• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“VITI I GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEUT” U MBYLL NË HESHTJE

January 7, 2019 by dgreca

1 Frank-shkreli-

Nga Frank Shkreli/

Javën e fundit të vitit të kaloi, vitit 2018 – viti pra që Tirana dhe Prishtina zyrtare ia kishin kushtuar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skenderbeut – një mik imi më dhuroi një libër botuar në anglisht kohët e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në kujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, duke më kujtuar se u mbyll viti i Gjergj Kastriotit-Skenderbeut – në heshtje.

1 Skanderbeg Brackob2 franku

Foto e Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, marrë nga libri, “Scanderbeg” i autorit amerikan Prof. Dr. A. K. Brackob/

Lexuesit do t’i kujtohet se në fillim të vitit që kaloi, qeveritë shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë kishin shpallur me një trumbetim të zhurmshëm — disa do të thonin me një patriotizëm fals dhe hipokrizi — vitin mbarëkombëtar të Heroit tonë Gjergj Kastrioti –Skënderbeu.  Madje, ky ishte vendimi i parë i qeverisë së Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama Rama, i njoftuar me mburrje dhe krenari, ndërkohë që kreu i qeverisë shqiptare kishte njoftuar me atë rast edhe ngritjen e një komisioni për organizimin dhe promovimin e aktiviteteve gjatë vitit.  U tha në atë kohë, se përveç 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, në vazhdim të 2018 spikasnin edhe përvjetorë të tjerë me rëndësi themelore për Kombin Shqiptar, siç ishte 140-vjetori i themelimit të Lidhjes Kombëtare të Prizrenit, 110-vjetori i Kongresit të Manastirit dhe përcaktimi i alfabetit të gjuhës shqipe.  Kryeministri Rama në njoftimin nga Vlora qe shprehur se, “Heroi ynë kombëtar vazhdon të shfaqet si një simbol kombëtar i luftës për liri dhe se prej 550-vitesh ka frymëzuar mbarë vendin tonë”, u shpreh Kryeministri Rama.  Kreu i qeverisë shqiptare ritheksoi me atë rast edhe rëndësinë e “bashkëveprimit me shqiptarët e diasporës”.

Fatkeqsisht, organizimet dhe promovimet, ose më mirë të themi mungesa e tyre gjatë vitit të shpallur si, “Viti i Gjergj Kastriotit-Skenderbe” dhe e përvjetorëve të tjerë me rëndësi historike për shqiptarët, kanë lënë shumë për t’u dëshëruar dhe nuk ishin aq frymëzuese për sa ishte deklaruar në njoftimet nga Prishtina dhe nga Tirana zyrtare, me rastin e shpalljes së vitit që kaloi, si Viti i Skenderbeut.

Në fillim të vitit 2018, pritëshmëritë ishin aq të mëdha për organizime të dënja dhe frymëzuese – përfshirë, “bashkëveprimin me diapsorën”, siç kishte premtuar me një rast Kryeministri Rama — për të shënuar këta përvjetorë historikë të Kombit Shqiptar, aq sa janë të mëdha tani edhe zhgënjimet me mbylljen krejtsisht në heshtje të, “Vitit të Gjergj Kastriotit”.  Ne mendonim se, në krahasim me festimet e 500-vjetorit të Skenderbeut, 50-vjet më parë në Romë dhe në Vatikan – kujtimi i 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, do të ishte në kuptimin e vërtetë, mbarkombëtar dhe gjithë përfshirës, pasi nëqoftse ekziston ndonjë figurë nga historia e Kombit që i bashkon të gjithë shqiptarët pa dallim – atëherë ai duhej të ishte Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Kjo nuk ndodhi fatkeqsisht, por të pakën, kemi një logo që na e kujton këtë përvjetor!

 

Me mburrje dhe krenari, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, në Korçë nëntorin e vitit 2017, Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se, “Duke bërë të mundur që me bashkëpunimin e ngushtë të dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, t’ia dalin së bashku që duke respektuar historinë e lavdishme që Skënderbeu shkroi me shpatën e një krenarie të madhe të vazhdojmë rrugën pa kthim të proceseve demokratizuese, të reformave transformuese në një rrugëtim europian të dëshiruar qysh kur u vendos Pavarësia”, kishte deklaruar Z. Rama.

Mendonim se në një atmosferë vërtetë demokratike dhe transformuese në politikë dhe në pikëpamje – 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe pavarësisë së Kosovës — kushtet ishin pjekur më në fund për një festim me të vërtetë mbarëkombëtar dhe gjithëpërfshirës, anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshirë edhe “bashkveprimin me diapsorën”, për të shënuar Vitin e Heroit Kombëtar.  Shpresonim se Tirana, si kryeqytet i Kombit do të organizonte të pakën, diçka të ngjashme me organizimin që Profesor Ernest Koliqi me bashkpuntorët kishte organizuar në vitin 1968 në Romë, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, ku morën pjesë shqiptarë nga mbarë bota, përfshirë diasporën dhe trojet shqiptare, me përjashtim të pjesëmarrjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës, për arsye që dihen.  Pritëm dhe shpresonim për një ndryshim në sjellje dhe në mentalitet, por edhe durimi duke pritur e shpresuar po na soset, siç është shprehur dikur i madhi, Faik Konica, sepse “Tek prisnim të piqeshin kushtet, na u kalbën dëshirat”, fatkeqsisht.

Por le t’i këthehemi librit të posa botuar në Shtetet e Bashkuara, të Porfesorit amerikan Dr. A. K. Brackob, i Universitetit Illinois, specialist i historisë së mesjetës të Evropës Jug-Lindore.  Cili komb nuk do të ndjehej krenar me Gjergj Kastriotin -Skenderbe — me një karakterizim të tillë të një heroi të tij siç e cilëson Dr. Brackob: “Heroi Kombëtar i Popullit Shqiptar – dhe Mbrojtësi i Madh i Qytetërimit Evropian”.  “Ndërkohë që u shënua 550-vjetori i vdekjes së Udhëheqsit të Madh Shqiptar”, shkruan Profesori amerikan Brackob, “Skenderbeu mbetet më shumë se kurrë si shembëll edhe për kohën moderne.  Si njëri prej heronjve të vërtetë të Mesjetës, historia e tij mbetet pak e njohur, jashtë Shqipërisë.  Gjergj Kastrioti mbrojti Evropën për një çerek shekulli dhe me të drejtë mund të thuhet se ai ndihmoi në shpëtimin e qytetërimit perëndimor”, nga otomanët. A nuk do të ishte viti 2018, një rast i mirë për të deklaruar këtë të vërtetë që pohon akademiku amerikan në librin e tij të ri për Skenderbeun, para brezit të sotëm të botës perëndimore dhe jo vetëm?

Ndonëse sfidat me të cilat është përballur bota historikisht, kanë ndryshuar gjatë shekujve, përfshirë përplasjet midis qytetërimeve, Profesori amerikan i jep merita të mëdha Kombit Shqiptar që lindi Gjergj Kastriotin -Skenderbe — për kontributin e tij në këtë mes, duke shkruar se, “Si përfundim, ja vlen të theksohet kontributi që ka dhënë ky vend i vogël, i udhëhequr nga Skenderbeu, në luftën për mbrojtjen dhe ruajtjen e qytetërimit dhe të kulturës perëndimore.  Aq më i rëndësishëm është shembulli dhe kontributi i dhënë nga populli shqiptar në harmonizimin e këtyre dy qytetërimeve” lindje dhe perëndim, shkruan autori i librit “Scanderbeg”, Profesori Brackob i Universitetit Illinois në Shtetet e Bashkuara.  “Ndërkohë që shënojmë 550-vjetorin e vdekjes së (Gjergj Kastriotit -Skenderbe) ky libër ka për qëllim të tërheq vëmendjen ndaj gjeniut dhe arritjeve të mrekullueshme të Skenderbeut, suksese këto që ndihmuan në përcaktimin historik të identitetit kombëtar të popullit shqiptar.  Njëkohësisht, qëllimi i këtij libri është edhe për të thekësuar kontributin e rëndësishëm që ky Komb i vogël, por krenar, i ka dhënë qytetërimit evropian”, ka shkruar në librin e tij, Prof. Dr. A. K. Brackob i Universitetit Illinois në Çikago të Shteteve të Bashkuara.

Sa kënaqësi është ta mbyllim “Vitin e Gjergj Kastrotit -Skenderbe”, me një vlerësim të tillë të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve për anglisht folësit, jo nga një politikan, akademik ose historian shqiptar, por nga një i huaj, nga një profesor e historian amerikan, i cili si edhe shumë të huaj të tjerë gjatë historisë, kanë shkruar për vlerat dhe kontributet historike që Gjergj Kastrioti ka dhënë, jo vetëm për Kombin e vet shqiptar, por edhe për mbarë botën e qytetëruar.  Por, fatkeqsisht, tani e shohim se shqiptarët nuk ishin aq të impresionuar sa është akademiku amerikan, me arritjet e Heroit të tyre – megjithse viti 2018 u shpall nga Tirana dhe nga Prishtina si viti i Skendërbeut, me fjalë të mëdha bombastike plot zhurmë dhe u mbyll në heshtje, sikur të mos ishte.

Viti kushtuar Heroit Kombëtar qe një zhgënjim, sepse “Viti i Gjergj Kastriotit -Skenderbe”, ishte një rast i mirë, si të ishte porositur nga vet Perëndia në këtë moment të historisë shqiptare – 30-vjetë pas shembjes së komunizmit dhe 10-vjetë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, jo vetëm për t’i deklaruar botës meritat e Heroit të Shqiptarëve – por ishte edhe një rast për një përtëritje të mbrendëshme themelore të vlerave shpirtërore, kulturore dhe historike të Kombit shqiptar, në një kohë kur ato vlera po harrohen.  Në meër të Gjergj Kastriotit-Skenderbe kishte nevojë për një besëlidhje të re të një bashkimi e vëllazërimi kombëtar të ri midis shqiptarëve, të llojit të Lidhjes Shqiptare të Lezhës dhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të harmonizuar mendimet dhe qëllimet e përbashkëta për një ritheksim të ri të identitetit arbëror, për një jetë më të mirë për shqiptarët në trojet e veta, në përputhje me rrethanat historike të kohërave moderne dhe me vlerat e përbashkëta arbëroro-ilire — me vlerat e Gjergj Kastriotit – Skenderbe.  Në këtë ndërmarrje, Tirana dhe Prishtina zyrtare nuk mund të pretendojnë se ia dolën. Përkundrazi, dështuan keqas.

Shqipëria dhe Kosova gjatë vitit 2018, ashtu të shpallur nga vet ato si të dedikuar Gjergj Kastriotit -Skenderbeut, dështuan me rastin e këtij përvjetori t’i paraqisnin jo vetëm vet-vetes, por edhe Evropës dhe botës,  Heroin Kombëtar të Shqiptarëve – Skenderbeun, ashtu siç është ai dhe çfarë përfaqëson ai për shqiptarët dhe për botën,.  Jo vetëm si përcaktuesin e identitetit të Kombit Shqiptar, por ato dështuan t’i tregojnë botës edhe rolin e rëndësishëm që ai ka luajtur, jo vetëm në historinë shqiptare dhe të botës së atëherëshme — si përfaqsuesi numër i këtij kombi të vogël, por krenar shqiptar – duke  mos shënuar kështu edhe kontributet e rëndësishme që ka dhënë Gjergj  Kastrioti – Skenderbeu dhe populli shqiptar gjatë shekujve, në historinë e qytetërimit evropian.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Heshtje, u mbyll, Viti i Gjergj kastriotit

NJË URIM, NJË FALËNDERIM DHE NJË DËSHIRË PËR VITIN E RI

December 31, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Nga Frank Shkreli/

Urimet e mia më të përzemërta për Vitin e Ri 2019 shokëve, miqve, kolegëve dhe bashkëpuntorve të mi, të afërt dhe të largët, sidomos lexuesve të nderuar të shkrimeve të mia modeste, në përgjithësi – në gazetat dhe portalet anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, të cilat me botimin e tyre, më kanë mundësuar shprehjen e lirë të mendimeve të mia në faqet e tyre të përditshme, në një hapësirë mediatike ku edhe është numri më i madh i lexuesve.  Uroj një Vit të Ri për të gjithë, një vit në të cilin të gjithë ne shpresojmë të realizojmë ëndërrat dhe qëllimet e parealizuara deri tashti, si individ dhe si shoqëri, kudo që jetojmë.  E bëj këtë urim, veçanërisht, për vëllëzërit dhe motrat tona anë e mbanë trojeve shqiptare, të cilët edhe pas pothuaj 30-vjet post-komunizëm dhe 10-vjet pavarësi e Kosovës, duket sikur endërrat e tyre për liri dhe demokraci të vërtetë për Kombin shqiptar dhe për integrimin e tij të plotë në proceset euro-atlantike, mbeten vetëm aq – endërra, endërra të pa realizuara, të pa arrijtura.  Ju uroj lexuesve kudo dhe Kombit tonë në përgjithësi, që Viti i Ri 2019 të jetë një vit ndryshimesh për më mirë, një ndryshim të vërtetë të ri drejtimesh në strategjinë e politikës kombëtare, si dhe në përcaktimin e objektivave të reja për përmirësimin e jetës së përditshme, ekonomike dhe shoqërore të shqiptarëve, me një angazhim serioz nga klasa politike shqiptare, për realizimin e tyre.

Në prak të Vitit të Ri, fatkeqsisht, është vështirë të shihet se si mund të ndodhë një gjë e tillë. Nëqoftse viti që kaloi plot sfida, është një tregues i ngjarjeve të ardhëshme, Viti i Ri mund të jetë edhe më problematik për Shqipërinë dhe për Kosovën, me këto politika të papërgjegjëshme dhe përçarëse që po ndiqen, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

U shprehi falënderimet dhe mirënjohjen time kuptimplotë të gjithë atyre zonjave dhe zotërive zemërbardhë e mendjendritur – kolegë e kolege, miq e dashamirë dhe lexues të rregullt – të cilët me komentet e tyre më japin kurajë dhe më nxisin të vazhdoj të shpreh mendimet e mia në faqet e shtypit – mendime të cilat shpesh mund të duken si ndryshe nga shumica e opinioneve që botohen në median shqiptare, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporë.  Kjo ndoshta nuk duhet të konsiderohet si një meritë e imja, por e fatit tim që kam jetuar dhe punuar për pothuaj një gjysëm shekulli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e rrethanave të tjera të jetës.  Unë nuk e harroj kurrë brezin e patriotëve shqiptarë – shumica e të cilëve nuk janë më — që u detyruan të largoheshin nga Atdheu pas ardhjes në fuqi të komunizmit, me të cilët kam pas fatin të njihesha dhe të cilët spikaten në mua rëndësinë e ruajtjes së traditave stërgjyshore dhe lartësimin e shpirtit origjinal të shqiptarit ndër shekuj.

 

Megjithse larg vendlindjes për një periudhë gjysëm shekullore – në një mjedis krejt tjetër kulturor dhe gjuhësor — jam përpjekur mbrenda mundësive të mia modeste, që ndër të tjera, të pasqyroj dhe të vlerësoj traditat, si dhe përfaqsues të atyre traditave stërgjyshore shpesh të anashkaluar e harruar dhe trashëgiminë tonë autotoktone, që po sulmohen dhe po përvetësohen çdo ditë nga armiqët e shqiptarëve, ndërkohë që nuk po mbrohen nga ata që e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të mbrojnë  dhe të kultivojnë identitetin, kulturën, trashëgiminë dhe autoktoninë mija vjeçare të shqiptarëve në trojet e veta.

Shpreh edhe njëherë, falënderimet e mia më të përzemërta lexuesve për vlerësimet e tyre të vazhdueshme.  Me këto parime shpresoj që – për derisa të më japë Zoti jetë e shëndet — edhe në Vitin e Ri të vazhdoj të frymëzojë miqë dhe dashamirë, por mbi të gjithë lexuesit e rregullt të cilët bujarisht dhe me fisnikëri ndjekin rregullisht shkrimet e mia modeste.

Në fillim të këtij shekulli mendonim se më në fund, me shembjen e komunizmit dhe me arritjen e pavarësisë së Kosovës – shekulli XXI do të ishte më në fund, “Shekulli i Shqiptarëve”.  Gjithnjë presim më kot të shohim ndonjë shenjë të kësaj ëndërre.   Prandaj dëshira ime e sinqert – ashtu si edhe në vitet e kaluara — edhe në prak të Vitit të Ri 2019, është sa vjetër aq edhe aktuale, e përmbledhur me një thënje të At Anton Harapit, duke dëshiruar që sidomos klasa aktuale politike të mbledh mendët dhe t’u tregojë shqiptarëve, jo vetëm shqiptarëve, por edhe  “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët t’a bëjnë dhe t’a mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare.”  Çdo gjë tjetër, më pak se ky realizim i dëshirës time dhe të një pjese dërmuese të shqiptarëve vullnet-mirë kudo në botë, është e papranueshme!

Problemet dhe sfidat e shqiptarëve – të mbrendshme dhe të jashtme — nuk mund të zgjidhen me formula të të tjerëve, që mund t’u përshtaten interesave të tyre dhe miqëve të tyre, në kundërshtim me interesat kombëtare të shqiptarëve.

Urimet më të përzemërta të gjithëve për një vit të mbarë për fatet e KOMBIT, si dhe për ju dhe familjet tuaja.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Nje Urim per 2019

MESAZHI PËR VITIN E RI: TË MBROHET FJALA E LIRË DHE DEMOKRACIA!

December 28, 2018 by dgreca

1 Frank-shkreli-Nga Frank Shkreli/

Katër organizata ndërkombëtare mbrojtëse të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së fjalës — i janë drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë së atij vendi, Z. Etilda Gjonaj, me një letër të hapur ku i kërkojnë tërheqjen nga ligji — të propozuar prej tyre — për regjistrimin, mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e portaleve online, njoftojnë media të ndryshme shqiptare në portalet e tyre.  Siç dihet, ky projektligj është paraqitur disa ditë më parë nga udhëheqsi i qeverisë shqiptare, të cilin ai e ka pagëzuar, si një “paketë antishpifje”.  Në letrën, një kopje e të cilës i është dërguar edhe zyrës së OSBE-së në Tiranë, katër organizatat në fjalë: Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufijë, i kanë kërkuar Ramës të tërhiqet nga konsiderimi i këtij projektligji.  Në mesazhin e tyre drejtuar Kryeministrit shqiptar, ato shprehen se, nisma e propozuar prej Z.Rama, “Është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne”, theksohet në letrën e nënshkruar prej tyre, drejtuar qeverisë shqiptare.  Organizatat, të cilat njihen për veprimtarinë e tyre në mbështetjte të lirisë së fjalës dhe demokracisë anë e mbanë botës, paralajmërojnë Kryeministrin Rama se, “Nëse projektligjet e propozuara, miratohen nga parlamenti shqiptar, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet dhe do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim”, shkruhet në letrën e nënshkruar nga katër organizatat ndërkombëtare, të njohura për mbështetjen e tyre ndaj të drejtave të njeriut dhe demokracisë në botë.Përpiluesit e letrës dënojnë gjithashtu mënyrën e fshehtë se si është përgatitur dhe si është paraqitur ky projektligj, siç thonë ata, pa konsultim dhe pa asnjë informacion paraprak për publikun, ndërsa nënvijojnë moskënaqësinë e tyre me procesin e ndjekur në lidhje me këtë nismë: “Shprehim zhgënjim të thellë se ky ligj është hartuar pas dyerve të mbyllura, pa përfshirë gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile përgjatë procesit të hartimit.  Ne ju kërkojmë të ndërprisni menjëherë iniciativën për të amenduar këto dy projektligje dhe të përfshini gazetarët, shoqërinë civile, përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias, Bashkimin Europian dhe Këshillin e Europës, në çfarë do lloj iniciative që prek lirinë e shprehjes, median dhe gazetarët”, theksohet më tej në letrën e tyre dërguar Kryeminsitrit Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.  Në letër thuhet gjithashtu se, “Përfaqsuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias e ka bërë të qartë se, “Shtetet anëtare nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyrueshëm për median “online”, si kusht paraprak për punën e tyre, gjë që mund të ketë një ndikim tepër negativ mbi lirinë e medias”, në përgjithsi në ato vende.

Mediat shqiptare njoftojnë se projektligji i hartuar nga qeveria e Z. Rama, propozon themelimin e një regjistri për median “online” pranë  të ashtuquajturit Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP), përfshirë edhe vendosjen e përmbajtjes së medias “online” nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash (AMA), një komision ky pranë këtij enti, i cili, nëqoftse miratohet ky projektligj, do të ketë kompetencat të gjykojë nëse media është e njëanshme apo e paanshme, nëse ajo cënon “moralin public” apo jo dhe nëse ky ent qeveritar e gjykon të arsyeshme, ai mund të vendosë gjoba deri në 8 mijë euro dhe madje të urdhërojë edhe mbylljen mediave, që ky ent vendos se kanë shkelur ligjin.

Nuk ka dyshim se nisma e Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama, propozimi pa këshillime me grupet e interesuara dhe paraqitja e këtij projektligji Kuvendit të Shqipërisë, ka për qëllim për të frikësuar dhe për të kontrolluar shtypin, duke kufizuar lirinë e medias – siç theksojnë edhe organizatat në fjalë në letrën drejtuar Kryeministrit shqiptar — ashtuqë nepërmjet miratimit eventual të këtij projektligji nga Kuvendi i Shqipërisë, jo vetëm të disiplinojë por edhe të dënojë median që sipas tij mund të gjykohet, si e njëanshme ose e paanashme, ose si një media që cenon “moralin publik”.  Tomas Xhefersoni, i cili konsiderohet si përpiluesi kryesor i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ka shkruar se nëqoftse me eksperimentin e demokracisë mund të konstatojmë se njeriu mund të qeveriset nga arsyeja dhe e vërteta, atëherë duhet të lëmë të gjitha rrugët e hapura që të mundësojnë që të arrihet tek e vërteta. “Rruga më me rëndësi drejtë zbulimit të së vërtertës, është liria e shtypit”, ka shkruar ai. Prandaj, “Liria e shtypit është e para që e pëson nga ata që kanë frikë nga hetimi i veprimtarive të tyre”, ka thekësuar Xhefersoni.

Thonë se Uinston Çurçilli ka deklaruar se, “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të të gjitha formave të qeverisjeve që janë provuar nga koha në kohë.”  Demokracia e vërtetë është një krijesë e brishtë, por megjithë të metat e saja, është e vetmja formë qeverisjeje që parandalon ushtrimin e pushtetit të një regjimi ose të një personi me prirje autoritare, tiranike ose despotike.  Historia na mëson që të mos përulemi para dukurive të tilla kudo qoftë, por t’i kundërshtojmë, sidomos përpjekjet arbitrare dhe imponuese nga cilado qeveri ose nga cili do udhëheqës qoftë, për të kufizuar dhe për të kontrolluar lirinë e fjalës, me anë të ligjeve të imponuara pa asnjë konsultim me grupet e interesuara të shoqërisë.  Sepse siç na këshillon edhe Tomas Xhefersoni, humbja e lirisë së fjalës, pasohet edhe nga humbja e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut, një nga një.  Beso në të vërtetën! Beso në Demokraci! Kundërshto masat antidemokratike, sepse Demokracia nuk pret!  Thuaj JO kufizimit të lirisë së shtypit!

Filed Under: Politike Tagged With: demokracia, fjala e lire, Frank shkreli, mesazh, Viti i ri

NËNË TEREZA PERSONIFIKON ASPEKTET MË TË MIRA TË NJERËZIMIT`

December 21, 2018 by dgreca

 

(Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit midis njerëzve)

Nga Frank Shkreli

Në Vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së) ka miratuar një rezolutë përmes së cilës identifikohet solidariteti njerëzor si një prej vlerave më themelore dhe të përgjithshme që duhet të përcaktojë marrëdhëniet midis njerëzve në shekullin 21.  Njëkohësisht, në nderim të solidarësisë midis njerëzve dhe popujve, u vendos që 20 dhjetori të shënohet çdo vit, si Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit njerëzor.

Asambleja e Përgjithëshme e OKB-së ka krijuar gjithashtu Fondin Botëror të Solidaritetit, që funksionon prej vitit 2003 me qëllim që të luftohet varfëria dhe të promovohet zhvillimi shoqëror në vendet në zhvillim e sipër, në veçanti, në pjesët më të varfëra të shteteve të botës.  Sipas OKB-së, agjenda e organizatës botërore për realizimin e Objektivave në Mbështetje të Zhvillimit, duhet të përqëndrohet tek njerëzit, duke nënvijuar zbatimin e të drejtave të njeriut, duke përkrahur   një partneritet dhe vendosmëri globale me objektiv zhdukjen e varfërisë, urisë dhe sëmundjeve.  20 Dhjetori është pra Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit — një ditë sipas OKB-së — që kujton dhe celebron unitetin midis njerzëve pa dallim, një ditë që u kujton qeverive të respektojnë angazhimet bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare dhe një ditë veprimesh për të inkurajuar nisma të reja për barazi midis njerëzve dhe për zhdukjen e varfërisë.

Solidariteti ose solidarësia është identifikuar në Deklaratën e Milleniumit, si një cilësi humanitare, si një prej vlerave themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare të shekullit 21, ku njerëzit që vuajnë ose që përfitojnë më së paku në një shoqëri të caktuar, meritojnë ndihmën e atyre që përfitojnë më së shumti në atë shoqëri.  Si rrjedhim, sipas OKB-së, përballë globalizimit dhe sfidave që vinë si pasojë e pa barazisë në rritje e sipër — në vende të ndryshme dhe në botë në përgjithësi – forcimi i solidarësisë ndërkombëtare, por edhe nivelin ndër-njerëzor, është i pazëvendësueshëm, nqëoftse bota është serioze për zhdukjen e varfërisë dhe pabarazisë në botë.

Në shumë shoqëri, fatkeqsisht, ndoshta mund të themi edhe për shoqërinë shqiptare, ka shumë raste dhe situata ku pabarazia, varfëria dhe padrejtësitë e lloj-llojshme, janë shënja jo vetëm të një mungese, thellësisht jo vëllazërore, por ato tregojnë edhe një mungesë të kulturës së solidarsisë me njëri tjetrin, e sidomos me ata, të cilët Nënë Tereza i ka cilësuar si më të varfërit e të varfërve të shoqërisë.

Gjatë historisë së njerëzimit, jo se nuk ka patur raste ku individë të caktuar nga kombe të ndryshme nuk kanë dhënë kontribut dhe shembëlla solidarsie ndaj të tjerërve, madje edhe nën rrethana shumë të vështira.  Por. besoj se në krye të kësaj liste, të njerëzve pra, që kanë dhënë kontributin më të madh dhe shembullin më të mirë të solidarisisë ndaj të tjerëve, sidomos atyre më në nevojë – mund të vendosim Nënën dhe Motrën tonë shqiptare, Shënjtëreshën Nënë Terezën, e njohur dhe e pranuar botërisht, si një shembull heroik i dashurisë për të tjerët dhe i solidarësisë, me të tjerët dhe ndajë më të harruarve të kësaj bote, pa dallim feje, krahine, kulture as enticiteti.  “Dashuria nuk ka asnjë kuptim, nëqoftse nuk ndahet me të tjerët”, ka thënë Nënë Tereza dhe ka shtuar se, “Dashuria duhet të vihet në veprim” — dashuria për njerëzimin, për njëri tjetrin dhe për më të varfërit e shoqërisë”, është shprehur ajo.

Në një deklaratë të fortë, lëshuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta kujtoi në këtë ditë, fjalët e Nënë Terezës, ndërsa thekësoi se, “Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor, ne kujtojmë porositë e Shenjtores Nënë Tereza, simbolit shqiptar e botëror të humanizmit e solidaritetit, për të qenë pranë njëri-tjetrit, në ditë të mira e në ditë të vështira, në dhimbje dhe në gëzime, pranë kujtdo që ka nevojë për ndihmë e përkujdesje, veçanërisht në krah të fëmijëve e të rinjve, të vetmuarve, njerëzve në nevojë dhe të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim”, është shprehur Presidenti Meta, në mesaszhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidarsisë.

Më heret këtë muaj, një grup ekspertësh ndërkombëtarë të drejtave të njeriut në Gjenevë, i bënë një thirrje urgjente Kombeve të Bashkuara dhe shteteve anëtare të saj, që të shtojnë përpjekjet e tyre në luftën kundër pabarazisë ekonomike dhe diskriminimit.  Ekspertët e OKB-së theksuan nevojën kritike për të promovuar zhvillimin e shoqërive anë e mbanë botës, me qëllim për të pakësuar faktorët që kontribojnë në fushën e pabarazisë dhe njëkohsisht për të shtuar dhe për të përmirësuar mundësitë për zhvillim ekonomik mbrenda vet vendeve, por edhe midis shteteve të ndryshme.  “Pabarazia dhe diskriminimet janë disa prej sfidave kryesore me të cilat përballet sot bota.   Ato, jo vetëm përbëjnë pengesa për të siguruar të drejtën individuale për zhvillim, por këto pa drejtësi, përbëjnë njëkohsisht edhe kërcënime të mëdha ndaj paqës, sigurisë dhe të drejtave të njeriut, anë e mbanë botës.  Këta dy faktorë janë shkaktarët kryesorë të imigracionit.”, kanë theksuar ekspertët ndërkombëtarë.

Ata citojnë gjithashtu Deklaratën e Drejtës për Zvillim të OKB-së, sipas të cilës pabarazia, domosdoshmërisht, minon të drejtat e njeriut. Deklarata në fjalë bën thirrje për një zhvillim më të barabart në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar, për të siguruar kështu edhe shpërndarjen e ndihmave shoqërore dhe përfitimeve që vijnë nga zhvillimi, duke pasur parasyshë që të gjithëve, pa dallim, t’u jepet mundësia e barabart në fusha të të ndryshme të zhvillimit, si në arsim, në shërbimet mjekësore dhe për ushqim dhe strehim.

Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor na kujton se përgjegjësitë — për një solidaritet më të madh midis njerëzve dhe për një zhvillim dhe për të drejta të barabarta për të gjithë — janë në nivel ndërkombëtar dhe u përkasin organizatave si OKB-ja dhe në nivel kombëtar jsnë përgjegjësi e qeverive të shteteve dhe qeverive të ndryshme.  Koncepti i solidaritetit është i lidhur ngusht, pra me promovimin e paqës — jo vetëm në botën e gjërë por edhe në mjedisin dhe shoqërinë ku jetojmë — në mbështetje të drejtave të njeriut dhe zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, në unitet, bashkim dhe dashuri vëllazërore me njeri tjetrin, sidomos në radhët e një populli të të njëjtit gjak, gjuhë e kulturë.   Nënë Tereza do të na këshillonte se, “Nëqoftse nuk kemi paqë, kjo ndodhë sepse kemi harruar se i përkasim njëri tjetrit.”

Pabarazia sistemike dhe sistematike, plus diskriminimet e ndryshme shoqërore, sidomos nga pikëpamja e pabarazisë në fushën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror — edhe në radhët e shqiptarëve – jo vetëm që fyen dinjitetin njerëzor, por njëkohësisht merr nepër këmbë shtetin ligjor dhe pengon realizimin e të gjitha të drejtave civile, politike, ekonomike dhe shoqërore për një pjesë dërmuese të shoqërisë shqiptare, qoftë në Shqipëri, qoftë edhe në Kosovë, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Zhdukja e pabarazive dhe e diskriminimeve në të gjitha fushat dhe shtresat e shoqërisë pa dallim – jo vetëm që janë të nevojshme dhe të domosdoshme por për qeveritë janë përgjegjësi të detyrueshme, moralisht dhe ligjërisht.  Ky është edhe mesazhi i Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit, por edhe porosia e Nënë Terezës, e cila, si bijë e Kombit Shqiptar dhe si Nëna e botës, përfaqëson aspektet më të mira të njerëzimit dhe solidaritetit njerëzor.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank Shkrela, Frank shkreli

ANGAZHIMI AMERIKAN NDAJ SIGURISË DHE STABILITETIT NË EVROPËN JUGLINDORE

December 19, 2018 by dgreca

1-Franku

Nga Frank Shkreli/

Gjatë vizitës së tij në Shkup të martën, Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, (DASH), John J. Sullivan deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të, “Angazhuara për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Jug-lindore”, duke thekësuar se Maqedonia është një pjesë e rëndësishme e këtij angazhimi ndaj stabilitetit dhe paqës në atë rajon.

Sipas një deklarate të Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me vizitën e tij në Maqedoni, diplomati i lartë amerikan u shpreh se zhvilloi një vizitë të frutshme në atë vend, ku zhvilloi bisedime me disa zyrtarë të lartë të qeverisë së Shkupit, përfshirë Kryeministrin, Zoran Zaev dhe Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Dimitrov.  Zyrtari amerikan nënvijoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, e cila do të bëjë të mundur që Maqedonia të zejë vendin që i takon në Aleancën e Atlnatikut Verior, NATO dhe në antarësimin e saj eventual në Bashkimin Evropian: me emrin Republika Veriore e Maqedonisë.  Është kjo një marrëveshje, shtoi ai, e cila kontribon ndaj stabilitetit, sigurisë dhe begatisë rajonale.  Ne e konsiderojmë Maqedoninë si një ndër vendet kryesore të rajonit, bazuar në angazhimin e saj për paqë, stabilitet dhe bashkpunim, është shprehur diplomati i lartë amerikan, John Sullivan.

Ai pati fjalë lavdëruese për Kryeministrin, Zaev dhe Ministrin e Jashtëm, Dimitrov si dhe për udhëheqsit dhe antarët e guximshëm të parlamentit maqedonas, siç i quajti ai, të cilët tetorin që kaloi, me votën e tyre, hodhën hapat e nevojshëm drejt një të ardhme më të mirë, më të begatë dhe më të sigurt për Maqedoninë dhe për të ardhmen e qytetarëve të saj.

Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, John Sullivan u bëri thirrje antarëve të parlamentit të atij vendi, ndërsa vazhdojnë provcesin e zbatimit të Marrveshjes së Prespës, që të lënë mënjanë interesat partiake dhe personale e të përqëndrohen në realizimin e objektivave të përbashkëta strategjike për vendin e tyre.  “Tjetër alternativë nuk ka”, ka thekësuar ai.  Por nënvijoi diplomati i lartë amerikan, “është gjithashtu kritike që Maqedonia të vazhdojë të përqëndrohet në zbatimin e reformave kryesore në sistemin ligjor, promovimin dhe mbështetjen për pavarësinë e sistemit gjyqësor, përmirësimin e qeverisjes dhe të kapacitetit të institucioneve qeveritare, në shërbim të qytetarëve”, ka rekomanduar përfaqsuesi i lartë i DASH. Ai u ka thënë zyrtarëve më të lartë të Maqedonisë se Shtetet e Bashkuara ndajnë me ta angazhimin e tyre për paqë dhe siguri në rajon dhe në botë, ndërkohë që Washingtoni pret që, në të ardhmen, të zhvillojë marrëdhënie edhe më të ngushta me Shkupin.

Gjatë shkëmbimit pyetje-përgjigje me gazetarët në Shkup, diplomati i lartë amerikan tha se marrëveshja e Prespës është një marrëveshje midis dy palëve – Greqisë dhe Maqedonisë – ndërsa thekësoi kurajon e kryeministrave të dy vendeve për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.  John Sullivan tha se marrëveshja në fjalë është thellësisht në interesin e të dy palëve dhe shtoi se, “Jemi dakord edhe me kolegët tanë grekë mbi rëndësinë e marëveshjes së Prespës, për rëndësinë që ajo ka për të ardhmen e Greqisë”, ka thënë ai.  “Marrëveshja, që ata kanë nënshkruar për të mirën e dy vendeve të tyre dhe për rajonin, është diçka për të cilën Shtetet e Bashkuara janë krenare që e mbështesin dhe kjo është pikërisht edhe arsyeja që unë jam sot këtu”, u ka thënë ai gazetarëve.

Ndërsa pyetjes se nëse kritikat ndaj kësaj mrrëveshjeje, sidomos ato që kanë ardhur nga Moska, e cila haptazi kundërshton këtë marrveshje, diplomati amerikan John Sullivan u përgjegj se, Washingtoni nuk e nxiti marrveshjen – ishte krejtëisht midis dy palëve — midis Athinës dhe Shkupit por, “Shtetet e Bashkuara janë krenare të mbështesin qeverinë e Maqedonisë dhe popullin e Maqedonisë për atë që dëshirojnë vet, e që është antarësimi i vendit të tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian…pasi ata kanë vendosur se kjo gjë është në interesin më të mirë të vendit të tyre”.

Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, John Sullivan siguroi Maqedoninë dhe shtetet e tjera të rajonit se përsa i përket influencës dhe ndërhyrjes së Rusisë, jo vetëm në Maqedoni por edhe në rajon se, “Ne do të mbështesim edhe të tjerët të cilët janë të bashkuar për tu ballafaquar dhe për të ekspozuar influencën qëllim keqe të Rusisë, jo vetëm në Maqdoni por edhe në këtë rajon dhe në Evropë, ose kudo tjetër që Moska përpiqet të ushtrojë ndikim të dëmshëm, për të minuar proceset legjitime demokratike si dhe qeveritë që kanë marrë vendime në interes të popujve të vet, ashtu siç ka bërë me këtë rast Maqdonia. Ne do t’i mbështesim ato qeveri, ne do të kundërshtojmë ndikimet e rrezikshme ruse, duke bërë çdo gjë të mundur për t’i kundërshtuar dhe për t’i ekspozuar ato”, kudo qoftë.

Deputy Secretary of State John J. Sullivan speaks during a news conference, after a US-Mexico bilateral meeting on disrupting transnational criminal organizations at State Department in Washington, Thursday, Dec. 14, 2017. ( AP Photo/Jose Luis Magana)

Zëvëndës Sekretari Amerikan i Shtetit, John J. Sullivan

Ndërkaq, gjithashtu në një frymë angazhimi dhe mbështetjeje amerikane për  rajonin, pikërisht për Kosovën, por edhe shqetësimi për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, Shtëpia e Bardhë, në një letër që i dërgoi ditët e fundit Presidenti Trump, Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, theksohet partneriteti midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës: “Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqën dhe stabilitetin për të gjithë Evropën.”   Presidenti Trump, kërkon gjithashtu nga presidenti Thaçi dhe udhëheqsit e Kosovës që të shfrytëzohet ky moment unik, që të bashkohen dhe të bashkounojnë, “që të flasin me një zë”, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
“Unë, iu nxis Ju dhe liderët e Kosovës, që ta shfrytëzoni këtë moment unik, të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqë dhe të përmbaheni nga veprimet të cilat mund t’a vështirësojnë arritjen e marrëveshjes.  Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet”, ka shkruar Presidenti Trump në letrën drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa ka shtuar se, “Ne jemi të gatshëm që t’u ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme”, thuhet në letrën e Shtëpisë së Bardhë.

Megjithë këtë letër të Shtëpisë së Bardhë, nuk besoj që Shtetet e Bashkuara të kenë marrë ende ndonjë qëndrim zyrtar në lidhje me bisedimet e tanishme ose në të ardhmen, për një marrëveshje “përfundimtare dhe gjithëpërfshirse”, midis Kosovës dhe Serbisë.  Administrata e Presidentit Trump, ashtu si dhe disa anëtarë të Kongresit Amerikan nuk kanë mbështetur natyrën ose modelin e ndonjë marrëveshjeje të mundëshme midis Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, por janë shprehur në favor që të dy palëve t’u jepet hapësirë për arritjen e një marrëveshjeje, e cila do të mbështetej si nga Republika e Kosovës ashtu dhe nga Serbia.

 

Frank Shkreli

Letra e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

Filed Under: Politike Tagged With: Angazhimi Amerikan, Evropa Jug Lindore, Frank shkreli, siguria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT