• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush fshihej pas palltos së Rugovës

March 2, 2014 by dgreca

Intrigantët që betohen në emrin e Rugovës …/

Shkruan: Gani MEHMETAJ/

Kohë më parë një sharlatan i publicistikës e mercenar islamik, gënjeu sërish opinionin kinse pati afri me presidentin e ndjerë, apo sikur u takuan dikur me filan ambasadorin. Pse e bën këtë gjë: ta shes lëkurën sa më shtrenjtë të partia ku u vu në shërbim, apo të Serbia e shtetet islamike ku e ka shitur shpirtin? Por nuk përjashtohet mundësia që synon ta denigrojë Rugovën, sepse gënjeshtari ka reputacion të keq në opinion, prandaj njëkohësisht do ta kënaq sedrën e njeriut të vogël që pati rastin të pi kafe me një personalitet të madh. Ky nuk është i vetmi gënjeshtar, por është ndër eksponentë më agresiv e më të ndotë në publicistikën e gënjeshtrave.

Intrigantët që betohen në emrin e Rugovës

Pas vdekjes së presidentit Rugova, themeluesit të shtetit të Kosovës, dështakë të politikës e shkrimtar me reputacion të dyshimtë origjinaliteti, nisën të shprehin dashuri të pakufi ndaj Rugovës, kurse në të gjallë shquheshin për ndërskamca, intriga e grupime politike, duke i rivalizuar prapa shpinës. Sikur nuk u mjaftonte kjo, ia ndërsenin fraksionet brenda partisë, shpërndanin thashethemnaje të tipit të Jagos nëpër kuluare, rigrupoheshin, krijonin klane lokaliste e familjare, bënin aleanca të fshehta me partinë kundërshtare ose me struktura të dyshimta. Në të gjallë asnjëherë nuk e patën guximin t’i dalin përballë. Zilia e smira e sëmurë i mundonte gjithë kohën, sepse kurrë nuk u pajtuan të jenë hija e Rugovës, ndërsa s’kishin kaçik të ishin ndryshe: u mungonte karizma, u mungonin idetë, u mungonte origjinalitetet në çdo gjë, s’ kishin as guxim e moral intelektuali. Megjithatë nuk i shqiteshin Rugovës gjatë fushatës elektorale, në takime me popullin, nëpër mbledhje partiake etj. Nuk i shqiteshin edhe kur Rugova i nxori nga dera, ndërsa ata u futën për dritare.

Betoheshin se do ta ndjekin strategjinë kombëtare të Rugovës (miqësi të përhershme më SHBA-në dhe integrim në BE), ndërsa në fakt nga pro amerikanizmi i Rugovës e LDK-së po rrëshqasin në erdoganizmin anadollak, e vehabizëm të frikshëm mesjetar, ashtu sikurse në vend t’ia vënë në pah presidentit të ndjerë filozofinë politike që e mahniti botën, krahas personalitetit karizmatik që e pati, ata përqendrohen në krijimtarinë letrare! Ndërkaq, dihet fare mirë se Ibrahim Rugova, pavarësisht se në politikë u fut nga bota e letërsisë, ndër shqiptar, sidomos në botë u bë i famshëm me karizmën politike, me qasjen e veçantë dhe, më meritën e jashtëzakonshme të themeluesit të shtetit të Kosovës. Nuk dinë të merren me analiza të këtilla komplekse? Apo duan ta paraqesin vetëm një segment, duke anashkaluar kontributin kombëtar?

Të tretët dikur i rrinin prapa me servilizëm skllavi, pastaj nisen të përjargeshin para ndërkombëtarëve në mënyrë qesharake për t’ua bërë qejfin, pa i pyetur askush, duke u betuar se e duan Krishtin (I love Jesus, u thoshte njëri syresh një grupi ndërkombëtarësh në restorantin Emerald, me tregonte miku im), ndërsa pas disa vjetësh mbështesin vehabizmin që i mbulon gratë, madje del në mbrojtje të atyre që shkuan të luftojnë për islamin në Siri. Ata nuk i dhanë asgjë LDK-së, ndërsa përfituan shumë nga të qenit në partinë e Rugovës, ata ia ndryshuan kursin kombëtar kësaj partie, duke e mashtruar elektoratin kinse po e ndjekin rrugën e qytetërimit evropian dhe strategjinë kombëtare për shtetin e Dardanisë.

Gënjeshtrat serike   

Kështu, në vargun e shpifjeve e të gënjeshtrave, gënjen taliban-publicisti, ashtu sikurse gënjejnë ata që shtihen miq të Rugovës. Gënjente provinciali zëçjerrë kinse e donte Krishtin, sikurse gënjen tash gjoja e do myslimanizmin. Të tillë gënjeshtarë e mburracakë që nga fillimi i përpjekjeve për karrierë politike kanë mbledh pikë në emër të Rugovës, janë bërë ndër më të pasurit në Kosovë, janë futur në strukturat e larta të LDK-së, duke lozur rolin e kalit të Trojës. Ata e mbështesin njëri-tjetrin sa herë u rrezikohet posti apo u rrezikohet çjerrja e maskave. Po këta gënjeshtarë e ushqenin shtypin e verdh me proçka sikur kishin miqësi me presidentin qe kur nuk mbahet në mend.

Edhe në të gjallë Rugova nuk i  përgënjeshtroi mashtrimet e këtilla, nuk i përfillte mashtruesit, madje ua kthente me një qeshje babaxhane edhe kur disa prej tyre i vinin e i kërkonin falje për “pasaktësi” shtypi, sikurse i komentonin deklaratat e tyre. Me heshtje e shpërfillje ai i çarmatoste si kundërshtarët politikë që përjargeshin kundër tij, ashtu edhe gënjeshtarët.

Disave syresh u shpërthente mllefi pse ai nuk i caktoi apo nuk i sugjeroi pasardhës të tij.

Shumëkush ia pa për të madhe presidentit të ndjerë pse nuk la pasardhës politik, apo pse nuk e sugjeroi asnjërin nga bashkëpunëtorët. Por asnjëri nga “bashkëpunëtorët’ të cilët më shumë i silleshin nëpër këmbë se sa që e ndihmonin, nuk u shqua për asnjë ide origjinale gjatë periudhës 20-vjeçare të pluralizmit. Asnjëri nuk pati koncept politik avancues, që s’do t’i përsëriste ato që ishin thënë, asnjëri nuk e dha kurrë ndonjë intervistë apo deklaratë që do ta shquante nga të tjerët. Pjesa më e madhe e “bashkëpunëtorëve’ fshiheshin prapa palltos së tij të gjatë të presidentit Rugova, duke e fshehur kështu paaftësinë politike e intelektuale, mungesën e guximit, mungesën e ideve. Dhe shumica e tyre kanë mbetur në skenën politike me intriga e koalicione nga më të çuditshmet. Asnjëri prej tyre jo vetëm që nuk ishte në hap më Rugovën, por ishte me kilometra larg tij me shpirt e më trup.

Lidhja Demokratike e Kosovës në Kosovë e në Diasporë pati dhe ka potencial të jashtëzakonshëm të njerëzve e të intelektualëve, ka një strukturë organizative të shkëlqyeshme, të ndërtuar në kohën e Rugovës, ka militantë që si ka asnjë parti tjetër. Por këta s’ka kush i këndell nga zhgënjimi as t’i ve në veprim. Nuk u gjet ende emër që do t’i bindte se e vlen të sakrifikojnë e të angazhohen.

Ndërkaq, në periudhën e pasluftës pjesë më e madhe e idealistëve e intelektualëve u larguan nga LDK-ja, sepse s’i mbronte askush, ndërsa kundërshtarët politik i vrisnin pa mëshirë ose i kërcënonin me vdekje.

Ndonjëri syresh nga frika jo vetëm që u largua nga Rugova, por u dhanë detyrë punëdhënësit e rinj ta sulmonin egërsisht në shtyp e televizion ish shefin. Për turp ata e bënë këtë gjë sikur nxënësi kur e kryejnë detyrën  që ua ka dhënë mësuesi

Filed Under: Featured Tagged With: Gani mehmetaj, kush fshihej, pas palltos se Rugoves

Rusofilia e serbofilia s’duhet të zëvendësohen me turkofili

February 16, 2014 by dgreca

Është qesharake të shtrojmë pyetjen a ishin më pak mizor serbët, turqit apo grekët? Është më e arsyeshme të përqendrohemi në aleancat properëndimore më ata që s’na përgjakën asnjëherë gjatë historisë. /

Nga Gani MEHMETAJ /

“Në përputhje me traditën që ekzistonte më parë… të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë…”. “Arsyeja e kësaj në Shqipëri ishte se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca. …Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit… Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para Sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, – fap fap – i ekzekutonin…. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe”.

“Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra… Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. …Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme”, shkruan në kronikën e tij Tursun Beu. .
Ka ndonjë shqiptar me mend në kokë, pasi ta ketë mësuar edhe këtë fakt që do të thoshte  se turqit ishin më të mirë se serbët, grekët e rusët?  Ka fytyrë dikush të shpif kinse u islamizuam me dëshirë? Njeh dikush shqiptar që i di 36 shkronjat, që do të vazhdoj të mbroj diçka që s’mund të mbrohet? Në mbrojtje të turqizmit e islamizmit nëpër faqe elektronike kryekëput janë gjysmë analfabetët e ndonjë mercenar shqipfolës, të cilët e flasin dhe e shkruajnë për faqe të zezë gjuhën tonë.

Me kot përpiqet edhe Abdi Baleta t’i veçoj turqit, të cilët sipas tij duhet t’i duam, ndërsa t’u ruhemi Serbisë, Greqisë e Rusisë. Ku dallonin Turqia, Serbia e Greqia në mizoritë ndaj shqiptarëve? Askund. Por koha e mizorive ishte e ndryshme. Kujtesa historike nuk mund të shlyhet me një të rënë lapsi as me ca lira turke që janë shpërndarë gjithandej. Turqia duhet ta dëshmojë miqësinë, por jo me nxitje të përçarjes fetare përmes mercenarëve të vet.  Një mike me tregoi në FB se vetëm Arabia Saudite ka dhënë 70 milion dollarë për përhapjen e vehabizmit. Po Turqia e Irani për përhapjen e islamizmit agresiv, sa kanë dhënë në Kosovë e në Shqipëri? Vëllazëria myslimane e Egjiptit më rrëmujë brenda shtetit të vet, sa para u jep ithtarëve në Kosovë? A janë futur këto fonde edhe në xhepat e 30 deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës? Nëpër kuluare dyshohet më të madhe.  “Deputetë-talibanë”, kanë nis t’i quajnë nëpër kafenetë e Prishtinës.
Pra nuk duhet t’u ruhemi vetëm Serbisë, Greqisë e Rusisë, por edhe Turqisë, Iranit, Arabisë Saudite e Egjiptit. Të gjitha këto shtete janë rrezik real me talibanizmin e tribalizmin.

Baleta në një thirrje publike na këshillon t’i hidhemi në përqafim Turqisë!? Pse? Sepse sipas tij është i vetmi shtet që po na i hap dyert. Me çka po na i hap dyert: me korruptimin e bizneseve, e të politikanëve tonë, me rekrutimin e shqiptarëve për luftë kundër sirianëve, me blerjen e hoxhallarëve që flasin pastaj kundër personaliteteve shqiptare.

Sa për freskim kujtese: Çekia e vogël e Vacllav Havelit dha më shumë ndihma materiale e mbështetje morale se sa Turqia e madhe. Mos ti përmendim SHBA-n që na shpëtoi, Britaninë e Madhe që i futi e para trupat tokësore në Kosovë e na çliroi, pastaj Gjermania, Italia. Madje edhe Franca bëri më shumë se sa Turqia sot e dje.

Ti quash të gjithë ata që s’ta pranojnë këshillën për dashurinë ndaj turqve, filoserb e filorus, është diskualifikim tipik stalinist.

Nuk mendoj se duhet ta kemi aleat strategjikë Turqinë, por SHBA-n, Gjermaninë e Britaninë e Madhe. Nuk duhet të ndryshojmë kursin properëndimor me asnjë çmim. Është gabim fatal po e bëmë një gjë të tillë.

Si do t’i dukej A. Baletës po e tha sipas simpatisë fetare shqiptari ortodoks se Greqia është shpëtimtari ynë? Vetëm shpirti i shitur apo mendja e skllavëruar do ta thoshte një gjë të tillë për Greqinë e për Turqinë.

Ndërkaq, rusofilia të cilën e dramatizon aq shumë Baleta është një episod enverist, mbetjet e të cilit besoj janë fare të pakta në Shqipëri, nga ndonjë plak i rrjedhur, që e kujton me nostalgji rininë e humbur, ndërsa serbofilia (apo jugosllavofilia) ka shkulm nostalgjie në Kosovë e Maqedoni, por jo sa të krijojë rreziqe. Duhet të ndryshojmë mendësi e jo të bëjmë turrë e vrap të hidhemi në përqafim të atyre që na vranë e na përvëluan.

Kemi aleatë që bënë shumë për neve. Ata nuk do të na braktisin, na e përsëriti zyrtari i lartë amerikan në Bruksel.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, Rusofilia, serbofilia, turkofili

Përralla për Nënën Terezë dhe Kodrën e Trimave

February 11, 2014 by dgreca

Asnjëherë nuk kemi qenë më larg Evropës Perëndimore se sa pas vitit 1999, përderisa asnjëherë nuk ka qenë më e pranishme Evropa Perëndimore e ShBA-ja në Kosovë se sa pas çlirimit. /

Nga Gani MEHMETAJ/

Të rinjtë e Kodrës së Trimave e të periferisë së qyteteve të mëdha para luftës pikonin shqiptarizëm. Ata e mbajtën mbi supe rezistencën kundër dhunës serbe. Mësimi në shkollat e mesme e në Universitetin paralel u mbajt në periferi të qytetit, në shtëpitë e prindërve të këtyre të rinjve. Mjekimi i njerëzve u bë po ashtu në këto rrugica të varfra. Jeta në periferi mori dimension të ri, të paparë deri më atëherë. Periferia u bë bastioni i shqiptarizmit e atdhedashurisë. Shoqata Bamirëse “Nëna Terezë’ hapi degët në çdo qendër banimi, në çdo lagje e katund për të ndihmuar. Dhjetë vjet të okupimit total i përballuam të gjitha furtunat; dhjetë vjet të dhunës së paparë kundër nesh, nuk patëm nevojë t’ia shtrijmë dorën askujt; dhjetë vjet asnjë fondacion me burim të dyshimtë apo më para të pista, nuk shkeli në periferi as në qendrat e banimit. Ishim solidarë në mes veti më shumë se kurrë më parë, ishim pranë njëri-tjetrit si asnjëherë tjetër.  Emri i Nënës Terezë nuk përmendej vetëm sepse ishte shqiptarja më e famshme në rruzullin tokësore, por sepse shoqatat humanitare me emrin e saj e mbuluan Kosovën, duke e mbajtur gjallë popullatën. Mijëra jetë u shpëtuan, mijëra familje u gëzuan. Gati s‘kishte shqiptar i Kosovës që nuk u ushqye me ndihmat e shoqatës “Nëna Terezë”, s’kishte shqiptar që nuk e ndjente vetën mirë edhe kur nuk ua kishte nevojën ndihmave, sepse e dinte që familja e tij, pavarësisht çka do t’i ndodhte, nuk do të vuante urie e skamje. Asnjëherë nuk u kushtëzua askush gjatë shpërndarjes së ndihmave, nuk ia thanë ndonjë fjalë që do të ishte kundër bindjeve të tyre politike, nuk u dallua në baza fetare apo në çfarëdo baze tjetër. Për veprimtarët e shoqatës ata kishin nevojë për vaj, qumësht, miell, kishin nevojë për veshmbathje. Shoqata të tjera nuk pati, as nuk ua kishim nevojën.

Në Kodrën e Trimave askënd nuk e adhuronin më shumë se sa nobelistën  shqiptare. S’kishte familje që nuk e kishte portretin e saj të varur në mur. Për të flitej nëpër familje, në rrugë, nëpër shkolla, i këndoheshin këngë, fëmijët i shkruanin vargje, poetët e shquar i thurnin himne. Shumica e të rinjve të sotëm janë rritur me qumështin e Shoqatës “Nëna Terezë”. Baballarët tanë e mbajtën shpirtin nga ky burim jetese.

Shoqata “Nena Terezë” funksionoi edhe disa vjet pas luftës, pati edhe Klinikën më të madhe private në Kosovë në Kodrën e Trimave, ku kujdeset bëheshin falas jo vetëm për dyzetë mijë banorët e kësaj lagje të varfër, por edhe për banorët e lagjeve të varfra të qytetit. Fatkeqësisht rrëfimi këputet këtu. Askush s’mund të jep përgjigje: ç’u bë me shoqatën më të madhe humanitare në vend? Pse shtërzuan burimet? Ku shkuan njerëzit e vullnetit të mirë? Askush nuk e dha asnjë sqarim: ku treti Shoqata “Nëna Terezë”? Pse i braktisen lagjet më të varfra të Kosovës? U bë kjo me ndonjë marrëveshje, ishte konspiracion apo ata që e udhëhiqnin e vlerësuan gabimisht situatën? Gabimin nuk do t’ua fal historia. Banorët e Kodrës së Trimave, lagjes më të madhe e më të varfër në Kosovë, kishin nevojë për ndihma, kishin nevojë edhe qindra lagje të tjera, por ndihmat ua dhanë të tjerët me bisht prapa…

Kodra e Trimave-bastion i varfërisë

Lagjet e varfra i braktisi edhe shteti. Nga to hoqën dorë partitë politike, ose manipuluan frikshëm me të varfrit. Liderucët dukeshin nëpër rrugicat e përbaltura vetëm kur ua kishin nevojën për vota. Banorët e skamjes dale ngadalë u zhytën në errësirë, u bënë bastion të primitivizmit e hajdutërisë, çerdhe të prostitucionit e të krimit. Brezat e rinj u dëshpëruan, ia mbathën në Perëndim, apo ranë në misticizëm për të ikur nga realiteti. Nga energjia e dikurshme mbeti pak gjë,  shqiptarizmi nisi të zvetënohen. Nga “Xhamadani vija, vija” dikur, më shumë u shkonte ta këndonin pesë herë në ditë: “Kafshatë që s’kapërdihet asht or vlla mjerimi” të Migjenit, sepse mjerimi në Kodrën e Trimave dhe në lagjet e varfra të Kosovës vetëm sa po thellohej, kurse luksi i pafre dhe pasurimi i paskajshëm i pushtetarëve po shtohet. Për këtë mjerim nuk kanë faj shoqatat islamike nga Irani e Turqia, nga Arabia Saudite e Egjipti, mjerimi nuk e sollën ato, por shoqatat fetare po e keqpërdorin deri në paskajë mjerimin e shqiptarëve. Ato familje që s’arritën të ikin në Perëndim ilegalisht, ose duhet të qëndrojnë dinjitoz e të mos blihen me hurma e paga mujore, ose ta përballojnë varfërinë

Kodra e Trimave është bërë bastion i mjerimit e jo i një partie apo tjetre. Gënjejnë ata që thonë ndryshe, ose që përfitojnë nga mjerimi i tyre

Kur grupet fetare dalin nga kornizat kombëtare

Këtë zbrasti nisën ta plotësojnë shoqatat arabe, turke e iraniane, të cilat nuk bëzan në kohë okupimi, ndërsa në kohë paqe nuk treguan frymë solidariteti, po kushtëzim, nuk shquheshin për tolerancë, por për përjashtim. Kusht i hurmave e ndonjë litër vaji ishte të mësuarit e ndonjë lutje arabisht, kusht i ndihmave më të mëdha u bë futja në tarikatin e “bamirësve”. Arabët që i shpërndanin këto ndihma, shkruanin gazetat tona atëbotë, i kushtëzonin vejushat fatkeqe, duke prekur në nderin e shqiptares.

Kështu kur ne e braktisëm krejtësisht periferinë e vendbanimet tjera të varfra, sikur të mos ekzistonin, konfiguracioni ndryshoi dukshëm. Edhe struktura e popullatës pësoi tronditje: moda puro evropiane u larua me të rinj me mjekra, gra me shami të zeza, të murrme apo lara-lara, varësisht a i financonin shoqatat iraniane, saudite, apo turke. Secila shoqatë e kishte modën e vet të veshjes, natyrisht edhe kushtet që ua diktonte hallexhinjve. Fatkeqit u nënshtroheshin kushteve.

Duke i lënë të varfrit në mëshirën e shoqatave islamike me rivalitet të përgjakshëm në mes veti në Lindjen e Mesme, ne po i humbim burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat, të cilët po bien në kthetrat e sekteve të frikshme, ndërsa nesër mund t’i ndërsejnë kundër nesh.

Pushtetarët e të gjitha ngjyrave politike deshën t’i heqin qafe shtresat e varfra, t’i shmangin trazirat sociale, të mos kërkojnë hallexhinjtë punë as bukë para zyrave të tyre, prandaj i mbyllën sytë para shëmtive. Trazirat sociale mbase po i shtyjnë për ndonjë ditë, por problemet mund të shpërthejnë më të mëdha. Një ditë kjo papërgjegjësi do t’u hakmerret të gjithëve, sepse energjia e ndrydhur dhe pakënaqësia është e madhe. As klerikët gjysmanalfabet me një shqipe të zvetënuar s’mund t’ua fashisin deri në pakufi zemërimin besimtarëve, që ua kanë dhënë për detyrë pushtetarët.

Ata që dikur pikonin shqiptarizëm më shumë se të gjitha shtresat tjera sociale, ata që do të binin në flakë për atdheun e Nënën Terezë, nisën të krijojnë idhuj tjerë, të përbuzin kombin, të na ndajnë në fe e në krahina, në sekte e tarikate. Një transformim të këtillë, s’ka bir nëne që e shpjegon, edhe më pak mund ta arsyetoj. Këta të rinj pa busull e të braktisur nga shoqëria, nisën ta përbuzin kombin e tyre, të nënçmojnë gjuhën e tyre, të harrojnë përshëndetjet shqiptare për t’i zëvendësuar me ca murmurima arabe të dala kohe. Nga njerëz praktikë, të gatshëm të sakrifikojnë për komb e atdhe, u bën fanatik fetar të gatshëm të sakrifikojnë për gjëra që s’t’i kap mendja, duke krijuar armiq imagjinarë dhe duke i harruar armiqtë real.

Largësi feje a afri kombi?

Ndërsa dihet fare mirë se të gjithë këta djelmosha nga mosha 20-35 vjeçare që u rritën me qumështin e ‘Nënës Terezë’, sot jo vetëm e durojnë ndonjë hoxhë mjekër palarë t’ua fyej bamirësen e tyre, por ku e ku murmurisin nën mjekër edhe vet ndonjë blasfemi. Frymën që e bartën brenda disa vjetësh shoqatat “humanitare’ bëri që lagjet periferike të shndërrohen në çerdhe për regrutimin e njerëzve për lufta fetare apo që të bëhen mish për çorbën arabe. Një ditë fare lehtë shqiptarët mund të gdhijnë kombi më i urryer ndër arabët, sepse po u ndërhyjnë në luftërat e tyre të brendshme, po i vrasin në emër të fesë së tyre.

Lagjet të cilat frymonin shqip ditë e natë, tolerancë e mirëkuptim, sot janë bërë e kundërta, të duken lagje të rrëmujshme arabe a turke që s’frymojnë shqip, që s’dinë çka është respekti ndaj traditës, ndaj kombit e atdheut. Grupet e tilla edhe nëpër këto lagje janë më të pakët, janë më të rrëmujshëm, përpiqen t’i imponohen shumicës. Asnjëherë gjatë historisë nuk jemi shquar për fanatizëm fetar, asnjëherë nuk e kemi shikuar bashkëkombësin nga largësia e fesë, por nga afria e kombit. Po sot?

Sa afër e sa larg Evropës Perëndimore!

Asnjëherë nuk kemi qenë më larg Evropës Perëndimore se sa pas vitit 1999, përderisa asnjëherë nuk ka qenë më e pranishme Evropa Perëndimore e ShBA-ja në Kosovë se sa pas çlirimit.  Këtë largësia e krijoi krimi i organizuar, korrupsioni e zhvatja. Por këtë largësia e krijuan edhe shoqatat “humanitare”, që rekrutojnë mish për top, ndërsa ne nuk i pengojmë. Këtë largësi po e thellojnë disa klerikë të cilët në vend t’u flasin për rrethin ku jetojnë, ata gjithë kohën u predikojnë besimtarëve për Sirinë e Afganistanin, duke i larguar nga problemet sociale e problemet e tjera në atdheun e tyre. Ata po i largojnë nga realiteti i hidhur, duke i mashtruar me ëndrrat për parajsën dhe 70 “hyriat e xhenetit” të cilat i presin ditën që do të sakrifikojnë në luftën e shenjtë! Të rinjtë e shkret s’kanë mundësi sociale ta mbajnë një grua, ndërsa ua përkëdhelin ëndrrën marroqe për 70 gra!

Derisa perëndimorët na ndihmuan pa kursim, na ndihmojnë edhe sot e kësaj dite më shumë se sa që bëjmë ne për vete, çuditërisht fryma e importuar nga kaosi arab, ka nis të depërtoj në Kuvend, (deputetët “tonë” votojnë kundër shtetit laik si të ishin deputetë të Homenit, ndërsa beduinët e Arabisë Saudite dolën më të qytetëruar se sa  grumbulli i deputetëve të Kuvendit të Kosovës ).

Fryma shkretinore po përhapet edhe në disa qarqe kuazi intelektuale, nëpër disa gazeta, nëpër çajtore periferie, meqë para e madhe e shoqatave “bamirëse” është shpërndarë gjithandej.Fryma e mos durimit po depërton si murtaja nëpër qytete e katunde.

Por qytetet e katundet e pasura, nuk e kanë këtë frymë, as këto probleme. Jetojnë në paqe me vete e me të tjerët, janë në paqe edhe me punën dhe paratë e veta. Ata s’ua kanë nevojën të tjerëve.

***

Dr Ibrahim Rugova ishte i vetmi njeri, veç Papës, të cilit Shenjtëresha Shqiptare – Nëna Tereze – i ishte përkulur dhe ia kishte puthur dorën, dhe atë – publikisht, në praninë  , në në praninë e shumë liderëve të vendeve dhe të popujve të të gjitha kontinenteve.
Në të vërtetë, në shkurt të vitit 1997, në Lutjet Tradicionale të Mëngjesit, në Shtëpinë e Bardhë në Ëashington, Nëna Tereze ishte përkulur para Presidentit Rugova, ia kishte marrë e ia kishte puthur dorën dhe pastaj i ishte drejtuar ish presidentit të SHBA-ve Bill Klintonit, duke i thënë: “Zotni President. Ky është presidenti im dhe i Kosovës – Ibrahim Rugova. Të lutem ma ke në kujdes, bashkë me popullin tim!”
Mbas përfundimit të luftës në Kosovë, Klinton kishte shkuar në Kalkutë dhe duke u lutur mbi varrin e Nënës Tereze, ndër të tjera i kishte thënë: “Nënë, ndjehem krenar dhe i çliruar në shpirt, që Zoti na ndihmoi dhe ta çova në vend amanetin! Tashmë populli yt në Kosovë është i lire dhe po ndërton demokracinë”.(Rugova press).

 

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe Kodren e trimave, Gani mehmetaj, Ibrahim Rugova, per nene Terezen, Perralla

Pushtetarët po e mbysin kinematografinë

February 9, 2014 by dgreca

Kinematografia shqiptare dhe kineastët nuk vuajnë nga shterpësia kreative as nga mungesa e temave e ideve, por është burokracia kulturore e pushtetarët ata të cilët ia kanë zënë frymëmarrjen, duke i dhënë aq pak para se nuk mjaftojnë gati për asgjë.

Gani MEHMETAJ /

Kinematografia shqiptare asnjëherë nuk ka qenë në gjendje më të rëndë se sa në mileniumin e tretë. Kineastët shqiptar kurrë nuk ishin më të braktisur se sa në kohën kur filmi në botë ka arritur majat e zhvillimit teknologjik. E braktisur nga shoqëria, e nënçmuar nga shteti, filmi shqiptar në Tiranë dhe në Prishtinë vegjeton sot për nesër, në përpëlitje të shuhet fare. Dy qendra kinematografike shqiptare shtihen kinse po financojnë filma, ndërsa kineastët e frustruar, të cilët marrin ca para nga shteti, po ashtu shtihen kinse po bëjnë filma. Në fakt regjisorët e producentët më ekipin e aktorëve në një varfëri të skajshme buxhetore po bëjnë përpjekje titanike të sfidojnë vetën e shtetin që i përbuz. Entuziazmi e dashuria për artin, është ajo që i mban, por kjo nuk mjafton, sepse filmi  kërkon mjete të mëdha financiare. Pa para s’ka vepër artistike, por sidomos pa para të shumta s’ka projekte kinematografike.   

Ndërrimi i qeverive po e thellon krizën e filmit!

Me një film në vjet (Tiranë), apo edhe më keq më gjysmë filmi në tre vjet (Prishtinë), nuk mund të quhet kinematografi, as mund të konkurroj asgjëkund, sepse kjo prodhimtari manifakture nuk quhet industri filmike, pavarësisht nga gjuha “moderne” e ca zyrtarëve të cilët flasin për industrinë kinematografike shqiptare që vetëm sa të nxit në qeshje sarkastike. Ndërkaq, xhirohen aq pak filma sa të mos thuhet se u shkëput vazhdimësia, por jo mjaftueshëm sa të thuhet që po ikim nga pika e fillimit. Çdo dhjetëvjetësh sikur e nisim nga e para. Gjendja nuk ndryshoi as me ndryshimin e qeverive, përkundrazi kriza kinematografike sa vjen e thellohet, sepse garniturat e reja i trashëgojnë vështirësitë e vjetra,  ku e ku pastaj e thellojnë krizën, duke e kopjuar qeverinë pararendëse në shpërfilljen ndaj filmit.

Asnjë qeveri nuk paraqiti asnjë vizion për dalje nga kriza, asnjë grup punues nuk paraqet ndonjë koncept, i cili do të hapte rrugë dhe, do të ndihmonte që filmi të mos vendnumëroj, ndërsa regjisorët të mos i përsërisnin ankesat e përvitshme. Ndërsa kriza është pasojë e buxhetit të pakët nga shteti, asnjëherë nuk përfillet mendimi i kineastëve, asnjëherë nuk ftohen ata të bëjnë strategji për kinematografi. Në vend të shtohet buxheti, dalin ca zyrtarë ministrie “të gjithëdijshëm” apo nga QKK-të e klaneve, të cilat lexojnë diçka nga notesi i tyre, që më shumë është lojë fjalësh a fjalime boshe, pastaj kinse dëgjojnë ankesat e kineastëve dhe ia mbathin për të mos u dukur kurrë më para publikut.

Buxheti për kinematografinë përsëritet me të njëjta shifra nga viti n vit. Sivjet s’ka para fare për film në Tiranë, sepse duhet të shlyhen borxhet e vjetra! Ministria Shqiptare e Kulturës nuk e shkon nëpër mend të jep mjete shtesë, ka përparësi tjera! Në kopjimin e të shëmtuarës të dy ministrit i ngjajnë njëra-tjetrës. Vetëm se në Prishtinë zyrtarët e Ministrisë së kulturës janë edhe më primitiv e të paarsimuar.

Që nga vitet e nëntëdhjetë filmi në mënyrë të pafalshme është trajtuar si vrima e fundit e kavallit. Janë gjetur vrima e gropa ku janë hedhur paratë e taksapaguesve, janë shpikur projekte e përparësi financimi, kurse për kinematografinë asnjëherë nuk pati para që do të stimulonte prodhimin.

Asnjë kinematografi kombëtare në rajon (me të vetmit që mund të mateshin dikur) nuk është më keq dhe më e zhvlerësuar se sa kinematografia shqiptare. Asnjë shtet në rajon nuk prodhon më pak filma se sa Shqipëria e Kosova, asnjë shtet në rajon nuk jep më pak buxhet për filmin se sa që jepen në Tiranë, apo në Prishtinë. Shtetet fqinje i kanë dyfishuar numrin e filmave të prodhuar, shqiptarët e kanë zvogëlua numrin e filmave të prodhuar. Derisa bie fjala në Serbi xhirohen dhjetë filma në vjet, kryekëput më buxhet të shtetit, apo në bashkëprodhim me televizionet kombëtare, ashtu sikurse në Kroaci ku bëhen tetë filma, në Maqedoni deri në tre filma me katër milion euro buxhet, të ne është shpikur një përqindje e çoroditur buxhetore, e cila nuk mjafton gati për asgjë. Nuk kuptohet ky qëndrim i pafalshëm dorështrënguar i dy shteteve shqiptare ndaj kulturës në përgjithësi e filmit në veçanti. Nuk doli asnjë kryeministër të thotë se filmin e trajtuam sikur ta kishim thjeshtër, nga sot do ta trajtojmë si fëmijën tonë. Vazhdojnë ta shpërfillin. Me një milion dollarë në Tiranë, apo 350 mijë euro në Prishtinë, s’mbahet kurrë kinematografia, sikurse që me individë apo shtëpi filmik sot për nesër, s’do të ecën kurrë filmi tutje.

Sigurisht kriza në film është edhe pasoj e mënyrës së caktimit të ministrave dhe zyrtarëve kryesor të kulturës. Nuk e di për Tiranën, por në  Prishtinë tre ministrat e fundit të kulturës ishin gjysmë analfabetë (njëri me mejtep për hoxhë, tjetri mezi e kishte mbaruar një shkollë të mesme me ndërhyrje, ndërsa i treti është “reper” rrugësh). Kështu qeveritarët tanë të të gjitha ngjyrave janë tallur e po tallën me kulturën, ashtu sikurse po tallën me artistët.

Me shuarjen e kinostudios, po shuhet edhe kinematografia

Kinematografia shqiptare dikur ishte në gjendje të mirë prodhimtarie (xhironte deri në 13 filma artistik).  Kishte shumë shtrëngesa e censurë, por filma bënin. Kishte shtëpi filmike, ku realizohej e tërë prodhimtaria (Kinostudioja). Më rënien e komunizmit filloi përpëlitja e kinematografisë shqiptare, megjithëse do të duhej të ishte ndryshe. Filmit iu përgjysmua buxheti, u shua kinostudioja. Terrorin e  censurës e zëvendësoi terrori i mospasjes. Në mungesë të filmave brezi i ri i regjisorëve po realizohen më vështirësi, brezi i vjetër që i dhanë aq shumë filmit shqiptar, rrinë e presin ndonjë ditë më të mirë.

Ka dhjetë vjet që nuk bëri film Kujtim Çashku, gati aq vjet nuk e kemi parë në ekran  Dhimitër Anagnostin, më shumë se pesë vjet nuk bën filma Saimir Kumbaro, ndonëse ka disa skenar, na mori malli për Mevlan Shanajn, Rikard Ljajrjen, Piro Milkanin, Esat Mysliun, regjisorë e aktorë të tjerë me nam. Shumica prej tyre kanë energji e ide kreative që të punojnë, por askush nuk ua ofron një mundësi të tillë. Regjisorët në Perëndim punojnë edhe pas moshës 83 vjeçare, ne i pensionojmë ende pa i mbushur 60 vjet. Ndërkaq, ata më përvojën e dijen e tyre kanë mundësi të thonë aq shumë…

E njëjta situatë është edhe në Prishtinë. Shëmtitë përsëriten në qëndrimin ndaj kinematografisë dhe ndaj institucioneve të filmit. Kështu derisa kinostudioja u shua, ndërsa ka propozime që sërish të aktivizohet dhe të filloj nga puna si më parë,  Kosovafilmin është në fazën e shuarjes, sepse ashtu duan burokracia gjysmanalfabete e arrogante e kulturës.

Regjisorët, kameramanët, montazherët e aktorët, dikur e kishin komoditetin e punës normale, nga ta kërkohej vetëm të bënin punën e vet, ndërsa sot ata regjisorë shqiptar që kanë fatin të punojnë, duhet ta bëjnë edhe punën e organizatorit, producentit, madje i duhet të merret me dërgimin apo pranimin e kopjeve nëpër festivale. Në mungesë të një shtëpie filmike me kritere dhe më standarde të përcaktuara, që është prapa një projekti kinematografik, ditët e xhirimit zvogëlohen, në dëm të cilësisë së filmit. Po ashtu, në mungesë të shtëpisë filmike që do të ndërmjetësonte në shitjen e filmave jashtë shtetit, këtë e bënë regjisori i filmit apo ndonjë producent i rastit. Ka improvizime xhirimesh,  për të shkurtuar shpenzimet, ka improvizime në të gjitha fazat e realizmit të një filmi, sepse mungon ekipi profesional që e kishte dikur kinostudioja apo Kosovafilmi.

Duke i shikuar filmat shqiptar në Prishtinë dhe në Tiranë heton që u mungojnë profesionistët: producenti, drejtori i filmit, drejtori i organizmit, organizatori i xhirimit etj. Vëren se regjisori ka harruar detyrën parësore- regjinë e filmit, shpesh është bërë tregtar duke e dëmtuar veprën e vet me ndonjë reklamë marroqe brenda filmit.

Kineastët janë shpërndarë si zogjtë e klloçkës pa shtëpi filmike e pa katandi. Atë që e patën e prishën, duke shpresua që po bëjnë mirë, ndërsa në fakt vepruan keq. Kinematografia shqiptare duhet të ndryshojnë strategji, kineastët të kërkojnë që shteti të mos u jep ndihma varfanjakësh, por buxhet të mirëfilltë që do ta kalonte shumën prej katër milion eurosh në Tiranë dhe së paku dy milion euro në Prishtinë. Ata duhet të këmbëngulin që donatorët të cilët do ta mbështesnin filmin të lirohen nga tatimi në fitim, ndërsa filmi që nga faza e parë e xhirimit e deri në fund ët lirohet nga tatimi, sepse filmi të ne nuk është as mall dhe as industri, ashtu sikurse që nuk është as teatri.

Kinematografia duhet ta ketë edhe një shtëpi filmike me sektor të veçantë, që do të merrej me shitjen e filmave, sepse kështu sikurse shitet filmi brenda e jashtë, nuk dallon nga shitja e patateve në treg.

Prandaj, kinematografia shqiptare dhe kineastët nuk vuajnë nga shterpësia kreative as nga mungesa e temave e ideve, por është burokracia kulturore e pushtetarët ata të cilët ia kanë zënë frymëmarrjen kinematografisë, duke i dhënë aq pak para se nuk mjafton gati për asgjë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, mbysin kinematografine, pushtetaret

Kali i Trojës në mesin e shqiptarëve!

January 29, 2014 by dgreca

“Me serbët na ndanë vetëm një cipë e hollë e qepës”, kanë predikuar shumica e hoxhallarëve në Kosovë e në Maqedoni, në fëmijërinë time, “me shqiptarët katolik na ndanë një bjeshkë”, vazhdonin propagandën e tyre antishqiptare hoxhallarët. Këtë moto e ndjekin edhe sot e kësaj dite.       

Nga Gani MEHMETAJ/

Fryma që ta thanë shpirtin nga Sahara, ua ka mpirë mendjen një lukunie renegatësh, të cilët luftojnë si në dëlir  kundër shqiptarëve. Në vend të flasin për bukurinë e jetës, ata flasin për bukurinë e vdekjes. Të bukures i thonë e shëmtuar dhe të shëmtuarës, e bukur! Ka dëgjuar kush ndonjë hoxhë, apo vëllazërinë islamike shqipfolëse, por jo shqiptare, të flas për tmerret e policisë e të ushtrisë serbe? Ka dëgjuar kush që shefqetkrasniqet, mullazimkrasniqet, gogiqet, lutfihazirët e mjeranët e tjerë mercenarë, që shkarravisin nëpër revista islame ta shajnë Milosheviqin? Asnjëherë, asnjë fjalë nuk e thanë kundër krimeve serbe e kundër kriminelëve serb, asnjëherë nuk e vunë në pah se rreziku më i madh edhe më tutje vjen nga Serbia. E ka dëgjuar kush ndonjë hoxhë t’u flas besimtarëve për Amerikën, Britaninë e Madhe apo Evropën Perëndimore që na shpëtoi nga shfarosja, derisa shtetet islamike bënin sehir, apo bënin tregti me Serbinë? Nuk kam takuar hoxhë që ka fjalë miradije për shpëtimtarët tonë, përkundrazi kam takuar dhjetëra që vjellin vrer kundër atyre që ua shpëtuan edhe këtyre mjeranëve kokën.

Përjargën si të çartur shumica e hoxhallarët e ideologëve të errësirës kundër personaliteteve shqiptare e përpjekjeve tona që t’i ngjitemi Evropës Perëndimore. E dini pse? Sepse e thotë më se miri lideri i shqiptarëve të Maqedonisë: qendra e islamikëve për Ballkan është Beogradi. Prej atje i marrin urdhrat, nga atje frymëzohen, prandaj as në të ardhmen hoxhallarët e islamikët e tjerë renegatë nuk do të predikojnë nëpër xhami, nëpër gazeta, apo para “xhematit” të debilizuar kundër armikut tonë më të madh- Serbisë e institucioneve të saja, por do të shajnë shqiptarët dhe personalitete tona, sepse ashtu kanë urdhër.

Erdogani i Anadollit ka shpërndarë lukuni për luftë speciale të grrmrr-it. Në emër të kinse ndihmave vëllazërore përmes shoqatave vrastare islamike po krijon formacione goditëse kundër shqiptarëve dhe po mobilizon shqiptarë për xhihad.  Pushtetarët dhe opozitarët në Kosovë e në Shqipëri sillën si pulat para gjelit me kryeministrin turk, i cili tashmë i ka zhytur duart më gjakun e popullit të vet.

Kështu, atë që nuk arriti ta bëjë kurrë Serbia -përçarjen në baza fetare, po e bën tash  përmes renegatëve hoxhallarë e ish-oficerëve të vet që i përgatiti për luftë speciale. Natyrisht po e ndihmon me bujari edhe Turqia.

Shqiptarët mish për topë

Dikur ishin aq të mobilizuar kundër Serbisë dhe kundër korbave islamikë, ndërsa sot të dyja palët janë futur brenda dhe po na përtypin. Mjerë ata që u shkojnë prapa. Si nuk u ngritë asnjë besimtar nëpër xhami t’i pyes këta hoxhallarë: e kemi armik Serbinë apo Evropën? Na shpëtoi nga shfarosja SHBA-ja e Evropa Perëndimore, apo Serbia?

“Me serbët na ndanë vetëm një cipë e hollë e qepës”, kanë predikuar shumica e hoxhallarëve në Kosovë e në Maqedoni, në fëmijërinë time, “me shqiptarët katolik na ndanë një bjeshkë”, vazhdonin propagandën e tyre antishqiptare hoxhallarët. Këtë moto e ndjekin edhe sot e kësaj dite. Ata kishin merita të mëdha për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, sepse u thoshin besimtarëve atje është vendi i myslimanit. Kështu i urdhëronin nga Beogradi.

Po i dëgjove predikimet e tyre të çartura, krijohet përshtypja se problemi fondamental i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni e në Shqipëri është lufta fetare të islamikëve kundër “kaurëve”, “hyrijat e xhenetit” të cilat i presin “xhihadistët”, ndërsa armiq janë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Nëna Terezë, Pjetër Budi e  Pjetër Bogdani, Ibrahim Rugova e Ismail Kadare. Hoxhallarët u bien të gjitha trumbetave për luftë vëllavrasëse (paçka se shqiptarët kurrë nuk do t’i dëgjojnë ulërimat e tyre), por fatkeqësisht rrimë duarkryq dhe i shikojmë këta korba. Predikimet e tyre kanë detyrë ta mjegullojnë krimin e organizuar në Kosovë, vrasjet e pasqaruara të personaliteteve tona, krimet serbe që ende nuk u ndëshkuan, gjendjen e rëndë sociale të shumicës së popullatës, të rinjtë e frustruar e pa asnjë ideal, të cilët po i mbështeten djallit e të birin që të dalin nga kjo gjendej në të cilën i ka futur shoqëria jonë. Prandaj, hoxhallarët e shfrytëzojnë fatkeqësinë e të rinjve që t’i thërrasin për luftë në Siri, ndërsa kurrë nuk i kanë ftuar më herët të luftonin për çlirimin e Kosovës. Presheva, Medvegja e Bujanovci janë të okupuara. Ku janë këta mercenarë që s’bëzajnë? Cili prej këtyre hoxhëve do të jep nesër llogari për gjakun e derdhur të atyre që ranë në Siri? Pse duhej që shqiptarët të bëheshin mish për top në një vend prapa diellit?  Janë paguar këta predikues ta vënë në gjumë popullatën, t’i shkëpusin nga treni i Evropës. Predikojnë t’i bashkëngjitemi vendeve kaotike islamike, ku për çdo ditë vriten në mes veti qindra fatkeq. Dhe vazhdimisht na e vënë model botën islamike e cila vetëm model jetese e qytetërimi nuk mund të merret. Nuk na e preferojnë as njerëzit e tyre të mençur.

Kur mjekërzinjtë përdhosin qytetin e ilirëve

Në Maqedoni islamikët me hoxhallarët e paguar nga dreqi, pra në marrëveshje më  shërbimet sekrete sllave e turke, përpiqen t’ua fashitin shqiptarëve vendës ndjenjën e pakënaqësisë kundër diktaturës pushtetore. Asnjë fjalë hoxhallarët nuk e thanë kundër pushtetarëve që e kanë lënë në mjerim popullatën shqiptare, asnjë fjalë hoxhallarët e shitur nuk e thanë kundër përmendores së Car Dushanit, vrasësit të shqiptarëve, por gati u tërbuan kur u ngrit shtatorja e Skënderbeut në Shkup. Po këta klerikë nuk i lejojnë partitë politike shqiptare t’i ngrehin përmendoren Pjetër Bogdanit.

Gjendja është pak më ndryshe në Shqipëri, por aspak e lakmueshme. Ka degradim të ndjeshëm kulturor e shpirtëror. Dhjetëra të rinj kanë ikur në Siri për të lënë kokat. Për qetësinë sociale, po edhe sepse i korruptuan në shkallë të gjerë shoqatat islamike e shërbimet e fshehta të orientit,  pushtetarët e opozitarët lejuan mjekërzinjtë e shoqatat e tjera islamike të nxisin përçarje, duke krijuar pasqyrë të shëmtuar për realitetin shqiptar. Qyteti i vjetër i Durrësit, pjesa më e frekuentuar turistike, në mbrëmje të frikëson me grupet e mjekrave të zeza që enden kot fare poshtë e lartë si të ishin në zemër të Arabisë, e jo në qytetin e ilirëve, apo rezidencën e perandorëve romakë. Në këtë qytet u ndërtua xhamia mbi rrënojat iliro-romake, ndërsa Amfiteatri antik, ndër më të mëdhenj në Mesdhe ende nuk është pastruar e rinovuar si duhet.

Nuk kam pa diçka më të shëmtuar se sa falja në qendër të Tiranës ditën e Bajramit që ta krijon përshtypjen si të ishe në shkretëtirat arabe.  Vetëm devetë e pak rërë shkretëtire   mungon në këto rituale që e frikësojnë botën nën qiellin e hapur. Ka edhe shembuj të tjerë të shëmtuar.

Qeveritë e dy shteteve shqiptare kanë flirtuar dhe po flirtojnë frikshëm me islamizmin e skajshëm, me fundamentalizmin islamik të Erdoganit, ndërsa në fakt po na e sjellin fatkeqësinë të dera, sepse derisa të ne investuesit islamik ndërtuan vetëm xhami, në Serbi, Kroaci, Rumani e Bullgari investuan nëpër fabrika e kantiere anijesh disa miliardë dollarë. “Kaurëve’ u dhanë fabrika, kantiere e hekurudha, neve probleme me mjekër palarët e me hoxhallarë që po e rrënojnë shtetin. Për një xhami që ua lejuan të ndërtohet në Rijekë të  Kroacisë, beduinët vjet blenë anije kroate në vlerë prej 800 milion dollarësh. Ky është realiteti, të cilin ne nuk e shohim në sy mu si makushi kur e fsheh kokën në rërë. Ky është realiteti i dhimbshëm: i zymtë, i pa perspektivë, i frikshëm, që të rrëqeth.          “Feja e shqiptarit është shqiptaria” duhet të shndërrohet sërish në kushtrim, në himn dhe në mobilizim që t’i ngjitemi trenit të qytetërimit evropian, duke dëbuar mercenarët e Kalin e Trojës jashtë territoreve shqiptare sa nuk është bërë vonë. Kështu, si jemi Kosova e Shqipëria nuk do të cilësohen shqiptare, por myslimane.

Shkombëtarizimi në Maqedoni

Gjendja nuk paraqitet më e mirë as të shqiptarët ortodoks në Maqedoni e Greqi. Mbase nuk e ka shkallën e tillë të primitivizmit oriental, sikurse myslimanizmi, por shkallën e frikshme të shkombëtarizimit e ka më shumë intensitet. Në Greqi pothuajse janë shkombëtarizuar shqiptarët ortodoks nga presioni agresivë i kishës, por sidomos nga presioni i dhunshëm i shtetit grekë. Të njëjtën gjë e kanë pësuar pjesa e madhe e shqiptarëve në territoret etnike në Maqedoni. “Ndarja në turq e kaur që na e bënin priftërinjtë dhe hoxhallarët ishte shumë e keqe”, e thotë në emisionin televiziv shqiptari ortodoks nga Reka e Keqe, i cili e rifreskoi çështjen e shkombëtarizimit të shqiptarëve në emër të fesë. Sa herë e shikoj këtë emision, edhe mua me qahet, ashtu sikurse i qahet protagonistit të emisionit shqip të një televizioni në Shkup, kur e kujton të kaluarën dhe presionin e shkombëtarizimit nga priftërinjtë sllavë. Ai rrëfente gjëra të dhimbshme: një krahinë e tërë kishte kaluar nëpër Kalvar nga presioni që të harronte gjuhë e komb. Sërish e dëgjova nga goja e tij thirrjen e rilindësve: feja e shqiptarit është shqiptaria. Sërish kjo thirrje është shumë aktuale, sepse ka gjasa të mobilizoj shqiptarët kudo.

Shqiptarët si asnjë komb tjetër në Evropë kanë tri fe.  Ndarja në fe, nuk është pasuri, por fatkeqësi, pavarësisht që rilindësit e ideologët kombëtar janë përpjekur këtë tragjedi ta zbusin. Fatkeqësia më e madhe në historinë e shqiptarëve ishte pushtimi osman, sepse zgjati shumë, prodhoi një varg fatkeqësish prej të cilave nuk u këndellem, sepse reflekse antikombëtare të kësaj fryme manifestohen edhe tash. Asnjë perandori nuk ishte aq mizore (mund ti konkurroj vetëm mizoria sllave e mesjetës dhe e shekullit të XX), asnjë perandori nuk u solli aq të këqija shqiptarëve se sa turqit, asnjë perandori nuk ndikoi që pastaj tokat shqiptare të pushtuara të ndahen sërish në mes të fqinjëve grabitqarë. Pushtuesi bëri tregti të vazhdueshme me Serbinë, Greqinë e Bullgarinë më tokat shqiptare. Me mizorinë e pashembullt ua imponoi fenë myslimane me hekur e me zjarr, pos atyre shqiptarëve që u tërhoqën nëpër male, apo atyre që kaluan në Gadishullin Apenin. Kronistët turq shkruajnë me mburrje për hakmarrjet e tmerrshme të ushtrisë turke kundër shqiptarëve: pirgje kufomash të grave, fëmijëve e të burrave, lumenj gjaku e kolona të gjata të shqiptarëve të lidhur me vargonj. Ata që mbetën gjallë morën fenë islame. (Kronisti Evlia Qelebiu).

 

.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gani mehmetaj, Kali i trojes, mes shqiptareve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT