• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ne, jemi NATO!

October 6, 2018 by dgreca

4 frank-shkreli-1NGA FRANK SHKRELI/

Si rrallë herë, java e parë e Tetorit ishte një javë e ngjeshur me aktivitete të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, si në kryeqendrën e saj ashtu edhe në rajon. Në Bruksel, zhvilluan këtë javë bisedime dyditëshe, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës Perëndimore, duke u fokusuar – sipas një njoftimi të NATO-s për medien – në adaptimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të masave ndaj veprimeve provokuese, në rritje e sipër, nga ana e Rusisë, si dhe ndaj gjendjes jostabël në krahun jugor të Aleancës. Ndërkaq, gjatë këtyre aktiviteteve të NATO-s, duhet venë në dukje edhe vizita, këtë javë, në Moskë e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe takimi i tij me Presidentin rus, Vladimir Putin, ku përveç Kosovës, u bisedua edhe për zgjerimin e NATO-s në rajonin e Ballkanit. Presidenti i Serbisë, citohet nga “Zëri i Amerikës” t’i ketë premtuar Putinit se, “Serbia, si shtet i pavarur dhe i lirë do të ruajë neutralitetin ushtarak dhe mendoj se sot Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i përmbahet kësaj politike”, i ka thënë ai presidentit rus, i cili dihet se nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Me gjithë deklaratën e Presidentit serb në Moskë, NATO ka njoftuar se, këtë fund jave, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Perëndimore, Jens Stoltenberg do të bëjë një vizitë treditore në Beograd ku do të takohet me udhëheqësit më të lartë të Serbisë dhe njëkohësisht do të marrë pjesë në një ceremoni të përbashkët, të organizuar nga NATO dhe Ministria serbe e Mbrojtjes. Ndërkaq, t’i kthehemi mbledhjes ministeriale në Bruksel, ku njoftohet, se kontributi i dy përqindëshit për buxhetin e NATO-s nga vendet anëtare, ishte gjithashtu një ndër pikat që u diskutua në mbledhjen ministeriale të kësaj jave. Ndërkohë që citohet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të ketë thënë, se Aleanca po “Shënon përparim” në këtë fushë, duke shtuar se, “ky është viti i katërt me radhë që është shënuar një rritje të shpenzimeve ushtarake” në radhët e vendeve anëtare të Aleancës.

Në bisedimet e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel – theksohet në njoftimin për media – shefat e mbrojtjes të vendeve aleate, nënvizuan shqetësimet e tyre mbi sjelljet e Rusisë në rajonin euaroaziatik si dhe mbi sistemin e ri të raketave të Rusisë, të cilin Sekretari Stoltenberg e cilësoi si një masë “destabilizuese” dhe si e tillë, ka thënë ai, paraqet një “rrezik serioz ndaj sigurisë tonë.” Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, në takimin e tyre në Bruksel, mësuan gjithashtu edhe për sulmin kibernetik – që u parandalua nga Holanda me ndihmën e Britanisë së Madhe – të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse kundër Organizatës së NATO-s për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë të Holandës. Sekretari Stoltenberg ka thënë se NATO, në përgjigje të këtyre sulmeve ruse, do të ndërmarrë masat e nevojshme për të përforcuar mbrojtjen kundër sulmeve të tilla kibernetike, ashtu që sipas tij, organizata që ai drejton, “të jetë aq e fuqishme edhe në hapësirën kibernetike, ashtu siç është edhe në tokë, det e ajër.” Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, thuhet se Aleatët në NATO mbështesin vendimin e qeverive holandeze dhe britanike për të venë në dukje përpjekjet e pa diskutueshme të Rusisë për të minuar ligjet dhe institucionet ndërkombëtare. “Rusia,” ka thënë ai, “duhet t’u japë fund këtyre sjelljeve të pa përgjegjshme dhe të rrezikshme, përfshirë përdorimin e forcës kundër fqinjëve të saj, përpjekjet e saj për të ndërhyrë në proceset zgjedhore të vendeve të ndryshme, si dhe fushatat e gjithanshme për të përhapur dezinfomacion”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ndërkaq, në një takim të Ministrave të Mbrojtjes me Komisionin e përbashkët NATO-Gjeorgjia, ministrat shprehën shqetësimin e tyre rreth rritjes së pranisë ushtarake të Rusisë në rajonin e Detit të Zi dhe ranë dakord që të bashkëpunojnë në përballimin e sfidave të sigurisë rajonale, thuhet në një njoftim të NATO-s.

Ndërkaq, në mbledhjen e Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel, mori pjesë, natyrisht, edhe Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka. Në portalin e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë thuhet se shefja e këtij dikasteri – në mbyllje të Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, ka propozuar që një prej Ministerialeve të NATO-s për vitin e ardhshëm të mbahet në Tiranë: “Do kisha kënaqësinë që Ministeriali i NATO-s në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë të zhvillohet në Tiranë.”, është shprehur Xhaçka. Thuhet se këtë propozim ministrja Xhaçka e ka bërë gjatë darkës zyrtare në prani të Sekretarit amerikan Mattis, Sekretarit të Përgjithshëm, Stoltenberg dhe ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Siç dihet, Ministerialet e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s mbahen 3 herë në vit. Ndërsa në një aktivitet tjetër, këtë javë, të Aleancës së NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që kishte të bënte me një marrëveshje rajonale për krijimin e një Programi të Veçantë Shumëkombësh të Aviacionit, (për Forcat e Operacioneve Speciale të NATO-s) në Zarë, të Kroacisë. Marrëveshja, sipas NATO-s, u nënshkrua të ënjten nga Ministrat e Mbrojtjes të Bullgarisë, Kroacisë, Hungarisë dhe të Sllovenisë. Qendra e re e Aviacionit të NATO-s në Zarë, pritet të hapë dyert në fund të vitit që vjen.

Dhe më në fund, këtë javë, Aleanca e Atlantikut Verior NATO dhe Këshilli i Evropës, nëpërmjet shefave të këtyre dy organizatave perëndimore – Zotërinjve Jens Stoltenberg dhe Donald Tusk – komentuan referendumin e mbajtur në fillim të javës në Maqedoni duke u shprehur se marrëveshja mbi emrin, midis Athinës dhe Shkupit, ka krijuar një rast historik që të dy vendet të bëhen pjesë e komunitetit evropian dhe transatlantik, si anëtare të barabarta. Kjo do të ndryshonte – për më mirë – jetën e popullit të këtij vendi dhe të fëmijëve të tij. “Një shumicë dërmuese e atyre që morën pjesë në referendum mbështetën këtë rrugë. Kjo është tani në dorë të politikanëve të Shkupit për të vendosur se si shkohet përpara. Vendimet që ata marrin në ditët dhe javët e ardhshme do të përcaktojnë fatin e vendit dhe të popullit të vet, për shumë breza të ardhshëm. Ne u bëjmë thirrje (politikanëve të Shkupit) që të përfitojnë nga ky rast historik”, janë shprehur në një deklaratë të përbashkët, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk.

Të gjitha këto aktivitete këtë javë nga ana e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s, lënë të kuptohet se Aleanca perëndimore – duke pasur parasysh misionin e saj për mbrojtjen e sigurisë së përbashkët — është e aktivizuar dhe po punon me të gjitha mjetet e saja për t’u përballur me rreziqet dhe me provokimet e Rusisë putiniste, në rajonin euro-aziatik, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, jemi ne NATO, në

Vizitë tek Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

October 5, 2018 by dgreca

Në vizitë tek Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të regjimit komunist/

d

Nga Frank SHKRELI/

Gjatë vizitës që bëra në Shqipëri në fillim të shttaorit me qëllim promovimin e tre vëllimeve të librit, “Demokracia Nuk Pret”, kisha vendosur që të mos largohesha nga Tirana pa vizituar Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 (AIDSSH).  Siç dihet ky Autoritet, i themeluar sipas ligjit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me 30 Mars, 2015 – është i hartuar kryesisht në bazë të përvojës dhe modelit të ligjit gjerman mbi regjistrat e Stasit, policisë sekrete të ish-Gjermanisë Lindore, “Me pëgjegjësinë për mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, i përbërë nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi”.  Unë pata nderin dhe kënaqësinë që mu dha rasti të takohesha me Kryetaren e AIDSSH) Zonjën Gentiana Sula dhe me antarin e Autoritetit, Zotin Simon Mirakaj, të cilët i falënderoj përzemërsisht për pritjen miqësore dhe për respektin që treguan, si dhe për gatishmërinë e tyre për të më asistuar në procesin e aplikimit për nxjerrjen e dosjes që kishte përgatitur për mua ish-Sigurimi i Shtetit, gjatë sundimit të regjimit komunist.

Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991/

       

Në takim në zyrën e AIDSSH, me Zonjën Gentiana Sula dhe me antarin e AIDSSH, Zotin Simon Mirakaj, gjatë procesit të aplikimit për informim mbi dosjen që kishte krijuar për Frank Shkrelin, ish-Sigurimi i Shtetit.

Me të hyrë në ndërtesën e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit tek Garda e Republikës së Shqipërisë, vizitori vëren se në muret e katit të dytë të koridorit që të çon drejtë zyrave të drejtuesve të këtij enti, janë vendosur poema të disa ish të pushkuaturve dhe ish-të përndjekurve të regjimit komunist — disa prej të cilave po ia bashkangjis këtij shkrimi modest, sa për ilustracion.  Është një ndjenë, të pakën për mua ishte e tillë, se megjithse gjëndesha në një ndërtesë qeveritare, e ndjeva veten në një mjedis disi më njërzor se në ndonjë ndërtesë tjetër qeveritare të Shqipërisë, të cilat i kam vizituar gjatë këtyre 28-viteve komunizëm.  Vet emri i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të bën të mendosh se më në fund, diçka po ndodhë në këtë drejtim: drejt ballafaqimit me të kaluarën fatkeqe komuniste për të cilin shoqëria shqiptare ka aq shumë nevojë. M’u duk se e vërteta e asaj të kaluare të tmershme, më në fund, nepërmjet  punës së këtij grupi fisnik të kryesuar nga Zonja Gentiana Sula, ka filluar ta shohi dritën e diellit me hapjen e dosjeve – të pakën atyre dosjeve që kanë mbetur aty pa u zhdukur, më heret.  Duke folur për punën e Autoritetit me Zonjën Sula dhe me Z. Mirakaj — megjith vështirsitë e shumta me të cilat përballen ata dhe stafi i tyre – u largova me përshtypjen se shteti shqiptar, më në fund, duket se po i merr përgjegjësitë e veta, në këtë fushë.  Por, kjo mbetet për tu pa, përfundimisht, se sa serioz janë qeveritarët e sotëm dhe ata të nesërm, sidomos për nga angazhimi buxhetor i tyre për zbatimin e plotë të ligjit mbi dosjet dhe të realizimit të plotë të objektivave që përcakton ky ligj.  Një mungesë kjo e vullnetit politik të kësaj klase politike, ndaj të cilës unë shpeshëherë kam hedhur kritika në llogari të qeverive të ndryshme të këtyre 28-viteve të fundit.  Vizita tek Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991 përfundoi pas aplikimit, falënderës stafit të Autoritetit, në hapjen e dosjes time, brenda një periudhe të shkurtër, dosje të cilën, natyrisht e lexova me vëmendje, por që pothuaj asgjë nuk më habiti nga ato që kishte brenda.

Dokumentimi, identifikimi dhe hapja e dosjeve për individë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, është një objektiv me rëndësi i punës së përditshme të Autoritetit.  Por nuk është vetëm hapja e dosjeve.  Në strategjinë e përpiluar për tre vjetët e ardhëshme 2017-2020, AIDSSH ka përcaktuar objektivat dhe aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në fushën e veprimtarisë së tij, siç theksohet në Raportin Vjetor për vitin 2017, të botuar në fillim të këtij viti.  Një ndër këto aktivitetet e tjera të këtij enti ishte edhe përkujtimi i ngjarjes tragjike të dënimit të grupit të deputetëve dhe botimi i një libri doracak, përmbledhës i dokumenteve për këtë krim të ish-regjimit komunist të Enver Hoxhës — dokumeta këto që ndodheshin në dosjen e dënimit të këtyre martirëve të lirisë.  Me të drejtë AIDSSH e konsideron botimin e dokumenteve të tillë si diçka me, “Një vlerë të madhe dokumentuese dhe shkencore që i shërben edhe vetndërgjegjësimit tonë për të kaluarën e regjimit totalitar”, siç shprehet edhe Prof, Dr. Gjergj Sinani në parathënien e botimit të posaçëm, “Deputetët”.

Përkushtimi me të cilin flasin Zonja Sula dhe Zoti Mirakaj për viktimat e komunizmit, mund të përmblidhet pak a shumë me fjalët, e vërteta, drejtësia dhe kujtesa për familjarët e të burgosurve dhe të internuarve, por edhe për shoqërinë në përgjithësi.  Të bindin se ata vet si individë dhe stafi i Autoritetit për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit, si zyrtarë dhe si shqiptarë të lirë — disa prej  të cilëve janë ish-të përndjekur vetë ose që rrjedhin nga familje të dënuara nga regjimi komunist — nuk kërkojnë asgjë tjetër veç zbardhjen e së vërtetës dhe drejtësi për viktimat, nepërmjet zbatimit të ligjit mbi hapjen e dosjeve, për tu dalë në skaj objektivave që përcakton ligji.  Të lënë përshtypjen se suksesi i punës së Autoritetit për të cilin ata punojnë dhe arritja e objektivave përfundimtare të përcaktuar me ligj, do ta bënte vetëm më humane shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe qeverinë dhe shtetin shqiptar më njerëzor, gjithashtu.

Unë u largova nga vizita në zyrat e AIDSSH në Tiranë, shumë më optimist se kur hyra brenda.  Fillimi ka qenë i vështirë për ta, por megjithëkëtë ashtu siç është shprehur edhe Kryetarja e AIDSSH, Zonja Gentiana Sula, deri tashti duket se: “Hapat e ndërmarrë janë konkretë.  Shoqëria e sotme – e cila mban peshën e të pathënave të së shkuarës, e asaj që ka mbetur pa zbuluar, pa dalë në dritë, e fateve të lëna në mes, e fëmijëve të rritur pa prindër që u zhdukën brenda natës, e pasardhësve që nuk identifikohen me të parët se u është tjetërsuar mundësia për ta bërë këtë, – duket se është gati të përgjigjet dhe të marrë përgjegjësi.  Ajo është shprehur gjithashtu se, “Jam optimiste sepse tani e shoh që puna jonë disavjeçare ka arritur diçka dhe uroj ta bëjmë më të mirë shoqërinë ku jetojmë dhe rrisim fëmijët tanë, nëpërmjet së vërtetës, transparencës dhe respektimit të dinjitetit njerëzor”, ka thënë Zonja Sula.“Duhet pra një fillim i ri për gjithçka…dhe të vendosen themele të reja të lirisë — ashtu siç thekson edhe Prof. Dr, Gjergj Snani në parathënien e librit “Deputetët. “Ne na duhet të rimësojmë kurajon për të qenë të përgjegjëshëm”, ka shkruar ai dhe ka paralajmëruar se “Nëqoftse  nuk do e kemi këtë kurajo, atëherë nuk do të ishte vetëm Kombi që do të humbiste, por vet njeriu i sapo dalë nga “njeriu i ri” i socializmit” dhe se “Si njerëz të lirë, ne duhet të bëjmë (çdo gjë të mundur) që të çfaqet e vërteta, pasi kështu mund të rivendoset besimi tek njëri tjetri…dhe kështu mund të rivendoset solidariteti edhe në rastin kur jemi radikalisht opozitarë”, shkruan Prof Gjergj Sinani.

Jam i bindur se si rezultat i punës serioze dhe përkushtimit të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit — pikëspari falë dedikimit të tyre ndaj lirisë dhe zbulimit të së vërtetës — shoqëria shqiptare do të jetë shumë më e mirë dhe më njerëzore.  Jam i bindur gjithashtu se me përballimin serioz të shoqërisë shqiptare me të kaluarën komuniste, përfshirë hapjen e dosjeve, ashtu siç e kam theksuar shpeshëherë edhe në të kaluarën, shoqëria shqiptare në veçanti dhe Kombi shqiptar në përgjithësi, do të gëzonte një ringjallje shpirtërore, dhe do të siguronte më shumë paqë dhe respekt për njëri tjetrit, pa marrë parasyshë të kaluarën.

Disa poezi nga ish-të përndjekur të vendosura në mjedisin e Autoritetit për hapjen e dosjeve, në Tiranë:

Filed Under: Featured Tagged With: e ish-Sigurimit, Frank shkreli, Në vizitë, tek Autoriteti për Informim mbi Dokumentet

DITA KOMBËTARE E BASHKIMIT TË GJERMANISË

October 4, 2018 by dgreca

DITA KOMBËTARE E BASHKIMIT TË GJERMANISË DHE MARRËDHËNIET AMERIKANO-GJERMANE/

3 frank-shkreliNga Frank Shkreli/

Tre Tetori shënon Ditën e Bashkimit Gjerman (Tag der Deutschen Einheit), dita kur kujtohet përvjetori i Ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, festë kombëtare e bashkimit gjerman ç’prej vitit 1990, menjeherë pas shembjes së Murit të Berlinit.  Për të rikujtuar pakëz historinë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në katër sektorë ushtarakë, të kontrolluar nga Franca, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik. Si përfundim, më 23 Maj, 1949 sektorët e kontrolluar nga Londra, Parisi dhe Washhingtoni, formuan Republikën Federale Gjermane, ndërsa me 7 Tetor, 1949 sektori që kontrollohej nga Bashkimi Sovjetik mori emrin Republika Demokratike Gjermane.  Të dy këto shtete, si pasojë e kësaj ndarjeje, zhvilluan sisteme politike dhe ekonomike krejtësisht të ndryshme nga njëri tjetri. Si pasojë e tensioneve politike në atë kohë në Evropë, si dhe midis bashkëkombasve të dy shteteve gjermane — njëra kapitaliste e tjera komuniste — kishte pak ose pothuaj aspak kontakte midis tyre.

Jeta në Gjermaninë lindore (komuniste) karakterizohej nga shtypjet ndaj kundërshtarëve politikë, ndërkohë që mijëra qytetarë të saj ishin nën shinjestrën e Stasi-t, policisë sekrete famëkeqe gjermano-lindore, që njihej për brutalitetin e saj ndaj kundërshtarve të regjimit komunist.  Ishte 4 shtatori i vitit 1989 kur qytetarët e Leipzigut zhvilluan protesta paqësore kundër qeverisë komuniste të Gjermanisë Lindore.  Protestat, të cilat u përhapën dal nga dalë anë e mbanë vendit, kërkonin bërjen e reformave politike dhe hapjen e kufijve.  Më në fund, me 9 Nëntor, 1989 pikat e kontrollit midis dy gjermanive u hapën dhe gjermanët u lejuan të udhtonin lirisht nga njëri shtet në tjetrin.  Kjo datë në të vërtetë, shënon edhe shembjen e Murit të Berlinit.  Të gjitha këto ngjarje të vitit 1989 çuan më në fund në nënshkrimin e “Traktatit të Bashkimit” nga udhëheqsit e të dy shteteve gjermane, në Gusht të atij viti duke e bërë kështu Bashkimin e Gjermanisë, në fakt, një akt zyrtar, më 3 Tetor, 1990.  Ditë kjo që festohet çdo vit anë e mban Gjermanisë së bashkuar, por ndryshe nga shumica e vendeve të tjera në raste të tilla, valvitja e flamurve në shtëpiat private, paradat ushtarake ose fishekzjarret, nuk manifestohen aq shumë në Gjermani.

Është pikërisht me rastin e kësaj dite që Sekretari Amerikan i Shtetit Michael R. Pompeo, në emër të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, i dërgoi të martën një mesazh urimi popullit të Gjermanisë.  “Gjermania është njëri prej aleatëve tonë më të ngushtë dhe një vend udhëheqës i pazevëndsueshëm në Evropë”, shprehet kryediplomati amerikan në urimin e tij dhe shton se, “Ndërsa po afrohet 30-vjetori i shembjes së Murit të Berlinit, ne kujtojmë atë ngjarje me rëndësi, jo vetëm për ribashkimin gjerman, por edhe për demokracinë dhe lirinë anë e mbanë globit”. Në këtë ditë me rëndësi, theksoi Z. Popmpeo, “Ne festojmë frymën e bashkimit si dhe vendin që zë Gjermania, si një fener ndriçues për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe.”

Me këtë rast Sekretari Amerikan i Shtetit tha se kultura dhe traditat gjermane janë aspekte të pandashme të përvojës dhe jetës amerikane dhe solli në kujtesë se në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 45-milion veta janë me prejardhje gjermane. “Vlerat tona të përbashkëta, lidhjet e forta popull me popull, si dhe interesat e përbashkëta për të krijuar një botë të begatë dhe të sigurt, përbëjnë gurthemelin e fortë të marrëdhënieve tona”, ka nënvijuar kryediplomati amerikan Pompeo, në mesazhin e tij drejtuar gjermanëve në Berlin dhe anë e mbanë Gjermanisë me rastin e 28-vjetorit të ribashkimit të gjermanëve.  Ai u uroi atyre “begati të vazhdueshme dhe i falënderoi gjermanët për kontributin e tyre për zhvillimin e marrëdhënieve të pathyeshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. “Së bashku, ne jemi me të vërtetë, Wunderbar”, (të shkëlqyeshëm) ka përfunduar mesazhin e tij, Sekretari Amerikan i Shtetit, Pompeo, dërguar popullit gjerman me rastin e 3 Tetorit, Ditës së ribashkimit të dy gjermanive.

Është e vërtetë se marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, historikisht, kanë qenë shembullore në çdo pikëpamje, por vitet e fundit vihet re një atmosferë kritikash ndaj politikave të njerës se tjetrës palë, sidomos në fushën e politikës ndërkombëtare por edhe në arenën ekonomike.  Është pikërisht në këtë atmosferë tensionesh e kritikash të shprehura madje edhe publikisht — në pikëpamjet politike transatlantike, nga nivelet më të larta të dy palëve — që Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Z. Heiko Maas po viziton këto ditë Washingtonin, për bisedime midis dy palëve dhe për të inauguruar Vitin e Miqësisë Gjermano-Amerikane.  Sipas Deutshe Welles, para se të nisej për në Amerikë, Kryediplomati gjerman u shpreh se marrëdhëniet transatlantike mbeten jetike, megjithë politikat kontraversiale të Presidentit Trump.  Por megjithkëtë, Gjermania, ka thënë ai para se të nisej për në Washington, duhet të zhvillojë një dialog intensiv me Shtetet e Bashkuara, në një kohë ndryshimesh me rëndësi në politikën dhe në pikëpamjet transatlantike, mbi zhvillimet midis palëve.  Por, ai ka shtuar se megjithë ndryshimet që mund të ekzistojnë mbi çështje të ndryshme politike, ushtarake dhe ekonomike midis Washingtonit dhe Berlinit, marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve janë të “panegociueshme”, ka theksuar Ministri i jashtëm gjerman.  “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati më me rëndësi i Evropës”, citohet të ketë thënë ai.

Ndryshimet në pikpamjet transatlantike midis Administratës së Presidentit Trump dhe vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë, janë pasqyruar mbi disa çështje, përfshirë marrveshjen nukleare me Iranin, gjëndjen aktuale në Siri, ndryshimet klimaterike, tregtinë dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake nga vendet anëtare të Aleancës së NATO-s.  Çështje këto të cilat, të pakën në sipërfaqe, duket se kanë tensionuar marrëdhëniet transatlantike, përfshirë edhe ato midis Washingtonit dhe Berlinit.  Por thelbësoret e marrëdhënieve gjermano-amerikane, siç janë vlerat e përbashkëta, të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut nuk janë prekur, megjithë atë që mund të konsiderohet si tension i tanishëm në këto marrëdhënie.   Sekretari i Përgjithshëm i Institutit Goethe, Johannes Ebert, në një intrevistë me Deutshe Wellen ka folur për çështjet që i ndajnë dhe ato që i bashkojnë gjermanët dhe amerikanët.  “Duhet të bëjmë një diferencim midis vlerave bazë dhe interesave dhe objektivave të njerës ose tjetëres palë. Të dy vendet”, sipas tij, “Janë gjithnjë të angazhuara ndaj vlerave të lirisë.  Vlera të tilla nuk ndryshojnë, madje as në kursin e politikës së përditshme”, ka theksuar Johannes Ebert.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Zoti Maas, një pjesë të vizitës së tij në Washington do ua kushtojë këtyre çështjeve për të cilat mund të ekzistojnë mosmarrveshje, në bisedimet zyrtare që ai do të zhvillojë në Washington me homologun e tij, Sekretarin Amerikan të Shtetit, Z. Pompeo, me Këshilltarin e Presidentit Trump për çështje të Sigurisë Kombëtare, Z. John Bolton, me Përfaqsuesin Amerikan të Tregëtisë, Z. Robert Lighthizer dhe me anëtarë të Kongresit Amerikan.

Por arsyeja kryesore e vizitës së Ministrit të Jashtëm gjerman në Washington është pjesëmarrja e tij në hapjen e aktiviteteve për Vitin kushtuar Miqësisë Amerikano-Gjermane.  Sipas burimeve gjermane, gjatë vitit të ardhëshëm, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mbahen më shumë se 1000 aktivitete me objektivin për të promovuar kontaktet dhe mirëkuptimin midis popullit gjerman dhe atij amerikan.   Sekretari i Përgjithshëm i Institutit Goethe, Johannes Ebert  shpjegoi për Deutshe Wellen, objektivat e Vitit kushtuar Miqësisë Amerikano-Gjermane në Shtetet e Bashkuara, duke u shprehur se pasi pothuaj 50-milion amerikanë kanë rrënjë gjermane, “Ne duam që t’i forcojmë këto marrëdhënie, por njëkohësisht ne dëshirojmë që të diskutojmë gjithashtu, haptas, pikëpamjet tona të ndryshme.  Kjo nuk është një kontradiktë në vetvete.  Me fjalë të tjera, duam një diskutim mbi gjërat që po shkojnë mirë në marrëdhëniet tona – por duam të bisedojmë edhe për çështjet të cilat, aktualisht, na shqetësojnë për momentin”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i Institutit gjerman Goethe, Johannes Ebert mbi pritshmëritë e tija për Vitin kushtuar Miqësisë Amerikano-Gjermane.

Ndërkohë që Gjermania festoi me 3 Tetor, 28-vjetorin e ribashkimit të saj dhe ndërkohë që Gjermania shpalli këtë javë Vitin kushtuar Miqësisë Amerikano-Gjermane, një gjë mbetet e qartë.   Se megjithë problemet e vërteta aktuale ose sipërfaqësore, ose sfidat e imagjinuara në marrëdhëniet amerikano-gjermane – Gjermania mbetet për Shtetet e Bashkuara partneri më i fortë dhe më i vlefshëm i Washingtonit, si dhe udhëheqës i Bashkimit Evropian dhe vendi që luan një rol kritik në marrëdhëniet në nivel botëror, për një numër çështjesh me rëndësi kyçe për interesat e Shtetevet të Bashkuara dhe për paqën dhe sigurinë në botë. Si e tillë dhe megjithë ndryshimet nga koha në kohës midis tyre mbi zhvillimet në botë dhe në marrëdhëniet dyplaëshe — kjo miqësi midis Washigtonit dhe Berlinit, mbetet kritike për begatinë, sigurinë dhe paqën në Evropë dhe në botë.  Lidhjet e ngushta e mqiësore Washington-Berlin shërbejnë, njëkohësisht, edhe si garanci dhe mbështetje ndaj interesave kombëtare afat shkurtëra dhe afat gjata të shqiptarëve në trojet e veta, në Ballkanin Perëndimor.  Nëqoftse ekzistojnë dy shtete që janë të pazevëndësushme për fatin e Kombit shqiptar dhe për të ardhmen e tij, ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania. Marrëdhëniet e forta dhe miqësore midis tyre janë gjithashtu edhe në interesin kombëtar të shqiptarëve!

 

1 Brandenburg”Sekretar i Përgjithëshëm Gorbaçov, nëqoftse kërkon paqën, nëqoftse kërkon begatinë për Bashkimin Sovjetik dhe për Evropën Lindore, nqëoftse kërkon liberalizimin – eja këtu tek kjo portë.  Zoti Gorbaçov, hape këtë portë, shembe këtë mur.”  Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Reagan, Berlin, 12 Qershor, 1987/

1 rrezimi i murit

Porta Brandenburg, simboli i ndarjes së Berlinit dhe Gjermanisë gjatë Luftës së Ftohtë, është tani simboli kombëtar i paqës dhe i bashkimit gjerman.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Bashkimi i Gjermanise, Frank shkreli, Marrdheniet me Ameriken

Shqiptarët dhe Qendra Wilson

September 29, 2018 by dgreca

50-VJETORI I QENDRËS WILSON NË WASHINGTON/

Nga Frank Shkreli/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson/

1 woodrow_wilsonMuaji shtator i këtij viti shënoi 50-vjetorin e themelimit të Qendrës së Studimeve Woodrow Wilson në Washington, që njëkohësisht, duke u bazuar në një akt të Kongresit amerikan, kjo qendër shërben gjithashtu edhe si një memorial, kushtuar Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilsonit.  Është pra një qendër studimore ndër më të njohurat në Amerikë, por që nuk anon politikisht nga ndonjë parti politike ose ideologji dhe si një qendër akademike, gëzon një reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar, për paanësi, objektivitet dhe si një forum i hapët për debate të hapura politike mbi çështje botërore dhe të mbrendshme.  Studimet, idetë dhe hulumtimet e Qendrës Wilson i shpërndahen Kongresit, administratës dhe komunitetit më të gjërë politik, diplomatik dhe akademik.  Për më tepër, nepërmjet shpërnadarjes së materialeve dhe studimeve në internet, përfshirë mediet shoqërore, materialin dhe studimet e prodhuara nga Qendra Wilson, tani mund t’i lexojnë qindra mijëra të interesuar, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, përfshirë edhe qeveritarët dhe vendimarrësit e të gjitha niveleve, kudo në botë.  Pasi 50-vjetë më parë, Kongresi e ka krijuar si një memorial kushtuar Presidentit Woodrow Wilson, Qendra siguron një të tretën e buxhetit nga Kongresi amerikan, ndërsa për pjesën tjetër të financimit të kësaj qendre, ajo varet nga ndihmat e publikut dhe të donatorëve, përfshirë fonadacione, korporata dhe individë të ndryshëm, që besojnë në misionin kritik dhe në kontributin e të kësaj qendre studimore.

Qendra Wilson konsiderohet, në përgjithësi, si një memorial kombëtar i gjallë, kushtuar Presidentit Wilson, vepra e të cilit për të ndërtuar një urë midis botës akademike dhe politikës, në interes të publikut, ndërkohë që vizioni i tij, për një bashkpunim më të madh ndërkombëtar, vazhdon të frymëzojë edhe sot njerëzit, kudo.  Në kaudër të 50-vjetorit të themelimit, të martën që vjen, Qendra Wilson do të zhvillojë një debat prej një dite, me eskspertë të njohur amerikanë dhe të huaj, mbi influencën e politikës kombëtare dhe ndërkombëtare që i atribohet Presidentit Wilson, si dhe mbi trashëgiminë e tij, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë historisë e madje edhe në ditët e sotëme.  Ndër subjektet që do të diskutohen nga ekspertë të njohur në fushat e tyre të ekspertizës, është edhe pyetja nëse — vizioni i rendit botëror të promovuar nga Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara fillim shekullin e kaluar — është ende i zbatueshëm edhe sot, përballë ndryshimeve që po ndodhin aktualisht në sistemin dhe në rendin politik ndërkombëtar.  Dhe nëse Amerika dhe bota kanë mësuar gjë, jo vetëm nga sukseset, por edhe nga dështimet e tija si president, qoftë në politikën e brendshme, qoftë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të ish-Presidentit Woodrow Wilson.

Dy javë më parë, Qendra Wilson në Washington shënoi 50-vjetorin e themelimit të saj me një darkë me miqë e dashamirës të ftuar të Qendrës duke nderuar me këtë rast ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Dr. Henry Kissinger-in, Senatorin republikan Roy Blunt dhe Kongresmenin demokrat Steny Hoyer.  Dr-it. Henry Kissinger iu dorëzua dekorata, “Fryma e Wilsonit”, e krijuar posçërisht për t’iu dhënë personit i cili personifikon më së miri besimin e Presidentit Wilson se, “Ka shumë zëra që japin këshilla, por ekzistojnë shumë pak zëra që përçojnë vizion.”  Sipas shefes së Qendrës Wilson, Jane Harman, ish-shefi i diplomacisë amerikane e meriton këtë dekoratë, pasi, “Henri Kissinger është i vetmi person, këshillat e të cilit janë kërkuar dhe kërkohen nga çdo president i Shteteve të Bashkuara, nga çdo president i Kinës dhe nga shumë udhëheqës të ndryshëm anë e mbanë botës”, u shpreh ajo.

        SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SHQIPTARËT NË QENDRËN WILSON

Është vështirë të gjëndet ndonjë subjekt, çështje, krizë botërore ose rajonale që të mos jetë diskutuar gjatë dekadave në këtë qendër studimore, qoftë nga ekspertë vendas ose ndërkombëtarë, të ardhur nga të gjitha anët e Amerikës por edhe nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë paraqitur studimet ose kanë ndarë mendimet dhe ekspertizën e tyre me kolegët e tyre amerikanë për çështje të ndryshme të rajoneve nga vijnë.  Zëri i Amerikës gjatë dekadave ka mbuluar shumë debate dhe ka marrë shumë intervista nga eskpertë amerikanë dhe të huaj, të cilët kanë ndarë me dëgjuesit mendimet e tyre, emrat e disa prej të cilëve mund të jenë gjithnjë të njohur për dëgjuesit dhe shikuesit e rregullt të Zërit të Amerikës.

Shqiptarët kanë qenë me fat gjatë viteve sepse Qendra Wilson ka treguar një interesim të posaçëm për fatin e Shqipërisë nën komunizëm, për Kosovën nën pushtimin serb dhe për tëdrejtat e shqiptarëve në përgjithësi.  Për këtë ndoshta nuk është për tu çuditur kur të merret parasyshë roli që ka luajtur Presidenti Wilson në fillim shekullin e kaluar, për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi i mëtejshëm i trojeve shqiptare, nga fqinjtë grabitqarë.

Gjatë viteve, Qendra Wilson ka mbajtur me dyzina debate e diskutime akademike edhe me ekspertë me origjinë shqiptare por edhe me specialistë të huaj dhe amerikanë që janë marrë me punët e shqiptarëve.   Një ndër të parët i ftuar nga Qendra Wilson ka qenë Dr. Elez Biberaj, aktualisht Drejtor i VOA-s për Euroazinë, i cili kryesisht ka folur aty për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, duke ofruar pikëpamjet e tija mbi gjëndjen e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, bazuar në mire-informimin e tij si gazetar dhe si akademik.  Ndërsa ndër folësit më të fundit shqiptaro-amerikanë, ishte ftuar njëri prej profesorëve të rinjë shqiptar në Amerikë, Dr. Elidor Mëhilli, Profesor i Historisë në universitetin Hunter, në Nju Jork, i cili ka paraqitur librin e tij me titull, “Nga Stalini te Mao: Shqipëria Socialiste në analizën e Dr. Elidor Mëhillit”.  Temat e mbuluara nga këta dhe ekspertë të tjerë shqiptaro-amerikanë në Qendrën Wilson, kanë përfshirë kryesisht çështjet shqiptare në përgjithësi, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në trojet e veta, pa lenë jashtë as problemet dhe politikat rajonale të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë prekur dhe prekin gjithnjë interesat e shqiptarëve.  Nga ekspertët e huaj aty ndër të parët që kanë folur për Shqipërinë dhe për Kosovën ka qenë Xhorxh Hoffman, specialistë si Janush Bugajski, Misha Gleni e James Petiffer, pa dashur të përmend edhe të tjerë, si Ross Johnson, Dejvid Binder e shumë të tjerë, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të Departmentit Amerikan të Shtetit, si Rosemary DiCarlo, si dhe përfaqsues të dikasterve të tjera  të qeverisë dhe Kongresit amerikan dhe shumë të tjerë, sidomos gjatë krizës në Kosovë në dekadën e1990-ve.  Përveç politikës së jashtme, sigurisë kombëtare dhe diplomacisë ndërkombëtare, në Qendrën Wilson janë ftuar për të folur edhe eskpertë të tjerë, për të diskutuar mbi çështje madje edhe kulturore dhe letrare të shqiptarëve, siç ishte rasti iJohn Cox, profesor i historisë në Universitetin Jezuit Wheeling të Virxhinias Perëndimore, i cili ka shkruar edhe një libër për evoluimin e veprës së Ismail Kadaresë, në kontekstin historik.

Fan Noli ka shënuar se në takimin e tij me Presidentin Woodrow Wilson, para se të nisej për të marrë pjesë në Konferencën e Paqës në Paris, ai i ka kërkuar Wilsonit të shpëtonte Shqipërinë nga coptimi i mëtejshëm i tokave shqiptare në Konferencën e Paqës në Paris.  Wilsoni, ka shkruar Noli, e kishte siguruar atë se “Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.”  Qendra e cila mban emrin e këtij mbrojtësi të madh të trojeve shqiptare — ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson – në traditën më të mire wilsoniane, vazhdon edhe sot, 50-vjet pas themelimit të saj, të ftojë dhe të dëgjojë gjithnjë ata ekspertë shqiptarë dhe të huaj — ashtu siç është shprehur edhe vet Wilsoni – zërat e të cilëve përçojnë vision, për të ardhmen e Kombit shqiptar.

Qendra Wilson qendron sot, në këtë 50-vjetor të themelimit të saj, si një memorial dhe një simbol i sukseseve të Presidentit Woodrow Wilson, në fushën e politikës së jashtme, të një idealisti i cili besonte në paqën botërore, në vetvendosjen dhe në sovranitetin territorial të kombeve të mëdha e të vogëla, përfshirë Shqipërinë.  14 pikat e tija të famshme për paqën në botë, ishin një vizion i bashkpunimit ndërkombëtar për lirinë dhe demokracinë e popujve, vizion ky që më në fund ka çuar në krijimin e Lidhjes së Kombeve — para-ardhëse e Kombeve të Bashkuara — përpjekje këto për të cilat ai ishte dekoruar me Çmimin Nobel për Paqë, në vitin 1920.

Në këtë 50-vjetor të themelimit të Qëndrës së Studimeve Wilson në Washington, le të kujtojmë këtë burrshtetas të madh amerikan, Woodrow Wilsonin, zëri vizionar i të cilit ishte vendimtar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, duke kontribuar — secili prej nesh, siç ka porositur edhe Fan Noli — “Sadopak për kauzën njerëzore dhe për qytetërimin botëror, me aqë sa kemi mundësi.”

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 Vjetori i qendres, dhe Qendra Wilson, Frank shkreli, shqiptaret

SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT MICHAEL POMPEO THEKSON RËNDËSINË E LIDHJEVE TRANSATLANTIKE

September 26, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Nga Frank Shkreli/

Në kuadër të mbledhjes së 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), që po mbahet në Nju Jork, Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo shtroi Darkën tradicionale të Transatlantikut në Hotelin Palace në qytetin e Nju Jorkut.

Është ky një takim i rastit për kolegë dhe miqë, përfaqsues të Bashkimit Evropian dhe të vendeve anëtare të NATO-s, për të bashkbiseduar, pa praninë e përfaqsuesve të medies, mbi çështje me rëndësi të interesit të përbashkët, por edhe për çështje që mund të shqetësojnë vendet individuale, e që njëkohsisht janë të rëndësishme edhe për Bashkimin Evropian dhe për Aleancën e Atlantikut, NATO.

Sipas një deklarate që lëshoi mbrëmë për mediet zëdhënsja e Departamentit Amerikan të Shtetit, (DASH) Heather Nauert, Sekretari Amerikan i Shtetit, Michael Pompeo  më 25 shtator shtroi darkën e 18-të tradicionale të radhës për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Përfaqsuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe për Politikën e Sigurisë dhe Zëvëndës-Presidente e komisionit Evropian, Federica Mogherinin dhe për 40-ministra të punëve të jashtme dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Evropa dhe Kanadaja. Në këtë darkë mori pjesë gjithashtu edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Sipas zëdhënses së DASH, Sekretari Pompeo në darkën e shtruar për nder të miqëve të ngushtë dhe përfqsuesve të vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta transatlantike midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, që sipas tij janë marrëdhënie të pa zëvendsueshme për sigurinë dhe begatinë tonë të përbashkët, të më shumë se një miliardë njerëzve në dy kontinentet tona.

Në deklaratën e zëdhënses së Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se, Kryediplomati amerikan nënvijoi rëndësinë e marrëdhënieve tregëtare të barabarta, reciproke dhe të lira duke theksuar gjithashtu edhe sigurinë energjetike në Evropë.   Ai foli gjithashtu, sipas zëdhënses edhe për vazhdimin e punës me NATO-n dhe me Bashkimin Evropian, me qëllim të fuqizimit të aftësive mbrojtëse të Evropës dhe të shtimit të investimeve evropiane në fushën e mbrojtjes.

Mbi të gjitha Sekretari Amerikan i Shtetit Pompeo – në fjalën e tij para diplomatëve të vendeve aleate të Amerikës, bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Kanadaja të vazhdojnë të punojnë së bashku kundër agresionit të Rusisë në të gjitha format e tija, të veprojnë së bashku për të mundur ISIS-in dhe për të siguruar paqën në Irak dhe në Siri.  Kryediplomati amerikan u bëri thirrje të gjitha vendeve që t’u bashkohen përpjekjeve amerikane për të ndaluar veprimtaritë e vazhdueshme shkatërruese të regjimit iranian, anë e mbanë botës dhe për të siguruar çnuklearizimin e plotë dhe përfundimtar të Koresë së Veriut.

Përveç këtyre çështjeve me rëndësi për marrëdhëniet transatlantike që shpalosi Z. Pompeo para përfaqsuesve të vendeve aleate të Amerikës gjatë darkës së 18-të tradicionale transatlantike të marten mbrëma në Nju Jork, agjenda e Shteteve të Bashkuara për sesionin e 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përfshinë edhe çështje të tjera të interesit për Shtetet e Bashkuara.  Këto, sipas Kevin E. Miller, Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit në Byronë e Punëve të Organizatave Ndërkombëtare, përfshijnë pesë prioritete të politikës së jashtme amerikane: mos-përhapja e armëve bërthamore, ndihmat humanitare dhe siguria e furnizimit të ushqimeve në botë, paqa dhe sigurimi, masat kundër terrorizmit dhe reforma e vet Organizatës së Kombeve të Bashkuara.   Ai është shprehur se rreziqet në rritje e sipër ndaj vlerave më themelore të Amerikës dhe ndaj parimeve bazë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara përfshijnë terrorizmin, shkeljet flagrante të drejtave të njeriut, fatkeqësitë natyrore dhe regjimet despotike që kërcënojnë demokracitë e mirëfillta dhe sovranitetin kombëtar të shteteve.

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit në Byronë e Punëve të Organizatave Ndërkombëtare theksoi se një ndër prioritetet e politikës amerikane në sesionin e 73-të të Asamablesë së Përgjithshme të OKB-së, është reforma domethënse dhe e përhershme e kësaj organizate, ndërkohë që citoi ambasadoren amerikane pranë OKB-së, Nikki Haley se, “Bota ka nevojë për një OKB të disiplinuar, efikase, llogaridhënse dhe e përqendruar në rezultate.”

Sesioni vjetor i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ashtu si çdo vjet edhe sivjet, duhet t’u kujtojë të gjitha vendeve anëtare objektivat origjinale të OKB-ës, ashtu siç janë shkruar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, por njëkohsisht edhe sukseset dhe dështimet e organizatës botërore, ka shkruar Kevin E. Miller, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit në Byronë e Punëve të Organizatave Ndërkombëtare, në artikullin e tij mbi prioritetet e politikës amerikane gjatë sesionit të 73-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lidhjet Translatlantike, Michael Pompeo, Sekretari i shtetit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • 74
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT