Nga Frederik STAMATI/
Kush e di historinë e Bandës Kombëtare “Vatra” me siguri që do të provonte nxitjet e papërmbajtura të pasionit për të ndjerë në shpirt flladin impresionues të famës së saj… Thuhet se ajo u formua më 17 dhjetor të vitit 1916, në qytetin e Usterit të Amerikës. Mirëpo ka diҫka që nuk shkon, sepse vula ka datën 11. Por kjo është një ҫështje që nuk i takon këtij shkrimi, prandaj edhe nuk do ta shtjellojmë. “Faik Konica dha mendimin që ajo të quhej Banda Kombëtare “Vatra” e që kjo bandë të kthehej në Shqipëri”, të merrte pjesë në ҫlirimin e saj dhe menjëherë mbas ҫlirimit të shpërndahej.“Banda Kombëtare “Vatra”! Historia i dha fatin e legjendës; reputacioni i saj ishte legjendar. Ajo u projektua si një gonxhe shpirti. Këtë mund ta bënte vetëm gjenia e Faik Konicës. Lulja do të ҫelte dhe kjo lule nuk do të lihej të vyshkej, do të këputej në kulmin e saj. Kështu do të mbetej në kujtesë e freskët, e bukur në përjetësi… Zor se mund të ishte projektuar një trajektore me një apogje më mbresëlënëse!…”
Thuajse i gjithë shekulli i kaluar, sidomos nga fillimi i tij, ka qenë vetëm një kushtrim trumpete lufte sa ushtarak, aq edhe policor. Njerëzit shtynin njëri-tjetrin në radhët e historisë dhe vetëm ata më pak tahmaqarë, por më shumë spiritual, vëzhgonin të kaluarën për të parë të ardhmen. Këta ishin pak, konsideroheshin si jashtë kohës, si edhe sot xhanëm, e për ta nuk e ҫante kokën njeri. Si për inat të neglizhencës pikërisht këta pak njerëz që njohën ligjësinë e ecurisë së shoqërisë njerëzore menduan për vulën historike të kombit të tyre. Kështu ata përjetësuan fakte materiale, pra objekte, për të cilat sot ne, që merremi me muzeologjinë e që konsiderohemi po aq kot apo të tepërt, i falenderojmë. Sot nuk ka më nostalgjikë të asaj periudhe, por ka vlerësues maksimalë, ka nga ata kuq e zinj, sublimatë të ndritur të atdhetarisë. Këta dhe të tjerë që do të dëshironin të preknin apo të ndjenin Bandën Kombëtare “Vatra” do të mund ta bënin atë vetëm në dy mënyra: duke dëgjuar të regjistruar në disqe muzikën e realizuar nga ajo ose duke parë instrumentet me të cilat është luajtur ajo muzikë, partiturat, uniformat e instrumentistëve dhe gjithҫka tjetër të orkestrimit. Në Fondin ertnografik janë zbuluar herë mbas here relike të saj. I pari ka qenë flamuri i bandës. Vite të tëra e patëm enigmë historinë sesi u bë pjesë e këtij fondi, por ja, erdhi një ditë dhe fare rastësisht gjetëm në Arkivin e Shtetit disa dokumente që na ngritën mendjen. Ato mund të kërkohen në AQSH, Fondi 295, Viti 1939, Dosja 272 (450). Po i botojmë për herë të parë:Dokumenti i parë:MBRETNIJA SHQIPTAREMINISTRIJA’ E ARSIMITNr 2351Tiranë, më 13/6/1939Drejtoris së Bibliotekës KombëtareKëtuShkurtim:Autorizoheni me marrë në dorëzim nga P.T. Komanda e Mbrojtjes Kombëtare nji gran cassa (daulle e madhe) e nji tambure (daullkë) t’ish Bandës Kombëtare “Vatra” si edhe nji Flamur i dhuruem Bandës në fjalë prej Shoqnisë Drenovare t’Amerikës në vjetin 1918 për t’i ruejt si vlera historike.MinistriDokumenti i dytë është ai i datës 3/VII/1939, me Nr. Prot 1461 që Biblioteka dhe Muzeu Kombëtar i dërgonte Ministrisë së Arsimit:Ministrisë së ArësimitTiranëNë lidhje me shkresën Nr 2351 dt. 13/VI/1939 të së Shkëlq. Ministri, kemi nderin t’ju bëjmë të njohur se të Premten më 30 Qershor 1939 na u dorëzuan për t’u ruajtur si vlera historike, prej Kapterit Aleks Lubonja, sekretar i Bandës Ushtarake, një flamur, një gran cassa dhe një tambure, pronë të ish Bandës Kombëtare “Vatra”. Me rastin e dorëzimit të tyre u nënshkrua një proces-verbal, dy kopje prej të cilave u ҫkëmbyen dhe njëra ju përcjellet bashkë me këtë shkresë.DrejtoriDokumenti i tretë është procesverbali përkatës:MBRETNIJASHQIPTARE Tiranë, më 3/VII/1939BIBLIOTEKA DHE MUZEU KOMBETARPROCES –VERBALSot, më tridhjetë Qershor një mijë e nëntëqint e tridhjetë e nëntë, në selinë e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, në praninë e Kapterit Zotit Aleks Lubonja, Sekretar i Bandës Ushtarake, në vështrim të shkresës Nr 2351 dt 13/VI/1939 të Ministrisë së Arësimit, iu dorzua Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, në praninë e Drejtorit të saj Zotit A. Tasi, për t’u ruajtur si vlera historike, sendet që vijojnë:1)Një flamur i vjetër me shkronjat:BANDAKOMBETAREVATRADHURATENGA SHOQERIADRENOVAREBASHKIMI19182)Një Gran Cassa3)Një Tamburozv. Drejtor i Bandës Ushtarake Drejtori i BibliotekësKapiten. IIKështu u zgjidh enigma e pazbuluar e dorëzimit të flamurit të Bandës Kombëtare“Vatra” dhe e trashëgimisë së tij në Fondin etnografik që na ngacmonte që nga viti 1999. Mirëpo aq sa na qetësoi nga ana “muzeore”, po aq na trubulloi mendjen enigma e ekzistencës së dy instrumenteve të tjerë, e trumpetës dhe e daulles së madhe që në gjuhën e specialistëve të muzikës quhet “gran cassa”. Jemi të sigurtë se shumë lexues që nuk e dinë historinë e Bandës Kombëtare “Vatra” do të ҫuditen për shqetësimin tonë, do ta quajnë të kotë, madje edhe të ҫuditshëm dhe kanë të drejtë. Po ju lutemi, mos u ngutni në mendimet tuaja. Rilexojeni paragrafin e parë të këtij shkrimi, mundohuni të gjeni botime të tjera për Bandën Kombëtare “Vatra” dhe atëherë do ta kuptoni përkujdesjen tonë dhe përpjekjen e vazhduar për zbulimin e enigmave tunduese. Gjithҫka lidhet me ata instrumentistë në mos virtuozë, patjetër përҫues të entuziazmit të lirisë.Deri më sot janë shkruar disa artikuj studimorë ose përkujtimorë për këtë bandë, por ka akoma aromë për të thithur nga ajo lule. Në rolin e konservuesit kemi detyrën e trashëgimisë së relikeve të saj, të gjithҫkaje, sado të vogël të ardhur deri në ditët e sotme, pasojë e një neglizhence të pashpjegueshme jo nga ata që nuk lidhen me botën e muzeumeve, por nga ata që duhej ta kishin bërë këtë dhe ndoshta të larguar nga padija apo prirja e kufizuar nga atraksioni për profesionin e ngushtë: se kush ka thënë që po të jesh në fushë nuk sheh dot përtej kilometrit të nëntë.Gjetja në nëntorin e vitit të kaluar e disa prej flamujve më të famshëm historikë të Shqipërisë na bëri të ndjejmë drithërimën shtytëse për të zgjidhur enigmat e tjera që flenë në fondin etnografik. Të gjithë punonjësit u bënë robër të interesit që imponon zbulimi. Kurrë ndonjëherë më parë nuk ishte parë një këmbëngulje aq e shqetësuar, një shqetësim përpara dëshirës së papërmbajtur. U bë temë e ditës, e ҫdo dite. U kërkua në të gjitha mënyrat. E në këtë rast duhet të përmendim patjetër të dyja punonjëset e Fondit etnografik, Vilma Nallbanin dhe Violeta Malokun.Ethim Dodona na dha një fotografi të bandës. Ajo është kopjuar nga kalendari i “Vatrës” i vitit 1918. I ati i Ethimit, Petro Themistokli (Dodona), ka qenë klarinetist në atë bandë. Ethimi e di historinë e saj ashtu si nxënësi di mësimin. Në fotografi duket edhe trumpeta dhe daullja me një shkrim rrethor.E në këtë moment njëri nga autotët e këtij shkrimi, F. Stamati, shprehet:“Dhe atëherë kujtesa e fjetur nga vitet e kaluara filloi të riprodhojë trubullt ngjarje të dyzet vjetëve më parë… Sapo kisha filluar punën…Detyra ime ishte arkeometria dhe jo trashëgimia. Po kaloja nëpër korridor… Nga një derë e hapur pashë në gjysmë errësirën e dhomës një daulle të madhe… Në të ishte shkruar në formë rrethore diҫka e palexueshme nga larg…Shkrimi ishte i kuq dhe blu…Lëkura në mes të daulles ishte e ҫarë…I telefonova menjëherë Pandora Plakut, njërës nga punonjëset më të para të fondit etnografik. Nuk e mbante mend një daulle të tillë. Mbas dy javëve i telefonova përsëri. Si është njeriu! Pandora ka më shumë se tridhjetë vjet që ka dalë në pension. E megjithatë gjatë atyre dy javëve ishte përqendruar në kujtimet e mëparshme. Po, i kujtohej diҫka e tillë…U zhyta më tepër në kujtime…Atëherë bëhej një festival apo një konkurs midis grupeve amatore të shtëpive të kulturës. Grupi i Tiranës nuk kishte daulle. Nuk e di sesi iu drejtuan për ndihmë Institutit tonë. Me fondin etnografik merrej i ndjeri Abaz Dojaka. Më pyeti nëse mund të rregullohej ajo daulle e të bëhej për t’i rënë. I thashë se jo…Dikush u shpreh se ajo daulle nuk duhej për gjë…Atëherë shfaqën mendimin për t’i vënë një lëkurë të re…Nuk e di sesi shkuan punët më tej…I shkruajta këto tre paragrafë jo vetëm për kuriozitet, por për të parë se ҫfarë ndodhi…”Ethimi na tregoi se tamburisti i bandës kishte qenë babai i Aneta Takes. U lidhëm në telefon. Emocione nga të dy receptorët…Ndërkohë vazhdonte kërkimi intensiv, ndonjëherë edhe me deziluzion. Pastaj përsëri, përsëri. Dhe ja, erdhi një ditë kur u zbulua trumpeta. Është po ajo që shihet në fotografinë e bandës. Lëkura e njërës anë është ҫarë nga rrudhosja e tharjes së përtejme, kurse nga ana tjetër sapo ka marrë ndonja dy dëmtime të vogla. Kurioziteti na shtyu t’i biem. Tingulli i saj të kujton akordet e baterisë: ai vjen i thellë, i thellë… Apo është vetëm një iluzion psikik i shkaktuar nga hershmëria e kohërave nga ku vjen? Trokitëm më fort: thirrje luftarake! “Tamburxhi, tamburxhi, thirrja jote ushton…”Si shuam kuriozitetin muzikal u përqendruam në të tjera kuriozitete. Brenda tambures është ngjitur stampa e firmës prodhuese; ruhet shumë mirë. Në të lexohet:WALBERG & AUGEWORCESTER . MASS USATë nesërmen u zbulua daullja. Ajo kishte patur fatin e transformimit shfytyrues…apo të një restaurimi primitiv, jo muzeal, i cili i kishte hequr përgjithmonë ndjesinë e të qenit të atyre kohërave aq emocionuese. Lëkura origjinale ishte zëvendësuar me një të re, që ta bënte daullen të binte në konkurrimin amator. Cili vallë ka qenë ai daullexhi fshatar që ka patur fatin të luajë me një instrument historik? Edhe lëkura e re, e vënë në fillimvitet e shtatëdhjeta që lamë pas, është ҫarë në të dyja anët. Si lëkurë përdoret lëkura e kecit. Sa më i madh instrumenti, aq më i madh duhet të jetë keci që theret. Lëkura pastaj përpunohet, rregjet dhe montohet. Me sa duket kecat e therur nuk kanë qenë aq të mëdhej, prandaj kanë therur katër për të plotësuar daullen. Pastaj dy lëkurat janë ngjitur bashkarisht me rripa lëkure. Ata rripa lëkure ishin prerë nga lëkura origjionale; në ta dalloheshin disa gërma blu dhe kuq, që po t’i shikoje me kujdes dalloje fjalët ALBAN dhe BAND dhe disa të tjera të cunguara më keq. Nuk gjejmë dot fjalë për të përshkruar këtë punë xherahu!Në faqen e përparme të daulles ka qenë shkruar në formë rrethore me gërma të mëdha blu e me hije të kuqeALBANIAN NATIONAL BAND VATRAORGANIZED DECEMBER 11 1916WORCESTER. MASSQë përkëthehet:BANDA KOMBËTARE SHQIPTARE VATRAORGANIZUAR MË 11 DHJËETOR 1916USTER.MASS. Në mes ishte pikturuar lira.Në trupin e daulles është montuar edhe një pafte metalike, prej bronzi të nikeluar, e punishtes së prodhimit.
Në të shkruhet:
MADE BYC. G. CONN LTD9563ELKHART-IND
Pra kjo është ҫfarë ka mbetur nga daullja e fotografisë së vitit 1918, ndoshta pranë së cilës qëndron Petro Bexho, ai “i daullkave”, apo në një gjuhë më “akademike” instrumentisti i perkursionit, gjë që duhet përcaktuar më mirë. Dhe me siguri dikush po punon.Të gjitha veglat muzikore u blenë në Amerikë, të reja dhe nga më të mirat, sipas udhëzimeve që u dha instrumentistëve Thoma Nashi.Ja përshembull të dy rastet. C. G. Conn LTD , (Charles Gerard Conn), ishte fabrika më e madhe dhe më e mirë në botë për prodhimin e instrumenteve muzikorë, të cilët njiheshin si instrumenta “kon”. Kaq të famshëm ishin, sa që pronari i ri, Diamond Greenleaf, që e bleu në vitin 1915, vazhdoi të mbante të njëjtën markë tregëtare, pra C. G. Conn LTD. Ndërsa Ëalberg & Auge ka qenë një nga firmat më të famëshme të shekullit të njëzetë për prodhimin e instrumentave muzikore të perkursionit.Duke i parë me kujdes këto dy instrumente vërejmë se ato janë shumë të dëmtuar, gjë e shkaktuar nga përdorimi dhe koha. Trumpeta është prekur edhe nga insektet që sulmojnë drurin. Disa pjesë mungojnë apo janë dëmtuar. Daullja ka edhe arna prej sholle, të mbërthyera nallbanҫe. Restaurimi do të jetë një brazdë mëdyshjeje midis teorisë së rikthimit të funksionit dhe këshillës së urtë të Kongresit të Berlinit, në mos gabojmë, e vitit 1990, për të mos ndërhyrë në instrumentet muzikore, por vetëm për t’u krijuar kushte të mira ruajtjeje, duke i mbajtur të mbyllura nëpër kutitë e tyre.Bandat veprojnë si një e tërë. Kanë një harmoni të përgjithshme, edhe në paraqitje. Nuk besoj se mund të ketë njeri që ta parafytyrojë një bandë pa uniformën e saj. Edhe Banda Kombëtare “Vatra” e kishte uniformën e vet: një kostum të zi dhe kasketë me stemë. Prej kohe ëndërronim të kishim në koleksionet tona muzeale një kostum përfaqësues. Por ja, e pamundur! Dhe pikërisht kur i kishim humbur të gjitha shpresat gjetëm në Fondin Etnografik të QSA një xhaketë të zezë të uniformës. Gjoksi dhe mëngët janë mbushur me dekoracionet standarde të zbukurimit të uniformave ceremoniale, të realizuara me shirita kuq e zi. E ka grirë mola! Në kopsat e verdha është stampuar lira.Gjetëm edhe një kasketë po të bandës. Ajo ka të qëndisur me fill të verdhë shqiponjën me krahët e ngritur përpjetë: mbi shqiponjë shkruhet VATRA. Edhe kasketa është shumë e dëmtuar. Madje kësaj i mungon edhe shiriti mbi strehë. Rrethi prej lëkure sintetike në pjesën e brëndshme të saj është thërrmuar keq.Megjithatë u kënaqëm me fatin: ai na dha një ҫek kulture. Restaurimi i të gjitha këtyre sendeve, duke përfshirë edhe flamurin, do të jetë një punë që do ta dinë vetëm ata që do të merren me të!Kurioziteti na shtyu të interesohemi më tej për relike të mbetura nga kjo bandë.Takuam z. Ilia Terpini. Babi i tij, Petroja apo Peti, ka qenë flautist në bandën “Vatra”. Ilia e ruan me kujdes të rrallë instrumentin e trashëguar. Madje një herë e mori në Amerikë. Ҫfarë nuk i ofruan për shkëmbim! Por jo! Besojmë se ai do ta botojë vetë me hollësi historinë e tij. Kurse Ethim Dodona na premtoi se do të na dhurojë diҫka nga ajo bandë. Sado që u munduam nuk arritëm ta mësonim me saktësi se ҫfarë: ai e ruan surprizën për ndonjë rast më të shënuar. Mësuam se zoti Kristaq Jorgji i ka dhënë zotit Pandi Bello një fotografi të bandës, së bashku me emrat e instrumentistëve. Por ka edhe një rast të cilin nuk duam ta besojmë: zoti Vaskë Morcka thotë se vëllai i tij, Roberti, ka dorëzuar në Muzeun Historik të Korҫës, natyrisht në kohën kur ai muze funksiononte, një uniformë të plotë të njërit prej instrumentistëve të bandës. Sot ajo uniformë nuk gjëndet më. Aktualisht muzeu është i mbyllur dhe materialet e tij ndodhen diku në ruajtje. Kërkuam informacionin që ka Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasuriveve Kulturore. Në inventarin e muzeut nuk figuron një uniformë e tillë… Ndoshta është harruar diku…Duhet kërkuar! Disa vite më parë Muzeu Historik Kombëtar bleu nga Zonja Krisidha Rali një instrument frymor, i cili quhet korno, e që sipas saj ishte i një instrumentisti të Bandës Kombëtare “Vatra”. Por në kartelën përkatëse nuk mund të lexosh asnjë hollësi më tepër. Duke e shqyrtuar me kujdes instrumentin pamë stampën në të cilën shkruhet se është e prodhuar në Milano. Me sa duket ky instrument duhet të lidhet me një kohë të mëvonshme, ndoshta mbas dy-tre viteve, kur Banda Kombëtare “Vatra” u përfshi në Bandën Presidenciale.(Dielli Arkiv)
DHURATA NGA AMERIKA PËR BIBLIOTEKËN KOMBËTARE GJATË VITIT 1930
(LIBRAT E DHURUARA NGA LEGATA E SHQIPËRISË NË UASHINGTON DHE NGA FEDERATA “VATRA” E BOSTONIT)/
Nga Frederik Stamati/Tirane/
Një miku im, Shpëtim Sala, njeri tepër i dhënë pas koleksioneve historike dhe i çiltër në pasurinë intelektuale që ka, më dha i pari shtysën e pa përballueshme për të hedhur në letër këto pak rreshtat e mëposhtme, e që rrahin të kujtojnë një ngjarje të tetëdhjetë e katër vjetëve më parë, një ngjarje pa bujë dhe e mbyllur me kohë në arkivat e shtetit shqiptar. Dikur ai kishte lexuar një shkrimin tim për uniformën e një luftëtari të Trupit Vullnetar dhe sapo i ra në dorë broshura e Aqif Përmetit mbi mënyrën e stërvitjes së ushtarëve të Trupit ngriti dorezën e telefonit. Kaq ishte puna! Gjëja më interesante është se kjo broshurë bën pjesë në listën e librave që Federata “Vatra” i dhuroi Bibkiotekës Kombëtare në vitin 1930. Kushdo mund të bëhet kurioz dhe të vrasë mëndjen për rëndësinë e librit. Mirë! Unë nuk do ta komentoj broshurën për përmbajtjen, as për saktësinë ushtarake, as se në eksperiencën, apo rregulloret e cilit shtet është mbështetur autori. Këto janë çështje tepër larg njohurive të mija ushtarake, nuk guxoj dhe po u a lë specialistëve të stërvitjes fushore, por do të thom nja dy – tre fjalë për Trupin Vullnetar. Ai u krijua në Amerikë me sygjerimin e Mehmet Konicës dhe me përkujdesjen e “Vatrës”. Qëllimi ishte pjesmarrja në Luftën e Parë Botërore duke u rreshtuar pranë Forcave Aleate, për të siguruar kështu zyrtarizimin e paprekshmërisë së kufijve të vitit 1913. Mijëra shqiptarë firmosën pjesmarrjen në këtë njësi të armatosur ushtarake, duke blerë me paratë e tyre edhe armatimin. Mirëpo një forcë ushtarake nuk mund te funksionojë pa një organizim të përsosur që nga gjërat më elementare, që nga disiplina e rreshtimit, ecjes, etj, etj, gjë që në forcat e armatosura përcaktohet me rregullore. Këtë tematikë përmban broshura e hartuar nga Aqif Përmeti. Pastaj, më vonë, në vitin 1920, një pjese këtyre vullnetarëve të stërvitur ushtarakisht, u inkuadruan në “Gardën civile” dhe erdhën në Shqipëri në vitin 1920 në bazë të kërkesës së qeverisë së Sulejman Delvinës.
Në listën që rreshton librat e dhuruara nga “Vatra” broshura e Aqif Përmetit përmendet pak më ndryshe: me sa duket nëpunësi që e ka shkruar nuk ka treguar kujdesin e duhur dhe të domosdoshëm në të tilla raste, madje duke “ja futur kot” për ndonjë gjë, por megjithatë janë vogëlsira, të cilat nuk prishin punë.
Në Arkivin e Shtetit, në Fondin 195, Dosjen 122 dhe Faqen 173, ruhet kjo shkresë:(Te plote do ta lexoni ne Dielllin e printuar)
DHURATAT E RAUF FICOS PËR BIBLIOTEKËN DHE MUZEUN KOMBËTAR
RAUF FICO: “MIK I ÇMUEM DHE PËRKRAHËS ZEMËRNXËT I BIBLIOTEKËS KOMBËTARE”/
Nga Frederik Stamati/ Nuk jemi mësuar me emrin e Rauf Ficos. Asnjëherë emri i tij nuk është përmendur në tekstet e historisë, apo në kronikat e njerëzve të shquar. Ai është një njeri që duhet zbuluar në të gjithë madhështinë e tij. Duhet të kthehesh në kohën kur ka jetuar e të rrëmosh nëpër dokumente, që të kuptosh një horizont njerëzor të ndriçuar nga agimi që ngjall në shpirt patriotizmi më i kulluar. Dekoratat e shumta që ruan familja dhe pasardhësit e tij të detyrojnë respekt për një veprimtari të vlerësuar dikur, paçka se mund të mos e dish gjestin që meritoi medaljen. Këtë po mundohen ta bëjnë pasardhësit e tij, një përmendore jo prej bronzi, apo guri, por një tërësi intelekti dhe shpirti në vizion konceptual. Ka shumë për të kuptuar në këtë vizon të pritshëm, ndoshta do të përfshihet edhe tema që po paraqitet në këtë shkrim, që sido që të jetë është vetëm një e tërhequr shkrepseje në errësirën e një universi.
Ishin vitet e fillimit të shtetit shqiptar, i asaj kohe jo edhe aq të largët kur po rritej e ardhmja me kulturë. Duhej ujitur dija, shtylla bazë e ngrehinës së qytetëruar. Rauf Fico nuk pret, ai e dinte këtë falë edukimit vizionar. Gjatë gjithë kohës ai punon pa ndërprerje, ndjek ngjarjet, i arkivon në fondin personal të largpamësisë. Askush, veç vizionit të tij të jashtëzakonshëm, nuk e shtyu të vizitojë sarajet e rjepura të Princ Vidit, të gjejë atje të harruar në një qoshe flamurin e pricit, ta marrë, ndoshta edhe ta “restaurojë” dhe ta ruaj me kujdes deri në ditën kur e dhuroi në Muzeun Kombëtar, duke e pasuruar atë me një ekzemplar princëror brilant. Ai grumbulloi, por se si akoma nuk e dimë, qindra monedha të së shkuarës së largët, harta, vula të administratës, objekte arkeologjike, libra nga më të ndryshmit, shqip dhe në gjuhë të huaj, madje edhe kur ishte ambasador në Beograd gjatë viteve 1928-1929, sepse dija nuk ka kufijë të formësuar nga fjalët, të falura, apo të blera, i ruan dhe pastaj me të dëgjuar një kërkesë të enteve kombëtare të kultures, ai i dhuron plot madhështi! Ai nuk u shiti kurrë dhe asgjë institucioneve të kulturës dhe të dijes, ai vetëm dhuroi! Sa? Kush i a kaloi në këtë garë zemërgjerësie që ai e konsideroi detyrim atdhetar? Në se do të lexojmë dokumentet e asaj kohe, do të vërejmë se midis emrave si të Sotir Kolesë, Hil Mosit, Abdi Toptanit, Mit’hat Frashërit, Mehmet Lutfi Babanit, Jashar Erebarës, Aleksandër Xhuvanit, Kristo Luarasit, Ferid Vokopolës, Terenc Toçit, Don Shtjefën Kurtit, Profesor Norbert Jokl-it, Profesor Doktor Gustav Weigand-it, Profesor Ladisllav Zuba-s, Doktor Holger Pedersen-it, gjeneralit Piaçini, etj., ai i Ahmet Zogut zë vendin e parë. Mirëpo dhuratat e Zogut kanë më së shumti një karakter simbolik. Përshembull, u suall nga Sofja flamuri i shoqërisë “Dëshirë” dhe Zogu i a dhuron Muzeut Kombëtar, gjithashtu Zogu i dhuron me anë të Aqif Përmetit Muzeut Kombëtar katër flamujt e batalioneve të parë të ushtrisë shqiptare, etj, etj. Pra Ahmet Zogu dhuron pasurinë kombëtare, ose dhuratat e të tjerëve, ndërsa Rauf Fico dhuron atë që e ka të vetën, atë që e ka përzgjedhur si të vlefshëm për kulturën kombëtare. Jo më kot ai cilësohet nga autoritet kulturore të kohës si “mik i çmuem dhe përkrahës zemërnxët i Bibliotekës Kombëtare”!
Po shkatërrohet Epitafi i Gllavenicës
Nga Frederik Stamati/
Në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, në një sallë gjysmë të errët dhe disi të zhveshur nga reliket e kohës ishte ekspozuar në një tavolinë të mbuluar me xham epitafi mesjetar i Gllavenicës.
Thuajse të gjithë ata që merren me kulturën, pavarësisht në se janë studiues të teologjisë, apo të historisë dhe që për dijet e tyre kanë merituar grada dhe tituj akademikë, mendojnë se ky epitaf është kryeobjekti i muzeumeve të Shqipërisë, një perlë e vërtetë e kulturës materiale.
Për të është shkruar shumë, duke filluar që nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë nga shqiptarë dhe të huaj. Në dy kolonat anësore të shkrimeve bizantine thuhet se është i vitit 1373. Thuhet edhe së është porositur nga Ballshajt.
Shkruhen edhe gjëra të tjera që përcaktojnë kufij principatash dhe prirje për ndikime zgjerimi kufijsh. Dhe e gjitha kjo vlerësohet maksimalisht nga studiuesit e albanologjisë. Mirëpo ka edhe më. Në vitin 1974, tek e shikoja në hollin e Muzeut arkeologjik (atëherë po e përgatitnim për ta ҫuar në Paris në ekspozitën “Arti shqiptar në shekuj”), Theofan Popa më tha se ky epitaf është qëndisur nga dora e murgut Savia me porosi të Gjergj Arianitit, i cili historikisht i bie që të jetë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut.
Çfarë gabimi të pafalshëm kam bërë në atë kohë! Duhej të kisha mbajtur shënime dhe edhe ta pyesja Theofanin për hollësira të tjera! Isha i ri në punë dhe në moshë dhe nuk e kisha formimin e duhur shkencor, madje edhe nuk mendoja se një ditë njerëzit nuk do të jenë më! Në ndërgjegjen time nuk e justifikoj veten, por nuk e dija se Theofani nuk e kishte shkruar këtë.
Gjithmonë më ka ngacmuar kureshtja e së vërtetës së fshehur. Doja edhe një konfirmim. Vite më vonë bisedova me Dhimitër Shuteriqin. Ai ka qenë njohësi më i mirë i Aranitëve. “Ndëgjo,-më tha,- nji gja duhet ta dish mirë: Theofani nuk ia fuste kot!” Dhe pastaj rindërtoi pemën gjenealogjike të Aranitëve. “Po,- më tha pak a shumë,- rezulton që të jetë ashtu, pra gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut. Mirëpo në dokumente del që ky Gjergj Arianiti të ketë qenë murg”. Kjo çështje nuk dilte e qartë në dokumentet e kohës, sepse ai la trashëgimtarë, por duhet që andej nga fundi i jetës t’i ketë vdekur e shoqja dhe ai të jetë bërë murg.
Restaurimi
Nxitjen e parë për të studiuar epitafin e Glavinicës ma dha Prof. Dr. Andromaqi Gjergji, etnografe dhe Prof. Dr. Dhorka Dhamo, historiane e artit. Studimi ishte kompleks, i denjë për një kryevepër. Studimet janë të botuara në revista shkencore dhe në gazetat e kohës së sotme. Në studim ftova edhe dy specialistë nga më të njohurit e fushës në Evropë dhe në botë, Dr. Marta Jaro nga Laboratori Qendror i Restaurimit në Budapest dhe Dr. Jan Ëouters nga Instituti Mbretëror i Trashëgimisë Kulturore në Bruksel.
Jaro studioi fillin metalik të përdorur në qëndismat e epitafit, kurse Ëouters ngjyruesit bimorë dhe shtazorë të fillit. Vetë u mora me materialin tekstil. Rezultatet e analizave ishin të habitshme! E gjithë mjeshtëria e përdorur në përgatitjen e epitafit ishte maksimale, nga më të mirat, e krahasueshme me teknologjitë më të përparuara të botës së atëhershme! Gjetëm vlera të jashtëzakonshme, lidhje tregtare, teknologji, prejardhje…Kështu, kësaj perle të kulturës arbërore i u shtuan perla të tjera, duke krijuar një gjerdan me vlerë thesari.
Ekspozimi në Paris
Në vitin 1974-75 epitafi u ekspozua për katër muaj në Paris. Në gazetën “Drita” u shkrua se sipas specialistëve, ky ishte një ndër tre më të mirët e Evropës të shek. XIV. Dy të tjerët ndodheshin në Francë dhe në Gjermani. Franca kërkoi ta blinte me një çmim fillestar prej 2500000 dollarësh me vlerën e asaj periudhe kohore! Mirëpo të gjitha meritat që ka nuk e ndaluan të shpëtonte nga një vjedhje e lehtë në vitin 1994 e një ordineri, i cili u amnistua në 1977. Për një veturë të vjetër u vodh!
I impresionuar nga ky epitaf, Jan Ëouters, që në atë kohë ishte edhe kryetari i ICOM-Ç për tekstilet, ( ICOM-Ç është një seksion i UNESCO-s, pra Këshilli Ndërkombëtar i Muzeumeve-Komiteti për Konservimin ), u interesua me autoritetin e vet shkencor nëpër Evropë për të gjetur financime të mjaftueshme, me anën e të cilave epitafi do të studiohej më tej, do të restaurohej përfundimisht nëpër laboratorë tepër të avancuar të muzeumeve apo të instituteve të Evropës dhe do të ekspozohej në të tjera kushte, që do t’i siguronin konservimin. Kështu, ai do të shpëtohej si një vlerë botërore.
Dhe ja ku doli shansi!
IÇROM, përpjekjet e Dr. Wouters për konservimin
IÇROM (Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Ruajtjes dhe Restaurimit të Pasurive Kulturore), e sensibilizuar nga përpjekjet e Dr. Wouters, e mori në konsideratë çështjen e konservimit të epitafit. Ata dëshironin një kërkesë zyrtare nga Muzeu Historik Kombëtar. Dr. Wouters i shpjegoi të gjitha çështjet në një letër që i dërgoi muzeut tonë. Dërgoi letër se nuk mundi të gjente ndonjë adresë elektronike të muzeut. Por ajo letër nuk arriti kurrë. Dhe natyrisht që nuk u bë gjë. Eh, kot nuk thonë se i varfëri nuk ka fat!
U lidha personalisht me Dr. Wouters. Përsëri ai u interesua dhe ja ku doli një shans i dytë: IÇROM kishte ndërmarrë një nismë tjetër, që ishte një Program Emergjence për Muzeumet, i përcaktuar posaçërisht për muzeumet e Evropës jug-lindore, e ata dëshironin që ta përfshinin në këtë program Shqipërinë. Ky do të ishte një rast tjetër për të sjellë në qendër të vëmendjes çështjen e epitafit të Glavenicës. Vetë IÇROM do të na drejtohej. Do të ishte një kosto rreth 35000-50000 Euro. Dr. Wouters më shpjegoi edhe se si do të ndërhyhej, në cilët laboratorë, në cilët shtete, cilët do të ishin specialistët që mund ta përballonin teknikisht punën që kërkonte ky epitaf, etj.
I nxitur nga një entuziazëm i pafajshëm, fëmijëror, e paraqita çështjen në Muzeun Historik dhe në Ministrinë që mbulon kulturën. Duhej një lobing per të siguruar paratë e siguracionit, etj. Duheshin edhe disa foto për reklamën në kanalet televizive. Rezultoi se nuk kishte foto të mira. Më të mirat ishin ato që ruaja unë në arkivin tim, e që i kishte realizuar Nikolin Baba përpara se të fillonte restaurimi i parë për në Paris. U interesova disa herë për ecurinë e punës. Por ministria kishte edhe probleme të tjera, e nuk mund të përqendrohej në këtë epitaf. Kaq u zgjat kjo punë, sa ministria tashmë kishte turp të lidhej me Dr. Wouters. Dhe përsëri nuk u bë gjë. A mund të më thotë tani ndokush se thënia që i varfëri nuk ka fat nuk është e vërtetë?
Pse është kaq delikat epitafi….
Veҫ studimit që kam bërë, e kam kaluar dy herë nëpër duart e mija për restaurim, apo konservim siҫ thuhet sot. Ja di të gjitha pikat delikate, grisjet, shqepjet, fijet e kalbura, arnat, dobësimet, njollat e shkaktuara nga qirinjtë, zëvendësimet, vendet ku ka vepruar aciditeti i materialeve të derdhura mbi të, çngjyrimet e fijeve nga veprimi i dritës, përbërjen kimike të ngjyruesve, llojet e fibrave të përdorura, mënyrën e endjes, letrën poshtë qëndismave, dëmtimet nga prekja e duarve të besimtarëve, këputjet e fijeve metalike, të gjitha, të gjitha! Me që ra fjala, filli metalik i qëndismave është dobësuar kaq shumë, sa që këputet e bije copë sa herë që epitafi paloset, apo lëvizet.
Duke e ditur delikatesën e epitafit, Muzeu Historik Kombëtar nuk e lejon që ai të nxirret nga ndërtesa për asnjë arsye. Nuk e lejoi as që të ekspozohej në Bruksel në sallën e Këshillit të Evropës! Mirëpo, ja që doli një më i fortë dhe ja mbushi mendjen ministrisë, apo kryeministrisë dhe befas epitafi u bë pjesë e ekspozitës për 100 vjetorin e pavarësisë në Itali. Tashmë ka gati një vit që epitafi lëviz herë kёtu e herë atje nëpër qytete jashtë Shqipёrisё pa asnjë kontroll shkencor të specialistëve të fushës! Instituti i Monumenteve, që menaxhon ekspozitën nuk është ekspert për konservimin, aq më tepër të tekstileve!
Pra, detyrimisht duhet që të ekzistojë një autoritet shkencor i specializuar në konservimin muzeal, që të orientojë drejt dhe të mos lejojë as ministrat dhe as ata më lart, që të japin urdhra arbitrarë dhe të gabuar. Kështu vepron e gjithë bota, natyrisht veҫ Shqipërisë.
Një autoritet i tillë do të ishte Laboratori Qendror i Restaurimit, apo ndryshe Institucioni Shkencor i Trashëgimisë së Objekteve Muzealë, një institucion kryesisht kimie dhe fizike dhe pastaj restaurimi, një institucion që i mungon Shqipërisë. Duhet të jesh i kësaj fushe, pra i kimisë dhe i fizikës në trashëgimi, sepse trashëgimia është kimi dhe fizikë dhe aspak art, histori, arkeologji, etnografi, etj, që të mund të kuptosh se sa i domosdoshëm është një institucion i tillë: që të kuptosh se nuk kemi gjë në terezi me trashëgiminë e objekteve muzealë, se kështu si e kemi nisur këtë punë, me kohë nuk do të trashëgojmë dot gjë veç qeramikës dhe disa gurëve, ose do ta trashëgojmë të cunguar kulturën materiale! Duhet një institucion i tillë që t’i vërë shpatullat problemeve! T’i ndjekë ata deri në zgjidhje! Solla rastin e epitafit të Gllavenicës për të parë se sa larg jemi nga e vërteta e trashëgimisë! Kur objekti më i rëndësishëm, po të tjerët?
Problemet e restaurimit të trashëgimisë
Njëzet e tre vjet më parë, të shqetësuar seriozisht nga gjendja dhe ecuria e punëve në trashëgiminë e veprave të artit dhe objekteve muzeale, pra të gjithë ne që merremi me këtë punë nëpër laboratore, vendosëm, argumentuam dhe kërkuam ngritjen e një institucioni të tillë, jo në rang komunal, por shkencor. Mendimi ynë u kuptua dhe u miratua. Pastaj erdhi 1990 dhe puna mbeti. Madje ka më shumë se katër vjet, që laboratori më i mirë që kishim në Shqipëri, nuk punon dhe po kalbet dita ditës.
A mund të organizohet një punë e tillë pranë Institutit të Monumenteve? Ndo nja tre apo katër vjet më parë u mendua që i gjithë restaurimi të përqendrohej pranë Institutit të Monumenteve. Ishte shumë atraktive: gjysma e ndërtesës së Kinostudios për laborator, përveç disa mjediseve të tjera, personel, perspektiva. Në atë shtrydhje limoni që i është bërë trashëgimisë materiale këto vitet e fundit, nuk kishte rrugë tjetër. Edhe unë e pranova, por me kushtin që nga ky organizim të dilte shumë shpejt si njësi më vete Laboratori Qendror i Restaurimit. Shumë shpejt u pa se gjysma e Kinostudios ishte dhënë me qira për një kohë shumë të gjatë.
Nga gjysma që mbetej, gjysmën e kishte Albafilmi. Kështu për laboratorin mbetej vetëm çereku dhe nga ky çerek Albafilmi nuk ipte nja dy-tre mjedise. Në atë që mbetej, një e katërta do të shfrytëzohej për të depozituar ikonat e Muzeut Historik. Nga rreth 400 m2 sipërfaqe që ka aktualisht laboratori i mbyllur i Qendrës së Studimeve Albanologjike, mezi u sajuan ndonja 80 m2. Pastaj, të tjerat, nën çati apo nën tokë. I gjithë plani për laboratorë shkencorë të fizikës bërthamore, të kimisë, biologjisë, kabineteve të grafive, etj, etj, u shndërrua në një zhgënjim pa kthim. Instituti i Monumenteve, duke qenë i mësuar me probleme ndërtimore, nuk mund ta përballojë një laborator me kërkesa speciale të shkencave natyrore.
Aq më tepër, ashtu edhe si u mundova ta shpjegoj me rastin e epitafit të Gllavenicës, specifika e objekteve muzeale, veç koncepteve krejt ndryshe, kërkon edhe ndjekje speciale në çdo hap. Krijimi i Laboratorit Qendror të Restaurimit, apo më mirë të Konservimit, si institucion më vete, si Instituti i Konservimit të Objekteve Muzeale, është një domosdoshmëri për Shqipërinë./”Shqiptarja.com”
U ZBULUA FLAMURI I REGJIMENTIT 6 I VULLNETARËVE SHQIPTARË NË USHTRINË AUSTRO-HUNGAREZE
Shkruan: Frederik Stamati/
Ajo që dëshëroj të tregoj më poshtë nuk është një përshkrim, apo shtjellim i një teme historike, siҫ ndoshta mund ta prisnin shumë lexues, por vetëm një njoftim, një njoftim i thjeshtë, i bazuar në disa dokumente shumë nxitës dhe impresionues, nga ata që të ngrënë mëndjen. Nuk mund të thomi se dokumentet u zbuluan, ata ishin në Arkivin e Shtetit, vetëm se në kërkim të origjinës së flamujve më historikë të Shqipërisë lexova para tre javëve një raport për veprimtarinë e Biblotekës dhe Muzeut Kombëtar gjatë vitit 1930, ku në zërin DHURATA, ndër të tjera, shkruhej:
“Z Dr. Rainholld (Reinhold) – Vjenë
1 flamur të Vullnetarëvet Shqipëtarë në ushtërin e Austrijës gjatë luftës së madhe; flamuri ka shkabën me dy krerë dhe numërin 6 të regjimentit të Shqipëtarëvetë”
Ky dokument ndodhet në Fondin 149, Dosja IV-285, e vitit1931.
Githashtu është një shkresë e datës 6 korrik 1930, si më poshtë:
“M.A.
Ni 126/289
Sende të falura
Muzejës’ Kombëtare
Mënistërijës’ së Arësimitë
Qytet
Për dijënijë të së Shkëlq. Mënistërijë shënojëm’ këtu pas sendet’ të falura Muzejës’ Kombëtare ndë këto kohë të funditë.
(Mbasi rreshtohen sendet e dhuruara dhe emrat e dhuruesve, vazhdon):
Z. Dr. Rheinhold-Vjenë
1 flamur’ të të 6 tit’ Regjiment vullnetarësh Shqipëtarë ndë ushtërijën’ Ajshtro-
Hungare gjatë luftës së madhe; këtë flamur’ i-a pat’ lënë i ungji’ tijë Z. Richard
Dimmel, Kumandanti i Regjimentitë; Na u dorëzua me anën e Z. Izet Bebeziqitë.”
# # #
Ky flamur ruhet në Fondin Etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Është prej pëlhure të leshtë, i kuq me një shqiponjë të zezë në mes, një shqiponjë disi e ҫuditëshme për nga forma, që nuk ngjason me format e shqiponjave që jemi mësuar të shohim në periudhën e pavarësisë dhe fare ndryshe nga forma e shqiponjës së batalioneve të ushtrisë shqiptare të asaj kohe. Poshtë shqiponjës është numuri 6. Anash konturohet nga një varg trekënëshash, në ide të përafërt për nga forma, me flamujt e batalioneve. Në krahë të majtë është vendi ku futej shtiza, apo liatari. Kjo është prej pëlhure pambuku, ngjyrë gri në të kaltërt. Dimensionet janw 120cm me 85 cm.(Te plote mund ta lexoni ne Dielline printuar)