• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ç’PUNË KANË TAKSAPAGUESIT AMERIKANË ME PROMOVIMIN E KULTURËS OTOMANE NË SHQIPËRI!?

October 28, 2021 by s p

                                     Nga Frank Shkreli

See the source image

Ministria e Kulturës

October 22 at 1:59 PM  · 

“Qeveria shqiptare miratoi sot, në mbledhjen e saj më të fundit, shpronësimin e banesës së Toptanasve, për t’ia rikthyer atë kulturës.”

May be an image of 1 person, standing and indoor

                   

Elva Margariti

October 22 at 1:20 PM  · 

“📌Sot mori fund saga e banesës së Toptanasve, njohur edhe si “Sarajet”, ish-ndërtesa e bibliotekës së parë shqiptare, monument kulture i kategorisë I, që këtë verë u përpoqën që ta zhduknin me zjarr.

Qeveria shqiptare mori vendimin e shpronësimit të pronarëve të kësaj ndërtese për ta restauruar, rijetëzuar e kthyer në një hapësirë kulture, dedikuar librit, për ngritjen e së cilës jemi në bisedime me qeverinë e SHBA-ve.”  

Ky ishte njoftimi (22 tetor, 2021) nga Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë!  PYETJA IME ËSHTË: Ç’PUNË KANË TAKSAPAGUESIT AMERIKANË ME PROMOVIMIN E KULTURËS OTOMANE NË SHQIPËRI!?

Ndërkaq, saga e shtëpisë ku ka jetuar at Gjergj Fishta vazhdon.  Shtëpia e Fishtës, e mbyllur/ e restauruar por askush nuk mund ta vizitojë – e rinovuar me fonde private — jo, jo as me fonde të qeverisë shqiptare as me fonde të qeverisë amerikane – por me fonde private! 

Pse Ministria e Kulturës së Republikës së Shqipërisë nuk e shpronëson edhe shtëpinë e At Gjergj Fishtës pasi është monument kulture e kategorisë së I?  Edhe për shtëpinë e Fishtës, Ministria ka thënë, vazhidmisht, se ka probleme pronësie. Ku qëndron e vërveta sa i përket hapjesë së shtëpisë së Fishtës, sidomos në këtë 150-vjetor të lindjes së tij dhe pse nuk shpronësohet edhe ajo?

NË 150-VJETORIN E LINDJES, QEVERIA SHQIPTARE, MINISTRIA E SAJ E KULTURËS, E HARRUAN AT GJERGJ FISHTËN E ALFABETIT SHQIP  – GJENIUN E LETRAVE SHQIPE! NË 150-VJETORIN E LINDJES, AT GJERGJ FISHTA VAZHDON TË JETË PA VARR, PA SHTËPI DHE PA KUJTESË NGA SHQIPËRIA ZYRTARE DHE NGA SHQIPTARËT!  

Ai nuk ka nevojë për ne, por Shqipëria dhe shqiptarët, kudo, kanë më shumë nevojë sot për të.  Dashuria e tij për Shqipërinë nuk shuhet kurrë…pa marrë parasysh trajtimin e tij në këtë 150-vjetor — nga Shqipëria dhe shqiptarët. Edhe ashtu At Gjergji, na thotë: veç të jeni mirë ju dhe Shqipëria – edhe pa mua Shqipëria “kjoftë e rrnoftë”, për jetë!

“Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë,
E nami i sajë përjetë u trashigoftë!
Po, po: rrnoftë Shqypnija!

E porsi krypa n’Dri,
E porsi krandja e that n’nji flakada,
U shoftë me arë, me farë, me mal e vrri
Kushdo shqyptar, qi s’brohoritë me za,
Kushdo shqyptar, qi s’brohoritë me uzdajë:
Oh! Rrnoftë Shqypnija! Rrnoftë Flamuri i sajë!..”
“Çohi t’dekun” – (Gjergj Fishta)

See the source image

Shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishtës e mbyllur me çels – s’ka nevojë për koment!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

KLUBI I TURPEVE TË PËRBASHKËTA

October 25, 2021 by s p

Me rastin e vdekjes së ish-prokurorit xhelat komunist Arianit Çela 

Nga Frank Shkreli

See the source imageNë një takim me kryetarët e bashkive të vendit të premten që kaloi, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, e ka cilësuar “turp të përbashkët” çështjen e mbetjeve, anë e mbanë vendit. Ai u ka bërë thirrje kryetarëve të bashkive që të mobilizohen për pastrimin e mbeturinave.  

Fillimisht, nuk isha i sigurt se cilave mbeturina po i referohej Z. Rama, duke marrë me mend se ndoshta e ka fjalën për “mbeturinat e komunizmit”, por jo, Kryeministri shqiptar po u fliste kryetarëve të bashkive për “çeshtjen e mbetjeve”, atyre mbetjeve që shihen grumbuj anës rrugëve dhe në hyrje të qyteteve, por edhe në zona të izoluara.  Kryeministri Rama ka të drejtë se, “çeshtja e mbetjeve” është një problem serioz për vendin, por në mendimin tim jo aq serioz sa “mbetjet ose mbeturinat komuniste”, gjithë ato qelizat e atij ish-regjimi që gjallojnë ende në Shqipëri, si askund tjetër në Evropë, e që vazhdojnë të influencojnë jetën politike, shoqërore dhe akademike – por edhe drejtësinë – e sidomos drejtësinë, në atë vend. 

Mediat njoftojnë se Z. Rama u premtoi krye-bashkiakëve se ai do ua zgjidhë atyre problemin e “mbetjeve”, duke filluar nga marsi që vjen, kur dy satelitët që do i hedhi ai në orbit (To the moon Alice, to the moon”), do të identifikojnë grumbujt e këtyre mbetjeve, sikur nuk i shohin tani se ku janë — edhe pa satelit. 

Nejse, kur lexova javën që kaloi për vdekjen e njërit prej kryexhelatëve të komunizmit dhe pas njoftimit të Z. Rama se Shqipëria do të vendos satelitë në orbit thashë me vete ndoshta Tirana zyrtare e ka në mend të përdor mjetet më të sofistikuara të teknologjisë moderne, përfshir satelitët, për të zbuluar pas 30-vjetë “post-komunizëm”, se ku janë hedhur eshtrat e mijëra viktimave, kundërshtarë të komunzimit të Enver Hoxhës.  Mendova kështu, përballë kërkesave të fundit të disa organizatave ndërkombëtare ndërkombëtare, por edhe detyrimeve shtetërore ndërkombëtare të Shqipërisë se ai vend duhet të bëjë më shumë për të gjetur eshtrat e viktimave të komunizmit, të shpërndara anë e mbanë vendit. 

Në raportin e fundit të Brukselit, dorëzuar, disa ditë më parë, në Tiranë – ndër të tjera i kërkohet, qeverisë dhe drejtësisë shqiptare, një angazhim serioz për të gjetur eshtrat e personave të zhdukur me forcë gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës.  Në raportin e Komisionit Evropian 2021 për Shqipërinë thuhet se gjatë periudhës që mbulon raporti në fjalë, prokurorët shqiptarë nuk bënë asgjë: drejtësia e re ka dështuar të bëjë hetime për gjetjen eshtrave të personave të humbur gjatë periudhës së komunizmit. Raporti i Brukselit flet për mos vullnet politik, si nga pozita ashtu edhe nga opozita gjatë 30-viteve tranzicion në Shqipëri, për tu marrë me çeshtjen e krimeve të komunizmit, përfshir edhe dështimin e kësaj klase politike për të marrë masa konkrete për ndërgjegjësimin e publikut shqiptar në lidhje me këtë çeshtje, thuhet në raportin e Brukselit për Shqipërinë, 2021. Megjithëse vonë, të pakën Brukseli filloi të flasë për këtë çeshtje me rëndësi, sidomos për familjet e viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Partitë dhe politikanët shqiptarë – të ashtuquajturave qeveri të “majta e të djathta”, janë antarët origjinal të këtij klubi të turpshëm që për 30-vjetë nuk kanë bërë asgjë për të zbardhur fatin e keq të mijëra viktimave të komunizmit. Ata nuk kanë bashkpunuar as me organizatat ndërkombëtare që kanaë qenë dhe janë gati të ndihmojnë në këtë drejtim. Nuk kanë dënuar krimet e komunizmit dhe nuk janë distancuar nga e kaluara komuniste. Ashtu si edhe përfaqësitë diplomatike në Tiranë, gjatë dekadave e deri më sot, klasa politike shqiptare ka heshtur për krimet dhe viktimat e regjimit komunist të Enver Hoxhës, sikur viktimat e komunizmit në Shqipëri të ishin dërguar në ndonjë piknik.  Klasa politike shqiptare e ka treguar, gjatë këtyre dekadave, arrogancën e saj duke mos treguar asnjë interesim për viktimat e komunizmit dhe nuk presim gjë prej tyre. Por ajo që më “djeg” mua dhe shumë shqiptaro-amerikanë është mos interesimi i ndërkombëtarëve për këtë tragjedi të viktimave të komunizmit dhe të familjeve të tyre, brenda dhe jashtë vendit. Si përfundim, përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë, me HESHTJEN e tyre ndaj krimeve të Enver Hoxhës dhe viktimave të komunizmit në sytë e shumë njerëzve, duan a s’duan, tani janë bërë pjesë — e pafalshme dhe e pa-pranueshme për rolin e tyre diplomatik — e këtij “turpi të përbashkët” me përfaqsuesit arrogantë të politikës aktuale shqiptare.  Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf.  Viktimat e pafajshme të komunizmit në Shqipëri janë vrarë dhe ekzekutuar nga shteti shqiptar me urdhër të prokurorëve xhelatë si Arianit Çela, i cili vdiq javën e kaluar.  Prandaj — kjo klasë politike sot, “të majtë e të djathtë”, për mire a për keq, më sës shumti për keq – fatkeqsisht, ju jeni sot shteti shqiptar. Ju duhet të merrni përgjegjësi dhe të kërkoni drejtësi për viktimat e pafajshme të komunizmit, nqëoftse jo për ataa vet, atëherë për familjet e tyre.  Kështu duhej të vepronte një shtet modern i shekullit XXI, i cili pretendon të dërgojë satelit në orbit.  Ndërsa ndërkombëtarët — qoftë përfaqsuesit e Brukselit qoftë të Washingtonit — duhej dhe duhet të kërkoni përgjegjësi prej përfaqësuesve të shtetit shqiptar në lidhje me këtë çeshtje me rëndësi tepër morale, por edhe politike e shoqërore. 

Sa i përket kësaj çështjeje – viktimave të komunizmit dhe të kaluarës komuniste në atë vend — edhe ju që përfaqësoni Evropën dhe Amerikën në Tiranën “post-komuniste, me heshtjen tuaj, jeni po aq përgjegjës për këtë mohim të historisë dhe mos përballimit të Tiranës zyrtare me të kaluarën komuniste, sa edhe vetë Tirana zyrtare.  Megjithë qëllimet e  mira tuajat, në lidhje me këtë çeshtje të rëndësishme, ju jeni në rrugë të gabuar. Ju kini braktisur, për të mos thënë se po abuzoni me rolin tuaj sa i përket kësaj çeshtjeje me rëndësi morale. Siç e kam thenë disa herë në të kaluarën – duke thirrur si Shën Gjon Pagëzuesi në shkretëtirë: se për derisa nuk e adresoni të kaluarën komuniste në Shqipëri — me HESHTJEN tuaj ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri – që na i kujton sot aq brutalisht vdekja e xhelatit të regjimit komunist Arianit Çela – ju jeni bërë palë me politikën aktuale shqiptare, që i mohon ato krime, gjithnjë.  Me këtë qendrim – që është vështirë të justifikohet – ju nuk i bëni nder vetes as rolit tuaj si diplomatë perëndimorë. Me heshtjen tuaj ndaj krimeve të tilla, ju nuk përfaqësoni vlerat e demokracisë dhe lirisë të vendeve që ju përfaqësoni. 

Të shtunën që kaloi, Departmenti i Shtetit, nepërmjet zedhënsit të vet, Z. Ned Price me një deklaratë me rastin e 65-vjetorit të Revolucionit Hungarez, rë vitit 1956, përshëndeti në emër të Shteteve të Bashkuara: “Ne kujtojmë burrat dhe gratë e guximshme (të Revolucionit Hungarez), të cilët luftuan nepër rrugët e Budapeshtit në mbrojtje të lirisë së vendit të tyre dhe lirisë në botë. Pasioni i tyre për liri është realizuar në vitin 1989 kur Hungaria përqafoi demokracinë. Ne shënojmë këtë përvjetor solemn së bashku me Hungarinë, partnerin tonë dhe aleatin e NATO-s”, thuhet ndër të tjera në përshëndetjen e Depatmentit të Shtetit Amerikan me rastin e 65-vjetorit të Revolucionit anti-komunist/anti-sovjetik të Hungarisë.  Unë kam pas fatin e mirë të punoja me disa pjesëmarrës në atë revolucion anti-komunist – kolegë gazetarë hungarezë — me të cilët kam punuar tek Zëri i Amerikës për shumë vite. Nuk e kuptoj këtë standard të dyfishtë! Viktimat e komunizmit në Shqipëri nuk meritojnë asgjë më pak se viktimat e komunizmit kudo në Evropën lindore dhe qendrore, përfshir ato të Revolucionit hungarez. 

Nuk po mund të mos përmend, me ketë rast, fjalët e At Gjergj Fishtës në 150-vjetorin e lindjes, që ai i ka përdorë në Konferencën e Paqës në Paris më 1919 se, “  Historinë e kemi aty, zotni të mij, që na flet kjartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a se gjysëm-zyrtare…”.   Heshtja e perëndimorëve ndaj krimeve të komunizmit në Shqipëri, sidomos heshtja e diplomatëve amerikanë për këtë çeshtje, mua si shtetas amerikanë për pothuaj një gjysëm shekulli por edhe si taksapagues amerikanë, më shqetëson shumë.  Më shqetëson heshtja e diplomatëve amerikanë ndaj krimeve komuniste sepse një përqindje dërmuese e viktimave të komunizmit në Shqipëri, disa prej tyre edhe shtetas amerikanë, të cilët prokurori komunist Arianit Çela i dërgonte drejtë ekzekutimit ose burgimit, vetëm e vetëm, për lidhjet e tyre ose për respektin që ata mund të shprehnin për demokracinë dhe lirinë amerikane.  Dënoheshin se dëgjonin Zërin e Amerikës (ku kam punuar për 30-vjet), me akuzën e “famshëme” se kundërshtarët e regjimit komunist të Enverit — sipas prokurorëve të regjimit si Arianit Çela — vepronin, “në shërbim të imperializmit amerikan kundër republikës sonë popullore…me mision për ta këthyer vendin tonë në një koloni të imperializmit amerikan…”.  Sipas prokurorëve dhe gjyqtarëve komunistë, si pro-amerikanë që ishin, kundërshtarët e komunizmit të Enver Hoxhës — si pro-amerikanë që ishin — meritonin dënimet maksimale, madje edhe vdekjen me ekzekutim.  A nuk meritojnë këto viktima të komunizmit shqiptar, të pakën një kujtesë me një deklaratë!?  Fatkeqësisht, duket sikur drejtësia e re për të kapur hajdutët e kotecave të pulave sot është shumë më e rëndësishme, më e moralshme dhe më njerëzore se sa dënimi i krimeve të komunizmit dhe përballimi zyrtar me të kaluarën e tmershme komuniste në Shqipëri. 

Më mirë vonë se kurrrë, në raportin e ditëve të fundit të Komisionit Evropian, cituar më lartë, u kërkohet prokurorëve shqiptarë që të hetojnë vrasjet dhe ekzekutimet me forcë gjatë regjimit barbar të Enver Hoxhës, “si ngjarje kriminale dhe me persona përgjegjës për ato krime”.  Ndoshta ishte i rastit fakti – ndoshta ishte një kujtim nga Perëndia — që 2-3 ditë pas botimit të raportit të Komisionit Evropian, në Shqipëri u njoftua vdekja e njërit prej atyre të cilëve raporti u referohet si “përgjegjës të atyre krimeve”, gjatë regjimit kriminal të Enver Hoxhës.

Shkoi në rrethin e nëntë të ferrit të Dantës, Arianit Çela. Megjithëkëte, duke marrë parasysh faktin se si u trajtua ai nga “drejtësia” e Shqipërisë “demokratike” sa ishte gjallë, Arianit Çela dhe disa ish-kolegë të tij prokurorë e gjyqtarë — disa prej të cilëve mund të jenë edhe pjesë e sistemit të “drejtësisë së re” në Shqipëri — mund të konsiderohen si gurthemeli, si trashgimtarë të denjë të drejtësisë së Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve, mbi të cilin pushon dhe vepron sot drejtësia e re në Shqipëri. Thashë me vete, pasi Ariant Çelës nuk i kërkoi askush përgjegjësi për krimet e tija monstroze në këtë botë, tashti ai do të përballet me drejtësinë e vëretetë, para të Madhit Zot për dënimin e qindra e ndoshta edhe mijëra njerëz të pafajshëm, me burgosje, ekzekutime e deri me vdekje.  Një zë mbrenda meje sikur më korigjoi duke më thënë mos se po të ndjenë ndokush dhe për inat tëndin vendosin t’i japin edhe Arianit Çelës ndonjë dekoratë si, “kampion drejtësie” për kontributet e tija në reformën e drejtësisë së re ose edhe “kampion i anti-korrupsionit”.  Post-mortem, kuptohet.

Në portalin “Kujto.al” jepet një biografi e shkurtër e këtij krimineli të “drejtësisë” së Enver Hoxhës. Aty thuhet se Arianit Çela, njëri prej xhelatëve më barbar të komunizmit enverist, ka mbi 650 procese politike mbi shpinë ndërsa gjithë jetën e tij në Shqipërinë “post-komuniste” e kaloi i patrazuar fare në shtëpinë e tij aty në Tiranë deri në orën që vdiq, sipas portalit “Kujto.al”, i pandëshkuar kurrë për asnjë nga krimet e kryera gjatë 45 viteve të regjimit komunist.


“Drejtësia post-komuniste” shqiptare në veprim: Sipas portalit Kujto, al, Arianit Çela – pasi ka shërbyer si deputet 1958-1991) dhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës (pasardhëse e Partisë Komuniste dhe para-ardhëse e Partisë aktuale Socialiste) — është arrestuar (“në kohën e demokracisë”) më 3 nëntor 1993 dhe është dënuar me akuzën, “Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal.” Pavarësisht kësaj, ai doli nga burgu në ngjarjet e vitit 1997, me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste”.  Drejtësia shqiptare e kishte shpallur atë të pafajshëm dhe madje kishte urdhëruar dëmshpërblim për xhelatin, thuhet ndër të tjera për ish-prokurorin e vdekur komunist, Arianit Çelën. Deri më sot, jo vetëm që nuk u kërkohet përgjegjësi, harroje dënimin e ish-prokorurëve, si Arianit Çela dhe ish-gjyqtarëve barbarë komunistë për krimet e tyre ç’njerëzore ndaj bashkvëllëzërve/motrave të tyre, por disa nga ata po shpërblehen dhe po dekorohen nga ndërkombëtarët për shërbimet e tyre si “kampionë të drejtësisë” dhe të “anti-korrupsionit”. VAJMEDET!

Fatkeqësisht, shumë prej viktimave të komunizmit të Enver Hoxhës në Shqipëri, që me nënshkrimin e prokurorëve si xhelati Arianit Çela dënuan me vdekje mijëra kundërshtarë të regjimit – nuk u dihen varret. Por, ne ua dijmë vendin se ku janë. Janë atje lartë, në përjetësi – në jetën e pasosur – prej ku shikojnë poshtë dhe luten edhe për xhelatët — që brutalisht dhe arbitrarisht ua ndërprenë jetën në këtë tokë — duke thenë: “Fali i Zot se nuk dinin së ç’bënin”, ashtu siç bënin shumë prej tyre para se të ekzekutoheshin – ishte tesatmenti i tyre i fundit. Këte e kërkonte Enver Hoxha, donte të dinte se cilat ishin fjalët e fundit të viktimave të tija. 

Viktimat e komunizmit luten edhe për pushtetarët e sotëm të Tiranës ndonëse 3 dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar, refuzojnë të zbardhin atë histori të tmershme, me qëllim që të mos përsëritet më për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve. Viktimat e komunizmit shqiptar luten edhe për diplomatët perëndimorë në Tiranë që heshtin — e që siç duket me këtë heshtje, kanë braktisur vlerat e vendeve që ata përfaqësojnë, duke mbështetur në mënyrë arrogante dhe pa kushte, këtë klasë politike të papërgjegjëshme e cila ndryshe nga shumë vende të tjera ish-komuniste gjithnjë refuzon të përballet, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste dhe të dënojë krimet e komunizmit. Nuk ka drejtësi të re as të reformuar pa drejtësi për viktimat e komunizmit në Shqipëri!  Ju të nderuar diplomatë duhet të dini pak më mirë se kaq. Për hir të vendeve që përfaqësoni, mos u bëni pjesë e këtij klubi “turpesh të përbashkëta” të politikës së fëlliqt shqiptare në lidhje me viktimat e komunizmit. Vdekja e Arianit Çelës, ish-prokurorit kriminel komunist, duhet të jetë një rast reflektimi edhe për ju, të nderuar diplomatë perëndimorë, sa i përket drejtësisë për viktimat e pafajshme të komunizmit, por edhe për çfarë drejtësie ka nevojë sot Shqipëria. Qoftë edhe në Shqipëri, ju duhet të mbroni vlerat perëndimore, përfshir të drejtën për të jetuar, lirinë dhe dinjitetin e çdo personi, pa dallim dhe në çdo kohë dhe jo të mbroni dhe të promovoni njerëz të caktuar të politikës dhe drejtësisë – të cilët janë indiferent ndaj krimeve të një diktature komuniste, ndër më të tmershmet e Evropës dhe botës.

Këtë ia kini borxh qindra mijëra shqiptaro-amerikanëve, qytetarë të denjë dhe taksapagues amerikanë të cilët, në një mënyrë ose një tjetër, e kanë pësuar keq nga komunizmi, ndërkohë që gjatë sundimit komunist kanë humbur anëtarë të familjeve nga vendimet kriminale të nënshkruara nga ish-prokurorët komunist, si Arianit Çela.  Eshtrat e këtyre viktimave të komunizmit, familjet e të cilëve nuk dinë as sot se ku i kanë hedhur xhelatët e atij regjimi. Është shembulli i këtyre viktimave të komunizmit dhe i qendresës së tyre kundër regjimit diktatorial — dhe jo nostalgjikët e preferuar të komunizmit të Enver Hoxhës – që frymëzojnë shqiptarët e Amerikës se edhe kombi shqiptar do të shoh ditë më të mira në të ardhmen.  Është komuniteti shqiptaro-amerikan ai që gjatë dekadave ka ruajtur dhe fuqizuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara. Është ky komunitet dhe familjet e shqiptaro-amerikanëve që – në emër të Amerikës dhe në mbrojtje të vlerave demokratike të saj — kanë vuajtur më së shumti nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.  Është një komunitet që ka kontribuar dhe vazhdon të kontribojë në zhvillimin e Shteteve të Bashkuara, por i cili, në emër të Amerikës, edhe ka vuajtur më shumë se të tjerët nga regjimi komunist. Si i tillë, ky komunitet që adhuron lirinë dhe demokracinë dhe që dashuron Amerikën dhe Shqipërinë, meriton të pakën, që përfaqsuesit diplomatikë amerikanë në Tiranë, të jenë disi më të ndjeshëm dhe më të kuptueshëm për shqetësimet e shqiptaro-amerikanëve për ato që po ndodhin në atdheun e tyre të origjinës, përfshir qendrimin e Shteteve të Bashkuara në lidhje me krimet e komunizmit dhe përballimin me të kaluarën komuniste të Shqipërisë.   Refuzimi i qeverive shqiptare për t’u marrë me viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe për tu përballur, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste – ka vazhduar të jetë një histori turpi për klasën politike shqiptare “post-komuniste”, siç është një histori turpi edhe heshtja e ndërkombëtarëve në lidhje me këtë çeshtje.

O Zot bekoje Amerikën dhe mbroje Shqipërinë në këtë kohë kritike! 

Frank Shkreli

See the source image

 Ish-Prokurori komunist Arianit Çela — Edhe ky si Nexhmije Hoxha dhe shumë 

                  komunistë të tjerë shqiptarë – nga fashist në komunist!

A group of men in uniform

Description automatically generated with medium confidence

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

AT GJERGJ FISHTA FATI I KOMBIT SHQIPTAR

October 22, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli/

See the source image “Mbi ta, po, randoi pesha e fuqis rromake; mbi ta po, u lëshue e irun mnijet e gjithmonë e pabesë sfinksa sllave; rresht për katër kavaljete të gjata i ra sypri boena e barbarsis azjatike; por me gjith kta, ata nuk ndrruan njinin e vet kombtare, e as s’lshuan doket e idealet e veta” – At Gjergj Fishta

Kjo javë (23 Tetori 2021) shënon 150-vjetori i lindjes së njërit prej apostujve më të mëdhenj të shqitarisë dhe mbrojtësit të interesave jetike kombëtare, Homerit të Kombit e të racës dhe Françeskanit të madh, At Gjergj Fishtës.   Ishte fati i kombit që At Gjergj Fishta jetoi dhe veproi gjatë një periudhe jashtëzakonisht kritike për ekzistencën e shtetit shqiptar. Ai iu përgjigj thirrjeve të Atdheut, kudo e kurdoherë i kërkohej t’i shërbente të mirës dhe dobisë së Shqipërisë.   I ndjeri Profesor Namik Resuli i universitetit të Napolit, në një fjalim në Romë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Fishtës ka thënë se “kontributi i çmueshëm që dha Fishta në laminë e letrave dhe në edukimin e Kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë se Shqipnija pa Fishtën kishte për të qenë e mangët — ashtu si letrat tona pa pendën fishtjane kishin për të paraqit nji golle (boshllëk) të paplotësueshme. Këndej del e qartë se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin që ai xen në panteonin e Kombit”.

At Gjergj Fishta është një përmbledhës i visarit shpirtëror të vuajtjeve, luftërave, mundimeve e përpjekjeve për liri, pavarësi e dinjitet njerëzor të kKombit shqiptar.  Në veprat e Gjergj Fishtës çdo shqiptar mund të gjejë të pasqyruar fatin e vet dhe të Kombit në luftëra titanike për të mbijetuar gjatë historisë.  Aty gjen luftërat e mëdha të dragonjve ose të luftëtarëve shqiptarë, për t’i zbardhur faqen Kombit për një të ardhme më të mirë kundër kulshedrës, ose armikut të Shqiptarëve. 

Albanologu italian Fulvio Cordignano ka shkruar në ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925, se “Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtje për tagre të veta, mësimit kombtar në mbshtetje të  gjuhës kombtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar – ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme.  Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vegjel; këndon ndërsa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda, ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh”.

Kjo mënyrë “luftarake”, e shprehjes së ideve të At Gjergj Fishtës vihet re më së miri – sidomos ndaj politikës së Fuqive të Mëdha ndaj shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të Kombit shqiptar – në fjalimin që ai kishte përgatitur për tu lexuar në një konferencë në Paris, në vitin 1916.

Më poshtë janë disa pjesë të fjalimit të përgatitur nga At Gjergj Fishta, lexuar në frëngjisht nga Imzot Luigj Bumçi, Ipeshkvit të Lezhës, në Universitetin katolik të Parisit në Qershor, të vitit 1916.  Në atë fjalim, që në vetvete është një mbrojtje e fortë në përkrahje të të drejtave të Kombit të “papërkulun” shqiptar në atë kohë dhe sot, At Gjergj Fishta, përveçse fuqive të mëdha u “difton se kush janë e shka janë Shqyptarët”, dhe se cilat janë të drejtat e tyre, ai në të njëjtën kohë kritikon Fuqitë e Mëdha të asaj kohe, përfshir edhe Francën ku u mbajt fjalimi, për qëndrimin e tyre kundër lirisë, pavarësisë dhe të përcaktimit të kufijve natyrorë gjeografikë dhe etnikë të Kombit shqiptar në Ballkan.

“Prej brigjeve gjimuese t’ Euksinit e me borë t’ amshueme t’Alpeve Julje, prej bigave bumulluese t’Akrokeraunvet e me karma të thepisuna të Karpateve, ene’ rijme me gjak njerit, në ato kavaljetet e kalueme të vjetra, banonte, si zotnija e juej mirë e dini, ajo familja e madhe trako-ilire, në nam e në za, në histori të fiseve e të kombeve”.  Fishta ka vazhduar fjalimin e tij duke thënë se nga kjo familje e madhe trako-ilire, “Atje ndërmjet Thesalijet e Malit të Zi, prej brigjevet lindore t’Adriatikut e më stom të Vardarit, pshtoi gjall nji grusht njerzish, që xanë vend a mbas murojet të do maleve titanike a se nen hije të kandshme të disa fushave gratshore e të kerthnesta – banë e përmallueshme e hyjvet të moshës prrallzore – u ban ball me fuqi kurr të përkulme të shpirtit të vet bujar e thellimeve të kavaljeteve e padrejtsive t’hipokrizisë njerëzore”.

“Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ene kta flasin atë gjuhën e të Parvet të vet ma të hershëm; ene e ruejnë të pandryshuem karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshavet të vet, e sot edhe punojnë shi njat tokë që punuan të parët e tyne prehistorikë”.   At Gjergj Fishta, në fjalimin e tij, ka folur për vuajtjet e mëdha të shqiptarëve nën okupues të huaj gjatë shekujve, duke thënë: “Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë rromake; mbi ta po, u lëshue e irun mnijet e gjithmonë e pabesë sfinksa sllave; rresht për katër kavaljete të gjata i ra sypri boena e barbarisë azjatike; por me gjith kta, ata nuk ndrruan njininë e vet kombtare, e as s’lshuan doket e idealet e veta. Po, ky popull i papërkulun kurr, ende gjindet atje mbi ato maje të thepisuna, mbi ato zalli të plleshme, ku të parët e tij prefshin rrasat për me ça me to rrashtat e anmqivet, a u epshin ujë pallavet të hekurta, për me shtrue me to mbarë botën nën kambë të nji Lekës së Madh…”.

Dhe vazhdon. “E mirë, pra, zotni të mij, ky popull asht njaj populli i vogël shqyptar, aq pak i njoftun e qa zi i gjykuem në Evropë. I vjetër sa fosilat, sa stalagtitat e shpellave jehuese të malevetë te veta vigane, e le të thuesh, prej vet bucet të Shqypnis, ai asht sot zot autokton e i pakundërshtim i tokve të veta. Ene Sllavi s’kishte dalë prej breshtet t’Uralit, e ende s’kje njeshë e sodmja frotë laramane neo-elenike, kur Shqyptari korrte më zagna të Ballkanit edhe mbyllë e kishte nji periudhë të historisë së vet në moshë të rruzullimit. Kush para Shqyptarit ngau qetë sinjorevet të Ballkanit? Historinë e kemi aty, zotni të mij, që na flet kjartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a se gjysëm-zyrtare…”.

Fishta më tej u ka kujtuar, përfaqsuesve të Fuqive të Mëdha 20 qershor 1919 në Paris,  parimet Uilsonjane për pavarësi të popujve , duke bërë pyetje: “E njimend: e po i cili popull në Ballkan ka ndiesi ma të thella për liri të vet se populli shqyptar? A dro asht Sllavi i kadalshëm e i ngathtë… E po, a thue asht Greku – ai skilja e vjetër – që gjithmonë si nji bimë parasite ju njesh ma të fortit…apo asht Shqyptari, që pshtetë të gjithë shpresën në fuqi të vet e m’ate të armve të veta: qe i drejtë me miq, bukëdhanës me të huej, i rrebtë me anmiq… ene deri më sot nuk i asht përmysë njaj force të huaj…. Kjenë, po pushtuesa mbi Shqypni, por nuk kjen kurr zotnuesa mbi Shqyptarë…”.

Në fjalimin e tij, At Gjergj Fishta u është përgjigjur akuzave të armiqëve të Kombit shqiptar dhe përkrahësve të tyre, që i paraqisnin shqiptarët si “barbarë” dhe jo të denjë të lirisë dhe pavarësisë së tyre, në bazë të së drejtës ndërkombëtare, duke shtuar se ata kanë thyer e shkelur çdo të drejtë ndërkombëtare e njerëzore. “Serbët, në kohën e luftës ballkanike me shpata kanë çelë nanat shqyptare e foshnjet e nxjerruna prej sosh i kanë ndezë si pisha, për me shndritë natën me to, e sot Konferenca ka trefishue shtetin e tyne.  Grekët kanë kryqzue gjinden shqyptare shi në  qindvjetë —  e sot Konferenca ka menden me u dhanë mandatin me shtrue e me gjytetnue disa kombe të tjera: pse tash Shqyptari, i cili s’i njef kto mizori në vetvedi, s’mundet me dalë shtet mbë vedi, i lirë e i pamvarshëm’”?

At Gjergj Fishta ka përfunduar fjalimin e tij mbi të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta duke nënvijuar se sipas parimeve të Presidentit amerikan Uilson, “ashtë punë e arsyeshme, që shteti shqyptar të përshtrihet gjeografikisht deri ku mbrrin kombsija e popullit shqyptar e vijueme e pandame prej centrit të vet… Prandej, çdo pakësim i tokës së Shqypnisë, që të mos jetë bamë mbas ktyne parimeve, duhet mbajtun i dhunshëm dhe i padrejtë”.

“Populli shqyptar flet nji gjuhë krejtë të veten… prandej s’ka si të mohohet se të gjith njata që flasin shqyp janë kombsijet shqyptare; e se për ketë arsye shteti shqyptar do të përshtrihet gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha shqype”.

Për të kundërshtuar ato që Fishta i ka cilësuar si “gënjeshtra të pa-përmbajtuna e të pahijshme, shoshitë prej anmiqëve” të kombit shqiptar, At Fishta citon një artikull të shkrimtarit francez Rene Pinot, i cili kishte vizituar Shqipërinë, shkrimi i të cilit ishte botuar në revisten “Revue Des Deux Mondes”, e që duke folur për kufijt e Shqipërisë shkruante këto: “Prej fushave të Vardarit e mb’Adriatik, prej Thesalijet e mb’ Mal të Zi, zot toket ashtë Shqyptari, në daç pse ky hini mbrendë ma i pari, në daç se ky ndodhi ma i forti”.

Fishta përfundon fjalimin e tij të gjatë në Universitetin e Katolik të Parisit në Qershor 1916, me një referencë ndaj statistikave etnologjike të kohës, duke thenë: “Të tanë krahina e Kosovës, pra, që prej Konferencet të Londonit (1913) i kje lshue Serbis, e mbarë Epiri i Nordit, të cilit i lakmon Greqia, janë banue kryekput prej Shqyptarësh , e prandej e drejta e lypë që të njihen me shtet shqyptar…Qyshë se serbt kanë vra me qinda mijash njerëz në Kosovë, e Grekt kanë djegë qinda e qinda katundesh n’Epir të Nordit, duket kjartsisht, se as banorët e Kosovës s’janë Serb, as ata t’Epirit të Nordit s’janë Grek. Jo, po Zotni; janë vra gjindja me qina mijash në Kosovë e janë djegë me qinda e qinda katunde në Epir të Nordit, sepse Serbt e Grekt duen me shue faren shqyptare n’ato krahina, për me mujt me i thanë masandej Konferencës së Paqit, se atje s’ka Shqyptarë”.

At Fishta e përfundon fjalimin duke thenë se të gjitha pretendimet e fqinjëve karshi tokave shqiptare janë bërë në bazë gënjeshtrash dhe pa kurrfarë turpi, ndërsa ka deklaruar se: “Konferenca e Paqit kishte me ba nji paudhni të përgjakshme, po nuk i nxuer e nuk ia këthei Shqypnisë ato tokë që Konferenca e Londonit, kundra çdo gjygjit e drejtsijet, në vjetin 1913 ia shkputi per me jau lëshue Grekvet e Serbvet”.

150 vjet më parë, këtë muaj, lindi Poeti i Kombit shqiptar At Gjergj Fishta. U shënua aty këtu me ndonjë kremtim ose shkrim përkujtimor. Por do të ishte me vend që, në prag të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, veprat dhe veprimtaria e At Gjergj Fishtës në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të trojeve shqiptare, të mos lihen pas dore, por në një mënyrë dinjitoze të nderohet poeti, i cili nderoi dhe mbrojti pavarësinë e kombit shqiptar në një prej periudhave më kritike të ekzistencës së tij, kur armiqtë e Kombit jo vetëm donin t’i mohonin pavarësinë shtetit të ri shqiptar por përpiqeshin ta ndanin Shqipërinë copa – copa.

Pak kohë më parë Akademia e Shkencave e Shqipërisë mbajti një seminar kushtuar At Gjergj Fishtës, i pari i tillë në pothuaj 80-vjetë, pas vdekjes së tij – një ngjarje kjo megjithëse me rëndësi, mu desh ta cilësoja si një hap përpara e dy hapa mbrapa, sa i përket pranimit të punës, jetës dhe veprimtarisë kombëtare të Fishtës. Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë një hap përpara, dy mbrapa | Gazeta Telegraf – 

Nuk pritej asgjë më mirë, as më shumë.  At Gjergj Fishta nuk është pjellë e këtij sistemi dhe kësaj ideologjie nostalgjikësh të komunizmit që ende kontrollojnë pushtetin, historinë dhe shkencat, që ende Fishtën e konsiderojnë si tradhëtar dhe poliagjentë – njerëz të cilët – akademikë dhe politikanë — që ende marrin vendime bazuar në periudhën e luftës së klasave.  Pa marrë parasysh — At Gjergj Fishta edhe në këtë 150-vjetor të lindjes — mbetet mbrojtësi më i fortë i të drejtave të Kombit shqiptar. Ai është babai i Alfabetit të gjuhës shqipe dhe poeti i Kombit.  Sot, trashëgimia e At Gjergj Fishtës është e gjallë për brezat e ardhëshëm të Kombit të cilët do ia vlerësojnë veprën e tij, jo nga pikëpamja marksiste-leniniste, por duke u bazuar në vlerat kombëtare që ai mbronte dhe në kontributin e vërtetë historik të këtij burri të madh të Kombit shqiptar. 

Majft është Mjaftë! Ka ardhur koha, më në fund, që në këtë 150-vjetor të lindjes së Poetit Kombëtar – At Gjergj Fishta të zejë vendin që i takon dhe që meriton në historinë e Kombit Shqiptar. Kot e kini se Shqipëria as Kombi shqiptar nuk bëhen pa vlerat kombëtare të At Gjergj Fishtën!  

Frank Shkreli

Nga At Gjergj Fishta – Shqypnia e Lirë

Po, por nesër, me ndihmë të Zotit,

Do t’a bajm prap Shqypni t’lir

Prej Prevezet e m’Leqe t’Hotit,

Prej Tivarit e m’Monastir; 

Edhe Flamuri i Shqypnis,

Si flakë mnijet t’Perendis,

Do t’valvitet në Kaçanik.

M’Kaçanik, po, do t’valvitet

Kuq e Zi, Flamri i Shqyptarëve,

Përse toka, shqyp ku flitet,

Ajo vetë asht  që prej të Parvet

Trashigimin na e kemi pasë:

Mbrendë i juej ma s’do të shklasë,

Jo, po: na sod ktu sundojm;

Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;

Gjall lirinë na nuk e lshojm,

S’njohim mbret as krajl të huej,

Zoti n’qiell e na mbi tokë

Me gjithkendë vëllazën e shokë,

Por secili në cak të vet.

Prandej i hueji në andërr m’e pa

Se vjen kurr e shklet nder ne,

Drue se keq kishte me i ra.

Gjergj Fishta, Mrizi i Zanavet e Vallja e Parrizit

See the source image “Prifti Gjergj Fishta, Vazhdimtar në udhën e Kombit, Frymëtar i Fjalës, solli Dhuratën e vet në Adhurimtoren e Atdheut-Shpirt, Mendim i Parathënësve të Shqipes. Ay e solli me gjith vargun e shprehjeve bashkimtare dhe vëllazërimtare fetare të falura në gojë të polemit shqiptar dhe të krerëve shqiptarë dhe të udhëheqësve shqiptarë, të cilët lidhin besë e fe shqiptare ndaj Rezikut- Mendim i kombit, Parim atdhedashurije”. (Lasgush Poradeci)

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

NDËRROI JETË GJENERALI AMERIKAN COLIN L. POWELL

October 19, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli/

Dëshira e ish-Sekretarit të Shtetit Colin Powell për Shqipërinë: “Të realizonte potencialin e saj dhe të përfundonte udhëtimin historik, për tu këthyer, më në fund, në zemër të Evropës”.

See the source image

Gjenerali Colin L. Powell, ish-Sekretar i Shtetit Amerikan dhe Shef i Shtatmadhorisë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara ndërroi jetë të hënën në mengjes, si pasojë e ndërlikimeve nga Covid-19, megjithëse ishte i vaksionuar plotësisht sipas rekomandimeve të mjekëve, thuhet në njoftimin e familjes për vdekjen e këtij amerikani të madh.  Familja falënderon ekipin mjekësor që është kujdesur për të në Qendrën Mjekësore Walter Reed në Bethesda të shtetit Maryland, afër Washingtonit, duke shtuar se, “Kemi humbur një bashkshort, baba dhe gjysh të dashur dhe të jashtzakonshëm, si dhe një Amerikan të madh”, thuhet në njoftimin e familjes me rastin e kalimit në amshim të Gjeneralit Colin Powell, njërit prej ushtarakëve, diplomatëve dhe politikanëve më të dalluar të Shteteve të Bashkuara, në disa dekada.

Colin Powell ka shërbyer në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit duke filluar nga 20 Janari, 22001, i emëruar në atë detyrë nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër. Gjenerali Powell ka qenë Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në administratën e Presidentit Ronald Reagan, ndërsa kariera e tij prej ushtaraku ka zgjatur për 35 vjetë, duke arritur nivelet më të larta në udhëheqjen e Pentagonit, përfshir edhe detyrën më të lartë të atij enti të mbrojtjes, Shef i Shtatmadhorisë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara.

See the source image
Gjenerali Colin Powell
Picture of Colin L. Powell

Kryediplomati Colin Powell

Është e vështirë të gjeshë një udhëheqës politik, ushtarak ose diplomatik me rëndësi të Shteteve të Bashkuara në 30-vitet e fundit, që të mos ketë pas të bëjë – në një mënyrë ose në një tjetër me Shqipërinë dhe me shqiptarët.  Natyrisht, se duke qenë njëri prej personaliteteve më të dalluara ushtarake dhe diplomatike të Amerikës, as i ndjeri Gjenerali Colin Powell nuk mund të ishte një përjashtim.  Ndër vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë në Shqipëri gjatë dekadave të fundit, shquhet edhe ajo e Sekretarit të Shtetit, Colin Powell në Maj të vitit 2003 në Tiranë ku kryediplomati amerikan mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Adriatikut. “Karta e Adriatikut”, ka thenë me atë rast Powell, “do të shërbejë si një udhëzim drejtë integrimit euro-atlantik të tre vendeve (Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë). Ai ka shtuar se, në këtë dokument, “pasqyrohet përkushtimi i partnerëve tanë për të bashkpunuar, individualisht, me njëri tjetrin dhe me fqinjtë e tyre për të krijuar një rajon të demokracive të forta, të mbështetura nga ekonomi me tregje të lira”, dhe ka nënvijuar, gjithashtu edhe “rëndësinë që ne i kushtojmë integrimit eventual të këtyre vendeve në NATO dhe në institucionet e tjera evropiane”.  

Powell ka thenë me atë rast (maj 2003) se megjith nënshkrimin e Kartës së Atlantikut, tre vendet në fjalë përballen me sfida të mëdha, ndërsa përpiqen të zhvillojnë ekonominë, ushtrinë dhe institucionet politike në nivele të barabarta me standardet perëndimore, jo vetëm se pse këto kërkohen nga Aleanca NATO, por më me rëndësi, është fakti se qytetarët e këtyre vendeve meritojnë standarde të tilla”, është shprehur ish-Kryediplomati amerikan Colin Powell në Trina, në maj të viti 2003.  Powell ka thenë 18-vjetë më parë në Tiranë se “Karta riafirmon premtimet e bëra nga të tre vendet, se do të “të vazhdojnë forcimin e institucioneve të tyre demokratike dhe të luftohet korrupsioni që qëndron midis popujve të rajonit dhe ëndërrave të tyre për një jetë më të mirë”, ka thekësuar Powell, pothuaj dy dekada më parë në qendër të Tiranës.  

Eh, sikur Tirana zyrtare të mbante premtimet që u ka bërë gjatë viteve e deri më sot, aleatëve të saj perëndimorë — përshfir ish-Sekretarin e Shtetit të ndjerin Colin Powell — për të luftuar korrupsionin, për të bërë reformën në drejtësi, për zgjedhje të lira e të drejta, e të tjera premtime boshe, standarde këto të denja dhe të nevojshme të një vendi anëtar të NATO-s, për të arritur nivelet e standardeve perendimore për drejtësi dhe dinjitet njeërzor, për të gjithë shqiptarët pa dallim. Si mos të ndjehej i zhgënjyer i ndjeri Powell, në këtë ditë të kalimit të tij në amëshim,  – ashtu siç ndjehen edhe zyrtarë të tjerë amerikanë  – nga premtimet e boshe të pa realizuara të klasës politike shqiptare, të këtyre tre dekadave të kaluara – për një jetë më të denjë dhe më të mirë për shqiptarët, bazuar në vlerat dhe standardet perëndimore. 

Me keqardhje të thellë personale, më duhet të them se shpresa e të ndjerit Colin Powell se fryma e Kartës së Adriatikut e nënshkruar prej tij në Tiranë në maj të vitit 2003, (madje as antarësimi i Shqipërisë në NATO më 2009),  nuk kanë sjellur, as zgjedhje të lira, as reformat e kërkuara në drejtësi, e si rrjedhim as integrimin e plotë të Shqipërisë në institucionet Euro-Atlantike, ashtu që sipas dëshirës së Powell-it, Shqipëria, “të realizonte potencialin e saj dhe të përfundonte udhëtimin e historik për tu këthyer më në fund në zemër të Evropës”, ka përfunduar fjalimin e tij, Colin Powell në Tiranë në maj të vitit 2003, aty ku, historikisht, e ka vendin Shqipëria.

Presidentët amerikanë, Joe Biden, Jimmy Carter, Xhorxh W. Bush, Bill Clinton dhe Barak Obama e cilësuan Colin Powellin si “Një hero të vërtetë Amerikan” dhe kujtuan integritetin dhe ndershmërinë e tij si dhe miqësinë personale që kanë pasur me të.  Presidenti aktual Biden tha se “mbi të gjitha Colin-in e kisha mik” dhe ai ishte një “patriot që s’e kishte shoqin…plot në dinjitet dhe ndershmëri”.

Ndërsa Presidenti Xhorxh W Bush than ë reagimin e tij se Colin Powell ishte, “ jashtzakonisht shumë i respektuar në Amerikë dhe anë e mbanë botës. Por mbi të gjitha, Colin-in ishte famijar i devotshëm dhe mik imi.”

Presidenti Jimmy Carter tha se, “Guximi dhe integriteti i tij do jenë frymëzim për brezat e ardhëshëm.” 

“Bota ka humbur njërin prej udhëheqësve më të mëdhej që kemi njohur. I pari afrikano-amerikan Shef i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, afrikano-amerikani i parë Sekretar Shteti, një burrë i respektuar anë e mbanë botës”, ishte reagimi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Z. Lloyd Austin III, me të dëgjuar për vdekjen e Gjeneralit me katër yje, Colin Powell.

Frank Shkreli

A picture containing person, person, suit, standing

Description automatically generated
See the source image
See the source image

             Presidenti, Xhorxh Bush i vjetër, Dr. Sali Berisha me Colin Powell

See the source image

     Me Presidentin e Shqipërisë, Z, Alfred Moisiu (Albert Lulushi në mes)

Secretary Powell is greeted by Albanians during his visit to Tirana on May 2, 2003. [Photo courtesy of U.S. Embassy Tirana]

Sekretari i Shtetit Colin Powell me Ministrin e Jashtëm të asaj kohe, Z. Ilir Meta, duke u përshëndetur me qytetarë të Tiranës, 2 Maj, 2003 [Photo courtesy of U.S. Embassy Tirana] 

                   US Secretary of State Colin Powell (R) shakes hand : News PhotoPresidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani me Sekretarin Amerikan të Shtetit-Washington, 25 shkurt, 2002 –për bisedime mbi marrëdhëniet dy-palëshe SHBA-Shqipëri — AFP PHOTO/ Stephen JAFFE (Photo credit should read STEPHEN JAFFE/AFP via Getty Images)

Filed Under: Kronike Tagged With: Colin Powell, Frank shkreli

NJË DIPLOMAT AMERIKAN QË NUK HESHTI KUR DUHEJ TË FLISTE

October 18, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image

Ndonëse, teknikisht, jemi ende brenda 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Republikës së Shqipërisë si dhe hapjes, zyrtarisht, të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë me 1 tetor, 1991 – nga Z. Christopher Hill, i Ngarkuar me Punë ad interim —Frank SHKRELI/ Kris Hill diplomati që hapi Ambasadën e parë Amerikane në Tiranë | Gazeta Telegraf — i cili u pasua nga Ambasadori i parë amerikan në Tiranë në 52-vite, Z. William Edwin Ryerson – deshta të kujtoj me këtë rast, Kryetarin e Delegacionit të parë të Departmentit të Shtetit në Shqipëri, 20 mars, ’91,  Z. David Haywood Swartz —Një ngjarje në historinë e mardhënieve Amerikano-Shqiptare që shpesh anashkalohet | Gazeta Telegraf — njëherazi duke mbyllur këtë seri shkrimesh, lidhur me këtë përvjetor. 

Dua ta kujtoj Z. Swartz si një diplomat parimor. Të bardhës i thonte e bardhë dhe të zezës, e zezë. Për aq pak kohë që e njoha — përpara, gjatë vizitës në Shqipëri për tre javë dhe pas këthimit në Washington — pak kam njohur diplomatë që i thonin gjërat ashtu siç i shihnin, troç, drejt për drejt dhe pa frikë. David Swartz, një ekspert për ish-Bashkimin Sovjetik dhe për Evropën Lindore/Qendrore, para se të emërohej në krye të delegacionit të parë amerikan në Shqipëri, mars/prill 1991, ka pasur detyra të larta në Washington dhe ka shërbyer në Poloni, Zvicër dhe Kanada.  Për Shqipërinë dinte aq sa kishte lexuar, si një shtet i mbyllur komunist, ndër regjimet më të egra komuniste, me kampe përqendrimi dhe burgje për kundërshtarët pro-perendimorë të regjimit komunist, deri në ditën e fundit të ndryshimit të sistemeve. Ambasadori Swartz ishte anti-komunist i bindur, ndoshta nga përvoja e tij diplomatike në Varshavë, gjatë luftës së ftohtë. 

Para se të niseshim nga Washingtoni për në Shqipëri, me 20 prill, 1991 përflitej se Z. Swartz, në të vërtetë, ishte emërua ambasadori i parë amerikan në Tiranë – por ai vet nuk e përmendte fare këtë mundësi, pasi ishte i njohur me procesin e gjatë të emërimit dhe miratimit të ambasadorëve nga Shtëpia e Bardhë dhe nga Senati amerikan.   Arsyeja se pse më në fund Z. Swartz nuk përfundoi të ishte ambasadori i parë në Shqipëri, u bë shkak vizita e Sekretarit James Baker me 22 qershor, 1991 në Tiranë. Sipas burimeve të sigurta në Washington në atë kohë, pas pritjes madhështore që iu bë Z. Bejker në Tiranë, me të këthyer në Washington, Sekretari Bejker kishte mbetur aq kënaqur me vizitën, sa që kishte vendosur të emëronte Bill Ryersonin (i cili gjatë asaj kohe ishte vetëm përkohësisht në Tiranë në pritje të ambasadorit të ri që duhej të ishte qenë David Swartz), si ambasador i parë. Thuhej, në atë kohë, se Sekretari Bejker i kishte dhenë kredi Z. Bill Ryerson për turmën e madhe në sheshin Skenderbeu,për të pritur kryediplomatin amerikan — i bindur se ishte ai, (Z. Ryerson) që kishte organizuar një pritje të tillë, aq madhështore, për Z. Bejker, e si i tillë meritonte të të emërohej ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Ambasadori Ryerson, ndonëse në rrethana shumë të vështira veprimtarie, në atë kohë, përball një trashëgimie komuniste që i kishte rrenjët thellë në shoqërinë dhe politikën shqiptare, në mendimin tim, ka shërbyer me dinjitet dhe përkushtim. Ambasadori Ryerson edhe sot mbetet shumë i dashur dhe mjaft i respektuar për shumicën e shqiptarëve në Shqipëri por edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, përfshir autorin e këtyre rreshtave, për të cilin ruaj vetëm kujtime të shkëlqyera.

Kështuqë, si përfundim, Z. Ryerson emërohet ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ndërsa diplomati i parë amerikan që shkeli në tokën shqiptare 52 vite pasi Enver Hoxha kishte mbyllur ambasadën amerikane në Tiranë, Z. David Swartz, emërohej nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër, ambasadori i parë amerikan në Bjellorusi, një vend i ish-Bashkimit Sovjetik që posa kishte shpallur pavarësinë nga Moska. Por punët nuk shkuan aq mirë për ambasadorin e parë amerikan në Bjellorusi. Siç thashë edhe më lartë, David Swartz ishte parimor dhe fliste troç, vinte nga një rajon i Amerikës që quhet “Heartland of America) nga zemra e Amerikës, banorët e atjeshëm njihen për sinqeritetin e tyre, ndryshe nga të tjerët që jetojnë në zonat urbane dhe industriale të Amerikës. 

Ndërkaq, në Janar të vitit 1993, në Washington fillon punën një administratë e re, administrata e Presidentit demokrat, Z. Bill Clinton.  Bjellorusia kishte shpallur

pavarësinë e saj nga Bashkimi Sovjetik, siç kishin bërë dhe shumica e republikave sovjetike.  Presidenti Aleksandër Lukashenko, si një apartaçik komunist që ishte – drejtor i një koperative bujqësore – ç’prej fillimit kishte treguar prirje për një

qeverisje shtypëse dhe i ashpër ndaj kundërshtarëve të tij politikë.  Analisti amerikan i njohur në atë kohë, Robert Novak e ka cilësuar reagimin e qeverisë së Presidentit Clinton ndaj sjelljeve të diktatorit Lukashenko si “një heshtje e turpshme”, duke cituar ish-ambasadorin David Swartz se, qeveria e atëherëshme e Lukashenkos nuk kishte ndër mend të toleronte as të akomodonte opozitën dhe si përfundim, duke shprehur mos-pajtimin e tij me politikën e qeverisë amerikane ndaj politikave shtypëse të Lukashenkos, Ambasadori David Swartz kishte vendosur të jepte dorëheqjen në protestë ndaj regjimit të Lukashenkos dhe ndaj heshtjes së administratës së Presidentit Clinton të cilën ai e përfaqësonte në Minsk. Ishte ky njç vendim i një diplomati të guximshëm amerikan  — ndërkohë që me dorëheqjen e tij, tërhoqi vëmendjen e Kongresit amerikan dhe të botës për ato që po ndodhnin në Bjellorusi nën regjimin e Lukashenkos në fillim të 1990-ave, që edhe sot pas 30-vitesh është ende në fuqi – i njëjti diktator dhe i vetmi i tillë në Evropë, siç cilësohet nga media evropiane. Sidoqoftë, qëllimi i këtyre rreshtave nuk është diktatori Lukashenko, por parimet dhe guximi personal dhe profesional i një diplomati amerikan, siç ishte David Swartz, që po të vijë puna tek mbështetja e të vërtetës – dhe kur janë në pyetje të drejtat dhe liritë e një kombi – atëherë ia vlen edhe dorëheqja — si protestë — nga një detyrë e lartë, qoftë edhe si ambasador – për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj një politike autoritare, çnjerzore, pikërisht, siç ka berë edhe një diplomat tjetër amerikan në fillim të shekullit të kaluar, duke dhenë dorëheqjen në protestë – asaj radhe për të tërhequr vëmendjen e botës ndaj gjendjes së mjerueshme të shqipatrëve, në atë kohë — Frank Shkreli: Ambasadori amerikan që ka dhënë dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë | Gazeta Telegraf – 

Sa herë në ditët e sotëme ndeshemi me fenomenin e hipokrizisë në fushën politike dhe diplomatike.  Gazetari politik amerikan Michael Gerson është shprehur se hipokrizia politike është “përdorimi i qëllimshëm i një maske për të gënjyer publikun me qëllim përfitimi politik”.  David Swartz nuk ishte diplomat hipokrit, sepse hipokrizia është për ata që tremben nga e vërteta dhe si përfundim distancohen nga e verteta.  Ai nuk kishte drojë nga e vervet.  Ai raportonte të vërtetën mbi shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut nga Lukashenko dhe regjimi i tij diktatorial.  Ai nuk e shikonte heshtjen ndaj së keqes që ishte Lukashenko, si një virtyt, as si një vlerë diplomatike ose politike. Po të merreshin në konsideratë  shqetësimet e Ambasadorit David Swartz, në atë kohë, a thua nuk do ishte Bjellorusia një vend ndryshe sot, e Lukashenko ndoshta do kishte përfunduar në koshin e plehrave të komunizmit?! Për fata të mirë  Amerika ka pasur edhe të tjerë diplomatë dhe zyrtarë të lartë të Departmentit Amerikan të Shtetit që gjatë historisë — kanë dhenë dorëheqjen nga detyra të larta, në mos-pajtim me politika specifike të qeverisë së tyre ndaj një vendi të huaj ose një çeshtjeje politike kombëtare ose ndërkombëtare.  Si shembull, kujtoj se gjatë luftërave ballkanike të shekullit të kaluar — një numër zyrtarësh të lartë, specialistë të rajonit, disa prej të cilëve i kam njohur — kanë dhenë dorëheqjen si përfundim i mos miratimit të politikës së administratës së Presidentit Clinton në Bosnje, në fillim të viteve 1990-ave.

Po mendoja se ç’do të ndodhte sot nëse një ambasador perëndimor në Tiranë, ose në cilindo vend fqinj, do të jepte dorëheqjen në protestë ndaj ndonjë politike — për të shpëtuar Shqipërinë dhe shqiptarët — kësaj radhe nga vetvetja, më shumë se nga të të huajt — ashtu siç bëri në vitin 1914, George Fred Williams, ish-diplomat, ish anëtar i Kongresit dhe ish ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi dhe në Mal të Zi, i emëruar nga Presidenti Woodrow Wilson. Frank Shkreli: Ambasadori amerikan që ka dhënë dorëheqjen për të shpëtuar Shqipërinë | Gazeta Telegraf – A po siç bëri, pothuaj një shekull më vonë, kur David Swartz, ish-Kryetari i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri, në mars/prill, 1991, u dorëhoq nga detyra e ambasadorit të SHBA-ve në Bjellorusi, në përpjekje për të shpëtuar një popull nga një diktator duke protestuar politikën e administratës së Presidentit Clinton ndaj regjimit të Lukashenkos, i cili edhe sot e kësaj dite mbetet i gjithë-pushtetshëm në vendin e tij, si diktatori i fundit në Evropë.  Nëse do të ishte dëgjuar zëri protestues i ambasadorit Swartz në lidhje me situatën e atëherëshme në Bjellorusi, ndoshta Evropa nuk do të përballej sot me “problemin” Lukashenko.  Një mësim për të gjithë diplomatët kudo qofshin: mos heshtni kur duhet të flisni! Hapni sytë të shikoni, e veshët të dëgjoni dhe hapni gojën e flisni të vërtetën, publikisht, për ato që po ndodhin rreth e përqark jush. Mos heshtni kur duhet të flisni, se duke folur mund të kurseni një popull nga ndonjë fat i keq e ndoshta duke mbrojtur të vërtetën, mund të shpëtoni sado pak demokracinë e brishtë në ato anë. 

A person wearing glasses and a suit

Description automatically generated with medium confidence

Ish-Ambasadori David Swartz, Kryetari i Delegacionit të Departmentit të Shtetit që për herë të parë (ç’prej vitit 1946) shkeli në tokën shqiptare, Mars/Prill, 1991, menjëherë pas nënshkrimit në Washington të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri dhe ish-Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Bjellorusi (Shtator 9, 1991-Janar 21, 1994) i cili ka dhënë dorëheqjen nga ai post për të protestuar politikën e qeverisë së administratës Clinton ndaj diktatorit Lukashenko – i cili për 30-vjet tani, “fiton” zgjedhje pas zgjedhjesh dhe ashtu si 30 vjetë më parë vazhdon të shtyp opozitën, liritë bazë dhe të drejtat e njeriut të popullit bjellorus. 

Frank Shkreli 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT