●1 Tetor 1913 – 2013, 100 vjet “Hylli i Dritës”
Shkruan: Fritz RADOVANI/ Melbourne, Australi/
A mund të kishte Shqipnia edhe një At Gjergj tjeter… “pa shpatë”!?
Jemi mësue tashma me e pa Gjergjin, Atin e Kombit, gjithnjë me shpatë në dorë.
Edhe mos me kenë në atë foto Gjergj Kastrioti, mendja na fluturon tek Heroi ynë i madh dhe i pavdekshem… Themeluesi i Shtetit Shqiptar!
Edhe trashigimtarët e Emnit të Tij, Shqiptarët, i mendojnë me “shpatë” në dorë!
Edhe Dedë Gjo’ Lulin në maje të Bratilës, në 1911, e kujtojnë me Shpatë…
Në vitin 1912 kur Shqipnia u pagëzue Shtet i Pavarun, Shkodra kje e rrethueme e tue u gjuejtë me topa natë e ditë… Gjithkah vetonin gjylet e topave! Rozafa mundohej me qendrue! Kur ra një gjyle mbi çatinë e Kishës së Madhe, u hap tavani e mbrenda Saj u ba gjak… E dhunuen edhe Até malazezët…Kumbonët ranë në një anë dhe trenët u thyen…edhe kumonarja mbrendë u shemb. Shkodra vazhdoi me kenë e robnueme! Fesat malazez vazhdonin sundimin e dhunen!
Me 13 Qershor 1913, pa prit’ e pa u kujtue u pa në kompanjelin e Kishës së Fretenve të Gjuhadolit, jo ma i vogel se 4 meter… që po valvitej Flamuri i Gjergj Kastriotit…E nder rrugët e Shkodres djelmnia shkodrane këndonte me tanë forcen “Porsi Fleta e Ejllit t’ Zotit…”
Prej vjetit 1479…nuk ishte pa ndonjëherë Ai Flamur tue u valvitë prej shkodranëve…
Mbi Kështjellen Rozafat ditenperdiell, me 1 Tetor 1913 u pa “Hylli i Dritës”!
At Gjergj Fishta, kishte nxjerrë “shpaten”…E vezullimi i Saj çuditi mbarë Boten…
Ishte bash Ai Burrë që në vitin 1908, në Manastir kishte nxjerrë disa “grremça” që u tha të gjithë Shqiptarëve, se me “këto shkrojla” fitohet Liria! A e pat besue kush?!
– Vetem vllaznit e vet!
E edhe sot në Dokumentin e Pavarsisë së Shqipnisë së Nandorit 1912…keni firma dhe gjeni nenshkrime të “palexueshme” e besa, edhe bula gishtash e “shkarravina”! E pa u mbushë viti shumica e Tyne që endè nuk dinin me thanë Emnin Shqiptar, se nuk po tham se nuk dinin ku bie Shqipnia, me një dëshirë të zjarrtë filluen me shue etjen e Lirisë, tue pa mbi qiellin Shqiptar tue shkelqye një “Hyll i Dritës”…i pasuesëve të Gjergj Kastriotit, që persa shekuj nen robni i ngratë Shqiptar as nuk dinte se çka domethanë fjala “Dritë”!
Nuk ishte gja e thjeshtë me të shkue mendja tek “Hylli” që do të sillte “Driten” bash aso kohe, kur një popull ishte i zhytun per shekuj me rradhë në padije e n’ errësinë anadollake…
E nuk ishte aspak ma e lehtë me mendue me i daltue e perpunue ndjesitë shpirtnore gati të shueme të një Populli, per mos me thanë të bastardhueme e të shemtueme nga barbarët turqë. Edhe pse nuk munguen katilat që u munduen me i nxjerrë shpirtin pa lé të shkretes Shqipni, qyshë vitin e parë kur ishte nder shpergaj, Shqiptarët Atdhetarë gjetën një streh ku me futë koken n’ atë rrebesh që gjindej Europa. Ishte streha e Françeskanëve Shqiptarë, në deren e së ciles ishte e shkrueme me shkronja Shqipe: “Per Atdhé e Fé – Na bajmë vdekjen si me lé !”…
Pergatitja e Tyne kulturore, Atdhetare dhe politike kje me të vertetë e pakuptueshme jo vetem nga sunduesit, po, edhe nga selitë e njohuna t’ Europës, atëherë kur edhe vetë Emni ynë Shqiptarë, ndoshta, ishte ndigjue perherë të parë prej tyne…Dhe, pikrisht, forca morale e Atyne Françeskanëve kje që i dha hov luftës me penë, per Liri dhe të Drejta Njerzore. Ishte pa dalë endè “Hylli i Dritës” kur Imzot Preng Doçi, Imzot Koleci, Imzot Lazer Mjedja, Imzot Nikoll Kaçorri, Imzot Bumçi, Imzot Prennushi, At Gjergj Fishta, At Mati Prennushi, At Gjeçovi, At Palë Dodaj, At Anton Harapi, At Buon Gjeçaj, At Marin Sirdani, Don Ndre Mjedja, At Marjan Prela, Don Loro Caka, Don Ndoc Nikaj etj., do të vendosin gurtë e themelit të Shtetit Shqiptar të daltuem me kulturën Europjane, me një guxim dhe perkushtim të posaçem perballë tradhëtarëve dhe anadollakëve të shitun per dy pare të ndyta në dam t’ Atdheut dhe Lirisë së Tij.
Ishin Ata Burra që i vune gjoksin luftës per Liri të Trojeve të pushtueme. Asht Vermoshi, Hoti, Gruda, Kosova, Çamëria, Manastiri, Korça e Gjinokastra dishmitarë të veprave të Tyne.
Janë pikrisht Këta Burra, që me veprat e veta titanike formuene Atë brezni të pjekun dhe heroike që bani Shqipninë! Ata e bane me shumë e shumë sakrifica po nuk e gzuene as per sëgjalli dhe as per sëvdekuni…E sot as vorre nuk kanë…Ndonse rrezet e “Hyllit të Dritës” edhe sot bijnë pingul mbi gurt’ e bardhë që sjellë Kiri nga Bjeshkët e Nêmuna, brijë Rrëmajit… Ata gurë të bardhë si Shpirti i Tyne, janë zbukurimi i Atyne Eshtnave… të tretun nen dhé!
E kurrë mos harroni se me të vertetë Këta Françeskanë të zbathun e fukara, me një litar perbel e një palë rruzare të varuna, ishin të rrethuem nga një turmë njerzish pa shkollë, por edhe deri dje sherbëtor’ i të huejtë, i cili e kishte shkallmue aq keq shpirtnisht sa kishte harrue se asht n’ Europë dhe i perket asaj. Françeskanët ishin Ata që i treguen “Hyllin” per kah do të drejtonin vetdijen kombtare dhe ndergjegjen e naltë Atdhetare, per Perparim e Dije!
Arrijtja ma e madhe e “Hyllit të Dritës” nuk kufizohet vetem me formimin dhe edukimin e Shqiptarit me parimet e Atdhetarizmit, por edhe me kalitjen e një breznije Burrash që perkrah Klerit Katolik Shqiptar nuk iu tut syni me kerkue të Drejtat Kombtare, nder tryezat Europjane.
Dishmi e kësaj vepre madhshtore të “Hyllit të Dritës” asht bashkpunimi vllaznor dhe i pakursyem me Atdhetarët: Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Mustafa Kruja, Kristo Floqi, Prof. Eqrem Çabej, Zef Harapi, Lluka Karafili, Zef Pali, Gjon Kamsi, Avni Rrustemi, Mati Logoreci, Faik Konica, Namik Ressuli, Lef Nosi, Gjush Sheldija,…etj., deri tek i paharrueshmi moshatar me Revisten, At Daniel Gjeçaj, Emna gati të “panjohun” nga historia!
Ku vune kamben Këta Burra u shikuen me synin e “pasuesit anadollak” nga të huejtë, po kur Këta shperthyen si vullkani per Liri dhe të Drejtat e Shqiptarëve, atëherë edhe Bota u pat çuditë per pergatitjen kulturore dhe politike të Tyne. Artikujt dhe materialet e tyne të botueme tek “Hylli i Dritës” janë gurt’ e çmueshem që Ata i dhuruene themelit të Shtetit Shqiptar. E per me i çimentue ata themele, shumica e Tyne nuk kursyene as gjakun dhe as jeten e vet…
Qé pra, ku asht edhe sot formula “Atdhé e Fé”!
Kjo ishte “Shpata” e At Gjergjit që shkelqente tek “Hylli i Dritës”…
E vezullimet e Saj edhe sot, janë shkreptinë rrufeje zharitëse mbi tradhëtarët e Atdheut!
***
100 vjetë që Bota mori vesh se ka Shqipni, po edhe se ka Shqiptarë…
100 vjetë që “Shpata” e At Fishtës, “Hylli i Dritës”, shkelqen në kulturen Europjane!
100 vjetë që “Shpata” e At Gjergjit, mprehet per Shpaten e Gjergj Kastriotit …
100 vjetë që këto “Shpata” ndriçojnë si “Hylli i Dritës”…mbi Shqipninë Europjane!
100 vjetë…që Rinia Shkodrane këndoi:
“Armët e besen na i njeh bota;
Trima n’ zâ kemi pasë t’ Parët,
Luften né na mësoi Kastriota:
Kè, thue, frikë do t’ kenë Shqiptarët?!”
(“Hymni i Flamurit” nga At Gjergj Fishta, 1913).
Melbourne, Tetor 2013.