• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË MBROJTJE TË DREJTAVE TË NJERIUT: ÇMIMI NOBEL PËR PAQË, 2023 PËR TË DREJTAT DHE DINJITETIN E GRAVE, ME MOTON: FEMRA – JETA – LIRIA!

October 13, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli
A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Komisioni Nobel i Norvegjisë njoftoi të premtën që kaloi vendimin se Çmimi Nobel për Paqë për vitin 2023 do i jepet gruas iraniane, aktivistes së të drejtave të njeriut dhe gazetares, Narges Mohammadi, me motivacionin: “Për punën e saj në mbrojtje të drejtave të femrave në Iran dhe për përpjekjet e sajë në mbështetje të drejtave të njeriut dhe promovimit të lirisë, për të gjithë”, thuhet në shpalljen e vendimit të Komisionit Nobel.

Kryetarja e Komisionit Nobel të Norvegjisë, Berit Reiss-Andersen e filloi njoftimin e saj me fjalët: “Gruaja – Jeta – Liria”, që është parulla e përdorur në demonstratat e viti të kaluar të qytetarëve iranianë kundër regjimit teokratik të Teheranit.  Ky çmim, tha ajo, “është mbi të gjitha, një njohje për punën shumë të rëndësishme të një lëvizjeje të tërë në Iran, me në krye udhëheqsen e saj të padiskutueshme, Zonjën Narges Mohammadi”, shtoi Kryetarja e Komisionit Nobel.

Në njoftimin e Komisionit Nobel thuhet gjithashtu, se përpjekjet e saj guximtare në mbështetje të drejtave të grave në Iran, personalisht, asaj i kanë kushtuar shumë. Gjithsejt, regjimi iranian e ka burgosur Zonjën Mohammadi 13 herë, duke e shpallur fajtore 5 herë dhe, si përfundim, ajo është dënuar me 31 vite burgim – ku edhe gjëndet tani. Komisioni Nobel i bëri thirrje Iranit që të lirojë menjëherë nga burgu Zonjën Mohammadi, ashtuqë ajo të mund të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel më 10 Dhjetor, 2023 në Norvegji.

Ndërkaq, ekspertë të pavarur të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara bënë gjithashtu thirrje të mërkurën për lirimin e menjëhershëm të Narges Mohammadi, gazetares dhe aktivistes së njohur iraniane të drejtave të njeriut — fitueses së Çmimit Nobel për Paqë për 2023, për angazhimin e saj të palëkundur, në mbrojtje të drejtave të grave në vendin e saj. Në reagimin e ekspertëve të Këshillit të Organizatës së Kombeve Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut, thuhet se Zonja Mohammadi është aktualisht, në burgun Evin të Teheranit, e akuzuar “për propagandë anti-shtetërore”. 

“Ne jemi terësisht të shqetësuar se si dhe pse autoritetet iraniane vazhdojnë t’i mohojnë Zonjës Mohammadi lirinë e saj, megjithë shqetësimet e shprehura mbi përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetsore, brenda mureve të burgut dhe kundër këshillave të mjekëve — në shkelje të plotë të detyrimeve të autoriteteve, në bazë të ligjeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, theksojnë ekspertët e OKB-ës për të drejtat e njeriut, në thirrjen e tyre për lirimin e saj nga burgu. “Është për të ardhur shumë keq”, shkruajnë ata, “se megjithë thirrjet e OKB-ës dhe komunitetit ndërkombëtar për lirimin e saj, autoritetet iraniane vazhdojnë të kriminalizojnë Zonjën Narges Mohammadi për veprimtarinë e sajë në mbrojtje të drejtave të njeriut.” 

Edhe organizata e njohur botërore e të drejtave të njeriut, Amnesty International bëri thirrje për lirimin e menjëherëshëm nga burgu të Zonjës Mohammadi.  Njohja e veprimtarisë së saj nga Komisioni Nobel, mbi të gjitha, në mbështetje të drejtave të grave në vendin e saj por edhe e të drejtave të njeriut në përgjithësi, lirisë dhe demokracisë në Iran, “U dërgon një mesazh të qartë autoriteteve iraniane se shtypjet dhe dhuna kundër kritikëve paqësorë dhe mbrojtësve të drejtave të njeriut (në atë vend) nuk do të mbetet pa u kundërshtuar”, nga bota, thuhet në deklaratën e Sekretares së Përgjithshme të Amnesty International, Zonjës Agnes Callamard.

“Ajo që është absolutisht e qartë, është fakti se gratë e Iranit janë një burim frymëzimi për mbarë botën. Kemi parë guximin dhe vendosmërinë e tyre përballë hakmarrjeve, frikësimeve, dhunës dhe burgimeve”, nga regjimi, është shprehur zëdhënsja e Këshillit të OKB-ës për të Drejtat e Njeriut me qendër në Gjenevë, Liz Throssell. Ajo ka shtuar se, “Guximi dhe vendosmëria e tyre (e femrave iraniane) kanë qenë dhe janë të jashtzakonshme.  Gratë e Iranit janë kritikuar dhe mposhtur nga autoritetet për rrobat që veshin ose për ato që nuk i veshin, ndërkohë që përballen me masa gjithnjë e më të ashpra ligjore, shoqërore dhe ekonomike, kundër tyre”, theksoi zëdhënsja e Këshillit të OKB-ës për të Drejtat e Njeriut, Liz Throssell.

Ndërsa, vetë Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-ës, Antonio Guterres komentoi dhënjen e Çmimit Nobel për Paqë, Zonjës Mohammadi duke nënvijuar se, “të drejtat e grave dhe të vajzave në mbarë botën po shkelen dhe po dhunohen gjithnjë e më shumë, përfshir persekutimin e femrave që mbrojnë të drejtat e njeriut në Iran dhe gjetiu…Ky Çmim i Nobelit për Paqë është një nderim që u bëhet të gjithë atyre grave që po luftojnë për të drejtat e tyre, ndërkohë që rrezikojnë lirinë, shëndetin dhe madje edhe jetën e tyre”, tha udhëheqsi i OKB-ës, Antonio Guterres, ndërsa përshëndeti dhënjën e Çmimit Nobel për Paqë të këtij viti aktivistës së burgosur të drejtave të njeriut në Iran, Zonjës Narges Mohammedi. 

Në një deklaratë të lëshuar për median, pas njoftimit të Komisionit Nobel, vetë Zonja Mohammadi u shpreh se ajo, “Nuk do të pushojë kurrë së punuari për realizimin e demokracisë, lirisë dhe barazisë në vendin e saj…Çmimi Nobel për Paqë do të më bëjë më të vendosur, më me shpresë dhe entuziaste në këtë rrugë”, është shprehur ajo.

Natyrisht, se me vendimin për t’i dhënë Çmimin Nobel për Paqë, aktivistes dhe gazetares iraniane, Zonjës Narges Mohammadi, Komisioni Nobel nderoi, vlerësoi ate dhe veprimtarinë e saj si grua, si mbështetse e të drejtave të njeriut dhe e lirisë në vendin e saj.   Por, mesazhi ishte më i madh dhe më i gjërë dhe shkonte përtej Zonjës Mohammadi. Komisioni Nobel, me këtë vendim vlerësimi të punës së aktivistes iraniane, Zonjës Mohammadi — duke i akorduar asaj Çmimin Nobel për Paqë për 2023 — ky ent i njohur norvegjez u shpreh se Çmimi vlerëson gjithashtu punën dhe angazhimin e qindra mijëra iranianëve të tjerë të cilët, gjatë vitit të kaluar, kanë demonstruar kundër politikave diskriminuese dhe shtypëse të regjimit teokratik të Teheranit, sidomos në protestë të politikave të regjimit teokratik kundër të drejtave të grave.

Megjithëkëte mesazh të Komisionit Nobel, mbetet për tu parë nëse dhënja e Çmimit Nobel për Paqë për vitin 2023, gazetares dhe aktivistes iraniane për të drejtat e njeriut, Zonjës Narges Mohammadi do e keqësojë më tepër gjëndjen personale të Zonjës Mohammadi, por edhe të drejtave të grave, në përgjithësi, në Iran, gjatë muajve dhe viteve të ardhëshëm. Një gjë e tillë nuk do të ishte aspak në përputhje me vlerat që do të promovonte Alfred Nobel, në mbrojtje të lirisë e demokracisë dhe të drejtave të barabarta për të gjithë dhe pa dallim, gjithmonë dhe kudo në botë, përfshir Iranin!

Frank Shkreli 

Narges Mohammadi, winner of the 2023 Nobel Peace Prize.

Zonja Narges Mohammadi, gazetare dhe aktiviste iraniane e të drejtave të njeriut — fituese e Çmimit Nobelë për Paqë, 2023 –Me motivacionin: “Për punën e saj në mbrojtje të drejtave të femrave në Iran dhe për përpjekjet e sajë në mbështetje të drejtave të njeriut dhe promovimit të lirisë, për të gjithë”, thuhet në shpalljen e vendimit të Komisionit Nobel.  

Lot - Gold Nobel Peace Prize, Unissued

      Pro pace et fraternitate gentium – “Për Paqë dhe Vëllazërim të Njerëzimit”

  •  

Filed Under: Rajon Tagged With: Frank shkreli

TRAGJEDIA E KRIPORES SË ULQINIT

October 11, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Të vizitosh Ulqinin në shtator të vitit 2023, është të përballesh me ankesa e zhgënjime nga vendasit – përball gjëndjes së rëndë ekonomike, mos investimeve nga qeveria qendrore në Podgoricë dhe keq-qeverisje vendore.  Një gjëndje e rëndë kjo që po keqësohet gjithnjë e më shumë, duke përfunduar për fat të keq — ashtu si edhe anë e mbanë trojeve shqiptare – edhe në zbrazjen e trojeve shekullore iliro-arbërore nën Malin e Zi  sot të pavarur e anëtar i NATO-s – por që për shqiptarët e atyre trojeve kjo zbrazje ka filluar më shumë se një gjysëm shekulli më parë, nën ish-Jugosllavinë komuniste. 

Mungesa e investimeve të mbrendshme dhe të jashtme në Ulqin me rrethe shihet kudo. Komuna e Ulqinit e banuar – tani për tani – me shumicë shqiptare – është komuna ku, sipas bashkbiseduesve në Ulqin,  qendra (Podgorica) investon më së paku, ose aspak, në krahasim me komunat e tjera, sidomos ato bregdetare të Malit të Zi. 

Gjatë një vizite të shkurtër në fillim të shtatorit në Ulqin, në biseda e sipër me vendas, mbi gjëndjen ekonomike e shoqërore të asj zone, ishte vështirë të anashkalohej subjekti i gjigandit ekonomik të dikurshëm, Kripores së Ulqinit – një krijesë e njeriut dhe e natyrës – por tani një objekt ekonomik i falimentuar ndonëse me rëndësi për atë zonë – tani është shtetëzuar, më mirë të thuhet i shkatërruar nga shteti dhe nga interesa dhe individë e qarqe të panjohura që, në sipërfaqe, është vështirë të identifikohen. 

Për ata që nuk kanë njohuri për atë motor ekonomik të dikurshëm të asaj zone – Kriporja e Ulqinit është një sipërfaqe e gjërë ligatinore shumë e çmuar prej nja 15-kilometrash katrorë, në afërsi të qytetit mija vjeçar — Ulqinit.  Kriporja e njohur për një shekull tani në Ballkan dhe më gjërë, është e vendosur në një pjesë të një lagune natyrale në Deltën e lumit Buena, jo larg kufirit malazezo-shqiptar. Gjatë periudhës së sajë të artë (1934-2013), Kriporja e Ulqinit ishte në kulmin e veprimtarisë së saj, ku në kohë të ndryshme punësoheshin qindra puntorë, dmth., një ndërmarrje me rëndësi ekonomike pra për një qytet të vogël, siç është Ulqini. 

Në kulmin e saj të prodhimtarisë, në vitet 1960-ave, thuhet se Kriporja e Ulqinit furnizonte 60% të ish-Jugosllavisë me kripë. Por, Kriporja privatizohet në vitin 2005 nën rrethana që disa i quajnë si tepër të dyshimta dhe që nga viti 2013 në atë kripore nuk prodhohet më kripë. Viti 2013 shënoi vitin që ndaloi prodhimi i kripës në Kriporen e Ulqinit dhe si rrjedhim, u pushuan nga puna të gjithë punonjësit e punësuar aty deri më atëherë. Mbetën pa punë, pra, shumë punëtorë vendas dhe Kriporja — dikur krenaria e Ulqinit — filloi degradimin e saj si përfundim i keq-menaxhimit.  Ndërsa digat dhe makineritë kanë degraduar deri në atë pikë që jo vetëm jeta ekonomike e banorëve vendas është vështirsuar, por madje edhe jeta e zogjëve është rrezikuar — biodiversiteti  — ku me qindra e mijëra shpendë, varësisht nga stina – shërben si mbarështrim, pushim dhe dimërim për qindra lloj zogjësh.

Megjithse Kriporja e Ulqinit është shpallur si një hapësirë e rëndësishme për zogjtë dhe shpendë të ndryshëm nga organizata “Bird Life International”, nën Konventën e Bernës – autoritetet e shtetit malazez duket se me vendimin për të shtetëzuar dhe për të mbyllur Kriporen njëherë e përgjithmonë, ia kanë dalë që ky objekt ekonomik i rëndësishëm për punësimin e banorëve vendas me shumicë shqiptare dhe si strehim për zogjtë e mbrojtur nga konventat ndërkombëtare – të mos ekzistoj më si një burim i fuqishëm ekonomik për banorët e asaj zone, kryesihst e banuar nga shqiptarë. Një krim i vërtetë, me miratimin e shtetit, sipas disa vendasve, i cili ka rrezikuar jetën e qindra puntorëve dhe familjeve të tyre.

Por një vendim i mrekullueshëm ky, nga pikëpamja e autoriteteve shtetërore, natyrisht — që me mbylljen e Kripores – të zhdukin njerzit vendas duke i detyruar ata të largohen, të zbrazin trojet e tyre shekullore për një mbijetesë në mërgim. Por me mbylljen e Kripores, prishet edhe ekosistemi në atë zonë, që po rrezikohet edhe ekzistenca e shumë llojeve të zogjëve që jetojnë ose frekventojnë hapësirën e asaj zone.

Ulqinakët e dikurshëm citohen të kenë thënë për rëndësinë e Kripores, se pa bukë disi jetohet, por pa kripë, jo! Kështu pra, falimentimi dhe mbyllja/shtetëzimi i Kripores së dikurshme të Ulqinit është kthyer në një tragjedi ekonomike për qindra vendas me shumicë shqiptare që kanë punuar në atë kripore ndërsa përbën edhe një rrezik të dukshëm për zogjtë dhe ekosistemin në përgjithsi. Por duket se mbrojtja e zogjëve dhe ekosistemit në atë Kripore ka tërhequr interesimin e ndërkombëtarëve, por jo edhe interesimin për fatin dhe mirëqenjen ekonomike të banorëve vendas për të cilët Kriporja e Ulqinit ishte, për shumë dekada, një burim i rëndësishëm punësimi e mbjetese ekonomike për bukën e gojës, për ta dhe familjet e tyre. Ekoturizmi nuk do të prodhojë kurrë qindra punësime për vendasit siç siguronte dikur Kriporja e Ulqinit.

Në biseda e sipër me vendasit, është shumë e vështirë të mësohet e vërteta e historisë tragjike të mbylljes së Kripores së Ulqinit dhe kush mund të kenë qenë aktorët e vërtetë të falimentimit të saj. Kriporja e Ulqinit sot e mbyllur, ndonëse e shtetëzuar – zyrtarisht është sot pronë e shtetit — ndërkohë që duket si një vend i bombarduar nga ajri. Askush nuk e di se si është arrijtur deri këtu, se pse Mali i Zi importon kripë nga jashtë me vlerë prej miliona eurosh/dollarësh, kur dihet se Kriporja e Ulqinit dikur furnizonte me kripë një përqindje dërmuese të popullsisë së ish-Jugosllavisë dhe më gjerë. 

Kushë është përgjegjës për gjëndjen e krijuar dhe pse?  Autoritetet qendrore në Podgoricë?  Po roli i autoriteteve vendore, cili është?  Ndërkohë që përfaqësitë diplomatike në Podgoricë duket se janë më të interesuara për shpëtimin e biodiversitetit dhe zogjëve të malit se sa për miqëqenjen ekonomike të banorëve vendas, të rrezikuar nga shtetëzimi i Kripores së mbyllur  të Ulqinit.  Dhe pyetja më kryesore që duhet të bëhet është se a do kishte pasur të njëjtin fat Kriporja e Ulqinit, po të kishte qenë në një pjesë tjetër të bregdetit të Malit të Zi, le të themi në Budve, Hercegnovi, Kotorr ose Tivat???!!!  Çdo gjë në lidhje me Kriporen e Ulqinit — përfshir masën më të fundit, shtetëzimin e kësaj prone/pasurie lokale – është bërë në rrethana të dyshimta dhe aspak transparente, shprehen ekspertët vendas.

A po falimentimi i saj dhe mbyllja eventuale e kësaj “parajse natyrore”, për njerzit dhe shpendët – në mungesë të së Vërtetës dhe të një shpjegimi zyrtar —  është dhe mbetet një krim i shtetit të Malit të Zi kundër Ulqinit dhe banorëve të kësaj zone – për të cilin askush nuk flet – e shqiptarët jo se jo?!  Po në sytë e ndërkombëtarëve, a nuk kanë rëndësi kompetencat e autoriteteve vendore në lidhje me vendime të tilla të rëndësishme për jetën dhe zhvillimin lokal të ekonomisë dhe burimeve natyrore? Po autoritetet e Komunës së Ulqinit me shumicë shqiptare – zyrtarët aktualë dhe autoritetet ulqinake në të kaluarën – e kanë ngritur ndonjëherë zërin në mbrojtje të burimeve ekonomike – siç është Kriporja e Ulqinit — të komunës me shumicë shqiptare që ata administrojnë? E kujt pronë është Kriporja e Ulqinit, e Komunës së Ulqinit, apo e shtetit të Malit të Zi?

Mali i Zi, si një vend anëtar i NATO-s dhe me aspiratë për tu bërë anëtar i Bashkimit Evropian, i ka borxh të Vërtetën e falimentimit të Kripores së Ulqinit, sidomos banorëve vendas por edhe ndërkombëtarëve, të cilët kanë treguar një interesim sipërfaqësor, ndonëse jo ndaj pasojave ekonomike për banorët e zonës — por për rrezikun ndaj zogjëve dhe biodiversitetit – që ka shkaktuar mbyllja dhe shkatërrimi i Kripores së famëshme të dikurshme të Ulqinit.

Frank Shkreli

Filed Under: Kronike Tagged With: Frank shkreli

Bruno Selimaj bashkon komunitetin Shqiptaro-Amerikan dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe të Shqipërisë në Nju Jork  

October 7, 2023 by s p

A group of men standing together

Description automatically generated

Nju Jork:  Në restorantin “Club A Steak House” që gjendet në mes të Manhatanit, pronari i saj, Bruno Selimaj me familje festoi të mërkurën e kësaj jave, 45-vjetorin e suksesit të tij në Amerikë. Dhjetra bashkëatdhetarë, anëtarë të familjes së tij, filantropë, biznesmenë të suksesshëm, aktivistë të dalluar, artistë, gazetarë e klientë të tij amerikanë, festuan së bashku këtë jubile suksesi në një takim të organizuar nga Familja Selimaj në 45-vjetorin e suksesit të Bruno Selimaj në Amerikë – themelimit të restaurantit të tij, “Club A Steak House” aty në qendër të Nju Jorkut.

A person in a suit and tie

Description automatically generated

     Pronari i restorantit, Bruno Selimaj, “Club A Steak House”


Bruno Selimaj, është një histori suksesi në Amerikë, i emigrantëve të vjetër shqiptarë, pjesës së atyre, shqiptarëve që u larguan nga vendi, për t’i shërbyer atdheut të tyre, nga mërgimi në rrëzimin e sundimit sllavo-komunist dhe në çlirimin e Kosovës. Bruno Selimaj lindi dhe u rrit në një fshat të vogël në kufirin verior shqiptar në trevat shqiptare nën Malin e Zi — Plavë e Guci, ku filloi jetën e tij si fermer i thjeshtë, qysh në fëmijëri. Por, në moshën 18-vjeçare me prindërit e tij, ai nisi një udhëtim për në Amerikë, në kërkim të një jete të re. Jetë të cilën, ashtu si edhe e kishte ëndërruar e gjeti këtu në SHBA. Bruno me të mbërritur në Amerikë, në fillim të viteve 1970, dhe pa asnjë njohuri të gjuhës anglisht, thuhet se ai bindi një mik të ngushtë që t’i siguronte një punë në njërin prej restoranteve të famshëm  të Nju Jorkut. Pasi punoi në disa restorante gjatë disa viteve në Nju Jork dhe pasi mblodhi një shumë parash për hapaje e një restoranti, dhe në proces duke fituar edhe një përvojë në sektorin e kulinarisë, Bruno Selimaj, ishte bërë një nga “kapitenët” e restoranteve më të njohur të Nju Jorkut, duke plotësuar nevojat e klientëve — në  restorante të tilla të famëshme – edhe yjeve të Holivudit si Sofia Loren, Elizabeth Taylor dhe Telly Savalis, ndër të tjerë.

A group of people posing for a photo

Description automatically generated

Disa pjesëmarrës aktivistë të vjetër të komunitetit Ilir Rusi, Fadil Berisha, Avni Mustafaj, Agim Rexha, Lumi Hadri, Afërdita Boga dhe Viki Shkreli

Frank Shkreli, ish-drejtor i VOA-s për Euro-Azinë dhe ish-drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan  

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

A group of men holding wine glasses

Description automatically generatedAutori me disa kolegë në atë pritje, nga e djathta aktivistët e njohur të komunitetit, Richard Lukaj, Harry Bajraktari e Cafo Boga

Në pritjen (4 tetor) me rastin e 45-vjetorit të Restorantit të biznismenit dhe aktivistit shqiptaro-amerikan, Bruno Selimaj në Manhattan të Nju Jorkut. Restoranti i tij ka shërbyer edhe si qendër takimesh dhe bisedimesh të përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan me zyrtarët më të lartë amerikanë, por jo vetëm, gjatë luftës në Kosovë por edhe më vonë.  Restoranti ishte gjithashtu edhe qendër për mbledhje fondesh për lobim dhe për ndihma për Kosovën gjatë asaj periudhe të vështirë për Kosovën dhe për shqiptarët anë embanë trojeve të veta në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1980-90-ave. Të ftuar ishin shumë prej pjesëmarrësve shqiptaro-amerikanë, aktivistë të çeshtjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara, të cilët atë mbrëmje tepër miqësore shqiptare, kujtuan ato takime të dekadave më parë, dhe atë periudhë të artë për angazhimin  historic të komunitetit shqiptaro-amerikan, në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Të pranishëm ishin edhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe të Shqipërisë në Nju Jork.

A group of people in a room

Description automatically generatedDisa nga pjesëmarrsit në darkën e 45-vjetorit të restorantit “Club A Steak House”, të Bruno Selimaj në Manhattan, Nju Jork

Filed Under: Opinion Tagged With: Bruno Selimaj, Frank shkreli

SHKODRA — VENDI I DËSHMISË DHE KUJTESËS!

October 5, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Ku tjetër, nëse jo në Shkodër! Pikërisht në këtë qytet – në qendër të Shkodrës – mund të vizitoni muzeun e parë në Shqipëri, me emrin, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” — në përkujtim të përsekutimit politik të atyre që kanë vuajtur dhe që kanë vdekur në duartë e regjimit komunist të Enver Hoxhës gjatë persekutimit politik gjatë diktaturës komuniste prej pothuaj gjysëm shekulli, në Shqipëri. Është “një vend kujtese, pikërisht në përkujtim të viktimave të diktaturës komuniste”, shkruan në librin doracak mbi historinë e muzeut, Z. Pjerin Mirdita, Historiani i Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër. Pyetjes se pse pikërisht ky muze u ngrit në Shkodër, ai thekson se janë shumë faktorë, por

No photo description available.

përgjigja, sipas tij është shumë e thjeshtë. “Shkodra ishte qyteti më i përsekutuar i Shqipërisë, qyteti që vuajti më së shumti mbi njerzit e saj atë diktaturë, qyteti që asnjëherë nuk u përkul përball dhunës dhe hakmarrjes komuniste, sepse shkodranët nuk e deshën asnjëherë komunizmin dhe as komunistët”, shpjegon Pjerin Mirdita arsyen se pse ky muze u ngrit pikërisht aty në Shkodër.

Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar ndjenjat personale as historikun e këtij “Vendi”. Për fat të mirë, gjatë vizitës së paharrueshme në këtë muze, gjatë një vizite në Shkodër, në fillim të shtatorit, patëm mundësinë dhe privilegjin të shoqëroheshim nga Pjerin Mirdita, Historiani i Muzeut, “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër, i cili me shumë profesionalizëm, dokumentacion dhe me fakte historike shpjegoi në hollësi historinë e këtij “vendi”, si dhe vuajtjet prej dekadash të shumë shqiptarëve të pafajshëm – kundërshtarë të regjimit komunist. 

Duke folur për historikun e këtij “vendi”, historiani Pjerin Mirdita shpjegoi se ndërtesa – që nga vitit 1930 — ka qenë pronë e Provincës Françeskane shqiptare, por me ardhjen e komunizmit, ajo konfiskohet dhe në ‘të vendoset Sigurimi famëkeq e krimanl i shtetit barbar të Enver Hoxhës.  Kjo ndërtesë “Dëshmie e Kujtimi”, për viktimat e komunizmit — sot duhet të vizitohet nga të gjithë shqiptarët, detyrimisht, për kujtesë të krimeve të komunizmit dhe për reflektim, por edhe nga brezi i ri i shqiptarëve në veçanti që të njohin të kaluarën, por edhe nga vizitorë të huaj jashtë Shqipërisë që vizitojnë Shkodrën.  Të vizitohet ky vend krimesh çnjerzore, një skenë sjelljesh barbare nga Sigurimi i Shtetit shqiptar komunist nga viti 1946 e deri në rrëzimin e komunizmit zyrtar të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë. 

No photo description available.

          Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës – Site of Witness and Memory

Në hyrje të muzeut, vizitorët gjëndet përball një harte të vend-ndodhjes së burgjeve komuniste në Shkodër – Shkodra si “qytet-burg”, numëronte gjithsejt 23 burgje të tilla ku mbaheshin kundërshtarët e regjimit komunist sllavo-aziatik – që mbajti rob, për pothuaj një gjysëm shekulli, jo vetëm Shkodrën por një popull të tërë – mbarë Shqipërinë dhe Kombin shqiptar. 

Muzeu është mjaft i pasur me materiale që tregojnë historinë e vuajtjeve dhe të vdekjeve të viktimave të komunizmit në Shkodër – ku salla vizuale, në vetvete, përmban video dhe dokumentarë që shfaqen gjatë vizitës për të interesuarit, përfshir edhe një bibliotekë e pasur me libra të asaj periudhe fatzezë. 

Ndoshta pjesa më e dhimbshme dhe më e ndjeshme nga pikëpamja njerzore e morale – ndërsa mendoja me vete se si është e mundur që shqiptari të trajtojë shqiptarin në këtë mënyrë, vetëm e vetëm, se ka mendime të papajtueshme me një regjim barbar e anti-njerzor – siç ishte komunizmi ndërkombëtar i shekullit të kaluar, përfshir regjimin enverist. E dhimbshme dhe i trishtueshëm për vizitorin është kalimi për tek vend-ndodhja e qelive ku mbaheshin të burgosurit, që siç shpjegoi Z. Pjerin Mirdita. është një galeri e ndërtuar rishtasi, por e konceptuar si rrugëtimi i të burgosurve drejtë vuajtjeve, tortutave dhe dhimbjeve.

No photo description available.

At Zef Pllumi, autori i veprës, “Rrnoi për me tregue”, njëri prej të burgosurve në këtë “vend”.  Përkujtojmë 15 vjetorin e ndarjes nga jeta të fratit françeskan, At Zef Pllumi, i cili u arrestua dy herë gjatë diktaturës komuniste dhe në total kaloi 24 vite në burgjet dhe kampet e punës së detyruar të asaj periudhe. Vepra e tij përkujtimore “Rrno vetëm për me tregue”, është një dëshmi e gjallë mbi atë çfarë ishte diktatura komuniste për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjithashtu kjo vepër na kujton dhe sakrificën e një populli për të jetuar nën një prej diktaturave më të egra të kampit socialist në Europën Lindore dhe në botë. Vepra e tij e merr titullin nga një amanet që At Zef Pllumi mori në atë kohë nga At Marin Sirdani, të cilin e përshkruan edhe në një fragment të veprës, duke e kthyer atë në misionin kryesor të jetës së tij.

                                          Autori në qelinë e vuajtjeve e të torturave, ose në “birucën” e At Zef Pllumit dikur, sot muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër. Të burgosurit i quanin qelitë e terrorit “biruca”, për shkak të hapësirës së ngushtë dhe sasisë së vogël të dritës dhe ajrit që  depërtonte brenda.  

“Stalinizmi shqiptar, dega shqiptare e marksizëm leninizmit është nominalisht marksist, minimanilisht Leninist dhe esencialisht stalinist me një vello të përciptë maoiste. Emri më i përshtatëshëm për këtë fe të re është Stalalbanianizmi ose thjeshtë Hoxhaizimi.”, (Profesor Arshi Pipa)

Duke ecur nepër korridoret e qelive ose “birucave” të këtij “vendi” – (Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës), vizitori mendon dhe pyet veten se si është e mundur që shqiptari të veprojë në këtë mënyrë barbare kundër shqiptarit – duke vrarë e prerë më të mirët e Shqiptarisë. Por, njëkohësisht, duke reflektuar dhe duke kujtuar vuajtjet dhe vdekjen e këtyre heronjve të fesë e të Atdheut në duartë e barbarëve komunistë shqiptarë, një grup fanatik i dalur prej të njëjtit popull, për fat të keq – njeriu ndjenë se një popull nga gjiri i të cilit kanë dalur këta heronjë, duhet të jetë kryelartë dhe të mos humbas kurrë shpresën për një të ardhme më të mirë për Kombin!  Le të shpesojmë që kujtimi i sakrificave të tyre sublime do të frymëzojë brezat e ardhëshëm të shqiptarëve për vepra më të mira për veten dhe mbarë Kombin shqiptar.

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

110-VJET MË PARË LINDI “HYLLI I DRITËS” – NJË YLL QË NDRIÇOI NATËN E ERRËT 500-VJEÇARE TË SHQIPTARËVE  

October 3, 2023 by s p


Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

110-vite më parë, me 1 tetor, 1913 është botuar numri i parë i revistës së Françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës”, me editorin e parë, të Madhin At Gjergj Fishta. “…E kemi quejtë ketë të Përkohëshmen tonë: “Hylli i Dritës”, përsé âsht tue lé nepër agim të qytetnisë së Shqipënisë”, ka shkruar Fishta. “E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t’ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, që edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut, ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë”. (Hylli i Dritës) I. 1913, 4-8). (At Gjergj Fishta).

Historia e revistës së Françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës”, ç’prej numrit të parë, është një pasqyrim, shpesh i lavdishëm, por edhe më shumë tragjik, i historisë së Shqiptarëve, sidomos, i historisë së shekullit të kaluar e deri më sot.

Në parathënjen e veprës së studiuesit Willy Kamsi me titull, (“Hylli i Dritës”, 1913-1944, Bibliografí kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër 2008”), thuhet se revista françeskane, “Hylli i Dritës” ka qenë e para revistë e botuar në Shqipëri, me një program të qartë atdhetar, politik e kulturor dhe që u bë shprehja më e pastër e intelektualëve katolikë dhe e kryesisë së Provinçes Françeskane në Shqipërí, përfaqësuesit e së cilës kanë qenë jo vetëm drejtori i saj Át Gjergj Fishta, por madjè nji plejadë letrarësh, gjuhëtarësh, folkloristësh dhe ekonomistësh që nderuen jo vetëm Provinçën Françeskane por edhe mbarë Kombin.

Sipas studiuesit Kamsi, bazuar në veprimtarinë botuese shumëvjeçare duhen hedhë në pah jo aq arsyet dhe argumentat që i dhanë shkas këtij botimi, sepse për këtê flet mjaft qartë revista me shkrimet që përmban, “por më shumë për të pasqyruar shkaqet që sollën dý herë perulimin e tij dhe herën e tretë ndalimin, rreth gjysmë shekulli, nga ana e regjimit komunist, antishqiptar, antikatolik, në mos shprehje e nji antikulturësie të posaçme e të skajshme.”

Trí janë periudhat në të cilat zhvilloi veprimtarinë e vet botuese Hylli i Dritës, sipas studiuesit Kamsi.  Periudha e parë (1913-14), të cilën revista diskutonte aftësinë e shqiptarëve për të organizuar shtetin e vet mbas pesë shekujsh pushtimi të huaj dhe marrëdhëniet mes lirisë e klerit katolik, në mes kombësisë e fesë dhe probleme të tjera të cilat, në mënyrën se si trajtohen ato — kanë qellimin kryesor për të filluar, moralisht e në mënyrë vepruese — nji mënyrë të ré për të kuptuar më mirë marrëdhëniet mes individit e shtetit, në mes shoqërisë e shtetit.

Sipas autorit Kamsi, në revistën “Hylli i Dritës”, gjatë gjithë verpimtarisë së saj nuk mungonte, ndër të tjera subjekte, as polemika e fortë dhe e mprehtë e At Gjergj Fishtës. “Jashtëzakonisht e rëndësishme dhe fort informuese është rubrika kushtuar lajmeve të mbrendshme e të jashtme që, të paraqitura prej drejtorit të saj Át Gjergj Fishta, pasqyrojshin qendrimin ndaj politikës ndërkombtare, të mbajtur prej ambjenteve atdhetare e nacionaliste, të përfaqësuara prej Etënve Françeskanë, të cilët patën një meritim të qartë në këtë drejtim.” 

Numri i parë i revistës “Hylli i Dritës”, botuar më 1 tetor 1913, nuk pati jetë të gjatë. Është ndërprerë menjëherë nga Fuqitë e huaja në atë kohë në Shkodër, sepse revista doli haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare të shqiptarëve, të cilat ishin, seriozisht, të kërcënuara një vit pas shpalljes së pavarësisë dhe para fillimit të Luftës së parë Botërore. Kjo masë shkaktoi një reagim të ashpër të drejtorit të kësaj reviste, At Gjergj Fishta,i cili ndonse nuk e nënshkruen shkrimin e botuar, është e qartë, sipas Kamsi-t se Fishta është autori i tij. Prej titullit e kemi të qartë gjithashtu edhe përmbajtjen e artikullit: “Nji komedí e pandershme e shekullit XX”, shkruan autori Willy Kamsi në parathënjen e librit të tij, (“Hylli i Dritës”, 1913-1944 — Bibliografí kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër 2008). Siç është rasti me shumë nga shkrimet e At Gjergj Fishtës, edhe ky shkrim, duke u lexuar 110-vjet më vonë, është aq aktual me zhvillimet e sotme politike ndërkombëtare ndaj shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në trojet e veta.

Në periudhën e dytë të botimit të “Hyllit të Dritës” — nga viti 1921 deri 1924 — periudha më demokratike e historisë shqiptare, sipas Kamsit, pau zhvillimin e një veprimi të gjallë në dobí të forcave më të shëndosha të Kombit shqiptar. “Kujdes parësor ka qenë me e mprojtë shtetin e rilindur shqiptar prej të këqijave të jashtme e sidomos të mbrendshme…Ndryshe prej periudhës së parë vehet oroe drejtimi kah nji përgatitje demokratike e qytetarit. Theksohen subjekte sikurse ndër të tjera, rilindja e individit si njisí më vete e përbërse e shoqërisë, duke theksuar, njëkohësisht, se cili ishte ideali i Shqiptarit.  Një vend të veçantë në revistën Hylli i Dritës kanë zënë shkrimet në mbështetje të masave për ruajtjen e traditave si dhe vlerësimi i së kaluarës për të përmirësuar të tashmen, shkruan Kamsi.

Në qershorin e 1924-s nji revolucion demokratik, i udhëhequn prej Fan S. Nolit, Luigj Gurakuqit e Bajram Currit, përmbysi regjimin e Ahmet Zogut dhe të bejlerëve. Mbas gjashtë muajsh të qeverisjes demokratike, me kthimin në pushtet të forcave regresive të mbështetura nga jashtë, detyrimisht, u desht të pezullohej botimi, duke pritë kohë më të mira, pasi kjo revistë kishte mbajtur, me shumë vendosmëri, anën e demokracisë, është shprehur Willy Kamsi.

“Periudha e tretë (1930-1944), sipas autorit Kamsi, pau përhapjen dhe imponimin e mendimit katolik në fushën e kulturës, tue e çue “Hyllin” në nji nivel të tillë sa me pasë pëlqimin e çmimin e rretheve shkencore e kulturore jo vetëm kombtare por edhe ndërkombtare. Jo më kot ndër bashkëpuntorët e tij mbahen me të tjerë emra të njohur si Prof. Norbert Jokl, Georg Stadtmüller”, e të tjerë si këta, shkruan studiuesi Willy Kamsi.

Në kronologjinë e tij kushtuar “Hyllit të Dritës, Kamsi shkruan se revista françeskane, me “Komunizmin qe përballuar, papushim, duke venë në dukje gjithë kalbësirën e mbrendshme që gjëndet në tê, e të së cilës kemi qenë dëshmitarë pasi kemi jetuar atë njëmendësí. Prandej, nuk janë pak artikujt që i kundërvihen asaj propagandë në Shqipëní me synimin që të ndriçohej opinioni publik, i mashtruem prej reflektimit mashtrues të nji mirëqenjeje të rrejshme”.  Por jo vetëm kundër komunizmit! Revista e Françeskanëve shqiptarë, sipas Kamsit, në artikujt e saj dënonte edhe nazizmin.  Më 1938 pushtimi i Austrisë, i ashtuquajturi “Anschluss” nga ana e Gjermanisë naziste, shkaktoi reagimin e Gjon Kamsit me nji dënim të shprehun me artikullin “Austria ndrroi jetë”, njëra ndër protestat e pakëta, në mos e vetmja, në shtypin shqiptar të asaj kohe, thekson ai.

Viti 1944 solli heshtjen e gjatë dhe vdekjen për revistën dhe botuesit e saj. Një nga aktet e para të qeverisë komuniste të Shqipërisë mbyllja e “Hyllit të Dritës” si, “përfaqësuese e reaksionit” anti-komunist. Ky vendim u pasua me dënimin me vdekje e burgje të gjata të shumë prej drejtuesve të saj, ajkës së Kombit, si At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Benardin Palaj, At Donat Kurti, e të tjerë, si dhe vjedhja dhe shkatërrimi i qëllim trashëgimisë së saj arkivore, nga shteti komunist I Enver Hoxhës.  Për fat të keq të revistës Hylli i Dritës, të Françeskanëve shqiptarë por dhe të Kombit shqiptar në përgjithësi, revista e njohur në historinë e gazetarisë së Shqipërisë u mbyllë nga regjimi anti-kombëtar komunist i Enver Hoxhës kur ky erdhi në fuqi me mbështetjen e armiqëve sllavë të Kombit shqiptar — nji humbje kjo e pallogaritshme për kulturën e shkencën shqiptare, humbje që âsht e vështirë të ndreqet sot, është shprehur studiuesi Kamsi në vlerësimin e tij.

Më në fund, pas shembjes së Murit të Berlinit, erdhi koha e ringjalljes së Shqipërisë dhe në vitin 1993, shkruan ai, me nismën e françeskanit Át Zef Pllumi, filloi rishtas botimi i revistë, “Hylli i Dritës”. Ndërkaq, mendohej se kohët e këqia kishin kaluar, por, jo, nuk ishte ashtu. “Erdhi 1997-a, vjeti i grushtit të shtetit komunist, që përgjaku e shkatërroi shtetin shqiptar. Kështu për të katërtën herë pushoi së botuari “Hylli”, që kaq i kishte dhënë ringjalljes së Kombit pas pushtimit turk”, vlerëson autori Kamsi.

Kamsi, përfundon kronologjinë e revistës “Hylli i Dritës”, duke shkruar se, “Në vitin 2006 — në vitin e 26 të jetës së vet — për të pestën herë kemi ringjalljen e kësaj reviste. U ringjall prej hinit të vet, sikurse Phoenix-i mitik dhe e bani këtë mbas 93 vjetësh, me gjith ndeshtrashat që e kanë përcjellë në jetën e vet, tue ndjekë të njajtin program dhe tue synue që nëpërmjet fesë, kulturës dhe dijes me i dhanë nji trajtë shpirtnore njeriut shqiptar, tue qenë me të vërtetë Votër kulture shqiptare”. 

Shënim:  Citimet janë marrë nga parathënja e veprës së studjuesit Willy Kamsi me titull, “Hylli i Dritës” 1913-1944. Bibliografí kronologjike, Botime Françeskane, Shkodër 2008.

Sot, me 1 tetor 2023, kujtojmë pra 110-vjetorin (e të vitit 1913), kur doli numri i parë i revistës së njohur të Françeskanëve shqiptarë, “Hylli i Dritës” – një pasqyrë kjo e lavdishme, por jo më pak edhe tragjike e historisë së Kombit Shqiptar, për lirinë e të cilit u përpoqën autorët e saj, françeskanët shqiptarë, me në krye At Gjergj Fishtën, por edhe jo-françeskanë — duke shkruar me laps dhe duke flijuar jetën deri në derdhjen heroike të gjakut të tyre, gjithmonë në mbrojtje të lirisë e demokracisë, të vlerave kulturore, kombëtare dhe shpirtërore të popullit e të Atdheut të vet.

Frank Shkreli

‘Hylli i Dritës’ 1 tetor 2013

A white book with black text

Description automatically generated

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT