Shkruan: Gavrosh Levonja/New York/
Pavarësisht nga fakti sa mund të jetë i justifikueshëm juridikisht vendimi për të vënë nën pranga deputetët Doshi e Frroku, pas hetimit të dosjes mbi “vrasjen” e pretenduar nga Tom Doshi, për të cilën deputeti pretendon te ketë prova se ideator i saj është kreu I parlamentit, Ilir Meta, shpejtësia me të cilën prokuroria operoi në këtë rast është për tu admiruar. Nga ana tjetër bazuar nga të dhënat e procëesit hetimor, të publikuara pothuajse në të gjitha mediat shqiptare, rezultonte qartë se “atentati” I pretenduar nga Doshi nuk qëndronte. Me të vërtetë, të gjithë personat e implikuar në telenovelën të cilës ndoshta mund t’I shkonte një titull fjala vjen “Atentati”, mohuan kategorikisht të kishin ndonjë lidhje me atentatin kundër deputetit të Shkodrës, madje, në deponimet e tyre ata deklaruan se e kishin marrë vesh implikimin e tyre në këtë aferë, vetëm nëpërmjet mediave, të cilat kishin publikuar edhe rolet e tyre në gjithë historinë e hedhur në tregun mediatik nga deputeti Doshi. Mirëpo, të mbyllësh një proces të tillë hetimor pa u thelluar më së pari në gjetjen e shkaqeve që e kanë shtyrë Doshin të prishë “martesën” me Ramën e Metën, duke i shantazhuar që para se të hidhte në treguna mediatik legjendën e “atentatit” apo pa ezauruar ndonjë pistë tjetër, si fjala vjen mundësinë që “telenovela” për vrasjen e tij të ketë qenë një kurth I përgatitur me qëllim diskreditimin e Tom Doshitj për t’u cliruar nga detyrimet që Rama e Meta mund të kenë pasur ndaj tij në shkëmbim të mbështetjes së pakufishme në betejën elektorale me Berishën e partinë e tij. Nga ana tjetër, dosja “Doshi” nuk mund të mbyllej duke u mjaftuar me lëshimin e një mandati arresti për deputetët Doshi e Frroku, pa hedhur dritë plotësisht mbi atentatet kundër të implikuarve Durim Bami e Fatjon Skënderi apo “Toni I kombinatit’ dhe lidhjet e hershme që mund të kenë pasur me ta protagonistët e kësaj cështjeje. Nëse do të dihej se kush ishin ideatorët e organizatorët e atentateve kundër këtyre të dyve si dhe arsyet pse duheshin “hequr qafe” apo ndofta dhe vëtëm për t’i paralajmëriuar a kërcënuar, ka shumë mundësi që hetimet të orientoheshin edhe në pista të tjera. Mundet që Tom Doshi, I sinjalizuar nga Mark Frroku, për t’I shpëtuar atentatit , mund të ketë gjetur si zgjidhje eliminimin e atyre që kishin marrë përsipër vrasjen e tij. Por një hipotezë e tillë bie për disa arsye. Së pari, deputeti I kërcënuar, nisur dhe nga fakti që nuk kishte pasur asnjë njohje me Bamin e Skënderin e jo më ndonjë motiv me karakter personal që këta të ishin të interesuar për ta vrarë, ishte tejet I ndërgjegjshëm se “lepuri” flinte diku tjetër. Pra, në këtë aspekt Doshi jo vetëm nuk ishte i interesuar për një gjë të tillë, por, në të kundërt, ishte i prirur të garantonte paprekshmërinë e tyre në mënyrë që të shkonte tek të interesuarit e vërtetë të eliminimit të tij. Blerja nga ana e Doshit të një veture të blinduar për Durim Bamin si dhe video e publikuar prej asgjësojnë plotësisht hipotezën e një implikimi të deputetit të Shkodrës në atentatet kundër tyre. Nuk përjashtohet dhe versioni sipas të cilit, njerëz të tretë, pa asnjë lidhje me politikën mund të kenë pasur hesape të pashlyera me ata të dy, por ama, do të ishte gabim I madh përjashtimi i mundësisë për një lidhje nga radhët e politikës me atentatet ndaj Bamit e Skënderit. Për më tepër kur, në hollësitë e publikuara mësohet se përsa I takon Fatjon Skënderi nuk mungonte ndonjë lidhje me botën e politikës.
Akuza kryesore mbi të cilën prokuroria kërkoi arrestimin e Doshit apo dhe Frrokut kishte të bëntë me inskenimin e atentatit kundër Doshit duke e konsideruar këtë si një mashtrim për të goditur figura të rëndësishme të politikës, konkretisht kreun e parlamentit. Por edhe për logjikën e një individi të rëndomtë një akuzë e tillë ndaj deputetit Doshi është disi e papërtypshme. Si ka mundësi që Doshi t’I hynte një aventure të tillë duke angazhuar individë me të cilët nuk kishte asnjë farë njohjeje, individë të cilët do ta “shisnin” që në momentin më të parë, ashtu sic edhe ndodhi? Njeriu, i cili kishte qenë në gjendje të dërgonte një ushtri votuesish drejt PS-së besoj se nuk do ta kishte aspak të vështirë të “peshkonte” nja tre katër individë, të cilët mund ta merrnin, madje dhe me dëshirë cfardo roli në një telenovelë të sajuar prej tij. Gjithsesi, nga mënyra si u zhvilluan ngjarjet, sidomos me vendimin e prokurorisë dhe ngutjen e parlamentit për të zhveshur Tom Doshin nga imuniteti, të krijojnë bindjen se individë ta caktuar nga politika, mund të kenë projektuar gjithë skenarin dhe për t’I a servirur Doshit, si një bllof për ta diskredituar e bërë qesharak duke mos kursyer as ndjekjen penale në rast nevoje. Në këtë kuadër Mark Frroku i shantazhuar nëpërmjet të vëllait të akuzuar për vrasjen e një ish komisari policie ka pranuar të bëhet pjesë e lojës duke I future në vesh Doshit, idenë e “vrasjes” së tij për ta njohur më pas dhe me Bamin, duke e lënë pastaj në baltë sapo cështja të hynte në ingranazhet e shtetit zyrtarisht. Shtoji këtyre dhe gatishmërinë e minsitrit të brendshëm për të takuar me Bamin me ndërmjetësinë e Doshit, moshetimin e Bamit që në fillim, për ta “ndaluar” në kufi sapo Tom Doshi plasi “bombën”. Nuk di sa përshtypje mund t’u ketë bërë hetuesve edhe ndryshimi “target-it” të telenovelës së tij duke kaluar nga Berisha tek Meta. Ndoshta, dikush mund të kishte qenë i interesuar për të goditur Berishën, por më vonë e ka gjykuar të udhës përdorimin e saj për “të shpëtuar” nga Meta. Ditët e fundit lexova një analizë të argumentuar në të gjitha aspektet të Prec Zogajt ku me një logjikë brilante rrëzohej jo vetëm vendimi por edhe mënyra e të hetuarit nga ana e prokurorisë. Vërejtja e vetme që kam lidhur me analizën e zotit Zogaj ka të bëjë me titullin. “Rënia e prokurorisë” them se nuk i përgjigjet realitetit; prokuroria në Shqipëri nuk ka qenë për asnjë moment në ndonjë farë lartësie që të bësh fjalë për rënie të saj. Prokuroria gjithmonë, gjatë gjithë këtyre 25 viteve nuk ka arritur asnjëherë të dalë jashtë kornizave të prokurorisë së kohës së komunizmit duke qenë vazhdimisht një instrument në shërbim të klaneve politike në qeveri a pushtete të tjerë.
Çfarë nuk i është dhënë Doshit?
Nga Gavrosh Levonja- New York/
Ndoshta mund të jem i gabuar, por kam mendimin që kreu I Parlamentit, Ilir Meta vështirë se mund të ketë kurdisur ndonjë plan për të vrarë deputetin e krahut të tij, Tom Doshi. Nëse deputeti, apo më saktë biznesmeni Doshi, do të përbënte ndonjë problem për kryeparlamentarin, ky i fundit ka në dorë një mijë mënyra e mjete për “t’i a nxirë jetën” atij duke filluar nga rrënimi i bizneseve e deri duke vënë strukturat shtetërore për të gërmuar në të kaluarën dhe lidhjet e Doshit për ta kryqëzuar këtë penalisht. Për më tepër deputeti që u dhuroi Shkodrën Ramës e Metës është i përfolur, të paktën nga kundërshtarët e tij për biznese e afera të dyshimta falë të cilave ka ngritur “perandorinë” e tij duk qenë ndoshta deputeti më i pasur i parlamentit shqiptar. Mirëpo zhvillimet që pasuan fill pas bërjes publike nga Tom Doshi të ekzistencës së një plani për ta ekzekutuar atë, plan në krye të të cilit qëndronte Ilir Meta dhe mënyra si po menaxhohet prej Metës dhe aleatëve të tij momenti i krijuar nga akuzat e deputetit shkodran, të krijon bindjen se në akuzat e këtij të fundit ka të paktën diçka të vërtetë.
E para ka të bëjë me mbajtjen fshehur për një periudhë gati gjashtëmujore të shqetësimeve të zotit Doshi lidhur me ekzistencën e një plani për ta ekzekutuar atë me anë të një vrasësi me pagesë. Përsa i përket kësaj, më së pari lind pyetja: “Për ç’arsye u la jashtë lojë prokuroria në këtë rast?” Në rastin më të mirë mund të mendohet se çifti “Rama-Meta” kanë preferuar të mos i hyjnë një beteje me Doshin qoftë për të mos rrënuar më tej imazhin e dëmtuar të pushtetit të tyre, por edhe pasi kanë akoma nevojë për kontributet e Doshit, aq më tepër duke pasur parasysh pretendimin për “të pushtuar” edhe bashkinë e qytetit I konsideruar deri dy vite më parë si “bastion antisocialist”. Gjithashtu, pas shpërthimit të “bombës” nga Tom Doshi dolën në dritë dhe episode të tjerë të cilët paskan ndodhur gjatë periudhës gjashtëmujore të mbajtjes hermetikisht sekret të gjithçkaje që lidhej me atentatin kundër Doshit. Kështu, një ditë të bukur ministri I policisë, Tahiri duke folur para gazetarëve deklaron se na paska takuar dy herë ekzekutorin e Doshit, të cilit I ishin premtuar 500 mijë euro a thua se po takonte një partner, apo agjent të tijin të infiltruar në grupet kriminale. Madje një herë e paska takuar duke qenë në shoqëri edhe të kreut të policisë së shtetit, ndonëse ky i fundit e ka mohuar një takim të tillë. Në një rast të tillë, duke pasur parasysh edhe faktin se “vrasësi i paguar” për eliminimin e Doshit ishte një individ me precedentë penalë dhe I kërkuar nga policia, vrasësi duhej të kishte dalë me pranga në duar pas takimit me ministrin. Të paktën nuk do të ishte lënë të ndalohej në kufi pas shpërthimit të skandalit, kur u duhej që të depononte kundër Doshit dhe videos së publikuar prej tij.Duke vazhduar me përiudhën në fjalë logjikisht hidhen hije të forta dyshimi ndaj motiveve të atentateve të bëra ndaj vrasësit dhe njeriut I cili sipas Doshit paska dërguar porosinë. Ndërsa tani të bën përshtypje ngutja dhe mobilizimi I gjthë strukturave përkatëse shtetërore për ta nxjerrë kreun e parlamentit “të larë”, në një kohë që opozita po bën presion duke i kërkuar dorëheqjen. Nga ana tjetër duke filluar nga kryeministri Rama, vihet re një përpjekje për trajtimin e akuzës së Tom Doshit si fantazi apo “telenovelë” siç shprehet vetë vetë ai. Ndërkohë, nga zyrtarë apo deputetë të cilët, ndërsa pranojnë se ka ekzistuar një plan për të vrarë Tom Doshin, pretendojnë se në krye të këtij plani ishte as më shumë e as më pak po ish-kryeministri, ish-kreu i PD-së, Sali Berisha, dora vetë. Mirëpo kjo ide që në krye është e pabesueshme, mjafton të merren në konsideratë raportet e Berishës dhe “alergjia” e tij ndaj Doshit, kundër të cilit ka formuluar akuza nga më të rëndat. Synimi për t’i a faturuar Berishës planin për të vrarë deputetin socialist është një autogol klasik. Nëse kjo do të kishte qenë e vërtetë, vështirë se Rama, Meta e Tahiri do ta kishin fshehur me fanatizëm për muaj të tërë. Në të kundërt, duke qenë se u kishte ardhur “zogu në dorë”, pa humbur kohë do i ishin drejtuar prokurorisë që pastaj policët e Didit ta dërgonin Berishën pas hekurave duke shpëtuar prej tij përfundimisht, në kohën që PD-së do t’I vihej një njollë e rëndë.
Sa për prokurorinë, mendoj se po humbet kohë duke marrë në pyetje, Ramën, Berishën, Monikën, dhe të tjerë për të konstatuar se ka ekzistuar realisht një plan për të vrarë Tom Doshin apo jo. Ndoshta do të kishte qenë më tepër e dobishme që hetimet të fillonin nga pyetja: “ Cilët janë shkaqet e prishjes së flirtit të Doshit me ata, për të cilët kontribuoi më shumë se kushdo që t’i sillte në pushtet?” Pas njohjes së shkaqeve të mësipërme mund të konstatohet nëse Ilir Meta duhej të ishte vërtetë i interesuar për të hequr qafe Doshin, apo ky fantazon me qëllim për t’u hakmarrë ndaj premtimeve të pambajtura të çiftit Rama-Meta për t’I kthyer atij borxhin për kontributin e dhënë në fitoren e zgjedhjeve. Duke pasur parasysh eksperiencën, mendja ta do se Doshi nuk I ka mbështetur me të gjitha mjetet në radhë të parë financiarisht Ramën e Metën për idealizëm apo qoftë se ka dashur që Berisha të ikë nga pushteti. Në Shqipëri, mbështetja e një forcë politike nga një pjesë biznesmenësh është si të thuash një lloj investimi, I cili I jep frytet pasi kjo forcë politike vjen në pushtet, prandaj dhe Doshi ndjehet i zhgënjyer, pse jo edhe i revoltuar si pasojë e vlerës së premtuar që nuk i është dhënë. Për mua, më shumë rëndësi se kanë dashur ta vrasin Doshin apo jo, do të kishte zbardhja e asaj se cili ka qenë pazari dhe çfarënuk i është dhënë Doshit nga ky pazar. Dhe për pazare të këtij lloji në një shtet normal ndëshkohen të dy palët.
Bujqësia, përtej thirrjeve e sloganeve
Rama duhet t’u drejtohet bankave në mënyrë që këto të ndihmojnë me dhënie kredishë të favorshme prodhuesit bujqësorë apo fermerët, sic kanë filluar të quhen gjatë viteve 90. Ndoshta për të nxitur rritjen e prodhimit bujqësor është e nevojshme të bëhet dhe një rishikim I taksave dhe gjithë detyrimeve të tjera që paguajnë fermerët, si dhe të gjenden mënyra për të inkurajuar bashkimin e tyre në ekonomi sa më të mëdha apo duke gjetur forma nga më të ndryshmet për ta bërë sa më të ulët koston e prodhimeve të tyre./
Shkruan:Gavrosh LEVONJA-New York/
Tek slogani i njohur i kohës së diktaturës “Bujqësia, cështje e gjithë popullit”, më ktheu një thirrje e kryeministrit, Edi Rama, drejtuar të rinjve ndërsa vizitonte zonat e përmbytura gjatë javëve të fundit në jugun e Shqipërisë. “Mos kaloni kohën nëpër bingo, por kthejuni punës në fshat…”- ishte pak a shumë kërkesa e formuluar nga Rama në adresë të të rinjve të fshatrave. Të njejtën gjë kreu i qeverisë shqiptare e bëri dhe nja dy muaj më parë ndaj biznesmenëve të ndërtimit duke u kërkuar që kapitalet e tyre “mos t’i bëjnë llac e tulla” por t’i orientojnë në drejtim të bujqësisë dhe fshatit. Që bujqësia është një sektor jetik për një vend si Shqipëria është fakt i njohur ashtu sic është po aq i vërtetë fakti se pas viteve 90-të bujqësisë nuk i është kushtuar as interesi më minimal nga ana e qeverive duke e lënë zhvillimin e saj në dorë të spontaneitetit. Gjendjen shqetësuese në të cilën ndodhet bujqësia shqiptare e ilustron fakti që tregu shqiptar i prodhimeve bujqësore e blegtorale gjatë gjithë këtyre viteve është dominuar e vazhdon të dominohet nga ato të importit, ndonëse flitet dhe per eksport, volumi i të cilit është i papërfillshëm krahasuar me importet . Në këtë kontekst edhe ideja e Ramës dhe qeverisë së tij për t’u orientuar nga bujqësia i a vlen të mbështetet. Mirëpo kjo nuk mund të arrihet vetëm duke u bërë thirrje qoftë dhe në formë lutëse biznesmenëve të ndërtimit për të hedhur kapitalet e tyre në bujqësi e apo rinisë e cila duhet t’u kthehet punëve të fshatit. Kryeministri Rama duhet të jetë i ndërgjegjshëm se bujqësia është një sektor i vështirë në varësi të faktorëve të shumtë pjesa më e madhë e të cilëve janë dhe jashtë vullnetit të njeriut, ndërkohë që dhe efektet e investimeve kërkojnë një kohë relativishte të gjatë që të ndjehen. Aq më pak synimi për “të kthyer sytë “ nga bujqësia nuk mund të arrihet me urdhëra, “orientime nga lart” parulla e aksione me të cilat ishim tejet të familjarizuar dikur. Para se t’u drejtohet biznesmenëve duke u kërkuar të investojnë në bujqësi, Rama, Panariti e Co. duhet të bëjnë llogaritë mire duke pasur në konsideratë para së gjithash cmimet e produkteve bujqësore e blegtorale në treg dhe koston e prodhimit të tyre. Nisur nga ato c’ka thotë kreu i qeverisë lidhur me bujqësinë, ndër të tjera dhe që “bujqësia vuan nga mungesa e dijes” si dhe kushtrimi lëshuar në drejtim të biznesmenëve për të derdhur kapitalet në bujqësi tregon se biznesi bujqësor në Shqipëri nuk është dhe aq atraktiv për të mos thënë se mund të rezultojë dhe me humbje. Të ishte ndryshe, biznesmenët, dhe jo vetëm ata të ndërtimit që “i kanë bërë paratë llac e tulla” nuk do të kishin nevojë për rekomandimet e Ramës, por do të rendnin nëpër zyra në kërkim të ndonjë license për të zhvilluar aktivitet në bujqësi. Fakt është se dhe ata pak ndërtues të cilët shprehën gatishmëri për të hedhur para në bujqësi e kishin kuptuar këtë brenda hapësirës që ka të bëjë me ndërtimin si fjala vjen me “ndërtime stallash”, godinat e punishteve të përpunimit, ndonjë kanal apo rrugë fshati. Pra edhe në këtë rast, paratë e biznesmenëve të ndërtimit do të shkojnë përsëri në drejtim të “llacit dhe tullave”. Ndoshta mund të jem dhe i gabuar, por thirrjen e kryeministrit drejtuar biznesmenëve të ndërtimit e kuptoj që këta të mos kufizohen vetëm në sferën e ndërtimeve të objekteve bujqësore por të investojnë në të gjitha sferat e saj për modernizimin e saj, në mënyrë që kjo të bëhet gjithnjë e më intensive, më moderne, në fund të fundit më rentabël, ashtu sic deshiron Rama. Ky ka plotësisht të drejtë kur thotë se“ bujqësia duhet të shndërrohet nga një aktivitet për të mbajtur familjen me bukë, në një biznes të fuqishëm” duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e zhvillimin e ekonomisë kombëtare. Mirëpo, në stadin aktual në të cilin ndodhet bujqësia shqiptare Rama dhe njerzit e ekipit të tij nuk mund t’i kërkojnë askujt të hedhë paratë në një fushë problematike pa gjetur diagnozën e saktë, nga se vuan ajo. Vetëm pas kësaj kjo qeveri dhe kushdo tjetër që të vijë pas saj, bashkë me institucionet përkatëse mund të hedhin hapat e nevojshëm në drejtim të krijimit të një terreni të përshtatshëm i cili të bëhet tërheqës jo vetëm për biznesmenët shqiptarë por edhe për ata të huaj. Por, para se të shkohet tek “thirrjet” për të punuar e investuar në bujqësi janë për tu ndihmuar pronarët ekzistues të tokave bujqësore ata që furnizojnë tregun me prodhimet e tyre. Lidhur me këtë, p.sh. në vend të biznesmeneve duke u kërkuar të invvestojnë në bujqësi, Rama duhet t’u drejtohet bankave në mënyrë që këto të ndihmojnë me dhënie kredishë të favorshme prodhuesit bujqësorë apo fermerët, sic kanë filluar të quhen gjatë viteve 90. Ndoshta për të nxitur rritjen e prodhimit bujqësor është e nevojshme të bëhet dhe një rishikim I taksave dhe gjithë detyrimeve të tjera që paguajnë fermerët, si dhe të gjenden mënyra për të inkurajuar bashkimin e tyre në ekonomi sa më të mëdha apo duke gjetur forma nga më të ndryshmet për ta bërë sa më të ulët koston e prodhimeve të tyre. Gjitashtu, mendoj se pa masa protektive për mbrojtjen e prodhimit bujqësor vendas, të paktën në një periudhë fillestare, bujqësia do të mbetet një sektor i palakmuar për cdo lloj biznesmeni e për vetë fermerët për shumë kohë. Me thirrje si ato që na sjellin nëpër mend sloganet e famshme si “Bujqësia ceshtje e gjithe popullit”, “Tu qepemi maleve e kodrave ‘ti bëjmë pjellore si fushat” … nuk arrihet kërkund. Për më tepër kur Edi Rama është i privuar nga luksi që kishte Enver Hoxha për të dërguar qytetarët forcërisht në ndihmë të fshatit në formë aksionesh e pune vullnetare, për të hapur toka të reja, kanale kulluese, për të ujitur, për të mbjellë domaten me kubikë për të mbledhur kallëzat e grurit etj.
Diskutimi: A ka pasur luftë civile në Shqipëri?
Nga Gavrosh Levonja/
Organizimi i një ceremonie përkujtimore nga shoqata “Labëria” u shfrytëzua nga disa historianë zyrtarë të regjimit komunist për t’i bërë hyjnizimin e radhës luftës “nacional-clirimtare”, në kohën që mbrojtën tezën sipas të cilës ajo nuk ka qenë aspak luftë civile. Që është bërë luftë, kjo sigurisht nuk mund të mohohet, por të hedhësh poshtë tezën që, sidomos, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, pati dhe karakterin e një luftë civile, do të thotë ta shkruash këtë pjesë të historisë duke u bazuar në “direktivat e partisë”, “mësimet e shokut Enver” apo, më e pakta “dokumentat” të cilët servireshin nga regjimi komunist dhe propaganda e tij. Lidhur me këtë, mund të them se janë vetë burimet e sipërpërmendura, të cilët vërtetojnë se lufta ka pasur goxha elementë të një luftë civile. Ata të cilët janë shkolluar para vitit 1990, në tekstet e historisë të të gjitha niveleve shkollore, mësonin se “lufta nacional-clirimtare” ishte luftë kundër okupatorit dhe “tradhtarëve të vendit”. Duke pasur parasysh se “tradhtarët” nuk mund të ishin nga radhët e forcave pushtuese, mjafton vetëm kjo për të ardhur në përfundimin se lufta ishte zhvilluar edhe kundër një pjese shqiptarësh. Sigurisht, ata që kundërshtojnë tezën e “luftës civile” përgjigjen menjëherë se “tradhtarët” përfaqsojnë të ashtuquajturit “kolaboracionistë” ata që morën pjesë në qeveritë e krijuara në kohën e pushtimit apo në struktura të tjera shtetërore të asaj periudhe, pa marrë mundimin të thellohen në arsyet e shkaqet që i shtynë ata, (një pjesë e të cilëve figura të ndritura të kombit). Boll të përmend një nga motivet, qtë që vetëm gjatë periudhës së luftës u bë realitet bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare nën një shtet të vetëm. Megjithatë, Patër Anton Harapi në një shkrim monumental të botuar në shtypin e kohës duke shpjeguar arsyet që e shtynë atë të bëhej pjesë e këshillit të regjences, ka radhitur në mënyrë të qartë e bindëse dhe shkaqe të tjerë, si nevojën e një autoriteti për të ruajtur vendin nga kaosi e vëllavrasja. Mirëpo, në të njejtën linjë, në tekstet e historisë së asaj kohe, përsa I përket luftës “nacional-clirimtare” flitej gjërësisht dhe për luftën kundër “organizatave tradhtare” , “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti” në kohën që nuk shkruhej as edhe një rrjesht i vetëm për luftën e këtyre formacioneve kundër okupatorit. Lidhur me këtë, qoftë dhe në formë kurioziteti, u kërkoj historianëve që thonë se luftën e bënë komunistët, t’i ofrojnë opinionit publik numrin e cetave komuniste dhe atyre jo komuniste deri nga mesi I vitit 1943 përfshi dhe aktivitetin e tyre. Vetëm se u lutem historianëve të mos përfshijnë në listën e cetave komuniste, ndonjë si ajo e Babë Myslymit e formuar para krijimit të PKSH, të cilën drejtuesit komunistë e kishin më shumë si strehë kur e kishin punën pisk, dhe nga ana tjetër me dërgimin atje të elementëve nga radhët e PKSH të krijonin në publik përshtypjen se ajo ishte një krijesë e PKSH-së gjë që e bënë dhe me ceta të tjera, drejtuesit e të cilave nuk ishin komunistë. Historianët që mohojnë ekzistencën e luftës civile më së pari duhet të ndalen në mënyrë të hollësishme tek marrëveshja e Mukjes, tek shkaqet dhe rrethanat të cilat cuan tek ai takim historik e më pas hedhjen poshtë të saj nga krerët e PKSH. Me përjashtim të ndonjë trurrjedhuri apo të indoktrinuari deri në palcë, vështirë se mund të gjendet ndonjë historian, I cili ta argumentojë pozitivisht antemimin e Marrëveshjes së Mukjes nga udhëheqja komuniste. Në fakt denoncimi i kësaj marrëveshjeje shënon dhe momentin e fillimit të kryqëzatës komuniste kundër nacionalistëve, kryqëzatë e cila nuk kurseu as legalistët e udhëhqur nga heroi I rezistencës së 7 prillit, Abaz Kupi, deri në atë moment nënkryetar i Shtabit të Përgjithshëm të krijuar e dominuar nga komunistët. Kryqëzata kundër nacionalistëve dhe jo komunistëve në përgjithësi, më shumë se me luftën kundër pushtuesit, kishte si qëllim pastrimin e rrugës për të arritur tek vendosja e pushtetit komunist në vend. Përsëri, edhe për këtë mjafton t’u referohesh interpretimeve e qëndrimeve të shprehura në tekstet e historive të shkruara gjatë kohës së komunizmit, përfshi dhe historinë e PKSH, ku lufta nacional-clirimtare paraqitej dhe si një revolucion për marrjen e pushtetit nga bejlerët, agallarët e klasat shfrytëzuese duke i a dhënë atë “klasës puntore dhe fshatarësisë punonjëse” . Ca nga kundërshtuesit e luftës civile për të qenë më të besueshëm nuk kursejnë dhe qëndrimet kritike ndaj bëmave e gjëmave që provuan shqiptarët pas 29 nëntorit 1944 flasin dhe për “disa gabime” dukë u rrekur të ndajnë periudhën e luftës nga diktatura 45 vjecare komuniste. Por periudha nga nëntori 1941 deri në dhjetorin e 1990-ës është një vijë e gjatë e pandërprerë, që filloi duke “dekoruar me plumb ballit” individë që mendonin ndryshe, gjatë luftës, duke vazhduar me ekzekutimet masive në vitet e pasluftës për të arritur tek burgosjet e deportimet e përbindshmetë qindra mijra njerzish të pafajshëm, krimi i vetëm I të cilëve ishte në të qenët e tyre si trashëgimtarë të dikujt që nuk e “kishte ndihmuar” partinë gjatë luftës. Vetë lufta civile, për të cilën po flas është një shembull I qartë i kësaj vazhdimësie. Lufta civile e filluar në vitin 1943 do të vazhdonte deri në fund të vitit 1990, tashmë në formën e “luftës së klasave”, vecse “klasave të përmbysura” në 29 nëntorin e 1944-ës do t’u shtoheshin vit pas viti kategori të tjera nga radhët “e tanëve” deri dhe udhëheqës komunistë, të shquar dikur në luftën kundër “tradhtarëve të vendit”.
GAVROSH LEVONJA RREFEN PER GAZETARINE DHE SPORTIN- JA SI E QETHEN AGIM FAGUN,- NA PRISHI ME KINEN!
GAVROSH LEVONJA: KEQARDHJE PËR GAZETARINË E SOTME/
*Rrëfehet nga Nju Jorku gazetari Gavrosh Levonja: Prej 14 vitesh në Nju Jork nuk është kthyer asnjëherë në Tiranë, malli për gazetarinë e kohës së tij, ku komentohej lajmi i fundit flakë për flakë;si punonte njëherazi në disa redaksi gazetash: Republika, Koha Jonë, Albania, Bashkimi….Dëshmitar i rastësishëm në rrahjen e Edi Ramës, marrdhëniet me Ramiz Alinë, Sali Berishën, Fatos Nanon, prognoza për qeverisjen e Edi Ramës dhe opozicionin e Lulzim Bashës…
* Karriera Sportive: Si u bë shkak për”prishjen” e marrdhënieve shqiptaro-Kineze, qethja e Agim Fagut në Aeroportin e Rinasit, Spiuni vullnetar i Ansamblit Shtetëror e të tjera…./
Nga Dalip Greca/
Gavrosh Levonja, një figurë e njohur publike, si sportist e gazetar, ka 14 vite që ka lënë Shqipërinë dhe jeton në Nju Jork. Shfaqet pak në publik, rrallë në gazeta. Nga dita ku shkeli në Nju Jork, nuk është kthyer më në Shqipëri.Çfarë e mbanë lidhur ?. Gavrosh Levonja i përket asaj kategorie njerzish për të cilët realiteti është më i rëndësishëm se dëshirat e ëndrrat.Ai tregon në këtë rrëfim se si shkoi tek gazetaria mësuesi i Matematikës, shpreh keqardhjen për gazetarët e sotëm, që nuk investigojnë dhe nuk komentojnë flakë për flakë lajmin,por përcjellin lajmet e kronikat e gatshme të partive. Levonja tregon se si punontë njëkohësisht në disa gazeta, i punësuar zyrtarisht tek “Republika”, gjysëm zyrtarisht tek “Albania”…më shumë për “Koha Jonë”, aq sa Ylli Rakipi shprehej se “ky njeri kritikon qeverinë nga e majta dhe e boton tek “Koha Jonë”, për të njejtin problem e kritikon nga e djathta dhe e boton tek “Republika”, në darkë vjen tek “Albania” dhe mbron qeverinë”… Miqësia me liderët Berisha, Nano, njohja me Edi Ramën, që në kohën e kolerës, parashikimi për qeverisjen Rama, opozicionin e Lulzim Bashës etj….
Duke u ktheyr pas në karrierën sportive, ai flet edhe për incidentin me kinezët, kur u dënua së bashku me Agim Fagun për prishjen e miqësisë shqiptaro-kineze… Pas kthimit në Tiranë, në aeroport qethën Agim Fagun.Pas takimit të ansamblit, që ishte njëkohësisht në Kinë me sportistët, në Ministrinë e Arsimit, ku ansambli u përgëzua për “forcimin e miqësisë”, një “spiun vullnetar” i ansamblit kishte ngritë problemin e “sjelljes borgjeze” të sportistëve…Pas kësaj nisën masat dragoniane….Le ta ndjekim intervistën.
-Një dekadë në mërgim,larg Tiranës ku u lindët, u rritët, ku shkëlqyet në elitën sportive, larg redaksive të gazetave- ku bëtë emër- si ndjeheni në Nju Jork?
Gavrosh Levonja:- Duke qenë e lidhur me pjesën më të madhe të jetës sime me ngjarje të rëndësishme, qoftë në aspektin personal e familjar, episodet deri në rang aventurash të panumërta me shokët e miqtë në kohën e rinisë, sidomos ato të lidhura me sportin, pa harruar kurrsesi punën në gazeta pas vendosjes së pluralizmit, malli për Tiranën është aq i madh sa vështirë të mposhtësh dëshirën për të takuar miqtë e shokët e vjetër, duke shkuar qoftë dhe për ca ditë atje. Mirëpo, nga ana tjetër, në Tiranë, si pasojë e ndryshimeve, tashmë mungojnë shumë nga mjediset e dikurshme që të lidhin me momentet e perjetuar dikur. Gjithashtu, shumë njerëz kanë lëvizur në vende të tjerë. Kështu edhe një pjesë e miqve, me të cilët komunikoj, jetojnë në vende të tjerë; Europë, Kanada apo SHBA; po të sjell një shembull: deri pak vite më parë në Pelham Parkway shikoja vazhdimisht fytyra te reja nga Shqipëria, ku nuk mungonin dhe nga të njohurit e mi. Gjithashtu, edhe me shumicën e atyre që vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri, falë zhvillimit, përsosjes së mjeteve të komunikimit mund të them se jam në kontakt pothuajse të përditshëm. E vetmja gjë, e cila them se më mungon është puna në gazetë. Ndonjëherë, dërgoj ndonjë shkrim në ndonjë gazetë në Shqipëri, por largësia fizike bën punën e saj. Sidomos për mua që isha mësuar të bëja editoriale a komente për ngjarje ose zhvillime të rëndësishme 10 apo 20 minuta pasi kishte ardhur lajmi në redaksi. Prandaj, shpesh, ndërsa lexoj lajmet nga Shqipëria ne websitet e gazetave të atjeshme, ndjej keqardhje në pamundësi për të komentuar “flakë për flakë” si dikur. Mirëpo duke qenë se i përkas asaj kategorie njerzish për të cilët realiteti është më i rëndësishëm se dëshirat e ëndrat, i kam dhënë përparësi jetës në Nju Jork, punës e cila më jep kënaqësi të veçantë. Por, veç punës dua të theksoj se ka dhe faktorë të tjerë që më kanë “gozhduar” këtu. Nju Jorku qenka si një makineri që po u fute në ingranazhet e saj është shumë e vështirë të shkëputesh, ndërsa po nuk arrite të ingranohesh me jetën e këtushme, më saktë me normat dhe rregullat e saj nuk të mbetet tjetër veçse ta lëshosh Nju Jorkun. Si rregull shumica e fillojnë me përpjekjet për të mbijetuar, pastaj, oreksi vjen duke ngrënë, një punë më e mirë, të ardhura më të larta, që natyrshëm çojnë në rritjen e pretendimeve, në kohën që dhe detyrimet bëhen më të mëdha. Kështu, si pa kuptuar e ndjen veten të futur në një garë pambarim për të fituar më shumë, të jetosh më mirë dhe vjen një ditë që e shikon veten të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme dhe çdo largim qoftë dhe i shkurtër të duket humbje kohe, e cila këtu është jashtzakonisht e çmueshme; me të vërtetë “flori” siç thuhet në Shqipëri, por që atje, për hir të së vërtetës trajtohet si një gjë pa vlerë.
– E kishit menduar se ndonjë ditë mund të jetonit në Amerikë?
G.L- Në vitet e gjata të izolimit Amerika për mua ishte endrra ideale, ashtu si per shumë nga ata të rinj që shikonin televizionet e huaj, kryesisht ato italiane; vendi më i zhvilluar në botë, vendi i lirisë, i Hollywood-it, i këngëtarëve të famshëm, kampionëve të botës në shumë lloje sporti. Ky ishte imazhi që rrezatonte së largu. Por, pasi u vendosa në Nju Jork, më shumë se të gjitha këto më bëri përshtypje, zbatimi me fanatizëm i ligjeve e rregullavedhe nga qytetarët por edhe nga punonjësit e institucioneve duke e ndjere kudo e kurdo praninë e një shteti real. Një shtet sa rigoroz, madje i pamëshirshëm në zbatimin e ligjit aq dhe korrekt me qytetarët e tij duke u garantuar çdo të drejtë që u takon dhe gjithçka tjetër të nevojshme për të jetuar normalisht.
– Keni trokitur në ndonjë zyrë të shtetit, nëse po, për çfarë arsyeje?
G. L- Jo, në këto 14 vitë që jetoj në Nju Jork ende nuk di ku ndodhen zyrat e shtetit pasi nuk kam pasur asnjë rast për t’u ankuar, për të kërkuar një të drejtë që më është mohuar, madje ka qenë vetë shteti që më ka njoftuar për ndonjë benefit që më takonte në bazë të ligjeve por që unë s’e kisha haberin që ekzistonte.
– Kur dhe si shkuat tek gazetaria?
G.L: Shkrimin e parë e kam botuar në vitin 1987 në gazetën “Sporti Popullor”. Shoku dhe komshiu im, Bert Karanxha, në atë kohë gazetar tek kjo gazetë më kërkoi të bëja një shkrim si ish-sportist. Kryeredaktori, Besnik Dizdari, i cili bëri një revolucion të vërtetë në gazetën e vetme sportive deri në vitin 90-të, kishte krijuar hapsirë të konsiderueshme për ish-sportistët dhe specialistët e mirëfilltë të sportit.
– “Shkruaj, vetëm në rast se pranoni një shkrim kritik”- i thashë Bertit, i bindur që një shkrim i tillë vështirë se mund të ishte i pranueshëm. Por u zhgënjeva kur mora përgjigje se vetë kryeredaktori ishte i interesuar për një shkrim kritik dhë jo për lëvdata boshe për suksese të “sportit socialist”.
– Pra, ishte ’87-ta kur ia nisët gazetarisë?
G.L- Për të qenë më i saktë, pavarësisht se fillova të shkruaj rregullisht në gazeta pas vitit 1990, tashmë për politikë, në një farë mënyre, mund të them se gazetarinë, jo publikisht, e kam filluar në kapërcyellin e viteve 60-70-të.E kam fjalën për “gazetari ilegale” lënda e së cilës ishin diskutimet e komentet në grupe të vogla kundër absurditeteve të shtetit duke filluar nga kufizimet banale lidhur me ndjekjen e modës, kufizimet dhe heqjen e stimujve materialë në ekonomi, izolimin hermetik të vendit deri në skizofreni si dhe shkeljes flagrante, në mënyrë të paimagjinueshme të të drejtave të njeriut etj. Pas kësaj diskutimet vazhdonin me atë se çfarë do të ndodhë gjë që të shtynte drejt kërkimit të informacionit që mund të ishte ndonjë burim “nga brenda” d.m.th. nga ndonjë zyrtar ose të afërm të nomenklaturës së athershme, nga lajme të buletinit sekret të ATSH-së që “rridhnin” nëpërmjet ndonjë të njohuri që punonte aty, por fat konsiderohej të binte në dorë ndonjë nga ato broshurat sekrete “për përdorim të brendshëm”.
– I lexoje veprat dhe fjalimet e Enver Hoxhës?
G.L- Fjalimet e Enver Hoxhës i lexoja me kujdesin maksimal për të kapur mes rrjeshtave ndonjë sinjal nëse do të “shtrëngohej rripi” edhe më shumë apo të pikasje ndonjë shenjë liberalizimi e hapjeje. Për shumë vite pjesën më të madhe të ditës e kaloja pranë radios e televizorit. Dita ime fillonte duke degjuar lajmet frëngjisht në “France International” në 6 të mëngjesit, pastaj deri nga ora 7 e 30 lajmet e radiove italiane, për të vazhduar me telegiornalet e drekës ne Rai 1 dhe Rai 2, pas kthimit nga stërvitja “Dnevnik” tek jugosllavi, përsëri Rai-n, në orën 9 në darkë “Zërin e Amerikës”, athere ishte vetëm 15 ose 20 minuta dhe zakonisht sinjali ikte e vinte i shoqëruar me zhurmë ndërsa folësi përdorte gegnishten, Radio Jugosllavinë shqip në 10 e 30 të mbrëmjës . Në vitet 1977-78 u bëra një dëgjues i rregullt i Radio Pekinit, ku pa e përmendur direkt kritikohej politika dogmatike e Tiranës deri sa autoritetet urdhëruan mbylljen e përforcuesit në datën 8 korrik 1978. Me këtë desha të ve në dukje se gjithë ato vite kisha akumuluar një kapital të konsiderueshëm në fushën e politikës gjë që ma bënte shumë të lehtë analizimin e situatave politike, të komentoja lëvizjet e forcave politike apo liderëve të tyre si dhe të prognostikoja zhvillimet e ardhshme …
– Ju ka nxjerrë probleme gazetaria? Ne cilen redaksi jeni ndjere me mire?
G.L:- Sa i përket problemeve për shkak të gazetarisë, nuk kam pasur ndonjëherë. Them se arsyeja kishte të bënte me faktin që nuk i shërbeja një krahu apo një force politike të caktuar. Në shkrimet e shumta të botuara gjatë viteve 90-të mund të gjenden më bollëk shkrime kundër apo pro ndaj çdo krahu politik. Një herë, nga fillimi i vitit 1997, kur kishte hyrë në modë rrahja e gazetarëve dhe emrave të tjerë që flisnin e shkruanin kundër qeverisë së athershme, mund të përmend këtu masakrimin e kryeministrit të sotëm Edi Rama, u ndodha përballë një grupi që merrej me këtë punë, por nuk pësova gjë se njëri prej tyre tha: “lene lene, ky asht demokrat…” Ka qenë një periudhë kur isha i punësuar zyrtarisht në gazetën “Republika”, gjysëm zyrtarisht tek “Albania” por më shumë shkruaja për “Koha Jonë”. Lidhur me këtë Ylli Rakipi shprehej se “ky njeri kritikon qeverinë nga e majta dhe e boton tek “Koha Jonë”, për të njejtin problem e kritikon nga e djathta dhe e boton tek “Republika”, në darkë vjen tek unë (“Albania”) dhe mbron qeverinë”. Gjithsesi, ai që ishte opinion im personal në atë periudhë shprehej tek “Koha Jonë” e cila ndonëse ishte e orientuar kundër qeverisë, në fund të fundit ishte një gazetë pa “censurë”. Konkretisht ndonëse në publik ishte krijuar bindja se “Koha Jonë” ishtë një “gazetë e majtë”, aty kam botuar shkrime kundër PS-së, në një periudhë kur pothuaj gjithë shtypi ishte orientuar kundër pushtetit të Berishës, madje, në ndonjë rast vetë Nikollë Lesi më kërkonte të shkruaja kundër Nanos dhe socialistëve, ku nuk mungonte të bëhej dhe bashkautor për të treguar se ajo që shkruhej ishte dhe qëndrim i gazetës. Nuk mund të rri pa përmendur se krahas stafit të gazetës, duke filluar nga reporterët e deri tek redaktorët, që ishin ndër më të talentuarit e më puntorët, që “Koha Jonë” u bë gazeta më e lexueshme ishte dhe aftësia e Nikollë Lesit për ta bërë gazetën të ndryshueshme përsa i përket qëndrimeve dhe orientimit politik falë nuhatjes për të kuptuar se çfarë i pëlqente publikut. Një herë p.sh. Berisha u nxeh me stafin e RD për arsye se “Koha Jonë” kishte vënë më shumë pjesëmarrës në një miting të PD-së sesa vetë gazeta e partisë. Por, nuk mund të mos përmend “Republikën”, që megjithëse ishte gazetë e Partisë Republikane, kishte një autonomi që nuk e kishte jo vetëm ndonjë gazetë partiake por edhe gazeta private që në fakt ishin të pozicionuara. Merita për këtë them se i takon një burri të zgjuar, politikanit ndoshta më racional në skenën politike shqiptare, Sabri Godo, i cili nuk e kishte zakon të diktonte tek gazeta. Në një rast i intervistuar nga BBC, lidhur me një artikull i cili nuk ishte në një linjë me politikën e partisë u përgjigj: “Pyetni kryeredaktorin ose atë që e ka shkruar.”
-Me cilin Kryeredaktor je ndjerë mirë?
G.L- Më mirë jam ndjerë me Ben Blushin, i cili veç kulturës dhe mprehtësisë, kishte një fantazi të admirueshme, përsa i përket vlerësimit dhe vendosjes së materialeve në faqet e gazetës. Shtoji kësaj dhe aftësinë për të intriguar. Kështu, kishte raste që i tërhiqte vemendjen një lajm në dukje i parëndësishëm, por me ndonjë rregullim e vinte në faqen e parë si lajmin më të rëndësishëm me të cilin hapte gazetën. Tituj të tillë si “Me presh në shesh”, “Doktor shko tek doktori”, “Lushnja digjet Berisha krihet”, “Xhaferrit i ka humbur simitja” e shumë të tjerë produkte të fantazisë së Blushit ishin një tjetër faktor që “Koha Jonë” theu gjithë rekordet e shitjes në periudhën 1996-1997. Kishte dhe raste të tilla si, ndërsa një ditë gazeta ishte bërë tribunë avokatie për liderin socialist të burgosur, në orët e vona, kur mbyllej numri i ardhshëm Blushi më afrohej dhe me thoshte në vesh: “Një shkrim kundër Tos Nanos”….
– Si kanë qenë marrdhëniet me liderët politik, nga Ramiz Alia tek Sali Berisha e Fatos Nano?
G. L: Ramiz Alinë në cilësinë e politikanit nuk kam pasur rastin ta takoj asnjëherë, por gjatë viteve 70-të deri në vitin 1982 e takoja pothuajse çdo weekend në bulevardin e madh ku ai me të shoqen shetisnin si gjithë qytetarët e Tiranës së asaj kohe. Duke qenë se për një kohë të gjatë duke filluar pas mbarimit të luftës, ai mbulonte artin, kishte miqësi me prindët e mi sidomos me tim atë, si pasojë e partizanllëkut. Kurse unë njihesha me bashkëshorten e tij në Fakultetin e Shkencave ku ajo ishte profesoreshë, bile ishte ajo vetë që më therriste sapo më shihte për t’i treguar ndonjë nga “qyfyret” e mia. Sa për ata që i hynë politikës pas dhjetorit të vitit 1990 mund të them se i njoh të gjithë. Këtu e kam fjalën për politikanë në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe jo për “ushtarë” të cilët karrierën e tyre e kanë ndërtuar vetëm falë “iso-s” kryetarit në përplasjet me “armiqtë në gjirin e partisë, duke “ligjëruar” si papagaj vetëm ato që thotë lideri, shkurt individë që nuk kanë hyrë në politikë me aksionet a kreditet e tyre dhe, 90 përqind e politikanëve shqiptarë janë të kësaj katëgorie. Me të gjithë politikanët me peshë, duke filluar nga Berisha e Nano, për të shkuar tek liderë të partive minore kam pasur marrëdhënie të mira edhe pse në jo pak raste kam qene kritik ndaj qëndrimeve të tyre për çështje të ndryshme ashtu siç kam shkruar pozitivisht per lëvizje të tyre që më janë dukur të drejta. Gjatë vitit 1996 deri në verën e vitit 1997 më radhisnin ndër antiberishistët më të spikatur për shkak të shkrimeve kritike ndaj pushtetit të tij, por nga ai moment fillova të shkruaj shpesh kundër “mëkateve” të qeverisjes socialiste, aq sa një ditë Nano, me atë humorin e tij elegant më tha: “Gosh ke filluar të luash prapë mirë basketboll…”. Që Nano dhe Berisha ishin në krye të dy partive më të rëndësishme të vendit, për mua që i njihja të dy, nuk përbënte ndonjë habi pasi ishin njerëzit që e njihnin politikën, mënyrën si funksiononte shteti, partia shumë më mirë se politikanët e tjerë. Me Berishën p.sh. ishte kënaqësi të diskutoje për zhvillimet politike ndërkombëtare, madje dhe ato të shumë viteve më parë.
– Jo rrallë ju keni shkruar me simpati edhe për Monarkinë! Keni ndonjë lidhje, apo prefertencë?
G.L:- Keni të drejtë, janë të shumtë ata që e kanë konstatuar këtë. Por e vërteta është se e vetmja gjë që më ka lidhur me Monarkinë dhe “Legalitetin” është figura e Ahmet Zogut, që duam s’duam është krijuesi i shtetit funksional shqiptar. Kur përmend Ahmet Zogun, nuk kam parasysh vetëm Mbretin Zog, presidentin e Republikës Shqiptare, kryeministrin apo ministrin e brendshëm të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes, por edhe atë djaloshin 16 vjeçar të angazhuar në aktivitetet kombëtare kur Shqipëria po shpallej e pavarur. Ishte e paimagjinueshme që në një vend patriarkal si Shqipëria, ku para burrave të vjetër me mustaqe, duhej të rrinje “sus”, para krerësh fisesh që në krahinat e tyre bënin ligjin, një djali të ri, pa i mbushur ende 20 vjeç, jo vetëm i “zinte fjala vend” por dhe i besohej drejtimi i aksioneve të rëndësishme me karakter kombëtar. Vetëm 25 vjeç ishte kur arriti të bëhej ministër i brendshëm për të përballuar sfidën e vendosjes së rendit në një vend me një shtet formal. Dhe vetëm brenda tetë viteve do të bëhej kryeministër, president e mbret, dukë i bërë të gjitha kalimet, siç shprehej Konica, në bazë të ligjit. Falë librave të vjetër që kisha në shtëpi, pata mundësi të krijoj një imazh krejt tjetër mbi figurën e tij, krejt në kundërshtim me atë ç’ka na mësonin në shkolla…
– Si e vlerëson qeverisjen e Edi Ramës dhe si e përcakton të nesërmen e qeverisjes së tij?
G.L:- Nuk e vë aspak në dyshim dëshirën e Edi Ramës për të lënë gjurmë duke bërë ndryshime pozitive me shkallmimin e kornizave të vjetra, brenda të cilave gjallojnë dukuritë negative të shoqërisë shqiptarë që njihen e kritikohën por nuk po çrrënjosen dot. E them këtë pasi e njoh karakterin e tij falë shoqërisë që nga “koha e kolerës”. Njëkohësisht, dua të them se i pëlqejnë dhe butaforitë, sfondet, sloganet dhe ka raste që “ndryshimi” mbetet deri këtu, pa shkuar në gjëra që ndikojnë në përmirësimin funksionimit të institucioneve dhe më së pari jetesës së njerzve. Por ajo që nuk më bind dhe më bën të jem kritik, është artitmetika e tij. Po marr një aspekt; ai ka premtuar hapjen e 300 mijë vendeve pune por ama rritja e taksave për bizneset pengon hapjen e vendeve të reja të punës për të mos thënë çon në shkurtimin e tyre. Nga ana tjetër edhe mënyrën e drejtimit të partisë prej tij e shikoj si një kthim prapa. Duke qenë gjithmonë një mbështetës i zjarrtë i një drejtimi liberal “alla Nano”, ku jo vetëm kritikohet kryetari lirisht, por mund edhe të konkurohet në një garë të vërtetë, jo e tipit “Alia-Dokle”, “Berisha-Butka” apo “Rama-Lakrori”. Falë një drejtimi të tillë në PS u promovuan shumë politikanë të rinj, madje tre kryeministra. Kështu që nuk mund ta “përtyp” dot një parti ku është vendosur tabela “Mos i fol shoferit”. Lidhur me qeverisjen Rama ka përballë një situatë tejet të vështirë. E them këtë pasi masat që kërkon të zbatojë Rama kërkojnë sakrifica të mëdha nga gjithë popullsia dhe e dyta duhet një kohë relativisht e gjatë që të ndjehet efekti pozitiv i tyre. Në këtë kontekst, duke qenë për 14 vjet larg vendit nuk jam në gjendje të përcaktoj kufijtë e durimit të shtresave në nevojë, sa do të jenë në gjendje të përballojnë një “shtrëngim rripi” edhe disa vrima më shumë. Masa të tilla, në radhë të parë, kanë nevojë për para; vërtetë mund të marrësh kredi nga FMN apo BB, por këto kredi janë të lidhura me masa të tjera shtrënguese të cilat në fund të fundit rëndojnë mbi shumicën e popullsisë. Le të marrim rritjen e çmimit të energjisë.Duke qenë një mbështetës i tregut të lirë , rritjen e çmimit të energjisë e konsideroj diçka normale, për më tepër kur në botë çmimi i saj është disafishuar. Por në kushtet kur një pjesë e madhe e popullsisë eshte në kufijtë e mbijetesës, është shtetit ai që i takon të subvencionojë shtresat në nevojë dhe jo të detyrosh operatorët të mbajnë çmime të ulëta duke deformuar tregun e energjisë. Pra para të tjera, kredi të tjera që sjellin kushte të tjera restriktive.
Po për udhëheqësin e opozitës, kryebashkiakun Lulzim Basha, ç’mendoni?
G.L: – Sa për Bashën, nuk kam pasur njohje direkte për faktin se ai doli në skenën politike diku nga viti 2004-2005, kur unë kisha pesë vjet që isha larguar nga Shqipëria. Por, me aq sa kam mundësi të ndjek zhvillimet në Shqipëri, kam konstatuar se është një politikan me profil europian, i aftë të argumentojë idetë e tij dhe gjithçka që thotë, gjë që e kam konstatuar nga debatet e tij në TV dhe në aktivitete të partisë së tij. Pa u zgjatur kam bindjen se është zgjedhja më e mirë për PD. Por, siç e kam vënë në dukje në një shkrim botuar vitin e kaluar të drejtosh partinë e trashëguar nga Berisha është një sfidë e vështirë, pasi çdo përpjekje për ndryshim lehtësisht mund të bëhet objekt spekullimi nga kundërshtarët e Bashës në PD. Kam përshtypjen se ai ndodhet midis dy zjarresh; nga njëra anë akuzohet se është një marionetë e Berishës, të cilin jo pak e konsiderojnë si kryetarin real të PD, ndërsa Bashën formal, ndërsa nga disa akuzohet se po përgatit kursin “antiberisha” duke kooptuar njerëz të rinj në forumet e partisë. Në fakt njerëzit e rinj sjellin një frymë të re në PD në bazë të së cilës antarët të jenë vetveprues, t’i kërkojnë llogari kryetarit dhe forumeve drejtuese dhe jo të jenë vetëm zbatues të verbër. PD sot ka nevojë për mendimin e secilit për të arritur tek një mendim rezultant sa më i pjekur. Duke vazhduar, dua të theksoj se është e nevojshme të afrohen “të ikurit” me peshë, ata që mendojnë ndryshe apo që janë konfliktuar me liderin e saj historik. Për një parti që pretendon standarte europiane është jetike një hapsirë sa më e madhe për oponentët. Oponentë sigurisht konsideroj ata të cilët përfaqsojnë një linjë të caktuar, natyrisht brenda normave të programit dhe që kanë mbështetës brenda radhëve të partisë. Madje nuk do të përbënte ndonjë çudi sikur ndonjë prej këtyre të ishte fjala vjen nënkryetar, sekretar apo me një funksion tjetër të rëndësishëm në parti. Ndërkaq, lidhur me raportet me pushtetin është më frytdhënëse që për ndonjë akt, ndonjë hap të qeverisë që i shërben qytetarëve të mirës së vendit në përgjithësi opozita nuk ka pse të mos e vlerësojë pozitivisht deri dhe ta mbështesë. Një sjellje e tillë do ta bënte opozitën tepër të besueshme dhe akuzat e saj ndaj “bëmave” të qeverisë do të ishin shumë herë më të efektshme.
– Le të kthehemi pas, tek karriera juaj sportive: Si shkoi Gavrosh Levonja tek Basketbolli?
G.L:- Me basketbollin më afroi një nga emrat më të shquar të volejbollit shqiptar, traineri i madh Vangjel Koja, i cili ishte mësues fizkulture në shkollën “11 janari” kur unë isha në klasën e gjashtë. Bashkë me Guxim Bekteshin, Bashkim Muhedinin dhe të tjerë u bëmë një skuadër e mire dhe arritëm të fitojmë kampionatin e shkollave shtatëvjeçare. Më pas në gjimnazin “Qemal Stafa” një shkollë ku gjatë orës së fizkulturës luhej vetëm basketboll, bile sa herë ndonjë klasë kishte pushim zhvilloheshin ndeshje me klasa, ndërsa çdo mëngjez nga ora 7 e 30 deri sa fillonte mësimi në fushën e shkollës luanin ata që mbaheshin si lojtarët më të mirë, ndër ta mjafton të përmend emrin e Agim Fagut. Ndërkohë, luaja me të rinjtë e Tiranës dhe shumë shpejt ndonëse vetëm 14 vjeç do kaloja me skuadrën e parë, ku trainer ishte një emër i madh dhe i respektuar në qarqet sportive; Feti Borova.
– Nëpër ç’rrugë eci karriera sportive?
G.L:- Me kalimin e viteve fillova ta shikoj sportin si të vetmen mëndësi për të dalë jashtë shtetit gjë që mund të arrihej duke fituar një kampionat a kupë republike ose duke u bërë lojtar i ekipit kombëtar. Kështu, megjithëse nuk isha nga ata që e dashuronin sportin, as nuk kisha ndonjë përfitim material ose interesa të tjera që mund të lidheshin fjala vjen me një të drejtë studimi apo qëndrim në Tiranë, mirëpo dëshira për të fituar të shtyn të stërvitesh për të dhënë maksimumin, në mënyrë që të shijosh frytet e djersës së derdhur. Pastaj ishte dhe detyrimi ndaj tifozëve, sidomos po të kesh parasysh se bëhet fjalë për tifozët e Tironës së athershme për të cilët tifozllëku ishte më shumë një mjet për të shprehur disensin e tyre ndaj qeverisë.
Cila ndeshje ju ka mbetë në kujtesë.
G.L: – Ndeshjet kanë qenë të shumta kështu që e kam të vështirë të veçoj ndonjërën. Secila kishte ndonjë episod për t’u mbajtur mend. Por më shumë mbeten në kujtesë grimca që nuk kanë të bëjnë mirëfilli me sportin. Ekipi ynë përsa i përket atmosferës së brendshmë ishte jashtë çdo “formati” zyrtar; lojtarë me flokë më të gjata se ç’lejohej, veprime si ato të skuadrave të huaja të “importuara” nga televizioni italian, muzika e huaj dëgjohej publikisht, me zë të lartë dhe në hotelet e qyteteve të tjerë kur shkonim për ndeshje dhe nuk përfillnim jo drejtuesit e klubit, as të federatës, po edhe ndonjë aparatçik pushteti, të cilin e vinim në lojë. Megjithatë , e paharrueshëm mbetet turneu i vitit 1974 në Kinë me ekipin kombëtar. Në atë kohë “krisja” në marrëdhëniet midis dy vendeve kishte filluar. Fakti që Hoxha kishte dërguar në Pekin si ambasador Behar Shtyllën tregonte se situata ishte delikate. Deri athere ndeshjet me kinezët ishin me të vërtetë miqësore, më shumë se ndeshje ishin një spektakël artistik ku qëllimi nuk ishte për të fituar po për ta nxjerrë ndeshjen barazim.Pasi ambasadori na foli për situatën në Kinë nga fundi u shpreh se “…kinezët kanë qejf të fitojnë..” Ndërkaq Agim Fagu e pyeti: “Po ne të luajmë për të fituar”. “Po dhe ju, luani për të fituar,”- u përgjigj pak si i pavendosur ambasadori. Që diçka kishte ndryshuar e konstatova gjatë një shfaqjeje të ansamblit tonë të këngëve dhe valleve në Pekin. Publiku nuk reagonte si dikur kur këndoheshin kënge për miqësinë dhe komunizmin, madje në fund të shfaqjes, kur artistët shqiptarë filluan ritualin e deriathershëm duke bërtitur: “Enver-Mao Ce Dun” apo “Cungo-Arbania” (Kina-Shqipëria), publiku filloi të dilte nga salla krejt indiferent.
Ashtu siç kishte paralajmëruar ambasadori Shtylla, kinezët vërtetë donin të fitonin me çdo kusht dhe për këtë nuk kursenin as një lojë të ashpër tej normales. Në një moment, një kinez, ndërsa Gim Fagu ishte në ajër, e pengon me gju dhe i jep një të shtyrë duke e hedhur tek spektatorët dhe, siç ishte zakon, shkon t’i japë dorën, gjë që Gimi e refuzon me një lëvizje dore që e shprehur me fjalë do të thoshte: “Ik pirdhu…”Por, pa kaluar as një minutë, nga altoparlantët në gjuhën kineze do të dëgjohej që “miqësia midis popullit shqiptar dhe atij kinez do të jetojë në shekuj, pavarësisht nga veprimet e ndonjë individi”. Pasi u njoh me këtë fakt ambasadori do të shprehej se “ata sportistët na hapën gjashtë muaj punë” dhe kërkoi që të merreshin masa për Gimin si pasojë e të cilave gjatë atij turneu shumë ndeshje nuk luajti. Ana sportive ishte vetëm një aspekt; tjetri ishte marrëdhëniet me kinezët jashtë fushe. Ndërsa Fagu nervozohej me përgjigjet e tyre dykuptimëshe duke debatuar, unë, duke e njohur zakonin kinez të interpretimit të çdo veprimi, i ngacmoja që të raportonin se shqiptarët “na provokojnë, nuk sillen miqësisht,…”. Me logjikën e 25 vjeçarit arsyetoja se qoftë dhe minimalisht, udhëheqja shqiptare ose do të afrohej me vijën e re të Kinës si “provë besnikërie” ndaj miqësisë së përjetshme ose do të shpejtohej ndarja, siç ndodhi pak vite më pas. Qëndrimet tona ndaj kinezëve ishin një problem i vazhdueshëm gjë që solli dhe konfrontimin tonë me drejtuesit e ekipit tone të cilët nuk i përfillnim më. Në një moment, madje u fol që “…ata të dy t’i nisni për në Tiranë…”
Pas kthimit në Tiranë, që në aeroport ku qethën Gimin u pa se udhëheqja e lartë ishte shqetësuar dhe filluam të prisnim furtunën. Fillimisht, krerët e sportit i minimizuan gjërat duke u mjaftuar me disa masa të lehta aq sa mund të ishin dënimet për indisiplinim apo flokë të gjata. Por pas takimit të ansamblit në Ministrinë e Arsimit, ku ansambli u përgëzua për “forcimin e miqësisë”, një “spiun vullnetar” i ansamblit ngriti problemin e “sjelljes borgjeze” të sportistëve dhe aty rifilloi gjithçka që përfundoi në masa dragoniane, si heqje titujsh sportive, pezullime për një kohë nga aktiviteti ndërkohë që unë u dënova dhe me mosdalje jashtë shtetit. Pas këtyre në të gjithë klubet sportive do të shpërndahej një buletin i posaçëm, ku dënoheshin sjelljet tona në Kinë me të njejtin stil dhe permbajtje si ai per Todi Lubonjen e Fadil Paçramit e me pas per grupet e tjera “armiqsore”. Nderkohe, ministri i arsimit na thirri ne zyren e tij dhe nder te tjera hodhi pyetjen: “A jeni ju me mesimet e partise?… Kurse nje sekretar i komitetit te partise se Tiranes në një mbledhje me sportistë tha se “…jane sjelle ne Kine si amerikane…”Gjithe kjo kishte te bente vetem me anen siperfaqsore; nese do te mesoheshin te gjitha ato qe kishim bere dhe qe kishim folur me kinezet qe na shoqeronin do te kishim perfunduar ne burg…
New York, 22 tetor 2014