• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT GJERGJ FISHTA PËR DEDË GJON LULIN

April 6, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Sivjet, 6 prilli shënoi 110-vjetorin (6 Prill,1911) e ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Heroi i kombit, Dedë Gjo’Luli — për herë të parë në pothuaj 500-vjet të pushtimit turko-osman në trojet shqiptare. Ngritjes së Flamurit Kombëtar të Shqiptarëve i pati paraprirë Kryengritja e Malësisë së Madhe, një kryengritje kjo që zgjato nga marsi deri në gusht të vitit 1911 dhe që mund të thuhet se një kryengritje e tillë nuk kishte ndodhur më parë në trojet shqiptare, qysh prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skënderbe. Në këngën e 28-të të “Lahutës së Malësisë”, epopesë tonë kombëtare, i madhi i letrave shqipe, At Gjergj Fishta i këndon trimërisë së Dedë Gjo Lulit dhe malësorëve të tij:  Deda niset me një grusht malësorë për në Rapshë të Hotit, për t’u takuar me plakun Marash Ucin, të cilin e njofton, por të merrte edhe pëlqimin e tij për kryengritjen – sepse me djemtë që kishte me vete, kishte vendosur t’i binte Turkut para afatit të caktuar nga paria e maleve. Dedë Gjon Luli ngarkon Marash Ucin me detyrën që të lajmërojë për këtë nismë kombëtare, fiset Shkrel e Kastrat, pasi ushtarët e tij ishin vetëm 20 — “me shtatë pushkë e një allti”.  Kryengritësit malësorë marrin nën kontroll postet e mbretit dhe zënë robër 60 ushtarë anadollakë të cilëve kryengritsit u marrin armët dhe i nisin për Shkodër. Luftimet pëlcasin aty këtu, ndërsa Fishta përshkruan me zotësinë e tij prej poeti, se si rojet turke bien e dorëzohen anë e mbanë Malësisë. Me të marrë vesh për luftën e malësorëve, Sulltani dërgon në Shkodër 70 taborë nën komandën e Turgut Pashës kundër malësorëve por malësorët nuk dorëzohen. Paria e maleve mblidhet me Luigj Gurakuqin në krye dhe vendosin t’i përgjigjen Pashës me barut, sipas Gjergj Fishtës: “Mësyn Turku me furi, e pret Malësia me trimëri”, këndon At Gjergj Fishta në vjershën 28-të të “Lahutës së Malësisë”. Vendi kallet flakë: gjëmojnë male e kodra, ushtojnë gryka e humnera, fishkëllejnë plumba e gjyle topash. Ethem Pasha mësyn Kelmendin nga ana e Gucisë dhe malësorët tashti gjenden mes dy zjarreve, por nuk ligështohen. Forcat dërmuese anadollake fitojnë, por toka lahet në gjak dhe shtrohet pëllëmbë për pëllëmbë me ushtarë të vdekur anadollakë. Evropa habitet nga trimëria e malësorëve dhe më në fund kontinenti i vjetër e sheh vendosmërinë e shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta, pas pushtimit osman prej 500-vjetësh, interpreton Fishta: 

Në këtë 6 prill kujtojmë pra me fjalët e Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishtës, kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjon Lulin, i cili me aktin e ngritjes së Flamurit Kombëtar për herë të parë në 500-vjet të pushtimit osman, tregoi guximin  dhe trimërinë e tij dhe të bashkluftëtarëve të tij malësorë, të sfidonte perandorinë osmane — më të madhja e asaj kohe dhe kolonializmin e institucioneve të saj në trojet shqiptare — duke ndryshuar përgjithmonë historinë e Kombit shqiptar dhe duke i çuar shqiptarët drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe pavarësisë politike. 

Megjithëse ngritja e Flamurit Kombëtar nga Dedë Gjo’ Luli dhe malësorët ishte hedhur në harresë nga regjimi komunist për arsyet e tija ideologjike, gjë që nuk ka ndryshuar shumë as këto 30 vjet post-komunizëm – ngritja e Flamurit në Deçiq të Malësisë së Madhe, sot e kësaj dite, mbetet një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të Kombit shqiptar, në përgjithësi, kundër pushtuesve të huaj dhe armiqëve shekullorë të kombit, atëherë dhe sot. 

Megjithkëtë, rëndësia e rolit historik të Dedë Gjon Lulit, e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit kombëtar në Deçiq me 6 prill, 1911 nga Dedë Gjo’ Luli me malësorë, është se ajo ka meritën se konsolidoi edhe hovin që kryengritja i dha idesë së Lidhjes së Prizrenit për një Shqipëri të lirë e të pavarur, për një Shqipëri që brenda kufijve të saj do të përfshinte të gjithë ata që e konsiderojnë veten bijë e bija, nipa, stërnipa e mbesa të Gjergj Kastriotit — Skënderbeu. Një meritë tjetër e këtyre burrave, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku e kishte vendin dhe që, fatkeqsisht, sot e asaj dite mbetet ende një ëndërr e pa realizueshme për shqiptarët. Dedë Gjon Luli me malësorët e tij i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjët, lakmues të tokave shqiptare — nëpër kancelaritë e Evropës — bërtisnin duke thënë se nuk kishte komb shqiptar.

Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet që paralajmëruan pavarësinë kombëtare të shqiptarëve, e cila u shpall një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e kombit që njoftuan Evropën dhe botën se toka e Gjergj Kastriotit, më fund, kishte zot. 

Në përpjekjet e tyre për liri e pavarësi, Fed Gkon Luli due malësorët e tij gjetën mbështetjen e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët të inkurajuar nga lufta e malësorëve kundër armikut janë takuar me Dedë Gjonin për të përpiluar Memorandumin historik që, ndër të tjera, përmbante kërkesat e Malësorëve dhe të gjithë Shqiptarëve, për një Shqipëri me administratë në gjuhën shqipe dhe për buxhet të vetin. Mund të ishte ky fillimi i një përpjekjeje, që sot do ta quanim “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare”, duke pasqyruar dëshirën e të gjithë shqiptarëve për liri e pavarësi.  Ishte pra një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe për sot se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet – pa ndërhyrje due influenca nga jashtë — në paqe e siguri me fqinjët, si pjesë e familjes së madhe evropiane.  

Në botën aktuale shqiptare të koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të shumëllojshme personale e partiake, përfshirë interesat dhe influencat e huaja që nuk prajnë kurrë duke vepruar kundër interesave shqiptare — është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjesht për ideale të larta kombëtare. Ato përpjekje nuk ishin ndërmarrje për përfitime të përkohshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje — për mbijetesën dhe lirinë e kombit shqiptar – dhe si e tillë kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë kombëtar, për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave e karakteristikave që kanë dalluar gjithmonë shqiptarët nga të gjithë popujt e tjerë: nderi, besa dhe burrëria!

***

AT GJERGJ FISHTA: PËR MONUMENT TË DEDË GJO’ LULIT 

“Vllazën shqiptarë! Atje mbi karpa (shkëmbij) nji çetë Lekë fatosa të Hotit dilte trollit e shpijet vet, e mirë mbërthye në armë, thik ngjeshej  malit përpjeta, si njajo reja e murrme, kërcenuese ngjitej në rribë t’Eurit a t’Akvilonit  shungullues, para se të shkref  përmbi dhe të mjeruem thellimi.   Nji burr zeshkan, i përmbledhët e ngërthye vetllat si dy shlliga t’idhta, kur mnershëm njëna me tjetrën kukzohet, u ka pri i atill.  Fëtyra e tij, nji bri alpet   të  thepisun, syni i tij vullkan tanë zjarm e shkëndija, thue se prej si tash po shkrepë vetima e zharriste ajrit po lvite  rrufeja.  Ashtë Ded Gjo’Luli, që vu sy me vdekë, a shqiptar i lirë me mbetë, me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mdhaja –burra motit veç që i bante lokja shqiptare – bjen në e mbi “kaki” të Deçiqit, ngul Flamurin e Shqipnisë – kuq e zi; zjarm e dekë – nji be ai rreh, nji be të madhe po rreh ai në sy të qielles e të dheut, se rob shqiptari per nën thember mizore të Turkut ma kurr, jo, kurr ma do të gjimonte, e as nën thembër të atij sllavi te mnieshëm. M’atë be të shugurueshme ngeli në habi Europa; Cetina u trand e u dynd tan pezëm e mni Stambolla; edhe prej Deçiqit në Veleçik të madhnueshëm nisi me vlue e rrebtë nji luftë e përgjkashme e përnjimend titanike.  Shkumë gurgulloi gjaku nëpër dolomie estalagtita të zgavrave t’errëshme, e kah qiella u çue, po, tym e shkendi, e vigëm nanash, e vaj foshnjesh të flakrueme në zjarm, e ankime e gjamë të varruemësh, e nji zhurmë e nji krizme rrotash, e kualsh topash, e nji bubullime e menerëshme, thue po të rroposet për nën kambë rruzullimi.  Edhe malsori muejt (ia doli).  E kje m’ateherë që verigat e randa të robnisë sonë pesëqindvjetore u këputen e zojë e lirë e me vedi duel Shqipnija. – Po mos të ishte kenë që malsori jonë, Konstitucjonit të Turkisë e të ktej i’u gjet me pushkë në faqe kundra turkut, Shqipni sod nuk do kishte e na edhe sod do të gjimojshim për nën thember të ndonji tirani të ri.

 Vllazën shqiptar! na sod jemi të lirë; por martirët fatosa të lirisë tonë kombëtare kalben të harruem nën dhe, kur trupat e tyre të bam kortar prej anmikut, mos t’i ketë shpuplue e grisë mbi dhê orrlat e shkerbetë e egra.  E po a përnjimend se nipat e stërnipat tonë, mbas ndonji stinet të terrnueme (tjetër), ma ata nuk do të dijnë as emnin e atyne burrave të pavdekshëm që u fituen lirinë dhe u falën Atdheun?   Para se fli vehten të bante malsori, na Atdhe s’kem pas e rob kem kenë, e raje e skllav e kurrgja tjeter.  Jo, për Zotin! se marre e turp për ne do t’ishte e nji dam i madh për Atdhe, po u qitë në harresë emni, e gjallë në nipni tonë s’u mbajt ideali, që kreshnikët e maleve tona i shtyni, flie me bamun vedin per mizori t’anmikut. Jo, po: do të hupë Shqipnija, diten që sysh ta dar (harroi) shqiptari njatë idealin e Ded Gjo’Lulit …”.  (Antologji Shqipe, shkruar anga Fishta me 1924, botuar nga Filip Fishta, shtëpia botuese “Kristo Luarasi”, Tiranë 1935) — marrë nga një shkrim i historianit dhe autorit malësor, Ndue Bacaj, me rastin e 110-vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Deçiq.

May be an image of 1 person
See the source image

Filed Under: Politike Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, PËR DEDË GJON LULIN

Z. KRYEMINISTËR: TË GABOSH ËSHTË NJERËZORE,TË KËRKOSH NDJESË ËSHTË HYJNORE

April 5, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/Absolutisht e pabesueshme! Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama mendon gjithnjë se nuk ka asgjë të keqe nga deklarata e tij para disa muajsh nga foltorja e parlamentit shqiptar se “komunistët dhe komunizmi ishin në anën e duhur të historisë”- Kryeministri  Edi Rama deklaron: Komunistët dhe komunizmi  në anën e duhur të historisë!? | Gazeta Telegraf — as nga deklarata e kohëve të fundit e Luljeta Bozos, kandidate e parë e Partisë Socialiste në Tiranë për parliament në zgjedhjet e 25 prillit, se “komunizmi kishte më shumë të mira se të këqia”. Kjo deklaratë u pasua, para disa ditësh, nga një deklaratë e Damjan Gjiknurit, Ministër i qeverisë Rama, në mbështetje të deklaratës së Zonjës Bozo se komunizmi ka patur më shumë gjëra pozitive. Ndërsa shtatorin që kaloi, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Gramoz Ruçi, kishte deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë: “Jemi ndarë komunistë e ballistë, që në vitin 1944…” dhe se ky “Është shekulli i mendjes dhe jo i forcës, se po të ishte e tillë…”.

Deklarata dhe prirje të tilla me qëllim glorifikimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës nga protagonistët kryesorë të Partisë Socialiste janë venë re për disa vite tani, por po bëhen më të shpeshta kohët e fundit, ndërsa duken si të bashkrenduara për të siguruar në këto zgjedhje mbështetjen e gardës së vjetër enveriste për Partinë Socialiste. Ndërkaq, deklarata e fundit e Ministrit Damjan Gjiknuri në mbështetje të komunizmit, as nuk u përmend fare në median shqiptare – sikur ai t’i kishte ftuar gazetarët për një kafe. Për ta deklarata e Gjiknurit, bashkpuntorit të ngusht të Z. Rama, nuk përbente më ndonjë lajm me rëndësi për gazetarët shqiptarë që të meritonte t’i njoftohej publikut. Vertetë turp për mediat kryesore shqiptare që heshtin ndaj këtyre dukurive!

Po ka edhe më keq. Në një intervistë në programin “Kjo Javë” në ‘News24’, fund javën që kaloi, kur u pyet për deklaratën e Zonjës Bozo për meritat e komunizmit, Zoti Rama u shpreh se kandidatura e saj ka “trembur palën tjetër”, ndaj ajo edhe u “sulmua qëllimisht”, sipas tij.  Me fjalë tjera, sipas Kryeministrit shqiptar, janë të tjerët ata që kanë faj për këtë zhurmë, ndërsa mbrojti gjithnjë deklaratën e Zonjës Bozo në mbrojtje të komunizmit enverist: “Unë mendoj që ajo është thënë në një kontekst të caktuar dhe nuk kam asnjë dyshim se nuk ka qenë qëllimi, apo nuk është thënë për të relativizuar të keqen e diktaturës apo për të relativizuar vetë diktaturën”, është shprehur Z. Rama. 

Kryeministri Rama duket i irrituar të flasë për këtë çeshtje dhe ngarkon me faj “të tjerët”.  E vërteta është se reagimet më të ashpëra ndaj këtyre deklaratave pro-komuniste të kohëve të fundit nga personalitete të larta të Partisë Socialiste në Shqipëri – fatkeqsisht nuk kanë ardhur nga brenda — por kanë ardhur nga bota e diasporës shqiptare dhe nga disa instanca evropiane, përfshir ditët e fundit, edhe Platformën e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane (PEMC), një ent ky i Bashkimit Evropian (BE) që merret me edukimin e masave për krimet e regjimeve totalitare e ku bejnë pjesë 68 agjenci qeveritare dhe jo-qeveritare të vendeve anëtare dhe jo-anëtare të BE-së, përfshir Shqipërinë.

Me 31 mars, 2021, Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane, në një njoftim për median, shpreh shqetësimin e saj se Partia Socialiste e Shqipërisë nuk u distancua nga këto deklarata të Yonjës Bozo dhe disa prej personaliteteve të saja më të larta duke i cilësuar ato, si “njollosje për kujtesën e mijëra viktimave të diktaturës së Enver Hoxhës”.  Ndonëse kjo deklaratë nuk tërhoqi ndonjë vëmendje të madhe në median shqiptare, ia vlen ta sjellim të plotë për publikun reagimin e Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane ndaj deklaratës së Zonjës Bozo, pasi siç duket Platforma nuk është e informuar për deklaratat pro-komuniste, më heret, të Kryemnistrit Rama dhe të tjerëve se, “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”, dhe as për deklaratën e fundit të Ministrit Gjiknuri në mbështetje të kandidatës socialiste, Z. Bozo në zgjedhjet e 25 prillit për parliament, se “komunizmi kishte më shumë të mira se të këqia”, por reagimi i PEMC-it u drejtohet të gjithë atyre që glorifikojnë regjimet totalitare, si diçka që është e papranueshme në jetën publike dhe në kundërshtim me vlerat evropiane: 

Pragë- 31 mars- 2021 –“Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane shpreh shqetësim të thellë në lidhje me deklaratën nga kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo, në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, e cila u shpreh se komunizmi ishte një, “diktaturë kushtetuese” që “zhvilloi Shqipërinë”, dhe se diktatori komunist Enver Hoxha kishte “më shumë anë pozitive sesa negative”. Ajo që na shqetëson akoma më shumë është se Partia Socialiste nuk u distancua nga fjalët e kandidates së saj.

Shqipëria ishte një nga vendet më të prekura nga komunizmi. Një mohim i tillë historik njollos kujtesën e mijëra viktimave dhe bie ndesh me vlerat themelore demokratike si: e vërteta dhe drejtësia. Glorifikimi i çdo regjimi totalitar nuk duhet të pranohet në jetën publike. Platforma mbështet me gjithë zemër përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kërkojnë që znj. Bozo të kërkoj falje dhe të jap dorëheqjen.

Platforma mbështet me forcë qëndrimin e Parlamentit Europian, shprehur në rezolutën e 19 Shtatorit 2019 mbi rëndësinë e kujtesës europiane për të ardhmen e Europës, në të cilën parlamenti “dënon të gjitha manifestimet dhe përhapjen e ideologjive totalitare” dhe “shpreh respekt të thellë për secilën viktimë të këtyre regjimeve totalitare dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve dhe aktorëve të BE-së që të bëjnë gjithçka për të siguruar që krimet e tmerrshme totalitare kundër njerëzimit dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut të kujtohen dhe të dalin para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane.

Platform deeply concerned regarding statement of Albanian MP candidate on dictator Hoxha | Platform of European Memory and Conscience

Nëqoftse Z. Rama ka ndër mend që mandatin e tretë ta bazojë në personalitetet dhe idetë e tyre diktatoriale sllavo-aziatiko-komuniste për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot Shqipëria, atëhere vaj-medet për atë vend. Është mjaft problematik fakti që një vend anëtar i NATO-s, në parlamenet dhe në deytra të larta qeveritare, ka ende individë që kanë shërbyer në ish-regjimin komunist. Por fakti që Kryeministri i vendit dhe personalitete të larta të Partisë Socialiste në pushtet, publikisht të prononcohen për “meritat” e ish regjimit komunist, është vërtetë një barbarizëm, siç është shprehur në fejsbukun e tij, Profesor Gazmend Kapllani, Drejtori i Katedrës së parë Albanologjike në Amerikë, në Universitetin DePaul të Çikagos: “Shoqja Nexhmije vdiq heret: ndoshta do të ishte tani në krye të listës së PS-së në vend të shoqes Luljeta. Sa për të tjerat: të thuash nga pozita e dikujt që kërkon pushtet politik që regjimi enverist, nga më kriminalët dhe paranojakët e historisë së Shqipërisë dhe të botës, “ka pasur më shumë të mira se të këqija”, është barbarizëm.  Nuk është vetëm përligjje e krimit dhe dhunës, por edhe nxitje për krim dhe dhunë. Votoni kundër nekrofilëve në pushtet, votoni kundër PS-së! Që këtej e tutje është detyre morale,” ka theksuar me forcë Profesori shqiptaro-amerikan, Gazmend Kapllani.  

Që enverizmi të përdoret sot në vitin 2021 si një vegël fushate politike në një vend anëtar serioz i NATO-s është e turpshme.  Për më tepër, e di kjo klasë politike aktuale se pothuaj nuk ka familje shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkanin Perendimor që të mos jetë prekur keqas nga diktatura komuniste, qoftë ajo enveriste, qoftë ajo serbo-malazezo-jugosllave

Z. Kryeministër, për hir të viktimave të komunizmit, të gjallë e të vdekur si dhe të gjitha familjeve shqiptare kudo në botë që kanë vuajtur tmerre në regjimin totalitar komunist, anë e mbanë trojeve shqiptare – reflektoni!  Ish-i përndjekuri i regjimeve fashiste dhe komuniste, miku im i çmuar, Prof Sami Repishti do të këshillonte sot ty dhe bashkapartiakët tu që me deklaratat e juaja pro-komuniste: “Ju lutem mos lendoni plagët tona të hapuna”, SAMI REPISHTI – JU LUTEMI, MOS LËNDONI PLAGËT TONA TË HAPUNA! – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)

Z. Kryeministër, në intervistën televizive të fund javës që kaloi me gazetaren Nisida Tufa, ju u shprehët se, “Ndjesa është pjesë e pandashme e një procesi udhëheqjeje kur lidershipi ka karakter.”  Z. Kryeministër, shqiptarët pa dallim kanë nevojë për lidership me karakter, kanë nevojë për pajtim kombëtar. Si udhëheqës i qeverisë dhe i Partisë Socialiste, Shqiptarët presin ndjesë prej jush për këto deklarata fyese për shumë shqiptarë të lënduar, gjithnjë me plagë të hapura nga terrorizmi komunist.  Bejeni këtë në emër të qeverisë që ju udhëhiqni dhe si shef i Partisë Socialiste në pushtet për deklaratat e fundit nga udhëheqsit më të lartë të partisë Socialiste. 

Gabimet janë njerëzore, ndjesa është hyjnore! Demokracia është jetike! Demokracia nuk pret, Z. Kryeministër!

Frank Shkreli

Rama Bozo
See the source image

Filed Under: Opinion Tagged With: falja-hyjnore, Frank shkreli, gabimi njerzor, kryeminstri

NË KUJTIM TË 4 DËSHMORËVE TË LIRISË TË 2 PRILLIT, 1991 NË SHKODËR

April 2, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ishte 2 Prilli i vitit 1991.  Dy ditë më parë me 31 mars, ishin mbajtur zgjedhjet e para “pluraliste”, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe fillimit të “ndryshimit” të sistemit komunist pothuaj gjysëm shekullor në Shqipëri.  Megjithëse vet ato zgjedhje u mbajtën në një atmosferë pak a shumë të qetë — siç shkruante në atë kohë edhe gazeta   Nju Jork Tajms, Shqipëria — “ky vend i pa fat i Ballkanit”, dhe “vendi më i varfër i Evropës”, edhe pas këtyre zgjedhjeve, “mbetet i ndarë dhe i përçarë”. Gazeta e njohur amerikane shkruante në atë kohë se në muajt fundit rreth 80-mijë të rinjë e të reja ishin larguar nga Shqipëria dhe se “fitorja e komunistëve” në ato zgjedhje, “do të bënte që edhe më shumë të rinjë të largoheshin nga vendi”, ndërsa citonte një nga studentët e Universitetit të Tiranës, i cili nuk dëshironte të identifikohej, se “nuk ka asnjë arsye që të qendrojë më këtu”. 

Sidomos ata shqiptarë, veçanërisht rinia, që prisnin që zgjedhjet e para post-komuniste në Shqipëri të 31 marsit, 1991 do të sillnin “ndryshimin e madh”, “lirinë e demokracinë” dhe “Shqipërinë si e gjithë Evropa”, u zhgënjyen për së tepërmi. Përveç mos kënaqësisë me manipulimet e atyre zgjedhjeve që çuan në fitoren e Partisë së Punës, përfundimi i atyre zgjedhjeve shkaktoi edhe shpërthimin e revoltave në disa qytete. Reagimet më revoltuese ndaj fitores së partisë (komuniste) të Punës erdhën nga Shkodra ku për fat të keq të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, pas zgjedhjeve “pluraliste”, në qytetin verior, me 2 Prill u vranë katër dëshmorë të lirisë e demokracisë: Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.  Kjo tragjedi e 30-viteve më parë ka lenë plagë të rënda në familjet e këtyre deshmorëve, për Shkodrën dhe Shqipërinë pasi 30-vjet më vonë mbetet gjithnjë një prej ngjarjeve më makabër të historisë moderne shqiptare, e cila pret gjithnjë zbardhje dhe drejtësi, përfshir identifikimin e individëve përgjegjës për këtë krim, në radhët e enteve të drejtësisë, të policisë dhe Sigurimit të Shtetit të asaj kohe. 

Fatkeqësisht, edhe sot në 30-vjetorin e vrasjeve të këtyre deshmorëve të lirisë, ashtu siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë komuniste të vendit, nuk janë identifikuar përgjegjësit as nuk është vendosur drejtësia për këto krime shtetërore.  Nuk është zhvilluar asnjë proces i mirëfilltë drejtësie për ata që ishin, drejt për drejt, përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerëzve të pafajshëm dhe të pa armatosur, pjesëmarrës në një protestë paqësore.  Ato të shtëna kundër protestuesve paqësorë — sipas dëshmitarve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër, ndërsa jehona e këtij krimi shtetëror kumbon edhe sot dhe thërret për drejtësi, përgjegjësi dhe ndëshkim – kumbon nepër koridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë, 30-vjet vjetë pas zgjedhjeve të para “pluraliste”.

Fatkeqësisht, shënjat nuk janë shpresëdhënse për hetime rreth këtij krimi, as sot në këtë 30-vjetor të vrasjes makabre të këtyre 4 heronjve.  Sepse sipas raportit të posa botuar të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për vitin 2020, në Shqipëri, “Mosndëshkimi mbetet një problem serioz”, thuhet në atë raport: “Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme.  Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale.”  

Problemi është se kemi të bëjmë me krime shtetërore dhe jo thjeshtë me “abuzime” nga zyrtarë të lartë të asaj kohe, urdhër-dhënës për ekzekutimin e katër deshmorëve të demokracisë në Shkodër, disa prej të cilëve ende gëzojnë poste të larta në institucionet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar, “post-komunist”.

Megjithë problemet me zgjedhjet e para “pluraliste” të 31 marsit, 1991– më kujtohen shpresat e mëdha që kolegët e mi dhe unë kishim ato ditë në Tiranë — për një fillim të ri historik, për “ndryshimin e madh”, për varrosjen e diktaturës,  për një shoqëri më të drejtë, më të lirë e demokratike dhe më tolerante në Shqipërinë post-komuniste. 

Por, vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga delegacionet e tjera ndërkombëtare të pranishme në Tiranë, si një shënjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare.  Në këtë 30-vjetor, mos zbardhja dhe mos ndëshkimi i këtyre vrasjeve deri më sot, justifikon dyshimet tona sot e asaj dite – dhe në prak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, se ky krim shtetëror si due krime të tjera të komunizmit, nuk do të zbardhen, as personat përgjegjës nuk do të ndiqen ligjërisht dhe as nuk do të ndëshkohen, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha krimet e komunizmit në Shqipëri.

Por ajo që mund të bëjmë ne njerëzit e thjeshtë kudo është që të kujtojmë, të kujtojmë që të mos harrojmë dhe të kujtojmë viktimat e pafajshme duke hedhur poshtë gënjeshtrat dhe duke mbrojtur të vërtetën. Kam zgjedhur që në këtë 30-vjetor të kujtoj katër heronjtë e lirisë e të demokracisë – këto 4 yje të lirisë,

lule të demokracisë — që u vranë gjatë protestave anti-komuniste në Shkodër me 2 prill, 199, me fjalët e këngëtarit të njohur shqiptar, të ndjerit Sali Mani:   

Kengë kushtuar 4 Dëshmorëve të 2 prillit, 1991 në Shkodër

Sali Mani – Katër dëshmorët – YouTube

Kur zbardhë drita ditë për ditë

Dalim heret me vaditë

ma të bukurat lule në botë

pak me ujë e pak me lotë.

Katër yje të lirisë,

Lulet e demokracisë.

Kush i vrau dora iu thaftë

Kush i preku zemra iu çaftë.

A e dini kush i vrau, 

Dje i vrau e sot i qau.

Dritë as diell me sy mos paftë, 

Diktaturë zemra t’u çaftë.

Ndalo ti o dorë mizore

Dorë e zezë konservatore

Pesë dekada na ke vra

S’i le nanat as me kja.

Arben Broci djal ku je?

Shkodër locën gjallë e ke.

Diktaturat po varrosen,

Diktatorët po groposen.

Po qet shkumbë burokracia

Se u shpalos demokracia

Kush dha urdhër në atë shtërngatë

Me vra  njerëzit duar thatë.

Ju thaftë goja kush e dha,
fjalën vrisni kush e tha?

Ti o vrasës urdhërdhanës

Helm tu bafshin gjijtë e nanës!

Nepër popull plumba ranë,

Katër yje në gjak u lanë.

Fshehu dorën tirania,

derdhi lotë demokracia.

Po renkojnë malet me gropa,

Korbat sillen rreth e rrotull,

Në katër rrugë ka mbetë ai popull.

Diktatura na varfënoi,

E si komb na përçudnoi,

Na dhanë rrugat nepër botë.

Diktatori vrau e preu

Plot me plagë u mbush Atdheu

Ju tha zemra kësaj Shqipni,

Për liri, demokraci.

Kur zbardhë drita ditë për ditë

Dalim heret me vaditë

Ma të bukurat lule në botë

Pak me ujë e pak me lotë.


Arben Doci ku të ra gjaku

M’u  te dora e Bujar Bishanakut

Te Besniku te Nazmia,

Gjaku i juaj Demokracia.

Hej, Arben Broci djal ku je,

Shkodër locën gjallë e ke.

Diktaturat po varrosen,

Diktatorët po groposen.

                                    

Filed Under: Politike Tagged With: Deshmoret e 2 Prillit, Frank shkreli

NDËRKOHË QË NË SHBA KUJTOHEN VIKTIMAT E KOMUNIZMIT-NË SHQIPËRI GLORIFIKOHET REGJIMI I ENVER HOXHËS

March 28, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Madje edhe gjatë një fushate elektorale për Kuvendin e ri të Republikës së Shqipërisë – një vendi anëtar të NATO-s, një aleancë ushtarake kjo më e fuqishmja që ka njohur ndonjëherë bota dhe e cila 70-vjet më parë u themelua pikërisht me qëllimin për të luftuar diktaturat e regjimeve komuniste të lindjes, si ai i Shqipërisë enveriste. 

Duhet të flasim me emëra.  Këtë fushatë, të ditëve të fundit, për glorifikimin e komunizmit e hapi Kryeministri aktual, Edi Rama në Parlamentin Shqiptar para disa javësh, me deklaratën e tij famëkeqe dhe të turpshme se, “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”.  Pasuar nga të tjerë, përfshir kohët e fundit, veteranën e kësaj partie Luljeta Bozo — të parën e listës socialiste në Tiranë dhe Ministrin socialist, Damian Gjiknurin në Vlorë, i cili ditët e fundit, po ashtu si Bozo deklaroi se “komunizmi kishte bërë më shumë të mira sesa të këqia”.  Nuk më çudit aspak fakti se brenda Partisë Socialiste nuk ka më njerëz që tu thonë këtyre nostalgjikëve të komunizmit, “ore mjaft me deklarata të tilla të pa përgjegjëshme se jemi anëtar të NATO-s dhe kemi pretendime t’i bashkohemi Bashkimit Evropian…”.   

Është e qartë tani pas 30-vjet post-komunizëm se Shqipëria nuk e ka ndër mend të distancohet nga e kaluara e saj komuniste dhe as nga krimet e atij regjimi – më famëkeqit në Evropë dhe në botë.  Deklaratat e fundit të nostalgjikëve kokëfortë të komunizmit shqiptar dhe të përfaqësuesve të regjimit aktualë të Shqipërisë e bejnë mjaft të qartë se partia në fuqi, shpresat e fitores i ka tek promovimi i vlerave enveriste.  Me këto deklarata, filluan të na mësohen edhe veshët tashti, ç’pret më prej tyre.  Por megjithë pretendimet e tyre se ata ndajnë vlerat amerikano-perëndimore, hipokrizi më të madhe nuk ka, sepse e vërteta është se vlerat e Amerikës nuk janë ato të komunizmit ndërkombëtar dhe të komunizmit stalinist enverist, jo se jo.  Nëqoftse votuesit shqiptarë dëshirojnë një frymë të vazhdueshme enveriste në shoqëri dhe në qeverisjen e tyre – ta gëzojnë – pasi këtë të drejtë ua jep demokracia – ama vetëm nëqoftse fitojnë me vota të lira e të ndershme, sipas standardeve ndërkombëtare.

Por ajo që vërtetë më çudit pa masë është heshtja e përfaqësive diplomatike perëndimore në Tiranë ndaj shprehjeve të tilla pro-komuniste nga udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë, me të cilët diplomatët komunikojnë pothuaj çdo ditë.  Me të drejtë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po përpiqen të luftojnë korrupsionin ekonomik dhe të ndërtojnë diçka që deri diku i përngjet një shteti ligjor në Shqipëri. Por megjithë respektin që kam për punën e tyre nuk besoj se do të dalin me sukses në reformën e drejtësisë dhe as në luftën kundër korrupsionit nëqoftse, të pakën, nuk deklaroheni publikisht edhe kundër krimeve të një ish-regjimi kriminal, pasojat e të cilit vazhdojnë të ndjehen edhe sot — jo vetëm në politikë dhe në ekonomi — por në çdo fushë të veprimtarisë së vendit.  Është pikërisht trashëgimia e komunizmit dhe njerëzit që i kanë shërbyer atij sistemi – ish-zyrtarë me disa prej të cilëve kini në mend të reformoni sistemin e sotëm të drejtësisë.   Heshtja e diplomatëve perëndimorë ndaj deklaratave të tilla pro-komuniste të udhëheqsve më të lartë të qeverisë shqiptare dhe të kandidatëve për në parlamentin e ri të Shqipërisë – “flet vëllime të tëra” — 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit.  Vrasja, burgimi, internimi, dënimi — gjyq e pa gjyq — puna e detyruar e njerëzve të pafajshëm në komunizëm besoj se duhej të ishte aq e dënueshme, të pakën të kritkohej, sa edhe vjedhjet e një hajduti sot.

Të nderuar përfaqësues diplomatikë perëndimorë në Tiranë, HESHTJA ndaj këtyre dukurive, në një vend si Shqipëria, nuk u bën nder ju si individë dhe as vlerave të shteteve demokratike perëndimore që ju përfaqësoni në atë vend.  Sa i përket të kaluarës komuniste në Shqipëri, megjithëse vonë, ka ardhur koha t’i thoni të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë, ashtu siç kanë bërë ish-vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore.  Shqipëria ka nevojë për ndihmën tuaj që të distancohet seriozisht nga e kaluara komuniste ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që pretendon t’i bashkohet vlerave të botës perëndimore.

Një prej këtyre vlerave është pikërisht kujtesa kushtuar viktimave të komunizmit botëror, përfshir kujtesën e viktimave të komunizimit në Shqipëri.  Në një njoftim për median, Fondacioni i Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington, përshëndet hapat që mori ditët e fundit Dhoma e Përfaqsuesve e shtetit Teksas në Shtetet e Bashkuara, duke organizuar një sesion dëgjimor me qëllim të miratimit të një ligji për të përcaktuar “7 Nentorin si Ditën e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit” në atë shtet.  Megjithëse amerikanët, fatbardhësisht, nuk i kanë përjetuar kurrë “gjërat e shumta pozitive të komunizmit”, siç pretendojnë nostlagjikët komunistë në Shqipëri, Teksasi po i bashkohet 12 shteteve të tjera amerikane që kanë vendsur me ligj tanimë përkujtimin e kësaj date për nder dhe respekt ndaj viktimave të regjimeve të komunizmit  në botë, të gjallë e të vdekur.

          Përfaqësuesi i shtetit Teksas, Tom Oliverson (djathas) me dëshmitaren e Fondacionit të Viktimave të Komunizmit, shqiptaro-amerikanën, Dr. Elida Dakolin (majtas)

Sponsorizuesi i këtij projektligji, Z. Oliverson u shpreh me këtë rast se, “Lartë nga 100-milion njerëz të pafajshëm janë vrarë nga regjimet komuniste ç’prej themelimit të regjimit të parë komunist më 7 nentor, 1917, në Rusi. Kjo është humbja më e madhe në njerëz në krahasim me çdo ngjarje tjetër në historinë e njerëzimit dhe si rrjedhim ne nuk guxojmë ti harrojmë tmerret e komunizmit.  Ashtu siç na kujtojnë edhe memorialet në kujtim të holokaustit që brutaliteti nazi-fashist të mos përsëritet kurrë më, gjithashtu ky memorial shërben si një kujtesë e qartë e premtimeve boshe të komunistëve kudo si dhe e trashëgimisë brutale të vuajtjeve njerëzore, që kanë lënë pas komunistët”, ka thenë ligjvensi i shtetit Teksas, Tom Oliverson.

Në njoftimin për median, Fondacioni i Kujtimit të Viktimave të Komunizmit në Washington, thuhet se ishte një nder për këtë organizatë që të përfaqësohej në sesjonin dëgjimor të Dhomës së Përfaqsuesve të shtetit Teksas, nga Këshilltarja e këtij Fondacioni, shqiptaro-amerikanja, Dr. Elida Dakoli, e cila dëshmoi disa ditë të shkuara para ligjëvensve të Teksasit përvojën e familjes së saj nën regjimin komunist të Shqipërisë.

“Kurë gjyshi im kishte refuzuar t’i dorëzonte partisë komuniste shqiptare pasurinë dhe mallin, ai u burgos, shtëpia e tij u shkatërrua dhe gjyshja ime dhe katër fëmijt e saj të vegjël të moshës 2-12 vjeç – përfshir babain tim – u hodhën në rrugë pa asgjë të tyren. Vëllai i saj tregoi guxim për atë kohë duke strehuar gjyshen time dhe fëmijtë e saj, por gjyshin tim e kishin vrarë në burg. Sot e kësaj dite ende nuk dimë se ku e ka varrin.  Persekutimi i familjes time nga komunizmi vazhdoi, pa ndërprerje, për katër breza”, u tha shqiptaro-amerikanja Dr. Elida Dakoli ligjëvensve të shtetit Teksas të Shteteve të Bashkuara.

Fondacioni amerikan i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit përshëndeti nismën e shtetit Teksas për të njohur, “7 Nëntorin si Ditën e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit”, ashtuqë krimet e kësaj ideologjie imorale komuniste të mos harrohen kurrrë, përfundon njoftimin për media, Fondacioni për Kujtimin e Viktimave të Komunizmit, me qëndër në Washington. 

 Duan a s’duan nostalgjikët e sotëm dhe mbështetsit e djeshëm të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, e vërteta e krimeve të atij regjimi immoral, po del në dritë dal ngadalë për ta parë e gjithë bota. Askush nuk i beson më pretendimet e disa nostalgjikëve të përmendur më lartë se ai regjim kishte më shumë gjëra pozitive se sa negative”, e më së paku ta besojnë vet shqiptarët. Një pretendim i tillë është aq i pa përgjegjëshëm dhe i pa moralshëm, qoftë edhe në zhvillimin e një fushate elektorale, nga udhëheqsit më të lartë të vendit.  Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë se kaq nga udhëheqsit e tyre por edhe nga ndërkombëtarët të cilët heshtin përball dukurive dhe prirjeve të tilla arrogante  që sprovojnë keq durimin e një populli tepër të vuajtur, atëherë dhe sot.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, ShBA nderon viktimat e Komunizmit, Shqiperia glorifikon Enver Hoxhen

SHOTE GALICAT E KOSOVËS DHE NOSTALGJIKËT ENVERISTË

March 22, 2021 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI- Ditën e henë me 22 mars, në Prishtinë pritet të mblidhet parlamenti i ri i vendit, të formohet qeveria e re e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti dhe parlamenti të votojë presidenten e të vendit, Vjosa Osmanin.  

Ajo që është venë re në zgjedhjet e fundit në Kosovë është numri i madh i femrave që janë bashkuar jetës politike si përfaqësuese në organet shtetërore dhe vendore të Kosovës, një fakt ky që sipas gazetës amerikane, Nju Jork Tajms, “shton shpresat për një barazi më të madhe në një vend që ende jeton pasojat e luftës kundër Serbisë.”   

Kur u njoftuan rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Prishtinë ato treguan se gratë kishin fituar më shumë vende në parlamentin e Kosovës se kurdoherë më parë – pothuaj 40% e votave të përgjithëshme. Njëra prej këtyre grave, shkruan gazeta Nju Jork Tajms e datës 6 mars, 2021, është 35-vjeçarja Saranda Bogujevci, e cila gjatë luftës ishte lenë për e vdekur në oborrin e një kojshije, në një grumbull trupash të vdekur, pas një masakre të forcave terroriste serbe që zhduku pothuaj gjithë fmiljen e Sarandës dhe e cila vet mori plagë në trupin e saj të vogël.  Gazeta amerikane e cilëson Saranda Bogujevcin si simbol të një qendrese të jashtzakonshme dhe pjesë të kësaj vale grashë të zgjedhura në parlamentin e ri të Republikës së Kosovës. 

Këto gra të zgjedhura në Kuvendin e ri të Republikës së Kosovës, shkruan gazeta e Nju Jorkut, i “kanë bindur votuesit se ato mund të përballen me Serbinë e cila refuzon gjithnjë të njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe të përballen, njëkohësisht, me korrupsionin, kriminalitetin dhe me keq-qeverisjen, gjë që venitën shpresat e mëdha për një jetë më të mirë (që populli i Kosovës) kishte në fund të regjimit serb”.  

Nju Jork Tajms citon aktivistën e të drejtave të grave Nazlie Bala e cila shprehet se forca, guximi dhe vendosmëria e Saranda Bogujevcit e kanë bërë atë simbol të vuajtjeve dhe të shpresave të Kosovës: Ajo është një mbijetuese. Ajo është e fortë si guri. Ajo është e vërteta jonë.”

Pritet që në mbledhjen e parë të parlamentit të ri të Kosovës të zgjidhet Presidenti/ja i/e Kosovës.  Gazeta amerikan shkruan se Saranda Bogujevci do që në këtë detyrë — që është detyra më e lartë në vend — të zgjidhet një grua tjetër dhe një mbijetuese e luftës, 38-vjeçarja, Vjosa Osmani.  Siç dihet, në zgjedhjet e fundit në Kosovë, Vjosa Osmani ka sigurar numrin më të madh të votave në dy dekadat e fundit, në Kosovë.  Në intervistën me Nju Jork Tajms, Vjosa Osmani u shpreh se kjo tregon se “Kosova jo vetëm është gati për një grua presidente, por edhe votoi për një”, megjith paragjykimet kundër grave dhe mentalitetit patriarkal shumë shekullor.  “Kjo më bëri të realizoj se kemi mundësi dhe se ajo (Vjosa Osmani) nuk po përpiqet për të siguruar vetëm pushtetin, por që ajo do të mbaj një qëndrim të fortë në mbrojtje të vet dhe të gjithë neve”, i tha gazetës amerikane Elife Krasniqi, antropologe dhe shkencëtare në Universitetin Graz të Vjenës.

Dihet se Kosova përballet me probleme të mëdha ekonomike, politike, me korrupsion, emigrim dhe shantazhe të vazhdueshme nga Serbia, kështuqë gratë ligjëvense që së shpejti do të fillojnë lunën në parlamentin e ri të Kosovës dhe në detyra të larta shtetërore dhe qeverisëse nuk do t’a kenë të lehtë.  Por kjo situatë është shpresëdhënse, ky brez i ri është premtues me fjalë dhe vepra. 

Në këtë ndërkohë edhe në Shqipëri po zhvillohet fushata për zgjedhjet parlamentare të muajit që vjen.  Shikoni ndryshimet katastrofale në dy fushatat e dy shteteve, por të një populli.  Në Republikën e Kosovës u bë një fushatë dhe u zhvilluan zgjedhje mjaft dinjitoze për problemet me rëndësi me të cilat përballet Kosova dhe për zgjidhjen e mundshme dhe më të mirë të tyre.  Ndërsa në Shqipëri — në mungesë të politikanëve të rinjë dhe sidomos në mungesë të ideve të reja për zgjidhjen e problemeve të mëdha me të cilat përballet Shqipëria dhe Kombi shqiptar – forcat e errëta të kësaj fushate kanë vendosur që të mënjanojnë debatin mbi problemet e përditshëme të shqiptarëve duke hedhur në skenën politike individë nostalgjikë të një epoke edhe më të errët kombëtare për kohën e Enverit – si kandidatë për në parlamentin e ri shqiptar.  Nëqoftse këta individë dhe të tjerë si këta që shumë prej sish janë edhe sot në pushtet — pjellë e regjimit enverist ose në minimum nostalgjikë të atij sistemi me ide se, Enveri “kishte më shumë gjëra pozitive se sa negative”, ose të cilët arsyetojnë  sepse ashtu e thonte kushtetuta e diktaturës, ose që deklarohen se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë” – fitojnë shumicën në parlamentin e ardhëshëm shqiptar, — atëherë vaj medet për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kombit. Ka njerëz që thonë se edhe nazi-fashizmi kishte anën e vet mirë, por në vendet e origjinës së tyre (Gjermani e Itali) kjo ideologji luftohet edhe sot me ligje. Për nga kriminaliteti nuk kishte shumë ndryshime nazi-fashizmi nga komunizmi. Sidomos shqiptarët e kanë pësuar keq nga komunizmi, të gjithë shqiuptarët pa dallim, pothuja nuk ka familje shqipotare anëe ,mbanë trojeve tona që nuk është prekur , nga komunizmi në një më nyzrë ose një tjetër, sit ha anë parlamentin shqiptar edhe Presiudentja e ardhëshme e FRepublikës së Kosovës, Vjosa Osmani. “Përgjatë historisë sonë, shumë familje janë ndarë mes Kosovës e Shqipërisë, dhe të tillë e kishte fatin edhe familja ime. Përderisa gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb, e në fund edhe kishte vdekur nga ato tortura, në anën tjetër xhaxhai i nënës, Sylejman Vucitërna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjeve, por e vuajtjeve në të dyja anët e kufirit, është histori e qindra mijëra familjeve shqiptare. Por, le të jetë guximi i tyre e i secilit shqiptar për t’u thënë jo regjimeve të dhunshme udhërrëfyes për secilin prej nesh në rrugën tonë drejt demokracisë së konsoliduar e drejt një Kosove e një Shqipërie ku rinia jonë krenohet me vendimet që marrim ne, përfaqësuesit e saj të zgjedhur”. 

Duhet shikuar përpara dhe jo mbrapa për të ardhmen e vendit dhe të Kombit – me njerëz të ri dhe me ide të reja. Vlerësimi i regjimit komunist që nuk lejoi as fushatë as zgjedhje të lira për pothuaj një gjysësm shekulli — nga politikanë aktualë shqiptarë në pushtet ose nga disa që pretendojnë karrige për pushtet sot –nuk duhet të jetë pjesë e një fushate politike, por subjekt i historianëve të mirëfilltë dhe jo ideologjikë.  Se pse këta njerëz e ndjejnë si detyrë politike dhe morale të mbrojnë një regjim kriminal, si ai i Enver Hoxhës, është e pamundur të kuptohet sot 30 vjet pas shembjes së Murit të Berlinit. Nëqoftse një shumicë e votuesve shqiptarë mendon si këta politikanë të sotëshëm, atëherë t’i gëzoni mbetjet e komunizmit që do ju qeverisin në një të ardhme të shkurtër dhe ndoshta edhe afatgjatë.  Për mua edhe besoj për shumë shqiptarë që shpresonim për një demokraci të vërtetë në Shqipërinë tonë të dashur, në fillim-çerekun e parë të shekullit 21, kjo situatë aktuale politike në Shqipëri na ka hedhur në një gjendje depresioni.   

Por nga natyra jam njeri optimist dhe në fund të këtyre rreshtave po i këthehem frymës optimiste dhe shpresëdhënse të dalë nga zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe rolit të udhëheqësve të rinjë e të reja dhe ideve të tyre për Kosovën dhe për mbarim Kombin.

Unë besoj se ka mundësi që zgjedhjet e fundit në Kosovë, të sinjalizojnë fillimin e një ndryshimi madhor të proceseve politike ndër shqiptarët. Kjo është shpresa ime, i bindur se në shpirtin e shqiptarit ekziston gjithnjë ajo cilësia që e ka karakterizuar gjithmonë popullin shqiptar: Heroizmi përballë fateve të zeza, të shkaktuara nga të huajt e nganjëherë edhe nga të vetët, siç ishte përvoja e shekullit të kaluar. Jam i vetëdijshëm se Vjosa Osmani dhe Albin Kurti nuk do ta kenë të lehtë detyrën e tyre, por udhëheqësve të rinj politikë – të këtij brezi të ri politikanësh/politikanesh shqiptarë të Kosovës – iu urojmë sukses, në javët, muajt dhe vitet e ardhshme – ashtu që fitorja e tyre politike sot, të shënojë gjithashtu edhe fillimin e një fitoreje të madhe për të ardhmen e mbarë Kombit shqiptar dhe njëkohësisht edhe fillimin e një ndryshimi të madh ndër shqiptarët, të cilin e presim për më shumë se një shekull.  Jam i bindur gjithashtu se “teutat”, Vjosat, Sarandat, Vlorat, Donikat dhe shumë të tjera –janë “shotat” e sotëme që do bëjnë ndryshimin!

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Shote Galica-Vjosa Osmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT