• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KARL GURAKUQI: MJESHTËR I SHQIPES  

December 8, 2023 by s p

Mik dhe bashkpuntor i Avni Rrustemit

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence
Karl Gurakuqi - Alchetron, The Free Social Encyclopedia

                                                       Profesor Karl Gurakuqi

                                                 24 Mars,1895 – 6 Dhjetor,1971

Profesor Karl Gurakuqi ka ndërruar jetë më 6 dhjetor, 1971, jashtë Atdheut dhe larg Shkodrës së tij të dashur – ashtu siç ishte dhe është gjithnjë fati i të mërguarve shqiptarë anti-komunistë – sepse Atdheu i tyre i lindjes nuk i donte brenda gjatë regjimit komunist, ashtu të klaisifikuar si tradhëtarë dhe armiq të vendit e të popullit të vet.  Por siç duket as sot, 30-vjet më vonë, në të ahtuquajturin tranzicion “post-komunist”, shkrimtarë e letrarë si Karl Gurakuqi, nuk janë të mirëpritur. Emrat, veprat dhe kontributet e tyre, vazhdojnë të jenë edhe sot, jo të ndaluara krejtësisht, por të harruara dhe të anashkaluara, ashtu siç ishin  sa ishin gjallë dhe në kulmin e veprimtarisë së tyre. Ma merr mendja se po të pyetën studentët shqiptarë në Tiranë ose Prishtinë sot, se kush ishte Karl Gurakuqi, njëri prej këtyre të intelektualëve shkodranë rë harruar, kam drojë se nuk do çonte kush dorën. Po kush ishte ky “ashik” shkofran, i dashuruar pas gjuhës Shqipe dhe cilat ishin kontributet e tija gjuhësore dhe jo vetëm?  Kush ishte Karl Gurakuqi?

Duke pasur si burim revistën “Shëjzat” të Ernest Koliqit, (“Shëjzat”-10-12, 1971) — njëri prej bashkthemeluesve dhe bashkpuntor i të cilës ishte vet Karl Gurakuqi qysh prej vitit të parë të botimit të kësaj reviste të famshme, njëri prej tre shtyllave kryesore të “Shejzave (së bashku me Ernest Koliqin dhe Martin Camajn) dhe bashkpuntor pa ndërprerje i mikut të tij të ngusht dhe botuesit Ernest Koliqi, jo vetëm në mbajtjen gjallë të kësaj reviste ndër vite.  Por, Karl Gurakuqi ishte më shumë se kaq. Megjithë hipokrizinë dhe pandershmërinë intelektuale – nga qarqet akademike dhe universitare shqiptare — që ushtrohet sot ndaj tij dhe shumë të tjerëve si ai, në përvjetorin e vdekjes së tij (me 6 Dhjetor, 1971), po sjellim, modestësisht, disa të dhëna informative për jetën dhe veprimtarinë e Karl Gurakuqit –me qëllim për të hedhur sadopak dritë mbi kontributin e këtij mjeshtri të madh të gjuhës shqipe, ndonëse i mërguar për dekada.

Karl Gurakuqi ka lindur në Shkodër me 24 mars 1895. Ka ndjekur  mësimet fillore e të shkollave të mesme po në atë qytet ndër Etërit  Françeskanë.  Maturën klasike e ka kryer në Salzburg të Austrisë, ndërsa  studimet filozofike ka bërë në Graz. Me të kthyer në Shqiëri pas studimeve, Karl Gurakuqi shërbei vazhdimisht në fushën e arsimit  kombëtar ç’prej vjetit 1917 e deri me 1944.  Ngjarjet e njohura e detyruan Gurakuqin që pas Luftës së II Botërore të merrte rrugët e mërgimit, si shumë bashkombas të tij intelektual të Shqipërisë të cilët kundërshtuan regjimin e imponuar sllavo-aziatik komunist të merrte rrugët e mérgimit. Pas disa endjeve në vende té ndryshme, u thirr e gjet mikpritje né Palermë nga intelektuali i njohur arbëresh i asaj kohe, i ndjeri Rozolin Petrotta — një Arbresh ky zêmërmadh që gjatë jetës së vet u përpoq me mendë e me shpirt pér lartësimin e vlerave të  shqiptarizmit.  Në Universitetin e kryeqytetit të Sicilisë, fillimisht, krahas me Papa Gàetan Petrotta-n e mandej me albanologun e famëshëm At Zef Valentinin, Karl Gurakqui vazhdoi në atë universitet punën gjuhësore dhe kulturore shqipe.  “Arsimi kombëtar i detyrohet shumë  kétij Lavruesi të palodhëshëm të gjuhës shqipe dhe me arsye mund  të  njihet njëri ndër themeluesat kryesorë të aparatit shkollor në Shqipëri  dhe një prej ndër atyre veprimtarëve  të  mëdhej që në pak vjet e ngjiten  popullin shqiptar  në një  shkallë të pamenduar arsimore, prej një gjëndjeje  mesjetare, në të cilën e kishin plandosur fatkeqsitë historike”, ka shënuar miku i tij i ngushtë, Ernest Koliqi me rastin e kalimit në amshim të Karl Guraluqit në Dhjetor të vitit 1971. 

Në biografinë e botuar me atë rast në revistën Shëjzat, thuhet se  veprimtaria e Karl Gurakuqit si shkrimtar është zhvilluar  gjërësisht, në  shumë degë diturie. Shkrimtar tërheqës, përkthyes i qartë e i përpikët nga latinishtja, gjerma-nishtja e italishtja.  Drejtor i së përkohëshmes (Agimi, 1920-22,  Revista  Pedago- gjike 1925-27,  Mësuesi 1928,  Shkolla  Kombtare 1938), e tjera.  Bashkëpuntor i çmuar i revistave më të njohura të kohës, në Shqipërinë e para komunizmit.  Gurakuqi është shquar gjatë jetës së tij, sipas biografisë së tij zyrtare botuar në revistën Shëjzat, sidomos në shtjellim të argumentave gjuhësorë e letrarë.  Të shumta janë botimet e tija shkollore që u përdorën gjatë 20- e sa viteve   ndër shkollat shqiptare të kohës.  Aty thuhet se Karl Gurakuqi “mund të njihet me të drejtë si një ndër themeluesit e të së përkohëshmes s’on’é, “Shèjzat”,  shtyllat e së  cilës ai i pasuroi me syzime të vlefshëme. Përveç botimeve sa ishte në kulmin e veprimtarisë së tij letrare dhe akademike, Karl Gurakuqi, thuhet se, ka lënë shkrime të pabotuara, ndër të tjera: një ditar me radhitje ngjarjesh të dobishme për historinë  kulturore e shoqërore të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, si dhe studime gjuhësore të ndryshme. Por vepra kryesore — gati për botim – mbetet, sipas biografisë zyrtare, “Fjalori” ku ai derdhi, tërë jetën, mundìn hulumtues e shoshitës në shumë fushë leksikore e frazeologjike. (Burimi: “Shëjzat” -10-12, 1971).

Për hollësi të tjera mbi jetën dhe veprimtarinë e Karl Gurakuqit mund të lexoni shënimin nga Profesor — Arkiva Digjitale Shqiptare · Karl Gurakuqi (Shkodër, 24 mars 1895 – Bressanone 6 dhjetor 1971) · Arkiva Digjitale Shqiptare (adsh.al), ku ndër të tjera thuhet se Karl Guraluqi ka qenë mik dhe bashkpuntor  Avni Rrustemit dhe shoqërive demokratike të kohës. Në vitin 1921, sipas Profesor Romeo Gurakuqit, Karl Gurakuqi ka qenë bashkthemelues me Avni Rrustemin dhe të tjerë i Federatës “Atdheu” në Vlorë, në të cilën Karl Gurakuqi ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i saj.

Atë ditë të 6 Dhjetori, 1971, zhdukja e Mjeshtrit të shqipës, Karl Gurakuqit, miku dhe bashkpuntori i tij i ngusht –Ernest Koliqi do të shkruante se me humbjen e Karl Gurakuqit, “Na të Shêjzave me vdekjen e Karlit mbesim pa nji Bashkëpun-tuer dorës parë, besnik të patundun. Gjuha shqipe humbë nji lavrues që ia zbuloi asaj fuqinë e hirin shprehës. Bota shqiptare vorfnohet nga zhdukja e nji qytetari që e nderonte me sjellje fisnike, e pasunonte dhe e urtësonte me nji përvojë të gjatë kombtare edhe e edukonte mâ tepër se me fjalë, me prirje të butë të natyrëshme e cila ndikonte gjithmonë e gjithëkund, frymë harmonizimi shoqnuer e vëllaznije kombtare…Në kuvendim me tê, kishte njeriu përshtypjen që Ai mendonte se për kurrnji send në botë s’ia vlen barra qirân, m’u tra-zue.  Vetëm nji gjâ për të ishte absolutisht serjoze:  gjuha shqipe. Hoka mbi gjuhë shqipe nuk bârte”, Karl Gurakuqi, sipas Ernest Koliqit. “Shqipja për Të ishte gjâ shêjte. Karli qe Ashik i shqipes. Shqipen e adhuronte, e dashunonte me përkëdhelje si t’ishte nji Vashë e  bukur.  Asaj ia kushtoi jetën — ajo qe pësimi e gëzimi i Tij.  Ajo ka me ia ruejtë emnin deri vonë në mote t’ardhëshme”, ka përfunduar Ernest Koliqi komentin e tij me rastin e kalimit në amshim të mikut të tij besnik, Karl Gurakuqit me 6 Dhjetor, 1971.

Fjalët e Ernest Koliqit për Karl Gurakuqin, se Shqipja “ka me ia ruejtë atij emnin deri vonë në mote t’ardhëshme”, mund të kenë qenë tepër pozitive e plotë shpresë, por edhe ekzagjeruese, po të marrim parasysh se si trajtohet sot — 30-vjet tranzicion “post-komunizëm — jo vetëm Karl Gurakuqi por edhe vet Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe një numër shumë i madh shkrimtarësh e poetësh të Kombit të dalë nga Shkodra –zyrtarisht, të ndaluar e të anashkaluar nga atdheu i tyre për të cilin punuan e munduan  gjithë jetën e tyre – jo vetëm për një gjysëm shekulli komunizëm, por edhe sot në “post-komunizëm”, në Shqipërinë “pluraliste” e “demokratike”, anëtare e Aleancës Perendimor NATO, me shpresë për tu bërë edhe anëtare e Bashkimit Evropian.

Përjashtimi i këtyre kolosave të historisë, të gjuhës dhe kulturës shqiptare, si Karl Gurakuqi në një vend si Shqipëria – tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit — ku kultura e pluralizmit do duhej të mbretëronte dhe ku gjithëpërfshirja në edukimin e brezave të rinjë, pa dallime politike ose të mendimeve ndryshe — do duhej të ishte siguruar me kohë në një vend anëtar të NATO-s dhe me pretendime për t’u antarësuar në Bashkimin Evropian, siç është Shqipëria.  Pluralizmi kulturor dhe gjuhësor si dhe ai politik, që do duhej të perfshinte personalitete të gjuhës dhe të kulturës shqiptare deri tani të përjashtuara, qoftë nga ish-regjimi komunist, qoftë nga nostalgjikët e komunizmit sot. Kur do ta kuptojnë këta njerëz se Karl Gurakuqi me shokë kanë qenë dhe janë një pasuri kombëtare në shërbim dhe në forcimim e identitetit të vertetë kombtar të shqiptarëve.  Prandaj, synimi duhej të ishte që me gjithëpërfshirjen pluraliste në jetën e përditshme kulturore dhe akademike, sidomos në arsim, të këtyre kolosëve të Kombit, të krijohen mundësitë për një Shqipëri të një hapësire edukative e cila përafrohet më tepër me atë evropiane, e cila përqafon gjithë vlerat, parimet dhe idealet e Evropës së Bashkuar”, sipas qëllimit edhe të një konference që u mbajtë në Tiranë të mërkurën, me 6 dhjetor:  Kisha Katolike në Shqipëri: “Kultura e pluralizmit dhe gjithëpërfshirjes në edukim”. 

Përjashtimi i këtyre kolosëve të Kombit nga historia, letërsia dhe kultura shqiptare sot, le një zbrazëti të madhe në historinë kombëtare. Për këta individë vendimarrës në Tiranë dhe deri diku edhe në Prishtinë, që sot marrin vendime të tilla përjashtimi ose anashkaklimi i këtyre burrave që pasqyrojnë vlerat më të zgjedhura të gjakut iliro-arbëroro-shqiptar, a mund të thuhet se këta, si përfaaqsues dhe mbrojtës sot të kulturës shqiptare, vërtetë, kanë në zemër dhe mendje interesat dhe idealet afatgjata të Kombit shqiptar!?

Frank Shkreli

I ndjeri Prof. Karl Gurakuqi duke folur në nji ndër kuvendet e Qendrës  Ndërkombtare të Studimeve Shqiptare në Palermo. Nga e majta në këmbë para mikrofonit: Karl Gurakuqi, Ndenjur: At Zef Valentini, Prof. Ernest Koliqi, dhe Profesori i njohur arbëresh, Dr. Rozolin Petrotta.

 Kultura e pluralizmit, konferencë në Tiranë

Filed Under: Kulture Tagged With: Frank shkreli

NJË LAVDI KOMBËTARE NË NJU JORK!

December 4, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Një qytet është aq i madhërishëm sa edhe ata persona që jetojnë aty e që japin shembëll dhe shërbime për komunitetin e tyre – në këtë rast – komunitetin shqiptaro-amerikan në qytetin e Nju Jorkut.  Qyteti i Nju Jorkut – më saktësisht Kuvendi i Bashkisë së qytetit më të madh të Amerikës – e ktheu sallën e mbledhjeve ku debatohet politika, ekonomia dhe fatet e qytetit –javën e kaluar, u kthye në një hapësirë të një atmosfere gazmore mbarë-shqiptare për të festuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. 

Në 111-vjetorin e pavarësisë shqiptare, Metropoli Nju Jork — me këshillimin e aktivistit të komunitetit shqiptaro-amerikane dhe ish-anëtarit të Këshillit bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, nepëmjet përfaqusesve të zgjedhur të qytetit “që nuk fle kurrrë” — dekoroi tre udhëheqës fetarë të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork.  Dekorata e Mirënjohjes iu dorëzua Dom Pjetër Popaj, famullitarit të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Amerikë,  për kontributet e tija të vyera në shërbim të komunitetit shqiptar në Nju Jork. Dekoratë Mirënjohjeje nga qyteti Nju Jork iu dorëzua edhe udhëheqsit të komunitetit mysliman shqiptar në Nju Jork, Z. Tahir Kukaj për shërbimet e tija.  Kuvendi i Bashkisë Nju Jork vlerësoi gjithashtu me Çertifikatë Mirënjohjeje edhe Z. Dervish Eltion, udhëheqsin fetar të Teqesë Bektashiane në Detroit si dhe Peshkopin Nikodemi të Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë, për shërbimet dhe shembëllin e bashkjetesës fetare në këtë qytet të madh metropol botëror.

May be an image of 5 people, dais and text

Udhëheqsit fetarë, përfaqsues të tri feve kryesore shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke u lutur së bashku në Sallën e Kuvendit të Bashkisë së Nju Jork-ut, në nderim të 111-vjetorit të Shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur,  28-Nëntor, 1912.

“Mbrëmë në Sallën e Këshillit të Nju Jorkut ishte një atmosferë e gëzueshme shqiptare në nderim të 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Urime udhëheqësve tanë fetarë për dekoratat dhe falënderimet tona të veçanta Këshilltarit të qytetit Robert Holden si dhe anëtarëve të tjerë të Këshillit Bashkiak që mundësuan një ceremoni të tillë për të dekoruar udhëheqsit fetarë më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan”, është shprehur Mark Gjonaj, aktivisti i shquar i komunitetit dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jork-ut.

Një ditë para se t’u ndaheshin dekoratat udhheqësve fetarë shqiqptaro-amerikanë,  Kryetari i qytetit Nju Jork, Eric Adams dhe Kryetarja e  Kuvendit të Bashkisë së Nju Jorkut- Adrieanne E. Adams nderuan komunitetin shqiptaro-amerikan me pjesëmarrjen e tyre në ngritjen e Flamurit të Kombit shqiptar në qendrën Wall Street të qytetit – në shënim, gjithashtu, të përvjetorit të 111- të Pavarësisë së Shqipërisë. 

Këto aktivitete, nga viti në vit, jo vetëm në Nju Jork, por edhe anë e mbanë Amerikës, me rastin e 28 Nentorit të Pavarësisë së Shqipërisë, tregojnë jo vetëm rëndësinë dhe rolin që ka luajtur gjatë dekadave dhe po luan aktualisht komuniteti shqitaro-amerikan, në jetën politike dhe shoqërore në Amerikë, por ven në dukje gjithashtu edhe respektin që shoqëria amerikane, nepërmjet përfaqsuesve të saj politikë, ka për shqiptaro-amerikanët dhe për komunitetet dhe udhëheqsit e tyre fetarë — por jo vetëm — anë e mbanë Amerikës.  

Por, ceremoni të tilla luajnë edhe një rol tjetër edhe më të rëndësishëm, sepse të pranishmit në këto ngjarje – sidomos për festën e 28-Nentorit – shqiptarë, amerikanë dhe të huaj — shijojnë edhe kulturën shqiptare, veshjet, kengët dhe vallet tona. Janë raste këto në të cilat komuniteti shqiptaro-amerikan, i tregon jo vetëm Amerikës por edhe botës — se megjithëse, me një të kaluar të tmershme nën regjimin komunist për pothuaj një gjysëm shekulli, i vet-izoluar nga bota demokratike perëndimore – me vlerat e Heroit të lavdishëm kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeu, Kombi shqiptar është i denjë i një të ardhëmërie më të mirë, si pjesë përbërse dhe pandarë e botës perëndimore demokratike, euro-atlantike.  

Ky ka qenë edhe mesazhi që pasqyronte dhe predikonte gjithmonë edhe diaspora shqiptare anti-komuniste gjatë luftës së ftohtë – pa dallime feje, krahine e ideologjie. Megjithëse shpesh e ndarë dhe e përçarë politikisht –imigracioni i vjetër anti-komunist ishte i bashkuar rreth Gjergj Kastriotit – Skenderbe, shembullit dhe rolit të tij historik, përbashkues kombëtar – ashtu siç janë sot të bashkuar rreth 28-Nentorit edhe udhëheqsit fetarë të këtij brezi shqiptaro-amerikanësh, të cilët u nderuan nga qyteti Nju Jork, pikërisht për këto veti përbashkuese dhe karakteristika të traditës shqiptare të shërbimit, vlerave kombëtare dhe bashkjetesës, në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nentor, 2023 në Bashkinë e Nju Jorkut.

Shqiptarët edhe mund të njiheshin, botërisht, si popull shpirt-madh e shpirt gjanë, nëse vërtetë kthehemi tek rrënjët dhe vlerat e verteta kombëtare e shpirtërore, disa prej të cilave edhe përfaqësohen nga tre fetë monoteiste të shqiptarëve. Ceremonia e dekorimit të tre udhëheqësve fetarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, javën që kaloi, në sallën e Bashkisë së Nju Jorkut, para botës amerikane na bën ne si komunitet këtu në këtë vend të madh e të bekur – më krenarë si shqiptarë, pa marrë parasysh se cilës prej tre feve tona i përkasim.  

Për mua, dekorimi i tre udhëheqsve tanë fetarë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është një shenjë qytetërimi për tre të dekoruarit, patjetër, por edhe një lavdi kombëtare për të gjithë ne si pjesëtarë të këtij komuniteti këtu në Nju Jork dhe më gjërë. Dhe se, pa marrë parasysh, dhe megjithë sfidat me të cilat përballet sot Kombi shqiptar, sidomos në trojet e veta shekullore – një ceremoni e tillë në mes të Nju Jorkut na bën të besojmë, sadopak, se vlerat e përbashkëta kombëtare dhe fetare kanë mbijetuar turbullirat e shekullit të kaluar, megjithë përpjekjet e komunizmit për t’ zhdukur ato njëherë e mirë. Njëkohësisht, kjo ceremoni simbolizon –jo vetëm shprehjen e ndjenjave të shëndosha atdhetare të shqiptarëve pa dallim, bazuar në gjak dhe gjuhën e përbashkët, pore dhe shpresën se këto vlera do të dalin gjithëmonë ngadhnjimtare mbi të keqen.  Vlera shqiptare brez pas brezi, të cilat janë nepërkëmbur dhe janë luftuar për një gjysëm shekulli me qëllim për tu zhdukur nga regjimi komunist sllavo-aziatik – nostalgjikët e të cilit – për fatin e keq të Kombit shqiptar – ende edhe sot – në heshtje ose publikisht, mbrojnë trashëgiminë e komunizmit të pa fe e të pa atdhe.  

Ka ardhur koha që kjo trashëgimia komuniste, e dhunëshme dhe anti-kombëtare, që dikur i drejtohej më shumë se askujt tjetër klerikëve të tre feve kryesore – sidomos klerikëve të Kishës Katolike Shqiptare – për t’i zhdulur ata fizikisht dhe nepërmjet tyre edhe vlerat fetare dhe kombëtare që ata përfaqësonin. Komunizmi në Shqipëri mbetet një trauma e pashëruar, është shprehur kohët e fundit në një intrevistë televizive Ipeshkvi I Rrëshenit, Gjergj Meta. “Ne nuk jemi përballur kurrë si popull me të kaluarën tonë komuniste. Jo vetëm me dëmin material, ka shkatërruar, ka burgosur, vrarë e torturuar. Për 45 vite mbi popullin shqiptar ka rënduar një trauma, s komunizmi duhet trajtuar si një trauma që prek nivele të ndryshme të shoqërisë”, ka thënë prelati katolik i Rrëshenit, ndërsa ka komentuar apelin e kohëve të fundit të Kishës Katolike në Shqipëri, drejtuar udhëheqsëve më të lartë të Shqipërisë që të dënohet krimi i apologjisë të Komunizmit në Shqipëri.  Frank Shkreli: Kërkohet dënimi i “Krimit të Apologjisë” të Komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf – Ka ardhur koha – 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar — që të dënohen, zyrtarisht, krimet e komunizmit, përfshir edhe ato kundër  klerikëve të tre feve ndër shqiptarët – ashtuqë të shlyhet njëherë e mirë ajo e kaluar kriminale e regjimit komunist – kësaj fryme internacionaliste vëllavrasëse, nga faqet e historisë së Kombit shqiptar. Askush nuk kërkon hakmarrje, por një ditë më të mirë për të gjithë shqiptarët kudo.

Megjithë mbrojtjen zyrtare të trashëgimisë komuniste nepërmjet “krimit të apologjisë të komunizmit”, në Shqipëri, dekorimi i tre udhëheqësve fetarë të komunitetit shqiptaro-amerikan, i paraqet shqiptarët dhe vlerat e tyre në një dritë krejt tjetër.  Tregoi vlerat e bashkimit dhe të shpirtit vëllazëror ndër shqiptarët, pa dallim feje a krahine. Për më tepër, celebrimi shqiptar në sallën e Bashkisë së Nju Jorkut,  tregoi se shqiptarët – veçanërisht shqiptarët e Amerikës, duke u bazuar në vlerat shekullore të Kombit të vet – ata nuk u larguan kurrë nga vlerat e qytetërimit të demokracive perëndimore, sidomos Amerikës, t cilat I dëshironin dhe I dëshirojmë edhe sot për Kombin shqiptar, 

Prandaj, për nga natyra e saj, ceremonia dhe dekorimi i tre udhëheqësve fetarë –mysliman, katolik dhe orthodoks — të komunitetit shqiptaro-amerikan, nga Bashkia e Nju Jorkut, me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, lëshoi rreze qytetërimi, nderimi e mirënjohjeje. Ishte një ditë lavdie kombëtare, ditë e bukur për Shqipërinë dhe për të gjithë Shqiptarët kudo dhe pa dallim.

Frank Shkreli

 *Photo credit: Eleni Mazija – disa të tjera janë marrë nga faqja e “Our Lady of Shkodra”, Kisha Katolike Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork dhe nga Gazeta Dielli – 

May be an image of 4 people and text

                             I dekoruar Z. Dervish Eltion

A group of men posing for a photo

Description automatically generated

                                                  I dekoruar Dom Pjetër Popaj

                               I dekoruar Peshkopi Nikodemi

May be an image of 5 people

                                   I dekoruar Imam Tahir Kukaj

May be an image of 6 people and text that says 'EXIT'
May be an image of 2 people

Imami Edin Gjoni dhe Dom Pjetër Popaj me plisa të bardhë Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë 2023– ndodhë vetëm në Amerikë

May be an image of 8 people
May be an image of 13 people
May be an image of 5 people
May be an image of 1 person and the Oval Office
May be an image of 1 person
May be an image of 4 people
May be an image of 1 person

May be an image of 3 people

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

3 NËNTORI I VITIT 1443 DITA KUR GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE U RIKTHYE NË ATDHE 

November 4, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli 

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Në çdo vend tjetër, nga çdo komb tjetër, kjo datë – ky përvjetor historik për Kombin shqiptar — do të kujtohej zyrtarisht nga dy shtetet shqiptare dhe nga pikëpamja historike prej akademive të shkencave në Tiranë dhe Prishtinë dhe si rrjedhim nga i mbarë Kombi shqiptar kudo, përfshir diasporën. Kjo duhej të ishte një ditë, në të cilën shqiptarët kudo, por sidomos në Shqipëri e Kosovë dhe anëa e mbanë trojeve shqiptare nën sunidme të huaja në Ballkanin Përendimor – të festonin këtë ditë të madhe për ta—të mbledhur të gjithë së bashku – të pakën në këtë ditë për të përkuajtur Fatosin e Madh dhe të përgjithëmonshim e Kombit – rikthimin e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Atdhe. 

Për fat të keq, ashtu siç u harrua në heshtje disa vite më parë edhe i  shpalluri “Vit i Gjergj Kastriotit- Skenderbe–   Frank Shkreli/ U mbyll “Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeu” – Në heshtje | Gazeta Telegraf – ashtu edhe kjo datë (3 nentori 1443) të pakën me sa shoh deri tani – me përjashtim të ndonjë portali aty këtu, nuk u përmend nga asnjë ent me rëndësi qeveritar, shtetëror ose akademik.  Ky qendrim anti-kombëtar sot ndaj Gjergj Kastriotit -Skenderbe, nga shqiptarët, për Heroin e tyre Kombëtar –i cili me luftimet e tija kundër Perandorisë Osmane u solli lirinë për një çerek shekulli. Por kjo date e kthimit të Skednerbeut në Atdheun e tij, duhej të ishte edhe një ditë kujtesë nga Evropa për ndihmesën që luftërat e Gjergj Kastriotit Skenderbe kanë dhënë për shpëtimin e kontinentit të vjetër nga hordhitë osmane.  Do të ishte mirë që dikush t’ua kujtojë këtë datë borrelave dhe lajçakëve

të Evropës moderne se çfarë rëndësie ka kjo datë për lirinë e shqiptarëve sot por

edhe për mbarë Evropën. Dikush duhet t’ua kujtojë evropianëve modernë që vazhdojnë të përçajnë e të ndajnë me pazarllëqe trojet shqiptare se kush ishte Kastrioti i shqiptarëve të shekullit XV që luftoi edhe për të mbrojtur lirinë dhe qyttetërimin e tyre por dhe i shqiptarëve të shekullit XXI – I këtyre shqiptarëve që edhe sot e kësaj dite nuk kanë siguruar lirinë dhe pavarsinë e plotë për veten në trojet e tyre shekullore. 

Ndryshe nga heshtja e klasës së sotëme politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishitnë – ishte At Gjergj Fishta –Poeti i Madh i Kombit shqiptar, që në fillim të shekullit të kaluar u ka kujtuar fuqive të atëhershme evropiane, por aktuale edhe për ditët tona për fat të keq të shqiptarëve – se pasardhësit e Gjergj Kastriotit -Skenderbeut end enuk gëzojnë lirinë dhe pavarësinë e plotë:

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís

Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije? 

(At Gjergj Fishta – Lahuta e Malsisë)

Mirë – nëqoftse Evropa ka heshtur prej ligështie, siç me të drejtë, At Gjergj Fishta qortonte fuqitë e mëdha evropiane të kohës së tij, pse heshtin sot shqiptarët – prej ligështie thua a po prej ndonjë gjëje tjetër — për At Gjergj Fishtën dhe për data të rëndësishme për Kombin shqiptar, siç është (3 nëntori, 1443) – Dita e rikthimit të Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Atdhe. Një përvjetor ky që ka hapur një kapitull të ri në historinë e qendresës së shqiptarëve ndaj së keqës së Perandorisë Osmane dhe që. Njëkohësisht, shënon edhe flijimet e mëdha të shqiptarëve në mbrojtje të qytetërimit evropian!?

Pamje nga Sheshi “Skenderbej” në Tiranë, ku siç duket në këtë ditë të 3 Nëntorit 2023) që shënon rikthimin e Gjergj Kastriotit në Atdhe, (3 Nëntori, 1443) dikush ka vendosur të pengojë pamjen e Monumentit të Heroit Kombëtar duke ngritur këto kioskë – se për çfarë qëllimi, nuk është e qartë.

HENRY WADSWORTH LONGFELLOW –Poeti amerikan që lartësoi Skënderbeun me poemën e tij ku Skënderbeu paraqitet si hero legjendar. Vjersha është përkthyer nga i madhi Fan Noli (1916). 

SKENDERBEU

Shkruar me 4 Shkurt, 1873

Lëfton luftën dhe fiton
Mbreti Ladisllav gjëmon,
Djek si Ferr, si vdekje pret

Ditën e Rushajevet,
Dhe nga fush’ e kuqe gjak
Ikën, rent përpara tij

E Muratit ushtëri
Që shpëtoj e s’ra në lak.
Kur u-ngrys e kur u-err,

Skënderbeu, nder, lavdi
I asqerit Osmanlli
Tok me Turqit krismën merr,

Si lëfton e si humbet
Ditën e Rushajevet.

Mbet e vdekur prapa tij

E Muratit ushtëri,
Kryerojtja udhën hap,
Praparojtja rent me vrap,

Dhe armiku gjakësor
Si me drapër grin e kor.

Po kujdes ay s’të ka

As për Bej as për Pasha,
Edhe natën tek’ po shkon
Yjt’ e fatit po shikon

Që i ndritnin n’udhëtim;
Edhe kalit tij i ra,
Nënëqeshi edhe tha:

“Është koha për gëzim”.

Mez’ i natës kur afroj,
Ikja e rreptë kur pushoj,

Një Qatip na vjen i Mbretit
Me myhyrin e Dovletit
Edhe tha me zëmërim:

“Njoll’ e parë t’u-vu sot
N’emër, o Gjergj Kastriot!
Pse kështu? Oh, mjerë ne!

Ushtërinë pse e le
Therrur fushës për vajtim?”

U-përgjeq Skënderi, e tha:

“Dergjen mbytur nëpër gjak.
Thembr’ e kalit i ka prak,
Po kështu e shkruar qe

Nga i Madhi Zot atje
Q’urdhëron çdo ushtëri.
Dhe ku kemi ne fuqi

Kur ngre dorën kundër nesh
Dhe na grryen si rrebesh?

“Lidheni, tha, me litar
Shkronjësin me kallamar!”
Dhe Qatipi tha: “Po ç’faj

Paskam bërë që Pashaj
M’a bën mua këtë gjë?”
U-përgjeq Skënderi e tha:

“Faj s’ke bërë asnonjë,
Po që të mos na shpëtosh,
Dhe të fshihesh e të shkosh,

Përandaj t’a bënj këtë.”

Tani shkrua-më një shkrim
-Dhe për fis e paç bekim!

Me myhyrin e Dovletit
Për Mytesarifn e Mbretit
Që mban Krujën, një qytet

Rreth me mur e me hendek,
Të m’a kthenjë gjën’ e atit
N’emrin e Sulltan Muratit;

Se çdo urdhër që të japë
Kurrë nukë merret prapë.

Dhe Qatipi u-krrus prej tmerrit

Dhe kështu i tha Skënderit:
“O Allah i math, i naltë,
Që të jemi hi e baltë!

Qysh t’i shkruanj këto shkrime
Kur e di që kokën time
Po m’a pret ay Dovlet?”

Shpejt ahere si një yll
Që këputet lark nga qjelli
Çpallet nga i arti myll

Një hanxhar me reze djelli
Dhe gjëmon Skënderi: “Shkruaj!”
Dhe Qatipi i tmerruar

Shkroj në dritën e drithmuar
Afër zjarrit, i dërmuar,
Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,

Nga e ftohta i mërdhirë,
Zëmër-prerë, vdekje-grirë.

Dhe Skënderi prapë tha:

“Tani eja pas me mua
Se të mbetesh këtu s’dua
Do t’të kem si mik e vlla,

Gjithënjë do t’të nderonj
Me kujdes do t’të rrethonj
Sa të rrosh në këtë botë.”

U përgjeq Qatipi e thotë:
“Udha jonë këtu ndahet,
Shoqëria jonë s’mbahet.”

Pa mbaruar këtë fjalë
Një hanxhar i rëndë ra,
Kur s’ish afër asnjë tjatër

Dhe Qatipi po përmbyset
Si një gur që rrugulliset
Në liqen të zi dhe shket

Tatëpjetë dhe humbet;
Edhe rreth në qetësi
Asnjë pipëtim s’u-ndi

Përveç kalit Skënderbeut
Që përpjet’ u-hodh prej dheut.

Pastaj sulet si shigjeta

Me tre qint pothua veta
Nëpër lum’ e pyll e garth
Përmi malet Argjendar;

Dhe me zemrën plot gëzim
Kapërceu lumin Drin
Dhe u-gdhi e n’agullim

Pa kështjellën Ak-Hissar,
Krujën, ah atë qytet
Rreth me mur e me hendek

Tek u-lint e tek u-rrit,
Yll mëngjezi mi të ndrit.

Dhe ahere trumbetarët

Brirëve t’argjëntë u bien
Edhe togje rreth i mblidhen
Turqit bashkë me Shqiptarët

Që dëgjuan atë thirrje.
Dhe kremtoj me miqt’ e tij
Dhe u-ngrohnë me dolli.

Dhe u thotë: “Miqt’ e mi,
Shihni fati ç’na dërgon,
Perëndia ç’na bekon!

Mbret Murati urdhëron
Mall’ i gjërë i tim-eti,
Vend’ i terë dhe qyteti

Të më jipen nga Dovleti.”

Dhe pastaj me salltanet,
Veshur armët si një mbret,

Shkon kaluar në kështjellë
Edhe hyn nga port’ e gjerë
Dhe pashajt që urdhëron

Përmi Kruj’ i dorëzon
Urdhërin e Murat Mbretit
Me myhyrin e Dovletit.

Dhe Pashaj, si heshti, tha:
“Lavdi pastë Perëndia,
Ja ku hiqem nga fuqia.

Merr-e vendin dhe qytetin;
Kush lëfton dot me kësmetin?”

Nga kështjella shpejt ka rënë

Flamuri me gjysmë-hënë
Edhe populli shikon
Që në vënt të tij valon

Flamur’ i Skënderit n’erë
Shkab’ e zezë me dy krerë.

Dhe një thirrje lart-u-ngrit,

Se çdo zëmër e çdo shpirt
U-mërzit nga Turku i lik,
Q’e kish bërë atë Krujë

Zi, murtajë dhe rrëmujë.
Ay zë me gas me bujë
Q’oshëtin nga brek në brek

Është: “Rrofsh, o Skanderbeg!”

Ja kështu Skënderi trim
Mori Krujën me rrëmbim;

Edhe lajma u-përhap
Si një flagë, si një zjarr
Q’i fryn era në behar

Dhe qytetet afër larg,
Thotë Ben Isa Ben Miri
Në Qitap, të tij fakiri

“Binin m’atë lehtësi
Që zë burri veshn’ e tij”

A person sitting in front of a statue

Description automatically generated

Busti i të përgjithëmonshmit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në Sallën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

A PO PËRJETËSOHET E KEQJA E KOMUNIZMIT NË SHQIPËRI?

October 25, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Ky vit shënon 40-vjet nga fjalimi – ndoshta ndër më të rëndësishmit e ish-Presidentit Ronald Reagan, (para Shoqatës Kombëtare të Protestantëve Amerikanë në qytetin Orlando të shtetit të Florida, me 8 Mars, 1983), mbi “perandorinë e së keqës”, duke iu referuar ish-Bashkimit Sovjetik. Jam përpjekur që edhe në të kaluarën ta kujtoj atë fjalim të famëshëm dhe historik të ish-presidentit Ronald Reagan, për rëndësinë që kishte atëherë e që ka edhe sot – katër dekada më vonë pas shembjes zrytare të komunizmit. Pasi ky fjalim konsiderohet, nga historianët e sotëm, si fjalimi që inkurajoi shumë lëvizje anti-komuniste anë e mbanë Evropës Lindore/Qendrore, që më në fund çuan në ndryshimet politike dhe rrëximin  komunizmit zyrtar ndërkombëtar në Evropën Lindore e Qëndrore, me shembjen e Murit të Berlinit në vitin 1989.  Frank SHKRELI/ 30-vjetori i fjalimit mbi perandorinë e së keqes dhe fuqia e së vërtetës | Gazeta Telegraf –

 40-vjetë më parë, një president i Shteteve të Bashkuara, për herë të parë, e kishte cilësuar ish-Bashkimin Sovjetik dhe ideeologjinë komuniste që ai përhapte anë e mbanë botës, si një “perandori të së keqës”, si një superfuqi që nuk ishte, thjesht, si një kundërshtare politike në nivel ndërkombëtar, por mbi të gjitha, dhe në thelb, ishte një regjim immoralm barbar dhe kriminal — përgjegjës për vrasjen e mbi 100-milionë vetave në Evropë dhe anë e mbanë botës. 

Fjalimi i ish-Presidentit Reagan ishte një shenjë e qartë për Amerikën dhe botën se, Shtetet e Bashkuara kishin marrë një qendrim të prerë moral se nuk do të toleronin më agresionin sovjetik komunist, anë e mbanë botës. Si rrjedhim, gjatë viteve që pasuan, Shtetet e Bashkuara shtuan ndihmat për forcat anti-komuniste, anë e mbanë botës, përfshir lëvizjet anti-komuniste në Evropë, siç ishte Lëvizja Solidarnost e puntorëve polakë, me në krye Lech Walesën.  Sivjet, këtu në Shtetet e Bashkuara, 40-vjetori i fjalimit historik i ish-presidentit Reagan mbi “perandorinë e së keqës”, është shënuar me ekspozita, dokumente, fotografi e tregime mbi Luftën e Ftohtë, mbi përpjekjet dhe luftën për shembjen e komunizmit ndërkombëtar 40-vjet më parë kur ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan në emër të demokracisë dhe të vlerave amerikane kishte vendosur të merrte një qëndrim të prerë moral mbi komunizmin – “moral clarity” — për të luftuar komunizmin dhe trashëgiminë e tij deri në zhdukje — duke thenë se nuk mund të kishte “détente” as bashkjetesë me një regjim dhe ideologji kriminale që kishte pushtuar botën për disa dekada.

40-vjetori i fjalimit të Presidentit Reagan mbi “perandorinë e së keqës”, duke iu referuar ish-perandorisë komuniste sovjetike, përveç se kujtohet nga përspektiva historike duhet të jetë, njëkohësisht, edhe pjesë e eksplorimit të pasojave të komunizmit dhe trashëgimisë së kësaj ideologjie imorale, barbare e kriminale, edhe në ditë e sotëme.  Ndërsa shumica e ish-vendeve komuniste të Evropës lindore e qendrore – sot anëtare të Nato-s dhe të Bashkimit Evropian –  kryesisht, i kanë luftuar dhe vazhdojnë t’i luftojnë pasojat e komunizmit në shoqëritë e tyre, ndërsa janë distancuar nga e kaluara e tyre komuniste dhe ndërkohë që kanë dënuar, zyrtarisht, krimet e “perandorisë të së keqës” komuniste sovjetike dhe të regjimeve të tjera komuniste – Shqipëria aktuale, 40-vjetë pas fjalimit të famshëm të Presidentit Ronald Reagan dhe 30 e sa vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit – nuk e shqetësohet fare as nga e kakzara e saj enevriste, as nga krimet e komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës.  40-vjet pas paralajmërimit të Presidentit Ronald Reagan mbi të këqiat e komunizmit në botë Shqipëria, jo vtëm që nuk përballet me të kaluarën e saj komuniste dhe as nuk dënon krimet e komunizmit, siç ka bërë shumë heret shumica e ish-botës komuniste, sdiomos në Evropë. Përkundrazi, Shqipëria u duk ditët e fundit – jo vetëm një vend i Evropës që nuk është përballur me të kaluarën e saj kriminale të komunizmit dhe as që ka dënuar të këqiat dhe krimet e komunizmit në territorin e vet.  Në vend të kësaj, Shqipëria e sotëme duket se po përpiqet të mos i bashkohet botës së qytetëruar duke dënuar krimet e komunizmit – por po punon seriozisht dhe me vendomsëri për të ruajtur dhe për të përjetësuar trashëgiminë dha pasojat e komunizmit të regjimit diktatorial enverist në jetën e përditshme politike, shoqërore dhe kulturore të vendit, duke filluar nga politika, drejtësia, akademia, shkollat dhe universitetet…

Gjatë takimit të nivelit të lartë të liderëve të rajonit dhe udhëheqësve të Bashkimit Evropian (BE), në Tiranë, kohët e fundit, pjesë e samitit historik të Procesit të Berlinit, autoritetet më të larta zyrtare të Tiranës u folën mysafirëve të vet me krenari për objektet e diktatorit — për “piramidën e Enverit”, për “vilën e Enverit”, madje në ditëlindjen diktatorit, se si këto objekte tani po “këthehen” në përdorime të dobishme për Shqipërinë, madje për botën – për “atistët botërorë” të cilët do përdorin vilën 31 të Enverit, për të bërë vepra arti, pikërisht në shtëpinë ku planifikoheshin vrasje, krime kundër njerëzimit dhe barbarizma kundër shqiptarëve, kundërshtarë të keqës komuniste.  Po “shëndërrohen” në qendra arti e teknologjie për brezat e ardhëshëm, “si një mesazh domethënës i triumfit të lirisë mbi shtypjen, i së ardhmes mbi të shkuarën”, u shpreh Kryeministri Rama, me atë rast.  

Në mendimin tim dhe në mendimin e shumë shqiptarëve, objektet e pagëzuara me emrin e diktatorit, si “vila e Enverit” ose “piramida e Enverit”, nuk do të përçojnë kurrë mesazhin “e triumfit të lirisë dhe shtypjes”, siç deklaroi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama para mysafirëve të lartë evropianë në Tiranë disa ditë më parë.  Këto objekte, do të njihen siç njiheshin në kohën e Enverit edhe gjatë regjimit komunist, “të Enverit”. Si rrjedhim, emri i diktatorit komunist do kujtohet nga brezat e ardhëshëm, kurdo që të përmendet vila e tij dhe piramida – gjoja si qendra arti e teknologjie. Unë e shoh këtë propapagandë të flliqtë nga autoritetet e Tiranës zyrtare, që iu servir evropianëve gjatë vizitës së tyre ë Tiranë — si një përpjekje të dëshpëruar nga ana e tyre për të zbutur kujtesën ndaj të kaluarës komuniste dhe krimeve të Enver Hoxhës për pothuaj një gjysëm shekulli në Shqipëri. Në të vërtetë, është një mesazh i qartë IMORAL se shëndërrimet e objekteve të Enver Hoxhës, në qëndër të Tiranë, në objekte arti e teknologjie – nuk i shërbejnë as lirisë as demokracisë dhe nuk janë mesazhe të triumfit të lirisë mbi shtypjen, siç pretendoi Kryeministri i Shqipërisë.  Por është një vërtetim i qëndrimeve IMORALE të kësaj klase politike dhe drejtësie të re shqiptare, që 40-vjet pas paralajmërimit të ish-Presidentit amerikan, Ronald Reagan mbi perandorinë e së keqës komuniste sovjetike dhe pas 30-e ca viteve të shembjes së Murit të Berlinit – që Shqipëria, në të vërtetë, po përejtëson atë të keqe komuniste, kriminale duke u përpjekur ta zbutë kujtesën e komunizmit – një sistemi politik një partiak të dështuar dhe një ekonomie, gjithaahtu të dështuar dhe të korruptuar.

Vendimi i autoriteteve shqiptare në Tiranë për të shëndërruar ish-objektet e Enverit në objekte arti, teknologjie dhe kulture nuk është një qëndrim MORAL i prerë, për t’u distancuar, njëherë e mirë nga e kaluara komuniste dhe nga krimet e Ever Hoxhës — para Kombit shqiptar dhe para Evropës – por është një zbutje e asaj kujtese të tmershme për shumë shqiptarë, që në të vërtetë paraqet një dështim MORAL dhe një mungesë karakteri.

Morali dhe karakteri i atyre që e quajnë veten liderë të një vendi ose kombi – pasi udhëheqës ka pak në këtë botë – janë karakteristika të rëndësishme sepse përcaktojnë të tashmen dhe të ardhmen e një Kombi. Veprat dhe fjalët e juaja, gjatë 33 viteve të ashtuquajtur post-komunizëm, tregojnë se ju, si klasë politike e atij vendi, pa dallim, kini vendosur që në përjetësi të kujtohet Enver Hoxha në Shqipëri. U lumtë, t’a gëzoni!

A stone building with a statue in front of it

Description automatically generated

PS- Oh, gati harrova. Pasi qenkeni në këtë gjëndje të gëzueshme shpirtërore për të rinovuar objekte të diktatorit, deshta t’u kujtoj autoriteteve të Tiranës se pasi qenkeni të gatëshëm të bëni rinovime të objekteve të Enver Hoxhës për qëllime arti e kulture, e të cilat i njoftuat, pikërisht, në ditëlindjen e Enverit – a ka mundësi që nëse kini fonde shtesë nga rinovimi i objekteve të Enverit – qoftë edhe nga ndihmat e fondacionit prestigjioz francez “Art Explora – t’i ndani mënjanë ca lekë për shtëpinë e Gjergj Fishtës. 

Jam i vetdijshëm se gjatë tre dekadave të fundit të tranzicionit post-komunist, klasa politike shqiptare ka ruajtur një distancim të madh nga At Gjergja Fishta dhe veprat e tij, por jo nga e kaluara komuniste dhe nga krimet regjimit enverist.Megjithëkëtë, sa për informacion, po ju kujtoj se ditëlindja e Fishtës ishte me 23 Tetor. Po ua them këtë vetëm si kujtesë, nëqoftse dëshironi ta përdorni ditëlindjen e Poetit Kombëtar, si shkak për të bërë ndonjë punë të mbarë për Kombin shqiptar!

Frank Shkreli

A person standing at a podium with a crowd of people sitting on the stage

Description automatically generated
A person speaking at a podium

Description automatically generated

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

SHQIPËRIA DHE BULLGARIA MUNDIN RUSINË NË ORGANIZATËN E KOMBEVE TË BASHKUARA!

October 16, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Ka kohë që Rusia po zhvillonte një fushatë  serioze në radhët e diplomatëve ndërkombëtarë në Nju Jork për t’u kthyer në Këshillin e Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut – pasi antarësimi i Moskës në këte ent të OKB-ës ishte anulluar, vitin e kaluar, si shkak për invadimin e Ukrainës nga Rusia. Por, megjithë ato përpjekje skandaloze të Kremlinit, të martën që kaloi, një shumicë e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara i dërguan një mesazh të fortë – në nivel ndërkombëtar — regjimit të Putinit. Rusia humbi në mënyrë dërmuese në votimin që u zhvillua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të martën e kaluar. Një shumicë vendesh i thanë “njet” Moskës duke refuzuar të votonin regjimin rus të Putinit si anëtar të Këshillit të Drejtave të Njeriut të OKB-së, për shkak të invadimit të Ukrainës nga Rusia. 

Si përfundim, duke filluar nga 1 Janari i vitit 2024, përfaqësues të Evropës Lindore në këtë Këshill do të jenë Shqipëria dhe Bullgaria, dy vende të kësaj zone gjeografike, që siguruan më shumë vota se Rusia në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së. Sipas burimeve të OKB-së, në votimin e fshehtë të vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme, të martën që kaloi, Shqipëria siguroi 123 vota ndërsa Bullgaria mori 160 vota për antarësim në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, kundrejt Rusisë e cila — megjithë përpjekjet lobiste — siguroi vetëm 83 vota nga vendet anëtare të OKB-së.  Pa dyshim se kjo votë kundër antarësimit të Rusisë, nga shumica e 193 vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithme në Nju Jork, pasqyron moskënaqësinë, me pushtimin e vazhdueshëm të Ukrainës nga Rusia — të një shumice dërmuese të vendeve të botës. 

Antarësimi i Rusisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së është anulluar prillin e vitit të kaloi, menjëherë, pas invadimit të Ukrainës nga Rusia putiniste. Ambasadori i Polonisë pranë OKB-së, Krzysztof Szczerski u citua të ketë komentuar votimin e fshehtë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kundër antarësimit të Rusisë në këtë Këshill me vota dërmuese, si diçka që nuk mund të ndodhte ndryshe, duke marrë parasysh vazhdimin e invadimit rus të Ukrainës. 

Ndërkaq edhe organizata jo qeveritare mbrojtëse e të drejtave të njeriut, me qendër në Nju Jork — Human Rights Watch – reagoi, nepërmjet një zëdhënsi (Louis Charbonneau), duke u shprehur në lidhje me refuzimin e vendeve anëtare të OKB-së për të votuar në favor të Rusisë, “Shtetet anëtare të OKB-së i dërguan autoriteteve ruse një sinjal të fortë: se nuk ka vend në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut – për një qeveri që është përgjegjëse për një numër të madh krime lufte, si dhe për krime kundër njerëzimit.”  Ndërkaq, agresioni rus në Ukrainë vazhdon, ndërsa një numër hetimesh të organizatave ndërkombëtare kanë akuzuar Moskën për abuzime dhe shkelje të drejtave të njeriut. Madje, Gjykata Ndrëkombëtare e Krimeve ka lëshuar një urdhër për arrestimin e Presidentit rus, Vladimir Putin, pikërisht, në lidhje me akuzat për deportimin e fëmijve ukrainas nga Ukraina në Rusi.

Sidoqoftë, tani dihet se janë Shqipëria dhe Bulgaria që do të përfaqësojnë (zonën  gjeografike), vendet e Evropës Lindore, në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, për periudhën 2024-2026.  

Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së është enti kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përgjegjëse për të mbrojtur dhe për të avancuar liritë themelore të njeriut, në nivel botëror. Si i tillë, ky ent që përbëhet nga 47 vende anëtare të OKB-së që zgjedhen me votë të fshehtë nga shumica e vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme — është themeluar në vitin 2006. 

Gjatë historisë së saj, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe entet e saj ka patur mbështetsit por edhe kritikët e saj. Një prej kritikëve të OKB-së ka qenë ish-Presidenti i Shteteve te Bashkuara, Ronald Reagan i cili e akuzonte organizatën botërore si një vend-strehim për regjimet diktatoriale të botës dhe për shkelësit dhe abuzuesit e të drejtave bazë të njeriut. Një, ku kriminelët dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut, mbikqyrin shkelsit e këtyre të drejtave dhe kriminelët e tjerë, ëshrë një shprehje që përdoret shpesh nga kritikët e këtij wnti të Kombeve të Bashkuara! 

Njëri prej këtyre diktatorëve sot konsiderohet edhe Vladimir Putini i Rusisë i cili donte që vendi tij – megjithëse i akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerzimit — të gjente strehim edhe njëherë si anëtare, në një nga entet e të drejtave të njeriut të OKB-së, duke u përballur me Shqipërinë dhe Bullgarinë, si përfaqsuese të Evropës Lindore. Vota e pjesës dërmuese të përfaqsuesve të botës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, tregoi se lobimi i Kremlinit për të siguruar antarësimin në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, dështoi, në garën e Rusisë përball Shqipërisë dhe Bullgarisë. Në garën me Rusinë, me votë fshehtë, fituan Shqipëria dhe Bullgaria, për një mandat 3-vjeçar, si përfaqsuese të Evropës Lindore në Këshillin e të drejtave të Njeriut to OKB-së! 

Vendet dhe diktatorët që abuzojnë dhe shkelin të drejtat e njeriut dhe që kryejnë krime lufte dhe krime kundër njerzimit nuk duhet nuk duhet kurrë të jenë anëtar të një enti që pretendon se mbron të drejtat universal të njeriut – qoftë ai ent edhe Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut – misioni i të cilit është mbrojtja dhe promovimi i këtyre të drejtave të njeriut në nivel botëror nga abuzimet e regjimeve dhe diktatorëve sknadalozë të kësaj bote !

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT