• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fshati i jetimëve të luftës dhe familjet e të pagjeturve

February 28, 2013 by dgreca

Nga Gani Qarri Cyrih/

Çështja e krimeve të luftës dhe mos-përgjegjësia për këto krime ka irrituar shumë familje të viktimave dhe të të zhdukurve shqiptar,si nga e gjithë Kosova ashtu edhe nga Krusha e Vogël, të cilat e kanë humbur shpresën se dikush do të gjykohet për mizoritë e pushtuesve serb,ndaj familjarëve të tyre të pafajshëm edhe pas 12-13 vitesh të tragjedisë së ndodhur më 26 Marsi të vitit 1999 në këtë fshat.

114 krushjanë të masakruar, 90 të zhdukur/

Fshati pa burra, siç quhet ndryshe Krusha e Vogël,i takon Komunës së Prizrenit, i cili nga rreth 700 banorë,sa thuhet se ka, pas lufte 145 nga ta ishin fëmijë-jetim, 82 gra të veja dhe dhjetëra nëna të mbetura pa djem. Mjerisht, pas masakrimit të 114 banorëve, rreth 90 prej tyre u zhdukën pa gjurmë ,që nga 26 marsi i vitit 1999,kur forcat pushtuese serbe kidnapuan nëpër shtëpitë e tyre 120 shqiptar për ti vrarë dhe zhdukur përgjithmonë.

Krimi i shfrenuar serb,si në gjithë Kosovën,edhe këtu nuk kurseu as fëmijët e moshës 13 vjeçare deri te pleqtë 70 vjeç, me ç`rast gjatë ekzekutimit, 6-të nga 120 të grumbulluarit për pushkatim, të mbuluar nga gjaku dhe kufomat e të vrarëve,ndonjëri edhe i plagosur rëndë,kishin arrit të shpëtonin.

Pas pak kohe,terroristët serb,për humbjen e gjurmëve të krimit,ishin kthyer për ti djegur trupat e të vrarëve,ndaj nga 114 të masakruarit,për shkak të deformimit të kufomave nga djegia dhe bartja e mbetjeve mortore,për në Serbi,90 nga ta që nga ajo ditë, deri më tani figurojnë si të humbur dhe emrat e tyre ekzistojnë vetëm në listën e shqiptarëve të zhdukur, pasi që edhe pas më tepër se 12-13 viteve të kaluara,nuk është arrit të zbulohen më shumë se eshtrat e 25 prej tyre.
Nga 2000 të zhdukurit shqiptarë ,që nga lufta në Kosovë, 90, prej tyre janë nga Krusha e Vogël. Kurse njëri nga 6-t, të mbijetuarit, është Qamil Shehu,nga po ky fshat i djegur dhe shkatërruar, të cilit,kriminelët serb i kishin vrarë dy djem të tij, tre vëllezër dhe pesë nipër.

Ai i kishte pa ata të vdisnin para syve të tij,derisa qëlloheshin me të gjitha llojet e armëve nga fqinjët serb,ish kolonët e dikurshëm të vendosur me dhunë si kudo në Kosovë edhe në këtë fshat të vogël, nga pushtuesi sllavë.

Madje dy nga të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Vogël patën dëshmuar edhe përpara Gjykatës për krimet e luftës së ish Jugosllavisë në Hagë,kundër kryekriminelit serb Slobodan Millosheviç, i cili vdiq i pa dënuar,kurse të zhdukurit shqiptar sot e kësaj dite figurojnë edhe më tej në listën e të pagjeturve,duke i shtuar pritjet e gjata, të cilave askush nuk u`a di fundin.
Fshati i Krushës së vogël,që nga paslufta banohet kryesisht,nga fëmijë jetim dhe gra të veja,të cilat duhet të mbajnë familjet dhe të rritin fëmijë pa etër,duke kultivuar të gjitha llojet e perimeve, si; speca domate,patate etj. nga të cilat nuk mund të mbijetojnë pa ndihmat mujore sociale sado të vogla që janë ato dhe Qumështorja në fshat, e cila falë punës së palodhshme dhe aktivitetit bamirës dhe vullnetar të z. Dile Prenkpalaj nga fshati Bregdrin i Hasit të Kosovës,me gjithë vështirësitë jo të pakta,deri vonë ishte funksionale dhe ndihmoi për aq sa mundi këto gra që rrisin jetimë lufte të cilët janë të shumtë, sidomos në Krushë të vogël.

54 kriminelë serbë që masakruan 114 shqiptarë

Me gjithë përpjekjet e familjarëve, që 54 kriminelët serbë dhe dy bashkëpunëtorët e tyre romë, të cilët banorët e mbijetuar të Krushës i njohin,për ti sjellë para drejtësisë vendore apo asaj ndërkombëtare, si përgjegjës për masakrën në fshat dhe zhdukjen e të afërmve të tyre që nga fundi i marsit të vitit 1999, drejtësia ndërkombëtare,deri më tani është marrë vetëm me të vrarët- trupat e të cilëve janë gjetur, por jo edhe me të zhdukurit dhe të kidnapuarit shqiptar, për fatin e të cilëve as sot pas kaq vitesh nuk dihet asgjë,me arsyetimin se; pa gjetjen e kufomave, nuk mund të provohet as krimi….

Ndaj,tanimë pranohet nga të gjithë,se zhdukja e trupave të shqiptarëve të vrarë,ka qenë qëllimi primar kriminal dhe politik i shtetit pushtues serb,me bindjen e se pa gjetjen e kufomave nuk mund të dëshmohet gjenocidi i ushtruar,kundër banorëve vendës në trojet e tyre etnike. Madje sikur të mos mjaftonte as kjo,familjarët e shqiptarëve të zhdukur, duhet të përballen edhe me kriminelët e kthyer serbë në Kosovë,të cilët sillen sikur të mos kishte ndodhur asgjë,ngase dosjet e krimeve të luftës të ushtruara nga ata,si nga gjykatat e UNMIK-ut, ashtu edhe nga Misioni i EULEX-it,për afro 12-13 vite,janë hedhur në harresë, kurse vrasësit e 114 shqiptarëve në këtë fshat, sot e kësaj dite shëtitin të lirë edhe në vendin e krimit, duke mbetur të pandëshkuar deri më tani.
Nga këta 114 të vrarë, rreth 90 prej tyre edhe sot figurojnë të zhdukur,madje vetëm familja Shehu numëron 9 të vdekur në këtë masakër. Por deri para pak kohësh, vetëm dy nga ta, ishin gjetur dhe rivarrosur,derisa për pjesëtarët e mbijetuar të familjes çdo ditë që vjen, është më e rëndë se tjetra,pasi që shumë oborre dhe shtëpi krushjane që nga 26 Marsi i vitit 1999,janë mbuluar nga bari, heshtja dhe dhembja e pa fund e mungesës së kryefamiljarëve,ku të freskëta dhe të dallueshme, kanë mbetur vetëm gjurmët e vrasjes së tyre makabre nga kriminelët serb.
Në Krushë të vogël, gjallëria mbytet me heshtje dhe dëshpërim, ngase përveç vuajtjes për të zhdukurit, shumë familje,në mungesë të etërve,për vite me radhë nuk iu gëzuan asnjë lindje. Këtu fëmijët jetim,rrisin dhembjen e madhe të kësaj plage kaq të ndjeshme,madje ajo në Krushë të vogël, gjendet e freskët edhe sot,si në shumë familje anë e kënd Kosovës,të cilat me padurim,presin një lajmë për më të dashurit e tyre.

Me gjithë kohën e kaluar,shpresa për ta nuk është zhdukur kurrë, ajo mbetet e gjallë përgjithmonë dhe do të jetoj deri atëherë kur ata të kthehen në vendlindje. Kujtimi i kësaj plage të madhe në Kosovë edhe sot kullon gjak,kudo ku të pagjeturit për kaq shumë vite mungojnë. Atëdhesimi i secilit prej tyre, pritet me padurim për një nderim të merituar me dinjitet të lartë njerëzor e kombëtar ,ashtu siç i ka hije atdheut ti vlerësoj bijtë e vet.

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe familjet, e pagjetura, fshati i jetimeve, Gani Qarri, ye luftes

Ankth mbijetese

February 24, 2013 by dgreca

Nga Gani Qarri Zyrih

Askush nuk do ta ketë pritur as menduar më herët se edhe pesë vjet pas pavarësisë,ëndrra për shtet dhe zhvillim të shqiptarëve do mbetet si një fletë e kurthuar në një grumbull ferrash të cilat jo vetëm se trupin e saj e bënë shoshë me “therje” por edhe nuk do ta lëshojnë të shpëtoj lehtë nga to. Mbi pesë vjet zhbërje shprese,pasiguri dhe jetë të mundimshme,deri në ankth nga ndërtimi i një shteti gjysmak e jo funksional,ku nuk sundon rendi e ligji dhe çdo gjë mbështetet në nepotizëm,interesa të ngushta e mashtrime,pasiguria për mbijetesë e shqiptarëve në vendin e tyre, sa vije e rritet.

Pesë vjet dështim,dobësi dhe paaftësi udhëheqësish për ta zhvillu dhe qua vendin përpara. Pesë vjet me halle të shtuara, varfëri në rritje dhe papunësi marramendëse, e kthyen shtetin në një krijesë të frikshme,duke i`a ngushtuar shumë kujt edhe mundësinë e mbetjes gjallë në te…gjendje që zbehë ngadalë por sigurt ëndrrën e praruar të pavarësisë, jo vetëm për hallexhinjtë e shumtë në vend.Pesë vjet vuajtje e paqartësi për tërësinë e vendit, pesë vjet deprimim të brendshëm dhe turpërim ndërkombëtar para të huajve që përcjellin dhe vështrojnë sjelljet tona në çdo hap, duke përqeshur paaftësitë e lidershipit për të mbajtur shtet.

Pesë vjet pa ecje të mjaftueshme, pesë vjet pasurim të pushtetarëve dhe varfërim të popullsisë deri në shkallën më të ulët në kontinent dhe ndër më të varfrat në Botë. Pesë ?.. apo kush e di se sa vite të humbura,mbetur prapa gjithanshëm, pa investime të huaja dhe pa zhvillim, pa shpresë dhe të izoluar nga të gjitha vendet e Evropës.

Në Kosovë, Inflacioni, papunësia, deficiti tregtar,padrejtësitë dhe varfërimi ekstrem me rritje marramendëse dhe të pa kontrolluar,të cilat nëse nuk parandalohen mund të çojnë deri në kolaps total,prodhojnë jo vetëm ngecje e probleme tjera bllokuese në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por edhe rrënim të demokracisë së brendshme në vend.

Sipas asaj që shkruhet e thuhet në shumë media publike, papunësia ka arrit në rreth 50 %,kurse varfëria e skajshme në mbi 20 %,derisa rritja e çmimeve bëhet e pa përballueshme për shumicën e popullsisë në vend, anipse ata blejnë mallra të dyshimta, të helmuara dhe kancerogjene që vijnë nga Serbia, të cilat derisa edhe vet ish shteti pushtues dhe prodhues i këtyre mallrave, i ka heq nga përdorimi, Kosova vazhdon edhe më tej ti shes si artikuj të sigurt.

Si duket shqiptarët të adoptuar nga konsumimi i gjatë i importeve jo gjithëher të mirëkontrolluara, tanimë janë bërë imun edhe ndaj mallrave të kontaminuara dhe helmeve të Serbisë…

Pesë vjet pas, shkaku i korrupsionit dhe mosfunksionimit të shtetit ligjor,edhe ata pak investitor të huaj që ishin,pothuajse kanë ikur apo janë në ikje e sipër dhe të gjithë treguesit makroekonomik në vendin më të varfër të Evropës, vazhdojnë të tregojnë edhe më tej rënie.

Pesë vjet pas pavarësisë,vendi ynë vazhdon të mbetet vend i skamjes,i krimit të organizuar,dhunës dhe migrimit,të cilat detyrojnë të rinjë e të vjetër, të presin më kot nga dy-tre muaj,para ambasadave të huaja në përpjekje për të marrë një vizë,në mënyrë që të ikin sa më shpejt nga sytë këmbët dhe t`ia kthejnë shpinën atdheut,për të cilin,dikur vet apo etërit, bënë shumë përpjekje e sakrifica që edhe ai ta fitonte pavarësinë!

Ndaj,pesë vjet skamje e vendnumërim,pesë vjet ngecje dhe bllokim,pesë vjet zhgënjim,pesimizëm,frikë e mosbesim, krijuar nga realiteti i hidhur me vuajtje dhe izolim të plotë,sidomos për rinin e pa fajshme të Kosovës,vërtetë janë shumë. Mjerisht, edhe pesë vite pas, shqiptarët duhet të bashkëjetojnë me frikën e pamundësisë së mbijetesës dhe pasigurinë e ardhmërisë së fëmijëve të tyre, në vendin e vet që e donin aq shumë, ata të cilët dikur të vetmen ëndërr patën çlirimin dhe shpresonin në atdheun e lirë. Athua vërtetë e merituan këtë gjendje?!

22 Shkurt 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: ankthi, Gani Qarri, per mbijetese

Pavarësia pesë vjet pas

February 17, 2013 by dgreca

Bashkimi kombëtar-zgjidhje për të gjithë shqiptarët

Nga GANI QARRI, Zyrih/

Më 17 shkurt të këtij viti,u bënë plotë pesë vjet nga shpallja e Pavarësisë së vendit tonë të lirë. Vendit tonë të vogël dhe me Pavarësi të sapolindur, pas rreth 9 vitesh pritje jo dhe aq të shkurtër qysh nga çlirimi më 1999, dhe afro një shekulli pushtimi sllav, kur për herë të parë akti i tij historik, do të njihej e pranohej nga shtetet më të fuqishme dhe më të mëdha në Botë.Ndaj, në ditët e shënuara si kjo,ne kujtojmë me pietetin më të lartë sakrificat e panumërta dhe përpjekjet e pareshtura të heronjve dhe dëshmorëve të kombit ,si dhe ndihmën e forcave të NATO-s dhe përkrahjen e Bashkësisë ndërkombëtare të cilat na sollën deri te liria dhe pavarësia e vendit tonë.

Por,duke kujtuar rrjedhën e mundimshme të kohës dhe serinë e ngjarjeve jo gjithherë dashamirëse ndaj vendit dhe popullit tonë nëpër të cilat u dashtë të kalonte pas shpalljes së Pavarësisë së saj-Kosova si shtet i ri, me rrezikun nga krimi i organizuar e korrupsioni dhe veprimet armiqësore të strukturave kriminale serbe në veri,të cilat kishin për qëllim shkatërrimin e pavarësisë shtetërore dhe grabitjen e territorit të Kosovës , neve sot na bëjnë që të festojmë jo pa brenga edhe në pesë vjetorin e pavarësisë së vendit tonë.

Nëse shfletojmë me kujdes katalogun e ngjarjeve të pa këndshme që nga 19 shkurti i vitit 2008,kur vetëm dy ditë pasi që Kosova kishte shpallur Pavarësinë dhe Kuvendi i Republikës mbante seancën e miratimit të Pakos së Ahtisarit për miratimin e ligjeve të sajë,strukturat paralele serbe në veri, dogjën pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak,të cilat ndajnë Kosovën dhe Serbinë, për të mos lejuar më asnjëherë funksionalizimin normal të atyre vendkalimeve ndërshtetërore në atë pjesë të vendit,ky fakt i hidhur- nuk na le të qetë as tani. Madje nuk duhet harruar se edhe pse më 4 prill të vitit 2008 do të miratohej Kushtetuta si akti më i lartë juridik i vendit, e cila përcaktonte Kosovën si shtet të Pavarur dhe Republikë Parlamentare,vetëm rreth pesë javë më vonë, më 9 maji të vitit 2008,me miratimin e heshtur të BE-së dhe Bashkësisë ndërkombëtare,në Kosovë u organizuan zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të Serbisë, nga të cilat dolën strukturat paralele të saj dhe nuk u shuan asnjëherë deri më tani, në vendin tonë.Për tu rënduar gjendja edhe më shumë, në nëntor të atij viti, me miratimin e BE-së, dhe Bashkësisë Ndërkombëtare, problemit të veriut do t`i shtoheshin edhe 6 pikat e Ban Ki Mon-it, të cilat nuk synonin hiq më pak se ndarjen e heshtur të Kosovës dhe bartjen klandestine – të asaj pjese përmes strukturave kriminale serbe dhe futjen nën sundimin e Serbisë,të rreth 30 % të territorit tonë shtetëror.

Kështu,me ndihmën e BE-së dhe përkrahjen e disa vendeve tjera nga Bashkësia Ndërkombëtare,Serbia arriti me sukses që nga atëherë të pengojë, funksionalizimin e doganave të shtetit, policisë vendore, vendosjen e rregullit, ligjit si dhe shtrirjen e shtetësisë së Kosovës edhe në ato pjesë të saj,deri më sot.

Për fat të keq, shuarjes së strukturave kriminale serbe në veri,nuk i ndihmoi as Vendimi i 22 Korrikut të vitit 2010,i cili u shpall njëzëri në Favor të mëvetësisë se vendit tonë nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cila me vendimin e saj ,dëshmoi edhe një herë se pavarësia e Kosovës ishte e drejtë dhe nuk u shkel asnjë ligj ndërkombëtar.Ndaj pas okupimit klasik të veriut, nga strukturat paralele serbe, Qeveria e Kosovës provoi që përmes intervenimit me polici të arrinte vendkalimet e uzurpuara kufitare, me ç`rast gjatë intervenimit me 25 korrik të vitit 2011, do të vritej edhe polici Enver Zymberi, njëri nga heronjtë e policisë sonë speciale.Pas këtij intervenimi,vetëm dy ditë më vonë,pra më 27 korrik të vitit 2011,nga bandat kriminale serbe, do të digjeshin sërish pikat doganore 1 dhe 31,në Jarinjë dhe Bërnjak,për mbrojtjen e të cilave nga forcat e EULEX-it, pothuajse nuk do të intervenohej fare,megjithëse ato ishin të vendosura atje. Dhe, sikur të mos mjaftonin të gjitha këto,edhe në bisedimet dypalëshe të cilat filluan në vitin 2011,Kosova nuk arriti të siguronte njohjen e dokumenteve tona të udhëtimit as lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj shqiptar nëpër Serbi.Madje,përmes bisedimeve, ajo nuk mundi ti kthente as librat origjinal të amzës dhe as regjistrat e saj Kadastral, të plaçkitura gjatë kohës së luftës nga Serbia.Bile,për të qenë çudia edhe më e madhe, Kosova do të kënaqej vetëm me marrjen e kopjeve të dokumenteve të saj shtetërore,duke pranuar që origjinalin ta mbante Serbia, e cila jo vetëm se nuk dha asgjë në ato bisedime, por fitoi edhe statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.

Për aq më keq,Kosova që nga 24 shkurti i vitit 2012, në vend të shënimit statusor si Republikë ajo u damkosë me Fusnotë, kurse Bashkimi Evropianë mbanë edhe sot qëndrim neutral ndaj Pavarësisë , duke mos i mundësuar deri më sot-shtetit të Kosovës shtrirjen e shtetësisë në veriun e saj.Dhe jo vetëm atëherë por edhe tani,pas pesë vjetësh të kaluara nga shpallja e Pavarësisë, doganierët e shtetit të Kosovës në pikat e Kufirit Jarinjë dhe Bërnjak, nuk mund të kalojnë rrugëve të barrikaduara tokësore nga pengesat e strukturave kriminale serbe, përkundër marrëveshjeve të arritura për menaxhimin e përbashkët të kufijve me Serbinë, sipas parimit të njohur evropian të IBM-s, dakorduar gjatë bisedimeve dypalëshe të zhvilluara në Bruksel.Dhe për fund,megjithëse në shtator të vitit 2012, ka përfunduar mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës dhe përfundimisht është mbyllur kjo Zyrë Civile Ndërkombëtare, për fat të keq, mu në pesë vjetorin e Pavarësisë së vendit tonë,ne në vend të festës dhe gëzimit, dëgjojmë lajmin e pa këndshëm-tanimë të bërë publik se me ish shtetin pushtues, ende kemi shumë punë dhe deshëm s`deshëm përveç fondit të ngritur zhvillimor nga qeveria- për Veriun- duhet të bisedohet edhe me Serbinë. Vallë, sa u realizuan ëndrrat e popullit liridashës shqiptar,pesë vjet pas shpalljes së mëvetësisë së Kosovës dhe ku fillon e deri ku arrin-Pavarësia jonë? Vallë ,a mund të quhen ideal i realizuar, pavarësit pjes -pjesë të  një populli, pa arritjen e bashkimit të përgjithshëm kombëtar, siç nuk e kanë, por e dëshirojnë edhe shqiptarët ?!

Rroftë liria e trojeve shqiptare!

Rroftë bashkimi ynë kombëtar!

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gani Qarri, pas, Pavaraesia, pese vjet

Bashkimi kombëtar si shpëtim

February 3, 2013 by dgreca

NGA GANI QARRI/ Zyrih/

Në vitin e keq të përmbushjes së një shekulli ndarje e copëtimi të trojeve tona kombëtare, Serbia me urdhrin e Ivica Daçiqit-kryeministër aktual dhe ministër i brendshëm i saj i cili tanimë akuzohet hapur për bashkëpunim me klanet më të mëdha kriminale serbe të drogës dhe larjes së parasë në Ballkan, që nga vjeshta e vitit 2008,derisa ishte ministër i brendshëm dhe zëvendëskryeministër i Serbisë,para heshtjes sonë kombëtare dhe asaj ndërkombëtare,ai me xhandarët e tij vetëm pak ditë më parë hoqi nga “Sheshi i Dëshmorëve” në Preshevë, simbolin e vetëm të nderimit ndaj të rënëve për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve autokton atje. Rreth një javë para se të mbahej përkujtimi i 13 vjetorit të shpërthimit të kryengritjes së shqiptarëve në Kosovën lindore për liri dhe të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare, më 20 janar të vitit 2013,xhandarmëria serbe,hoqi e qet dhe pa zhurmë e asnjë siklet-kundërshtimi, sado i vogël qoftë ai, madje le të ishte edhe tërësisht paqësor, përmendoren me emrat e atyre që si Guri i traditës-peshonin më së RËNDI, aty ku u takonte amshimi-në tokat e të parëve dhe vend të vet! 

Ndaj, jo vetëm emrat por edhe eshtrat e 27 dëshmorëve dhe heronjve kombëtar të rënë për tokat e tyre nën pushtim, edhe një herë sikur u tranden bashkë me heqjen e përmendores.

Ajo nuk ishte më shumë se një simbolikë përkushtimi kombëtar dhe “kulm” strehimi,e cila ishte ngritur ti ruante këta emra nga dhëmbi i kohës,sikur mos ti shkatërronte atributet e përkujtimeve njerëzore shqiptare, ironia dhe dhuna e ri-orkestruar serbe, mbi këto troje tonat etnike.

Përmendorja vet, nuk ishte pengesë as kërcënim ndaj askujt, por ata që nuk do me asnjë kusht ti ketë aty Serbia, janë rreth 90% e bashkëkombësve tanë-banorëve të vjetër autokton, të cilët popullojnë Preshevën, kurse fshatrat përreth saj deri edhe 100%, në shumë vendbanime të Kosovës Lindore, ndaj ndodhë edhe ky vazhdim cinik i diskriminimit të kamotshëm serb, të ripërsëritur kohët e fundit, i cili është i njohur për mëse një shekull nga shqiptarët nën pushtim.

Por,një gjë nuk duhet harruar as Serbia,se edhe para 12-13 vitesh, shkak i shpërthimit të kryengritjes dhe fillimit të luftës në Kosovën Lindore,nuk ishte jetesa e mirë dhe e barabartë e shqiptarëve me kombet tjera,por ishte politika diskriminuese serbe ndaj shqiptarëve autokton, ajo që në janarin e vitit 2000,ngriti në këmbë luftëtarët e bashkuar kombëtar në fshatin Dobrosin, nën emblemën e lavdishme të UÇPMB-s,për liritë dhe të drejtat e tyre që u takonin si njerëz dhe komb.

Kjo kryengritje e përgjakshme,u përmbyll më 21 Maj të vitit 2001, pas rreth një viti e gjysmë luftimi, kur me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare do të nënshkruhej edhe një marrëveshje ndërmjet palëve ndërluftuese e cila parashihte amnistinë e kryengritësve dhe liri e të drejta më të mëdha për shqiptarët.

Megjithatë, shtetet pushtuese me të kaluar kriminale si Serbia,edhe pas lidhjes së marrëveshjeve, nuk shuajnë orekset e tyre për pushtime. Ndaj ato shfrytëzojnë çdo rast dhe mundësi për likuidimin e kokave kryesore që kanë udhëhequr luftën, me të cilat herëdo-kurë, ajo llogaritë se mund të ulen sërish në tavolinën e bisedimeve.

Pasi që ata edhe njihen si njerëz të pa kompromis ndaj padrejtësive të cilët asnjë herë,për asnjë çmim dhe me asnjë lloj shantazhi a frikësimi, nuk bëjnë lëshime në kurriz të popullit që përfaqësojnë,pushtuesit gjithmonë kërkojnë mënyra të sofistikuara për likuidimin e tyre. 

I tillë ishte edhe udhëheqësi i bisedimeve dhe komandanti më i njohur i luftës në Kosovën Lindore – Ridvan Qazimi, të cilin më 24 Maj të vitit 2001, pra vetëm katër dit pas arritjes së marrëveshjes së Konqulit të 21 Majit të atij viti, për ndërprerjen e luftimeve,do ta vrisnin snajperët serb të vendosur enkas përlikuidimin e tij nga soldateska serbe, pabesisht dhe në mënyrë tinëzare në një pritë të organizuar në fshatin Tërnoc të komunës së Bujanocit.

     Kurse,siç patëm rastin ti shihnim edhe tani,pa drojë as shqetësim,pa asnjë zhurmë apo trazime sado simbolike, ngadalë dhe krejt për qejfi, plotësisht të qetë dhe sikur të vepronin sipas ndonjë marrëveshje të arritur(ndoshta “konspirative”),në Agimin e freskët të 20 Janarit 2013,i cili përgatitej të zbardhonte mëngjesin e asaj dite të zymtë për shqiptarët,xhandarët serb nxinë edhe një herë “Sheshin e Dëshmorëve” në Preshevë, duke hequr Përmendoren e ngritur në nderim të të rënëve të UÇPMB-së, në mesin e të cilëve figuronte edhe emri i nderuar i komandant Lleshit-Ridvan Qazimit.

Ndaj,akti i fundit që bëri Serbia, ishte edhe një vrasje sërishmi e 27 dëshmorëve si dhe sprovë tejet provokuese e mbytjes me dhunë të kujtimit kombëtar, luftarak e familjar ndaj të rënëve të luftës së Kosovës Lindore, për liri dhe të drejta të shqiptarëve atje.

 Heqja e përmendores, nuk ishte thjeshtë vetëm zhvendosja me forcë e një Pllake përkujtimore të rënësh për liri por edhe një porosi e rrezikshme dhe paralajmërim trishtues për zhbërjen e pjesëtarëve të kombit tonë në tërësi, nga trojet e tyre stërgjyshore të mbetura nën Serbi.

Serbia dhe institucionet e saj, asnjëherë nuk i deshën as respektuan liritë dhe të drejtat e shqiptarëve,ndaj ky akt vandal nuk atakoi vetëm banorët e këtyre trojeve tona etnike, por të gjithë pjesëtarët e kombit tonë kudo.

 Madje,përkundër një diskriminimi të tillë të pa parë askund tjetër,kryeministri aktual serb-Daçiq, si moto veprimi politik ka përzgjedhur ti fyej kolektivisht shqiptarët me përbuzje kombëtare dhe sulme shoviniste kundër tyre,duke mos hezituar që ata ti quaj edhe Al-Kaidë e terrorist…

 

 

Bile, për të qenë çudia edhe më e madhe , jo vetëm ai (Daçiq), por edhe Bashkësia Evropiane-(BE), tërheqin vërejtjen se Shteti i Kosovës nuk guxon të interesohet për shqiptarët e pjesëve të saj të mbetur nën Serbi,me arsyetimin e paturp, se gjoja problemet e shqiptarëve të Kosovës Lindore,na qenkan fund e krye vetëm punë e brendshme e shtetit serb,kurse interesimet e Serbisë për serbët e Kosovës në veri,përkundër akteve të tyre kriminale, barrikadave,pengimit të shtrirjes së ligjshmërisë dhe bllokimeve të gjithfarllojëshme në atë pjesë të shtetit tonë,konsiderohen të ligjshme,dhe vazhdimisht kërkohen lëshime të reja e të pa fund deri në autonomi substanciale për ta në Veri.Por, pa marrë parasysh se çfarë thonë dhe mendojnë të tjerët, pjesëtarët e kombit tonë në Kosovën lindore si të gjithë shqiptarët kudo- për ne janë Një! Ata për jetë të jetëve do të mbeten shqiptar dhe pjesë e gjakut tonë që nuk falet.

 Ndaj,pas akteve të fundit vandale serbe në Preshevë,me çdo kusht duhet të shtrohet në tavolinën e bisedimeve për zgjidhje të përhershme dhe njëherë e mirë problemi i tyre, jo duke u lutur dhe rënë në gjunjë para pushtuesve, por duke e kushtëzuar Serbinë me reciprocitet dhe kushte e të drejta të barabarta për shqiptarët në Kosovën Lindore, njëjtë si ato që ajo dhe BE, pretendon për serbët në veri të vendit tonë.

 Përndryshe është e ditur botërisht se siguri të plotë për pjesëtarët e popullit tonë në tokat e mbetura jashtë kufijve të shtetit kombëtar nuk ka dhe kjo as nuk mund të arrihet as garantohet, pa bashkimin e përhershëm të të gjitha trojeve tona në një shtet të vetëm kombëtar.

 Ndaj është koha që përfaqësuesit e popullit tonë, akademitë tona, organizata, intelektual dhe diplomat,përfundimisht t`ua bëjnë me dije BE-së dhe OKB-së, se ose duhet të vlejnë të drejta të njëjta dhe të barabarta për të gjithë,përfshi edhe bashkëkombësit tanë nën sundimin e shteteve fqinje ose duhet të realizohet sa më parë që të jetë i mundur-bashkimi kombëtar edhe për shqiptarët,në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të ketë qetësi dhe stabilitet edhe në Ballkan.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bashkimi Kombetar, Gani Qarri, opinion

Letërsia jonë – vlerësim apo manipulim?!

January 18, 2013 by dgreca

Shkruan: Gani Qarri-Cyrih/

Roli i poetëve dhe shkrimtarëve të një vendi, në çdo kohë është parë dhe vlerësuar si udhërrëfyes shpirtëror dhe pasqyrë e zhvillimit kulturor të popullit që i takon.
Në vendet e përparuara të botës edhe sot është kështu. Megjithatë, atje ndahen më pak “mirënjohje”, por krijohet më shumë letërsi konkurruese, art dhe kulturë e mirëfilltë civilizuese me zhvillim të shëndoshë dhe të pambuluar nga perde të dyshimta “dekorimesh” të pa çarta përfitimi, që mund të dëmtojnë vlerat krijuese me të cilat ata dhe pasardhësit e tyre krenohen.
Për fat të keq, tek ne ndodhë e kundërta dhe është krejt ndryshe, sa që sot bota shqiptare është marr mëndësh nga numri ekstrem i mirënjohjeve dhe dekoratave të lëshuara në mënyrë private për shokë, miq, e dashamirë, pa vlerësim ekspertësh të autorizuar profesionistë dhe kritere të përcaktuara kombëtare apo shtetërore nga lëmi i artit, kulturës dhe letërsisë.
Ndaj, me të drejtë është krijuar bindja, madje për fat të keq është rrënjosur edhe një përshtypje fataliste, jo vetëm tek të huajt, se kjo sëmundje e pa zakontë mbetet veçanti vetëm e shqiptarëve, e cila edhe në këtë shekull zhvillimi fle e pa shëruar në shpirtin e tyre, duke dëmtuar rëndë letërsinë, kulturën dhe perceptimin tonë si popull në sytë e të huajve.
Prodhuesit “industrial” të vlerësimeve manipuluese, duhet ta dinë se edhe shqiptarët, pa marrë parasysh shkallën e ngritjes dhe zhvillimit të tyre intelektual e kulturor, jetojnë në shekullin XXI. Ndaj, është koha e fundit që edhe ata t’i shohin dhe kuptojnë rrjedhat e ndryshimeve që përjeton bota bashkëkohore të cilat nuk durojnë më aventura të tilla.
Në të kundërtën, marifetçinjtë e tillë, do t’u nxjerrin telashe të mëdha gjeneratave të ardhshme dhe shumë punë komisioneve profesioniste letrare, që një ditë duhet medoemos të formohen, ndoshta enkas për “zhvlerësimin” e shkrimeve dhe veprave tallava, të shpërblyera ad-hoc, sipas “parimit” të njohjes, pagesës me para, apo simpative personale e grupore.
Mirënjohjet jo legjitime, private dhe të pa mbështetura në kritere të përcaktuara nga komisione të autorizuara zyrtare, duhet të vihen nën llupën cilësisë dhe peshoren e vërtetësisë së meritës për kualifikime shpërblyese.
Madje edhe qëndrimet e vjetra mendore dhe rajonaliste që ende mbajnë të ndarë shqiptarët, është koha të zëvendësohen me sjellje afruese bashkëkohore dhe veprime korrekte e shkencore gjithëkombëtare, duke formuar një komision të përbashkët profesionistësh nga gjeografia shqiptare për vlerësime të mirëfillta letrare, të cilat do duhej si edhe te popujt e tjerë, të bëheshin pasqyrë e zhvillimit intelektual dhe kulturor të popullit shqiptar në përgjithësi.
Madje, përveç caktimit të kritereve vlerësuese, tek populli ynë ka nevojë të ngrihet edhe vetëdija letrare për kuptimin real dhe vlerësimin meritor të shkrimeve dhe teksteve, sepse kultura as letërsia kombëtare nuk ndihmohet me ndarje të paautorizuara mirënjohjesh.
Ky kriter i pa shkruar dhe jo ligjor është dhe mbetet hile e pa ndrequr, apo veprim (do ta quaja) “ilegal” vetëm i shqiptarëve në Evropë me të cilin heshtet e vërteta, mbeten nën hije veprat e merituara dhe zhvlerësohet jo pak letërsia jonë e mirëfilltë kombëtare, sidomos kur bëhen pazare apo edhe shiten dekorime për shokë, miq, dashamirë, baxhanakë, farefis e të njohur të tjerë sipas marrëveshjeve korruptive, ëndjes dhe interesit.
Ndaj, lind pyetja: cili popull për shkrime shterp dhe pa asnjë shije artistike, pa inspirim shpirtëror, porosi të kuptueshme dhe përmbajtje domethënëse, do ta lejonte edhe në ditët e sotme një dukuri të tillë negative për emrin dhe kulturën e tij?!
“Gjurulldia” e mirënjohjeve pa kritere dhe veprimet gjysmë ilegale të “dekorimit” për njerëz dhe grupe të pa autorizuara duhet të përfundojnë, kurse rolin vendimtar të “notimit” për veprat e botuara duhet ta marrë kritika e mirëfilltë profesioniste letrare me njerëz të specializuar të pajisur me autorizim zyrtar nga kombi dhe shteti për vendosjen e rregullave të vlerësimit real të cilat duhet të jenë të drejta dhe të barabarta për të gjithë.
Kritiku i nderuar, Kristë Maloku, i cilësuar si model i pastër i kritikut letrar, kritikën e shihte si qëllim orientimi në “rrugën e drejtë kah e mbara, kah nderi e kah e vërteta”, ndaj edhe do të shprehej se “çdo kritikë letrare me vleftë, ka tendenca edukative”.
Kurse, Faik Konica, në kohën e tij kritikën letrare do ta quante gjykim të vlerës së librave, ndaj ai me këmbëngulje do të kërkonte nga autorët shqiptarë shkrime me vlerë, që ato të mund të mateshin me vlerat e kulturave tjera universale…
Por sot, në cilën “peshore” maten vlerat kaq të “rritura” të letërsisë shqiptare, e cila me gjithë përjashtimet e vogla, të ndonjë figure të rrallë kombëtare, nuk ka depërtim të theksuar dhe as njohje e vlerësim të lartë në letërsinë botërore, derisa ndahen më shumë se në çdo vend tjetër evropian shpërblime, dekorata e mirënjohje për arritje të “mëdha” në prozë dhe poezi?!
Sa vlejnë pikat e tilla “referuese” dhe kjo shkallë zenitore vlerësimi, kur çdo gjë e ka mbuluar paraja, korrupsioni dhe interesi personal e grupor?!
Ndaj, nëse për momentin nuk mund ti gjendet fija këtij lëmshi të krijuar kulturor, a nuk do të ishte e udhës që të organizohej një debat i hapur publik rreth kësaj teme, ku do t’i shprehnin mendimet e tyre secili dhe paraqisnin pikëpamjet e veta të gjithë pa dallim, në mënyrë që të arrihet një vendim zyrtar dhe një herë e përgjithmonë të përfundoj kjo llugë e dyshimtë vlerësimi dhe praktikë e pandershme veprimi e cila nxjerrë jashtë konkurrence letërsinë shqiptare dhe denigron rëndë kulturën tonë kombëtare në tërësi. 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gani Qarri, Letersia shqipe, vleresim apo amnipulim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT