• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTI TRUMP VIZITON EVROPËN – PËR TË DYTËN HERË

July 5, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do vizitojë këtë javë Evropën ku do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë të vendeve të Grupit të Njëzetshes (G-20) që do mbahet në Gjermani më 7 korrik.  Por, para se të arrijë në Hamburg të Gjermanisë për këtë takim, udhëheqsi amerikan do të vizitojë së pari Poloninë, dhe javën që vjen do të shkojë në Francë i ftuar nga Presidenti i ri atij vendi, Z. Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Bastijës.  Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, që njofton vizitën e Z. Trump në Paris, thuhet se Presidenti Trump pret që gjatë qëndrimit të tij atje, “Të riafirmojë lidhjet e forta të Amerikës me Francën”.

Normalisht, se çdo takim dhe vizitë që bën Presidenti i Amerikës, cilido qoftë ai, në cilindo qoftë vend dhe mbledhje ndërkombëtare, merr rëndësinë që bartë me vete prania zyrtare e udhëheqsit të vendit më të fuqishëm në botë.  Prandaj, vizita e planifikuar e Presidentit Trump në Poloni ka tërhequr vëmendjen e shumë ekspertëve evropianë dhe të medias në përgjithësi, se pse Z. Trump zgjodhi pikërisht për të vizituar Poloninë në këtë moment të historisë.

Në një deklaratë nga zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar, ndërsa u njoftua vizita e ardhëshme e Z. Trump në Poloni, thuhet se ai e, “Pranoi ftesën që i bëri Presidenti i Republikës së Polonisë, Z. Andrzej Duda për të vizituar Poloninë para takimit të nivelit të lartë të vendeve anëtare, G-20 në Hamburg të Gjermanisë.”   Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë për shtyp thuhet se, “Vizita do të riafirmojë angazhimin e patundur të Amerikës ndaj njërit prej vendeve aleate më të ngushta evropiane të Amerikës  dhe  vizita njëkohsisht do të nënvijojë përparësinë që Administrata Trump i kushton përforcimit të mbrojtjes kolektive të vendeve të NATO-s”.  Mëtej thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, mbi vizitën e shefit të saj në Poloni se, “Të dy udhëheqsit do të diskutojnë mbi një numër çështjesh dypalëshe dhe rajonale, duke thelluar në këtë mënyrë, marrëdhëniet   midis dy vendeve aleatëve, bazuar në vlerat dhe në interesat e përbashkëta.”

Pritet që gjatë qëndrimit të tij në Poloni, Presidenti Trump të mbajë një fjalim të rëndësishëm dhe njëkohsisht të marrë pjesë edhe në takimin e nivelit të lartë të vendeve që bëjnë pjesë në të ashtuqjuaturën, “Nismën e Tre Deteve” – një nismë kjo polako-kroate, që zhvillon punimet me 6-7 korrik në Varshavë — me qëllim që, sipas zëdhënsit të Shtëpisë së Bardhë, të “Demonstrohen lidhjet tona të ngushta me vendet e Evropës Qëndrore.”   Njoftohet gjithashtu se objektivi i këtij takimi dy ditorë në kryeqytetin polak, është promovimi i lidhjeve më të ngushta në fushën e energjisë midis vendeve të Evropës Qëndrore, nga Deti Baltik në veri e deri tek Deti Adritaik dhe Deti i Zi në jug.  Sipas Shefit të Sigurisë Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë, Z. H. R. McMaster, fjalimi i Presidentit Trump para këtij grupi, “Do të përqëndrohet mbi sigurinë e infrastrukturës energjetike”.  Sipas Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Z. McMaster, pritet që gjatë qëndrimit të tij në Varshavë, Presidenti Trump të takohet gjithashtu me Presidenten e Kroacisë, Z.njën Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe të mbajë një fjalim tek përmendorja e Kryengritjes së vitit 1944 në Varshavë, pikërisht në Sheshin Krasinki, ku do të “lavdëroi kurajon e Polakëve gjatë periudhave më të zymta të hsitorisë”.  Dihet se historia e shënon Kryengritjen e Varshavës si aktin më të madh të qendresës në Evropën e pushtuar nga nazistët në Luftën e dytë Botërore, kryengritje e cila u shtyp brutalisht ndërkohë që mbetën të vrarë më shumë se 200,000 polakë ndërsa   përfundoi edhe në shkatërrimin e qytetit.

Gjatë takimit të nivelit të lartë të vendeve anëtare të G-20 në Hamburg të Gjermanisë, sipas Shtëpisë së Bardhë, pritet që Presidenti Trump të takohet me disa prej udhëheqësve kryesorë të vendeve anëtare, përfshirë Kancelaren e Gjermanisë,  Z.njën Angela Merkel dhe Presidentin e Kinës, Z. Xi Jingping, ndër të tjerë – por takimi që ka nxitur interesim të madh, në të dy anët e Atlantikut – është takimi i planifikuar i Z. Trump me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin gjatë mbledhjes së G-20 në Hamburg.

Ndërsa, i ftuar në Francë nga Presdienti Emmanuel Macron, Z. Trump do të marrë pjesë në festimet e Ditës së Bastijës por sipas Shtëpisë së Bardhë ky rast do të përdoret gjithashtu për të përkujtuar 100-vjetorin e pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e parë Botërore, ndërkohë që ushtarët amerikanë do të parakalojnë së bashku me ushtarët francezë në paradën ushtarake që do mbahet në rrugën e njohur Champs-Elysees të Parisit. Sipas mediave evropiane dhe amerikane, në Hamburg të Gjermanisë kanë filluar demonstratat kundër takimit të nivelit të lartë dhe ndaj udhëheqësve pjesëmarrës në atë mbledhje.  Ndërkohë që vizita e Presidentit Trump në Paris pritet që të kalojë pa ndonjë demonstratë ose protestë, Presidentit Trump, sipas medias polake dhe evropiane, po i rezervohet një pritje madhështore të premtën në Varshavë.  Polonia, historikisht, ka pritur mirë gjithmonë vizitat e presidentëve amerikanë, por vizita e Presidentit Trump kësaj radhe, sipas ligjvenësit polak Dominik Tarczynski, “do të jetë absolutisht e madhërishme”, njofton gazeta amerikane Wall Street Journal.Është kjo një vizitë që është kërkuar dhe po promovohet me entuziazëm nga qeveria konservatore e Varshavës, e cila e ndjenë veten pak si të izoluar nga disa vende të Bashkimit Evropian, për arsye të qëndrimit të saj ndaj emigracionit, ndër të tjera. Polonia është shprehur qartë se është më afër qëndrimit të Presidentit Trump, përsa i përket imigracionit, sidomos imigracionit ilegal.   Por zyrtarët amerikanë tregohen më të përmbajtur në lidhje me këtë vizitë – me qëllim që ndoshta të mos zemërojnë aleatët e tjerë në Bashkimin Evropian – duke thënë se vizita e Presidentit Trump në Poloni, do të shërbejë mbi të gjitha, për të fuqizuar lidhjet transatlantike, përfshirë NATO-n dhe sipas tyre, për të mbështetur njërin prej aleatëve më të fortë të Amerikës.

Kjo është vizita e dytë e Presidentit Trump në Evropë. Sipas disa analistëve, vizita e tij e parë në kontinentin e vjetër nuk shkoi aq mirë dhe siç mund të pritej – ku ai mori pjesë në takimin e NATO-s dhe në mbledhjen e G7.  Si përfundim, pas asaj vizite, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrveshja (klimaterike) e Parisit mbi Mjedisin, gjë që shkaktoi kritika të ashpra nga udhëheqsit evropianë dhe të tjerë.  Gjatë takimit me udhëheqsit e vendeve të NATO-s gjatë asaj vizite, Presidenti Trump kritikoi ashpër vendet anëtare të aleancës së Atlantikut për mos përmbushjen e angazhimeve të tyre financiare ndaj aleancës, ose të dy përqindshit.  Gjatë vizitës së tij të dytë në Evropë këtë javë, Presidenti Trump do të takohet përsëri me shumicën e udhëheqsve evropianë, me të cilët është takuar gjatë vizitës së parë atje, plus do të zhvillojë takimin e parë me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.  Mbetet për t’u parë nëse vizita e dytë e Presidentit amerikan, Donald Trump në Evropë këtë javë, do të jetë më e suksesshme ose jo, në krahasim me vizitën e tij të parë në kontinentin evropian, të cilën ai vet e pat cilësuar si shumë të sukseshme megjithë kritikat që u bënë nga qarqe të ndryshme.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, per te dyten here, PRESIDENTI TRUMP VIZITON EVROPËN

KRYEMINISTRI RAMA DHE AT GJERGJ FISHTA

June 28, 2017 by dgreca

           I nderuar Z. Kryeministër Rama ka ardhur koha që kombi shqiptar të shkëputet njëherë e mirë, me vepra dhe me mendime, nga trashëgimia ideologjike dhe nga periudha e errët komuniste, duke i dhënë At Gjergj Fishtës vendin që i takon dhe që meriton në historinë e Kombit Shqiptar.  Shqipëria me At Gjergj Fishtën është Shqipëria që dëshiron Kombi shqiptar.  Pa ‘të Shqipëria është e mangët, siç shtë shprehur Namik Resuli dhe shqiptarët, pa ‘të janë më të varfër shpirtërisht dhe kombëtarisht.  Mbrojtës më të madh të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve nuk ka pasur kombi! Ka ardhur koha që si të të tillë ta njohë edhe historia./             

1 Fishta, Bumci, berati

Ne Foto: At Gjergj Fishta, Imzot Luigj Bumçi dhe Dhimitër Berati, Paris, 1919/

2 Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Me këtë poezi më poshtë të At Gjergj Fishtës — postuar në fejsbukun e tij — Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama falënderoi votuesit shqiptarë duke ju thënë atyre, “u rritë ndera”, për mbështetjen që i dhanë atij dhe Partisë që ai drejton, në fitoren e zgjedhjeve të së djelës që kaloi.  Janë këto vargje të përshtatshme të Poetit të madh kombëtar, që Kryeministri Rama ka zgjedhur për të falënderuar Shqipërinë dhe elektoratin e saj me këtë rast, duke  shprehur mirënjohjen e tij Shqipërisë me fjalët e Fishtës, “Për jetë të jetës të rrnoftë ty ndera.”

Nga Edi Rama Fejsbuk

AMARCORD

Dy fjale Shqipes due me ja rreshtue…

“Perëndija t’ fali i Amshueshëm,…
Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme:
N’ gjí  tand vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t’ a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.”

Përzgjedhja e këtyre vargjeve të At Gjergj Fishtës nga Z. Rama, në falënderim Shqipërisë dhe shqiptarëve për fitoren që i akorduan atij dhe partisë së tij në zgjedhjet e fundit, përkon me një përvjetor tepër të rëndësishëm fishtjan, ndonëse të harruar me qëllim, të historisë së kombit shqiptar – e që është përvjetori i fjalimit të famshëm të At Gjergj Fishtës, në Konferencën e Paqës në Paris me 28 qershor, 1919 mbi “Shqyptarët dhe të drejtat e tyne”.   Është ky një fjalim klasik i mbrojtësit më të madh të interesave kombëtare, Homerit të Kombit e të racës arbërore dhe Françeskanit të madh, At Gjergj Fishtës, që deri sot besoj se mbetet një fjalim i pashoqt  dhe i pa shembullt për temën që trajton, i.e. të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta.

Ishte fati i kombit që At Gjergj Fishta jetoi dhe veproi në një periudhë jashtzakonisht kritike për ekzistencën e shtetit shqiptar.  Ai iu përgjigj thirrjeve të atdheut, kudo e kurdo i kërkohej, me pendë e me gojë, t’i shërbente të mirës dhe dobisë së Shqipërisë.   At Gjergj Fishta është një përmbledhës i visarit shpirtëror të vuajtjeve, luftërave, mundimeve e përpjekjeve për liri, pavarësi e dinjitet njerëzor të kombit shqiptar, ndër shekuj. Në veprat e Fishtës çdo shqiptar mund të gjejë të pasqyruar fatin e vet dhe të Kombit në luftërat titanike për të mbijetuar.  Aty gjenë luftërat e mëdha të drangojve ose të luftëtarëve shqiptarë, në përpjekjet e tyre për t’i zbardhur faqën kombit në luftërat kundër kulshedrës ose armiqëve të Shqiptarëve.  Albanologu italian Fulvio Cordignano ka shkruar (në ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925) se “Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtjeje për tagre të veta, mësimit kombtar mbi mbështetjen e gjuhës kombtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar – ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme.  Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vegjël; këndon sa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh”, ka vlerësuar Fishtën, albanologu Cordignano, fillim shekullin e kaluar.

Këjo mënyrë “luftarake e një fuqie të pafrigueshme” të ideve të At Gjergj Fishtës vihet re më së miri — sidomos në kritikat  që Fishta i bën politikës së Fuqive të Mëdha karshi shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të kombit shqiptar — në fjalimin që ai kishte përgatitur për t’u lexuar në Konferencën e Paqës në Paris, më 28 qershor të vitit 1919.  Në atë fjalim, që është një mbrojtje e fortë dhe bindëse në mbështetje të të drejtave të kombit të “pa-përkulun” shqiptar,  At Gjergj Fishta, përveçse u “Difton se kush janë e shka janë Shqyptarët” përfaqsuesve të Fuqive të Mëdha në atë konferencë dhe cilat janë të drejtat e tyre, ai njëkohsisht i kritikon ato, përfshirë edhe Francën ku u mbajt fjalimi, për qëndrimin e tyre kundër lirisë, pavarësisë dhe të përcaktimit të kufijve natyrorë, gjeografikë dhe etnikë të kombit shqiptar në Ballkan.  “Prej brigjeve gjimuese t’ Euksinit e me borë t’ amshueme t’Alpeve Julje, prej bigave bumulluese t’Akrokeraunvet e më karma të thepisuna të Karpateve, ene’ rijme me gjak njerit, në ato kavaljetet e kalueme të vjetra — banonte si zotnija e juej mirë e din — ajo familja e madhe trako-ilire, në nam e në za, në histori të fisevet e të kombeve.”

Fishta vazhdon duke thënë se nga këjo familje e madhe trako-ilire, “Atje ndërmjet Thesalijet e Malit të Zi, prej brigjevet lindore t’Adriatikut e më stom të Vardarit, pshtoi gjallë nji grusht njerzish, që xanë vend a mbas murojet të do maleve titanike, a se nen hije të kandshme të disa fushave gratshore e të kërthnesta – banë e përmallueshme e hyjvet të moshës prrallzore – u ban ball me fuqi kurr të përkulme të shpirtit të vet bujar e thellimeve të kavaljeteve e padrejtsive t’hipokrizisë njerzore.”  At Gjergj Fishta, “me fuqi të pafrigueshme u sjellë ndër mend fuqive të mëdha se shqiptarët, “Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ene kta flasin atë gjuhën e të Parvet të vet ma të hershëm; ene e ruejnë të pandryshuem karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshavet të vet, e sot edhe punojnë shi njat tokë që punuan të parët e tyne prehistorikë.”At Gjergj Fishta, në fjalimin e tij, shprehet për vuajtjet e mëdha të shqiptarëve nën okupues të huaj gjatë shekujve, duke thënë: “Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë rromake; mbi ta po, u lëshue e irun mnijet e gjithmonë e pabesë sfinksa sllave; rresht për katër kavaljete të gjata i ra sypri boena e barbarsisë azjatike; por me gjith kta, ata nuk ndërruan njininë e vet kombtare, e as s’lshuan doket e idealet e veta” Ai u kujtoi atyre se, “Po, ky popull i papërkulun kurrë, ene gjindet atje mbi ato maje të thepisuna, mbi ato zalli të plleshme, ku të parët e tij prefshin rrasat për me ça me to rrashtat e anmqivet, a u epshin ujë pallavet të hekurta, për me shtrue me to mbarë botën nën kambë të nji Lekës së Madh…” Dhe vazhdon. “E mirë, pra, zotni të mij, ky popull asht njaj populli i vogël shqyptar, aq pak i njoftun e qa zi i gjykuem në Evropë. I vjetër sa fosilat, sa stalagtitat e shpellave jehuese të malevetë te veta vigane, e le të thuesh, prej vet bucet të Shqypnis, ai asht sot zot autokton e i pakundërshtim i tokve të veta.  Ene Sllavi s’kishte dalë prej breshtet t’Uralit, e ene s’kje njeshë e sodmja frotë laramane neo-elenike, kur Shqyptari korrte më zagna të Ballkanit edhe mbyllë e kishte nji periudhë të historisë së vet në moshë të rruzullimit. Kush para Shqyptarit ngau qetë sinjorevet të Ballkanit? Historinë e kemi aty, zotni të mij, që na flet kjartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a se gjysëm-zyrtare…”.

Fjalimi është tepër i gjatë për qëllimet e këtij shkrimi, por nevojitë të kujtohet si një fjalim që duhej të ishte lexim i detyruar në shkollat anë e mbanë trojeve shqiptare.  Është për tu lavdëruar fakti që Kryeminsitri Rama përmend Fishtën dhe që përdori vargjet e At Gjergj Fishtës për të falënderuar shqiptarët për votën e tyre, por kjo nuk mohon faktin e tmershëm se për më shumë se 75 vjetë, përfshirë çerek shekullin e post-komunizmit, emri dhe veprat e Fishtës, zyrtarisht, mbeten ende tabu për brezat e shqiptarëve, ndërsa emri i tij përdhoset ende nga pseudo- historianët dhe nostalgjikët komunistë shqiptarë.

Ish- Profesor Namik Resuli i universitetit të Napolit, në një fjalim në Romë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Fishtës ka thënë se, “Kontributi i çmueshëm që dha Fishta në laminë e letrave dhe në edukimin e kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë se Shqipnija pa Fishtën kishte për të qenë e mangët, ashtu si letrat tona pa penden fishtjane kishin për të paraqitë nji golle (boshllëk) të paplotsueshme.  Këndej del e qartë se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin që ai xen në panteonin e Kombit’’, ka shkruar Profesor Namik Resuli.

Ky përjashtim e mohim nga vet kombi i vet, të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat dhe interesat e tija, në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, është i papranueshëm dhe një përdhunim i historisë së shqiptarëve, nga një grup siç duket gjithnjë me influencë i Ministrisë së Kulturës në vendimarrje të tilla dhe nga historianë politikë të idoktrinuar, të cilët gjithnjë i referohen Homerit të Shqiptarëve me epitet më fyese të periudhës komuniste si  “fashist” e “tradhëtar”.  Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve shqiptare në lidhje me këtë çështje.  Kjo heshtje zyrtare nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian.

Gjatë viteve, unë kam i bashkangjitur zërin tim të vogël e modest, një kori zërash “ushtarësh të lodhur” të cilët gjatë viteve kanë bërë thirrje për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës, si monument kulture.  Ministria e Kulturës e qeverisë së juaj, Z. Kryeministër, gjatë 4 viteve të fundit, nën drejtimin e Ministres Kumbaro ka bërë veshët e shurdhët ndaj këtyre apeleve, duke treguar -me heshtjen e saj — arrogancën dhe njëanëshmërinë e preferencave të saja ideologjike, se cilat figura të kombit duhet të kujtohen e të nderohen, e cilat jo.

I nderuar Z. Kryeministër Rama ka ardhur koha që kombi shqiptar të shkëputet njëherë e mirë, me vepra dhe me mendime, nga trashëgimia ideologjike dhe nga periudha e errët komuniste, duke i dhënë At Gjergj Fishtës vendin që i takon dhe që meriton në historinë e Kombit Shqiptar.  Shqipëria me At Gjergj Fishtën është Shqipëria që dëshiron Kombi shqiptar.  Pa ‘të Shqipëria është e mangët, siç shtë shprehur Namik Resuli dhe shqiptarët, pa ‘të janë më të varfër shpirtërisht dhe kombëtarisht.  Mbrojtës më të madh të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve nuk ka pasur kombi! Ka ardhur koha që si të të tillë ta njohë edhe historia.

Filed Under: Featured Tagged With: DHE AT GJERGJ FISHTA, Frank shkreli, kryeministri Rama

ZGJEDHJET PËRFUNDUAN, PO TASH?!

June 26, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ja mori fund fushata elektorale në Shqipëri dhe në Kosovë.  Po numërohen votat dhe po shpallen fituesit. Çdo fushatë elektorale që përfundon me zgjedhje, ka fituesit dhe humbësit.  Fituesit gëzohen dhe humbësit, natyrisht, janë të zhgënjyer.  Disa janë të lodhur e e të mërzitur e të tjerët ndihen triumfues.  Këtu në Amerikë thonë se politika është një sport i ashpër. Ndeshja përfundoi dhe rezultatet zyrtare janë në proces që t’I njoftohen publikut.  Për gjithëçka ka një kohë dhe një stinë.  Ashtu ishte edhe stina e fushatës dhe më në fund e zgjedhjeve — si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Është ky një ushtrim që votuesi angazhohet, normalisht, çdo katër vjet ose edhe më heret, siç ishte rasti i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë,për të zgjedhur përfaqsuesit e vet.  Kjo stinë mori fund dhe së shpejti, bazuar në votat e hedhura nga shqiptarët për partitë e tyre të preferuara do të formohen qeveri të reja në Prishtinë dhe në Tiranë.  Në momentin e këtij shkrimi, duket se Partia Socialiste do të ketë numrin e mjaftueshëm të mandative për të krijuar e vetme qeverinë, ndërsa në Kosovë pritet të formohet një qeveri koalicioni, ose të mbahen zgjedhje të reja,  pasi asnjë parti e vetme nuk e ka numrin e nevojshëm të deputetëve për formuar qeverinë.  

Si për fituesit ashtu dhe për humbsit mori fund fushata u mbajtën zgjedhjet dhe po numërohen votat. Për mirë ose për keqë sovrani e tha fjalën e fundit.  Humbësit duhet të japin përgjegjësi për humbjen, ndërsa për fituesit, tani është koha për veprim, për cilën do qoftë parti ose ose koalicione partishë.

Si fituesit ashtu edhe humbësit e zgjedhjeve duhet ta dinë se ndonëse mund ta konsiderojnë veten si të tillë, ata janë pikë së pari qytetarë të një komuniteti më të gjërë e më të madh se sa pjesëtarë të një vathi të ngushtë të cilësdo partie politike qofshin dhe se para Zotit dhe para popullit, si fituesit ashtu edhe humbësit, të gjithë janë të barabartë.  Cilat do qofshin animet e juaja politike, fituesit të reflektojnë dhe të tregojnë përvujtëri dhe respekt në debatet dhe dialogjet e ardhëshme politike, qoftë në formimin e qeverisë së re, qoftë në konsolidimet e qëndrimeve politike për qeverisjen e shqiptarëve katër vitet e ardhëshme.  Gjëja që ka munguar këto 27 vjet, por që nevojitet tani është dialog dhe jo monolog midis palëve të ndryshme politike, nëqoftse ekziston dëshira për fuqizimin e kombit shqiptar, për një jetë më të mirë, në paqë dhe siguri për të gjithë shqiptarët dhe pa dallim.  Nëqoftse jeni të sinqertë me veten dhe me popullin shqiptar, madje edhe si fitues, duhet të relfrktoni seriozisht se diçka nuk po ecen siç duhet dhe se punët nuk po shkojnë mirë në Shqipëri, kur 56% e popullësisë do t’ia mbathte duke u larguar nga vendi, po të kishte mundësi.  Është ky një fakt që pasqyron jetën e përditshme të shqiptarëve e me të cilin nuk mund të mburret as Partia Socialiste e cila ka qeverisur vendin katër vitet e fundit dhe e cila duket se po shkon drejtë fitores së këtyre zgjedhjeve dhe as partitë e tjera të vendit.

Nëqoftse jeni fitues, të tregoheni modest dhe mirënjohës për besimin që u ka dhënë votuesi shqiptar.   Mos i mitizoni “arritjet” dhe “sukseset” tuaja sepse shqiptarët janë të vetdijshëm për gjëndjen e tyre.  Votuesi shqiptar është i vetdijshëm për situatën në të cilën gjëndet.  Ndoshta reagimi më normal i moskënaqësisë së i votuesit shqiptar karshi partive politike ishte pjesmarrja e ultë në zgjedhje.  Fitues e humbës: shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë janë të lodhur me një politikë grindavece e të përçarë, e cila vetëm mendon për vete dhe ruajtjen e kolltuqeve.  Mos e mendoni veten pra si Gjergj Kastriota, Isa Buletina, Ismail Qemala, Luigj Gurakuqa e Themistokli Gërmenja, sepse asnjë prej jush nuk jeni të tillë.  Po të kishit meritat e këtyre dhe të tjerëve patriotë të historisë së kombit shqiptar, Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar në përgjithsi, do ishin ndryshe sot nga gjëndja politike dhe ekonomike në të cilën e ka hedhur kombin kjo klasë politike.   

Shqipëria nuk është as e Partisë Socialiste, as e Partisë Demokratike, as e Levizjes Socialiste për Integrim dhe as e ndonjë partie tjetër politike, ashtu siç nuk është as Kosova pronë e PDK-ës, LDK-ës, AAK-ës ose VV-ës, e tjera.  Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të konsiderohen si Nëna e të gjithë Shqiptarëve, pa dallim dhe politika duhet të kujdeset për të gjithë.  Të gjithë shqiptarët dhe të gjitha partitë politike, anë e mbanë trojeve shqiptare – fituese ose jo në zgjedhjet e fundit — kanë të drejta dhe përgjegjësi kombëtare të barabarta.  Si të tilla dhe mbi të gjitha, për to duhet që të përcaktohen interesat kombëtare si prioriteti numër një për të gjithë, nga fituesit dhe humbësit së bashku – mbi ato të individit që përfaqëson partinë ose të partisë – dhe të tregohet angazhim serioz për të punuar drejtë realizimit të tyre, qofshi në qeveri qofshi në opozitë.  Ka mjaftë çështje politike dhe ekonomike e të tjera, të dorës së dytë, për të cilat pozita dhe opozita mund të debatojnë pa fund.

Por koha e fushatës dhe e zgjedhjeve kaloi. Morën fund gjithashtu edhe trumbtimet e sloganeve dhe e premtimeve boshe.  Tashti është koha që fituesit dhe humbësit në zgjedhje të punojnë për një Shqipëri dhe për një Kosovë, shpirtërisht dhe fizikisht integruese dhe gjithë-përfshirse për të gjithë shqiptarët – të një Shqipërie e Kosove me të vërtetë shqiptare.  Ashtuqë të gjithë bijtë e bijat e shqipes, pa marrë parasyshë pikëpamjet e tyre politike – do t’i konsiderojnë trojet shqiptare si çerdhe të nxehta për të gjithë pa dallim,  ashtuqë të ndalohen prirjet masive të emigrimit nga trojet shqiptare, që sot për sot, historikisht mund të jetë rreziku më i madh që i kanoset kombit shqiptar.  Masat e nevojshme që duhen marrë për parandalimin e këtij rreziku duhet të jetë prioriteti numër një kombëtar.  Sot për sot, interes më të madh kombëtar se ndalimi i zbrasjes së trojeve shqiptare nuk ka. Fituesve u është dhënë mandate që të punojnë, ashtuqë Shqipëria dhe Kosova të adhurohen nga vet shqiptarët dhe të respektohen ndërkombëtarisht, të zhvilluara politikisht dhe ekonomikisht, të integruara në organizmat euro-atlantike, me qëllim që të kufizohet emigrimi masiv i shqiptarëve në dhena të huaja.  Është ky një fenomen trishtues për të ardhmen e trojeve shqiptare,  ndërkohë që kënaqë lakmitë e armiqëve shekullorë të shqiptarëve të cilët historikisht kanë synuar një realizim të tillë madje edhe nepërmjet politikave ekonomike dhe ushtarake për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore.  Nuk ka interes as pasuri më të madhe kombëtare se populli shqiptar dhe mbrojtja dhe siguria politike dhe ekonomike e mirëqenjes së tij.

Se si të arrihet realizimi i këtij objektivi të zhvillimit ekonomik dhe politik për të cilin ëndërrojnë shqiptarët për më shumë se një çerek shekulli tani, është përgjegjësi e qeverive që do të formohen nga partitë dhe aleancat e dala nga zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe në Kosovë.  Cila parti ose koalicion partishë — me programet e tyre reale politike dhe ekonomike — do të përcaktojë rrrugën që do të ndjekin Kosova dhe Shqipëria gjatë katër viteve të ardhëshme?  Cilat do qofshin ato, vullneti i popullit shqiptar i shprehur nepërmjet votës së lirë pret nga kjo klasë politike, që më në fund, të përcaktojë rrugën dhe të zbatojë politika dhe programe për realizimin e idealeve dhe interesave të larta kombëtare.  

Përcaktimi dhe realizimi i interesave madhore dhe jetike të kombit, siç është ndër të tjera, edhe ndalimi i emigrimit në masë i shqiptarëve – nevojitë një harmonizim mbarë kombëtar të të gjitha partive politike pa pasur nevojë që të ndryshojnë identitetin politik të tyre.  Ka kaluar gjithashtu edhe koha kur për hallet e shqiptarëve fajësoheshin fatkeqësitë e ngjarjeve historike. Sot, ju jeni përfaqsuesit e zgjedhur të shqiptarëve dhe si të tillë jeni përgjegjës ndaj kombit dhe para historisë, për gjëndjen aktuale dhe për të ardhmen e brezave.  Kjo është koha e juaj për të vepruar.  Për ndryshe bëhet vonë.  Mos tash, kur?

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, PO TASH?!, ZGJEDHJET PËRFUNDUAN

VJET NË ROMË – SIVJET NË PRISHTINË

June 20, 2017 by dgreca

1 Golfi

Foto: Nje foto me pjesmarres ne  “Blue Hill Golf Course”, organizuar te Henen me 19 Qershor 2017(Foto nga fb i z. Marjan Cubi)/

Si çdo vit edhe sivjet u organizua grumbullim fondesh në Nju Jork, në një mënyrë tipike amerikane, sponsorizuar nga biznismenë të ndryshëm shqiptarë dhe amerikanë në fushën e njohur të golfit, “Blue Hill Golf Course” në Peral River. ….

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/Po bëhën përgatitjet e fundit për shugurimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, më 5 shtator, 2017.  Ishte me 4 shtator të vitit të kaluar që Papa Françesku shpalli të Shënjtë Nënë Terezën. Në përvjetorin e parë të shënjtërimit të Nënë Terezës do të ndodhë shugurimi i Katedralës që mban emërin e kësaj bije të madhe të kombit shqiptar, në kryeqytetin e Republikës së pavarur të Kosovës, në Dardaninë antike.  Janë nevojitur 10-vjetë dhe shumë fonde për realizimin e kësaj vepre madhështore fetare e kombëtare.

1 Ipeshkevi Gjergji

Në Foto:Ipeshkëvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji/

Një rol me rëndësi në grumbullimin e fondeve për ndërtimin e Katedralës së re në Prishtinë ka luajtur Kisha Shqiptare Katolike, “Zoja e Shkodrës” në Scarsdale të Nju Jorkut, si dhe komuniteti shqitaro-amerikan pa dallim feje a krahine.  Për dhjetë vjetë tani komuniteti shqiptar ka organizuar për çdo vit grumbullim fondesh për përfundimin e punimeve të kësaj vepre monumentale fetare, kulturore dhe kombëtare.  1 antoni ok 2

Ne Foto: Organizatori Anton Raja duke four gjate “Blue Hill Golf Course”(foto e derguar nag author i shkrimit)

Si çdo vit edhe sivjet u organizua grumbullim fondesh në Nju Jork, në një mënyrë tipike amerikane, sponsorizuar nga biznismenë të ndryshëm shqiptarë dhe amerikanë në fushën e njohur të golfit, “Blue Hill Golf Course” në Peral River.  Protagonisti kryesor dhe organizatori i kësaj veprimtarie është aktivisti i palodhur, Z. Anton Raja, i cili me shumë bashkatdhetarë të tij biznismenë, nga viti në vit, nepëmjet këtij aktiviteti, kanë grumbulluar fonde të konsiderueshme për të bërë të mundur përfundimin e punimeve në Katedralën e Prishtinës. Falë ndihmës së pa kursyeshme të shqiptaro-amerikanëve, shugurimi do Katedralës do të ndodhë me 5 shtator, 2017.1 Katedralja Prishtine

Në aktivitetin e këtij viti për grumbullimin e fondeve, që siç duket mund të jetë i fundit, në këtë format – morën pjesë klerikë të lartë të Kishës Katolike të Kosovës, përfshirë Ipeshkvin e Kosovës, Imz. Dodë Gjergji, Kryeipeshkvin e Tivarit, Imz. Rrok Gjonlleshaj, Arkipeshkvin e Tivarit në pension, Imz.Zef Gashi dhe Mons Lush Gjergji, të cilët iu bashkuan famullitarit të Kishës “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popajt dhe ndihmsit të tij Dom Viktor Dedaj për bashkmeshim në Kishën Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”.   Në emër të vizitorve të lartë  të ardhur nga trojet shqiptare, Imz. Dodë Gjergji përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi famullinë e Zojës së Shkodrës, siç u shpreh ai,  “Për angazhimin tuaj si famulli për të ndërtuar Katedralën e Nënë Terezës në Prishtinë ashtu edhe për organizimin e “Golf Outing, që vazhdon sa vite, e që nesër do të përpiqemi të bëjmë edhe këtë përpjekje të fundit për të mbledhur një kontribut për Katedralën Nënë Tereza, që do të jetë edhe kontributi i fundit i juaji.”   Imz. Gjergji theksoi se për këtë arrijtje, mbi të gjitha, duhet, “Të falenderojmë Zotin, që pas 10-vite pune, bashkpunimi e angazhimi, sakrificë, vuajtje, lëmoshë, bukën e fëmijve tuaj, drejsën e ballit tuaj dhe shumë e shumë lutje nga të gjitha anët e botës, kemi mbrrijtë të kemi një Shënjtore në Prishtinë.”

1 ok FrankNe Foto:Autori me Presidentin Ibrahim Rugova, 2005 me modelin — në krah të majtë të fotos — e Katedralës së ardhëshme në Prishtinë, që e mbante në zyrën e tij dhe për realizimin e së cilës fliste me plot entuziazëm./

Realizimin e këtij objekti fetar e kombëtar, Imz. Gjergji e cilësoi si një shpërblim nga i Madhi Zot për vuajtjet shekullore të të parëve tanë, duke iu drejtuar të pranishmëve, duke intonuar fjalët biblike të Moisiut: “A e mbani mend se sa kanë vuajtur të parët tuaj 600-vjet nën turk?  A e mbani mend se sa kanë vuajtur shqiptarët nën komunizëm?  A e mbani mend se si e ka shtrydhë  Zoti shpirtin tonë, vetëm që të shoh nëse e duam vërtetë me gjithë zemër?  Këto vuajtje, Zoti po i shpërblen në kohën e sotëme. Zoti po i këthen nderin dhe dinjitetin e vuajtjeve të të parëve dhe Kishës Katolike në popullin shqiptar”, theksoi Imzot Gjergji në predikimin e tij në Kishën “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, të djelën që kaloi.  Ai vazhdoi duke thënë se shpërblimi i Zotit mund të shihet në ringjalljen e fesë dhe të Kishës, duke theksuar se sot, pas më shumë se 100-vjetë të largimit otoman nga trojet tona dhe pas shëmbjes së komunizmit dhe 25 vjet post-komunizëm,  “Kemi 7 ipeshkvijë shqiptarë, në krejt trojet shqiptare, dy të posa emëruar ditët e fundit. Kemi një kardinal… ne kemi sot një Shëjtneshë.  Një Shëjtneshë që është nderi më i madh që Zoti na ka bërë neve, për vuajtjet dhe sakricifat që kemi pësuar ndër shekuj.”  Për këtë” nënvijoi kleriku i lartë katolik i Kosovës,  “Na ka shpëblyer Zoti çdo vuajtje, na ka shpërblyer Zoti çdo dhimbje të shpirtit. Na ka shpërblyer Zoti çdo sakrificë dhe gjakun e derdhur të martirëve me dashurinë e madhe që Nënë Tereza ka derdhur nepër botë, sepse Ai është zemra e popullit tonë, zemër bujare, e përvujtë dhe e dashur…“Ne për ta falënderuar Zotin”, vazhdoi udhëheqsi i Kishës Katolike të Kosovës, “kemi dashur t’i ndërtojmë Nënës Tereze një tempull, një shtëpi të shënjtë, një kishë… kemi dashur të kushtojmë një Katedrale Kishës në Kosovë dhe falendërojmë Zotin që ia kemi arrijtur këtij qëllimi”, tha Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

1 Tony Dovolani

Ne Foto”Tony Dovolani dhe Gezim Nika/(Dergoi per Diellin Frank Shkreli)/

Duke përdorur moton e vet, “Vjet në Romë –Sivjet në Prishtinë”, Imzot Gjergji në fund të predikimit të tij u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve që në përvjetorin e parë të shënjtërimit të saj me 4 shtator të vitit të kaluar, të vërshojnë në Prishtinë më 5 shtator për shugurimin e Katedralës kushtuar Bijës së Madhe të kombit, “Ashtu si jemi takuar në Romë me shumë prej jush dhe me shumë të krishtërë të botës, për të kremtuar Shënjtërimin e Nënë Terezës, ashtu sivjet do të takohemi në Prishtinë, për të festuar ditën e kushtimit të kësaj Kishe”.  Ai përfundoi duke iu lutur të pranishmëve dhe siç duket edhe shqiptarëve kudo, që të kuptojnë se shugurimin e Katedralës në Prishtinë, shtoi ai, “Do t’ia kushtojmë Nënë Terezës dhe aty do të themelojmë vendin e dashurisë dhe burimin e dashurisë së Zotit në Kosovë, në mënyrë që kush don ta ngjyjë shpirtin e vet, për t’a zbutur dhe kushdo dëshiron të gjejë dashurinë për të zhdukur urejtjen prej zemrës së vet.  Kushdo që dëshiron të jetë baba i mirë, nënë e mirë, njeri i mirë, të mund t’a gjejë në shkollën e saj të dashurisë.”

Si ide, ndërtimi i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë kishte filluar me vendosjen e gur-themelit më 26 gusht, 2005, ndërsa punimet për ndërtimin e saj filluan dy vjet më vonë.  Dihet se ndërtimi i kësaj Katedrale ishte dëshirë e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës dhe i shumë intelektualëve dhe udhëheqsve të vendit. Me rastin e vendosjes së gur-themelit Dr. Rugova kishte deklaruar se: “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin e Kosovës dhe më gjërë, ndërkohë që bekojmë gur-themelin e një tempulli, dedikuar Nënës së dashur të Shqipërisë, të Kosovës dhe Nënës së mbarë njerëzimit – të bekuarës Nënë Terezës.  Sa nder i madh për shqiptarët në Kosovë dhe anë e mbanë planetit, ku Nënë Tereza vërtetoi vlerat shqiptare duke ndihmuar mbarë botën”, është shprehur me atë rast, Dr. Ibrahim Rugova.

Mori kaq vite për ndërtimin e “përmendores së përmendoreve”, një monumenti që ngrit imazhin e shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve kudo.  Është gjithashtu edhe një simbol i qytetërimit dhe kulturës së vjetër arbërore e shqiptare në trojet dardane.  Si e tillë, kjo Katedrale është e të gjithë shqiptarëve pa dallim feje a krahine, të cilët kanë kontribuar për realizimin e këtij objekti fetar e kombëtar.  Në të vërtetë, në portalin e revistës Drita, organ i Ipeshkvisë së Kosovës thuhet se, “Katedralja është financuar përgjithësisht nga kontributi i besimtarëve katolikë, në vend dhe në diasporë.  Por nuk ka munguar as kontributi i individëve dhe grupeve shqiptare që nuk janë katolikë.   Angazhimi i gjithë shqiptarëve në ndërtimin e Katedralës është dëshmuar më së miri në New York, ku bashkëkombësit tanë nga Shqipëria, Kosova, Malësia, Maqedonia, Presheva e Bujanoci, Arbëreshët nga Italia, pa marrë parasysh fenë, katolikë, ortodoksë e myslimanë, të gjithë janë bashkuar në aksionin për grumbullimin e fondeve.  Gjithashtu, s’ka munguar edhe mbështetja e dioqezave katolike dhe miqve të tjerë nga Gjermania, Italia e ndonjë vendi tjetër”.  Thuhet gjithashtu se ishte dëshira e Imzot Dodë Gjergjit që fondet për ndërtimin e Katedralës në Prishtinë të mblidheshin, sipas fjalëve të tija, nga “njerëzit tanë”.   Imzot Gjergji, ka insistuar që “Katedralen ta ndërtojmë me kontributin e bashkëkëmbësve, sepse vetëm në këtë mënyrë do ta konsiderojmë pjesë vitale e jona dhe se ne — bijtë e bijat e saja — ia kemi ndërtuar këtë Kishë Shenjtëreshës sonë”, shtë shprehur Imzot Gjergji.

Kështu, Katedralja do të bëhet “shkollë” e dashurisë, shujtë e shpirtit terezian e arbëror-shqiptar, në të cilën qytetarët e Kosovës dhe vizitorë të vendeve të ndryshme, do të mësojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereza i mori ndër ne dhe i barti e i dëshmoi në mbarë botën, përfundon shënimi në portalin e revistës Drita mbi historikun e ndërtimit të Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë.

Le të jetë shugurimi i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë më 5 shtator të këtij viti, një ngjarje fetare po se po, por edhe një ngjarje kombëtare, që të pasqyrojë vlerat më të shtrenjta të kombit shqiptar dhe të historisë së tij të lashtë – por mbi të gjitha të forcojë edhe më shumë vlerat dhe të jetë burimë i vazhdueshëm i   bashkjetesës fetare për të cilën shqiptarët janë të njohur me shekuj.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: - SIVJET NË PRISHTINË, “Blue Hill Golf Course”, Frank shkreli, VJET NË ROMË

75-VJETORI I VOA-s: SHUMË VITE – SHUMË TREGIME E HISTORI

June 15, 2017 by dgreca

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli*/

Ky vit shënon 75-vjetorin e themelimit të Zërit të Amerikës.  Nja shtatë javë pasi Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën e dytë Botërore, për herë të parë, më 1 shkurt, 1942 u transmetua një program prej 15-minutash nga një studio e vogël në Nju Jork, drejtuar Gjermanisë.   Programi i parë i VOA-s filloi me fjalët e folësit Uilliam Hejl: Po ju sjellim zërat nga Amerika.  Sot dhe çdo ditë prej sodit, ne do t’ju flasim për Amerikën dhe për luftën.  Lajmet mund të jenë të mira për ne. Ose lajmet mund të jenë të këqia.  Por ne do t’ju themi të vërtetën.”   Ndërkaq, ç’prej vitit 1976, këto fjalë janë mishëruar në Kartën e Zërit të Amerikës, në dokumentin që sipas ligjit, Zëri i Amerikës, duhet të vazhdojë të, “Shërbejë si burim i besueshëm dhe i mirë informuar lajmesh”.  Për më tepër, ky ligj detyron VOA-n që trasmetimet e sajë duhet të jenë, “të sakta, objektive dhe gjithpërfshirëse”.   Drejtoresha aktuale e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett është shprehur se, “Janë bërë 75 vjetë ç’prej kohës që kemi filluar të transmetojmë lajme dhe informacione objektive dhe se puna që jemi duke bërë tani është më e rëndësishme se kurrë më parë.”Brenda një kohe të shkurtë, pas transmetimit të parë shkurtin e vitit 1942, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, Zëri i Amerikës kishte filluar transmetimet radiofonike në 40-gjuhë të huaja, përfshirë edhe gjuhën shqipe.

 

1 robert Bauer                Ne Foto: Robert Bauer, folësi i emisionit të parë gjermanisht në VOA, drejtuar Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore/

Në një njoftim të shpërndarë për medien ditët e fundit, Zyra e VOA-s për  informimin e publikut thotë se, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Zërit të Amerikës, ky ent mediatik botëror vazhdon të marrë urime nga personalitete politike amerikane dhe ndërkombëtare, si dhe nga personalitete të tjera nga të gjtiha anët e botës.  Në këtë njoftim për publikun, pasqyrohen urimet nga ish-presidenti amerikan Xhimi Karter dhe ish-presidenti Xhorxh W Bush.

Presidenti i 39-të i Shteteve të Bashkuara, demokrati Xhimi Karter citohet të ketë thënë në urimin dërguar VOA’s se, “Ne e dijmë se transmetimet e Zërit të Amerikës kanë qenë dhe janë burim inkurajimi për gjenerata të tëra të mbrojtësve të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës.  Unë jam krenar që ky ent mediatik i Shteteve të Bashkuara u kushton vëmendje dhe u jep një zë që nuk e kanë popujt e   shtypur dhe të margjinalizuar kudo në botë.”   Në njoftimin e VOA’s thuhet gjithashtu se Presidenti Karter, në mesazhin e tij të urimit, e cilësoi Zërin e Amerikës si, “Një model i një shtypi të fuqishëm, të lirë e të pavarur”.

Ndërsa Presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara, republikani Xhorxh W. Bush, në urimin e tij dërguar VOA’s në 75-vjetorin e themelimit, shprehu respektin e tij ndaj dëgjuesve të Zërit të Amerikës, anë e mbanë botës, të cilët sipas tij, gjatë viteve kanë rrezikuar shumë për të dëgjuar “zërin e lirë” të VOA-s, një zë, që shtoi ai, i është përgjigjur dëshirës së çdo zemre të njeriut për të jetuar në liri.  Presidenti Bush, në mesazhin e tij, e ka vlerësuar Zërin e Amerikës si, “Një zë realist për paqë.  Jo në zë idealist i pa shpresë”.   Kam folur shumë me udhëheqës të ndryshëm botërorë gjatë mandatit tim, tha ai, duke shtuar se në takimet me ta u ka “Kujtuar atyre rëndësinë e rolit që luan shtypi i lirë, si një prej gurthemeleve”, të demokracisë.  Ish-presidenti amerikan Bush ka nënvijuar me këtë rast se, “Liria nuk është një e drejtë amerikane, as nuk është një ide amerikane.  Liria është një ide universale dhe Zëri i Amerikës është pjesë e këtij nocioni… Zëri i Amerikës na kujton këtë universalitet të lirisë”, është shprehur Presidenti Xhorxh Bush, në urimin e tij dërguar VOA-s kohët e fundit, në kujtim të 75-vjetorit të themelimit.

Ndërkaq, VOA njofton se më heret, ndër personalitete të tjera të larta botërore, i kishte ardhur një mesazh urimi nga ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Z. Ban Ki Mun, në të cilin ai kujton kohën kur kishte filluar në rini, të mësonte anglisht, duke dëgjuar Zërin e Amerikës.  Në atë kohë, tha ai, kishte pak radio aparate në Kore, që është vendlindja e tij, por tha se gjithnjë mban mend hapjen e programit: “Ju flet Zëri i Amerikës!  Është shpresa e shumë njerëzve anë e mbanë botës”, theksoi ish-Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se VOA për ‘të, “Ishte një burim i mirë dhe i besueshëm lajmesh ndërkombëtare”.

Ashtu si gjatë 75-viteve të ekzistencës së tij, me të njëjtin përkushtim ndaj së vërtetës dhe besueshmërisë në emisionet e tij, Zëri i Amerikës edhe sot vazhdon transmetimet në shumë gjuhë të huaja, përfshirë gjuhën shqipe, ndërkohë që  korrespondentët e VOA’s vazhdojnë të raportojnë nga të gjitha anët e botës, përfshirë trojet shqiptare në Ballkan.   Sipas VOA’s, në këtë 75-vjetor, ky ent ndërkombëtar mediatik me qëndër në Uashington – përveç emisoneve të drejtë për drejta — transmeton lajme dhe informacion nepërmjet 2500 radio dhe TV stacioneve anë e mbanë botës, ndërkohë që komunikon me audienca edhe nepërmjet medias shoqërore, siç është faqja fejsbuk dhe platforma të tjera.  VOA me të drejtë mburret, se bazuar në të dhënat e vitit të kaluar, gëzon një audiencë javore prej 236 milionë vetash, në të gjitha platformat e shpërndarjes së lajmeve, anë e mbanë botës.

Nuk mund të mos përmend faktin se pjesë e kësaj historie të famëshme 75-vjeçare e këtij enti të njohur ndërkombëtar lajmesh e informacioni ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, pjesë e Drejtorisë së VOA-s për Euro-Azinë, nën drejtimin e Dr. Elez Biberajt.  Në raportin e fundit të Drejtorisë të Zërit të Amerikës për Euro-Azinë, thuhet se programet e Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, “Tërheqin dhe influencojnë më shumë njerëz se çdo transmetues tjetër ndërkombëtar lajmesh në Shqipëri, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.”   Ky fakt vërtetohet edhe nga raporti i agjencisë ndërkombëtare të anketimeve, “Gallup World Poll National Survey” për vitin 2016, në të cilin thuhet se VOA shqip llogaritet të ketë në Shqipëri një audiencë prej 60.5 për qind e të rriturve, në javë dhe 64 për qind e të rriturve në Republikën e Kosovës.  Këto të dhëna, sipas VOA-s, janë më të larta për të dy shtetet shqiptare, në krahasim me ato të vitit 2015.   Në raport thuhet gjithashtu se 4 nga 5 shikues në Shqipëri, të   programit televiziv të VOA-s shqip, e vlerësojnë këtë emision si “shumë të besueshëm”.

Në të vërtetë, ky fenomen është tepër i rrallë në fushën e transmetimeve ndërkombëtare – ndoshta i pa precedencë — kur një program lajmesh e informacioni nga jashtë, siç është Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, të tërheqë një përqindje kaq të madhe të shikuesve, në të gjitha trojet shqiptare.

Për aq sa ky fakt është një vlerësim i meritueshëm i punës që Shërbimi Shqip i VOA-s ka bërë gjatë këtyre 75-viteve për mirë-informimin e shqiptarëve kudo — shpesh herë nën rrethana të vështira – aq më tepër kam drojë se është një tregues i dhëmbshëm i gjëndjes dhe i mjedisit jo të mirë në të cilin vepron media, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.  Ente që merren me mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, siç është organizata “Freedom House”, e kanë karakterizuar median në Shqipëri dhe në Kosovë si “gjysëm të lirë”, dhe subjekt kontrolli dhe influence nga partitë politike dhe nga interesa të tjera biznesi.  Sipas ekspertëve, mungesa e një medias vërtetë të lirë, objektive dhe të besueshme në Shqipëri dhe në Kosovë, pasqyron edhe arsyet e vështirsive të këtij tranzicioni të stërgjatur, me të cilin është përballur shoqëria shqiptare, nga komunizmi gjysëm shekullor në një demokraci vërtetë funksionale.  Besoj se kjo është edhe arsyeja kryesore që Zëri i Amerikës, madje edhe 75-vjetë pas themelimit të tij, vazhdon të jetë kaq popullor dhe të luaj gjithnjë një rol kryesor në hapësirën mediatike shqiptare, 27-vjetë pas shëmbjes së komunizmit.

*Autori ka shërbyer në detyra të ndryshme të Zërit të Amerikës gjatë një kariere 30-vjeçare, përfshirë shef i Shërbimit Shqip dhe drejtor i VOA-s për Europën.   

Filed Under: Opinion Tagged With: 75-VJETORI I VOA-s, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!
  • 5th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair
  • E premtja e Gjuhës Shqipe — Një mision përtej oqeanit
  • MËKATET E ZONJËS EMA
  • GAZETA “DIELLI” SYRI I DRITËS SË SHTYPIT SHQIPTAR NE AMERIKË
  • Banda “Vatra” në kontekstin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe ndërtimit të identitetit kombëtar shqiptar
  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT