• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO KUR TË MARROHEN BURRAT ?!

December 4, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Ishte viti 1913, kur Mark Kakarriqi ishte ambassador në Vjenë, dhe Shkodra vazhdonte me kenë e rrethueme nga Mali i Zi… Një gazetar e pyeti Markun: “Po kur të marojnë Burrat, shka keni nder mend me ba? – “Kur të mbarojnë burrat,  luftën do ta vazhdojnë gratë”, ju pergjegj Mark Kakarriqi… E fjala e Tij besa, vazhdoi edhe në okupacionin e 1944…/

Edhe një Marije tjeter mbas Maria Shllakut rroku armët…/

70 vjetori i VRASJES…/

  • ISHTE MARIA ZOJZI (DEDA) ME BURRIN E SAJ PJETER DEDEN…, në Sheldi.

Me 5 dhjetor 1946 në Shkoder festohej Nata  e Shën’ Kollit. Një mbramje jo e zakonshme në këtë qytet të lashtë, që gjithmonë ka përcjellë brez mbas brezit doket e zakonet e të parëvet të vet. Edhe pse shumë qytetarë janë largue ndër krahina të ndryshme të vendit ose edhe jashta Atdheut, zakonet i ruejnë, ashtusi atë ditë që festohën në Shkodër.

Atë natë të duket sikur qyteti asht prush ose ma mirë me thanë, sikur toka asht ndezë flakë prej dritave që depërtojnë jashtë dritarëve e kafazlijeve karakteristike të qytetit. Rrugët janë paqtue mjaft herët mbasi sejcili e ka mendue dishka para se me ra muzgu. Një gjel asht flijue edhe ndër shtëpitë e Pazarit të vjetër ndër kodrat rreth Kalasë, sëpse festa ka kohë që ka shkapërcye muret e nalta, të veshuna me shermashek e lulevile të shtëpive katolike.

Festa e Shën Kollit kremtohet në të gjitha anët ë qytetit. Dugajtë janë mbyllë njëherësh tue urue njeni-tjetrin: “Për shumë mot festën, pritshi të mirë mot!”

Në çdo votër asht vue buzmi, sigurisht jo, ma i madhi, mbasi ai ruhet për natën e madhe të Këshnellave, por sejcili oxhak nxjerr tym simbas forcës se asaj mbramje përzie me erën e gjellëve, që amvisat përgatisin me mjeshtrinë ma të madhe të grave të njohuna në këtë natë feste. Ajo që e ban ma të veçantë këtë natë asht qiri që ndezet në çdo shtëpi. Qiri i Shën’ Kollit asht  i pikturuem me lajle e lule shumëngjyrshe që vëndoset në krye të vendit dhe ndezet nga i zoti i shtëpisë e, festa fillon!

Fëmijët janë ma të gëzuemit në sofren e vet dhe me sytë e tyne vezullues kontrollojnë çdo qoshë pa u rrëshqitë asgja. Aty kanë vargjët e fiqëve të thatë, arrat e lejthijat që aq shumë ua kande, molla e fruta të stinës, dikund shihet edhe ndonjë ftu e portogal.

Gjyshet e moshueme, prej kohësh ndër kanavetat e tyne me dryj kanë ruejt për këtë natë të mbështjellun në letra xhami, qyfterin e derdhun ndër format e bukura të peshkut.

Vena nuk i mungon as ma fukarasë. Ulen ndër sofrat e shtrueme me sofrabezat e kuq, fillon urata prej ma të moshuemve dhe mbas sajë në kupë të qiellit kanga e Shën’Kollit: “Vjen Shën’Kolli prej Misirit…” Vazhdon zani ma i bukur i shoqnuem prej korit të pjestarëve të familjes. Naltohet zani me u ndigjue edhe prej komshijve, mbasi asht kënaqësi kur të nesërmen bisedohet prej grave se kujt i asht ndigjue zani ma larg.

Prej sofrës së fëmijve vjen lajmi se kur, do të vijnë në sofrën e tyne bukfikja e pitegjarpni i bamë me arra e rrush të thatë Selaniku. Mbas sofrës, fëmijët e gzuem e të marrakotun nga gzimi vazhdonin laradashat në dhomën e fjetjes ndër dyshekët e shtruem përtokë. Gaz’ e hare në atë dhomë fëmijësh, ndërsa në dhomën tjetër nder të gjitha sofrat bisedohej: “Ku e merr me pasë mendjën e tyne!”…

Ma plaku rrëmon zjarmin e në plasat e trungut të lisit me mashë kërkon me ba xhixha e shkëndia që çohen përpjetë. Krizmat e tyne i kujtojnë fishekzjarret që zbërthenin dikur në naltësi. Mendja i fluturon tek Kisha e Madhe… Sigurisht shenjë nervoziteti… Gratë i heqin vërejtje: “Boll ma, mos e luej se bukuri tèk asht!” Lodhja e ditës e shoqnueme me atë të pijes bajnë punën e vet e, kështu, ngadalë në Shkoder fillon e bie qetësia…

***

  • NATA SHËN KOLLIT…, dukej, sikur u mbyll pa krisma armësh partizane…

Atëherë, kur  ndër sofra shkrepën gotat e vëndosuna mbi sofrabezat e bukur që sonte kanë sipër gjithë të mirat, ndër mjaft shtëpi asht i treti Shën’Kollë që gratë kanë hapë arkat e baulat e nusisë dhe kanë hjedhë mbrendë, ndoshta, përgjithmonë fustanet e bukura me lloj-lloj ngjyrash, se ato janë zëvendsue me futat e zeza dhe degërmitë e bardha ashtusi në shtëpijat e Dedejakupëve, Kazazëve e të sa e sa të tjerëve, burrat e të cilave janë pushkatue. Janë mjaft në Seksionin e mbrendshëm tue u torturue e kushedisa ndër birucat e qelitë e këtij qyteti, ku çdo ditë djelmët e sa nanave hidheshin si thasë prej dritaresh me u thye kokat dhe me u hapë rrashtat ndër kalldramët e oborreve, ku ndihej vetëm era e shfarosjes së qytetnimit shkodran e atij kombtar europian, nën parullën e njohun të komunistëve: “Borgjezëve e reaksionarëve, plumbin ballit!”

Mbas mesnatës ndigjohen vetëm gjurmët e randa të këpucëve me thumba të agjentave, patrullave, zhurmat e xhipsit të Sigurimit të Ahmet Sujit e topolinos së Dulaç Lekiqit që merreshin me arrestime. Punojnë vetëm zyrat e hetuesisë së Seksionit të Mbrendshëm, të Seksionit Katolik, ndonjë zyrë e qarkorit të Partisë, që vazhdon në ilegalitet tue shpërnda urdhnat e sajë me agjentët terroristë të natës që tashma kanë pushtue qytetin.

Këto zyra, të drejtueme nga agjentët jugosllav bashkpunojnë me oficerët tanë tradhhtarë  Qazim Kapisyzi, Arif Gjyli, Lilo Zeneli, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri, Zoji Themeli, Pjerin Kçira, Rasim Dedja, Nesti Kopali, Xheudet Miloti etj., që nuk i fikun dritat kurrë mbasi ditë e natë dritaret janë të mbylluna, për mos me u ndigjue ndër rruga virrmat e britmat e të torturuemve të shkallmuem nder kalldrame për vdekje.

Ka mjaft nana që nuk i zë gjumi tue mendue se në duert e kujt ka loçkën e zemrës.

Një prej këtyne nanave asht edhe fatzeza Pina, e shoqja e Shtjefën Zojzit, që zemra i ndien dishka… Ajo, atë natë feste rri me sy të ngulun harû ndër gaca tue vrojtue kah votra, nuk i bahet me u ulë në sofër. Ajo asht e veçantë në të gjithë Shkodrën! Ajo ka në mal vajzën me emnin Maria. Vetë emni të ban me kujtue pa e njohë fare, një grue të pastër, besnike dhe trimneshë. Asht grueja fisnike e Pjetrit të Dedëjakupëve, që për besën e dhanun një ditë në kunorën Shenjtë kur në gisht vuni rrethin e martesës, merr malët bashkë me fatin e sajë dhe del me luftue komunizmin që ka pushtue mbarë Atdheun.

Nuk ishte jo hov rinie edhe pse ishte 30 vjeçe, por në zemër kishte mullâ urrejtjen e vrasjes së kushrinit nga komunistët, ingj. Ludovik Zojzit, arkitekt i vorrëve të Rrëmajit. Vllaun e saj prof. Rrok Zojzin, e kishin torturue në Sigurim se kishte guxue me thanë se, sa ka vra Zogu për 15 vjet komunistët i kanë vra për 15 ditë. Kjo grue zgjodhi rrugën e malit mbasi nuk mund të jetonte pa Lirinë e Atdheut, një dëshirë e pathyeshme edhe e burrit të saj që nuk kishte pranue bashkpunimin me komunistët. Ata nuk dinin me nda Shqipninë nga familja ashtusi dikur,  burrat e motit bashkë me gratë burrnesha që morën malët për liri.

Edukata qytetare e atdhetare ishte brumosë edhe prej dy axhave klerikë të familjes Zojzi.

Në heshtjen e asaj natës kriminelët mendojnë vetëm për krime e vrasje. Këtë detyrë do ta kryenin ma së miri Zoji Themeli, Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil  Kapisyzi e Zenel Cani me shokët e Ndjekjës. Në të dalun të dritës së datës 6 dhjetor, rreth orës 04.00 të mëngjezit, në luginën e prronit të Hijes së Madhe, në Meshkallë të Sheldisë, kur Maria e zgjueme… doli nga çadra e vendosun prej Pjetrit në atë vend, u ndigjue një za: “Dorëzou Marije, se nuk të vrasim!”…

Ajo, u përgjegj: “Për së gjalli kurrë, mor qena….!”, nxori armën nga brezi sëpse, e njihte mirë “besën” e komunistëve… Po, gjuejtjet e automatikëve të katilëve komunistë nga pozicionet e vëndosuna rreth asaj çadre gjatë natës, e rrëzuen  përdhé…

Ajo u vra me pushkë në dorë. Gjaku i pastër i Marijes u derdh në përrue dhe zbriti në Dri, për me përshëndetë ma afër Shkodrën. Ajo me ujët e Drinit pershëndeti edhe Nanën e vet për me i tregue Asaj se, “kur më linde Ti, bashkë me qumështin gjaku më mori erë baroti, ashtu si më pate mësue qyshë të re, në besë të burrit qëndrova e bashkë me Pjetrin e dashtun u vramë për liri!..” Rozafa veshtroi Vajzen e Zojzakëve e nuk ju ndigjue zani!

Maria nuk ishte as e para shkodrane e as e fundit që doli malësh me armë në dorë mbas vitit 1944 me luftue kundër komunistëve. Ishte edhe Maria Shllaku po prej Shkodret, që zani i sajë do të jehonte për 50 vjet ndër malët e Kosovës. Vajza shqiptare u tregue gjithmonë e denjë për armët që mbante në brez. Ajo nuk u përkul as para pushkatimit, as para torturës, as para yllit të kuq të “çlirimtarëve jugosllavë”, me të cilin na zhigatne Flamurin. Ajo i provoi burgjet komuniste, ajo provoi malët e Tepelenës, ajo provoi baltat e kënetave të Myzeqesë, ajo nuk iu tremb as presionit moral, shpirtnuer e fizik të hetuesisë, as interrnimeve, as punës së randë të fermave e kooperativave bujqësore por, gjithkund mbas burrave vuejtën për një kafshatë bukë, lindën dhe rritën fëmijë që njëditë… do të ishin ndera e Atdheut.

            ***

  • Vajzat e vërteta shkodrane në ballin e Rozafës vendosën dafina!

Vajzat e vërteta Shqiptare, Shkodra i ka pa edhe më 2 prill 1991!

Ishin vajzat e djelmët e shkollës “Jordan Misja” që me Flamurin e ngjymë në gjakun e djelmoçave trima shkodranë, marrshuen drejt Demokracisë! Ishin po ato vajza që më 14 janar 1990 i trandën thëmelet bustit të diktatorit të shekullit Stalin. E, prap më 2 prill, do të djegin tankun para diktatorit tjetër Enver Hoxha, që nuk i la gja mangut atit të tij, tue paralajmërue fundin e veprës së tyne: Turpit të Shekullit XX-të.

Toka Shqiptare i ruen në gjiun e sajë Herojtë, edhe pse sot na nuk dijmë ku pushojnë shumica e Tyne. Fshatarët e Meshkallës e ruejtën për 45 vjetë  Marijen në tokën e tyne, me një rrasë të vogël si shenjë nën kaçuba ferrash. Aty çobanët kishin shkrue me kujdes: “Këtu pushon Maria e Shtjefën Zojzit, besnike e burrit të saj”. Njëditë ata fshatarë bashkë me krahinat e Jubanit, të Gurit të Zi, të Sheldisë e përrreth e përcollën për në Rrëmaji, Heroinën e tyne. Aty e priti Shkodra, sigurish, Ajo nuk erdhi me petkun e bardhë të nusisë por me atë visar që asht  ma i Shenjti dhe ma i shtrenjti, Ajo erdhi e veshun me Flamurin e Shqipnisë si një zonjë e randë, me atë Flamur që Maria, me gjakun e sajë i ka shlye pergjithmonë yllin e qelbun të Titos, Stalinit, Enverit e Ramizit.

Edhe Flamuri, në shenjë nderimi për Heroinën e vet në zemrën e tij ka vu portretin e saj: SHQIPËN DYKRENARE. Ajo sot prehët me Nanën Pinë, mbasi burrin e besës komunistët e zhdukën, tue e vra për së vdekuni në Zallin e Kirit, pranë vorreve të Rrëmajit. Edhe Ai asht aty afër Marijes, aty ku janë shumica e Martirëve të Shkodrës…

  • Të gjithë bashkë pa Shenjë as Emen tek koka…
  • Marije! Më duket se, për kërkend ma shumë se për Ty….Shkruente dikur…, i madhi ynë

At Gjergj Fishta:           “… Ju besën

Ka për t’ua dhanë mbi vorr, se kurr për s’ gjalli

S’ ka me e koritun namin t’uej e nderën,

Se ka me dekë p’ r Atdhé si desin burrat

Si diqet, qé, ju për nji Shqipni t’lirueme.”

Shenim: U lexue në Radio Shkodra nga autori, me 5 Dhjetor 1992.

                Botohet në Dhjetor 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Kur marrohen burrat

NJE LETER PER ZONJEN GENTIANA SULA

December 2, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1-fritzUNË  KAM  BESUE  GJITHNJË  TEK  HAPJA  E  DOSJEVE !!/

1-gentiana-sula

NE FOTO: GENTIANA SULA/

E nderueme zonja Gentiana Sula!/

Pak ditë perpara u njoftue se: “Gentiana Sula votohet si kryetare për hapjen e dosjeve të sigurimit. Parlamenti ka votuar me 69 vota pro dhe 1 abstenim si Kryetare të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula.”

Nuk kerkova të dhana tjera rreth biografisë dhe aktivitetit Tuej…

U perqendrova tek kjo foto e Jueja që mu duk se flet mjaft persa më intereson sot.

Do t’ Ju shkruej per dy raste që kam pasë me njoh dy persona në jeten time, dhe jam shumë i sigurtë se njëditë do të më kujtoni!

Ishte viti 1962 kur jam kenë smurë dhe shkova per mjekim në Spitalin Ekstrapolmonar të Vlonës. Ishe 22 vjeç. Porsa mërrijta atje, një tiranas djalë i ri, më njohu me një të sëmurë të interrnuem nga Shkodra, Françeskan i dënuem në vitin 1947, At Frano Kiri…

Nuk e njihshe fare po, i kishe ndigjue vetem emnin. Sa ju afrova shtratit të Tij më njohu. Ishte me Ate një grup të rijshë që e kalonim kohen tue luejtë domino… Mbasi delshim nga mensa në drekë, At Frano, shkëputej dhe shkonte tek një stol nën hije të një peme dhe aty, ulej e lexonte gazeten… Po, sa kohë? – Besoj se lexonte kater faqet e saj…

Një ditë Ju afrova dhe mbasi pashë se po lexonte gazeten “Zeri i Popullit”, e pyeta: Mirë se ke vullnet me lexue, po nuk priton perditë me lexue rrenat e komunistave bre Burrë, dhe as, nuk priton me lexue kater faqet me rrena të “Zerit Popullit”..?!

Ai qeshi dhe, më tha: Shiko, unë i lexoj të kater faqet, po jo se shka shkruejnë këta…

Per me marrë vesht të verteten nder shkrimet e tyne, “unë lexoj shka asht e shkrueme tek e bardha në mes të rreshtave të zezë!”… Qeshem, po fjalët e Tij nuk i harrova kurrma!

***

Burrat e mendshem me pak fjalë kanë lanë vepra të shkrueme në Shkoder!

Një prej Tyne asht kenë ekonomisti Zef Shiroka, vllau i mjekut njohun Federik Shiroka. Per Zefin thonin se “asht nder Burrat e rrallë me cilësi të mira!”

Një ditë një mik e pyeti: “Zef, a me të vertetë je Burrë i mirë, ashtu si të njeh Shkodra?”

Zefi e shikoi, dhe me buzë në gaz i tha: “E dij unë se shka kam hjekë me më thanë sot gjithë Shkodra, se Zefi asht Burrë i mirë! Vetem pesë minuta i duhen njeriut per me kenë ‘burrë i keq’, prandej, nuk asht aq e thjeshtë me u quejtë Burrë i mirë në Shkoder…”

Zef Shiroka dhe shumë Burra të mirë në Shkoder, edhe e mbyllen jeten e tyne jo vetem, me këte Epitet nderi, po edhe të provuem nder hetuesi si të tillë!

***

E nderueme zonja Gentiana,

Papa Gjon Pali II kur vizitoi Shqipninë me 25 Prill 1993, ka thanë në Sheshin Skenderbeu se: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazen dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerzimit!..” E, dokumentacionin e kësaj tragjedije të pashembullt që ka ngja tek ne, sigurisht, keni me e pasë në kujdes dhe studim Ju. Piksynimi i Juej ka me kenë nxjerrja në pah e asaj që ka ngja dhe ekziston në Shqipni, pikrisht nder Dosjet që kanë me kenë nder duertë Tua, me synimin drejt së mires: Me shikue Perpara!

Në të vertetë ky kusht nuk lejon me u rikthye tek të njajtat krime po, edhe siç porositë Papa Gjon Pali II, “ky asht shtegu ma i mirë per një proces pajtimi të vertetë!” 

Në vitin 1998 kam lexue edhe unë “në mes të rreshtave të zezë” disa Dosje, dhe kur kam shkrue per ato Dosje, kam shkrue “Vetem të Verteten”!

Do të më pelqente fort që mbas disa vitesh… Edhe per Ju, të thonin Shqiptarët e vertetë:

“Gentiana asht me të vertetë një Shqiptare Burrneshë, po, edhe një zonjë e nderueme!”

E kjo, asht vetem në doren Tuej! Koha ka me tregue Vepren Tuej!..

Me shumë respekt!  

            Melbourne, Dhjetor 2016.

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, leter publike, per Gentiana Sula

KUSH NA E SHITI ATDHEUN ?!

November 28, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/Melbourne/Australi/

dokumenti-enver-jugos ■

DOSJA: Komisari Politik ENVER HOXHA dhe Komandanti i Përgjithshëm Major

   SPIRO MOISIU autorizojnë  Shokun DUSHAN MUGOSHA (SALI MURATI)…

Me marrë pjesë në VENDIMET E SHTABIT TË BRIGADËS SË I – rë …

Që do të merren për AKSIONE dhe në DISKUTIME si dhe në VENDIME të tjera…

Kush ka firmosë këte autorizim ?

Shikoni mirë ato dy firma !!

  • E KUSH JANË KËTA GJAKPRISHUN ?

“HEROJT’ E POPULLIT” TRADHTARËT Enver Hoxha, Spiro Moisiu e Sali Murati.

  • 73 VJET QË TRADHTARËT QË SHITËN SHQIPNINË, baballarët, gjyshat e stergjyshat e DREJTUESËVE TË SHTETIT SOTEM ANTISHQIPTARË, sundojnë, vjedhin, dhunojnë, pasunohen, vrasin, poshtnojnë, mohojnë, mëshefin krimet, shesin e blejnë pasuni prrallore, ndihmohen nga antishqiptarët me shkomtarizue Shqiptarët e Trojeve tona, zhdukun Fise e Burra të Maleve dhe fushave, vetem pse trashigojnë nga të Parët e vet: Dashuninë per Atdheun e GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT, dhe Formulen e Pagëzimit që Ju pat lanë të shkrueme Imzot Pal ENGJULLI.
  • Urrejtja vazhdon me Bratilen e Dedë Gjo’ LULIT, At Mati PRENNUSHIT e At Buon GJEÇAJ, me Don Nikoll KAÇORRIN E Luigj GURAKUQIN e 1912, dhe SOT, ndaj të gjithë të LUMVE TË KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE, me masken “Jam Katolik”…
  • Lexoni dok. nr. 11203… DHE, SHIKONI KUSH ASHT SOT “RILINDJA”!

            Melbourne, 28 Nandor 2016.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Fritz radovani, kush, na e shiti Atdheun

KUJTESE NE 70 VJETORIN E PUSHKATIMIT

November 24, 2016 by dgreca

imgres-copy*KUPA  E  ARTË  PËR “KATOLIÇESKAJA  BANDA”/

*25 NANDOR 1946 – 2016… 70 VJETORI I PUSHKATIMIT !/

Nga Fritz RADOVANI/

  • Ata janë gurtë e thëmelit të Atdheut që nuk vdiqën por u gurosën e, prap sot, na mësojnë si Atë ditë kur lane me Gjakun e Tyne të Shenjtë Tokën Shqiptare!
  • Dardania Heroike Shqiptare asnjëherë nuk u pajtue me robninë sllavokomuniste, po luftoi e derdhi Gjak per Liri. Emnat e shumë Atdhetarëve mbetën të pashlyeshëm nga: Prof. Ymer Berisha, Ndue Përlleshi, Mehmet Gradica, Met Dini, Adem Shala, Gjok Dom Gjoni, Pjetër Toma, Shaban Polluzha, Bajraktari i Llaushës,…. deri tek Adem Jashari me far’e fis i ditëve tona. Historia e Tyne asht një libër mija faqesh i shkruem me Gjak!
  • Urdhni i Titos duhej zbatue! Partia Komuniste Jugosllave kontrollonte edhe Shqipninë e robnueme prej tyne. Enver Hoxha, Fadil Hoxha, Omer Nishani, Mehmet Shehu, etj., zbatonin urdhnat e Dushan Mugoshës, që vazhdonte me vra barbarisht Shqiptarë…
  • Në dhjetorin e vitit 1945, u krijue Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar, pra NDSH për Kosovën me kryetar Prof. Hajdar Pllaneja, profesor i Gjimnazit Prizrenit, mik i Mit-hat Frashërit, Kol Parubit, Gjergj Martinit, Muhamet Vokshit dhe mbasardhës i denjë i prof. Ymer Berishës. Marsel Vuçaj vepronte në Pejë ku ishte famullitar At Bernardin Llupi. Humbjet në njerëz nuk llogaritën. Ndonse, Maria Shllaku, luftare e zjarrtë nga Shkodra, ishte arrestue që në shtator të 1945, OZN-a e formoi grupin e “armiqve të popullit”, tue i akuzue ashtu si të gjitha “demokracitë popullore” njerëzit që donte me zhdukë, me faj e pafaj tue i veshë me nenët 3 pika 3 pika 1, neni 3 pika 7 e 12, neni …“ i tradhtisë ndaj Atdheut dhe e bashkpunimit në grup për rrëzimin e pushtetit popullor me dhunë, agjenta e spijunë të …etj. etj.”, akuza fallse si gjithmonë në sistemet komuniste totalitare. Një pjesë Shqiptarësh i nisën per Tivar, me Ramiz Alinë e i zhdukën…
  • Në grupin e Prizrenit përfshihën: Maria Shllaku, At Bernardin Llupi OFM, Kol Parubi, Gjergj Martini, Marsel Vuçaj, Isa Cavolli, Masar Begolli, Hamza Begolli, Jusuf Haxhiymeri, Mehmet Vokshi, Viktor Gashi, Frano Civlaku, Jak Krasniqi, Osman Basha, Skender Rizaj, Engjëll Berisha, Shefqet Kelmendi, Ramiz Kelmendi, Kamber Pajaziti, Sebë Mateja, Jak Shahini, Gita Mjeda, Luçije Leka, Sebë Kola, Miftar Bala, Binak Dema dhe Gjergj Deda. Dosja asht e cungueme e jo e saktë. Megjithate, pjesa që na intereson për ketë shkrim del edhe nga kujtimet e bashkvuejtësve të shumtë të asaj ngjarje. Kryesisht jam ndihmue per këte material nga bashkvuejtësi Sheuqet Kelmendi (1995).
  • Gjyqi i montuem sllavotitist vendosi: Maria Shllaku 24 vjeç, At Bernardin Llupi 60 vjeç, Kol Parubi 40 vjeç dhe Gjergj Martini 29 vjeç, u dënuen me vdekje me pushkatim. Vendimi u zbatue me datën 25 Nandor 1946, në të dalun të dritës në Prizren…
  • Sa u hap dera nga rojet jugosllave, At Llupi pa ju trembë syni, tha: “Gjergj e Kolë, ejani të shkojmë krenarë, lé ta shohin këta se nuk ia kemi frikën plumbit! Duhet të jemi të lumtun se po vdesim për idealet e Kombit!”.

 

“VDEKJA SI  KJO, VDEKJA PËR SHQIPTARIZËM,

ASHT KUPË E ARTË!.. RRNOFTË SHQIPNIA!”

  • Këto ishin fjalët e Fratit At Bernardin Llupi para plutonit pushkatimit!

E, mbas të shtimëve të automatikut, At Llupi kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e Atij Martiri… Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia!” …Xhullinjtë Ju afruen dhe vazhduen me shti mbi Té, derisa Frati Shkodranë u shtri mbi Tokën Nanë Shqiptare…të Prizrenit robnuem!

  • Vazhdoi Mësuesi Gjergj Martini: “Lamtumirë vëllazën! Tregoni Botës mbarë se Kosova e Shqipnia ka trima, që japin jetën për vatan dhe, nuk ka asnjë armik që na tremb!

Shqiptari nuk përkulët kurrë!”.

  • Prof. Kol Parubi me një za të lehtë siç fliste Ai, u tha: “Lamtumirë vëllazën, Amanet vajzën. Rrnoftë Kombi ynë Shqiptar, rrnoftë Shqipnia!”.
  • U ndigjue zani i Maria Shllakut, Ajo nuk doli nga qelia pa i dhanë fund kangës së trimit maleve Ymer Berisha…At Llupi i tha: “Të lumtë, o bylbyli i shqiptarizmës! Lé ta marrin vesh Bota si shkon me vdekë femna Shqiptare…me kangë në gojë!”…
  • Maria u përgjegjë: “Rrnoftë Shqipnia e Madhe! Rrnoftë bashkimi i Shqiptarëve!”.

***

  • Në këte 70 vjetor të pushkatimit të Këtyne Atdhetarëve Trima, pa asnjë hezitim duhet ruejt naltë figura e simbolit Lirisë së Dardanisë Ibrahim Rrugovës dhe, e të gjithë Atyne Martirve që punuen e vdiqën si me lé për Atdhé e përparim!
  • Amaneti i tyne duhet të bahet udhërrëfyesi i gjithë Rinisë Shqiptare!

            Melbourne, 24 Nandor 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Kupa e Arte, per “KATOLIÇESKAJA BANDA”

2016 AKADEMIA ANTISHKENCORE E REPUBLIKËS SË SHQIPNISË…

November 20, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 KUR  PO  NDRRONI  ALFABETIN ?/
imgresMANASTIR 1908/

22 NANDOR 1908  – Përfundon punimet Kongresi i Manastirit… /

  • Harron me perkujtue Heroin Kombtar Gjergj KASTRIOTIN, dhe kur i “kujtohet” ajo e citon fjalen e Tij “me gjuhën e ndysuar”, (si e ka quejtë Prof. Arshi PIPA – 1992)…
  • “Akademia” nuk perkujton as Abatin e Mirditës Prend DOÇIN, themelues i Shoqnisë “Bashkimi”, as At Gjergj FISHTEN O.F.M., themelues i ALFABETIT SHQIP…
  • “Akademia” nuk perkujton ASNJË nga datat e ngjarjeve të arsimit në Veri, tue fillue nga Shkollat e Para Shqipe dhe deri tek Gjimnazet e Shkodres, që shteti antishqiptar i ka mbyllë në 1945 – 46, bashkë me shkollat e Trojeve Shqiptare të hapuna nga E.Koliqi.
  • “Akademia” nuk perkujton Heroin e Maleve Dedë GJO’ LULIN, as datat e fitoreve të Tij. Nuk perkujtohet as “Memorandum i Gerçës” as perpiluesit e tij: Luigj GURAKUQI, At Mati PRENNUSHI dhe Imzot Lazer MJEDJA…”Harrohen” edhe firmëtarët e tij!
  • Zagari i Titos në Shqipni Enver Hoxha me “akademikë”, mundohet me fshij Emnat e Dedë Gjo’ Luli (Hot), Sokol Baci (Grudë), Dedë Nika (Grudë), Dodë Preçi (Kastrat), Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi (Selcë), Lulë Rapuka (Vukel), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet Shpendi (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mëhilli (Shllak), Tup Çuni (Prekal), Binak Lulashi (Toplanë), Bash Bajrami (Nikaj) dhe Bek Delia (Dukagjin). Prekë Cali, Dedë Coku, Gjelosh Luli, Dod Nikolli, Gjergj Vata me 118 Burrat e vramë në Janarin e 1945, në Selcë, pa gjyq, Trupat e Tyne të hudhun nder humnera…
  • Edhe sot “vazhdojnë të panjohun”… deri tek Shpella e Dragobisë!
  • Merrni harten e Shqipnisë dhe shihni ku bjen Gerça! Jeni mundue me fshijë Bratilen, Kelmendin, “Beslidhjen e Veriut”, “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, “Kanunin e Skenderbeut”… E tashti, si per tjerat ngjarje, po punohet me fshij nga faqet e Historisë së Lavdishme të Maleve të Veriut edhe “Memorandumin e Gerçës”… Keni “harrue” se aty ishin edhe Fretnit: At Buon Gjeçaj O.F.M. Famullitar i Grudës; At Luigj Bushati O.F.M. Famullitar i Traboinit; At Karlo Prennushi O.F.M. Famullitar i Vuksanlekaj; At Lorenc Mitroviq O.F.M. Famullitar i Bajzës Kastratit, të njohun si Atdhetarë per Pavarësi. Jehona e Tij kje në të gjitha Trojet tona tue perfshi edhe Arbëreshët e Italisë.
  • Vazhdon porosia e tradhtarit Ramiz Alia:“Mos me qenë në Monumentin e Vlorës së 1912, Atdhetari Luigj GURAKUQI, se ishte mik i Klerit Katolik Shqiptar…” Zhduket nga “fletët e Historisë” organizatori i Veriut per ngritjen e Flamurit Don Nikoll KAÇORRI.
  • “Harrohet” ngritja e Flamurit Shqipnisë në 1913, në kompanjelin e Fretenve në Shkoder dhe bashkë me Te, Hymni i Flamurit shkrue nga At FISHTA me muzikën e krijueme nga At Martin GJOKA. Vazhdohet me u këndue Hymni me muzikë rrumune…
  • Si mundemi me besue se “Akademia” nuk njeh vepren e Imzot Luigj Bumçit, në 1920 kur Korçën e Gjinokastren po i merrte Greku? – Jo, jo, por duhej fallsifikue fakti historik!
  • Edhe pak kohë Malësorët tanë nuk do të dijnë me lexue ma “Lahuten”, po ma e keqja asht se nuk kanë me dijtë me kuptue as Migjenin…. Atëherë, si do t’ ia bajmë? Hajt se Migjenin po ua shpjegojmë, se dy e tri vjerrsha që ka shkrue ai kunder Klerit Katolik, i dijmë të gjithë, po At Fishtës si do t’ ia bajmë? Ai edhe nuk ka lanë kend pa thumue?!
  • Nejse, nuk po hyjmë me ba komente! As të tjerët nuk po i njeh kush… Shqipnia u zhyt në llomin e injorancës dhe urrejtjes antiveriore, me kurset që u hapën për “edukimin” e kuadrove të partisë komuniste dhe të “mësuesëve” në kurset e analfabetëve, që shumë shpejtë i shohim në drejtimin e PKSh, komitetet ekzekutive, seksionet e arësimit, dhe në bankat e deputetëve të Kuvendit Popullor apo në drejtimin e Akademisë Antishkencore në Tiranë nga instruktorët që solli Tito e ma vonë Stalini, e deri tek “gardistët e kuq” tek Mao Ce Duni në vitin 1966, që gjetën terrenin e pershtatshëm tek tradhëtarët tanë, aqsa me ua pasë zili dhe ata që na i sollën në drejtim të shtetit këta terroristë antishqiptarë.
  • Sherbimi i tyne per shkombtarizimin e Shqipnisë, u fillue në dy drejtime:

Në perdhosjen e Historisë së Shqipnisë, me fallsifikime dhe gënjeshtra tue fillue nga shifra e 28.000 dëshmorëve të luftës nacional – çlirimtare, mija gjermanëve të vramë, po edhe një së “vertetes” së pashpallun deri sot: “Disa mija Shqiptarëve, të vramë e të pushkatuem nga brigadat partizane, në luften civile në Jug dhe në Veri…nga vitit 1941.  

Në ndihmë të tradhtisë asht edhe “prishja e Kishës së Vaut të Dejës”, nga Fadil Ymeri, “pa dijeninë” e anadollakut Enver Hoxha dhe Ramiz Alia…

Fronti i dytë i pergjakshem ishte kundër “shkollave të Gegënisë”, me heqjen e Emnit dhe Vepres së At Gjergj Fishtës në letersi, (atëherë e sot) e deri tek vargu i dijetarëve që vazhdojnë me kenë të dëbuem nder shkolla nga Historia dhe letersia!

  • Sot nder shkollat Shqiptare nuk zehen me gojë veprat e Atdhetarëve Shqiptar, vetem nga Emnat e Tyne dhe se, duhet vazhdue me Histori të fallsifikueme të Shqipnisë tue fillue nga 1462, Imz. Pal Engjulli, Don Aleksandër SIRDANI, At Anton HARAPI, Anton LOGORECI, At Anton ZANONI, Arshi PIPA, At Bernardin PALAJ, At Benedikt DEMA, Branko MERXHANI, At Daniel GJEÇAJ, Dedë GAJTANI, Engjëll RADOJA, Ernest KOLIQI, Et’hem HAXHIADEMI, Elena LULI, Faik KONICA, Frano ALKAJ, At Gjergj FISHTA, Gjergj PEKMEZI, Gjon SINISHTA, Guljelm DEDA, Ilo Mitkë QAFËZEZI, At Justin RROTA, Don Kolec PRENNUSHI (Pseudonim Mujs POLEMI), Karl GURAKUQI, Kolë THAÇI, Konstantin KOTE, Kostë A. ÇEKREZI, Krist MALOKI, Kristo FLOQI, Lame KODRA (Sejfullah MALESHOVA), Don Lazër SHANTOJA (Pseudonim Y…), Lef NOSI, At Luigj MARLEKAJ, Luigj THAÇI, Lumo SKËNDO (Mit’hat FRASHËRI), At Marin SIRDANI, At Mark HARAPI, Mark DEMA, Martin CAMAJ, Mati LOGORECI, Mehdi FRASHËRI, Musine KOKALARI, Mustafa KRUJA – MERLIKA (Pseudonim Shpend BARDHI), Namik RESSULI, Ndoc VASIJA, Don Ndre ZADEJA, Don Nikoll GAZULLI, Nikoll DAKA, Don Nikoll MAZRREKU, At Pashko BARDHI, At Pjeter MËSHKALLA, Imzot Prend DOÇI, Qemal DRAÇINI, Sami REPISHTI, Simon SHUTERIQI, Stavro SKENDI, Tajar ZAVALANI, Vangjel KOÇA, Vasil ALARUPI (Bendo Shapërdani), Imzot Vinçenc PRENNUSHI, Zef M. HARAPI, Zef SCHIRO Jr. (I riu), Zef ZORBA, Zoj XOXA, At Zef VALENTINI, etj…

***Tirani Enver Hoxha vulosi zyrtarisht tek “Kongresi i drejtshkrimit i vitit 1972”, me djallzinë e “ateistit” të 1967 se: “Shqiptarët duhet t’i pershtaten Kur’anit!”

E per fatin e keq të Shqipnisë, me ata “akademikë” tradhtarë që shkatrruen shtëpinë e Luigj Gurakuqit, At Gjergj Fishtës, dhe sa monumente tjera të kulturës sonë kombtare,  kanë bashkpunue edhe shumë të tjerë nga Trojet Shqiptare si dhe diaspora Shqiptare, deri në Amerikë dhe Australi. Këte të vertetë e kemi mësue vetem tashti, kur ndigjojmë dhe shohim Malësorin e Veriut tue i thanë Nanës Shqipni, “Nëna Shqipëri”!

  • Ishte pa u ngritë Flamuri në Vlonë, kur “disa”… mendonin se “Shqipëria duhet me qenë prap nën suazen turke edhe pas vitit 1912…”, gati gati si mendojnë disa edhe sot!

Ky mendim u duhet me “maskue” qenjen e vertetë nen “suazen sllave” tash gati 100 vjet, që në 1925 ! E, po kje nevoja edhe “nen suazen greke”!.. E ndoshta, edhe italiane!!

  • Tirani Enver Hoxha ka lanë një porosi: “Shqiptarët duhet ti referohen Kur’anit!”…

Pra, per me e kuptue mirë Kur’anin ashtu si e pat kuptue ai vetë, asht mirë me e ndrrue edhe Alfabetin! Ka lanë pasues si thotë Populli: “Sa han edhe dreqi!”…

  • Një rrugë e dy punë, kështu harrohet kush e pat ba Alfabetin dhe Hymnin e Flamurit!..
  • TRADHTIA KOMBTARE NUK NJEH CAK !..

            Melbourne, 21 Nandor 2016.

Filed Under: Analiza Tagged With: akademi antishkencore, alfabeti, Fritz radovani, Kongresi i Manastirit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sounds of Albania…
  • Fuqia e vërtetë…
  • Qyteza dardane në Kodren e Pecës – Kukës
  • Realiteti i përballueshmërisë për amerikanët
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN, PRINCIN E MIRDITËS, MBI DORËZIMIN E SHKODRËS DHE FATIN E ARDHSHËM TË SHQIPËRISË
  • NYC Flag Raising for Albania’s Independence Day – Recognition of our Community’s Contributions and History
  • Data 10 Dhjetor shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut
  • ELITEN E RE DUHET TA MBËSHTESIM
  • Në Parlamentin e Rumanisë u promovua fjalori akademik rumanisht–shqip: një ngjarje historike për dy kulturat
  • LAHUTA NE UNESCO FITORJA SHQIPTARE PERBALLE PRETENDIMEVE SERBE
  • Një reflektim mbi “Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes” të ShBA-së, miratuar ditët e fundit
  • “Ukrainë, paqe e pamundur me pushtuesin (Putinin)”
  • INSTITUTI I KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE NË STUTTGART
  • Presidentja Osmani priti në takim Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, z. Riho Terras
  • ROLI I SALI BUTKËS NË SHPALLJEN E REPUBLIKËS SHQIPTARE TË KORÇËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT