• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ne, jemi NATO!

October 6, 2018 by dgreca

4 frank-shkreli-1NGA FRANK SHKRELI/

Si rrallë herë, java e parë e Tetorit ishte një javë e ngjeshur me aktivitete të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, si në kryeqendrën e saj ashtu edhe në rajon. Në Bruksel, zhvilluan këtë javë bisedime dyditëshe, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës Perëndimore, duke u fokusuar – sipas një njoftimi të NATO-s për medien – në adaptimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të masave ndaj veprimeve provokuese, në rritje e sipër, nga ana e Rusisë, si dhe ndaj gjendjes jostabël në krahun jugor të Aleancës. Ndërkaq, gjatë këtyre aktiviteteve të NATO-s, duhet venë në dukje edhe vizita, këtë javë, në Moskë e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe takimi i tij me Presidentin rus, Vladimir Putin, ku përveç Kosovës, u bisedua edhe për zgjerimin e NATO-s në rajonin e Ballkanit. Presidenti i Serbisë, citohet nga “Zëri i Amerikës” t’i ketë premtuar Putinit se, “Serbia, si shtet i pavarur dhe i lirë do të ruajë neutralitetin ushtarak dhe mendoj se sot Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i përmbahet kësaj politike”, i ka thënë ai presidentit rus, i cili dihet se nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Me gjithë deklaratën e Presidentit serb në Moskë, NATO ka njoftuar se, këtë fund jave, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Perëndimore, Jens Stoltenberg do të bëjë një vizitë treditore në Beograd ku do të takohet me udhëheqësit më të lartë të Serbisë dhe njëkohësisht do të marrë pjesë në një ceremoni të përbashkët, të organizuar nga NATO dhe Ministria serbe e Mbrojtjes. Ndërkaq, t’i kthehemi mbledhjes ministeriale në Bruksel, ku njoftohet, se kontributi i dy përqindëshit për buxhetin e NATO-s nga vendet anëtare, ishte gjithashtu një ndër pikat që u diskutua në mbledhjen ministeriale të kësaj jave. Ndërkohë që citohet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të ketë thënë, se Aleanca po “Shënon përparim” në këtë fushë, duke shtuar se, “ky është viti i katërt me radhë që është shënuar një rritje të shpenzimeve ushtarake” në radhët e vendeve anëtare të Aleancës.

Në bisedimet e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel – theksohet në njoftimin për media – shefat e mbrojtjes të vendeve aleate, nënvizuan shqetësimet e tyre mbi sjelljet e Rusisë në rajonin euaroaziatik si dhe mbi sistemin e ri të raketave të Rusisë, të cilin Sekretari Stoltenberg e cilësoi si një masë “destabilizuese” dhe si e tillë, ka thënë ai, paraqet një “rrezik serioz ndaj sigurisë tonë.” Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, në takimin e tyre në Bruksel, mësuan gjithashtu edhe për sulmin kibernetik – që u parandalua nga Holanda me ndihmën e Britanisë së Madhe – të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse kundër Organizatës së NATO-s për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë të Holandës. Sekretari Stoltenberg ka thënë se NATO, në përgjigje të këtyre sulmeve ruse, do të ndërmarrë masat e nevojshme për të përforcuar mbrojtjen kundër sulmeve të tilla kibernetike, ashtu që sipas tij, organizata që ai drejton, “të jetë aq e fuqishme edhe në hapësirën kibernetike, ashtu siç është edhe në tokë, det e ajër.” Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, thuhet se Aleatët në NATO mbështesin vendimin e qeverive holandeze dhe britanike për të venë në dukje përpjekjet e pa diskutueshme të Rusisë për të minuar ligjet dhe institucionet ndërkombëtare. “Rusia,” ka thënë ai, “duhet t’u japë fund këtyre sjelljeve të pa përgjegjshme dhe të rrezikshme, përfshirë përdorimin e forcës kundër fqinjëve të saj, përpjekjet e saj për të ndërhyrë në proceset zgjedhore të vendeve të ndryshme, si dhe fushatat e gjithanshme për të përhapur dezinfomacion”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ndërkaq, në një takim të Ministrave të Mbrojtjes me Komisionin e përbashkët NATO-Gjeorgjia, ministrat shprehën shqetësimin e tyre rreth rritjes së pranisë ushtarake të Rusisë në rajonin e Detit të Zi dhe ranë dakord që të bashkëpunojnë në përballimin e sfidave të sigurisë rajonale, thuhet në një njoftim të NATO-s.

Ndërkaq, në mbledhjen e Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel, mori pjesë, natyrisht, edhe Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka. Në portalin e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë thuhet se shefja e këtij dikasteri – në mbyllje të Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, ka propozuar që një prej Ministerialeve të NATO-s për vitin e ardhshëm të mbahet në Tiranë: “Do kisha kënaqësinë që Ministeriali i NATO-s në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë të zhvillohet në Tiranë.”, është shprehur Xhaçka. Thuhet se këtë propozim ministrja Xhaçka e ka bërë gjatë darkës zyrtare në prani të Sekretarit amerikan Mattis, Sekretarit të Përgjithshëm, Stoltenberg dhe ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Siç dihet, Ministerialet e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s mbahen 3 herë në vit. Ndërsa në një aktivitet tjetër, këtë javë, të Aleancës së NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që kishte të bënte me një marrëveshje rajonale për krijimin e një Programi të Veçantë Shumëkombësh të Aviacionit, (për Forcat e Operacioneve Speciale të NATO-s) në Zarë, të Kroacisë. Marrëveshja, sipas NATO-s, u nënshkrua të ënjten nga Ministrat e Mbrojtjes të Bullgarisë, Kroacisë, Hungarisë dhe të Sllovenisë. Qendra e re e Aviacionit të NATO-s në Zarë, pritet të hapë dyert në fund të vitit që vjen.

Dhe më në fund, këtë javë, Aleanca e Atlantikut Verior NATO dhe Këshilli i Evropës, nëpërmjet shefave të këtyre dy organizatave perëndimore – Zotërinjve Jens Stoltenberg dhe Donald Tusk – komentuan referendumin e mbajtur në fillim të javës në Maqedoni duke u shprehur se marrëveshja mbi emrin, midis Athinës dhe Shkupit, ka krijuar një rast historik që të dy vendet të bëhen pjesë e komunitetit evropian dhe transatlantik, si anëtare të barabarta. Kjo do të ndryshonte – për më mirë – jetën e popullit të këtij vendi dhe të fëmijëve të tij. “Një shumicë dërmuese e atyre që morën pjesë në referendum mbështetën këtë rrugë. Kjo është tani në dorë të politikanëve të Shkupit për të vendosur se si shkohet përpara. Vendimet që ata marrin në ditët dhe javët e ardhshme do të përcaktojnë fatin e vendit dhe të popullit të vet, për shumë breza të ardhshëm. Ne u bëjmë thirrje (politikanëve të Shkupit) që të përfitojnë nga ky rast historik”, janë shprehur në një deklaratë të përbashkët, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk.

Të gjitha këto aktivitete këtë javë nga ana e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s, lënë të kuptohet se Aleanca perëndimore – duke pasur parasysh misionin e saj për mbrojtjen e sigurisë së përbashkët — është e aktivizuar dhe po punon me të gjitha mjetet e saja për t’u përballur me rreziqet dhe me provokimet e Rusisë putiniste, në rajonin euro-aziatik, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, jemi ne NATO, në

“Bijtë e Shqipes” në Filadelfia në piknikun tradicional veror

July 5, 2017 by dgreca

        Nga  Sadik Elshani/ 
030059075001083016
Ka vite që shoqata jonë, “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia vazhdimisht organizon veprimtari të shumta atdhetare, kulturore, përkujtimore, sportive e shumë të tjera,si: promovime të librave të autorëve të Filadelfias, diasporës dhe gjithë trevave shqiptare; veprimtari përkujtimore, ku përkujtojmë e nderojmë figura të ndritura të historisë, artit, kulturës, shkencës e traditës sonë kombëtare. Çdo vit me madhështi, dashuri e krenari e festojmë 28 Nëntorin – Festën tonë Kombëtare, Ditën e Pavarësisë së Kosovës, festat e 7-8 Marsit. Ndërsa nga viti 2012, me rastin e festimit të 100 Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në mënyrë madhështore e shumë dinjitoze organizohet ngritja e flamurit tonë Kuq e Zi në Bashkinë e Filadelfias. Tashmë këto janë bërë veprimtari të rregullta të kalendarit tonë, ashtu të ngarkuar. Vetëm në nëntorin e vitit të kaluar na u shtuan edhe dy veprimtari te reja mjaft të rëndësishme e domethënëse: Pjesëmarrja në Paradën e Ditës së Falenderimeve (Thanksgiving Parade) që organizohet në Filadelfia, dhe tjetra, ceremonia e ditës së flamurit tonë në Pennsylvania State Capitol në Harrisburg (kryeqytet i shtetit të Pennsylvanias). Kemi edhe një veprimtari që vazhdon gjatë tërë vitit, për 13 vite me radhë, është funksionimi me rregull i shkollës shqipe “Gjuha jonë”. Është kjo veprimtari, ky angazhim i yni që na ben të ndjehemi mirë, krenarë, veprimtari që i jep kuptimin shoqatës sonë: fëmijve tanë u lëmë trashëgim gjuhën tonë të ëmbël e të vlerë. Llojllojshmëria e veprimtarive tona është e gjërë. Këtu mund të përfshihen edhe shumë tubime, takime shoqërore, festa familjare: ditëlindje, diplomime e shumë raste të tjera të gëzueshme që na japin mundësinë që të jemi pranë njëri – tjetrit, t’i ndajmë gëzimet së bashku.
 024083051
   Një veprimtari pak më shlodhëse se ato që përmendëm më lart është edhe organizimi i piknikut tradicional veror që shoqata jonë e organizon qysh nga vitet e para të themelimit të saj. Këtë vit,  qershori ishte mjaft i ngarkuar për shoqatën tonë, sepse më 11 qershor e festuam si është më mirë 15 Vjetorin e themelimit të shoqatës, ndërsa një javë me vonë , më 18 qershor, u organizua ceremonia e mbylljes së vitit shkollor 2016/2017. Të dy këto veprimtari kërkonin mjaft angazhim nga të gjithë veprimtarët tanë. Por edhe përkundër lodhjes e angazhimeve të shumta nuk mund të rrinim pa e organizuar piknikun veror me bashkatdhetarët. Kishte kohë që bashkatdhetarët na pyesnin se kur do të organizohet pikniku, por edhe ne përgatitjet i kishim filluar shumë herët. Dhe ja, të dielën më 25 qershor u organizua pikniku në Parkun Shtetëror Neshamini (Neshaminy State Park) në afërsi të Filadelfias,          
            Haki Çollaku, Dritan Matraku, Bujar Gjoka ishin zgjuar herët për ta rezervuar vendin dhe për ta zbukuruar mjedisin me flamujt Kuq e Zi dhe atë amerikan, stendin me logon e shoqatës, pankartën e 15 Vjetorit te shoqatës. Ajo pjesë e parkut kishte marrë një pamje të natyrës shqiptare, ishte krijuar një atmosferë shqiptare. Nga qendra e zërit jehonte kënga dhe vallja shqiptare. Filluan të vinin një nga një dhe në grupe familjet shqiptare, përgatisnin tavolinat dhe grillat (sgarat ) përreth duke përhapur erën dhe shijen e ushqimeve shqiptare. Është kjo një veprimtari shlodhëse, në një mjedis të hapur, nën hijen e pemëve bashkatdhetarët po bisedonin me njëri – tjetrin, po shijoni ushqimet e njëri – tjetrit. Kishte edhe bashkatdhetarë që po merrnin pjesë për herë të parë në piknikun tonë dhe aty po takonin njerëz që nuk i kishin parë me vite të tëra, disa edhe që nga vitet e largëta shkollore. Është kjo një veprimtari familjare për të gjtha brezat, secili gjen diçka për vete, edhe të rriturit edhe të vegjlit dhe secili kënaqet në mënyrën e vet. Kur merr pjesë në veprimtaritë e shoqatës apo të bashkësisë sonë, gjithmonë takon ndonjë mik të vjetër, e gjen një mik të ri dhe dëgjon e sheh diçka të re.          
            Pjesë e piknikut tonë janë edhe garat, lojërat popullore e sportive: tërheqja e litarit, vrapimi me këmbë në thes, vrapimi me vezë në lugë e luga në gojë. Në tërheqjen e litarit i provuan forcat të gjithë; burrat, gratë e vajzat e reja, si dhe fëmijët. Pati mjaft tifozëri dhe inkurajim, nxitje për ekipet përkatëse. Gjithashtu u zhvilua edhe një turnir i vogël shahu. Në këtë garë u angazhuan 16 veta, nga të cilët katër shkuan në finale, ndërsa fitues doli zoti Eqerem Murataj. Vlashi Fili, Bashkim Bërdufi dhe Bujar Gjoka u kujdesën që këto gara të zhvilloheshin sa më mirë, më korrekt e me rregull. Fituesi nderohej me një “trofe” – një shalqi. Dhe nuk ka më mirë se në një ditë vere të hash shalqi nën hije të pemëve. Dikush lozte futboll, dikush volejboll, ndërsa një pjesë shetisnin buzë lumit. Ishte një ditë e bukur e me diell, jo aq e nxehtë dhe lagështia e ajrit e ulët. Ditë tamam për një piknik të këndshëm.     
            Është traditë në shkollën tonë që çdo të diel të fundit të çdo muaji i festojmë ditëlindjet e të gjithë atyre nxënësve që e kanë ditëlindjen në muajin përkatës. Meqenëse e diela e piknikut ishte edhe e diela e fundit e qershorit, atëherë e shfrytëzuam rastin që këto ditëlindje t’i festonim gjatë piknikut, sepse siç u përmend më lart, shkollën e kishim mbyllur një javë më parë. Ishin disa nxënës që kishin ditëlindjet në qershor (Drini Hamza, Ema Rama, Klea Hasa, Klajdi Qinami) dhe për ta ishin përgatitur keku dhe dhuratat. Të gjithë kënduan këngën e rastit: “Shumë urime për ju”, shqip dhe anglisht.     
            Kjo veprimtari e ngrohtë familjare dhe mjaft shlodhëse vazhdoi gjer në orët e vona të pasditës. Të gjithë u larguan me përshtypjet më të mira për piknikun dhe përgëzuan Këshillin Drejtues të shoqatës për organizimin e mirë dhe punën me plot përkushtim, jo vetëm për piknikun, por për veprimtarinë e gjithëmbarshme të shoqatës.
 
Mirupafshim në piknikun tjetër, në veprimtaritë tjera të shoqatës!
 
 

Filed Under: Emigracion Tagged With: “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, në, piknikun tradicional veror, Sadik Elshani

DISKRIMINIMI I GJUHES SHQIPE NE SHERBESAT FETARE

April 15, 2015 by dgreca

Shkruan: Gani MEHMETAJ/
Disa hoxhallarë, Bashkësia Islame e Kosovës, me bashkësitë simotra në Shqipëri, Maqedoni e Kosovën Lindore duan të na bindin se Zoti nuk di shqip. Sipas tyre, Perëndia e kupton vetëm gjuhën arabe, prandaj të gjitha lutjet, ritualët dhe ceremonitë mortore bëhen në gjuhën arabe. Kundër bindjeve të ngulitura thellë në etnopsikologjinë shqiptare se filani është i biri i filanit, hoxhallarët ditën e varrimit të vdekurin e thërrasin në emër të nënës, duke ia vënë në dyshim atësinë! Emërtimet e festave fetare janë në gjuhën turke, por kurrsesi në gjuhën shqipe. Kështu Festës së Flijimit ata i thonë turqisht Kurban Bajram, ndërsa të gjithë shqiptarët besimtarë e jobesimtarë e përsërisin me papagalli në të njëjtën mënyrë. Festës së madhe myslimane i thonë Fiter Bajram. Dikur popullata këto dy festa i quante Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël, pra festa e madhe dhe festa e vogël.
Hoxhallarët dhe kleri mysliman vazhdojnë të na fyejnë ndjenjat kombëtare, e fyejnë intelektin tonë e krenarinë kombëtare, duke na bindur se gjuha shqipe është gjuhë e rendit të dytë, është gjuha e mëkatit, prandaj nuk bën që lutjet fetare të bëhen në gjuhën shqipe, por në gjuhën e beduinëve të shkretëtirës nga e morëm fenë.
Jemi i vetmi komb evropian, që lutjet fetare myslimane i themi në një gjuhë të huaj, të cilën nuk e kupton askush nga popullata shqiptare, nuk e kuptojnë as pjesa më e madhe e klerikëve. Është e kotë që kushtetutat në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni apo Kosovën Lindore e sanksionojnë përdorimin e gjuhës shqipe, përderisa nëpër xhami gjuha e vetme është gjuha arabe. Edhe mbishkrimet nëpër xhami janë në gjuhën arabe, thuajse jemi në Arabi. Lutjet brenda korridoreve të xhamisë po ashtu janë shkruar arabisht, megjithëse askush nga besimtarë nuk e kupton asnjë shkronjë të kësaj gjuhe. Diskriminimi i gjuhës shqipe bëhet ditë me diell dhe askush nuk reagon. Shpërfillja e shkronjave shqipe bëhet me qëllim, dhe askujt nuk i bëhet vonë. Disa thonë se shumica e atyre që shkojnë në xhami janë analfabetë apo gjysmanalfabetë, prandaj kot që ua vë mbishkrimet shqip, kur nuk dinë t’i lexojnë, por megjithatë e kanë shumë më lehtë të luten në gjuhën e nënës, sesa në gjuhë të huaj. Njohësit e gjuhës arabe tregojnë se si besimtarët shqiptarë kur luten në gjuhën arabe, e shqiptojnë tmerrësisht keq këtë gjuhë, saqë në vend të lutjes drejtuar Zotit, u del ndonjë blasfemi a fjalë e pistë, ndërsa ata nuk e kuptojnë se janë lutur tmerrësisht gabim.
Naim Frashëri dikur bëri përpjekje që lutjet fetare t’i përkthente shqip, në mënyrë që të shkëputeshim nga ndikimi skllavërues oriental. Mirëpo, hoxhallarët e shitur këto lutje nuk i vunë në përdorim, përkundrazi i denoncuan hoxhallarët që predikonin shqip para okupatorëve turq e serbë. Rilindësi i madh synonte që shqiptarët myslimanë, sidomos pjesa e paarsimuar të shkëputeshin nga skllavëria shpirtërore turke e arabe, por një gjë të tillë nuk e duan ata që marrin para nga këto shtete.
Është fakt i ditur se hoxhallarët kurrë nuk e kanë vënë flamurin shqiptar nëpër xhami, kurrë nuk e kanë festuar ndonjë festë kombëtare shqiptare, por nuk kanë ngurruar ta ngulin flamurin arab apo turk si për inat të popullatës shumicë shqiptare, nuk kanë ngurruar ta madhërojnë ndonjë personalitet politik turk apo arab (diktatorët e dikurshëm Naserin, Asadin, Sadatin, Gadafin, Mubarakun apo sot Erdoganin).

Besimtarët e diskriminuar në shtetin e vet

Qysh pas vdekjes së Skënderbeut, kur Shqipërinë etnike e gllabëroi shkallë-shkallë Perandoria Otomane, bartëse e islamizmit me terror e vrasje, në emër të myslimanizmit pushtuesi i shpalli luftë shfarosëse kombit e flamurit tonë. Një pjesë e hoxhallarëve të shitur te djalli, nuk ngurrojnë që simbolin e shenjtë-shqiponjën dykrenore, ashtu sikurse okupatorët serbë dikur, ta quajnë sorrë, madje para besimtarëve shqiptarë që dëgjojnë si dele e nuk reagojnë. Hoxha i dyshimtë Irfan që ligjëron sikur ta kishte porositur Serbia, nuk është i vetmi, por ne jemi të vetmit në botë që e durojmë një sharlatan të shitur ta përbaltë historinë tonë kombëtare, në vend se ta arrestoj policia për nxitje të urrejtes. Në dy shtetet shqiptare besimtarët shqiptarë myslimanë janë tmerrësisht të diskriminuar, të denigruar e të fyer: në shtetin e tyre kombëtar nuk guxojnë të luten shqip, nuk guxojnë të zhvillojnë ceremonitë mortore në gjuhën e tyre, nuk guxojnë të bartin simbole kombëtare, nuk guxojnë të madhërojnë bëmat e Skënderbeut, duhet të vënë në kokë kapele arabe ose turke, detyrohen të dëgjojnë fyerje nga më të turpshmet kundër kombit të tyre, kundër traditave e etnopsikologjisë kombëtare. Në vend se t’ua hapin horizontin për të ardhmen e kombit, kleri mysliman në jo pak raste i frymëzojnë e mobilizojnë besimtarët të bëjnë luftë fetare si në Siri e Irak, bie fjala, duke cytur njëkohësisht edhe në luftë kundër bashkëkombësve të vet të fesë tjetër apo kundër jofetarëve.
Islami që nga fillimi u shpalli luftë shqiptarëve, duke i ndjekur më shumë se asnjë komb tjetër. Lufta e islamit kundër shqiptarëve vazhdoi me egërsi gjatë tërë kohës së pushtimit të Perandorisë Otomane, duke e shprishur gjysmën e kombit. Edhe kur Turqia u tërhoq nga territoret shqiptare, ndeshja e egër në mes të islamit e shqiptarizmit nuk pushoi. Herë fitonte islamizmi mbi shqiptarizmin, herë shqiptarizmi mbi islamizmin shkombëtarizues. Në kohën e mbretërisë shqiptare, me dekret iu ndalua besimtarëve shqiptarë që të përkulen, duke u bazuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit se shqiptari nuk bën të përgjunjet a të përkulet. Por më vonë ky dekret u hesht, kështu që vazhdon tradita orientale e faljes me përkulje. Shqiptarizmi e shteti shqiptar kurrë nuk arritën ta detyrojnë islamizmin që ta përfillë as ta pranojë traditën kombëtare e gjuhën shqipe si gjuhë të lutjeve, gjuhë të fesë dhe gjuhë të Zotit.

Fyerjet që u bëhen ndjenjave kombëtare

Myslimanizmi që del nga goja e jo pak hoxhallarëve në Kosovë, në Shqipëri e Maqedoni edhe më tutje e shkel krenarinë tonë kombëtare, e fyen intelektin tonë, e denigron qenien tonë kombëtare, duke e përjashtuar gjuhën shqipe nga lutjet fetare, duke e përjashtuar flamurin kombëtar nga festat fetare, duke i shkelur interesat kombëtare për interesa të serbëve, turqve e arabëve, interesat e të cilëve bien ndesh me interesat tona. Ndërkaq, shteti shqiptar me gjysmështetin e Kosovës e toleron shkeljen e kushtetutës, shkeljen e ligjit, shtrembërimin e historisë, përdhosjen e traditës e të simboleve kombëtare, shpërfilljen e emocioneve të besimtarëve, e lejon rrezikimin e strategjisë kombëtare: përcaktimin tonë për qytetërimin evropian. Shumica e hoxhallarëve predikojnë kundër integrimit tonë në Bashkimin Evropian, predikojnë kundër SHBA-së sikur t’i kishte financuar Serbia.
Ku qëndron arsyeja e kësaj tolerance antikombëtare e denigruese? Si e pranojmë këtë fyerje në shkallë kombëtare? Pse shteti shqiptar hesht para kësaj fyerjeje e denigrimi edhe pas njëqind e ca vjetëve që kur ia mbathi pushtuesi turk? A ka forcë kombëtare e besimtarë që do ta zhbllokojnë këtë situatë absurdi? Janë edhe një varg pyetjesh që imponohen në një situatë të tillë. Janë po ashtu një varg përgjigjesh që duhet të jepen.
Si t’ua heqim nga mendja besimtarëve me tru të shpërlarë se gjuha shqipe është gjuhë e Zotit, se gjuha e nënës së tyre është gjuhë e shenjtë, se gjuha e nënës nuk është gjuhë e kaurit, sikurse çirreshin dikur e sot në kupë të qiellit hoxhallarët proserbë e proturq, mercenarë shkombëtarizues.
Elita shtetërore e elita politike në Tiranë dhe ajo në Prishtinë duhet të nisin e të merren seriozisht me këtë çështje, duhet ta mbrojnë interesin kombëtar, ndërsa interesi shtetëror e kombëtar mbrohet duke e vënë Bashkësinë Myslimane të Kosovës, të Shqipërisë e Maqedonisë në binarë kombëtarë, duke ua përcaktuar rregullat qytetëruese, duke e futur fenë në faltore e jo në rrugë e sheshe, duke i zëvëndësuar simbolet arabe e turke me simbole shqiptare. Çështja e fesë nuk është vetëm çështje e një grushti hoxhallarësh, pavarësisht ndikimit të tyre të madh e fatal që kanë mbi pushtetarët në Shqipëri e në Kosovë, pavarësisht presioneve që i bëhet elitës shtetërore e politike nga Turqia, Serbia e shtetet arabe. Aleancat nuk mbahen me imponime, apo duke lejuar veprimin e forcave rrënuese brenda shtetit që të mos i mbetet hatri Erdoganit apo sheikëve arabë.

Mendja e shitur e intelektualëve

Ndërkaq, mediat bëjnë me dije se një pjesë e kreut të bashkësisë myslimane të Kosovës është e zhytur në afera me paratë e burimeve të dyshimta, një pjesë e mediave financohen nga këto para të pista. Paratë e pista dyshohet se kanë depërtuar edhe në kreun e elitës politike e shtetërore, te deputetët, nëpunësit, policia. Këto para e kanë blerë edhe mendjen e shitur të një grushti intelektualësh, gazetarësh e politikanësh. Prandaj ata shkumëzojnë të na bindin se Turqia na masakroi e persekutoi për të mirën tonë, na islamizoi, sipas tyre, me fenë më të mirë (!), ishte çlirimtare, ashtu sikurse thoshin po këto mendje të shitura dikur për Serbinë e Jugosllavinë. Të vjen të vjellësh kur i dëgjon deklaratat e tyre. Janë aq puthadore, janë aq të padinjitetshëm kur e shtrembërojnë historinë kombëtare, sepse u shitën te anadollakët a të arabët. Fondet e dyshimta që vijnë nga Turqia, Serbia e shtetet arabe, kanë ndikuar që shteti shqiptar dhe ai i Kosovës në vend se të mbështesin forcat kombëtare brenda bashkësisë myslimane të Kosovës e të Shqipërisë, mbështesin forcat antikombëtare e antishtetërore. Sa herë e kanë kërkuar ndihmën e shtetit forcat kombëtare brenda bashkësisë myslimane të Kosovës, shteti e mbështeste kreun e hoxhallarëve të lidhur me shërbimet e fshehta orientale.

Myslimanizmi autokton me simbole kombëtare e lutje shqipe

Elitat politike e shtetërore me përcaktim kombëtar, që do të konsolidohen, duhet të mbështesin klerin mysliman me përcaktim shqiptar e evropian. Sindikata e Bashkësisë Myslimane të Kosovës me disa hoxhallarë të margjinalizuar, që i njoh, janë ithtarë, por edhe e kanë paraqitur projektin për mbajtjen e lutjeve në gjuhën shqipe, për vënien e mbishkrimeve nëpër xhami sipas ligjit në fuqi, ashtu sikurse e kanë paraqitur projektin që besimtarët e klerikët myslimanë të bartin plisa (qeleshe) në xhami e jo kapela turke e arabe. Ata po ashtu janë kundër mbulimit të femrave me tri lloj shamish, varësisht cili shtet islamik i financon (Turqia, Irani a Arabia Saudite). Projekti i tyre më tutje e vë në pah se hoxhallarët duhet të zgjidhen brenda shtetit të tyre e jo të caktohen nga Turqia, Irani, Egjipti e Arabia Saudite; hoxhallarët të arsimohen në Kosovë e në Shqipëri e jo në shtetet arabe; të plotësojnë kushtet morale; të respektojnë simbolet kombëtare e traditën e besimtarëve e jo t’i fyejnë ata; të gëzojnë respektin e komunitetit e jo t’u dërgohen nga qarqe të dyshimta. Po ashtu Bashkësia Myslimane e Kosovës duhet të financohet nga burimet e brendshme e jo nga burime të dyshimta apo nga shtetet islamike. Nisma të tilla ka pasur edhe më herët. Përpjekje që lutjet të bëhen vetëm në shqip, po ashtu janë të pranishme, mirëpo reagimet e kreut të BIK-ut ishin të ashpra e denigruese ndaj klerikëve me përcaktim kombëtar, më tregoi kohë më parë një hoxhë nga Rrafshi i Dukagjinit. Kush i pengon besimtarët të skalisin shqiponjen dykrenore në gurin e varrit? Pas çlirimit kjo dukuri e zëvëndesimit të simbolit oriental me simbolin kombëtar ka nis të bëhet dukuri, jo vetëm në varrezat e dëshmorëve, por edhe në varret e njerëzve të zakoshem, megjithëse ende ka ngurrime, sepse janë aty hoxhallarët antikombëtar që e pengojnë.
Ngjashëm më projektin e klerit mysliman shqiptar veproi edhe Qeveria austriake kohë më parë për ta luftuar terrorizmin islamik, kur propozoi dhe e tumiri që hoxhallarët të cilët predikojnë në Austri të jenë shtetas austriakë, ta dinë mirë gjuhën gjermane. Po ashtu sikurse Parlamenti austriak edhe ne duhet të kërkojmë që asnjë financim serb, turk apo arab të mos derdhet nëpër xhamitë tona, apo nëpër xhepat e hoxhallarëve, sepse në këtë mënyrë jo vetëm financohet terrorizmi, por financohen edhe ato forca brenda bashkësisë myslimane që e luftojnë integrimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian, ashtu sikurse e luftojnë integrimin shpirtëror të shqiptarëve brenda kombit të vet.

Filed Under: Opinion Tagged With: DISKRIMINIMI I GJUHES SHQIPE, Gani mehmetaj, në, SHERBESAT FETARE

Nëntoka ,ne dhe historia e vjedhur

March 15, 2015 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
”Nacionalizmi i shqiptarëve është vrarë si pasojë e“pastrimit të trurit”, ndërkaq fqinjët shovinist e përforcojnë gjithnjë e më tepër. Megjithatë, nuk ka probleme me të cilat nuk mund të ballafaqohemi. Përvoja, njohuritë dhe besimi në vetvete na tregojnë se si ato duhet të trajtohen. Doemos, edhe shoqëria shqiptare të pastron plehrat nga kopshti vet, të krijojë strukturë dhe institucione të mirëfillta, të përhershme, që i sigurojnë asaj qëndrueshmëri.” (Aurel Dasareti).
Çfarë është çmenduri dhe çfarë është normalitet? Pyetje me shumë përgjegje e sidomos atëherë kur dikush mendon se është e vetja edhe pse nuk është aspak. ironia më e madhe kishte me qenë sikur spanjollët dhe portugezët si pushtues që ishin ,sot t`ashtuquajtures Amerika Latine , të thonin dhe të “dokumentonin” se janë “ trashëgimtarët”e vëtem dhe të vërtetë të Actekëve, Inkasve dhe Majasve, Thjeshtë bota do ta quante Çmenduri !
Dihet mirë se spanjollët kur shkuan , si shkuan, vendin e kujt e zunë , kë e asimiluan ( jo 100%) dhe se sot andej pari flitet spanishtja( jo 100 % ) . Ky është normalitet !
Por në këtë Ballkanin , gjithmonë të trazuar gjërat shkojnë ndryshe. Këtu nuk ka nromalitet , ka vetëm çmenduri.
Jo shumë largë në kohë , shqiptarët me dhunë u barten nga Serbia e sotme u ndërrua konfiguracioni demografik i atyre viseve dhe nga pushtuesit po harrohet që nëntoka e çet në pah të vërtetën. Ajo që gjendet nën tokë pa marrë para syshë se sa e vjetër është, ajo nuk duron spekulime, ndërrim datash e prodhuesish ; nëntoka e flat vetë të vërtetën.
Ne duhet të jemi sinqertë. Ka grupe në shoqërinë tonë që kanë një kokë bosh, gojë të madhe dhe një zë të lartë,- thot Aurel Dasareti dhe shton: Nacionalizmi i shqiptarëve është vrarë si pasojë e“pastrimit të trurit”, ndërkaq fqinjët shovinist e përforcojnë gjithnjë e më tepër, megjithatë, nuk ka probleme me të cilat nuk mund të ballafaqohemi. Përvoja, njohuritë dhe besimi në vetvete na tregojnë se si ato duhet të trajtohen. .
’’Lokaliteti Belica afër Jagodinës ( Serbi) vendi i shenjt më i vjetër në Europë . e vërtetuan specialistet e Institutit Gjeologjik të Hajdelbergut dh ata të Universitetit të Tybingenit ( Gjermani). Në një vendbanim të kohës së neolitit u gjet thesari mëi madh i artefakteve parahistorike në botë me rreth 100 figura njerzish nga guri. ashti dhe argjila. që janë të vjetra mbi 8 000 vjet. .Ky ishte rezultati i hulumtimeve të specialistëveserb dhe gjerman në një lokalitet i cili u zbulua në vitin 2002 nga doktor Milorad Stojić nga Instituti arkeologjik e akademisë serbe SANU “ (Arheološki lokalitet Belica kod Jagodine najstarije je svetilište Evrope, potvrdili su ugledni njemački Geološki institut u Hajdelbergu i Univerzitet u Tibingenu. U naselju iz ranog neolita nađena je najveća riznica praistorijskih umjetnina na svijetu sa oko 100 čovjekolikih figura od kamena, kosti i gline, starih oko 8.000 godina.
Ovo je rezultat istraživanja koje su zajedno obavili njemački i srpski stručnjaci prošlog ljeta na lokalitetu koji je 2002. godine otkrio profesor doktor Milorad Stojić iz Arheološkog instituta Srpske akademije nauka i umetnosti /SANU/, pišu beogradske “Večernje novosti”.)
( E he ! paska hala institute e akademi që kërojnë vjetersina në nëntokë; se kat shqiptarët e kanë harruar “ zanatin” , janë ‘akomoduar’ dhe “ arreduar “ nëpër zyre; xgjate zot , kësi moti! !! )

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe historia, e vjedhur, Fahri Xharra, në, Nëntoka

Berisha nga Budapesti:”Ne do ju rezervojmë bijve fatin e etërve te tyre”!

December 15, 2014 by dgreca

Berisha ka reaguar nga Budapesti, ku ndodhet si i ftuar ne konferencën kushtuar kryengritjes antikomuniste të Timoshoarës ku nisi edhe kryengritja antikomuniste qe coi ne rezimin e diktatorit komunist Çaushesku . Bersha ka postuar ne profili n e tij ne fb një mesazh qe përfundon me premtimin se pushtetarëve ish komuniste ne Tirane do ju rezervojnë fatin e etërve se Te dashur miq, sot mora fjalën ne konferencën e organizuar ne Budapest për 25 vjetorin e Kryengritjes se Timoshoares . Ne fjalën time shpreha mirënjohjen për ftesën dhe nderin qe me bene t’i drejtohem si i ftuar nderi këtij Forumi, sikundër theksova se kombet qe vuajtën nen diktaturat komuniste janë dhe do mbeten shume mirënjohës ndaj kombit hungarez.
Ne fjalën time theksova se kombi i tyre vigan, ishte i pari qe se bashku me autoritetet e vendit shembi segmentin e vet te murit te Berlinit, hoqi telat me gjemba ne kufirin me Austrinë dhe duke hapur kufirin për gjermanet e Lindjes luajti rol te pazevendesueshem ne shembjen nga gjermanet te murit ne Berlinit. Ne fjalen time u shpreha gjithashtu se nga ajo tribune dëshiroja te përulesha me nderimin me te madh para trimërisë, guximit, heroizmit te qytetareve te Timoshoares dhe bishopit te tyre Tukesh Lazlo, qe shndërruan 25 vjet me pare, fillimisht Kishën e me pas qytetin e tyre, ne kështjelle te pamposhtur te lirisë. Timoshoara nuk është një ngjarje e madhe vetëm për ketë qytet dhe Transilvaninë por dhe për rumunet, shqiptaret dhe mbare popujt e tjere te shtypur, te cilet mbeten pas zhvillimeve epokale ne Poloni, Hungari, Gjermani, Çekosllavaki nen diktaturat e egra komuniste. Qendresa e qytetareve te Timoshoares frymezoi rumunet dhe shqiptaret ne perpjekjet e tyre per liri, te drejta dhe dinjitet njerezor.
Ne fjalen time, pasi i njoha me levizjen studentore te dhjetorit 1990, u ndala ne zhvillimet e fundit ne Shqiperi ku nder te tjera theksova se sot ne Shqiperi jane ne pushtet bijte e atyre qe ne permbysem ne vitin 1990. Une besoj se askush nuk mund te mbaje pergjegjes bijte per veprat e eterve te vet. Mirepo ne Shqiperi qeveritaret aktual festuan ne vitin e 70 vjetorit te çlirimit duke rehabilituar diktatorin Enver Hoxha, diktatorin me mizor qe Europa ka njohur pas Luftes se Dyte Boterore, te cilin lideret e EDU, qendres se djathte europiane, ne deklaraten e Samitit te pranveres se viti 1991 e cilesuan si Hitlerin shqiptar te Pasluftes. Ata ngriten muze shteteror per Enver Hoxhen, dekoruan mbi 1000 drejtues kryesor,persekutor xhelat te rregjimit hoxhist qe kryen ndaj shqiptareve genocid dhe krime te tmerrshme kunder njerezimit.
Ne kete konference une mbylla fjalen time me zotimin solemn se ne demokratet shqiptare do t’u rezervojme bijeve fundin e eterve te tyre barbar !”, përfundon Berisha .(Kortezi:Minerva)

Filed Under: Politike Tagged With: Berisha nga Budapesti, do ju rezervojmë bijve, fatin e etërve te tyre"!, Mnerva, në, Nebil Cika

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”
  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT