…NGA JOSIFI TEK JOSIFI,/
KËTU NISI, ATJE KRISI/
70 VJET NA SUNDOI PISI./.
HAPNI DOSJET: NË SHQIPNI, NGA VITI 1944 SUNDIMTARËT TANË…/
PRA, TRADHËTARËT E ATDHEUT “NUK KANË DOSJE”! JANË “HERONJ”…/
Nga Fritz RADOVANI/*
■Tradhëtari Enver Hoxha deklaron në vitin 1944, në Mbledhjen e Beratit: “Që nga krijimi i Partisë Komuniste dhe gjatë gjithë luftës, Partia dhe Komiteti Qendror ishin identifikuar vetëm me Miladin Popoviqin…”
■Mardhanjet e Enver Hoxhës me Dushan Mugoshen dhe Miladin Popoviqin, siç tregon edhe e “njohura” e tyne Nexhmije Hoxha, kishin të bajnë kryesisht per “drejtuesin” që do të vinte në krye të Partisë Komuniste Shqiptare. Problemi i ripushtimit të tokave tona të lira nga viti 1941, dhe varsia e plotë e Shqipnisë nga Jugosllavia komuniste, nuk mund të diskutoheshin fare, jo pse, ashtu u vendos në Jalta, po ashtu donte “druzhe” Tito.
■Ne themi se “Shqipëria është çliruar nga bijtë e saj…”, ndersa Enveri, në intervistat që ka dhanë në Jugosllavi me 30 qershor 1946, kur shkoi me u dekorue nga Tito “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, me 1 korrik 1946, ka thanë: “Është e pamundur të imagjinosh rezistencën e popullit të vogël shqiptar kundër armikut pa luftën e popujve jugosllavë”.
■Dokumenti ma i turpëshem i firmosun nga E. Hoxha në vitin 1946, në Konferencën e Paqës në Paris, as nuk zehet me gojë nga pseudohistorianët tanë, edhe pse Enveri e ka folë aq bukur në gjuhen frenge… Karriga e vet i dukej ma e bukur se Kosova…Para se të shkonte në Paris, ishte mysafir tek Josifi nr.1, dhe porsa mërrijti atje deklaroi: “Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë, Jugosllavisë”. Një kusht per mbajtjen e kolltukut!
■Asnjëherë në këta 70 vjetë nuk asht thanë as shkrue e verteta e Trojeve Shqiptare, që mbas 1944 mbeten jashta Hartës Shtetit Shqiptar, vetem pse tradhëtarëve Hoxhës dhe Alisë, historianët tanë i pluhnosnin dokumentat me “akuzat ndaj fqinjëve, kryesisht me pretendimet greke dhe qendrimin prosllav të disa shteteve europjane që në vitin 1913”.
■Edhe pse partizanët tanë vdisnin tue thirrë “Bijt’ e Stalinit jemi ne!”…Edhe pse nder shkolla virrej “Enver, Tito, Stalin!”, “Enveri ynë”, nuk kishte mërrijtë ende me perqafue dhe as me ia fshi mustakët “shokut Stalin” per surratin e vet deri në vitin 1947…
■Kur Tito shkoi në Krime per pushime tek Hrushovi në 1956, njëditë ky e pyeti Titon: “Kur Stalini ta dha Shqipninë, ti pse nuk e more?”, Tito ishte pergjegjë: “Do t’ ishte gabim i madh per ne. Njëditë kur Shqiptarët do të zgjohen me dalë në vete, po ta kishe marrë edhe Shqipninë, atëherë do të ikte Shqipnia e bashkë me te, do të më iknin edhe krahinat ma të mira të sajat, që unë i kam e i shfrytzoj edhe sot…” Hrushovi ishte qeshë!
■Qé, ja ku e keni kancerin shkatrrues të Shtetit dhe të Popullit Shqiptar!
Parimi komunist: “Shpif e shpif, se diça mbetë!”, “Përçai e sundo!”, “Mbillni urrejtje!”
Mbi këta parime u zhvilluen edhe takimet dhe bisedat e këtyne katilëve të pistë!
■HAPNI DOSJET: Nandor 1949 në Suhumi, BRSS. Ishte takimi i tretë i Josif Stalinit me Enver Hoxhën. Përkthen ambasadori sovjetik në Tiranë Çuvahin…
■Enver Hoxha mbas prishjes së Stalinit me Titon tregon: “Gjatë këtij takimi shoku Stalin, si gjithmonë, fliste qetë, shtruar, pyeste e dëgjonte me shumë vëmendje, shfaqte mendimin e tij, na këshillonte, por gjithmonë në frymë të thellë shoqërore.
■– S’ ka receta se si duhet sjellur në këtë apo atë rast, se si duhet zgjidhur kjo apo ajo punë – përsëriste shpesh ai, sipas çështjëve të ndryshme që shtroja.
■Gjatë bisedës me Stalinin i vura në dukje qëndrimin e klerit, sidomos të atij katolik në Shqipëri, pozitën tonë në marrëdhënie me të dhe e pyeta se si e gjykonte qëndrimin tonë.
– Vatikani – më tha ndër tjera shoku Stalin – është një qendër reaksioni, vegël në shërbim të kapitalit e të reaksionit botëror, të cilët e mbështetin këtë organizatë ndërkombëtare diversioni e spiunazhi. Është fakt se shumë priftërinj katolikë e misionerë të Vatikanit janë spiunë të regjur në shkallë botërore.
Me anën e tyre imperializmi është përpjekur e përpiqet të realizojë qëllimet e tij.
■– Pastaj më tregoi se çfarë i kishte ndodhur një herë në Jaltë, me Ruzveltin, me kryetarin e kishës katolike amerikane etj.
Duke biseduar me Ruzveltin, me Çërçillin e të tjerë për probleme të luftës antihitleriane, ata i kishin thënë: “Të mos luftojmë më papën e Romës. Ç’ keni ju më të që e goditni?!”.
“Asgjë s’ kam më të”, u qe përgjigjur Stalini.
“Atëherë ta bëjmë papën aleat – kishin thënë – ta futim në koalicionin e aleatëve të mëdhenj”.
“Dakord – u kishte thënë Stalini – por aleanca antifashiste është aleancë për të zhdukur fashizmin e nazizmin. Kjo luftë sikundër e dini, zotërinj, bëhët me ushtarë, topa, mitraloza, tanke, avionë. Le të na thotë papa ose na thoni ju se ç’ ushtri, topa, mitraloza, tanke e të tjera ka papa për luftë dhe le të bëhët aleat. Aleat për llafe e temjan ne nuk kemi nevojë”.
Pas kësaj s’ e kishin zënë më në gojë çështjen e papës e të Vatikanit.
■– A ka pasur priftërinj katolikë në Shqipëri që kanë tradhtuar popullin? – më pyeti mandej shoku Stalin.
■– Po, i thashë. – Bile krerët e kishës katolike u bashkuan që në fillim me pushtuesit e huaj nazifashistë, u vunë kokë e këmbë në shërbim të tyre, bënë ç’ është e mundur të shkatrronin Luftën tonë Nacionalçlirimtare e të përjetësonin sundimin e huaj.
– Çfarë keni bërë ndaj tyre?
– Pas fitores, i thashë, i kapëm, i nxorëm në gjyqe dhe atje morën dënimin e merituar.
■– Mirë keni bërë, më tha.
*Ne 70 vjetorin e permbytjes se Shqiperise
PYETNI GJERMANËT: “SI MBYLLET KJO DOSJE ?”
Nga Fritz RADOVANI/
DOSJA: Tiranë, më 26.6.1979 Nr. i dekretit: 5912 Viti 1979…/
■MOS E HAPNI KËTE DOSJE ! DO TË NA HAPNI “TELASHE” !../
■ Lexoni këte dokument:/
Tiranë, më 26.6.1979 Nr. i dekretit: 5912 Viti 1979…
Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi dhe Sekretari, Telo Mezini firmosin dekretin për internimin dhe dëbimin si masë administrative, propozue nga Këshilli i Ministrave.
Në vitin 1979 hyjnë në fuqi disa nene për internimin dhe dëbimin kundër shtetasve shqiptarë e të huaj dhe personave pa shtetësi,që kanë mbushur moshën 14 vjeç.
“Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Presidiumi i Kuvendit Popullor
Dekret Për Internim dhe dëbim si masë administrative në mbështetje të nenit 76 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave.
Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë
Vendosi:
Neni 1.
Internimi dhe dëbimi, si masë administrative, mund të vendoset kundër shtetasve shqiptarë, shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi, që kanë mbushur moshën 14 vjeç, janë të përgjegjshëm dhe paraqesin rrezikshmëri për rendin shoqëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Neni 2.
Internimi dhe dëbimi mund të vendosen edhe kundër pjesëtarëve të familjes së personave të arratisur brenda ose jashtë shtetit.
Quhen pjesëtarë të familjes personat që në çastin e arratisjes, bashkëjetonin me të arratisurin, si bashkëshorti, fëmijët, prindërit, vëllezërit dhe motrat, si dhe persona te tjerë që bashkëjetonin me të dhe kanë qenë në ngarkim të tij.
Lista emnore e aprovuesëve të këtij ligji gjëndet këtu:
http://mordor.rrota.com/2014/shtetiwebdocs/2012/09/28/deputetet-e-kuvendi-popullor-legjislatura-ix-25-12-1978-14-07-1982/
***
■Ky ligj 50 vjet para nenshkrimit të tij tek né, në Gjermani u quejt Gjenocid.
Në Gjermani perfshinte 5% të popullsisë gjermane. Atëherë e sot, asht turpi i Europës!
■Po, ajo që ngjet në Shqipni, nuk ngjet në asnjë vend tjeter të Botës!..
■Nenshkruesit e këtij GJENOCIDI, vazhdojnë me kenë “heronj” dhe, me u shperblye si të tillë edhe pse njihen si vrasës mashtrues dhe terroristë të pashpirtë të selisë krimit në Shqipni. Po, sa gra e nuse të reja kanë lindë nder tortura në birucat e sigurimit shtetit foshnje dhe janë masakrue pa mujtë me i dhanë bebeve të vogla një ditë gjiun e Nanës!
■Sa fëmijë vdiqën në kampet e interrnimit të Tepelenës, Lushnjes e të sa skutave ku zhdukej rraca Shqiptare nga sherbëtorët e shovenistët sllavë, anadollakë, kinezë… per hirë të kolltukut tyne në luften e pamëshirshme antinjerzore si antishqiptarë?!..
■Mija e mija fëmijë nder fshatra… edhe pse Nanat e tyne zgjoheshin pa dalë dielli dhe milnin lopët e kooperativës, nuk kishin të drejtë as me ushqye me qumësht fëmijët e vet, se kështu kishin urdhnue “heroinat e deputetet” barbar të Kuvendit Popullor, që vetem, mendonin per “jeten e lumtur”… të fëmijëve tanë… E kush e beson këte sot në Botë?
■Në vitin 1974, i duhej gjak fëmijësh të porsa lindun me i dhurue Enver Hoxhës…
E sa fëmijë u mbyten në maternitetin e Tiranës, me urdhën të “heroinës” që e “nderon” Shqipnia, kobres Nexhmije Hoxha, per me i shpetue jeten katilit Popullit Shqiptar..?!
■Askush nuk e tregon shifren e Fëmijëve të “vramë” nga urija dhe sëmundjet nder ata kampe interrnimi dhe shfarosje… Sa Nana Shqiptare nuk kanë varreza me Fëmijët e vet?
– Askush nuk flet! Vazhdon edhe sot frika!
***
■Në Republiken e Shqipnisë sot dokumenti konsiderohet “Heroizem” i nenshkruesëve!
■Nëse mendoni me u konsultue me specialistë gjermanë të “hapjes së Dosjeve” mendoj:
Që per Dosjen e vitit 1979, të pyetni “Si mbyllet ajo Dosje?”, se do të na hapni probleme!
■Të persekutuemit politik kanë edhe ata një “institut” që merret me “studime”…
■Mund të pyetni Gjermanët, si funksionon sot “instituti” i Tyne “per mbyllje Dosjesh”!
■Prandej sot, qeveritarët e shqiptarëve thërrasin në gjithë Boten: “Na duhet Rilindja”…
“Na duhen kampet… Na duhet eksodi… Na duhen burgjet… Na duhen vllavrasjet..!!”
■Në vneshtë asht edhe kolltuku: “Frika ruen vneshten!”, thotë fatkeqi Shqiptar!
*Pjesa XV, ne vijim te ciklit: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, Maji 2015.
PROF. GJON SINISHTA (8 Prill 1929 – 9 Maji 1995)
Nga Fritz RADOVANI/
“Mos të lejohet ma që Shqipnia të lahet me lot gjaku!/
Përsëritja e lotëve për Shqipninë, së pari do të jetë faj i intelektualëve!..”/
Prof. Gjon SINISHTA/
Fisnik i nderuem!/
Ndër ata male të nalta, maje degëve të një lisi shekullor asht edhe një çerdhe e bame me krande e baltë, ku Nana, vështron e rritë zogjtë e sajë tue i mëkue…
Njëditë ata fluturojnë, … ikin…
Në muzg, pa ra dielli, Ajo me sy vështron se, mos po këthejnë të vegjlit prej detit a rrugëve të pafund të pyllit… Dikur, kotët, e kështu, fillon vetmia…
Herët në mëngjez, një pupul që sjell era ia këputë shpirtin, një copë skjep i thyem e disa njolla të kuqe, që tokën tonë vaditën për kaq shumë vite, janë aty…
Tue fluturue mbi një gêm, mendon me vete: “Po tjerët, a thue, kanë shpëtue?”….
Dhimbje, dashni, ankth e trishtim, tue pritë njëditë me i pa…
Vajza e zbathun me velin e bardhë si bora me vija të holla bojë qielli që valvitë era, morrlani i vorfnisë pashoqe, mjedis jetëshkurtëve, ringjallë jetën, besimin e shpnesën, vetëm, tue i prekë me duert e Saja të bekueme, e ata, në dhimbje të pakundshoqe thërrasin:
“Ooo… Nanë!…”
Djali me dru Krygjet në dorë, i zgaçun, me post të ngjeshun krah e qafë… nisët drejt rrugëve të largëta ku, dielli atje përëndon herët prej shtëpijave të nalta. Nëpër shkëlqimet e vezullimet e vetrinave që të marrin sytë, sheh edhe shamia kuq e zi, ashtusi i “pëlqenin” Nanës…
Asaj çdo natë, kur kapaktë e territ i bashkojnë çerpiktë, mendja tek ti i fluturonte edhe pse ti kishe humbë.
I dukej e zhdukej hija yte por, gjumi e kotollonte e aty kah e vona e merrte me të mirë me andrra të gjata. As dy gisht letër nuk gjejnë plasë me hi tek perdja që lak ka ba. Nuk asht thanë me u gëzue zemra e Saj e djegun në mall. Vetëm rrin në vetmi…tue të pritë ty!
Fe e Atdhé, për ty Fatos i dijës, ishin arma e yte vërbuese për t’ patënzonë…
E… njëditë Fitove!
Atëditë, të pashë dhe unë së parit më 25 prill 1993. Papa Gjon Pali II-të, na njohu: “Jemi vëllazën” na tha, na i shtërnguem dorën fort njeni tjetrit si burrat, e kryet për krye zatetëm si dikur motit ndeshte Shqiptari. Mbi kokat tona valvitëshin flamujt nga flladi i Lirisë së dishrueme…
Kur ike s’parit, Fëtyra e yte ishte si maza e tamlit që milte Lokja. Kur erdhe në krahët e Sajë, Ajo nuk të njohu atëditë edhe pse shtëpia mori dritë. Çerdhja ishte çartë e krandët shkapërda. Ajo ndjeu erën tande, e era Yte i mbushi gjoksin me gëzim e hare, ku i rrahte e bardha zemër edhe pse ka 50 vjetë që asht qorre biro! Ajo nuk i sheh thinjat e mjekrrën tande të zbardhun si biluri, veç buzët e shkrumueme të Sajat për ballin tand të vizatun ngjëshi sidikur, kur të kishte në prehën e frigohëj nga zjermia. Ajo ngrohtësi e ytja ishte prap ndër buzët e Saja të plasarituna e të bame shkrum…
Rozafa sot për parzëm të ka shtërngue, për atë gji, në të cilin, ti thithe mjaltën që nxjerr pa da goja yte.
Ndër ata mure të asaj Kështjellë, tash sa vjet veç kullonte tamth ‘e Sh’Njon në Sh’Njon… për të gjatë Bunës rrëkajë derdhëj në det, me lot përzi… e porsi tallaz përplasej për brigjët e asaj toke të bekueme, ku ishe Ti, o Gjon Shqiptari!
Ti sot, jé këtu, tek Nana! Fé e Atdhé, ishin dashtnia e vepra yte, e qé, ku janë!..
Ashtu si i mblodhe me Dritë, Dije e Përparim, Ti Rinisë Shqiptare ia solle pasuninë ma të madhe të Tandën; Virtytin, mundin e djersën, veprën e përjetëshme…
Të pastë Nana Yte…Shqipni, me shumë djelm’ e Fatosa si Ti!
Në Muzeun Historik të Shkodrës, më 16 tetor 1994.
Botohet me rasen e 20 vjetorit vdekjes Prof. Gj. Sinishtes.
Melbourne, 9 Maji 2015.
9 MAJI 1945-70 VJETORI I ROBNISË STALINISTE NË EUROPË
Nga Fritz RADOVANI*/
9 Maji 1945 “PËRANDORIA E SË KEQES” ME DISA MILJON SKLLAVË/
■Ma në fund u gjet edhe mënyra per me shkatrrue Europen e qytetnueme!
■Edhe pse të gjithë e kishin kuptue se kush ishte Bashkimi Sovjetik dhe udhëheqësi i tij diktatori Stalin, as Rusvelti dhe as Çërçilli nuk ishin në gjendje me i caktue cakun se deri ku mund të shtrihej sundimi i tij, madje, shpesh, edhe tue harrue barbarizmin e tij.
Fatkeqsia e popujve të Europës e ma vonë të Azisë, ishte se Rusvelti asnjëherë nuk arrijti me kuptue mjeshtrinë diplomatike të Stalinit per me sigurue zonat e influences së vet!
■Atëherë kur Stalini dukej sikur kishte dalë nga vetvetja e po fliste në Jalta, pra në muejn Shkurt 1945, per “zgjedhje të lira dhe të drejtën e vetvendosjes në zonat e lirueme”, ishte ajo kohë kur ushtria sovjetike i kishte pushtue të gjitha ato, e do të vepronte si donte ai!
Stalini shkoi edhe ma perpara tue propozue edhe “Qeveri Demokratike në të gjithë Europën Lindore, të daluna nga zgjedhjet e Lira nder ata shtete!” Pikrisht, kur ushtria sovjetike vazhdonte marrshimin drejtë pushtimit të Tokave të tjera drejtë Berlinit!
■Prova ma e sakta e mashtrimeve të Stalinit për ata “premtime” ishin zgjedhjet që po përgatiteshin në Jugosllavi, dhe shtetin e varun prej saj në Shqipninë komuniste. Pra, Stalini zgjodhi dy shtete që nuk ishin çlirue nga ushtritë sovjetike, po influenca e tij ishte vendimtare në zgjedhjen e Titos e Enver Hoxhës, në këto “zgjedhje të lira e bolshevike”!
■Me 9 Maji 1945, Stalini kishte arrijtë shtrimjen e vet deri në lumin Elba…
■Në të gjitha shtetet e Europës Lindore (e ma shumë nder ata Perëndimore), Stalini, jo vetem, nuk lejoi zgjedhje të lira, po edhe perforcoi poziten e partive komuniste nder të gjitha shtetet ku kishte kjoftë edhe vetem një ushtar sovjetik, ndersa, nga pikpamja e tyne “demokratike”, ata ishin dhe mbeten deri diten e fundit “parti staliniste”…
■”Perandoria e së keqes” Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike ase BRSS, me datën 9 Maji 1945 kishte 16 “republika bolshevike” që shtriheshin deri nder kufinjtë e Koresë dhe në Lindjen e Largët… poshtë me dalje në Detin e Zi dhe Adriatik e Jon… dhe me një territor të pushtuem ku, mbizotnonte diktatura staliniste nder këto shtete: Letoni, Estoni, Lituani, Poloni, Gjermani Lindore, Çeki e Sllovaki, Hungari, Rumani, Bullgari, Jugosllavi dhe Shqipnia ynë “Dera e Adriatikut”, e “Paktit të Varshavës”!
■Sikur të kalonim para syve tanë vetem portretet e udhëheqësve komunistë të këtyne vendeve para vitit 1990, tue fillue nga Oneker i Gjermanisë apo Çaushesku i Rumanisë, e deri tek anadollaku i Shqipnisë Ramiz Alia… Vetem atëherë, do të kuptonim fatin e zi të Popujve tanë, që per 70 vjetë vuejten nën diktaturen e pashoqe staliniste bolshevike.
■Nëse historia e BRSS nuk do ti harrojë kurrë “Gulagët” e Stalinit, apo ata tmerret e kampeve të shfarosjeve në Siberi… As Populli Shqiptar nuk do të fundosin në “Arkivin e Harresës” asnjëherë: Torturat, masakrat dhe zhdukjet e bame nga hetuesit dhe vrasësit komunistë, nder 26 Burgjet dhe hetuesit e Shkodres nga viti 1944… e përgjithmonë!
***
■Në këte 70 vjetor të datës 9 Maji 1945, Putin i Rusisë… ka mendue me dekorue edhe
24 vetë, që po i thonë se janë “shqiptarë’’: Rustem PEÇI, Odhise PORODINI,
Sul DOMI, Gjike KURTIQI, Ziqiri MERO, Faik ALIAJ, Servet AGALLIU, Orhan FRASHËRI, Gjemal KACANI, Spiro JANI, Llutfie MERO, Gjon BANUSHI,
Manushaqa MIKO, Lefkoshe PAPAJANI, Alfred MOISIU, Rita MARKO, Ballëm META, Kadri DINGU, Asllan GROPASI. Nuk i njoh! Edhe mund të jenë…
■Më çuditë vetem një fakt: Si përputhet mendimi i Putin me veprimin e kryeministrit Edi Rama, që në gjithë listen nuk ka mujtë me gjetë asnjë emen “katolik” ashtusi, edhe kryeministri Rama, tash dy vjet “nuk gjenë asnjë katolik, per ambasador në Vatikan”!!
A mos asht një kujtesë kjo e vitit 1945…Që, përkon me Sulltan Mehmetin e II…në 1478…
■“Në Shqipni, të mos mbetet …Asnjë Katolik!”…
*Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, 7 Maji 2015.
KUR SHKRIHEN KËTA KRAHË TË KALBUN ?!
Nga Fritz RADOVANI/
Ne Foto: Tiranë, Qershor Plenumi i IV i KQ të PPSH-së 1973/
■42 VjetË…ME KRAHË NALTË… KA MBETË “DOSJA” E HAPUN !/
■Nuk mbyllen plagët e 70 vjetëve të Krimeve komuniste ashtusi kujtojnë ata që i hapën!
■Pa u kalbë edhe kockat, këta krahë do të vazhdojnë me qendrue naltë… të ngrimë!
■“Rilindje”, “Ringjallje”, “Rikëthim”, “Ripërmbytje”, “Ripushtim”, “Rivendosje”, “Rizgjedhje” e “RIFILLIM” i rrugës së terrorizmit, barbarizmit, vrasjeve, shkatrrimit kombtar…
■Ky asht mesazhi i këtyne drejtuesëve të shtetit dhe të Popullit Shqiptar, atëherë e sot!
■Trashigimtarët e tyne po vazhdojnë haptas zbatimin e vendimeve që janë ba publike: “Vigjilenca ideologjike, servilizmi partiak, larja e hesapeve, persekucioni kulturor e fetar, zhdukja e talentëve me pikpamje Europjano Perëndimore, hakmarrja deri në idiotësi ndaj miqëve të korrupsionit, persekucion ndaj atyne që guxojnë me thanë të vërtetën, dëbime masive nen masken e “eksodeve” fallco dhe pa asnjë prospektivë, ose menjanime dhe mos sigurim vendi pune per kuadrot që kanë perfundue studimet jashtë shkelqyeshëm, apo kanë guxue me kerkue “Hapjen e Dosjeve” të “plenumeve të KQ të PPSh”, edhe pse krimet e tyne janë të njohuna !”
■A ka nevojë me u hapë “Dosja” nalt? – Jo, ajo asht e hapun tash 70 vjetë.
■Lexoni nga shkrimet e tyne: “Falm Enver që frymë dot s’ të dhashë…”, “Stalini ka thënë: Nuk ka kala që s’ marrin komunistët…”, “Enver Hoxha është i njohur tashme nga mbarë bota si ideator dhe arkitekt i Shqipërisë së re…”. “Enver Hoxha është njëkohësisht i tillë edhe përsa i përket shkencës, artit e literaturës sonë. Mendja e tij e madhe si ideolog, filozof e erudit i rallë, ka qenë një nga faktorët kryesorë që përcaktuan madhësinë e thëmeleve të artit dhe të literaturës së re shqiptare… “Ata shkrimtarë dhe artistë që kanë patur fatin të njohin e të takohen me të, ruajnë përjetë në kujtesën e tyre fuqinë shpirtërore, thellësinë, karakterin inovativ, ngrohtësinë vëllazërore dhe njëkohësisht madhështinë e fjalës së tij…”.
■16 Prill 1990 Ramiz Alia: “Dy gjëra nuk do t’i lejojmë, këto kurrën e kurrës, e para puna e shumë partive… Këtë kurrën e kurrës, sëpse kjo do të thoshte tradhëti e atdheut, mbaroi pushteti popullor mbaroi revolucioni, e dyta ne kurrë nuk do të pranojmë çështjen e pronës private, tregun e lirë të varur mbi pronësinë private… Kjo do të thotë likujdim i socializmit… Këtu jemi në Komitetin Qendror, edhe bar do hamë edhe gjak do derdhim. Këtu s’ shkon më dhe s’ do shkojë më tej, s’ mund të shkojë asgjë…” N. Hoxha: “Europa duhet të na pranojë kështu siç jemi!”
“Në këtë mes mirënjohja jonë e madhe padyshim shkon së pari tek Presidenti, shoku Ramiz Alia, i cili po me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë në betejat çlirimtare (fishkëllima), udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë (fishkëllima).” 2013…Fillon Ripertypja… “Edhe bar do hani…Edhe bar do hani !!!..Edhe…”
■Ka kenë dikur një “urim”: “Ju thafshin krahët e tyne!”
Melbourne, 2015
* Ne vijim te ciklit: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
- « Previous Page
- 1
- …
- 39
- 40
- 41
- 42
- 43
- …
- 65
- Next Page »