• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MËSIMET NGA LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT PËR AKTUALITETIN POLITIK MBARË SHQIPTAR: A EKZISTON MË BESA SHQIPTARE?

July 3, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Përball aktualitetit konfliktual politik në trojet shqiptare, por edhe duke marrë parasysh situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe reagimet e ndërkombëtarëve për shtensionimin e menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës, ndërsa paralajmëruan pasoja në rast të dështimit – përfshir sanksione të njëanshme kundër Republikës së Kosovës – ndoshta ia vlen të shikohet se çfarë mësimesh mund të nxirren nga Lidhja Shqiptaer e Prizrenit në 145-vjetorin e saj.  Në një kohë kur sot, jo shumë ndryshe nga atëherë, rrezikohet copëtimi i trojeve shqiptare. 

Historia e shqiptarëve na tregon se kurdoherë që trojet shqiptare kërcnoheshin nga fqinjtë dhe armiqtë e jashtëm – shqiptarët bashkoheshin dhe thirrnin mbajtjen e kuvendit dhe lidhnin Besën për të mbrojtur, të gjithë së bashku, interesat e Kombit shqiptar në të gjitha trojet e veta. Përball rreziqeve të shumta që i kanoseshin krahinave shqiptare në atë kohë nga fqinjtë grabitqarë hidhet kushtrimi për mbajtjen e Lidhjes Shqiptare në Prizren në mbrojtje të tokave, interesave dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve.  Nuk ishte pra ky një takim krahinor ose gjysëm përfaqësues, por ishte mbarë kombëtar.  

145-vite më parë, me 10 Qershori të vitit 1878 është mbajtur Kuvendi Kombëtar në Prizren, aty u përfaqësuan të gjitha krahinat e Atdheut, me qëllim, sipas fjalëve të Abdyl Frashërit, “Që t’u presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”, ka thënë ndër të tjera, Abdyl Frashëri, përfaqsuesi kryesor i Lidhjes së Prizrenit.  Aty u vendos njëzëri themelimi i “Lidhjes Shqiptare”, si organizata e vetme kombëtare shqiptare, objektivi i të cilës do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve në luftën për të mbrojtur territoret autoktone shqiptare dhe për të siguruar të drejtat kombëtare të gjithë Shqiptarëve.

Me atë rast, një Komitet Qendror u krijua për të drejtuar Lidhjen e Prizrenit, ndërkohë që u morën vendime me rëndësi historike për Kombin dhe i cili do të ushtronte kontroll mbi të gjitha degët e tija. Ky Komitet, si enti përfaqësues më i lartë i Lidhjes së Prizrenit, kishte një përfaqësi mbarëkombëtare prej 47 anëtarësh nga të gjitha trevat shqiptare. 

Kush mund ta marrë me mend sot një organizim të tillë mbarëkombëtar – përball konflikteve aktuale politike brenda dy shteteve shqiptare dhe përball mosmarrveshjeve të vazhdueshme politike midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, në lidhje me çeshtjet më madhore të Kombit. 

Qershori i vitit 1878 ishte muaji i Lidhjes së Prizrenit, por edhe i memorandumeve, peticioneve që hartuan shqiptarët në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare dhe të tërësisë tokësore, por edhe i protestave të organizuara anë e mbanë trojeve shqiptare.

Në një memorandum të datës 13 qershor, 1878, shkodranët i shkruajnë, ndër të tjera, kryeministrit britanik të asaj kohe, Lordit Beaconsfield: “… Ashtu si nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu e kundërshtojmë me të gjitha forcat tona cilindo që do të dëshironte të na bënte sllavë, ose austriakë ose grekë… Ky karakter kombëtar që nuk është përgënjeshtruar kurrë dhe që ka luftuar ngadhënjimisht kundër egërsisë osmane për më shumë se katër shekuj, nuk mund dhe nuk duhet të zhduket tani në këtë shekull qytetërimi nga dora e aeropagut evropian…”.

Nga protesta e 16 qershorit, 1878 në Shkodër, në një memorandum të nënshkruar nga 320 përfaqësues të popullsisë së rretheve të Tiranës, Durrësit, Krujës, Lezhës, Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Podgoricës e tjera, ndër të tjera thuhet: “Ne të nënshkruarit, në emër të të gjithë popullit, kemi nderin të shpallim se kombi shqiptar, qoftë mysliman, qoftë katolik, që ndryshon prej sllavëve… është njëzëri i vendosur të mbrojë Atdheun e vet kundër ndarjes së territorit që është projektuar, si një veprim që është në kundërshtim me historinë e tij, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij…”

Ndërsa në memorandumin drejtuar ministrave të jashtëm të Fuqive të Mëdha, disa personalitete shqiptare që ndodheshin në Stamboll, shkruajnë: “Duke i parashtruar Kongresit dëshirat e veta dhe duke iu lutur që t’i marrë ato parasysh, populli shqiptar proteston përball Evropës kundër aneksimit të cilësdo pjesë më të vogël të truallit të tij nga një komb tjetër dhe shpall se është gati të bëjë fli të gjitha fuqitë e veta jetësore dhe ushtarake për ta mbajtur këtë vendim suprem, të cilin e konsideron si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…”

Në letrën protestë kundër popullsisë së sanxhakut të Prishtinës drejtuar Kongresit të Berlinit më 25 qershor, 1878 kundër mizorive të kryera mbi popullsinë shqiptare prej ushtrive serbe, ruse, malazeze dhe bullgare, shkruhet: “…Po qe se do të ndodhte flijimi i kombit tonë dhe ky do bëhej viktimë e padrejtësive të lartpërmendura…ne do të vdesim me nder deri tek njeriu i fundit, që të mos jemi aspak viktima e këtij nënshtrimi…”.

Dhe në vendimin që mori Lidhja Shqiptare për Jugun në mbledhjen që u bë në Janinë me 24 korrik, 1878 për t’i kërkuar qeverisë osmane bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi, theksohet se, “Shqiptarët, të udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme patriotike, e gjithë Toskëria dhe Gegëria, u betuan dhe lidhën besën me shkrim për të mbrojtur tokën e shenjtë të vendlindjes…”. (Citimet e mësipërme marrë nga libri “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881”, Kristo Frashëri).

Ja ku jemi sot! Është korriku i vitit 2023 – 145-vite ç’prej themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kombi shqiptar — përball kërcnimeve të vazhdueshme të fqinjve ndaj të drejtave të shqiptarëve, sidomos nga Serbia me mbështetjen e Rusisë — as sot nuk po gjenë paqën në trojet e veta. 

Zëri i burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bën sot jehonë liderve të kombit, në këtë 145-vjetor të saj. U bën thirrje, në emër të karakterit të përbashkët kombëtar, që të dilni ngadhënjimtarë nga ky kaos dhe egërsi politike në të cilën e kini hedhur vendin, qoftë në marrëdhëniet me njëri tjetrit, qoftë në marrëdhëniet rajonale.  Burrat e Lidhjes së Prizrenit ishin më të përparuar dhe më patriotë se përfaqësuesit e sotëm të klasës politike shqiptare, megjithëse kushtet politike, ekonomike dhe shoqërore ishin shumë më të vështira për ta, në krahasim me gjendjen e sotme të shqiptarëve. Besëlidhja e tyre kundër armikut dhe sfidave të përbashkëta konsakrohej me besën shqiptare! 

Përball rrezikut të brendshëm dhe të jashtëm, liderët shqiptarë aktualë, në vend që të lidhin besëlidhje me njëri tjetrin. në emër të interesave madhore të Kombit për zgjidhjen e sfidave dhe të kundërshtimeve politike trokasin dyerve të kancelarive evropiane – jo për të mbrojtur interesat kombëtare kundër synimeve armiqësore të të huajve – por për tu ankuar kundër njëri tjetrit, para autoriteteve të huaja. Miqët perëndimorë i duan shqiptarët të bashkuar në objektivat e përbashkëta në mbrojtje të të drejtave të tyre shekullore dhe në miqësi me kombet fqinje.

Në qoftë se qershori i vitit 1878 ishte muaji i shpresave për Kombin Shqiptar, i besëlidhjes dhe i besës për të shpëtuar Kombin nga kërcënimet e armiqve të jashtëm, qershori i vitit 2023 – pa dyshim është muaji dhe viti i zhgënjimeve politike e shoqërore, të brendshme dhe të jashtme.  Zëri i burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bën sot jehonë, në këtë 145-vjetor të saj. I bën thirrje Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare — në emër të karakterit dhe interesave të përbashkta kombëtare, të dilni ngadhënjimtarë nga ky kaos dhe egërsi konfliktesh politike, në të cilën i kini hedhur dy shtetet shqitare dhe Kombin mbarë. 

Besoj se duhet të jeni të vetëdijshëm se, në qoftëse me të vërtetë reflektoni mbi veprimet tuaja politike sot – si në arenën kombëtare ashtu dhe ndërkombëtare — ato janë në kundërshtim të plotë me historinë e Kombit shqiptar, me interesat e tij dhe me dëshirat e tij kombëtare dhe politike, “si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar…”. Por edhe në kundërshtim të plotë me Besëlidhjen e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në Lezhë dhe të Besës Shqiptare të Lidhjes së Prizrenit. 

Jeni në rrugën e gabuar dhe në kundërshtim të plotë me dëshirat e shumicës së shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë. Si të tillë, në qoftë se vazhdoni në këtë rrugë, do të poshtëroheni politikisht dhe do të dënoheni moralisht – si politikanë individë dhe si grup politikanësh – nga ky brez dhe nga brezat e ardhshëm të shqiptarëve, për mos përfilljen e të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve.

Shqiptarët kanë dy shtete të vetat në Ballkanin Perëndimor. E kini në dorë të bëni ndryshimin e madh për të cilin pret Kombi shqiptar: Për një jetë të paqë e pajtim midis shqiptarëve pa dallim, në siguri dhe në harmoni recipkroke bashkjetëse me fqinjët, në familjen e madhe euro-atlantike, ku shqiptarët e kanë pasur gjithmonë karrigën e vet. Por, nëqoftse shqiptarët nuk kujdesen për veten, për interesat e njëri tjetrit dhe për të mirën e përbashkët afatgjatë si komb, atëherë, pse të lodhen të huajt me ne, kur e shohin se shqiptarët nuk kanë as një kompaktësi as unitet objektivash madhore kombëtare.

Pa një bashkrendim të ideve dhe qëllimeve të përbashkëta mbarë-kombëtare – bazuar në Besën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit — nuk besoj se diplomacitë solo nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, në lidhje me krizën në veri të Kosovës do të çojnë drejt përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të krizës aktuale në veri të Kosovës, por as të krizave të ardhëshme me të cilat do të përballet kombi shqiptar në vitet dhe dekadat e ardhëshme. Tre dekadat e kaluara të tranzicionit politik na kanë mësuar tanimë, që sipas thenjes së romakëve të vjetër, “të mos shpresojmë pa dyshuar, por dhe të mos dyshojmë pa shpresuar.”  Shpresa, thonë se vdes e fundit! Por shënjat, nuk duken të mira. Nuk e di pse, por përball krizave të sotme me të cilat përballen shqiptarët – po më shkon mendja larg tek ata që së janë më, por që janë të pranishëm me veprat e sidomos me idealet dhe përpjekjet e tyre — besa besë – në mbrojtje të interesave kombëtare.

Sot realiteti i egër e kërcënues, në forma të ndryshme, ndaj fateve dhe interesave të Atdheut dhe Kombit po shfaqet gjithnjë e më shumë – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar – por Besa Shqiptare e Lidhjes së Prizrenit – arma më e fortë, historikisht, e shqiptarëve për tu përballur me kërcënimet ndaj Kombit: Nuk është më, fatkeqsish!

Frank Shkreli

SHABAN HYSA | Artist, Painting, Art

                (Besëlidhja Shqiptare (Shaban Hysa, tablo 3 vitit, 1978)

A picture containing clothing, painting, building, art

Description automatically generated
A group of men in military uniforms

Description automatically generated with low confidence
A picture containing outdoor, building, clothing, funeral

Description automatically generated

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

ADEM DEMAÇI: “E PARA ËSHTË FJALA E LIRË – HAPI I DOMOSDOSHËM DREJT DEMOKRACISË

June 21, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

ADEM DEMAÇI: “Në Librin e shenjtë thuhet: ‘E para ishte fjala’. Në kohën tonë mund të themi: “E para është fjala e lirë” — si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë”. 

Në fjalimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, të mërkurën që kaloi para Parlamentit Evropian në Strasburg, Vjosa Osmani kujtoi dy figura të njohura të historisë kombëtare moderne të shqiptarëve; Dr. Ibrahim Rugovën dhe Adem Demaçin, të dy fitues të Çmimit Sakharov, të përzgjedhurur nga Parlamenti i Evropës. Frank Shkreli: Liri, Pavarësi, Demokraci s’ishin vetëm fjalë të shqiptuara me pasion nga Rugova, por janë dhe vizion i popullit të Kosovës | Gazeta Telegraf 

Në vitin 1991, Parlamenti Evropian i ka dorëzuar Adem Demaçit Çmimin e lartë, Sakharov — për integritetin e tij në kundërshtimin e një regjimi autoritar – ish-regjimit diktatorial komunist jugosllav.  Duke cilësuar Çmimin si një nderim ndaj popullit të Kosovës, Demaçi ka deklaruar, ndër të tjera,  me atë rast se, “Liria e fjalës është hapi i parë jetik drejt demokracisë.  Pa lirinë e fjalës nuk ka dialog, pa dialog nuk ka të vërtetë dhe pa të vërtetën, përparimi nuk është i mundur”, është shprehur ish i burgosuri i regjimit komunist jugosllav, Adem Demaçi.  Sakharov Prize 1991: Award ceremony Adem DEMACI (Demaçi), Kosovo | European Parliament Multimedia Centre (europa.eu)

Aktivisti i të drejtave të njeriut dhe shkrimtari shqiptar nga Kosova, Adem Demaçi, në moshën 55 vjeçare mori çmimin prestigjioz, Sakharov të Parlamentit Evropian, për përkushtimin e tij, ndaj të drejtave të njeriut dhe si mbrojtës i lirisë së fjalës. Duke folur me rastin e marrjes së Çmimit Sakharov në vitin 1991, Demaçi u ka thenë parlamentarëve evropianë se, “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqëdashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të mëdha”.  Në atë kohë, Demaçi ushtronte, nën rrethana shumë të vështira, detyrën e Kryetarit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë.  Për shkak të shkrimeve dhe pikëpamjeve të tij politike, 28 vjet të jetës ai i kaloi nëpër burgjet ish-jugosllave. 

A group of men sitting at a podium

Description automatically generated with low confidence                     Adem Demaçi duke folur në Parlamentin Evropian, 1991

Në fjalimin para parlamentarëve evropianë, Demaçi ka theksuar nevojën për lirinë e fjalës, si diçka të domosdoshme për demokracinë, ndërsa ka denoncuar dhunën dhe shkeljen brutale të drejtave të njeriut nga regjimi serb në Kosovë. Fjalimi i Demaçit në Strasburg në vitin 1991 konsiderohet ende si një prej fjalimeve më historike në Kosovë dhe në trojet shqiptare – në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të drejtave të njeriut, në përgjithësi.


Ishte pra rëndësia që ai i kushtoi lirisë së fjalës dhe lirisë së të menduarit, si tema më e rëndësishme e fjalimit të tij me atërast, ajo që tërhoqi atëherë dhe sot vëmendjen e atyre që e dëgjuan por edhe kur lexohet sot ai fjalim është tepër aktual për botën shqiptare, pasi liria e fjalës dhe e shtypit të lirië, mbetet ende një sfidë që po pengon zhvillimet demokratike në trojet shqiptare – megjithë shmebjen e komunizimit zyrtar mbi 30-vite të kaluar.  Demaçi e pat filluar fjalimin e tij para Parlamentit Evropian duke cituar Biblën: “Në Librin e shenjtë thuhet: “E para ishte fjala”. Në kohën tonë mund të thuhet, ka shtuar ai; “E para është fjala e lirë, si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë”. “Pa fjalë të lirë s’ka dialog, pa dialog nuk mund të zbulohet e vërteta, kurse pa të vërtetën nuk ka progress”, u ka thënë Adem Demaçi parlamentarëve evropianë në vitin 1991, në mbrojtje të lirisë së fjalës, si një e drejtë bazë e njeriut, pa të cilën nuk funksionon demokracia:

“Zoti Kryetar, zonja e zotërinj deputetë, falë fjalës së lirë ju e zbuluat të vërtetën e hidhur për shqiptarët në Jugosllavi. Pikërisht se fjala e lirë e shpartallon errësirën, flak tutje mjergullën dhe çjerr të gjitha maskat. Të gjithë pushtuesit e puçistët, punën e parë që e bëjnë është robërimi i fjalës. Prandaj të gjithë ata që janë ithtarë të fjalës së lirë, të gjithë ata që janë, të them me një fjalë pak si poetike – dashnorë të fjalës së lirë, kanë qenë e janë të përndjekur, të dënuar e të burgosur, të ekzekutuar e të masakruar nga robërues të fjalës së lirë.

“Por, zoti Kryetar dhe Ju, zonja e zotërinj deputetë të Parlamentit Evropian, do të guxoj të them se edhe ju të gjithë jeni dashnorë të Fjalës së Lirë dhe prandaj më keni ftuar që në këtë sallë të mrekullueshme ta dëgjoni edhe tingullin e Fjalës së Lirë Shqiptare. Mirëpo, më vjen keq që nuk kam fatin t’ju them asnjë fjalë të gëzuar e të ëmbël nga hapësirat e asaj që ende i thonë Jugosllavi”.  Adem Demaçi i ka cilësuar “dashnorët e fjalës së lirë”, si individët më të pasionuar ndaj lirisë së fjalës, si “dashnorët më të flakët në botë”, e si të tllë, “ata janë të pathyeshëm e sypatrembur”, u ka thënë Demaçi parlamentarëve evropianë më shumë se 30-vite më parë. 

Demaçi ka cilësuar ish-disidentin dhe ish-akademikun e kohës sovjetike Andrei Sakharov, emrin e të cilit bartë Çmimi që iu akorduar Adem Demaçit nga Parlamenti Evropian – si një “dashnor i fjalës së lirë”.  Që sipas tij, “Njëri nga këta dashnorë të panumërt të fjalës së lirë ishte edhe akademiku Andrej Sakharov, të cilin as izolimet, as syrgjynosjet, as acari i Siberisë nuk qenë në gjendje ta ndanin atë nga fjala e lirë. Fjala e lirë e këtij kolosi e kampioni të humanizmit, hapi rrugën e Lirisë për shumë njerëz e shumë popuj në Perandorinë Sovjetike. Sakharovi ndërroi jetë me fjalën e lirë në gojë. Ai vdiq, por fjala e lirë nuk i tradhton kurrë dashnorët e vet, ajo mbetet përgjithmonë me ta dhe i bën ata të pavdekshëm”, ka theksuar Adem Demaçi.

Adem Demaçi përfundoi fjalimin e tij të 4 dhjetorit, 1991 me një apel dreejtuar deputetve të Parlamentit Evropian:

Më lejoni që ta përfundoj fjalën time me një mendim të thellë të një miku tim të sinqertë që thotë: “Logjika e blloqeve, bllokon logjikën”. Prandaj ju thërras juve dhe gjithë botën; le t’i flakim tej të gjitha blloqet, ato raciale, fetare, kombëtare e ideologjike dhe midis popujve e njerëzve të ndërtojmë rrugë të bashkëpunimit, të respektimit të interesave të ndërsjella, të hapim shtigjet e dashurisë e të harmonisë gjithënjerëzore, që ta krijojmë një botë në të cilën të gjithë njerëzit do të jetojnë pa frikë, pa privime dhe me të drejta të barabarta njerëzore e kombëtare”, përfshir këtu edhe botën shqiptare, e sdidomos botën shqiptare sot!  Sa ishte gjallë, Adem Demaçi kërkonte nga shqiptarët që të përpiqeshin të gjejnë pikën e përbashkët: “Që të bashkojnë dijen, kulturën, arsimin dhe sidomos të kultivojnë midis tyre frymën e tolerancës”.  “Askujt nuk i shërben urrjetja”, -ka këshilluar Adem Demaçi.

 “Nëse ne, vërtetë, e duam lirinë, ne duhet të jemi vet krijuesit e lirisë sonë.  Faktori i brendshëm është elementi parësor për të fituar lirinë, ndërsa faktori i jashtëm është i dorës së dytë.  Ky është ligji i jetës që nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë. ” (Adem Demaçi)

Adem Demaci ishte një aktivist, shkrimtar dhe veprimtar i shquar në mbështetje të drejtave të njeriut.  Ai kaloi 28-vjet në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë komuniste, si pasojë e mbrojtjes pasionante të drejtave të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve.  Mbi të gjitha, konsiderohet, gjerësisht, se Adem Demaçi mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes kombëtare.

Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Adem Demaci gjatë jetës së tij njihej si kundështar i madh i regjimit komunist serbo-jugosllav. I quajtur edhe si “Mandela i Ballkanit”, Demaçi i ka kushtuar jetën dhe veprimtarinë e tij promovimit të tolerancës dhe pajtimit etnik në Kosovë dhe në Ballkanin Perendimor.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

BËHET THIRRJE PËR DORËHEQJEN E JOSEP BORRELL!

June 19, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, (BE) Kati Schneeberger, e ka kritikuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, për qasjen ndaj Kosovës., njofton Koha. net dhe disa portale të tjera.  Sipas këtyre burimeve mediatike, Kati Schneeberger ka akuzuar Josep Borrellin se po përpqiet që të sanksionojë një shtet nga i cili janë kidnapuar tre policë nga njësitë policore të Serbisë, ndërsa, këtë të fundit, e përkëdhel derisa kryen krime jashtë territorit të saj.

Zyrtarja e Bashkimit Evropian nga Gjermania, Kati Schneeberger ka bërë kërkesën e fortë që Borrell-i të japë dorëheqjen menjëherë, nga deytra e lartë, si Përfaqsues i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme. Sa për kujtesë, dhe informacion për lexuesin, Josep Borrel është një politikan i Spanjës, anëtar i Partisë  Socialiste të Punës të atij vendi. Spanja është një ndër vendete e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.  Edhe Miroslasv Lajçak, Përfaqsuesi i lartë i BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfshir të ashtuquajturin “dialog” Beograd-Prishtinë, vjen nga Sllovakia, një vend tjetër i BE-së që nuk njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës.  Çfarë kredibiliteti kanë këta dy zyrtarë të lartë të BE-së, që vijnë nga dy shtete që nuk njohin , zyrtarisht, si shtet të pavarur, në “dialogun”, midis Serbisë dhe Republikës së Kosovës? 

Tre vjetë më parë kisha parshikuar se emërimi i Josep Borrell (Përfaqsues i BE-së për Punët e Jashtme) dhe Miroslav Lajçak (Përfaqsues i BE-s për Ballkanin Perëndimor, përshir “dialogun” Prishtinë-Beograd)), nuk ishin aspak lajm i mirë për Republikën e Kosovës dhe për interesat legjitime të shqiptarëve në përgjithësi, anë e mbanë Ballkanit Perëndimor. 

 Frank Shkreli: Kush është Josep Borrell për shqiptarët? | Gazeta Telegraf

Në këtë ndërkohë, zyrtarja e BE-s Kati Schneeberger i ka bërë thirrje Evropës që të qëndrojë me Kosovën dhe i ka kërkuar Joesp Borrell-it që të jap dorëheqjen: “Dorëhiqu para se të bësh më shumë dëme. Ti je një rrezik për demokracinë dhe paqën në Evropë. Na duhen njerëz që e mbrojnë demokracinë tonë, jo që forcojnë autokratët”, citohet të ketë shkruar ajo në rrjetët sociale.  

Sa për informacion për lexuesit, Këshilltarja vendore e BE-së, Kati Schneeberger ishte e para që ndërmori përsipër — Majin e vitit 2022 — organizimin e peticionit  për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, e mbështetur në atë kohë edhe nga Reporterja e Bashkimit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek. Rezultati përfundimtar është se qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza, anë e mbanë zonës Shengen, duke filluar nga 1 Janari i vitit që vjen (2024).

Frank Shkreli

A group of blue flags with yellow stars

Description automatically generated with medium confidence

Ëndërra shekullore e shqiptarëve për të zenë karrigën që u përket në radhët e kombeve të Evropës, aty ku e kanë vendin, si njëri prej kombeve më të vjetra të kontinentit Evropian! Një ëndërrë kjo që nuk vdes — deri në realizimin e saj!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

ISH-PRESIDENTI GEORGE W. BUSH: MIK I PËRHERËSHËM I SHQIPTARËVE!

June 16, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Është një thënje anglisht që thotë se, “Once a friend, always a friend”, që shqip përafërsisht mund të përkthehet se një “mik i vjetër mbetet gjithmonë mik”. 

Në një njoftim të portalit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë thuhet se Ish-Presidenti i Amerikës, George W. Bush është takuar me një grup studentësh nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët punojnë gjatë verës në Shtetet e Bashkuara, në bazë të një programi të Departmentit Amerikan të Shtetit për të punësuar studentë ndërkombëtarë për sezonin e verës në Amerikë.  Ky grup studentësh shqiptarë që pasqyrohen në foton më poshtë, të botuar në portalin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, janë takuar me Presidentin Bush në vendin e punës së tyre – një restorant në Kennebunport të shtetit Maine – që siç duket është restoranti i preferuar i Presidentit Bush në atë qytet, ku familja Bush ka një shtëpi verore.

U.S. Embassy-Tirana 

4h  · 

Dërgesë speciale nga Presidenti Bush! Studentët nga Shqipëria dhe Kosova që po punojnë gjatë verës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë marrë një surprizë të veçantë kur ish-Presidenti i SHBA-së, George W. Bush, i bëri një vizitë së fundmi! Presidenti Bush u ndal në një nga restorantet e tij të preferuar, The Clam Shack në Kennebunk, Maine, ku studentët po punojnë si pjesë e programit të punës verore dhe udhëtimit të Departamentit të Shtetit. Studentët u kënaqën me takimin me ish-presidentin, i cili gjeti kohë për një foto me grupin jashtë (restorantit) The Clam Shack.”

Sa bukur, studentë nga Shqipëria dhe nga Kosova që po punojnë në Amerikë gjatë verës, takohen me ish-Presidentin George Bush në një restorant në mahallën ku ai kalon verën, në Kennebunkport të shtetit Maine. Sa e vogël është bërë kjo botë! Një foto e studentëve shqiptarë me një president të Amerikës i cili bëri aq shumë për shqiptarët, sidomos për Kosovën. Ishte gjatë asaj vizite në Tiranë, 16-vjet më parë, që George W Bush deklaroi se “mjaft është mjaft” — sa i përkiste zvarristjes së zgjidhjes përfundimtare të çeshtjes së Kosovës — se Kosova duhej të njihej, ndërkombtarisht, si shtet i pavarur. Ishte kjo deklaratë e fortë e Presidentit Bush nga Tirana që, më në fund, vuri në lëvizje proceset që, një vit më vonë, çuan në shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe në njohjet ndërkombëtare. 

Në të vërtetë, ky muaj shënon 16-vjetorin e vizitës së Presidentit George Bush në Shqipëri. Data 10 Qershor, 2007 është dita dhe viti që shënohet në histori kur Presidenti George W. Bush u bë presidenti i parë në historinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare që vizitoi Shqipërinë post-komuniste. 

May be an image of 9 people, flag and text

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George W. Bush me një grup studentëshs shqiptarë nga Kosova dhe nga Shqipëria në Kennebunport të shtetit Maine –Foto: US Embassy Tirana

Presidenti George W Bush gjatë asaj vizite në  Shqipëri, 16-vjet më parë — ashtu siç kishte premtuar presidenti demokrat i Amerikës, Woodrow Wilsoni 100-vjet më heret se zërin e tij do e përdorte në mbrojtje të Shqipërisë nga armiqtë e saj — edhe Presidenti republikan i Amerikës, George W Bush, pothuaj një shekull më vonë, përball pothuaj të njëjtëve armiq të Kombit shqiptar – deklaroi nga Tirana, gjatë një konferencë shtypi me ish-Kryeministrin e vendit, Z. Sali Berisha se: “Mjaft është mjaft – Kosova është e pavarur”.  Duke shprehur kështu moskënaqësinë e tij ndaj bisedimeve të pafund rreth pavarësisë së Kosovës. Media amerikane e kohës, e cila i pat bërë një jehonë të madhe vizitës së Presidentit Bush në Shqipëri 16-vjet më parë, interpretonte deklaratën e Presidentit amerikan si një deklaratë drejtuar Rusisë dhe aleatëve të saj në Ballkanin Perëndimor, që kundërshtonin pavarësinë e Kosovës.

Gjatë asaj vizite u vendosën gjithashtu edhe themelet e antarësimit të Shqipërisë në NATO. Shqipëria mori ftesën për antarësim në Aleancën e Atlantikut Verior, në takimin e nivelit të lartë në Bukuresht më 2008 dhe më 1 prill, 2009, Shqipëria u bë anëtare e plotë e NATO-s.  Nuk besoj të ishte një zhvillim i rastit – që pavarësia e Kosovës është njohur nga SHBA dhe shtete të tjera perëndimore në shkurt të vitit 2008, ndërsa Shqipëria u bë e anëtare e NATO-s, një vit më vonë. Meritë e Presidentit Bush dhe Tiranës zyrtare të asaj kohe.

“Sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë. Ka ardhur të na vizitojë miku më i madh e më i nderuar që kemi në botë – i të gjitha kohërave, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, udhëheqsi i botës së lirë”, citohej nga FOX-news e Amerikës, Kryeministri i Shqipërisë, në atë kohë, Z. Sali Berisha.

Kjo foto më lartë e ditëve të fundit e ish-Presidentit George Bush me studentët shqiptarë në shtetin Maine të Shteteve të Bashkuara vetëm pasqyron — nepërmjet këtyre të rinjve shqiptarë — edhe njëherë, ndonëse simbolike por kuptimplote, miqësinë dhe admirimin e shqiptarëve, përfshir këta të rinjë shqiptarë, kudo dhe pa dallim — për Shtetet e Bashkuara. Ndërsa me bërjen pozë duke dalur në fotografi me këta të rinjë shqiptarë – e ardhmja e Kombit shqiptar — Presidenti George W Bush tregon edhe njëherë vërtetësinë e asaj thënjës së vjetër amerikane: Once a friend, always a friend.”  Miku i vjetër, gjithonë mbetet mik!

Uroj dhe shpresoj që kjo gjeneratë e shqiptarëve që përfaqësohen në këtë foto me Presidentin George Bush, të vazhdojnë t’i konsiderojnë marrëdhëniet shqiptaro-amerikane si të shënjta dhe të pazevëndsueshme midis dy kombeve tona – e mbi të gjitha të mos harrojmë miqtë e vjetër – siç është Presidenti George W Bush.

Frank Shkreli

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

LIRI, PAVARËSI, DEMOKRACI!

June 15, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës në Parlamentin Evropian

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

“Liri, Pavarësi, Demokraci
                                               

Freedom, Independence, Democracy
                                                

Liberté, Indépendance, Démocratie”

Me këto fjalë në tri gjuhë e filloi fjalimin e saj Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ftuar të mërkurën në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Në të vërtetë, këto janë fjalët e Presidentit të parë historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova të shqiptuara 25-vite më parë, me rastin e prezantimit Dr Rugovës të Çmimit Sakharov, nga Parlamenti Evropian. Ëmimi u jepet indiidëve ose gruoeve të cilët promovojnë lirinë e mendimit dhe lirinë e fjalës.  Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në seancën plenare të Parlamentit Evropian – Presidente e Republikës së Kosovës – DR. VJOSA OSMANI – SADRIU (president-ksgov.net)

Duke iu drejtuar Presidentes Roberta Metsola, politikanes konservatore nga Malta dhe deputetëve të Parlamentit Evropian, Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, me qëllim i përshëndeti ata me këto tri fjalë: Liri, Pavarësi, Demokraci. Ishin këto fjalët e Dr. Ibrahim Rugovës shqiptuar me rastin e pranimit të Çmimit prestigjoz, Sakharov, dhënë atij 25-vjet më parë nga Parlamenti Evropian.  Çmimi Sakharov është një nderim që u akordohet individëve ose grupeve individësh që kanë dedikuar jetën e tyre në mbrojtje të drejtave të njeriut dhe lirisë së të menduarit. Çmimi, që mban emrin e ish-shkencëtarit dhe disidentit rus, është themeluar nga parlamenti Evropian në vitin 1988.

“Këto tri fjalë të fuqishme, nuk ishin vetëm fjalë të shqiptuara me pasion dhe në vazhdimësi nga Ati themeltar i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Këto ide, në fakt, kanë qenë vizion i popullit të Kosovës. Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet”, filloi fjalimin e saj Presidentja e republikës së Kosovës, Vjosa Osmani para entit më të lartë politik, përfaqsues të popujve të Evropës në Strasburg.

“Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë. 25 vjet më parë, këtu në Strasburg, lideri ynë vizionar, Presidenti Rugova u nderua me çmimin Sakharov nga Parlamenti Evropian. Atë ditë ai u prezantua nga Presidenti i atëhershëm i Parlamentit Evropian (José Maria Gil-Robles, EP President 1997 – 1999) si, “Një njeri që është zëri i popullit të tij, një popull, zëri i të cilit rrallë mund të dëgjohet”.   Sakharov Prize 1998: Award ceremony Ibrahim RUGOVA – Kosovo | European Parliament Multimedia Centre (europa.eu)

Udhëheqsja e Republikës së Kosovës, si presidentja e parë e Kosovës që iu drejtua këtij enti të lartë evropian — një brezi të ri deputetësh evropianë të cilët, për arsye të moshës së re, ndoshta as nuk kanë dëgjuar në të kaluarën për Ibrahim Rugovën, i tha Parlamentit Evropian se Presidenti Rugova e ka “konsideruar Çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm evropianë për t’u bashkuar me ta në emër të vlerave të cilat ky Union (Bashkimi Evropian) përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, është shprehur ajo. Zonja Osmani u kujtoi parlamentarëve evropianë se ajo ishte vetëm 16 vjeç kur tanket e ushtrisë serbe hynin në vendlindjen e saj në Mitrovicë dhe se gjithnjë mban mend se si dhënja e Çmimit Sakharov Dr. Ibrahim Rugovës si dhe fjalët e tija në atë kohë, “na dhanë aq shumë shpresë.”  Ishte një shenjë e fortë, theksoi ajo, se në Evropë, shqiptarët e Kosovës, “më në fund po dëgjoheshim”, se “Evropa jo vetëm që i kishte hapur dyert Presidentit Rugova por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht”.

“Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem Presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që po flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë tonë”, u shpreh ajo, në shenjë mirënjohjeje për ndihmën që ai ent ka dhënë në të kaluarën dhe tani për Kosovën.

Presidentja Osmani u tha deputetëve evropianë se, në fjalën e tij 25-vjetë më parë në Parlamentin Evropian, duke pranuar Çmimin Sakharov të Lirisë së të Menduarit dhe fjalës së lirë, Dr. Ibrahim Rugova u ka kujtuar atyre fjalën e urtë e të vjetër popullore shqiptare se, “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.  Zonja Osmani i tha brezit të ri të politikanëve të sotëm evropianë se – ashtu si atëherë në kohën e Rugovës — Kosova ka nevojë edhe sot për miq dhe për ndihmën e tyre. “Kjo ishte e vërtetë për ne gjatë viteve ’90, por është po aq e vërtetë edhe sot, ndërsa ne kërkojmë të forcojmë aleancat tona dhe një ditë t’ju bashkohemi këtu në këtë familje kombesh”,  theksou ajo në fjalën e saj drejtuar Parlamentit Evropian. Kjo siç duket – duke pasur ndër mend krizën e ditëve të fundit në vendlindjen e saj në Mitrovicë, në veri të Kosovës, të shkaktuar nga banda terroriste serbe të sponsorizuara nga Beogradi zyrtar – në përpjekje për të destablizuar Kosovën, rajonin dhe më gjërë.

Pasojnë disa nga pjesët më pikante të fjalimit të të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj para Parlamentit Evropian të mërkurën në Strasburg: “Presidentja Vjosa Osmani: “Unë kam folur sot se sa shumë ndajmë me BE-në – si Kosova ashtu edhe Ukraina – sepse dy vendet tona, pavarësisht distancës, ndajnë një histori pikëllimi në tokën e përbashkët evropiane, por një të ardhme me potencial dhe mundësi të mëdha në familjen e përbashkët evropiane. Asgjë nuk e ilustron këtë më fuqishëm sesa ngjyrat e përbashkëta të flamujve tanë – e kaltërta dhe e verdha. Së bashku, këto ngjyra përfaqësojnë shpresën për një agim të ri.”

Presidentja Vjosa Osmani: “25 vjet më parë, këtu në Strasburg, lideri ynë vizionar, Presidenti Rugova është nderuar me çmimin Saharov nga Parlamenti Evropian. Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht.”

Presidentja Vjosa Osmani: “Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, populli dhe institucionet e Kosovës kanë nisur një rrugëtim të jashtëzakonshëm të transformimit, rritjes dhe prosperitetit të vazhdueshëm. Ne kemi punuar pa u ndalur për të forcuar institucionet tona, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të konsoliduar demokracinë tonë.”

Presidentja Vjosa Osmani: “Ka ardhur koha që Kosova të bëjë hapa domethënës përpara në rrugën e saj drejt BE-së. Udhëtimi ynë është shënuar nga sakrifica, vendosmëria dhe nga një besim i palëkundur në vlerat që lidhin kombet tona së bashku. Ne jemi të gatshëm t’i bashkojmë forcat tona me ju, për të kontribuar për një Evropë më të fortë, më të begatë dhe të bashkuar.”

Presidentja Vjosa Osmani: Republika jonë e re lindi nën ritmin dhe tingujt e Evropës.  Ashtu si shpirti i patrembur i një Republike të sapolindur, himni “Ode of Joy” rezononte me ndjenjat që mbartnim në zemrat dhe shpirtërat tanë, duke adhuruar dhe përqafuar idealet e lirisë, paqes dhe solidaritetit.”

Presidentja Vjosa Osmani: “Fjalimin tim sot e nisa me Presidentin Rugova dhe dua ta përfundoj me një tjetër fitues të çmimit Sakharov nga Kosova, Adem Demaçin, i cili kaloi gati 3 dekada të jetës së tij në burg për shkak të luftës së tij për një Kosovë të lirë, ku respektohen të drejtat e njeriut, për të gjithë. Duke folur me rastin e marrjes së Çmimit Sakharov në vitin 1991, ai ka thenë: “Duke më nderuar mua, ju po nderoni popullin e Kosovës, një popull paqëdashës dhe liridashës që po kalon vuajtje të mëdha”.

Presidentja Vjosa Osmani: “Zgjodha të flas edhe për të kaluarën tonë, sepse ajo ka formësuar të tashmen tonë dhe mbetet jetike teksa krijojmë të ardhmen tonë”.     EP Plenary session - Formal Sitting - Address by Vjosa OSMANI-SADRIU, President of KosovoPresidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani duke folur të mërkurën në Parlamentin Evropian.  Presidentja Vjosa Osmani: “Një vend dhe një demokraci nuk është më e fortë për shkak të ndonjë individi apo lideri, apo ndonjë reforme të caktuar. Forca e një vendi vjen nga forca kolektive e popullit të tij”.

May be an image of crowd and text

                                           Parlamenti Evropian në Strasburg të Francës

                                                     Presidents of Kosovo - President of the Republic of Kosovo - DR. VJOSA ... Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr Ibrahim Rugova, fitues i Çmimit prestigjoz, Sakharov për lirinë e të menduarit dhe të fjalës, dhënë atij nga Parlamenti Evropian, 1998 – “Liri, Pavarësi, Demokraci”. “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.

Image result for adem demaci

 Adem Demaçi, fitues i Çmimit prestigjoz, Sakharov për lirinë e të menduarit dhe të fjalës, dhënë nga Parlamenti Evropian, 1991 — “Në Librin e shenjtë thuhet: “E para ishte fjala”. Në kohën tonë mund të thuhet: “E para është fjala e lirë”, si hapi i parë dhe i domosdoshëm drejt demokracisë”. Sakharov Prize 1991: Award ceremony Adem DEMACI (Demaçi), Kosovo | European Parliament Multimedia Centre (europa.eu)

.

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 174
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FEDERATA PAN-SHQIPTARE E AMERIKËS VATRA, DEGA QUEENS-NEW YORK I KËRKON PARLAMENTIT TË SHQIPËRISË RIATDHESIMIN E ESHTRAVE TË IMZOT FAN NOLIT NË SHQIPËRI
  • “Shqetësimet e fëmijëve tanë”
  • Një “makondo” për vendlindjen
  • Ekspozita retrospektive e piktorit Xhevdet Spahija
  • Albanian Brain drain! Human Capital Flight!
  • “DIELLI” ME SHQIPTARËT NË AUSTRI, TË MËSOSH SHQIP NËPËRMJET RADIOS
  • KËNGA E GJORG GOLEMIT DHE FIGURA GJERGJ ARANITIT NË LETËRSI DHE ARTE
  • Kujtojmë 226-vjetorin e lindjes së Naum (Bredhi) Veqilharxhit (1797-1854)
  • Imzot Lazër Mjeda, Veprimtar i dalluar fetar dhe kombëtar në kohën e rreziqeve (1909 – 1921)
  • “Korridore të gjelbra”
  • Sllavët
  • 334 vjet nga vdekja e Pjetër Bogdanit, teologut dhe shkrimtarit të shquar arbën
  • KISH  NË ZEMËR SHQIPËRINË
  • Testamenti i një njeriu të urtë të politikës shqiptare
  • Fshatrat shqiptare po shpopullohen nga mungesa e mbeshtetjes nga buxheti i shtetit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT