• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË 70 VJETOR I ZYMTË…

October 4, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: Daniel Gazulli 4 Tetor 1943 – 4 Tetor …/

Një vit maparë shkembyem mesazhe urimi me mikun tim Daniel Gazulli.Danieli kishte lé me 4 Tetor 1943, në Shkoder.

Iu dukshin shumë 69 vite që po kalonin! Unë nuk u pajtova me mendimin e Tij, mbasi kishe vue cakun e shumë viteve tek 70 vjetori… “Prit, Daniel, kalo 70 vjetët, mandej fillo me u ankue se vitet po kalojnë shpejtë!” Sigurisht, bajshe llogaritë me shifrat e mija…Qesheshim!

Diferenca e vogel e viteve mes nesh, na kujtonte shpesh të njajtat episode të jetës sonë!

Edhe Danieli kishte perfundue shkollen pedagogjike të Shkodres, dhe pothuej me ata mësues që e kishe perfundue edhe unë dy vjet para Tij. Kur pata shkrue një artikull per brezin e mësuesëve të Elbasanit, ishte knaqë per mendimin e mirë që kisha shpreh unë dhe që kishte edhe Ai për Ata mësues të nderuem, e kryesisht per të Ndjerin Gani Daiu, drejtor i asaj shkollë në vitin 1958 kur e kishte perfundue Danieli. Kujtimet lidheshin me një rasë të veçantë kur Danieli kishte marrë me vete në shkollë “Lahuten e Malcis” së At Fishtës…Dikush ia kishte pa. Tue kalue në korridor e kishte thirrë drejtori Gani Daiu, dhe i kishte thanë vetem këto fjalë: “Ti nuk besoj se e ke “Lahuten e Malcis”, prandej, edhe nuk ka mundsi ta keni sjellur në shkollë, shko!”

Me shpetoi, thonte Danieli, nga një perjashtim i sigurt nga shkolla drejtori Gani Daiu!

Aty nga vitet 1959 – 60 e njoha Danielin nga axha i Tij, Simon Gazulli, një mësues i nderuem dhe me shumë cilësi të mira, per të cilat kishte punue me i trashigue edhe tek Danieli. Nder to mund të permendi deshiren per kulturë e dije europjane, një thesar i njohun dhe i trashiguem i paraardhësëve Gazullorë! Nuk ishte e thjeshtë fjala me “dijtë”, kur persekucioni i Gazullorëve nuk po tham se kishte fillue që në kohen e turqëve, menjëherë mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit, që me dijetarin Gazulli, por me siguri në vitin 1927 me Ahmet Zogun, kur vari Don Gjonin e vazhdoi me Enver Hoxhen kur vrau dijetarin tjeter Don Nikoll Gazulli…Këto janë të pamohueshme dhe tragjike per një Fis të nderuem si Gazullorët.

Nga kontaktet e Danielit me At Justin Rroten, At Marin Sirdanin, At Meshkallen, kur axha e Tij Simoni, komunikonte me Ata, Danieli ruente shume kujtime dhe porosi morale e edukative të Tyne, dhe madje ata rrelike ishin të nguluna në kujtesen e perditëshme të Danielit.

Koha i kishte ngulitë dhe ato ishin ngujue në kujtesen e Tij. Shumë vlera t’ asaj kohë i ruejti me kujdes dhe mbas vitit 1990. Danieli nuk vazhdoi me heshtë ma, po edhe filloi me shperthye në shtyp… Kumtesa dhe studime serioze e karakterizonin Danielin, që tashti ndodhej në Lezhë. Pasioni i Tij per letersi dhe fizikë, disi të “palidhuna”, nuk e shkëpusin asnjëherë nga dy figura të Mëdha të Shqipnisë Europjane të Shek. XX, At Gjergj Fishta e Don Nikollë Kaçorri, per të cilët ka lanë edhe materiale me vlerë per brezat e ardhëshme që mund të interesohen me “dijtë” në fushen e letersisë dhe historisë! Karakteristikë e punimeve të Tij asht saktësia!

Vështirsia ekonomike nuk e la me ba disa botime me vlerë që sot, nuk duhet të mbeten nder sirtarë, kur domosdoshmenia e Tyne asht e perditëshme. Fusha e prozës dhe e poezisë janë kenë me të vertetë me vlerë per Danielin, ku mundohej me ngulm me hy nder zemrat e rinisë me një stil të veçantë dhe terheqës, kryesisht per trajtim dhe zgjedhje motivi të ditës.

Unë nuk mund të flas me kompetencë per fushen e krijimtarisë së Tij. Diskutimet tona lidheshin ma shumë per çeshtjet gjuhsore, ku unë, perditë kishe dhe kam edhe sot nevojen e një kompetenti të asaj lamë, ku Daniel Gazulli ishte i persosun dhe i pagabueshem.

Njihte mirë fushen e gjuhsisë dhe simpatizonte thesaret e dijetarit Selman Riza, të cilat ishin edhe pika orjentuese e studimeve të Danielit në atë drejtim aq të domosdoshem per kohen.

Nuk pritonte me redaktue punimet e mija, prandej edhe më shtyni me dijtë edhe mue per çka kishe shumë deshirë të ishte e punueme nga ana e Danielit, në fushen e Gegnishtes Letrare. Kur më tregoi se kishte perfundue “Kodifikimin e Gegënishtes Letrare” dhe se, per atë punim aq me vlerë Ai kishte vue në dijeni edhe Prof. Kolec Topallin e Prof. Primo Shllakun, të cilët besoj, se edhe Ata janë poaq të knaqun sa unë per këte brilant që Danieli, i ka lanë shkencës së Gjuhsisë Shqiptare…dhe, kryesisht, Gegnishtes së Tij fort të dashtun e të dhimëshme…

Nga ajo kohë, unë e kam adhurue Mikun e shtrenjtë Daniel Gazulli…

 

Melbourne, Tetor 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: 70 vjetori, Fritz radovani, i Daniel Gazullit

“HYLLI I DRITËS” – “SHPATA” E GJERGJIT !

September 29, 2013 by dgreca

●1 Tetor 1913 – 2013, 100 vjet “Hylli i Dritës”

Shkruan: Fritz RADOVANI/ Melbourne, Australi/

A mund të kishte Shqipnia edhe një At Gjergj tjeter… “pa shpatë”!?

Jemi mësue tashma me e pa Gjergjin, Atin e Kombit, gjithnjë me shpatë në dorë.

Edhe mos me kenë në atë foto Gjergj Kastrioti, mendja na fluturon tek Heroi ynë i madh dhe i pavdekshem… Themeluesi i Shtetit Shqiptar!

Edhe trashigimtarët e Emnit të Tij, Shqiptarët, i mendojnë me “shpatë” në dorë!

Edhe Dedë Gjo’ Lulin në maje të Bratilës, në 1911, e kujtojnë me Shpatë…

Në vitin 1912 kur Shqipnia u pagëzue Shtet i Pavarun, Shkodra kje e rrethueme e tue u gjuejtë me topa natë e ditë… Gjithkah vetonin gjylet e topave! Rozafa mundohej me qendrue! Kur ra një gjyle mbi çatinë e Kishës së Madhe, u hap tavani e mbrenda Saj u ba gjak… E dhunuen edhe Até malazezët…Kumbonët ranë në një anë dhe trenët u thyen…edhe kumonarja mbrendë u shemb. Shkodra vazhdoi me kenë e robnueme! Fesat malazez vazhdonin sundimin e dhunen!

Me 13 Qershor 1913, pa prit’ e pa u kujtue u pa në kompanjelin e Kishës së Fretenve të Gjuhadolit, jo ma i vogel se 4 meter… që po valvitej Flamuri i Gjergj Kastriotit…E nder rrugët e Shkodres djelmnia shkodrane këndonte me tanë forcen “Porsi Fleta e Ejllit t’ Zotit…”

Prej vjetit 1479…nuk ishte pa ndonjëherë Ai Flamur tue u valvitë prej shkodranëve…

Mbi Kështjellen Rozafat ditenperdiell, me 1 Tetor 1913 u pa “Hylli i Dritës”!

At Gjergj Fishta, kishte nxjerrë “shpaten”…E vezullimi i Saj çuditi mbarë Boten…

Ishte bash Ai Burrë që në vitin 1908, në Manastir kishte nxjerrë disa “grremça” që u tha të gjithë Shqiptarëve, se me “këto shkrojla” fitohet Liria! A e pat besue kush?!

– Vetem vllaznit e vet!

E edhe sot në Dokumentin e Pavarsisë së Shqipnisë së Nandorit 1912…keni firma dhe gjeni nenshkrime të “palexueshme” e besa, edhe bula gishtash e “shkarravina”! E pa u mbushë viti shumica e Tyne që endè nuk dinin me thanë Emnin Shqiptar, se nuk po tham se nuk dinin ku bie Shqipnia, me një dëshirë të zjarrtë filluen me shue etjen e Lirisë, tue pa mbi qiellin Shqiptar tue shkelqye një “Hyll i Dritës”…i pasuesëve të Gjergj Kastriotit, që persa shekuj nen robni i ngratë Shqiptar as nuk dinte se çka domethanë fjala “Dritë”!

Nuk ishte gja e thjeshtë me të shkue mendja tek “Hylli” që do të sillte “Driten” bash aso kohe, kur një popull ishte i zhytun per shekuj me rradhë në padije e n’ errësinë anadollake…

E nuk ishte aspak ma e lehtë me mendue me i daltue e perpunue ndjesitë shpirtnore gati të shueme të një Populli, per mos me thanë të bastardhueme e të shemtueme nga barbarët turqë. Edhe pse nuk munguen katilat që u munduen me i nxjerrë shpirtin pa lé të shkretes Shqipni, qyshë vitin e parë kur ishte nder shpergaj, Shqiptarët Atdhetarë gjetën një streh ku me futë koken n’ atë rrebesh që gjindej Europa. Ishte streha e Françeskanëve Shqiptarë, në deren e së ciles ishte e shkrueme me shkronja Shqipe: “Per Atdhé e Fé – Na bajmë vdekjen si me lé !”…

Pergatitja e Tyne kulturore, Atdhetare dhe politike kje me të vertetë e pakuptueshme jo vetem nga sunduesit, po, edhe nga selitë e njohuna t’ Europës, atëherë kur edhe vetë Emni ynë Shqiptarë, ndoshta, ishte ndigjue perherë të parë prej tyne…Dhe, pikrisht, forca morale e Atyne Françeskanëve kje që i dha hov luftës me penë, per Liri dhe të Drejta Njerzore. Ishte pa dalë endè “Hylli i Dritës” kur Imzot Preng Doçi, Imzot Koleci, Imzot Lazer Mjedja, Imzot Nikoll Kaçorri, Imzot Bumçi, Imzot Prennushi, At Gjergj Fishta, At Mati Prennushi, At Gjeçovi, At Palë Dodaj, At Anton Harapi, At Buon Gjeçaj, At Marin Sirdani, Don Ndre Mjedja, At Marjan Prela, Don Loro Caka, Don Ndoc Nikaj etj., do të vendosin gurtë e themelit të Shtetit Shqiptar të daltuem me kulturën Europjane, me një guxim dhe perkushtim të posaçem perballë tradhëtarëve dhe anadollakëve të shitun per dy pare të ndyta në dam t’ Atdheut dhe Lirisë së Tij.

Ishin Ata Burra që i vune gjoksin luftës per Liri të Trojeve të pushtueme. Asht Vermoshi, Hoti, Gruda, Kosova, Çamëria, Manastiri, Korça e Gjinokastra dishmitarë të veprave të Tyne.

Janë pikrisht Këta Burra, që me veprat e veta titanike formuene Atë brezni të pjekun dhe heroike që bani Shqipninë! Ata e bane me shumë e shumë sakrifica po nuk e gzuene as per sëgjalli dhe as per sëvdekuni…E sot as vorre nuk kanë…Ndonse rrezet e “Hyllit të Dritës” edhe sot bijnë pingul mbi gurt’ e bardhë që sjellë Kiri nga Bjeshkët e Nêmuna, brijë Rrëmajit… Ata gurë të bardhë si Shpirti i Tyne, janë zbukurimi i Atyne Eshtnave… të tretun nen dhé!

E kurrë mos harroni se me të vertetë Këta Françeskanë të zbathun e fukara, me një litar perbel e një palë rruzare të varuna, ishin të rrethuem nga një turmë njerzish pa shkollë, por edhe deri dje sherbëtor’ i të huejtë, i cili e kishte shkallmue aq keq shpirtnisht sa kishte harrue se asht n’ Europë dhe i perket asaj. Françeskanët ishin Ata që i treguen “Hyllin” per kah do të drejtonin vetdijen kombtare dhe ndergjegjen e naltë Atdhetare, per Perparim e Dije!

Arrijtja ma e madhe e “Hyllit të Dritës” nuk kufizohet vetem me formimin dhe edukimin e Shqiptarit me parimet e Atdhetarizmit, por edhe me kalitjen e një breznije Burrash që perkrah Klerit Katolik Shqiptar nuk iu tut syni me kerkue të Drejtat Kombtare, nder tryezat Europjane.

Dishmi e kësaj vepre madhshtore të “Hyllit të Dritës” asht bashkpunimi vllaznor dhe i pakursyem me Atdhetarët: Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Mustafa Kruja, Kristo Floqi, Prof. Eqrem Çabej, Zef Harapi, Lluka Karafili, Zef Pali, Gjon Kamsi, Avni Rrustemi, Mati Logoreci, Faik Konica, Namik Ressuli, Lef Nosi, Gjush Sheldija,…etj., deri tek i paharrueshmi moshatar me Revisten, At Daniel Gjeçaj, Emna gati të “panjohun” nga historia!

Ku vune kamben Këta Burra u shikuen me synin e “pasuesit anadollak” nga të huejtë, po kur Këta shperthyen si vullkani per Liri dhe të Drejtat e Shqiptarëve, atëherë edhe Bota u pat çuditë per pergatitjen kulturore dhe politike të Tyne. Artikujt dhe materialet e tyne të botueme tek “Hylli i Dritës” janë gurt’ e çmueshem që Ata i dhuruene themelit të Shtetit Shqiptar. E per me i çimentue ata themele, shumica e Tyne nuk kursyene as gjakun dhe as jeten e vet…

Qé pra, ku asht edhe sot formula “Atdhé e Fé”!

Kjo ishte “Shpata” e  At Gjergjit që shkelqente tek “Hylli i Dritës”…

E vezullimet e Saj edhe sot, janë shkreptinë rrufeje zharitëse mbi tradhëtarët e Atdheut!

***

100 vjetë që Bota mori vesh se ka Shqipni, po edhe se ka Shqiptarë…

100 vjetë që “Shpata” e At Fishtës, “Hylli i Dritës”, shkelqen në kulturen Europjane!

100 vjetë që “Shpata” e At Gjergjit, mprehet per Shpaten e Gjergj Kastriotit …

100 vjetë që këto “Shpata” ndriçojnë si “Hylli i Dritës”…mbi Shqipninë Europjane!

100 vjetë…që Rinia Shkodrane këndoi:

“Armët e besen na i njeh bota;

Trima n’ zâ kemi pasë t’ Parët,

Luften né na mësoi Kastriota:

Kè, thue, frikë do t’ kenë Shqiptarët?!”

(“Hymni i Flamurit” nga At Gjergj Fishta, 1913).

Melbourne, Tetor 2013.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, Gjergj Fishta, Hylli i Drites

24 Shtator 1915 NJË DATË E PAHARRUESHME

September 23, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

                  Ne foto: Dedë Gjo’ Luli me të birin, Kolen/

Mali i Zi hyni për të dyten herë në Shkoder…Shpresat e Shkodranëve sa vinin e shuheshin dita me ditë.

Mjaft njerëz ishin ndër duert e pabesa të malazezëve. Bota ishte kapërthye ndër ngatrresat e mëdha e nuk i binte kujt ndër mend se a ka apo nuk ka kund Shqipni. Secili shtet veç çonte kryet mbi murin e atij komshij që kishte pranë dhe nuk mendonte tjetër, veç çka me i vjedhë apo me i shkye ndonjë copë tokë të mbetun pa mbrojtje. Pjesa ma e madhe e tyne mendonin me shty gardhiqet kufizuese tue marrë çka të mujshin me zhvatë prej fqinjëve. Shtetet e vogla, porsa përendonte dielli, mendonin se a kanë me u zgjue në mengjes pa u pasë shkelë nga thundra e një zaptuesit grabitçarë e vrasës, që gjithë natën ishin si kope ujqish lëshue në vendet e Europës. Nuk të jepej me mendue se a ka ndonjë shtet nga të mëdhejt që shikonte punën e vet apo kërkon me u mbrojtë.

Gjithkah e gjithkund veç shihej kjartë rreziku i sulmit të secilit nga ma të fuqishmit. Austria, ishte një nga shtetet që donte me shpirt dhe pa interes Popullin Shqiptar, dhe u ba shkak për Pavarësinë tonë të 1912. Kjo nuk kje lojë nën rrëgozë, por veprim i haptë dhe i pakompromis…

Kjo arritje e Austrisë kje një përpjekje e saj ma se 30-vjeçare, që mori hov njëheri me Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Nga ajo kohë e deri në Pavarësinë e Shqipnisë në 1912, vetëm po të bajmë një bilanc të përgatitjes së kuadrove të nalta në Universitetet e njohuna të Austrisë, apo ndihmat materiale për shkollat tona shqiptare të porsa çeluna, vetëm atëherë do të formonim një ide të kjartë për t’ ardhmen që po i hapej Shqipnisë, e ardhme që do të sillte pa dyshim Shqipninë Europiane.

Shqiptarët dolën nga robnia Turke me armë në dorë dhe janë të gjithë tradhëtarët e vendit që po me armë e vrasje të pabesa u shërbyen serbëve me sjellë një okupacion tjetër, vetëm se nuk arrijtën asnjëherë me u çveshë nga fanatizmi anadollak, i cili ndër shekuj e ka tregue këtë qendrim të tyne antikombëtar tue i shërbye kujtdo përveç Atdheut!

Rusia synonte me kenë trashigimtare në të gjitha pjesët sllave që kishte pasë ose kishte ende nën kontroll Austria. Gjermania sa vinte e forcohej tue u ba rrezik për të gjithë shtetet e Europës që e shikonin me sy të shtrembët këte influencë të saj, që sa vinte e rritej. Franca ishte e para që friksohej nga forca e Gjermanisë, që Francës i krijonte vetëm pasiguri. Franca direkt nuk futej në luftë për problemet ballkanike, ndoshta për hatër të Rusisë dukej se sakrifikonte, por në fakt haptas nuk dilte. Anglia në vitin 1908 u bashkue me Antanten dhe kështu u krijue lidhja e tyne Tripalshe: Francë, Rusi dhe Angli. Mbi lidhjen e tyne të vitit 1891 mes Rusisë dhe Francës, ajo lidhje u pat përforcue në vitin 1894 me marrveshjet ushtarake. Hymja e Anglisë në këte Aleancë Tripalshe në vitin 1908 asht shkaku që solli pasojat e randa fatale e të pariparueshme të 1913, me Kongresin famkeq të Londrës, vendime që Europa u qendroi në mbrojtje të tyne tash ma se 100 vjet e kushedi deri kur!! I vetmi Shqiptar që demaskoi dhe parashikoi rrezikun që iu kërcnue Popullit Shqiptar, Trojeve dhe Tokave Etnike Shqiptare dhe Lirisë së Atdheut ishte At Gjergj Fishta, i cili vazhdon me kenë i “dëbuem” nga tradhëtarët shqiptarë dhe të gjithë përkrahësit e tyne edhe sot, dhe pikrisht për ato “letra të hapuna” me të cilat Ai ua ka tregue  rrugën e pakorrigjueshme të tradhëtisë së tyne. Pikpamjet e Tij janë vizioni i kjartë i gjithë Klerit Katolik Shqiptar, Atdhetar e Liridashës. Ngjarjet e sajueme në Serbi nga një atentat terrorist me 28 qersor 1914, kundër Princit austriak Franc Ferdinandi, sjellin gjakderdhjen e madhe…Bota e trazueme që nga viti 1908 u gjet në pellgun e sajuem nga vetë ajo prej të cilit nuk mujt me dalë pa vorrosë miljona të vramë.

Amerika, në dukje e “largët”, në caktimin e kufijve të vitit 1913 në Kongresin e Londres, porositë “Pavarësinë e Shqipnisë”, por me një kusht që “Rusisë duhet t’i ruhet mundësia e daljes në detin Adriatik me një rryp toke…”, e “këte rryp toke” shtetet europjane e gjetën në Ato krahina të çmueshme Shqiptare, ku përfshihej Hoti, Gruda dhe zonat e Tivarit e Ulqinit, që nuk u “quejten” kurrma Shqiptare. Në përputhje me këte vepër asht edhe Masakra e Tivarit e vitit 1945, kur kosovarët fatzezë i sjellin komunistët me spijunët e tyne Enver Hoxha e Ramiz Alia nga Kukësi, vrasin sa vrasin rrugës dhe tepricën nuk e kalojnë në tokat e Malit të Zi të qeverisuna nga “druzhe” Tito, (i cili mundohet me dalë lugë e lame në këte tradhëti), po i vrasin në trojet tona shqiptare, tue i tretë kufomat në brigjet e Adritikut, brijë Tivarit.

Pabesia shekullore serbe kishte depërtue edhe ma thellë se vija formale e kufinit me ta. Edhe miqësia e Rusisë me ta kje po aq e vjetër.

Na ishim të mësuem me këto ngatrresa, po me parashikue fatin e një kohe të ardhëshme ishte e vështirë. Malet e thepisuna, ku edhe ariu shkon me pritesë, ishin këthye në strehë Atdhetarësh. Kleri Katolik dhe shumë nga Atdhetarët u banë pré e ngatrresave dhe pazarlleqeve serbe. Vrasjet dhe lufta për shfarosjen e Tyne asht poaq e vazhdueshme.

Mbas Qeveritarëve të Nderuem të Qeverisë së Parë Shqiptare, tue përjashtue Mehdi Bej Frashërin, Mustafa Krujen apo Anëtarët e Asaj Rregjence të 1943 – 44 të njollosun me tana të zezat tash 65 vjet, janë pothuej të gjithë drejtuesit e ardhun në pushtet nga Serbia, ose të lidhun drejtpërsëdrejti me interesat e veta, në dam të Atdheut, Shtetit dhe të Popullit Shqiptar, që luftuen për kolltukun dhe mbushjen e xhepave të tyne, tue tradhëtue interesat e Shqiptarëve që u vriteshin pabesisht si derrat e egjer prej tyne ndër male e fusha, ku pabesia mbretnonte.

Kjo psikologji nuk ishte e panjohun as nga Malësorët tanë, që interesin e Atdheut e të Flamurit të Gjergj Kastriotit e kishin të ngjeshun për kafazin e krahnorit, e të pazgjidhun asnjëherë mbi të Katër Gozhdat që vinin dorën e Tyne të djathtë gjithmonë para se me shkue në luftë…

Ishte ideali i naltë “Atdhe e Fe”, që kishte rindërtue në Shpirtin e Tyne virtutin e paster të Lirisë, që Malësorët e Veriut me Prijsin e tyne Dedë Gjo’ Lulin i bani të përjetshëm.

Dedë Gjo’ Luli mendoi me u largue për pak kohë me shpresë se do të ndryshonte gjendja dhe do të kthente prap ndër Malet e veta.

Ishte vetëm pjekunia e Tij për mos me ua shtue gjakderdhjen e vllazënve të vet në këte situatë kausi ballkanik.

Mori rrugën nga Mazrreku dhe shkoi në Pukë. I përcjellun me miq, doli në Qelzë të Pukës, e aty u nda nga Ata Atdhetarët e vet besnikë me të cilët Ai mendoi se do të shihej shpejt, kështu Don Loro Caka, Rexhep Shala, Ndoc Ndoja dhe Simon Doda u kthyen, ndërsa Deda me djalin tjetër dhe me Nik Prelocin u nisën për Mirditë. Kaloi lumin Drin dhe hyni në thellsi të maleve të egra të Mirditës jo ma pak të lame me gjak për Liri. Atje për tre muej pat përpjekje me forcat e tradhëtarit Esad Pashë Toptani, i shpallun “besnik” i të gjithë shteteve shoveniste që na rrethonin dhe që kërkonin pjesë në Tokat Shqiptare. U pat shërbye të gjithëve pa dhimbje sa kje gjallë dhe i vdekun.

Dedë Gjo’ Luli nuk arrijti me i shpëtue kurthës së tradhëtarit, po u gjet i rrethuem në mes tyne bashkë me Nik Prelocin e djalin e vet Kolën tek qela e Oroshit, ku Deda mendonte se do të gjente aty disa besnikë, që po e pritnin edhe ata të armatosun. Porsa po afrohej në vendin e caktuem, aty u gjet në mes të shumë ushtarëve serbë, që porsa i pa, Deda kuptoi gjithshka, dhe tha: “Sot kemi mbarue!” Ishte data 24 Shtator 1915. U koll; pështyu për tokë dhe trimnisht iu afrue komandantit serb, i cili kërkoi nga Deda që me i tregue drejtimin e shokëve të vet. Deda iu përgjigj se nuk kishte me i tregue kurrë Ata. Ushtarët serb e ndanë Deden nga Nika dhe i biri, të cilët ua dorzuen ushtarëve esadistë, ndërsa  Dedën e lidhën dhe u nisën nga Mali i Shejtë i Oroshit, ku e mbytën tue e therë me bajoneta derisa i doli Shpirti. Trupin e mbuluen me gjeth dhe e lanë mbi dhe. Disa barijë mirditas e patën gjetë rastësisht dhe mbas gati pesë javësh, prifti i fshatit, mbasi e mori vesht vendin nga barijtë, e pat marrë natën me datë 8 Tetor 1915 dhe e pat vorrosë tek Kisha e Oroshit, pa i tregue askujt për këte. Aty asht mbajtë deri në vitin 1917. Atë vit Delegati Apostolik i Vatkanit në Shqipni, Imz. Ernesto Cozzi, që ishte edhe Feldkural i ushtrisë Austro – Hungareze, dhe Mik zemre i Dedë Gjo’ Lulit e shpesh bashkëpunëtor i Tij, bani hetime; madje Ai vet u interesue me ia stolisë vorrin me rrasa të latueme guri. Ai u ba edhe ndërmjetës me gjetë edhe trupin e Djalit të madh të Dedës, Kolën për të cilin ishte interesue me kohë e shoqja.

Eshtnat e Tij i treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se:

“Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!”

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 24 shtator 1915, Ded Gjo Luli, Fritz radovani

SHPÊLLA E MËRI KOKËS NË STÉNË

September 12, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Strofullat e errta të ujqëve komunistët i këthyen në strehë per njerzit malit…

Atdhetarët tanë në kerkim të Lirisë, nuk kursyen as jeten! Malet u mbushen me ajken e Atyne Burrave, që para vitit 1944 kishin vue temelin e Shtetit Shqiptar. Nga njena robni në tjetren, i duhej tashti me provue edhe thundren gjakatare të shovenistëve serbë, të mbathun me “drapen e çekanin” e Rusisë staliniste, gozhdue nga dora tradhëtare e anadollakut gjinokastrit Enver Hoxha.

Edhe pse piramidat “kufitare” nder ata Male kreshnike, malësorëve u kalonin brijë gardhit e gjysa e oborreve të tyne u kishte mbetë nen sundimin e malazezëve apo serbëve lakmiqarë, dukej sikur nga shpresa e “qytetnimit” që flitej nder selitë europjane, kishte një gjendje “qetsije”… Mbas asaj kryengritje të 1927 kunder Ahmet Zogut, kur mjaft prej Atyne që guxuene me ngritë koken u vune në litar, malësorët e kuptuene ma mirë se kushdo se “sunduesit” e Tokës sonë, per hirë të një kolltukut lajnë me gjak gjithë Popullin Shqiptar. Nder Shqiptarë nuk ishte asnjëherë traditë me u ngritë me armë e me kerkue edhe të drejten e vet, tue kerkue me sundue kjoftë edhe plaçkitësin!

Në pragun e perfundimit të Luftës së Dytë Botnore, kur njerzimi priste kapitullimin pa asnjë kusht të nazi – fashizmit, dhe vendosjen e një paqe per një t’ ardhme të Lirë e demokratike në të gjitha vendet ku ishte derdhë gjak per me mrrijtë atë fitore shumë të dishrueme, nuk kishte si me pasë Shqiptarë që do të parashikonin një robni të re, nën Rusinë bolshevike staliniste. Gjermanët ikën nga Shqipnia me 29 Nandor 1944, kur endè nuk ishin nenshkrue “marrveshjet” e Jaltës…

“Beslidhja e Veriut” e drejtueme nga kapiten Gjelosh Luli e kishte shpallë programin e vet që në vitin 1943, ku shprehej kjartë “Pavarsia e plotë e Trojeve Shqiptare”, vendim i cili nuk prekte asnjë pllambë tokë të asnjenit prej shteteve fqinjë dhe as cenonte lirinë e pavarsinë e tyne.

Atëherë, pse në Jalta nenshkruesit e atij Traktati të turpshem, venë në zbatim me vendimet e veta, një nga marrveshjet tradhëtare të Partisë komuniste shqiptare, të krijueme në vitin 1941 nga komunistët jugosllavë të Titos, e që drejtohej nga një anadollak mason injorant Enver Hoxha, i sjellun në krye të asaj partije, vetem me qellim me zbatue coptimin, gjakosjen, robninë e Popullit Shqiptar dhe perdhosjen e Flamurit të Gjergj Kastriotit me “yllin e kuq bolshevik” të Stalinit ?!

Pergjegjen e vertetë Shqiptarëve ua dhanë oficerët e misioneve angleze, amerikane dhe të atyne sovjetike që ishin nder malet e Shqipnisë, dhe flinin e çoheshin nder kullat Shqiptare, e çdo mengjes percilleshin në besë e të sigurtë të ruejtun me armët e Malësorëve tanë Atdhetarë.

“Në pranverë…do të zbarkojmë në Shqipni!”, kjo ishte “shpresa dhe dashnia” e Aleatëve…

Malësorët dhe fshatarët e Jugut i “njohën” mirë “çlirimtarët” që në 1943, kur u zhdukën me fise Atdhetarët që luftuen perkrah tyne me forcat e “Ballit Kombëtar”… Edhe korçarët, ndigjuene disa nga ligjeratat e At Anton Harapit në vitin 1944…Besoj se, nuk i kanë harrue as sot!

Malësorët dhe fshatarët e Veriut i njihnin me kohë komunistët dhe aleatët e tyne shovenistë të Serbisë dhe Malit të Zi, mbasi e ardhmja e Tyne Shqiptare ishte vetem Liria e Demokracia që do të sigurohej nga Europa Perëndimore, por kurrë nga “mbikqyrja” e Rusisë bolshevike! Dhe këte fakt nuk kemi nevojë me e vertetue me askend tjeter vetem me fjalët e Atdhetarit Prekë Cali, kur i tha kriminelit Mehmet Shehu: “Nuk kishe si me u ba me ju, se ju jeni lidhë me serbin, armikun tonë shekullor!”, e këte Prekë Cali ua tha me 14 janar 1945, kur komunistët shqiptarë, bashkë me forcat serbe i rane mbas shpine tradhëtisht, dhe hodhën nder prroska e prroje 118 Burra të Atyne Bjeshkëve, mbasi i dhunuen, i plaçkitën dhe i vrane mizorisht.

Po, Shpêlla e Kelmêndit, ku ishte Atdhetari Prekë Cali, nuk kje e vetmja që u tradhëtue!

Ajo kje e para… po jo, e fundit!

Historia e Shpêllave të Bjeshkëve të Nêmuna asht një kapitull në vete i historisë sonë!

Malësorët e Veriut bashkë me dashuninë per Atdhe, per Flamur, dhe Emnin e të Madhit Gjergj Kastrioti, ruejn të paprekun edhe Fenë e Tyne Katolike. Ndoshta, kjo lidhje e fortë në mes të këtyne motiveve ka farkëtue edhe identitetin e Tyne të patjetersueshem nder shekuj.

Burrnia, Besa, Bujaria, janë virtytet me të cilat Malësori ynë njihet në Boten e qytetnueme.

Një nga modelet e nderthurjes së këtyne vityteve tek Atdhetarët e Veriut asht edhe një nga Shpellat ma të njohuna në historinë e shkrueme me gjakun e Tyne, “dikund” në një mal të shkret, të varfen dhe të gjakosun si të gjithë Malësorët e Asaj krahinë heroike… Brij atij mali Cukal, Emen të cilin e mbajti me nder deri sa u vra heroikisht si pseudonim edhe kapiten Gjergj Vata (Cukali), që u errë e u zgjue nder gurtë e fildishtë të Shpellës së Mëri Kokës në Stenë, të Shllakut, me shokët e vet besnikë dhe antikomunistë të betuem deri tek i fundit i Atij grupi Burrash, Martiri Loro Vata, që ka mbijetue deri në vitin 2000… Ishte vlla i Gjergjit dhe bashkluftar me Té.

Me daten 4 Janar 1946, Gjergj Vata dhe Martin Sheldija, i shkruejnë leter nga Shpella per me vue në dijeni Misionet e hueja Don Shtjefen Kurtit: “… tue mos dashtë me iu shtrue terrorit të Enver Hoxhës, kemi marrë malët. Na do të vazhdojmë përpjekjet për liri.

… T’arratisunit e Veriut, të organizuem në çeta për t’i dhanë grushtat e fundit qeverisë terroriste që, si këtë nuk njofti historia.” (Dosja 1417, Arkivi Tiranë).

***

Një Permendore lavdije të kësaj Shpellë e ka ngritë edhe At Konrrad Gjolaj, në librin e Tij “Çinarët”… E tue mos dashtë me persëritë mendimet e Tij të mbrekullueshme e dritdhanëse që u duhen me i pasë perdoresh Rinia Shqiptare, jam ndalue në një nga “Lisat” e perjetshem dhe që nuk besoj se Toka e Shllakut ka me e tretë ndonjëherë, tek Heroina e Pavdekshme: Palina!

Atëherë, në vitin 1946…afer të 50 – tave. Gatuen bukë, thanë duhan, pergatitë shka i ka dhanë e falë i Madhi Zot në konakun e Saj aspak ma të pasun se kullat tjera të Shllakut… Zgjohet në mengjes heret pa dalë drita, merr nusen e nipit të vet me buljera ujit në shpinë dhe i ngjitet malit.

Po, ku shkojnë këto dy gra vetem të pashoqnueme nga asnjë burrë!

Burrneshat e Malësisë gjithmonë i kanë krye vetë të dy detyrat…

Ngarkojnë nder hebe pak bukë, ushqim dhe duhan e ujë e nisen drejtë e tek Shpella…

As njerzit e shtëpisë nuk e dijnë se ku shkojnë këto dy gra pa dalë drita…madje, edhe kur ato kthehen tek shtëpija, perveç burrave, as dielli nuk i ka pa as tue shkue as tue u kthye…

“Tu Shpella e Mëri Kokës, në Stenë, Palina me nusen e nipit të vet Lena Prendushin, na binin gati perditë aq sa na nevojitej me mbajtë frymen… ushqim e duhan, po uji nuk kishte kurrë të paguem, se ishte i freskët dhe nuk na rrezikonte me shkue me e mbushë nder prroje, ku mund të binim nder pritat e ndjekjes së komunistëve gjaksorë…”, më thonte Martiri Loro Vata (1997).

Kur Loro, fliste per qendrimin e Palinës dhe Lenës në hetuesinë e mnershme para xhelatëve Zoji Themeli, Fadil Kapisyzi, Hysni Ndoja etj…Atij i mbusheshin sytë me lot: “Sa shumë kanë ba e rrezikue per ne, pa njoh e padijtë se kush jemi Ato dy gra, sa kurrë nuk i shperblehet sakrifica dhe vuejtja e Tyne, mbasi pothuej të gjithë u vranë e u pushkatuen…I vetmi shperblim i yni ndaj Tyne ishte kur ishim në Shpellë me u thanë: Ju ruejtë Zoti Ju, dhe ke keni tek shtëpija, ndersa, kur ishim në hetuesi: ‘nuk i njohim!’….E Lena, ishte edhe nuse e re…Asaj i ka le edhe vajza në hetuesi…”

Nuk ishin pak nga Këto Burrnesha nder Ata Troje…

Nuk ishin pak Shpella që i njohen Këto Burrnesha!

Sot, na vetem, kemi një mundsi per Këto Burrnesha!

Mos me i harrue se t’ jenë jeta veprat e Tyne Heroike!

Melbourne 2013.

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, shpella e Meri Kokes, stene'

VETEM NË SHKODER: 182 TË VRAMË, MBAS VITIT 1985…

August 29, 2013 by dgreca

●“Ramiz Alia kishte mundësi me ba gjak…’po nuk bani!” thonë “disa…”!

●Prandej, edhe vazhdon me kenë edhe ky si “shokët…hero…”!!

* Kurrë Shqiptarët nuk do të mësojnë të verteten! Ma shumë “nuk dishrojnë”

* Kudo që të veni kamben mendoni se komunizmi gjakatar ka hapë një Varr!

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: Ky asht Trupi i pajetë i Pllumb Pëllumbit, vra në Hot (Shkoder) më 16 qershor 1990…/

Isha kurjoz me dijtë aty nga viti 1993 të verteten se, cila, asht arsyeja e vrasjes së njenit prej Fisit tim në vitin 1948…të pakten si asht shkrue nder dokumenta?!.. U nisa e shkova në degë të mbrendshme të Shkodres. I tregova rojes e ai thirri një oficer që kishte arkivin. Nuk vonoi erdhi e mbasi i shpjegova pse unë e kerkoj atë dokument, mbasi i pushkatuemi asht arrestue në nandorin e 1946 dhe vetem na asht njoftue nga roja e deres së hetuesisë Dulaç Lekiqi, ku ishte Kuvendi i Fretenëve i kthyem në burg se, dje me daten 11 Mars 1948, “asht pushkatua, dhe mos sillni ma ushqime!”…na nuk dijshim asgja ma shumë të dokumentueme deri në vitin 1992.

Shkueme në një zyrë ku nuk kishte njeri. U ula tek një tavolinë dhe aty oficeri X më solli një blok të trashë të pergatitun me disa fletore të lidhuna bashkë. Më shpjegoi se “këtu janë të gjithë emrat e Atyre personave që janë pushkatuar nga viti 1944 e deri në vitin 1991 në kufi.”

E hapa dhe fillova me lexue emnin, emnin e babës, mbiemnin, data ose viti i ekzekutimit, simbas rendit alfabetit. Kishte rasë që shenohej fshati prej nga ishte kenë. Ndonjë kishte edhe vendin e ekzekutimit (në ndonjë rreth tjeter) kur nuk ishte pushkatue në Shkoder. Oficeri iku dhe më la vetem tue shikue Ata Emna të mjerë… Gjatë leximit fillova me kujtue edhe “disa” që nga koha më ishin fshi fare nga kujtesa Emnat e Tyne… ose i kishe ndigjue si Fise po, nuk i kam njoh kurrë se jam kenë fëmijë, p.sh. Kazazët, Dedëjakupët etj…

Nga fundi mu kujtuen edhe emnat e dy oficerave të ushtrisë që u dënuen krejt vonë, se gjoja kishin mendue me shkue nga Shkodra dhe me lirue të burgosunit e Spaçit…etj. dhe u vrane.

Nder të vramit në kufi njoha emnin e Dhuratës, vajzës Bahrije Manit, me të cilen kam punue (prill 1990) kur i vrane vajzen dhe sigurimi e pat varrosë tek Radio Shkodra, tek antena e Kuçit, …dhe emni i djaloshit  Pllumb Pllumbaj…per të cilin u ba edhe protesta në Shkoder.

Listat vazhdonin me data dhe vendet ku janë vra…deri vonë.

Kjo per mue ishte e pakuptueshme mbasi në Shkoder na nuk kujtonim gjyqe!

 

Fillova me dyshue per ndonjë gabim shenimi mbasi kishte edhe disa emna qytetesh tjera si Permet, Vlorë, Pogradec, Sarandë etj…që ishin shenue aty dhe Emni i të vramit njihej se ishte nga Veriu. Erdhi oficeri dhe e pyeta tue i tregue të verteten se në Shkoder, në dhjetë vjetë që kanë kalue unë, nuk kujtoj asnjë nga këta Emna që janë këtu, perveç, Atyne kater që shpjegova ma naltë. I paraqita edhe variantin e ndonjë vrasjes në kufi, po këtu mbas vitit 1985 bahen edhe 182 të pushkatuem apo të vramë, që në Shkoder, “na as nuk i kemi ndigjue kurrë këta vrasje”!

Më shikoi dhe më besoj, se po i thojshe të verteten, nuk ngurroi fare me më tregue ate që as nuk më shkonte nder mend. Jam i bindun se këte e bani edhe nga keqardhja per ata vrasje!

“Këta Emra janë shumica djelmë të rinjë, po me biografi të keqe. Kur ishin ushtarë u dergonin në vende të largëta nga Shkodra. Atje disave u bëhej një gjyq “i thënçin” dhe gjyqi i dënonte me vdekje “per tentativë arratisje”, ose “veprimtari armiqësore”…Silleshin në fshatin e vet dhe prindërve u thohej: “Ka vra veten gabim…ose janë vra duke luajtur, nga pakujdesia apo e ka vra një shoku i vet padashje…etj. Kështu, familja e persekutuar, duke mos mundur  të kerkoi të verteten nga fshatrat e thella malore, apo fshatarë kulakë… kanë humbur djalin!”…

Po në gjithë Shqipninë sa ka vra Ramiz Alia, kështu, si në Shkoder!!?

Po lista e plotë e të vramëve nder kufijë kur do të publikohet?..

Melbourne, 2013.

Filed Under: Analiza Tagged With: 182 te varme, Fritz radovani, pas vitit 1985, vetem ne Shkoder

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT