• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË GJITHË PËR KONGRESMENIN ELIOT ENGEL!

June 21, 2020 by dgreca

-Kundërshtari i tij është afrikano -amerikani  44-vjeçar,  Jamaal Bowman,  një drejtor shkolle të mesme, i cili ka siguruar mbështetjen e krahut të majtë  ekstrem të Partisë Demokrate, përfshirë Senatorin Bernie Sanders, Senatores Elizabeth Warren, kongresmenes Alexandra Ocasio-Cortez dhe të tjerë,  madje ai ka siguruar  edhe mbështetjen e gazetës së madhe të Nju Jorkut, “The New York Times”./

Mik u mirë njihet në ditë të vështirë/

Shkruan: Frank Shkreli/*

Thonë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë.  Në ditët më të vështira, Kongresmeni demokrat nga Nju Jorku, Z. Eliot Engel,  ka qenë dhe vazhdon të jetë mik shumë i mirë i shqiptarëve për një kohë të gjatë.  Për aq gjatë, në të vërtetë,  sa shpeshëherë e pyes veten, se si nuk u lodh ky ligjvënës amerikan me ne  dhe me gomarllëqet tona shqiptare, me konflikte politike midis partive dhe udhëheqësve të këtyre partive shqiptare, me korrupsionin, me shkeljet e lirive bazë të njeriut, përfshirë  lirinë e medias, dështimit të ndërtimit  të një shteti ligjor, dhe të tjera halle që, kryesisht, shqiptarët po ia shkaktojnë vetvetes këta  30-vjetët e kaluara.  Lista është shumë e gjatë e problemeve që po pengojnë seriozisht  shtet-formimin, duke detyruar shqiptarët të largohen masivisht nga trojet e veta, si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria.  Kurdoherë që politikanët  shqiptarë  vizitojnë  Washingtonin, nuk largohen kurrë pa u ndaluar tek miku i shqiptarëve,  Kongresmeni  Eliot Engel, për t’u konsultuar me të dhe për të marrë edhe fotografi, pasi ata janë të vetëdijshëm për popullaritetin  e Z. Eliot Engel  në radhët e shqiptarëve, anë e mbanë trojeve tona, si njëri prej mbështetësve më të vendosur dhe parimorë, që kemi pasur ndonjëherë në Washington. Po, po, kemi pasur edhe mbështetës të tjerë të njohur të politikës amerikane,  nga presidentë  e senatorë e deri tek kongresmenë gjatë viteve, kontributin e të cilëve për të drejtat e shqiptarëve,  kur shqiptarët ishin në orën më të zezë të historisë së tyre, unë dhe të tjerë, jemi përpjekur  t’a vemë në dukje, nga koha në kohë.  Shumë prej tyre janë larguar nga politika për  arsye moshe, disa kanë ndërruar jetë, e disa të tjerë  kanë humbur  interesin e tyre të dikurshëm  për çështjet  shqiptare, qoftë për mungesë të aktivizimit  të komunitetit  shqiptaro-amerikan, qoftë se pse ndoshta konsiderojnë se Shqipëria, është e lirë nga komunizmi dhe Kosova është çliruar nga okupimi serb dhe sot gëzon pavarësinë dhe si përfundim,  nuk kanë më nevojë për një angazhim si dikur.  Por, mund të them me bindje të thellë, se si asnjë tjetër politikan amerikan,  megjithë qëllimet e mira të tyre dhe punës së tyre të mirë në favor të shqiptarëve gjatë viteve,  nuk ishte si Kongresmeni Eliot Engel,  i cili e ka trajtuar çështjen shqiptare me seriozitetin  më të madh, si një kauzë morale, politike, kombëtare dhe ndërkombëtare  të tijën , si një çështje e dinjitetit njerëzor. Për më tepër, Eliot Engel,  njëri prej demokratëve më të fuqishëm në Kongresin e Shteteve të Bashkuara,  mbetet sot pothuaj i vetmi ligjvënës  amerikan,  si njohës i mirë i problemeve shqiptare në Ballkan dhe mbështetës i vendosur  i interesave kombëtare shqiptare,  në pozitën e tij të lartë si Kryetar  i Komisionit të fuqishëm të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme.  Në këtë kapacitet, ai vazhdon të jetë i angazhuar me punët shqiptare dhe nuk demoralizohet nga politikat dhe të bëmat dhe të pa bërat e kësaj klase politike shqiptare të dështuar, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, por mbetet  gjithnjë optimist, për një të ardhme më të ndritur për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.Në këto kohë të turbullta kombëtare dhe ndërkombëtare, Eliot Engel ka thënë se “Shtetet e Bashkuara janë më të forta në skenën globale, kur ne zhvillojmë një politikë të jashtme të rrënjosur në vlerat thelbësore amerikane – në mbështetjen për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.”  Një kampion i vërtetë i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, Eliot Engel ka qëndruar dhe vazhdon të jetë pranë shqiptarëve kudo dhe gjithmonë, bazuar në këto parime të politikës së jashtme amerikane. Por, sot, Kongresmeni Eliot Engel, ka nevojë më shumë se kurrë, për mbështejen e miqëve të tij shqiptarë-amerikanë,  sidomos të atyre  shqiptarëve që jetojnë e punojnë dhe që kanë të drejtë vote si anëtarë të Partisë Demokrate në zgjedhjet paraprake në distriktin e tij elektoral, më 23 qershor 2020.  Z. Engel  ka nevojë urgjente për  votën e secilit shqiptar  e shqiptare me të drejtë vote në distriktin electoral, për anëtar Kongresi.  Kurrë mos mendoni se vota jote është vetëm një votë dhe si e tillë nuk ka rëndësi.  Sot miku ynë i madh, Eliot Engel, gjendet  përballë  një dite të vështirë në jetën e tij politike dhe ka nevojë  për ne, si individë dhe si komunitet shqiptar -amerikan, sepse ia kemi borxh, për të gjitha ato që ka bërë për ne, gjatë 30-viteve të tij në Kongresin e Shteteve të Bashkua dhe jashtë tij!

Ka ardhur koha që shqiptarët t’i gjenden pranë dhe të ndihmojnë mikun e tyre Eliot Engel-in, në ditën e tij të vështirë.  Me 23 qershor, mbahen votimet paraprake për të zgjedhur kanditatin e Partisë  Demokrate për Kongres, i cili do të përballet me kandidatin republican, në nëntor.  Kandidati demokrat që do zgjidhet këtë të martë, qoftë Z. Engel, qoftë kundërshtari i tij demokrat do jetë i sigurt, se do fitojë zgjedhjet e nëntorit,  kundër kandidatit republikan,  pasi ky distrikt zgjedhor  banohet me një  përqindje dërmuese demokratësh.  Kështuqë, votimet ditën e martë janë  kritike për  Z. Engel.  Analistët thonë,  se për herë të parë në 30-vjet, (Kongresmeni Engel është zgjedhur  në Kongres për herë të pare, në vitin 1989),  Z. Engel gjendet  përballë sfiduesit më  serioz të karierës  së tij politike nga radhët e Partisë Demokrate.  Kundërshtari i tij është afrikano -amerikani  44-vjeçar,  Jamaal Bowman,  një drejtor shkolle të mesme, i cili ka siguruar mbështetjen e krahut të majtë  ekstrem të Partisë Demokrate, përfshirë Senatorin Bernie Sanders, Senatores Elizabeth Warren, kongresmenes Alexandra Ocasio-Cortez dhe të tjerë,  madje ai ka siguruar  edhe mbështetjen e gazetës së madhe të Nju Jorkut, “The New York Times”.  Mbështetjen  për  Kongresmenin  Eliot Engel, lajmeve të fundit, e kanë shpallur tanimë, ish-senatorja dhe ish-kandidatja për president, Hillary Clinton, Senatori aktual demokrat i Neë Yorkut, Chuck Schumer dhe të tjerë.  Sipas një sondazhi  të ditëve të fundit, kundërshtari i Z.Engel,  udhëheq  tani për tani, me 10 për qind (41-31) ndërsa,  27 për qind e votuesve, mbeten ende të pavendosur se për cilin kandidat do të votojnë të martën më 23 qershor.Shqiptaro-amerikanët  me të drejtë vote, që jetojnë e punojnë në këtë distrikt elektroal,  mund të bëjnë ndryshimin e këtyre numrave, me qëllim që të sjellin Kongresistin  Eliot Engel, edhe për një mandat tjetër  në  Kongresin e Shteteteve të Bashkuara.  Shqiptarët, kudo qofshin kanë ende nevojë për angazhimin e tij të mëtejshëm me çeshtjet dhe kauzat tona, të cilat ai i ka promovuar dhe i ka mbështetur si asnjë tjetër ligjvënës në Ëashington.  Duhet të jemi të vetëdijshëm se nëqoftëse humb Kongresisti Engel në këto zgjedhje, shqiptarët do të humbasin shumë si komunitet këtu në Amerikë, por do ta pësojnë keq, edhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në përgjithësi, marrëdhëniet me Shqipërinë dhe me Kosovën në veçanti.  Nuk do të ketë më një zë në  Kongresin amerikan që t’i thotë kësaj administrate, ose një tjetre nesër,  ndal! kur punët nuk shkojnë në interes të shqiptarëve!  Jam i sigurt, se Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,  nuk ua “ndinë” kjo situatë,  për të përdorur një shprehje popullore, sepse janë të “nxanë” me punë shumë më me rëndësi:  për karrige e pushtet për vete dhe për partitë e tyre.  Më kujtohet kur isha Drejtor i NACC-ut në vitin 2005, grupi i çështjeve  shqiptare  në Kongres, themeluar nga Eliot Engel, me kolegë të tij, kishte më shumë se dy dyzina anëtarë, gjysma republikanë, gjysma demokratë dhe shumë mbështetës  të  tjerë. Sot, edhe nëqoftëse ekziston ky grup, ekziston si emër, vetëm sa për sy e faqe. Me humbjen e mundëshme të Z. Engel,  “larg o Zot!” – thoni lamtumirë  grupit të çështjeve shqiptare, sado i vogël dhe i pa influencë që të jetë aktualisht.  Lutemi që Z. Engel të fitojë edhe në këto zgjedhje, se përndryshe, shqiptarëve u humb zëri i fundit me rëndësi në Ëashington.  Duke votuar Kongresmenin Eliot Engel,  ju, jo vetëm votoni për të dërguar në Ëashington  edhe për një mandat tjetër një mbështetës  të sprovuar  të çështjeve shqiptare dhe një mbështetës  i fortë i  komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe për të ndaluar shkuarjen në Kongres, të një ultra majtisti socialist, i tipit të Senatorit Sanders,  sepse kush fiton të martën në atë distrikt zgjedhor,  fiton edhe zgjedhjet e përgjithshme  në nëntor, pasi ajo zonë është me shumicë dërmuese demokrate.

Fotot më poshtë janë nga udhëtimi i një delegacioni të Këshillit  Kombëtar  Shqiptaro-Amerikan KKSHA) në trojet shqiptare, nga data 2 deri 10 Korrik, 2005, (kur autori ishte Drejtor i (KKSHA) – me Kongresistin Eliot Engel,  dhe me disa anëtarë  të bordit  të  KKSHA-s, përfshirë aktivistët e njohur  të komunitetit  dhe të çështjeve kombëtare, Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj,  si dhe disa përfaqësues  të komunitetit shqiptaro-amerikan nga  Nju Jorku dhe Detroiti.  Unë jam dëshmitar i shumë veprave madhore të Z. Engel  në favor të shqiptarëve, por kjo vizitë në trojet shqiptare,  është vetëm një shembull i angazhimit  të pa kursyer të  Z. Eliot Engel, për çështjet  shqiptare,  në përgjithësi, atëherë dhe sot.  Ky pra është momenti për të treguar se komuniteti shqiptaro-amerikan,  është mirënjohës dhe i denjë i kësaj mbështetjeje  prej tri dekadash, për çështjet shqiptare, duke dalë masivisht në votime, për të hedhur votën në favor të kandidaturës së  Z. Eliot Engel, në zgjedhjet e ditës së martë, edhe për një mandat tjetër.  Gjëja më e vogël që mund të bëjnë shqiptarët në distriktin e tij elektoral, për t’i thënë, “Thank You, Congressman Engel”, për të gjithë ndihmën dhe kujdesin që kini treguar për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe për shqiptarët në përgjithësi, gjatë tre dekadave të kaluara, është që të dilni e të votoni për Kongresistin Eliot Engel,  ditën e martë më 23 qershor – njërin prej 10 demokratëve  më  efektivë në  Kongresin  amerikan, sipas  universitetit  Virxhinia dhe universitetit  Vanderbilt.

Mos ta presim në besë mikun tonë të madh, në këtë ditë të vështirë për të, kur ka nevojë për ne.

*Ish Drejtor i VOAs për Euro Azinë

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, per Eliot Engel, te gjithe

THEMELOHET E PARA KATEDËR ALBANOLOGJIKE NË SHBA

June 20, 2020 by dgreca

HISTORIKE-THEMELOHET E PARA KATEDËR ALBANOLOGJIKE NË SHBA/

Shkruan: Frank Shkreli*/

Hapja e një Katedre për studime shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë një ëndërr e kahmotëshme në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe përflitej shpesh, sidomos në qarqet intelektuale të komunitetit, si një dëshirë e parealizuar, nga akademikët e njohur të këtij komuniteti, si Prof. Arshi Pipa, Prof. Stavro Skendi, Prof. Nick Pano, Prof. Sami Repishti, e shumë të tjerë.
Kjo nismë është me të vërtetë një moment i rëndësishëm në historinë e studimeve shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe i shumëpritur nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Ajo që nuk u arrit dot për më shumë se një shekull, aq sa është edhe historia e shqiptarëve në Amerikë, më në fund u bë realitet këtë vit. Në Universitetin DePaul të qytetit Çikago të shtetit Illinois, njëri ndër universitetet më të njohur amerikanë dhe universiteti më i vjetër katolik në Shtetet e Bashkuara, është themeluar Katedra për Albanologjinë për Studime Shqiptare, – “Katedra e re e Albanologjisë, Hidai Bregu në Universitetin DePaul”.
Katedra e parë e Albanologjisë në Amerikë është hapur falë një donacioni nga filantropi shqiptaro-amerikan, Z. Hidai Eddie Bregu, ndërsa Drejtori i parë i kësaj Katedre albanologjike në Universitetin DePaul, është emëruar Profesori Gazmend Kapllani, duke e bërë kështu këtë universitet, të parin në historinë e universiteteve amerikane, që i lartëson studimet shqiptare në nivel katedre dhe Profesorin Kapllani si drejtorin e parë të saj. Natyrisht, se merita e madhe i takon filantropit dhe patriotit të shquar shqiptaro-amerikan, Z. Hidai Eddie Bregu për fondet që ka dhuruar për themelimin e Katedrës Albanologjike. Profesor Kapllani, e ka cilësuar Z. Bregu një, “Njeri me një vizion të jashtëzakonshëm. Sa patriot aq edhe i lidhur me rrymat më bashkëkohore, aq edhe mendjehapur, aq edhe i lidhur me bashkësitë e ndryshme në Amerikë. Pra, për mua është model i patriotit bashkëkohor”, -ka vlerësuar Z. Kapllani, duke shtuar se, “ai vetë, ishte i nderuar të shërbejë si drejtori i parë i Katedrës,” dhe shtoi se, “do bëj ç’është e mundur që t’i shërbejë dhe ta nderojë emrin dhe vizionin Z. Bregu.”
Në një komunikim elektronik me mua, Drejtori i ri i Katedrës në Universitetin DePaul, Prof. Gazmend Kapllani u shpreh, për këtë artikull, se për momentin ai ka përqëndruar përpjekjet dhe planet e tij fillestare, që siç u shpreh ai, “Ta bëjmë Katedrën e Albanologjisë në DePaul, një pikë-takimi të akademikëve, artistëve dhe intelektualëve shqiptarë, që do sjellin mendimin krijues dhe do nxisin debate të frytshme mbi temat Shqiptare. Për këtë arsye vazhdojmë edhe këto kohë të pandemisë, eventet tona publike. Të shtunën do shfaqim, -tha ai,- “online, filmin “ZANA”, që do shoqërohet me një diskutim me regjisoren e filmit Antoneta Kastrati, dhe drejtoren e fotografisë, Sevdije Kastrati. “Zana” është emëruar si filmi pjesëmarrës i Kosovës në Oscar. Është një film i jashtëzakonshëm”, -shtoi Profesor Kapllani.
Në të njëjtin komunikim, Dr. Kapllani njofton gjithashtu, se në universitetin DePaul, është krijuar tashmë Aleanca Kulturore Shqiptaro-Amerikane, (Albanian American Cultural Alliance), themeluar dhe përberë nga studentë dhe të rinj nga DePaul dhe universitete të tjera. Një nga Projektet që kemi nisur të punojmë quhet “Speak Memory”. Projekti ka si synim të mbledhë historitë personale të Shqiptaro-Amerikanëve, fillimisht, në Çikago dhe mandej në gjithë Amerikën, gradualisht”. Sipas Prof. Kapllanit, ky është një projekt afatgjatë, synimi i të cilit është: “Krijimi i një Arkivi të Kujtesës së Komunitetit, (historitë do regjistrohen dhe do ruhen në Librarinë e Universitetit DePaul, bashkë me dëshmi të tjera që mund të na ofrojnë të intervistuarit, si kopje fotografish, ditare, karta postale, që lidhen me historinë e tyre personale dhe të komunitetit Shqiptaro-Amerikan). Sipas rezultateve që do kemi, historitë mund të bëhen libër, ekspozitë ose dokumentar, theksoi Dr. Kapllani. Sa u përket planeve të mëvonshme, Drejtori i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin De Paul të Çikagos, tha se, varësisht, nga kushtet ai do dëshironte që vitin e ardhshëm të organizojë një Konferencë për Holokaustin dhe shpëtimin e Hebrejve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore në bashkëpunim me Muzeun e Holokaustit në Çikago, e cila Konferencë, sipas Profesor Kapllanit, do shoqërohet me botimin e një libri në anglisht, për këte temë.
Pritet që në shtator, që shënon gjithashtu edhe fillimin e vitit të ri akademik, Katedra e re e Albanalogjisë në Universitetin DePaul të Çikagos, të fillojë zyrtarisht punimet. Planet afatgjata të Katedrës, Profesor Kapllani i ka shpalosur, pjesërisht, në një intervistë me “Zërin e Amerikës” në gjuhën shqipe, marsin që kaloi.
“Po punojmë për të krijuar platformën dhe nga momenti i krijimit të saj, brenda këtij viti, çdo student do të mundet të drejtohet tek ne dhe të regjistrohet. Do jetë anëtar si të thuash i diplomës që ne do japim, sepse ne duam që t’u japim diploma studentëve tanë. Dhe studenti do të mësojë nga një anë gjuhën shqipe, dhe nga ana tjetër, ato që i quajmë ne lëndë përmbajtjeje, pra lëndë që do të jenë në shqip dhe anglisht për tema dhe tematika të ndryshme të albanologjisë”, -i ka thënë ai “Zërit të Amerikës”.
Në intervistën me “VOA”-n, Dr. Kapllani ka thënë se, “Katedra e parë albanologjike në një universitet amerikan, do të ofrojë lëndë gjithëpërfshirëse nga të gjitha disiplinat, me qëllim për të tërhequr studentë shqiptarë dhe të huaj. Do kemi të gjitha disiplinat nga gjuha, letërsia, historia, arkeologjia, filozofia. Dhe duam që të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore, sepse Albanologjia, ka mundësi të jashtëzakonshme, sidomos kur lidhet me çështje që janë në qendër të diskutimeve globale sot, qoftë për letërsinë e diapsorës, qoftë për historinë dhe gjeostrategjinë, qoftë për fenë. Pra neve do të mundohemi të krijojmë një kurrikul sa më bashkëkohore që mos t’i flasë vetëm studentëve shqiptaro-amerikanë, të cilët janë qendra dhe publiku kryesor i yni, por t’i flasë çdo student, nga çdo lloj origjine apo nga çdo lloj baze etnike”, -ka theksuar Z. Kapllani. Nismë më të rëndësishme se themelimi i kësaj Katedre Albanologjike në Universitetin më të vjetër katolik DePaul në Shtetet e Bashkuara, me qendër në Çikago, për komunitetin dhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan, nuk besoj të ketë pasur në këta 100-vjet. Do të jetë një qendër kulture arbërore në Shtetet e Bashkuara, në një vend që ka bërë aq shumë gjatë historisë për Kombin shqiptar, për ruajtjen e kulturës dhe të identitetit të shqiptarëve në trojet e veta. Jam i bindur se Katedra do të jetë një qendër ku do të mbizotërojë atmosfera e veçantë e Arbërit, aty ku, për shqiptaro-amerikanët dhe jo vetëm, kultura, gjuha dhe traditat tona do të përtërihen në një botë të huaj, por mike për shqiptarët, siç është Amerika. Si të mos e mirëpresim themelimin e një qendre akademike si kjo, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një katedër që do të merret me historinë, gjuhën, letërsinë dhe kulturën e trojeve tona, një qendër, e cila do të hapë shtigje të reja në fushën e hulumtimeve historike dhe në shtjellimin e tyre! Si të mos kënaqemi dhe të mos brohorasim e të duartrokasim themelimin e kësaj Katedre, në njërin prej universiteve më të njohura dhe më të vjetra amerikane, katedër e cila jam i sigurt, se do sjellë dritë mbi çështjet më të rëndësishme të historisë shqiptare të përdhosur nga historiografia komuniste, e për më tepër, do të luaj një rol të rëndësishëm në paraqitjen e shqiptarëve si një Komb i denjë dhe i paisur me vlera perëndimore, për të zënë vendin e tij, aty ku i takon, krahas kombeve të qytetëruara. Vetthemelimi i kësaj Katedre tregon fisnikërinë, jo vetëm të filantropistit, Z. Hidai Bregut, por edhe të vetvetes tonë, si një komunitet tashmë i pjekur e serioz në këtë vend, me kulturë e histori të veçantë dhe krenare. Gjëja për t’u dëshiruar është vetëm që themelimi i Katedrës Albanologjike në Universitetin DePaul të Çikagos, të jetë një shembull për t’u kopjuar edhe nga filantropë të tjerë shqiptaro-amerikanë si Hidai Bregu, dhe që kjo nismë, të jetë një frymëzim dhe fillim i një veprimtarie më aktive në themelimin e programeve të tilla në universitetet anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, nga individë të komunitetit shqiptaro-amerikan, të cilëve Perëndia dhe Amerika, u ka dhënë mundësitë për të bërë një gjë të tillë.
Dekani i Universitetit DePaul, Dr. Guillermo Vasquez de Velasco, PhD, deklaron në faqen e internetit të Universitetit se: -“Ne u sigurojmë të gjithë studentëve tanë arsim që balancon studimin e thelluar, me një përvojë të madhe në disiplina të ndryshme, që formojnë thelbin e njohurive njerëzore. Të gjitha programet tona për dhënien e diplomave kërkojnë të rrisin njohuritë e studentëve dhe aftësitë e të menduarit kritik, që ata të ngrenë pyetje me vlerë dhe kuptim dhe t’i zhvillojnë ato si pjesë të pandara të zemrës dhe mendjes, të qenësishme në të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe zhvillimit të mendimit të pavarur”.
Pjesë e këtyre “njohurive thelbësore” që ofron universiteti DePaul, duke filluar nga viti 2020, do të jetë edhe albanologjia, gjuha, letërsia, kultura dhe historia e shqiptarëve në njërin prej universiteteve më të njohura dhe më të vjetra të Amerikës, Universiteti DePaul në Çikago. Për këtë fakt, jo vetëm komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe të gjithë shqiptarët kudo qofshin, duhet të ndjehen krenarë për aktin fisnik të shqiptaro-amerikanit, Z. Hidai Bregut dhe t’i urojmë, njëkohësisht, këmbë të mbarë në detyrën e tij të re e fisnike edhe drejtorit të parë të Katedrës Albanologjike në Universitetin DePaul, Dr. Gazmend Kapllanit. Këta dy burra meritojnë nderimet tona dhe mirënjohjen e gjithë Shqiptarëve mendjendritur.

*Ish Drejtor i VOA-s për Euro Azinë

Filed Under: Emigracion Tagged With: Albanologjike ne SHBA, Dr. Gazmend Kapllani, Frank shkreli, Hidai Eddi bregu, Katedra e Pare

NË KUJTIM TË PATRIOTIT EMIN FAZLIJA- I QUAJTUR NDRYSHE EMIL KASTRIOTI

June 17, 2020 by dgreca

Me rastin e 5-vjetorit të vdekjes/

 Nga Frank Shkreli/

16 Qershori shënoi 5-vjetorin e vdekjes sëEmin Fazlisë, ose siç njihej dikur me pseudonimin, Emil Kastrioti.  Unë nuk e kam njohur personalisht Emin Fazlinë, por kam komunikuar duke çkëmbyer disa letra me të në fillim të 1970-ave.  Për më shumë të dhëna se kush ishte Emin Fazlija dhe cila ishte veprimtaria e tij, mund të shikoni filmin dokumentar (2018) të cilit po e sjellim më poshtë, për ta që mund të jenë të mësojmë më shumë për këtë patriot të dalluar të Kombit, me rastin e 5-vjetorit të vdekjes :https://www.ballikombetar.info/dokumentari-per-emil-kastriotin/

Unë po e kujtoj, Emin Fazlinë ashtu siç përpiqem të kujtoj disa prej atyre shqiptarëve të brezit më të vjetër se unë, të cilët i kam njohur ose kam pasur kontakte, e për të cilët gjatë viteve, kam zhvilluar një respekt të veçantë për jetën dhe veprimtarinë e tyre në mbështetje të drejtave të njeriut, të identitetit dhe të interesave kombëtare, mbi të gjitha, për punën e tyre për bashkimin e trojeve etnike, si mision i jetës së atij brezi. Njëri prej këtyre personaliteteve të mërgimit gjatë 50-viteve të fundit të shekullit të kaluar ishte edhe Emin Fazlia– për mua sipas komunikimit me të, i njohur në atë kohë si Emil Kastrioti — e për të cilin mësova më shumë pas shembjes së Murit të Berlinit.  Më në fund,zbulova se Emil Kastrioti me të cilin kisha shkëmbyer letra në fillim të 1970-ave, ishte në të vërtetë Emin Fazlija, i cili ndërroi jetë 5-vjetë më parë.

Pasi nuk e kam njohur drejt për drejti të ndjerin Fazlia, por për të cilin sa më shumë mësoj për aktivitetin e tij dhe të familjes, kam shumë respekt, nga komunikimi që kam pasur me ’të në fillim të 1970-ave dhe bazuar në të dhënat që mësova më vonë se kush ishte ai dhe cila kishte qenë veprimtaria e tij në ish-Jugosllavi dhe më vonë në mërgim në Gjermani.  Ai ka zhvilluar veprimtarinë e tij patriotike në “ilegalitet” dhe me disa pseudonime – më i njohuri pseudonim ishte emri Emil Kastrioti — gjatë një periudhe të luftës së ftohtë që nuk ishte e lehtë për tu marrë me punë patriotike, as brenda Kosovës dhe as jashtë Atdheut.  UDB-ja famëkeqe jugosllave ishte shumë aktive dhe i zhdukte kollaj shqiptarët aktivistë të çeshtjes kombëtare, jo vetëm në Kosovë dhe në trojet shqiptare në përgjithësi në ish-Jugosllavi, por e shtrinte dorën e saj të zezë edhe në komunitetet shqiptare në botën perëndimore, sidomos në Gjermaninë Perëndimore të asaj kohe por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fillim të 1970-ave, me entuziazmin e një të riu dhe duke përfituar nga liria që më ofronte Amerika, kisha filluar botimin e një fletoreje tepër modeste, titulluar, “Rinija Shqyptare në Mërgim”,në New York, si një mjet, me qëllim për të grumbulluar ata pak të rinjë e të reja rreth një ideje të përbashkët për një organizim sado modest në atë kohë.  Sidoqoftë, Emin Fazlisë, ndryshe “Emil Kastrioti”, i kishte ra në dorë në Gjermani “Rinija Shqyptare në Mërgim”, e cila siç duketi kishte pëlqyer sepse reragimi i tij ishte pothuaj i menjëhershëm ndërsa më dërgoi menjëherë një letër (e para prej tij, për tu pasuar me dy-3 tjera më vonë), të cilën e botova në një numër të radhës të kësaj fletorjeje tepër modeste për nga fillimi i saj, për arsye të mungesës së bashkpuntorëve të përgatitur por edhe për mungesë fondesh, që të botohej vërtetë diçka si i kishte hije, ndonëse vullneti i mirë nuk mungonte, megjithë sfidat e mëdha me të cilat përballeshim menjëherë pas arritjes tonë në Amerikë.

Në letrën e parë që më dërgoi,kopjen e plotë të cilës mund ta lexoni më poshtë ashtu siç ishte botuar në “RinijaShqyptare në Mërgim”, “Emil Kastrioti” ka përshëndetur fillimin e botimit të këtij organi të rinisë shqiptare-amerikane,duke shkruar: “Ju uroj nga thelbi izembrës sime të përvuejtun për iniciativën e mirë që keni marrë dhe Zoti i Plotfuqishëm dhashtë e u udhzoftë në rrugë të mbarë që të korrni sukses sa ma të plotë dhe të delni faqebardhë në misionin e filluem dhe që botimet e jueja të lozin rolin e caktuem në bashkimin e dhe arsimin e rinisë shqytare në mërgim, e cila për kob të zi të rracëssonë shumë të përvuejtun arbnore qe e detyrueme me i lanë trojet e lame me gjak t’Atdheut për pamvarsi dhe me marrë  rrugën e mërgimit për t’i shpëtue furisë jo njerëzore të zymtyrës kuqe aziatike që don me shkulë me rrajë traditat t’ona jetike, mijavjeçare të Arbërit kryelart.”

Më tutje, “Emil Kastrioti” alias Emin Fazlija, me frymën e vërtetë prej patrioti, në letrën që më dërgonte, bënte thirrje – për nevojën e madhe të bashkimit të shqiptarëve atëherë –por edhe një nevojë gjithnjë aktuale edhe sot – duke thekësuar domosdoshmërinë për, “bashkimin e të gjitha forcave kombtare të diasporës shqiptare”, duke thënë se, “Lus Perendinë që ti qendroni deri në fund idealit  të nisun dhe askurrë të mos vini në sprovë për të shmangë rrugën e drejtë të bashkimit të plotë të gjitha forcave kombtare të diasporës shqiptare në nji front të përbashkët për nji qellim dhe për nji ideal tëprokllamuem para 60-vjetësh prej plakut bujar e fisnik, Babës Ismajl Qemalit në Vlorën kreshnike , m’u në atë ditë kur me 1443 në Krujë, paraardhësi i tij e pat ngritë Flamurin Kuq e Zi me shkabjen dykrenare (pa shkopij dhe pa yllin aziatik) në mes, që valviti me mburrje e krenari për nji çerek shekulli, tue mos iu përulur kërcënimeve të tërbueshme të Otomanit aziatik…”, më shkruante Emin Fazlia , ndryshe“Emil Kastrioti”, nga Gjermania Perëndimore në verën e vitit 1972.

Ai e përfundon letrën me porosinë për për rininë shqiptare në Amerikë që të mos harrojë gjuhën shqipe, duke kujtuar, “Fjalët e mëdha të Poetit tonë të madh, shqiptar Patër Gjergj Fishtës, kur ai ban fjalë për gjuhën shqipe në vjershat e tija të pavdekshme për gjuhën dhe kombin shqiptar”, duke thekësuar se nëqoftse, sipas porosisë së tij, rinia shqiptare dhe komuniteti shqiptare-amerikan në përgjithësi në Amerikë, “Nderon dhe respekton traditën e vendlindjes së vet, atëherë ajo do të respektojë dhe do të nderojë edhe vendin ku gjinden tash”, me shpresë sipas tij, “për t’u këthyer në Atdheun tonë të dashtun, të çliruem dhe të bashkuem etnikisht në terësinë e tij territoriale”, që në atë kohë ishte një shpresë e madhe por e pa realizueshme pasi u detyruam të prisnim edhe 30-vjetë të tjera shembjen e komunizmit për të parë Atdheun) duke e përmbyllur letrën me, frazën“I Jueji si vlla, me Besë Shqyptare!”

Porositë e Emin Fazlisë në letrën dërguar nga Gjermania Perendimore në vitin 1972 një djaloshi të ri në Amerikë dhe botuar në fletoren, “Rinija Shqyptare në Mërgim” të Nju Jorkut,(me pseudonimin “Emil Kastrioti”) — për bashkim të shqiptarëve kudo qofshin, në mërgim ose në Atdhe, si dhe për ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar– mbeten gjithnjë gur-themeli për realizimin e ëndërrës së shqiptarëve për një Atdhe të, “Çliruem dhe të bashkuem etnikisht në terësinë e tij territoriale”, ende endërra e Emin Fazlies dhe e shumë shqiptarëve që ende mendojnë e shpresojnë si ai.

Ky është mesazhi i Emin Fazlisë dhe sot kjo është arsyeja që po e ndaj kujtimin e tij me lexuesin, në këtë 5-vjetor të vdekjes së tij.  Janë këto vlera të atdhedashurisë të një brezi të shqiptarëve të pas Luftës së Dytë Botërore – të cilët nuk janë më, kur fjala midis tyre lidhej me “Besë të Shqyptarit” — vlera që fatkeqësisht, kanë humbur dhe janë harruar nga brezi i sotëm i shqiptarëve, sidomos nga klasa politike shqiptare, por që patriotë shqiptarë si Emin Fazlija — me kujtimin e tyre — nuk na lenë t’i harrojmë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Emin Fazlija, Frank shkreli

NJË TREGIM SUKSESI, DY KADETËT SHQIPTAR NË WEST POINT

June 15, 2020 by dgreca

DY KADETË SHQIPTARË NGA KOSOVA IA DOLËN ME FAQE TË BARDHË NË AKADEMINË USHTARAKE AMERIKANE, WEST POINT/

NGA FRANK SHKRELI/

Gjatë një vizite në Washington, katër vjetë më parë, Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) Z. Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtënant Rrahman Rama ishin takuar me gjeneral-lejtënantin amerikan Kenneth F. McKenzie, Drejtor për Politika dhe për Planifikimet Strategjike të Komandës së Bashkuar të Ushtrisë së SHBA-ve. Pas atij takimi në prill, 2016 u njoftua lajmi i mirë nga gjenerali amerikan, McKenzie se dy kadetë shqiptarë nga Kosova ishin pranuar në Akademinë e njohur Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, në West Point. Ai ka me atë rast se dy kadetët e rinjë shqiptarë të FSK-së, të pranuar në Akademinë ushtarake më të njohur në botë, ishin Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku. https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli- historike-kadetet-shqiptare-nga-kosova-pranohen-ne-akademine-ushtarake- amerikane-west-point/

Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku bënë histori! Ata ishin studentët e parë nga Kosova që u shkolluan dhe u diplomuan këtë të djelë në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara Amerikane, me famë botërore, West Point, në vitin 2016. Të pranohesh në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point nuk është kollaj, por është një nder i jashtzakonshëm që gjithmonë është rezervuar vetëm për studentët më të mirë dhe më të shquar të Amerikës, por edhe të botës, që pranohen në atë institucion. Për tu pranuar në Akademinë më prestigjioze amerikane, kadetët jo vetëm që duhet të jenë inteligjent, por duhet të jenë edhe fizikisht në gjëndje të mirë dhe individ që shquhen nga tiparet morale dhe të karakterit të shkëlqyeshëm njerëzor. Ata që përzgjidhen për tu pranuar në West Point sigurojnë një arsimim universitar që nuk e ka shoqin askund në botë, ndërkohë që të gjitha shpenzimet janë të paguara nga Akademia Ushtarake Amerikane. Diploma nga Akademia Ushtarake Amerikane, gjatë gjithë jetës, do i dallojë të diplomuarit e West Point nga të tjerët për nga aftësitë, nga karakteri dhe për zotësitë udhëheqse që ata kultivojnë aty për katër vjetë, duke i bërë ata anëtarë të një grupi elitar ndërkombëtarë, të dalluar dhe shumë të respektuar. Sipas Akademisë, zhvillimi etik dhe moral është thelbi i përvojës dhe i edukatës prej 47-muajsh për kadetët në West Point. Karakteri personal thekësohet si një vlerë e pa zevëndsueshme në mbështetje të motos së Akademisë: “Detyra, Nderi, Atdheu”, si dhe idealet e shtatë vlerave të Ushtrisë: besnikëria, respekti, shërbimi i pa kusht,nderi, integriteti dhe guximi personal.

Janë këto vlera në bazë të cilave të rinjët nga Kosova, Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku u pranuan katër vjetë më parë në Akademinë Ushtarake më prestigjoze në botë,– dhe janë këto vlera në bazë të cilave ata u diplomuan-bazuar krejtësisht në meritat e veta, si dhe falë përgatitjes së tyre personale, fizike dhe akademike. Katër vjetë, më parë në një shkrim modest, për të shënuar këtë ngjarje historike të pranimit të dy kadetëve shqiptarë nga Kosova në West Point, kisha uruar dy të rinjtë nga Kosova, që të dilnin me sukses dhe me faqe të bardhë në rrugëtimin e tyre, ashtuqë që të bëhen njëkohësisht edhe frymëzim për bashkmoshatarët e tyre shqiptarë. Suksesi i tyre është suksesi i të gjithë shqiptarëve, por veçanërisht i brezit të Yllit dhe Arelenës se megjithë mungesën së shumbujve të mirë aktualisht, me shembullin e tyre i treguan brezit të tyre se sukseset e vërteta në jetë arrihen edhe pa korrupsion e krime – shembuj për të cilëve vuan shumë bota shqiptare, përfshirë sidomos politikën. Këta dy të rinjë na rikthejnë përsëri shpresën e humbur se me me mund, djersë, moral e karakter, çdo gjë është e mundur në jetë.

Ja pra, këtu jemi sot, katër vite më vonë, dy të rinjë shqiptarë nga Republika e Kosovës, pas 12-vjet pavarësie të vendit të tyre dhe 21 vit pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovën e lirë – në Akademinë Ushtarake Amerikane u diplomuan Arelena Shala dhe Ylli Dalladaku, së bashku me rreth 1100 kadetë të tjerë, shumica amerikanë por edhe nga vende të tjera të botës. Në cereemoninë e diplomimit, të shtunën që kaloi, mori pjesë edhe Presidenti Donald Trump i cilimbajti edhe një fjalim me këtë rast, para të diplomuarve.

Me rastin e diplpmomit të tyre nga Akademia Ushtarale Amerikane , West Point, Arilena dhe Ylli shprehën ndjenjat dhe emocionet e tyre për këtë ditë historike për ta, për prindërit e tyre, për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët vullnetmirë. Para zhvillimit të ceremonisë së diplomimit, Arilena Shala tha për Zërin e Amerikës se,“Kjo (ditë) më bën të ndihem edhe më shumë krenare, pasi kur të përmendej emri im dhe i Yllit gjithashtu do të përmendet edhe emri i Kosovës. Më bën edhe më shumë krenare pasi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara do të dëgjojë dhe do të dijë se Kosova ishte e suksesshme në West Point”. Për arritjet e saja, ajo falënderoi prindërit e vet, të gjithë ata që e kanë ndihmuar në këtë rrugëtim, u shpreh ajo, duke thekësuar veçanërisht falënderimet e saja për ndihmën që ka marrë nga “Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe nga Shtetet eBashkuara të Amerikës, që më kanë ofruar të jem në West Point”, përfundoi Arelena Shala. Ndërsa edhe Ylli Dalladaku u shpreh se ishte krenarë që përfaqësoi Kosovën në West Point dhe për, “Mundësinë të jap kontributin tim, për të përforcuar imazhin e vendit tim në një vend siç është West Point, ku e dimë se përfaqësohen shumë shtete. Besoj se të gjitha aftësitë që kemi përfituar këtu në West Point, kanë qenë për mua një përvojë e veçantë. Ishte një përgjegjësi e madhe që përfaqësova Kosovën për herë të parë në West Point, por njëkohsisht ky ka qenë edhe motivimi im kryesor. Është një ndjenjë e jashtëzakonshme që të përfaqsosh diçka që është më e madhe se vetja jote dhe mua kjo më ka shtyr të kujdesëm më shumë për të tjerët se sa për veten dhe të jem Besnik i atyre vlerave – fillimisht ato familjare, me të cilat jam mësuar por edhe ato të cilat i kam mësuar këtu në West Point”, tha Ylli Dalladaku.

Arelena dhe Ylli janë vërtetë një gtregim suksesi. Me sjelljet dhe me sukseset e shkëlqyeshme akademike dhe ushtarake që u ka dhënë Akademia Ushtarake në West Point, Arelena dhe Ylli nderojnë veten, familjen që i rriti dhe mbarë Kombin shqiptar të cilit i përkasin dhe i cili sot, në këët ditë gëzimi, është krenar për ta.

Duke marrë parasyshë zhvillimet aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare, ky lajm i mirë na bën të shpresojmë se e ardhmja e Kombit shqiptar do të njohë ditë më të mira kur të gjithë shqiptarët do të udhëhiqen nga gjenerata e Arelena Shalës dhe e Ylli Dalladaku, të brumosur në etikën dhe moralin, në nderin dhe në dashurinë për Atdheun që u ka ofruar disiplina, dhe edukata ushtarake dhe akademike në Akademinë Ushtarake Amerikane të West Point-it. Keni plot arsye të jeni kreanr. Sot, me arritjet tuaja, i zbardhët faqen vetes, familjeve tuaja dhe të gjithë shqiptarëve kudo! U lumtë dhe suksese gjithmonë në jetë. Lartë e më lartë në karieren tuaj!

Filed Under: Emigracion, Featured Tagged With: dy kadetet shqiptare, Frank shkreli, WEST POINT

LIDHJA E PRIZRENIT-FRYMËZIM PËR BREZAT

June 11, 2020 by dgreca

Trojet shqiptare “nuk janë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh/

                                                        Nga Frank Shkreli/

Sipas një numri burimesh historike, Kuvendi Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit u hap më 10 qershor 1878, por jo të gjithë pjesëmarrësit e krahinave shqiptare që duhej të ishin aty mundën të arrinin në kohë.  Sipas historianëve, nga ata që mungonin ditën e parë ishin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë, njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri, pasi të tjerët ishin ende në udhëtim.  Si rrjedhim nuk dihet numri i saktë i delegatëve që morën pjesë ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes së Prizrenit.

Thuhet se në hapjen e Kuvendit morën pjesë rreth 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës, sipas burimeve.  Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë.  Shënohen emra të njohur personalitesh të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Perandorisë Osmane ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të vendeve fqinje ballkanike.  Objektivi kryesor i pjesëmarësve në Kuvendin e Lidhjes mbarë Shqiptare të Prizrenit ishte përpilimi i një platforme politike me kërkesat e shqiptarëve, që do duhej t’i paraqitej Fuqive të Mëdha para se fillonte punimet Kongresi i Berlinit disa ditë më vonë. 

Në këtë përvjetor, po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar, si dhe pjesëmarrsit në atë Kuvend mbarë-kombëtar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit – me ndihmën e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës, i cili i ka kushtuar Lidhjes së Prizrenit, Këngën e IX të veprës së tij madhështore, “Lahuta e Malcisë”.  Në këtë poemë, Fishta fton Zanën e maleve që së bashku me ‘të, të këndojë në “Lahutë”, ngjarjen historike të shqiptarëve, që është Lidhja e Prizrenit. Ai e fillon vjershën me thirrjen e Ali Pashë Gucisë, “Fill me dalun në Prizren, për me ngreh aty kuvend, e si motit për Atdhe, me lidhë besë me lidhun fe”.  Ali Pashë Gucia qet kushtrimin anë e mbanë trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë, “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë.  Duke iu përgjigjur kushtrimit të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh të shqiptarëve:

                            M’ato maje të Prizrenit

                            Ku kanë ndejun rend pas rendit

                            Me Ali Pashën në krye të vendit…

                            …Ai nuk asht, more lum vasha

                           Tjetërkush veç se Ali Pasha

                           Që për të drejta të Shqyptarisë

                           Vet ia jep zjarmin shtëpisë,

                           E s’i dhimben nanë as djal:

                           Për to jetën vet e falë.

Në poemën e tij, “Lidhja e Prizrendit” Fishta përmend disa prej krerëve shqiptarë më në zë të asaj kohe, pjesëmarrës në kuvend dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe dhe hapësire shqiptare:

                                      “Jo që ka aty burra të tjerë,

                                       Bajraktarë, Krenë e Beglerë

                                       Që për fjalë e për urti

                                       Për trimni, për bujari

                                       Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej

                                       As në Shqipni as ndër të huej…”

Ndër  pjesëmarrësit e njohur në Kuvendin e Lidhjs së Prizrenit, në poemën kushtuar Lidhjes së Prizrenit, Fishta i dedikon disa rreshta Vat Marashit, bajraktarit të fisit të Shkrelit:

                                        “E njaj tjetri ma përtej

                                        Me ata dy mustakë të mëdhej

                                        Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,

                                        Ai nuk ashtë, jo Diomedi,

                                        Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,

                                        Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,

                                        Që s’e tremb as topi as shpata,

                                        E i thonë emnit Marash Vata…”

Në Epopenë Kombëtare të Fishtës, “Ora e bardhë e Shqipënisë”, i shef krerët e Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”, të mbledhur aty në Prizren – nga mrizet e lartësive të malit më të lartë, Lubotenit, ku e Mira ka ndejën e vet , ndërsa gëzohet dhe thërret Zanën e Sharit –

                                  “Në gjuhë të ambël të Shqyptarit,

                                   Thirrë i paska Zanës së Sharit”, dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit. Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore të homeridëve të rinj, kujton se Shqiptarët e mbledhur aty, mund të jenë Akejt e vjetër që dikur kishin “kallur” Trojën ose, ndoshta, mund të ishin Dardanët. Ban buzën në gaz Ora e Maleve dhe i shpjegon Zanës motër se ata nuk ishin:

                                     “As Akejë, as s’janë dardanë,

                                      as vigaj, as katallaj”,

Por ishin pjesëmarrësit heronj shqiptare, ndër ta: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…

Ndërsa Abdyl Frashërit, At Gjergj Fishta i jep atij një vend të veçantë duke portretizuar atë kështu në poemën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit:

                            “A e she’ ‘i herë njat burrë zeshkan,
                           Me kollçikë e me fistan,
                           Që m’ a ka synin si zhgjeta,
                           Që m’ i bajn t’ gjith t’u ngjatjeta,
                           E që folka ashtû pa u zé,
                           Herë tue mâtë, mandej tue pré:
                          Që prandej njat fjalë që e flet,
                          Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
                          Pse edhè e tij bujare
                          Permendë âsht n’ tokë Shqyptare
                          Për kah pupla e për kah dija,
                          Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
                         Ai âsht trimi Frashër Begu,
                         Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
                        I la naâm aj Toskënís,
                        Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.”

Fishta përcjell në poemën e tij mbi Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit se, ndërsa Ora dhe Zana bisedojnë me njëra tjetrën, Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari të shquar, si i përket derës së tij letrare, mbi vjetërsinë e fisit shqiptar, kulturën e lashtë të tij, trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat e racës shqiptare për të ruajtur pavarësinë. Abdyl Frashëri vazhdon fjalën e tij duke bërë thirrje për daljen zot të trojeve shqiptare të sakatuara, për shpëtimin e tokave shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë nga Mali i Zi. Ndërsa Bajraktari i Shalës, Mar’ Lula, në interpretimin e At Gjergj Fishtës, i thotë Kuvendit se për të dhe për shqiptarët mbarë, si shkjau, si turku, janë armiq të njëjtë. Në fund, sipas vjershtarit të “Lahutës së Malcis”, Ali Pashë Gucia propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit t’i dërgohej një letër Fuqive të Mëdha të asaj kohe dhe mbretit në Stamboll – “Të shtatë krajlave dhe Mbretit të Stambollës”, duke thekësuar se trojet shqiptare nuk janë as të italianëve, as të ‘hinglizvet, as e francezëvet’, as të gjermanëvet e as e sllavëve, grekëve dhe as otomanëve, këndon Fishta. Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit, i cili “do t’ia falë Shkodër e Malci”, Knjazit të Malit të Zi, t’i thuhet se Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh:

                                “Por ashtë toka e t’Parvet tanë,

                                  Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…

                                 Prandej s’ka as Krajl as Mbret

                                 Që ket tokë e falë a e shet…”

A ka sot burra Shqiptaria, që të frymëzohen nga burrat e Kuvendit Mbarëshqiptar të Prizrenit që — mbi të gjitha — të mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos shesin, as mos të falin tokat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike, për interesa afat shkurtra personale e partiake? Në këtë udhëkryq të historisë së Shqiptarëve dhe në këtë përvjetor të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit,

nga do t’ia mbajnë udhëheqsit e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë. Si e kanë ndër mend të dalin nga ky qorrsokak në të cilin e katandisur Kombin?  Nga do ta drejtojnë këta sot timonin e fatit të Kombit?  Drejt një rruge pa krye që çon në greminë, në të cilën duket se, me konfliktet aktuale politiko-ekonomike, ata janë nisur sot — apo do të frymëzohen nga bashkimi i burrave të Lidhjes së Prizrenit—duke hequr dorë nga dallimet e thekësuara politike dhe ekonomike drejt horizonteve të reja për shqiptarët, duke rënë dakort për një platformë të re moderne mbarëkombëtare, në përputhje me nevojat dhe interesat madhore të Kombit në shekullin 21.  Një prej kërkesave të Lidhjes së Prizrenit ishte edhe shpallja e një Bese të përgjithëshme në bazë të cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha konfliktet që çonin në hakmarrje midis banorëve të krahinave të përfaqësuara në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit.  A jeni ju gati të deklaroni një paqe politike midis jush, e të lidheni besa-besë, si burrat e Kuvendit dikur, që nam e nder t’i leni vetes dhe Shqipërisë?!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lidhja e Prizrenit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT