• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pse sulmohen majat e kombit?

January 20, 2014 by dgreca

Nga Gani MEHMETAJ /

Ka vjet që grupe mercenarësh shqipfolës bëjnë fushatë të egër e denigruese kundër personaliteteve më të mëdha shqiptare. E nisën “kozmopolitët evropianë” më Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, në përpjekjen për të zvogëluar madhështinë e tij, në emër të kinse luftimit të nacionalizimit shqiptar; e vazhduan përbaltjen e heroit tonë kombëtar islamikët antishqiptar me përrallat fetare shkombëtarizuese. Qëllimi i mercenarëve ishte i qartë: frika paranoike se duke e thirr në ndihmë Gjergj Kastriotin, simbolin e bashkimit kombëtar, shqiptarët do të kërkoni të drejtën historike dhe të drejtën etnike.

Nuk mbeten prapa fushatës denigruese, ose e tumiren edhe disa parti politike në Kosovë, sepse përpiqeshin që luftën e vitit 1999 ta kapitalizonin me heronjtë e shpifur e të flashkët, ndërsa druanin se personalitetet nga e kaluara do t’u bënin hije, duke ua zvjerdhur luftë partizanëve të rinj. Prandaj i toleronin apo e ndërsenin sulmin e tillë.

Por pavarësisht që u derdhen shumë para, u shpenzua shumë energji renegatësh, Skënderbeu qëndroi i fortë përballë sulmeve të egra të mercenarëve antishqiptar. Në këtë përpjekje thirrën në ndihmë Lindjen e Perëndimin (ishte hera e parë që të dy palët merreshin vesh mirë në mes veti), shprushen e shtrembëruan fakte, duke u përpjekur të ilustronin tezat e tyre të mbrapshta, por ishin të pakët shqiptarët që i përfillen apo që u besuan.

Kujt i pengon Nëna Terezë e Ibrahim Rugova

Kur dështuan për faqe të zezë kundër Skënderbeut (megjithatë ata nuk pushojnë), vazhduan  me të njëjtën egërsi kundër Nënës Terezë, shqiptares më të famshme të shekullit XX dhe meljeniumit të tretë, simbolit të shpirtit të madh shqiptar.

Niveli i atyre që përjargeshin kundër Nënës Terezë ishte i mjerë: ca hoxhë sharlatanë e primitiv deri në skajshmëri, ndonjë gazetar-shkrimtar i dështuar që s’ia thoshte askund,  pos në intriga e prostituim profesioni, prandaj u ngjiteshin shoqatave islamike që t’u zhvatnin para. Por ishin edhe më të mjerë ata që i dëgjonin si kopeja, ndërsa nuk reagonin. Por ata po i ndërsejnë militantët talibanë të sillen si vandalistë.

Pastaj iu kthyen sërish presidentit Rugova, duke hedhur baltë mbi te, sepse edhe nga varri u bënte hije mercenarëve e politikanëve të dështuar që ndërrojnë ngjyra e përcaktime politike sipas interesave materiale. Një dështak stalinist e sulmonte për mungesë guximi, kurse vet gjithë jetën ishte zvarritur nga nënshtrimi në nënshtrim, tjetri përpiqej ta zhvlerësonte në strategjinë politike, ndërsa shquhej për përçartje  e panagjerike për ideologjitë më antishqiptare (një herë ky kritik i Rugovës ishte titist e enverist i tërbuar, herën e dytë u bë islamik i çartur, një herë lavdëronte Jugosllavinë deri në trans, tash përgjërohet për Turqinë me të njëjtën eufori ). Të dy këta dështakë që aq shumë lakmuan postet, ishit të pazotët të arrinin majat e politikës, prandaj shkumëzojnë kundër personaliteteve.

Është e habitshme se si gazetat e televizionet në Kosovë e në Shqipëri u jepnin hapësirë një grushti njerëzish të publikonin sharje e fyerje të këtilla. Renegatët mbase shpresonin se duke sulmuar njerëzit e madhej do të merrnin diçka nga madhështia e tyre, por e mashtronin veten, sepse mjerani nuk del nga balta as kur matet me hijen e kolosëve.

Kur dështakëve u bëjnë hije personalitetet

Meqë nuk u mjaftuan më të vdekurit, iu kthyen kolosëve të gjallë, të vetëdijshëm se ata ua kujtojnë vogëlsinë e qyqarin e tyre çdo ditë: në mëngjes e në mbrëmje. Kështu, vazhdimisht e kanë ngacmuar, apo janë përpjekur t’ia zbehin famën shkrimtarit më të madh shqiptar të te gjitha kohërave, emblemën kombëtare, Ismail Kadaresë. Arsyet e sulmit janë nga më të ndryshmet, shpesh herë nga më të pabesueshmet. E para, sepse Kadare në situatat më të vështira doli në mbrojtje të kombit, në mbrojtje të së vërtetës, si asnjë shkrimtar apo intelektual shqiptar, duke demaskuar shkrimet antishqiptare. E dyta, sepse fjala e tij publike kishte peshë të madhe kombëtare e planetare, kështu që i zhvlerësonte qindra shkrime denigruese të huaja e ‘vendase”. E treta, sepse qëndronte në piedestalin më të lartë të Olimpit, prandaj ashtu sikurse rrufeja godet lisin më të lartë, ndërsa të vdekshmit shohin me zili majën e Olimpit, ashtu “mendimtarët” e kombit dhe dështaket e pendës e shihnin me zili shkrimtarin që qëndronte me dinjitet mbi ta.

Më kot përpiqen t’ia zbehin shkëlqimin këtij gjeniu të letrave, më kot hedhin baltë e pluhur mbi te, ai i sfidon me gjenialitetin e vet.

Ismail Kadare printe dhe prinë edhe më tutje në shumë segmente: Qytetari Ismail Kadare është shqiptari më i madh i gjallë në rruzullin tokësor. Ismail Kadare është shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Krijuesi Ismail Kadare është njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të gjallë në planet.  Intelektuali Kadare është shqytari më i guximshëm i çështjes kombëtare. Asnjë shkrimtar, në asnjë kohë, nuk e ka mbrojtur çështjen kombëtare me aq sukses e këmbëngulje se sa që e ka bërë ky kolos në qarqet ndërkombëtare dhe nëpër televizione e gazeta prestigjioze evropiane. Asnjë shkrimtar shqiptar nuk i ka dal zot Kosovës në periudhat më të vështira se sa që e ka bërë këtë gjë Ismail Kadare me intervista, shkrime autoriale apo deklarata të ndryshme, madje edhe me libra.

Edhe shkrimtarë të tjerë shqiptar kishin mundësi, mbase edhe kapacitet intelektualë të shkruanin në gazeta të ndryshme evropiane, edhe sot nuk i pengon askush të bëhen më të guximshëm dhe më energjik për t’i dal në mbrojtje çështjes shqiptare, apo për t’iu kundërvënë dukurive të shëmtuara që e rrezikojnë qenien kombëtare, mirëpo me ndonjë përjashtim (kryesisht u mjaftuan të debatojnë brenda provincave të tyre politike e kulturore, shpesh duke shpenzuar energji për të sharë njëri-tjetrin apo për të denigruar kundërshtarët politik e rivalët e pendës). Madje kur një lukuni islamikësh mesjetarë dalin me tezat nga më të çoroditura në opinion, shkrimtarët tonë heshtin, ose ua tumirin apo i takojnë hoxhallarët e tillë antishqiptarë për t’ua puthur dorën.

Ismail Kadare është ai i cili çdo deklaratë antishqiptare nga kuzhina politike serbe, a nga kuzhina antishqiptare turke i ka ndenjur për kundruall duke iu përgjigjur flakë për flakë, pa asnjë ngurrim. Në kohën kur propaganda serbe e bënte tymnajë shtypin perëndimor me gënjeshtra e shpifje, ishte Ismail Kadare ai i cili i përgjigjej me sukses. Të  shumtën e herëve ishte i vetëm, ndërsa një pjesë e tyre e goditen keqas sikur donin ta ndihmonin propagandën serbe.

Edhe sot është Ismail Kadare ai i cili po i përgjigjet flakë për flakë servilizmit të skajshëm të disa intelektualëve haxhiqamilistë, të cilët po e mbrojnë okupimin pesëshekullor turk (të thuash se Turqia e shpëtoi Shqipërinë nga shkombëtarizimi është sikur të thuash se Serbia e shpëtoi Shqipërinë nga turqizmi).

Është Ismail Kadare ai i cili e ngriti në kulm qenien kombëtare, duke i nxjerr në pah vlerat  kombëtare me tërë madhështinë e vet, ndërsa disa nga mercenarët apo renegatët shqipfolës përpiqeshin që këto vlera t’i “ç’mitizonin”, që nënkuptonte t’i bënin hi e pluhur.

Natyrisht Ismail Kadare në qasjet ndaj ndonjë problemi apo çështje në periudha të caktuara pati gabime, apo keqinformime, duke i vlerësuar në mënyrë të pa drejtë. Mirëpo, është ndër të paktit që e pranoi qasjen e gabuar, duke i kërkuar falje opinionit. Kadare e vlerësoi gabim Ibrahim Rugovën dhe veprimet e tija strategjike në një fazë të përpjekjeve për pavarësi. Kur e analizoi më gjakftohtësi nxitimin e vet, bëri burrni, erdhi në Prishtinë, i kërkoi falje Rugovës dhe e tha publikisht se ishte i informuar gabimisht.

Autori i këtij shkrimi në kohën kur Kadare vlerësonte me nxitim situatën në Kosovë, shkroi disa shkrime kritike ndaj shkrimtarit në gazetën Rilindja.

Ismail Kadare është shkrimtari më kombëtar në letrat shqipe. Asnjë shkrimtar tjetër shqiptar nuk është marr me tema kombëtare më shumë se sa Kadare, asnjë shkrimtar tjetër shqiptar nuk e ka bërë lexuesin e tij ta ndjejë veten mirë, sepse e ka bashkëkombës  shkrimtarin. Të gjithë neve që na ka rastisur të dalim jashtë vendit, me t’u prezantuar para të huajve, emrin e parë që na e kanë përmendur me respekt ishte shkrimtari ynë-Kadare.

Ku është shteti kur rrëzohet shtatorja e Nënës Terezë?

Rrëzimi i shtatores së Nënës Terezë në Mitrovicë është akti më i turpshëm që mund ta bëjnë joshqiptarët në qytetin e shqiptarëve. Është një veprim që të rrëqeth. 

 Shfeqet krasniqet dhe krasniqët e tjerë po i nxisin vandalizmat e këtilla. Mjerë shteti që i lejon dhe populli që i duron. Aziatikët e ardhur terrorizojnë popullatën shqiptare, vetëm na e durojmë. Joshqiptarët e fyen rëndë kombin tonë, ndërsa ne bëjmë sehir. Turpërohem para këtij akti dhe para indiferencës sonë. Po te ishte ndonjë përmendore serbe, kurrë s’do të guxonin ta rrëzonin, po të ishte serb qeveritarët  tanë tashmë do të shkumëzonin duke e gjykuar e dënuar. Madje, policia do ta vinte në pranga. Por është shqiptare dhe kujt s’i bëhet vonë. Ku është Presidentja, kryeministri dhe ministri i brendshëm? Po policia?

Shteti i kujt është ky? Pse nuk arrestohet ai që frymëzoi rrëzimin e bustit?

Kreu i shtetit duhej të ishin në vendin e ngjarjes dhe të tregonin se i kapen keqbërësit.

Filed Under: Featured Tagged With: Gani mehmetaj, Pse sulmohen majat e Kombit

A u tha Tadiqi në Shkodër: Kosova është Serbi?

April 28, 2013 by dgreca

Shqiptarët e Kosovës ardhjen e Tadiqit në Shkodër e përjetuan thikë pas shpine: e shikoni ata s’bëjnë pa shki? Sërish kërkojnë ndihmën e Beogradit që ta godasin pjesën tjetër të kombit, sidomos Kosovën  e Luginën e Preshevës./

Nga Gani MEHMETAJ/

Fushata zgjedhore në Shqipëri domosdo manifestohet në Kosovë e në territoret etnike. Mediet elektronike të Tiranës ndiqen njëjtë në Kosovë. Ka përpjekje të ngulmëta nga disa qarqe mediatike që zgjedhjeve të  23 qershorit t’u qasen si çështje të një shteti tjetër. Por qëndrimi i çoroditur i medieve, nuk ia arriti qëllimit. Nuk ka pengesa e zhurmime si dikur: teknologjinë e botën kibernetike s’e pengon dot. Është interesante se pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kosovës nuk votojnë, ose nuk kanë të drejtë vote me 23 qershor, por sytë i kanë në televizionet shqiptare, duartrokasin ose fishkëllejnë si në fushë futbolli, si të qenë zgjedhjet e tyre.

Në të gjitha fushatat e deritashme socialistët nuk e patën simpatinë e shqiptarëve të Kosovës, nuk e kanë as tash. Po të pyeteshin “kosovarët” socialistët s’do të fitonin kurrë. Arsyet janë të shumtat. E para, Partinë Socialiste të Tiranës e konsiderojnë trashëgimtare të komunistëve më të egër në Evropë, ndërsa shqiptarët e kontinentit mbajnë në mend më gjatë se sa bashkëkombësit e tyre mesdhetar. E dyta, emërtimi socialistë u zgjon asociacione në Partinë Socialiste të kriminelit Milosheviq, që u shkaktoi aq shumë fatkeqësi në Kosovë. E treta, socialistët e Tiranës në emër të internacionalizmit socialist (proletar) u treguan shpërfillës ndaj çështjes kombëtare, që të mos helmonin marrëdhëniet me serbët e grekët.

Shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni e në Luginën e Preshevës nuk e kanë asnjë parti me emërtime socialiste. Madje rrëqethën kur e dëgjojnë këtë emërtim. Socialistëve shqiptar nuk u bënë përshtypje ky paragjykim apo kjo urrejtje e bashkëkombësve përtej alpeve. Nuk u bëri përshtypje asnjëherë. Prandaj s’kanë si ta marrin simpatinë e Prishtinës, Preshevës apo të Shkupit.

Me shpërfilljen e emocioneve të gjysmës së kombit, socialistët u treguan cinik edhe me ftesën që i bënë Tadiqit, njërit ndër eskponentët më të egër të shovinizmit serb. Tadiqi ishte trashëgimtar i kriminelit serb që vdiq në Hagë. Tadiqi nuk e hoqi asnjëherë nga goja  sloganin e urrejtshëm: Kosova është Serbi. Kur mori dhënë lajmi për ardhjen e tij në Shkodër si kumbar i kurorëzimit të dy krahëve socialistë shqiptar, shumë bashkëkombës të mi me pyetën: “athua ua përplasi Ramës e Metës në surrat: Kosova është Serbi?” “Edhe po t’ua ketë thënë, vëllezërve të vet ua thotë”, tallej tjetri.

Socialistët do ta ftonin edhe Milosheviqin po të qe gjallë. Është ish kryetari i socialistëve shqiptar ai që e takoi në Kretë, në kohën kur krimineli nga Beogradi bënte kërdinë në Kosovë. Kështu frymon kjo kastë politikanësh shqiptar, as që u bënë përshtypje çka ndjejnë në Kosovë, ndërsa vijnë si lypsarë të kërkojnë mbështetjen e tyre nëpër promovime e fushata. Madje vajtojnë pse shumica absolute kanë simpati për Sali Berishën.

Praninë e Tadiqit në Shkodër, ditën e kurorëzimit të qiftit Rama-Meta, në Prishtinë e përjetuan si veprim i paparë, akt mjeran, thikë pas shpine. Disa filluan t’i përgjithësojnë gjërat nga mllefi i çastit: “e sheh ata nuk bëjnë pa shki dhe pa ndihmën e Beogradit?” Prania e Tadiqit në Shkodër qe  provokim edhe për ndjenjat e shkodranëve të cilët pësuan më së shumti nga serbët e Tadiqit gjatë Luftës së Dytë e më vonë, kur i vrisnin xhelatët komunist më urdhër të Beogradit. Vizita fatkeqe në Shkodër qe një goditje e shurdhër pas koke për shqiptarët e Kosovës, që një zhgënjim dëshpërues, sepse nuk mund ta besonin se një parti shqiptare, pavarësisht të kaluarës kriminale, do të ftonte ish-presidentin e shtetit më armiqësor të shqiptarëve në qytetin, i cili kurrë nuk e mori vetën nga vrasjet e elitës intelektuale e priftërore të Shkodrës. Kurorëzimi i dy partive socialiste nga shkjau i Beogradit më simbolikën e kumbarës, ishte diçka që nuk e prisnin as nga Edi Rama. Si do të arsyetohet Rama me këtë kumbari para simpatizuesve të vet në Prishtinë, nëse i mbeti ndonjë syresh?

Një kategori e opinionit të ne, filluan të kthejnë kujtesën e aleancave më antikombëtare që u bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në kurriz të Kosovës. Cili është kumti ogurzi i aleancës më të re? Shqipëria atë botë nuk qe me aleatë kundër nazizmit, por kishte aleancë me Jugosllavinë e Rusinë, kundër qytetërimit perëndimor. Le të çirren sa të duan historianët e tipit Milo e Xhufi se ishin aleatë më anglo- amerikanë. Tadiqi në Shkodër sikur nxiti ca paragjykime më të hershme me prirje të ndasive të frikshme krahinore, kur toskët i identifikonin me komunistë serb e malazezë, fal Enver Hoxhës, ndërsa gegët me kombëtarët shqiptar. “E sheh?  Ata prapë u bënë me Serbinë, na e dhanë edhe një thikë pas shpine si në kohën e Enver Hoxhës”, qarkullojnë dyshime të vjetra. “Nipërit e Enverit vuajnë nga sëmundja patologjike e inferioritetit ndaj shkjaut”, vazhdojnë komentet nëpër kafenetë e kryeqytetit ët Kosovës.

Tadiqi në Shkodër i skandalizoi dhe i bëri shqiptarët e Kosovës t’u mbetej hatri edhe ndaj qytetit të tyre më të dashur: si është e mundur që Shkodër locja, të mos reagoj, të mos e dëbojë me gurë e me shkopinj shkjaun? Kur morën vesh për ardhjen e Tadiqit në Shkodër, njëra ndër pyetjet e para ishte: ku  mbeten shkodranët e moçëm, prijësit e nacionalizmit dhe shtylla e kombit? Ku janë ata shkodranë të cilët dikur dërguan oficerë elitar për të mbrojtur territoret etnike nga sulmet e shkjaut në Rozhaje e Berane e në tërë Mbasbjeshkën.

Tadiqi në Shkodër i mobilizoi edhe më shumë shqiptarët e Kosovës t’i forcojnë paragjykimet e  urrejtjen ndaj nipave të Enverit. “Si do tu dukej çamëve sikur në Kosovë të vinin nipat e gjeneralëve grekë që masakruan popullatën e Çamërisë?” Shtrohej njëra nga pyetjet, më përgjigjen e atypëratyshme: “S’do të guxonte asnjë parti “kosovare” të bënte një hap të këtillë”. Ndërkaq, socialistët nga Tirana morën bekimin e krye socialistit nga Athina!  Për “kosovarë” e për “çamë” s’u bëhet vonë.

Maskenballi i Shkodrës me shkjaun Tadiq, kumbar i kurorëzimit të socialistëve  shqiptarë, e forcoi edhe më shumë simpatinë tradicionale për të djathtën shqiptare. Maskenballi i Shkodrës e forcoi lidhshmërinë emocionale për Sali Bersihën, jo pse është i veriut, sepse janë shqiptarët e Kosovës, ata të cilët më shumë se të gjithë shqiptarët e tjerë e luftojnë ndarjen toskë-gegë, e cila përvijohet tek-tuk në Shqipëri. E djathta shqiptare gëzon popullaritetin më të madh jo vetëm në Kosovë, por edhe në territoret  etnike. Ndërkaq, Sali Berisha  gëzon simpatinë e shqiptarëve përtej alpeve jo vetëm pse është deklaruar më shumë se të gjithë politikanët e tjerë për shtrirjen historike e gjeografike të kufijve shqiptar, duke rrezikuar t’u nënshtrohet kritikave të rrepta të analistëve pro grek të cilët u brengosen pse Berisha kërkon Janinën a Prevezën, ndërsa nuk e thanë asnjë fjalë brenge, kur nipi i Milosheviqit ia behu në Shkodër. Lideri i së djathtës e ka mbështetjen e përtej alpeve, jo vetëm pse e bëri rrugën e kombit, me të cilën e ngjalli bregdetin shqiptar, sepse nga Velipoja në Ksamil turizmi qe buzë falimentimit, po të mos vinin “kosovarët”. Për rrugën e kombit, Berishën duhet ta votojnë shqiptarët nga Velipoja deri në Butrint, sepse atyre ua hapi dyert e turizmit.

Kundërshtari i Berishës , Rama sa herë erdhi në Prishtinë, u prit ftohtë nga kryeqytetasit, ndërsa elita intelektuale nuk e përfilli fare. Vizitat e Ramës në Prishtinë me numrin e atyre që i erdhën në promovime librash ishte më e pakët se në promovimet e librave a të filmave të gazetarëve të TV Klanit a Televizionit shqiptar.

Po erdhi Berisha në Prishtinë, çfarë do të bëhej? Do të mbusheshin rrugët e sheshet. Kjo u dëshmua sa herë erdhi në ndonjë çelje rruge a ngjarje tjetër: pati simpatizues më shumë se sa politikanët e Kosovës.

Prandaj është mirë t’ua bëjë qejfin simpatizuesve të vet.(falenderojme autorin qe e dergoi komentin per Diellin)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: a u tha Tadiqi, Gani mehmetaj, Kosova eshet Serbi, ne shkoder

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7

Artikujt e fundit

  • Shqipëtarët me besim të pakufishëm se Amerika se do të jetë miku ynë i përjetshëm
  • Eugene Pittard dhe kontributi i tij nё zbulimin e periudhёs sё Neolitit (7000-4500 p.Kr) nё Shqipёri
  • Argjentina një ëndërr e jetuar
  • “Kisha mesjetare e Shën Aleksandrit në Bokion (Pruell-Spiten): Historia dhe arkitektura”
  • 4 Korriku – Meteor i Demokracisë Botërore dhe Dritë Udhërrëfyese për Lirinë e Popujve
  • FEDERATA VATRA: AMERIKË, GËZUAR 4 KORRIKUN, 249 VJETORIN E PAVARËSISË
  • 10 arsye përse ne shqiptarët duhet të duam SHBA-në pa kushte
  • Jehona e Deklaratës së 4 Korrikut të vitit 1776 në SHBA dhe Shqipëria
  • Sotir Kolea, 4 shtator 1872 – 3 korrik 1945
  • Bajroni dhe dy këngë të Folklorit Shqiptar
  • Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!
  • 7 Fakte Tronditëse Ujë me Akull ose me Temperaturë dhome
  • SHKOLLA VERORE SHQIPE NE KROACI, SELCE 2025
  • Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë Dr. Atdhe Hetemi priti në takim Dr. Elmi Berishën, kryetarin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, VATRA
  • Mësuesit e Shkollës Shqipe në Bavari

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT