• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË PËRKUJTIM TË NJË DASHAMIRSI TË FISIT SHQIPTAR

April 21, 2020 by dgreca

 Fishta dhe Koliqi për Norbert Joklin/

  Nga Frank Shkreli/Izraeli dhe bota hebraike në përgjithësi shënojnë Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Holokaustit duke filluar nga mbrëmja e ditës së Hënë të 20 Prillit e deri të Martën me 21 Prill.  Është kjo një ditë solemne që përkujtohet eliminimi i 6-milionë hebrejve gjatë Holokaustit.

Fund javën që kaloi, Qendra e njohur Hebraike në Nju Jork, “The Temple Emanu-El Streicker Center”, në përgatitje të shënimit të kësaj dite përkujtimore, ftoi Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Besiana Kadare në shërbimet e ditës së Premte për të folur, siç thuhet në njoftim, mbi historinë e “pabesueshme dhe kryesisht të pa njohur”, se si Shqipëria u bë një vend i sigurt strehimi për hebrenjët gjatë Holokaustit. 

At Gjergj Fishta, Asdreni, Ernest Koliqi dhe Lasgush Poradeci.

Gjatë fjalimit të saj, Përfaqësuesja e Përhershme dhe fuqi-plotë e Shqipërisë pranë OKB-së foli për ndihmën që kanë dhënë shqiptarët e rendomtë, pa dallim, për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.  Shefja e Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së foli gjithashtu edhe për rolin që kanë luajtur edhe “autoritetet zyrtare” të qeverisë shqiptare në atë kohë në Tiranë, të cilat, shtoi ajo, kanë refuzuar të dorëzonin nazistëve listat me emëra hebrenjësh.  Pa përmendur emra konkret, ambasadorja shqiptare foli për “guximin moral të shqiptarëve”, duke i cilësuar përpjekjet e autoriteteve dhe të shqiptarëve të thjeshtë për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri, si një “trashëgimi qytetërimi dhe një mësim për brezat e ardhëshëm”.  Ajo përmendi veçanërisht rolin e ambasadës shqiptare në Berlin, e cila tha ambasadorja Kadare, në atë kohë, lëshonte viza për hebrenjtë e kërcënuar nga cilido vend evropian qoftë, gjë që mundësonte largimin e tyre për në vende të sigurta për ta, përfshir edhe Shqipërinë.

Mund të jem gabim, por është hera e parë që dëgjoj një zyrtar/e të Shqipërisë post-komuniste që pranon, duke përmendur rolin që ka luajtur qeveria shqiptare, ministra dhe përpjekjet e autoriteteve të asaj qeverie në atë kohë, për të bërë ç’mos që të shpëtonin hebrenjtë nga likuidimi fizik, roli i të cilëve ende konsiderohet, zyrtarisht, si një tabu në Shqipëri.  Është meritë e ambasadores Kadare që të pakën përemendi  megjithëse tërthorazi, por publikisht, këtë të vërtetë historike.  Është kjo një temë që nuk duhet harruar por duhet kujtuar roli dhe përpjekjet e autoriteteve shqiptare të asaj periudhe, për hir së vërtetës historike, por edhe si një “trashëgimi e qytetërimit dhe si një mësim për brezat e ardhëshëm”, siç u shpreh ambasadorja Kadare.  https://telegraf.al/analize/frank-shkreli-pse-nuk-e-permendet-roli-unik-i-kol-bib-mirakes-per-shpetimin-e-hebrenjeve/

Kemi të bëjmë me njerëz guximtarë e trima, me personalitete shqiptare të cilët megjithëse shërbenin në një qeveri mike me Gjermaninë naziste të asaj kohe — për shpëtimin e hebrenjve, ata jo vetëm që rrezikuan pozitat që kishin, por mund të rrezikonin edhe jetën gjatë Hollokaustit, si rezultat i përpjekjeve tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit dua të përmend përpjekjet e Ernest Koliqit dhe të At Gjergj Fishtës për të shpëtuar jetën e Norbert Joklit, albanologut të njohur austriak, me origjinë hebraike, që konsiderohet edhe si njëri prej themeluesve të albanalogjisë modern.  Ai vdiq në muajin Maj të vitit 1942, nën rrethana ende të panjohura, pasi kishte marrë urdhër nga nazistët që të largohej nga Vjena brenda 30 ditësh.  Si albanolog i njohur, Norbert Jokli gëzonte miqësi dhe mbante lidhje të ngushta me intelektualët më të njohur shqiptarë të kohës, si At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, e shumë të tjerë.  Thuhet se Jokli ishte admirues i madh, ndër të tjerë i Fishtës, Konicës, Naimit, por edhe i traditës bektashiane.  Në shënimet e rreth tij, thuhet se ai njihte mirë veprat e Jeronim De Radës dhe ishte simpatizues i Koliqit dhe i Dom Lazër Shantojës, publicistit dhe përkthyesit të veprave të shkrimtarëve të mëdhej gjermanë, priftit të parë katolik i vrarë nga një skuadër pushkatimi e regjimit të Enver Hoxhës, në Mars të vitit 1945.  Thuhet se Norbert Jokli vizitoi vetëm njëherë Shqipërinë, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, me ç’rast u prit me nderime të mëdha dhe iu akordua çmimi i lartë kombëtar “Urdhni i Skenderbeut”. 

Ernest Koliqi, ish-Ministër i Arsimit ka përshkruar në revistën Shëjzat 1-4 dhe 5-8 të vitit 1972, shkurtazi, përpjekjet e autoriteteve të atëhershme shqiptare për të shpëtuar Albanologun e njohur Norbert Joklin, nga “fati mizuer që ia këputi jetën”, siç shprehet Profesor Koliqi.  Si një provë të këtyre përpjekjeve nga ana e tij dhe të tjerëve për të shpëtuar jetën e Joklit, ai ka botuar letrën origjinale të Ministrisë së Arsimit që ai kryesonte dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, me qëllim për t’a sjellur në Shqipëri për t’i shpëtuar atij jetën nga nazistët që i ishin venë pas, Norbert Jokli emërohet nga Ministria e Arsimit në detyrën si “Organizatuer të Bibliotekave Shqiptare me 6 tetuer, 1941”, me qëllim për ta larguar atë nga Vjena për në Shqipëri, për t’i shpëtuar jetën nga nazistët.  Mjerisht, shënon Profesor Koliqi, ky emrim i marrur nga autoritetet shqiptare me qëllim për t’ia kursyer albanologut të madh vuajtjet dhe mbarimin tragjik, nuk solli rezultatin e dëshiruar.  Por kjo tregon, shkruan Koliqi se, “Për mik, simbas zakonit shqiptar, edhe qeveria e asokohëshme e vendit tonë nuk dreshti me ia hy nji pune që mund të acaronte marrëdhëniet me ndonji prej autoriteteve të fuqishme”, të asaj kohe.

Ndërkaq, ndër të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës, përfshir Lasgush Poradecin e të tjerë që ishin angazhuar për të shpëtuar jetën e albanologut të njohur duke dashur ta strehonin atë në Shqipëri — ishte edhe At Gjergj Fishta, i cili në një letër të datës 23 Shtator, 1939 drejtuar ish ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Franceso Jakomonit, i propozon atij që  mundësonte që të sillej në Shqipëri, “Ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Europë, Profesor Norbert Jokli, me kombsi çfute, që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e profesor gjuhsije në të njajtin universitet. Tashti, më shkruen prej Vjenet, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem që të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut”, njofton Gjergj Fishta Jakomonin

Fishta i shkruan Jakominit se do të ishte fatkeqësi për gjuhën kombëtare shqipe nëqoftse Norbert Jokli detyrohet të braktisi Evropën dhe i bën thirrje zyrtarit të lartë italian, “në emën të t’ gjithë intelektualëve shqiptarë”, që të marrë, “në konsideratë dashamirse këtë propozimin tem” ashtuqë “Shkelqësia e Juej të mundet me gjetë mundsinë e t’a bajnë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji vend, edhe pse jo aq fitim prues, megjithate të pershtatshëm për famën e tij si shkenctar e gjuhëtar i shquem”, përfundon At Gjergj Fishta letrën, dërguar Francesco Jakomonit, në përpjekje për të shpëtuar jetën e mikut të tij të ngushtë, Norbert Joklit. 

Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit, me përvujtëni kujtojmë njërin prej më të mëdhejve albanologë, Norbert Joklin dhe miqtë e tij të kohës — ndër më të mëdhejt intelektualë shqiptarë — të cilët megjithë rreziqet që mund tu kanoseshin, megjithse u munduan ta ndihmonin, fatkeqsisht, nuk ia dolën ta strehonin atë në Shqipëri dhe as t’ia shpëtonin jetën e mikut të tyre të shtrenjtë dhe dashamirsit të madh të fisit shqiptar.  

Për hir të vërtetës historike, kujtojmë e nuk harrojmë, por edhe falënderojmë shqiptarët e rendomtë dhe autoritetet shqiptare të asaj kohe për guyimin dhe kurajon e tre civile, përbalalë rreziqeve.  Kujtojmë veçanërisht, Norbert Joklin, këtë dashamirës të fisit shqiptar, për jetën dhe veprën e tij kushtuar gjuhës dhe kulturës dhe historisë së fisit të lashtë shqiptar.

Kujtojmë dhe falënderojmë së bashku me Drejtorin e Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris, i cili në deklaratën që bëri dje me rastin e Ditës Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit u shpreh se, “Ne kujtojmë guximin e Danimarkës, por edhe të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Finlandës, për përpjekjet e tyre të jashtzakonshme në mbrojtje të komuniteteve të tyre hebraike.  Ne kujtojmë shembullin e mijëra Personave të Drejtë, të cilët rrezikuan edhe jetën e tyre, ashtuqë të tjerët të mund jetonin”, ka thënë në deklaratën e tij Drejtori i Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris, 

Frank Shkreli

                               

                               Profesori dhe albanalogu austriak Norbert Jokl

      Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së, Besiana Kadare

Filed Under: Analiza Tagged With: Fishta, Frank shkreli, Koliqi, Robert Jokel

SIKUR TË KISHIM DËGJUAR ISH-PRESIDENTIN XHORXH BUSH-in E RI

April 8, 2020 by dgreca

                                    (Për epideminë e koronavirusit)/

                                               Nga Frank Shkreli/

Ishte viti 2005.  Presidenti Xhorxh W. Bush i riu kishte paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara duhej të kishin filluar përgatitjet për një pandemi të mundëshme gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë. 

Siç dihet tani, e gjithë bota qe krejtësisht e papërgatitur për tu përballur me përhapjen e shpejt të koronavirusit anë e mbanë botës.  Ndërsa Amerika dhe mbarë bota gjëndet në kulmin e përhapjes së koronavirusit dhe të një pandemie me përmasa botërore, dhe ndërkohë që po kritikohet ashpër qeveria federale, shtetërore dhe vendore këtu në Shtetet e Bashkuara për mos përgatitjen e tyre për një situatë si kjo — në një raport të ditëve të fundit, rrjeti i televizionit kombëtar amerikan, ABC vuri në dukje, paralajmërimin që kishte bërë pothuaj 15 vjet më parë, ish-Presidenti Xhorxh Bush i riu, për nevojën e marrjes së masave për t’u përgatitur për një katastrofë të mundëshme epidemie si kjo që po përjetojmë sot, anë e mbanë botës. 

Z. Bush e kishte bërë këtë paralajmërim në një fjalim të mbajtur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, fjalim në të cilin ai ka nënvijuar nevojën urgjente të Amerikës për t’u përgatitur në rast të një shpërthimi të një epidemie sëmundje ngjitëse, në shkallë botërore.  “Në këtë moment, nuk ka një pandemi gripi në Shtetet e Bashkuara as në botë, por nëqoftse duhet të mësojmë nga historia, atëherë duhet të jemi shumë të shqetësuar për një mundësi të tillë”, ka thënë Presidenti Bush, në fjalimin e tij mbajtur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, në vitin 2005. 

Pandemia është si një zjarr që përhapet në pyll” ka nenvijuar Presidenti Bush në atë fjalim, 15-vjetë më parë.  “Nëqoftse hetohet që në fillim, ka mundësi të shuhet zjarri para se të shkaktojë ndonjë dëm të madh.  Por, nëqoftse lejohet të përhapet pa e diktuar, atëherë zjarri mund të këthehet në një ferr të vërtetë, që nuk mund të kontrollohet dot.”  Sipas ish-zyrtarëve të Presidentit Bush, me të cilët kishte folur ditët e fundit televizioni ABC në lidhje me paralajmërimin e ish-presidentit, Z. Bush, ai ishte i bindur se vendi duhej të ishte shumë më i përgatitur se ç’ishte në atë kohë, për një pandemi të mundëshme, pasi, siç thanë ata ai kishte lexuar një libër  mbi gripin spanjoll të vitit 1918.

Ish këshilltarja e Presidentit Bush për Sigurinë e Atdheut, Fran Townsend, citohet se Z. Bush kishte thënë se, “Një pandemi, si pandemia spanjolle, ndodhë çdo 100-vjetë, prandaj kemi nevojë për një strategji kombëtare”, për tu përballur me një mundësi të tillë, është shprehur Presidenti Bush.  Ndërsa ish-këshilltari Karl Rove u shpreh se, sado të frikëshme dhe shqetësuese që ishin informacionet në lidhje me luftën kundër terrorizmit, në atë kohë, asgjë nuk mund të krahasohej me diskutimet që zhvilloheshin në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me mundësinë e përhapjes së një pandemie në Amerikë dhe në botë. 

Sipas rrjetit të televizionit amerikan ABC, Presidenti Bush e kishte paraparë situatën në të cilën gjënden sot Shtetet e Bashkuara dhe bota, si pasojë e koronavirusit – me mungesë furnizimesh mjekësore, përfshir maskat, ventilatorët, tejet të nevojshme këto për të luftuar koronavirusin Covid-19. 

 Thuhet se Presidenti Bush, ishte aq i bindur se Shtetet e Bashkuara duhej të ishin më të përgatitura për një fatkeqësi të tillë si koronavirusi sot, sa që propozoi një buxhet prej 7 miliardë dollarësh për këtë qëllim, por sipas ish-ndihmësve të tij, në atë kohë në Washington nuk ekzistonte një mbështetje serioze e nevojshme që projekti i Presidentit Bush të realizohej në nivel kombëtar.  Paralajmërimi i tij që vendi të përgatitej për një epidemi si kjo me të cilën përballet sot bota, ra në veshë të shurdhër.  Megjithëkëtë, sipas raportit të televizionit ABC, Presidenti Bush bëri plane ambicioze për financimin e teknologjive të reja për të zhvilluar vaksina të reja dhe për fabrikimin e mjeteve të tjera të nevojshme.  Por, sipas ABC, megjithë gatishmërinë e Presidentit Bush për të shtuar përgatitjet e Amerikës për t’u përballur me kërcënimin e një pandemie të mundëshme dhe për të financuar nisma të reja në këtë fushë – prioritetet e politikës amerikane për tu marrë me kriza të tjera botërore të asaj kohe, bëri që kjo nismë të hidhej në harresë, megjithë këmbënguljen e Presidentit Bush, për të përgatitur vendin për një krizë shëndetësore, si koronavirusi – 15-vjet pas paralajmërimit të tij.  Shumë analistë dhe ekspertë amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara ishin krejtësisht të papërgatitura dhe se duhej të ishin më të përgatitura për tu përballur sot me një pandemi kaq serioze, si koronavirusi.

Duke lexuar raportin e televizionit amerikan ABC në lidhje me paralajmërimin e Presidentit Xhorxh Bush, të vitit 2005, se Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përgatitura për të luftuar një pandemi të mundëshme dhe se diçka duhej të bëhej në këtë drejtim — është e pamundur të mos bëjmë pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin në gjëndje shumë më të mirë për t’u përballur sot me koronavirusin – sikur të ishte marrë seriozisht paralajmërimi i Presidentit Xhorxh W. Bush, se Shtetet e Bashkuara duhej të përgatiteshin, me kohë, për një pandemi të tillë.  Sikur të ishte realizuar projekti i Presidentit Bush i vitit 2005, a do të kishim (deri tani) pothuaj 350.000 amerikanë të prekur nga koronavirusi dhe afër 10.000 të vdekur, shifra këto sipas, Universitetit John Hopkins. Eh, sikur…

Thonë se udhëheqsit e mirë dallohen në kohë të vështira dhe kur mund të parashikojnë gjërat para se të ndodhin dhe të cilët u prijnë politikave dhe përpjekjeve qeveritare për të parandaluar të keqen.  Ja e keqja e një pandemie të mundëshme, për të cilën kishte paralajmëruar ish-Presidenti Xhorxh Bush ndodhi, duke prekur jo vetëm Amerikën por mbi 182 shtete anë e mbanë botës, me pasoja tronditëse, jo vetëm për jetën dhe shëndetin e njerëzve, por edhe për të ardhmen ekonomike të botës.  Ndodhi çfarë ndodhi dhe me ndihmën e Zotit edhe kjo do të kalojë.  Dritat nuk do të fikën anë e mbanë Evropës, siç kishte paralajmëruar ish-Sekretari i Jashtëm britanik, Edward Grey, në fillim të Luftës së Parë Botërore.  Koronavirusi do të ndryshojë botën, patjetër, por do të kalojë.  Dritat do të shëndrisin përsëri, për ditë më të mira, jo vetëm në Evropë dhe në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës,

Por lind pyetja se çfarë mësimesh të vështira do nxjerr Amerika dhe udhëheqsit e saj aktualë dhe të ardhëshëm, nga kjo tragjedi – dhe jo vetëm Amerika — por edhe bota në përgjithësi dhe çdo shtet tjetër i prekur nga koronavirusi, në veçanti.  A do të jetë Amerika dhe bota më të përgatitur për një epidemi të mundëshme në të ardhmen?  Siç tha edhe Governatori i shtetit Nju Jork, (shteti më i prekur në Amerikë nga koronavirusi), Andrew Cuomo, pasi të ketë kaluar kjo, a do merremi vetëm me dhimbje, me vuajtje, me vdekje — të frikësuar, të dëshpëruar e të zemëruar nga koronavirusi gjithandej, apo do të dalim nga kjo gjëndje e tmershme, më të zgjuar, më të mençur, më të përgatitur se përpara, për tu përballur me një epidemi të mundëshme si kjo në të ardhmen.  Është në dorën tonë, të gjithë jemi në gjëndje ta kontrollojmë këtë situatë, ka thënë i pari i Nju Jorkut.  Uroj që Amerika dhe bota të mësojnë nga kjo përvojë e tmershme duke bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, proceduriale, teknike, shkencore e të tjera, për të qenë më të përgatitur për një epidemi tjetër të mundëshme.  Uroj gjithashtu që të kemi udhëheqës që e kuptojnë seriozitetin e gjëndjes së krijuar dhe që të mos jemi në mëshirën e udhëheqsëve që nuk kanë haber se çfarë po ndodhë rreth tyre.

Sido që ta merrësh, kohë të vështira për të gjithë.  Për disa, shumë të vështira!  Shpresë dhe mëshirë për të gjithë ne!

Filed Under: Analiza Tagged With: Andrew Cuomo, Frank shkreli, George W Bush, Koronavirusi

“ÇKA PO NA NDODHË NE SI POPULL…PO NA THEJNË SHPIRTËNISHT”

April 2, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Këto janë fjalët e Anisa Ismajlit, një aktore shqiptare shumë e suksesshme e filmit dhe teatrit në Kosovë.  Por, përveç profesionit të saj, Zonja Ismajli njihet edhe si një zë i dalluar në shoqërinë kosovare, në mbështetje të drejtave të njeriut, sidomos të drejtave të grave dhe fëmijve.  Sipas disa të dhënave, ajo e ka të vështirë të pranojë varfërinë dhe shkeljen e të drejtave të këtyre sektorëve të shoqërisë shqiptare.  Ajo njihet si një aktiviste e angazhuar për të ndihmuar nënat dhe familjet e varfëra, anë e mbanë vendit, duke mbledhur fonde për nevojtarët.  Anisa Ismajli njihet, sipas medias, edhe si një vullnetare aktive e organizatës, “Mothers and Happy Child”, organizatë kjo e cila kujdeset për grate dhe fëmijtë e pastrehë dhe për gratë e dhunuara.  Me veprimtarinë e saj humane, Anisa Ismajli është gjithashtu shembull i ndërgjegjësimit të shoqërisë – sidomos shoqërisë shqiptare që ende nuk e ka të zhvilluar një ndërgjegjësim të tillë –për të ndihmuar vullnetarisht njerëzit në nevojë, duke reflektuar në këtë mënyrë, edhe dashurinë, mëshirën dhe ndihmën e saj ndaj më të varfërve të shoqërisë.  

Nuk është për tu çuditur, pra, që ditët e fundit, aktorja Anisa Ismajli shpërtheu me lotë dhe me zemërim, nepërmjet një deklarate spontane, tepër kritike, ndaj asaj që ajo e cilëson si “kastë politike”, që po na “thejnë shpirtënisht”.  Është një shpërthim natyror e njerëzor ndaj krijimit– që unë e kam konsideruar për një kohë të gjatë — si një boshllëk moral në politikën shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, një shpërthim i një aktoreje të kinematografisë shqiptare që shkundi botën shqiptare për disa ditë.  Është një alarm që duhet të dëgjohet nga klasa politike aktuale në Kosovë, por edhe nga të gjithë, anë e mbanë trojeve shqiptare.  Është kjo një protestë e një nëne shqiptare e zemëruar, por që fletë në emër të shumë nënave e prindërve të tjerë shqiptarë.  Anisa Ismajli pyet se çka po ndodhë në shtetin tonë, Kosovën, që në kulmin e një krize shëndetësore botërore si rrejdhim i përhapjes së koronavirusit, që ka prekur jo vetëm Kosovën e që po cilësohet si kriza më e rëndë në botë ç’prej Luftës së Dytë Botërore — klasa politike shqiptare në Prishtinë zgjedhë pikërisht këtë moment për ta zhytur vendin në një krizë politike të pafund dhe pa përspektivë për një zgjidhje të shpejtë e normale.  Si rezultat i të cilës fati i vendit është në dorë të fatit, pa udhëheqje të vërtetë legjitime.  Shpërthimi i aktores kosovare, Anisa Ismajli ndaj klasës politike të Republikës së Kosovës, vërtetë, ta këputë shpirtin! 

Ja deklarata e plotë – me plotë zemërim e sinqeritet, humanizëm e atdhedashuri — e aktores shqiptare nga Kosova, Anisa Ismajli, marrë nga youtube:

“Kjo sonte çka po ndodhë në këtë shtetin tem, që aq shumë e duam krejt na. Krejt mendoj që kjo kastë politike ashtë, ndoshta 100 prej tyne, ndoshta janë një mijë prej tyre, e na populli, jemi gati dy milionë.  A duhet këta njerëz m’u ndalë dhe me thanë se neve shpirtënisht po na thejnë.  Nesër bëhen 21 vjetë kur kanë fillu bombardimet.  Do me thanë, ka qenë kohë gëzimi për ne, por ka qenë prap se prap nji frikë kur e kisha çikën time tri javësh, në atë kohë.  Para 21 vitesh kam kajtë që kështu.  Mbas 21 vitesh po kajë prap për këtë vend që ashtë aq i vogël e ashtë kaq i mirë, por që aspak nuk e meriton këtë çka po na ndodhë neve, si popull.  Kush na ka mallku deri në këtë masë?  Kush na ka mallku?  Flasim qysh jemi solidarë ndaj njani tjetrit, jemi popull që kemi shumë shpresë, jemi popull që kemi shumë ardhëmëri, kemi rini.  Kjo kastë e politikës – këta s’janë në tokë të bukës,(Zotit) nuk janë në tokë të bukës, se me qenë në tokë të bukës, diqysh duhet me u ndalë…kjo çka po ndodhë me njerëzit e politikës tonë…po më duket se zemra po don me më dalë prej vendi, në këto momente.  Hej, ishalla qitni gishtin këtu në kokë e mendoni se duhet me i dhanë fund, për hatër të neve njerëzve që jemi këtu, taksapagues, nuk po vjedhim, kemi nji punë, kemi nji rrogë, aq!

Anisa Ismajli po i flet, në atë mënyrën e vet, klasës politike, ose “kastës politike” shqiptare, ose “njerëzve të politikës tonë” siç i cilëson ajo ata, por që vlen jo vetëm për politikanët në Prishtinë por edhe ata në Tiranë.  Ajo flet në emër të gjeneratës së saj dhe të fëmijve të saj, por edhe të shumë të tjerëve, duke u bërë thirrrje përfaqsuesve të tyre të zgjedhur dhe partive politike: Qitni gishtin këtu në kokë e mendoni se duhet me i dhanë fund grindjeve, përçarjeve e ndasive se jemi të gjithë shqiptarë, “për hatër të neve njerëzve që jemi këtu, taksapagues”, u lutet Anisa politikanve shqiptarë me lotë në sy. “Kush na ka mallku deri në këtë masë?  Kush na ka mallku?, pyet ajo me sy të përlotur, duke këmbëngulur për një përgjigje.

Me fjalë të tjera, Anisa Ismajli — dhe nepërmjet saj edhe shumë të tjerë e të tjera si ajo, po i bën thirrje klasës politike shqiptare, që me sjelljet e tyre aktuale, me grindjet dhe përçarjet midis tyre, të mos tradhtojnë popullin e vet, para të cilit janë betuar t’i shërbejnë, t’a mbrojnë, t’a mbështesin dhe t’a drejtojnë në rrugën e duhur, drejtë një të ardhme më të mirë për të gjithë.  Anisa porositë me lotë në sy se mjaft është mjaft me këto sjellje të papërgjegjëshme dhe anti-kombëtare të klasës politike aktuale. 

Populli thotë mjaft!  Ju duhet të jeni të vetëdijshëm dhe të veni gishtin në ball për situatën e krijuar, siç sugjeron Anisa Ismajli, por për fat të keq ju nuk jeni të aftë të vlerësoni se sa e rëndë është situate, që ju vet e keni krijuar.  “Diqysh duhet me u ndalë”, porositë Anisa.  

Ndaloni dhe reflektoni, si individë, si politikanë dhe si parti politike, për situatën e krijuar, para se të jetë vonë!  Sidomos në një atmosferë të koronavirusit, që e gjithë bota është angazhuar për ta luftuar së bashku, ndërkohë që ju jeni katandisur në një krizë politike, që sipas ekspertëve, është më e rënda ç’prej luftës në Kosovë.  Kriza e koronavirusit do të kalojë, shpresojmë pa dëme të mëdha për shqiptarët dhe për botën, por si t’ia bëjmë me ndasitë dhe përçarjet politike në radhët e politikanëve shqiptarë dhe partive të tyre, të cilët, madje as edhe një murtajë vdekje-prurëse si kjo, nuk i bashkon ata për të mirën e vendit dhe popullit që ata përfaqësojnë. 

Mjaftë kanë derdhur lotë Anisat shqiptare. Të gjithë, e sidomos përfaqsuesit e zgjedhur politikë të shqiptarëve duhet të jenë të vetdijshëm ndaj vuajtjeve të popullit dhe të bëjnë çmos që nënat shqiptare, si Anisa Ismaili, të mos derdhin më lotë zemërimi e hidhërimi.  Rinia shqiptare, që përmend Anisa Ismajli në deklaratën e saj, është e zhgënjyer, e frikësuar dhe e shqetësuar se ata vet dhe as prindërit e tyre nuk po gjëjnë punë dhe si rrjedhim, rinia shqiptare po merr rrugët e botës për të fituar ndonjë lek për të mbajtur gjallë prindërit e lënë pas, pothuaj në dorë të fatit. 

Për 30-vjet tani kemi mbetur duke folur e duke shkruar, por më kot, se grindjet dhe përçarjet politike në dy shtetet shqiptare kanë uzurpuar jetën politike dhe ekonomike, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duke ia zenë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe demokratik, një atmosferë kjo që falë influencës në politikë të oligarkëve të korruptuar dhe bashkpunimit të tyre me politikanët shqiptarë — ka helmuar jo vetëm jetën normale politike dhe shoqërinë, në përgjithësi, por edhe median dhe pothuaj çdo aspekt të jetës, të kontrolluar prej tyre.

Uroj që klasa politike shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri të dëgjojë fjalët dhe gjamën e Anisa Ismajlit, si një shenjë e humbjes së durimit dhe zemërimit të qytetarëve ndaj gjëndjes aktuale politike në trojet shqiptare, zemërim që u shpreh me lotët e aktores Anisa Ismailit për vuajtjet e popullit të saj.  Me qëllim që nënat shqiptare, si Anisa, të mos derdhin më lotë zemërimi, sepse as ato as shqiptarët, “nuk e meritojnë këtë çka po na ndodhë neve, si popull”. 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

U ngute Zonja Ambasadore!

March 2, 2020 by dgreca

STARS AND STRIPES FOR EVER!/

Nga Frank Shkreli/

U ngute Zonja Ambasadore! Ne shqiptaro-amerikanët, kemi pritur për 50-vjet për valvitjen e Flamurit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri dhe në çdo kënd të trojeve shqiptare.   Ke vetëm disa javë në detyrë, por mos u habit fare se, ndoshta nuk e keni venë re ende, por flamur amerikan valvitet gjith andej dhe kudo në Shqipëri, në Kosovë dhe gjetkë.

Lotët e para të mia kur kam vizituar Shqipërinë me delegacionin e parë të Departamentit Amerikan Shtetit në mars/prill, 1991, ishte pikërisht momenti kur për herë të parë vendosëm flamurin amerikan në makinën tonë diplomatike me të cilën udhëtuam anë e mbanë Shqipërisë, në atë kohë.

Nuk qava nga mjerimi në të cilin e kishte sjellë komunizmi Shqipërinë e para-ardhësve të mi, por qava se më në fund Flamuri i vendit tim, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po valvitej i lirë në tokën e të parëve të mi.

Ju lutem mos e diskurajoni përdorimin e flamurit amerikan në trojet shqiptare, madje edhe në manifestime të tilla, paqësore.  Flamuri amerikan vetëm të mira i ka sjellur atij kombi. Shqiptarët e dinë këtë, pa marrë parasyshë keq qeverisjen e tyre për këto 30 vjetë, nga udhëheqës që pretendojnë dhe kanë pretenduar se kanë mbështetjen e SHBA-ve dhe të ambasadorëve të saj të akredituar në Tiranë.

Të kisha qenë në vendin tuaj, unë nuk do të kisha bërë ndonjë koment për valvitjen e Flamurit Amerikan. Nuk i kontrollon dot me shqiptarët.  Megjithë hallet e tyre të shumta , ata atje e kanë shpresën: Tek ky Flamur. Unë do isha shumë më i kënaqur për valvitjen e Flamurit të Shteteve të Bashkuara me atë entuziazëm që valvitet gjithmonë në Shqipëri. Kjo pas 50-vjet komunizëm, kur atëherë, vetëm të përmendje emrin e Amerikës, regjimi komunist të fuste në birucë.

Duke e njohur deri diku atë histori, unë do isha shumë më i pakënaqur në qoftë se flamuri i vendit tim të adaptuar, Amerikës tonë të dashur që na ka dhënë strehim mijëra shqiptaro-amerikanëve si unë, se sa të shikonim në manifestime të tilla, djegien ose shkeljen e Flamurit të tonë të dashur, ashtu siç ndodhë shpesh në shumë vende të tjera të botës.

Zonja ambsadore të uroj punë të mbarë në detyrën e re! Me mirëkuptim,

STARS AND STRIPES FOR EVER!

Nga një shqiptaro-amerikan,

Frank Shkreli

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

KUSH DO TË JETË PËRFAQËSUESI I POSAÇËM I BASHKIMIT EVROPIAN PËR BISEDIMET KOSOVË-SERBI?

February 21, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/ Sipas një njoftimi për median të premtën nga Bashkimi Evropian,(BE) Përfaqsuesi i lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Josep Borrell foli në telefon, veças me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar, sipas njoftimit, bisedimet që ai kishte zhvilluar me ta gjatë vizitës së tij të parë në Beograd dhe në Prishtinë në fund të Janarit.

Por duket se arsyeja kryesore e këtyre telefonatave që Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së zhvilloi me tre udhëheqësit e lartë-përmendur ishte vendimi për të emëruar një Përfaqsues të Posaçëm të BE-së për Dialogun në Ballkanin Përendimor, siç cilësohet në njoftimin për media, midis Serbisë dhe Kosovës.

Me rastin e vizitës së tij në Prishtinë dhe në Beograd në fund të Janarit që kaloi, pritej që Josep Borrell, në kapacitetin e tij si Shef i Politikës së Jashtme të BE-së, do të vazhdonte rolin e paraardhëses së tij,Federica Mogherini dhe si i tillë do të kryesonte dialogun Kosovë-Serbi, sipas modelit të Mogherinit.  Në një artikull me rastin e vizitës së Përfaqësuesit të Politikës së Jashtme Evropiane, Josep Borrel në Serbi dhe në Kosovë, pata shkruar se emërimi i diplomatit spanjollit Borrell në atë detyrë, ishte lajm i keq për Kosovën. Kisha sugjeruar me atë rast se ai mund të ishte njeriu më i papërshtatëshëm për atë detyrë dhe se për arsye të qendrimit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës, në të kaluarën, dhe për faktin se vjen nga një vend si Spanja që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Republikës së Kosovës – do të ishte më mirë që të tërhiqej nga një rol i tillë, në bisedimet e ardhëshme Kosovë-Serbi,dhe të emërohej dikush tjetër më i përshtatshëm dhe më i paanshëm, për bisedimet e vështira Beograd-Prishtinë. http://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-kush-eshte-josep-borrell-per-shqiptaret/

Cilatdo qofshin arsyet e tërheqjes së tij nga roli për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi, vendimi i Josep Borrell për t’u tërhequr dhe për të emëruar një përfaqësues të posaçëm për këtë detyrë delikate, është një vendim i mirëseardhur, kur të merren parasysh komentet e tija, në të kaluarën, kundër pavarësisë së Kosovës, megjithëse ai ishte në një rol tjetër, si përfaqsues i Spanjës.  Por me at rast, argumentova se Josep Borrel, si përfaqsues i BE-së, nuk kishte as besueshmërinë minimale të nevojshme për të udhëhequr bisedimet Serbi-Kosovë, sidomos për nga pikëpamja dhe këndveshtrimet e Kosovës. 

Shefi i Politikës së Jashmt të Bashkimit Evriopian, Josep Borrell.

Sipas njoftimit të BE-së për media të premten, Josep Borrel ka nënvijuar se emërimi që pritet të bëhet shpejt për një përfaqësues tëposaçëm te BE-së në bisedimet Serbi-Kosovë, pasqyron rëndësinë që Bashkimi Evropian dhe ai vet personalisht, i kushtojnë rajonit dhe stabilizimit të gjendjes dhe përparimit atje në rrugën drejt integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimornë Bashkimin Evropian.Në njoftimin e BE-së thuhet gjithashtu se Josep Borrel do të vazhdojë të jetë personalisht i angazhuar në mbështetje të përspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe ndaj rolit të tij si lehtësues në dialogun Prishtinë-Beograd.

Megjithë këtë angazhim të tij personal, sipas raporteve në media, pritet që së shpejti, Shefi i Politikës së Jashtme Evropiane të emërojë një të dërguar të posaçëm të BE-së, që do të merret ekskluzivisht me dialogun Serbi-Kosovë.  Megjithësederi tani ai nuk ka përmendur ndonjë emër të mundëshëm për këtë rol — emërimi i një përfaqsuesi evropian për bisedimet Prishtinë-Beograd — është një lajm i mirë në vetvete, duke marrë parasysh se Josep Borrel, në mendimin tim, nuk do të ishte njeriu më i përshtatëshëm për këtë rol.

Por nëqoftse u besohet disa lajmeve që po qarkullojnë sot e që thonë se Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel, po konsideron për këtë detyrë, Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Mirosllav Lajçek.  Një propozim ky, ndoshta, jo aq i keq sa do të ishte vet Josep Borrel në rolin ndërmjetësues evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, por do të ishte, sipas meje, gjithnjë një emërim problematik për Kosovën, pak a shumë për të njëjtat arsye pse do të ishte problematik, edhe Josep Borrell, po të luante rolin e përfaqësuesit evropian në bisedimet Kosovë-Serbi.  Sepse siç dihet, edhe Sllovakia është një prej 5 vendeve që ende nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe si i tillë, a mund të pritet që ai të jetë asnjanës?  Ashtu si Spanja, edhe Sllovakia ka probleme me grupet etnike mbrenda kufijve të saj.  Në Sllovaki jetojnë afër gjysëm milioni hungarezë, ose 8.5% e popullsisë së përgjithshme prej 5.5 milionë veta.  Gjëndja e hungarezve nuk është aq e keqe në Sllovaki, por problemet etnike midis sllovakëve dhe hungarezve vazdojnë të jenë problematike.  Situata këto se në një mënyrë ose në një tjetër, afektojnë pikëpamjet e zyrtarëve të lartë siç janë spanjolli Josep Borrel dhe Mirosllav Lajçak, madje edhe në rolin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.Për fat të mirë, edhe nëqoftse bëhet një propozim i tillë, emërimi I Miroslav Lajçak, duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare tëBashkimit Evropian. Shpresoj që vendet kryesore të BE-së të jenë sensitive ndaj faktorëve të tillë, të kenë një mirëkuptim të përbashkët dhe të emërojnë një diplomat të karierës, njohës i mirë i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe çeshtjeve ndërlikuese midis Kosovës dhe Serbisë, në veçanti.Mbitë gjitha, përfaqsuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, duhet të jetë një ndërmjetës i paanshëm, me një besueshmëri të lartë dhe të pa cënueshme.  Por, jo vetëm kaq, përfaqësuesi evropian për bisedimet Serbi-Kosovë, duhet të jetë gjithashtu një individ i cili do të mund të bashkpunojë ngusht edhe me përfaqsuesit e posaçëm të Shteteve të Bashkuara, të cilët janë emëruar tanimë, nëqoftse bisedimet Prishtinë-Beograd do të kenë edhe mundësinë më të vogël që të dalin me sukses.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak – A do të jetë ky përfaqsuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun e ardhëshëm Prishtinë-Beograd?

Filed Under: Politike Tagged With: BE-Kosovë, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT