• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË RIANGAZHIM I SHTETEVE TË BASHKUARA NË EVROPËN QËNDRORE

February 11, 2019 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Nga Frank Shkreli/

Të ënjtën që kaloi, Departamenti Amerikan i Shtetit, (DASH) njoftoi se politika e jashtme amerikane, përveç tjerash, do t’i kushtohet këtë javë Evropës, më saktësisht disa vendeve ish-komuniste të Evropës Qëndrore.  Në njoftimin për mediat thuhet se Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Michael R. Pompeo do të vizitojë nga 11 deri me 15 shkurt, Budapeshtin, Bratisllavën, Varshavën (një ndalesë ku do t’i bashkohet edhe Zëvëndës Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence), pastaj Brukselin dhe në fund të javës edhe  Reykjavikun.  Njoftohet se me të arritur në Hungari të hënën, kryediplomati amerikan është takuar me Kryeministrin e atij vendi, Z. Orban, me Ministrin e jashtëm dhe me Ministrin e mbrojtjes, për të diskutuar mbi një numër çështjesh që prekin marrëdhëniet dypalëshe amerikano-hungareze, përfshirë bashkpunimin në fushën e mbrojtjes, çështje të energjisë dhe të sigurisë, mbështetjen për Ukrainën dhe mënyrat për të kundërshtuar influencën ruse dhe kineze në rritje e sipër në rajon dhe për përforcimin e Aleancës perëndimore, ndërkohë që do të gjejë kohë të takohet edhe me udhëheqsit e shoqërisë civile të atij vendi.

DASH thekson në njoftimin e tij mbi vizitën e kryediplomatit amerikan në Evropën Qendrore se pas Hungarisë, të martën Z. Pompeo do të ndalojë në Bratisllavë të Sllovakisë ku ka në plan të takohet me Presidentin e atij vendi, Z. Kiska, me Kryeministrin, Z. Pellegrini dhe me Ministrin e jashtëm, Z. Lajcak,  për bisedime mbi marrëdhëniet amerikano-sllovake të sigurisë si dhe çështje që kanë të bëjnë me rajonin e Evropës Qëndrore në veçanti dhe subjektetë  rëndësishme botërore.  Në Sllovaki, Sekretari Amerikan i Shtetit do të vizitojë edhe Memorialin e Lirisë, ku më shumë se 400-veta kanë humbur jetën duke u përpjekur të largoheshin nga ish-Çekosllovakia komuniste për në Austrinë e lirë duke filluar nga viti 1948 e deri në vitin 1989.   Në këtë këndveshtrim, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e atij vendi, zyrtari i lartë amerikan do të zhvillojë një bisedë me studentët sllovakë mbi trashëgiminë e lirisë dhe demokracisë perëndimore dhe për triumfin e saj mbi komunizmin, 30-vjet më parë.

Ndërkaq, gjatë vizitës së tij në Varshavë, Z. Pompeo do të takohet me Ministrin e jashtëm, Z. Czaputowicz për të diskutuar çështje të sigurisë dhe të energjisë, me qëllim të përforcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të ngushta midis Shteteve të Bashkuara dhe Polonisë.  Në Varshavë, së bashku me Zëvëndës Presidentin amerikan, Z. Mike Pence — sipas njoftimit të DASH — Z. Pompeo do të marrë pjesë në konferencën e përbashkët në nivel ministror, të organizuar nga SHBA dhe Polonia, “Për Promovimin e paqës dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme”.

Nga Varshava, Kryediplomati amerikan do të udhëtojë për në  Bruksel, ku rpitet të takohet me Ministren e Jashtme të Bashkimit Evropian, Z-njën Federica Mogherini për bisedime për bashkpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, mbi një numër çështjesh, përfshirë gjëndjen në Venezuelë, përforcimin e sigurisë në Evropë dhe për mënyrat për të përballuar kërcënimet nga Irani dhe Rusia.

Në këthim e sipër për në Washington, Sekretari Amerikan i Shtetit do të ndalojë në Reykjavik të Islandës, ku pritet të takojë Kryeministrin e atij vendi, Z. Jakobsdottir dhe Ministrin e jashtëm, Z. Thordarson për bisedime, ndër të tjera, mbi çështje të sigurisë në Atlantikun verior.

Në vigjilje të vizitës së Z. Pompeo në Evropë, nga zyra e zëdhënsit të DASH është shpërndarë për median një dokument (Fact Sheet) në lidhje me vizitën e Kryediplomatit amerikan ku thuhet se, “Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për një aleancë të fortë, të bashkuar dhe të aftë, bazuar në mbrojtjen e përbashkët, në demokraci dhe në liritë themelore të njeriut”.  Më tej theksohet se, “Vizita e Sekretarit të Shtetit shënon 30-vjetë nga koha kur vendet e Evropës Qëndore shpartalluan perden e hekurt, duke rivendosur kështu lirinë dhe sovranitetin e tyre, ndërsa kanë zgjedhur, njëkohësisht, rrugën e demokracisë perëndimore, gjë që u ishte mohuar atyre për dekada të tëra dhe kanë përforcuar angazhimin e tyre ndaj këytre vlerave, duke u bërë anëtar të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.”

Ndërkohë që në dokumentin në fjalë — i shpërndarë për median një ditë para se të arrinte në Evropë, Z. Pompeo – nenvijohet edhe njëherë angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj këtij rajoni, ndërkohë që theksohet se, “Shtetet e Bashkuara zotohen për një angazhim më të madh diplomatik, ushtarak, tregëtar dhe kulturor me vendet e Evropës Qëndrore, me qëllim për të forcuar lidhjet e këtij rajoni me Perëndimin, ndërsa ky rajon përballet me trysnitë që po ushtrojnë atje Rusia dhe Kina.  Bazuar në vlerat tona të përbashkëta që ndajmë me njëri tjetrin, do të garojmë për një influencë pozitive për të siguruar për brezat e ardhëshëm një të ardhëme demokratike, të begatë, dhe të sigurt”, thuhet në dokumentin në fjalë, që siç duket, në thelb, përshkruan objektivat e bisedimeve që do të zhvillojë Sekretari Amerikan i Shtetit në këto ish-vende komuniste gjatë vizitës së tij, këtë javë, në Evropën Qëndrore.

Në këtë 30-vjetor të shembjes së komunizmit në Evropë, dokumenti thekson se Shtetet e Bashkuara po ri-angazhohen për një aleancë transatlantike të fortë, të bashkuar dhe të aftë për tu përballur me çdo sfidë, e bazuar në parimet e mbrojtjes së përbashkët, bazuar në demokraci dhe në liritë bazë të njeriut.  Sipas këtij dokumenti, “Angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj artikullit 5 të NATO-s është i çelikt.  Ne presim nga të gjithë aleatët që të investojnë mjaftueshëm për të plotësuar nevojat dhe përgjegjësitë për mbrojtje të vet dhe ndaj nevojave të aleancës NATO”, thuhet në njoftimin e DASH për media, ndërkohë që i bëhet thirrje Hungarisë dhe Sllovakisë që të plotësojnë detyrimet e tyre ndaj aleancës.  “Ne i trajtojmë aleatët tanë si aleatë dhe presim prej tyre që të mbajnë angazhimet e marra, si aleatë.  Si anëtar të NATO-s dhe të OSBE-së, si dhe instuticioneve të tjera transatlantike, qeveritë tona janë betuar se do të punojnë pa pushuar për të drejta dhe liritë e qytetarëve tanë.  Vendet demokratike janë aleatët tanë më të fortë. Një shoqëri civile aktive si dhe një medie e lirë, janë gurthemelet e një demokracie pluraliste”, thuhet gjithashtu në njoftimin e DASH, shpërndarë për media, një ditë para së Sekretari Amerikan i Shtetit të fillonte të hënën vizitën e tij këtë javë në disa vende të Evropës Qëndrore.   Dokumenti përfundon me thirrjen për zgjërimin e bashkpunimit drejtë prosperitetit dhe lirive demokratike, ndërsa thekësohet se, “Anë e mbanë Evropës Qendrore kemi shtuar mbështetjen për luftën kundër korrupsionit, përfshirë bashkpunimin dhe mbështetjen për gazetari investigative për të bërë hetime se ku bashkohen korrupsioni dhe të korruptuarit rajonalë me influencat ruse dhe kineze” anë e mbanë atij rajoni, përfundon dokumenti i ashtuquajtur “Fact Sheet”, i DASH dhe i përhapur me rastin e vizitës disa ditëshe të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Mike  Pompeo këtë javë në Evropën Qendrore.

Ekspertët thonë se vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit     amerikan këtë javë në Evropën Qendrore në veçanti dhe në vendet ish-komuniste të Evropës në përgjithësi, po bëhet në përpjekje për të kapur kohën e humbur, gjë që sipas tyre kishte hapur dyertë për përhapjen e influencave politike, diplomatike dhe ekonomike të Rusisë dhe Kinës në rajon.   Ish-ambasadori amerikan në Poloni, Z. Daniel Fried citohet nga Zëri i Amerikës të ketë thënë se angazhimi dhe interesimi amerikan për Evropën Qendrore kishte rënë pas zgjërimit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në atë rajon,   ndërkohë që vëmëndja e Washingtonit ishte çvendosur në Azi dhe në konfliktet e Lindjes së Mesme.  “Shumë amerikanë mendonin se puna jonë kishte kryer në atë rajon, por nuk ishte ashtu”, është shprehur ish-ambasadori Fried, tani pranë Institutit Atlantic Council në Washington, duke shtuar se ky është një proces që, sipas tij, kishte filluar me administratën e ish-Presidentit Barak Obama.  Shpresojmë të mos jetë një përpjekje e vonuar nga ana e diplomacisë amerikane për të rikapur kohën dhe mundësitë e humbura, megjithëse për këtë kanë përgjegjësite e veta edhe klasa e korruptuar politike e shumë vendeve ish-komuniste, që kanë krijuar një mjedis dhe atmosferë të volitshme për angazhimin e politikave dhe metodave korruptive ruso-kineze, anë e mbanë rajonit.

Filed Under: Opinion Tagged With: amerika, Evropa Qendrore, Frank shkreli

FUQIA E LUTJEVE

February 8, 2019 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Ashtu si çdo vit tjetër edhe sivjet, mijëra pjesëmarrës nga e mbarë bota, përfshir udhëheqësit më të lartë Shteteve të Bashkuara dhe personalitete të ftuar nga mbarë bota, ishin të pranishëm në organizimin vjetor, “Prayer Breakfast” ose Mengjesi i Lutjeve, në Washington. Për dekada tani, është bërë traditë që në këtë tubim të ketë marrë pjesë çdo president i Shteteve të Bashkuara, ç’prej Dwight Eisenhower-it, në vitin 1953, e deri në ditët e sotëme.

Mengjesi i Lutjeve mbahet çdo vit, zakonisht të ënjtën e parë të muajit Shkurt. Është kjo një ngjarje ku marrin pjesë rreth 3500 të ftuar, përfshirë edhe personalitete politike ndërkombëtare dhe të tjerë, nga më shumë se 150-vende të ndryshme të botës dhe nga të gjitha 50-shtetet e Amerikës. Ky takim vjetor organizohet nën mbikqyrjen e antarëve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, në emër të një Fondacioni të Krishtërë. Ky takim bëhet në një mënyrë të tillë, që përveç lutjeve, shërben gjithashtu edhe si një forum elitash politike, shoqërore dhe tregtare, për tu takuar dhe për të lidhur miqësi e njohuri me njëri tjetrin. Gjatë dekadave, përveç presidentëve të Amerikës, aty kanë folur edhe udhëheqës dhe personalitete amerikane dhe nga mbarë bota, përfshir Nënë Terezen, e cila ka mbajtur fjalimin kryesor para këtij tubimi, në vitin 1994.

Këtë vit, Mengjesi i Lutjeve është organizuar nga dy senatorë të Shteteve të Bashkuara, Senatori Chris Coons, demokrat i shtetit Delaware dhe Senatori republikan James Lankford, i shtetit Oklahoma. Është traditë që ky tubim të organizohet gjithmonë nga një demokrat dhe një republikan, e të cilët njëherazi shërbejnë edhe si bashk-kryetarë të këtij tubimi. Me rastin e emërimit të tyre për të organizuar Mengjesin e Lutjeve të këtij viti, të dy senatorët kanë theksuar rëndësinë që ka feja, si diçka që i bashkon ata. Senatori Coons u shpreh se ishte i nderuar që së bashku me kolegun dhe mikun e tij, Senatorin Lankford po kryesonte tubimin e këtij viti. “Në një kohë kur vendi ynë dhe Kongresi janë të përçarë, kemi nevojë që të gjëjmë më shumë mënyra dhe mundësi për të dëgjuar njëri tjetrin, për të besuar në njëri tjetrin dhe njëherazi të kujtojmë se duhet edhe të duam njëri tjetrin dhe të kujdesemi për të afërmin tonë. Për mua, ashtu si edhe për miliona amerikanësh të tjerë, lutja është një mjet tepër i fuqishëm për të bashkuar njerëzit që i përkasin feve të ndryshme, të dëgjojmë njëri tjetrin, të respektojmë njëri tjetrin dhe të ndajmë shqetësimet tona të përbashkëta, me njëri tjetrin”, tha Senatori demokrat i shtetit Delaware.

Ndërsa Senatori republikan i shtetit Oklahoma, James Lankford, bashkryetar me Senatorin Coons i tubimit të Lutjes së Mengjesit, është shprehur se, “Lutja është një fuqi bashkuese në atdheun tonë. Kur sfidat e jetës shtohen dhe kur politika na përçanë, lutjet na bëjnë të përqëndrohemi rishtas dhe të ri-angazhohemi ndaj marrëdhënieve tona me Perëndinë dhe me njëri tjetrin. Një prej lirive më kryesore në Amerikë është që të jetosh sipas fesë tënde ose të mos ndjekësh asnjë fe. Liria e fesë ka luajtur një rëndësi aq të madhe në themelimin e vendit tonë, ashtuqë është duhet të vazhdojmë të njohim rolin që kanë luajtur dhe luajnë lutjet tona ndaj Perëndisë në jetën e aq shumë amerikanëve, pikërisht nepërmjet tubimit Kombëtar të Lutjeve të Mengjesit.
Në një artikull të shkruar nga të dy senatorët, botuar në vigjilen e tubimit në fjalë, dy bashkyetarët e tubimit të Lutjes së Mengjesit u shprehën se takimi me rastin e Lutjes së Mengjesit na ndihmon — ndër të tjera — që nepërmjet lutjeve, të pajtohemi dhe të zhdukim grindjet dhe përçarjet midis nesh. “Është ky një rast dhe mundësi, që për 67 vite ka bashkuar kombet, fetë, grupet etnike dhe madje edhe politikën”. Ata bëjnë thirrje që të “Lëmë mënjanë dallimet politike, të bashkohemi rreth vlerave tona të përbashkëta, me qëllim që të zhdukim disa prej ndasive dhe përçarjeve në vendin tonë.” Ata shprehen se ndonëse të dy “Mbajmë qëndrime dhe pikpmaje të kundërta politike, ata ndajnë një miqësi të fortë me njëri tjetrin, që i ka rrënjët në besimin fetar dhe në angazhimin e tyre të fortë, në mbrojtje të lirisë së fesë.”

Senatori James Lankford Senatori Chris Coons

Në artikullin e botuar në disa media amerikane, dy senatorët rrëfejnë se ata së bashku me dyzina senatorë të tjerë, demokratë dhe republikanë, marrin pjesë — duke lënë mënjanë dallimet politike midis tyre – në lutjet e mengjesit, çdo të mërkurë në mjediset e Senatit Amerikan. “Të pakën për një orë në javë, të gjithë ne bisedojmë me njëri tjetrin mbi jetën personale dhe travajët e jetës në përgjithësi, këndojmë këngë fetare dhe lutemi për Kombin dhe familjet tona”, shkruajnë ata në artikullin e botuar të ënjtën. Senatorët Lankford dhe Coons, pranojnë se lutjet nuk i zgjidhin të gjitha problemet, por e bëjnë më të vështirë të kritikojmë ashpër njërin ose tjetrin prej kolegëve tanë gjatë seancave në Dhomën e Senatit, ndërkohë që atë mengjes mund të jemi lutur së bashku e dorë për dorë me kokën poshtë, theksojnë ata.

Në artikull, ata u bëjnë thirrje të gjithë “Republikanëve dhe Demokratëve si dhe Amerikanëve dhe miqëve tanë anë e mbanë botës, por edhe përfaqsuesve të gjitha feve, që të luten dhe të bashkohen me njëri tjetrin në lutje. Vetëm nëqoftse dëgjojmë mendimet e njëri tjetrit dhe vetëm nëqoftse lutemi së bashku për të ardhmen tonë — vetëm atëherë do të mund të pajtohemi e të zhdukim ndasitë midis nesh”, theksojnë senatorët dhe bashkryetarët e tubimit të Lutjeve të Mengjesit, mbajtur të ënjtën në Washington, në artikullin me mesazhin drejtuar të gjithë neve, jo vetëm ne këtu në Amerikë, por kudo në botë.

Këtë të ënjte, përfundojnë artikullin e tyre dy ligjëvensit amerikanë, “Tubimi me rastin e Lutjes së Mengjesit në Washington, “Do të bashkojë Kombin tonë në lutje”, ndërkohë që ata kërkojnë nga të gjithë që, “Të bashkohemi me ta, duke iu lutur Perendisë, jo vetëm për vendin tonë dhe për udhëheqsit tanë, por dhe për të gjithë udhëheqsit anë e mbanë botës.”

Ndër udhëheqsit ndërkombëtarë nga mbarë bota, të ftuar dhe të pranishëm në organizimin për Lutjen e Mengjesit ishin edhe delegacionet e dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, të kryesuara anga Presidenti Ilir Meta dhe Presidenti Hashim Thaçi. Udhëheqsit shqiptarë, siç mund të shihet nga fotot më poshtë, patën mundësinë të përshëndeteshin me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Michael Pompeo dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Administratës dhe të Kongresit amerikan.

Filed Under: Politike Tagged With: Fiqia e Lutjeve, Frank shkreli

KËTA E KANË KAPUR PATRIOTIZMIN DHE DEMOKRACINË PËR BISHTI…

February 6, 2019 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

1 Frank rama Thaci

Në foto, Presidenti Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, krye parlamentari Kadri Veseli, Kryeministri Edi Rama dhe dy zv.ministrat e Kosovës, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli  — Kujtojmë se kjo foto është marrë pas përplasjeve të ashpra javën që kaloi në Kuvendin e Shqipërisë dhe  pas përplasjeve mes udhëheqësve të koalicionit qeverisës në Kosovë për taksën ndaj Serbisë e Bosnjës, dhe për përplasjet Thaçi-Haradinaj për tezën e ndryshimit të kufijve me Serbinë.  Përplasje, përplasje gjithë andej, por të qeshur rreth sofrës!/

…Dhe jo vetëm patriotizmin që e kanë kapur për bishti, por edhe diplomacinë — e demokracinë, po se po.  E kam fjalën për klasën e sotëme politike udhëheqëse shqiptare.  Ka disa vite që shpesh i kam kushtuar dyzina shkrimesh modeste, zhvillimit të demokracisë ose më mirë të themi, mungesës së zhvillimit të mirëfilltë të demokracisë në trojet shqiptare.  Aq sa që një pjesë e tyre janë përmbledhur në tre vëllime me titull, “Demokracia Nuk Pret”, duke thënë terthorazi, por edhe drejtë për së drejti, se “Demokracia” me germë të madhe, nuk po ze fillë në trojet tona ashtu siç duhet dhe siç ishte kërkuar nga masat e gjëra të popullit pas shembjes së komunizmit, si dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës nga regjimi kriminal i Serbisë.  Përfundimi është se në kohë lirie dhe paqeje, shqiptarët anë e mbanë trojeve po “votojnë me këmbë”, duke u larguar masivisht nga vendlindja.  Mungesa e demokracisë së vërtetë – ashtu si edhe në të kaluarën —  Freedom House, vendos Shqipërinë dhe Kosovën, në rreshtin e vendeve, “pjesërisht të lira”, sipas raportit të organizatës së njohur ndërkombëtare me qëndër në Washington.  Madje ky raport i botuar të martën, që i karakterizon dy shtetet shqiptare si, “pjesërisht të lira”, nuk përbën më as një lajm të rëndomt, sepse Shqipëria dhe Kosova, në atë kategori pjesërisht të lira, kanë filluar dhe aty mbeten edhe pas pothuaj 30-vjetësh post-komunizëm, është pra një lajm i vjetër që nuk nxitë më ndonjë kureshtje as interesim.Në vend numro!

I kanë kapur punët për bishti!  Gjithçka bëhet gjysëmakëshe.  Si demokracia, ashtu edhe diplomacia. Por më e rënda është kur edhe patriotizmi “kapet për bishti”, kur mundohen që darkat ku pihet vëra e kuqe dhe ku hahet mishi i dashit, të na i paraqesin si akte kombëtare dhe shfaqje patriotizmi.  Bazuar në përvojën e 30-viteve të kaluara, është e qartë për të gjithë tanimë, se klasa politike në Tiranë dhe ajo në Prishtinë, të bëjnë të dyshosh nëse ata me të vërtetë dëshirojnë që Kombi shqiptar të krijojë, më në fund, një shoqëri demokratike të bazuar në një patriotizëm të vërtetë, në një demokraci të mirëfilltë dhe cilësore të standardeve të botës së qytetëruar dhe të ndërtuar mbi baza të një shoqërie të drejtë dhe ligjore — me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për secilin shqiptar, pa dallim.  Nëse me të vërtetë kanë për qëllim realizimin e një jete në harmoni dhe mirëqenje për të gjithë shqiptarët pa dallim, për aq sa mund të jetë e mundur në këtë jetë, lot vuajtje e mundime.

Si është e mundur që në fillim të shekullit 21 – që duhej të ishte shekulli i shqiptarëve – sot pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe mbi 10-vjet pavarësi e Kosovës — megjithëse në liri, por “pjesërisht të lira”, sipas Freedom House — Kombi shqiptar vazhdon të përballet edhe gjithnjë ndoshta me periudhën më të rrezikshme të historisë së vet, të pakën të 100-viteve të kaluar?

Fatkeqsisht, ndihet dhe shihet një “disconnect” siç thuhet në anglisht, midis shqiptarëve ose më mirë të themi midis kësaj klase politike partiake dhe shqiptarëve – një mungesë pra lidhjesh shpirtërore dhe atdhedashurie me njëri tjetrin.  Kjo klasë politike e ka provuar tanimë se është absolutisht e pa përgatitur për t’u marrë me këtë gjëndje politike, diplomatike dhe ekonomike me të cilën përballen shqiptarët sot – e të cilën e kanë krijuar vetë ata.  Shqiptarët sikur kanë ra ngusht me këtë situatë – jo të imponuar nga të huajt — por të vet-shkaktuar nga udhëheqsit e tyre politikë, megjithse janë vet të zotët e rrjedhave historike të tre dekadave të kaluara.   Me fjalë tjera, i kanë kapur punët për bishti — për të mos thënë krejt për së mbrapshti — ç’prej fillimit.

Është krijuar një mjedis ku mungesa e patriotizmit të vërtetë, e një atdhedashurie pa interesa personale dhe partiake — në kurriz të interesave kombëtare — është ajo që i shumëfishon problemet aktuale.  Në botën politike shqiptare, ekziston një mungesë cilësishë morale dhe një boshllëk i dukshëm i një kulture të mirëfilltë politike, që kohët e fundit, ka arritur kulmin në mosmarrveshjet midis partive dhe në diskursin politik në përgjithësi të klasës politike shqiptare, në të dy anët e kufirit.  Në vend të një atdhedashurie dhe patriotizmi të vërtetë, na serviret një nacionalizëm përçmues, që po na shitet me anë të fotografive darkash dhe të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, që në të vërtetë nuk zgjidhin asgjë hiç.

Por, a është kjo atdhedashuri dhe patriotizëm i vërtetë, në një atmosferë politike si kjo e sotmja, nepër të cilën po kalon sot bota shqiptare, a po diçka tjetër?  Dikur patriotët, burgoseshin dhe vriteshin për kauzat e Kombit.  Fatkeqësisht, politikanët e sotëm shqiptarë e tregojnë patriotizmin e tyre me kapadaillek dhe jo me vepra heroike prej patriotësh.  Sot, fatkeqësisht edhe veprat kriminale të gangsterave konsiderohen dhe mbrohen nga politika, si vepra heroike.

Mbaj mend fjalët e një burri të vjetër i cili më pat thënë me një rast se atdhedashuria dhe patriotizmi nuk shfaqen duke thënë se “E dua Shqipërinë”, që nënkupton ndoshta Shqipërinë si një term gjeografik, por të jesh patriot i vërtetë sipas tij, nënkupton dashurinë jo vetëm për hapësirën gjeografike, por edhe për bashkatdhetarët e tu, vendasit e një gjuhe dhe të një gjaku, me të cilët ndanë përditë të mirat dhe të këqiat e përbashkëta. Nuk është patriotizëm as atdhedashuri kur përdor shpifje dhe gënjeshtra, me qëllim për të ulur nderin dhe vlerat e shqiptarit, edhe kundërshtar politikë qoftë. Kjo është diçka e papranueshme, madje edhe në botën e anarkisë aktuale politike shqiptare, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, Frank shkreli, patriotizmi, per bishti

DHURIMI I PAJISJEVE PËR TË FORCUAR KUJTESËN

February 1, 2019 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/

Susanne Schütz: Kush përballet me të shkuarën, ka edhe një të ardhme/

Edhe njëherë shpreh respektin dhe falënderimet e mia, vetëm si një shqiptar i thjeshtë në mërgim, për punën që ka bërë dhe po bën Ambasada e Gjermanisë në Tiranë së bashku me Fondacionin Konrad-Adenauer-Stiftung për përpjekjet e saj për zbardhjen sadopak të kaluarës kriminale të regjimit komunist shqiptar të Enver Hoxhës. E kam thënë dhe e them se Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri dhe përfaqësuesit e saj, përfshirë edhe Ambasadoren aktuale në kryeqytetin shqiptar, Znj. Susanne Schütz, është e vetmja përfaqësi diplomatike që ka nxitur me konsekuencë gjatë viteve të post-komunizmit, përballimin me të kaluarën, dialogun në radhët e elitës politike dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi – për një transparencë mbi këtë kapitull të errët të historisë së Kombit shqiptar – si dhe për hapjen e dosjeve të regjimit komunist. Gjatë viteve, gjermanët kanë dhënë ndihmën e pa kursyer dhe kanë ofruar përvojën e tyre për këtë çështje, ndërkohë që me të drejtë gjithmonë kanë theksuar se u takon vetë shqiptarëve, se si duhet të merren me këtë kapitull të historisë së tyre dhe se suksesi në zbardhjen e kësaj historie të zezë, është detyrë e vetë shqiptarëve dhe, sidomos, e klasës politike shqiptare. Deri më sot, klasa politike shqiptare e periudhës post-komuniste, në përgjithësi, ka dështuar dhe është tepër e vonuar në përballjen serioze me të kaluarën komuniste të vendit, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste. Por, falë punës së Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, është ngjallur shpresa, se me hapjen e dosjeve ka filluar diçka e mbarë në zbardhjen e së kaluarës komuniste, megjithëse sipas ekspertëve shumë prej dosjeve janë zhdukur gjatë viteve nga protagonistë të ndryshëm. Por për dosjet që kanë mbetur pa u zhdukur, “Për të gjithë këtë dokumentacion kemi detyrim ligjor ta ruajmë, administrojmë, përpunojmë dhe ta vëmë në dispozicion të publikut”, ka thënë për DW, drejtuesja e Autoritetit, Gentiana Sula.

Ndërkohë që me të drejtë kemi kritikuar mungesën e veprimtarisë dhe angazhimit serioz të klasës politike post-komuniste shqiptare deri tani në këtë fushë, falënderojmë përfaqësuesit diplomatikë të Berlinit në Tiranë, të cilët e kanë marrë seriozisht përballimin me të kaluarën komuniste në Shqipëri. Duke u bazuar në përvojën gjermane, ish-ambasadori gjerman në Tiranë, Z. Helmut Hoffman, ka thënë më herët se procesi për ballafaqimin me të kaluarën, në vetvete, nuk është i lehtë: “Përballja me të shkuarën e vështirë nuk është një detyrë e thjeshtë, por ne e dimë gjithashtu se, nëse bëhet në mënyrë të frytshme, kjo mund t’i shërbejë njerëzve dhe shoqërisë në tërësi”, është shprehur ai.

Besoj se kjo është forca shtytëse që motivon gjithnjë Ambasadën gjermane dhe kryediplomaten e saj aktuale në Tiranë, Znj. Schütz: se përballimi me të kaluarën sado e frikshme dhe e dhimbshme të jetë, në qoftë se bëhet për së mbari, do t’i shërbejë mbarë shoqërisë shqiptare. Gjermanët nuk po e bëjnë këtë për ndonjë interesi vetjak, por vetëm e vetëm se janë të bindur që duhet bërë diçka më shumë në këtë drejtim për të mirën e vet shqiptarëve, ndërkohë që e dinë nga përvoja e vet se, nga përballimi me të kaluarën, ka përfituar jo vetëm shoqëria gjermane por të gjithë vendet që janë përballur me të kaluarën komuniste dhe naziste.

Është nga ky këndvështrim gjerman, që Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Znj. Schütz – si përfaqësuese e një vendi mik të shqiptarëve – vazhdon përpjekjet e paraardhësve të saj në atë seli diplomatike, për zbardhjen e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Në vazhdën e ndihmave gjermane në këtë fushë, thuhet se një vit më parë Qeveria Federale e Gjermanisë i vuri në dispozicion Autoritetit të Dosjeve, skaner dhe lexues mikrofilmash për digjitalizimin dhe arkivimin e dosjeve të Sigurimit. Ndërkaq, njoftohet se Kryediplomatja gjermane vizitoi këto ditë Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, (AIDSSH) për të marrë pjesë në një ceremoni me rastin e dhurimit të pajisjeve për mbledhjen e dëshmive gojore.

Gjatë ceremonisë në mjediset e AIDSSH, Kryetarja e këtij enti Znj. Gentiana Sula, përshëndeti ambasadoren gjermane dhe foli për platformën e dëshmive gojore, zërat dhe fytyrat e viktimave e të përndjekurve politikë dhe për rezultatet e arritura deri tani, që synojnë promovimin e vlerave demokratike të drejtësisë, së vërtetës dhe pajtimit, thuhet në portalin e AIDSSH.

Ndërsa Znj. Susanne Schütz, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, mbajti fjalën e rastit për vijimin e projektit të mbledhjes së rrëfimeve të viktimave dhe të mbijetuarve të krimeve të së kaluarës komuniste në Shqipëri.

“Një shtyllë e rëndësishme e trajtimit të historisë sonë ishte dhe është pikërisht forcimi i kulturës së kujtesës, mbi të gjitha nëpërmjet deklaratave të dëshmitarëve të asaj kohe. Viktimat e diktaturës kanë të drejtë të kujtohen. Ne e dimë shumë mirë nga eksperienca jonë si gjermanë, se ky nuk është një proces i lehtë. Unë do të doja të falënderoj të gjithë ata që janë të angazhuar për të çuar përpara këtë dialog në Shqipëri – edhe nëse hap të vërtetat të dhimbshme”, është shprehur ambasadorja Schütz, sërish sipas portalit të Ambasadës gjermane në Tiranë.

Ambasadorja Schütz vizitoi mjediset e AIDSSH për t’i dorëzuar Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, kamera, mikrofona dhe kompjuterë me vlerë prej 37.000 Euro. Sipas njoftimit të ambasadës gjermane, dy vitet e ardhshme, pajisjet e dhuruara do të përdoren për të regjistruar zërin e dëshmitarëve të regjimit të Hoxhës në mbarë vendin, për t’i publikuar më pas në një faqe interneti “Oral History”, në mediat sociale dhe në botime të tjera.

Me rastin e ceremonisë në mjediset e AIDSSH, Suzanne Schütz, ashtu siç kishin bërë në raste të tjera edhe zyrtarë të tjerë gjermanë para saj, ka vlerësuar rëndësinë e përballimit me të kaluarën komuniste në Shqipëri, ndërsa është shprehur se, “Unë e di, pak më shumë, sepse jam gjermane, se të merresh me të shkuarën tënde të errët mund të jetë e dhimbshme, por mjaft e rëndësishme për një fillim të ri shoqëror. Shumëkush mund të kishte preferuar t’i vinte kapak së shkuarës, të niste prej zeros dhe kësisoj t’ia linte harresës çështje të tilla si përgjegjësia dhe vuajtjet individuale. Ky nuk është një proces i thjeshtë. Bindja ime është që një shoqëri duhet të përballet me të shkuarën, në mënyrë të hapur dhe të sinqertë. Përvoja jonë tregon se vetëm kush njeh të shkuarën e tij dhe përballet me të ka edhe një të ardhme”, ka thënë ajo për radion gjermane Deutsche Welle. Është e rëndësishme një kulturë aktive e të kujtuarit ka vazhduar ajo për DW duke theksuar se kujtimi dhe përballja me të kaluarën komuniste është, veçanërisht e rëndësishme për të rinjtë e lindur pas shembjes së komunizmit. “Një kulturë aktive e të kujtuarit është e rëndësishme. Që edhe të rinjtë që nuk e kanë përjetuar vetë regjimin e Hoxhës, t’u mprehet vetëdija se paqja dhe pluralizmi demokratik, toleranca mes njerëzve, të pranuarit e njëri-tjetrit në historinë e Evropës nuk kanë qenë – dhe vazhdojnë të mos jenë ende- diҫka e vetëkuptueshme” në Shqipëri, tha Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz.

E kam thënë edhe përpara, në disa raste kur kam shkruar për këtë subjekt dhe sidomos për ndihmën që kanë dhënë dhe japin diplomatët gjermanë në Tiranë, për t’u përballur me të kaluarën komuniste në Shqipëri, se për të gjithë ata që dëshirojnë një demokraci të vërtetë, mesazhi i qeverisë gjermane, nëpërmjet përfaqësuesve të saj në Tiranë ka qenë dhe është, që elita politike dhe shoqëria shqiptare në përgjithësi, sa më parë dhe “sa më mirë ta kuptojmë diktaturën aq më mirë formësojmë demokracinë”, për brezat e tashëm dhe për brezat e ardhshëm të kombit shqiptar. Se, siç është shprehur edhe Ambasadorja Schütz këtë javë në Kryeqendrën e AIDSSH në Tiranë, se “Kush përballet me të shkuarën ka edhe një të ardhme”. Por, unë mendoj se me gjithë respektin për punën dhe angazhimin serioz të Gjermanisë dhe diplomatëve të saj në Tiranë bazuar në mbështetjen që Berlini vazhdon të japë në këtë drejtim, duhet të jenë vetë shqiptarët ata që të merren seriozisht me zbardhjen e krimeve të komunizmit, sepse pa u përballur seriozisht dhe sinqerisht me të shkuarën komuniste nuk ka as të ardhme demokratike, siç po e shohim, fatkeqësisht, çdo ditë në jetën politike të vendit.

Filed Under: Politike Tagged With: Dhurimi i pajisjeve, Frank shkreli, Kujtesa

KËRCËNIMET NDAJ SIGURISË BOTËRORE, NË RREZIK EDHE BALLKANI PERËNDIMOR

January 31, 2019 by dgreca

-Paralajmërimet u bënë nga zyrtarët më të lartë të enteve të Zbulimit Amerikan       gjatë një sesioni në Komisionin e Zbulimit të Senatit  të hteteve të Bashkuara të martën që kaloi./

1-Frank-shkreli-

Nga Frank Shkreli/Zyrtarët më të lartë të zbulimit amerikan, përfshirë Drejtorin e FBI-së, Chris Wray dhe Drejtoreshën e CIA-s, Gina Haspel, paralajmëruan për kërcënimet në rritje e sipër ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ndaj sigurisë botërore, si pasojë e bashkpunimit në rritje e sipër midis Kinës dhe Rusisë.  Ata paraqitën të martën raportin vjetor — para Komisionit të Senatit për Zbulimin të Shteteve të Bashkuara – dhe për të dhënë dëshmi mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet bota këtë vit.

 

Përveç dëshmive nga ai vet dhe nga udhëheqsit më të lartë të enteve të Zbulimit amerikan, Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats, i dorëzoi Komisionit të Senatit raportin vjetor me vlerësimet e enteve amerikane të Zbulimit, për paralajmërimet ndaj kërcënimeve që i kanosen sigurisë kombëtare dhe botërore.  Z. Coats shkruan në parathënien e raportit që i dorëzoi Senatit se, “Kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara do të shtohen dhe do të marrin forma të ndryshme gjatë këtij viti, shkaktuar pjesërisht nga bashkpunimi i ngushtë midis  Kinës dhe Rusisë, ndërkohë që ato do të garojnë më intensivisht në nivel ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët dhe partnerët e tyre tradicionalë. Garat po ndodhin në të gjitha fushat, përfshirë konkurrencën për superioritet teknologjik dhe ushtarak, përfshirë gjithnjë e më shumë edhe vlerat, si pjesë e kësaj gare.  Rusia dhe Kina po përpiqen të përcaktojnë dinamikat e sistemit ndërkombëtar dhe të sigurisë rajonale dhe të ushtrojnë njëkohësisht influencën e tyre politike dhe ekonomike në të gjitha rajonet e botës, e sidomos në rajonet gjeografike afër tyre”, thuhet në raportin e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar.   Drejtori i Zbulimit Kombëtar.  Z. Dan Coats u tha gjithashtu anëtarëve të Komisionit të Senatit se Rusia dhe Kina e ndoshta edhe vende të tjera do të përpiqen të përdorin mediat sociale dhe mjete të tjera, për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020.

Në raport theksohet fakti se “Kina dhe Rusia kanë lidhur një aleancë më të fortë se kurdoherë tjetër, ndoshta ç’prej viteve 1950-ave, duke nenvijuar se ka të ngjarë që këto lidhje të forcohen edhe më shumë gjatë këtij viti, sidomos kur përputhen disa prej interesave të tyre, në kundërshtim me vlerat demokratike perëndimore dhe të zbattimit të drejtave bazë të njeriut.”   Në parathënie të raportit mbi kërcënimet ndaj sigurisë botërore, dorëzuar të martën Senatit, nënvijohet gjithashtu se, “Ndërkohë që Kina dhe Rusia po përpiqen të shtrijnë influencën e tyre globale, ato njëherazi po shkelin edhe normat e sigurisë, të njohura dhe të pranuara tanimë, ndërkombtarisht, duke shtuar në këtë mënyrë rrezikun për shpërthimin e konflikteve rajonale, sidomos në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Lindore”, theksohet në raport.

Eskpertët e Zbulimit amerikan shprehin gjithashtu shqetësimin e tyre se k[saj atmosfere pasigurie për botën kontribon edhe fakti se aleatët dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara po kërkojnë një pavarësi gjithnjë e më të madhe nga Washingtoni, në përgjigje të atyre që ata supozojnë se janë ndryshime në politikat amerikane të sigurisë dhe të tregëtisë, ndërkohë që tregohen më të gatëshëm se në të kaluarën që të arrijnë marrveshje për partneritete dypalëshe ose shumëkombëshe.  Ndër të tjera, ata paralajmërojnë se sistemi ndërkombëtar i pas Luftës së Dytë Botërore është gjithnjë e më shumë nën trysni — përballë kërcënimeve dhe sulmeve kibernetike, përhapjes së armëve bërthamore, garës në hapësirë dhe konflikteve rajonale.

Raporti i agjencive amerikane të Zbulimit ven në dukje edhe kërcënime të tjera ndaj sigurisë botërore, duke përmendur terrorizmin si një kërcënim ndaj interesave amerikane dhe të aleatëve të Shteteve të Bashkuara anë e mbanë botës.  Imigrimi, sipas raporti, përbën gjithashtu një problem që nxit tensionet, jo vetëm midis disa shteteve por edhe në nivel global.  Trazirat politike po shtohen në shumë rajone të botës ndërsa po zhbëhet qeverisja e mirë, nënvijojnë shefat e enteve të Zbulimit amerikan.

Si një ndër problemet me të cilat përballet bota këtë vit, sipas raportit të agjencive amerikane të Zbulimit, është edhe rritja e nacionalizmit në Evropë, si një dukuri kjo që nxit tensione në kontinent dhe më gjërë.  Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe zgjedhjet për parlamentin evropian, në fund të muajit Maj, sipas raportit, do ta bëjë të vështirë që Bashkimi Evropian dhe udhëheqsit e vendeve të ndryshme evropiane, të mund të përballen me përpjekjet në rritje e sispër të Rusisë dhe Kinës, për t’i përçarë ata nga njëri tjetri dhe për t’i larguar nga Shtetet e Bashkuara.  Raporti thekson se ka të ngjarë që Rusia dhe Kina të shtojnë përpjekjet e tyre për të rritur influencën e vet në Evropë në kurriz të interesave amerikane, duke përfituar në këtë mënyrë, jo vetëm nga problemet ekonomike në disa vende, por edhe nga mosmarrveshjet transatlantike dhe nga rezultati i zgjedhjeve për Parlamentin evropian në Maj, ndërsa pritet që parti të ndryshme nacionaliste evropiane të shënojnë fitore të dukshme në ato zgjedhje. Raporti përmend gjithashtu si faktor i pasigurisë edhe, “Ambiciet rajonale të Turqisë, mosbesimi i saj ndaj Shteteve të Bashkuara dhe autoritarizmi në rritje e sipër i udhëheqësve turq, po ndërlikojnë marrëdhëniet dypalëshe, ndërkohë që po e bëjnë Ankaranë më të gatëshme dhe më të vullnetshme të sfidojë objektivat rajonale të Shteteve të Bashkuara.”

Raporti i ekspertëve amerikanë të Zbulimit mbi kërcënimet, gjatë vitit 2019 ndaj sigurisë botërore, parashikon gjithashtu një të ardhme të zymtë për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor ku thuhet se: “Pothuaj është e sigurt se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të mbetet i rrezikuar nga dhuna në nivel të ultë, ndërsa ka mundësi edhe për një konflikt të hapur ushtarak gjatë gjithë vitit 2019.  Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë tensionet etnike të rajonit dhe njëkohësisht të përfitojë nga korrupsioni i lartë që ka pllakosur vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që t’i pengojë ato vende të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s”, thuhet në raport.

Në këtë situatë të zymtë që parashikon raporti vjetor i enteve të Zbulimit amerikan për botën në përgjithsi dhe për Ballkanin Perëndimor në veçanti, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë qenë kurrë më në gjëndje të dobët – të pakën këto 30-vjetë post-komunizëm – për të kundërshtuar influencat e huaja, sidomos influencat nga Rusia, Turqia e deri diku edhe Kina.  Korrupsioni i lartë, gjëndja e mjerueshme ekonomike dhe mos-stabiliteti politik, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, janë një pikë e dobët dhe përbëjnë një fushë të dobishme veprimi dhe shfrytëzimi – në mungesë të normalitetit politik dhe ekonomik shqiptar – për interesat anti-shqiptare   të Rusisë, Serbisë, Turqisë, Greqisë, e të tjerëve.

Siç mund të shihet edhe nga raporti amerikan mbi kërcënimet që i kanosen sigurisë botërore gjatë këtij viti, rreziqet janë të mëdha edhe ndaj fatit dhe interesave kombëtare dhe të sigurisë së Shqiptarëve në trojet e veta. I takon kësaj klase politike që të ushtrojë maturi politike dhe diplomatike – por mbi të gjitha atdhedashuri — në këtë botë të pasigurt dhe plot kërcënime, duke ndenjur larg interesave të huaja dhe provokimeve të tyre dhe të mos joshen me “miqësi” të rrejshme — nga shtete që, historikisht, kurrë nuk ia kanë dashur të mirën shqiptarëve.  Këto janë kohëra shqetësuese, për të mos thënë të rrezikshme, të cilat nevojitin njerëzit më mendje ndritur dhe më me përvojë që ka Kombi.  Rregulloni punët e shtëpisë, dhe ashtu siç jeni betuar, bëni detyrat që iu kanë besuar shqiptarët, para se të jetë vonë.  Kujdes, se kjo nuk është koha as vendi për të eksperimentuar me politikën e jashtme dhe me diplomacinë e Kombit shqiptar, sidomos përballë kërcënimeve dhe rreziqeve ndaj sigurisë botërore dhe rajonale, siç paralajmëruan edhe shefat e enteve të Zbulimit Amerikan, në dëshmitë e tyre këtë javë, para Komisionit të Zbulimit të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ballkani, Frank shkreli, Kercenimet ndaj Sigurise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT