Si u krijua dhe si u bë pronë e Muzeut Kombëtar/
Nga Frederik Stamati/ Gazeta”DIELLI/
Aty nga vitet e fundit të shek. XIX veprimtaria e shqipëtarve të Sofjes mori të gjitha nuancat e atdhetarizmit, duke arritur një kulm. Ky kulm, njëherazi politik dhe shpirtëror, ishte formimi i Shoqërisë “Dëshira”, më 1 janar1893. Ajo kënga aq e njohur në kohërat e shkuara, kur patriotizmi ishte ndjenja e ditës, por fare pak e kënduar sot, “Që më një të kollozhegut, u formua shoqëria”, origjinale për nga fjalët dhe me melodi të përshtatur nga Spiro Garo, është pikërisht për këtë ngjarje. Sot ngjan anakronike, si melodi kishëtare, e përshtatëshme për repertorin e “Korit të pleqëve”, por në ato kohëra lartësonte shpirtin në hapësira shqiponjash.
Lajmi dhe gëzimi, këta bashkëudhëtarë të përhershëm të ngjarjeve të arrira, prekën dhe ngazëllyen koloninë shqiptare, që po mundohej të akordonte instrumentat e pavarësisë.Për fat të mirë, në arkivin e Institutit të Historisë ruhen në një dosje të veçantë kujtimet e patriotit Loni Grabocka për Shoqërinë “Dëshira”, të cilat edhe po t’i lexosh me një frymë, të ndriçojnë me një rreze drite të shenjtë nga lartësia e mendimit të asaj kohe aq të nderuar.
Mendimi i njeriut, sado i fuqishëm, në çdo rrethanë e pranon një të parë. Psikollogjia e do një simbol.
Simboli i parë i shoqërisë ishte emri i saj.
Në vitin 1896 shoqëria pranoi simbolin e saj të dytë, datën 15 gusht, ditën e Shën Mërisë së verës, në kujtim të eskursionit të parë me mbresa ekzaltuese.
Simboli i tretë ishte flamuri.
Një shoqëri patriotike ngjan me një lule, flamuri është nektari i saj. Mbretëresha e bletëve, sado autoritare, nuk është asgjë përpara forcës së tij. Rreth flamurit do të mblidhen të gjithë. Ai do të jetë udhërrëfyesi. Të gjithë do të ecin prapa tij, si prapa një profeti.
Të paktën unë nuk e di se kush e çfaqi i pari idenë e flamaurit; në ato dokumente që kam patur rastin të shikoj, nuk përmendet emri që meriton nderim historik.
Kjo ndodhi në vitin 1904. Atëhere i u kërkua shqipëtarëve të Sofjes që të ndihmonin me të holla për të punuar një “flamur kombëtar të shoqërisë”. Gatishmëria e tyre për të kontribuar mund të krahasohet me një garë atletësh, ku diploma, dëshmia, apo kupa ishin vetëm një simbol përfytyrimi, fantazi, të shumës së dhuruar. U mblodhën 45 napolona ar. Në se nuk e dimë se kush e ideoi flamurin, dimë që atë e qëndisi në mëndafsh Polikseni Luarasi. Ai është i madh. Dimensionet e tij janë 110 cm me 100 cm. Në të majtë ka vendin ku futej shkopi. Fusha e tij ndahet në dy pjesë të barabarta, njëra e kuqe dhe tjetra e bardhë në koncept, por në të vërtetë krem në të verdhë në bezhë. Idenë e dy fushave e dha qeveria bullgare. Në mes qëndron e qëndisur me mjeshtëri shqiponja e zezë, e madhe, ndryshe nga shqiponja e sotme zyrtare, e flamurit kombëtar. Në atë kohë nuk ishte miratuar ndër atdhetarë forma e shqiponjës, ishim akoma nën Turqinë dhe seicili e kompozonte shqiponjën sipas konceptit të vet për madhështinë që ajo duhej të paraqiste. Nën shqiponjë shkruhet me fill të verdhë, e të ndritshëm metalik:
SHOQЁRIA E SHQIPЁTARVET
“DЁSHIRЁ”
FILLUAR MЁ 1 KOLLOZHEG 1893
NЁ SOFJE
Anash varen thekë të verdha, e të rënda, të cilat njëlloj si germat konsiderohen të arta. Edhe dy xhufkat lart. Nuk i kemi analizuar akoma, por errësimi që kanë pësuar të bën të mendosh për një metal jo aq të çmuar. Sido që ta varësh, flamuri rri i tendosur, është i rëndë, peshon 1,5 kg.
Përurimi i flamurit u bë në ditën simbol të shoqërisë, me 28 gusht 1904. Kjo datë përkon me kalendarin e vjetër. Në se da ta kthejmë në kalendarin e ri i bie dita e Shën Mërisë së verës, simboli i dytë i shoqërisë, pra me 15 gusht.
Ceremonia ishte një nga ato ngjarjet që kujtohen gjithë jetën me emocion. U bë një manifestim shqiptar në rrugët e Sofjes. Në krye të manifestuesve valavitej flamuri i shoqërisë, i mbajtur nga Pando Llazar Treni. Mbas flamurit banda ngrinte edhe më lartë entusiazmin e të pranishmëve. Këngë, edhe ndonjë lot ngazëllimi.
Pranë Sofjes, vetëm 5 km. larg ndodhej “Pavlovo”. Lule dhe drurë të gjelbëruar gjatë të gjithë vitit në këtë kopësht të madh, vend ideal për ceremoni dhe aktivitete argëtuese! Nganjëherë festimi i gushtit, i ditës patronale të shoqërisë “Dëshirë” bëhej në restorantin e Pavllovos.
E gjithë dita ishte demonstrimi më i zjarrtë i atdhedashurisë, gazmore, mallëngjenjëse dhe respekt i kujtimit të traditës. Që në mëngjes herët shqipëtarët mblidheshin tek stacioni i tramvajit. Udhëtimi ishte një vragë hareje në kryeqytetin bullgar. Në krye të tramvajit qëndronte si udhërrëfyes flamuri i madh i shoqërisë. Banda përhapte ndjesi shqiptarie. Ejani të gjithë këtu! Ejani me ne në këtë gëzim shpirti! Këngët, sado të kënduara nga turma, nuk kanë disakorde, ato mbeten gjithmonë të bukura, sepse janë pjesë e asaj hareje që ndjen shpirti.
Flamuri kishte vend nderi në gosti: drejtoju atij dhe e ke menjëherë të gjithë gamën e përbërsave të atdhetarizmit. Dollitë, urimet, këngët patriotoke dhe ato popullore, vallet, recitimet, i gjithë repertori i gostisë ngrohte shpirtin. Flamuri ishte pjesëmarrësi i përherëshëm i kësaj hareje. Ai i ka thëthitur të tëra, i ka në simbolikën e vet.
Edhe gjatë kthimit vazhdonte nëpër rrugët e Sofjes marshi triumf i të gjithë shqipëtarëve, me brohori dhe me bandë, në krye të të cilit ecte dhe ecte flamuri.
Por si u ndodh në Shqipëri? Informacioni i parë ishte se ky flamur u dorëzua nga ambasada e Shqipërisë në Sofje në Institutin e Historisë, përpara vitit 1980.
Ah këto ngutje në dhënien e informacionit! E vërteta është fare ndryshe.
Në vitin 1930 ka ardhur këtu nga Sofja një Përfaqësi e Federatës Shqiptare “Dëshirë”, duke sjellë me vete edhe flamurin, të cilin i a dorëzoi mbretit Zog. Dhe Zogu urdhëroi që flamuri t’i dhurohej Muzeut Kombëtar.
Delegacioni erdhi në rrugë tokësore në drejtimin Bilisht-Korçë-Librazhd-Elbasan-Durrës-Tiranë. Në Tiranë arriti drekën e të premtes me datë 28 mars. Zogu i priti me 31.
Ngjarja u pasqyrua në shtypin e kohës gjatë disa ditëve, natyrisht me vonesë, falë mundësive teknike të atëhershme.
Ja disa raste:
- GAZETA SHQIPËTARE, Bari, e Djellë 6 prill 1930
LETRA NGA ELBASANI
Ardhja e Paris së Federatës “Dëshira”
Ditë përpara kaloi prej këndej tyke ardhur nga Sofia e Bullgaris, dhe shkoi për në Tiranë Parija e Federatës “Dëshira”, që ka qendrën në Kryeqytetin e Bullgaris, e degë nëpër disa qytete t’asaj Mbretnije. Kjo pari ish e përbame prej Kryetarit të Federatës, z. Lazar Janko Grabova, Ndën Kryetarit z. Sherrif A. Tetova, Kryetarit të Degës, z. Jovan Treni, Kryetarit të Degës II, z. Dhimitr Toska, Kryesekretarit, z. Thoma Luarasi, Sekretarit z. Jorgji Prifti, Këshilltarit Kontrolluës, Z. Adham Shkaba e antarit të Këshillës Administartive, z. Kollumbi.
Prej Korçës deri në Tirane i shoqënuan edhe i përnderëshmi Mitrofor Vasil Marku, së bashku me z. Dhimiter Mole. U ka dale perpara për t’i pritun një komisjon i përbamum prej Kryetarit të Bashkis, Komandantit të Kompanis Z. Kap. Idriz Ruka, drejtorit të Shkollës Normale, z. Ahmet Gashi e antarit të Bashkis, z. av. Kamber Gjergjanit.
Ky komisjon u duel përpara gjer ne Librazhdë. Sikurse dihet, parija e naltpermendun e Federatës “Dëshira” të Bullgaris shkon në Kryeqytet për t’i paraqitun e për t’i dhurue N. M. Tij Mbretit t’onë August flamurin e parë të Shoqenis “Dëshira”. E cila ka qenë nga ma te vjetrat Shoqëni shqiptare që janë përpjekun për çështjen shqiptare, sikurse merret vesh edhe nga data historike që mban flamuri:1893.
Në Librazhdë i u ba përfaqesuesëvet të Federatës një pritje shum e bukur dhe u shkëmbyen fjalë pritjeje e falenderime midis z.z. Kollumbi e Rustem Ymeri, kryetar i Bashkis këtu. Përfaqësuesit e Federatës “Dëshira” mberritën n’Elbasan në kohën e mjesditës, dhe për nderim të tyre u dha nje drekë në Hotel “Bristol”, e pregatitun apostafat për ta.
Në këtë drekë kanë folun Z. Qazim Bodinaku, Prefekti i Elbasanit, edhe Z. Rustem Ymeri, për dobitë që i ka sjell :Shoqërija “Dëshira” çeshtjes kombëtare dhe për mundimet dhe sakrificat e atyre patriotëve të paharruem qe muaren nisjativën me e formue, tyke shtye se N. M. e Tij Mbreti August i Shqiptarëvet, i cili s’flen as dit as natë tyke mendue një avenir te shkëlqyeshëm për historin e Shqipnis, do të ndjeë gëzim e kënaqësi për këtë dhuratë të shenjtë, që i dërgojnë vëllezrit t’anë te Bullgarisë.
U pergjegjën Z.Z. Thoma Luarasi e Kolumbi me fjalë shumë të bukura falenderimi e mirëdije.
Flamuri ndenjti i ekspozuem në ballkon të Prefekturës që kurse erdhën përfaqësuesit e gjer sa u nisën për Tiranë.
Kur u nisën për Tiranë, u përcuallën prap prej komisjonit pritës edhe në te dalmen prej Elbasani. Baoni, (“Baon” është një term i marrë nga ushtria austro-hungareze dhe nënkupton një njësi ushtarake të ngjashme me kompaninë. F. S.), i paraushtarakëvet i përcuell tyke i nderue e tyke ba edhe një paradë përpara tyre për nderim”.
Me datën 5 prill 1930, ditë e shtunë, GAZETA SHQTPËTARE në kronikën Lajme nga Durrësi boton shkrimin:
“Komisjoni i Shqiptarvet të Sofjës
(Korrespondenca e veçantë)
Durrës,4.
Lajmi i ardhjes së delegacionit shqiptar të Shoqënis Dëshira të Sofjes së Bullgaris qe dhanë prej shumë kohësh në Durrës dhe për këtë qëllim autoritetet e vendit dhe Banda e Bashkis kishin dalë dy herë ne pontilin e Durësit për t’i bamë pritjen e duhun.
Per mbanë tjetër u muer vesh se ky delegacion duel në Bilisht dhe prej andej ban udhëtimin në Korçë e Elbasan. Po sa arrijnë në Elbasan, Bashkija e Durrësit i ban nji telegram asajë së Elbasanit, tue i treguem gëzimin që ndjen kjo Bashki kur do të shofi që të gjinden pranë tryezës së tyne të vogël, vizituësit e dashtun.
Nji këjo thirrje dhe nji kënaqje për durrësakët, mblodhi gjithë popullin, e ndër këta edhe djemt e vajzat e shkollës në krye të Bandes së Bashkis, për t’i bamë pritjen e kënaqshme.
Turma e madhe priste edhe paraushtarakët zën vend pranë centralit elektrik të Durrësit, prej orës 5 mbas dreke. Nji kohë prej erës se ftohët djemt dhe vajzat u shpërndanë, pse mjerisht vizituësit vonuën edhe ma.
Pak ma vonë kur era fryente ma me tërbim, autoritetet e populli kthen per t’i bamë pritjen në Hotelin “Splendit”, ka ishte edhe salla e pregatitun prej Bashkis. Nuk zgjati ma se gjysem ore dhe plote në orën 7 delegacioni zbret në hotelin e përmendun, ku Banda me njiherë për nderim lot hymna të bukura.
Ditën e nesërme vizituësit paraqiten në Hotelin “Splendit” përpara popullit e femijve të Shkollës flamurin që do të dhurojshin në duert e N.M. Tij Mbretit. Banda dhe djemt e shkollës në këtë rast banë nderimet ma të nxehta, dhe mbas ligjëratës që mbajti nji nga delegatës dhe nje nxanës i shkollës, trupi deleguës u nis për në Tiranë, i përcjellun deri jasht qytetit me nderime të medhaja”.
Pritja e delegacioni nga mbreti Zog u bë ditën e hënë, me datë 31 mars.
Në shtypin e kohës ngjarjet në përgjithësi ipeshin me vonesë, por “Gazeta e Korçës” e dha njoftimin me datën 1 prill, nën titullin:
“PËRAQËAONJËSIT E FEDERATËS “DËSHIRA” PËRPARA MBRETIT
Tiranë, 31. Sot L.M.T. Mbreti pret përfaqësuësit e federatës panshqipare “Dëshira” të Sofjes të cilët ndodhen këtu që të premten më drekë. Në këtë audiencë këta do t’i paraqesin flamurin historik të shoqërisë, nën hijen e të cilit Shqipëtarët e Bullgarisë kanë punuar për dobin e vendit t’onë edhe L.M.T. Mbreti do t’u japë një të ri. Sonte bashkija do të japë një darkë për nderin e tyre.
Flamuri që do t’i paraqitet L.M.T. Mbretit ka madhësi të zakonëshme. Fusha është gjysmë e kuqe dhe e bardhë. Në mes ka një shqipe të qëndisur me të zezë dhe bojë hiri. Rreth shqipes janë të qëndisura në ar këto fjalë: Shoqëria e Shqipëtarëve “Dëshira” filluar më 1 kollozheg 1893 në Sofje”.
Veç të 12 përfaqësuësve të federatës do të marrin pjesë në delegacionin H.R. Vissarioni, At Vasil Markus, Jashar Erebara dhe disa të tjerë bashkëpunëtorë të vjetër të tyre”.
Po kjo gazetë, në të njëjtën datë dhe nën të njëjtin titull, informon edhe për takimin.
“Tiranë, 31. Sot ora më 11 L.M. e T. Mbreti pranoj n’audiencë delegacionin e kollonisë shqiptare të Sofjes për t’i dorëzuar L.M. së T. flamurin historik nën hien e të cilit u zhvillua aktiviteti patriotik i shoqërisë “Dëshira” të Sofjes në kohën e lëvizjes për independencën e Shqipërisë.
Delegacionin, të cilin e shoqëronte ministri i ri i Shqipërisë në Sofje z. Qemál Mesareja, ia paraqiti L.M. së T. ministri i púnëve të jashtme z. Raúf Fico. Pranë L.M. së T. ndódheshin pjesëtarët e shtëpisë ushtëriake e civile.
Në përgjigje të ligjeratës së mbajtur prej njërit nga delegatët, L.M. e T. theksój veprimet patriotike të kollonis’ së Sofjes dhe tha se do të japë urdhër që flámuri i shoqërisë të ruhet në muzeumin kombëtár si shëmbull për brezat e rinj te therorive që janë bërë për fitimin e lirisë e t’independencës së Shqipërisë.
Pas mbarimit të ligjeratës L.M. e T. i dórëzoj delegacionit flámurin e ri”.
Një informacion më të plotë e dha GAZETA SHQIPËTARE, të premte me 4 Prill 1930.
“Delegacioni i Federatës “Dëshira”
Para N.M.T. Mbretit
Të hënën, n’orën 11,30 para dreke, u paraqit të N.M.R. Mbreti delegasioni i federatës “Dëshira” të Sofjes, të Cilit i dorëzuan flamurin historik mbas fjalimit të Z. Thoma Luarasi. Delegasioni, i përbërë prej 9 vetësh ishte shoqëruar prej zz. Rauf Fico, Qemal Mesereja, Rasim Kalakula, Imzot Vissarion, At Marko, Jasar Erebara, Bajo Topulli, Kristo Luarasi, etj.
Ja teksti i fjalimit që tha zoti Thoma Luarasi:
“Nalt Madhëri,
Kollonia e shqipëatrëve rë Bullgaris po mbush gjysëm shekulli që kurse ka filluar shoqërinë “Dëshira”. Kjo kolloni, atdhetarësh, ndonëse e përbërë prej klassit të punëtorëve, ka ditur se si të punojë, për lirimin e Atdheut dhe për perhapjen e mësimit të gjuhës s’onë.
Në mes të veprave të tyre, këta bënë kët flamur me shkabë të zezë në fushë të kuqe, nën hijen e të cilit kryen me gjithë deshirë detyrat e tyre.
Qeverrija bullgare e aherëshme, e cila u dha lejë nisiatorëve, i këshilloi që fushën t’a bënin gjysmë të kuqe e gjysmën të bardhë me shkabë të zezë në mes, me qëllim q’e bardha të tregontë arësim dhe e kuqja shenjën e flamurit, edhe më tepër që të mos keq-interpretohej.
Rreth kësaj shenje historike, punuan dhe vepruan me sa u ishte e mundur gjithë pleqtë t’anë, një pjes e të cilëve ka ndërruar jetë dhe lumturisht pjesa tjetër rron edhe gëzohet bashkë me neve.
Nalt Madhëri,
Jemi fatbardhë që i arrimë kësaj dite që shoqëria u transformua në Federatë dhe nën hijen e patronazhit të N.M.T., gjithë vëllezërit t’anë atje me një enthusiazmë të pa treguar dhe nën kryesin e kryetarit energjik të Federatës z. Llazar Janko Grabovës, bashk me shokët e tij, në një mbledhje të përgjithëshme vendosmë që këtë shenjën e shenjtë e historike të ja dorëzojmë N.M.T..
Me një dërgatë të posaçme nga ana e Federatës nga banuësit e atjeshëm, dhe një pjesë prej të këtushmëve, për shënjë nderi dhe pjesën që kan pas lidhje me këtë shoqëri të zgjedhur po prej Federatës.
Kjo dërgatë, nën kryesin e Kryetarit të Federatës ka faqebardhësin me Ju çfaq ndjenjat e adhurueshme, bindjen që po Ju a dorëzojm këtë flamur, duke thirrur:
Rroft Shqipërija!
Rroft Zog I, Mbreti i Shqipëtarëve!”
N.M.T. Mbreti i dorëzoi delegasionit një flamur të ri e në përgjigjen që i dha folësit, tha se flamuri historik do të çohet në muzeun kombëtar që të mbetet si kujtim për brezat e ardhëm”.
Në Arkivin e Shtetit ruhet dokumentacioni përkatës, që parqet veprimet zyrtare për dërgimin e flamurit në Muzeun Kombëtar, e prej të cilit po rreshtojmë disa, si më poshtë:
“ASH Fondi 149. Viti 1930. Dosja IV- 260
Nr. 515 Tiranë më, 22 maj 930
Kryeministris
T i r a n e
Për t’a derguem në muzeumin kombtarë të këtushëm, bashkë me këtë shkresë po ju dergojmë flamurin qi na kishte paraqitë Federata Shqiptare “Dëshira” e Sofjes, qi kështu të jetë shembëll vullneti e patriotizme për brezin e ri t’ardheshem.
(Firmosur)
Zogu
Min. Ares.
- V. 30
- S.
KRYESI E KABINETIT
MBRITUN ME 23. V. 930
LIDHKA.. NR 1433”
Menjëherë, kryeministri Pandeli Evangjeli, urdhëron rrugëtimin e flamurit, që paraqitet në këtë dokument;
“KRYESIJA E KSHILLIT MINISTRUER
Nr. 1433
Tirane, me 23 –V- 1930
Ministris s’Aresimit
Tirane
Per njoftim e veprim
KRYEMINISTRI
(Firma, vula, Pandeli Evangjeli)
Me ja dërgue këtë bibliotekës
- xh
24/5/30
Drejt. Bibliotekes e Muzeumit Kombëtarë
Tiranë
Bashkë me këtë shkresë ju dërgohet si flamuri ashtu edhe statuti i Shoqnis “Deshira” të Sofjes me porosi qe të na njoftoni marrjen në dorëzim
30-V-1930
MINISTRI E ARSIMIT
Tiranë, me ________
DEGA
Prot. Nr. 1637 Nd/I
Ndërsa nga broshura që botonte Muzeu Kombëtar për veprimtarinë e tij, konfirmohet qenia e flamurit në muze.
ASH. Fondi 149. Viti 1931. Dosja IV-285
BIBLËJOTEKA DHE MUSEJA KOMBËTARE
TIRANË
VEPËRIJ’
E
BIBLËJOTEKËS’ KOMBËTARE
Gjatë vitit’
1930
TIRANË
Shtypshkronja “Mbrothësija” Kristo P. Luarasi
1931
DHURATA
- M e Tijë Mbëreti pati mirësijën t’i falinj’ Muzejës’ Kombëtare:
Flamurin’ e vjetër’ të “DËSHIRËSË” Shoqërijës’ së Shqipëtarëvet’ të Bullgarijësë, të ngrehur, në Sofje mbë 1893.
Edhe këtë ngjarje, pra dorëzimin e flamurit në Muzeun kombëtar e paraqiti shtypi i kohës.
Me datën 28 maj 1939, ditë e mërkurë, gazeta “GAZETA SHQIPËTARE”, shkruante:
Lajme nga Kryeqyteti dhe Krahinat
Flamuri i Shoqërisë “Dëshira”
në Muzeumin Kombëtar
Dhe tjetër herë nga këto shtylla na është dhënë rasti të shkruajmë mbi flamurin të Shoqërisë Patriotike që ka vepëruar që në kohën e robërimit të Atdheut për ringjalljen shqipëtare në Sofje dhe Bulgarie përgjithësisht, me shqipëtarët e atjeshme të mërguar, dhe që po vazhdon dhe pas ringjalljes s’Atdheut t’onë. Me një zell për të u lavdëruar, vepërimet e saja shoqërore në mërgim.
Këshilli i kësaj shoqërie vendosi prej kohësh të i dergojë L.M.Tij Mbretit të Shqipëtarëve flamurin e vetë të asaj kohe për kujtim, dhe një komision ardhi në Kryeqytet prej Sofjes, dhe e paraqiti L.M.Tij flamurin në fjalë, kur se Mbreti t’onë i dhuroj Shoqërisë “Dëshira” nji flamur të ri simboll të shejtë të vazhdimit të punës të lartër dhe patriotike, në një Shtet të huaj po fqinjë dhe mik.
Këtë flamur L.M. e Tij Mbreti i Shqipëtarëve ja dërgoj Kryeministrit z. P. Evangjelit. Me letrën që vijon:
“Për t’a dërguem në Muzeumin Kombëtar të këtushëm, bashkë me këtë shkresë, po ju dërgojmë flamurin qi na kishte paraqitë Federata Shqiptare “Dëshira” e Sofjes, qi kështu të jetë shembëll vullneti e patriotizme për brezin e ri t’ardhëshëm”.
Në vitin 1981 u vendos që flamuri të ekspozohej në Muzeun Historik Kombëtar. E morëm në laborator për ta restauruar. Lufta e tij me erën dhe koha kishin bërë të tyren: pëlhura e flamurit ishte grisur deri në rrënim. Me kohë ajo ishte “djegur” dhe dobësuar aq shumë, sa që nuk mbante asnjë lëvizje. Për hir të së vërtetës duhet thënë se faji, megjithëse jetim, në këtë rast e kishte një autor, teknik dhe të fshehur. Vende-vende e kishin qethur për të hequr shëmtinë e leckave të varura. Germat ruheshin shumë mirë. E gjithë literatura që lexuam ipte një zgjidhje të egër: në të tilla raste priten germat dhe qepen në një faqe të re me ngjyrë të njëjtë me atë origjinale. Nuk më pëlqeu. Pëlhura e vet ishte ajo që ruante prekjet e duarve të dridhura nga emocioni, mbështetjen e buzëve, ndonjë lot; ajo ishte valavitur së bashku me valët e shpirtit të atëdhetarëve, kishte ndjerë frymën, këngën të përplasej mbi të…A mund ta çvishnim flamurin nga kjo ndjenjë? Kjo nuk ishte punë që bëhej! Në ndonjë rast u konsulltuam edhe me specialistë të njohur në botë, për të gjetur një zgjidhje. Na u dha e njëjta këshillë, që rekomandonte gërshërën!
Atëhere vendosa ndryshe. Flamuri do të ruhej ashtu siç erdhi nga Bullgaria, i grisur, por origjinal. Do të vendosej shtrirë, pa tensione, në një vitrinë të veçantë të Muzeut Historik Kombëtar. Dhe ashtu u bë. Natyrisht që ndërhymë kimikisht, pak, aq sa ishte e domosdoshme, por pa lënë gjurmë të dukëshme të ndërhyrjes.
Herë-herë shkoj në Muzeun Historik Kombëtar dhe shikoj objektet me të cilat lidhet një pjesë e jetës time, shoh edhe flamurin e shtrirë në vitrinë, gëzohem dhe mendoj se sa mirë bëmë që nuk ndoqëm këshillat që na rekomanduan.
E megjithatë sot ka ardhur koha për të ndërhyrë. Si edhe në mjeksi, fillohet me analiza. Spektroskopia e fluoreshencës së rrezeve X tregoi praninë e kallait në të dyja ngjyrat. Kallai dy valent në formën e klorurit të tij është përdorur për të ngjyer fibrat shtazore, ku bën pjesë edhe mëndafshi, jo si ngjyrues, por si “mordant”. Kjo fjalë angleze, sot në shqip është zëvendësuar me fjalën “ngulitës”, pra kallai lidh ngjyrat me fibrën. Në rastin e pëlhurës së kuqe mund ta shpjegojmë më lehtësisht. Për përftimin e saj duhet të jetë përdorur femra e vrarë e insektit koshenill, e cila jep nëpërmjet të acidit karminik që përmban dhe ngulitesit kallajor, një të kuqe të ndezur e të ndritshme, që në literaturë ndeshet me termin “scarlet”. Më të vështirë e kemi që të shpjegojmë ngjyrën tjetër, duke menduar për përdorimin e turmerikut, të flavonoideve dhe tanineve. Por duhen bërë analiza në laboratorë tepër të specializuar. Po rrënimi që ka pësuar? Një arsye e fortë është prania e kallait në përbërje, apo qëndrimi i gjatë në banjën e ngjyrimit, si edhe konditat e ruajtjes dhe ekspozimit, që kanë favorizuar brishtësinë dhe dërmimin. Analizat me stereomikroskop dhe mikroskop na treguan strukturën tekstil, por jo më shumë. Tani po mendojmë për të marrë foto nëpërmjet të SEM, (Scaning Electron Microscopy), dhe për identifikimin e ngjyruesve, kryesisht me anë të metodave kromatografike.
# # #
Ditët e fundit, një miku im i mirë, Shpëtim Sala, koleksionist i pasionuar, por edhe studiues, më njohu me shkrimin “Kujtimet e një veterani, THANAS NIKOLLA JANI TREBICKA”, që është një nga themeluesit e Shoqërisë “Dëshira”, botuar ne fletoren “JAVA” me 8 gusht 1937. Ja se çfarë kujton Thanasi:
“Unë, bir, kam punuar në Bullgari. Kam vajtur atje më 13 Mars të motit1888 dhe u installova në fshatin Batkofe. Atje na erdhi nga Rumania, Dhimitri Mola dhe na mësoi abecenë shqipe. Pas ca kohe, vajta në Sofje. Dhimitri Mola, mbante një tunell, (që do të thotë han, apo pijetore, F.S.), dhe një të Djel, u-mblodhëm atje, shumë shqipëtarë…
Ishim më se 200 veta; vetëm nga Trebicka ishim nj’a 76 veta. Atë ditë, pra, u v-vëndos dhe u-formua Shoqërija e shqipëtarëve të Sofjes, nënë emrin “Dëshira”….
Kështu më 1 të Kollozhekut (Janarit) 1891, Shoqërija ishte e formuar dhe kishte dhe statutin e saj prej 47 artikujsh. Ky Statut u-njoh zyrtarisht dhe hyri ligjorisht në fuqi më 1893. Bëmë edhe një këngë:
Që më një të Kollozhekut
u-formua Shoqëria…
-Na duhesh edhe Flamur’ i Shoqërisë dhe për këtë gjë u-përpoqa unë dhe mblodha të holla. Unë dhashë 40 franga dhe Flamurin e bëmë me shkronja të florinjta”.
Diçka vibron në këto kujtime dhe trubullon mendimin. Ai luhatet, kërkon, duke konfiguruar kështu një vizion sa më pranë të vërtetës.