• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROKURORI I ISH-REGJIMIT KOMUNIST DEKOROHET NGA DEPARTAMENTI AMERIKAN I SHTETIT

February 24, 2021 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/Jo, jo nuk është “fake news”, është lajm i vërtetë! Lajmi më erdhi në postën time elektronike drejtë për drejtë nga Departmaneti i Shtetit pasi jam i abonuar për të marrë rregullisht të gjitha njoftimet e këtij departamenti në lidhje me Evropën.  Lajmi u përhap edhe nga agjenci lajmesh të tjera shqiptare, përfshir edhe Zërin e Amerikës, i cili njofton se Departamenti i Shtetit nderoi të martën individë të vendeve të ndryshme për luftën kundër korrupsionit, mes së cilëve edhe gjykatësin shqiptar Ardian Dvorani.  Çmimi i ri “Kampionët Ndërkombëtarë të Anti-Korrupsionit”, siç u shpreh Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, “vlerëson individë që kanë punuar pa u lodhur, shpesh në kushte të vështira, për të mbrojtur transparencën, luftuar korrupsionin dhe për të siguruar mbajtjen e përgjegjësisë në vendet e tyre”.

Unë nuk dua as nuk dëshiroj që ti bashkohem diskutimeve në median shqiptare, këto ditë, në lidhje me marrëdhëniet e Z. Dvorani me politikanë të ndryshëm shqiptarë të këtyre 30-viteve tranzicion të pafund dhe siç duket të pa mbarim, ku kanë pasur gisht dhe vazhdojnë të ushtrojnë influence në këtë përzgjatje të pafund edhe Z. Dvorani me shokë të tij gjykatës, prokurorë e të tjerë – të cilët në vend që të dekorohen duhet të mbahen përgjegjës për gjëndjen e mjerueshme dhe të pa krahasueshme me asnjë vend ish-komunist të Evropës — në të cilin gjëndet sot sistemi i (mos)drejtësisë shqiptare.  Për këtë gjëndje të krijuar në Shqipëri duhet të jenë të turpëruar të gjithë, përfaqsues të drejtësisë dhe të politikës shqiptare, por edhe ndërkombtarët që vazhdojnë t’i mbeshtesin këta humbës dhe deshtakë për tre dekada tani.  Të kenë turp, pikëspari para shqiptarëve por edhe para botës – sepse sado që të krenoheni me punën tuaj deri tani – shqiptarët që prisnin shumë më shumë prej jush – kanë vendosur tanimë se kjo që kini krijuar nuk është Shqipëria post komuniste që ata dëshironin. 30-vjet më parë rinia shqiptare rrëxoi monumentin e diktatorit Enver Hoxha duke deklaruar se e donin Shqipërinë si e gjithë Evropa.  Të zhgënjyer nga mos-drejtësia dhe nga politika korruptive e këtyre 30-viteve, shqiptarët më në fund po votojnë me kembët e tyre duke u larguar masivisht nga trojet stërgjyshore për në vendet perëndimore pasi nuk dëshirojnë të jetojnë më në një atmosferë dhe frymë mos-drejtësie dhe politike enveriste, e ushtruar gjithnjë nga shumë përfaqsues të atij regjimi, 30-vjetë pas shembjes së monumentit të diktatorit Hoxha. 

Monumenti i Hoxhës në sheshin Skenderbej mund të jetë rrëzuar 30-vjetë më parë, por, fatkeqësisht, monumente paturpësie të asaj periudhe terroriste dhe kriminale ke sot në zyrat më të larta vendimmarrëse të politikës dhe të drejtësisë në Tiranë, si në asnjë vend tjetër ish-komunist.  Kjo është në situatë e pa-tolerueshme për një vend anëtar të NATO-s dhe duhet të ishte e pa-tolerueshme edhe për ndërkombëtarët në Tiranë.  Por, të pakën — në minimum– nuk do duhej që përfaqsuesë të politikës dhe të dretësisë ish-staliniste/enveriste të rekomandoheshin nga ndërkombëltarët për dekorata nga ente ndërkombëtare prestigjoze siç është Departamenti Amerikan të Shtetit. Para se të çoni dolli për këtë dekoratë, mendoni pak se çfarë simboli i dërgohet popullit shqiptar me një rekomandim të tillë për një ish-prokuror të ish-regjimit.  Çfarë simboli u dërgohet të përndjekurve, ish-të burgorurve të torturuarve nga komunizmi, familjeve të atyre që vdiqen nën tortura  në burgjet komuniste, varret e të cilëve as sot nuk gjënden nga familjet e tyre që të kenë mundësit që pakën të vendosin një tufë me lule tek varri të dashurve të tyre? Çfarë simboli çon ky vendim për mbrojtjen historike të të drejtave të njeriut nga ana e Shteteve të Bashkuara. “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një botë në të cilën mbrohen të drejtat e njeriut, mbështeten mbrojtësit e tyre dhe ata që kryejnë abuzime të të drejtave të njeriut mbahen përgjegjës. Promovimi i respektit për të drejtat e njeriut nuk është diçka që ne mund ta bëjmë vetëm, por është arritur më së miri duke punuar me aleatët dhe partnerët tanë në të gjithë globin. Presidenti Biden është i përkushtuar në një politikë të jashtme që bashkon vlerat tona demokratike me udhëheqjen tonë diplomatike, dhe një që ka në qendër mbrojtjen e demokracisë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, ka deklaruar dje Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken, duke thënë se të drejtat e njeriut dhe demokracia janë në qëndër të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Unë nuk e njoh dhe nuk kam asgjë kundër Z. Dvorani, president, kryeministër u bëftë! Në të vërtetë i uroj punë të mbarë, por shërbimi i tij si prokuror në Shkodër gjatë viteve të regjimit komunist 1988-1991, nuk besoj se është një punë me të cilën ai dhe shokët e tij të asaj periudhe mund të thonë se ishin krenarë.  A po jo!?  Pyesni shkodranët se çfarë ndodhte në qytetin e tyre verior gjatë asaj kohe dhe si trajtoheshin ata nga “drejtësia” e regjimit komunist të Ramiz Alisë — drejtësi që ushtrohej dhe që zbatohej nga Z. Dvorani me shokët e tij të shkolluar në frymën e drejtësisë marksiste-leniniste-staliniste.  Pyesni për krimet çnjerëzore të atij regjimi dhe për njerëzit që i zbatuan ligjet e asaj kohe – madje edhe në ditët e fundit të regjimit komunist 1990-1991 — krime për të cilat ende askush nuk ka marrë përgjegjësi as nuk i kujton askush.  “Krimi” për rrëzimin e monumentit të Stalinit e të tjera simbole komuniste në Shkodër, jo më shumë se dy muaj para pluralizmit në Shqipëri. Çdo gjë kishte marrë fund, por mbrojtësit e zellshëm të drejtësisë komuniste donin të jepnin mesazhin se jemi ende këtu.  Abuzuesit e të drejtave më themelore të njeriut në regjimin komunist, sot na qenkan mbrojtësit më të zellëshëm dhe luftëtarë të korrupsionit, meritues të dekoratave nga Departamentit Amerikan të Shtetit!!!???   Po kush do e çojë deri fund drejtësinë për ato krime të kohës së komunizmit? Kush më mirë se ata që i urdhëruan dhe zbatuan ato krime e që edhe sot ushtrojnë detyrën e gjykatësit, prokurorit, avokatit e tjera.  Për mua ka shumë rëndësi zbulimi dhe përgjegjësia për këto krime të komunizmit. Kjo duhej të ishte prioritet edhe për ndërkombëtarët nëqoftse vërtetë dëshirojnë ta shërojnë dhe ta çlirojnë atë shoqëri njëherë e mirë nga e kaluara e saj komuniste.  Para dy tre ditësh ishte 30-vjetori i rrëximit të përmendores së Enver Hoxhës, a patë ndonjë ndërkombëtarë të bënte ndonjë deklaratë me këtë rast, po entet zyrtare të Shqipërisë “demokratike”, “antikomuniste”, anëtare e NATO-s, e shënuan, zyrtarisht, këtë datë????

A po t’i harrojmë ato krime, “se ashtu ishte koha” atëherë, thonë për veten e tyre sot të gjithë ata që ishin pjesëmarrës në krimet monstruoze të kryera nga ish-regjimi ndaj të pafajshëmve shqiptarë, kundërshtarë të regjimit, të cilëve u kishte ardhur shpirti në fyt nga diktatura komuniste që mbrohej dhe mbahej në këmbë nga shumë  mbështetës të atij regjimi, shumë prej të cilëve edhe sot mbajnë pozita kyçe në qeveri dhe në drejtësi, e të cilët madje kanë siguruar edhe legjitimetin due mbështetjen e pa kursyer të ndërkombëtarëve. 

Hannah Arendt është shprehur se, “Ekziston një ndërvarësi e çuditshme midis pamendësisë dhe së keqes”.  Mua më vjen shumë keq për këtë pamendësi dhe ndërvartësi të ndërkombëtarëve me përfaqsues të keqës (the evil) e komunizmit, që fatkeqësisht, ende diktohet qartë në nivelet më të larta vendimarrëse të Shqipërisë.  “Kur e keqja lejohet të konkurrojë me të mirën, e keqja ka një tërheqje emocionale populiste që fiton nëse njerëzit e mirë nuk qëndrojnë si pararojë kundër abuzimit”, ka paralajmëruar Hannah Arendt, një prej mendimtarëve më të rëndësishëm politikë të shekullit të kaluar. 

Uroj që banaliteti i së keqës të mos arrij nivele edhe më të larta në trojet tona!

Filed Under: Politike Tagged With: dekorohet, Departamenti amerikan i shtetit, Frank shkreli, Prokurori komunist

SERBIA I KA NDEZUR MOTORAT E LOBIMIT NË WASHINGTON

February 16, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/ Ka disa vite tashti që jam përpjekur të paralajmëroj për situatën në të cilin gjëndet sot, si komuniteti shqiptaro-amerikan ashtu edhe dy shtete shqiptare, përsa i përket lobizmit në Washington, në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.  Janë dy ngjarje të kohëve të fundit që e dramatizojnë këtë situatë edhe mëtej dhe bëjnë thirrje për veprim: njëra është largimi, Janarin që kaloi nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, i njërit prej mbështetësve më të mëdhej dhe më të fundit të Kosovës, të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, ish-kongresmeni Eliot Engel, pas pothuaj tri dekadash në detyrë, duke pasur parasyshë se pothuaj asnjë nga mbështetsit e mëdhej të shqiptarëve dikurë në Kongresin amerikan, nuk janë më aty. Tjetra ka të bëjë me shtimin, kohët e fundit, të përpjekjeve lobiste të Serbisë në Washington dhe anë e mbanë Amerikës – e cila i sheh ndryshimet politike në kryeqytetin amerikan dhe humbjen e influencës së shqiptarëve, sidomos gjatë 10-15 viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara, si një rast të volitshëm për të plotësuar, si të thuash, këtë hapësirë të zbrazët ndikimi në Amerikë sa i përket Ballkanit Perëndimor – ndërsa politikanët shqiptarë i kanë zenë ethet e zgjedhjeve dhe nuk duan të dinë se çfarë po ndodhë në rajon dhe në botë, përtej interesave të tyre personale dhe partiake — me të vetmin qëllim të ekzistencës së tyre politike dhe ruajtjes së pushtetit të tyre personal dhe të partive që ata përfaqësojnë.  

Komuniteti shqiptaro-amerikan bëri histori me lobizmin e mirë- organizuar gjatë luftës së ftohtë e veçanërisht gjatë luftës në Kosovë dhe ish-Jugosllavi — ndërsa shquhej si një prej forcave lobiste më të fuqishme në Washington, në një periudhë prej tre dekadash. Gjatë 10-15 viteve të fundit, me përjashtim të ndonjë individi aty këtu që mban kontakte personale me ndonjë antarë të Kongresit nga shteti ku jetojnë shqiptarët, nuk ka pasur ndonjë organizim as përqendrim serioz të vëmendjes për lobizëm në interes të çështjeve shqiptare në Shtetet e Bashkuara.  Një lajm i mirë i kohëve të fundit, përsa i përket kësaj teme, është krijimi i një organizate të re lobizmi nga komuniteti shqiptaro-amerikan, i quajtur Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA).  Një grup veprimtarësh shqiptaro-amerikanë, themelues të këtij kongresi, janë shprehur se, “KPA-ja është themeluar me qëllim që të promovojë vlerat dhe interesat e shqiptarëve dhe të amerikanëve, të përkrahë parimet demokratike dhe të mbrojë identitetin e shqiptarëve, sot dhe për brezat që vijnë”, thuhej në njoftimin për media.  Ata kanë premtuar gjithashtu se do të bashkëpunojnë me të gjitha organizatat ekzistuese shqiptaro-amerikane siç janë Federata Pan-Shqiptare Vatra, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Gazeta Illyria dhe Gazeta Dielli dhe organizata të tjera përfaqësuese të komunitetit në New York, Detroit, Dallas, Chicago, etj.  Ndonëse është në fazën fillestare të organizimit, KPA-së i urojmë sukses në këtë ndërmarrje fisnike.

Lobimi, siç dihet, është një ushtrim ligjor politik për influencë në Shtetet e Bashkuara që kontrollohet me ligj e që komuniteti shqiptaro-amerikan ka ditur ta përdor dhe të përfitojë në raste kur Kombi kishte më shumëse kurrë nevojë për ndihmën politike dhe ushtarake amerikane.  Deri më sot, fatkeqësisht, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos nga pikëpamja organizative këto 10-15 vitet e fundit ishte më tepër si një spektator, pothuaj indiferent, ndaj zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse kështu duket se i konvenonte klasës aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, megjithë zhurmën e madhe të tyre për bashkpunim me diasporën.  Krijimi me bujë të madhe i ministrive të diasporës disa vite më parë në Tiranë, Prishtinë e Shkup – në vend që të organizonte dhe të bashkrendonte veprimtaritë e emigrantëve shqiptarë në interes të çështjeve kombëtare, sidomos në botën perëndimore, në të vërtetë, duket se politikisht e ka çangazhuar, diasporën – diçka që më duket se vetëm tashti e kanë kuptuar diasporat shqiptare në perëndim.

Ndërkaq, shikoni se ç’po ndodhë muajt e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara.  Shteti agresor Serbia, ka ndërmarrë një fushatë të re lobimi në Washington, sikurë do të përfitojë nga mungesa e veprimtarisë së shqiptarëve në këtë fushë.  Serbia nuk do ta ketë lehtë me administratën e re të Presidentit Joe Biden, i cili e di mirë historinë e konflikteve të fund viteve të shekullit të kaluar – dhe e cila e dallon mirë kush është agresori e kush janë viktimat e këtij agresori, sidomos në rastin e Kosovës.  Por, me një realitet të ri politik në Washington — me një administratë të re amerikane e që nuk pritet të jetë tepër miqësore ndaj Serbisë, duket se Beogradi zyrtar ka vendosur të shikojë nga e ardhmja sa u përket marrëdhënieve me Amerikën, pa u larguar asnjë centimetër nga qendrimet e tija anti-shqiptare në përgjithësi dhe kundër pavarësisë dhe njohjes së shtetit të Kosovës, në veçanti, duke i kushtuar këtij misioni lobues serb në Washington burime të mëdha njerëzore dhe financiare. 

Ndër masat e fundit që ka ndërmarrë Serbia për të shtuar influencën e saj politike dhe ekonomike, me qëllim të vendosjes së lidhjeve më të ngushta me Shtetet e Bashkuara janë disa multi-dimensionale, sipas një numri burimesh serbe dhe ndërkombëtare: Serbia ka blerë një ambasadë të re të madhe, simbol i një investimi të ri politik dhe ekonomik në Shtetet e Bashkuara, me një ambasador të ri, njërin prej bashkpuntorëve më të ngushtë të Aleksandë Vuçiqit dhe ish-Drejtor i Zyrës së Kosovës në qeverinë serbe nga viti 2013 deri në tetor të vitit 2020, Marko Gjuriq, i njohur mirë nga bashkbiseduesit shqiptarë në Prishtinë.  Ndër masat e fushatës së re diplomatike dhe ekonomike të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, përfshihet edhe hapja e zyrave të reja tregtare dhe konsullore, ndërkohë që Beogradi kërkon të shtojë lidhjet edhe me industrinë teknologjike amerikane, duke shpresuar edhe për një bashkpunim më të madh madje edhe në fushën ushtarake.  Një prej masave të kësaj fushate të re diplomatike të Serbisë është edhe rivendosja e lidhjeve më të ngushta me diasporën serbe në Amerikë. Si pjesë e kësaj fushate lobiste serbe në Shtetet e Bashkuara, sipas disa burimeve mediatike, personeli i ambasadës së Serbisë në Washington është rritur me 50%.  

Nuk është aspak e rastit që Vuçiqi ka dërguar si ambasador të Serbisë në Washington, Marko Gujriqin, njeriun e besueshëm të tij, i cili ka kryesuar Zyrën e qverisë serbe, përgjegjëse për Kosovën, për një periudhë prej pothuaj 10-vjetësh.  Për fat të mirë të Kosovës dhe për interesat shqiptare në përgjithësi — ambsadorit të ri të Serbisë në Washington dhe bashkpuntorëve të tij, do t’i duhet të përballet me administratën më mirë të informuar, ndoshta në histori, mbi çështjet e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi dhe mbi Kosovën, në veçanti. Sidomos duke marrë në konsideratë thirrjen e disa ditëve më parë të Presidentit Biden që Serbia të punojë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Kosovën, duke u përqendëruar në njohjen e ndërsjellët, diçka që Serbia deri tani është shprehur kategorikisht kundër.

Absolutisht, megjithë fushatën e re diplomatike serbe, ambasadori i ri i Serbisë në Washington, Marko Gjuriq nuk do t’a ketë të lehtë të bindë politikën amerikane se Serbia po ndryshon, sidomos, duke marrë parasyshë edhe lidhjet e ngushta historike dhe fetare të Serbisë me Rusinë, si dhe lidhjet ekonomike me Kinën komuniste, në rritje e sipër.  Por kjo nuk do të thotë – në asnjë kusht e në asnjë rrethanë – se komuniteti shqiptaro-amerikan duhet të vazhdojë të jetë vetëm një spektator ndaj zhvillimeve në rajon si edhe ndaj fushatës së re diplomatike dhe lobiste të Serbisë në Wshington – për të mos folur për rolin që do të duhej të luanin Tirana dhe Prishtina zyrtare, në bashkpunim dhe bashkrendim me njëra tjetrën. Deri më sot, një rol ky që, fatkeqësisht, nuk ekziston – as nuk duket të jetë një përparësi që mund të merret parasyshë në një të ardhme të afërt nga Shqipëria dhe Kosova në bashkpunim me njëra tjetrën dhe me diasporën për të bashkrenduar interesat kombëtare – afatshkurtëra dhe afatgjata — për tu mbrojtur, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Uroj që qeveria e re e Kosovës t’i marrë këto punë pak më seriozisht se në të kaluarën.

*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Washington DC

Filed Under: Politike Tagged With: E LOBIMIT, Frank shkreli, I KA NDEZUR MOTORAT, NË WASHINGTON, Serbia

KËSHTU E GJETËM SHQIPËRINË E ENVER HOXHËS ….

February 15, 2021 by dgreca

….DHE TË RAMIZ ALISË, 30-VJET MË PARË/

KRONIKE ME FOTO/

NGA FRANK SHKRELI/

Ishte fillimi i dekadës së ndryshimve të 1990-ës. Vetëm disa javë na ndajnë nga 30-vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, pas një ndërprerjeje prej gjysëm shekulli. Besoj se Ambasada e SHBA-ave në Tiranë e shënon çdo vit datën e rivendosjes së marrëdhënieve midis Washingtonit dhe Tiranës, më 15 mars, 1991, ashtu siç e kujtojnë shumë shqiptaro-amerikanë, përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave, si një ngjarje historike dhe një ditë, që më në fund bëri të mundur bashkimin eventual të mijëra familjeve shqiptare të arratisura ose të dëbuara nga atdheu prej regjimit komunist enverist, që sundoi Shqipërinë me dorë hekuri prej pothuaj gjysëm shekulli. Unë dhe disa shqiptaro-amerikanë të tjerë ishim ftuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) të merrnim pjesë në ceremoninë historike të 15 marsit 1991, për nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit, i cili rivendosi marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, pas një ndërprejeje prej gjysëm shekulli.


“Kujtim nga vizita e e Delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri, Mars/Prill 1991″

Për më tepër, unë kam patur nderin dhe privilegjin të isha edhe anëtar i delegacionit të parë diplomatik të Shteteve të Bashkuara, i cili disa ditë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit në Washington midis dy vendeve tona, u nisëm për në Shqipëri për të ndërmarrë masat e para për hapjen e ambasadës amerikane në Tiranë dhe njëherazi për të marrë pjesë në zgjedhjet e para “pluraliste” në Shqipëri.

I kujtoj ato ditë si ndër më shpresëdhënëset për komunitetin shqiptaro-amerikan se më në fund diçka po ndryshonte në atdheun e të parëve tanë. Ishte e vështirë ta merrnim me mendë, por Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në atë kohë, Muhamet Kapllani dhe dy përfaqësues të opozitës së re demokratike të posa formuar në Shqipëri, Sali Berisha dhe Gramos Pashko ishin të pranishëm në Departamentin e Shtetit, për të nënshkruar memorandumin për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të ndërprera aq brutalisht nga Enver Hoxha, pothuaj 50 vite më heret. Në komunitetin shqiptaro-amerikan, në atë kohë, në raste festash ose takimesh të ndryshme gjatë sundimit komunist, njerzit përshëndeteshin duke uruar njërin tjetrin, “Në Shqipërinë e lirë!”

“Antarët e delegacionit të DASH (autori i pari nga e majta) ditën e parë në Tiranë, ballë për ballë me yllin e kuq, simbolin e komunizmit, dhe ndërtesa e Ambasadës Amerikane, që në atë kohe okupohej nga legata italiane.”

Nënshkrimi i memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Ëashingtonit dhe Tiranës zyrtare nga Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze, Rejmond G.H. Saitc dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Muhamet Kapllani, (më 15 mars 1991) ishte prova më e mirë se dëshira e madhe e shqiptaro-amerikanëve, për një “Shqipëri të Lirë”, më fund dukej se po realizohej. Diplomati amerikan, Seitc në fjalën e tij me atë rast pasqyroi pritjet e gjata dhe shpresat e komunitetit shqiptaro-amerikan të shekullit të kaluar, duke theksuar se, “Marrëdhëniet midis vendeve tona fillojnë me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Udrou Uillson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare, disa prej të cilëve janë sot në këtë dhomë, të cilët nuk e harruan atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve”. Fatkeqësisht, kontaktet për shumë shqiptarë të Amerikës me nënën Shqipëri ishin vetëm në kujtimet, në mendjen dhe në shpresat e tyre, si dhe në besimin në Zot se një ditë, do të ndodhte ndryshimi i madh, se do të vinte dita e do të ribashkoheshin me familjet dhe të afërmit e tyre në Shqipëri. Hapi i parë i realizimit të kësaj dëshire u hodh, pikërisht 30-vjet më parë, më 15 mars 1991.

“Rrugët bosh të Tiranës – ku ishin shqiptarët?”

Në të kaluarën, unë kam reflektuar në disa shkrime të mia tepër modeste dhe nepërmjet disa intervistave mbi rivendosjen e marrëdhënive diplomatike midis dy vendeve tona dhe mbi rëndesinë e tyre për të tashmen dhe për të ardhmen e Kombit shqiptar. Prandaj nuk dua të përsëris ato që kam thenë më përpara, në përvjetore të tjera të kësaj date historike, për Shqipërinë dhe për shqiptarët.  Por, kësaj radhe deshta vetëm që të kujtoj këtë datë në kuadër dhe në pritje të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri – një datë tepër e rëndësishme në jetën time profesionale — për mua edhe si indidvid dhe për shumë bashkombas shqiptaro-amerikanë që gjatë dekadave kemi patur fatin të sigurojmë strehim politik në Shtetet e bashkuara të Amerikës. Kësaj rradhe po ndaj me lexuesit vetëm disa foto të përzgjedhura nga vizita e delegacionit të parë të DASH në Shqipëri në mars/prill 1991, për të kapur sadopak atmosferën dhe rrethanat në të cilat, me kolegët e nderuar të Departamentit Amerikan të Shtetit, e gjetëm Shqipërinë komuniste, 30-vjet më parë.


“Bregu i Vlorës dukej i vetmuar dhe plazhet ishn bosh –por vigjilenca ushtarake kundër armiqëve të jashtëm ishte në kulmin e saj – mitralozat e drejtuar kah qielli në gatishmëri të plotë.”

“Ishte gjithashtu kohë zgjedhjesh në Shqipëri – zgjedhjet e para pluraliste, të cilat i fitoi Partia (Komuniste) e Punës me aleatët e saj, zgjedhje të cilat delegacioni amerikan (ndryshe nga evropianët) nuk i konsideroi si të lira dhe të drejta.”

“Një nga qendrat e votimit në periferi të Tiranës.”

“Shënjat e para se po frynte një erë e re lirie fetare – mesha katolike në Shkodër”

“Katedrala Katolike e Shkodrës dhe Xhamia e Plumbit”


“Një kafene në Shkodër – ndër lokalet e para private në mars/prill 1991”


“Një grup të rinjsh në Shkodër na pritën me buzëqeshje dhe na ofruan këtë foto si kujtim të vizitës tonë në Shkodër – me buzëqeshjen e tyre pasqyronin një rini plot shpresë për të ardhmen, sot 30-vjet më vonë ndoshta një rini e zhgënjyer nga politikat e këtyre viteve.”

“Në Romë, një ditë pas largimit të delegacionit nga Shqipëria – në udhtim e sipër për në Washington – duke reflektuar se si e gjetëm dhe si mund të bëhej Shqipëria post-komuniste – një pyetje të cilës 30-vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ende nuk ia kemi përgjigjen e duhur.”

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Shqiperine e Enver Hohes, Si e gjetem

90 -VJETORI I RADIO VATIKANIT

February 13, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të premten që kaloi me datë 12 shkurt 2021 u shënua 90-vjetori i themelimit të radio Vatikanit. 90-vjet më parë, Papa Piu i XI kishte përshëndetur punonjësit e kësaj radioje duke i falenderuar ata për, “Punën tuaj që arrin deri në vendet më të humbura. Ecni përpara me guxim dhe krijimtari kur i flisni botës.”  Ndërsa të premten, sipas radio Vatikanit, Papa aktual Françesku, duke përshëndetur në këtë përvjetor radio gazetarët, redaktorët dhe punonjësit e tjerë të kësaj radioje botërore, duke pasqyruar pikëpamjet e tija në lidhje me lirinë e medias dhe të fjalës së lirë, u bëri thirrje atyre që me punën e tyre të raportojnë të vërtetën dhe të ndërtojnë “të ardhmen me krijimtari”.

“Faleminderit për punën tuaj. Faleminderit për dashurinë që keni për të. Radio ka këtë gjë të bukur, që e çon fjalën edhe në vendet më të largëta. E sot e ndërthur edhe me pamje e me shkrime. Ecni përpara me guxim dhe krijimtari, duke i folur botës e duke ndërtuar kështu, një komunikim të aftë, që të na bëjë të shohim të vërtetën e gjërave”, është shprehur Papa Françesku në 90-vjetorin e radio Vatikanit, që njihet botërisht edhe si Zëri i Papës dhe i Kishës Katolike. 

Më kujtohej kur isha pranë Zërit të Amerikës në vitet e luftës së ftohtë dhe më vonë, se ekspertët e audiencave të radiove ndërkombëtare e konsideronin radio Vatikanin si njërën prej 5-6 radiove më me influencë dhe ndër më të dëgjuarat, sidomos në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore e që transmetonte në dyzina gjuhësh të huaja. Si të tillë, e konsideronim edhe si konkurrente me programet tona të Zërit të Amerikës, veçanërisht për programet drejtuar disa vendeve ish-komuniste me popullsi dërrmuese katolike, siç ishte Polonia. 

Radio Vatikani ka një staf prej rreth 350 punonjësish të cilët transmetojnë në 41 gjuhët më të njohura të botës dhe jo aq të njohura, përfshirë gjuhën shqipe. Transmetimi i parë i radio Vatikanit në gjuhën shqipe shënon datën 3 tetor, 1951. Për drejtimin e programit të ri u thirr meshtari shqiptar në mërgim, Monsinjor, Zef Shestani.  Zëri i tij u dëgjua në valët e Radios së Papës më 3 tetor 1951, në orën 21, kur nisi transmetimi i parë i programit. Më vonë, Don Shestani thirri pranë tij si bashkëpunëtorë, Zef Palin, Andrea Shulin, motrën engjëllore, Luçia Laca dhe, si bashkëpunëtorë të jashtëm, Atë Danjel Gjeçajn, emëruar nga Selia e Shenjtë “Përfaqësues shpirtëror i shqiptarëve katolikë të mërguar”.

Pesë vjetë më parë, me rastin e 55-vjetorit të transmetimeve shqip të radio Vatikanit, si një prej programeve më të vogla për nga transmetimet dhe për nga stafi, thuhej se “Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligështa të Radios së Papës, e kemi ndjerë veten të rrethuar më shumë se të gjitha programet e tjera me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël. Kemi pasur e kemi gjithnjë pranë, Atin e Shenjtë, që nuk ka munguar ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave kemi ndjerë përherë praninë e Selisë së Shenjtë.”

Emisioni i parë në gjuhën shqipe i Radio Vatikanit drejtohej nga Don Zef Shestani

Thuhej gjithashtu se Shqipëria, Kosova e të gjitha trevat Shqiptare kanë qenë gjithnjë në zemrën e vëmendjen e papëve të Romës, ndërkohë që ne e kemi dhënë dëshminë tonë përmes fjalëve të transmetuara ditë për ditë me mjetin e brishtë, por të fuqishëm, të valëve të radios, i vetmi që as regjimi më i ashpër komunist nuk mundi t’a bllokonte plotësisht. Natyrisht, radio Vatikani në gjuhën shqipe shprehet krenare që mundi ta bëjë këtë shërbim në vitet më të errëta të historisë së Shqipërisë, kur vendi qe deklaruar zyrtarisht si i vetmi “shtet ateist” në botë. Por e njëjta radio dëshiron të vijojë ta shoqërojë ecjen e shqiptarëve në këtë epokë të re, në të cilën e vetmja paqe në liri, paqja politike e brëndshme e ndërkombëtare, paqja shoqërore e mbi të gjitha paqësimi i zemrave është ende detyrë që qëndron para nesh, thuhej në deklaratën e emisionit shqip të radio Vatikanit me rastin e 85-vjetorit të saj, pesë vite më pare. Radio Vatikani e realizoi këtë mision edhe gjatë krizës së Kosovës dhe angazhohen se do të bëjnë një gjë të tillë çdo ditë, duke u frymëzuar nga mësimet e Papës, në bashkim të thellë shpirtëror me Kishën katolike të pranishme në viset e gjuhës shqipe e me të gjithë burrat e gratë, veprimtarë e ndërtuesë të paqes. Në kohën kur regjimi komunist Enver Hoxhës bëri çmos të mbyllte çdo gojë që fliste në emër të Zotit, kur u rrokullisën kumbonët nga kumbonaret e heshtën uratët në Kishat e shkallmuara, zëri i radio Vatikanit vijonte të niste mesazhe përtej perdes së hekurt, përtej Adriatikut anë e mbanë trojeve shqiptare. U çonte shqiptarëve mesazhet e Atit të Shenjtë, mesazhe ngushëllimi e durimi, qëndrueshmërie e ngrohtësie vëllazërore, shprese e paqeje.

Telat me gjemba që ndanin Shqipërinë nga bota, nuk munden ta ndalonin këtë zë shprese të hynte në shtëpitë e atyre që besonin e shpresonin në Zot. Selia e Shenjtë nuk i kishte harruar bijtë e vet të masakruar. Në fillimet e veta, programi i radio Vatikanit në gjuhën shqipe transmetonte tri herë në javë.  Pastaj transmetimi u bë i përditshëm.Fillimisht, tematika ishte vetëm liturgjiko-kishtare, por më më vonë u pasurua, duke përfshirë dokumentet më të rëndësishme të papës, veprimtaritë dhe vizitat e Atit Shenjtë, për të vijuar me veprimtaritë e Kishës katolike në trevat Shqiptare e në botë, problemet e rëndësishme të etikës, të shoqërisë, të kulturës, letërsisë e artit, parë gjithnjë në këndvështrimin ungjillor. Në fillim rrethi i bashkëpunëtorëve vijonte të ishte tepër i ngushtë. Radioja fliste. Por ishte një monolog i gjatë. Një monolog i dhimbshëm, më se 40 vjeçar. Asnjë përgjigje nga dëgjuesit. Asnjë zë nuk dëgjohej përtej telave me gjemba. Zërat shqiptarë të radio Vatikanit flisnin me maturi, me kujdes të madh. Një fjalë e papeshuar mirë, përtej perdes së hekurt mund të shkaktonte një valë të re martirizimi. Po, lavdi Zotit, erdhi dita e ëndërruar. Diktatura u shemb dhe filloi bashkëbisedimi me dëgjuesit. Deri në vitin 1988 programin në hjuhën shqipe e drejtoi Monsinjor Zef Shestani. Pas këtij viti ai u largua nga mikrofoni për arsye moshe e sëmundjeje, duke e lënë drejtimin në duart e Gjon Gjomarkajt. Gjomarkaj vijoi ta drejtonte programin shqip deri në daljen e tij në pension, në vjeshtën e vitit 1992. Që nga kjo kohë, programi i gjuhës shqipe pranë radio Vatikanit e drejton aktualisht prifti nga Kosova, don David Gjugja. Në redaksi punojnë Katerina Nushi nga Prizreni, Ana Luka nga Shkodra dhe Klaudia Bumçi nga Tirana dhe një numër i konsiderueshëm bashkpuntorësh nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkanin Perëndimor. 

*Bazuar kryesisht në burime të radio Vatikanit

          Kardinali shqiptar Ernest Simon Troshani me Don David Gjugjën, përgjegjës i radio Vatikanit në gjuhën shqipe

Filed Under: Opinion Tagged With: 90 -VJETORI I RADIO VATIKANIT, Frank shkreli

EDHE UNË ÇAM JAM – PËR TË MOS E HARRUAR KURRË ÇAMËRINË!

February 7, 2021 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Megjithëse kaluan disa javë nga dita që shënoi 30-vjetorin e themelimit të Shoqatës Patriotike “Çamëria”, më 10 Janar të vitit 1991, për mua nuk është kurrë vonë që të flitet dhe të kujtohet Çamëria Shqiptare — në përvjetorë që duhet të shënohen dhe kurdoherë tjetër – dhe të kujtohet gjithmonë në të gjitha dimensionet e tragjedisë së saj.

Ia vlen që në këtë 30-vjetor të themelimit të Shoqatës Patriotike, “Çamëria”, t’i kujtojmë edhe njëherë lexuesit se megjith hallet dhe telashet e sotëme të shqiptarëve, Çamëria nuk duhet të harrohet, por të kujtohet si një tragjedi kombëtare e shekullit 20.  Kjo Shoqatë, është themeluar pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, 30-vjetë më parë në Tiranë, nga intelektualët e dalluar çamë si Abaz Dojaka, Hasan Minga, Sali Bollati, Petrit Demi, Ilmi Saqe, Lutfi Saqe, Petrit Kasemi, Bashkim Braho, Qani Biraçi, Nexhat Mergjushi, Ferhat Sejko, Arshi Rexho, Resul Taipi etj.  Shoqata “Çamëria”, ç’prej fillimit i ka venë vetes misionin e shenjtë për të sensibilizuar opinionin kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim për të bërë të njohur – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar — gjenocidin e kryer nga forcat shoviniste greke në vitet 1940-ave të shekullit të kaluar, si dhe për të rivendosur të drejtat themelore universale të njeriut në trojet e tyre, mohuar çamëve shqiptarë, për pothuaj një shekull tani.

Këtu në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara jeton dhe vepron, patrioti çam, shqiptaro-amerikani i respektuar i komunitetit, Z. Sali Bollati, lindur në Paramithi të Çamërisë — njëri prej themeluesve të Shoqatës Patriotike Çamëria në Shqipëri– dhe një ambasador i vërtetë i çështjes çame këtu në Amerikë dhe më gjërë, një veprimtar i palodhëshëm i Çamërisë martire në të gjitha dimensionet e vuajtajeve dhe padrejtësive që i janë bërë e vazhdojnë të bëhen kundër saj.  Pjesë e rëndësishme e veprimtarisë 30-vjeçare të Shoqatës, “Çamëria” vazhdon të jetë, sipas vet Shoqatës, “Institucionalizimi i Çështjes Çame përmes Presidentit të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë, qeverisë shqiptare dhe institucioneve të tjera deri në zgjidhjen përfundimtare të saj”.

Tragjedia e Çamërisë mbetet e tillë për shqiptarët dhe vazhdon të mbetet si një fitore e forcave më të errëta të Luftës së Dytë Botërore.  Është një tragjedi që duhet të rendojë në shpirtërat dhe zemërat e shqiptarëve ashtu siç duhej të rëndonte edhe masakra e Tivarit dhe shumë masakra të tjera ndaj  shqiptarëve, anë e mbanë trojeve shqiptare.  30-vjetori i themelimit të Shoqatës Patriotike “Çamëria”, thërret me zë të lartë për një shqyrtim të ndërgjegjës të atyre që kanë shkaktuar këtë tragjedi, por ky përvjetor përbën gjithashtu një rast të mirë për një apel të gjithë shqiptarëve – sidomos atyre në pushtet — për një shqyrtim të vet ndërgjegjes tonë si shqiptarë, jo vetëm për krimet e të huajve ndaj shqiptarëve, por edhe për krimet e kryera nga shqiptari kundër shqiptarit, gjatë shekullit të kaluar.  

 
Qytetërimi nisë pikërisht aty, me shqyrtimin e ndërgjegjës, ka thenë me një rast Ismail Kadare: “Shqyrtimi i ndërgjegjes mbetet sot po aq dramatik dhe aktual sikurse në teatrin grek, dy mijë e pesëqind vite më parë.  Nga krimet e nazizmit e të komunizmit, ai vjen gjer te hapja e dosjeve të fshehta, ato që janë kthyer në ankth në vendet që ende s’e kanë bërë këtë, duke përfshirë këtu, për fat të keq, edhe vendin tim, Shqipërinë”. (Nga Fjalimi i Kadaresë me rastin e dhënies së një Çmimi prestigjoz në Izrael, 2015).  Dihen përpjekjet due fushatat e fqinjëve për zhdukjen e popullit shqiptar gjatë dekadave dhe shekujve të kaluar nepërmjet spastrimeve etnike, shpërnguljeve të detyrueshme dhe masakrave, siç ishte ajo e Çamërisë, e Tivarit dhe lufta e fundit në Kosovë, ndër të tjera. Si askund tjetër në Evropë e ndoshta edhe në botë e gjithë harta e trojeve shqiptare është një skenë masakrash, krimesh, spastrimesh etnike, shpërnguljesh me dhunë dhe dëbimesh barbare të shqiptarëve. 

Uroj që gjatë “Javës Çame”, të shënuar muajin që kaloi, autoritetet shqiptare të kenë reflektuar edhe mbi përpjekjet aktuale dhe në vazhdimësi nga Greqia, Turqia dhe Serbia – për të ndryshuar historinë dhe identitetin e shqiptarëve në trojet e veta– brenda kufijve aktualë të Shqipërisë — duke “mbjellur” varreza dhe monumente të okupatorëve shekullorë, grekë, turq dhe sllavë.   Fatbardhësisht, zhdukja fizike e shqiptarëve gjatë shekujve, me masakra, spastrime etnike dhe shpërngulje të detyrueshme, sot në shekullin XXI, është pak më e vështirë se në të kaluarën, falë mbështetjes historike dhe të pa hile të miqëve të vërtetë perëndimorë të Kombit shqiptar. Por, siç tregojnë monumentet greke, turke e sllave në territorin shqiptar, përpjekjet e këtyre “vendeve strategjike” dhe “popujve miqë” nuk kanë pushuar të mësyjnë tokat shqiptare duke “mbjellur” varreza, e monumente të ushtarëve e të “heronjve” të tyre në trojet shqiptare, përfshir edhe zemrën e Tiranës, me miratimin e vet autoriteteve shqiptare.  Askush nuk reagon kundër, askënd nuk e vret ndërgjegjja kombëtare!

 “Java Çame” kishte si temë, “Çamëria është e të gjithë shqiptarëve. Çam Jam!”  Por, fatkeqësisht, shqiptarët kujdesën më shumë për të huajt, “Duke u dhënë pas doktrinave të huaja shterpa e miqësive të mbrapshta, u harruan për fat të keq shpeshherë njerëzit tanë të gjakut, ata që kanë qenë e janë pjesë e Trungut Shqiptar të Pavdekshëm. Ajo ka qenë pjesë e një harrese të madhe për të cilën Kombin Shqiptar do ta vrasë ndërgjegjja për një kohë të gjatë.” (Ismail Kadare në përshëndetjen drejtur gazetës Çamëria-Vatra Amtare, 1992, cituar në librin e Sali Bollatit, “Çamëria, Krahina më Jugore e Trojeve Etnike Shqiptare

Në këtë 30-vjetor të themelimit të Shoqatës “Çamëria”, unë i bashkohem përpjekjeve të kësaj Shoqate kundër asaj që ajo cilëson si, “nismave për ta ‘mbjellë’ Shqipërinë me varreza të ushtarëve grekë, duke kërkuar ngritjen e një memoriali për martirët e gjenocidit grek në Çamëri” të lenë pa varre. Por, jo vetëm kundër varrezave greke, por edhe kundër ndërtimit (natën) të monumenteve turke dhe sllave në Shqipëri, ngritur vitet e fundit, me miratimin e autoriteteve shqiptare.  Edhe për këtë, nevojitet një shqyrtim i thellë i ndërgjegjës kombëtare të autoriteteve më të larta shqiptare. Hiqni dorë nga “doktrinat e huaja shterpa dhe miqësitë e mbrapshta” dhe mos harroni “njerërzit tanë të gjakut”. 

Shqiptarë jemi aty dhe atje ku na fali Zoti.  Edhe unë, një shqiptaro-amerikan, me origjinë nga Malësia e Madhe, por me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një gjysëm shekulli, me krenari dhe me ndjenja të thella vëllazërore, deklaroj: Çam jam!  

 Frank Shkreli

Sali Bollati i mbijetuari i Çamërisë dhe njëri prej themeluesve të Shoqatës “Çamëria” dekorohet nga Këshilli i Bashkisë Nju Jork, Nëntor, 2019 – në foto me Z. Mark Gjonaj, anëtar i Këshillit të qytetit.

                           Autori me Z. Sali Bollati, të mbijetuarin e gjenocidit grek në Çamërinë Shqiptare dhe njëri prej patriotëve që themeluan Shoqatën “Çamëria” në Tiranë, 30-vjetë më parë – në Sallën e Këshillit të Bashkisë — New York, Nëntor, 2019

                          Autori i këtij libri, Z. Sali Bollati, pas vrasjeve barbare të 7 familjarëve të tij nga bandat shoviniste greke të Zervës me 27 Qershor, 1944, mbahet në burg në vendlindjen e tij në Paramithi, para se të dëbohej me dhunë nga trojet e tija stërgjyshore ashtu si mijëra shqiptarë çamë të tjerë – kryesisht gra, pleq e fëmij – dhe hynë në Shqipëri. 

Filed Under: Politike Tagged With: DHE UNË ÇAM JAM, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT