që një shqiptaro-amerikan me përvojë të lartë perëndimore si Nick Markola, po konsiderohet për një detyrë të lartë shtetërore ose qeveritare në Shqipëri, siç është institucioni i Bankës Shtetërore të Shqipërisë. Së dyti, më erdhi mirë se një djal i ri, shqiptaro-amerikan, i cili ka bërë emër si ekspert në fushën e tij këtu në Shtetet e Bashkuara, ku atij i është dashur të konkurojë për pozitat e tija, me më të mirët e Amerikës dhe të botës mund të thuhet – është gati të ofrojë përvojën e tij të konsiderueshme në këtë fushë dhe të japë kontributin e vet për Shqipërinë.
Sipas burimeve të medias, Presidenti i Republikës do të dekretojë brenda disa ditësh kandidatin e preferuar prej tij dhe pastaj ta dergoj tek Kuvendi i Shqipërisë, me shumicë dërmuese, i cili gjithashtu duhet të japë miratimin e tij. Nëse Presidenti Nishani do të dekretoj Nick Markolën për Guvernator të Bankës së Shqipërisë ose jo, kjo natyrisht është e drejtë dhe privilegj i tij si ekzekutivi i shtetit shqiptar. Për mua ka rëndësi fakti që Nick Markola, një shqiptar nga diaspora — e për më tepër një shqiptaro-amerikan — është në listën përfundimtare të tre kandidatëve që po shqyrtohen për tu dekretuar për Guvernator të Bankës Shqiptare. Unë e shikoj këtë rast si historik, pasi mos u gabofsha është e para kandidaturë nga jashtë për një post në një institucion të lartë shtetëror, siç është Banka e Shqipërisë. Për këtë fakt, komuniteti shqiptaro-amerikan ndihet i nderuar dhe jam i sigurt se vet Nick Markola e ndjenë veten të nderuar dhe të privilegjuar për mundësinë që i është dhënë për të paraqitur kandidaturën e tij për këtë post të këtij institucioni shtetëror, që mundësisht të ndajë përvojën e tij të konsiderueshme bankaro-financiare të Amerikës me bashkatdhetarët e tij duke dhënë një kontribut të rëndësishëm drejtë zhvillimit të Atdheut të parëve të vet.

Filed Under: Opinion Tagged With: BANKËS SË SHQIPËRISË?, Frank shkreli, NJË SHQIPTARO-AMERIKAN, PËR GUVERNATOR TË

IDRIZ LAMAJ: VATRA DHE VATRANËT

December 5, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Idriz Lamaj është i njohur si publicist, studiues dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe njëherazi edhe ish-gazetar i Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. Publicisti Lamaj është autor i disa librave dhe i një numri të madh artikujsh botuar në gazetat dhe revistat e diasporës gjatë pothuaj në gjysëm shekulli. Veprimtaria publicistike e Z. Lamaj përfshinë punën e tij me gazetën “Shqiptari i Lirë”, të cilën për vite me radhë, Idrizi e drejtonte së bashku me Dr. Rexhep Krasniqin, ish-Kryetarin e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe me bashkpuntorë të tjerë të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan. Shkrimet e tija janë botuar gjithnjë në gazetën Dielli të Organizatës Pan Shqiptare Vatra, si dhe në revista dhe botime të tjera të diasporës, sidomos në Amerikë por edhe në trojet shqiptare në Ballkan.
Gjatë një kariere dhe kontributi në fushën e publicistikës shqiptare prej pothuaj një gjysëm shekulli, Idriz Lamaj ka trajtuar kryesisht çështje parimore të interesit kombëtar. Ka mbuluar zhvillimet dhe veprimtarinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, për të cilin ai gjithnjë ruan një thesar informacioni në bibliotekën e tij shumë të pasur. Është marrë me analiza dhe ka paraqitur kumtesa mbi marrëdhënjet shqiptaro-jugosllave, mbi marrëdhënjet shqiptaro-greke dhe mbi situatën e shqiptarëve në Kosovë dhe në trojet e tyre në Ballkan, në përgjithësi. Në pothuaj të gjitha shkrimet dhe librat e autorit Idriz Lamaj vihet re një frymëzim dhe dëshirë për të qitë në dritë të vërtetën mbi atë që shkruan, qofshin ata personalitete të jetës politike dhe kulturore të emigracionit shqiptar, me të cilët ai ka patur fatin të punonte ngushtë pranë Komitetit Shqipëria e Lirë, qoftë rreth Vatrës ku ende është aktiv si anëtar i bordit të organizatës më të vjetër shqiptare në Shtetet e Bashkuara, por edhe në angazhime të tjera politike, kulturore dhe shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Fati i Idriz Lamajt ishte se atij iu dha rasti që gjatë disa dekadave të punonte dhe të bashkpunonte me personalitetet më të dalluara politike dhe kulturore të diasporës shqiptare në Amerikë, përfshirë Dr. Rexhep Krasniqin, Prof. Nexhat Peshkëpinë, Ingj. Vasil Gërmenjin, Mons. Zef Oroshin dhe me shumë e shumë të tjerë atdhetarë e dashamirës dhe mbrojtës të kulturës dhe interesave shqiptare, personalitete këto nga të gjitha trojet dhe nga të gjitha besimet pa dallim, të cilët shpesh nën rrethana tepër të vështira politike dhe financiare të mërgimit, përpiqeshin që me aq sa kishin mundësi të mbanin gjallë dhe lartë frymën e shëndosh të traditave dhe vlerave të kombit shqiptar. Idrizi ishte gjithmonë me ta dhe pranë tyre duke punuar pa bujë e shpesh unanimisht dhe me modesti, por i vendosur që veç puna të shkonte mbarë dhe në të mirën e përbashkët.

Studiuesi dhe aktivisti i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan, njëkohësisht ka punuar edhe si gazetar pranë Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe ku gjatë viteve përgatiti rubrikën shumë popullore radiofonike, “Shqiptarët e Amerikës”. Idriz Lamaj është autor i shumë librave, dhe i qindra artikujve dhe referateve të mbajtura në raste dhe në përvjetorë të ndryshëm që kanë shënuar jetën dhe veprimtarinë e komunitetit shiqptar në Shtetet e Bashkuara gjatë dekadave. Idrizi, në librat dhe referatet e tija, gjithmonë duke përdorur dokumentacion të dorës së parë, ka prekur çështje me rëndësi nga jeta dhe veprimtaria e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe ka pasqyruar veprimtarinë e shumë prej personaliteteve më të shquara të këtij komuniteti, me të cilët ai ka pasur rastin të punojë.

Para dy javësh më ra në dorë libri i tij më i fundit me titull: “VATRA DHE VATRANËT.” Është ky një historik i veprimtarisë së Vatrës dhe i shumë personaliteteve të komunitetit shqiuptaro-amerikan, duke filluar nga Fan Noli dhe Faik Konica. Besoj se Idrizi është i vetmi që njeh mirë jo vetëm veprimtarinë e organizatës Panshqiptare Vatra, por ai është edhe një personalitet i këtij komuniteti, i cili jo vetëm ka njohur por që edhe ka punuar me dekada me udhëheqës të ndryshëm të organizatës Vatra dhe me një numër të madh intelektualësh atdhetarë për një periudhë prej më shumë se gjysëm shekulli. Andaj, si i tillë, ai shkruan nga këndveshtrimi i një aktivisti dhe pjesmarrsi të drejtë për drejtë në aktivitetet e Vatrës dhe organit të saj, gazetës Dielli. Si njëri që ka ndjekur nga afër jetën e komunitetit këtu pranë Vatrës po se po, por edhe kur ka punuar si zyrtar i Komitetit Shqipëria e Lirë me Dr. Rexhep Krasniqin, Prof. Nexhat Pëshkëpinë dhe me Vasil Gërmenin, përfaqsuesin e komunitetit shqiptar pranë Organizatës së Kombeve të Robëruara Europiane (ACEN) dhe shumë të tjerë.

Në parathënje të librit, autori e informon lexuesin se libri është një përmbledhje e teksteve të disa kumtesave ose referateve, që ai vet ka paraqitur me raste të ndryshme të përvjetorve të Vatrës dhe gazetës Dielli. Autori Lamaj thotë se e shkroi këtë libër me qëllim që t’i paraqesë lexuesit njëfarë historiku të orgnaizatrës Vatra e që mbulon një periudhë prej vitit 1925 deri në vitin 1955. Më konkretisht, shton ai, “jam përpjekur të hedhë dritë mbi arsyet e bashkpunimit të Konicës me regjimin e Zogut dhe të Nolit me regjimin e Enver Hoxhës…ndërsa konfliktet e Konicës dhe të Nolit me krerët e regjimeve në fjalë janë ilustruar edhe me të dhëna nga disa prej letrave të tyre private”, thotë autori.

Ky libër botohet dekada pas ndodhinave, ngjarjeve dhe protagonistëve që nuk jetojnë më, por është një dokument që ve në dukje se autori ka një arkiv të pasur, dhe tregon edhe disiplinën e autorit për të mbajtur shënime të përditshme dhe për të ruajtur korrespondenca e dokumente të tjera gjatë gjithë karierës së tij. Me librin “Vatra dhe Vatranët”, Idrizi i sjellë lexuesit një pjesë të historisë së aktivitetit të Vatrës dhe vatranëve të një periudhe 30-vjeçare, periudhë kjo shumë kritike për fatet e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve nga viti 1925 deri në vitin 1955. Aty ai shkruan për Vatrën e para Luftës së dytë Botërore, mbi kuvendet e ndarjes së Vatrës më dyshë dhe mbi kuvendet e bashkimit të Vatrës; mbi Vatrën gjatë Luftës së dytë Botërore, mbi Vatrën përballë pretendimeve greke ndaj Shqipërisë dhe mbi qëndrimin organit të saj, gazetës Dielli ndaj qeverisë komunist shqiptare dhe ndaj qeverisë amerikane. Autori u kushton kapituj të veçantë Fan Nolit e Faik Konicës, marrëdhënjeve midis tyre si edhe udhëheqseve të tjerë të Vatrës e Diellit, si Refat Gurrazezi, Qerim Panariti, Kost Çekrezi, Petro Kolonja e Nelo Drizari, që ishte gjtihashtu edhe ngarkuari i qeverisë amerikane për të organizuar dhe krijuar Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe në vitin 1943, ndër të tjerë aktivistë të Vatrës. Autori ka përzgjedhur gjithashtu disa thënje të arta nga Faik Konica.

Ai kryesisht ka përdorur gazetën Dielli si burim kryesor por edhe gazeta dhe botime të tjera, si “Albania” e Konicës, për të dokumentuar historikun e Vatrës për periudhën që mbulon. Z. Lamaj përshkruan një periudhë të vështirë për Vatrën, sidomos për periudhën e para Luftës së Dytë botërore, kjo sipas autorit, për arsye të krizës ekonomike në Shtetet e Bashkuara por edhe më tepër për arsye të konflikteve dhe ngatrresave të mbrendshme të organizatës Vatra, përfshirë sidomos grindjet midis Faik Konicës dhe Fan Nolit, por edhe si rrjedhojë e të rolit përçarës që luante Konsullata e Shqipërisë në Boston. Megjithëse dy protagonistët kryesorë të asaj që autori cilëson si “lufta klasike e mendimit të lirë të vatranëve” të asaj periudhe, ishin natyrisht Noli e Konica, autori i librit “Vatra dhe Vatranët” thotë se duhet të merret parasyshë gjithashtu edhe roli që kanë luajtur, ndër të tjerë, Refat Gurrazezi, dishepull i Konicës, Qerim Panariti, dishepull i Nolit, Peter Kolonja e shumë të tjerë. Por, autori thotë se ndonëse “fërkimet politike” midis tyre ishin mjaft serioze, Lamaj nënvijon se dokumentat provojnë se megjith kundërshtimet politike midis tyre, ata në të vërtetë e ruajtën miqësinë dhe respektin për njëri tjetrin në çdo kohë dhe deri në vdekje. Z. Lamaj sjellë një pjesë të fjalimit të Nolit me rastin e varrimit të Faik Konicës në dhjetor 1942, ku ai shpreh respektin e tij të madh duke thënë se vdekja e Konicës, ishte sipas Nolit, “….Humbje me të vërtet’ e tmerruar, se sot po bëjmë nderimet e funtme dhe i themi lamtumirë njërit prej bijve më të shkëlqyer të Shqipërisë. Se Faik Konica, sikundër e dini, ka qenë nga çampionët më të mëdhënj të indipendencës kombëtare; pa dyshim, ka qenë ustaj më i madh i shkrimit të gjuhës sonë dhe veç këtyre, është njeriu që na ka zbuluar flamurin e Skëndërbeut. Ja tre tituj, që nuk munt t’ja mohojnë as kundërshtarët më të egër….”, ka thënë Fan Noli për Faik Konicën, me rastin e varrimit të tij.

Në të vërtetë, megjithë grindjet e këtyre kolosëve, mosmarrveshje që autori i cilëson si “fërkime politike”, ndonëse nga njëherë të ashpëra, ajo që vihet re në dokumetacionin e këtij libri është se këta kolosa më në fund, kur vinte puna tek interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve ata prap se prap, punuan së bashku për të mirën e Atdheut. Është ky një mësim dhe shembëll i mirë për politikanët e të gjitha kohërave. Ky në të vërtetë, mendoj unë, është edhe njëri prej mesazheve me rëndësi historike i këtyre patriotëve e që pasqyrohet në librin e autorit Lamaj, se politikanët shqiptarë madje edhe sot — megjithë ndryshimet, mosmarrvehsjet dhe grindjet e tyre politike — mund të marrin shembëll tek Noli e Konica dhe bashkatdhetarët të kohës së tyre, se më në fund, interesat e kombit duhet të jenë mbi të gjitha, pa marrë parasyshë “fërkimet politike” dhe interesat private dhe partiake.

Një mesazh tjetër i këtij libri, nga këndveshtrimi i autorit, është edhe për të provuar se Faik Konica nuk ishte shërbëtor i Ahmet Zogut dhe as Fan Noli nuk ishte shërbëtor i Enver Hoxhës, duke hedhur poshtë pretendimet e tilla gjysëm shekullore të regjimit komuniste.

Me librin e tij më të fundit, “Vatra dhe Vatranët”, Idriz Lamaj edhe njëherë shpalosë për lexuesin punën shumë të gjatë e të mundimshme por tepër të vlefshme që ai ka bërë gjatë dekadave. Idrizi, të cilin gjithë jetën e kam njohur si një njeri me virtyte të larta njerëzore dhe kombëtare, është një arkiv i gjallë dokumentacionit mbi jetën, veprimtarinë dhe kontributin që ka dhënë komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë viteve. Në të vërtetë, autori i palodhshëm dhe me plot pasion për ruajtjen e kësaj trashëgimie të komunitetit shqiptar në Amerikë, kohët e fundit, në një takim me arkivistë nga Republika e Kosovës, Zoti Lamaj u kishte propozuar atyre se ishte gati të bënte kopje të mijëra dokumentave që ai posedon ekskluzivisht e që ndër të tjera përfshijnë mijëra letra, foto e dorëshkrime, për Arkivat e Kosovës, një minjerë e vërtetë ari për hulumtuesit dhe historianët. Idriz Lamaj meriton falënderimin e të gjithëve që e ka ruajtur këtë pasuri kombëtare dhe për faktin se është gati ta ndaj me të gjithë. Vend më të mirë për të strehuar këtë dokumentacion nuk ka se në Arkivat e kombit shqiptar, në Tiranë dhe në Prishtinë.
Përveç kontributit të tij në fushën e publicistikës, Idriz Lamaj mund të jetë personi që ka koleksionin më të pasur të shkrimeve, të botimeve, të revistave, të gazetave që nuk ekzistojnë më dhe të gjithë informacionin që mund ta ketë ndonjë njeri mbi jetën dhe veprimtarinë e imigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë. Një thesar i vërtetë që dokumenton veprimtarinë e diasporës shqiptare në Amerikë, me gjithë të mirat dhe të metat e saja, të pakën gjatë 50-viteve të fundit, të kësaj diaspore, e cila për nga aktiviteti i saj në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, mund të konsiderohet si më e rëndësishmja në botë. Njëherë më pat këshilluar Idriz atë që ai vet ka praktikuar gjatë gjithë jetës, duke më thënë që çdo gjë shënoje në letër, se vetëm ashtu mbetet dokument i gjallë. Një këshillë e mirë për mua dhe për të gjithë ata që janë të interesuar dhe të pasionuar pas historisë dhe publicistikës. Libri i tij më i fundit, “Vatra dhe Vatranët” është shkruar në këtë frymë, si dokument i gjallë i një periudhe tepër të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për fatet e kombit shqiptar. Por duke e njohur Idrizin, besoj se ai e konsideron këtë libër edhe si një borxh ndaj veprimtarisë dhe sakrificave të atyre burrave të kombit, të cilët gjatë gjithë jetës së tyre – megjithse larg Atdheut — nuk kursyen asgjë për të mirën e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve dhe detyrimit të tyre që ata ndjenin për të mbrojtur të drejtat legjitime të kombit shqiptar.

Filed Under: Vatra Tagged With: Frank shkreli, Idriz Lama, Vatra dhe vatranet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 133
  • 134
  • 135
  • 136
  • 137
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT