• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BALLKAN HESAPI-SENATI AMERIKAN KRITIKON ASHPËR BULLGARINË…

March 19, 2021 by dgreca

…PËR KORRUPSION NË PRAG TË ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE/

Nga Frank Shkreli/ Në fillim të këtij muaji, Kryetari demokrat i Komisionit të Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, Senatori Bob Menendez nga shteti Nju Xhersi dhe zevëndës kryetari republikan, Senatori Xhim Risch nga shteti Idaho lëshuan një deklaratë për median mbi marrëdhëniet SHBA-Bullgari, ndërsa Bullgaria ka filluar tanimë fushatën zyrtare për zgjedhjet parlamentare me 4 prill, 2021.   “Shtetet e Bashkuara dhe Bullgaria kanë marrëdhënie të forta dhe në rritje e sipër — që ashtu si edhe aleanca e NATO-s në terësi – ato behën edhe më të forta kur këto marrëdhënie mbështeten në vlerat e përbashkëta demokratike”, thonë ushëheqsit e Komisionit të fuqishëm dhe me influencë të Senatit amerikan, për marrëdhëniet me jashtë.  Duke shprehur shqetësimin e tyre të thellë për gjëndjen politike ë Bullgari, senatorët u shprehën se “Ne do të dëshironim që këto marrëdhënie të vazhdojnë të zhvillohen, veçanërisht, në mbështetje të objektivave të përbashkëta të sigurisë dhe energjisë, por korrupsioni i vazhdueshëm, rënia e lirisë së medias, politizimi i gjyqësorit dhe kërcënime të tjera ndaj shtetit të së drejtës, përbëjnë sfida serioze për marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Bullgari”, thekësojnë senatorët amerikanë në deklaratën e tyre mjaft të ashpër, kur të konsiderohet se i drejtohen një vendi anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. 

See the source image
See the source image

                   Senatori Bob Menendez                             Senatori Jim Risch

Senatorët amerikanë, demokrati Bob Menendez dhe republikani Xhim Risch thonë, në deklaratën e tyre, se Bullgaria renditet e fundit — nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian — në Indeksin e Perceptimit të Korrrupisonit për vitin 2019 të organizatës Transparency International si dhe në Indeksin Botëror për Lirinë e Shtypit të organizatës, Reporterët pa Kufi.  Këto renditje, më të ulëtat në Bashkimin Evropian”, shtojnë senatorët, “nënvijojnë rëndësinë e sfidave me të cilat përballet sot Bullgaria.”  Prandaj, sipas ligjëvenësve amerikanë, i takon qeverisë dhe gjyqësorti bullgar që të punojnë për ruajtjen e rendit dhe për zbatimin e ligjit, për të gjithë qytetarët dhe pa dallim e jo vetëm për disa dhe i bëhet thirrje Sofias zyrtare që të sigurohet edhe liria e medias, ashtu që gazetarët të kenë lirinë dhe mundësinë për të raportuar të vërtetën, pa u përballur me ngacmime, frikësime e madje edhe me dhunë e ndëshkime nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore.

Në deklaratën e tyre, Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara, demokrati Bob Menendez dhe zevendës kryetari i këtij komisioni, republikani Xhim Risch thonë se, “Ndërsa po afrohen zgjedhjet parlamentare të prillit, është e doemosdoshme që qeveria e Bullgarisë të mbrojë  vlerat demokratike” në vend, thekësuan senatorët amerikanë.  Ata venë në dukje faktin se për 8 muaj tani, qytetarët bullgarë kanë protestuar vazhdimisht duke bërë thirrje për t’i dhenë fund korrupsionit dhe për respektimin e ligjit dhe të vlerave demokratike në Bullgari. Mijëra protestues demonstruan verën që kaloi kundër korrupsionit nën qeverisjen e Kryeministrit Bojko Borisov, i cili ka udhëhequr vendin për pothuaj një dekadë tani. 

Sipas disa mediave ndërkombëtare, Presidenti i vendit, Rumen Radev i cili ka mbështetur protestat popullore kundër qeverisë së Kryeministrit Borisov ka hedhur akuza se ajo, që ai ka cilësuar,m si “mafie”, kontrollon qeverinë Borisov si dhe Prokurorinë e Përgjithëshme të vendit.

Ndërkaq, senatorët i kërkojnë gjithashtu administratës amerikane që, në frymën e marrëdhënieve amerikano-bullgare, t’i mbështesi thirrjet e protestuesve bullgarë kundër korrupsionit, kërkesat e tyre për rivendosjen e lirisë së medias dhe të promovohet, njëkohësisht, shteti i së drejtës në at vend ballkanik.  Hapat që do të marrë Bullgaria drejtë zgjidhjes së këtyre çështjeve serioze vetëm do të shërbejnë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona, janë shprehur udhëheqsit e Komisionit për Punët e Jashtëme të Senatitt amerikan, Senatorët Bob Menendez dhe Xhim Risch.

          Senatorët amerikanë i bëjnë thirrje Kryeministrit bullgar, Bojko Borisov që të respektojë vlerat demokratike, përfshir lirinë e medias dhe shtetin ligjor

Organizata për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, Reporterët pa Kufij, ka raportuar në lidhje me mungesën e lirisë së medias në Bullgari — duke thenë se një mik i ngusht i Kryeministrit Borisov i quajtur Delyan Peevski, kontrollon pothuaj 80% të medias së printuar në atë vend si dhe rrjete private televizive dhe portale të ndryshme, duke i dhënë atij një avantazh dhe influencë të madhe në shpërndarjen e informaconit, sidomos gjatë një fushate elektorale. Organizata ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, me qendër në Paris është shprehur se, “Qeveria bullgare, fatkqësisht, ka demonstruar qartë se nuk është aspak e interesuar që të përmirësojë lirinë e medias në vend dhe as të respektojë detyrimet ndërkombëtare”, për lirinë e shtypit dhe medias, në përgjithësi.  “Megjithëse liria e shtypit garantohet në kushtetutën bullgare, Bullgaria rrezikon të bëhet një vend në të cilin nuk mbetet askush që të ushtrojë lirinë e medias”, thuhet në një njoftim të organizatës, Reporterët pa Kufij. 

Kjo organizatë ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe fjalës së lirë në botë e renditë Bullgarinë – fatkeqësisht, një vend anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE) — në vendin e 111 nga 180 vendet e botës, përsa i përket lirisë së medias dhe në fund të listës së të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian por edhe të rajonit të Ballkanit në përgjithësi, vende të cilat ende nuk janë anëtare të BE-së megjithëse aspirojnë të bëhen të tilla.  

Rasti i Bullgarisë nuk është shumë shpresëdhënës për antarësim në BE të disa vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor — përfshir Shqipërinë — e të cilat përballen me të njëjtat probleme si Bullgaria, si pasojë e një qeverisjeje autoritare me të njëjtat probleme dhe shkelje të vlerave demokratike në përgjithësi, lirisë së medias dhe ushtrimit të fjalës së lirë, në veçanti – në një mospërfillje flagrante të detyrimeve marrë përsipër bazuar në marrëveshje dhe konventa ndërkombëtare.   Ballkan, hesapi!

Frank Shkreli

                                           

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Kritikon Bullgarine, Senati Amerikan

30-VJET NGA ZGJEDHJET E PARA “PLURALISTE” NË SHQIPËRI…

March 11, 2021 by dgreca

-DHE RIVENDOSJES SË MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE SHQIPTARO-AMERIKANE/

Nga Frank Shkreli/

Zgjedhjet e para “pluraliste” të 31 marsit 1991 dhe rivendosja e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara atë muaj, me syrin e një shqiptaro-amerikani pjesëmarrës në ato ngjarje – ishin historike por edhe zhgënjyese, njëkohësisht, për Shqipërinë. 

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhënjet diplomatike më 15 Mars 1991, kur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Muhamet Kapllani dhe ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Raymond Seitz nënshkruan atë ditë, 30-vjet më parë, në Departmentin e Shtetit në Washington, pas pothuaj gjysëm shekulli ndërprerjeje, “Memorandumin e Mirëkuptimit”, në prani të dhjetëra shqiptaro-amerikanëve dhe zyrtarëve të ndryshëm, nga të dy vendet.

Në vitin 1945 Shtetet e Bashkuara kishin kushtëzuar rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike me Shqipërinë — ndër të tjera kushte — me mbajtjen e zgjedhjeve të lira, duke dërguar atë vit një mision në Tiranë për të biseduar mbi këtë çështje me autoritetet shqiptare.  Por, sipas Departmentit të Shtetit, si përgjigje ndaj kësaj kërkese, qeveria komuniste e Enver Hoxhës i kërkoi misionit amerikan që të largohej nga Shqipëria.  Ashtu edhe ndodhi. Diplomatët amerikanë u dëbuan ga Shqipëria komuniste, për të mos u këthyer në Tiranë deri në mars të vitit 1991. Për Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet e lira dhe demokratike ishin aq të rëndësishme në vitin 1991, ashtu siç kishin qenë në vitin 1945 dhe ashtu siç janë edhe sot, 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit dhe komunizmit zyrtar në Shqipëri – gjithnjë bëhet thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike.  Ndryshimi është se sivjet, bëhet thirrje edhe për “lista të pastra”.

Pothuaj e njëjta procedurë si në vitin 1945 qe ndjekur nga Amerika edhe 30-vjet më parë në Mars/Prill 1991, kur menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës më 15 Mars, Departmenti Amerikan i Shtetit vendosi që të dërgonte sa më shpejtë një delegacion diplomatik në Shqipëri për hedhur hapat e para për hapjen e  ambasadës së re dhe njëkohësisht për të shërbyer si monitorues në zgjedhjet e para “pluraliste”, ndonëse delegacioni amerikan konstatoi shpejt se ato zgjedhje nuk do të ishin as të lira dhe as të ndershme — që ishin caktuar të mbaheshin në Shqipëri më 31 Mars, 1991.  Delegacioni amerikan i përbërë nga katër veta dhe i kryesuar nga ambasadori David Swartz, arrijti në Tiranë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit në Washington dhe në javë para mabjtjes së zgjedhjeve të para “pluraliste” në Shqipëri. duke u bërë kështu misioni i parë diplomatik amerikan që shkelte në tokn e Shqipërisë ç’prej vitit 1946.  Monitorimi i zgjedhjeve të para “pluraliste” ishte një prej objektivave kryesore të delegacionit amerikan gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri. 

Ndonëse në raste të mëparshme kam shkruar mbi vizitën e misionit të parë amerikan në Tiranë 30-vjet më parë si dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane që kanë vazhduar të shkojnë përpara ç’prej asaj date, kësaj rradhe — pasi jemi në prak të një raundi tjetër zgjedhjesh në Shqipëri — deshta të kujtoj atmosferën e zgjedhjeve të para “pluraliste” në atë vend, nga pikëpamja e një monitoruesi të atyre zgjedhjeve — si anëtar i delegacionit të parë amerikan në Shqipëri. Megjithëse gjendja politike kishte filluar të ndryshonte, të pakën me fjalë, në një vend si Shqipëria që ishte sunduar nga thundra e hekurt e një prej regjimeve më barbare të botës komuniste — zgjedhjet e 31 Marsit, 1991 ishin hapi i parë drejt një liberalizimi të ngadalshëm drejt hapjes së Shqipërisë ndaj botës perëndimore dhe një procesi të gjatë tranzicioni të pa fund për demokratizimin e jetës post-komuniste në vend, pas një izolimi të vet-imponuar nga ish-regjimi komunist për pothuaj 50-vjet.

Unë e kam thënë shpesh se ky tranzicion i tejzgjatur post komunist në Shqipëri i ka rrënjët gjithnjë në ato zgjedhjet e para – as të lira dhe as të drejta — si dhe në manipulimet e zgjedhjeve të mëvonshme, por edhe në mungesën e një vullneti të sinqertë të klasës politike të këtyre 30-viteve për tu përballur me të kaluarën komuniste dhe trashëgiminë e saj, përfshir mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, bazuar në standardet ndërkombëtare.  E them këtë se procesi i zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, nuk ishte as i lirë dhe as i ndërshëm. Ligjet dhe rregullat për zgjedhjet e para “pluraliste” ishin përpiluar nga partia në fuqi, dmth. Partia e Punës — dhe natyrisht ishin në favor të saj, duke u mohuar partive të tjera të posa formuara, të drejtën dhe mundësitë e barabarta për të zhvilluar një fushatë efektive.

Në zgjedhjet e para “pluraliste”, Partia e Punës gëzonte një monopol absolut mbi të gjitha aspektet e jetës politike, ushtarako-policore, ekonomike dhe shoqërore në vend, sidomos kontrollonte mjetet e komunikimit dhe median, jetike këto për zhvillimin e një fushate politike efektive. Ndërkohë që partitë e opozitës ankoheshin se nuk kishin kohë të majftueshme për tu përgatitur për zgjedhjet, pasi nuk kishin as përvojën as burimet e nevojshme për tu përballur me Partinë e Punës që i kishte rrënjët thellë në shoqërinë shqiptare.  Në të vërtëtë, nga vizitat që bënim tek zyrat e Partisë Demokratike dhe tek ajo e Partisë Republikane gjatë qëndrimit tonë atje – e që ishin dy partitë kryesore të opozitës — në Tiranë si edhe në zyrat e tyre në disa rrethe, shihej konfuzioni i tyre dhe zhgënjimi për të mos thënë se mbizotëronte një kaos i vërtetë në radhët e tyre.  Megjithë entuziazmin, kjo atmosferë pasigurie dhe ngathjeje nga ana e tyre vihej re kudo. Ishte e thekësuar mungesa e mundësisë dhe të drejtës së partive opozitare për të përdorur median publike – televizionin dhe gazetat – që kontrolloheshin fund e krye nga Partia e  Punës.  Në të vërtetë, më kujtohet se megjithë rëndësinë historike të vizitës së delegacionit amerikan dhe rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Washingtonin, arritja e delegacionit amerikan në Tiranë pothuaj u injoruar fare nga media zyrtare.  Mesa kishim mundësi të ndjeknim burimet e lajmeve në atë kohë në Tiranë, “Rilindja Demokratike”, gazeta e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e posa formuar në atë kohë, ka qenë e vetmja gazetë me rëndësi – megjithëse edhe kjo jo me aq entuziazëm — pat njoftuar arritjen dhe vizitën e përfaqsuesve të parë amerikanë në Shqipëri, në pothuaj një gjysëm shekulli. Shtypi zyrtar i regjimit komunist, me sa ishim të informuar, nuk pasqyroi madje as takimin që patëm me Xhelil Gjonin, në vazhdën e takimeve me përfaqsuesit e partive kryesore.

Listat e kandidatëve për rrethe të ndryshme të partive të opozitës, në shumë raste, nuk ishin të plota dhe në shumë zona të vendit, partitë e opozitës nuk kishin zgjedhur as kandidatë sepse koha për tu përgatitur për zgjedhjet ishte aq e shkurtër.  Në të vërtetë, Partia e Punës kishte vendosur që – për të minimizuar rolin e partive të tjera, zgjedhjet të mbaheshin në fillim të shkurtit, ashtuqë opozita të kishte edhe më pak kohë për tu përgatitur, por më në fund kishte vendosur që – si një gjest “vullneti të mirë” ndaj opozitës, zgjedhjet të shtyheshin deri me 31 Mars. Megjithkëtë, ishte një atmosferë tejet e pafavorshme për kandidatët e partive politike të posa formuara, në krahasim me ata të Partisë së Punës, e cila manipulonte burimet dhe mjetet shtetërore në favor të kandidatëve të saj dhe kishte rrenjë të thella në mbarë shoqërinë shqiptare.

Në zyrat e partive të opozitës vihej re një mungesë dëshpëruese e mjeteve bazë për funksionimin e një zyre të thjeshtë, lere më të një qendre ose të kishin një zyrë qendrore funksionale për drejtimin e zgjedhjeve kombëtare dhe për shpërndarjen e programit dhe mesazheve të opozitës elektoratit shqiptar.  Megjithëse votimet u cilësuan nga disa monitorues të huaj, sidomos europianët, në përgjithësi, si të drejta dhe të lira, delegacionet monitoruese amerikane refuzuan t’i cilësonin ato si të tilla. Një prej tyre, Instituti Kombëtar Republikan ka thënë në raportin e tij se, “fushata e zgjedhjeve në Shqipëri nuk mund të karakterizohej si e “drejtë dhe e lirë.”

Edhe Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH), nepërmjet zëdhënses Margareth Tutwiler, bëri një deklaratë me 3 Prill, 1991, duke informuar median amerikane se, “Bazuar në raportet e monitoruesve amerikanë dhe ndërkombëtarë, duket se procesi elektoral kishte mangësi serioze në disa fusha me rëndësi të standardeve të OSBE-së, për zgjedhje të drejta dhe të lira.”  Zëdhënsja e Departmentit Amerikan të Shtetit, ka thenë duke iu referuar Shqipërisë si një vend pa përvojë demokratike, se, “tani është në dorë të të gjithë elementëve të shoqërisë shqiptare për të mbështetur që sistemi i ri pluralist të funksionojë në mënyrë efektive”.  Zëdhënsja e DASH, me atë rast, kishte shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara se Washingtoni, “Do të mbështesë vendosmërisht parimet e demokracisë në Shqipëri, si edhe ata që veprojnë për të ndërtuar demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, deklaroi para 30- viteve, ish-zëdhënsja e Departmentit Amerikan të Shtetit, pas zgjedhjeve të para “pluraliste”, në Shqipëri.

Manipulimet e zgjedhjeve, që përfunduan në fitoren e Partisë së Punës, shkaktuan shpërthimin e revoltave në disa qytete, përfshirë Shkodrën ku për fat të keq të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, pas zgjedhjeve “pluraliste”, në qytetin verior, me 2 Prill u vranë Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.  Kjo tragjedi ka lenë një plagë të rëndë për familjet e tyre, për Shkodrën dhe 30-vjet më vonë mbetet një prej ngjarjeve më makabër të historisë moderne shqiptare, e cila pret gjithnjë zbardhje dhe drejtësi, përfshir identifikimin e individëve në radhët e enteve të drejtësisë, të policisë dhe Sigurimit të Shtetit të asaj kohe. 

Fatkeqësisht, edhe sot pas 30 vjetësh të këtyre vrasjeve, ashtu siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë komuniste të vendit, nuk janë identifikuar përgjegjësit as nuk është vendosur drejtësia për këto krime shtetërore.  Nuk është zhvilluar asnjë proces drejtësie për ata që ishin, drejt për drejt, përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerzve të pafajshëm dhe të pa armatosur. Thuhet se këto të shtëna kundër protestuesve paqësorë — sipas dëshmitarve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër.  Jehona e tyre kumbon edhe sot për drejtësi dhe përgjegjësi në koridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë, 30-vjet vjetë pas zgjedhjeve “pluraliste” duke pritur nga reforma e re në drejtësi për një hetim serioz për identifikimin e fajtorëve. 

Më kujtohen mirë — megjithë problemet me zgjedhjet e para “pluraliste” — shpresat e mëdha që kolegët e mi dhe unë kishim ato ditë për një fillim të ri historik, për një shoqëri më të drejtë, më të lirtë e demokratike dhe më tolerante në Shqipërinë post-komuniste.  Por vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga delegacionet e tjera ndërkombëtare në Tiranë, si një shënjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare.  Mos zbardhja e këtyre vrasjeve deri më sot justifikon dyshimet tona sot e asaj dite – madje 30 vjet më vonë – dhe në prak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021.  Shqipëria, shqiptarët dhe kombi në përgjithësi meritojnë më shumë dhe më mirë se kaq: shqiptarët duan një qeveri të përgjegjëshme dhe një parliament të denjë për shqiptarët e shumë vuajtur!

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend në Mars/Prill 1991.

Rilindja Demokratike, gazeta e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e posa formuar në atë kohë, ka qenë e vetmja gazetë me rëndësi – megjithëse edhe kjo jo me aq shumë entuziazëm – e cila pat njoftuar arritjen dhe vizitën e përfaqusesve të parë amerikanë në Shqipëri, në pothuaj një gjysëm shekulli.

  Me koleget e mia nga Departmenti i Shtetit në Tiranë, Mars/Prill, 1991 – foto botuar sot në gazetën Telegraf në Tiranë

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: 30 vjet, Frank shkreli, Zgjedhjet e para

KURRË NUK ËSHTË VONË PËR LUSTRACION!

March 8, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Fund muajin që kaloi, Prania e Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE-së) organizoi një seminar rreth proceseve të lustracionit në Shqipëri, thuhet në një njoftim në portalin e Zyrës së  kësaj organizate ndërkombëtare në Tiranë.

Sipas njoftimit, seminari online u mbajt për të diskutuar politikat dhe proceset e lustracionit në Shqipëri që nga rënia e regjimit diktatorial komunist, 30 vjet më parë. Thuhet mëtej se, veprimtaria me titullin “Lustracioni në Shqipëri: E kaluara dhe e ardhmja”, e zhvilluar si pjesë e veprimtarisë së Prezencës në fushën e drejtësisë transitore, mblodhi bashkë institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspertë dhe profesionistë, si dhe pedagogë e studentë të Universitetit të Tiranës dhe të universiteteve private të vendit.  Pjesëmarrësit diskutuan rreth gjetjeve të studimit me të njëjtin emër si më lartë, i cili u porosit nga Zyra e OSBE-së në Tiranë për të trajtuar proceset e lustracionit në Shqipëri që nga zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 deri më sot. 

Bëhet fjalë për studimin e posa botuar me titullin, “Lustracioni në Shqipëri, e shkuara dhe e ardhmja”, me autor, Z. Ilir Kalemaj, mbështetur nga Zyra e OSBE-së.   Në njoftimin e OSBE-së thuhet se ky studim i autorit Kalemaj u mbështet me qëllim për të pasuruar literaturën në fushën e drejtësisë tranzitore dhe zhvillimin e një debati shkencor në lidhje me këtë subjekt tepër të rëndësishëm. 

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, autori i këtij studimi, Z. Kalemaj tha se lustracioni në Shqipëri ka dështuar megjith përpjekjet që janë bërë në vitin 1995, 1998 dhe në vitin 2008.  Studiuesi Kalemaj u shpreh për VOA-n-shqip se gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm në Shqipëri nuk ka pasur një vullnet të sinqert politik për ta çuar deri në fund procesin e lustracionit. Studimi: “Lustracioni në Shqipëri”, nevoja urgjente për t’u ndarë nga diktatura dhe nga Sigurimi i Shtetit (zeriamerikes.com)“Këtu ka munguar vullneti politik, pra nuk ka patur asnjëherë një vullnet të mirëfilltë politik për ta kryer këtë proces nga fillimi deri në fund, as një dakordësi politike dhe as një vullnet të sinqertë. Nuk bëhet fjalë për një ligj të thjeshtë lustracioni, as për një paketë ligjore që të kryejë lustracionin, por bëhet për të patur vullnetin politik për t’u ndarë nga e kaluara, për të dënuar moralisht krimet e komunizmit dhe sistemin totalitar, dhe për të mbyllur tranzicionin në mënyrë të plotë. Mungesa e vullnetit politik është thembra e Akilit në rastin shqiptar” – është shprehur Z. Kalemaj, për Zërin e Amerikës.

Siç njoftohet, Seminari i OSBE-së u zhvillua në kuadrin e “Ditëve të Kujtesës”, një veprimtari e përvitshme kjo rreth përballjes me të kaluarën komuniste, organizuar nga Instituti Shqiptar për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer.  Duke folur në hapjen e Ditëve të Kujtesës, më 19 Shkurt 2021 në Tiranë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco ka thënë se, “E kaluara mund të kuptohet përmes një dialogu racional, të matur dhe të gjithëpranuar, përfshirë edhe përmes hulumtimeve të hollësishme rreth asaj kohe, në mënyrë që mësimet e nxjerra të integrohen në shoqërinë e tanishme, për të mos rënë në grackën e harrimit të së kaluarës”.

Unë them, shyqyr që kemi organizata ndërkombëtare, si OSBE-ja, Ambasada e Gjermanisë dhe Fondacioni Adenauer në Tiranë, që përpiqen, nepërmjet seminareve të tilla due organizimeve të tjera, të hedhin sado pak dritë mbi krimet e regjimit komunist në Shqipëri dhe me forume si ky të ndihmojnë në sensibilizimin e politikës dhe shoqërisë shqiptare mbi nevojën për t’u përballur me të kaluarën e hidhët komuniste të saj. 

Dua të jem i sinqert, se të merresh me lustracionin ose pastrimin e figurave politike dhe juridiko-gjyqësore në një shoqëri post-komuniste si ajo shqiptare nuk është lehtë, por as e pamundur nuk është siç tregon edhe përvoja e disa vendeve ish-komuniste të Evropes Lindore dhe Qendrore, përfshir rastin e Gjermanisë, që janë marrë seriozisht me këtë problem. Gjermania nuk do të ishte transformuar në shtetin e gjithfuqishëm fuqishëm që është sot, po të mos ishte përballur me të kaluarën naziste dhe komuniste dhe me përgjegjësinë individuale të njerëzve.  Nuk mund të ketë demokraci as një ekonomi të lirë, nëqoftse nuk ekziston përgjegjësia personale. Vet fakti se shumë ish-zyrtarë të regjimit komunist të Enver Hoxhës i janë shmangur përgjegjësisë për ato që kanë bërë gjatë atij regjimi, i ka bindur shumë prej tyre, se ata mund të ushtrojnë të njëjtën papërgjegjësi edhe në detyrat e larta që mbajnë në sistemin e sotëm post-komunist. 

Unë e kam thenë shpeshëherë se këta ish-zyrtarë janë një prej faktorëve kryesor për problemet me të cilat përballet shoqëria shqiptare post-komuniste, përfshir korrupsionin, krimet e ndryshme, politikën në përgjithësi dhe reformën në drejtësi, në veçanti.   Shoqëria shqiptare nuk do të bëjë kurrë përparim, në asnjë prej këtyre fushave, nëqoftse nuk vendoset se cilat ishin krimet dhe kush ishin përgjegjësit për ato krime.  Pa një lustracion të vërtetë, Shqipëria do të mbetet një shtet gjysëm i lirë, ashtu siç është cilësuar për 30-vjet postkomunizëm nga entet ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut, përfshir Departmentin Amerikan të Shtetit – larg dhe në mospërputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Unë nuk besoj në hakmarrje por e them këtë me dëshirën dhe shpresën që Shqipëria dhe shqiptarët, në përgjithësi, të përballen sinqerisht me të kaluarën komuniste, duke adaptuar një proces lustracioni në përputhje me rrethanat e Shqipërisë, me përvojat dhe standardet e përdorura në shtetet e tjera ish-komuniste. Sepse siç citohet nga VOA shqip, studimi i lartë përmendur i autorit Ilir Kalemaj, “Lustracioni në Shqipëri: E kaluara dhe e ardhmja”, botimi i të cilit është mbështetur nga OSBE-ja në Tiranë, “Pa një proces lustracioni nga postet drejtuese të shtetit shqiptar, të atyre që janë përlyer me krime gjatë diktaturës, që kanë hartuar e zbatuar platformat sekrete të Sigurimit të Shtetit, që janë marrë me hetimin e dënimin për ‘krime të opinionit e mendimeve’, dhe me dëshmi të rrema — nuk mund të flitet në Shqipëri për demokraci të vërtetë.”   E duam Shqipërinë vërtetë demokratike, sepse siç u shpreh edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Antoni Blinkey në një fjalim me tre mars në Departamentin e Shtetit, ku preku   vazhdimisht temën e demokracisë: “Demokracitë e forta janë më të qëndrueshme, më të hapura, partnerë më të mirë për ne, më të përkushtuar ndaj të drejtave të njeriut, më pak të prirur për konflikt dhe tregje më të besueshme për mallrat dhe shërbimet tona”.

Është vështirë të gjesh sot në Shqipëri ish-zyrtarë të komunizmit e që sot gëzojnë detyra të larta administrative të shtetit dhe të qeverisë — të cilit do nivel dhe cilës do fushë qofshin, përfshir drejtësinë — e që në një mënyrë ose një tjetër, të jenë distancuar gjatë këtyre 30-viteve, nga e kaluara e tyre komuniste. 

Për 50-vjet vija e partisë ishte: Partia mbi të gjitha!  Partia nuk gabon kurrë, ishin indidvidët që gabonin.  Sot na ofrohet një argument tjetër i kundërt:  na thonë se ish-komunistët si individ nuk janë përgjegjës për krimet e regjimit komunist, përgjegjës ishte sistemi.  Një shtrembërim ky i vlerave njerëzore, juridike dhe politike që, fatkeqësisht, duket se pranohet edhe nga disa përfaqësues ndërkombëtarë në Tiranë.  

Një fjalë e vjetër popullore thotë se për çdo gjë mund të vonohesh në jetë. “Me u koritë nuk është vonë kurrë”, thotë populli, “por kurrë nuk është vonë gjithashtu për të bërë gjënë e duhur”. Kurrë nuk është vonë as për lustracion!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lustracioni, nuk Eshte vone

KORPUSI I PAQËS: NJË INSTITUCION AMERIKAN

March 2, 2021 by dgreca

Me rastin e 60-vjetorit të themelimit dhe të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane/

       Nga Frank Shkreli/

60-vjetë më parë, Senatori i atëhershëm, Xhon F. Kenedi, mbajti nje fjalim historik gjatë fushatës së tij për president në Universitetin e Miçigenit, në Tetor të vitit 1960 e që një vit më vonë çoi në formimin e entit që sot njihet si Korpusi i Paqës.  Me atë rast, Xhon F. Kenedi u bëri një thirrje emocionale studentëve universitarë amerikanë që të shkonin si vullnetarë, për një vit ose dy, në vendet në zhvillim e sipër anë e mbanë botës.  

 See the source image.

Në shkallët e Universitetit Miçigen, Xhon Kenedi sfidoi studentët amerikanë që t’i shërbenin vendit të tyre në kauzën për paqë duke jetuar dhe duke punuar në vendet ne zhvillim, anë e mbane botës.  Vetem disa javë pas atij fjalimi, studentët filluan të mblidhnin firma në mbështetje të kësajë ideje dhe kështu lindi Korpusi i Paqës.  Kongresi amerikan, si rrjedhim, miratoi në vitin 1961, legjislacionin duke i dhënë Korpusit të Paqës mandatin, “për të promovuar paqën dhe miqësinë në botë”. Ishte ky një ent i ri dhe mundësi e re për vullnetarët amerikanë të profesioneve të ndryshme që t’i shërbenin vendit të tyre dhe botës.

Megjithëse kanë kaluar 60-vjetë, kjo thirrje dëgjohet edhe sot ndërsa  shume të rinj e të reja amerikane i përgjigjen gjithnjë apelit të ish- Presidentit Kenedi për të shërbyer, vullnetarisht, anë e mbanë botës, në kauzë të paqës dhe të miqësisë midis popujve.  Misioni i Korpusit Amerikan të Paqës, atëherë dhe sot, është që vullnetarët e këtij enti qeveritar amerikan të ndihmojnë vendet në zhvillim, me qellim, që ato vetë të ndërmarrin programe dhe projekte zhvillimi; që të promovojnë  mirëkuptim më të madh ndaj amerikanëve nga të huajt dhe të kontribojnë, njëkohësisht,  edhe për një mirëkuptim më të madh të popujve, anë e mbanë botës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Fillimisht, vullnetarët e parë punonin si mësues, por më vonë aktiviteti i tyre u zgjërua edhe në fushë të tjera, siç është zhvillimi ekonomik dhe programet në sektorët e mjedisit, teknologjisë, e tjera.  

Image
Image
Image
Image

Natyrisht, se para 15 Marsit të vitit 1991 — datë kjo kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria lidhën marëdhëniet diplomatike pas 45 vjetësh, nuk kishte prani të Korpusit të Paqës në Shqipëri.  Grupi i parë i vullnetarëve i perbërë prej 21 vetash, sipas Korpusit te Paqes, ka mbërrijtur në Shqipëri Qershorin e vitit 1992 dhe menjëherë filluan veprimtarinë e tyre duke dhenë mësim në anglisht në shkolla të mesme dhe universitete.  Ky grup u pasua nga 12 vullnetarë të tjerë që morën pjesë në një projekt të zhvillimit të biznisit të vogël.  Programi për Shqipërinë u zgjërua përsëri në vitin 1995 me 15 vullnetarë që u aktivizuan në një projekt bujqësor. Ç’prej arritjes së grupit të parë të pjesëtarëve të Korpusit të Paqës në Shqipëri, më shumë se 800-vullnetarë kanë shërbyer gjatë këtyre 30-viteve të normalizimit të marrëdhënieve me vendin e shqiponjave, ndërkohë që Shqipëria ishte atdheu i dytë për ta, për aq kohë sa kaluan atje.

Në vitin 1997, ishte në plan që programet e Korpusit të Paqës në Shqiperi të shtoheshin dhe të zgjëroheshin edhe më shumë, por tragjedia e vitit 1977 në Shqipëri çoi në evakuimin e të gjithë vullnetarëve të Korpusit Amerikan të Paqës, si dhe në mbylljen e misionit të tij në Shqipëri.  

Pas një mungese prej gjashtë vjetësh, vullnetarët e Korpusit te Paqës ishin ri-kethyer në Shqipëri për të filluar trajnimet për një projekt në ndihmesë të bashkive dhe për zhvillimin e projekteve për mësimin e gjuhës anglisht, si edhe për projekte të tjera të shërbimit shëndetësor e të tjera.  Sipas Korpusit të Paqës, vullnetarët e këtij enti amerikan — në Shqipëri kanë punuar dhe kanë bashkrenduar gjithë aktivitetin e tyre me organizma dhe ente të qeverisë shqiptare, si dhe me USAID në Tiranë, me organizata jo qeveritare shqiptare, si due me universitete dhe me drejtorë shkollash, anë e mbanë Shqipërisë.  Vullnetarët e Korpusit të Paqës në Shqipëri kanë marrë pjesë edhe në projekte siç janë planifikimi urban, zhvillimi ekonomik, zhvillimi turistik, planifikimi strategjik si edhe në promovimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike, ashtuqë që ata të kenë një zë vendimarrës, në komunitetet  ku jetojnë.

Veprimtaria e vullnetarëve të suksesshëm të Korpusit Amerikan të Paqës është një kontribut me vlerë për të dy palët, pasi ndihmon në njohjen dhe mirë-kuptimin e përbashket midis popujve dhe shteteve.  Le të shpresojmë që në këtë 30-vjetor të rivendosjes së marrëdhenieve midis Washingtonit dhe Tiranës, që po afrohet, vullnetarët e Korpusit të Paqës në Shqipëri, të krijojne lidhje dhe njohuri pozitive me shqiptarë e shqiptare, anë e mbanë vendit, te cilët rradhë herë kanë mundësi kontaktesh me amerikanë dhe që veprimtaria e këtyre vullnetarëve amerikanë në Shqipëri të kontribojë edhe në përforcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy popujve tanë ne 30-vjetorin e ri-vendosjes se marreëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.

Ambasadorja e Shteteve të bashkuara në Tiranë, Zonja Juri Kim në një mesazh urimi në twitter drejtuar vullnetarëve me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Korpusit të Paqës, thotë se ata përfaqësojnë gjërat më të mirat të Shteteve të Bashkuara dhe anasjelltas.  Duke i falënderuar vullnetarët e Korpusit të Paqës për shërbimin e tyre, Ambasadorja amerikane shkruan se mezi pret këthimin e tyre në Shqipëri, pas zhdukjes së Covid-19.  Ndërsa, Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Antony J. Blinken, në mesazhin e tij me rastin e 60-vjetorit të Korpusit të Paqës shprehet se, “Jam i vetdijshëm se vullnetarët e Korpusit të Paqës mezi presin të këthehen në shërbimin e tyre sa më parë që të jetë e sigurt për të bërë një gjë të tillë. Dhe kur të këthehen”, në vendet e tyre të punës, shtoi kryediplomati amerikan, “ata do të jenë ambasadorët më të mirë të vlerave Amerikane”, në botë.

Frank Shkreli

PX65-2:2 President Kennedy greets Peace Corp Volunteers

                        John F. Kennedy Presidential Library and Museum

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, KORPUSI I PAQËS

MARTIN LUTHER KING-U PËR DREJTËSINË – SIPAS FJALËVE TË TIJA

March 1, 2021 by dgreca

Me rastin e muajit kushtuar Historisë së Afrikano-Amerikanëve/

NGA Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara, muaji shkurt që sapo kaloi, çdo vit i kushtohet zyrtarisht historisë së Afrikano-Amerikanëve.  Ngjarjeve dhe personave të dalluar të kësaj race që kanë bërë këtë histori, duke i kujtuar ata dhe veprat e tyre historike – që bënë historinë e afrikano-amerikanëve, me të gjitha të mirat e të këqiat e saja – me vuajtjet dhe diskriminimet ndaj tyre, por edhe me përparimet më vonë në fushën e të drejtave civile të qytetarëve me ngjyrë dhe sukseset e tyre në fusha të ndryshme të jetës, kulturës dhe historisë amerikane.  

Historia e Afrikano-Amerikanëve konsiderohet tani si histori e pandarë e historisë së Amerikës, falë përpjekjeve të shumë prej afrikano-amerikanëve gjatë dekadave, për drejtësi, barazi raciale dhe të drejta civile. Me këtë rast po shënoj këtë muaj — kushtuar historisë së Afrikano-Amerikanëve me disa thënje për drejtësinë si domosdoshmëri për të siguruar të drejtat e barabarta për të gjithë dhe pa dallim — nga Martin Luther Kingu, ish-udhëheqësi i lëvizjes për të drejtat civile të Afrikano-Amerikanëve shekullin e kaluar, një lëvizje që më në fund çoi në ndryshime dramatike legjislative në jetën publike dhe politike për Afrikano-Amerikanët. 

Martin Luther King – nga qëndrimi i një predikuesi protestan me një vizion dashurie domosdoshmërie morale për shoqërinë amerikane — bënte thirrje për drejtësi të vërtetë për të gjitha racat pa dallim, për reforma themelore në sistemin dhe ligjet mbi drejtësinë dhe për barazi para ligjit për të gjithë, duke i bërë apel ndërgjegjes morale të shumicës së amerikanëve të racës së bardhë, për reflektim.

Martin Luther King ishte i bindur se reformat serioze në drejtësi dhe ndryshimi i ligjeve për të cilat ai bënte thirrje, nuk mund të bëheshin në një vakum moral pa u përballur shumica e bardhë me historinë e kaluar dhe me trajtimin e tmershëm që çoi në shkeljen e të drejtave bazë të Afrikano-Amerikanëve, përfshir skllavërinë – që mbetet ende një plagë e rëndë kjo, trashëgimia e të cilët ka lënë gjurmë që diktohen edhe sot në historinë moderne amerikane.  Martin Luther King ishte protagonisti kryesor i këtyre ndryshimeve të mëdha në historinë e Amerikës, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Në kujtim të muajit shkurt, dedikuar historisë Afrikano-Amerikane, ja disa citime nga Martin Luther King, një udhëheqës frymëzues ky përqafimit të vlerave morale, jo vetëm për ne këtu në Amerikë por për mbarë botën — njëri prej emërave më të njohur dhe më me influencë në komunitetin Afrikano-Amerikan dhe në mbarë historinë e Shteteve të Bashkuara:  

“Heshtja e njerëzve të mirë është më e rrezikshme se brutaliteti i njerëzve të këqij.”

“Vjen një kohë kur heshtja (ndaj të keqës) është tradhëti.”

“Të injorosh të keqen do të thotë të bëhesh bashkëpunëtor i saj.”

“Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë gjithkund.”

“Koha është kurdoherë e përshtatëshme për të bërë atë që është e drejtë.”  

“Një e drejtë e vonuar është një e drejtë e mohuar”.

“Pa drejtësi nuk mund të ketë as paqë”.

“Jeta jonë fillon të përfundojë ditën kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi.”

“Errësira nuk mund t’a zhduk errësirën. Vetëm drita mund ta bëjë këtë.  Urrejtja nuk mund t’a zhdukë urrejtjen– vetëm dashuria mund t’a bëjë këtë.”

“Askush nuk ka të drejtë të shuaj ëndërrat tua.”

“Asgjë në botë nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe budallallëku i ndërgjegjes.”

“Kam vendosur të qëndroj me dashurinë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për t’u mbajtur.”

“Pyetja më këmbëngulëse dhe më urgjente e jetës është: ‘Çfarë po bën ti për të tjerët?”

  “Paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit, paqja e vërtetë është ekzistenca dhe vendosja e drejtësisë për të gjithë njerëzit.”

 “Nuk mund të kesh asnjë ndikim mbi ata ndaj të cilëve ke urrejtje.”

“Duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër ose të zhdukemi së bashku si budallenj.”  

“Unë nuk jam i interesuar në pushtet për hir të pushtetit, por jam i interesuar për pushtet që është i moralshëm, një pushtet që është i drejtë dhe i mirë.”  

Thënje nga ish-udhëheqi i Lëvizjes për të Drejtat Civile, priftit protesan amerikan, Martin Luther King me rastin e muajit kushtuar historisë Afrikano-Amerikane

See the source image

                                                       Martin Luther King

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Martin Luther King

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT