• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO PËR HOLOKAUSTIN KOMUNIST SHQIPTAR KUR DO TË FLITET?

October 31, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli- Javën që kaloi në Shqipëri u mbajt “Forumi Ballkanik kundër antisemitizmit”.  Ishte kjo një nismë shumë me vend e Kuvendit të Shqipërisë, në bashkpunim me Aleancën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, forum, në të cilin morën pjesë zyrtarë të lartë ballkanikë, përfaqësues të Bashkimit Evropian, Izraelit dhe madje edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, iu drejtua forumit virtual me një fjalim të shkurtër.  Ishin mjaft përfaqsues të vendeve pjesëmarrëse forumin virtual – përfshir edhe ata të Shqipërisë, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi.  Folës të ndryshëm, përfshir zyrtarët e lartë shqiptarë, diskutuan se si vendet e Ballkanit mund të bashkpunojnë për zhdukjen e antisemitizmit dhe për krijimin e shoqërive tolerante për brezat e ardhëshëm.  Është kjo një thirrje shumë me vend, pasi është venë re se antisemitizmi është një fenomen që, kohët e fundit, po shtohet anë e mbanë botës.  Një fenomen që duhet të luftohet e të zhduket që në zanafillë, në cilën do shoqëri qoftë.  

Sa interesant thashë me vete, që udhëheqsit shqiptarë, në një forum ndërkombëtar, siç ishte ai që u mbajt virtualisht në Tiranë – flasin para botës për masat dhe bashkpunimin kundër antisemitizmit dhe për krijimin e shoqërive tolerante: “Sfida e luftës kundër antisemitizmit në format e veta më të sofistikuara duhet të jetë sot, më shumë se kurrë, një thirrje ndaj ndërgjegjes sonë kolektive”, u shpreh Kryeministri shqiptar, Edi Rama.  Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi i tha forumit se “Të gjithë kombet që aspirojnë demokracinë, pluralizmin, diversitetin e tolerancën, duhet t’i bashkohen frontit kundër antisemitizmit”, deklaroi kryetari i Parlamentit shqiptar Gramoz Ruçi.  

Çfarë shprehjesh thashë — gjithnjë duke folur me veten — nga zyrtarët më të lartë shqiptarë, të cilët edhe botës demokratike i japin mësim për demokraci, pluralizëm, diversitet e tolerancë dhe më në fund Kryeministri shqiptar thekësoi nevojën për një, “thirrje ndaj ndërgjegjës kolektive”, për të vepruar.  Thashë me vete gjithashtu, si mund të përputhen këto shprehje të dy udhëheqsve të lartë shqiptarë në Forumin Ballkanik mbi antisemitizmin me deklaratat,  pikërisht, të këtyre dy zyrtarëve shqiptarë në Parlamentin  e Shqipërisë, mbi meritat e komunistëve dhe të komunizmit, pothuaj 50-vjeçar në Shqipëri.  Dihet se komunizmi, ashtu si edhe nazizmi — sidomos regjimi komunist i Enver Hoxhëls, nuk ishte aspak tolerant ndaj kundërshtarëve politikë dhe segmenteve të caktuar të popullësisë shqiptare që kundërshtonin regjimin e tij.  Kur dëgjova fjalët e zotërinjve Rama e Ruçi në Forumin kundër antisemitizmit në Tiranë, pyeta veten se cili është Rama i vërtetë dhe cili është Ruçi i vërtetë – ata që deklaruan se disa javë më pare se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë dhe se shqiptarët ishin ndarë që në vitin 1944 (duke justifikuar kështu të gjitha krimet e regjimit komunist në Shqipëri si dhe mos tolerancën politike ndaj njëri tjetrit, e pasqyruar këto 30-vitet e fundit) – apo ndoshta  zotërinjt Rama e Ruçi për fat të mirë të Kombi – paskan pësuar një metamorfozë të mirëseardhur më në fund, që u pasqyrua në fjalimet e tyre në forumin kundër antisemitizmit, ku folën për “tolerancë”, “demokraci” dhe “ndërgjegje kolektive”, ndaj së kaluarës.  Toleranca është një virtytë njerëzor dhe shoqëror, por disa shoqëri vuajnë, fatkeqësisht, nga toleranca ndaj së keqës. Heshtja ndaj çeshtjeve me rëndësi morale për një komb, është në vetvete një pranim i (heshtur) i së keqës, ka thenë një amerikan i madh i shekullit të kaluar. (Fulton Sheen).  Parimet morale nuk varen nga vota e shumicës. E keqja është e keqe, krimi është krim, edhe kur shumica është në rrugë të gabuar, ka thenë ai.

Prandaj është me rëndësi të dihet e vërteta, nëse udhëheqsit aktualë të Shqipërisë do të vazhdojnë të heshtin për çeshtjet e mëdha morale të Kombit – përfshirë krimet e komunizmit dhe përballjes me të kaluarën komuniste të vendit, pasi shqiptarët – sidomos ata dhjetëra e qindra mijëra që kanë vuajtur, janë vrarë ose zhdukur nga regjimi komunist, vetëm e vetëm, se nuk pajtoheshin me atë regjim. Ata presin për 30-vjet tani – që të këthehen në veprim fjalët tolerancë, ndërgjegje kolektive, demokraci e vërtetë, zgjedhje të lira, pajtim kombëtar, kërkim faljeje për krimet ndaj njerëzve të pafajshëm, gra, pleq e fëmij – që më në fund të këto vlera të mëdha universal të këthehen në një çështje të madhe morale kombëtare për të cilën nuk mund të heshtet më. 

Nganjëherë njeriu shpreson edhe kundër shpresës. Sbpresova se diskutimet në “Forumin Ballkanik kundër Antisemitizmit”, t’u kenë kujtuar, të pakën për një moment udhëheqësve shqiptarë edhe holokaustin komunist shqiptar ndaj mijëra shqiptarëve kundështarë të regjimit komunist, në përgjithësi, dhe holokaustin fetar shqiptar në veçanti.  Këto mendime po më sillen në kokë, ndërkohë që Kisha Katolike Universale dhe sidomos Kisha Katolike Shqiptare — anë e mbanë trojeve arbërore — po përgatitet që me 5 Nentor, 2020 të shënojë Festën e Martirëve të Lumë shqiptarë – Vinçenc Prenushi me 37 shokët — festën pra të 38 martirëve: qendresën, virtytet e tyre njerëzore, morale, kombëtare, shpirtërore si dhe mesazhin e tyre për aktualitetin e sotëm shqiptar politik dhe moral, për shoqërinë por sidomos për udhëhqesit aktual të Shqipërisë.

Shpresojmë e shpresojmë, për zgjimin e një ndërgjeje morale mbarëkombëtare, por deri kur?  Unë nuk e di se ku e gjeni ju forcën morale – si udhëheqës të atij vendi – që haptas të vazhdoni të mbroni një regjim gjakatar siç ishte komunizmi.    Nostalgjikët e komunizmit shqiptar ende nuk e kanë kuptuar se e vërteta dhe idetë e mëdha nuk mund të mbahen të mbyllura përgjithmonë në çmendurinë e metalitetit të Enver Hoxhës, me të cilin ata gjithnjë mendojnë, veprojnë dhe jetojnë.  

Heret ose vonë, shoqëria shqiptare do të ketë një “zgjim të ndërgjegjes kolektive”, përsa u përekt krimeve të komunizmit. Por në këtë ndërkonë, me qëndrimet tuaja, me shkrimet dhe deklaratat tuaja duke mbrojtur një regjim që nuk mund të mbrohet — ju nuk i bëni nder as vetes, as Kombit shqiptar, por jeni duke mbajtur peng Shqipërinë e mjerë, larg Evropës ku e ka vendin e saj të denjë dhe larg vlerave perëndimore.  Ndërkohë që me deklatrata e juaja, në favor të komunizmit,viktimat e atij rgjimi po i vrisni për së dyti, për së treti e për së katërti, në të vërtetë sado herë që hapni gojën në mbrojtje të atij regjimi diktatorial.  Dhe jo vetëm këta të lumtur të Kishës Katolike dhe të Kombit – të cilët do të kujtohen javën që vjen — por të gjitha viktimat e tre feve kryesore në Shqipëri, nëpërmjet historisë së këtyre 38 martirëve shqiptarë —  tani bota e njeh pak më mirë të vërtetën e krimeve të tmerrshme të burgjeve dhe të kampeve të përqendrimit të regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet të pafajshëm, në përgjithësi.
Për 30-vjetë tani, jo vetëm historia e Kombit shqiptar pret përgjigje prej autoriteteve zyrtare të shtetit dhe mbështetësve due pjesëmarrësve në këto krime   të institucioneve të dhunës komuniste. Presin përgjigje gjithashtu edhe martirët, në ditën kushtuar atyre me 5 Nentor, 2020.  Ata duan dhe kërkojnë të dinë pse-në. Duan të dinë pse u vranë atëherë nga regjimi enverist dhe institucionet e tij të dhunës dhe pse vazhdojnë të vriten edhe sot nga autoritetet e vendit me deklaratat e papërgjegjshme të nostalgjikëve të regjimit enverist, madje edhe nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit e të qeverisë shqiptare? E gjithë kjo ndodhë në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe i cili mburret me anëtarësimin në Aleancën Ushtarake të Atlantikut, NATO, ndërkohë që botës i japin mësime për demorkaci e tolerancë dhe bejnë thirrje botës për  gjoja, “ ndërgjegje kolektive” ndaj së kaluarës.

Vetë martirët e Kishës Katolike shqiptare në ditën e tyre me 5 Nentor, nuk kërkojnë as hakmarrje as dënime ndaj askujt, pasi në prag të martirizimit të tyre, ata i kishin falur xhelatët komunistë. Por martirët e pafajshëm u kërkojnë sot autoriteteve shqiptare, zbulimin e të vërtetës ndaj të së kaluarës komuniste dhe njëkohësisht – para Kombit dhe para botës – kërkojnë njëzëri nga bashkatdhetarët e tyre në shekullin XXI – në emër të të gjitha viktimave të komunizmit në Shqipëri, një përgjigje ndaj këtyre pyetjeve:


“Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o stërnipa të Kastriotit. Ku ua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo’ Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike, që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën? Gabuem, thue, se kënduem në ‘Lahutë të Malcís’, kangën e Atë Gjergjit e diftuem si vdes shqiptari për Fé e Atme, ashtu si vdiq Gjeçovi?  Por nuk ka gjâ, mbasi na jemi këtu… këtu âsht toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú, për idealin ma të naltë, për të cilin vdes shqiptari. Një ditë kemi për t’u ringjallë s’bashkut!”. (Marrë nga vepra “Çinarët” e françeskanit shqiptar Konrad Gjolaj, nga Radio Vatikani).


Ka ardhur koha për veprim.  Mjaft më me rezoluta dhe projekt-rezoluta propagandistike boshe që nuk çojnë askund. Tregojeni veten burra, se më në fund, pas 30 vjet postkomunizëm jeni gati – personalisht, institucionalisht dhe moralisht – të zbuloni, të pranoni dhe të njoftoni të vërtetën mbi krimet çnjerëzore të regjimit të Enver Hoxhës.  Sepse për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, është një domosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist — të gjallë e të vdekur — në mos asgjë tjetër, të paktën – “T’u kthehet një pjesë e dinjitetit të tyre” dhe siç u shpreh edhe Sekretari Amerikan Shtetit, Mike Pompeo në fjalën e tij në Forumin Ballkanik kundër anti-semitizmit, “Duhet të garantohet siguria e çdo personi, për të mundësuar që të gjithë të jetojnë krah për krah në paqe”, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine ose pikëpamjesh politike. Shqipëria duhet të jetë e të gjithë shqiptarëve!


Kthejani pra, dinjitetin dhe nderin jo vetëm viktimave të komunizmit, por mbarë Kombit shqiptar duke i bërë “thirrje ndërgjegjes sonë kolektive” për përgjegjësitë që mban historia e kaluar komuniste dhe udhëheqsit aktualë të shtetit shqiptar ndaj viktimave të pafajshme të regjimit të Enver Hoxhës.  Unë jam i bindur se, eventualisht, edhe në Shqipëri, më në fund, “E vërteta dhe dashuria do të fitojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjet”. (Vaclav Havel.)

                                   Martirët e lumtur të Shqipërisë

*Skicat më poshtë, të botuara një vit më parë, hedhin pak dritë mbi kampet e vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës.

                                       Piktori është Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pikërisht kampi famëkeq në Tepelenë, është njëri prej tyre.                      

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Holokausti, Komunist shqiptar

Përse nuk përmendet roli i Kol Bib Mirakës për shpëtimin e hebrenjëve?

October 30, 2020 by dgreca

Mesazh: Në Tiranë u mbajt Forumi i parë ballkanik kundër antisemitizmit – ku u fol për rolin e Shqipërisë në shpëtimin e hebrenjve.Bazuar në ato që dëgjova roli i Kol Bibës në shpëtimin e hebrenjve nuk u përmend nga udhëheqsit shqiptarë (Kryeministri Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Ruçi që morën pjesë në forum.

Nga Frank Shkreli*

Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë-

Më poshtë është një artikull i botuar tre vjet më parë.  Në këtë 75-përvjetor të çlirimit të kampit nazist Auschwitz, po flitet dhe shkruhet shumë në median shqiptare mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Por, pothuaj askush nuk përmend rolin e Kol Bib Mirakës i cili si Ministër i Brendshëm, në atë kohë, autorizoi lëshimin e pasaportave shqiptare për hebrenjtë në Shqipëri,duke ua bërë të mundur largimin e tyre nga Shqipëria  duke shpëtuar jetën e rreth 2000 hebrejve.  Askush nuk flet për këtë fakt historik sot, megjithëse ekzistojnë dokumentat historike për rolin e tij, siç është libri i Z.Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore.”  Një shënim mbi këtë libër mund ta lexoni më poshtë, botuar tre vjet më parë. Ka ardhë koha që edhe emri i Kol Bib Mirakës të rreshtohet në listën e atyre shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë nga nazistët, por edhe në pllakën e nderit, “Righteous Among the Nations” të shtetit të Izraelit, për njerëzit që rrezikuan edhe jetën gjatë Hollokaustit për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike.

***

 Frank Shkreli: Kol Bib Mirakaj: Më në fund një e vërtetë historike

Më në fund, historia flet, njihet e vërteta.  Të pakën në një rast.  Deri tashti dikush tjetër dhe të gjithë të tjerët emër e pa emër, të merituar e të pa merituar, morën kredinë për shpëtimin e hebrenjve nga nazistët gjermanë, në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por asnjëherë, në këto 25 vitet e fundit, nuk iu përmend emri protagonistit kryesor të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri nga Kolë Bib Mirakaj, të cilin…historiografia komuniste e karakterizon me epitete fyese të lloj-llojshme.

Shumë vite më parë, unë e kisha dëgjuar rolin që kishte luajtur Kol Bib Mirakaj në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga babai i bashkshortës time Vitores, (Pashk Ademi Markgjonaj), por edhe nga bashkohas të tjerë të Kol Bibës, si Ernest Koliqi, e të tjerë.  Por në mungesë të ndonjë dokumentacioni si ky që ka zbuluar dhe botuar në librin e tij kohët e fundit, Faik Quku – i mbajta të dhënat e tyre, të qeta, në heshtje mbrenda vetes.  Ishte një heshtje, jo vetëm për mua por edhe për shumë të tjerë që kishin dëgjuar të njëjtën bisedë, por në mungesë të dokumentacionit si është ky i paraqitur nga autori Faik Quku, duhej pranuar në heshtje ato që dëgjonim e lexonim për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë, megjithse jo të gjitha të dhënat e këtij rasti që kemi dëgjuar deri tani, i përgjigjeshin të vërtetës.

Mbarë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët kudo, me të drejtë duhet të jenë krenarë për shpëtimin e hebrenjve shqiptarë nga nazistët, por është një njollë e zezë mbi ata që kanë promovuar këtë akt me të vërtetë humanitar të shqiptarëve, por pa përmendur kurrë rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka në këtë mes.  Por, ja tani, gazeta e Tiranës “Telegraf” sjellë një lajm për lexuesit e saj, në lidhje me librin e autorit Faik Quku, me titull, “Qëndresa Shqiptare Gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ku dokumentohet roli i Kol Bib Mirakës në shpëtimin e hebrenjve, dokumenta të kohës këto, të nënshkruara nga vet dora e tij si Ministër i Brendshëm i Shqipërisë së asaj kohe.  Tashti, kemi librin e Faik Qokut dhe dokumentacionin siç duket të padiskutueshëm që përbën mbrenda veprat e tij në lidhje me rolin që ka luajtur Kol Bib Miraka gjatë luftës.

Sipas gazetës “Telegraf”, në librin e tij, autori Faik Quku, bazuar në dokumentacion, ka paraqitur disa të vërteta rreth jetës dhe veprës së Kol Bib Mirakajt.  Siç mund të shihni në linkun e gazetës Telegraf http://telegraf.al/opinion/kole-bibe-mirakaj-ministri-shqiptar-qe-shpetoi-2000-hebrenj-2/ spikaten dy gjëra me rëndësi historike, sipas dokumentave të zbuluara nga autori…

Njëra nga këto të vërteta ka të bëj me vendimin e Kol Bibë Mirakës për të paisur me pasaporta shqiptare 2000 hebrenjtë që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndodheshin në territorin shqiptar, një akt ky që mundësoi strehimin e tyre në Italinë jugore, të çliruar nga anglo-amerikanët, duke i shpëtuar ata nga forcat naziste.  E vërteta e dytë me rëndësi është fakti i zbuluar me këtë libër se Ministri “fashist” Kol Bib Mirakaj kishte refuzuar shumën e parave që hebrenjtë donin t’i jepnin atij si shpërblim për vendimin e tij humanitar. Jo një herë, por refuzoi parat dhe napolona ari, dy herë: një herë Shqipëri dhe tjetrën herë në Romë, ku Kol Biba ishte i mërguar dhe ku jetonte në skamjen më të madhe, për të cilin kujdesej urdhëri françeskan, nga të cilët varej për bukën e gojës.

Ta merr mendja se vendimi i Kol Bib Mirakës, si ministër i Brendshëm i asaj kohe duke paisur me pasaporta hebrenjtë shqiptarë për tu larguar shëndosh e mirë nga Shqipëria  mund të kishte pasur pasoja të rënda për ‘të, po të ishte zbuluar ky akt humanitar i tij nga nazistët.  Thonë se burri dhe miku i mirë njihet në ditë të vështirë!  S’ka dyshim se për hebrenjtë shqiptarë Kol Bib Mirakaj, jo vetëm që ishte burrë dhe mik i mirë në një ditë tejet të vështirë për ta, por autori Faik Quku provon se ai në të vërtetë ishte diçka më tepër, ai ishte shpëtimtari i tyre, i cili  madje edhe refuzoi çdo shpërblim nga hebrenjtë shiptarë për paisjen e tyre me pasaporta shqiptare, gjë që tani dihet se bëri të mundur largimin e tyre për në Itali.  Si do që ta merrësh, për atë kohë, por edhe për sot, ky ishte një akt heroik nga ana e Kol Bib Mirakës, për të cilin flitet shumë pak ose aspak!

Tani, kemi librin e Faik Qukut dhe dokumentacionin që përbën mbrenda vepra e tij, mbi rolin e Kol Bib Mirakës në shpëtimin e 2000 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që vet Kol Bib Mirakaj do të shprehej se nuk kemi më nevojë tani, “Me pranue më heshtjen tonë për një cilësim të tillë që nuk i përgjigjet të vërtetës”, sepse ka shkruar ai në librin e tij “Vrasja e Nji Kombi”, me heshtje, “Mua më është dukë se bëjmë krim kundër vetvetes, kundër historisë e kundër fëmijëve e njerzëve tanë, që do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë, para shoqërisë.”

Kol Biba do të falenderonte Faik Qukun, që me librin e tij mbi këto të vërteta të dokumentuara nga jeta e Kol Bib Mirakës, ai i jep “histori-shkruesit të së nesërmes një  dokument që ta kenë të gjithë Shqiptarët për studim”, një dokument që ai do të pohonte se ia “nxjerrë kartat në shesh dhe ia parashtron haptas Gjyqit të Historisë”, ngjarjet e asaj periudhe.  Ndonse nuk e kam lexuar librin, duke vlerësuar nga këto të dhëna të paraqitura në Gazetën Telegraf, me librin e tij, autori Faik Quku zhdukë jo vetëm heshtjen por edhe shumë paragjykime dhe të pavërteta të promovuara nga disa pseudo historianë shqiptarë, mbi rolin dhe veprimtarinë e shumë…personaliteteve shqiptare, përfshirë Kol Bib Mirakën, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli, Kol Bib Mirakaj, Mosnjohja, Shpetimi i Hebrejve

LIRIA E FESË, PËRPARËSI E RËNDËSISHME E POLITIKËS SË JASHTME TË SHTETEVE TË BASHKUARA

October 27, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI- 27 Tetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Lirisë Fetare për vitin 2020. Ka mbetur vetëm një javë deri në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020 në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që vlen të theksohet se avancimi i lirive në përgjithësi dhe në veçanti i lirisë fetare, në nivel ndërkombëtar, duhet të jetë një prioritet mbi partiak.  Administrata e ardhëshme, cilado qoftë ajo, duhet të vazhdojë t’i japë përparësi lirisë fetare anë e mbanë botës. Status quo-ja për shumë komunitete fetare të pambrojtura, në të gjithë botën, është një krizë që nuk duhet të tolerohet, thekson në një deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare, Instituti (Amerikan) për Lirinë e Fesë.

Historikisht, megjithëse me disa ndryshime në politikën e tyre, përfshir sukseset dhe dështimet në mbrojtje të lirisë së fesë gjatë viteve e dekadave – administratat amerikane të njëpasnjëshme kanë  mbrojtur due kanë avancuar lirinë e fesë, si pjesë të pandarë të politikës së jashtme amerikane.

Edhe Administrata aktuale, nepërmjet një deklarate të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Michael Pompeo u angazhua dje se liria e fesë, “Do të mbetet gjithmonë -një përparësi thelbësore e politikës së jashtme të SHBA”.

“Njëzet e dy vjet më parë si sot, Shtetet e Bashkuara miratuan Aktin Ndërkombëtar të Lirisë Fetare të vitit 1998”, tha Kryediplomati amerikan në deklaratën e tij me këtë rast,  “Duke ripohuar angazhimin tonë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtën themelore të lirisë fetare për të gjithë njerëzit, kudo që ndodhen. Si pikënisje nga vizioni i themeluesve të Amerikës, qeveria jonë e kuptoi që një individ, pavarësisht nga feja apo bindjet e tij, duhet të jetë i lirë të organizojë jetën e tij, në përputhje me ndërgjegjen e tij.  Liria fetare dhe temat e tjera të dinjitetit njerëzor janë – dhe do të mbesin gjithmonë – një përparësi thelbësore e politikës së jashtme të SHBA-ve.”  

Në deklaratën e tij, Z. Pompeo përmend shkeljet aktuale sot të lirisë fetare në botë, duke venë në dukje, tre vende, dhunueset më të egera të lirisë fetare në botë, sipas tij –“Republika Popullore e Kinës, Irani dhe Korea e Veriut”, duke veçuar Kinën si dhunuesen më të egër të lirisë fetare, e cila thotë, Z. Pompeo,  “Ka kërkuar të zhdukë të gjitha format e fetare si dhe besimet që nuk përputhen me doktrinën e Partisë Komuniste Kineze”.

Lëvizjea globale për lirinë fetare është tani një realitet përfundon Z. Pompeo, “Një realitet plot diversitete rajonale, kulturore dhe politike – duke dëshmuar kështu për një të vërtetë universale, pa mëdyshje, se çdo person, kudo, ka të drejtë të besojë ose të mos besojë, të ndryshojë bindjet e besimit të tij, të deklarojë fenë e tij dhe ta përhapë atë ndër të tjerë.  Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Lirisë Fetare, Shtetet e Bashkuara janë krenare që promovojnë dhe mbrojnë lirinë fetare kudo, shkruan në deklaratën e tij kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Lirisë Fetare 2020, Kryediplomati amerikan, Michael Pompeo.

 Ndërsa në një deklaratë për median, Administratori në Detyrë i USAID-it, Z.  John Barsa  tha se “Qeveria e SHBA ka caktuar 27 Tetorin si Dita Ndërkombëtare e Lirisë Fetare në përkujtim të nënshkrimit historik të Aktit Ndërkombëtar të Lirisë Fetare (IRFA) në vitin 1998. Mbrojtja dhe promovimi i kësaj lirie themelore, në të gjithë botën, ka qenë parimi kryesor i diplomacisë amerikane dhe ndihmesës së jashtme, që prej atij viti.”  Drejtori në Detyrë i USAID-t tha se megjithëse është shënuar përparim, mbetet shumë për tu bërë në këtë fushë, pasi në dhjetë vjetët e fundit janë shënuar shkelje të rënda të lirisë fetare në një numër vendesh të botës dhe pothuaj kundër të gjitha feve, pa dallim.  Si përfundim, shtoi ai, “Presidenti Trump dhe Zevëndës presidenti Pence e kanë bërë përparimin dhe mbrojtjen e lirisë fetare në të gjithë botën, një përparësi të politikës së jashtme Amerikane.  Kjo është me të vërtetë liria e parë e Amerikës dhe USAID është krenar që luan një rol jetësor në ruajtjen e saj në të gjithë botën”, ka përfunduar Administratori në detyrë i USAID-it, Z. John Barsa.

Mbrojtja e lirisë  fetare në botë është mbrojtur gjithmonë nga Shtetet e Bashkuara, por është thekësuar më shumë sidomos që nga viti 1998 kur Presidenti demokrat Bill Klinton nënshkroi ligjin “International Religious Freedom Act” (IRFA) në vitin 1998.  Mbrojtjen e lirisë fetare në politikën e jashtme e vazhdoi edhe Presidenti republikan Xhorxh W Bush, duke u përqendruar në qeveritë që dhunonin këtë të drejtë dhe duke marrë masa për të përmirësuar gjendjen e lirisë fetare në ato vende.  Edhe Presidenti demokrat Barak Obama nënshkroi disa dispozita diplomatike për të bërë më të fortë ligjin e vitit 1998, të nënshkruar nga Presidenti Klinton.

Ndërkaq, Administrata Trump qershorin që kaloi nënshkroi në urdhër ekzekutiv për avancimin e Lirisë Fetare në nivel Ndërkombëtar, në të cilën është thenë se, “Liria fetare për të gjithë popujt anë e mbanë botës, është një përparësi e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara dhe se Shtetet e Bashkuara do të respektojnë dhe do të promovojnë lirinë fetare, me të gjitha mjetet që kanë në dispozicion.”

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë 2020, Instituti Amerikan për Lirinë e Fesë, mbështet promovimin e lirisë fetare nga administratat republikane dhe demokrate — tashti dhe në të ardhmen — duke thënë se, “Liria fetare në nivel ndërkombëtar duhet të jetë një përparësi për të dy partitë kryesore politike amerikane, jo vetëm për mbrojtjen e një numri të caktuar njerëzish që pësojnë persekutimin fetar sot, por edhe për stabilitetin e atyre shoqërive ku po ndodhin persekutimet, pasi promovimi i lirisë  fetare është gjithashtu edhe në favor të sigurisë kombëtare të SHBA-ve.

Filed Under: Analiza Tagged With: amerikane, Frank shkreli, Liria e Fese, Perparsi, Politika e Jshtme

“BANALITETI I SË KEQES”, NUK KA TË NDALUR SHQIPËRI

October 21, 2020 by dgreca

 Nga Frank Shkreli-

Të marten në Tiranë gjëndej për vizitë Ministri i jashtëm grek, Z. Nikos Dendias për takime me udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe qeverisë shqiptare.  Ndër të tjerë, Kryediplomati grek pati takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama, të pasuar me një konferencë për mediat nga zyrtarët e lartë të dy vendeve fqinje. 

Kryeministri i Shqipërisë, Z. Rama e ka zakon, që në raste të tilla publike të komunikojë, jo vetëm, nepërmjet fjalëve e deklaratave, por përdor edhe simbole, sipas nevojës dhe rrethanave.  Disa javë më parë, ai deklaroi nga foltorja e parlamentit të Shqipërisë se “komunizmi dhe komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, një deklaratë kjo që u pasua, 2-3 javë më vonë, me një deklaratë tjetër, në të njëjtën frymë dhe domethënje, në mbrojtje të komunizmit nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z, Gramoz Ruçi, i cili tha me krenari se, “Jemi ndarë komunistë dhe ballistë, që në vitin 1944…”

Unë jetoj dhe kam punuar në Shtetet e Bashkuara Amerikës për 50-vjet dhe falënderës Zotit nuk kam asgjë të përbashkët me ballistët, e me komunistët, jo se jo. Prandaj nuk dëshiroj t’i futem ndonjë debati  për të mbrojtur njërin as tjetrin, por si shqiptaro-amerikan më shqetësojnë prirjet e kohëve të fundit, të udhëheqësve më të lartë aktualë të Shqipërisë, ndërsa mbrojnë një ndër periudhat më të zeza të historisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve – komunizmin sllavo-aziatik — madje edhe 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar.  

Sipas fotografive dhe disa portaleve në takimin me Ministrin e Jashtëm grek, Kryeministri i Shqipërisë, kësaj radhe, nuk bëri ndonjë deklaratë në mbështetje të komunizmit enverist, por dërgoi një mesazh të qartë, realisht dhe simbolikisht — me veshjen e tij — me një kollare pra, me flamurin kuqezi — simbolin më të shenjtë dhe përbashkues të të gjithë shqiptarëve pa dallim — dhe shqiponjën dykrenore, të përdhosur me yllin komunist, simbol i një ideologjie të dështuar e kriminale sllavo-aziatike, të hedhur tanimë në koshin e plehrave të historisë — siç thonte dikur ish-presidenti i Amerikës, Ronald Reagan — nga mbarë bota e qytetëruar, por, siç duket, jo nga Kryeministri i Shqipërisë dhe nga Kryetari i Kuvendit të atij vendi.  Kishim menduar dhe shpresuar se ky yll  –që nuk shëndriti kurrë për askënd dhe të cilit ia pau sherrin mbarë bota për krimet që u bënë në emër të tij, e sidomos Shqipëria dhe shqiptarët — ishte shlyer njëherë e mirë nga simbolet kombëtare të shqiptarëve.  

Por, jo, paskemi qenë gabim dhe vazhdojmë të jemi gabim. Banaliteti i së keqës së komunizmit shqiptar vazhdon, me shfaqjen zyrtare të mjeteve, deklaratave dhe simboleve të tjera nostalgjike të komunizmit.  “Banaliteti i së keqës…” dhe “Banaliteti burokratik…” do t’a quante, Hannah Arendt,  ndoshta filozofja më me influencë dhe ndër shkrimtarët më të njohur të shekullit të kaluar, edhe sot në 45-vjetorin e vdekjes së saj – 30-vjet pas shembjes së komunizmit zrytar  në Shqipëri.  

Kështu e ka përcaktuar Hannah Arendt bashkpunimin e kategorisë së këtyre njerzëve duke përshkruar të keqën e nazizmit dhe të komunizmit, në periudhën e jetës dhe veprimtarisë së saj:  “Subjekti ideal i sundimit totalitar nuk është nazisti i bindur ose komunisti i bindur, por njerëzit për të cilët dallimi midis faktit dhe trillimit, dhe dallimi midis të vërtetës dhe gnjeshtrës, nuk ekzistojnë më.” (Hannah Arendt, Origjinat e Totalitarizmit).

Më habit tepër fakti se pse përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë nuk reagojnë ndaj këtyre dukurive dhe prirjeje, por edhe deklaratave publike, pro-komuniste të autoriteteve më të larta të Shqipërisë, një vend që gjithnjë pretendon se dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. 

Të nderuar ambasadorë, duhet të jeni të sinqertë me shqiptarët: me Enver Hoxhën dhe me nostlagji për komunizëm, sidomos të atij të llojit enverist, nuk shkohet në Evropë!  Ambasadori i nderuar i Gjermanisë në Tiranë, Z. Peter Zingraf, paralajmëroi sot nga Shkodra se, “Shqipëria ka shumë për të bërë…”.  Një ndër ato kushte që duhej të plotësonte Shqipëria është përballimi i saj — i udhëhequr, zyrtarisht, nga qeveria dhe entet shtetërore, përfshir parlamentin – me të kaluarën e saj komuniste dhe me krimet e regjimit të Enver Hoxhës.  Është kjo një kërkesë kjo në përputhje të plotë dhe të domosdoshme me vendimet që kanë marrë, vite më parë, shumë prej vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe në NATO, përfshir Gjermaninë, e cila është shembull i përballjes së saj me nazizmin dhe me komunizmin.  

Thuhet se diplomatët ndërkombtarë të perëndimit në Tiranë nuk reagojnë ndaj këtyre dukurive në Shqipëri sepse janë të interesuar më shumë në stabilitetin e vendit se sa në zhvillimin e një demokracie të vërtetë.  Hannah Arendt do të këshillonte se edhe, “Hitleri e Stalini i mbajtën premtimet për stabilitet, për të fshehur qëllimin e tyre të vërtetë, për të krijuar një gjëndje paqëndrueshmërie të përhershme.”  Për 30-vjet tani, ju flisni dhe shpenzoni fonde për vendosjen e drejtësisë në atë vend. Për çfarë drejtësie e kini fjalën, kur Kryeministri i vendit marshon para kamerave të televizionit me kollare kuqezi me yll të kuq në qafë, simboli i regjimit më të pa drejtë e kriminel komunist në Evropë.  Të nderuar diplomatë perëndimorë!  Nëqoftse vazhdoni me heshtjen tuaj ndaj këtyre dukurive pro-komuniste në Shqipëri — ndaj këtyre prirjeve nostalgjike komuniste të autoriteteve shqiptare – atëherë ju ia kini arritur qëllimit drejt krijimit të një paqëndrueshmërie politike të përhershme në Shqipëri dhe jo objektivit të përfolur për forcimin e një demokracie perëndimore, ashtu siç e gëzoni ju në vendet tuaja. Me ndihmën tuaj, të na rrojë, jo vetëm i ashtuquajturi “stabilitet” por dhe përjetësimi i frymës komuniste në Shqipëri! U lumtë! Efkaristo dhe ejvalla, u qoftë të gjithëve!

Frank Shkreli

Image may contain: one or more people

Nga takimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama me Ministrin e Jashtëm grek, Z. Dendias të marten në Tiranë, 20 tetor, 2020 – Vini re yllin e kuq në kollaren kuqezi të Z. Rama, me shqiponjën dy krenore të Gjergj Kastriotit – Skenderbe, të njollusor me yllin komunist sllavo-aziatik) të Kryeministrit shqiptar.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Ministri i Jashtem grek, Nikos Dendias

SHQIPTARËT KANË NEVOJË PËR PAJTIM KOMBËTAR!….

October 19, 2020 by dgreca

-“TURPI NË RADHËT E TË PATURPSHËMVE-

 -Një libër i ri në anglisht dhe reagimi i Profesor Sami Repishtit ndaj Kryeministrit Rama-

Shkruan: Frank Shkreli-

“Sa për komunizmin, ballist, unë nuk kam asnjë lidhje emocionale ose intelektuale me të, im atë po, ka qenë komunist si shumë të tjerë, dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë…”. Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama në parlament, 30 korrik, 2020.

“Jemi ndarë komunistë e ballistë, që në vitin 1944…” dhe shton, “Është shekulli i mendjes dhe jo i forcës, se po të ishte e tillë…”, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Gramoz Ruçi, 24 Shtator, 2020.

Nga ana e tij, deputeti i Ballit Z. Adriatik Alimadhi bllokon foltoren e Kuvendit dhe shanë, Z. Gramoz Ruçin, “komunist i ndyrë”, 24 Shtator, 2020.

Kur njeriu dëgjon deklarata të tilla nga udhëheqsit më të lartë të Republikës së Shqipërisë – Kryeministrit të vendit, Kryetarit të Parlamentit dhe një interlokutori të ashtuquajturës opozitë – të një Shqipërie 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar, vend anëtar i NATO-s, aleancë ushtarake që për një gjysëm shekulli mbrojti lirinë dhe demokracinë perëndimore nga hordhitë komuniste sllavo-aziatike dhe të një Shqipërie të shekullit XXI, që të pakën me fjalë aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian – lind pyetja: quo vadis Shqipëri? Kush janë këta njerëz dhe në cilin vend tjetër evropian do të toleroheshin deklarata të tilla në mbështetje të një ideologjie sllavo-aziatike – jo nga ndonjë pseudo-historian nostlagjik i komunizmit – por nga foltorja e parlamentit të një vendi anëtar i NATO-s? 

Këto deklarata janë provokime të rënda ndaj një përqindjeje të madhe të shqiptarëve dhe familjeve të tyre, që për pothuaj 50-vjet kanë vuajtur dhe vuajnë gjithnjë pasojat e tmershme të komunizmit.  Me të thënë të drejtën nuk kisha në plan ta prekja prap këtë subjekt, pasi jam lodhur me nostalgjikët e komunizmit në nivelet më të larta politike të Tiranës, si dhe në radhët e akademikëve, gazetarëve, opinionistëve dhe publicistëve shqiptarë, të të gjitha ngjyrave, të cilët po helmojnë brezin e ri të shqiptarëve.  Por gjithnjë nuk mund të heshtë dhe detyrohem të pyes veten, në cilin vend tjetër ish-komunist të Evropës së NATO-s dhe të Bashkimit Evropian do të toleroheshin deklarata të tilla nga zyrtarët më të lartë të qeverisë e të shtetit nga tempulli i gjoja “demokracisë” shqiptare?

Kam në dorë një libër të posa botuar në anglisht këtu në Shtetet e Bashkuara, titulluar, “Shame Among the Shameless”, ose (“Turpi në Radhët e të Paturpshëmve”, nga autorja e re shqiptaro-amerikane, Monika Koleci.  Në këtë libër, ajo përshkruan historinë tronditëse të zemrës së një familje me nëntë anëtarë nga fshati Fishtë në rrethin e Lezhës në Shqipëri– të familjes së saj të gjerë pra — të cilët u persekutuan ashpër pasi i rezistuan regjimit komunist në fillimet e tij.  Protagonisti kryesor, Vasa, djali i madh i çiftit Toma dhe Lina, pasi mori vesh se regjimi komunist i kishte burgosur prindërit e tij, ai la ushtrinë dhe u bashkua me çetat antikomuniste që vepronin brenda vendit për të rrëxuar regjimin komunist.  Veprimet e tij përshkruhen si heroike, por tepër të dëmshme për familjen e tij, veçanërisht për vëllain e tij Lukën, i cili është torturuar për disa muaj nga regjimi komunist dhe më pas kaloi disa vite në një kamp përqendrimi. Pjesa tjetër e vëllezërve dhe motrave të tij, sipas librit, u dërguan në një kamp internimi.  Gjatë gjithë kësaj kohe, motra e madhe, Çilja, bëri të pamundurën për të mbajtur familjen Koleci, së bashku.  Askush në familje nuk është kursyer nga vuajtjet, sipas tregimit në librin në fjalë.  Etja e antarëve të kësaj familjeje për liri u ndesh me shtypje, tortura, madje edhe vdekje. Vuajtja dhe turpërimi i pamerituar me të cilin janë përballur anëtarët e familjes Koleci, pasqyrojnë vështirësitë e të gjithë shqiptarëve që në atë kohë nuk u pajtuan me atë regjim due të cilët guxuan të ndërmerrnin veprime kundër regjimit komunist shqiptar, në emër të lirisë, demokracisë dhe në mbrojtje të vlerave perëndimore.

Një prej këtyre shqiptarëve që e ka pësuar rendë mos pajtimin e tij me regjimin komunist të Enver Hoxhës është edhe miku dhe kolegu im i dashur Profesor Sami Repishti – njëri prej figurave më të njohura të botës shqiptare, brenda dhe jashtë trojeve tona si dhe në diasporën e pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot – i cili gjithnjë me shkrimet e tija ende nuk pushon të dëshmojë ferrin e komunizmit shqiptar, bazuar në përvojën dhe vuajtjet e tija personale në burgjet e Enver Hoxhës.

Në një shkrim të ditëve të fundit, duke reaguar ndaj deklaratës së Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Rama në parlament, se “Komunizmi dhe komunistët ishin në anën e e duhur të historisë”,  Profesor Repishti, në analizën e tij me titull: “Ju lutemi, mos lëndoni plagët tona të hapuna!”, Profesori i nderuar shqiptaro-amerikan rrjeshton disa fakte se pse komunistët dhe komunizmi, në të vërtetë, nuk kanë qenë kurrë në anën e duhur të historisë, siç pretendon Kryeministri Rama.

Në analizën e botuar në potalin e gazetës Dielli të Vatrës në Nju Jork, https://gazetadielli.com/sami-repishti-ju-lutemi-mos-lendoni-plaget-tona-te-hapuna/, Profesor Repishti shkruan se e kundërta është e vërtetë.  Si viktimë e komunizmit të Enver Hoxhës, Profesor Repishti shkruan se komunistët shqiptarë kanë qenë pjesa më fatkeqe e vendit, trashëgimtarë të krimeve dhe dhunës së pashoqe në Shqipëri.  Prof. Repishti përmend me data disa prej ngjarjeve dhe veprimet fatzeza të udhëhequra nga komunistët gjatë dekadave ndaj kundërshtarëve të tyre, e që sipas tij, kanë sjellë tragjedinë shoqërore dhe izolimin e Shqipërisë, pasojat e të cilës ndihen edhe sot.  Dhe me të drejtë, Profesori ynë i nderuar, i kujton Kryeministrit Rama dhe të gjithë atyre që mendojnë si ai, ndryshimin thelbësor midis komunistëve që morën pushtetin me dhunë në vitin 1944 dhe ngjarjeve të vitit 1990 që sollën rrëximin e sistemit zyrtar komunist në Shqipëri:  “Për fatin e madh të popullit tonë, (me 1990) rrugët e sheshet e Shqipërisë nuk u mbuluen me gjak, ashtu siç ngjau me 28 nandor 1944…Na nuk kërkuem varjen në litar të Byrosë Politike”, shkruan Profesor Sami Repishti.

Ky pra është ndryshimi midis komunizmit dhe komunistëve në Shqipëri dhe brezit të shqiptarëve, kundërshtarë të komunizmit, denjësisht të përfaqësuar sot nga Profesor Sami Repishti.  Megjithë vuajtjet e tyre dhe krimet ndaj familjeve të pafajshme shqiptare, siç ishte edhe familja Koleci, vuajtjet dhe mundimet e të cilës pasqyrohen në librin e lartë përmendur, “Turpi në Radhët e të Paturpshëmve”, (Shame Among the Shameless”, të posa botuar në anglisht këtu në Shtetet e Bashkuara – ish-të-përndjekurit e regjimit enverist – megjithë humbjet e tyre të mëdha —  kurrë nuk kanë kërkuar as nuk kërkojnë hakmarrje, por vetëm pajtim kanë kërkuar dhe kërkojnë për shoqërinë shqiptare, sidomos, nga udhëheqsit më të lartë të vendit. Ata presin pajtim kombëtar midis brezave të shqiptarëve –pa dallim ideologjie, feje a krahine — në radhë të parë nga përfaqsuesit e tyre politikë, pasi ata janë përgjegjës për të siguruar unitetin e popullit dhe të kombit, pa dallime.    

Në shkrimin e tij, Profesor Repishti i lutet Kryeministrit Rama, por edhe të tjerëve, në  emër të viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës, që me deklaratat e tyre të papërgjegjshme, “të mos lëndohen plagët tona të hapuna” dhe u kërkon atyre që “Mos harroni se nji kalvar i vërtetë 45-vjeçar ashtë përjetue nga nji popullsi disamilionëshe nën tiraninë e murtajës komuniste.  Mijëra të pushkatuem pa faj, të arrestuem, të torturuem, të gjykuem e të burgosun pa faj, të shpronësuem pa të drejtë, me plotësue dëshirat satanike të udhëheqësve injorantë e maniakë komunistë, ose me plotësue forcën punëtore të nevojitun për projektet e çmenduna”, i kujton ai Kryeministrit.

Më në fund, Profesor Repishti u kujton autoriteteve “ma të nalta që qeverisin vendin tonë”, se në vend të justifikimeve the lavdërimeve të komunizmit — e si përfundim edhe të krimeve të atij sistemi gjakatar — të pakën të ofrojnë “nji fjalë ngushëllimi, nji përkëdhelje për fëmijët pa prindë, për të vejat pa burrë, për prindët pa djalin e pa vajzën, të zhdukun në qelitë e errëta mesjetare të Sigurimit kriminel… e kampe përqendrimi”, shkruan Prof. Repishti dhe përfundon duke kujtuar kalvarin e familjes sës vet:  “Mijëra të tjerë si unë kemi zemrën e thyeme pa shërim! Babai, viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë, viktimë e terrorit nazist; nana, motra e vëllau minorenë, víktima të regjimit komunist të internuem në Berat e Tepelenë…aty ku motra ime 14-vjeçare u detyrue me tërheqë karrocën e bukës për policët në tatëpjetat e rrugës…në vend të kalit.  Unë i arrestuem, i torturuem e i burgosun për dhjetë vjet të gjata sepse deklarova besnikërinë time për demokracinë liberale perëndimore; shtëpinë e zanun nga të huejt … e të tjera! Dëshiroj të veçoj nji rast: ditën e “lirimit” nga burgu, në mbramje, nana plakë, e shqetësueme, më tha: Nuk kemi të holla me ble bukën! Ishte dita e ime e parë në “liri”, përfundon shkrimin e tij Profesor Sami Repishti, në përgjigje të deklaratës së kohëve të fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama se, “Komunizmi dhe komunistët ishin në anën e duhur të historisë.”

Të nderuar udhëheqës të Shqipërisë.  Dëgjoni të urtin Profesor Sami Repishtin i cili ka kaluar 10-vjetë në qelitë e errëta të torturës së regjimit komunist në Shqipëri due gjamën e mijëra viktimave të komunizmit në Shqipëri, para se të bëni deklarata të tilla të papërgjegjëshme dhe të pahijshme për autoritetet e një vendi anëtar të Aleancës së NATO-s. Shprehje të tilla nuk u nderojnë ju para popullit tuaj  dhe Shqipërinë e shekullit XXI, jo se jo, para botës! Tri dekada pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri, Më në fund, Kombi shqiptar ka nevojë për një ballafaqim të sinqert me të kaluarën komuniste, ka nevojë për të vërtetën historike dhe, përfundimisht, vendit i nevojitet pajtimi kombëtar midis shqiptarëve. Mjaft me deklarata që nxisin urrejtje midis shqiptarëve!

Frank Shkreli 

*1.          2*.   

1*Vetëm një prej librave të Profesor Sami Repishtit, me tregime nga burgu, kushtuar, “Grues shqiptare, fisnikërisë së kryqëzueme pa faj! Bashkshorteve, nanave, bijave dhe motrave tona, vuejtjet dhe përkrahja e të cilave i dhanë lëvizjes demokratike shqiptare përmasën e saj ma njerëzore”. Sami Repishti

*2. Libri I autores së re shqiptaro-amerikane, Monika Koleci, “Turpi në Radhët e të Paturpshëmve” (Shame among the Shameless”, kushtuar të parëve të saj, familjes së saj të madhe, gjyshëve, gjysheve dhe stërgjyshëve/eve, të ciclët vuajtën aq shumë nën regjimin komunist, por që sipas saj, me këtë libër, të pakën, vuajtjet e të parëve të saj nuk do të harrohen kurrrë.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT