• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Korrigjimi i gabimit me gabim

December 16, 2015 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja/New York/

Në një shikim të parë, falja publike që Edi Rama kërkoi nëpërmjet një esse-je të publikuar në mediat e vendit lidhur me dekorimin e një ish-hetuesi, i cili dikur kishte torturuar dhe figura të njohura si i ndjeri At Zef Pllumbi dhe Prof. Sami Repishti është për t’u vlerësuar. Të paktën pasi tregon që kryeministri është në gjendje të reflektojë ndaj akteve e veprimeve të gabuara të qeverisë së tij. Këtë e përforcon edhe vendimi i pak javëve më parë duke ndryshuar me 180 gradë qëndrimin e tij përsa i përket taksimit të biznesit të vogël, duke i hequr apo ulur ndjeshëm taksat në kohën kur kjo katëgori biznesi dhe të vetëpunësuarit kishin filluar të mbyllnin bizneset apo të burgoseshin për mospagim detyrimesh ose për moslëshim kuponi tatimor. Tani, duke i u kthyer faljes së kërkuar nga kryeministri , pasi ta kesh lexuar deri në fund esse-në e tij, nuk është aspak e vështirë të arrish në përfundimin se kemi të bëjmë thjesht me demagogji. “Falja” e kërkuar nga Edi Rama më shumë është një përpjekje për “të larë duart” nga një gabim i rëndë i administratës së tij “rastësor” apo “i qëllimshëm”. Nuk ka si shpjegohet ndryshe një kërkesë për falje pa reflektuar me veprime konkrete të cilat do të vinin gjërat në vendin e duhur. Së pari, në kohën që mediat publkonin esse-në e tij ai duhej të kishte vënë në lëvizje strukturën përkatëse për të rishikuar listën e të dekoruarve duke qëmtuar emrat e “mëkatarëve” të kohës së diktaturës për t’u a hequr më pas dekoratën e dhënë nga Ministria e Mbrojtjes duke anulluar vendimin e gabuar. Të paktën kështu viktimat dhe të afërmit e viktimave të të përfolurit Shyqyri Çoku, në rastin e bërë publik, do të ndjeheshin disi më të lehtësuar. Gjithashtu, kreu i qeverisë duhet të jetë i ndërgjegjshëm se në listën e të dekoruarve nga ministrja e tij e mbrojtjes ka dhe shumë “Çokër” të tjerë. Nga lista e të dekoruarve e bërë publike disa javë më parë, gjë që u bë shkas për ndezjen e debatit, nga njohuritë që kam mund të them se mbi 20 të dekoruar kanë qene pjesë e aparatit represiv të kohës së diktaturës si hetues, prokurorë apo funksionarë të sigurimit famëkeq të shtetit. Së dyti, dhe që është më e rëndësishmja, kryeministri duhej të kishte vënë para përgjegjësisë të gjithë ata zyrtarë të tij duke filluar nga ministrja, të cilët përpiluan listën e dekorimeve dhe e firmosën atë. Logjikisht, për deri sa kryeministri ndjehet i detyruar të kërkojë publikisht falje, do të thotë se ai ose dikush prej ekipit që ai drejton ka bërë faj dhe për këtë duhet të përgjigjet administrativisht deri dhe në shkarkim nga detyra apo duke u dorëhequr. Personalisht këto dekorime nuk i shikoj të shkëputur nga rishfaqja e portreteve e fotove të diktatorit komunist nëpër ceremoni festive zyrtare, nga ceremonitë përkujtimoire të ngjarjeve që instaluan diktaturën komuniste në Shqipëri, siç ishte i ashtuquajturi “kongres” i Përmetit”, shallet e kuq e nderimet me grusht nga zyrtarë e figura të PS-së etj. Të marra së bashku, mendja ta do se nuk janë gjë tjetër veçse teste të radhës për të arritur tek reahabilitimi I diktatorit dhe periudhës së tij. Le të marrim rastin e dekorimeve. Duke pasur parasysh se lufta ka mbi 70 vjet që ka mbaruar dhe moshën e të dekoruarve i bie që gjatë luftës këta të kenë qenë nga 10 deri 15 vjeç, athere për ç’kontribut mund të bëhet fjalë? Ndoshta ministrja e mbrojtjes vlerëson si kontribut ngjitjen e trakteve të partisë komuniste nëpër mure dhe shpërndarjen e tyre?!.. Më e besueshme është që dekoratat u janë dhënë për kontributin e tyre në shërbim të diktaturës. Së treti, Rama, në vend që të kërkojë llogari në ekipin e tij, zgjedh rrugën më të lehtë duke fajësuar Sali Berishën, gjithmonë në bazë të parimit “fajin e ka Saliu”, slogan, i cili jo vetëm e ka humbur efektin por ndikon negativisht, pasi kushdo përdorimin e këtij slogani të stërkonsumuar e shikon si mjet për të justifikuar mosrealizimet apo mëkate të tjera të qeverisjes. Edi Rama mundohet të shesë gafën e dekorimit si pasojë e një ligji të dekretuar në vitin 1994 nga Sali Berisha, athere presaident. Por, para se të servirte këtë version, ai duhej të kishte gati dhe arsyetimin për të shpjeguar se përse vetë Berisha gjatë viteve që ka qenë në pushtet nuk ndërmori aventurën për të dekoruar e nderuar të paktën një të vetëm nga xhelatët e hetuesisë e të burgjeve. Po kështu ai duhej të ishte në gjendje të sqaronte se për ç’arsye PS nuk shprehu ndonjë objeksion ndaj dekretit të Berishës. Në të vërtetë, po të bëjmë një retrospektivë të këtyre 25 viteve rezulton se socialistët, në cilësinë e trashëgimtarëve të PPSH-së kanë qenë shumë më të interesuar dhe kanë bërë demarshe për të nderuar individë dhe akte të kohës së diktaturës. E kundërta po, ka ndodhur. Në vitin 1995 pra vetëm një vit më pas , parlamenti me shumicë demokrate votoi dhe ligjin për genocid, në bazë të të cilit dënoheshin të gjithë të akuzuarit për persekutim e shkelje të të drejtave të njeriut gjatë sundimit komunist. Ishin pikërisht socialistët që e kundërshtuan këtë ligj, megjithse nuk qenë në gjendje të pengonin arrestimin dhe dënimin e disa ish kudrove të lartë të MPB së e hetuesisë së kohës së diktaturës. A është vallë në gjendje Rama të shpjegojë se si është e mundur që nga njëra anë Berisha paska qenë I interesuar të nderojë hetuesit dhe xhelatët e tjerë të birucave dhe nga ana tjetër të mbështesë një ligj i cili në vend të dekoratës u rezervonte prangat? Në vend që kapet pas një dekreti të 21 viteve më parë për të akuzuar Berishën si shkaktar të dekorimeve skandaloze do të bënte mirë të merrte masa për ata që e futën në një telash të tillë duke filluar nga ministrja e tij e mbrojtjes, e cila me t’u bërë publike funksionet dhe bëmat e një pjese të të dekoruarve duhej të kishte dhënë dorëheqjen. Nga ana tjetër kjo do ta shkarkonte vetë kryeministrin dhe nga akuzat për praninë e portreteve të diktatorit në ceremoni festive zyrtare, dhe aktë të tejra ku shprehet nostalgjia për Hoxhën e regjimin e tij, gjë që pas aferës së dekorimeve s’besoj që të jetë një tekë e disa pleqve fanatikë me të cilët sipas Ramës nuk i a vlen të merresh.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Gavrosh Levonja, Korrigjimi i gabimit, me gabim

Kur për një pikë humbet një fuci…

November 20, 2015 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja/New York/
 Hapat e ndërmarrë nga qeveria në sektorët e ekonomisë dhe financave evidentojnë një gjendje paniku që e ka pllakosur atë  nga gjendja e arkës së boshatisur të shtetit dhe paaftësisë për të gjëtur rrugët optimale për të mbushur sa më shumë të jetë e mundur këtë boshllëk. Nuk ka si shpjegohet ndryshe “dora e hekurt” në drejtim të mbledhjes së detyrimeve ndaj shtetit pasuar brenda pak javësh nga lehtësirat drastike për biznesin e vogël duke filluar me taksën “zero” të bëra publike nëpërmjet gojës së kryeministrit dora vetë. Paniku në fjalë shfaqet gjithashtu edhe në projektbuxhetin e vitit 2016. Së pari projeëktbuxheti I vitit 2016, tregon se nuk është fryt i një studimi vizionar, të lidhur me të ardhmen e vendit, por tregon se qëllimi kryesor i shtetit është të mbledhë sa më shumë kacidhe nga qytetarët, në radhë të parë bizneset një pjesë e mirë e të cilëve po përjetojnë një atmosferë gjithnjë e më shumë asfiksuese  Së dyti, duke i hedhur një sy projektbuxhetit të vitit 2016, arrin në përfundimin se objektivat e qeverisë në rrafshin ekonomiko financiar do të mbeten larg realizimit, ndërkohë që as mund të bëhet më fjalë për premtimet elektorale të para zgjedhjeve të vitit 2013 të cilat sollën në pushtet Ramën dhe ekipin e tij.  Sipas informacioneve lidhur me këtë buxhet, parashikohet shkurtimi i mbi 7000 vendeve pune në administratën qëndrore që do të thotë një rritje e mëtejshme e papunësisë në shkallën 10-20 %. Pa u shtrirë në efekte të tjere, kjo do të thotë shtesë të fondeve për të papunët apo për përkrahjen sociale; pra një pjesë e paravë që do të kursejë shteti me shkurtimet në administratë do të shkojë për të përballuar rritjen e shpenzimeve për ata që do të kalojnë në frontin e të papunëve.  Në bazë të të dhënave të publikuara mësohet se sëpata e shkurtimeve do të bjerë më rëndë në sektorin e arsimit ku “viktimat” e radhës do të jenë mësuesit edhe pse pjesa më e madhe e tyre me fillimin e këtij viti shkollot i u nënshtrua testimeve për të ruajtur apo fituar vendin e punës. Gjithashtu, shkurtimeve nuk u ka shpëtuar dhe policia, në një kohë që lufta kundër kriminalitetit kërkon një aktivitet energjik e të vazhdueshëm.  Eshtë interesant të dihet se cilat janë arsyet që kanë qeverinë për të kursyer në rend e arsim. Ndoshta, si pasojë e pakësimit atë  fondeve për sektorët në fjalë. Duke u kthyer tek objektivat e qeverisë, tashmë, kushdo,  me një minimum logjike, normalisht do të drejtonte pyetjen: “More zotëri, ju nuk nxorrët gjë në dritë me këtë numër punonjësish, athere, si do i a dilni mbanë me më pak njerëz?” E keqja është se ndërsa parashikohet shkurtim në masë i përsonelit, në buxhet nuk thuhet asnjë fjalë përsa i përket investimeve për modernizim, falë të cilit mund të zevendësohej puna e atyre mijërave që do të ikin nga puna.  Në kushte të tillë edhe  ata që do të mund t’u shpëtojnë shkurtimeve natyrisht, do të kenë një ngarkesë më të madhe dhe kushte më të vështira. A, punë tjetër  nëse në projektet e qeverisë mund të jetë parashikuar në heshtje një rritje e numrit të shtetasve të cilët do të preferojnë eksodin si mënyrën e vetme për të mbijetuar  me vështirësimin e mëtejshëm të kushteve të jetesës në Shqipëri.  Mirëpo, ata që kanë planifikuar të mbushin arkën e shtetit duke kursyer nëpërmjet shkurtimeve të punonjësve nuk kanë menduar  anën tjetër të medaljes, konsumin i cili është një nga motorët e nxitjes së zhvillimit të ekonomisë. Më pak të punësuar do të thotë rënie të të ardhurave, rrjedhimisht, më pak konsum. Dhe rënia e konsumit sjell rënie të prodhimit vendas si dhe të kërkesës për mallra nga jashtë.  Kjo pasohet dhe me mbylljen e bizneseve të tjerë, duke u kthyer në një spirale me shtimin e mëtejshëm të numrit të të papunëve, rënien konsumit dhe, në fund të fundit , do të kemi më pak të ardhura nga doganat dhe nga tatimet që përbejnë burimin kryesor të të ardhurave të shtetit në Shqipëri
Një paradoks tjetër është dhe akciza e birrës. Eshtë vendosur që të rritet akciza e birrave që prodhohen në vend ndërkohë që do të ulet akciza për birrat e importit. Kjo nuk është gjë tjetër vecse penalizim i prodhuesve vendas të birrës, të cilët krahas rritjes së vazhdueshme të taksave, tani e tutje duhet të përballojnë dhe rritjen e akcizes. Logjikisht, kjo do të sjellë dominimin e tregut nga birrat e importit dhe në një tkurrje të mëtejshme të prodhimit vendas. Në gjendjen, në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare, mënyra më e mirë për të dalë prej saj është lehtësimi sa më shumë të jetë e mundur i barrës fiskale të bizneseve prodhues, një prej të cilëve është dhe ai i prodhimit të birrës. Më pak detyrime do të thotë cmime më të ulta, më shumë konsum, rritja e të cilit imponon një rritje të prodhimit, pra më shumë punonjës, më shumë të ardhura nga taksat për shtetin, ose më shumë kapital i lirë për t’u aktivizuar në investime në biznesin përkatës duke e bërë atë sa më konkurues në treg. Përpjekja e ministrit të financave për të argumentuar rritjen e akcizës për birrën vendase me “uljen e tendences per manipulim” dukej qartë si dicka e thënë nga halli duke e vene ministrin në një pozitë qesharake. Nga ana tjetër, ministtri nuk merrka aspak parasysh faktin që duke u rrekur të minimizojë aktivitetin e manipulatorëve ai godet pjesën e shëndoshë të biznesit, e cila sigurisht përbën shumicën.
Zyrtarët shqiptarë ka kohë që bëjnë zhurmë për zhvillimin e turizmit si një nga degët kryesorë e me përpspektivë të ekonomisë. Në këtë aspekt janë premtuar lehtësira e favorizime nga më të ndryshmet për industrinë e turizmit. Një ndër lehtësirat e premtuara ka qenë dhe ulja e TVSH-së e cila aktualisht është 20%. Ky është një hap normal pasi më e pakta do të ndikonte në uljen e cmimit duke bërë që të paksohej numri I shqiptarëve të cilët preferojnë vendet e huaja duke i hequr ekonomisë shqiptare një fetë jo të vogël të ardhurash. Por, për fat të keq, në projektbuxhetin e vitit 2016 nuk parashikohej asnjë ulje e TVSH-së për turizmin. Pra, të paktën edhe gjatë vitit të ardhshëm, operatorët turistikë në Shqipëri, do të jenë të shtrënguar “të hanë veten me dhëmbë” si gjithmonë.
Si përfundim përpjekjet e qeverisë shqiptare për rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit janë të justifikueshme duke pasur parasysh nevojat e shtetit si për investime në infrastrukturë e gjetkë asntu dhe ne rritjen e fondeve për sektorë si arsimi, shëndetsia apo shtresat në nevojë dhe atë pjesë të popullsisë me të ardhura minimale, por mënyrat dhe rrugët  në arritjen e saj nuk janë më optimalet, për të mos shkuar tek efektet negative që kanë mbi bizneset. Lidhur me ndryshimin e qëndrimit në taksimin e biznesit të vogël, duke e liruar ndjeshëm nga taksat, nuk është ende e qartë nëse ky është një ndryshim në mentalitet apo thjesht një lëvizje taktike me synime elektorale.

Filed Under: Featured Tagged With: Gavrosh Levonja, humbet një fuci…, Kur për një pikë

Përtej evazionit dhe korrupsionit

August 17, 2015 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja/New York/
Ditët e fundit, një nga lajmet kryesore në mediat shqiptare, lidhet me mosrealizimet në shifra shqetësuese në mbledhjen e të ardhurave nga taksat në tatime e dogana. Ndërkohë, informacionet e publikuara në media konfirmohen jo vetëm nga institucione financiare, po dhe nga vetë struktura shtetërore, në radhë të parë Ministria e Financave si dhe drejtoritë përkatëse të tatimeve e doganave. Shqetësimi i shkaktuar në qeveri nga ky realitet i pakëndshëm pasqyrohet qartësisht në paralajmërimet e kryeministrit Rama për një fushatë energjike e të rreptë kundër evazionit fiskal, shoqëruar dhe me ndëshkime drastike deri në burg për evazorët dhe shkelësit e ligjeve dhe rregullave përsa i përket detyrimeve financiare. Alarmi i shkaktuar në qeveri lidhur megjendjen e mjeruar të arkës së shtetit, bëhet edhe më i prekshëm po të analizohet dhe rishikimi I buxhetit pas publikimit të shifrave të gjysmës së parë të vitit për të ardhurat në tatimë e dogana, pa përmendur dhe ndonjë projekt të Ministrisë së Financave për taksimin e pagave të ulta, i cili mbeti në tentativë sigurisht nga frika e pakënaqësisë dhe pasojave që do të shkaktonte. Duke filluar nga kryeministri e deri tek zyrtarët e tjerë të sektorit financiar përmendin si shkak vetëm evazionin dhe korrupsionit falë të cilit bëhet i mundur ky evazion. Jo më kot dhe fushata e paralajmëruar nga Rama e parashikuar të fillojë në shtator do të jetë e orientuar vetëm kundër evazionit dhe korrupsionit në tatime e dogana. Por, vënia e gishtit vetëm mbi evazionin fiskal dhe korrupsionin është gabim dhe vështirë se mund të pritet ndonjë kthesë rrënjësore në aspektin pozitiv përsa i përket rritjes së të ardhurave nga doganat e tatimet. Korrupsioni dhe evazioni nuk janë dukuri që u shfaqën në gjysmën e parë të këtij viti po kanë shoqëruar jo vetëm financat dhe ekonominë po të gjithë sektorët e jetës në Shqipëri gjatë gjthë këtyre 25 viteve nga momenti i ndryshimit të sistemit e megjithatë asnjë qeveri, ndonëse e kanë ngritur si problem duke marrë dhe masa për ta minimizuar, nuk e kanë paraqitur asnjëherë si shkakun kryesor të mosrealizimit të të ardhurave. Mosrealizimi i të ardhuravë më shumë se tek evazioni fiskal e korrupsioni duhet kërkuar tek politikat ekonomike e financiare të qeverisë. Logjikisht, nuk mund te justifikohen me evazion e korrupsion gropa me mbi 10% nga mbledhja e taksave. Qeveria e dalë nga zgjedhjet e dy viteve më parë gjëja e parë që bëri rriti taksat për bizneset me shpresën se do të rriste fluksin e të ardhurave në arkën e shtetit gjë që do t’I mundësonte kthimin në realitet të premtimeve elektorale më karakter social si mjekësia falas rritja efondeve për shtresat në nevojë etj, me të cilat erdhi në pushtet. Mirëpo teoricienët dhe strategët financiarë të Ramës nuk kishin marrë fare në konsideratë shkallën e zhvillimit të pjesës dërmuese të biznesve në Shqipëri në aspektin e asaj që sa do të ishin në gjendje të përballonin këtë rritje taksash. Cdo rritje taksash, nisur nga “tahmaja” për të mbushur arkën e shtetit duke i marrë frymën biznesit bën efekt të kundërt. Kështu rritja e taksave bëri që një pjesë biznesesh të pushonin aktivitetin, një pjesë tjetër të gjenin tek fshehja e të ardhurave e “marifete” të tjera mënyrën e vetme për të mbijetuar në kohen që nuk mungoi dhe largimi nga Shqipëria i ndonjë kompanie të huaj në ndonjë vend tjetër me taksa më të ulta apo lehtësira të tjera. Prandaj, do të kishte qenë më e udhës që qeveria para se të paralajmëronte kryqëzatën “antievazion” t’i hidhte një sy listës së biznesve që vazhdojnë të jenë aktive në vend, sa është numri i tyre si dhe përmasat e aktivitetit që zhvillojnë duke i krahasuar me një vit apo dy vjet më parë. Besoj se shifrat të cilat ilustrojne të dhënat në këtë aspekt nuk mund të jenë aq “rozë”. Gjithashtu lista në fjalë mund të pasurohet dhe me ato biznese që u shtrënguan të paguajnë detyrimet për energjinë elektrike, gjë që është normale dhe qeveria duhet përgëzuar për një hap të tillë, me të cilin synohej t’i jepej fund një absurditeti që kishte zgjatur mbi 20 vjet, por tek efekti mbi këto biznese, në listën e shpenzimeve të të cilëve energjia elektrike nuk llogaritej duke qenë se vidhej. Edhe kryqëzata kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, e cila gjithashtu duhet mbështetur, pati efektet e saj negative në ekonominë e vendit duke qenë se një pjesë jo e vogël e popullsisë në fshatra e kishte mjetin kryesor të jetesës. Konkretisht, edhe sot kronikat e lajmeve nga Shqipëria janë të mbushura me lajmë për asgjësime parcelash të mbjella me kanabis. Mirëpo falimentimi, mbyllja dhe reduktimi I aktivitetit të bizneseve sjellin shtim të listave të të papunëve dhe zvogëlim të sasisë së të ardhuravë që shkojnë në xhepat e qytetarëve, pra, në fund të fundit varfërim të popullsisë. Pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj është ulja e masës së konsumit, kërkesa për mallra konsumi bëhet më e vogël gjë që, nga ana e saj con në një tkurrje të mëtejshme të bizneseve, pra më pak të ardhura në arkën e shtetit nga tatimet. Gjithashtuzvogëlimi i kërkesës në treg për mallra konsumi bën që nga jashtë të vijnë më pak mallra, gjë që përkthehet në ulje të ndjeshme të parave të mbledhura në dogana. Për këto arsye, jam pesimist përsa i përket shpresave për një efekt të ndjeshëm pozitiv të kryqëzatës “antievazion” që do të fillojë muajin e ardhshëm e paralajmëruar kjo nga vetë kryeministri Edi Rama. E sigurt është se fushata kundër evazionit e korrupsionit do të shtojë listën e bizneseve të falimentuara dhe pasojat e tjera të përmendura më sipër. Me këtë nuk është se jam kundër luftës ndaj informalitetit, por më parë Rama dhe stafi i tij duhej të rishikonin politikat fiskale duke bërë ndryshime adekuate përsa i përket barrës fiskale jo vetëm për bizneset por edhe për qytetarët mbi kurrizin e të cilëve rëndon gjithcka.

Filed Under: Analiza Tagged With: dhe korrupsionit, Gavrosh Levonja, Përtej evazionit

Shitblerja e votës, varfëria dhe premtimet e pambajtura

July 8, 2015 by dgreca

Zgjedhjet lokale shqiptare të 21 Qershorit, fenomeni i shitblerjes,parada e premtimeve, fituesit dhe humbësit,shqiptarët dhe ndërkombëtarët, gjithcka në vështrimin e analistit Gavrosh LEVONJA/
Nga Gavrosh Levonja-New York/
“Këto zgjedhje ishin më të mira se zgjedhjet e kaluara…” ishte refreni i radhës i ndërkombëtarëve, të cilin shqiptarët e dëgjojnë prej rreth njëzet vitesh pas përfundimit të zgjedhjeve. Mjafton ky refren, shoqëruar dhe me një analizë të përciptë të zgjedhjeve të mëparshme, për të konkluduar se edhe zgjedhjet vendore të para pak kohëve nuk u kanë shpëtuar problemeve të zakonshme. Kësaj radhe, ndonëse elementët që kishin të bënin me cënimin e normalitetit të tyre si abuzimet nëpërmjet strukturave shtetërore, apo atyre zgjedhore, duke “futur duart” nëpër kuti apo manipuluar numërimin, ishin në një shkallë dukshëm më të ulët, rezultati u ndikua kryesisht nga “shitblerja” e votës dhe roli i “të fortëve” në aspektin ekonomik, numri i të cilëve sa vjen e shtohet nga një palë zgjedhje në ato pasardhëse. Janë pikërisht këta që kanë dhe mundësitë të blejnë votat, jo vetëm për të siguruar mandatet e tyre, por edhe duke “kontribuar” në përgjithësi për forcën politike që i kandidon. E keqja nuk qëndron tek biznesmenët e rregullt, aktiviteti i të cilëve është publik me asete tashmë të verifikuara, por tek ata mbi të cilët rëndojnë hije të forta dyshimesh lidhur me të kaluarën e tyre, mbi të gjitha, përsa i përket aktivitetit nëpërmjet të cilit kanë vënë pasurinë e tyre ose si kanë mundur të jenë aq “popullorë” në zonat e tyre sa të rezultojnë si faktor vendimtar për të ndikuar në prirjet e zgjedhësve për të votuar. Kandidatë të kësaj kategorie ishin dhe objekt i fushatës në kuadër të të ashtuquajturit “dekriminalizim” për të cilin po flitej gjithnjë e më dendur gjatë këtyre muajve të fundit. Duke u ndalur tek “dekriminalizimi” për herë të parë, në një fushatë elektoarle u pa dhe një angazhim direkt i përfaqsuesve diplomatikë të akredituar në Tiranë, ku natyrisht vlen të përmendet thirrja dramatike e ambasadorit amerikan i cili duke i u drejtuar elektoratit shqiptarqë të mos votonte të inkriminuarit, u shpreh hapur se “ata nuk do të merreshin më zgjidhjen e problemeve të popullit, por do ta shfrytëzonin pushtetin për “Benzat” e tyre”. Sipas një logjike fare të thjeshtë, shitblerja e votave është e lidhur ngushtë me elementë të ardhur nga “malavita” ose më e pakta nga individë që kanë arritur objektivat e tyre duke përdorur forma, mjete të pandershme e ilegale dhe marrjen e një mandati nga zgjedhësit e shikojnë si një koracë që do t’i mbronte nga cdo e papritur. Gjithashtu, nuk ka si të mos të lindë pyetja që pse duhet të hyjë në politikë dikush që nuk e ka haberin nga politika, dikush që nuk ka as më të voglin kontribut në këtë fushë, përjashto lidhjen nëpërmjet ndonjë afere korrupsioni, ai që nuk njihet për ndonjë aftësi në aspektin administrues etj. Përgjithsisht një person që duke mos pasur asnjë cilësi apo arsye bindëse me të cilën të justifikojë hyrjen e tij në parlament apo për të qenë në krye të ndonjë njësie vendore. Prandaj, një embargo ndaj individëve me të kaluar të dyshimtë duke u mbyllur me mjete ligjore dyert e garave elektorale do të minimizonte disi dhe shitblerjen e votave. Kjo, natyrisht nuk mund të realizohet me avazin e akuzave shpesh të pafaktuara të krahut politik kundërshtar, as nëpërmjet “zbulimeve” të mediave, por vetëm nëpërmjet institucioneve përkatëse që merren me kontrollin e pasurive si dhe prokuroria. Konkretisht, në zgjedhjet e fundit, pavarësisht nga kërkesat për t’i penalizuar, me përjashtim të një rasti, ku PD hoqi nga lista dikë, kandidatët e përfolur për të kaluarën e tyre të dyshimtë, jo vetëm nuk u hoqën nga listat, por disa prej tyre edhe u votuan nga elektorati. Tani, përsa i përket atyre kandidatëve dhe forcave politike, të cilat justifikojnë humbjen e tyre me “shitblerje vote” apo nëpërmjet angazhimit të “të fortëve” nga ana e forcave fituese, nuk kanë asnjë të drejtë të akuzojnë elektoratin pse shet votën. Pjesa dërmuese e votuesve shqiptarë duke qenë se jetojnë në një varfëri ekstreme, janë të gatshëm të pranojnë cdo lloj lëmoshe pavarësisht në c’mënyrë dhe nga cili u jepet duke mos pasur nge të mendojnë gjatë përpos faktit që me paratë e votës do të mbyllin një apo disa vrima të vogla të buxhetit familjar. Në kushtet e mësipërme, kushdo që të ishte, do të preferonte “një dorë para” një herë në dy vjet në shkëmbim të votës se sa një të ardhme të begatë, por tejet të dyshimtë përsa i përket shndërrimit në realitet. Në këtë aspekt, mund të thuhet se shitblerja e votës është në radhë të parë rrjedhojë e paaftësisë së politikës shqiptare për të bërë një shtet në shërbim të qytetarit, një shtet me ekonomi normale, ku të zbatohen rregullat e lojës dhe ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Kështu, një votues, i cili, për një kohë të gjatë ka problem mbijetesën, ku të drejtat e tij shkelen sa nga “të fortët” sa nga institucionet shtetërore tashmë “të kapura”, duke mos parë asnjë lloj ndryshimi pozitiv, nga alternimet në pushtet, ka plotësisht të drejtë të mendojë sipas parimit “më mirë një sorrë sot se një pulë mot”. Se është më mirë ta shesë votën se sa ta hedhë në ndonjë kuti votimi, në favor të ndonjë partie, përfaqësuesit e së cilës nuk do ta shohin më me sy deri në zgjedhjet e ardhshme. I stërmësuar me premtimet e pambajtura gjatë njëzet e pesë viteve duke mbetur vetë gjithmonë “trokë”, shtoji kësaj dhe dyshimet se me votën e tij mund të bëjnë c’të duan, duke filluar nga numërimi, llogaritja e saj në favor të kundërshtarit apo cilësimi si “e pavlefshme”, shqiptari i thjeshtë nuk sheh alternativë më të mirë se shitja e votës. Prandaj, partitë dhe përfaqësuesit e tyre, para se të ankohën duke akuzuar kundërshtarin për “blerje” të votave duhet të hedhin një herë shikimin prapa; sa kanë realizuar nga premtimet e tyre gjatë fushatave elektorale kur kanë qenë në pushtet. Në rast se bëjnë një gjë të tillë, ma do mendja se pakkush nga radhët e politikës shqiptare do të ketë “sy e faqe”, e të drejtë morale të shkojë t’u kërkojë vota në të ardhmen atyre të cilët i ka mashtruar duke shkelur kontratën e bërë nëpërmjet premtimeve elektorale.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gavrosh Levonja, premtimet e pambajtura, Shitblerja e votës, varfëria dhe

Dera e mbyllur e BE nuk hapet me përralla nga lashtësia

May 15, 2015 by dgreca

Nga Gavrosh Levonja-New York/
Ishte emri i Edi Ramës nën titullin “Dora e Evropës, dora e zemrës” arsyeja e vetme që më nxiti kërshërinë për të lexuar përmbajtjen e asaj që ishte botuar nën titullin e mësipërm. Kjo pasi në aspektin letrar ato që shkruan apo thotë kryeministri i Shqipërisë më japin një kënaqësi të vecantë. Gjithcka e shoqëruar me figura letrare të gjetura, me fraza të bukura e intriguese, produkt i fantazisë dhe imagjinatës së një artisti. Rama, në mënyrë të padiskutueshme është i paarritshëm nga politikanët e tjerë shqiptarë, kur vjen puna për të ambalazhuar produktin e tij politik kur e paraqet në publik, madje dhe artistikisht, mund ta radhis ndër autorët më të pëlqyer të letërsisë së sotme shqiptare. Nuk u zhgënjeva; edhe pse nuk ishte një shkrim i mirëfilltë por që të përdishmet, e kishin botuar si të ishte shkruar enkas për to, edhe pse në të vërtetë ishtë vëtëm një fjalim përshëndetës në një ceremoni të organizuar me rastin e “Ditës së Evropës” mund të them se nuk i linte gjë mangut një ese-je. Natyrisht edhe tek të pranishmit, e kam fjalën kryesisht për ata të huaj, ndërsa dëgjonin Ramën atje, në Butrintin antik, nuk ka si të mos i kenë rritur kuotat e vlerësimnit për Ramën, si publicist apo si mjeshtër i fjalës. Nga ana tjetër duke gjykuar nga përmbajtja e atyre që u tha Rama të ftuarve, por edhe nga rrethana të tjera duke filluar nga ato që mund të cilësohen si butaforike, fut këtu dhe vetë përzgjedhjen e Butrintit si vend për zhvillimin e kremtimit të ditës së Evropës, të cojnë në përfundimin se kryeministri i Shqipërisë kishte planifikuar ta shfrytëzonte “Ditën e Evropës” për t’i u ankuar evropianëve të akredituar në Shqipëri për moshapjen e dyerve të BE. Kjo dukej qartë në atë pjesë të fjalimit të Ramës ku i mëshohëej asaj që në lashtësi, territori i Shqipërisë së sotme, kishte pasë qenë teatër ku janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme për kontinentin. Rama, si një mjeshtër i publicitetit, për ta bërë më të efektshme ankesën e tij për lëninen jashtë Evropës të popullit shqiptar, kishte përzgjedhur atmosferën dhe mjedisin antik të Butrintit si skenë ku përfaqsuesit e vendeve të BE të dëgjonin recitimin e esesë ankesë të tij. Mirëpo, dyert e Evropës nuk hapen me fakte historike apo faktorë të tjerë që mund të lidhen me historinë e këtij apo atij vendi dhe Edi Rama besoj se e di shume mirë një gjë të tillë. Me shoë-n e tij në Butrint, ai mund të ketë rritur kuotat për veten e tij tek të huajt, por ndikimi që këta të venë “dorën në zemër” për t’i hapur derën Shqipërisë pa dyshim ka qenë zero. Nuk dihet ndonjë rast që ndonjë vend të jetë pranuar në BE falë historisë së tij të lashtë apo të “lavdishme”. Duke i u kthyer paksa historisë Shuman, Adenauer e De Gasperi që vunë themelet e Bashkimit Evropian fillimisht e nisën si një organizatë me karakter ekonomik. Jo më kot emërtimi fillestar ishte “Tregu i Përbashkët Evropian”ndonëse anëtarë të tij ishin vetëm gjashtë vende; Gjermania Perëndimore, Franca Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Italia, në kohën që më shumë vende ishin grupuar në atë që quhej “Zona e Tregtisë së Lirë”. Shumë vonë, vetëm pas rritjes së numrit të antarëve, krahas institucioneve të tjerë me karakter kontinental si “parlamenti Evropian, Këshilli i Evropës, Tregu i Përbashkët Evropian do të kthehej në “Bashkim Evropian” duke u shndërruar në një organizëm politiko-ekonomik. Megjithatë , orientimi i aktivitetit tëi tij do të diktohej më së pari nga interesat ekonomike. Edhe kur filloi zgjerimi me shtete nga Evropa Lindore pas rënies së komunizmit vendet e para ishin Cekia, Polonia e Hungaria, të cilat kishin një ekonomi shumë më funksionale e të rregullt se Rumania apo Bullgaria. Si pasojë e krizës ekonomike që filloi nga fundi i dekadës së kaluar kërkesat me karakter ekonomik ndaj vëndeve që kërkojnë të bëhen pjesë e BE, janë forcuar së tepërmi, gjë që e bën edhe më të largët shpresën e këtyre të fundit. Vendet e BE tashmë, pas rastit të Greqisë, tregohen skrupulozë për të mos paguar faturat e Greqive të tjera që kërkojnë të hyjnë në familjen e tyre. Tani, duke u kthyer tek Shqipëria, politikanët shqiptarë vazhdimisht i mëshojnë faktit që “Shqipëria është pjesë e Evropës”, madje “kërthiza e Evropës” dhe jo periferia, sic u shpreh Rama në fjalimin e Butrintit. Por, duhet të kihet parasysh se nuk bëhet fjalë në aspektin gjeografik, por flitet për mënyrën si funksionon shteti, jetën politike, ekonominë etj, dhe këtu, shoqëria shqiptare është shumë më pranë vendeve të Azisë Qëndrore apo Afrikës së Veriut. Tashmë është bërë e qartë se celësi që mund të hapë derën e BE është i lidhur kryekëput me faktorë ekonomikë. Kjo duket dhe nga kushtet e vendosura për Shqipërinë. Lufta kundër korrupsionit, pavarësia dhe reforma në sistemin e drejtësisë, janë të lidhura ngushtë ekonominë. Kjo për faktin se si korrupsioni ashtu dhe një drejtësi jo funksionale shkatërrojnë rregullat e lojës në bazë të të cilave vepron tregu i lirë duke cënuar në radhë të parë konkurencën. Duke pasur parasysh realitetin shqiptar, jo Rama, por kushdo qoftë në pushtet e ka të vështirë t’u flasë të huajve për parametra, shifra, trende zhvillimi etj. Për më tepër, kur Brukseli e njeh gjendjen e Shqipërisë ndoshta më mirë se vetë politikanët shqiptarë. Ekonomia informale, papunësia , korrupsioni e krimi I organizuar që si emërues të përbashkët kanë rikthimin në përmasa të frikshme të synimit të shqiptarëve për të ikur në vende të tjera, janë në nivele të tilla, sa edhe të paktën pas një dekade tjetër Shqipëria besoj se do të jetë akoma duke trokitur në dyert e BE. Njësoj, edhe përpjekjet e autoriteteve për të penguar largimin e qytetarëve, tregojnë se qeveria e ndërgjegjshme senuk është në gjendje t’u sigurojë atyre një minimum jetese normale duke u ngjallur shpresën për një të ardhme më të mirë e gjen të udhës t’ u nxjerrë pengesa artificiale në pikat e kalimit kufitar apo duke u kërkuar vendeve të BE “të shkurtojnë procedurat” për të kthyer sa më shpejt azilkërkuesit shqiptarë. Vetëm, pasi të jetë ndalur në mënyrë të natyrshme ky eksod ekonomik zyrtarët shqiptarë mund të kenë të drejtën për t’u kërkuar evropianëve hapjën e dyerve të BE. Athere, edhe për Edi Ramën nuk do të lindë nevoja t’u lexojë të huajve esse a hartime që lidhen me lashtësinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dera e mbyllur e BE nuk hapet me, Gavrosh Levonja, nga lashtesia, Perralla

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT