• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“MASAKËR DHE KRIM KUNDËR NJERËZIMIT”

January 16, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Kështu e ka cilësuar ish-Ambasadori  amerikan Uilliam Uoker ngjarjen tragjike të 15 Janarit, 1999 në Reçak të komunës së Shtimës në  Kosovë, ku 15 vjetë më pare kur forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviq masakruan në mënyrën më brutale 45 shqiptarë të pafajshëm të këtij fshati, përfshirë edhe 8 pjesëtarë të UÇK-ës.   Të mërkurën, Kosova shënoi 15-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si pikëkëthesa kryesore e ngjarjeve të më mëvonshme në Kosovë, përfshirë edhe sulmet ushtarake të NATO-s,  kundër objektivave ushtarake dhe industriale serbe, përfshirë  edhe kryeqytetin e Beogradit — ndërhyrhje kjo që më në fund detyroi largimin e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë.
Ishte ambasadori amerikan Uilliam Uoker, në atë kohë Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, ai i cili zgjoi nga gjumi letargjik ndërgjegjen e botës mbi barbarizmat që makineria ushtarako-policore dhe paramilitare e Serbisë po bënte në Kosovë, ashtu si të donte dhe kur të donte.  Ambasadori Uoker ka thënë se ato që ai ka parë me sytë e tij në Reçak, janë ato që ai i konsideron si prova dërmuese të së vërtetës, që ai i deklaroi botës në atë kohë, e që është se forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë kanë    kryer masakra dhe krime të rënda kundër njerëzimit, ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.  Pasi kishte parë kufomat e shqiptarëve të vrarë në Reçak, ai e dënoi masakrën si një “barbarizëm të pabesueshëm” dhe i quajti vrasjet në fshatin Reçak si, “një krim kundër njerëzimit”, duke i thënë në atë kohë gazetës amerikane Nju Jork Tajms, se ”nuk dëshironte të hesitonte asnjë minutë që të akuzonte, drejtë për drejtë, forcat qeveritare serbe si përgjegjëse të kësaj masakre.”   Deklarata e Ambasadorit Uolker bëri jehonë anë e mbanë botës, por shkaktoi reagime të ashpëra sidomos në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë.  Ish-presidenti amerikan Bill Klinton reagoi atëherë ndaj deklaratës së ambasdorit Uolker duke thënë se masakra e Reçakut, “Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte popullin e Kosovës.”

Ndërsa Ministri i jashtëm i Gjermanisë gjatë krizës në Kosovë, Joschka Fischer duke folur në emër të Bashkimit Europian ka thënë pas zbulimit të masakrës në Reçak nga ambasadori Uoker se, “Ata që janë përgjegjës për këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë masakrimin brutal dhe vrasjen e popullësisë civile.”

Masakra e shqiptarëve civilë nga forcat serbe në Reçak ishte vetëm një nga sulmet e forcave serbe kundër popullësisë shqiptare të Kosovës gjatë atyre viteve, për të cilat bota nuk ishte e informuar.  Por, më në fund qe deklarata e Ambasadorit Uilliam Uoker, si dëshmitar i masakrës në Reçak, ajo që më në fund bëri jehonë në median botërore dhe si rrjedhim shkaktoi një ndryshim të dukshëm të politikës së vendeve përendimore karshi gjëndjes në Kosovë dhe  njëkohësisht shërbeu si një katalist për ndërhyrjen eventuale të NATO-s, për të dëbuar forcat serbe nga Kosova.  Gazeta e kryeqytetit amerikan, Uashington Post, sugjeronte në prill të vitit 1999 se pas një shqyrtimi të vendim-marrjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në  kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, masakra e Reçakut transformoi politikën e Perëndimit ndaj Ballkanit si asnjë ngjarje tjetër më parë.  Masakra e Reçakut, sipas gazetës Uashington Post, bindi qeverinë amerikane dhe aleatët e saj në NATO se politika e tyre e ndjekur deri atëherë duhej të ndryshohej fund e maje.

Politika amerikane ndaj Kosovës deri atëherë bazohej në atë që njihet si  “Paralajmërimi i Krishtlindjeve”, një telegram prej një fjalie që administrata e Presidentit Bush të parë i kishte dërguar Millosheviqit më 24 Dhjetor, 1992 — vija e kuqe — e që ishte një telegram shumë i shkurtë  dhe pa stërhollime, por tekstualisht përmbajtja e tij u citua nga Uashington Post të ketë qenë fjalia që vijon: “Në rast të një konflikti në Kosovë, që shkaktohet nga ndërhyrja e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe brenda Serbisë.”  Ky kërcënim u përsërit disa herë edhe nga ish-Sekretari i Deaprtmentit të Shtetit Uorren Kristofer, në mandatin e parë të Presidentit Klinton, por deri në masakrën e Reçakut mbeti vetëm një kërcnim në letër.

Por ishte masakra e Reçakut dhe dëshmia e një ambasadori amerikan mbi këtë tragjedi, mbi tragjedinë që kishte pa në atë fshat ambasadori Uoker, që zgjoi ndërgjegjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO, por edhe të botës mbarë,  e cila bëri që paralajmërimi kërcnues i administratës së Xhorxh Bushit të parë me rastin e  Krishtlindjeve të vitit 1992, më fund të zbatohej.  Si përfundim, më 13 tetor, 1999, për herë të parë në historinë e saj, organizata e Atlantikut Verior, NATO autorizon komisionin ushtarak të saj që të fillonte planifikimimin për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

Shpesh mendoj me vete, po të kishte qenë në atë kohë në Kosovë ndonjë përfaqsues tjetër nga ndonjë vend europian e jo Uilliam Uoker si Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, çfarë do të kishte ndodhur me rrjedhat historike të Kosovës?  A do kishte pasur një përfaqsues tjetër, fuqinë dhe ndërgjegjen morale që të shkonte e të vërtetonte vet se çka kishte ndodhur në Reçak.   Ose çfarë do të kishte ndodhur nëqoftse Ambasadori Uoker mos të kishte shkuar për të parë vetë me sytë e tij tragjedinë në Reçak.   Unë besosj se do të kishte pasur masakra si të Reçakut anë e mbanë Kosovës dhe askush nuk do të dinte gjë për to.  Ambasadori Uoker kollaj mund të kishte shkruar raportin nga një zyrë e ngrohtë në Prishtinë e ta dërgonte në Vjenë, duke informuar OSBE-në se ‘sipas raporteve thuhet se ka ndodhur një tragjedi në Reçak, por rrethanat dhe hollësitë nuk dihen’.  Dhe me aq ai e kishte kryer detyrën e vet.   Por jo!  Ai si diplomat i regjur e me pëvojë, e ka ditur se një raport i tillë nuk do të kishte pasur kurrë efektin që do të kishte dëshmia e tij e gjallë, duke vajtur vet në vendin e ngjarjes tragjike në Reçak duke e bërë më të besueshme deklaratën mbi masakrën që kishte pare në atë fshat.

Andaj në këtë 15-vjetor të këtij krimi të shëmtuar nga forcat  kriminele serbe, të kujtojmë, natyrisht me respekt dëshmorët dhe martirët e rënë të Reçakut dhe familjet e tyre, por njëkohsisht të mos harrojmë as diplomatin amerikan, ambasadorin Uilliam Uoker, i cili me guximin dhe kurajon e tij zgjoi ndërgjegjen morale të botës, e cila falë dëshmisë së tij, u njoh për së afërmi me mizoritë që po bënte Serbia me dekada në Kosovë kundër shqiptarëve dhe më në fund bëri që  NATO të vendoste që të bënte diçka për t’i ndaluar masakrat serbe kundër shqiptarëve, duke ndërmarrë një sulm ajror kundër Serbisë dhe forcave të saja në Kosovë.  Të rënve Zoti u faltë paqën dhe mikut tonë, ambasadorit Uilliam Uoker Zoti i faltë jetë dhe shëndet!

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Kosove, masaker dhe krim kunder njerzimit

PRESIDENCA E RADHËS E BASHKMIT EUROPIAN NGA GREQIA

January 14, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Me 1 Janar, Greqia mori presidencën e radhës të Bashkimit Europian (BE) dhe sot më 15 janar, Kryeminsitri i Greqisë, Antonis Samaras do t’i paraqesë sesjonit plenar të BE-ës në Strasburg prioritetet e presidencës greke.  Sipas burimeve të cituara nga media, prioritetet e presidencës greke për BE-ën, gjatë gjashtë muajve të ardhëshëm, do të jenë rritja ekonomike dhe krijimi i punëve të reja, zbatimi i marrëveshjes historike bankare që është arritur fundin e vitit të kaluar nga ministrat e financave të vendeve europiane, si dhe politika e imigracionit dhe e çështjeve detare.

Disa analistë po e krahasojnë presidencën greke e radhës të BE-ës  si një tragji-komedi greke, duke marrë parasyshë se gjatë tre viteve të kaluara ishte Bashkimi Europian ai që i dha Greqisë një hua prej  më shumë se 320-miliardë dollarësh në përpjekje për të shpëtuar ekonominë greke nga një falimentim i përgjithshëm.  Kjo, përball edhe një papunësie prej 30-për qind dhe të një papunësie prej 58 për qind  në radhët e rinisë në Greqi dhe përball zemërimeve dhe pakënaqësive në rritje që, sipas ekspertëve mund të çojnë në trazira anë e mbanë vendit.

Por megjithë këto probleme, Kryeministri grek, Antonis Samaras duke u shprehur më optimist, ka thënë se masat shtërnguese që ka ndërmarrë vendi i tij, të imponuara  nga BE, kanë shënuar rezultate dhe se viti i ri do të sjellë, “mundësinë e këthimit të normalitetit”.   Edhe zyrtarët europianë, përfshirë edhe Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, duke pretenduar se Greqia është në rrugën e ringjalljes ekonomike, ka thënë se megjithë problemet  e mëdha që ekzitojnë gjithnjë, “Greqia e ka kaluar periudhën më të vështirë të krizës…..dhe se është shënuar një përparim i dukshëm.”

Por vërejtës të tjerë e shikojnë ndryshe krizën ekonomike dhe gjëndjen eksplosive shoqërore që ka pllakosur Greqinë me vite tani, dhe kanë mendime të kundërta  mbi  presidencën e radhës të Greqisë duke thënë se Athina do të përballet me sfida të mëdha gjatë gjashtë muajve të presidencës së radhës të Bashkimit Europian.  Ata thonë se masat shtërnguese ekonomike dhe financiare kanë detyruar pushimin nga puna të më shumë se çerekut të  forcës puntore, duke hedhur qindra mijëra familje nga niveli i jetesës së klasës së mesme në një nivel varfërie — duke krijuar kështu, sipas tyre,  një gjëndje që nuk mund të tolerohet më. Ata theksojnë gjithashtu se nuk në radhët e qytetarëve grekë, ekziston besimi që udhëheqja e Greqisë është e aftë të heq vendin nga situata e rëndë në të cilën e ka zhytur veten, dhe aq më pak të jetë e aftë të kryesojë BE-ën.   Aris Chatzistefanou, një gazetar grek i cili ka punuar për BBC-në britanike dhe për disa media greke tha në lidhje me aftësitë e vendit të tij për të udhëhequr BE-ën se, “të thuash se një shtet si Greqia mund të udhëheqë Bashkimin Europian, është njësoj si të thuash se një republikë bananesh në Amerikën Latine të viteve 1970,  mund të kishte ndryshuar politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, dhe shtoi se “Greqia nuk mund të bëjë asgjë dhe se këta janë vetëm një cirk njerzish që pretendojnë të udhëheqin BE-në.    Gazetari tjetër grek Mathaios Tsimitakis, në një koment i krahasoi problemet përball të cilave gjëndet vendi i tij, me një tragjedi të Greqisë së vjetër, plot e përplot tragjike, sipas tij, të “shkaktuar nga vendime të gabuara, nga dështimi i moralit dhe nga mungesa e karakterit”, dhe shtoi se edhe  analiza që qeveria greke u ka bërë shkaqeve dhe e pasojave të krizës, është gjithashtu tragjike.  Përveç problemeve politike dhe ekonomike të mbrendshme, presidenca greke e radhës në krye të Bashkimit Europian, përballet edhe me faktorë të jashtëm, që do të pengojnë arritjen e ndonjë suksesi.  Janë zgjedhjet për parlamentin europian që do të mbahen  në Maj si dhe përçarjet serioze në radhët të BE-ës  në lidhje me përpjekjet tepër delikate për të krijuar një sistem të përbashkët bankar.  Në lidhje me këtë Zsolt Darvas, një ekonomist pranë Institutit Bruegle në Bruksel i tha agjencisë franceze të lajmeve se, ai “nuk pret që presidenca greke të jetë aq e suksesshme në krahasim me presidencat e mëparshme”, dhe theksoi se, “do të jetë shumë e vështirë për Greqinë të realizojë agjendën e saj, kryesisht për arsye të problemeve të saja të mbrendshme,  por edhe për arsye të mos efikasitetit të administratës publike të Athinës, si edhe për shkak të presioneve të kohës që imponojnë zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Europian”, që do mbahen në Maj.

Megjithëse Athina zyrtare ka premtuar një presidencë “spartane” të radhës në BE, dhe ndërkohë që kryeministri grek Samaras e ka cilësuar presidencën gjashtmujore greke, si një “presidencë e shpresës për një Europë më të madhe dhe më të mirë”, analistët janë të mendimit se kur të merren parasyshë problemet e mëdha politike, financiare dhe ekonomike të lartë përmendura, me të cilat përballet sot Greqia –mundësitë për realizimin e pritjeve dhe  të shpresave për një presidencë të suksesshme greke duken tepër të vogëla, për të mos thënë të paqëndrueshme.

Por për fatin e mirë, presidenca e radhës e BE-së është shumë më pak e rëndësishme se ç’ishte më përpara,  ç’prej zgjedhjes së një presidenti të Këshillit të Europës më 2009 në bazë të traktatit të Lisbonës – post ky që sot mbahet nga belgu, Herman Van Rompuy.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Presidenca e Greqise

SHQIPTARËT JANË NJË NË TROJET E VETA

January 10, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të Alpeve Julie; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër karma të thepisuna të Karpatëve, ende të rime me gjak njeriu, në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në za në histori të fiseve dhe të kombeve.  Sot kjo familje asht shue.  Marrë përbri prej tallazeve të luftave të gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të pangishëm të vorbujve të historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë kur Gentiusi, mbreti i mbramë i ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet të hershme.  Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë, banesë e përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore.  Ata u banë ballë me fuqi kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore.  Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejnë të pandryshueshëm karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne prehistorikë.  Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej vetë rrënjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i tokave të veta.” 

Nga fjalimi i At Gjergj Fishtës mbajtur në Konferencën e Paqës në Paris – 1919

Shkas për këtë shkrim u bë një artikull që lexova në faqen e internetit të Agjencisë së lajmeve INA, me qendër në Shkup.  Redaksia e INA-së me të drejtë ankohet për një problem që e quan aktual, por në të vërtetë është një problem i vjetër dhe i vazhdueshëm.  Por, për më tepër, është një fenomen shqetsues edhe për nga fakti se ka mbijetuar në median shqiptare, dhe që në të vërtetë është një çpikje dhe shpifje e politikës dhe medias anti-shqiptare të fqinjve, ç’prej shekullit të kaluar, kur Shqiptarët në trojet e veta në ish-Jugosllavi, cilësoheshin me lloj-lloj epitetesh fyese për t’i dalluar ata nga “Shqiptarët e vërtetë” të Shqipërisë së cunguar, në përputhje me zbatimin e strategjisë politikës sllave se shqiptarët nën ish-Jugosllavi nuk janë aty në trojet e veta, por të ardhur.

Agjencia Ina specifikisht ankohet ndaj disa “mediave në Shqipëri, që vazhdojnë t’i quajnë Shqiptarët e Maqedonisë si shqiptaro-maqedonas”, duke shkruar se epitete të tilla, “përbëjnë një skandal”.  Ajo citon profesorin  e Universitetit të Shkupit, Avzi Mustafa, i cili shpreh zemërimin e tij ndaj këtij fenomeni në median shqiptare duke thënë se,

“Duhet të ndërpriten emërtimet e tilla.  Sepse me këto emërtime ata na llogarisin se ne jemi si emigrantë apo diasporë në Maqedoni.  Shqiptarët e Maqedonisë janë autoktonë dhe duhet të llogariten ashtu siç janë, e jo të emërtohen ashtu siç është praktikë në mediat e Shqipërisë, si maqedonas apo shqiptaro -maqedonas.  Në kontekstin gjeografik nëse duhet të përdoret, atëherë le të përdoret ajo që u takon shqiptarëve, dhe të quhen shqiptarë të Shqipërisë Lindore. Por, do të ishte më e drejtë që shqiptarët që jetojnë në Maqedoni të thirren shqiptarë të Maqedonisë”, u shpreh për Agjencinë INA, Profesori i Albanologjisë në Universitetin e Shkupit, Avzi Mustafa.   “Ne jemi një komb, kemi një identitet shqiptar dhe nuk dallojmë me shqiptarët në Shqipëri, ndërsa dallojmë shumë nga maqedonasit”, tha në deklaratën e tij për INA-n, Profesori Mustafa.

Agjencia INA njofton gjithashtu se me nismën e saj, një grup intelektualësh së shpejti do i drejtojë një peticion mediave, institucioneve dhe udhëheqësve më të lartë të Shqipërisë me qëllim që të, ”ndërpriten së përdoruri emërtime të tilla shpifëse ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.”   Naser Pajaziti, njëri ndër drejtuesit e Agjencisë së lajmeve INA deklaroi në lidhje me këtë nismë se, “Qëllimi ynë është që të ndërpriten praktika të tillë, sepse konsiderohen si fyese dhe denigruese për çdo shqiptar në Maqedoni.  Me këtë fushatë kërkojmë mbështetje nga mediat, intelektualët shqiptarë dhe institucionet që të ndërpritet emërtimi i tillë i shpifur”, u shpreh Naser Pajaziti, i agjencisë INA.

Kjo nismë e Agjencisë INA meriton mbështetjen e të gjithëve, si një çështje prioritare, sidomos të përfaqsuesve të medias por edhe të gjitha enteve politike, akademike dhe kulturore, anë e mbanë trojeve shqiptare, pasi ky nuk është vetëm një problem për shqiptarët në trojet e tyre në Maqedoni, por për të gjithë shqiptarët kudo, përfshirë shqiptarët në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore, ndaj të cilëve janë përdorur epitete shpifëse e denigruese.  Nuk ka të falur që media shqiptare të bie pre e përdorimit të këtyre epiteteve kur shkruan për shqiptarët në trojet e veta.

Mediat dhe politika sllave që i kanë çpikur këto epitete fyese ndaj shqiptarëve, i kanë përdorur dhe vazhdojnë t’i përdorin për qëllime të caktuara politike dhe gjeopolitike.  Por, këtë nuk duhet ta bëjnë media dhe politika shqiptare.  Në përpjekje për të përçarë e sunduar, politika sllave i përcaktonte shqiptarët që jetonin në trojet e veta në ish-Jugosllavi, me termin denigrues “shiptari” ose me epitetin edhe më denigrues, “shiftari”, për t’i dalluar ata nga shqiptarët e Shqipërisë, termi sllav për të cilët është “albanci”.   Qëllimi i kësaj politike shekullore anti-shqiptare nga fqinjtë ishte që të zhdukeshin gjurmët e karakterit të kombit shqiptar në tokat e pushtuara prej tyre,  siç ka thënë edhe At Gjergj Fishta në Konferencën e Paqës në Paris pothuaj 100-vjetë më parë është,  “për të vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqës se atje nuk ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi solitudinem faciunt, pacem appellant.”  Pra, sa ta kenë shkretnue vendin, do të venë mandej paqën”.

Prandaj, gjithnjë sipas Fishtës në të njëjtin fjalim, pasi “shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt shqiptare” si e tillë atëherë,  të gjithë shqiptarët kudo, sidomos brenda kufijve të vetë etnikë dhe gjeografikë, duhet të përdorin parime të njëjta drejtshkrimore në lidhje me përcaktime të tilla në media, por edhe në prononcime e deklarata politike, si një ndërmarrje kjo e pandashme e ndërgjegjes dhe e identitetit të përbashkët kombëtar.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, Jemi nje

ROLI I FESË NË POLITIKË

January 7, 2014 by dgreca

Xhon Kenedi; ”Unë besoj në një Amerikë, e cila zyrtarisht nuk është as katolike, as protestane as hebreje”… /                     

Nga Frank Shkreli/

Kohët e fundit në median shqiptare është venë re një debat mjaft i nxehtë në lidhje me rolin që duhet të luaj feja në politikën dhe shoqërinë shqiptare.   Është pak i çuditshëm fakti se feja dhe roli i fesë në shoqërinë dhe politikën shqiptare po debatohen në këtë kohë, sikur shqiptarët nuk kanë probleme të tjera jo fetare, me të cilat duhet të merren në këtë moment, siç janë problemet e mëdha ekonomike dhe sfida të tjera politiko-shoqërore të botës shqiptare.  Por ndoshta nuk duhet të habitemi për këtë debat  mbi influencat e huaja,  ndërkohë që  Shqipëria pret të marrë statusin e vendit  kandidat për antarësim në Bashkimin Europian dhe ndërkohë që edhe Kosova gjëndet përballë sfidash të mëdha të konsolidimit të shtetit si dhe të përpjekjeve diplomatike për shtimin e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë së saj.  Disa analistë shprehen se ky debat po nxitet dhe inkurajohet edhe nga element të huaj me influencë në hapësirat shqiptare, në përpjekje për të mbjellur ngatërresa, dhunë e përçarje dhe për të përhapur urrejtje në radhët e shqiptarëve dhe si rrjedhim për të vonuar ose për të zhdukur përgjithmonë aspiratat e kombit shqiptar për integrim në organizmat eurotlantike.

Megjithëse çështjet e ditës dhe taktikat e përdorura në të kaluarën kanë ndryshuar,  duket se edhe sot si gjithmonë më parë në periudha kur kombi shqiptar është gjëndur para vendimeve historike për  të ardhmen e vet, ndërkohë që shqiptarët, si kurrë më parë në histori,  janë në prak të një të ardhme më të mirë — diçka ose dikush del për të penguar përparimin e këtij kombi, duke sulmuar gjënë më të shënjtë të tij, harmoninë fetare.  Kësaj here po debatohet dhe diskutohet mbi influencën e fesë dhe rolin që duhet të luaj feja e shumicës apo e pakicës, sidomos në jetën politike, kryesisht në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkan.  Kush po e lufton dhe kush po përpiqet të dhunojë këtë dhunti morale që Perëndia ia ka falur kombit shqiptar?!

Feja është një faktor me rëndësi në jetën e individit dhe të një populli.  Shqiptarët, historikisht, me të drejtë janë njohur për tolerancën e tyre fetare ndaj njëri tjetrit dhe i janë paraqitur edhe botës së qytetëruar, dhe atje ku mbizotërojnë konfliktet fetare, si një shembull i bashkjetesës dhe harmonisë fetare.  Kjo ka qenë dhe është një ndjenjë krenarie për të gjithë shqiptarët e tri besimeve kryesore.   Shqiptarët deri tani e kanë konsideruar fenë si një çështje që ka të bëjë me jetën private të individit, dhe si një rit që praktikohet mbrenda mureve të xhamisë, të  kishës, të teqesë ose në ndonjë objekti tjetër fetar dhe nuk e kanë konsideruar fenë si pjesë e pandashme të jetës politike të shoqërisë dhe të influencës së saj në qeverisje dhe  në bërjen e politikës së shtetit.   Prandaj, ky dallim pra mbi rolin që duhet të luaj feja,  dmth., nëse  feja duhet të jetë  diçka private për indidvidin, si plotësuese e nevojave shpirtërore të njeriut, a po të  shikohet  si një fenomen i rëndësishëm i  jetës politike dhe shoqërore të një vendi, është tepër i rëndësishëm.  Ky dallim midis këtyre dy roleve që duhet të luaj feja, është tepër i nevojshëm të bëhet, kur të merren parasyshë dhuna, përçarjet dhe urrejtjet  që kanë prekur vendet, të cilat historikisht  kanë vuajtur dhe vuajnë nga dhuna dhe mosmarrveshjet fetare.  Nëqoftse nuk bëhet ky dallim dhe nëqoftse një shoqëri, përfshirë edhe shqiptarët, nuk vendosë se feja është çështje private dhe si e tillë, influenca e saj duhet të rrijë larg dhe të mos ndikojë në sferat publike dhe politike të jetës shoqërore, atëherë një shoqëri me probleme të tilla pasqyron vendet ku feja është bërë shkak konfliktesh e dhune, madje edhe lufte. Për ndryshe, pa këtë dallim të qartë, mbi rolin e fesë, nuk ka shpresë për ruajtjen ose zhvillimin e një shoqërie civile progresive.

Me dilemën mbi rolin e fesë në jetën publike dhe politike janë përballur e përballen shumë shtete dhe shoqëri, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.  Ndonëse kushtetetuta e Amerikës është e qartë mbi ndarjen e shtetit nga feja, pasi ato luajnë role të ndryshme në jetën e njeriut dhe të shtetit, roli i fesë në politikë u debatua ashpër dhe haptas gjatë fushatës për president  me 1960. Në atë kohë, kandidati i Partisë Demokrate ishte Xhon F. Kenedi, i besimit katolik, por që deri atëherë Amerika nuk kishte pasur president që i përkiste këtij besimi dhe si e tillë, ajo fushatë ishte e para ku u debatua haptazi roli që duhej të luante feja në një shoqëri,  si ajo e Amerikës.  Xhon F. Kenedi, i vetdijshëm se shumica protestane e shikonte atë si një kandidat që i përkiste fesë katolike, u detyrua të  fliste lidhje me rolin e fesë në politikë, një fjalim që edhe sot konsiderohet si një kryevepër në lidhje me këtë subjekt, e që mund të shërbejë si një përvojë historike nga e cila mund të  marrin mësim edhe të tjerët.

Në shtator të vitit 1960, kandidati për president Xhon Kenedi, në një përpjekje për të zhdukur dyshimet e shumicës prptestane në lidhje me përkatësinë e tij katolike mbajti fjalimin para një grupi priftërinjsh protestanë në qytetin Hjuston të shtetit Teksas.  Me atë rast, ai bëri disa deklarata në lidhje me rolin, që sipas tij duhej të luante feja në politikë dhe në shoqëri.  Ai u tha atyre se besonte fuqishëm në ndarjen absolute të shtetit nga feja, duke theksuar, ndër të tjera, se asnjë besim nuk duhet të favorizohet mbi të tjerat, pa marrë parasyshë shumicën përbërëse të njërës ose tjetrës fe.  Ndërkaq, ai nënvijoi besimin e tij të thellë në lirinë e fesë duke thënë se, ”Unë besoj në një Amerikë, e cila zyrtarisht nuk është as katolike, as protestane as hebreje”,  duke shtuar se ai besonte në një Amerikë, ku asnjë zyrtar qeveritar nuk kërkon as nuk pranon udhëzime mbi politikën e shtetit, nga asnjë burim as udhëheqje kishtare ose fetare.   Xhon Kenedi pat thënë me atë rast se ai besonte në një Amerikë ku asnjë ent fetar të mos përpiqet të imponojë, në mënyrë direkte ose indirekte, vullnetin e tij mbi publikun e gjërë ose të ushtrojë influencë mbi aktet dhe veprimtarinë publike të zyrtarëve të shtetit.  Ai ka thënë gjithashtu se beson në një shtet ku, “Liria e fesë është pa dallime dhe e barabartë për të gjithë”, duke shtuar se “një akt kundër një enti fetar duhet të konsiderohet si një akt kundër të gjitha feve.”  Xhon Kenedi me fjalimin e tij, përkrahu idenë se njerëzit duhet të jenë të lirë të besojnë çfarë dëshirojnë, pa iu imponuar asgjë atyre, duke theksuar se besonte në një Amerikë ku amerikanët nuk janë të ndarë  në bazë të feve, por besonte në një Amerikë ku të gjithë kanë një ndjenjë vëllazërimi dhe ku anëtarët e të gjitha feve trajtohen si të barabartë.

Shqiptarët mbi të gjitha besojnë në liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës dhe të besimit, për veten dhe për të tjerët. Për këto liri është derdhur shumë gjakë dhe gjatë shekujve janë humbur aq jetë shqiptarësh.  Kurrë shqiptarët nuk ka njohur ndasi dhe as urrejtje fetare midis tyre as me të tjerët.  Shqiptarët u dalluan si të vetmit në Europë që strehuan dhe shpëtuan hebrejtë nga nazistët.  Kjo është fryma vëllazërore e shqiptarit që nuk ka njohur asnjëherë kufij  as dallime fetare.  Andaj, shqiptarët sot nuk guxojnë të bien pre e influencave të huaja që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, por të jenë besnikë të traditës dhe kulturës kombëtare, përfshrirë edhe harmoninë fetare.  Kjo është në interesin kombëtar dhe  ky shqetësim duhet të jetë në ndërgjegjen e çdo shqiptari, por duhet të jetë sidomos e ngulur në ndërgjegjen e çdo udhëheqsi fetarë dhe politik që feja të mos përdoret për qëllime përçarjesh dhe konfliktesh vëllazërore.      

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, John Kenedy, Roli i fese ne politike

Le të jetë viti 2014, Viti i Shqiptarëve!

December 31, 2013 by dgreca

GËZUAR VITI I RI 2014/

Nga Frank Shkreli/

Viti i Ri është festa më gjithpërfshirse dhe më e celebruar në botë.  Me këtë rast, ne përpiqemi që — në nivelin personal — këtë ditë ta festojmë me më të afërmit, me familje, me miqë e dashamirët tonë, për të shënuar atë që shpresojmë të jetë një fillim i ri sukesesesh dhe realizim objektivash për veten tonë dhe për familjen, njëherazi duke lënë pas, moskënaqsitë, dështimet dhe humbjet e vitit ose viteve që kaluan.  Mbi të gjitha, urojmë njëri tjetrin që Përendia të na dhurojë në Vitin e Ri, gjërat bazë dhe më të rëndësishme, siç janë jeta dhe shëndeti, për veten tonë, për familjet tona dhe për miqët dhe dashamirët tonë të ngushtë, por shpreesojmë edhe për lumturi dhe begati.

Është gjithashtu traditë që më rastin e Vitit të Ri, të angazhohemi duke i bërë vetes (dhe të tjerëve) premtime se vitin e ardhëshëm do ndërmarrim veprime dhe projekte për përmirësim, për ndreqjen e gabimeve, dhe për rritjen e vlerave dhe të cilësisë së punës dhe veprimtarisë tonë në përgjithësi.

Bëjmë urime dhe dërgojmë mesazhe frymëzimi për një Vit të Ri të lumtur, me besimin për një fillim të ri, të bindur se ky Vit i Ri do të jetë më i mirë dhe më i suksesëshëm se ai që posa mori fund.  Edhe pesimisti më i madh në këtë ditë, përpiqet që të fillojë Vitin e Ri me një qendrim më pozitiv dhe më shpresëdhënës, për një të ardhëme më të ndritur dhe më të lumtur.

Prandaj le të jetë kjo një ditë celebrimesh për ju dhe të afërmit tuaj, një ditë gjithashtu premtimesh dhe mundësishë për realizimin e objektivave të mëdha, por të jetë njëkohësisht edhe një ditë ëndërrimi dhe besimi, se viti i ardhëshëm do të jetë vërtetë më i mirë se viti që kaloi, për ne si individë, për familjen tonë të ngushtë dhe për familjen më të gjërë, kombin shqiptar dhe për vendin kudo që jetojmë, të përhapur anë mbanë botës.

Në nivelin kombëtar, Viti i Ri do të jetë një vit vendimesh me rëndësi si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën.  Ky do të jetë viti vendimtar i avancimit ose jo të aspiratave të shqiptarëve për integrimin e mëtejshëm dhe të plotë të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike.

Por për të bërë të mundur një gjë të tillë, a do jetë ky viti gjatë të cilit politika shqiptare në të gjitha trevat, do të ngrihet mbi interesat personale dhe partiake për të këthyer njëherë e mirë timonin e anijes së kombit shqiptar drejtë Europës duke përvetësuar vlerat, standardet dhe angazhimet e përbashkëta të kontinetit.  Ndonëse, shqiptarët dikur ishin mësuar të luftonin trimërisht të huajin, kryesisht të bashkuar me njëri tjetrin për idealet kombëtare, sot duket sikurë qielli i trojeve shqiptare është mjegullosur nga lufta politike vëlla me vëlla, për pushtet dhe interesa të ngushta personale, duke mos përfillur interesat madhore e afatgjata të kombit.

Besoj se të gjithë shqiptarët vullnet mirë, brenda dhe jashtë trojeve të tyre, urojnë dhe dëshirojnë që Viti i Ri 2014, të sjelli një atmosferë debati të hapur e miqësor, një debat që me të vërtetë ka munguar por një debat të cilin e meritojnë shqiptarët dhe e ardhmja e tyre në Europë.   Kjo është përgjegjësia morale dhe atdhetare e atyre që udhëheqin sot shqiptarët.

Urojnë shqiptarët vullnet mirë që të ketë një ripërtërirje rrënjësore politike e pse jo edhe morale në radhët e klasës politike shqiptare, ashtuqë interesat kombëtare — megjithë ndryshimet e theksuara në pikëpamjet e përfasuesve të kësaj klase — të bashkrendohen dhe të harmonizohen me qëllim të krijimit të shtetit dhe të një qeverisjeje në përputhje me frymën moderne të kohës, si dhe në përshtatje të vlerave dhe standardeve europiane.  Le të jetë viti 2014, viti i fillimit të integrimit përfundimtar të shqiptarëve në Europë.  Le të jetë ky brezi fatlum që realizon ëndërrën shekullore të shqiptarëve.  Le të jetë ky angazhimi serioz për Vitin e Ri — i atyre që kanë sot në dorë fatin e shqiptarëve, pa ua hedhur fajin të huajve ose njëri tjetrit — për realizimin e këtij objektivi të madh e historik në interes të kombit.

Të nderuar pjesëtarë të të gjitha ngjyrave politike, angazhonju se në Vitin e Ri që po fillon, me veprat tuaja do të lartësoni vlerat kombëtare të shqiptarëve duke ndezur një shkëndi drejtë rrugës së integrimit të plotë euro-atlantik, një rruge që do të hapë epoka të reja në historinë e shekullit 21-ët të shqiptarëve.

Në këtë kuptim, le të jetë viti 2014, Viti i Shqiptarëve. Gëzuar Viti i Ri.

Filed Under: Featured Tagged With: 2014 Viti i shqiptareve, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 151
  • 152
  • 153
  • 154
  • 155
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT