• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

11 Prill… 2010…2013…

April 10, 2013 by dgreca

(Bashpunim i At Gjergj FISHTËS me A.Z.ÇAJUPIN):/

 Nga Fritz RADOVANI /

 (Ditë e bukur pranvere. Në vorrezat e Tiranës, nga kombinati Stalin, janë një grup veteranë të luftës me gjokse të stolisura me dekorata, janë edhe të gjithë presidentët me kapela republikë…e, dy, tre gra…

Aty rreth një grup lab me fustanella këndojnë pafuntë: “eeeeeee…”)

 At Gjergj Fishta (arrinë ngadalë me shkopin e tij dhe një t’ panjohur).

I kuj do t’ jet njaj vorr, mbi t’ cillin mvaret

Kunorë lulesh e blertë e qi madhnueshëm

Zotnon mbi fang t’ mjeruem, porsi shatorrja

E njaj Tyrani zemër-gur, i cilli,

Mbi shegj Persijet pa kujdes pështetun,

Ndër kandje t’ prujtna të ksaj jete kndellet,

Mjesá besniku ushtari i tij nën t’ randin

Hekur t’ anmikut rrokullohet dekun

E zhytet n’ gjak? – Njifarë katil barbari…

Mbrendë n’ atë vorr asht kondisë. Ky lé mbi pupla

E rritë n’ ar e n’ mundafsh, mbas epshit lodhun,

Qi fletët e jetës për nën krahnuer ia brejti

E e kalbi gjall, mbi pupla u shkim, si e tmershmja

Flakë e nji vorri shkimet. Prej mermerit

T’ dhênun mbi vorr njat përmendar t’ trishtueshem

Shqipnia, shemtuemun vepres s’ tij, ia vuni

Peng trathtije dér n’ ma të largtat mote;

T’ hijshme kunoren mbasandej blerimesh

Sot nji dorë alabastrit m’ vorr ia pruni:

Nji dorë, e cilla, mjesa ai bani hije

                        N’ tokë e pranvera çili për té ferra,

I a pat grabitun me përkdhjelje t’ prujtuna

                        Gjanë edhe nderën. Me atë kunorë mjerimesh

Brengen dishmon, qi ajo per té ka n’ zemer.

 

Andon Zako Çajupi (pranë At Fishtës,..)
VAJE…

Që ditën që na vdiqe, që kur s’ të kam parë,
nga kupat që kam këthyrë, grykët s’ janë tharë!
Shumë vjet u bënë, u mbushën pës’e njëzetë
që kur na ke lënë dhe s’ të shohë në jetë!
Në ç’ kopshte me ferra ke qëndruar vallë?
S’ na vjen keq për ty? S’ na vjen mall për djallë?
O dreq i shëmtuar mos mëno në botë,
mos u kthe të shomë, se na mbetën lotë.
Motmot që rrojtëm cilin ti s’ hurreve?
Atje tek rri ti, i nise të gjithë më parë…
Mos u kthe të të shohmë, s’ le kend për farë!
Na le të gëzuar, me zëmër të ngrirë;
se mos po këthehe të shoç Shqipërinë:
E ke lënë t’ robruar, tani u bë e lirë;
S’ harrite ta zhdukje, si ti s’ ka parë kurrë!
Për ty, shumë herë, çoç’ do të më pyetë,
Po s’ munt t’ i përgjigjëm, gëzimi më zë n’ fytë!
Kthej koken me nj’ an dhe vështroj tatpjetë:

S’ të vjen keq për Nexhin, s’ të vjen mall për Ramën?

Që, siç’ thotë populli: “Ua bëfsha… t’ ëmën!”…

II…

Ditën e vitit të parë,
U bë qiamet i math,
Nga dielli që pat dalë
Faqez e dheut u sbarth.
Cingërimë e errësirë,
jashtë veriu pëllet!
Iku bor’ e breshërirë,
dheu duket si det!
Është natë, nat e bardhë
vetëtit edhe gjëmon!
Një dreq i Shqipërisë
dergjet sëmur’ e rënkon!
Ka tri dit që po mundohet
Dhe me vdekjen po lufton,
Po vdekja s’do të mërgonet
Se shpyrtin’ e ti kërkon!
” Perëndi, mos e le gjallë,
– Po lutet Shqipëri e mjerë-
” Të munt të nisë këtë djallë,
” Që për të zezë ka lërë.
” Kush do e marrë, të vijë?
” Shqipëria qysh do rrojë?
” Kush gjak s’do t’ i  pijë?
” Sa unë kush dota dojë?
” Kush do ta dojë Shqipërinë!
” Më ndje o Zot i vërtetë!
” Se Shqipëria pa Enver,
”  do të rritët ajo vetë”.
Engjëlli me këto fjalë,
Nga jet e mjerë’ na shpëtoi,
la Shqipërinë pa  djallë!
Dhe, ndë Qiell fluturoi!

III…

Botë, moj Bot’ e pabesë
Nuk ke gjë të vërtetë:
Ay ngordhi s’ desh të vdes
Enver s’ vjen më në jetë.

Dotë gdhiet prap një ditë,
Dotë vijë një mëngjes

Shqipëri të rrojë e lirë,
Ajo s’ mbyll’ syt të vdes!

Dotë gëzojn’ e të këndojnë,
kur t’a mbulojnë me gurë,
pastaj dotë t’a harrojnë
Sikur ai t’ mos qe kurrë!

IV
Vdiq Enveri, vdiq Enveri,
moj e lumtura Shqipëri!
Mendjedreqi, zemërziu,
i lig gjakatar… si ai!

Vdiq Enveri, po këndoni
shqipëtarka, shqipëtarë!
Enverin kur ta kujtoni,
nga gëzimi duke qarë!

Vdiq Enveri, gjithë thonë,
gzoni tosk e gegë gjith turrë!
Gojkatran’ i partisë… sonë
s’do të dëgjohet më kurrë!

Vdiq Enveri, që shëmtoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Enveri, që robëroi
dhe shkatërroi Mëmëdhenë!

Vdiq Enveri, po ç’të gjeti,
o moj Nexhmij’e mjerë!
Vdiq Enveri, po kush mbeti?
Si ai qen s’ka të tjerë.

Vdiq Enveri! katrahurë,
vonë e mori të tillë dreq?

Nga ferri mos dalë kurrë!

Shpirti ti përjetë t’i heq..!

V…

Doje drit’ o qiell, m’ fale lirinë time,
Dhe më mbushe jetën plot me gëzime!…
Tani rroj me shpresë, ndaj s’dua të shkoj,
se, dhe, Perendinë, i lirë e besoj!…

At Gjergj Fishta (Pyet…)

E po n’ vorre t’ fatosavet t’ nderueshem,

Qi m’ kto t’ egra male e bjeshkë t’ thepisne,

Si ulàj t’ përgjakun me trimni spartane

Rrebtë tue luftue për Atme e për Liri

Shqypnis iu bane fli, a thue m’ kto vorre

Sot ‘i kunorë Atdhéu ka për t’ ua çuem

Si peng çmimit e bindjet e nderet

Për shka ata psuene për Liri t’ bekueme?

Jo, jo! Për burra, qi me gjak praruene

Namin e kombit e Lirin’ i a sollen,

Atdhéu kunora s’ ka. Për ta nuk dhênet

Gur, as nuk ndezet qiri. Mbi vorr t’ tyne

Shpërthen rrushkulli e fermana, strukë ndër t’ cillat

Pret dhelpna e shqarthi, dér’ qi rrezja e diellit

T’ shkimet e hana për mbas malit t’ ngrihet

E zbét me shndritun n’ hapësirë të Qiellvet,

E kshtu, pa droje t’ ndo‘i anmiku t’ mshehun,

Me rmue ndër vorre, e me shpuplue

Eshtnat e tyne për Atdhé shkatrruem.

Heu po! Burrat e dheut, qi m’ armë mizore

Rrokullin dynden për Liri t’ Shqiptarvet

E flakë ndezen Evropën, e qi e shuma

As vorr nuk patën me u kondisë për s’ deknit,

Veç nper t’ errshmet humnere e nëper prroska

Kurmat e tyne shkapërderdhë për dhé

Prej orlash edhe korbash t’ zez kjén shkyem,

Shqyptarët, po, i kanë harrue; …

…Si m’ kanë harruemun mue…!

 

Melbourne, Prill 2010.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: 11 prill, Bashkepunim, Cajupi, Fishta, Fritz radovani

DEDË GJO’ LULI

April 6, 2013 by dgreca

Ne Foto: Dedë Gjo’ Luli me bashkluftarët e vitit 1911. (Foto Marubi)/

NGA FRITZ RADOVANI*/

 Një emen që tue mos pasë pranë asnjë epitet nënkupton në Tè: Shqipninë, Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, Nderën, Vetflijimin për Atdhe dhe, së fundit “shpifjet dhe harresën”…

            Kur mësuem këtë emen na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue dikund…ndoshta, ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një Malësor nga Hoti, mund të detyronte një sulltan Stambolli me i kërkue “marrveshje”…e ndoshta, edhe me e peshue me monedha ari.

Asnjëherë nuk shihej as Flamuri i Tij, edhe pse Foto Kel Marubi e kishte fiksue në xhamat e vjetër të studios së tij. Dikund ndër skuta të shtëpisë e kishim edhe një fotografi “të mbetun”, ma shumë se të ruejtun, mbasi kontrollet e vazhdueshme të sigurimit komunist kishin marrë me vete çdo foto që kishte një njeri me armë ose të veshun ushtarak. Për fat Deda ishte i veshun me çakçir…nuk ua pat tërheqë synin “vigjilent”!

Herën e parë këtë Emen e pata ndigjue nga një grue e veshun me rroba të zeza, që pat ardhë për vizitë në shtëpinë tonë, Ajo ishte jo aq plakë sa e bante shamija e zezë mbi kokën e Saj dhe Fëtyra e lodhun nga qendresa për mos me kja për vrasjet e djelmëve të saj, nga stuhija e ardhjes së komunistave me ernat rrënuese të Serbisë, që Ajo i njihte me kohë, kur ishte kenë vajzë e re. Ishte Katrinë Tomja…edhe sot kujtoj ata dy sy Shqiponje, apo të ndonjë sfinksi, nuk mund ta përcaktoj…por, pa i shtue asgja nga fantazia ime fëminore, ata ishin sa një filxhan kafje dhe të zez si futa, që i mbështillte Fëtyrën e skalitun si dikund ndër ato vepra arti që shfletojshe ndër libra, por gati… pa kuptue asgja…

Ajo i foli Nanës seme për qëndresen e Saj…se, “grueja apo vajza malësore e ka për turp me u pa një pikë loti tue i ra nëpër faqet e saj, kjoftë edhe për djalin e vetëm…”. Kjo bisedë që po bante Ajo, më tërhoq vëmendjen, mbasi nuk ishte larg nga koha e vdekjes së Babës dhe unë po mendojshe se cilit fis i përket Nana eme, që porsa zente me gojë emnin e Babës, i shkonin lotët rrëkajë…Kur iku, e pyeta Nanën pse nuk i shkonin lotët Asaj kur bisedonte për djelmët e vet të vramë nga partizanët dhe Nana, më tha shkurt: “Ajo asht një nga Burrneshat që ka luftue vetë me armë në dorë…ndër male kundër serbëve!”

Ma vonë jam kujtue përse ndër male nuk kjajnë femnat tona, se Atyne u asht pjekë syni nga duhma e barotit në beteja të rrebta përkrah Trimave të vet Malësorë!

Ishte viti 1961 kur pata fatin me kalue ndër duert e mija një nga gazetat ma të njohuna shqiptare, “Ora e Maleve”…aso kohe rrebtësisht e ndalueme me u lexue. Po për me dashtë me ditë kush asht kenë Ai Burrë me emnin Dedë Gjo’ Luli, aty mundesh me gjetë pikërisht ate që quhet esenca e veprës së tij e shprehun në pak rreshta, por e saktë, ashtu si të gjithë dokumentat që përfshihen ndër ato faqe. Sigurisht, tue lexue aty gjenë edhe fakte që janë ende të panjohuna, ose të lanuna më njëanë me qellimin e keq, që ma vonë…me u arkivue në “harresë”. Deri këtu do t’ ishte dishka edhe e pranueshme me rrugën e vështirë që vazhdon me ecë Historia e vertetë e Popullit Shqiptar, ende e pashkrueme, po ajo ma e keqja asht shtrembnimi i fakteve historike, gja që më ka shtye me u ulë  me shkrue këta pak rreshta për Mikun e shtrenjtë të të Parëve të mijë, që në ato ditë të Shenjta të Marsit 1911 ishin përkrah Dedë Gjo’ Lulit.

Dedë Gjo’ Luli asht le aty rreth vitëve 1840. Kur mungon data e saktë në artikujt e klerikëve, ajo datë asht e pamujtun me u gjetë! Edhe ata e tregojnë jetën e Tij nga goja e njerëzve të afërt të Dedës, në gazetën “Ora e Maleve”, dokument të cilit i jam referue pa frikë. Vendi ku çeli Shqipja Këte vigan asht Mali i Traboinit. Ishte djalë i vetëm. Gjithmonë Shqipnia ka pasë fatin e Saj me u mburrë me “rrelike” të vetme…

Koha e Miletit asht ajo që zen fillë emni i Tij, kur me Preng  Bibdoden, Çun Mulen e Hotit, Hodo Begun, të famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së Malësisë”, me të cilat At Gjergj Fishta pat vue në gjoksin e Nanës së vet Shqipni gjerdanin e artë të lavdishëm dhe të përjetshëm të Tyne, në betejat e përgjakshme kundër turkut…

Atëherë kur Hafiz Pasha i Turqisë së plotfuqishme u pat kërkue armët Malësorëve, bash ata “dreq” armësh me të cilat u ka dalë punë të gjithëve, derisa mbërritën me shpikë e me punue në shekuj për me u vue edhe emnin “kusarë gjaksorë”, Deda mori malet bashkë me disa Burra që “historia”e sotme e së shkretës Shqipni nuk i njeh, si Sokol Bacin, Smajl Martinin, Dedë Preçin, Keqa Prelen, Dulo Staken, që për dy vjet patën shkue ndër bjeshkë të Krasniqes, në shtëpinë e një tjetër emnit të “harruem”, Qazim Binakut. Po ku do të kujtoheshin këta emna, në cilin prej kapitujve të ngjarjeve të ndalueme kishin me u njohë nga Rinia Shqiptare, që edhe “këta” emna kishte mangut “me dijtë”…se pak ishin emnat e serbëve e të rusve, apo kinezëve ndër faqet e historisë sonë!!

Mbas formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë së Osmanllijve kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni, as “premtimi”, prandej edhe lufta e tyne për Liri ishte ndezë në të katër anët. Flaka kishte përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin. Të gjithë kishin rrokë armët. Beteja ma e rrebta asht ajo që u ba në Traboin, në Qafën e Kishës dhe në Spi, ku Dedë Gjo’ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush asht Shqiptari i “ringjallun”. Asht pragu i një Ringjalljes së Madhe, ku Malësori kishte marrë në çdo pikë gjaku nektarin e Atdhetarizmit dhe të Fesë së dhunueme ndër sa shekuj, nga “bletët puntore” me zhgunin e Shën Françeskut t’ Asizit, që nuk iu tutën as marrjes zvarrë mbas kuajve të pashallarëve, as hunjve të vumë ndër “shenjat e Kryqave”, ku nguleshin si kafshët për me mohue Fenë e Krishtit. Po rilindte një Popull i nëpërmkambun për mos me u shtrue dhe shue kurrma e, Ky ishte Populli Shqiptar, që trandi Ballkanin.

Ishte viti 1910 kur Trimi i Traboinit me vullnetin e Tij prej çeliku ndodhet mes kryengritësve të Malësisë së Madhe, ose si asht njohë ndër dokumenta, të Malësisë së Mbishkodrës, dhe len trollin e vet për mos me u kthye kurrma, me 29 Korrik.

100 vjet ma parë,.. Në vitin 1911 Kryengritësit Malësorë do të arrijnë me armët e tyne dhe me gjakun e Martirëve të Lirisë me shkrue fletën ma të lavdishme të Historisë mijëvjeçare të përpjekjeve për Liri, dhe mbi vorret e Atyne Martirëve me ngritë, mu në qendren e Ballkanit të salvuem nga osmanllijtë, Flamurin e Gjergj Kastriotit në Trojet tona Shqiptare, në Ata Troje ku Liria, Atdheu dhe Feja janë visaret ma të çmueshme dhe ma të dashuna për Ata, që kur lindin pagëzohen me Atë Emen që ndër shekuj mburojë ju bane Shqipnisë, e thirren Shqiptarë!

Ishte vetë prijsi i tyne Dedë Gjo’ Luli i pari që mori shpellat!

Janë 13 shtëpi, që mbas gjurmëve të Tij, u veshen Bjeshkëve të Triepshit e, mos harroni se janë 13 kulla që flakrojnë nën rrezet e diellit dhe të hanës e që shkelqejnë ndër tingujt e kangëve të Lahutës, tue mos dijtë me pasë kurrë mort! Po kujt t’i ruhej ma parë Burri ynë, a turkut apo shkjaut, kur hasmi na kishte rrethue në të katër anët? Malazezët arrijnë me e kapë dhe me e interrnue për gjashtë muej Dedën…Nuk dihet prej askujt se shka i patën dhanë me “pi” Atij Burri që kur u pat kthye prej andej, si dikur, ndër legjenda, Malësorët që e rrethonin ndër kuvende e beteja kanë tregue se damarët e kuq të gjakut iu patën ndërthurë rreth e qark trupit përbri shiritave të zez të çakçirëve, sa kush pat fat me e pa atë ditë të 24 Marsit të 1911, kur Ai u versul mbi anmikun, dukej bash si një Flamur Kuq e Zi, që valvitej prej eret e murrlanit, i lëshuem turr si stuhija me shkye me duert e veta kulshedren turke, apo anadollake siç e thirrte populli, poaq të tërbueme, që në disprim po merrte ikjen dikund nga ujnat e ngrohta të Azisë plakë. Ishte lëshue e nuk mbahej Dedë Gjo’ Luli. Hija e Tij u dukej e zhdukej ndër pallatet e Stambollit edhe vetë sulltanëve, që filluen me folë përçartë. Po si menduen ata se mund të kondendohej e të binte në paqë trupi i çuem peshë i Dedës me disa “lëshime” që mendoi me i ba për me mujtë me e zbutë Malësinë atëherë Turqija dhelpnake?

U bashkuen rreth Tij edhe 30 shtëpi, e jo vetëm nuk u pajtuen me mendimin e turqëve, por i patën fjalët e pakta dhe të kjarta si drita që ndriçonte ato maje: “Duem Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët!”.

Bash si një thikë u pat ngulë fjala e Tyne në zemrën e kalbun të Sulltanit, që villte vner si gjysëmhana e flamurit tij kur ajo rroposte kombe e popuj…U pat mundue me lypë “gajret e derman” ndër haremet e veta, tue ua zhgulë prej fytit gjerdanat e diamantët e çmueshme lavirave të Bosforit, për me mujtë me “thye” Burrin e Traboinit, por nuk i banë “fajde”…Ishte kot, se as me i mbledhë të gjitha plaçkitjet që u kishte ba të gjithë popujve bashkë, nuk i delnin me thye Ate që tashma ishte çue në kambë e nuk ulej as ndër shiltet e tija me kuvendue. Nuk i bante syni vek as për pare, as për pasuni, a thue se Ky Burrë kishte le mu në pallatet e tyne i rrethuem në fildish…Nuk ia thente synin as refleksi i rubinit e as i diamantit të unazave të tyne, mësa i shponte zemrën fjala e tyne e dalun prej barkut, përzi në dishprim me helm, e shkrryeme ndër shilte…Të gjitha iknin e zhdukeshin me tymin e llullës së Malësorit tonë sikur të ishte tue ndigjue përralla pallatesh të kohës së “Nuhit”…

Asgja nuk e këthente Dedë Gjo’ Lulin nga rruga e Herojve!

Edhe konsulli i Turkisë në Podgoricë, i shtymë nga Bedri Pasha i Turkisë, i pat premtue një rrogë mujore prej 2500 lira turke Dedës, dhe me i sigurue një punë të mirë të birit, po as prej tij nuk u thye… Asnjë Shqiptar nuk besoj se di me marrë me mend sesi një Malësor pa plang e pa shtëpi, fukara që nuk kishte as bukën e gojës, arrin me u përgjegjë pa pikë frike dhe me plot gojë, e madje tue ngritë naltë edhe zanin e Tij:

“M’i thoni Pashës e Mbretit se nuk jam mish që shitet në krraba të kasapit. Ta dijë Mbreti se s’ ka aq pare sa me më thye!”

Kishte mjaft nga ata që dukeshin trima edhe para e mbas Dedës, po “trimnia” e tyne mbështetej nga siguria e karrigave e kolltukëve të tyne prej një forcës tjetër që mëshefej mbas tij…Ndersa Dedë Gjo’ Luli, jo vetem nuk kishte kolltuk as stol ku me u ulë, e as kurrnjëfarë sigurie mbas shkambit ku mbështetej me ba një sy gjum, por kur u pat ndodhë në duert e malazezëve, Krajl Nikolla i pat thanë: “Vend ma në Mal të Zi nuk ke”, e kuptohet se Krajli kishte mendue me ua lëshue në dorë turqëve, ashtu si kanë veprue me shumë Shqiptarë kur ia lypte interesi i vet, që i lidhte ma të fortit kur kishin në mes tyne një Shqiptar…

Po Deda çka u tha? A thue u frigue se nuk po gjente vend?

Ai u pergjigjë sikur të kishte përballë një turk:

– “Po shpellat a m’i pret?” Heu Zot na ruej…Pa u tutë atje shkoi dhe bashkë me trimat që e shoqnonin atje jetoi, mbasi Koka e Tij flinte ma e qetë e mbështetun mbi cung të lisit, se ndër jastekë puplash…

E ndoqën malazezët hap mbas hapi derisa e zunë dhe e patën çue në Danilograd, ku e mbajtën dy muej. Provuen me e lodhë dhe me shumë djallëzi u përpoqën me e ba për vete. Arritën deri aty sa vet Krajli i pat kërkue, mbasi vrejti se Deda nuk thehet, “Të lutem, nëmos djalin ma fal!”, sigurisht, ky ishte premtim por edhe peng! Deda, me një squtsi të madhe, arrijti me i dhanë përgjegje ate çka Krajlit as nuk i shkoi nëpër mend: “Djalin s’ia kam falë Mbretit as nuk kam me t’ a falë ty! Jemi të Shqipnisë unë dhe ai.” E jo larg kësaj ditë, me 29 Gusht, kur krahina festonte Festen e Bajrakut, në Fushen e Tuzit, Dedës i vritet djali i vogël 22 vjeç, tue luftue si Burrat me armë në dorë.

Tue shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1912, ku nuk duhen lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut t’Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin, njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes së madhe të Malësorëve të Mbishkodrës.

Kleri Katolik Shqiptar që ishte ndër ato Malësi kishte arrijtë deri aty sa me deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times, Wednesday, May 10, 1911.)

Tue u ndodhë para një vendimi të pathyeshëm, Imz. Serreqi kje nisë në Cetinë bashkë me At Gjergj Fishten, Luigj Gurakuqin dhe Don Ndre Planin, me marrë njoftimet e duhuna nga Legata Perandorake. Vendimet e Qeverisë Turke nuk u përfillën fare nga Malësorët, kështu gjendja u acarue edhe ma shumë, mbasi burrnisht nga ata u pat vazhdue pandërpremje lufta për Liri të plotë të Tokave Shqiptare.

Trimat e Malësisë nuk kanë kurrë djelm tepër, për mos me thanë se dhjetë me pasë krye vitit, e prap kanë mangut. Atyne u duhen ashtu si Zoti shpesh ua ka falë pambarim…

 

 


FLAMURI I GJERGJ KASTRIOTIT U NGRIT…

 

Kishin kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta, martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e kulumrija…Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e drunit të lisit e të çamit. Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë, përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri, po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e burrave ishin bashkue e ba hulli si t’u kishte shkrepë rrufeja në votër e shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi. Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur,..ku, tashma as dallëndyshat nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik i kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës, derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë kujtoheshin për ndonjë pusi që kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të përgjumun, dilnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun  e vjeter të Gjo’ Lulit…

E Baba i pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka me u daltue me shkronja t’ arta!

Emen që u pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma fort se askujt tradhëtarëve të Atdheut e të Fesë së Gjergj Kastriotit tonë.

Mbërrijti lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se Dedë Gjo’ Luli asht rritë e ba Burrë e madje edhe i fortë…Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të shtatdhetat vjetë…E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që rrethonin belin e drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit… Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e Krijuesit!

Qielli hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç’mos kurrë, dishka donin me njellë e lajmërue n’ ato ana…Edhe dielli, që deri atëditë nuk kishte mujtë me shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe vetë bishat kishin marrë iken… Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit pashpirtë. Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte dikund andej Nora e Tringa, ishte Kupe Danja e ishte Shota, ishte mbarë vajznia e granija, ishin po lulet e zambakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ata ndër gur’ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911…

Ishin Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo’ Lul!

Ishin, po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me gjakun e Heronjve e të ruejtun mbrendë thellë në vorrin e Gjergj Kastriotit, në atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga Ata besnikë të përjetshëm, që me duertë e tyne të Shugurueme tashti edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë, Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset kurrma,.. kurrma!

Plasi Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin, ku Ai do të kalbet e do të shuhet përgjithmonë.

 

100 vjet ma parë, me 6 Prill 1911…Me Dedë Gjo’ Lulin…

Mbarë Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt!

I madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë!

Atdheun filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!

Fitorja e shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi!

Urata, lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!

Secili, sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës…

Pikë lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që këndonin e shkrepshin armët…

Edhe gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!

Aty pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë…

Sa andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma  të forta e të fuqishme thenin heshtjen shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut…tue zgjue mbarë një Europë:

“Oooo… Burra bre… çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën Arbnore!…”

Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma,..kurrma!

Tingujt e Lahutës…vazhdonin Kangët e veta…

(Pjesë nga libri “Dedë Gjo’ Luli” në 100 vjetorin e ngritjes së Flamurit, nga F.Radovani)

Melbourne 2011.)

Filed Under: Histori Tagged With: Dede Gjo luli, Fritz radovani

“E PREMTJA E MADHE” DHE SHQIPTARËT…

March 28, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Në pragun e Festës së Madhe të Pashkëve, besoj se ka vend per një kujtesë historike!

Ajo Derë që dhuronte Dashuni, per të cilen kam shkrue pak ditë perpara, ndoshta, nder të paktat ditë që “mbyllej” per 24 orë, ishte Dita e të Premtes së Madhe… Mund të gjindej në atë kulm vetem ndonjë frat i Asizit, që ishte i pamujtun me u nisë nder Malet e Shqipnisë, mbasi i duhej me rrah kambët edhe nder rruga ku nuk mujte me ecë as kali… Ata që i kanë shetitë ato krahina tue fillue nga Kelmendi, Hoti, Gruda, Dukagjini, Puka, Zadrima e Mirdita, mund të kenë rasen me pa në Fototeken Marubi, thesarin e paçmueshem të fotografit shkodranë Shan Pici, që i ka fiksue ato krahina në “xhamat” e vegjel të Tij, tue na lanë Historinë e lavdishme dhe ate të trishtueshme të Atyne Maleve aq sa Heroike, aq edhe “plangprishëse” të Tyne. Kjo figurë kaq e madhe asht edhe e një Shqiptari po aq të thjeshtë dhe të paster sa vetë dashunia e ndryeme në krahnorin e Tij, që ngopej me ajrin e Atyne Bjeshkëve të Nêmuna… E kur e pata pyet se, “si ke arrijtë, tue kenë në moshë të re, i pashem dhe qytetar i vertetë i Shkodres, me hy pa frikë nder ata fshatra aq të mbrapambetuna e të varfëra dhe me fotografue të gjitha zakonet e tyne, me burra e gra të reja e të vjetra, nuse e stajanica, apo edhe nuse mbas lindjes…etj”, më pat tregue se: “Nder Ata Malësi, atëherë, kur unë kam shkue me fotografue zakonet e Tyne, vetem dy Burra mund të më garantonin mue me e krye detyren që i kishe vue vetes, Frati i krahinës dhe Mësuesi i fshatit, Dy Burra, që viheshin në krye të vendit tek oxhaku dhe në krye të sofres së Atyne Maleve…”

Atëditë të së “Premtes së Madhe”, Françeskanët ishin të shperndamë nder të gjitha  krahinat malore të Veriut, ku nuk i pengonte as shiu, as bora e ngrime, as mungesat e rrugëve dhe as nuk ndihej lodhja nga detyra që Ata i kishin vue vetes: “Me falë gjaksorët”, e me pajtue Ata familje “plangprishëse” të vullnetit Zotit, të thyemjes së Dashunisë Hyjnore e Njerzore!

Vraponin të zbathun, të etun per ujë dhe të pangopun me bukë, me ditë të tana e rrugë pa rrugë, me shkue nder skutat ku as ujqit nuk rrinin të vetmuem nga frika e “pushkës”… Atje i ke gjetë të zbathunit e Asizit, tue fjetë në kashtë e koken mbështetë mbi gur, e tek koka ishte vetem ndonjë kafshë që e ngrohte me avullin e vet nder ata kësolla varfënije e frike… Zgjoheshin heret e merrnin rrugat e thella të shoqnuem nga vendasit, që nuk pritonin me ndihmue Fratin bamirës.

Dikund atje afer, si thonë vendasit, “mbas dy oresh” jemi aty pranë asaj kullë që shihni!

Aty e kemi cakun e parë! E kur afroheshin, u printe Frati me Kryq në dorë e me Ungjillë, per me kerkue: “Per hater të Krishtit, që sot, të Premten e Madhe asht gozhdue në Kryq, dhe pa dhanë Shpirtin e vet per me Shpetue Njerzimin, I asht lutë Zotit, Krijuesit të Vet, bash per ata që e mberthyen dhe e gozhduen per Kryq: Fali o Zot, se nuk dijnë çka bajnë!…”

Shtroheshin nder biseda të gjata, e Frati me një durim të pashoq, sa gjaku fillonte me u vlue edhe pleqëve…Hapej Ungjilli…Krishti ka thanë!.. E biseda fashitej…

E plakut i mejte fjala në fyt… I kishin vra loçken e zemres…tha konakun…lanë nusen tu shtëpija me fëmijë prej gjiut…dy jetima tjerë i kishte rritë miqësia me mujtë me shpetue prej një tjeter tragjedije…e pak ma andej vatres një plakë thante lotët, kur zehej në gojë pse u vranë… “A e besoni Burra, se Pasha Atë Krisht, që Ju ka pri me ardhë në kësollen tonë, gurin e cakut vijës së ujit, e kanë luejtë vetë ata që kerkuen me na shue votren e fisin…” E Frati, vertetonte çka dinte!

E me dashtë me u njoh me historitë e pafund të Atyne Viseve do të duhej me ringjallë edhe njëherë At Shtjefen Gjeçovin, e me iu tregue sa gjakun e kanë derdhë Shqiptarët tanë…

Atëherë, e besa, ma shumë sot! Vrasje e të ngujuem per çdo skutë n’ atë vend…

E pse?! – Një pjesë as vetë ata nuk e dijnë! U ka mbetë “zakon” me shkrepë pushken…

Asht një “zakon” që mirë ka dijtë me e perdorë i huej, po shumë ma keq nga të tanët që tue dashtë me u ngopë prap me gjak Shqiptari, i shtyjnë me u vra me zgjatë robninë e tyne…

E Frati, vazhdon detyren e vet: “Krishti ka thanë…bash si sot… e gati 2000 vjet perpara!”

Nuk çohej Frati e as nuk lonte nga oxhaku as Plaku i Fisit…

Ndrroheshin cigaret…i shtohej edhe një trung zjarrit…e per pak kohë, binte heshtja…

Ma të rijtë pritshin fjalen e Plakut…Ishin bash ata “të dënuem me vdekje e të ngujuem ” nga një trashigimi e vrame e shpesh edhe e pafajshme…Duhet të zbatohej “Kanuni”…

Këtu, Frati fillonte edhe njëherë me shpjegue se sa asht “shtremnue” ligji i Maleve…

Vrasje të mnershme, shfarosëse dhe pa asnjë bazë as mbi ligjët e Maleve, madje edhe të paligjëshme, kunder Kanunit e çdo Drejtësie, perveç padrejtësisë që sundon tash 70 vjet tek ne.

Cili ligj i Maleve tona apo Kanuni, lejon vetgjyqësinë “si e drejtë e një njeriu me vra”?

Frati me durimin e Tij shpjegonte Ungjillin…e Plaku, i paster në ndergjegje të vet, duhej të zbutej, të kthehej në Grixhen e të Parëve të Fisit vet dhe të pyeste: “Burra të Fisit tim, a Ua marrë Fëtyren e a Ju la marre mbrapa që per Hater të Krishtit, në këte të Premte të Madhe edhe unë si Ai i Lumnueshmi, me i falë gjaksit tonë?…” Heshtje… Pritje me kokë ulun e ankth…

– Jo Tatë, pergjegjet i madhi nder djelmë! Frati nuk ka ardhë me na marrë Fëtyren!

***

– Kjoftë ba si thotë Frati… then heshtjen Plaku… Nuse, sillni kafe e raki per miqë!…

Asht e Premtja e Madhe… “Bukë, krypë e zemer!”…E vetem sytë u qeshen Atyne… Po po, “Atyne”… që persa vjet të ngujuem e me lot perfaqe, shtynin kafshaten e thatë të bukës.

“Kjoftë levdue Krishti !”… e Frati, çohet në kambë, tokë koken me Plakun… e të gjithë sa janë aty fillojnë uraten… E fjala merr dheun…

“Dy Fise nuk do të shuhen kurrëma!..”

Mos harroni, e Frati, vazhdon me thanë…

Vazhdojnë prap si motit nga At Gjeçovi, At Fishta, At Prennushi, At Harapi, At Paliq, At Pal Dodaj, At Gjolaj, At Dioniz Maka…e rreshti i Tyne i pafund nder Trojet tona edhe sot pyet:

      “E sa Fise o Shqiptarë, duhen shpetue nga “shuemja” në pragun e Këtyne Pashkëve ?”

 Melbourne, 27 Mars 2013.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe shqiptaret, E premtja e madhe, Fritz radovani

“NANA KATRINË…”, NANA E PROF. KOLË PRELËS…

March 1, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Baba na la të vegjel jetima…Mbas një viti që “hyne këta…” nuk përfituem as pension mbasi u konsiderue gjithë fisi “reaksionar”…Na shtetizuen dhe një shtëpi që kishim me qera… Të ardhuna tjera nuk kishim. Dajat filluen Kalvarin që në 1945…ndërsa, daja Don Kolec vdiq në vitin 1950…Na ndihmonte mos me shkue në “preventorium” halla Gjyzepinë, e cila punonte infermjere në spitalin civil të Shkodres…I vetmi burim jetese ishte “shitja e plaçkave” të shtëpisë për me hangër bukë. Mbas shitjes së disa mobiljeve dhe tavolinave…Nana filloi me shitë pajen e vet të përgatitun me duert e saja qyshë vajzë sigurisht me çmime që po ti tregoj me siguri askush nuk do ti besonte, sëpse ishin të qendisuna me gjylpanë nga duert e Saja t’ arta… Nga Nana pata fatin me trashigue artin e pikturës për të cilin Ajo, asht kenë dallue në shkollën e Motrave Stigmatine të Shkodres. Një stole që përdorin klerikët e punueme nga duert e Saja kur ishte 9 vjeç pra në vitin 1918, i asht dhurue Papës nga një delegacion që ka shkue në Romë.

Bana këte hymje për me tregue se cila ishte vlera e punimëve që vinim kokën sipër kur binim me fjetë… Nana hapte baulen e nusisë dhe caktonte njenin çarçaf ose sofrabez…që i duhej me shitë. Ato pak pare porsa i sillte “tallallesha” shkonin drejtë e tek dyqani i bukës së misrit, o me pague borxhin e ditëve ma përpara e shpesh, me ble bukën e freskët si “tullë”…

Kjo ishte gjendja ekonomike e shumë shtëpijave të “prekuna” politikisht në Shkoder… Po nuk duhet harrue se kur në 1946 filloi “dera” e burgut, që nuk u mbyll përsa vjetë, atëherë edhe paret e “tallalleshës” hidheshin në pusin e pangopun të burgjeve që të merrnin shpirtin…

Oh, sa me gëzim pritej thirrja e zanit të “tallalleshës” kur i trokiste derës së shtëpisë!!

Edhe na si fëmijë vraponim me i hapë derën me shpejtësi për mos me e lanë me pritë mbas dere, e ftonim me hy mbrendë po, Ajo shumë rrallë pranonte ftesën tonë se, si na thonte Nana, Asaj i vinte randë me hy për me pi kafe “mbasi edhe Ti o Vidë, i ke këto pare për me i çue ushqim tek burgu si unë”, kështu i thonte Ajo Nanës seme kur iu vente me hy mbrendë…

Ajo ishte një grue e shkurtë e veshun me një fustan të zi e të gjatë dhe gjithmonë e kujtoj me shami të zezë…kishte zanin pak të trashë, grue shumë e qeshun po me tipare të theksueme malësorje kur fliste…Edhe na mësueme nga Nana jonë emnin e Saj dhe gjithmonë e kemi thirrë shkurt “Nana Katë..!” pra, Nana Katrinë…Kjo ishte “tallallesha”…që vinte tek ne…Kur dilte me shkue gjithnjë përsëriste të njajtën thanje: “Në dorë të Zotit…u baftë vullnesa e Tij..!”.

Ma vonë kur filluem me u rritë Nana na shpjegoi se Kjo “tallalleshë”, që shiste rroba të vjetra e të reja ishte Nana e Prof. Kolë Prelës, që i biri kishte përfundue universitetin jashtë dhe kishte kenë profesor në Gjimnazin e Shtetit në Shkoder, e mbas 1945 ishte edhe deputet i njohtun i Dukagjinit. Ishte arrestue kur po dënohej dijetari At Gjon Shllaku OFM. krejt i pafajshëm. Në atë gjyq Prof. Kolë Prela flitej se i ka dalë zot pafajsisë së At Gjonit, dhe për atë arësye e kishin arrestue edhe prof. Kolën, i cili nuk ka dalë ma nga burgu, madje as në gjyq. Një ditë Nanës Katë, tek dera e hetuesisë polici i ka thanë: “Mos siell më ushqime… se djalin t’a kemi pushkatuar se ai ishte ‘armik i Popullit’..!” dhe, Nana Katë, u ishte përgjegjë: “Po, prandej Populli e pat ba deputet të vetin pse ishte ‘anmik’ i Tij..?” dhe ashtu e pikllueme kishte marrë strajcën me plaçka e shkue në shtëpi të vet, e mbasi i kishte hapë në jerevinë ku jetonte kishte pa njollat e gjakut të djalit ndër ndrresa nga torturat…kishte kja disa ditë mbi ato rroba dhe i kishte futë në një arkë të vjetër ku Ajo, i ruente si rrelike…Mësuem se Nana Katë jetonte vetëm mbasi edhe djalin tjetër Markun, ia kishin arrestue dhe e kishte të dënuem shumë vite…

Një ditë në pragun e festës së Pashkëve, aty nga viti 1949 Nana më mori me vete dhe u nisëm nga Ara e Pashës, posa dolëm në Ballabane kaluem në krahun e majtë nga një rrugicë e vogël që quhet Rruga Daijej, pothuej në fillimin e saj Nana trokiti dhe më tregoi se aty ishte me banim Nana Katë…Ajo doli menjëherë dhe na për mos me na pa kush pse kishim shkue u afruem tek jerevia ku jetonte Nana Katë, tek dera nxorëm një tas të mbështjellun me mësallë, ku Nana eme kishte përgatitë për drekë dishka ma tepër me ia çue për ditën e Pashkëve edhe Asaj.

Kështu mësova atë vend ku Nana e Prof. Kolë Prelës, kalonte jetën në vetmi dhe në një vorfni të papërshkrueshme…që askush nuk di me e mendue. Përveç mureve të hapuna, jerevija nuk kishte as tavan as dysheme, shiheshin hatllat sipër e toka poshtë pa asnjë drrasë si dysheme …ku në një skutë mbasdere një batani mbi dy drrasa tregonte vendin ku Nana Katë flente…

Kishte një komodin tek koka dhe një fugure të Zojës së Shkodres…pranë kishte një stol.

Aq më bani përshtypje sa edhe sot mendoj me vete: “Si mund të jetojë njeriu në kushte aq të vështira e sidomos në kohë dimni e ngrice që Shkodres nuk i kanë mungue kurrë..?”

E, megjithate…Ajo ishte optimiste, se një ditë djali tjetër Marku do të lirohet, “se këta” nuk kanë me kenë gjithmonë…”një ditë… do ti hajë dreqi edhe ‘këta..!”, thonte Ajo…

Shumë vite kaluen. Nana Katë vazhdonte me strajcen e vet me dalë me shitë rroba…

Kushdo që kishte nevojë me ble ndonjë plaçkë kërkonte tek tregu fshatarë një plakë të vjetër “tallalleshën” e njohtun në Shkoder, mbasi secili mendonte edhe me e ndihmue Até…me dishka të vogël sëpse të gjithë e dinin hallin e Saj…e mbi të gjitha valën e jetës që e kishte përpi e përplasë ndër brigjet ma të pamëshirshme tue i rrembye të dy djelmët si dy lule…

U gëzuen edhe gurt e sokakut kur u hap lajmi se Nanës Katë ju lirue Marku nga burgu!

I madh e i vogël e ndalonte Nanën që fluturonte nga gëzimi me i ba urimet e djalit…

Edhe kush s’ e njihte do tu ndalonte me i shterngue dorën, toktë kokën me “tallalleshën” për me i urue ardhjen e Markut në shtëpi…e kush nuk e shihte do ta ndalonte Ajo, tue e ftue për një gotë raki për gëzimin e madh që i kishte sjellë ardhja e djalit tek shtëpia. U dynd Shkodra tek ajo jerevi që i gëzonin edhe hatllat… “Hajde, mirse u ka prue Zoti…!” ndihej deri tek rruga e madhe zani i Burrneshës së Dukagjinit…Shumë shpejtë Zoti e gëzoi edhe me fejesen e Markut…

Por, njeriu që nuk ka fat në jetë sado i mirë kjoftë kurrë nuk mund të parashikojë se Nana Katë …nuk mundi ti shpëtojë “mjerimit” edhe pse njihej se nuk ka krye asnjë vepër të keqe. U hap lajmi si rrëfeja se Katërinë Preles papritmas i ka vdekë edhe djali tjetër i vetëm Marku…

“Asht kenë vullneti i Zotit kështu…!” thonte Nana e mjerë…Po lot jo, kurrë, nuk kishte përfaqe…vazhdonte traditën e Malëve…Burrneshat nuk kjajnë! Asht vështirë me kuptue forcën e një Nane që kishte mbetë në këte botë pa asnjenin djalë…me një “forcë” të pakuptueshme..!

Një ditë kushrinjtë e morën me vete e shkuen tek shtëpija e vet në Dukagjin bashkë me Nanën Katë, ku Ajo gjetë atje “djelmët e Malit” tek të Parët e Trojeve të veta, ku mbylli edhe jetën e Saj nën kujdesin, dashtninë dhe bujarinë e Tyne…

Jam i sigurt se edhe shkrepat e Malit do të kenë vajtue vdekjen e Nanës Katë…

E bashkë me Ta këto pak rreshta le të jenë mirënjohja eme ndaj Asaj Nanë, që Shoqet e veta me “shamija të zeza” i ka me mija edhe sot, në të katër anët e Shqipnisë…

Asaj Nanë…Burrneshë të Alpeve tona.., që na mësoi fjalën “qendresë”..!

Shenim: Ju, lutem mos ngatrroni fjalën “qendresë” me fjalët “harrës”,”moskujtesë” etj.

që përdorën sot në institucionet e “Drejtësisë” moderne…të “demokracisë” shqiptare..!

 

Melbourne, 2013.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Nana Katrine

ÇKA THA AMBASADORI TURK PER SHQIPTARËT ?…

February 25, 2013 by dgreca

100 vjetori i rrethimit të Shkodres…/

Nga Fritz RADOVANI/

Shkodra, flitet, por sa asht e vertetë nuk e dij, thonë se asht rrethue disa herë por sa herë asht vështirë me e percaktue!.. Ka historianë që i fillojnë rrethimet e saj para Krishtit. Ka edhe që i vazhdojnë edhe mbas Krishtit… Kishe me thane se ky lamsh historik i “Rrethimit të Shkodres” e ka burimin tek mospercaktimi i saktë se: “Shkodra vazhdon me kenë edhe sot e rrethueme!”.

          Po kush e ka “Rrethue Shkodren” ?… – Gojdhanat dhe gojkëqijtë kujt nuk ia lanë fajin!?

Disa thonë se Shkodra u rrethue nga turqit… Disa të tjerë ua lanë komshijëve… Disa që janë konsiderue edhe historianë të zotët, thonë se Shkodren e kanë rrethue vetë shqiptarët…

Kujt me i besue?!.. Nuk di njeriu kujt me ia prishë as kujt me ia lanë mbarë!?

Një liber e ka lanë per këte punë Don Marin Barleci, një prift që e ka shkrue aty nga viti 1504…”punë boshe”, se mos di kush me thanë të verteten. Kush ia beson Atij prift sot këto
fjalë: “Tashti pra Otomani, tue marrë parasysh se Shkodra ishte qyteti ma i përmendun dhe kryeqendra e krahinës së Shqipnisë, ishte roja, syni, forca dhe mbrojtja e të gjithë mbretnisë, dera e detit Jon dhe e Adriatikut, mbrojtja e Italisë dhe e të gjithë të krishtenëve, ushqeu një shpresë shumë të madhe per me e shti në dorë…” (“Rrethimi i Shkodres”fq. 31).  Ai sot asht pak i besueshem!

Ma vonë aty nga fillimi i shekullit XX, njëfarë Don Ndoc Nikaj ka shkrue një tjeter liber per rrethimin e Shkodres nga malazezët…edhe ky si i pari, “punë priftnish”. Ka shkrue prap edhe një frat i quejtun At Justin Rrota, po per rrehimin e Shkodres së 1912 – 13, po nuk permendet gati prej askujt, perveç prej atyne që e dijnë se shkrimet e Tija i ka pervetsue “prof. dr. dekan…” Jup Kastrati, po as “ata” nuk flasin se “nuk asht mirë me tregue se ky ‘prof. dr.’  i vdekun ishte hajdut veprash”!.. Të gjitha këto vepra janë edhe “pa vlerë”, mbasi janë shkrue edhe Gegnisht.

Per fat këta vepra u mblodhën dhe nuk u dogjën si shumë të tjera, dhe mbasi iu ba njëfarë seleksionimi po i themi nen kujdesin e disa “prof. dr.”, u kthyen në gjuhë e “njësuar” tue i vue në kopertinë edhe emnin e adaptuesit. Dikund nëpër té shkruente edhe një frazë ose dy kunder klerit katolik, që e bante të mundshem botimin e saj. Pak kohë para Jupit këte punë e filloi Dhimiter Shuteriqi, ndersa ma vonë kjo u ba “modë”. Një pjesë që erdhën deri në ditët tona tashti ia kanë fillue me shkrue në gazeten “Drita Islame”, edhe pse karrieren e kanë fillue tek “Rruga e Partisë” në vitin 1967, kur i udhëzonte “rahmetlia” Ramiz Alia në “Revolucionin Kultural” në Shkoder.

Per çudi shumë dorshkrime që u patne plaçkitë nder bibliotekat dhe muzeumet e qytetit të Shkodres në vitin 1946 nga jugosllavët dhe u derguen nga Bosnja nëper rrugen e Koplikut, nuk dihet fare fati i tyne mbasi nder valixhet e lidhuna me litar ka pasë edhe disa dorshkrime të At Gjeçovit, At Fishtës etj., që njiheshin edhe nga ish nxanësit e tyne që kanë jetue deri vonë.

Vlera ma e madhe e atyne thesareve asht kenë ajo e fushës së shkencave historike, mbasi si gjithmonë klerikët katolik shqiptarë perpara se me shkrue një shkronjë në leter, janë kenë disa herë të sigurtë se ashtu asht e verteta e atij dokument per të cilin kanë shkrue. Ata nuk i kanë lejue vetes asnjëherë me shkrue dishka të pasigurtë ose të diskutueshme. Kjo ngjante se kishin seder per çka shkruenin dhe nuk i lejonin emnit vet me u diskutue per pasaktësi. Me ngja dishka kështu emni i tyne fshihej nga revistat e kohës. Këte e verteton revista e tyne “Hylli i Dritës”… Ndersa sot ngjet që po i njajti autor që nuk ka lanë gja pa thanë per At Fishten, me paturpësi edhe guxon me u krenue me veprat e At Fishtës, që deri dje kje “fashist” apo “i padijtun” në shkrime.

Kjo fatkeqësi e kishte burimin tek karakteri i dobët dhe mungesa e personalitetit të atyne që shkruenin per me i ba qejfin diktatorit dhe rrethit të tij, që ishte edhe ai si diktatori.

Vetë Enver Hoxha fliste e shkruente pa asnjë kontroll të logjikës. Ai ishte gjithnjë në të gjitha fjalimet, deklaratat dhe “veprat” i pakorrigjueshem, kështu u mësuen me kenë edhe ata që i rrinin perrreth tavolinës së tij. Ai të pakten e justifikonte këte me ruejtjen e kolltukut të vet, per të cilin sakrifikonte gjithshka tue fillue nga burri i motres së vet Bahri Omari, që kushedi sa herë u strehue edhe vet Enveri në shtëpinë e tij me shpetue koken…E në fund, e pushkatoi!

Sot ka nga pasuesit e tij që mundohen me e imitue në mos me fjalë, me vepra. Harrojnë se bota ua lexon letrat në xhep! Ata ua rrahin shpatullat derisa këta karagjozë punojnë per ta!

Unë do të shkruej një fakt që ka ngja në Tiranë në vitin 1964, mu në pallatin e Brigadave, apo të karagjozit tjeter Ahmet Zogollit, pikrisht, me “fanarin ndriçues të marksizem-leninizmit” në botë, atëherë kur Nikita Hrushovi, pat mendue “me ba Shqipninë një kopësht të lulzuem të socializmit në Ballkan, si shembull per të gjitha vendet islamike!!..”

Në banketin e shtruem per festat e nandorit Enver Hoxha foli edhe per pavarsinë tonë nga turqit, tue vue theksin se “menjëherë shqiptarët u zgjuan dhe nuk vonoi e formuan PKSh, e cila solli lirinë dhe fitoren e socializmit, të cilin do ta ruajmë të paprekur nga armiqtë tanë…”

Sigurisht, të pranishmit e “duartrokiten” me ovacione… Nder ambasadorët e pranishem që ndodheshin aty e mori fjalen ai i Turqisë, i cili vuni në dukje “miqësinë e popullit shqiptar me popullin turk nder sa shekuj dhe cilsoi, se po mos t’ ishte pushtimi shekullor turk, Shqipnia nuk do të konsiderohej si vend islamik nga Aleatet fitues të Luftës së Dytë Botnore, kështu ajo nuk do të lejohej me kenë nën influencen e vendeve komuniste. Si pasojë sot ju nuk do t’ ishi një nga vendet socialiste po mos t’ ishit të okupuem nga Turqia, prandej asaj duhet t’i jeni mirnjohës!”

Edhe ambasadori turk u “duartrokit”, por pa ovacione…

Mbas pak ditësh, në pragun e festës së Republikës me 11 Janar 1965, kur ambasadorët që ishin në Tiranë shkonin në Ministrinë e Jashtme dhe banin urimet e tyne, tue shenue në protokol edhe praninë e tyne aty, Enver Hoxha thrret ministrin e jashtem Nesti Nase (i cili e ka tregue këte ngjarje kur u arrestue), dhe e porositë: “Kur të vijë tek ju per urime ambasadori turk pyete se a e ka lexuar kryeartikullin e sotem në gazeten ‘Zëri i Popullit”, pastaj më trego çfarë tha?”

Kryeartikulli i gazetës “Zëri i Popullit” ishte shkrue nga vetë Enver Hoxha, që i prekun nga fjalët e ambasadorit turk, kryesisht se “të gjitha fitoret e luftës dhe të socializmit ishin të tijat dhe se ai po ndriçonte aso kohe gjithë vendet e mbrapambetuna me idetë marksiste-leninste” e kishin zemrue Enverin, aq sa nuk lente gja pa thanë per atë që kishte errësue figuren e tij…

Në oren e caktueme per ambasadorë në Ministri të Jashtme erdhi edhe ambasadori turk. Ministri Nesti Nase e pyeti: “A e ke lexuar sot kryeartikullin e gazetës “Zëri i Popullit” ? – Po, iu pergjegjë ambasadori, dhe vrejta se artikullshkruesi kishte dashtë me më dhanë pergjegjen e asaj që unë kam thanë atë natë në banketin e festave tueja të nandorit. Me siguri, ju keni per t’i tregue dhe mendimin tim atij që e ka shkrue artikullin prandej, ju lutem i thoni: “Kaq të mbrapambetun i keni udhëheqësit tuej ju shqiptarët, sa edhe disa pashallarë që kemi pasë shqiptarë nder disa krahina tona në Turqi, ato krahina edhe sot janë ma të mbrapambetunat e Turqisë moderne!”

Shpesh, ambasadorët dijnë ma shumë se edhe vetë ata që drejtojnë shtetin e tyne!

Ndoshta, ambasadori i Turqisë sotme, e ka “ndryshue” mendimin…

Melbourne, 2013.

Filed Under: Opinion Tagged With: ambasadori turk, Fritz radovani, shkodra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT