• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

POLITIKA GREKE NË BALLKAN

February 20, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Këtë javë, zëvendës Kryeministri dhe Ministri i jashtëm i Greqisë,  Zoti Evangelos Venizelos po bën një turne në kryeqytetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kapacitetin e tij si President i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian.  Zoti Venizelos, sipas Ministrisë së jashtme greke, vizitoi të hënën Beogradin ku u takua me udhëheqsit më të lartë të Serbisë, dhe një ditë më vonë ai qëndroi në Podgoricë për takime me udhëheqsit malazezë.  Ai gjithashtu vajti në Sarajevë dhe u ndalua edhe në Prishtinë për një vizitë të shkurtër ku u takua me Kryeministrin, Zotin  Hashim Thaçi dhe me Ministrin e Jashtëm, Zotin Enver Hoxhaj. Nga Prishtina, zyrtari i lartë grek shkoi në Shkup ku zhvilloi takime me udhëheqsit e atij vendi, përfshirë edhe kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Zotin Ali Ahmeti.   Nga Shkupi ai udhëtoi për në Tiranë ku, sipas Ministrisë së Jashtme greke,  ai do të takohet të premten me udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare, përfshirë Kryeminstrin Edi Rama, “vetëm për vetëm”, ose “kokë më kokë”, sipas njoftimit të Ministrisë së jashtme greke, e që do të pasohet me takime të tjera përfshirë Ministren për Integrimin Europian, Klajda Gjosha, presidentin, Zotin Bujar Nishani,  kryeparlamentarin, Zotin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demorkatike në opozitë, Zotin Lulëzim Basha.    Në njoftimin e Ministrisë greke të Punëve të Jashtme theksohet gjithashtu  fakti se në agjendën e  zyrtarit të lartë grek në Kryeqytetin shqiptar është edhe darka ku “do të  marrë pjesë Kryepeshkopi  Anastasios i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë”, thekson njoftimi i Ministrisë greke. 

 

Duhet pritur për të parë se cilat janë përfundimet e vizitës së Zotit Venizelos në Tiranë, por nga ato që janë njoftuar deri tani nga vizitat e kësaj jave në kryeqytete të tjera të Ballkanit, politika e jashtme greke karshi  këtyre vendeve, sidomos karshi Serbisë dhe shqiptarëve, është e njëjta si gjithmonë, kryesisht në favor të Serbisë dhe jo në favor të shqiptarëve.  Në Prishtinë, ai u deklarua se është në favor të integrimit të Kosovës, por dihet se Greqia  është njëra prej pesë vendeve të Bashkimit Europian (BE) që nuk e njehpavarësinë e Kosovës, por ai njëkohësisht tha se vendi i tij nuk do e pengojë Kosovën në rrugën e saj drejtë integrimeve euro-atlantike, ndërsa ai nuk u prononcua se si presidente e BE-së për gjashtë muajt e ardhëshëm, Greqia nuk do e ndihmojë Prishtinën drejtë integrimit europian.   As nuk e pengon as nuk e ndihmon!

 

Ndërsa në Beograd, aty ku edhe e filloi turneun e tij, sipas medias vendase, Zoti Venizelos në takimet e tija me udhëheqsit serbë, tha se Athina do të bëjë çdo gjë të mundur për të ndihmuar Serbinë drejtë integrimit europian, megjithëse, Zoti Venizelos, si president i Këshillit të Ministrave të jashtëm të BE-së, e di se një prej kërkesave themelore të BE-së për pranimin e Serbisë është pikërisht normalizimi i marrëdhënjeve të saj me Kosovën.  Në të vërtetë për sa kam mundur të shoh në shtyp, nuk kam parë se në bisedimet e tija në Beograd te jetë  përmendur kund fjala ”Kosovë”, megjithëse ka  mundësi të jetë censuruar nga vet media.  Gjatë vizitës së tij në Beograd, Zoti Venizelos ra dakord me udhëheqsit e serbë, se Serbia nuk ka mik më të madh se Greqinë në Bashkimin Europian dhe njëkohsisht ata theksuan investimet e mëdha që Greqia ka derdhur në Serbi gjatë viteve.  Ata njëherazi njoftuan marrveshjen për një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, gjatë këtij viti.

Ndërkaq, revista e njohur britanike, The Economist njofton sot se akuzat për zbulim korrupsioni në sektorin publik grek vazhdojnë duke thënë se kësaj radhe akuzat i drejtohen Ministrisë së Jashtme të Greqisë, e cila sipas  The Economist, ka keqpërdorur fondet e dhëna grupeve jo qeveritare greke që veprojnë jashtë vendit, kryesisht në rajonin e Ballkanit.  Sipas revistës  britanike shumica e këtyre enteve jo qeveritare nën umbrellën e organizatës “Ndihma Helene”, u themeluan me aprovimin e ish kryeministrit  Xhorxh Papandreu, nga viti 2000 deri më 2008.  Revista Economist thotë se dyshohet se disa prej këtyre fondeve mund të kenë shkruar drejtë mbrojtjes dhe strehimit të kriminelit  të luftës serbo-boshnjakut  Radovan Karaxhiq, kur ai ndiqej nga forcat e NATO-s për tu arrestuar për krime lufte.  Revista britanike shkruan, për atë që ishte e qartë gjatë luftërave në ish- Jugosllavi se, “aktivistë të Pasokut (Partia e Papandreut) ishin mbështetës të fortë të serbëve gjatë shpërbërjes së Jugollavisë.”, ndërsa shton revista se, “gjatë kohës që Andreas Papandreu (I ati i Xhorxh Papandreut) ishte kryeministër i Greqisë, partia Pasok furnizoi regjimin e Slobodan Millosheviqit me ndihma financiare dhe teknike, dhe se deri në arrestimin e tij, Karaxhiqi pritej me krah hapur nga zyrtarët grekë në Athinë.   Revista The Economist thotë se Xhorxh Papandreu përgnjeshtron të ketë bërë ndonjë gjë kundër ligjore.

Duke u bazuar në historinë e re dhe të vjetër të Ballkanit, politika e jashtme greke ka nevojë për një ushtrim vullneti më të mirë dhe për një transparencë  më të madhe në marrëdhënjet me vendet Ballkanit Perëndimor, por sidomos ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, nëqoftse me të vërtetë Athina dëshiron që — siç tha edhe vet Zoti Venizelos — të çojë përpara përspektivat europiane dhe euroatlantike për rajonin. Atëherë kjo duhet të bëhet për të gjitha vendet e rajonit pa përjashtim, si një hap i rëndësishëm  që e kërkon koha tashmë, për stabilitetin dhe paqën në rajon dhe në kon tinetin europian.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, ne Ballkan, Politika Greke

AKTUALITETI I FJALËVE TË SAMI FRASHËRIT:SHQIPËRIA Ç’KA QENË, Ç’ËSHTË E Ç’DUHET TË BËHET

February 18, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara, e hëna e tretë e shkurtit festohet çdo vit si Dita e Presidentëve, me rastin e ditëlindjeve të baballarëve të kombit, Xhorxh Uashingtonit dhe Abraham Linkolnit, për të përkujtuar kontributin e tyre në themelimin dhe në ruajtjen e unitetit kombëtar, por edhe për të pasqyruar trashëgiminë e vlerave të tyre, për të gjithë brezat e amerikanëve.  Amerika, ndoshta si asnjë vend tjetër, kujton dhe ruan trashëgiminë historike të kombit dhe të udhëheqsve dhe patriotëve të gjithë historisë së saj.   “Një komb”, ka thënë presidenti Xhon Kenedi, “e tregon veten me burrat që dalin nga trupi i tij, por një komb e kallëzon veten gjithashtu edhe me burrat që ai nderon dhe me burrat që kujton…”

Edhe kombi shqiptar gjatë historisë së tij ka pasur burra të cilët meritojnë të kujtohen dhe të nderohen për kontributet e tyre ndaj kombit dhe për trashëgiminë e tyre historike, kulturore dhe shpirtërore. Njëri prej këtyre burrave të kombit shqiptar është edhe Sami Frashëri, i cili këtë vit mbushë 110-vjetë nga vdekja e tij.  Viti 2014 shënon gjithashtu edhe 115-vjetorin e manifestit politik dhe ideologjik, “Shqipëra ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, botuar nga Sami Frashëri në Bukuresht të Rumanisë më 1899, i cili sipas historianëve, është një nga veprat më të njohura të Rilindjes Shqiptare, që kontriboi drejtë pavarësisë së Shqipërisë më 1912.   Në këtë manifest, Sami Frashëri flet për të kaluarën, për periudhën në të cilën jetonte ai dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, si e shikonet ai.  E cilëson Gjergj Kastriotin-Skënderbe si një burrë që rrallë i ka shokët e tij në histori dhe deklaron se periudha e udhëheqjes së tij ishte  ”m’ë bukur e m’ë bekuar e gjithë kohërave për vendin tënë, se atëherë i gjithë kombi ishte i bashkuar dhe u nderua në gjithë botën”, shkruan Sami Frashëri.   Në të vërtetë kjo është vlera dhe trashëgimia politike dhe shpirtërore e mesazhit të tij shkruar 115 vjetë më parë, dhe i cili duhet të tingëllojë edhe sot si një kambanë e zgjimit kombëtar për ata që duan ta dëgjojnë, sa nuk është vonë: Bashkimi i Shqiptarëve me një mendim e me një qëllim. Ai shkruan gjithashtu, si një profetë sikur të kishte paraparë përpjekjet e sotëme të shqiptarve për tu integruar në Europë, duke thënë se, si njëri prej kombeve më të vjetra të Europës, shqiptarët kanë të drejtë të jetojnë në liri dhe të zënë vendin që u takon midis popujve të qytetëruar të Europës.

Analiza që Sami Frashëri i bën situatës së atëhershme, me të cilën përballej Shqipëria, tingëllon e freskët edhe për gjëndjen aktuale sot.  Ai flet për rreziqet e jashtëme, me të cilat sipas tij përballej kombi shqiptar, e që ishin, “zgjedha e huaj”, “lakmitë shoviniste të fqinjëve”, por mbi të gjitha ai flet edhe për rrezikun e madh që i kanoset kombit nga, ”grindjet dhe përçarjet midis shqiptarëve”.

Mesazhi i manifestit  “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, i ka qëndruar kohëve dhe shërbën edhe sot si një udhëzim dhe ndriçim për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për dashurinë ndaj vendit dhe për dashurinë për njëri tjetrin, ndërkohë që u bën thirrje shqiptarëve të të gjitha kohërave: “O burrani, o shqiptarë ! Zihuni me të dy duart në besë, në lidhje e në bashkim, se kjo do t’ju shpëtojë!”   Sikur donte të  lente një amanet për gjithë brezat, ai i porositë shqiptarët për bashkim, si një qëllim madhor, duke shkruar:  “Ja qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim, një besë!”

Sami Frashëri me manifestin e tij politik të para 115 viteve sfidon shqiptarët edhe klasën e sotëme politike që të ri-zbulojë dhe të rivlersojë këshillat dhe udhëzimet e tija me qëllim për të ringjallur rishtas, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit- Skënderbe, unitetin dhe krenarinë kombëtare, për të punuar për të mirën e përbashkët afatgjatë të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.  Në këtë drejtim, thotë Sami Frashëri, ”Të mos trembemi nga asgjë, të përpiqemi që mos të pushojmë deri sa të fitojmë atë që kërkojmë; jemi në të drejtën tonë; Perëndia është gjithnjë ndihmësi i të drejtëve, Perëndia është e drejta vetë!” Prandaj, këshillon ai, “Të mos rrimë të mpirë e të ngrirë, të levizim duar e këmbë, të tundemi e të lëkundemi, të ecim të lirë në udhën e Perëndisë, në udhë të së drejtës: Perendia, e drejta, kombi, gjuha, Shqipëria, Shqiptaria.”   Është interesant se si Sami Frashëri i balancon të drejtat e njeriut dhe të kombit duke u bazuar në filozofinë klasike të të drejtave natyrale dhe në natyrën e Perëndisë, duke shkruar se ”Perëndia është e drejta vetë.”

Sami Frashëri, në shkrimet e tija, është i qartë gjithashtu  se sipas tij dhe mendimeve të rilindasve të asaj periudhe mendimet e të cilëve ai pasqyron, politika nuk duhet të përdoret si një mjet për avancimin e ngushtë të interesave personale e vehtjake në kurriz të interesave madhore të kombit, kritikë kjo për jo vetëm për bashkohasit e tij, por edhe për sot.   Ai shkruan se si është e mundur që, “Një komb kaq trim e që se kursen gjakun, të humbasë duke u copëtuar prej kombeve të dobët e të frikshëm!  Mend  kemi, trimëri kemi, gjuhë të bukur e të lehtë kemi, e të mos dimë a të mos duam t’i përdorim gjithë këto për të mirën tonë, po të rrimë me duar lidhur.  Kjo është më e keqja, të punojmë për humbjet tona, të nxjerrim themelet e kombit tonë me padituritë e të verbërve të vetë ?!”

Duke lexuar disa prej shkrimeve të Sami Frashërit njeriu ndahet me ndjenjën se dashuria për kombin dhe për njëri tjetrin — parime themelore këto që predikonin rilindasit shqiptarë 100- e ca vjetë më parë — duhej ishte dhe të mbetet baza morale e politikës së një shoqërie,që njëkohësisht është edhe çelsi për sigurinë e mbrendshme, por edhe që kombi shqiptar të njihet nga bota për kontributet e tij, si në kohën e Gjergj Kastriotit, siç shkruan Sami Frashëri.

Për ringjalljen, rivlersimin dhe zbatimin e këtyre parimeve shqiptuara nga  rilindasit si Sami Frashëri, ekziston një nevojë urgjente ashtuqë kombi shqitar të shkojë me hapa të sigurt drejtë së adhmes.  Nevojitet shkrirja e këtyre ideve dhe avancimi i këtyre parimeve politike, kombëtare dhe shpirtërore, natyrisht nën rrethanat e tanishme, për të ndryshuar drejtimin e të ardhmes së shqiptarëve.  Por kjo nevojitë gjithashtu edhe një strategji afatgjatë kombëtare, nga burrshtetas të stërvitur dhe të bindur në parimet e rilindasve, gjë që kërkon guxim moral, aftësi politike dhe njohuri praktike.  Janë këto parime morale dhe politike të rilindasve si dhe zbatimi i tyre, dhe jo një parti, një qeveri, madje as zgjedhjet e kaluara apo të ardhëshme, ato që do të vendosin të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.

Le të shërbejë 110-vjetori i vdekjes së Sami Frashërit dhe 115 vjetori i programit të tij politik dhe ideologjik “Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet”, si një rast për të ri-zbuluar parimet dhe idetë e Sami Frashërit dhe rilindasve të tjerë të kombit shqiptar, parime këto që gjithnjë janë aktuale të freskëta dhe të pavdekshme.  Shqipëria dhe kombi shqiptar mbijetuan falë veprave dhe sakrificave të rilindasve megjithë dështimet historike të brezave të 100-viteve të fundit.   Prandaj tu jemi mirënjohës atyre për atë që krijuan si dhe për trashëgiminë që lanë pas, një trashëgimi kjo e pasur kombëtare, morale dhe politike, e cila duhet të ruhet të zhvillohet dhe të pasurohet brez pas brezi.

Filed Under: Featured Tagged With: c'do te behet, c'eshte, c'ka qene, Frank shkreli, Sami Frasheri, shqiperia

ËSHTË E RREZIKSHME NOSTALGJIA KOMUNISTE NË NJË DEMOKRACI TË PAPJEKUR

February 13, 2014 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Duket se kohët e fundit në Shqipëri po frynë një erë e re nostalgjie për ish-regjimin komunist, ku politikanë, historianë dhe intelektualë, me vepra dhe me fjalë po përpiqen t’i imponojnë shoqërisë një rivlersim të ri të regjimit komunist dhe të diktatorit Enver Hoxha. Mjaftë, thonë ata, është folur keq dhe boll është denoncuar regjimi komunist, tash 20 e sa vite. Ka ardhur koha, sipas tyre, të këthehet rrota e historisë, duke shikuar mbrapa! Me rastin e 29 nëntorit të viti që kaloi, portreti i diktatorit Enver Hoxha ishte i pranishëm gjatë homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të kombit, ku  morën pjesë udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe të qeverisë shqiptare.Mediat shqiptare njoftuan me atë rast se portreti i Enver Hoxhës ishte vendosur aty në përputhje me protokollin dhe me dijeninë e plotë të zyrtarëve përgjegjës për atë ceremoni.Ndërsa pak ditë më parë, udhëheqës politikë dhe historianë duke folur për rolin historik të 4 shkurtit, me rastin e 70-vjetorit të vrasjeve në Tiranë, kanë bërë thirrje për rivlersimin e figurës së Enver Hoxhës,  për të vendosur drejtësinë, sipas tyre, por pa dhënë asnjë vlersim kritik të krimeve dhe dështimeve kolosale të regjimit komunist. Zbulimi i së vërtetës mbi 4 shkurtin, si edhe i shumë ngjarjeve të tjera të gjysëm shekullit të kaluar, do të bëhet nga historianët e ardhëshëm të Shqipërisë dhe nuk mund të imponohet nga ideologët dhe mësuesit e makrsizëm-leninizmit dhe as nga politikano-historianët.  Për më tepër, debati mbi vendimin me konsensus të palëve, dhe tani  thirrjet nga disa për ç’emërimin e rrugës “Ibrahim Rugova”, të kujton   termin përbuzës për një vend që vepron si ”republikë bananash” –sot kështu nesër ashtu– e që përshkruan një diktaturë servile, ose një vend që qeveriset si një ndërmarrje tregtare për përfitime dhe interesa private, politiko-partiake të përkohëshme.   Fatkeqsia është se këto deklarata për rivlersimin e rolit të Enver Hohës,  nuk bëhen nga njerëz që mund të kenë vetëm një kuriozitet i një teme anësore historike, por bëhen nga pjesëtarët më të lartë të elitës politike dhe intelektuale të vendit, të cilët e kanë përjetuar atë sistem çnjerzor e të cilët i dinë mirë pasojat  e atij regjimi, dhe si të tillë duke e ditur influencën e tyre politike dhe shoqërore, ata duhej të ishin më të ndërgjegjëshëm moralisht dhe politikisht, kur bëjnë prononcime të tilla.
Me deklarata të tilla të papërgjegjëshme, ata as nuk i shërbejnë së vërtetës historike as paqës dhe pajtimit kombëtar, për të cilin shqiptarët kanë aq shumë nevojë.  Nostalgjikët e komunizmit enverist, ndërsa bëjnë thirrje për rivlersimin e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij, ata nuk thonë asgjë, as nuk tregojnë asnjë mëshirë ndaj të ashtuquajturës “klasë e pëmbysur”,  sikurë të deklasuerit dhe armiqtë e përhershëm, siç quheshin ata, nuk kanë vuajtur mjaftë. A ishin/a janë edhe këta shqiptarë?  Megjithëse çdo gjë që bëhej kundër tyre nga regjimi komunist –përndjekjet, arrestimet, burgosjet, kampet e përqendrimit, ndarja e familjeve e tjera — bëheshin në emër të popullit,  sikur këta të mos ishin pjesë e atij populli, as njerëz, lere më të konsiderohen si vëllëzër e motra të një gjaku.  Por, e vërteta është se ishin këta “armiq të popullit”, të cilët me punën e tyre ndërtuan “veprat e mëdha socialiste” me të cilat krenohej Enveri dhe regjimi komunist dhe me të cilat mburren edhe sot nostalgjikët e tij.  Ata të shkretët thanë kënetat, ndërtuan  rrugë, aeroporte dhe hekurudha dhe punuan në minjerat e vendit.  Është e vështirë të merret me mend se si dikush mund të ketë vizione nostalgjie për një sistem që ka abuzuar në këtë mënyrë me të drejtat e qytetarëve të vet për pothuaj një gjysëm shekulli.   Megjithëse kuptohen zhgënjimet që njerzit në përgjithësi mund të kenë me zhvillimet politike dhe ekonomike pas përmbysjes së komunizmit, nostalgjia për ferrin komunist të Enver  Hoxhës nuk mund të jetë sot një alternative dhe me shprehje të tilla i bëhet një shërbim shumë i keq brezave të ardhëshëm. A është e mundur se krimet e njërit prej sistemeve më brutale të ish botës komuniste  po zhduken nga kujtesa kolektive në Shqipëri?
Kjo është një temë që duhet të debatohet seriozisht!  Këta njerëz që flasin dhe shkruajnë në këtë mënyrë, a kanë me të vërtetë, vetëm vizione nostalgjike të gabuara, apo janë gjithnjë  ideologë mbështetës të atij sistemi —  apo është një elitë ish komuniste e zemëruar që konsideron se ka humbur statusin dhe privilegjet e saj, megjithëse shumë veta do të thonin se këta që flasin me mall për regjimin enverist, si dhe ata që heshtin ndaj deklaratave të tilla, janë e njëjta elitë politike dhe intelektuale, ose pinjollët e ish-elitës komuniste, ata që kanë udhëhequr Shqipërinë këto 20-vitet e fundit.  Një debat i tillë i sinqertë,  është tepër i nevojshëm që vendi më në fund, të përballohet njëherë e mirë me të kaluarën komuniste të vendit, por më me rëndësi janë efektet që kjo histori vazhdon të ketë në zhvillimet politike, shoqërore dhe ekonomike, tani dhe në të ardhmen.   Është kjo një histori, trashëgimia e së cilës meriton të denoncohet dhe jo të mbrohet, nëqoftse vendi dëshiron të shkojë përpara dhe të integrohet në Europën e bashkuar.

Udhëheqsi rus,Vladimir Putin ka thënë se e konsideron përmbysjen e komunizmit në ish Bashkimin Sovjetik, si “Tragjedinë më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të.”  Pasi  ai ka siguruar tanimë se do të qëndrojë në krye të pushtetit në Kremlin për jetë, ai me përpjekjet e tija politike, diplomatike dhe ushtarake është duke bërë ç’mos për të ringjallur, në mos në emër, atëherë në fakt, ish-Bashkimin Sovjetik.  Vall mos mendojnë kështu edhe nostalgjikët e regjimit komunist në Shqipëri?  Njëzet e sa vjetë më parë, shqiptarët i thanë jo komunizmit duke  shprehur dëshirën e tyre për liri e demokraci dhe për një jetë më të mirë, madje duke rrezikuar edhe jetën, në përpjekjet e tyre për të përmbysur një tirani që e kishte këthyer Shqipërinë në një burg në midis të Europës, duke mos lejuar askënd të hynte as të dilte. Shqiptarët e rrëxuan murin e tyre të berlinit.  Kjo revoltë ishte një alternativë e qartë që shqiptarët kishin zgjedhur më shumë se dy dekada më parë, duke u përcaktuar qartë dhe me vendosmëri për fitoren e së mirës mbi të keqen.

Prandaj deklaratat e elitës politike dhe intelektuale, të kohëve të fundit, për rivlerësimin e rolit të Enver Hoxhës, si dhe vendosja e portretit të diktatorit në një ceremoni zyrtare nëntorin që kaloi dhe heshtja, në përgjithësi, ndaj këtyre fenomeneve në shoqërinë shqiptare 20 e sa vjetë pas përmbysjes së regjimit komunist, venë në dukje një dështim të përgjithshëm moral dhe politik për tu përballuar me të keqen dhe për tu marrë me trajtimin e drejtë të historisë.  Por për më tepër, në fakt këto fenomene, që në të vërtetë nuk janë të reja, të bëjnë të dyshosh nëse, siç ka thënë edhe Ismail Kadare, “Muri i mbrojtjes së solidaritetit të së keqës, po ngrihet”, në Shqipëri.  Ngritja e një muri të ri në mbrojtje të së keqes, do të ishte tepër e rrezikshme për një vend që ende cilësohet nga organizatat ndërkombëtare i të drejtave të njeriut si pjesërisht i lirë dhe si një demokraci e papjekur.  Shqipëria dhe kombi shqiptar meritojnë më shumë përgjegjësi morale dhe politike se kaq nga udhëheqsit dhe nga elita intelektuale dhe politike e sotëme!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, ne nej demokraci te papjekur, nostalgjia komuniste

KONGRESI AMERIKAN GJITHMONË PRANË KOSOVËS

February 11, 2014 by dgreca

Me rastin e 6-vjetorit të Pavarësisë/

Nga Frank Shkreli/

Për pothuaj katër dekada tani,  anëtar individual ose grupe anëtarësh të Kongresit Amerikan, si nga Senati ashtu edhe nga Dhoma e Përfaqsuesve, kanë folur, kanë paraqitur rezoluta dhe kanë mbajtur dyzina sesionesh të posaçme dëgjimore, fillimisht mbi shkeljet e të drejtave të shqiptarëve të Kosovës nga Serbia, në favor të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për çlirimin e dhe më vonë për pavarësinë e Kosovës, përpjekje mbështetse këto në vazhdim ndaj popullit shqiptar në Kosovë.  Në këto sesione ftoheshin zyrtarët më të lartë diplomatikë, ushtarakë, e të sigurimit kombëtar amerikan si dhe specialistë të çështjeve europiane dhe ballkanike për të shpjeguar politikën amerikane ndaj Kosovës.  Këto sesione shëbenin gjithashtu si platforma për të informuar publikun mbi ato që po ndodhnin në Kosovë dhe njëkohësisht për u bëhej thirrje zyrtarëve amerikanë, për të përpiluar politika në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës, të drejtat e të cilëve shkeleshin pa mëshirë nga regjime të ndryshme serbe e jugosllave.  Interesimi për fatin e shqiptarëve të Kosovës dhe mbështetja amerikane për ta, kishin marrë hovin pas demonstratave të përgjakshme të viti 1981, ku mund të kenë gjetur vdekjen lartë nga 300-shqiptarë.  Demonstratat masive të njëpasnjëshme studentore gjatë 1980-ave të shqiptarëve të shtypur nga policia serbe dhe të pakënaqur nga situata e tyre diskriminuese në çdo fushë të jetës dhe veprimtarisë së tyre nën ish-Jugosllavinë komuniste, tërhoqën vëmendjen e publikut dhe medias amerikane duke fokusuar gjithashtu edhe përqendrimin e përfaqsuesve të tij në Kongres mbi ato që po ndodhnin në Kosovë.  Ndër të parët anëtar të Kongresit që ishte në ball të përpjekjeve për t’i paraqitur Amerikës dhe botës agoninë e shqiptarëve në Kosovë dhe në Ballkan ishte Xho DioGuardi, me prejardhje nga Arbëreshët e Italisë, i cili njëherazi siguroi edhe përkrahjen e shumë kolegëve të tij në Kongres  për kauzën e lirisë dhe të drejtave të njeriut për shqiptarët në Kosovë dhe në mbarë Ballkanin.  Në atë kohë, fushatës së kongresistit DioGuardi iu bashkuan emëra të njohur të Kongresit të asaj periudhe në mbështetje të Kosovës, përfshirë ndër të tjerë,  legjislatorët  e njohur amerikanë Lantos, Broomfield, Gilman, Dole dhe natyrisht  kongresisti i njohur i ditëve tona dhe përkrahës i palodhur i shqiptarëve, Eliot Engel.  Gjatë 40-vjetëve të kaluara pra, kongresistët amerikanë, nepërmjet deklaratave për shtypin, fjalimeve në Senat dhe në Dhomën e Përfaqsuesve, si edhe nepërmjet korrespondencash zyrtare dhe diplomatike me udhëheqës dhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe  europianë, por dhe të tjerë ndërkombëtarë, e kanë bërë të qartë vazhdimisht në të kaluarën dhe vazhdojnë gjithnjë të theksojnë mbështetjen e Kongresit amerikan për shtetin e  Kosovës si edhe për të drejtat e  shqiptarëve në përgjithësi.  Kjo mbështetje vazhdon edhe sot në 6-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, siç vihet në dukje edhe në letrën e ditëve të fundit dërguar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhon Kerri, nga jo më pak se 40-kongresistë për integrimin e Kosovës në organizmat euro-atlantike.  Letra e përpiluar nga Kongresisti i Partisë Republikane nga shteti Ohio, Majkël Turner dhe e nënshkruar nga 40 kongresistë nga të dy partitë kryesore amerikane — republikanë dhe demokratë — përfshirë edhe Kongresistin Eliot Engel, si demokrati kryesor në listën e nënshkruesve të letrës drejtuar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhon Kerri.

Në letrën e tyre drejtuar kryediplomatit amerikan, anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara e sigurojnë Z. Kerri për mbështetjen e tyre ndaj përpjekjeve të  tija, që në prak të mbledhjes së nivelit të lartë të NATO-s  e cila do të mbahet në Angli,  zgjërimi i anëtarismit në NATO të jetë një prioritet për Shtetet e Bashkuara si dhe për Aleancën.  Ata veçanërisht i bëjnë thirrje Z. Kerri, që në takimin e ardhëshëm të NATO-s të përkrahet antarësimi në NATO edhe i Malit të Zi dhe Maqedonisë.  Por, “Për më tepër” shkruajnë kongresistët, “Ne ju bëjmë thirrje që të punoni me aleatët tanë në NATO, për të siguruar që Kosova — e cila në Shkurt celebron 6-vjetorin e pavarësisë së saj dhe e cila është një mbështetëse e fortë e Shteteve të Bashkuara — tu bashkohet fqinjëve të saj  si anëtare e Partneritetit për Paqë (PfP) dhe që të ketë të përcaktuar një rrugë të qartë drejtë antarësimit eventual në Aleancën e NATO-s.”    Njëkohësisht, kongresistët thonë në atë letër se Shtetet e Bashkuara dhe Aleatët e tyre kanë arritur një pikë kritike, ndërkohë që nevojitet marrja e masave për të siguruar rëndësinë dhe vazhdueshmërinë e NATO-s.  Ata shprehen  edhe në lidhje me zhvillimet e fundit në Ukrainë, ndërkohë që theksojnë shqetësimin e tyre, duke thënë  se rasti i Ukrainës — ku kanë vazhduar protestat anti-qeveritare për dias muaj,   në favor të integrimit të vendit në Bashkimin Europian — “shënon një zmbrapsje të zhvillimeve demokratike në Europë dhe mund të krijojë mundësinë që shteteve të atij rajoni tu bëhet presion nga forca të jashtëme, të cilat përpiqen të ndajnë rishtas kontinentin dhe të minojnë vizionin për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë.”  Në letrën e tyre, Kongresistët amerikanë thonë se janë gati të punojnë me Sekretarin Amerikan të Shtetit për të promovuar antarësimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë në NATO.   “Për më tepër”, theksojnë përsëri ligjvensit amerikanë drejtuar kryediplomatit amerikan, “ne dëshirojmë të punojmë me ju për të siguruar që shtete të tjera të rajonit, siç është Kosova, e që kërkojnë lidhje më të ngushta me institucionet Euro-Atlantike, të kenë të hapur një rrugë të qartë, drejtë integrimit në Aleancën e NATO-s.”

Edhe Kongresisti  Eliot Engel nënshkroi letrën e përpiluar nga republikani Majkël Turner së bashku me 40 ligjvenës të tjerë, përfaqsues të dy partive kryesore politike amerikane dërguar Z. Xhon Kerri, në mbështetje të zgjërimit të antarësimit të NATO-s.  Zoti Engel tha një një koment në faqen e tij elektronike se edhe ai, “mbështetë thirrjen e shprehur në letrën dërguar Z. Kerri, që Shtetet e Bashkuara së bashku me NATO-n të sigurojnë që Kosovës t’i ofrohet një vend në programin e Partneritetit për Paqë, në të cilin tanimë janë pranuar të gjithë fqinjët e saj, e që është aq i rëndësishëm për krijimin e vizionit tonë për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë,” u shpreh edhe  Kongresisti Engel.

Letra e ligjvensëve amerikanë drejtuar Xhon Kerrit, në prak të mbledhjes së nivelit të lartë të NATO-s në Britaninë e Madhe,  është një mesazh i fortë – si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga numëri i madh  i nënshkruesve – ndaj përkrahjes së Kongresit Amerikan për integrimin euro-atlantik të Kosovës, përfshirë  antarësimin e saj në Aleancën e NATO-s, në prak të 6-vjetorit të Pavarësisë së saj.  Shumica e përpjekjeve dhe nismave amerikane në mbështetje të Kosovës gjatë dekadave të fundit, e kishin origjinën në Kongresin amerikan, përpjekje këto që më në fund përbënin politikën zyrtare diplomatike dhe ushtarake të Shtetve të Bashkuara, politikë kjo që çoi më në fund në ndërhyrjen e NATO-s për të çliruar Kosovën nga zgjedha serbe dhe në pavarësinë e saj gjashtë vjetë më parë dhe në njohjen e saj diplomatike.   Ndonëse ndërhyrja ushtarake e NATOs në Kosovë ishte e para ndërhyrje e tillë në historinë pothuaj 75-vjeçare të Aleancës, ligjvensit amerikanë me të drejtë i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që si hap i parë, Kosovës t’i jepet vendi në Programin e Partneritetit për Paqë, duke përcaktuar qartë, siç theksojnë edhe kongresistët amerikanë, edhe rrugën që do të çojë në antarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Aleancën e Traktatit të Atlantikut Verior. Kjo nismë e dyzet kongresistëve amerikanë tregon se protagonistët në mbështetje të Kosovës dhe të Shqiptarëve në Kongresin amerikan mund të kenë  ndryshuar gjatë dekadave, por është e qartë se mbështetja e Kongresit amerikan për Kosovën dhe shqiptarët është më e fortë se kurrë.  A janë duke bërë Kosova dhe Shqiptarët në përgjithësi ato çfarë u takon dhe çfarë kërkohet prej tyre, për të merituar këtë mbështetje të vazhdueshme, me qëllim për të përshpejtuar integrimin sa më të shpejtë të gjithë Shqiptarëve në organizmat euro-atlantike?

Frank Shkreli

 

Pason letra në anglisht dhe emërat e kongresistëve që e kanë nënshkruar

 

February 5, 2014

The Honorable John Kerry

Secretary

U.S. Department of State

2201 C Street , NW

Washington, DC 20520

Dear Secretary Kerry,

As we approach the 2014 North Atlantic Treaty Organization (NATO) Summit hosted by the United Kingdom, we encourage your continued efforts to make enlargement a key priority for the United States and the Alliance. Furthermore, we believe the United States should continue its close partnerships with the aspirant countries of Georgia, Macedonia, Montenegro and Bosnia-Herzegovina, as well as with other countries in Central and Eastern Europe which seek closer relations with the U.S. and NATO. In particular, we urge you to support membership for Montenegro and Macedonia at this year’s summit, to encourage continued progress in implementing the Membership Action plan (MAP) for Bosnia-Herzegovina, and to advocate granting a Membership Action Plan (MAP) to Georgia. Additionally, we urge you to work with our NATO allies to ensure that Kosovo—which in February celebrated the sixth anniversary of its independence and is a staunch supporter of the United States—joins its neighbors as a member of the Partnership for Peace (PfP), and has a pathway for eventual membership in the Alliance.

In the 25 years following the end of the Cold War, the countries of Central and Eastern Europe have sought independence, democracy, and partnerships with the United States and NATO. Through various collaborative efforts—many led by NATO—meaningful reform initiatives brought about great economic growth, more accountable governance, and the rule of law for millions of Europeans. And for the past two decades, NATO’s spirit of collective security has been the bedrock of stability in the region.

It is our firm belief that the genuine prospect of NATO membership for the current group of aspirant states will further strengthen democratic institutions and values and increase stability and security in the region.

In contrast, failure to recognize and reward their significant efforts could discourage aspirant countries from pursuing further democratic reforms and weaken their commitment to partnering with Euro-Atlantic institutions. In addition, the Ukrainian government’s recent decision not to sign a long awaited association agreement with the EU—in defiance of the popular preference for European integration—raises concerns about back-sliding on democracy and the possibility that states in the region will be pressured by outside forces seeking to divide the continent and undermine the vision of a Europe whole, free, and at peace.

The United States and its Allies have reached a critical point in which action is necessary to ensure NATO’s future relevance and viability. As we approach the 2014 Summit, we stand ready to work with you to promote the accession of Montenegro and Macedonia to the Alliance, and to advance the membership prospects of Georgia and Bosnia-Herzegovina through the MAP process. In addition, we would like to work with you to ensure that other states in the region, such as Kosovo, which seek closer relations with Euro-Atlantic institutions, have a clear path toward integration with the Alliance.

We appreciate your continued commitment to NATO and await your response on the issue of enlargement at the 2014 summit.

Sincerely,

Michael R. Turner                                                       Eliot L. Engel

MEMBER OF CONGRESS                                        MEMBER OF CONGRESS

Bill Keating                                                               Doug Lamborn

MEMBER OF CONGRESS                                       MEMBER OF CONGRESS

Mike Michaud                                                            John Shimkus

MEMBER OF CONGRESS                                       MEMBER OF CONGRESS

Tom Cotton                                                               Gary Peters

MEMBER OF CONGRESS                                        MEMBER OF CONGRESS

Mo Brooks                                                                 Paul Cook

MEMBER OF CONGRESS                                        MEMBER OF CONGRESS

Robert B. Aderholt                                                      Alcee L. Hastings

MEMBER OF CONGRESS                                         MEMBER OF CONGRESS

Adam Kinzinger                                                          Bill Shuster

MEMBER OF CONGRESS                                           MEMBER OF CONGRESS

Madeleine Z. Bordallo                                                 Jim Bridenstine

MEMBER OF CONGRESS                                         MEMBER OF CONGRESS

William Enyart                                                           Trent Franks

MEMBER OF CONGRESS                                        MEMBER OF CONGRESS

Tom Marino                                                               Eddie Bernice Johnson

MEMBER OF CONGRESS                                        MEMBER OF CONGRESS

Albio Sires                                                                William Lacy Clay

MEMBER OF CONGRESS                                       MEMBER OF CONGRESS

Mark Meadows                                                           Brett Guthrie

MEMBER OF CONGRESS                                        MEMBER OF CONGRESS

Candice S. Miller                                                        Bill Pascrell

MEMBER OF CONGRESS                                        MEMBER OF CONGRESS

Tom Latham                                                              Jeff Miller

MEMBER OF CONGRESS                                        MEMBER OF CONGRESS

John Larson                                                               Steve Stivers

MEMBER OF CONGRESS                                        MEMBER OF CONGRESS

Alan Lowenthal                                                          Billy Long

MEMBER OF CONGRESS                                         MEMBER OF CONGRESS

Ami Bera                                                                    Gregory W. Meeks

MEMBER OF CONGRESS                                        MEMBER OF CONGRESS

Brian Higgins                                                             Grace Meng

MEMBER OF CONGRESS                                         MEMBER OF CONGRESS

Bennie G. Thompson                                                  Kerry Bentivolio

MEMBER OF CONGRESS                                         MEMBER OF CONGRESS

Gerry Connolly                                                           Frank Wolf

MEMBER OF CONGRESS                                         MEMBER OF CONGRESS

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eliot Engel, Frank shkreli, gjithemone prane Kosoves, Kongresi Amerikan

GAZETARËT E PËSOJNË KEQ NË UKRAINË

February 6, 2014 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Kryengritja civile në Ukrainë vazhdon, ndërsa të dy palët kundërshtare kanë mbetur pezull duke kërkuar mbështetje jashtë vendit.  Ndërkohë që thuhet se Rusia ka pezulluar, tani për tani, ofertën për ndihmë prej 15-miliard dollarësh kredi për Ukrainën, njoftohet se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë duke përpiluar një program ndihmash për Ukrainën.  Gjëndja e ndërlikuar në Ukrainë vazhdon, ndërsa protestuesit gjithnjë mblidhen për të protestuar në sheshin Maidan.  Ata janë të zemëruar nga politika pro-ruse dhe vendimet e gabuara të presidentit ukrainas, Yanukovych si edhe  nga   ndërhyrjet e ashpëra të policisë  dhe forcave të Ministrisë së Mbrendshme kundër protestuesve, ku bien në sy sidomos sulmet kundër gazetarve që mbulojnë protestat, sulme këto që kanë tërhequr vëmendjen dhe kritikat ndërkombëtare.

Gjithmonë në raste të tilla protestash e demonstratash kundër politikave të imponuara dhe kundër shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut kudo në botë, janë gazetarët dhe liria e gazetarisë në përgjithësi, që janë viktimat e para, duke qenë  të parët që pësojnë ndëshkimin nga dora e rëndë e shtetit dhe e policisë.   Kështu po ndodhë edhe në Ukrainë.  Jo se gazetarët ukrainas kanë gjë të bëjnë me protestat dhe kryengritjet civile, por si zëdhënse të së vërtetës që duhet të jenë për publikun, shteti dhe policia nuk janë të interesuar që e vërteta t’i njoftohet botës mbi ato se ç’po ndodhë në sheshet dhe rrugët e Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase.  Andaj qëllimi është kërcënimi dhe frikësimi i medias, ashtuqë gazetarët të qëndrojë larg dhe të mos njoftojnë të vërtetën mbi protestat dhe mbi dhunën e shtetit kundër qytetarëve të vet.

Njoftohet se gjatë protestave të vazhdueshme në Ukrainë, policia me sulmet e saj ka plagosur dyzina gazetarësh.  Instituti Ukrainas për Media thotë se ka pëpiluar një listë me 60 emëra gazetarësh të rrahur e të plagosur.  48 prej tyre, sipas Institutit, janë plagosur në kryeqytetin Kiev, ndërsa të tjerët në qytete të tjera ukrainase siç janë Cherkasy, Dnepropetrovsk dhe në Zaporozhye. Ndërkaq,  organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch me qëndër të New York, thotë në një raport mbi sulmet kundër gazterave në Ukrainë se, në të vërtetë numri i gazetarve të sulmuar dhe të rrahur gjatë protestave në Ukrainë mund të jetë më i madh se ç’raportoi Instituti Ukrainas për Median, pasi vet kjo organizatë ka dokumentuar abuzime dhe sulme ndaj disa gazetarve që nuk përfshihen në listen e Institutit Ukrainas për Median.

Human Rights Watch u bën thirrje partnerve ndërkombëtarë të Ukrainës që të bëjnë hetime mbi shkeljet serioze të të drejtave të njeriut dhe që përgjegjësit e këtyre abuzimeve të dalin para drejtësisë, në përputhje me standardet ndërkombëtare.  Organizata Human Rights Watch citon përfaqsuesen e saj Anna Neistat, e cila gjëndet në Kiev se, “Është e mundur që një gazetar ose një infermier të qëllohet aksidentalisht gjatë konfrontimeve me dhunë, por jo të sulmohen me dyzina përfaqsues të medias”, sidomos kur ata e identifikonin veten qartë, si përfaqsues të medias.  Organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch thotë se “Sulmet kundër gazetarëve të cilët mbulojnë protestat publike, janë kundër obligimeve ndërkombëatre që ka marrë përsipërUkraina për zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të obligimit për të respektuar të drejtën e lirisë së shprehjes, përfshirë lirinë e medias.”

“Gazetarët dhe infermierët ishin duke kryer punën e tyre profesionale, ishin të pa-armatosur dhe nuk përbënin asnjë rrezik për policinë gjatë protestave në Kiev”, tha Ana Neistat e Human Rights Watch.   Si rrjedhim, Human Rights Watch i bën thirrje OSBE-së dhe Këshillit të Europës, anëtare e të cilave është edhe Ukraina, që në lidhje me këto akte kriminale,të fillojnë menjëherë hetimet, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Ukrainës, mbi zbatimin e të drejtave të njeriut.   Më heret, edhe OSBE-ja kishte shprehur shqetësimet e sajë mbi përdorimin e dhunës nga policia ukrainase kundër gazetarve në protestat e Kievit gjatë dy muajve të fundit.

Edhe organizata për mbrojtjen e gazetarave, “Reporterët pa Kufijë” me qëndër në Paris, i ka dënuar sulmet e dhunëshme kundër gazetarve ukrainas gjatë përleshjeve midis demonstruesve dhe forcave të sigurimit në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës.  “Sulmet e qëllimshme kundër përfaqsuesve të medias janë të papranueshme, rreth të cilave duhet të zhvillohen hetime të plota dhe të paanshme”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të qetësohen dhe të respektojnë punën e përfaqsuesve të medias. Dhe gazetarët e burgosur gjatë kryerjes së detyrës së tyre profesionale duhet të lirohen menjëherë”, thuhet në deklaratën e “Reporterve pa Kufij’’

Sulmeve kundër përfaqsuesve të medias gjatë protestave civile në Kiev nuk u kanë shpëtuar as gazetarët ukrainas që punojnë për media ndërkombëtare siç janë Radio Europa e Lirë dhe Zëri i Amerikës. Në një noftim për median para disa ditësh, Bordi i Governatorve që mbikqyrë transmetimet  ndërkombëtare të  Shteteteve të Bashkuara njoftoi se Presidenti i Radio Europës së Lirë, Kevin Klose dhe anëtari i Bordit, Mathew Armstrong arritën në Kiev për tu takuar me gazetarët që punojnë për entet  amerikane të transmetimeve të lajmeve në Ukrainë, dhe njëkohsisht për të denoncuar dhunën e përdorur kundër gazetarve dhe për tu bërë thirrje autoriteteve të Ukrainës që të zbatojnë detyrimet ndërkombëtare për respektimin e lirisë së shtypit dhe që të të garantojnë zbatimin e të drejtave bazë të gazetarve, përfshirë mbrojtjen e tyre nga dhuna.  Përfaqsuesit e transmetimeve ndërkombëtare amerikane, u takuan me gazetarët e Radio Europës së Lirë në Kiev. Ata lavdëruan kurajon dhe angazhimin e tyre për të mbuluar potestat publike gjatë dy muajve të kaluar, megjith vështirsitë me të cilat janë përballuar.  ”Një shoqëri e lirë nuk rrah gazetarët profesionistë ndërsa janë në krye të detyrës së tyre,” tha Kevin Klose.

Mathew Armstrong, anëtar i Bordit që mbikqyrë transmetimet e Radio Europës së Lirë dhe të Zërit të Amerikës, tha se Bordi që ai përfaqëson, “Dënon ashpër sulmet e policisë kundër gazetarve në Ukrainë. Përkrahja jonë për kolegët tanë të Radios Europa e Lirë dhe të Zërit të Amerikës që punojnë këtu, është e palëkundshme”.  Ai shtoi se, “Ne bejmë thirrje që ata që kanë bërë sulme dhe abuzime të tilla kundër gazetarve, si dhe ata që dhanë urdhër për këto sulme, të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.”  Sipas njoftimit të Bordit të transmetimeve amerikane ndërkombëtare, zotërinjtë Kevin Klose dhe Mathew Armstrong u takuan edhe me ambasadorin amerikan në Kiev, Z. Geoffrey Pyatt, i cili gjithashtu bëri thirrje për bërjen e hetimeve ndaj sulmeve kundër gazetarve dhe i kërkoi policisë dhe forcave të sigurimit ukrainas që të kryejnë detyrëne  tyre në mënyrë profesioanle duke respektuar dhe duke mbrojtur  të drejtën e gazetarve që të punojnë pa frikë në një mjedis të sigurt.”

Historikisht, sa më i fortë dhe më i vendosur që të jetë autoritarizmi shtetëror dhe policor i një vendi, aq më e madhe është dhuna dhe abuzimet kundër gazetarve, përfaqsuesve të medias dhe lirisë së shtypit në përgjithësi.   Duket sikur diktatura dhe lufta kundër gazetarisë së lirë dhe të pavarur gjithmonë kanë shkuar dorë për dorë. Gjithmonë, gazetarët janë të parët që e pësojnë nga zemërimi dhe hidhërimi i diktatorëve dhe pseudo-diktatorëve.  Kjo ishte e vërtetë gjatë diktaturës komuniste, kjo është e vërtetë edhe sot, siç tregon rasti i  përdorimit të dhunës kundër gazetarve në Ukrainë, si dhe ushtrimi i dhunës dhe burgosja e gazetarve gjatë protestave anti-qeveritare në Turqi, kohë më parë.  Fatkeqsisht, Ukraina dhe Turqia janë vetëm dy shembuj të fundit të abuzimit të të drejtës së fjalës së lirë dhe të keqtrajtimit të gazetarve.  Sepse, siç ve në dukje organizata Freedom House në indeksin e saj të fundit mbi Lirinë e Stypit në botë, vetëm 14.5 e qytetarëve të botës jetojnë në vendet që gëzojnë lirinë e medias. Në pjesën tjetër të botës, sipas saj, qeveritë dhe aktorë jo-qeveritarë kontrollojnë median,  pikpamjet dhe lajmet që ato i paraqesin qytetarve dhe njëkohsisht shtypin brutalisht zërat e pavarur, të cilët përpiqen të promovojnë përgjegjësinë e enteve  shtetërore në kryerjen e detyrës që u ka besuar populli, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik të vendeve të tyre.   Bazuar në përvojën e saj në përkrahje të të drejtave të njeriut dhe të fjalës së lire anë e mabnë botës, Freedom House thotë se, kufizimet ndaj medias së lirë dhe të pavarur, shpeshëherë janë një tregues se pasi t’i kenë shpallur luftë medias,  qeveritë zakonisht fillojnë të sulmojnë edhe institucionet e tjera demokratike.

Prandaj,  për të gjithë ata që besojnë në demokraci dhe në të drejtat bazë, universale të njeriut, për veten dhe për të tjerët, mbrojtja e lirisë së fjalës dhe e shtypit të lirë dhe të pavarur duhet të jetë një obligim i të gjithëve.  Sepse, siç ka thënë edhe Tomas Xhefersoni, arkitekti i Kushtetutës amerikane dhe i lirive bazë të njeriut, përfshirë edhe lirinë e shtypit  —  “shtypi i lirë është thelbësor për funksionimin e një demorkacie”.  Ashtuqë, do të ishte mirë që autoritetet qeveritare kudo qofshin ato në Kiev, në Ankara, në Uashington, Moskë, Pekin ose Tiranë, të mbrojnë dhe të lejojnë funksionimin normal dhe pa presione politike ose ekonomike të shtypit të lirë dhe të pavarur, duke mos ndërhyrë në punën e tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhune ndaj gazetareve, Frank shkreli, ne Ukraine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • 153
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT