Nga Gani MEHMETAJ/
Vrasja e Xhemail Mustafës ishte vrasja më rëndë e pasluftës në Kosovë. Më parë i vranë dhjetëra aktivistë të LDK-së, i kërcënuan e u bënë shantazhe qindra të tjerëve, mirëpo me zgjedhjet lokale, ndërsa paralajmëroheshin zgjedhjet qendrore, shpresohej se grupet paramilitare që e donin pushtetin me çdo çmim, do të binin në binarë të demokracisë, duke i pranuar rregullat e lojës politike. Me gjithë praninë e mbi dyzet mijë trupave ndërkombëtare, pasiguria nuk ishte asnjëherë më e brishtë. Trupat ndërkombëtare na ruanin nga ndërhyrja e Serbisë, por kundër grupeve që donin të merrnin pushtetin me dhunë e të përvetësonin tërë pasurinë kombëtare nuk bënin gati asgjë. Ndërkombëtarët i regjistronin vrasjet, por pak gjë bënin për të kapur vrasësit apo për t’i dënuar.
Atë ditë kur u vra Xhemail Mustafa rrija në zyrën time në Pallatin e Shtypit, duke i redaktuar materialet për revistën “Titanic”, me të cilën nisa të merresha që të mos rrija kot. Hyri papritmas Naime Beqiraj si era e malit dhe më kumtoi lajmin: E vranë Xhemail Mustafën! Më bëhet se ende pa e përfunduar fjalinë, më dolën pyetjet e pathëna: Kush? Si? Ku? E shikova, por nuk isha në gjendje t’ia thosha ndonjë fjalë të artikuluar. Lajmi më tronditi. Nuk doja ta besoja, megjithëse e dija që është e vërtetë. Shumë të qeta u zhvilluan zgjedhjet lokale, ndërsa druanim nga vrasjet, shantazhet e vjedhjet masive të votave. Shumë me eufori i morëm rezultatet e para, ndërsa duhej ta dinim se ata që e projektuan veten në majat e pushtetit nuk do të hiqnin dorë aq lehtë nga pushteti.
Më doli parasysh disa ditë më parë në restorantin e “Grandit”, ku Xhema rrinte shpesh, ndërsa unë më rrallë. Pimë kafe, megjithëse i thashë se më bezdisin fytyrat e shëmtuara që t’i mbërthejnë sytë me pafytyrësi e kërcënueshëm. Më këshilloi t’i shpërfillja, ilaçi më i mirë kundër tyre. Bisedonim për gjërat nga më të ndryshmet. Vazhdimisht më këshillonte të bëja kujdes, sidomos më thoshte, të mos eksponohesha me shkrime. “Askush nuk të mbron”, ma përsëriste shpesh. Disa muaj më herët na e sugjeroi të mos vazhdonim botimin e gazetës “Dardania press”, sepse jemi në rrezik.
Derisa bluaja këto gjëra, dola nga redaksia i përhumbur. I rashë trup e tërthor qytetit pa e përshëndetur dhe pa e takuar asnjeri. Nuk doja të flisja as të ndalesha me askënd, duket as të tjerët në ato çaste nuk donin të më jepnin të njohur, sepse vështirë të sorollateshe mbi dy orë nëpër qytet ku i njihje gjysmën e të mos të të jepte askush të njohur.
M’u kujtua lajmi i vrasjes së Jusuf Gërvallës në dimrin e acartë të vitit 1982, ndërsa ecja i përhumbur dhe i vetmuar rrugicave me borë të kazermës së ushtrisë jugosllave në Kranj të Sllovenisë, pasi e lëshova kufjen e telefonit publik. Atëbotë askujt s’munda t’i thosha se e vranë Jusuf Gërvallën, me askënd s’mund ta qaja hallin. Ishte kohë tjetër: e tmerrshme dhe e frikshme. Kurrë nuk më kishte shkuar nëpër mend se do ta ndieja veten prapë të braktisur e të pikëlluar gati njëzet vjet më vonë nëpër rrugët e Prishtinës, qytetin tim të dashur. Në kazermë nuk guxoja t’ia thosha askujt se e vranë kolegun e mikun tim në Gjermani, sot s’kisha kujt t’i thosha ma vranë një shok e koleg me të cilin punuam në një rubrikë njëzet vjetët më të mirë të jetës sonë.
Me Xh. Mustafën u njohëm në fillim të punës sime në gazetën “Rilindja”, më 1979, megjithëse e mbaja në mend nga studimet, kur ai vazhdonte vitin e dytë, ndërsa unë isha “brucosh”. Xhema shkruante për letërsinë, unë për filmin. Tavolinat e punës i patëm në një zyrë. Shquhej për njohuri të thella letrare e teorike, qarqet letrare e intelektuale e çmonin vlerësimin e mendimin e tij. Rrezatonte pjekuri e maturi për dallim nga ne që përpiqeshim ta gëzonim moshën. Më vonë u shqua për shkrime analitike e të guximshme që e pasuronin rubrikën e kulturës dhe gazetën” Rilindja” në përgjithësi. Rrinim shpesh në bufenë e gazetës, ose në kafenetë e qytetit, debatonim për çështjet që na preokuponin, madje edhe për ato që në një rreth më të gjerë kufizoheshim. Redaktor e gazetar shumëvjeçar i gazetës, u bë njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke i qëndruar parimor botëkuptimit të tij. Ëndrrës së madhe i ndenji deri në fund, nuk pati luhatje asnjëherë, as atëherë kur miqtë tanë të përbashkët patën tundime, druajtje apo presione që të shkëputeshin nga kompozicioni i trenit të LDK-së. Pastaj u bë njëri ndër njerëzit kyç në parti e Presidencë, pavarësisht presioneve e kërcënimeve.
Gjatë 78 ditëve të terrorit serb në Kosovë, kaloi nëpër rrathët e ferrit, por shpëtoi. Po ta kapnin kriminelët e Milosheviqit, sigurisht do ta ekzekutonin, sikurse Aganin e të tjerët. Të gjitha këto i mendoja, ndërsa sillesha vërdallë nëpër qytet, ndonjëherë duke u kthyer në të njëjtën rrugë që kalova një gjysmë ore apo një orë më parë.
Athua si mund të jem dukur? Më kanë vërejtur të tjerët, apo edhe ata me hallet e veta, kalonin si hije pranë meje. Së fundi u futa në restorantin e “Grandit”, më bëhet se i pashë të gjithë ata njerëz që i shihja edhe herë të tjera, më panë me të njëjtin shikim bezdisës. Një përftim mashtrues më kaloi nëpër tru, por e shmanga, sepse e dija që nuk është e vërtetë. U kalova pranë, duke i shpërfillur. Dikur nisa të hamendësoja, cili nga këto fytyra urdhëroi vrasjen? Apo ata mund të jenë të tjerë? Me celular thirra në Qendrën Informative të Kosovës, ku ma konfirmuan vërtetësinë e lajmit. Kot që shpresoja të qe ndryshe.
Xhemail Mustafa ishte këshilltar i presidentit Rugova, punonte në QIK, shkruante për dy gazeta ditore, kishte një erudicion që pakkush e pati në Kosovë. E karakterizonte mençuria e maturia, që nuk i shquante të tjerët. Por ajo që ishte me rëndësi, Xhemaili ishte njeriu më me ndikim te Rugova, mbase i vetmi nga themeluesit e LDK-së, që mbeti pranë tij.
Vrasjen e tij në mbrëmje e dhanë të gjitha mediet elektronike me paraqitjen e ngjarjes në tërësi me të gjitha detajet. Të vinte plasja kur e dëgjoje se si vrasësit u larguan të qetë në drejtim të panjohur, pa i penguar askush dhe pa hasur në asnjë polic ndërkombëtar. Besohej se duhet të kenë rënë në sytë e dikujt, por cili qe ai që do të denonconte? Askush nuk arriti t’i identifikonte, askush nuk ishte dëshmitar, askush nuk i kapi, askush nuk guxoi të dëshmonte. Policia e UNMIK-ut e rekrutuar nga Britania e Madhe deri në Somali e Indi nuk garantonin siguri po dole dëshmitar.
Kështu, në orën 15.00, kur ende ishte ditë, u vra njëra ndër personalitetet më të rëndësishme të politikës shqiptare, një intelektual i majave, i cili u qëndroi besnik parimeve të veta, duke mos kalkuluar në asnjë çast. Themelues të tjerë, pos Rugovës, nuk mbetën në Kryesinë e LDK-së e as në Presidencë. E lanë të vetëm presidentin Rugova, të rrethuar nga shumë njerëz që intrigën e ambicien e sëmurë e kishin motiv kryesor pse rrinin në parti.
E vranë kohën e idealeve, po vinte koha e intrigave e likuidimeve.
Ishte bestseller libri i tij, “Një lutje për Prishtinën”, rrëfim tronditës për tmerret e qytetarëve të kryeqytetit ato ditë lemerie, kur mbetën peng në banesat e tyre, duke pritur me ankth a do t’i vrasin e torturojnë tash a më vonë. Xhemailin fati e zgjodhi dëshmitar në rrethimin e hekurt të kryeqytetit tonë. Jetoi për të na rrëfyer, por nuk arriti ta gëzonte lirinë e shumëpritur. Përjetoi situata të rënda, por i shpëtoi policisë serbe që ndiqnin intelektualë shqiptarë, ndërsa kur i zinin i vrisnin pa gjyq. Ra nga plumbat e grupeve kriminale shqiptare që nuk ia falën pse u qëndroi besnik parimeve të veta dhe pse nuk u largua nga Rugova sikurse bënë shumë nga shokët e tij.
Zot, çfarë kohe na solle, iu drejtova në mënyrë të pavetëdijshme qiellit, megjithëse kurrë nuk iu kisha drejtuar më parë as më vonë.
Në vend se t’i gëzoheshim lirisë, ne i frikësoheshim jo vetëm muzgut të parë, por qemë të pasigurt në pikë të ditës. Vrasin dhe askush nuk i kap. Sa pak vlerësohej njeriu e intelektuali në këtë milenium të ri, në atdheun tonë të sfilitur.
Më vonë nisën spekulimet pse u vra, kush e vrau, cili qe shkasi etj. U tha se Xhema e paska shkruar një shkrim kritik në gazetën “Bota sot” për opozitarët e UÇK-së, se Zenun Çelaj, kryeredaktori i gazetës së përditshme “Zëri” ditor të B. Shalës, paska përpiluar një listë për likuidimin e intelektualëve, sikurse shkruante analisti i njohur, Sylejman Aliu. Aliu në “Bota sot” ia kujtonte kërcënimet kolegut të vjetër të “Rilindjes”. Sërish ma kujtoi kërcënimin e Adem Demaçit për ngrënien e gazetave, apo ndëshkimin për tekstin ku e parodizoja Komitetin Krahinor për traktorin socialist. Shumë e komentonin këtë shkrim, kërcënim, sikurse shkruante edhe Sylejman Aliu në “Bota sot” paralajmërim për diçka të kobshme. Athua qe këtu shkaku, apo vrasja qe planifikuar shumë kohë më parë (në fillim të verës 1999 shtypi perëndimor shkruante se KFOR-i ua paska zënë grupeve të UÇK-së një listë prej 2.000 intelektualësh shqiptarë). Askush nuk e përgënjeshtroi, por askush nuk e pohoi më vonë këtë lajm.
Xh. Mustafa kohë më parë shkroi tekstin “Mallkimi i popullit nga “të mallkuarit e popullit”, ku u referohej atyre që hidhnin gur e dru mbi shqiptarët pse nuk ua dhanë votat. Jakup Krasniqi, i deprimuar që nuk mori vota ai e partia e tij, fyente shqiptarët. “LDK-në e votuan ata që e ndiejnë më afër Beogradin se Tiranën”, shkruante në kolumnen e rregullt të “Zërit” ditor. Krasniqi mallkonte e fyente popullin pse nuk e votuan. Në të njëjtën mënyrë shkruante edhe fallxhori tjetër, Sh. Maliqi, i cili pyeste në mënyrë djallëzore: “A ka votuar Kosova kundër luftës?” Ndërkaq, ne jetonim në paqe, jo në luftë. Ai donte t’i jepe zjarr luftës vëllavrasëse. Ky qe qëllimi i tij.
Grupet kriminale të së kaluarës e të së tashmes, janë bërë njësh. Titistë e enveristë, UDB-ashë e SHIK-istë, në dukje të parë të papajtueshëm, krijuan aleancë të fuqishme kundër shqiptarëve të Kosovës e kundër demokracisë së brishtë.
Për vrasjen e Xh. Mustafës nuk u dha asnjë fjalë nga shteti shqiptar. Nuk e tha asnjë fjalë as kryeministri i Shqipërisë, as ministri i Jashtëm, Paskal Milo. Disa rreshta tekst u dhanë nga Shoqata e Shkrimtarëve e Kosovës. Shkroi gjerë e gjatë “Bota sot”, aty ku Xhemaili shkruante kolumnen javore. “Rilindja” e uzurpuar me dhunë nga grupet marksiste po ashtu gati heshti, ndërsa Xhemaili punoi në të mbi njëzet vjet. Vrasja e Xhemail Mustafës qe porosi e qartë për shumicën e intelektualëve shqiptarë. Nisën edhe spekulime të ndryshme.
Mbi varrin e Xhemail Mustafës foli presidenti Ibrahim Rugova, i cili e pati bashkëpunëtorin më të afërt dhe njeriun më të besuar. Ai foli me pikëllim dhe i deprimuar. Në një çast Rugova i mallkoi vrasësit, i pafuqishëm të bënte diçka më shumë. Njerëzit e presidentit po vriteshin, të tjerët i shmangeshin, sepse mund t’i gjente i njëjti fat, ose i detyronin të flisnin keq nëpër medie. Mbi varrin e Xhemës foli edhe Adem Demaçi, meqë kishte një lidhje familjare me të ndjerin. Edhe ai tha se Xhemën e vranë ata që duan ta marrin pushtetin me dhunë. Athua e dinte kush janë vrasësit?
Nderime te varri i Xhemës bënë me mijëra shqiptarë. Më dhimbseshin gruaja e fëmijët. Fëmijët do të rriteshin pa baba, kurse gruaja që i përkushtohej aq shumë, do të mbetej e vetmuar. Babai i tij shikonte i përhumbur.
Mjerë ne, çfarë kohe erdhi!
Ajo që më ra në sy, në atë ditë pikëllimi, qe fakti se në varrimin e tij shumë nga ata që do të duhej të vinin, sepse të gjithë e patëm shok e mik në ditët më të vështira të jetës sonë dhe të jetës së shqiptarëve, nuk erdhën. Më shtrëngoi diçka në gjoks nga pikëllimi. M’u bë se bota u zvogëlua e u tëhuajësua sa s’ka ku shkonte më shumë. E dija, pse nuk erdhën miqtë tanë, por nuk i arsyetoja. Dikur ne shkonim në varrimet e viktimave të policisë serbe, ndërsa gjatë rrugës na dilnin para policë të tërbuar nga urrejtja. Shpeshherë na kërcënonin me vdekje, por ne ua bënim nderimet e fundit të njohurve tanë. E kundërt me këtë frikë të pashpjegueshme në shikim të parë, ishte guximi në kohën kur për një fjalë goje të dërmonin me dajak, ose të vrisnin. Ne dikur nuk i frikësoheshim regjimit mizor të Milosheviqit, sepse e patëm vrarë frikën. Reagonim për gjëra edhe më të vogla, u nisnim letra e thirrje të gjitha shteteve e personaliteteve të njohura, u kërkonim mbështetje të gjitha institucioneve ndërkombëtare me peshë. Sot asnjëri nga ata nuk e shkroi asnjë letër ngushëllimi a pikëllimi. Ndërkaq, duhej të shkruanin, pse jo të vajtonim, sepse kështu nuk e menduam lirinë as shtetin tonë.
Ëndrra jonë po përgjakej. Ne u përpoqëm për një shtet human, të dashur për të gjithë. Kurrë s’më shkonte nëpër mend se një grup shqiptarësh do të vriste miqtë e mi, madje s’mendoja fare se do të vriteshin shqiptarët nga shqiptarët. Mendoja se jemi populli më i shëndosh e më human në botë. Isha idealist naiv si Kandidi i Zhan-Zhak Rusosë.
Intelektualët e shtresa e arsimuar e shqiptarëve e mbajti barrën kryesore të kombit për mbi dymbëdhjetë vjet me radhë. Xhemail Mustafa ishte në kreun e këtyre intelektualëve, herë në funksionin e këshilltarit të presidentit Rugova, herë me shkrimet e angazhuara politike, herë me esetë letrare.
Nga libri: ”Ëndrra e madhe” që këto ditë doli nga shtypi