• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VOA PËR SHQIPTARËT

May 12, 2018 by dgreca

 

1 zeri i Amerikes1

75-VJETORI I ZËRIT TË AMERIKËS NË GJUHËN SHQIPE/       

66-c1200x600

  Nga Frank Shkreli*/

13 Maji i këtij viti shënon 75-vjetorin e themelimit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, ndonëse Zëri i Amerikës si ent i qeverisë amerikane për transmetime ndërkombëtare në anglisht dhe në shumë gjuhë të tjera botërore kishte filluar transmetimet për herë të parë me një program prej 15-minutash në gjermanisht – me 1 shkurt, 1942, nga një studio në qytetin e Nju Jorkut — vetëm shtatë javë pasi Shtetet e Bashkuara hynë zytarisht në Luftën e dytë Botërore.  Programi i parë i VOA-s filloi me fjalët e folësit Uilliam Hejl: “Po ju sjellim zërat nga Amerika.  Sot dhe çdo ditë prej sodit, ne do t’ju flasim për Amerikën dhe për luftën.  Lajmet mund të jenë të mira për ne. Ose lajmet mund të jenë të këqia.  Por ne do t’ju themi të vërtetën.”   Ndërkaq, ç’prej vitit 1976, këto fjalë janë mishëruar në Kartën e Zërit të Amerikës, në dokumentin që detyron me ligj Zërin e Amerikës që të “Shërbejë si burim i besueshëm dhe i mirë-informuar lajmesh”.  Për më tepër, ky ligj detyron VOA-n që trasmetimet e sajë të jenë, “Të sakta, objektive dhe gjithpërfshirëse”.  Në këtë frymë saktësie, objektiviteti dhe gjithpërfshirjeje ka vepruar edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, për çdo ditë dhe për çdo program që ka transmetuar për 75-vjetë tani, gjithmonë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë si dhe në mbrojtje të të drejtave të shiqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre autoktone.

Ashtu si gjatë 75-viteve të ekzistencës së tij, me të njëjtin përkushtim ndaj së vërtetës dhe besueshmërisë në emisionet e tij dhe angazhimit për liri e demokraci, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe edhe sot vazhdon të komunikojë me botën shqiptare kryesisht nepërmjet programit televiziv “Ditari”, por edhe nepërmjet materialeve “online”, si edhe platformave të tjera siç është “facebook”, duke furnizuar shikuesin dhe lexuesin shqiptar në vendlindje por edhe e anë e  mbanë botës, me lajme, analiza dhe intervista nga Amerika, nga bota por edhe nga korrespondentët e Zërit të Amerikës anë e mbanë trojeve shqiptare, mbi ngjarjet në rajon.

Zëri i Amerikës në shqip — si njëri prej dyzina gjuhësh të huaja që enti i përgjithëshëm i Zërit të Amerikës ka transmetuar gjatë 7-8 dekadave të kaluara, pothuaj pa ndërprerje – vazhdon të jetë edhe në këtë përvjetor, pjesë e kësaj historie krenare lajmesh dhe informacioni të sakt, objektiv dhe gjithëpërfshirës.  

Ndonëse gjatë gjithë historisë së tij 75-vjeçare, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe ka qenë – administrativisht — një ndër transmetimet e entit Evropian të VOA-s, sot është pjesë e Drejtorisë së VOA-s për Euro-Azinë, nën drejtimin e Dr. Elez Biberajt, ish Shefit të Seksionit shqip të Zërit të Amerikës, gjatë njerës prej periudhave më të arta të këtij enti por edhe më të rëndësishme për fatin e lirisë dhe të demokracisë në Shqipëri dhe sidomos në përpjekjet për çlirimin dhe  pavarësinë e Kosovës.  Në kapacitetin e tij si Drejtor i VOA-s për Euroazinë, ku bën pjesë edhe seksioni shqip, Dr Elez Biberaj u drejtojë kolegëve aktualë dhe ish-kolegëve të tij të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe këtë mesazh, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të tij.

“Urime të përzemërta Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës me rastin e 75 vjetorit të transmetimeve në gjuhen shqipe. Programi i parë në shqip ka fillluar me datën 13 maj 1943, një kohë kur Zëri i Amerikës transmetonte në shumë pak gjuhë.  Kjo dëshmon rëndësinë që Shtetet e Bashkuara u jepnin aspiratave të kombit shqiptar për pavarësi dhe demokraci. Transmetimet në shqip u ndërprenë në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, dhe rifilluan më 13 maj 1951. Zëri i Amerikës ka qenë dëshmitar i ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar dhe ka shërbyer vazhdimisht si një burim i besueshëm lajmesh dhe informacioni.  Është e vështirë të gjesh një mjet tjetër shtypi që të ketë mbuluar dhe që vazhdon t’i mbulojë zhvillimet në Ballkan në një mënyrë të tillë gjithëpërfshirëse dhe gjithë-shqiptare si Zëri i Amerikës. Shërbimi Shqip vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm dhe gëzon një ndër audiencat më të mëdha mes shërbimeve në të gjitha gjuhët e tjera të Zërit të Amerikës.

Mirënjohje kolegëve të Shërbimit Shqip dhe të gjithë gazetarëve që kanë pasur fatin dhe nderin të punojnë për Zërin e Amerikës dhe të japin ndihmësen e tyre modeste për lirinë dhe demokracinë e kombit shqiptar!”, përfundon urimin e tij Dr. Elez Biberaj drejtuar kolegëve aktualë dhe ish-kolegëve që kanë punuar për 75-vjetë në Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe.

1 elez Biberaj 2 Dr. Elez Biberaj, Drejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë/

Ashtu siç thotë edhe Dr. Biberaj në urimin e tij më lartë, drejtuar Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, madje edhe 75-vjet pas themelimit të tij, “Shërbimi Shqip vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm dhe gëzon një ndër audiencat më të mëdha mes shërbimeve në të gjitha gjuhët e tjera të Zërit të Amerikës”.   Në raportin e fundit të Drejtorisë të Zërit të Amerikës për Euro-Azinë, thuhet se programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, “Tërheqin dhe influencojnë më shumë njerëz se çdo transmetues tjetër ndërkombëtar lajmesh në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.”   Ky fakt është vërtetuar edhe edhe nga raporte të tjera anketimesh ndërkombëtare, sipas të cilave VOA-shqip llogaritet të ketë në Shqipëri një audiencë prej 60.5% në radhët e të rriturve dhe 64% e të rriturve në Republikën e Kosovës në javë, duke theksuar se 4 nga 5 shikues në Shqipëri të programit televiziv të VOA-s shqip, e vlerësojnë këtë emision si “shumë të besueshëm”.

Në të vërtetë, ky fenomen është tepër i rrallë në fushën e transmetimeve ndërkombëtare – ndoshta i pa precedencë — kur një program lajmesh e informacioni nga jashtë, siç është Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, të tërheqë një përqindje kaq të madhe të shikuesve, në të gjitha trojet shqiptare.

ekipi VOA

            Foto marrë 5 vjet më parë, me rastin e 70-vjetorit të VOA-s shqip të stafit    aktual dhe disa ish-pjesëtarve të seksionit shqip.

Për aq sa ky fakt është një vlerësim i meritueshëm i punës që Shërbimi Shqip i VOA-s ka bërë gjatë këtyre 75-viteve për mirë-informimin e shqiptarëve kudo — shpesh herë nën rrethana të vështira – aq më tepër kam drojë se është një tregues i dhimbshëm i gjëndjes dhe i mjedisit jo të mirë politiko-mediatik, në të cilin vepron media sot, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Ente që merren me mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, siç është organizata “Freedom House”, e kanë karakterizuar median në Shqipëri dhe në Kosovë si, “gjysëm të lirë” dhe subjekt kontrolli dhe influence nga partitë politike dhe nga interesa të tjera biznesi.   Sipas ekspertëve, mungesa e një medias vërtetë të lirë, objektive dhe të besueshme, sipas standardeve ndërkombëtare në Shqipëri dhe në Kosovë, pasqyron edhe arsyet e vështirësive të këtij tranzicioni të lodhur dhe të stërgjatur politik, me të cilin po përballet shoqëria shqiptare — nga komunizmi gjysëm shekullor, në një demokraci vërtetë funksionale. 

Fatkeqsisht, me prirjet autoritare politike që vihen re në radhët e udhëheqësve aktualë politikë shqiptarë, qoftë në Shqipëri qoftë edhe në Kosovë, ka gjasë që Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe të festojë edhe 150-vjetorin e themelimit të tij, megjithse disa media të caktuara shqiptare ia kanë ndjedhur dhe dëshiruar mbylljen, me kohë.  Besoj se tendencat autoritare alla erdoganiste dhe putiniste në proceset politike shqiptare, madje edhe gati 30-vjetë post-komunizëm, do ia zgjasin jetën VOA-s shqip edhe për 75-vjetë të tjera dhe janë arsyeja kryesore që Zëri i Amerikës, edhe sot në 75-vjetorin e themelimit të tij, vazhdon të jetë kaq popullor dhe të luaj gjithnjë një rol kryesor në hapësirën mediatike shqiptare, 28-vjetë pas shëmbjes së komunizmit.

*Autori ka shërbyer në detyra të ndryshme të Zërit të Amerikës gjatë një karriere 30-vjeçare, përfshirë shef i Shërbimit Shqip dhe drejtor i VOA-s për Europën. 

————————————————————————————————–  

Kënga më poshtë është nga rapsodi Sadik Qeriqi kushtuar Zërit të Amerikës.  Kjo këngë është kënduar fillimisht nga rapsodi i ndjerë Sali Mani me rastin e 50-vjetorit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe.

 

https://www.youtube.com/watch?v=ISjfDPwIsa0

 

Filed Under: Histori Tagged With: 75 vjetori, Frank shkreli, VOA PËR SHQIPTARËT

TAKIM POETËSH SHQIPTARË ME 1938

May 8, 2018 by dgreca

………..80-VJETORI I NJË FOTOGRAFIE/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Ishte viti 1938.  Ky vit shënonte 30-vjetorin e veprimtarisë si Ordinar Universiteti të Profesor Ernest Koliqit.  Me këtë rast u botua edhe kjo foto në të përkohëshmen, “Përpjekja Shqiptare” që, sipas revistës “Shëjzat”, (10-12, 1969) përgjithmonë kujton takimin e katër poetëve, më të njohur të Shqipërisë të asaj kohe, dy breza letrarësh – dy nga jugu e dy nga veriu – At Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci dhe Ernest Koliqi.  Ata kishin udhëtuar në Shkodër, të ftuar nga Ernest Koliqi me rastin e kujtimit të 30-vjetorit të tij si Ordinar Universiteti.  Në revistën Shëjzat shënohet se me atë rast, poetët u pritën nga banorët e Shkodrës me, “shfaqje të nxheta simpatije e admirimi”, për ta dhe thuhet se para një numri jashtzakonisht të madh qytetarësh, të mbledhur në Sallën e Kinema Rozafat, Poeti Kombëtar At Gjergj Fishta u dha “mirëseardhjen dy poetëve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si Ai e kishte zanatë”.

Në revistën “Shëjzat” shënohet, shkurtimisht, në kujtim të kësaj fotografie, se asaj radhe Asdreni e Poradeci qëndruan në Shkodër për pesë ditë, kur edhe u muar kjo fotografi e ku paraqiten të bashkuar katër poetët më të njohur shqiptarë të asaj kohe, e të cilët njiheshin gjtihashtu si, “përfaqsuesit ma të cilësuem të Parnazit shqiptar”. Ashtu siç shënohet edhe në fotografi, ajo është së pari botuar në të përkohëshmen e dalluar të asaj periudhe të historisë së Shqipërisë, “Përpjekja Shqiptare”, e që drejtohej nga “shkrimtari shumë me vlerë dhe nji njeri i pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merzhani”, theksohet në shënimin e revistës “Shëjzat” të Ernest Koliqit.Është kjo një fotografi historike që tregon përfaqësinë intelektuale më të denjë të Kombit shqiptar, por nepërmjet tyre tregon edhe unitetin kombëtar në fushën e gjuhës e të letërsisë, të politikës dhe të diplomacisë shqiptare të asaj kohe.  Këta të katër përfaqsues unik të kombit shqiptar me të cilët do krenohej çdo popull i qytetëruar – Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, At Gjergj Fishta dhe Asdreni — shpesh janë cilësuar edhe si, “katër gur themelet e binasë sonë kombëtare, qytetnuese, letrare, politike dhe diplomatike.”Vet Lasgush Poradeci në një analizë rreth jetës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, e ka quajtur Poetin e Madh si “Shkëmb i Tokës dhe Shkëmb i Shpirtit Shqiptar”.  Në një shkrim botuar tre muaj pasi kishte ndërruar jetë Gjergj Fishta, në Mars të vitit 1941, Lasgush Poradeci vlerëson lartë veprën dhe figurën e At Gjergj Fishtës. Ja një fragment të shkurtër nga vlerësimi i Poradecit, ndaj punës fetare dhe atdhetare të Fishtës:“Gjithë vepra poetike dhe shoqërore e At Gjergj Fishtës u pat zhvilluar rreth postulatit fetar dhe kombëtar.  Me të vërtetë, ku ka ide dhe ndjenjë më të madhe, më të denjëshme për t’a derdhur dhe kënduar në art, sesa ideja e Zotit, ideja e Atdheut! Këto thema Fishta i përlavduroj si artist dhe si njeri dyke realizuar të dy atributet e përjetëshme, luftonjësinë dhe mendonjësinë të besimit fetar ku ish kushtuar, të cilin ay e rrethonte përhera me fytyrën mistikërisht të adhuruar të Atdheut.

Thua se gjithë vepra e tij, në krye të së cilës dhe veçanërisht për sa po mirremi ne këtu përmi çdo tjetër konsiderim Lahuta është konceptuar dhe trajtuar nga një frymëzim i realitetit të prerë shqiptar. Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar – ky është si të thesha monopolariteti gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit: në të cilën duket sikur këndon ose lufton vëndi dhe jo fjala, dhe e cila duket sikur është mbërthyer ose shpërthyer prej tokës dhe jo prej fjalës.

Tashi jemi në Qëndrën e artit të tij. Një fjalë, një shprehje, na tërheqin përnjëheresh vërrejtjen t’onë.  Sepse ajo fjalë s’ është fjalë po element, ajo shprehje s’ është shprehje po prapë element, element i pandarë dhe integrant i naturës që është Dhënësja e madhe e përjetëshme e frymëzimit të tij. Natura i jep Fishtës copa nga gjiri i saj, jo ekspresione.  Dhe kur themi naturë duhet të kuptojmë gjithnjë Shqipërinë, ky është urdhëri i çasit dhe i ditës dhe i kohës dhe i jetës së At Gjergj Fishtës që domethënë jeta e Shqipërisë, e Atdheut të shkëmbshëm dhe të shtërgatshëm të burrave të dheut.  Prej asaj shtërgate dhe mi ata shkëmbenj dhe përmi krye të kësij burrave këputen dhe përplasen shkrepjet e elementeve, të ndrydhura me vështirësi ndër prangat e gjuhës së hekurt, në lëndën e stilit fizik të Fishtës:  Fishta e ka veshur lirizmën e tij të vërtetë si tërë kryeveprën epike në një stil thelbësisht origjinal të shkulur për rrënje nga trupi dhe nga truri i racës, dyke fituar me këtë atavizmë artistike gjithë të drejtat e përjetësisë ndaj Kombit — anasjelltas dyke i dhënë Kombit privilegjin e mburrjes dhe të mbështetjes së kurdoherëshme mi Këngëtorin e math të fateve të tija.  Sikundër e pat lënë shprehursisht për trashëgim me verbin solemn të gojës së vet përmes shokut të pandarë At Pal Dodajt dy ditë përpara vdekjes, të Premten më 27 Dhjetor 1940, ora 3.30′ pas mesdite, në Spitalin e Shtetit në Shkodër: trashëgim i shqiptuar për kuptim të math në gjuhën paralajmëronjëse dhe të djegur për Atdhe të Dantes: fundi i fundit, edhè Kombi ka të drejta mbi mua”, ka shkruar Poradeci për jetën dhe veprën e mikut të tij At Gjergj Fishtës.

4 Fishta Kol Porad Asd

Me këtë citim të Poradecit të amanetit të fundit të mikut të tij të shtrenjtë — dy të mëdhejve të Kombit — na lë të kuptohet se Fishta ishte i vetdijshëm për kontributin ndaj Atdheut dhe si i tillë mendonte se me të drejtë edhe Atdheu, anasjelltas, në fund të jetës së tij kishte të drejta mbi të, pasi me lapidarian që kishte lënë pas, ai tani i përkiste mbarë Kombit.  Fati i keq e tragjik i At Gjergj Fishtës nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dihet mirë, aq sa që as varri nuk i dihet dhe eshtrat ia kanë tretur, i cilësuar si “armik i popullit”, “tradhëtar” dhe “kolaboracionist”.

Po sot, pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri dhe në trojet shqiptare, cili është kujtimi dhe trajtimi i këtyre katër të mëdhëjve të Kombit, përfshirë mikun e ngushtë Lagush Poradecit, At Gjergj Fishtën, që në një libër dhuruar Poetit të madh  kishte e cilësuar atë si, “Njeriun e Zotit meditans dhe militans, burrin shqiptar përfaqësonjës më të madhit epik të shekullit”.Në këtë 80-vjetor, e botojmë këtë fotografi jo vetëm në shenjë kujtimi e falënderimi për punën e këtyre katër të mëdhejve të Kombit, por edhe si shpërblim fisnikërie ndaj këtyre dhe veprës së tyre të madhe ndaj Kombit dhe për trashëgiminë lënë pas, të shembullit të tyre të bashkpunimit vëllazëror për të mirën e Atdheut të përbashkët, dashurisë e miqësisë me njëri tjetrin, si shqiptarë të vërtetë — mbrojtës të mëdhej të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta shekullore. I kujtojmë edhe si përfaqsues të përjetëshëm të “fshehtësisë e forcës dhe të fuqisë së racës shqiptare, atavizma dhe dinamizma e gjakut shqiptar”, siç është shprehur, ndër të tjera, Lasgush Poradeci për At Gjergj Fishtën.

shtepia-e-fishtes

Shtëpia “muze” ku ka jetuar At Gjergj Fishta

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 80 vjetori i fotografise, Asdreni, Fishta, Frank shkreli, MJEDA, poradeci, Takim Poetesh

TRASHËGIMIA KULTURORE DHE HISTORIKE SHQIPTARE NË ZHDUKJE

May 2, 2018 by dgreca

A ËSHTË TRASHËGIMIA KULTURORE DHE HISTORIKE SHQIPTARE NË ZHDUKJE E SIPËR?/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Janë të pakën dy mënyra për të shkatërruar trashëgiminë kulturore dhe historike të një vendi, ose të një kombi. Njëra është si përfundim i ndonjë lufte siç ka ndodhur në Afganistan, ku në fillim të këtij shekulli talebanët kanë shkatërruar me mina dhe tanke, monumente prej më shumë se 1700 vjetë të vjetra. Raste të tjera janë Iraku dhe Siria, ku i ashtuquajturi “shteti islamik” (ISIL) ka shkatërruar qytetin e vjetër sirian Palmyra dhe monumentet e vjetra të tij.  Mënyra tjetër e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe historike të një kombi është pakujdesia ose mosinteresimi zyrtar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të një kombi.Mbrëmë isha duke shikuar programin “Gjurmët Shqiptare”, një dokumentar të gazetarit nga Tirana, Marin Mema në lidhje me   https://www.youtube.com/watch?v=-bhSBktpmAY, Frashërin, “Vendin e Shenjtë të Shqiptarëve”, vendlindjen e tre vëllëzërve të mëdhej, Avdyl, Naim dhe Sami Frashërit.

3 naimi21 gjurme2 naimi1 naimi1 vendi i shenjteShikoni dokumentarin e Marin Memës, i cili nuk ka nevojë për propagandimin tim të këtij seriali televiziv dokumentarësh mbi historinë dhe kulturën shqiptare anë e mbanë trojeve të tyre dhe më gjërë.  Por Frashëri është në Shqipëri dhe jo në disa zona jashtë Shqipërisë, dikur të banuara nga shqiptarët ose nga ilirët, por të cilat Marin Mema i ka programuar me aq mjeshtëri, e të cilat gjithashtu janë pjesë e tarshëgimisë së historisë së shqiptarëve.   Janë këto programe që ai përgatit, e të cilat flasin vet për vlerën dhe rëndësinë që mbartin për shikuesin dhe për kulturën dhe historinë kombëtare në përgjithësi.  Si gazetar, Marin Mema meriton vlerësimet më të larta nga shikuesi dhe lexuesi shqiptar, pasi me programet e tija, ai jo vetëm që informon me objektivitet, gjë që është detyra e parë e një gazetari, por me punën e tij të palodhshme ai, njëkohësisht, edhe edukon. Për më tepër, për ata që duan të shikojnë dhe të reflektojnë mbi historinë dhe trashëgiminë e shqiotarëve, programi “Gjurmët Shqiptare”, është edhe një zgjim i ndërgjegjës dhe përgjegjësive kombëtare për të mësuar, për të kultivuar dhe për të ruajtur historinë dhe kulturën e Kombit Shqiptar, në trojet e veta — po se po — por edhe larg kufijve shqiptarë, në vende të tjera ku edhe pas qindra vjetësh, mund të gjëndet edhe sot gjurmët e kulturës, të gjuhës, traditave dhe të historisë shqiptare në pëgjithësi.Dokumentari i radhës i programit “Gjurmët Shqiptare” i gazetarit Mema i kushtohet fshatit historik të Frashërit, “vendit të shenjtë të shqiptarëve”, siç quhet.  Fjalët e mia nuk mjaftojnë që të zgjoj tek lexuesit interesimin për këtë program mbi fatin e keq të shtëpisë-muze të vëllëzërve Frashëri, pasi duhet ta shikoni vet videon e mësipërme që të bindeni se në çfarë situate të mjerueshme gjëndet sot trashëgimia kulturore dhe historike e kombit shqiptar.  Ky mund të jetë një simbol i vogël i një problemi shumë më të madh i moskujdesjes zyrtare për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare dhe të monumenteve të kulturës.

Unë me disa të tjerë, për një kohë të gjatë, kemi bërë thirrje — por të cilat kanë rënë vazhdimisht në veshë të shurdhët të njerëzve përgjegjës për kulturën shqiptare — për restaurimin e shtëpisë ku ka jetuar At Gjergj Fishta.  Kur të shikoni programin e më sipërm, “Gjurmët Shqiptare” mbi gjëndjen në të cilën ndodhet sot shtëpia muze e vëllëzërve Frashëri, do të konstatoni se diçka nuk është në rregull me ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore në Shqipërinë tonë.  Jo, ajo shtëpi-muze nuk është sulmuar as nuk është dëmtuar në luftë me të huajt, por ka degjeneruar në pikën që gjëndet sot nga mos kujdesi, nga mos kokëçarja dhe mos respekti zyrtar ndaj trashëgimisë kulturore dhe historike, në të këtë rast, të tre vëllëzërve Frashëri, të cilët kanë dhënë aq shumë për kombin e vet.  Merrni me mend, kemi të bëjmë me shtëpinë-muze të Avdyl Frashërit, ideatorit të frymës kombëtare të Lidhjes së Prizrenit dhe të bashkimit kombëtar????!!!!  At Gjergj Fishta nuk qenka i vetëm përsa i përket negligjencës zyrtare dhe mos njohjes së kontributeve të tija për kombin e vet, nga ana e atyre që sot janë përgjegjës për mbrojtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve.

Frashëri, si shumë zona anë e mbanë Shqipërisë, nga jugu në veri – për arsye ekonomike e të tjera, është zbrazur dhe ka mbetur me shumë pak banorë, kryesisht të moshuar. Banorët kërkojnë ndërtimin e rrugës duke thënë se mungesa e rrugës për tu lidhur me zonat dhe qytetet për rreth, është një prej arsyeve që është boshatisur fshati.  Por cilat do qofshin arsyet e largimit të banorëve, shtëpia-muze e tre vëllëzërve Frashëri nuk meriton të jetë në gjëndjen që është sot. Është trup!

Në programin e gazetarit Marin Mema mbi fatin e keq që ka katandisur fshatin Frashër, shihen dëmet që i janë bërë ndërtesës nga moti ose nga vandalët. Janë thyer dritaret, librat janë të hedhura në tokë e të shpërndara sikur i kanë përhapur qenët duke kërkuar për ndonjë copë mish. Të pakën ato libra shpëtoni, se mund të jenë me vlerë.  Duket se dëmet materiale në shtëpinë që ka rritur Avdylin, Naimin e Samiun, janë të konsiderueshme dhe nevojitin ndërhyrje të menjëhershme.  Por ama si rrjedhim i pakujdesisë si kjo, dëmet ndaj trashëgimisë shpirtërore, kulturore dhe historike të shqiptarëve janë shumë më të mëdha dhe mund të jenë të përhershme, nëqoftse nuk ndërhyhet menjëherë.  Duke shikuar “Gjurmët Shqiptare” mbi fshatin Frashër dhe veçanërsiht mbi shtëpinë-muze të vëllëzërve Frashëri, mbeta me ndjenjën se, fatkeqësisht, më duket sikur kam parasysh shkatërrimin e jo vetëm të një fshati dhe të një zone, por edhe zhdukjen e identitetit të një shoqërie dhe qytetërimit të kombit – dhe jo vetëm të atyre banorëve të pakët që gjithnjë jetojnë aty, por edhe të brezave të tërë, në të kaluarën dhe në të ardhmen. Ka ndodhur dhe ndodhë që në kohë lufte dhe konfliktesh – shqiptarët e dinë këtë më mirë se shumë popuj të tjerë – monumentet dhe simbolet që përfaqësojnë identitetin dhe rrënjët e përbashkëta të një kombi, bëhen objekte sulmesh dhe dhune me qëllim për t’i zhdukur ato nga faqja e dheut, e me to edhe identitetin kulturor dhe historik të një populli.  Por një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë kurrë në kohë paqeje, si pasojë moskujdesit, nga mos kokëçarjes dhe mos interesimit zyrtar për ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore dhe historike – siç është shtëpia-muze e vëllëzërve Frashëri dhe shtëpia ku ka jetuar At Gjergj Fishta, ndër të tjera. Raste si këto, të pasqyruara nga gazetari Marin Mema në programin e tij dokumentar, “Gjurmët Shqiptare”, duhet të zgjojnë interesimin e ndërgjegjen, por edhe zemërimin mbarë-kombëtar për gjëndjen e krijuar në fushën e mbrojtjes së monumenteve kulturore dhe të bëhet pyetja nëse me të vërtetë është duke u bërë mjaft në mbështetje të trashëgimisë kulturore dhe historike, identitetit kombëtar, traditave dhe vlerave të kombit shqiptar, të cilat po vihen në dyshim dhe po sulmohen madje edhe sot nga ata që me shekuj janë munduar t’i mohojnë historinë dhe identitetin, kombit shqiptar. Dhe si rrjedhim, të kërkohet llogari nga ata që janë përgjegjës.  Detyra numër një e çdo qeverie është mbrojtja e sigurisë dhe interesave kombëtare, pjesë e së cilës është edhe mbrojtja e identitetit kombëtar, e kulturës, historisë, gjuhës dhe traditave të një populli… por edhe nderit të emërit shqiptar, do të thonte Naim Frashëri:

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Dhe ti lutemi Perëndisë, gjithnjë me Naimin, me shpresën që shqiptarëve tu tregojë “udhën e punës së mbarë” dhe bashkimin, në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, interesave dhe të identitetit kombëtar:

Tregomu dhe shqipëtareve udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë. (Naim Frashëri)

Lutemi për mbrojtjen dhe kultivimin e dashurisë për trashëgiminë historike dhe kulturore të shqiptarëve!

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, ne zhdukje, TRASHËGIMIA KULTURORE DHE HISTORIKE SHQIPTARE

PA BASHKIM RRETH SKENDËRBEUT NUK KA GJALLËRIM TË KOMBIT SHQIPTAR

April 30, 2018 by dgreca

1 Skenderbeu

Në Kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skendërbe/

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Ky vit është shpallur viti i Gjergj Kastriotit — Skendërbe për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes Heroit Kombëtar të Shqiptarëve.  Në fillim të këtij viti kam botuar një shkrim për të sjellur në kujtesë se si diaspora shqiptare kishte shënuar — 50-vjetë më parë jashtë Atdheut — 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, një përvjetor ky i cili në vitin 1968 pat mbledhur në Romë dhe në Vatikan, shqiptarë pa dallim feje e krahine. Nga mbarë diaspora shqiptare e atëhershme, u bashkuan në frymën më kastriotiane për të kujtuar Heroin tonë, Kryetrimin e Kombit dhe të veprimtarisë së tij epike –Gjergj Kastriotin-Skenderbe.

Me atë rast, në Romë kishin shkuar edhe një grup i madh, përfaqësuesish të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Federata Pan-shqiptare Vatra, të udhëhequr nga Peter Chicos dhe Anthony Athanas.  Ishin këto takime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan, ku mërgimtarët e ri shqiptarë të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20, u bashkuan me arbëreshët e Italisë të cilët ishin detyruar gjithashtu të largoheshin nga trojet e tyre prej otomanëve, pesë shekuj më parë.  U bashkuan të gjithë në Romë dhe në Vatikan për një takim vëllazërimi, rreth Heroit Kombëtar, pa dallim feje e krahine — ashtu si ishte dikur dhe si duhet të jetë edhe sot — të bashkuar – pikërisht ashtu siç i do shqiptarët Gjergj Kastrioti – Skenderbe.

Në vitin 1968 edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qenë organizuar ceremoni me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në shenjë respekti për Gjergj Kastriotin – Skenderbe, por edhe në shenjë bashkimi midis shqiptarëve.  Një ndër këto përkujtime ishte organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, “Zoja e Këshillit të Mirë” që në atë kohë drejtohej nga i Përndershmi Monsinjor Zef Oroshi.  Revista e asaj kishe, “Jeta Katolike Shqiptare” e Vitit III, Nr. 4 (12) Tetor-Dhetor -1968) e cila vazhdon të botohet edhe sot pas më shumë se 50-vjetësh, ka shënuar hollësi mbi ceremonitë me atë rast si dhe fjalimin kryesor të Monsinjor Zef Oroshit në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe, fjalim i cili, për nga mesazhet që mbartë, është aktual edhe sot 50-vjetë më vonë — mesazhe për bashkimin e shqiptarëve – si trashëgimia kryesore e Heroit Kombëtar, lënë pasardhësve të tij.  Monsinjor Oroshi ka mbajtur fjalimin kushtuar Gjergj Kastritotit në meshën perkujtimore të 500-vjetorit të vdekjes së Skendërbut, fjalim i cili ishte botuar gjithashtu në revistën “Jeta Katolike Shqiptare”.Duke iu drejtuar popullit, pjesëmarrësve dhe përfaqsuesve të Komitetit Shqipëria e Lirë dhe udhëheqësve të tjerë politikë të diasporës së asaj kohe që ishin të pranishëm në një shfaqje bashkimi megjithë dallimet e tyre politike, në “Kishën Zoja e Këshillit të Mirë”, Monsinjor Zef Oroshi ka thënë se lufta e Gjergj Kastriotit – Skenderbe, këtij strategu të madh që habiti botën e atëhershme me fitoret e tij kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës, ka hyrë në analet e historisë botërore, luftëra të cilat janë përshkruar dhe stolisur në mbi 400 vepra historike dhe artistike.  Kleriku i lartë shqiptar ka thënë se në shumë prej këtyre veprave historike, Heroi Kombëtar i Shqiptarëve, me të drejtë është krahasuar me figura ushtarake historike të botës, siç janë Hanibali i Kartagenës, Jul Cezari i Romës dhe Napoleon Bonaparti i Francës, por me një ndryshim të konsiderueshëm, sipas Monsinjor Oroshit.  Gjergj Kastrioti Skenderbeu – luftoi për mbrojtjen dhe bashkimin e Atdheut të vet, ndërsa këta tjerët shkelën dhe pushtuan vende e popuj, shpesh për interesa personale dhe për t’i bërë nam vedit.

Mësimi që na duhet të nxjerrim nga jeta dhe karakteri i tíj i palodhëshëm, ka thënë në fjalimin e tij përkujtimor me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, Monsinjor Oroshi, është merita e aftësisë së Gjergj Kastriotit – Skenderbe për të bashkuar shqiptarët e asaj kohe — përballë sfidave me të cilat përballeshin shqiptarët — megjithë tradhëtitë që luheshin kundër tij, madje edhe nga bashkpuntorët e tij më të ngushtë.

1 Oroshi

Dr. Zef Oroshi

Por megjithë problemet me të cilat përballej Skendërbeu, Monsinjor Zef Oroshi ka theksuar se Prijësi i Kombit Shqiptar, “Dijti me qenë i durueshëm me parí që ia merzitëshin shpiritin tue kërkue të drejta e privilegje të pameritueme.  Skendërbeu e kuptoi se pa nji bashkim nuk kishte shpëtim për Shqipní.  Me virtytet e burrënisë e të fés që shkelqejshin në fytyrën e dênjë, dilte pa pritesë në log të kuvendit, si me parí si me vegjëli, secilit tue i ndigjue hallet, e secilin tue e ndezë n’atdhedashuni, secilit tue i naltue flijimet e trimnínë për Atdhe, gati me u flijue ai vetë i pari.  Në këtë mënyrë ai ia doli me bashkue e shkri në nji parí, vegjëlinë e të gjitha krahinave të Shqipënisë”.

Në vazhdim e sipër, ai është shprehur se, “Madhënia e karakterit dhe e vetmohimit të Gjergj Kastriotit, si prijës ushtarak, si diplomat i përkryer dhe si personalitet që përvetësonte filozofinë themelore të burrit Shqiptàr të Malevet, mbështetun në trimní të papërkulshme, besë të pathyeshme deri në vdekje dhe për fisnikí e zemërgjanësí të pa kufî për popullin që udhëhiqte…Nen binomin fé e Atdhé, Skendërbeu brumosi Popullin Shqiptar që të përballonte ato lufta aq të tmerrëshme e aq të gjata.  Ishte koha e luftave fetare atëherë. Vetë Sulltanët, jo vetem që luftuen per fé, në mos tjetër ashtu e mobilizojshin popullin, por edhe me shpatë e me zjarm imponojshin fénë e tyne”, është shprehur Dr. Zef Oroshi.

Disa kritikëve të sotëm që pretendojnë se gjoja Gjergj Kastrioti-Skenderbeu luftoi për fe dhe jo për Atdhe, Monsinjor Oroshi do u përgjigjej se, “Asgjamangu, Skendërbeu fésë i dha vendin e vet e Atdheut e interesave të tij, vendin e vet.  Nuk ka nji dokument ma të voglin ku Skendërbeu të ketë flijue interesat e Atdheut për interesat e fésë; përkundrazi ai e përdori fénë për t’i shërbye Atdheut, gjithsa mujti. Këtë na e difton fakti, që megjithse Venediku ishte shtet katolik dhe gjymsë aleati e shumë herë edhe aleat i Skendërbeut, kur zaptoi Danjen (Dêjen e sotshme), Skenderbegu i dërmoi venedikasit tue vrà në luftë të vjetit 1448, 2500 burra dhe tue xanë rob 1000 vendedikasë të tjerë, dhe do ta kishte çlirue Shkodrën nga pushtimi venedikas, po t’ishte puna që Turqit, në marrëveshje të mësheftë me Venedikun, mos të kishin fillue sulmin kundra Stefi Gradit në kufij të Shqipnisë e të Maqedonisë, kështu që Skendërbeu nuk mujti me e shfrytëzue fitoren ashtu si dëshronte pse qe kapë në mes dy zjarmeve”, është shprehur Dom Zef Oroshi  në fjalimin  e tij, me rastin e shënimit në Nju Jork të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, në vitin 1968.

Nji mësim tjetër me rëndësi të vlefshme për Shqiptarët edhe sot 550-vjetë pas vdekjes së Heroit Kombëtar, sipas Monsinjor Oroshit, është fakti se Skendërbeu, përballë kërcënimeve, përçarjeve dhe vështirësive të tjera me të cilat përballej toka arbërore në kohën e tij, ai e kishte të plotë dhe të theksuar në mendje dhe në zemër, ‘Idénë e nji Kombi’. Ai menjiherë mbledhë princat në Lezhë për besëlidhje të pergjithtë kundra anmikut të Kombit.”   Monsinjor Oroshi ka theksuar se, “Po ta kishin pasë udhëheqsit Shqiptarë para sysh këtë madhni t’idésë së (një Kombi)     që Skendërbeu zbatoi pesë shekuj mâ parë, ndryshe do t’ishin zhvillue ngjarjet e 1939-tës, ndryshe ato të vjeshtës së 1943 e ndryshe ato të nandorit të 1944, sidomos ngjarjet e vitit 1944 të cilat vetëm i krijoi injoranca mbi komunizmin ndërkombëtar, perçamja e korrupcioni dhe apatia mâ e shëmtueme (në radhët e shqiptarëve).  Mjerisht, të gjithë bartim në kurrizë konsekuencat tash nji të katërt të shekullit. Shumë me vend prandej e thonte Ciceroni, oratori i përmendun i Romës klasike, se historia âsht mësuesja e jetës. Kjo vlen për të gjithë popujt, kjo duhet të vlejë dhe për né Shqiptarët”, ka thënë Dr. Zef Oroshi në vitin 1968.

Në fjalimin e tij, Mons Oroshi, na sjellë nder mend një tjetër konsideratë historike, arsyen se pse shqiptarët brez pas brezi adhurojnë Heroin e tyre Kombëtar të gjitha kohërave, si asnjë tjetër hero të tyre.  “Na mburremi, e ndoshta me vend, që shumë Shqiptarë, qysh nga koha Ilire banë karrjera me famë botënore ndër oborre mbretnore të huaja — sikur afër 20 e sa Perandorë në tronin e Perandorisë Romane, ndër të cilët Diokleciani e Konstantini i Madh, tridhetë e sa Vezira, Ministra të mbrendshëm e të Jashtëm, Pashallarë e Gjenerala të Perandorisë Otomane, për mos të permendë Perandorinë Bizantine para sish, sikur Justiniani.  Por, kurrë njënit prej këytne njerëzëve të mëdhej nuk i rà ndërmend me prishë pozitën që kishte dhe me krijue nji Perandori Ilirjane në kohnat e vjetra, as mâ vonë me krijue nji Shqipnì të lirë e të madhe, tue ia dedikue jetën e tyne krejtë çeshtjes së popullit që i lindi, ashtu sikurse bâni Gjergj Kastrioti-Skendërbeu, deri në çastin kur vdekja e rrëmbeu tragjikisht nga zemra e Popullit të vet”, ka deklaruar Dr. Zef Oroshi.

Monsinjor Dr. Zef Oroshi ka përfunduar fjalimin e tij me rastin e shënimit në Nju Jork të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, në vitin 1968, duke thënë se këthimi i Gjergj Kastriotit-Skenderbe në tokën e Arbërit për ta çliruar nga pushtuesit otoman ishte, “Pa asnji dyshim arsyeja për të cilën Gjergj Kastrioti u bâ simboli i lumnísë dhe i bashkimit të Kombit, pesë shekuj mâ parë. Po ajo arsye âshtë edhe sot që e bân Skendërbeun njeriun universal në historí dhe në të njajtën kohë një fuqí morale qendërore t’ideologjive të përçàme të Kombit Shiptàr, mbrenda e jashtë Shqipnie.  Edhe sot, mbas pesë shekujsh nga vdekja e tí, (Gjergj Kastrioti-Skenderbe) âsht endé simbol i gjallë bashkimi mes nesh, i atíj bashkimi, pa të cilin s’ka gjallënim Kombi Shqiptàr”, është shpehur Monsinjor Dr. Zef Oroshi.

Në këtë vit të shpallur si Viti i Gjergj Kastriotit – Skenderbe – Kombi Shqiptar po përballet përsëri me sulme dhe me lakmitë e vjetra qindra vjeçare ndaj trojeve shqiptare prej armiqëve të tij shekullorë, të cilët — për llogari të interesave të huaja, kryesisht, sllavo-otomane — synojnë çkombatirizimin, me qëllim për të zhveshur brezat e rinjë të shqiptarëve nga identiteti dhe nga çdo veti e traditë kombëtare, nepërmjet shtrembërimeve historike, pohimeve dhe premtimeve fatzeza ekonomike dhe ideologjike të momentit.  Mbetet për tu pa nëse udhëheqsit e sotëm të shqiptarëve janë të aftë të parandalojnë këtë proces shkatërrues dhe të mos u nënshtrohen verbërisht interesave dhe përpjekjeve të tilla çkombëtarizuese nga të huajt, përballë kataklizmave të reja, të cilat siç duket, fatkeqsisht, për shqiptarët nuk po marrin fund kurrë. Problemet e shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet t’i zgjidhin të huajt.  Problemet me të cilat përballej Gjergj Kastrioti – Skenderbe, ai i zgjodhi me bashkim.  Bërja e shtetit sot, nuk kërkon asgjë më pak as më shumë se bashkim rreth “Idesë së një Kombi” dhe interesave të përbashkëta të tij.  550-vjetori i Gjergj Kastriotit- Skenderbe bën thirrje për t’u dhënë fund defekteve historike dhe hovit të influencave për llogari të huajve, me shpresë që më në fund, të fillojë një epokë e re për shqiptarët e lodhur, të ligështuar dhe të dërrmuar shpirtërisht gjatë gjithë historisë. Shpresojmë që jo vetëm në këtë 550-vjetor të vdekjes së Heroit Kombëtar, shqiptarët kudo dhe pa dallim, të jenë të bashkuar  rreth idesë si shtet dhe si Komb, ashtu si dikur me Gjergj Kastriotin-Skendërbeun, pa të cilin, nuk ka bashkim as gjallërim të Kombit Shqiptar — as sot — as në të ardhmen!

Filed Under: Politike Tagged With: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Bashkim Kombetar, Frank shkreli

NJË MIKESHË E VJETËR E SHQIPTARËVE NË SHTËPINË E BARDHË

April 24, 2018 by dgreca

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Këshilltari i ri i dhe i treti brenda një viti i Presidentit Trump për Sigurimin Kombëtar, Xhon Bolton emëroi të hënën Mira Ricardel si zëvëndëse të tij.  Në një njoftim për median, Z. Bolton tha se zgjodhi pikërisht Mira Ricardel si zëvëndëse të tij në Këshillin e Sigurimit Kombëtar, “Për arsye të përvojës së saj të gjithanëshme, përfshirë çështjet e sigurisë kombëtare që kanë të bëjnë me aleancat tona, me mbrojtjen kombëtare, me sigurinë e teknologjisë, me ndihmën e jashtme dhe me kontrollin e armëve”, u shpreh Këshilltari i ri i Sigurimit Kombëtar i Presidenti Trump, Xhon Bolton.  “Njohuria e saj politike dhe përvoja e saj në depaartamente të ndryshme të qeverisë federale e bëjnë atë një anëtare të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar”, shtoi Z. Bolton në njoftimin për emërimin e Mira Ricardel në këtë detyrë të rëndësishme të sigurimit kombëtar.

Emri i Mira Ricardel është i njohur mirë në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, veçanërisht në radhët e atyre që bënë lobizmin në favor të kauzave shqiptare në Washington, fund dekadën e 80-ave dhe në fillim të 90-ave, që ishte kulmi i këtij aktiviteti, sidomos në mbrojtje të Kosovës, por edhe të  demokratizimit të Shqipërisë dhe në mbështetje të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve tona.

Karierra e saj politiko-ushtarake në Washington përfshinë përpilimin dhe zhvillimin e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes në detyrat që ajo ka ushtruar në Departamentin Amerikan të Shtetit, në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, si zëvëndës sekretare për Euro-Azinë dhe ndihmës sekretare si dhe këshilltare kryesore e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes dhe aktualisht si Zëvëndës Sekretare e Departamentit të Tregëtisë, nga ku u ftua që të transferohej në Këshillin e Sigurimit në Shtëpinë e Bardhë.  Gjatë viteve, ajo ka punuar për tri administrata të ndryshme amerikane.

Përveç detyrave të ndryshme në nivele të larta të legjislativit dhe të ekzekutivit, Mira Ricardel ka shërbyer edhe si nën-drejtoreshë e entit jo qeveritar për të drejtat e njeriut, Freedom House në Washington.  Para se të fillonte punën për qeverinë federale, ajo kishte punuar për nja 10-vjet për kompaninë e madhe aeronautike Boeing.  Ajo është edhe anëtare e Komitetit për Punët e Jashtme, një ent privat që i dedikohet studimit të Politikës së Jashtme.  Përvoja e saj, mbi të gjitha, përqëndrohet në fushën e politikës evropiane dhe euro-aziatike, marrëdhëniet me NATO-n, forcat bërthamore, mbrojta e raketave dhe kontrolli armëve, në përgjithsi.

Fillimisht, unë dhe shokë të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan e kemi njohur Mira Ricardel nga koha që ajo punonte për ish-Senatorin Bob Dole në fillim të 1990-ave.  Ishte gjatë asaj periudhe që Mira Ricardel filloi të mësonte dhe të interesohej për çështjet shqiptare, pasi Senatori Bob Dole ishte në atë kohë i mirë informuar dhe mjaft i interesuar për fatin dhe mbi gjëndjen e shqiptarëve në Ballkan, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.  Në të vërtetë, ajo që e bëri edhe më të lehtë komunikimin e përfaqsuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan me Mira (Radieloviq) Ricardel — si përfaqsuese e njërit prej mbështetsve më të mëdhej të interesave të shqiptarëve në Senatin amerikan, Z. Bob Dole — kur morëm vesh se ajo rrjedhte nga një familje kroate dhe ishte mjaft e sensibilizuar mbi zhvillimet e asaj kohe në Ballkan.

1 Mira Ricardel Mira Ricardel/

Në atë periudhë, Mira Ricardel, (që atëherë njihej si Mira Baratta) punonte për Senatorin Dole si ndihmëse legjislative dhe këshilltare për politikën e jashtme dhe të kontrollit të armëve.  Ndoshta për origjinën e saj si kroate, Senatori Dole e kishte caktuar gjithashtu që të shërbente si ndërlidhse e Senatorit Bob Dole me komunitetin shqiptaro-amerikan, gjatë një decade shumë të vështirë shqiptarët, sidomos për fatin e Kosovës.  Në këtë rol, ajo shërbente gjithashtu edhe si ndërlidhse midis individëve dhe grupeve të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe senatorëve të tjerë –republikanë dhe demokratë — siç ishte ndër të tjerë, Kryetari i Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Senatori Claiborne Pell, i cili mezi kishte pritur të vizitonte Shqipërinë pas shembjes së komunizmit në Mars të vitit 1991, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona mike.   Biznismeni i njohur shqiptaro-amerikan Xhim Xhema ishte mik i ngushtë i Senatorit Bob Dole dhe më kujtohet fakti se gjatë asaj kohe, në të vërtetë për disa vite, vinte nga Nju Jorku në Washington, të pakën dy tre herë në javë për takime me senatorë e kongresmenë me qellim për të bashkrenduar me ta politikën amerikane ndaj shqiptarëve dhe kauzave të tyre, në mbrojtje të të drejtave të tyre. Për të interesuarit, mund të lexoni më shumë hollësi në lidhje me aktivitetin e Z. Xhema, në këtë link http://telegraf.al/opinion/xhim-xhema-shqiptaro-amerikani-qe-i-qiti-telashe-te-medha-serbise-se-milloshevicit-1487593260

Por ishte Mira Ricardel, e emëruara dje si Zëvendës Këshilltare e Sigurimit Kombëtar ndërmjetsja midis Kongresit dhe komunitetit shqiptaro-amerikan kryesuar nga Xhimi Xhema dhe të tjerë udhëheqës të komunitetit shqiptaro-amerikan të angazhuar seriozisht dhe pa kurrfarë interesi personal në mbrojtje të çeshtjes shqiptare.  Në ish-zyrtaren e Kongresit amerikan, komuniteti kishte një kontakt të drejt për drejtë dhe tanimë të mirë-informuar për gjëndjen e shqiptarëve dhe shkeljet e të drejtave të tyre dhe se ç’po ndodhte në fillim të 90-ave në Ballkan dhe parashikimet se ç’mund të ndodhte në vitet e ardhëshme në atë rajon.  Më kujtohet se ashtu siç ishte rasti edhe me të tjerë zyrtarë të ndryshëm amerikanë, Mira Rikardel shprehte pikëpamjet e saja, privatisht dhe zyrtarisht, kundër politikës së Beogradit në territorin e ish-Jugosllavisë, përfshirë Kosovën.

Megjithse kanë kaluar aq shumë vite qyshë nga fillimit të 90-ave dhe shumë gjëra kanë ndryshuar, fatbardhësisht, për më mirë për gjëndjen e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone, mbeten ende çështje të pazgjidhura për shqiptarët, siç janë të drejtat e barabarta për shqiptarët në Maqedoni, për shqiptarët në Kosovën Lindore, në Mal të Zi dhe gjetkë.  Sipas disa të dhënave Mira Rikardel ende mbetet e interesuar për çështjet shqiptare edhe pas aq shumë vitesh, megjithse detyra të larta në administratat e më pastjame ka zgjëruar horizontin e saj përtej politikave të Ballkanit dhe natyrisht nuk shërben më si ndërlidhëse me komunitetin shqiptaro-amerikan. Por, megjithkëtë merret vesh se në fillim të prillit ajo është takuar me Haxhi Dautin, Kryetarin e Këshillit Shqiptaro-Amerikan, i cili përdori rastin të falënderonte miken e njohur e të vjetër të shqiptarëve dhe zyrtaren e lartë të Ministrisë së Tregëtisë, Mira Ricardel. Për punën që ajo ka bërë gjatë karrierës së saj në detyra të larta në tri administrata të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, ai e falënderoi atë për kontributin e vazhdueshëm dhe për ndihmën që ajo ka dhënë për çështjet shqiptare gjatë viteve, sidomos gjatë periudhës që punonte në Kongresin Amerikan, në fillim të 1989-1996, për luftën në Kosovë, për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj, për ndihmesën e saj në arritjen e marrveshjes së Ohrit dhe për demokratizimin e Shqipërisë, përfshirë antarësimin e Shqipërisë në NATO.

1 xhikja me Mira RicardelFoto:Haxhi Dauti me Zëvëndës ministren e Tregëtisë, Mira Ricardel tani e emëruar si Zëvëndës Drejtoreshë e Këshillit të Sigurimit Kombëtar

Mira Ricardel i takon një grupi zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh amerikanë – të cilët po pakësohen dita ditës, qoftë për arsye moshe ose vdekjesh, me të cilët komuniteti shqiptaro-amerikan ka punuar ngusht gjatë 80-ave dhe 90-ave për mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi dhe për çlirimin dhe pavarësisë së Kosovës dhe për demokratizimin e vërtetë të Shqipërisë, në veçanti.  Ndihma dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara për këto kauza dhe të tjera për shqiptarët, është e doemosdoshme edhe sot, sidomos përballë kërcënimeve dhe lakmive historike të putinëve dhe erdoganëve të kësaj bote, ndaj trojeve shqiptare.  Nevojat janë të mëdha, por fatkeqsisht, as komuniteti shqiptaro-amerikan sot nuk është më i organizuar siç ishte gjatë periudhës së krizave të viteve 80-ta e 90-ta, në kohën kur Mira Ricardel shërbente si ndërlidhse me shqiptaro-amerikanët.  Por sot, fatbardhësisht, Shqipëria dhe Kosova nuk janë ato shtete të viteve 80-e 90. Sot këto dy shtete janë të lira dhe të pavarura, me ambasadat e tyre në Washington dhe me ambasada amerikane në Tiranë dhe në Prishtinë. U takon dy shteteve shqiptare që të organizojnë më mirë lobimin pro-shqiptar në Washington dhe të kultivojnë marrëdhëniet në një nivel më të lartë midis dy kombeve tona. Komuniteti shqiptaro-amerikan mund të ndihmojë në këtë pikë, por janë Tirana dhe Prishtina zyrtare që duhet të bëjnë miqë të ri dhe të ruajnë miqtë e vjetër të shqiptarëve në Washington.  As shpërndarja e abetareve në komunitetin shqiptaro-amerikan sado e vlefshme që është, nga ministritë e reja të diasporës në Tiranë dhe në Prishtinë dhe as dalja në fotografi 80-mijë dollarëshe të udhëheqsve shqiptarë nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, nuk do të zevendsojnë as nuk mund të ushtrojnë influencën e dikurshme të lobimit të komunitetit shqiptaro-amerikan në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe as nuk do të sigurojnë mbështetjen jetike të Washingtonit zyrtar për interesat e kombit shqiptar, sot as në të ardhmen.  Nevojitet pra, një angazhim më serioz nga Shqipëria dhe nga Kosova për një lobim transparent bazuar në standardet amerikane, në mbështetje të interesave kombëtare dhe jo për promovimin e interesave të politikanëve të ditës, ose të partive që ata përfaqësojnë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, mikesha shqiptare, Mira Ricardel, ne Shtepine e Bardhe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT