• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REABILITOHET ENVER HOXHA

December 8, 2013 by dgreca

Menduam se u rrëzua më 1990…..….Por u ringjallë më 2013/

Nga Frank Shkreli/

Thonë se është pjesë e historisë, andaj si i tillë duhet të respektohet, madje edhe në ceremoni zyrtare, siç ndodhi me vendosjen e portretit të diktatorit komunist shqiptar, siç duket në fotografi, pas kryeministrit, në ceremoninë zyrtare të përkujtimit të 29 Nëntorit.  Në vend që Enver Hoxha dhe regjimi i tij gjakatar të akuzohen për krime politike dhe abuzime ndaj popullit të vet, portreti i Enver Hoxhës, i cili që konsiderohet si njëri prej diktatorëve më të mëdhej të Europës dhe të  botës shpaloset, për herë të parë pas rënjes së komunizmit në Shqipëri, gjatë një ceremonie të sanksionuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare.

Nuk duhej të ndodhte një gjë e tillë!  Pse ndodhi këjo, kush e vendosi dhe kush e miratoi praninë e portretit të diktatorit?  Asnjë njëri nuk ka dhënë ndonjë përgjigje zyrtare, as qeveria as ndonjë zëdhënës i saj.  Por analistë kanë mbrojtur këtë masë, duke komentuar aty këtu se pse mos të vendoset portreti i Enver Hoxhës, pasi ai është pjesë e historisë shqiptare dhe si i tillë porteti i tij e ka vendin dhe meriton të vendoset në një ceremoni shtetërore siç ishte ajo e 29 Nëntorit.

Fatkeqsisht, është e vërtetë se Enver Hoxha është pjesë e historisë shqiptare, por ky fakt nuk justifikon glorifikimin e tij duke ngritur portretin e tij gjatë një ceremonie që synonte nderimin dhe kujtimin e sakrificave  të dëshmorëve të kombit.  Unë nuk sugjeroj që Enver Hoxha të fshihet nga historia. Përkundrazi, ai është pjesë e historisë, andaj si pjesë e historisë që ai është, Enver Hoxha nuk duhet të harrohet kurrë por të kujtohet si njëri prej diktatorëve më të njohur të botës për tmerret dhe krimet e regjimit të tij kundër një popullësie të pafajshme.  Historia  shqiptare nuk e zgjodhi atë.  Ai iu imponua historisë shqiptare nga agjentët sllavo-komunistë. Këtë gjë nuk e meritonte kombi shqiptar, dhe as historia shqiptare nuk e meritonte Enver Hoxhën.  Për më tepër, as Shqipëria e sotëme nuk e meriton portretin e tij.  Enver Hoxha duhet të mbahet mend si dishepulli më i devotshëm i Stalinit, diktatorit, i cili vrau e preu, burgosi dhe dërgoi miliona njerëz të pafajshëm në kampet e përqëndrimit duke krijuar një gjenocid të vërtetë në ish Bashkimin Sovjetik dhe në Europën Lindore, njësoj si Hitleri, mos më shumë.  Enver Hoxha vrau e internoi  me mijëra familje shqiptare,   që nuk ishin dakort me sistemin e komunist që ai i imponoi vendit dhe kombit, por ai njëkohësisht spastroi me dhunë edhe radhët e Partisë Komuniste, disa nga më të afërmit e tij ideologjikisht, përfshirë edhe zhdukjen e ajkës intelektuale të vendit, të kohës së tij.  Është e vërtetë se ai nuk vrau e preu sa Hitleri dhe Stalini, jo se nuk ishte i aftë moralisht të bënte një gjë të tillë, por sepse nuk kishte as miliona shqiptarë për të vrarë dhe as hapësirën gjeografike për të bërë krime të tilla, jo se nuk kishte vullnetin dhe dëshirën për të zhdukur ata që ai i konsideronte armiqë të tij dhe të sistemit komunist që ai përfaqsonte, qofshin qenë ata edhe me miliona në numër.

Krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij komunist duhet të jenë patjetër pjesë e historisë, ashtu siç janë krimet e nazismit, komunizmit dhe krimet e të gjithë diktatorëve anë e mbanë botës, me qëllim që ato regjime dhe krimet e tyre kundër njerëzimit, të mbahen mend për personifikimin e vërtetë të natyrës së të keqes dhe që krimet e tyre të mos harrohen kurrë nga brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm. Enver Hoxha dhe regjimi i tij duhet të kujtohen në histori për aleancat e tija ideologjike me armiqët, historikisht, më të mëdhej të kombit shqiptar, të cilët nuk ia donin të mirën shqiptarëve as atëherë as sot, duke filluar nga lidhjet e ngushta të  Enver Hoxhës dhe të komunistëve shqiptarë me sllavo-komunistët e Titos, të cilët në të vërtetë e krijuan Partinë Komuniste Shqiptare, këtë pjellë të huaj sllavo-aziatike.  Pastaj, historia duhet t’i njohë Enver Hoxhës ”meritën” e madhe fatzezë për kombin shqiptar, edhe për lidhjet e tija të ngushta me diktatorët më të egër që ka njohur shekulli i kaluar: lidhjet e tija me Stalinin dhe eventualisht aleancën me Mao tse Tungun e Kinës së kuqe që, si rrjedhim, çoi një spastrim të kulturës dhe traditave shekullore shqiptare, përfshirë edhe zhdukjen e të drejtës për të ushtruar lirshëm besimin, ndërkohë që  mori vendimin absurd duke shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë.   Më në fund, ai u prish me të gjithë këta ndonëse të gjithë ata i kishin parë gënjeshtrat e sistemit të tyre, dhe të cilët sipas  Enverit kishin devijuar nga rruga e drejtë e marksizëm leninizmit dhe e deklaron veten si i vetmi marksist leninist i vërtetë në botë.

Aty nga fillimi i 70-ave, Enverit nuk i kishte mbetur mik në tokë, iu shuanë flakët e revolucionit  ndërkombëtar, u ndërprenë aleancat ideologjike dhe mbeti i vetëm duke ushtruar, në emër të “komunizmit të vërtetë” shtypje e mizori mbi popullin shqiptar pa kurrfarë ndëshkimi nga askush.  Me fjalimet e tija ai sugjeronte se ishte një zë i diskredituar — brenda dhe jashtë vendit — që i fliste vetvetes në errësirën shpirtërore dhe morale që kishte kapluar jo vetëm atë personalisht dhe regjimin e tij, por fatkeqsisht edhe të gjithë Shqipërinë.  Si burrë shteti që ishte, ai fliste haptasi për përdorimin e dhunës për të likuiduar armiqtë e modelit të tij komunist, sidomos brenda vendit, gjë që e realizoi me shumë sukses dhe i shpalli luftë të gjithë botës.  Realiteti ishte Enveri kudo, kurdoherë dhe për gjithmonë.

Enver Hoxha duhet të jetë pjesë e historisë shqiptare, jo për tu venë në piedestal, por për tu studjuar nga hostorianët e pa-anshëm me qëllim për të zbuluar të vërtetën e mizorive të  regjimit të tij.  Sa familje shqiptare të ashtuquajtura “të prekura” njohim secili prej nesh, që në një mënyrë ose në një tjetër, vuajnë edhe sot e kësaj dite, brez pas brezi, pasojat e atij sistemi, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.  Enver Hoxha dhe regjimi tij duhet të njihen dhe të studjohen nga historia me qëllim që krimet e tij kundër njerëzimit të zbulohen dhe të dokumentohen me shpresë që të mos përsëritën më.  Shpalosja e portretit të Enver Hoxhës në atë tubim zyrtar në Tiranë ishte një shuplakë ndaj viktimave të komunizmit dhe familjeve të tyre në Shqipëri dhe kudo të përhapur nepër botë. Ishte një glorifikim dhe justifikim i paturpshëm i krimeve të regjimit të Hoxhës.

Në vend që Tirana zyrtare të riabilitojë figurën e Enver Hoxhës, të hapë dosjet që shqiptarët dhe bota të shohin krimet e regjimit të tij!  Për ndryshe, siç ka thënë edhe fituesi i Çmimit Nobel, Elie Wiezel, “Cila është alternativa? Për të mos thënë të vërtetën? Të lejohet që e vërteta të zhduket? Të lejohet  që e vërteta të zhduket së bashku me viktimat?”   Siç duket, ky ishte qëllimi i atyre që shpalosën portretin e Enver Hoxhës më 29 Nëntor.  Shpalosja e portretit të Enver Hoxhës më 29 Nëntor ishte në të vërtetë një kurorëzim i  mos veprimit të politikës shqiptare të këtyre 20-viteve të kaluara, e cila  ka refuzuar të hap dosjet, ka heshtur ose aktivisht ka mohuar dhe përgnjeshtruar të vërtetën mbi krimet e regjimit të Enver Hoxhës si dhe të vërtetën mbi vrasjet dhe zhdukjen e mijërave viktimave të këtij regjimi, fati as varrezat e të cilëve nuk dihen as sot.

 

Megjithëse fjala gjenocid qe përdorur fillimisht për krimet që kanë ndodhur në kampet naziste të përqëndrimit për të përshkruar masakrat naziste dhe Gulagun komunist sovjetik, përcaktimi i kësaj fjale i referohet edhe akteve që regjime të ndryshme komuniste, përfshirë regjimin enverist, kanë ndërmarrë gjatë qeverisjes së tyre, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ”Me qëllim për të zhdukur pjesërisht ose në terësi, një grup nacional, etnik, racial ose fetar”, e që sipas OKB-së përfshinë edhe dëmet mendore dhe kufizimet e  ndryshme ndaj lirisë dhe dinjitetit njerëzor.  Quaje si të duash, luftë klasash ose gjenocid, këjo ësht historia e komunizmit jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë.  Andaj, Enver Hoxha si përfaqsuesi kryesor i këtij regjimi, do e s’do, është pjesë e kësaj historie të tmerrshme të kombit shqiptar, por këjo nuk justifikon që portreti i diktatorit Hoxha të shpaloset gjatë një ceremonie zyrtare, të sponsorizuar nga qeveria e sotëme shqiptare, për herë të parë të këtyre 20 e sa vjet pas rënjes së komunizmit.  Duke gjykuar nga heshtja zyrtare e Tiranës, duket se vendimi për ngritjen e portretit të Enverit  është marrë me aprovimin e plotë të udhëheqjes më të lartë të qeverisë shqiptare.

Ke donte të kënaqte qeveria duke lejuar një spektakël të tillë më 29 Nëntor? Është për tu habitur për arrogancën e heshtjes që pasoi këtë vendim, megjith kërkesat nga organizata të përndjekurish dhe nga media për një shpjegim zyrtar të shpalosje ssë portretit të diktatorit.  Askush nuk ndjenë asnjë përgjegjësi për të shpjeguar arsyet e marrjes së vendimit për vendosjen e portretit të dikatorit në një ceremoni të tillë dhe në një vend publik,  për herë të parë në dy dekadat e fundit të Shqipërisë post-komuniste.  Me këtë heshtje, pa-përgjegjësia institucionale ka arritur kulmin!

Ndryshe nga Kuvendi i Shqipërisë, Parlamenti europian ka miratuar një numër rezolutash dhe deklaratash për të kujtuar dhe nderuar viktimat e komunizmit dhe ka caktuar 23 Gushtin si ditën për të kujtuar me, “dinjitet dhe pa-anëshmëri”, të gjitha viktimat e regjimeve totalitare dhe autoritare. Për ata që mund të kenë harruar natyrën e vërtetë të komunizmit,  Komisionerja për Drejtësi e Bashkimit Europian, Viviane Reding ka thënë se, “Regjimet totalitare përfaqësojnë mohimin e dinjitetit njerëzor si dhe shkeljen e të gjitha të drejtave themelore të shoqërive tona, të ndërtuara në bazë të demokracisë dhe të respektit për rendin dhe ligjin. Ne jemi të detyruar që viktimave të këtyre krimeve, si dhe familjeve të tyre t’u ofrojmë simpatinë, mirëkuptimin dhe të jemi të vetdijshëm dhe të ndërgjegjëshëm ndaj vuajtjeve të tyre.  Çdo viktimë e cilit do regjim totalitar ka të njëjtin dinjitet njerëzor dhe si e tillë meriton prej nesh drejtësi, kujtesë dhe njohje të vuajtjeve të tyre”.Të nderuar pushtetarë të qeverisë dhe të Kuvendit shqiptar: Ju e shpalosët zyrtarisht portretin e Enver Hoxhës, po kur do të kujtoni dhe të “nderoni me pa-anëshmëri” edhe viktimat e pafajshme të regjimit të tij?

Menduam se u rrëzua më 1990…..….Por u ringjallë më 2013

 

Filed Under: Featured Tagged With: Enver Hoxha, Frank shkreli, rehabilitohet

PROTESTUESIT UKRAINAS: PO EUROPËS, JO RUSISË

December 4, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Për disa javë tani me mijëra demonstrues në kryeqytetin Kiev të Ukrainës dhe në qytete të tjera të atij vendi, po protestojnë kundër vendimit të qeverisë së tyre për të mos nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme ekonomiko-tregtare me Bashkimin Europian (BE).  Demonstruesit valvitin flamujt të Ukrainës dhe hedhin parulla pro-perëndimore, duke treguar haptas mbështetjen e tyre për një bashkim më të ngushtë të vedit të tyre me Europën.   Ndonëse refuzimi i qeverisë ukrainase për të nënshkruar marrveshjen me BE-në është një goditje e rëndë ndaj shanseve të kësaj republike ish-sovjetike për të bërë anëtare e BE-së, protestuesit tani kërkojnë edhe dorëheqjen e qeverisë, sepse sipas tyre, ajo iu nënshtrua presionit politik dhe ekonomik të ushtruar nga Rusia, për të mos nënshkruar marrveshjen me Bashkimin Europian.  Ndërkohë, qeveria e Kievit ka njoftuar se ka rifilluar bisedimet me Bjellorusinë dhe Kazakstanin për një marrveshje tregtare me to, vende këto që janë anëtare të një tregu ekonomik e tregtar që kryesohet nga Rusia, ashtu siç janë edhe disa vende të tjera ish-sovjetike.  Ky bashkim tregtar, midis Moskës dhe ish-republikave sovjetike, në të vërtetë, i përngjanë deri diku një ”bashkimi europian” të lindjes nën kontrollin e Moskës.   Analistët thonë se presioni i Moskës ndaj Ukrainës për të mos nënshkruar marrveshjen me Bashkimin Europian, është një përpjekje e presidentit rus Vladimir Putin, për të rikrijuar ish-Bashkimin Sovjetik, gjeografikisht, politikisht dhe ekonomikisht — gjë që mund të përfundonte në një luftë të ftohtë të re.  Në mos në një luftë të ftohtë, atëherë një një luftë të re ekonomike, që mund të përfundonte në një ndarje të re të Europës, midis lindjes dhe perëndimit.

Si ish-agjent i policisë së fshehtë sovjetike KGB, Putini e shikon Ukrainën si edhe të gjitha shtetet që dikur ishin pjesë e perandorisë komuniste sovjetike, si copa territoresh të perandorisë së vjetër ruse që i takojnë asaj dhe pa të cilat Kremlini nuk mund të vazhdojë së funksionuari.  Është e qartë se Ukraina gjëndet në prak të vendimeve historike për të ardhmen e saj, por njëkohsisht mund të thuhet se edhe mund të ketë ndikim të dukshëm edhe për të ardhmen e Europës.  Bashkimi Europian i ofron Ukrainës, e cila vuan nga një ekonomi e shkatërruar post-komuniste, tregje të pasura si dhe fonde financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që edhe Rusia i ofron asaj përfitime të njëjta.  Putini i bën presion Kievit haptas për të mos iu bashkuar Europës, pasi Ukraina ka një popullësi të madhe ruse, në radhët e të cilëve Kremlini gëzon përkrahje dhe ushtron influence të konsiderueshme.  Por analistët perëndimorë janë dakort se nëqoftse Ukraina nuk bëhet anëtare e Bashkimit Europian, ajo gradualisht do humbasë pavarësinë dhe sovranitetin e politik dhe ekonomik dhe do të jetë në mëshirën e regjimit të Vladimir Putinit.

Republikat e ish-Bashkimit Sovjetik, për më shumë se dy dekada tani, kanë gëzuar pavarësinë dhe sovranitetin shtetëror duke zhvilluar  marrëdhënje politike dhe ekonomike bazuar në interesat e tyre kombëtare me vende të ndryshme të botës, por Kremlini nën udhëheqjen e Putinit ka bërë ç’mos për t’i penguar këto vende që të integrohen në Europë, madje duke përdorur edhe kërcënime e shantazhe ekonomike dhe ushtarake, siç është kërcënimi për të prerë furnizimet ruse me gas për ngrohje gjatë stinës së dimërit.

Ndërkohë që vihet re një intensifikim i protestave dhe si rrjedhim edhe i dhunës së egër policore kundër demonstruesve paqësorë, zyrtarët amerikanë dhe euorpianë i kanë bërë thirrje qeverisë së Ukrainës, që sipas Sekretarit amerikan të Shtetit Xhon Kerri, të “dëgjojë zërat e popullit ukrainas, i cili dëshiron të jetojë në liri, me mundësi ekonomike dhe në begati”.  Por edhe në mbështetje të kërkesave të protestuesve anë e mbanë Ukrainës, kryediplomati amerikan u shpreh  për gazetarët në Bruksel se, “ne qendrojmë pranë shumicës dërmuese të ukrainasve, të cilët e shohin të ardhmen e vendit të tyre në Bashkimin Europian”. Në këtë ndërkohë  ministrat e jashtëm të Natos nepërmjet një deklarate, dënuan përdorimin e forcës së tepruar nga forcat policore të Ukrainës.  Ndërsa Kryetari i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso tha në fillim të javës se Bashkimi Europian është gati të nënshkruaj marrveshjen me Ukrainën.

I shpejtë ishte edhe reagimi i Kongresit amerikan ndaj  dhunës së përdorur nga policia ukrainase kundër demonstruesve paqësorë. Nepërmjet një deklarate të Komisionit të Helsinkit të Kongresit të Mërkurën,  kryetari i këtj Komisioni, Senatori Benjamin Cardin, i shtetit Mariland, u shpreh se ishte shumë i shqetësuar për dhunën e ditëve të fundit në rrugët dhe sheshet e Kievit. “Brutaliteti i përdorur nga policia për të shpërndarë protestuesit paqësorë dhe rrahja e dyzina gazetarëve, përbëjnë shkelje serioze nga Ukraina, të angazhimeve të saj në mbështetje të lirisë së fjalës dhe të tubimeve paqësore.”  Senatori Cardin shprehu gjithashtu shqetësimin e tij në lidhje me lajmet që flasin për zhdukjen e më shumë se një     dyzinë protestsuesish, fati i të cilëve nuk dihet.

Cili do të jetë vendimi eventual i Ukrainës për antarësim dhe integrim në Europë, dhe sido që ta shikosh këtë vendim — pro-ose kundër — i një vendi prej 45-milionë banorësh do të jetë një pikëkëthesë për agjenën integruese të Bashkimit Europian, për marrëdhënjet e Europës dhe të Perëndimit në përgjithësi me Rusinë, si dhe për zhvillimin politik dhe ekonomik të vendeve të rajonit, por edhe të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit të tyre kombëtar.

Ukraina, si dhe çdo shtet tjetër, përfshirë edhe ish-republikat e tjera sovjetike, kanë të drejtën e vet që të zgjedhin dhe të përacktojnë rrugën e vet të zhvillimit dhe të asociimit me cilindo shtet ose grup shtetesh, pa presion dhe ndërhyrje nga jashtë, të llojit të luftës së ftohtë të periudhës komuniste.  Siç ka thënë para pak kohe Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, “Lufta e Ftohtë duhej të kishte marrë fund për të gjithë”, por jo siç duket për ish-agjentin e KGB-së sovjetike, presidentin rus, Vladimir Putin.

Ne Foto: Protestues ukrainas në Kiev duke kërkuar afarimin e vendit të tyre me Europën.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Jo Rusise, Po Europes, Protestat ne Ukraine

TË PALËKUNDËSHME JANË MARRËDHËNJET AMERIKANO-SHQIPTARE

December 2, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Javët e fundit dukej sikurë marrëdhënjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë po kalonin nepër një periudhë “prove” dhe ankthi, si përfundim i refuzimit të Shqipërisë që të pranonte shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj,  kërkesë këjo që Shtetet e Bashkuara i paraqitën një numëri vendesh, përfshirë Shqipërinë.   Mënyra se si Tirana zyrtare e trajtoi këtë çështje ishte subjekt i dy tre shkrimeve të mëparshme, andaj kësaj radhe deshta vetëm të theksoj se si ky rast pasqyroi edhe një herë rëndësinë dhe angazhimin e palëkundshëm që Uashingtoni zyrtar u kushton marrëdhënjeve amerikano-shqiptare, pa marrë parasyshë ndonjë pengese ose keqkuptimi të përkohëshëm të rastit, siç ishte vendimi për shkatërrimin ose jo të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar.   Janë raste të tilla, kur me të vërtetë provohen marrëdhënjet midis shtetesh.   Marrëdhënjet midis Shteteve te Bashkuara dhe Shqipërisë e Shqiptarëve treguan se janë të qendrueshme dhe miqësore, ndonëse edhe  në kohë krizash e sprovash e treguan qendresën dhe cilësitë e karakterit të tyre.

Historikisht, Uashingtoni i ka konsideruar marrëdhënjet me kombin shqiptar si të veçanta, madje edhe pas përjashtimit të diplomatëve amerikanë  më 1945 dhe prerjes së marrëdhënjeve diplomatike midis dy vendeve nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe më pas gjatë periudhës së Luftës së Dytë botërore.  Udhëheqsit më të lartë amerikanë, në të shkuarën dhe tani, përfshirë Presidentin Barak Obama kanë ritheksuar për të satën herë marrëdhënjet e forta dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve.  Këjo shprehje e miqësisë midis dy vendeve  nuk mungoi as në mesazhet që përfaqsues të politikës dhe diplomacisë amerikane i dërguan Shqipërisë javën e kaluar me rastin e 101-vjetorit të pavarësisë.   Në mesazhin  që Presidenti amerikan, Barak Obama i dërgoi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani  shkruan se, “Si partner krenar dhe mik, Shtetet e Bashkuara iu bashkohen Ju dhe popullit shqiptar në festimin e Ditës së Pavarësisë në 28 nëntor. SHBA dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë e të veçantë të bazuar në interesa të përbashkëta.”    Presidenti Obama, në letrën e tij drejtuar presidentit Nishani, flet për bashkpunimin e ngushtë midis Uashingtonit dhe Tiranës në fushën ndërkombëtare dhe atë rajonale duke thënë:  “Unë e vlerësoj përkushtimin e Shqipërisë ndaj paqës dhe sigurisë globale përfshirë edhe përpjekjet tona të vazhdueshme e të përbashkëta në Afganistan, si edhe rolin e Shqipërisë në ruajtjen e qëndrueshmërisë në Ballkan.”   Duke shikuar drejtë zhvillimit të mëtejshëm të këtyre marrëdhënjeve në të ardhmen, udhëheqsi amerikan, shpreh gatishmërinë e vendit të tij për të ndihmuar Shqipërinë, dhe përfundon mesazhin e tij, duke u shprehur se  “Pres që të vazhdojmë dhe të fuqizojmë marrëdhëniet tona në të ardhmen.”  Ai shtoi duke thënë se, “Ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike”, përfundon mesazhin e tij Presidenti amerikan Barak Obama.

Nuk mungoi as Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Xhon Kerri, i cili në mesazhin e tij duke uruar Pavarësinë e Shqipërisë, vlerësoi ato që ai tha se ishin, “hapa të rëndësishëm që kishte bërë Shqipëria drejt mbajtjes me sukses të zgjedhjeve shumëpartiake”.   Kryediplomati amerikan theksoi gjithashtu bashkpunimin e ngushtë midis dy vendeve në fushën ndërkombëtare dhe shtoi se, “Kalimi paqësor i pushtetit dhe përparimet në fushën e legjislacionit këtë vit”, thuhet në deklaratë, “nënvizojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë.  Duke shkruar se Shtetet e Bashkuara, “mbështesin popullin e Shqipërisë në përpjekjet për konsolidimin e sundimit të ligjit dhe të reformave ekonomike”, kryediplomati amerikan shpreh optimizmin e tij se Shqipëria do të plotësojë kërkesat e Bashkimit Europian duke përfunduar se vendi i tij, mirëpret, “rekomandimin e Komisionit Evropian që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian”.

Përveç përfaqsuesve kryesorë të degës ekzekutive të qeverisë amerikane, edhe  përfaqsuesi i degës legjislative, Senatori i shtetit të Nju Jorkut, Çarls Shumer — në një deklaratë botuar në gazetën Dielli — tha se e ka “për nder t’i urojë Shqipërisë dhe shqiptaro-amerikanëve Ditën e Flamurit, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë nga Perandoria Otomane” dhe shton se, “është nder për mua që të ve në dukje dhe të ripohoj lidhjet e ngushta midis këtyre dy kombeve të mëdha, si dhe angazhimin tim personal ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan.”   Senatori amerikan Shumer uroi gjithashtu “Shqipërinë për rritjen ekonomike dhe përparimet shoqërore  që janë bërë gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërkohë që vendi po punon drejtë antarësimit të tij në Bashkimin Europian.”

Ndryshe nga marrëdhënjet, “miqësore” të Shqipërisë gjatë 50-viteve të kaluara me shtete të ndryshme komuniste, si ish-Jugosllavia, ish-Bashkimi Sovjetik dhe Kina komuniste, marrëdhënje këto që bazoheshin në ideologjinë komuniste dhe në kultin e personalitetit të udhëheqësve, siç ishte Tito, Stalini e Mao Tse Tungu — marrëdhënjet e Shteteve të Bashkuara me kombin shqiptar nuk kushtëzohen as nuk i kushtohen ndonjë politikani as ndonjë ideologjie as ndonjë partie politike, por konsiderohen si marrëdhënje popull me popull, pa marrë parasyshë se cili person ose cila parti udhëheqë qeverinë shqiptare, përderisa ata të kenë ardhur në pushtet me anë të votës së lirë.  Ishte mungesa e votës së lirë, ose refuzimi nga regjimi komunist i Enver Hoxhës të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira më 1945 dhe si rrjedhim disa muaj më vonë, Uashingtoni mbylli misionin e tij diplomatik në Tiranë.

Pak më shumë se 22-vjetë më parë, Shqipëria më në fund iu përgjigj miqësisë së Shteteve të Bashkuara me miqësi, dhe me 15 Mars, 1991, përfaqsuesit diplomatikë të dy vendeve nëshkruan memorandumin për rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis dy shteteve.  Ky ishte një fillim i ri për marrëdhënjet amerikano-shqiptare, por njëkohësisht hapi derën e pëpjekjeve që Shqipëria të integrohet në organizmat ndërkombëtare, përfshirë edhe antarësimin në NATO.  Gjatë kësaj periudhe edhe Shqipëria është treguar e denjë e kësaj miqësie, si dhe një aleat i besueshëm i Shteteve të Bashkuara ndërkohë që  ka përkrahur përpjekjet anti-terroriste të Shteteve të Bashkuara dhe ka dërguar qindra ushtarë si pjesë e forcës ndërkombëtare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në Afganistan dhe në Irak.

Duke folur për marrëdhënjet amerikano shqiptare, Fan Noli  ka thënë se  Shtetet e Bashkuara kishin  në Abraham Linkolnin një president i cili nuk mund të toleronte një Amerikë gjysëm të lirë e gjysëm skllave.  Amerika, ka thënë Noli, në figurën e Presidentit Uodrou Uilson kishte një president i cili nuk duronte një botë gjysëm të lirë dhe gjysëm në skllavëri.   Një prioritet kryesor i politikës amerikane karshi Shqipërisë ka qenë dhe është procesi i integrimit të Shqipërisë në Europë, ashtuqë që Shqipëria të bëhej pjesë e botës së lirë.  Administratat amerikane, qofshin ato të partisë republikane ose demokrate e kanë bërë vazhdimisht të qartë, se pa marrë parasyshë mosmarrveshjet ose keqkuptimet, nga koha në kohë midis dy vendeve,ato janë të një natyre midis miqësh dhe aleatësh.   Dhe se politika e Uashingtonit, siç demonstrojnë edhe deklaratat e javës së kaluar të udhëheqsve më të lartë amerikanë drejtuar Shqipërisë me rastin e 101-vjetorit të pavarësisë së saj, mbetet një politikë e marrëdhënjeve të interesit të përbashkët dhe e angazhimit serioz e diplomacisë amerikane për një Shqipëri stabile dhe të begatë, në paqë me vetveten dhe me të tjerët.  Njëkohësisht, diplomacia amerikane vazhdon të jetë një politikë që përkrahë aspiratat e kombit shqiptar për integrimin e tij në të gjitha organizatat euro-atlantike duke inkurajuar forcimin e rendit dhe zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupcionit dhe zhvillimin e mundësive dhe të drejtave ekonomike për secilin qytetar shqiptar.

Megjithë përparimet e dukshme në marrëdhënjet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në këtë përvjetor të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe pas 22 vjetësh të rivendosjes së lidhjeve diplomatike shqiptaro-amerikane, mbetet ende shumë për tu bërë në marrëdhënjet dypalëshe.  Por duke gjykuar nga deklaratat e fundit të përfaqsuesve më të lartë të diplomacisë amerikane, madje edhe “prova” e armëve kimike siriane u tejkalua pa ndonjë dëm të madh, megjithëse kishte njerëz që pritshin që ky episod të shkaktonte probleme serioze në këto marrëdhënje shembullore midis dy kombeve tona.  Përkundrazi, episodi i armëve kimike siriane dhe refuzimi i shkatërrimit të tyre në territorin shqiptar  nuk shkaktoi asnjë dëm në marrëdhënjet e tanishme as në të ardhmen midis dy vendeve.  Në mesazhin që Presidenti Obama i dërgoi Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, ai tha se, “Pres që në të ardhmen të vazhdojmë dhe të fuqizojmë marrëdhëniet tona dhe njëkohsisht ne zotohemi për mbështetjen tonë të plotë teksa vendi juaj përparon në rrugëtimin drejt integrimit të plotë në bashkësinë euroatlantike” dhe drejtë një të ardhëme më të mirë, më stabile dhe më të begatë për Shqipërinë dhe për Shqiptarët.  Të pakën ky është angazhimi serioz dhe i palëkundshëm i udhëheqësve më të lartë të politikës dhe diplomacisë amerikane.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, mardhehniet, shqiptaro-amerikane, te palekundshme

DITA E FALËNDERIMEVE NË AMERIKË DHE MIRËNJOHJA E NJË SHQIPTARO-AMERIKANI NDAJ KËTIJ VENDI

November 27, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Dita e Falenderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës festohet çdo vit, të Ënjtën e katërt të muajit Nëntor.  Këjo festë e ka origjinën në vitin 1621 dhe simbolizon ardhjen e pelegrinëve të parë nga Europa në Masaçusets, me qëllim për  të praktikuar fenë e tyre pa ndërhyrje nga askush.  Pas një dimëri të fortë, gjatë të cilit thuhet se gjysma e tyre gjetën vdekjen nga dimëri i ftohtë dhe nga mungesa e ushqimeve, ata   kërkuan ndihmën e indianëve vendas, të cilët i mësuan ata se si të mbjellnin dhe të grumbullonin të korrat.  Një vit  më vonë, pothuaj 400-vjetë më parë, kur ata korrën të lashtat e tyre të bollëkshme, pelegrinët vendosën të festojnë grumbullimin e të korrave duke falënderuar Perendinë për dhuratat.  Këjo traditë ka vazhduar në Shtetet e Bashkuara me shekuj dhe tani, ajo që quhet Dita e Falënderimeve, gjatë së cilës amerikanët e herëshëm dhe të ardhur më vonë, festojnë jo vetëm mirëqenjen materiale dhe begatinë që ky vend mundëson për ata që punojnë rëndë, por për më tepër është këjo një ditë e cila simbolizon gjithashtu sakrificat e mëdha që pësuan pelegrinët si dhe përpjekjet e tyre, që me çdo kusht, të jetonin në liri.

Është bërë traditë që çdo vit, që në këtë ditë, presidenti i Shteteve të Bashkuara lëshon një deklaratë.  Edhe sivjet, Presidenti i tanishëm, Barak Obama, tha në deklaratën e tij me këtë rast se, “Dita e Falenderimeve na jep rastin që të tregohemi mirënjohës për bekimet që kemi marrë si dhe për lirinë që gëzojmë”, duke shtuar se ”këjo traditë na kujton secilit prej nesh, pa marrë parasyshë prejardhjen tonë, fenë ose kush jemi, ose nga vimë — në thelb — ne jemi pikëspari dhe mbi të gjitha, Amerikanë.”

Edhe unë si njëri nga këta amerikanë i ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshë të re, 43 vjetë më parë me frymëzimin e vetëm për të jetuar në liri dhe në dinjitet, si shumë shqiptaro-amerikanë dhe miliona të tjerë nga e mbarë bota, në këtë ditë të Falënderimeve, ofroj mirënjohjen këtij vendi dhe falënderimet e mia ndaj Perëndisë për strehimin dhe për lirinë që unë dhe secili prej nesh gëzojmë në këtë vend.

Ashtu si edhe pelegrinët e pare, pothuaj 400-vjetë më parë në Masaçustes, edhe unë me të arritur në Shtetet e Bashkuara para më shumë se katër dekadash dhe me shijimin e parë të jetuarit në liri, gjithmonë kam qenë dhe vazhdojë të jemë mirënjohës për ato që më ka ofruar ky vend, mbi të gjitha lirinë dhe trajtimin e barabartë para ligjit, si dhe mundësitë për të zhvilluar talentin, pa marrë parasyshë prejardhjen ose fenë. Jo se rrugët e këtij vendi janë të shtruara me flori, përkundrazi, kërkohet mund e djersë për të përparuar, por ajo që e dallon këtë vend, është fakti se mundësitë dhe liria janë të barabarta për të gjithë, pa marrë parasyshë se nga cili kënd i botës vjen.  Me atë arritur në këtë vend më 1970, unë e ndjeja veten si pelegrinët e parë, i frymëzuar për të falenderuar Perendinë dhe për të festuar mundësitë që më dha ky vend, si shumë bashkatdhetarve tonë shqiptaro-amerikanë.  Fatbardhësisht, si shënjë e pare e kësaj lirie, unë kisha mundësinë që këto ndjenja t’i shprehja me shkrim duke mbrojtur liritë dhe vlerat si dhe mundësitë që ofronte ky vend për imigrantët e ri, siç isha unë në atë kohë.   Ndjenjat e mia të falenderimit dhe mirënjohjes ndaj këtij vendi janë njësoj sot si në fillim të viteve 1970-ave.  Në një prej artikujve të parë modest që kisha shkruar për gazetën e kolegjit si student i viteve të para, në një kryeartikull në anglisht (bashkangjitë këtij shkrimi), se “unë erdha në këtë vend me qëllimin për të bërë një jetë më të mirë në botën e re, në një vend ku mbizotëron liria dhe e drejta e barabartë për të gjithë.”  Vetëm më pak se tre vjet në këtë vend, kisha shkruar se  “Unë nuk jam i zhgënjyer” me Amerikën, duke shtuar se, “nuk po nguli këmbë se ky vend është një shoqëri e përsosur, për arsyen se nuk besoj në një shoqëri të përsosur”, andaj edhe Amerika ka të meta.   Ashtu si edhe pelegrinët e parë, në shkrimin e vitit 1973, për gazetën e kolegjit Lehman, isha shprehur se me ardhjen në Amerikë, “e ndjeja veten dhe kisha besimin e patundur se në këtë botë të re, bekimet e lirisë do të viheshin në pah, do të konkretizoheshin dhe do të provoheshin.  Me të zbritur në këtë kontinent, zemëra ime u mbush me ndjenja pavarësie personale….”

Megjithëse kur i kisha shkruar këto rreshta  isha në një moshë tepër të re, e vërteta është se edhe sot pas 43 vitesh në këtë vend, ndjenjat e mia të mirënjohjes dhe të falenderimit për lirinë që gëzojmë dhe për mundësitë që Amerika më ka dhënë mua dhe familjes time — nuk kanë ndryshuar aspak.  Në të vërtetë do e shkruaja edhe sot të njëjtin artikull, ndoshta vetëm me ndonjë ndryshim të vogël drejtëshkrimor, aty këtu, duke përfunduar tani – në Ditën e Falendërimeve 2013 — si dhe atëherë se, “Jam krenar dhe  e ndjejë veten të privilegjuar që jetoj në këtë vend.  Sa fat dhe kënaqësi është që të jetosh në liri”.   Për këtë falënderoj, mbi të gjitha, Perëndinë.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Diat e falenderimeve ne Amerike, Frank shkreli, Mirenjohja shqiptare

29 Vjet me pare- GËZUAR 28 NËNTORIN – DITËN E FLAMURIT, DITËN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

November 26, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/

*(Shënim: Shkrimi i mëposhtëm*, megjithëse i shkruar pothuaj 30-vjetë më parë, dhe i transmetuar nga autori në Zërin e Amerikës më 28 Nëntor  1984 — ashtu siç ishte traditë për çdo 28 Nëntor -duket gjithnjë aktual, pasi vet festa e 28 Nëntorit është gjithmonë aktuale dhe e përhershme dhe çuditërisht pasqyron edhe festimet e komunitetit shqiptaro-amerikan të festës kombëtare të Shqipëtarëve — si atëherë edhe sot — ndonëse sot në përmasa shumë më të mëdha pasi vet komuniteti shqiptaro-amerikan ka ardhur e zgjëruar shumë në këto dy tre dekadat e fundit).

“Në këtë ditë të shënuar për kombin shqiptar, edhe shqiptarët e komuniteteve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, megjithëse kanë kaluar dekada të tëra ç’prej shpërnguljes së tyre nga Atdheu, si edhe ata që kanë ardhur kohët e fundit në Amerikë, kujtojnë me mall, veçanërisht në këtë ditë, Atdheun, Shqipërinë, trimëritë e heronjve kombëtarë, fuqinë, guximin dhe ndjenjat për Mëmdheun.

Siç vërtetojnë edhe këngët e vjetëra të Arbëreshve, që në kohët më të lashta, Shqipëria formonte një terësi në mendje dhe në zemër dhe nuk ndahej në fise, siç e paraqitnin armiqtë e saj. Këto ndjenja janë edhe më të thella në radhët e shqiptarëve të Amerikës me rastin e festës së 28 Nëntorit, ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Megjithëse larg, ata janë afër Atdheut, afër flamurit të Arbërit. Në Amerikën e Uashingtonit, të Xhefersonit dhe të Linkolnit, djepit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, shqiptarët anë e mbanë Shteteve të Bashkuara kujtojnë këtë ditë kaq të rëndësishme për ta, këtë ditë të shënuar të kombit shqiptar, i cili për shekuj me radhë jetoi me armë në dorë dhe me dorë në armë, vetëm e vetëm për të qenë zot në truallin e vet. Si për shqiptarët kudo, ashtu edhe për shqiptarët e Amerikës, 28 Nëntori ndezë një flakë dashurie, ngjallë shpresën dhe në jehonën e kësaj dite, secili prej tyre shpalosë kujtimet dhe sakrificat e luftëtarve shqiptarë dhe njëkohësisht të gjithë e ndjejnë veten se bejnë pjesë në një sofër të përbashkët kombëtare.

Në mbledhje e në konferenca politike dhe shoqërore, dhe në shërbimet fetare që mbahen sot në qendrat myslimane, ortodokse dhe katolike të komunitetit shqiptaro-amerikan, kujtohet Gjergj Kastrioti në Lezhë, Abdyl Frashëri në Prizren, bashkë me zbritjen në Vlorë të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Isa Boletinit e të tjerëve. Në veshët e tyre, jehon sot kushtrimi i Bajram Currit, i Ded Gjon Lulit, i Mihal Gramenos dhe i Çerçiz Topullit.

Në radhët e shqiptarëve të Amerikës, përveçse zgjon ndër ta dashurinë për Atdheun, 28 Nëntori i sjellë atyre në mend edhe përpjekjet e e një ish-presdenti të vendit të tyre të adaptuar, dmth, orvatjet e Uodrou Uilsonit, i cili kishte në zemër fatin dhe interesin e kombeve të vegjël, në një kohë kur ato ishin pjesë e planeve përçarse të fuqive të mëdha të asaj kohe. Interesimi dhe përkrahja e presidentit amerikan Uilson për pavarësinë e Shqipërisë, është venë në dukje shpeshëherë. Dua të përmend vetëm përvojën e një shqiptaro-amerikani të dalluar, dmth. Të peshkop Fan Nolit, i cili, sipas shkrimeve dhe kujtimeve të tija, ka patur rastin të takohej personalisht me ish-presidentin amerikan, Uilson.

Noli ka thënë se gjatë takimit që ka patur me Uilsonin, ai i bëri atij thirrje që të shpëtonte racën heroike shqiptare. Gjithnjë sipas Fan Nolit, Uilsoni iu përgjigj atij duke thënë tekstualisht kështu: “Një zë do të kemë në Konferencën e Paqës dhe atë zë do t’a përdor për të mirën e Shqipërisë.”

Pas veprimtarive të ndryshme të ditës, komunitete të mëdha të shqiptarëve në Amerikë, si për shëmbull në Nju Jork, në Detroit, në Boston, në Çikago, në Filadelfia, në Uestër, në Los Angjeles, në San Francisco dhe në qytete të tjera anë e mbanë Amerikës, shtrohen darkë  dhe në përgjithësi është një natë gazmore me këngë e valle deri në orët e para të mengjesit. Është gjithashtu edhe një rast që shqiptarët anë e mbanë Amerikës të takohen e të shmallen me njëri tjetrin duke uruar ditën e 28 Nëntorit.

Me këtë rast, seksioni i gjuhës shqipe i Zërit të Amerikës u uron dëgjuesve të tij, si mbrenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë, për shumë vjetë e gëzuar Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.”

*Transmetuar nga VOA, 28 Nëntor, 1984

Filed Under: Featured Tagged With: 29 vite me pare, Frank shkreli, Gezuar 28 nentorin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 153
  • 154
  • 155
  • 156
  • 157
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT