• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË KUSHTRIM PËR KULTURË!

February 14, 2018 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Ditët e fundit jemi dëshmitarë të një përplasjeje tjetër në Shqipëri – jo të një natyre politike kësaj radhe, megjithse çdo gjë është politikë në Shqipëri – por sikur nuk ka mjaft konflikte dhe përplasje politike e të tjera – ja edhe përplasja e radhës në fushën e kulturës, midis artistëve më të njohur të Shqipërisë, të udhëhequr nga shumë i njohuri dhe ndër më të talentuarit artistë të kombit, Robert Ndrenika dhe Ministrisë së Kulturës, të Kryeministrit Rama.  Ndonëse është e vështirë të merret vesh e vërteta pasi ekziston një mungesë e theksuar transparence dhe askush nuk di asgjë, është e pamundur që njeriu të qëndrojë indiferent ndaj kësaj dukurie të kohëve të fundit. Duket se shpërthimi i Robert Ndrenikës dhe Bujar Asqeriut dhe kolegëve të tyre ndodhi pasi më në fund u “mbush thesi” dhe nuk durohet më arroganca e vendimeve ose mos vendimeve që ndërmerr ose dështon të ndërmarrë kjo ministri gjatë viteve — në mbështetje të artit, kulturës dhe të identitetit shqiptar.  A nuk është ky misioni i saj?

Për të tërhequr vëmendjne e publikut ndaj ankesave të tyre, përfaqsuesit e artit dhe kulturës shqiptare kanë nënshkruar një peticion kundër vendimit të Ministrisë së Kulturës për të zhvendosur Teatrin Kombëtar.Por është e vështirë të mësohen faktet se çfarë e shtynë Ministrinë e Kulturës dhe qeverinë Rama të ndërmarrin një masë të tillë – pa konsultime me njerzit që preken drejtë për drejtë nga ky vendim – e që siç duket ka acaruar dhe alarmuar pjesën dërmuese të artistëve shqiptarë dhe një pjesë të shoqërisë.

Gjatë një diskutimi në njërin prej rrjetëve të televizionit shqiptar mbi këtë çështje parëmbrëmë, zevëndës ministrja e Kulturës dhe drejtori në detyrë i Teatrit Kombëtar nuk kishin asnjë informacion për këtë – njëri i binte çekiqit, tjetri patkoi — por duket se forca shtytëse për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar është ndërtimi i pallateve të reja në vendin ku qëndron sot ky teatër – është pra rezultat i një etjeje për më shumë pasuri, për fitime marramendëse, për dike.  Kjo është një vazhdimësi e tranzicionit ku arti dhe kultura dhe si rrjedhim edhe ata që përçojnë ketë veprimtari tek masat e gjëra të popullit, janë lënë pas dore dhe nepërkëmbur keq në periudhën e tranzicionit në Shqipëri. Shumë prej tyre fatkeqsisht janë larguar nga vendi.  Nuk e di se cilat janë meritat dhe të metat e ndërtesës aktuale të Teatrit Kombëtar — por a nuk meritojnë këta përfaqsues të kulturës shqiptare që të pakën të konsultohen dhe të kenë fjalën e tyre përsa i përket zhvillimeve të krijimtarisë së tyre të gjithanshme të zhvillimit shoqëror, shpirtëror dhe kulturor, tani dhe në të ardhmen – përfshirë edhe mjediset ku mundësisht do të zhvillojnë vepimtarinë e tyre?

Ndërtesat shumëkatëshe, sado të mahnitshme që të jenë — nuk janë simbole të thesarit të kulturës kombëtare as nuk janë monumente të identitetit kulturor kombëtar të shqiptarëve dhe as nuk përbëjnë arritjet që mund të ketë shënuar Shqipëria në fushat e zhvillimit shoqëror dhe shpirtëror. Sado krenarë që të jeni për shumëkatëshet e ndërtuara në Tiranë, arritjet dhe sukseset e një kombi nuk maten me ndërtesa të mëdha, madje as me rrugë të gjëra e të asfaltuara, por me krijimtarinë e pikërisht të këtyre përfaqsuesve të kulturës shqiptare që janë revoltuar nga njoftimi i fundit i qeverisë Rama për të zhvendosur Teatrin Kombëtar dhe të cilët me të drejtë kërkojnë që, të pakën, të dëgjohen shqetësimet e tyre, si artistë shqiptarë dhe si njerëz.  Siç është shprehur edhe Anton Harapi në librin e tij “Vlerë Shpirtërore”, “Zotërinj, njerëzit e bëjnë Shqipërinë dhe jo sendet. Virtyti dhe zotësia janë dinamoja e atdheut dhe jo motorat e makinat.  Fuqia dhe madhështia e atdheut nuk maten me barometrin e pasurisë, as me kompasin e dobisë, por me sasinë e njerëzve krijues në dituri e art, të plotësuar edhe me karakterin moral në jetën private dhe publike, sepse duhet ta dini zotërinj, nuk është sendi as atdheu që e bëjnë njeriun, por janë njerërzit që e bëjnë atdheun, që i ruajnë dhe i shtojnë thesaret kombëtare.”

Fatkeqsisht, gjatë këtyre 28 vjetë tranzicion, thesari i kulturës kombëtare shqiptare sa ka ardhur e varfëruar ndjeshëm, në të gjitha fushat, madje shumë ekspertë thonë se është në një gjëndje të shëmtuar.  Shoqëria shqiptare në përgjithsi, përfshirë institucionet politike do bënin mirë që më në fund të lënë mënjanë deklaratat bombastike ofenduese kundër artistëve të kombit – dhe ashtu siç ka shkruar edhe Anton Harapi për një situatë të ngjashme në kohën e tij — të ndëgjojnë seriozisht dhe pa inate, “Gjamën e shpirtit të disa shqiptarëve vërtetë fisnikë, të cilët duke u lartësuar mbi këtë shëmtim, mbërrijnë aty ku janë vlerat e visaret e jetës njerëzore e shqiptare dhe me të tëra ndjesitë nuk flasin, por si vigaj ulurojnë.   Zëri i tyre është kushtrimi për kulturën e shpirtit shqiptar”.  Ky zë kushtrimi duhet të dëgjohet, të përfillet dhe të mbështetet nga mbarë shoqëria.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, NJË KUSHTRIM, PËR KULTURË!

DIASPORA SHQIPTARE DHE PERKUJTIMI I 500 VJETORIT TE SKENDERBEUT NE ROME

February 8, 2018 by dgreca

 

1 Monum Skenderb Rome1 sheshi Sh Pjeter arbereshet1 Shqip e amerik rom1 shqip Rome2 Salla e Kumtesave

SI E SHËNOI DIASPORA 50-VJETË MË PARË NË ROMË, 500-VJETORIN E VDEKJES SË GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBE/

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Siç dihet, viti 2018 është shpallur nga qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës, por edhe nga Kisha Katolike në trevat shqiptare dhe në diasporë, si viti i Gjergj Kastriotit Skendërbe. Janë mbajtur disa manifestime dhe është në plan të zhvillohen programe të ndryshme kulturore, akademiko-shkencore dhe ceremoni të tjera përkujtimore, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe anë e mbanë botës ku ka shqiptarë — gjatë gjithë këtij viti.  Këtu në Shtetet e Bashkuara ky përvjetor është shënuar ditët e fundit nga diaspora me simpoziume në Nju Jork dhe në Detroit ku kanë marrë pjesë një numër studiuesish dhe historianësh të njohur nga Shqipëria, nga Kosova dhe diaspora, për të shënuar këtë përvjetor me rëndësi historike.   Në këto simpoziume kanë marrë pjesë shqiptarët e diasporës pa dallim feje a krahine. Ashtu siç janë bashkuar gjithëherë për raste të tilla, ashtu u bashkuan edhe tani për të kujtuar heroin e tyre kombëtar, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes.

Është kjo pjesë e një tradite që diaspora, gjatë shekullit të kaluar e deri në ditët e sotëme, megjithë mjetet e kufizuara për të shënuar përvjetorë të tillë kombëtar – është përpjekur të kremtojë rregullisht datat historike dhe herojtë kombëtarë të shqiptarëve.  Shënimi këtë vit i 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut na sjellë në kujtesë 500-vjetorin e Skenderbeut dhe ceremonitë e simpoziumet që u organizuan nga diaspora shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.  Ishte pikërisht, 50-vjetë më parë që diaspora shqiptare qe bashkuar në Romë dhe në Vatikan për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Kryetrimit të Kombit shqiptar dhe të veprimtarisë së tij epike.  Me ndihmën e Vatikanit dhe Papa Palit të VI, të Arbëreshëve dhe të diasporës shqiptare të njohur në Romë në atë kohë, përfshir Profesor Ernest Koliqin dhe të tjerë shqiptarë të dalluar mërgimtarë nga të gjitha trojet shqiptare — të gjithë të bashkuar në Romë dhe në Vatikan – i treguan botës dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e vet për historinë kombëtare duke nderuar Fatosin e tyre të Madh.   500-vjetori i Vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe ishte gjithashtu një rast që vuri në dukje edhe respektin e Vatikanit për Heroin e Shqiptarëve dhe për kombin shqiptar në përgjithësi, gjë që u pasqyrua në pritjen entuziaste që iu bë shqiptarëve në vitin 1968 në Vatikan nga Pali Pali i VI, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit kombëtar të shqiptarëve.

Shqiptarët — përfshirë një grup të madh të diasporës shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga organizata pan-shqiptare Vatra që u prinin Peter Chicos dhe Anthony Athanas, kishin shkuar në Romë për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit — nga të gjitha anët e botës, përveç Shqipërisë komuniste të asaj kohe.  Në një frymë vërtetë kastriotjane bashkimi kishin vajtur në Romë arbëreshët e Italisë, shqiptarë nga Kosova, mërgimtarë nga Evropa, Australia dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ishin këto festime e kujtime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan, ku mërgimtarët e ri të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20, u bashkuan me arbëreshët të cilët ishin detyruar nga otomanët të largoheshin nga trojet e tyre, pesë shekuj më parë.  U bashkuan në Romë dhe në Vatikan për një takim vëllazërimi, rreth heroit të tyre kombëtar, pa dallim feje e krahine — ashtu si ishte dikur dhe si duhet të jetë edhe sot – të bashkuar — ashtu siç i do shqiptarët Gjergj Kastrioti – Skenderbe.  Revista Shëjzat e botuesit Ernest Koliqi — e cila i kishte kushtuar një numër të tërë prej 250 faqesh me një përshkrim të gjatë ceremonive me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut– shkruante se pjesëmarrja e diasporës shqiptare në Romë me atë atë rast nderoi botërisht, Shqipërinë dhe Fatosin e saj Gjergj Kastriotin – Skënderbe.  “Të huajt e ardhun nga katër anët e dheut çmeriteshin në atë shesh tue shikue ato vargje të ndritëshme shtegtarësh që ngitshin të dalun nga prehni i mesjetës, nga XV qindvjet i cili njofti lavdinë e Kruetanit të Madh.  Pyetshin plot kureshtje se kush ishin ata burra e ato vasha. Emni i Shqipnisë e i Kastriotit tringulloi si za burije atë ditë në gojën e mija turistave ndërkombëtarë” do të shkruante Ernest Koliqi, në numrin e posaçëm4-6, 1968 të Shëjzave, kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar.  Koliqi e ka cilësuar pjesëmarrjen e Vatranëve dhe të tjerëve nga diaspora e Amerikës si një prani që ua “shtoi shkelqimin kremtimeve”.   “Hijet e madhnueshme të Fan Nolit e të Faik Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë në radhët tona kryesinë vatrane, që në këto kohëna të turbullta përpiqet të ndjekë gjurmët e mëdha të atyne dy patriotëve të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës.  Kishim përshtypjen se drita e agimeve të Rilindjes atë ditë po reshte mbi bashkimin e Arbershve me Shqiptarë.   E bashkë me atë dritë edhe rrezja e bekimit të Perendisë”, ka shënuar Koliqi në kronikën e botuar në revistën e tij Shëjzat.   Në kronikat e Shëjzave për kremtimet e 500-vjetorit të Skenderbeut, përmenden disa prej emërave më të dalluar të diasporës shqiptare të asaj kohe në Amerikë, të cilët kishin marrë pjesë, si përfaqsuesit e lartë të Vatrës, Anthony Athanas e Peter Chicos, por edhe shkrimtari i njohur Nexhat Peshkëpia, Dr. Hamdi Oruçi, Selahudin Velaj, Adem Hodo shkrimtari Nelo Drizari, ndër të tjerë.   Nga Evropa dalloheshin, Princi Ferdinando-Castriota-Scanderbeg, Dhimitër Berati,  Profesor Ernest Koliqi, At Zef Valentini, Gjen. Zef Serreqi, Profesor Namik Resuli, major Rrok Nallbani, dr. Ragip Frashëri, dr. Ismail Verlaci, profesorët Abas Ermenji, Vasil Andoni e Zef Pali, Sulejman Meço, Kap. Ndue Gjomarkaj, dr. Luigj Zanga e poeti Martin Camaj.   Ndër pjesëmarrës të tjerë dalloheshin edhe personalitete të diasporës së atëhershme, të dëbuar, të arratisur ose të ndaluar të këtheshin në atdhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ishin edhe Ahmet bej Resuli, Nexhmedin Vrioni e Ekrem Telhajn, prof Giuseppe Gardilone, Omer Fortuzi e Aslan Zeneli, Tahir Zajmi si dhe Lin Shkreli dhe piktorët Ibrahim Kodra e Lin Delija.   Ndër klerikët dalloheshin, Dom Prenk Ndrevashaj, At Daniel Gjeçaj, At Jak Marlekaj, At Ambroz Martini, At Paulin Margjokaj dhe At Vinçenc Malaj, e shumë e shumë pjesëtarë të tjerë të njohur të diasporës shqiptare, të mbledhur të gjithë së bashku në Romë, me gjithë ndryshimet e tyre politike që ekzitonin midis tyre.  Por ata u bënë së bashku me atë rast për të shënuar Krye Heroin e Bashkimit Kombëtar të Shqiptarëve.  Unë kam pasur fatin të njoh disa prej këtyre personaliteteve shqiptare dhe mund të them se në gjykimin tim modest, ishin ajka e Kombit shqiptar dhe se çdo komb do krenohej me njerëz të tillë.   Kombi i tyre, fatkeqsisht, i konsideron gjithnjë, shumë nga këta, si “kolaboracionist” dhe “surretër”.

Në kronikën e revistës Shëjzat thuhet gjithashtu se mallëngjim dhe ngushullim të veçantë shkaktoi, ndër pjesëmarrësit në kremtimet kastriotjane, prania e një grupi të madh bashkatdhetarësh mërgimtarë, ndoshta më pak të njohur, por aspak më pak patriotë — të udhëhequr nga Dom Prenk Ndrevashaj, i cili kujdesej për fatin e tyre.  Ata, që vitet e fundit kishin lënë Atdheun për të shpëtuar nga dhuna komuniste, u bashkuan me mergimtarët Arbëreshë të cilët kishin ikur nga Shqipëria 500-vjetë më parë për t’i shpëtuar dhunës otomane.  Thuhet se aty në Vatikan — për herë të parë — u bashkuan dy mërgatat shqiptare, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe.

50-vjetë më parë në Romë, ishte Gjergj Kastrioti- Skenderbe, Ai i cili bashkoi shqiptarët e të gjitha ngjyrave politike me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Krye Trimit të shqiptarëve.   Ishte pikërisht, 50-vjet të shkuara që u bashkuan shqiptarët e diasporës rreth Gjergj Kastriotit, i cili ashtu si në kohën e tij, Ai pat bashkuar princat shqiptarë në luftën kundër hordhive otomane dhe armiqëve të vendit.  Po sot, me rastin e 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit-Skenderbe — të pakën në vitin e shpallur si viti i Skenderbeut – a do të mblidhen “princat” aktual të shqiptarëve që të kremtojnë dhe të veprojnë bashkarisht, në mbështetje të interesave madhore të Kombit?

Filed Under: Featured Tagged With: 500 vjetori, diaspora shqiptare, Frank shkreli, i Vdekjes se Skenderbeut

AT GJERGJ FISHTA: “MBRETI I POETËNVET SHQIPËTARË”

February 1, 2018 by dgreca

1-frank-300x2121 at gjergj Fishta Liber1 Fishta 2

Nga Frank Shkreli/

Kështu e kishte cilësuar At Gjergj Fishtën Lefter L. Dilo, publicisti, historiani, studiuesi e muzeologu i njohur gjirokastrit në një artikull të titulluar “Patër Gjergji – ‘Mësues i të gjithë Shqiptarëve’, botuar në vitin 1941, në një botim të posaçëm përkujtimor, ku u botuan, pas vdekjes së Poetit Kombëtar, kujtimet   dyzina shkrimtarëve dhe njerëzve të njohur të kulturës së asaj kohe — vendas e të huaj — të cilët e kishin njohur dhe që kishin bashkpunuar me At Gjergj Fishtën, gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij.

Kjo përmbledhje e shkurtër dhe e rastësishme që pason, e artikullit të Lefter Dilos kushtuar At Gjergj Fishtës — them e rastësishme pasi nuk lidhet me ndonjë përvjetor ose datë të veçantë — është vetëm një kujtesë tjetër për ne sot, pas pothuaj 80-vjetësh të ndarjes nga kjo jetë e Fishtës, se ç’mendonin bashkohasit e tij për ‘të si person, si patriot dhe si shkrimtar e poet i Kombit shqiptar.  Ja vlenë që vlerësimet e bashk-kohasve të Fishtës, të cilët e kishin njohur shumë mirë atë, t’i kujtojmë nga koha në kohë dhe të marrim frymëzim se si duhet të nderohen burrat e Atdheut, si At Gjergj Fishta – emrin e të cilit regjimi komunist i Enver Hoxhës e zhduku (së bashku me eshtrat e tija, fati I të cilave nuk dihet as sot) nga kultura, letërsia dhe nga historia e Kombit Shqiptar.  E sidomos në një periudhë të ashtuquajtur demokratike, post- komuniste, ku edhe entet dhe institucionet zyrtare të shtetit shqiptar siç është Ministria e Kulturës, qëllimisht e kanë lënë pas dore duke e hedhur në harresë.

Por sado që përfaqsuesit e “kulturës” së atyre, që janë sot në pushtet, duan ta lënë në harrresë Fishtën, bashkohasit e tij, si Lefter L. Dilo dhe të tjerë, nuk na lënë ta harrojmë atë as kontributet e At Gjergj Fishtës për të gjithë brezat e shqiptarëve – për kulturën, për letërsinë, për gjuhën dhe për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.   “E me të vërtetë, kush tjetër”, ka shkruar Lefter L. Dilo në vitin 1941, “Veç Patër Gjergjit mund të paraqesi më shumë punë mendore e më shumë aktivitet kultural se akutori i Lahutës së Malcis?  Si themelues i Gjimnazit Françeskan dhe si drejtor i gjithëherëshëm i Hyllit të Dritës, At Fishta u çqua kurdoherë dhe e bëri Gjymnazin, që ay vet e drejtoi për shumë kohë, një alma matter dhe Hyllin e Dritës një flamur e një fole përpjekjesh e mendimesh serjoze, një të përkohshsme, që nderon plotësisht botën intelektuale të Fretënvet të Kuvendit të Gjuhadollit.”

Lefter Dilo ka theksuar kontributin patriotik e kombëtar të At Gjergj Fishtës, duke shkruar se, “Mbreti i Poetënvet Shqiptarë, Patër Gjergji, qe i pari që vuri në shkollë gjuhën shqipe dhe dolli e mprojti me trimëri të drejtat e Kombit t’onë në çdo Konferencë ndërkombëtare dhe është i pari që me veprën e tij poetike i fali Shqiptarit epopenë, historinë e përpjekjeve të tij për liri.  Nuk mjafton vetëm derdhja e gjakut.  Luftat dhe peripecitë e një kombit të vogël, me kalimin e kohës harrohen, po të mos përjetësohen nga penda e shkrimtarit”, ka vlerësuar Llefter Dilo At Gjergj Fishtën, në shkrimin e tij në librin përkujtimor “At Gjergj Fishta –1871-1940”, botuar me 20 Tetor, 1941 në Milano.

“Jetën e popujve e bën të gjallë e të pavdekëshme talenti i Poetit, i cili me shkrimet e veta pasqyron të shkuarën e kombit dhe i siguron të arthëmen, sepse epopeja kombëtare siç është kjo e Poetit shkodran, do të ushqejë brez pas brezi djalërinë shiptare nepërmjet fuqisë së vet,” është shprehur Lefter Dilo.   “E me të vërtetë, kush mund t’i dalë përball diellit satirik të Patër Gjergjit e kush mund të prekte me kaq mjeshtri të metat tona të djeshme, si njerës, si qytetarë dhe si qeveritarë”, pyet Dilo dhe njëkohësisht përgjigjet: “Vetëm At Fishta, i cili sa qe gjallë punoi pa përtim, mund të quhet mësues i yni, sepse nuk jetoi në “kështjellën e fildishtë”, por u hodh me enthuasiasmë djaloshare nga një misjon në tjetrin, për të mirën e kulturës, e të racës shqiptare”.                                       ‘

Lefter Dilo tek kulla e sahatit të kalasë së Gjirokastrës ne vitin 1957

Lefter Dilo ka shkruar se megjithse kishte ndërruar jetë, Gjergj Fishta është i gjallë dhe më i flakët se kurrë, me veprën e tij e cila nuk do të vdesi kurrë, sepse sipas tij, “Kur me kalimin e kohës, familja shqiptare e mbledhur rreth e rrotull vatrës plot flakë, do të përmend emërin e fratit-poet, figura e këtij do të shkelqejë më me forcë, sepse ahere do të jenë zhdukur njëherë e mirë edhe vogëlsinat më të kota të njerëzvet.  Ahere, jeta e poetit do të bëhet më interesante e më e pasur në kujtime”, ndërkohë që Lefter Dilo ka shprehur shpresën dhe optimizmin e tij se, “Ndërtesa e Kuvendit t’Arrës së madhe, ku qendronte Poeti do të bëhet atëherë vend pelegrinazhi …sepse aherë banesa e Poetit do të jetë bërë muze, vend përmallimi për të gjithë Shqiptarët.”

Fatkeqsisht, Lefter Dilo do ishte sot shumë i zhgënjyer në Shqipërinë e ashtuquajtur demokratike, ashtu siç janë shumë shqiptarë kudo, se as sot e kësaj dite, pas pothuaj 30-vjet post- komunizëm, At Gjergj Fishta, të cilin ai e pat cilësuar si “Mbretin e Poetënvet Shqiptarë”, nuk ka një shtëpi muze as, “nuk shkëlqen me forcë” në Shqipërinë e tij post-komuniste.  Për Gjergj Fishtën asgjë nuk ka ndryshuar, sidomos në qarqet akademike dhe të kulturës zyrtare të Shqipërisë.  Fatkeqsisht, Gjergj Fishta dhe adhuruesit e tij duhet të presin edhe më gjatë ashtuqë, “familja shqiptare e mbledhur rreth e rrotull vatrës plot flakë”, të kujtojë, të nderojë dhe të përmend “Mësuesin e të gjithë shqiptarëve”, At Gjergj Fishtën, ashtu siç shpresonte Lefter Dilo në vitin 1941.

Sot, 28 vjet pas shëmbjes së diktaturës komuniste, për fat të keq, jemi dëshmitarë të një atmosfere konfliktuale të përhershme midis rrymave të ndryshme të kësaj klase politike post-komuniste, anë e mbanë trojeve shqiptare, që në dëm të të mirës së përbashkët, vetëm lufton për interesat personale dhe partiake ndërkohë që ka harruar krejtësisht – nëqoftse i ka pasur ndonjëherë në zemër — interesat kombëtare në përgjithsi dhe të drejtat dhe liritë e çdo shqiptari në veçanti. Sot, më shumë se kurrë, Kombi shqiptar ka nevojë për një “ndërmjetës” të autoritetit të At Gjergj Fishtës, mbasi për më shumë se 80-vjetë, shqiptarët nuk vepruan as nuk po veprojnë sipas idealit të tij atdhetar.  Të këtij burri të madh — që sipas At Benedikt Demaj, i cili shprehet në parathënien e librit kushtuar Fishtës e ku është botuar edhe artikulli i Lefter Dilos, Gjergj Fishta ishte “Gjithëherë i gatëshëm me vrapue aty ku e lypte nevoja për të shtrue themelet e patrandshme të nji idealizmi kombëtar, për të pri ndër luftime në mprojtjen e Kombit, për t’i gërshetue kunora lumnije racës mijëvjeçare shqyptare, gjakut të derdhun e flijeve të vuajtuna të Kreshnikëve të Kombit.”  Për këtë, At Gjergj Fishta meriton përmendore dhe muze, ashtu siç shpresonte Lefter Dilo, por për më tepër dhe mbi të gjitha, në këtë moment të rëndësishëm të historisë së shqiptarëve, nevojitet — ashtu siç i ka hije një kombi të qytetëruar — një bashkim i fuqive dhe i zemërave rreth idealeve kombëtare për të cilat veproi dhe të cilat At Gjergj Fishta i mbrojti dhe i kultivoi gjithë jetën e tij.  Dhe të “Zhduken njëherë e mirë vogëlsinat më të kota të njerzëve”, në lidhje me veprimtarinë dhe kontributin e At Gjergj Fishtës, do të këshillonte sot Lefter Dilo.

Filed Under: ESSE Tagged With: AT GJERGJ FISHTA: “MBRETI I, Frank shkreli, POETËNVET SHQIPËTARË”

GEORGE ORWELL :“ËSHTË NJË AKT REVOLUCIONAR TË THUHET E VËRTETA NË KOHË GËNJESHTRASH”

January 30, 2018 by dgreca

1 George Orwell”Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon kohën e tanishme, kontrollon edhe të kaluarën.” (George Orwell,”1984”)/

1-Frank-300x212 

Nga Frank Shkreli/

 Në janar të vitit 1950 vdiq Eric Arthur Blair (25 Qershor 1903 – 21 Janar 1950) ose siç njihej më mirë me emrin George Orwell, novelisti, gazetari, kritiku dhe eseisti britanik, i njohur për veprat e tija mbi padrejtsitë shoqërore, për kritikat letrare dhe si gazetar polemik, ndërkohë që është dalluar sidomos për kundërshtimet e tija të forta ndaj totalitarizmit si dhe për shkrimet në mbështetje të socializmit demokratik. 

Por Xhorxh Orwell njihet më së miri për dy veprat e famshme klasike, “1984” dhe “Ferma e Kafshëve”, të cilat BBC-ja i ka cilësuar si novelat më të njohura në botë, të shekullit 20.  Ndërsa gazeta Times e Londrës e ka renditur Orwell-in të dytin në listën e 50-shkrimtarëve më të njohur britanikë ç’prej vitit 1945.   “Ferma e Kafshëve” është botuar në vitin 1945, dhe vepra tjetër, “1984” është botuar katër vjet më vonë. Siç le të kuptohet edhe titulli, kjo vepër është një fabul i shkurtër politik, por i bazuar në një të ardhme imagjinare totalitare.  Si mbrojtës i vendosur i lirisë së individit, George Orwell luftoi të gjitha dukuritë dhe çdo formë shtypjeje.  Kjo frymë përshkon pothuaj të gjitha veprat e tija kryesore.

Siç dihet, në romanin e titulluar thjeshtë “1984”, Orwell-i përshkruan një botë të ndarë dhe të pëçarë në konflikt të vazhdueshëm.  Konflikti justifikon sundimin e fortë të qeverisë me qëllim për të kontrolluar dhe për të shtypur individin duke përdorur zhvillimin e shkencës dhe teknologjinë.  Orwelli përshkruan, në këtë vepër, një botë ku jeta private e individit pothuaj nuk ekziston më.   Ndërsa në veprën tjetër të famëshme, “Ferma e kafshëve”, George Orwell I ofron lexuesit një gjëndje të krijuar, ku kafshët, ndërsa heqin qafe pronarin e vjetër njerëzor të tyre, shpresojnë se në këtë mënyrë do të krijojnë një jetë më të mirë dhe më të kënaqshme për veten e tyre.  Por, ndërkohë një elitë tjetër politike, më e mençur, më mizore dhe në mënyrë të vet më e djallëzuar, vjen në fuqi — kafshët e tjera zbulojnë se janë katandisur në një gjëndje edhe më të pa shpresë se përpara, ndërkohë që sundohen dhe kontrollohen me të njëjtat mënyra mizore si më parë.   Në të vërtetë, “Ferma e Kafshëve” është një libër që përshkruan komunizmin dhe totalitarizmin në përgjithësi, jo vetëm në Rusinë e asaj periudhe kur jetoi Orwell-i – por ishte një model që duhej të adaptohej dhe në “fermat”, vendet e tjera komuniste.

Ndonëse sillej si anarkist në 1920-at, me fillimin e dekadës së 1930-ave George Orwell e konsideronte veten si socialist.  Si i tillë, ai shkon në Spanjë për të luftuar në anën e republikanëve, kundër forcave nacionaliste të Francos. Nga Spanja, ai u detyrua të largohej prej frikës se do të vritej nga komunistët e mbështetur nga sovjetët, të cilët po zhduknin kundërshtarët e tyre revolucionarë socialistë, siç ishte Orwell-i — gjatë luftës civile në Spanjë.  Kjo përvojë, sipas BBC-së, e bëri George Orwellin një anti-stalinist të përbetuar dhe të përjetshëm.  Si rrjedhim, “Ferma e kafshëve” e shkruar pas kësaj përvoje të keqe që Orwell me komunistët sovjetikë, është një novelë alegorike e cila pasqyron, sipas tij, ngjarjet nga periudha para Revolucionit Rus të vitit 1917 e deri tek sundimi i diktatorit Stalin i Bashkimit Sovjetik.

Orwell-i e konsideronte Bashkimin Sovjetik si një diktaturë brutale, e themeluar mbi kultin e personalitetit dhe e mbështetur nga sundimi i terrorit.  Derrat si karakterë kryesorë në novelën e tij, “Ferma e kafshëve”, përfaqësojnë udhëheqjen komuniste dhe pjesa tjetër e kafshëve në fermë simbolizojnë pjesë të ndryshme të shoqërisë ruse dhe se si ardhja me dhunë në pushtet e komunistëve në Rusi — kishte prekur jetën e tyre të përditshme.  Dy karakterët kryesorë të novelës — derrat “Napoleoni” dhe “Snowball” — që simbolizojnë Trotskin dhe Stalinin, janë të mbërthyer në një luftë politike, pasi secili prej tyre dëshiron të udhëheq të gjitha kafshët e tjera në fermë.  Më në fund, dy derrat kryesorë konfliktohen me njëri tjetrin se cili prej tyre duhet të ketë më shumë pushtet në fermën e kafshëve.  Më në fund, derri “Napoleon” thërret nëntë qentë e fermës që t’i vërsulen derrit tjetër kundërshtarit “Snoball-it” për ta përzen nga ferma.  Krye-derri “Napoleon” bëhet udhëheqsi numër një në fermë, anullon çdo mbledhje e konsultim dhe deklaron se këtej e tutje vetëm derrat, dhe jo kafshët e tjera, do të marrin të gjitha vendimet për të mirën e përbashkët, ndërsa deklaron se është mik i ngushtë i njerëzve.  Ndërkaq, kafshët që dëgjojnë deklaratën e krye-derrit, ashtu të konfuzuar, nuk dinë se cilët nga ata që gjënden mbrenda fermës, janë njerzit e cilat janë kafshët.

Sa aktuale aq edhe e dhimbëshme dhe tragjike!   Megjithatë, George Orwell nuk ngarkon me faj vetëm klasën sunduese politike për krijimin e një gjëndjeje të tillë si Ferma e Kafshëve në shoqëritë moderne, por edhe ata që e votuan në pushtet elitat politike sunduese, duke thënë se, “Një popull që voton për të zgjedhur politikanë të korruptuar, mashtruesë, hajdutë dhe tradhëtarë, ai popull nuk është viktimë, por bashkëpuntor i tyre”. (George Orwell).

Fatkeqsisht, është e pamundur që mesazhet politike dhe paralajmërimet (1984) e Orwell-it për fund shekullin e 20-ët, të shkruara fillim shekullin e kaluar të mos lidhen me jetën e sotme shoqërore pasi tingëllojnë aqë aktuale me politikën kudo – diku më shumë e diku më pak — përfshirë botën shqiptare.   Si të tilla, megjithse në mënyrë allegorike, (Ferma Kafshëve) veprat e Orwell-it, na kujtojnë gjithashtu edhe aktualitetin politik post-komunist, që po përjetohet sot, edhe në Shqipëri dhe Kosovë — ku shpresohej se me shembjen e komunizmit enverist dhe me çlirimin e Kosovës nga komunizmo-fashizmi serb –duke hequr qafe njëherë e mirë derrat e vjetër të “Fermës së kafshëve”, — kombi shqiptar do të krijonte një jetë më të mirë dhe më të kënaqshme për veten.   Fatkeqsisht, shqiptarët sot e gjejnë veten përsëri në një gjëndje të pa shpresë, megjithse në pushtet është një elitë tjetër sunduese, ndryshe nga ajo e më përparmja, ndonëse gjëndja mund të ketë ndryshuar shumë pak për shumicën dërmuese.  Për të cituar Orwell-n, parulla ka ndryshuar nga, “Të gjitha kafshët janë të barabarta”, në parullën se “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se tjerat”.

Një tjetër shembull, sa për ilustrim, një citim nga vepra “1984” e Orwell-t: “Tani po ua jap përgjigjen ndaj pyetjes time. Partia kërkon pushtetin vetëm për përfitime të veta.  Ne nuk jemi të interesuar për të mirën e të tjerëve. Ne jemi të interesuar vetëm të kontrollojmë pushtetin, pushtetin e vërtetë dhe asgjë tjetër.  Çfarë do të thotë pushtet i vërtetë, ju do ta kuptoni tani.  Ne jemi ndryshe nga oligarkitë e së kaluarës, për faktin se ne dijmë ekzaktërisht se ç’jemi duke bërë.   Të gjithë të tjerët, madje edhe ata nga të cilët kemi marrë shembull, ishin frikacakë dhe hipokritë.   Nazistët gjermanë dhe komunistët rusë ishin shumë afër nesh për nga metodat që përdornin, por ata nuk mundën kurrë të identifikonin motivet e tyre.  Ata silleshin, e ndoshta edhe besonin sikur kishin marrë psuhtetin pa dashur dhe pa vullnet dhe për një kohë të caktuar dhe se së shpejti do të krijohet parasja, ku njerzit do të jetonin të lirë dhe të barabartë.  Ne nuk jemi si ata.  Ne e dijmë se kushdo që merr pushtetin me forcë, bën një gjë të tillë me qëllimin për të mos hequr kurrë më dorë nga pushteti.   Pushteti nuk është një mjet për të arritur diçka por është qëllimi përfundimtar.  Nuk themelohet diktatura për të ruajtur revolucionin. Jo, revolucioni bëhet për të mbështetur e ruajtur diktaturën.  Qëllimi i përsekutimeve, janë përsekutimet.  Objektivi i torturës është tortura. Objektivi i pushtetit është pushteti. Tani, ke filluar t’a kuptosh?”. (George Orwell, “1984”).

”Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen. Kush kontrollon kohën e tanishme, kontrollon edhe të kaluarën.” (George Orwell,”1984”)

“Mënyra më efektive për të shkatërruar një popull është që atij t’i mohohet dhe t’i fshihet nga kujtesa, historia e vet.” (George Orwell)

“Për derisa njerëzit nuk janë të ndërgjegjëshëm, ata nuk do të rebelohen dhe pa u rebeluar, ata nuk do të bëhen të ndërgjegjëshëm.” (George Orwell, “1984”)

        George Orwell ka vdekur me 21 Janar, 1950 në Londër

Filed Under: Politike Tagged With: e verta, Frank shkreli, ne kohen e genjeshtrave

KUR FLITET PËR DIASPORËN

January 27, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1                                             

  Nga Frank Shkreli/*

Njoftohet se të mërkurën u zhvillua një takim midis tre ministrave të diasporës, të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Maqedonisë: zotërinjve Pandeli Majko, Dardan Gashi dhe Edmond Ademi.  Sipas një komunikate që lëshuan tre ministrat shqiptarë, pas takimit të tyre në Ohër, ata e konsideruan takimin e tyre, “Si një fillim i rëndësishëm për të nxitur veprim të përbashkët në forcimin e lidhjeve midis vendeve, në kuadër të procesit të integrimit euroatlantik”.

Ministrat nuk njoftuan asnjë plan “veprimi të përbashkët” ose bashkrendim nismash për të ardhmen, përsa i përket diasporës, me përjashtim që siç thuhet në komunikatë, “Ministrat ranë dakord të kryejnë vizita të përbashkta në SHBA, Gjermani dhe vende të tjera për të takuar komunitetet e diasporës”.   Në komunikatë thuhet gjithashtu se, “Ministrat përshëndetën vendimin e fundit të Parlamentit të Maqedonisë për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe si një akt që i jep kredibilitet bashkëpunimit të ngushtë midis tre vendeve.”   Nuk e kam krejt të qartë nga fjalët e përdorura në këtë komunikatë, por shpresoj që tre ministrat shqiptarë nuk i konsiderojnë shqiptarët nën Maqedoni, si pjesë e “diasporës”, ashtu siç nuk janë “diasporë” as shqiptarët në Kosovë dhe as shqiptarët që jetojnë në trojet e veta shekullore nën Malin e Zi, megjithse jetojnë jashtë kufijve të shtetit amë.  Dua të besoj se kur tre ministrat flasin për diasporë, ata e kanë fjalën për shqiptarët e përhapur anë e mbanë botës, për “gjakun e shprishur”, të detyruar të largoheshin nga vendlindja dhe trojet shekullore në Ballkanin Perëndimor dhe të vendoseshin, për arsye të shtypjeve dhe diskriminimeve politike dhe ekonomike – sidomos gjatë shekullit të kaluar – kryesisht në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara – dhe jo për shqiptarët që jetojnë në trojet e veta, gjysh pas gjyshi.

Sidoqoftë, krijimi i tre ministrive të diasporës është një vendim për t’u mirëpritur, ndonëse i vonuar dhe takimi i parë midis tre ministrave të diasporës këtë javë në Ohër, shpresohet të jetë një hap i rëndësishëm drejtë bashkrendimit të veprimtarive, por sukseset ose dështimet e veprimtarisë së tyre, veças ose të përbashkët, për diasporën, do të vlerësohen në muajt dhe vitet e ardhëshme. Mirëpritet fakti, që mbas më shumë se një çerek shekulli pas shembjes së komunizmit, më në fund Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia po i kushtojnë vëmendjen që meriton diasporës, të pakën me fjalë deri tashti.   Shpresoj që marrëdhëniet e tre ministrave me diasporën, të mos jenë politike, dmth reflektuese të politikave të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare — por të jenë patriotike, vëllazërore, mbarë kombëtare dhe njëkohësisht të rrinë larg influencave partiake të bosave të tyre politikë në Tiranë dhe Prishtinë, me qëllim që diaspora ose pjesë të diasporës të mos përdoren për qëllimet e tyre politike dhe elektorale, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën.  Fatkeqsisht, ashtu si më përpara, edhe vitet e fundit janë venë re prirje, nga përfaqsues një partie politike ose një tjetre, për të influencuar politikisht, individë ose grupe të diasporës, ose duke bërë diferencime, sidomos në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, në favor të një partie politike ose një udhëheqsi politik shqiptar.  Ka patur raste që udhëheqsit më të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës, gjatë vizitave të tyre në Amerikë, janë takuar vetëm me individë ose grupe të selekcionuara nga ambasadat e tyre dhe nuk kanë gjetur mundësi për takime me grupe gjithëpërfshirse të komunitetit.

Disa vërejtës janë shprehur se si përfundim i këtyre përpjekjeve nga vizitorët prej trojeve shqiptare, për tu takuar me individë dhe grupe të seleksionuara nga ambasadat, ndonjëherë edhe pa u njoftuar publikisht, dhe duke anashkaluar pjesën dërmuese të komunitetit – vitet e fudnit vihet re një çangazhim politik i dukëshëm, për të mos thënë një indiferentizëm i plotë i aktivitetit politik të komunitetit shqiptaro-amerikan.   Për hir të vërtetës, duhet thënë se ky indiferentizëm i atribohet gjithashtu edhe zhvillimeve negative politike të disa viteve të fundit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Zhvillime këto të cilat po pengojnë, në mënyrë të pakuptimt, integrimin e mëtejshëm të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike.  Nëqoftse shqiptarët janë ndër popujt më pro-perëndimor, atëherë pse udhëheqsit e shqiptarëve, pikërisht kjo klasë politike e sotëme, me grindjet dhe mosmarrveshjet midis tyre, me bëmat dhe të pa bëmat e saj gjatë çerek shekullit të kaluar, po pengojnë këtë proces, që shqiptarët kudo përfshirë ne në diasporë mendonim se është një proces i natyrshëm dhe si i tillë, duhej të kishte ndodhur shumë më heret.  Kjo, për fat të keq nuk ndodhi dhe po të marrim parasyshë grindjet aktuale politike, korrupsionin dhe problemet me drejtësinë, në Tiranë dhe në Prishtinë, as nuk ka gjasë të ndodhë së shpejti.  Një gjë e tillë demoralizon komunitetin shqiptaro-amerikan dhe ma merr mendja mbarë diasporën shqiptare kudo.  Kështuqë, ministrat e ri të diasporës shqiptare – nëqoftse me të vërtetë janë serioz për detyrën që kanë marrë përsipër dhe nëqoftse nuk do ta kalojnë kohën nepër darka e dreka në restaurantet e shqiptarëve në mërgim – i pret një punë e madhe për të bindur komunitetin se më në fund Tirana dhe Prishtina janë serioze dhe të sinqerta për të angazhuar diasporën pa dallim, për të mirën e përbashkët.  Lufta e dytë Botërore për mbarë botën ka marrë fund pothuaj një shekull më parë – me përjashtim të shqiptarëve të cilët gjithnjë mbahen peng prej saj.

Komuniteti shqiptaro-amerikan, historikisht, ka luajtur dhe duhet të luaj rolin në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në trojet e veta.  Në të vërtetë, ai ka luajtur rolin e ambasadorit më të mirë që mund të kishte kombi shqiptar.  Me vullnet të mirë dhe pa përzierje dhe ndërhyrje politike, me ndihmën e ministrave të ri të diasporës, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos brezi i ri, mund dhe duhet të riangazhohet përsëri në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, ashtu si në të kaluarën jo të largët. 

Ish- Sekretari Amerikan i Shtetit Xhon Kerry duke iu drejtuar përfaqsuesve të diasporës në Amerikë dy vjet më parë, është shprehur se “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtëme më gjithë-përfshirse. Komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi ose krizë në vendet e tyre të lindjes dhe përfaqsuesit e diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”.  

Këtë fakt e kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër – para tij ose pas tij – Presidenti i parë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  Të nderuar ministra të ri të diasporës, ju dëshiroj punë të mbarë, por nëqoftse me të vërtetë, ju dhe bosat tuaj politikë në Tiranë dhe në Prishtinë dëshironi angazhimin e diasporës dhe marrëdhënie më të mira me të, atëherë ndiqni shembullin e marrëdhënieve që kishte  dikur Ibrahim Rugova me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me diasporën në Evropë.  Periudha e 1990-ave mund të konsiderohet si periudha e artë e bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth një udhëheqsi që kishte besimin dhe respektin, jo vetëm të komunitetit shqiptaro-amerikan, por si rrjedhim siguroi shpejt edhe në radhët e zyrtarëve më të lartë amerikanë — respektin e namin si simbol i bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth kauzës së Kosovës, pa dallime politike, fetare a krahinore.  Gjatë krizës në Kosovë, influenca e komunitetit shqiptaro-amerikan në Uashington konsiderohej si më e fuqishmja pas Izraelit.

Kjo fatkeqsisht nuk ekziston më!  Lobimi i fuqishëm i shqiptarëve të Amerikës në Uashington gjatë 1990-ave dhe fillim-shekullin 21, është zëvëndësuar tashti me pagesa jo-transparente ose gjysëm transparente, prej qindra mija dollarësh dhënë kompanive lobiste amerikane nga udhëheqsit qeveritarë e partiakë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, vetëm për të siguruar ndonjë fotografi individuale me ndonjërin prej presidentëve amerikanë, për t’u përdorur për qëllime elektorale në vend.   Nevojitet pra një angazhim më i madh e më serioz se kaq për një partneritet të vërtetë alla-Rugovian me diasporën shqiptare, nëqoftse me të vërtetë — me ndihmën dhe bashkpunimin e të gjithëve — duam që Shqipëria dhe Kosova të jenë më në fund shtete të lira e demokratike, plotësisht të integruara në organizmat euro-atlantike.  Roli dhe angazhimi i diasporës shqiptare, në Amerikë dhe në Evropë është jetik, sidomos në fushën e politikës së jashtme – jo vetëm për përforcimin e marrëdhënieve me shtetet mike siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Aleancës Euro-atlantike, por edhe për fatin dhe mirëvajtjen afat-shkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar.  Kur flitet për diasporën, ambasadorë më të mirë se diasporën nuk keni.

***

NË EMËR TË “KOLABORACIONISTËVE” DHE “SURRETËRVE”

Nga Frank Shkreli *

I dëgjova kohët e fundit fjalët dhe komentet e Zotit Pandeli Majko (si edhe te Leskajt, Milos e te tjereve) ne lidhje me “kolaboracionistët” ose “surreter-it” siç u referohej Zoti Majko. U habita shumë dhe me të thenë të drejtën u zhgënjeva pa masë, pasi zotin Majko e kam takuar disa herë kur ishte kryeministër dhe ministër, gjatë kohës që unë punoja për qeverinë amerikane.  Dua të them kategorikisht që në fillim, se në çdo takim kur vinte për intervista tek Zëri i Amerikës më linte përshtypje jashtzakonisht pozitive, dhe me shtonte shpresat se ky njeri – falë moshës së tij të re – do te ishte një forcë pozitive jo vetëm për të reformuar Partinë Socialiste dhe për ta larguar atë nga e kaluara e saj e errët, por do sillte një erë të re bashkëpunimi e tolerance midis forcave te ndryshme politike të vendit.  Respekti im per Zotin Majko ishte shumë i lartë në krahasim me shumë udheheqës të tjerë politikë shqiptarë. Dëgjohej si zëri i arsyes.  Me kënaqësi me kujtohen fjalët  shpresëdhënse të Zotit Majko për të ardhmen e vendit, për demokracine dhe integrimin e Shqipërisë në organizmat euro-atlantike, përkrahja e tij për Kosovën, etj. Me kujtohen gjithashtu ankesat e tij në lidhje me politiken e vjetër dhe përfaqsuesit e sajë në politiken e sotme.

Prandaj e gjej shumë të veshtirë të besoj se komentet e Zotit Majko në lidhje me të përndjekurit, janë me të vertetë pikepamjet e tij apo një lojë politike që i përshtatet dikujt ne ketë moment.  Nëqoftse studenti i levizjes për demokraci, Zoti Majko mendon kështu dhe përdor të njëjtin fjalor që përdorte Enver Hoxha për kundërshtarët e tij politikë, çfarë mund të themi për të tjerët që ishin shtylla të regjimit komunist dhe mbajnë ende detyra kyçe ne sistemin e sotëm politik të vendit. Eshtë një gjë që të kesh shërbyer në një sistem si ai i Shqipërisë, pasi ashtu ishin rrethanat dhe duhej mbijetuar – por është krejtë një gjë tjetër që ta mbrosh atë sistem në menyrë direkte ose indirekte për përfitime politike të radhës. Jam i bindur se Zoti Majko dhe kolegët e tij e dinë se trajtimi i të përndjekurve ne Shqiperi, gjatë periudhës komuniste, nuk mund të krahasohet me trajtimin që u bëhej kundërshtarve të komunizmit në vendet e tjera të botës komuniste, me përjashtimin e vetëm ndoshta të Koresë së Veriut dhe Kinës gjatë revolucionit kulturor. Nëqoftëse komunizmi, sic thotë Zoti Majko, ka renë 20 vjet me parë, atehere pse përdoret kjo gjuhë komuniste në diskurset politike të sotme kur u bëhet referencë të përndjekurve e të vuajturve të ish-regjimit komunist brendha Shqipërisë dhe në diasporë? Pse Shqipëria, si asnjë vend tjetër ish-komunist e gjenë aq të vështirë të shkëputet nga e kaluara e saj?

Unë nuk jam njeri i polemikës dhe nuk dëshiroj të fillojë ndonjë debat me asnjë njeri, as nuk dua të debatoj meritat për shpërblime për të përndjekurit, pasi nuk jam ekspert për këte çeshtje, por pasi kam patur fatin e mirë që gjatë dyzet vjetëve të jetes time në Amerikë kam njohur dhe në disa raste kam punuar me njerëz të tillë që regjimi i Enver Hoxhës, e fatkeqësisht, edhe sot pas 20-vjetë demokraci, politikanët e ditës u referohen atyre si “kolaboracionistë” dhe “surretër”.  A mos vallë, Zoti Majko e kolegët e tij kanë në mend Pater Gjergj Fishten e Faik Konicen, vlerat e të cilëve shkelqejnë si hylli i dritës; apo Ernest Koliqin e Dr. Rexhep Krasniqin që i sollën shkollat e librat shqipe Kosovës, duke krijuar një elitë që shkolloi e mesoi brezat e ardhëshëm, apo klerikët e te tre feve te cilët u zhdukën nga një regjim që e pat shpallë veten me krenari “vendi i parë ateist në botë”, një politikë kjo pasojat e të cilës nuk do të fshihen për shume kohë.  Apo ndofta deputetët socialistë kanë në mend Mit’hat Frashërin që punoi aq shume për Kosovën, të cilen Enver Hoxha ia fali Serbisë – apo Abaz Kupin që luftoi kundër okupatorit fashist. Apo babain e gjyshin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, të cilët u vranë nga serbët, dikur aleatë të ngushtë të partisë komuniste shqiptare, apo mijera “ballistë” kosovarë që u vranë në  Tivar?

Nga ana tjetër, deputetët socialistë mund të kenë në mend si kolaboracionistë e surretër mijëra emigrantë politikë që u detyruan të largoheshin nga Shqipëria dhe Kosova pas ardhjes së komunizmit në fuqi, e të cilët u vendosen në perëndim. Ata, bijtë dhe bijat e tyre të cilët për dekada ruajtën identitetin dhe dashurinë e tyre për Shqipërinë dhe Kosovën, megjithëse të përbuzur e të përjashtuar nga vendi i tyre.

Ishin bijtë e bijat e atyre që Zoti Majko e koleget e tij socialistë i cilesojne si “surretër” ata që organizonin demonstratë pas demonstrate ne Washington e anë e mbanë Amerikës e Evropës perëndimore për të sensibilizuar opinionin zyrtar amerikan për fatin e shqiptarëve në Ballkan, në një kohë kur kjo e drejtë ndërkombëtare u mohohej atyre në truallin e vet.  Ishin bijtë e bijat e këtyre “surretërve” ata të cilët formuan ndër më të fortat grupe lobiste në historinë e Amerikës, në përkrahje të çështjes së Kosovës dhe të Shqipërisë. Dua t’ua sjell në mend të gjithë atyre që mund të kenë harruar – e sidomos politikanëve në Shqipëri ashtu edhe atyre në Kosovë – se ishin përpjekjet e kësaj klase të pasardhesve të “surretërve” që ndihmuan në menyrë vendimtare në demokratizimin e Shqipërisë, e që çuan në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, në çlirimin e sajë nga zgjedha serbe dhe më në fund në realizimin e ëndërres sonë shekullore – pavarësinë e Kosovës.

Me plot respekt ju garantoj Zoti Majko me kolegë,  se komuniteti shqiptaro amerikan – kryesisht pasardhës të “kolaboracionistëve” nuk i bëri këto përpjekje e pse jo edhe shpenzime marramendëse, as për kollltuk, as për ndonjë detyreë,  as për para – por vetëm e vetëm se në shpirtin tonë mbreteron dashuria për atdheun dhe kombin shqiptar, dashuri kjo që na e gërshetuan të parët tonë – të cilët na mësonin se megjithse Shqipëria sundohej nga komunistët, kundershtare të të cilëve ata ishin – nëqoftse ajo kërcënohej nga greku a sllavi, ata do të luftonin krah për krah me komunistët shqiptarë kundër okupatorëve të huaj. Këta “surretër” sic po i cilësoni ju zotëri na inkurajonin që gjithmonë të sillnim ujin në mulli të atdheut, duke u frymëzuar nga idetë dhe traditat shqiptare, e jo ato të huazuara nga armiqtë e kombit shqiptar.

Atdheu mbi të gjitha, na thonin ata. Prandaj nëqoftse politikanët shqiptarë të të gjitha ngjyrave duan te rimbëkëmbin kombin pas erresirës së gjatë komuniste dhe pas pavaresisë së Kosovës, ata duhet të krasisin degët e thata të lisit për t’i dhenë fuqi e frymë trungut të vjetër. Po deshtët të rimëkëmbet kombi shqiptar me një të ardhme të ndritur, atëherë duhet që perpjekjet e të gjithëve të jenë të bazuara mbi traditën e shëndosh kombëtare dhe në respektin për jetën dhe për të drejtat e barabarta të çdo shqiptari, pa dallim, sidomos pa dallime politike. Vetëm në këte menyrë do të bëhemi pjesë e botës perëndimore, pjesëtare e të cilës e ndjejmë veten.

*Autori i shkrimit është ish-drejtor i Zërit të Amerikës për Evropën dhe ish-nëndrejtor për ish-Bashkimin Sovjetik; si edhe ish-drejtor ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC).   Shkrimi është publikuar së pari në të përditshmen e Nju-Jorkut, “Illyria”, më 20 mars, 2009.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, KUR FLITET, per diasporen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 83
  • 84
  • 85
  • 86
  • 87
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT