• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEBAT NË “PARLAMENTIN” E VATRËS: DEMOKRACIA NUK PRET!

April 23, 2018 by dgreca

3 dritani salleNga Dalip GRECA/*

Vatra, dikur, në kohët e arta të saj, kur kryente rolin e shtetit të vdekur, kur siguronte financat për shtetin shqiptar, apo kur emëronte ambasadorët për Kombin nëpër Europë e Washington, ishte Parlamenti i shqiptarëve, jo vetëm në Amerikë, natyrisht jo si Parlamenti-Karnaval i sotëm.Kur do të ngrihej Parlamenti ligjor i shqiptarëve në Tiranë, Vatra do të dërgonte kryeparlamentarin e saj Fan S. Noli, të cilin më pas e shoqëruan si deputetë edhe Kristo Kirka e Loni Prifti…Në prag të 106 vjetorit të lindjes së saj(28 prill 1912-2018), Vatra,thirri Parlamentin e saj për të debatuar rreth demokracisë hibride, demokracisë së dështuar me tranzicion të tejzgjatur, me moton:DEMOKRACIA NUK PRET!

Në foltoren e Parlamentit Vatran përcollën kumte për Demokracinë: Dr. Elez Biberaj- drejtor i Euro-Azisë në Zërin e  Amerikës , Frank Shkreli-ish drejtor i Zërit të Amerikës për Euro-Azinë, Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, deputeti i Parlamentit të Shqipërisë dr. Halim Kosova, ish gazetari i Zërit të Amerikës  Idriz Lamaj, Prof. Nikolla Pano, Prof. Sami Repishti, akademik Jusuf Buxhovi, dhe editori i gazetës “Dielli” që moderoi debatin.
Pjesë  e debatit ishin edhe shumë prej pjesmarrësve në sallë: ish ambasadori shqiptar në Bullgari e Izrael Bujar Skëndo, ish i burgosuri në burgun e Spaçit Pëllumb Lamaj,ish Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj,  dr. Azeta Kola, Marjan Cubi,Shkëlqim Bylykbashi, Lek Përlleshi,Andon Dede, Haxhi Dauti, Zef Balaj,Frederik Ndoci, Gezim Nika e të tjerë.

Kronika e Promovimit: Promovimin-Debat e ka çelë editori i Diellit, I cili ka prezantuar autorin e librit”Demokracia nuk Pret” gazetarin Frank Shkreli ish drejtor i Zërit të Amerikës për Euro Azinë. Më pas moderatori ka ftuar kryetarin e Vatrës, Dritan Mishto, për të çelë debatin dhe për të prezantuar folësin e parë Dr. Elez Biberaj, duke bërë një biografi të shkurtër të tij.

Dr. Elez Biberaj pasi ka falenderuar Vatrën për Ftesën, ka treguar lidhjet e ngushta të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” me Zërin e Amerikës, dhe ka uruar mikun dhe kolegun e tij Frank Shkreli për librin, është ndalur në karaktiristikat e publicistikës së tij, ka analizuar Demokracinë shqiptare, arritjet, dështimet, dhe ka vënë piketat tek e ardhmja.

Për Dr. Biberajn, ndërsa rekomandimi i Brukselit për Shqipërinë është shpresëdhënës, ai paraqet një moment të volitshëm që elitat qeverisëse, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e në Maqedoni, të reflektojnë mbi ato që do ti quaja rast të artaqë shqiptarët kanë humbur gjatë viteve dhe dekadave të fundit dhe që kanë ngadalësuar rrugën e tyre për konsolidimin e demokracisë. Bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të kishin filluar vite më parë. Duhet pranuar se ky dhe raste të tjera të artapër Shqipërinë dhe për Kosovën, janë humbur kryesisht si rrjedhim i i mangësive të theksuara udhëheqëse të vendim-marrësvë shqiptarë.

Sot, shqiptarët përballen me sfida të dukshme: problemet ekonomike; papunësia e lartë dhe varfëria; korrupcioni që ka depertuar në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë; paligjshmëria dhe mungesa e shtetit ligjor; institucionet e dobëta; dhe politikanë të papërgjegjshëm që tolerojnë e nxisin korrupcionin dhe përdorin praktika jodemokratike për të siguaruar dhe mbajtur pushtetin.

Këtyre sfidave të brendshme tani u shtohen edhe disa probleme të jashtme: prirja rajonale dhe globale e rrëshqitjes së demokracisë; forcimi i alternativës autoritare, si në Turqi dhe Rusi; dhe ndryshimi i peisazhit politik balkanik dhe evropian.

Për Dr. Biberajn duhet ndryshim thelbësor për të shkuar tek demokracia e vërtetë:

Stili i tanishëm i qeverisjes duhet të ndryshojë me themel dhe të përqëndrohet tek interesat themelore kombëtare e jo tek ato partiake ose tek objektivat politike afat-shkurtëra.

Forcat kryesore politike të bien në ujdi mbi vizionin për të ardhmen e vendit dhe mbi përpilimin dhe zbatimin e politikave madhore që do të çonin në realizimin e këtij vizioni.

Të krijohen dhe të fuqizohen institucione me të vërtetë të pavarura dhe të afta për vendosjen e shtetit ligjor dhe çrrënjosjen e korrupsionit.

Media të çlirohet nga trysnia dhe interesat politike dhe financiare.

Procesi i vendimmarrjes për çështje të rëndësishme të jetë gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë, grupeve të interesit, të shoqërisë civile, dhe ekspertëve.

Dhe se fundi, e gjithë shoqëria duhet të ndryshojë thellësisht – menyra si mendon dhe si vepron ajo.  Shqiptarët duhet të jenë më kërkues dhe ndëshkues ndaj politikanëve të tyre dhe të kërkojnë llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjshmëri më të madhe. Këto janë objektiva shumë të vështira dhe duhet vullnet politik dhe kohë që ato të arrihen.

Por shqiptarët në përgjithësi, e jo vetëm udhëheqësit dhe politikanët e tyre, ndodhen para një prove historike: të pajtohen me gjendjen e tanishme ose të zgjohen nga amullia, të kapin momentin dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të realizuar potencialin e tyre të plotë demokratik.Siç thekson Frank Shkreli, Demokracia nuk pret

Editorja e seksionit anglisht të Gazetës Dielli, Rafaela Prifti ka përcjellë mesazhin e Prof. Nikolla Pano.

Gazetari Frank Shkreli ka prezantuar mysafirin dhe mikun e tij personal, një nga personazhet e librit”Demokracia nuk Pret” Deputetin e Parlamentit Shqiptar Dr. Halim Kosova, i cili kishte ardhur enkas për këtë promovim-debat në Vatër. Dr. Kosova tha ndër të tjera se ndjehej i nderuar që ishte në Vatër dhe pjesë e debatit-promovus”Demokracia nuk pret”. Në këndvështrimin e tij Demokracia Shqiptare i ngjanë foshnjës së porsalindur, që ka probleme e anomali dhe vetëm një mjek i mirë e i kujdesshëm mund ta mbajë në jetë. Ai tregoi hyrjen e tij në politikë, duke pasur moto”Partia ime është Shqipëria” dhe rrethanat e njohjes me Frank Shkrelin pas zgjedhjeve të humbura për Bashkinë e Tiranës. E njoha Franin, tha ai, pasi kishte shkruar artikullin, dhe u habita që më kishte njohur pa më takuar. Në shenjë nderimi Dr. Halim Kosova i dhuroi një penë të argjendtë gazetarit Shkreli.

Studiuesi dhe ish gazetari i zërit të Amerikës Idriz Lamaj, në kumtesën e tij, trajtoi kontributin e Frank Shkrelit në gazetarinë shqiptaro-amerikane, duke e analizuar atë në dy epoka historike, para dhe pas viteve ’90.

Ndër të tjera Lamaj tha sjell në vëmendje revistën“Rinia shqiptare në mërgim”, të botuar nga Fran Shkreli para 46 vitesh…Fran Shkreli, djal i ri në mërgim, filloi botimin e revistës së tij “Rinija shqiptare në mërgim”me përkrahjen e pakë shokëve të ngushtë idealistë. Në janar të vitit 1972, doli këtu në Neë York  numri i parë i revistës në fjalë. Në numërin e të parë, Frani goditë pa mëshirë qendrimet e errta politike të shkrimeve të tyre kundër mërgatës nacionaliste dhe Klerit tonë Katolik. Ai i goditë  jo me metoda të formës  pro-jugosllave, siç bënin disa, por me armën Fishtiane. Në editorialet dhe në artikujt e tij, vazhdimisht e cilësoi komunizmin shqiptar si sllavo-komunizëm, si sëmundje vdekjepruse për kombin shqiptar të mbështetur dhe drejtuar nga jugosllavët gjatë gjithë ekzistencës ideologjie në Shqipëri.

Lamaj solli fragmente artikujsh, analiza, kronika, editoriale të shkruara nag Frank shkreli dhe u fokusua në këndvështrimine  kthjelltë publicistik të Shkrelit rreth Demokracisë.

Duke analizuar librin”Demokracia nuk pret: z. Lamaj arrin në përfundimin se : Përshkrimi i temave, analizat koncize, të thella e të gjithanëshme, historike, politike, ekonomike, shoqërore, ideologjike e kulturore;  densiteti dhe gjërsia e informacionit jepenë me mjeshtri e pa përsëritje të dukurive të ndryshme e ngjarjve. Pasuria e  fakteve është e padiskutueshme. Njohuritë e gjithanëshme historike, stili i rrjedhshëm dhe elokuenca e të shprehurit i kanë dhënë mundësi autorit Shkreli ti shmanget pësëritjeve monotone.

Zv. Kryetari i Vatrës Agim Rexhaj solli Kumtesën “Nëpër Kohë” përgatur nga akademiku Jusuf Buxhovi.Përmes një analize profesionale akademiku Buxhovi sillte në fokus evolimin dhe fokusimin e publicistikës shqipatre që në kohën Konicës dhe angazhimin e saj ndaj problemeve shoqërore, politike dhe atyre kulturore.

Për Buxhovin publicisti Shkreli trajton problemet shqiptare, jo me brengën e Konicës deri në dëshpërim, por me një shqetësim ngaqë, në njërën anë shoqëria shqiptare nuk po ia del që të mundë apo të lirohet nga ngarkesat ideologjike dhe mbetjet e tyre,  dhe në tjetrën anë, nuk po ia del që tëtejkalojë sa duhet ngarkesat e mentaliteteve fetare, të cilave,  Rilindja jonë kombëtare, u kishte dhënë përgjigje të duhur.

Sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu solli mesazhin  e Prof. Sami Repishtit, i cili përshëndeti takimin dhe përcolli vlerësime për gazetarin Frank Shkreli. Citoj nga përshëndetja e Prof. Repishtit:””E gjithë veprimtaria e Frank Gj.Shkrelit, qoftë ajo letrare, qoftë politike, përshkohet nga tri ide kryesore, boshti i filozofisë së jetës tij;

E para: besimin në Zotin, feja e krishtenë; dhe

E dyta: sherbim për atdheun Nanën Shqipëri, që për atë përfshinë të gjithë hapësinën shqiptare në Ballkan, Me nji pikë qendrore: epoka e lavdishme skenderbegiane. “Fe e Atdhe”.

E treta; përpjekja koshiente dhe konstante me mbrojtë demokracinë liberale amerikane, dhe me luftue pa kompromis murtajën komuniste në Shqipëri, dhe kudo që ajo paraqitej.

E kaluemja e Frankut në vendlindje, jeta e peripecitë e familjes tij në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi, tragjedia e popullit shqiptar, sidomos gjenocidi i klerit katolik shqiptar, vorfënia, shtypja, paditunia masive dhe poshtënimi i pësuem si shqiptar në nji shtet sllav kanë formue karakterin e tij, dhe kanë lanë gjurme të thella tek i riu Frank Shkreli, pa u sherue asnji herë. Lexoni “Demokracia nuk pret” e do ta kuptoni.”

Profesor Repishti i përgëzon organizatorët: Ky tubim u pagëzue nga organizatorët si “bashkëbisedim” dhe për këte unë i përgëzoi plotësisht. Ashtë nji term që përmbledh shokë e miq me mendime të ndryshme por me qellime të përbashkëta. Si akt krijimi, kjo inisiativë ashtë jashtëzakonisht e randësishme dhe i ka mungue bashkësis sonë këtu në Amerikë për shume vjet. Ka ardhë koha kur elementë pozitivë dhe të ndërgjegjshëm të mblidhen me njeni-tjetrin me shqyrtue gjendjen tonë këtu si komunitet dhe atë të hapësinës shqiptare, sepse ka nevojë urgjente për nji orientim që e kërkon e nuk e gjen. Kjo hapësinë përfshinë të gjithë ata që me ndërgjegje dhe lirisht bukën e quejnë bukë,dhe besën shqiptare e mbajnë besë shqiptare. Aty ashtë Shqipëri, pavarësisht nga ndeshtrashat politike e ndasitë kufitare. Uroj që organizatorët të inkurajohen, të ndihmohen dhe të shpërblehen me bekimet tona për këte punë me vlera të pa përshkrueshme. Këtu ashtë Shqipëria e jonë, kjo ashtë Shqipëria e jonë! Le ta ndertojmë simbas konditave të vendit shoqëninë tonë shqiptaro-amerikane, të lirë, të denjë dhe të aftë me ndihmue vëllaznit e motrat tona kudo që janë, në të gjitha fushat, kryesisht në gjuhë shqipe  e arsim.

Dhe ma në fund, si thonte Noli i madh: “Paçi uratën e Perendisë!”

Moderatori i tubimit ka sjellë në fragment nga koleksioni i Diellit të 30 Janarit 1976, ku përshkruhej një çast kulmor nga jeta e Frank Shkrelit dhe e zonjës Viktori, dita e martesës.

Gazearja Marjana Bulku, anëtare e Kryesisë së Vatrës, solli kumtesën e studiuesit Prof. Thanas Gjika, sekretar i degës së Vatrës në Uster:“Mbi vlerat dhe temat kryesore te gazetarit Frank Gjeto Shkreli”.

Prof. Th .Gjika në hyrje të kumtesës së tij theksonte se:Në vitet kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, “Radio Zëri i Amerikës”, luajti rolin e ambasadës amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar për informimin e popullit shqiptar mbi ngjarjet kryesore, duke ia treguar ato me vërtetësi, ashtu si kishin ndodhur. E në këtë mision kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar një sërë burrash e djemsh shqiptarë si, Jozef Paskali, Talat Karagjozi, Xhevat Kallajxhi, Ilia (Louis) Prifti, spikerja Lulu Vrioni (mbesë e Mit’hat Frashërit), Ruzhdi Daca, Gasper Kiçi, Bardhyl Pogoni, Dr. Elez Biberaj, Idriz Lamaj dhe Frank Gjeto Shkreli.”

Gjika në analizën e tij për librin “Demokracia nuk pret” konstaton se gazetari Frank Shkreli është një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por atij nuk i mungon orientimi optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe e BE-së ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë dëshpërimin”…

Sipas Thanas Gjikës , Frank Shkreli ecën në rrugën e Profesor Repishtit lidhur me luftën për zbatimin e të drejtave të njeriut. Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë.

Më pas ai ndalet në përmbajtjen e librit:Vlerësimin e Kishës Katolike dhe i barinjve të saj, në Nostalgjia ndaj diktatorit Hoxha, si një pengesë serioze për Shqipërinë, ndalet në domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve,në analizat rreth Ballkanit Perëndimor, SHBA-tëRusia dhe Turqia; fokusohet në Idetë demokratike;në Grindjet që kanë penguar susksesin e shqiptarëve; në trajtimin që i bën Frank Shkreli Diasporës si pasuri e madhe shkencore, letrare dhe kulturore etj.

Editori  Diellit solli Kumtesën” Stili publicistik në gazetarinë e Frank Shkrelit”. Në hyrje të kumtesës së tij editori tha:Kam mendimin se libri që promovojmë “Demokracia nuk pret” i gazetarit Frank Shkreli, përveç mesazheve dhe shqetësimeve qytetare, sjell edhe përvojën e tij gazetareske, ku dallohet një stil i veçantë i të shkruarit, me një gjuhë tëpasur nga ana leksikore dhe të pastër nga fjalët e huaja, strukturat sintaksore tëfjalive janë të thjeshta, pa fjalë e fjali parazite, pa shprehje standarte e pllakateske, që vlen të studiohet dhe të merret në konsideratë nga gazetarët e rinj, natyrisht pa e imituar. Stili i tij gazetaresk nuk vuan nga mania e oratorizmit apo e ligjërimit fals, as nga moralizimet.

Në shikimin tim, z. Shkreli është një vëzhgues i kujdesshëm i zhvillimeve demokratike, i ngjarejeve të ditës dhe ato të perspektivës, veçanërisht në trevat etnike shqiptare dhe një analist gjakftohtë, që operon kujdesshëm me faktet, pa e ngarkuar tekstin. Frazat dhe fjalitë në 80 artikujt e këtij libri që promovojmë janë të zhveshura nga mbingarkesa e huazimeve të huaja dhe përdor mjaft mirë gjuhën shqipe, edhe pse ka mërguar në moshë fare të re në SHBA.

Mendoj se kapja e temës dhe vendosja e titujve përbën një model për atë që do të mësoj prej përvojës së gjatë të tij.

Editori arrinë në përfundimin se: publicistika e shkruar e z. Shkreli është e zhveshur nga fjalët bombastike, nga vlerësimet e glorifikuara, nga epitetet false. Nuk gjenë tek ai shprehjet e lodhshme që karaktirizojnë gazetarinë e rëndomtë edhe këtu në komunitet, ku të gjithë përshkruhen si të mirënjohur,të shquar e shumë të shquar, tepër të njohur, shumë të talentuar, ku të gjithëve u vihen grada dhe tituj, sa na është mbushur komuniteti me doktorë e profesorë, shkrimtarë të shquar, poetë të shquar, artist i shquar etj..etj…edhe kur nuk i kanë këto grada ua japim ne gazearët. Jo, Franku i jep secilt hakun që meriton.

Gjithësesi mendoj se publicistika e gazetarit Frank Shkreli meriton vëmendje edhe nga katedrat e fakultetet e gazetarisë në Tiranë e Prishtinë, ndërsa për ne gazetarët e komunitetit të këtushëm, dhe në përgjithësi gazetarët e diasporës,ai mbetet një model nga duhet mësuar, natyrisht jo kopjuar. Uroj: Përurofshim së shpejti dhe librin e ri me publicistikë të autorit!-tha editori.

Frank Shkreli,autori i librit ka përcjellë falenderimet e tij në mbyllje të Kumtesave:Falënderimet e mia Vatrës….Jam mirënjohës dhe falënderoj sinqerisht, Kryetarin Dritan Mishto, Kryeredaktorin e Diellit Dalip Greca dhe gjithë antarët e Kryesisë së Vatrës për këtë organizim, që na ofron mundësinë të kalojmë këtë bashkbisedim vëllazëror me ju sot – Jam shumë i kënaqur që marr pjesë në takimin tuaj kulturor të radhës,tha ai.

Dua të falënderoj Dr Elez Biberajn mikun e ngushtë ç’prej bankave të Lehman college në vitin 1972 e deri më sot: kolegun dhe mikun Idriz Lamaj, Prof Sami Repishtin dhe Prof. Nick Panon, Akademik Jusuf Buxhovin, Dr. Thanas Gjikën dhe të tjerë për meazhet e tyre, për miqësinë dhe këshillat e tyre gjatë viteve.  Një falënderim të veçant për deputetin e Partisë Demokratike të Shqipërisë Dr. Halim Kosova, i cili na nderon me pjesëmarrjen e tij.  Një sekret të vogël po e ndaj me ju. Titulli i librit, “Demokracia nuk pret”, është pronësi intelektuale e Dr. Halim Kosovës.

Botimi i vëllimit të parë — është botuar me sponsorizimin e Gazetës Telegraf, Drejtorit të saj, Engjëll Musai dhe botuesit, Klaus Çiraku.  Dua t’i falënderoj publikisht për besimin ndaj meje dhe për mbështetjen që më kanë dhënë për më shumë se një dekadë, duke botuar të gjitha shkrimet e mia, pa përjashtim.”…

Më pas ka vazhduar debati për Demokracinë shqiptare, e cila shpresat e shqiptarëve për Demokraci të ëvrtetë, i ka kthyer në zhgënjim falë kontributit të klasës politike. Kritik i ashpër ka qenë ish i burgosuri politik Pëllumb Lamaj, ndërkohë që kanë shprehë opinionet e tyre edhe: Bujar Skëndo, ish Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj,  dr. Azeta Kola, Marjan Cubi,Shkëlqim Bylykbashi, Lek Përlleshi,Andon Dede, Haxhi Dauti, Zef Balaj,Frederik Ndoci, Gezim Nika e të tjerë. Ky I fundit e ka mbyllë takimi me këngën:”Gegë e Toskë” që përcjell mesazhin e bashkimit, këngë që e këndoi bashkë me sallën.

*Fotografite i gjeni ne Facebook

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Debat ne Vater, Frank shkreli, promovim

BARBARA BUSH, “GJYSHJA E AMERIKËS”, NDËRROI JETË

April 20, 2018 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Barbara Bush, e quajtur si në përkëdhelje, “Gjyshja e Amerikës”, ose “gjyshja e të gjithëve” — bashkshortja e Presidentit të 41-të dhe nëna e Presidentit të 43-të të Shteteteve të Bashkuara, ndërroi jetë më 17 prill në moshën 92-vjeçare në shtëpinë e saj në Huston të shtetit Texas, e rrethuar nga familja. Ajo la pas, “plot shtëpinë”: Bashkshortin e saj prej 73-vjetësh, ish-presidentin Xhorxh H.W. Bush, pesë fëmijtë me bashkshortët e tyre, 17 nipa e mesa dhe shtatë stërpnipa dhe stërmesa.  Në një njoftim për publikun me rastin e vdekjes , ish-Presidenti Xhorxh W Bush tha se, “Nëna ime e dashur ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare. Laura, Barbara, Xhena dhe unë jemi të pikëlluar, por zemërat tona janë të qetësuara sepse e dimë se shpirti i saj është i qetë… Unë jam me fat që Barbara Bush ishte nëna ime. Ajo do na mungojë  shumë mua dhe familjes….”.

1 lamtumire2 buishet betim ok1tereza ok1 bushet qeshinPresident Bush, second right, and first lady Laura Bush, right, leave Saint John's Church in Washington, Sunday, Jan 27, 2002, with former President George H. W. Bush and former first lady Barbara Bush after attending Sunday service. President Bush will deliver his first State of the Union address on Tuesday. (AP Photo/Susan Walsh)2 Lamtumira

Barbara Bush ishte bashkshorte, nënë, gjyshe, stërgjyshe e devotshme dhe mbështetëse e përkushtuar në luftën kundër analfabetizmit. Ajo ishte direkte në komunikim me median dhe me të tjerët, një karakateristikë e të folurit troç që e dallonte ish-Zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara. “Njerëzit më duan”, kishte thënë ajo me një rast, “sepse e dinë që unë jam e drejtë, se i dua fëmijtë dhe se e adhuroj dhe respektoj bashkshortin tim”.   Barbara Bush, njihej gjithashtu edhe për shërbimin ndaj të tjerëve, për vullnetarizmin e saj për të ndihmuar personat dhe familjet në nevojë, gjë që e ka bërë atë ndër figurat më të dashura në historinë e këtij vendi dhe në zemërat e të gjithë atyre që e njihnin dhe me njerëzit me të cilët takohej edhe rastësisht.

Me zgjedhjen e bashkshortit të saj president të Shteteve të Bashkuara në janar të vitit 1989, Barbara Bush ishte e vetdijshme se ajo vet nuk ishte zgjedhur në asnjë detyrë zyrtare por kishte urdhëruar stafin e saj se, “Çdo ditë duhet të bëjmë diçka për të ndihmuar të tjerët.”  Kështuqë, përveç ceremonive zyrtare si zonja e parë e vendit, në të cilat ajo duhej të merrte pjesë, Barbara Bush u angazhua në shumë veprimtari organizatash bamirëse, pikërisht, për të ndihmuar ata të cilët kishin nevojën e ndihmës nga shoqëria.

Ajo kishte marrë përsipër një numër kauzash për të ndihmuar të pa strehët dhe të moshuarit, për të ushqyer të uriturit, ndërmori përpjekje  për të luftuar sëmundjen e Sidës dhe ishte në krye të fushatës për të ndihmuar fëmijt. Por mbi të gjitha, Barbara Bush do të njihet për fushatën e saj kundër analfabetizmit – për mundësinë e shkrim-leximit për të gjithë, për fëmij dhe për familje.  Nën udhëheqjen e të ndjerës, Fondacioni i saj me këtë mision që ajo ka themeluar për këtë qëllim, gjatë viteve, ka mbledhur më shumë se 110-milion dollarë, në mbështetje të programeve kombëtare për të luftuar analfabetizmin, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. Ajo e shihte këtë program dhe arsimin në përgjithësi si një doemosdoshmëri, që sipas saj ndihmonte sado pak familjet dhe fëmijtë e tyre në nevojë, ashtuqë të kishin një mundësi më të madhe për të qenë të suksesëshëm në jetë.E orientuar gjithmonë nga familja dhe kujdesi i saj për të, Barbara Bush është cituar të ketë thënë se, “Ajo që ndodhë në shtëpinë tuaj është po aq e rëndësishme sa edhe çfarë ndodhë në Shtëpinë Bardhë.”  Thënë ndryshe, çfarë ndodhë në Shtëpinë e Bardhë duhet të jetë shembull për të gjitha familjet amerikane. Për periudhën që shërbeu në Shtëpinë e Bardhë si familja e parë e Amerikës, familja Bush ishte me të vërtetë shembull për të gjitha familjet amerikane dhe kredia për këtë, pa dyshim, i shkon të ndjerës Barbara Bush, e cila vente rregull dhe zbatonte disiplinën.

Ndërkaq, udhëheqsit dhe ish-udhëheqsit më të lartë të Amerikës kanë dërguar mesazhe ngushëllimi me rastin e vdekjes së Barbara Bush duke e cilësuar atë si një grua e cila ishte e përkushtuar ndaj familjes dhe atdheut të saj, por edhe ndaj shërbimit për të mirën publike.  Presidenti Trump dhe bashkshortja e tij e cilësuan atë si një “mbështetëse e fortë e familjes amerikane, e cila do të mbahet mendë për dedikimin e saj të fortë ndaj atdheut dhe familjes, të cilave ajo u shërbeu me devocion”.

Ish-presidenti Obama dhe bashkshortja e tij, u shprehën se do të, “jenë përgjithmonë mirënjohës ndaj Barbara Bush për bujarinë dhe për zemërgjërsinë që ajo tregoi ndaj nesh gjatë viteve tona në Shtëpinë e Bardhë, por për më tepër, i jemi mirënjohës asaj për mënyrën se si ajo jetoi dhe veproi gjatë gjithë jetës së saj – si një testament se shërbimi publik është i rëndësishëm dhe vepër fisnike për të gjithë, si shembull i dinjitetit dhe modestisë, cilësi këto që pasqyrojnë karakteristikat më të mira të shpirtit amerikan.”  Ndërsa ish-presidenti Xhimi Karter dhe bashkshortja e tij e kujtuan Barbara Bush si “gruan e një familjeje të dedikuar ndaj shërbimit publik, e cila mbështeti vullnetarizmin si një mundësi që të gjithë qytetarët të marrin pjesë në përparimin e vendit.”

Familja Bush është e lidhur drejtë për drejtë edhe me fatin e Kombit Shqiptar në fund shekullin e 20 dhe fillim shekullin e 21. Historia ka shënuar tanimë se  Presidenti Xhorxh Bush i vjetër më 25 dhjetor, 1992 i dërgoi presidentit kriminel serb Millosheviç paralajmërimin që historia e njeh si “Paralajmërimi i Krishtlindjes” e në të cilin thuhej se “Në rast konflikti në Kosovë, i shkaktuar nga Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi”.  Ishte ky një paralajmërim nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër dhe i cili u përsërit më vonë edhe nga administrate Klinton duke u bërë kështu baza e politikës amerikane ndaj Kosovës, politikë që më në fund çoi në ndërhyrjen e NATO-s, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në sulmet e ajrore që përfunduan në çlirimin e Kosovës.  Dhe më 10-6-2007 gjatë një vizite në Tiranë, një Bush tjetër, pikërisht djali i Bushit të vjetër, Presidenti Xhorxh W., bëri deklaratën me të cilën defakto shpalli pavarësinë e Kosovës nga kryeqyteti shqiptar, duke thënë se “Mjaft është Mjaft – Kosova është e pavarur”.

E ndjera Barbara Bush kishte deklaruar me një rast se, “Unë dhe Xhorxh Bush jemi dy njerëzit më të lumtur dhe më me fat në botë”.  Edhe ne shqiptarët mund të themi se ishim me fat të madh që në këtë periudhë të historisë së Kombit shqiptar ishin dy presidentë të familjes Bush (babë e djalë), të cilët për hir të detyrës së tyre në krye të Shteteve të Bashkuara, historia dhe fati ynë i ftoi që të luanin rolin kryesor në historinë e Kosovës dhe të Kombit shqiptar.  Ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Bush për humbjen e bashkshortes, nënës dhe gjyshës tuaj dhe falënderimet tona për rolin që kini luajtur në historinë e Kombit shqiptar!

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Barbara Bush, Frank shkreli, Gjyshja e Amerikes, Lamtumire

“EDHE MURET KANË VESHË”

April 18, 2018 by dgreca

2 Protagonistet

Nga Frank Shkreli/

Disa ditë më parë gazeta Telegraf në Tiranë botoi një artikull të Z. Hyqmet Zane,   titulluar, “Kur shqiptarët dënoheshin se dëgjonin “Zërin Amerikës”, ku ndër të tjera ai tregon një rast bisede me një shok të tijin, në kohën e komunizmit: “Në darkë tek rrija me shokun tim, më tha me gjysmë zëri, “Ti e ke dëgjuar ndonjëherë “Zërin e Amerikës?”.  Shtanga, se mu kujtuan fjalët e xhaxhait, që askujt të mos i tregoja, por ndaj këtij shoku kisha një besim të madh dhe i thash “Ndonjëherë”.  Dhe ai mu përgjigj, “Edhe unë e kam dëgjuar, por bëj kujdes se edhe muret kanë veshë dhe mendohu para se të flasësh se çfarë thua”.  E mirëkuptova!”, shkruan Hyqmet Zane.

Si një punonjës dhe zyrtar i Zërit të Amerikës për tre dekada, përfshirë kulmin e luftës së ftohët, shpresoj që Z. Zane të mos ketë pësuar ndonjë pasojë, si përfundim se ka dëgjuar Zërin e Amerikës, madje edhe fshehtas.  Dihet se shumë shqiptarë të tjerë e kanë pësuar keq, jo vetëm se mund të kenë pranuar publikisht se dëgjonin Zërin e Amerikës, ose mund të jenë paditur se kishin bërë një gjë të tillë, por edhe për çdo deklaratë tjetër që mund të konsiderohej nga regjimi si kritikë ndaj Partisë komuniste ose udhëheqsve të “pushtetit popullor”.  Ishte një mësim i hidhur për shqiptarët, por dihej se spiunët ishin kudo, madje edhe në familje edhe atje ku nuk i shihje, as ku nuk i prisje, prandaj duhej kujdes – siç tregon edhe Hyqmet Zane në shkrimin e tij të lartë përmendur botuar në gazetën Telegraf – se ç’bisedoje bile edhe me miq e shokë të besueshëm, sepse edhe “Muret kanë veshë” dhe si rrjedhim do e merrte vesh Sigurimi dhe  partia dhe do e pësoje rëndë — për një fjalë goje – shpesh pa hak, as hile.

Kanë kaluar pothuaj 30-vjet nga shëmbja e Murit të Berlinit.  Në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qëndrore, gjatë viteve janë kujtuar krimet e komunizmit dhe janë ndërtuar muze dhe monumente kushtuar viktimave të komunizmit, ndërkohë që janë marrë masa për ndriçimin e krimeve të komunizmit. Nepërmjet datave të veçanta kombëtare dhe ndërkombëtare, kujtohen viktimat e komunizmit anë e mbanë Evropës.  Fatkeqësisht, gjatë gjithë kësaj periudhe, kjo nuk ka ndodhur në Shqipëri, e cila nuk ka reflektuar pothuaj aspak dhe asgjë mbi krimet e komunizmit dhe pasojat me të cilat përballet vendi gjithnjë.  Ndërsa ish-zyrtarë të lartë të regjimit komunist ende mund të gjënden në poste të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, nostalgjikët e regjimit komunist lejohen të marrin pjesë në aktivitete të sponsorizuara nga qeveria me fotografi të diktatorit Enver Hoxha, ndërkohë që autoritetet qeveritare ende nuk i kanë shqyrtuar siç duhet dosjet e ish-Sigurimit të shtetit– të pakën ato që kanë mbetur pa u zhdukur – dhe për pothuaj 30-vjet post-komunizëm në Shqipëri nuk janë  dënuar ende krimet e komunizmit, ashtu siç ka ndodhur në ish-vendet komuniste të Evropës. Ndërkohë, që të përndjekurit ose familjet e tyre 30-vjet pas komunizmit e ndjejnë veten si të huaj në shtëpinë e vet, pasi shumë prej tyre e konsiderojnë veten se janë lënë jashtë  proceseve politike dhe ekonomike që sjellë demokracia, duke zgjedhur të vetmen alternativë jetese – shpërnguljen nga vendi.

Jo vetëm të përndjekurit e regjimit komunist në Shqipëri, por e mbarë bota është e zhgënjyer nga mos veprimi i autoriteteve shqiptare në lidhje me përballimin e vërtetë dhe serioz të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj komuniste dhe janë përpjekur të bëjnë sado pak për të ndriçuar të vërtetën mbi krimet e komunizmit. Gjermania dhe ambasada e saj në Tiranë kanë qenë shumë aktive në këtë fushë, duke u përpjekur që përvoja e saj e përballimit me të kaluarën naziste dhe komuniste të përdorej si shëmbull nga shqiptarët, për tu përballur me të kaluarën komuniste edhe në Shqipëri.  Kohët e fundit, madje edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara iu bashkangjit një projekti në Shqipëri për të zbardhur të vërtetën mbi të kaluarën komuniste, duke mbledhur dëshmi nga qindra të përsekutuarish të mbijetuar të atij regjimi që kanë vuajtur tmerin në burgjet dhe në kampet e internimit.

Media të ndryshme, përfshirë edhe Zërin e Amerikës, kanë njoftuar kohët e fundit se Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit si pjesë e projektit të ri “Edhe muret kanë veshë”, ka filluar të mbledhë dëshmi gojore nga ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të regjimit komunist.

Projekti në fjalë drejtohet nga artistja kosovare, Alketa Xhafa Mripa, e cila solli përmes artit vuajtjet e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.  Këtë herë, ajo ka vendosur të hedhë dritë mbi historitë e të mbijetuarve të komunizmit në Shqipëri, ka njoftuar Zëri i Amerikës.  Në një intervistë me VOA-n shqip, ajo është shprehur se projekti që ajo kryeson, “Edhe Muret Kanë Vesh” synon të ngjallë debatin në shoqërinë shqiptare duke kujtuar heronjtë e heshtur të asaj periudhe, tregimet e të cilëve do të hidhen gjithashtu në një libër nga gazetarja Kristale Ivezaj Rama, pjesëtare e këtij projekti.  Sipas tyre, instalacioni — i cili është konceptuar të hedhë mbi mure thëniet e viktimave të komunizmit — do të shfaqet në shtatë qytete të Shqipërisë në datën 8 maj.  

2 Protagonistet

Dy protagonistet e projektit  “Edhe Muret Kanë Veshë”Alketa Xhafa Mripa dhe Kristale Ivezaj Rama duke u intervistuar nga Rudina Dervishi e Zërit të Amerikës/

E gjithë kjo veprimtari është tepër e vonuar — por më mirë vonë se kurrë — pasi shumë dosje janë zhdukur dhe shumë të përndjekur dhe vuajtës të atij regjimi kanë vdekur dhe me ta ka vdekur edhe një pjesë e historisë së vërtetë të burgjeve dhe kampeve të internimit në Shqipëri.  Fatkeqsisht, duket se ky ishte edhe qëllimi i qeverive post-komuniste në atë vend, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe kanë bërë minimumin në këtë drejtim, prandaj personat vendas dhe jashtë vendit, të dedikuar ndaj këtij projekti, meritojnë falënderimet tona dhe mbështetjen e shoqërisë shqiptare që t’ia dalin në këtë mision fisnik dhe patriotik.  “Ka ardhë koha”, ka shkruar ditët e fundit Profesori i nderuar dhe ish i burgosuri politik i regjimit enverist, nga viti 1946-56, Dr. Sami Repishti: “Edhe për ne me ba hapin e madh kualifikativ, me u ba “zot të vetëvetes”, me fillue tranzicionin tonë nga faza fëminore dhe logjika e saj, në atë të burrënimit me sensin e plotë të përgjegjsisë personale; me arrijtë fazën e jetës kur kërkohet zotënimi i plotë i pasioneve të errëta, dhe tentimeve satanike, efektet e të cilave shqiptarët i njohin shumë mirë. Ka ardhë koha “me qetësue bishën që kemi përmbrenda”.  Le të bajmë përpjekje me rindërtue modelin e karakterit të njeriut shqiptar, me nji kulturë që inkurajon identifikimin e “të metave tona”.   Kjo ashtë rruga ma e mirë me evitue tragjedi të reja në vendin tonë martir.  Identifikimi i “të metave tona” ashtë hapi i parë; hapi i dytë, ashtë identifikimi i “pikave të përbashkëta, dhe bashkëpunimi me të gjithë”.  Kështu mund të arrihet “pjekunia e shoqënisë shqiptare”!

Kjo pra është porosia e vlefshme nga shumë i nderuari dhe i respektuari dhe për më tepër nga një vuajtës i burgjeve famëkeqe të regjimit të Enver Hoxhës, Profesor Sami Repishtit, për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe për klasën politike post-komuniste të Shqipërisë në veçanti.  Ka ardhë koha “E burrënimit me sensin e plotë të përgjegjësisë…”

Si përfundim pra, në këtë mision të shenjtë, nismëtarët e projektit, “Edhe Muret Kanë Veshë”, meritojnë mbështetjen e autoriteteve qeveritare dhe shtetërore të Shqipërisë – ashtuqë më në fund, të pakën, të zbulohet dhe të pasqyrohet sadopak një pjesë e asaj historie të tmershme, nepërmjet dëshmive të mbijetuarve të kampeve të përqendrimit.   Nga ana e tyre, megjithë vuajtjet e tyre dhe krimet çnjerëzore ndaj tyre, të përndjekurit nuk kanë kërkuar kurrë hakmarrje as kurrfarë ndëshkimesh për torturuesit e tyre.  Kërkojnë vetëm drejtësi dhe që e vërteta të thuhet e të ndriçohet për brezat e ardhëshëm me shpresën që e kaluara të mos përsëritet më.   Ky duhet të jetë prioritet dhe përgjegjësi morale dhe kombëtare për autoritetet qeveritare dhe shtetërore të vendit.  Ka ardhur koha që autoritetet shqiptare — sipas fjalëve të një të persekutuari në kampet e përqëndrimit të Shqipërisë — që më në fund, “Të mos joshen me sorrat, por të fluturojnë me shqiponjat”, duke i dhënë këtij projekti ndihmesën që meriton dhe mbështetjen e nevojshme që i duhet – tani dhe në të ardhmen — ashtuqë që të dalë me sukses në zbulimin sado pak të pjesëshëm të së vërtetës mbi të kaluarën komuniste.

 1 Aprile

Prilli është përcaktuar si Muaji i Ndërgjegjësimit dhe Parandalimit të Gjenocidit, shënon përvjetorë të rëndësishëm për aktet e shumta të gjenocidit në shekullin e 20-të. Përkujtohen ata që u vranë në gjenocid dhe në vrasje masive në mbarë botën. Enver Hoxha ishte përgjegjës për 100,000 vdekje – ekuivalente me më shumë se një të tridhjetën e popullsisë së Shqipërisë. U prehshin ne paqe, Shpirtërat e tyre.  (Nga Facebook e Projektit, “Edhe Muret Kanë Veshë”

auto_dfdfffdfdfdfgd1523992016

(Nga Facebook e Projektit, “Edhe Muret Kanë Veshë”

  • Ish Drejtor i VOA per Euro-Azine

Filed Under: Featured Tagged With: edhe Muret kane vesh, Frank shkreli

SOT- DEBAT NE VATER: DEMOKRACIA NUK PRET

April 16, 2018 by dgreca

2 ElezBiberaj

TE PRANISHEM DR. ELEZ BIBERAJ DHE GAZETARI FRANK SHKRELI, AUTOR I LIBRIT”DEMOKRACIA NUK PRET”-/

1 ok Frank shkreli

Njoftohet komuniteti Shqiptar se të Shtunën, dt. 21 Prill 2018, Ora 11.00, në selinë e Vatrës, organizohet bashkëbisedimi “DEMOKRACIA NUK PRET”. I pranishëm autori i librit “DEMOKRACIA NUK PRET” , ish drejtori i Divizionit të Euro-Azisë në “Zërin e Amerikës”, z. Frank SHKRELI, folës: Drejtor aktual i Divizionit të Euro-Azisë të Zërit të Amerikës Dr. Elez Biberaj, Ish gazetari  i Zërit të Amerikës  Idriz Lamaj.  Seanca drejtohet nga Kryetari i Organizatës Pan-Shqiptare Vatra, z. Dritan Mishto dhe nga Kryeredaktroi i gazetës Dielli, z. Dalip Greca.

Përshëndetje të veçanta me këtë rast nga Prof. Sami Repishti, Profesor Nick Pano, Profesor Thanas Gjika dhe Akademik Jusuf Buxhovi, ndër të tjerë.  Pritet të marrë pjesë edhe Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Dr. Halim Kosova.

Nuk është thjesht një promovim, por një bashkëbisedim për fatet e Demokracisë Shqiptare dhe kontributin e Diaspores.  Bëhuni pjesë e debatit duke ardhur në këtë veprimtari të veçantë.  E para e këtij lloji.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Demo0kracia nuk pret, Dr. Elez Biberaj, Frank shkreli

SHQIPËRIA SI RUSIA?

April 10, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Sipas një sondazhi të kohëve të fundit në Rusi, rezulton se 57% e rusëve mendojnë se ish-diktatori sovjetik, Jozef Stalini ishte një “udhëheqës i mençur”.  Qendra e pavarur e sondazheve, Levada thekson se kjo përqindje në favor të Stalinit – në krahasim me të kaluarën — paraqet një mbështetje në rritje e sipër dhe në nivelin më të lartë deri tani në radhët e rusëve për ish-diktatorin sovjetik.  Thuhet se vetëm në 10-vitet e fundit, mbështetja për Stalinin ka shënuar një rritje prej 10%.  Njëkohësisht, sipas sondazhit të botuar me dje, pyetjes nëse ishin dakort me mendimin se Stalini ishte një “tiran brutal”, 62% thanë se po Stalini ishte i tillë, ndërkohë që 23 për qind u shprehën se nuk ishin dakort me këtë pikëpamje.1 enver stalinEnver-Stalin!/

I pyetur për reagimin e tij ndaj rezultatit të këtij sondazhi dhe si mund të shpjegohet mbështetja në rritje e sipër për Stalinin në radhët e rusëve, Z. Jan Rachinsky, njëri prej themeluesve të Grupit Memoriali për të drejtat e viktimave të komunizimit — i cili gjatë viteve ka dokumentuar spastrimet dhe krimet e komunizmit në Rusi – tha se kjo në të vërtetë pasqyron kontradiktat e politikës qeveritare të Kremlinit mbi Stalinin dhe trashëgiminë e tij.  Ai citohet të ketë thenë se, “Nga një anë, autoritetet qeveritare (ruse) kujtojnë viktimat e shtypjeve dhe krimet e komunizmit, por nga ana tjetër i ndërtojnë monumente Stalinit”, u shpreh ai për median.  Një tjetër aktivist dhe ish-kryetar i këtij grupi të respektuar, Arseny Roginsky, i cili ka ndërruar jetë dhjetorin që kaloi, citohet nga Evropa e Lirë, të ketë akuzuar autoritetet qeveritare ruse, se po përpiqeshin të shtynin dhe të izolonin kujtesën e krimeve të Stalinit, deri në, “periferitë më të largëta të ndërgjegjes.”  Është e vërtetë se vitet e fundit – sipas historianëve dhe kritikëve të Presidentit Putin – udhëheqsi aktual i Rusisë, ka ndërmarrë një fushatë për një rishikim të rolit dhe të trashëgimisë së Stalinit, me qëllim që të minimizohet roli i tij në krimet në masë, si “gabime” që janë bërë nga një udhëheqës i madh, sipas tij.

Le t’i kethehemi gjendjes aktuale në Rusi dhe në botë.  Pothuaj të gjithë ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politikës së jashtme, janë dakort se marrëdhëniet sot midis Kremlinit dhe Perëndimit, janë në nivelein më të ulët ç’prej Luftës së Ftoftë.  Kjo situatë e tensionuar, sipas tyre, rezulton si rrjedhim i okupimit rus të Krimesë së Ukrainës, mbështetjes së Kremlinit për separatistët rusë në pjesën lindore të Ukrainës, rolit rus në konfliktin e Sirisë dhe helmatisjes së një ish-spiuni rus në Britaninë e Madhe, muajin që kaloi.

Në të vërtetë, marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, aktualisht, janë aq të këqia, sa që këshilltari veteran i Presidentit Putin, Vladislav Surkov në një artikull botuar para dy tre ditësh në revistën “Global Affairs”, shprehet se Rusia ka hequr nga shpresat e saja prej shekujsh që të integrohet në Perëndim, ndërkohë që po përgatitet për një periudhë të re izolimi gjeopolitik, duke i dhënë kështu fund, “përpjekjeve të pafrutshme (prej katër shekujsh) për t’u bërë pjesë e qytetërimit perëndimor”.   Ai shkruan se mosmarrveshjet e vitit 2014 në lidhje Ukrainën shënuan fillimin e një periudhe të re, në të cilën Rusia do të “përballet me një izolim gjeopolitik prej 100, 200 ose 300 vjetësh?”, është shprehur këshilltari i Kremlinit.  Vladimir Putini pasi qe zgjedhur president i Rusisë për here të parë në vitin 2000 pat treguar shlnja angazhimi me Perëndimin, por shumë shpejt humbi durimin dhe filloi kritikat dhe mosmarrveshjet me Shtetet e Bashkuara, me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n, duke i akuzuar ato si armiqësore ndaj Rusisë.

Dikush ndoshta mund të pyes, po çfarë ka të bëjë kjo me Shqipërinë. E vërtetë se Shqipëria nuk është Rusia, por shihen disa paralelizma.  Edhe në Shqipëri, ashtu së në Rusi me mallin e rusëve për Stalinin, vitet e fundit është venë re një nostalgji e shprehur publikisht dhe e promovuar nga qarqe të caktuara për rolin dhe për trashëgiminë e diktatorit Enver Hoxha gjatë sundimit të regjimit të tij prej pothuaj gjysëm shekulli. Sikurë Shqipëria nuk ka halle të tjera që kërkojnë zgjighje te menjëhershme, kohët e fundit këtyre elementëve u janë hapur dyerë e dritare të televizioneve dhe gazetave shqiptare, ku këta apologjetë të regjimit enverist, madje arsyetojnë edhe ekzistencën e kampeve të përqendrimit – për gra, fëmij, pleqë e plaka — dhe për armiqtë dhe kundërshtarët e regjimit komunist, me zëdhënës si historiani Pëllumb Xhufi.  Me miq si Profesor Xhufi, të përndjekurit e regjimit komunist nuk kanë nevojë për armiqë.  Një shembull tjetër i kësaj prirjeje për të paraqitur Enver Hoxhën dhe regjimin e tij në një dritë më pozitive ishte edhe intervista e fundit e Mustafa Nanos me një gazetë të Tiranës. Mos harroni tani, kemi të bëjmë me “ajkën” shqiptare, me opinion-bërsit dhe me historianët që shkruajnë dhe interpretojnë historinë kombëtare.  Këta po i thonë brezit të ri të shqiptarëve, të cilët fatbardhsisht nuk e kanë përjetuar atë regjim se, “kampi i Tepelenës nuk ishte aq i keq”, e kam këtë nga CIA, pretendon historiani, sikur CIA e dinte më mirë gjëndjen atje se sa ata që vuajtjen në atë kamp. Shko, pyeti ata se sa i mirë ishte kampi i Tepelenës, Z. Xhufi.

Ndërsa Mustafa Nano, shprehet për gazetën Mapo, “për zhdukjen e pronës private, me fjalë të tjera shpronësimin, për vendosjen e pronës shoqërore mbi mjetet e prodhimit, e të gjitha këto nuk të mbajnë larg asaj që ndërtoi Enver Hoxha nën shembullin e Stalinit.  Vetëm izolimi e bunkerizimi ishin shpikje të Enver Hoxhës. Të tjerat i kemi peshqesh nga Marksi e Engelsi. Literally.”  Por kjo, na këshillon Z. Nano nuk e bën Enver Hoxhën anti-evropian, sepse ai “vishej allafranga”, përkundrazi shton ai, “Regjimi i Enver Hoxhës ishte europian. Ishte antikapitalist, por jo antieuropian e antiperëndimor.  E gjithë struktura edukative e asaj kohe nuk prodhonte antieuropianë. Përkundrazi, në një formë a në një tjetër e inkurajonte simpatinë për Europën. Vetë krerët e regjimit visheshin alla frënga. Madje, bazuar te veshja e te paraqitja e jashtme, Enver Hoxha ishte udhëheqësi më alla frënga i gjithë Lindjes komuniste,” shprehet Mustafa Nano.  Nuk di, atë qeshë, a të qajë! Për më tepër, në manifestimet zyrtare, ku kanë marrë pjesë autoritetet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shfaqen edhe fotot e diktatorit, ndërsa autoritetet zyrtare heshtin.  Keni dëgjuar që ndonjë zyrtar të ketë denoncuar shfaqje të tilla?  Ndoshta këta mendojnë si Mustafa Nano, që Enver Hoxha të ketë qenë pro-perëndimor!

Ok, pasi jemi tek zyrtarët, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë në një intervistë të kohëve të fundit me agjencinë e lajmeve Reuters është shprehur se, “Unë mendoj se është realiste që Shqipëria, dhe vendet e tjera të rajonit të bashkohen me BE-në në 10 vitet e ardhshme,” ka thënë Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati.  Shpresoj që deklarata e Ministrit të jashtëm të Shqipërisë të mos interpretohet si ajo më lartë e këshilltarit rus për një izolim të Rusisë prej 100, 200 ose 300 vjetësh. Por megjithkëtë, kjo deklaratë pasqyron një mungesë angazhimi serioz të Shqipërisë për antarësim në Bashkimin Evropian, që mund të çojë në një izolim gjeopolitik të saj dhe heret ose vonë, ta hedhë atë në prehër të Putinit dhe të Erdoganit.

 

Fatkeqësisht, përball kërcënimeve të Kryeministrit të Rama se në mungesë të përshpejtimit të proceseve të integrimit të vendit nga ana e BE-së, Shqipëria ka alternativa të tjera, përfshirë Rusinë, Turqinë, Kinën e të tjera — mundësitë, ndonëse të vonuara për një integrim të shpejt të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duken gjithnjë e më të zymta.

 

Nuk jam i sigurt nëse shfaqjet zyrtare dhe jo-zyrtare në Shqipëri për reabilitimin e Enver Hoxhës janë politika kontradiktore të pa koordinuara, apo janë përpjekje të bashkrenduara mirë për të minimizuar krimet e regjimit enverist deri në “periferitë më të largëta të ndërgjegjes,” ashtu siç po ndodhë në Rusi me krimet e Stalinit.   Koha do ta tregojë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, SHQIPËRIA SI RUSIA?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT