Nga Frank Shkreli/
Ndërsa gjëndja në Ukrainë sa vjen e keqësohet dita ditës, Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në një raport që botoi të martën mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në Ukrainë dhe në Krime — e cila deri muajin e kaluar ishte një rajon autonom i Ukrainës — bëri thirrje për marrjen e masave për të kundërshtuar urgjentisht mbjelljen e urrejtjes dhe përhapjen e informacionit jo të saktë, e të cilat në situatën e tanishme në Ukrainë, sipas OKB-së përdoret si propagandë e njëanëshme për të shkaktuar rrëmujë e dhunë. “Është e doemosdoshme që të vendoset se cilat janë faktet e vërteta mbi ato që po ndodhin në Ukrainë, me qëllim që të mënjanohen interpretimet radikale të gjëndjes së krijuar e të cilat po përdoren për qëllime politike”, tha Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Navi Pillay. Ajo shtoi se, “njerëzit kanë nevojë për lajme dhe informacion të besueshëm për të kundërshtuar informacionet e rreme si dhe deklaratat plotë urrejtje të cilat nxisin armiqësitë në baza kombëtare, fetare dhe raciale.” Kësaj fushate informacioni të rremë, sipas gazetës New York Times, iu bashkua edhe Presidenti rus, Dmitry Medvedev, i cila dy ditë më parë ka shkruar në faqen e tij elektronike se, “Në Ukrainë, përsëri po derdhet gjaku” dhe paralajmëron se Ukraina po “kërcënohet me luftë civile.”
Për vërejtësit e politikës ruse, nuk është koincidencë njoftimi kohët e fundit nga regjimi i Kremlinit për të ndaluar transmetimet e lajmeve nga perëndimi, përfshirë edhe transmetimet e Zërit të Amerikës në gjuhën rusisht, vendim ky që e kam pasqyruar më heret në shkrimin me titull: “E vërteta është gjithmonë viktima e parë”. Dihej se diçka po vlon, se diçka po përgatitej aty. Kjo është një shenjë e keqe se nëqoftse agresioni i Putinit kundër Ukrianës del me sukses në planet e tija djallëzore në Ukrainë realizohen – me luftë ose me kërcënime — ai nuk do të ndalet me aq.
Ja tani, Kombet e Bashkuara me raportin e tyre të ditëve të fundit vërtetojnë fushatën e keq-informimit të ndërmarrë nga autoritetet e Moskës mbi ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë dhe njëkohësisht i bëjnë thirrje Rusisë që të ndalojë propagandën e urrejtjes. Kështu pra, siç thotë edhe gazeta New York Times, për autoritetet ruse fillon edhe një ditë tjetër informacioni të rremë, ekzagjerimesh dhe teorishë konspirative, retorikash hiperbolike dhe shpesh përhapje të drejtë për drejta gënjeshtrash mbi krizën politike dhe gjëndjen në Ukrainë, fushatë kjo e drejtuar dhe e koordinuar nga nivelet më të larta qeveritare dhe shtetërore të Kremlinit, duke përdorur rrjetin televiziv shtetëror të Rusisë dhe media të tjera nën kontrollin e tyre, që orë pas ore, ditë pas dite dhe javë pas jave, t’ua mbushur mendjen rusëve me versionin e tyre të ngjarjeve se ata janë të kërcënuar.
Por, ndryshe nga ato që pretendon Moska, raporti i Kombeve të Bashkuara, i cili u botua të martën, thotë se korrupcioni, mungesa e pavarësisë së gjykatave dhe zgjedhjet jo të lira, janë arsyet kryesore që çuan në protestat popullore — që tani Kremlini po i përdor për qëllime të veta — e të cilat përfshinë Ukraininën nga Nëntori i vitit të kaluar e deri në Shkurt të këtij viti, dhe nuk u shkatuan trajtimi i keq i pakicës ruse nga autoritetet ukrainase. Në raport theksohet se gjatë atyre protestave mbetën të vrarë 121 veta, numër i cili, sipas raportit mund të shkojë deri në 150, shumica prej tyre protestues, ndërkohë që sipas raportit, ka patur edhe shumë raste ku protestuesit ukrainas janë torturuar dhe trajtuar shumë keq, ndërsa qindra të tjerë janë detyruar të shtroheshin në spital nga plagët që kanë marrë nga policia, disa prej të cilëve janë në gjëndje tepër serioze.
Raporti i OKB-së u njoftua gjatë një jave takimesh dhe kontaktesh diplomatike në përpjekje për të qetësuar gjëndjen dhe për të ulur tensionet në Ukrainë, duke filluar me takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të djelën që kaloi, ku Ndihmës Sekretari i Përtgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Oscar Fernandez-Taranco paralajmëroi se Ukraina përballet me një përkeqësim serioz të situates, ndërsa grupe të armatosura ruse, të mirë organizuara dhe të koordinuara, tha ai, po marrin nën kontroll ndërtesat qeveritare në qytetet anë e mbanë Ukrainës lindore. Edhe Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, sipas një njoftimi për median të OKB-së, pati një bisedë me Vladimir Putinin gjatë së cilës ai i shprehu atij shqetësimet e tija të thella mbi gjëndjen e krijuar në Ukrainën lindore, duke i theksuar se çdo përkeqësim i krizës atje është i dëmshëm për të gjithë dhe se është detyrë e të gjithëve për të vepruar për uljen e tensionit I ka thënë Ban Ki Moon udhëheqsit rus. Edhe presidenti Obama, gjatë një bisede telefonike me Putinin të hënën, sipas Shtëpisë së Bardhë, i ka shprehur atij shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara mbi agresionin rus në Ukrainë, ndërkohë që është njoftuar se Nënpresidenti amerikan Joe Biden do të vizitojë kryeqytetin e Ukrainës më 22 prill. Ndërkohë që, gjatë ditëve të fundit në kryeqytete të ndryshme u zhvilluan përgatitjet për bisedime të ënjtën në Gjenevë, në të cilat pritej të merrnin pjesë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Deshchytsia dhe Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Catherine Ashton. Vërejtsit diplomatikë dhe ushtarakë nuk presin ndonjë përparim në bisedimet e Gjenevës për uljen e tensioneve në Ukrainë, sepse sipas tyre, Putini tani e kontrollon situatën dhe e drejton si të dojë vetë. Madje gjenerali amerikan në pension Montgomery Meigs i tha rrjetit të televizionit amerikan NBC se megjithse Putini ka vendosur rreth 40.000 ushtarë në kufirin me Ukrainën, ai nuk do t’i përdor ato, pasi Kremlini, sipas tij, po realizon objektivat e veta duke shkaktuar frikë e kaos me forca speciale dhe militantë pro-rus që i ka futur në Ukrainë.
Mendohej se shekulli i kaluar i luftërave më të përgjakshme në historinë e njerëzimit u mbyllë me shpresën se po fillonte një shekull i ri me norma dhe standarde të reja në marrëdhënjet ndërkombëtare dhe në marrëdhënjet shtet me shtet, duke shpresuar se normat e vjetra dhe luftërat në Europë do i përkisnin një periudhe tjetër. Madje ish-presidenti amerikan George Bush me euforinë e tij, pas rënjes së komunizmit në kontinentin europian, paralajmëroi për një Europë të re, të tërë e të bashkuar, në paqë.
Por kujt do ia merrte mendja se pak më shumë se 20 vjet pas rënjes së komunizmit dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, megjithë vuajtjet e shkaktuara nga regjimet totalitare të shekullit të kaluar, ja sot Europa dhe bota gjënden përballë një agresioni dhe një lufte tjetër të mundshme, drejtuar nga një pinjoll i atij regjimi komunist që robëroi kombet europiane për më shumë se një gjysëm shekulli. Paqa në Europë po kërcënohet edhe njëherë nga një diktator — pjellë dhe ish agjent i një sistemi komunist i cili me dekada skllavëroi popullin e vet dhe robëroi e nënshtroi edhe popujt e tjerë europianë — tani po kërkon të përsërisë historinë dhe të rivendosë famën dhe të lartësojë lavdinë e Rusisë së madhe, në kurriz të popujve të tjerë europianë. Për ata që e dinë historinë e Europës, në këtë mes nuk ka asgjë të re, sepse Rusia e re vetëm po sillet si Rusia e vjetër sovjetike.
15-VJETË NGA SPASTRIMI ETNIK I NJË POPULLI
Nga Frank Shkreli/
Ishte kulmi i luftës në Kosovë. Periudha Mars-Qershor, 1999 ishte periudha e bombardimeve të NATO-s kundër objektivave të forcave ushtarake dhe policore të Serbisë në Kosovë dhe anë e mbanë Serbisë. Por mbi të gjitha, ishte edhe kulmi i krimeve të luftës më barbare kundër popullit shqiptar në Kosovë, krime të papara dhe të pajetuara deri më atëherë, ç’prej Luftës së Dytë Botërore. Këto krime çnjerzore kundër shqiptarëve nga forcat terroriste serbe, të drejtuara nga kancelaritë më të larta shtetërore serbe, janë dokumentuar mirë nga një numër raportesh kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë raportet e Departmentit Amerikan të Shtetit dhe të një numër organizatash të ndryshme amerikane që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, anë e mbanë botës.
Andaj, ndërsa po flitet për krimet gjatë luftës në Kosovë dhe për krijimin e një Tribunali, ia vlenë që në këtë 15-vjetor të luftës për çlirimin e Kosovës nga forcat terroriste serbe të Millosheviqit, të sjellim ndër mend se cilat ishin krimet e vërteta të asaj lufte dhe se kush ishin kriminelët që i bënë ato krime. Këto krime ishin rezultat i një dhune të sponsorizuar dhe të mbështetur nga të gjtiha instancat e qeverisë serbe dhe jugosllave kundër shqiptarëve, të cilët në atë kohë ishin ende qytetarë të shtetit artificial, që quhej Jugosllavi. Ishte kjo një fushatë e mirë-koordinuar dhe e planifikuar në hollësi që më kohë nga aparatet kriminele të sigurimit serb, shumë më heret se të ndërhynte NATO-ja. Krimet kundër popullësisë civile shqiptare ishin të mëdha dhe të panumërta, shumë prej të cilave kam drojë se nuk do të zbulohen kurrë. Ishin këto krime në shkelje flagrante të të gjitha normave dhe ligjeve ndërkombëtare të luftës.
Krimet serbe kulmuan me dëbimin me forcë të më shumë se 850,000 shqiptarëve në vendet fqinje, kryesisht në Shqipëri, por edhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi, ndërsa me qindra mijëra shqiptarë të tjerë ishin ç’vendosur mbrenda Kosovës. Përveç dëbimit masiv të shqiptarëve drejtë vendeve fqinje me qëllim të spastrimit etnik fizikisht dhe gjeografikisht të Kosovës, forcat kriminele serbe kishin edhe një plan tjetër anti-shqptar për t’a venë në veprim, e ai ishte edhe “spastrimi i identitetit”, siç e cilësuan në atë kohë organizata të ndryshme humanitare dhe të të drejtave të njeriut. Ishte kjo një praktikë ku forcat policore dhe ushtarake serbe të ndihmuar edhe nga civilët e armatosur serbë, dhe nga forcat paramilitare të huaja si ato ruse, në mënyrë sistematike dhe të organizuar konfiskonin dokumentat personale të shqiptarëve, përfshirë letrat e njoftimit dhe targat e makinave, me qëllim për të mos i lejuar ata të këtheheshin më në Kosovë.
Për më tepër, numëri i shqiptarëve të vrarë, sipas burimeve të Departmentit amerikan të Shtetit dhe burimeve të Kombeve të Bashkuara mund të ketë arritur gjatë konfliktit deri në 11,000 veta të hedhur në 529 varrezat masive që diheshin deri atëherë , por numrë i cili nuk përfshinë trupat e djegur të shumë shqiptarve, identiteti dhe fati i të cilëve nuk dihet as sot. Ka pasë të dhëna edhe për ekzekutime në masë të shqiptarëve, në rreth 500 vende anë e mbanë Kosovës. Ndër krimet e tjera të luftës në Kosovë përfshiheshin edhe përdhunimi horror i femërave shqiptare nga forcat terroriste serbe, që mund të jetë një ndër krimet, përmasat e të cilit për arsye të natyrës së krimit, nuk do të dihen kurrë. Si dhe vjedhjet e plaçkitjet e banesave dhe pasurisë së shqiptarëve nga gangsterët dhe vrasësit serbë, të sanksionuar nga udhëheqja serbo-jugosllave. Grupet e të drejtave të njeriut njoftonin në atë kohë, se forcat serbe në fushatën e tyre të pamëshirshme anti-shqiptare, sulmonin mjekët shqiptarë dhe qendrat shëndetsore që frekvetoheshin nga shqiptarët dhe përdorshin qëndra të tilla për aktivitetet e tyre ushtarake, në kundërshtim të plotë me rregullat ndërkombëtare të luftës.
Ishte kjo pra, një përpjekje kriminale e sponsorizuar nga Beogradi zyrtar dhe udhëheqsit e saj më të lartë, jo vetëm për të spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët, duke spastruar njëherazi edhe identitetin e shqiptarëve, por ishte një ndërmarrje masive e Serbisë për të ndryshuar historinë e shqiptarëve dhe të Ballkanit në përgjithësi, në favor të Serbisë, në përpjekje për të zhdukur njëherë e mirë gjurmët e historisë së kombit shqiptar në Kosovën dardane. Duke shkatërruar gjithëçka që ishte shqiptare, forcat serbe donin që në të vërtetë të shkatërronin identitetin kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve. Ky ka qenë historikisht qëllimi i Serbisë, ky është gjithnjë qëllimi i saj.
Të gjithë ata që kanë bërë krime lufte dhe kanë shkelur normat ndërkombëtare të luftës duhet të përballen me drejtësinë. Por brutaliteti i forcave serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, 15 vjetë më pare, ishte një fushatë e egër spastrimi etnik dhe krime lufte të përmasave të pa para në Europë ç’prej Luftës së Dytë botërore kundër një popullësie civile. Ishte kjo një politikë serbe e ndjekur historikisht për shfarosur kombin shqiptar, me të gjitha mjetet që Beogradi kishte në dispozicion, përfshirë edhe spastrimin etnik. Ishte kjo një përpjekje e dështuar e planifikuesve serbë — fal Zotit, NATOS dhe luftës së popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – që sipas mendimit të tyre, për të zgjidhur njëherë e mirë “Albansko pitanje”, ose çështjen shqiptare duke e spastruar Kosovën nga shqiptarët. Urdhëri për dëbimin e pothuaj 90 për qind të shqiptarëve të Kosovës 15 vjetë më parë, nuk ishte asgjë tjetër veçse një rast historik, nga pikpamja e shovinistëve serbë, për të zhdukur gjurmët e kombit shiptar nga trojet e veta shekullore në Dardani. Dhe ata e bënë këtë, ditën për diell, pa u përpjekur aspak të mbulonin faktet.
Ajo që ndodhi në Kosovë nuk ishte një tragjedi, megjithse tragjedi kishte mjaftë personale, familjare dhe këmbëtare, por në të vërtetë ishte diçka më tepër, më djallëzore — ishte një plan për të zhdukur një komb nga faqja e dheut. Kjo gjeneratë e Serbisë është përgjegjëse për krimet që udhëheqsit e sajë kanë bërë kundër shqiptarëve të Kosovës. Krimet që kanë ndodhur në Kosovë janë krahasuar me krimet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore. Andaj si të tilla, ato krime të luftës në Kosovë duhet të dënohen siç janë dënuar krimet e gjenocidit të Luftës së dytë Botërore dhe krim-bërsit serbë të mbahen përgjegjës. Ka ardhur koha që në 15-vjetorin e gjenocidit në Kosovë të mos bëhet politikë me krimet kundër njerëzimit dhe me vrasjet në masë të shqiptarëve.
Frank Shkreli
E VËRTETA ËSHTË GJITHMONË VIKTIMA E PARË
Nga Frank Shkreli/
Është thënë se vërteta gjithmonë është viktima e parë e luftës. Ç’prej se është këthyer për të tretën herë në detyrën e presidentit të Rusisë, më 2012, Vladimir Putin ka marrë masa konkrete dhe me paramendim për të eliminuar të drejtat politike dhe për të mbytur debatin publik duke venë kontrolle të forta mbi median dhe njëkohësisht duke vendosur në krye të enteve të ndryshme mediatike me rëndësi, aleatët e tij politikë. Ai ka filluar të bëjë këtë veprimtari me qëllim për të kontrolluar jo vetëm median në Federatën Ruse, por edhe median dhe transmetimet përendimore në gjuhën rusishte, siç janë ato të Zërit të Amerikës dhe të Radios Europa e Lirë. Analistë të çështjeve ruse thonë se Putini kishte vendosur të bllokonte transmetimet dhe median elektronike të huaj, para se të vente në veprim planet për aneksimin e Krimesë. Për më tepër, ata thonë se bllokimi i mediave të huaja në territorin e Federatës Ruse është një shënjë e keqe, sepse sipas tyre, kjo do të thotë se planet e Rusisë putiniste për agresion nuk do të përfundojnë me Krimenë. Andaj masat e egëra të regjimit të Putinit për tu mbyllur gojën transmetimeve perëndimore dhe për të frikësuar median e pavarur ruse, janë vetëm fillimi i diçkaje më të madhe.
Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli nga koha kur regjimet komuniste të udhëhequra nga Moska, si dhe vendet satelite të saj, u bënin zhurmë programeve radiofonike perëndimore, si Zëri i Amerikës, BBC-ja dhe Radio Europa e Lirë. Për atë kohë, kjo konsiderohej ndoshta si masa më ekstreme për të ndaluar qytetarët e vendeve komuniste të dëgjonin programe që nuk i përmbaheshin vijës zyrtare dhe versionit të lajmeve dhe informacionit të sanksionuar nga ideologët e partisë komuniste.
Zhurma që iu bëhej programeve perëndimore të lajmeve, kishte filluar gjatë Luftës së dytë Botërore, kur regjimi nazist gjerman i bënte zhurmë BBC-së dhe radio tranmetimeve të tjera, por pengesat ndaj radiove perendimore, u intensifikuan, duke u bërë një armë e vërtetë në luftën e ideve, me fillimin e Luftës së Ftohtë e deri në mbarim të saj. Ishte kjo një luftë që i kushtonte udhëheqjes komuniste të Kremlinit miliarda dollarë, për të mos lejuar depërtimin e influencës së ideve perëndimore mbi lirinë dhe demokracinë, në radhët e popujve nën regjimet komuniste. Në të vërtetë, sipas ekspertëve, në atë kohë llogaritej se sovjetikët shpenzonin më shumë fonde për të ndaluar penetrimin e radio programeve perëndimore me valë të shkurtëra dhe të mesme në hapësirat e tyre, se sa i kushtonte Perëndimit për të transmetuar të gjitha programet radiofonike përmbeldhur së bashku, drejtuar ish-Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Europës lindore.
Kjo ishte situata atëherë. Sot, programet perëndimore përhapen në mënyra të tjera. Një ndër to është edhe vendosja e programeve, siç janë ato të Zërit të Amerikës dhe enteve të tjera perëndimore, në stacionet e radiove dhe televizioneve vendore në bazë të marrveshjeve dy palëshe. Kjo praktikë është ndjekur deri tani edhe me programet e Zërit të Amerikës dhe Radios Europa e Lirë dhe Radios Liria, drejtuar Rusisë. Por, sipas Bordit të Guvernatorve (BBG) që drejtojnë dhe mbikëqyrin transmetimet ndërkombëtare amerikane — duke filluar nga viti 2006 — autoritetet ruse kanë filluar dalngadalë eliminimin sistematik të përhapjes së transmetimeve amerikane të lajmeve nga stacionet radio-televizive anë e mbanë Rusisë. Sipas një njoftimi për median, Bordi (BBG) që mbikqyrë transmetimet ndërkombëtare amerikane, tha se ishte njoftuar, kohët e fundit, nga Drejtori i ri i Agjencisë Ruse të Informacionit, Rusia Sot, Dmitry Kiselev — një anti-amerikan ky i përbetuar dhe ksenofob – me anë të një letëre prej një fjalie, se “Ne nuk do të bashkpunojmë me me ju” për transmetimin e programeve të këtij enti, duke u dhënë fund kështu programeve Zërit të Amerikës që deri tani transmetoheshin nga radiot lokale në hapësirën ruse.
“Moska ka zgjedhur rrugën e gabuar duke kufizuar fjalën e lirë”, tha kryetari i Bordit të Guvernatorve, Jeff Shell duke reaguar ndaj vendimit të Moskës për të mos lejuar më transmetimet e Zërit të Amerikës në hapësirën ruse. “Liria e fjalës”, shtoi ai, “Është një vlerë themelore universale, e pranuar si e tillë nga shumë vende të botës.” Zoti Shell u angazhua se enti që ai drejton do të vazhdojë të shpërndajë lajmet në Rusi nepërmjet platformave të tjera si ato digjitale dhe transmetimeve satelitore. Zoti Shell u bëri thirrje autoriteteve ruse që të lejojnë transmetimet ndërkombëtare, duke thënë se,”Megjithëse lufta e Moskës kundër medias së lirë vazhdon, ne po kërkojmë vetëm që programet tona në Rusi, të gëzojnë të njëjtën të drejtë dhe liri veprimi që media ruse gëzon në Shtetet e Bashkuara, përfshirë programin televiziv, Rusia Sot. Populli rus meriton të njëjtën liri lajmesh e informacioni”, tha ai.
Në njoftimin e BBG për media thuhet gjithashtu se vendimi për të bllokuar transmetimet e Zërit të Amerikës dhe Radios Europa e Lirë dhe Radios Liria në rusisht, u mor ndërkohë që autoritetet ruse po zhvillojnë një fushatë të shpejtë dhe të egër madje edhe kundër medias së pavarur vendore dhe të opozitës, anë e mbanë Rusisë, ndërkohë që në Moskë qarkullon lista e “tradhëtarve”, e atyre që nuk ndjekin vijën e propagandistëve të rinjë të Kremlinit. Ndërsa ata kanë shpallur luftë kundër lirisë së medias së zakonshme, njëkohësisht njoftohet se Kremlini është duke shtuar kontrollin dhe censurën edhe mbi internetin.
Analistët që ndjekin çështjet ruse thonë se këto masa që ka marrë kohët e fundit regjimi putinist në Rusi kundër medias së lirë dhe transmetimeve perëndimore në radio-televizionet lokale, është i njëjtë me vendimet e politikës së regjimit komunist sovjetik kur u bëhej zhurmë radio-stacioneve perëndimore, gjatë luftës së ftohtë, vetëm e vetëm për t’i mohuar popullit të vet të drejtën e lirisë së fjalës.
Këto masa kundër lirisë së fjalës, të papara ç’prej periudhës së luftës së ftohtë, duhet të jenë një çështje që të shqetësojë çdo përkrahës të fjalës së lirisë kudo. Kjo sepse, vendimi i regjimit të Putinit për të bllokuar programet radio-televizive ndërkombëtare amerikane është në kundërshtim të plotë dhe të drejtë për drejtë me Deklaratën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat Universale të Njeriut, e cila thotë se: “Çdo person ka të drejtë të gëzojë lirinë e mendimit dhe të shprehurit: kjo përfshinë të drejtën për të shprehur mendimet pa ndërhyrje dhe për të kërkuar dhe për të përhapur informacion dhe ide, nepërmjet çdo media dhe pa marrë parasyshë kufijtë.”
Ndalimi i transmetimeve ndërkombëtare të lajmeve të Shteteve të Bashkuara nga ana e regjimit të Putinit si dhe ushtrimi i censurës ndaj medias ruse në përgjithësi dhe asaj të pavarur në veçanti, është një shkelje e të drejtave bazë të popullit rus dhe një shënjë ogurzezë e një regjimi që me veprat e tija, duket se po zhytet në një konflikt gjithnjë e më të madh me popullin e vet dhe fatkeqësisht po futet edhe në një luftë me fqinjtë dhe me botën, duke rrezikuar kështu rendin dhe marrëdhënjet ndërkombëtare, një rend nga i cili ç’prej mbarimit të luftës së ftohtë, ka përfituar e gjithë bota.
Kohë më parë, revista britanike Economist, ka shkruar se si “Një person që ka jetuar gjatë periudhës së shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, nga pikpamja e tij, Putini i njeh mirë rreziqet që vinë nga media e lirë. Bashkimi Sovjetik mbahej në këmbë nga shtypjet dhe ideologjia. Kur këto dy mbështetse të tij u zhdukën, sistemi sovjetik u shkatërrua. Instrumenti kryesor i qeverisjes së Putinit ka qenë dhe është paraja që ai e ka përdorur për të blerë mbështetjen. Por tani, ndërsa veprimtaria ekonomike ruse po ngadalsohet dhe ndërkohë që monedha ruse tregon shënja lëkundjeje, Putini po përpiqet të forcojë pozitën e tij”. Ai siç duket mendon se mënyra më e mirë për të bërë këtë, është që t’i shpallë luftë fjalës së lire, me vendimet që ka marrë për të mos lejuar transmetimet e lajmeve dhe programet perëndimore dhe njëkohësisht duke censuruar edhe median e pavarur ruse që nuk ndjekë vijën e tij. Revista Economist e përfundon komentin e saj duke thënë se, “Lojërat Olimpike në Soçi kishin për qëllim të mobilizonin popullin rus për një nismë të re. Por pa një media të lirë, krijimi i një vendi të qytetëruar dhe modern, siç u përpoq (regjimi i Putinit) ta shfaqte Rusinë gjatë hapjes së lojrave olimpike, do të mbetet vetëm një ëndërrë dhe asgjë tjetër.”
Historikisht, transmetimeve ndërkombëtare të lajmeve, sidomos atyre nga Shtetet e Bashkuara, u bëhej zhurmë dhe bllokoheshin gjatë periudhave të caktuara dhe politikisht sensitive ose kur regjime të ndryshme diktatoriale planifikonin sulme të mbrendshme ose të jashtëme. Kështu veproi edhe regjimi rus i Putinit kohët e fundit, me bllokimin e programeve të Zërit të Amerikës dhe të Radios Europa e Lirë dhe Radio Liria, duke shpallur të vërtetën dhe lirinë e fjalës, si viktimat e para të luftës dhe të agresionit. Një shënjë ogurzezë kjo për të vërtetën dhe lirinë e shtypit jo vetëm në Rusi, por kudo.
SHQETËSIME PËR ELIMINIMIN E VOA-S SHQIP
Nga Frank Shkreli/Disa ditë më parë Zëri i Amerikës transmetoi lajmin se Bordi i Guvernatorëve për Transmetimet, agjencia e qeverisë amerikane që mbikqyrë të gjitha transmetimet ndërkombëtare, përfshirë edhe Zërin e Amerikës, njoftoi hollësitë e propozimit për buxhetin e vitit financiar 2015, ku parashikohet eliminimi i transmetimeve në gjuhët e Ballkanit, përfshirë programet e VOA-s në gjuhën shqipe. Projekt buxheti për vitin e ardhëshëm, nëqoftse me të vërtetë zbatohet në formën e tanishme, do të eliminonte programet që transmetohen për Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë. Përveç këytre, projekt buxheti parashikon edhe shkurtime të tjera në programet drejtuar vendeve të tjera të botës, por shënon edhe ngritje të buxhetit për disa transmetime në gjuhë të tjera, sidomos për programet drejtuar Azisë dhe Afrikës. Kuptohet se ky lajm nuk u prit mirë nga shumë qarqe, përfshirë natyrisht edhe gazetarët e Zërit të Amerikës. Njoftimi i VOA-s për shkurtimet në fjalë, citoi Kryetarin e Sindikatës që përfaqëson shumë nga gazetarët e këtij enti , Z. Dave Allison, të ketë thënë me atë rast se “me eliminimin e këtyre shërbimeve, Zëri i Amerikës po “tërhiqet” nga misioni i tij historik që filloi në vitin 1942. Ai tha se punonjësve të programeve për Ballkanin iu mbushën sytë me lotë pasi mësuan se shërbimet e tyre përballen me eliminimin.” Megjithëse siç duket, lajmi shqetsues për eliminimin e mundshëm të programeve shqip të Zërit të Amerikës është vështirë të merret me mend dhe të absorbohet nga dëgjuesit dhe shikuesit e ri dhe të vjetër, reagimet shqetsuese në lidhje me këtë propozim kanë filluar të shfaqen privatisht dhe zyrtarisht nga komuniteti shqioptaro-amerikan si edhe nga amerikanë të cilët janë përkrahës të Zërit të Amerikës dhe të enteve të tjera të transmetimeve ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Unë kisha një takim të shtunën me asambleistin shqiptaro-amerikan, Z. Mark Gjonaj i cili shprehu shqetësimet e tija të thella në lidhje me eliminimin e mundëshëm të programeve të VOA-s në gjuhën shqipe. Por ai njëkohësisht shprehu gjithashtu gatishmërinë e sinqertë të tij për të bërë çdo gjë të jetë e mundur për të ndaluar hyrjen në fuqi të këtij projekt-buxheti për mbylljen e programeve të VOAs drejtuar Ballkanit. Si masë fillestare të përpjekjeve të tija në mbrojtje të VOA-s shqip, Asambleisti shqiqtaro-amerikan, Z. Mark Gjonaj i ka nisur një letër kryetarit të Bordit të Guvernatorëve për Transmetimet, Z. Jeff Shell, ku shpreh shqetësimet e tija dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me planet për shkurtimet e propozuara. Ai i drejtohet kryetarit të Bordit, duke i “Shfaqur shqetësimet e tija të thella ne lidhje me shkurtimet e planifikuara në buxhetin e Bordit për vitin 2015, si dhe për planet për të eliminuar programet drejtuar Shqiptarëve në Ballkan.”
Në letrën e tij, kopje të së cilës i ka dërguar, ndër të tjerë, edhe kongresmenëve amerikanë, Eliot Engel dhe Joseph Crowley, Asambleisti Mark Gjonaj thotë se, “Ndërkohë që tensionet botërore janë në rritje e sipër dhe ndërsa paqa në Ballkan nuk është stabile, tani nuk është koha për të bërë shkurtime të programeve drejtuar Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit.” Z. Gjonaj vazhdon letrën e tij, duke theksuar se, “Përpjekjet e Rusisë për të zgjëruar influencën e saj në Europën Lindore, shpeshëherë nepërmjet medias së kontrolluar, nënvijon nevojën e informimit të njerëzve nga një burim i balancuar dhe i besueshëm lajmesh.” Për më tepër, thotë asambleisti shqiptaro-amerikan, ”Media vendore në Ballkan shpesh manipulohet për t’i shërbyer interesave të partive në pushtet ose individëve të fortë, në kurriz të së vërtetës, të fakteve dhe të interesave të Perëndimit.”
Z. Gjonaj vazhdon letrën e tij, duke theksuar rolin e rëndësishëm të medias së lirë, se “Media është metoda më efektive për të diskurajuar forcat ekstremiste për të depërtuar dhe për të vendosur praninë e tyre në rajon… dhe se thelbi i konflikteve të përgjakshme në Ballkan mund t’i atribohet disinformimit dhe shtypjes së informacionit të lirë.” Ai theksoi rëndësinë e rolit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe duke shkruar se, “Komuniteti shqiptar varet në shërbimet e Zërit të Amerikës për lajme dhe informacione të balancuara dhe të pa censuruara.” Asambleisti shqiptaro-amerikan, Z. Mark Gjonaj e përfundon letrën e tij duke thënë se, “Me qëllim që të mbrohen interesat e Shteteve të Bashkuara, Zëri i Amerikës duhet të vazhdojë të shërbejë si burim i besueshëm lajmesh dhe informacioni”.
Ndërkaq, edhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) njofton se në mbështetje të VOA-s, ka filluar kontaktet me anëtarët e Kongresit amerikan si dhe me ente të ndryshme qeveritare që merren me politikën e jashtme dhe me transmetimet ndërkombëtare të Shteteteve të Bashkuara. Kryetari i bordit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Martin Shkreli lavdëroi punën dhe rolin që VOA-s shqip ka luajtur deri tani në informimin e shqiptarëve dhe u angazhua se organizata që ai kryeson do të bëjë çdo gjë që është e mundur që Bordi i Guvernatorpve për Transmetimet të ndryshojë propozimin e tij për eliminimin e VOA-s shqip. Ai tha se KKSHA, nepërmjet zyrës së saj në Washington, në lidhje me këtë çështje, “Është në kontakt me anëtarët e grupit të kongresistëve që merren me çështjet shqiptare në Kongresin amerikan, për të siguruar përkrahjen e tyre, për vazhdimin e programeve të shërbimit shqip të Zërit të Amerikës.” Kryetari i KKSHA, e cilësoi Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe si, “Një burim jetik dhe i pazëvëndsueshëm lajmesh dhe informacioni për Shqiptarët në trojet tona në Ballkan dhe më gjërë…si një burim i rëndësishëm lajmesh dhe analizash dhe si një shembëll standardesh të gazetarisë perëndimore.”
Përveç reagimeve të komunitetit shqiptaro-amerikan kundër planeve për mbylljen e programit shqip të VOA dhe të gjuhëve të tjera drejtuar Ballkanit, edhe ente amerikane dhe individë të interesuar – disa kanë reaguar publikisht e disa privatisht — por të cilët janë të vetdijshëm mbi rolin që ka luajtur dhe luan VOA në Ballkan, u janë bashkuar reagimeve kritike duke bërë thirrje për eliminimin e këtij projekt buxheti, dhe jo mbylljes të shërbimeve të VOA-s drejtuar vendeve të Ballkanit.
BBGWatch, një organizatë që merret me median botërore, në websajtin e saj pasqyron letrën e lartë-përmendur të asambleistit shqiptaro-amerikan nga Nju Jorku, Mark Gjonaj dhe njëkohësisht shpreh përkrahjen ndaj VOA-s, por edhe shqetsimet e saj në lidhje me shkurtimet e propozuara në transmetimet ndërkombëtare të Amerikës. BBGWatch thekson se, “Komuniteti Shqiptaro-Amerikan ka aleatë të fortë në Kongresin Amerikan, të cilët përkrahin zgjërimin dhe jo shkurtimet në transmetimet ndërkombëtare amerikane.” BBG Watch, përmend Kongresistin Eliot Engel dhe Joseph Crowley. BBGWatch shkruan gjithashtu se edhe enti tjetër jo-qeveritar, Komisioni për Transmetimet Ndërkombëtare (CUSIB), është tepër i shqetësuar në lidhje me eliminimet e propozuara të programeve të VOA-s, drejtuar Ballkanit. BBGWatch citon një burim të besueshëm dhe që i njeh mirë transmetimet ndërkombëtare të Amerikës, i cili bën thirrje për emërimin e një manaxheri të fortë që të njohë mirë organizatën dhe mënyrën se si funksionon ajo, — ashtu që t’a këthej atë në një media efektive ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, e cila gëzon njëkohësisht edhe përkrahjen e grupeve të interesuara amerikane siç është komuniteti shqiptaro-amerikan dhe të tjerë.”
Ky është vetëm fillimi. Procesi i miratimit të buxhetit për vitin e ardhëshëm financiar është një proces i gjatë dhe i koklavitur. Historikisht, buxhetet federale gjatë procesit të shqyrtimit dhe miratimit ose jo, pësojnë ndryshime të mëdha dhe shpeheherë as nuk i përngjajnë buxhetit të paraqitur tani. Kështuqë, megjithëse ka më shumë se një vit nga koha që, pas debateve të gjata e të ashpëra hyn në fuqi buxheti i vitit 2015, nuk është aspak heret që qysh tani të ushtrohet influenca e çdo personi dhe e çdo organizate që ia di vlerën VOA-s, duke kontaktuar përfaqsuesit tuaj në Kongresin dhe në Senatin Amerikan — në cilin do shtet të Amerikës që të jetoni – ashtu që eliminimi i propozuar i programeve të VOA-s shqip të mos bëhet realitet.
NGROHJA GLOBALE
Nga Frank Shkreli/
Raporti i fundit i Grupit të Ekspertëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi Ndryshimet Klimaterike që u njoftua të hënën në Yokohama të Japonisë, paralajmëron se ngrohja globale paraqet rreziqe, në rritje e sipër, ndaj shëndetit të njerëzve, ndaj mundësive ekonomike si dhe ndaj furnizimeve me uj dhe me ushqime, për popujt anë e mbanë botës. Shkencëtarët e Kombeve të Bashkuara bëjnë thirrje për marrjen e masave urgjente kundër efekteve të ngrohjes globale. Raporti thotë se bota duhet t’i kushtojë një vemendje më serioze këtij problemi, pasi pasojat e ngrohjes globale po ndihet kudo, duke shkaktuar mungesë në ushqime, fatkeqsi natyrore dhe këto, si rrjedhim shtojnë rreziqet për shpërthime lufte. Raporti thekson se, sot për sot, bota nuk është e përgatitur për tu përballur me ndryshimet klimaterike. Raporti i shkencëtarve të OKB-së, shton se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme, dhe paralajmëron se njerëzimi është sigurisht përgjegjës dhe shkaktar i ngrohjes globale, e cila mendohet se ka shkaktua thatësira, temperatura të ftohta dhe rritjen e nivelit të ujrave të deteve, anë e mbanë botës.
Reagimet ndaj këtij raporti ishin të shpejta dhe alarmuese, duke filluar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerry e deri tek Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Xhon Kerry reagoi duke thënë se Shtëpia e Bardhë e konsideron raportin e ekspertëve të OKB-së si një thirrje për veprim dhe u bëri thirrje vendeve të botës që të zgjojnë nga gjumi sistemet e tyre politike, sepse sipas tij, “Sa më shumë që të vonojmë marrjen e masave konkrete kundër ngrohjes globale, aq më i madh bëhet rreziku”, dhe shtoi duke theksuar se: “Nëqoftse lexoni këtë raport, nuk mund të mohohet realiteti. Andaj, nëqoftse nuk veprojmë në mënyrë dramatike dhe shpejt, shkenca na thotë se klima dhe standardi i jetesës sonë, janë në rrezik.” Xhon Kerry shtoi se “përgnjeshtrimi i fakteve të shkencës është abuzim dhe se kostoja e mos-veprimit, është katastrofike”, për botën.
Kryediplomati amerikan tha se, “asnjë vend i vetëm nuk shkakton ngrohjen globale, dhe si përfundim asnjë vend i vetëm nuk e ndalon dot”, andaj duhet të ndërmerren masa të përbashkëta nga komuniteti ndërkombëtar, në nivel botëror duke u angazhua njëkohësisht se Shtetet e Bashkuara po përballen me sfidën që paraqet ngrohja globale duke zbatuar “Planin e Presidentit Obama mbi Klimën” dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara janë gati të arrijnë marrveshje me vendet e tjera, në kuadër të konventëns së OKB-së për ndryshimet klimaterike dhe ngrohjen globale.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon dha alarmin të ënjtën në Bruksel për rreziqet që ai thotë se i vinë botës nga ngrohja e planetit. Pasi kishte shkuar në Grinland për të parë nga afër efektet e ndryshimit të klimës në atë mjedis, udhëheqsi i OKB-së, bëri thirrje për marrjen e masave kolektive për tu përballur me këtë situatë, “në të gjitha frontet, para se të jetë tepër vonë”, tha ai. “Ndërsa po ngrohet klima botërore”, theksoi ban Ki Moon, “akulli i Grinlandës do të shkrihet më shpejtë dhe si përfundim do të kontribojë në rritjen e nivelit të ujit që kërcënon tanimë qindëra miliona njerëz në vendet e ulëta dhe në qytetet bregdetare”, anë e mbanë botës.
Duke komentuar raportin e ekspertëve të OKB-së mbi ngrohjen globale, Ban Ki Moon tha në Bruksel, ku gjëndet për një javë tani për bisedime me zyrtarët e Bashkimit Europian mbi një numër çështjesh urgjente botërore, se, “Qëllimi im është të bindë qeveritë e vendeve anëtare të OKB-së, si dhe bizneset botërore dhe publikun e gjërë, se ndryshimet klimaterike përbëjnë rrezik për sigurinë, begatinë dhe zhvillimin e vazhdueshëm të njerzimit në të të ardhmen”. Ai shtoi se ky fenomen ka prekur tanimë bujqësinë, shëndetin e njerëzve dhe sistemet e ndryshme ekologjike dhe eventualisht mund të prekë negativisht edhe sigurinë botërore, veçanërisht si rrjedhim i mungesës së ushqimeve dhe ujit. “Anë e mbanë botës”, tha Ban Ki Moon, “është e qartë se ndryshimet klimaterike po ndodhin dhe se veprimtaritë njerëzore janë shkaku kryesor i këtij fenomeni . Ne duhet të veprojmë tani mbi ato që dime nga shkenca, duke marrë masa urgjente, para se të jetë tepër vonë. Problemi është global dhe secili ka një rol për të luajtur në këtë mes”, shtoi ai dhe theksoi se Europa, jo vetëm që ka mundësitë, por ka edhe përgjegjësitë për të kryesuar përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve ndaj këtij problemi në kontinentin e saj dhe njëherazi të luaj edhe rolin kryesor në ndërmarrjet ndërkombëtare, si dhe në negociatat botërore mbi ngrohjen globale, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.
Përveç thirrjes që u bëri qeverive për angazhimin e tyre në këtë fushatë, Ban Ki Moon tha se edhe “shoqëria civile dhe sektori privat duhet të luajnë rolin e tyre të rëndësishëm”që u përket atyre duke shtuar se sektori i biznesit duhet të jetë pjesë e zgjidhjes dhe jo shkaktar i problemit. Ai përfundoi duke thënë se për tu përballur me problemin e ngrohjes globale, “Kemi nevojë për kurajo politike, njohuri teknologjike dhe ndjeshmëri ndaj nevojave njerëzore.” Njerëzimi, tha ai, “E ka shkaktuar këtë problem dhe vetëm ne mund ta zgjdhim atë”.
Në vitet e fundit, fenomeni i ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimaterike ka vazhduar të jetë një çështje që ka shkaktuar kundërshtime dhe debate të ashpëra politike, pro dhe kundër. A ka arsye për alarm, apo është ky një trillim i disa shkencëtarve dhe i disa politikanëve për përfitime personale ose ideologjike? Megjithëse raporti i lartëpërmendur i eskpertëve të OKB-së u cilësua si, “prova më solide që mund të arrihet në cilën do fushë shkencore”, nga Organizata Meteorogjike Botërore, disa të tjerë kanë thënë se raporte të tilla përhapin panik të panevojshëm. Madje edhe njëri prej autorëve të raportit të eskpertëve të OKB-së, Profesori Richard Tol, i Universitetit Sussex në Angli u tërhoq nga grupi që kishte shkruar raportin, duke thënë se sipas mendimit të tij, raporti — i shkencëtarve të organizatës botërore mbi paralajmërimet mbi ngrohjen globale — ishte tepër alarmist.
- « Previous Page
- 1
- …
- 145
- 146
- 147
- 148
- 149
- …
- 175
- Next Page »