Shkruan: Gavrosh Levonja/ New York/
Tashmë, pasi kanë kaluar më shumë se katër muaj nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, më së fundi ka filluar të flitet për të ashtuquajturin “ngërc kosovar”. Ndonëse është një periudhë kohe relativisht e gjatë që nga tetë qershori i këtij viti nuk kemi akoma asnjë institucion produkt i rezultatit që dhanë zgjedhjet. Vetëm ditët e fundit, presidentja e Kosovës, ka marrë mundimin të konsultohet me përfaqsues te ndryshëm të politikës kosovare për të gjetur një formulë të pranueshme e cila do të conte në rifillimin normal të jetës institucionale në vend. Mirëpo, duke u njohur me përmbajtjen e takimeve në fjalë të presidentes, menjëherë ndeshemi me dicka jo normale; kërkimin e një “zgjidhjeje në përputhje me kushtetutën”. Eshtë me të vërtetë për t’u habitur se c’zgjidhje ka parasysh presidentja, në kohën që kushtetuta e vendit e thotë në mënyrë fare të qartë se “për formimin e qeverisë së re ngarkohet kreu I partisë ose koalicionit që fiton më shumë vota …”. Në rast se zonja Jahjaga do të ishte e interesuar për t’I qëndruar besnike kushtetutës, nuk kishte pse të humbiste kohë duke pritur katër muaj, por vetëm një javë apo e shumta dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve duhej të kishte ngarkuar kryetarin e PDK-së, Thaci për të formuar qeverinë e re si lider i partisë që fitoi më shumë vota në zgjedhje. Në rast se ky nuk do të ishte në gjendje të siguronte aleatët e nevojshëm që të fitonte votëbesimin në parlament, gjë që , gjykuar nga zhvillimet e deritanishme , gjasat më të mëdha flasin për një dështim të tij, athere ajo, pa humbur kohë, duhej t’i jepte mandatin për këtë, përfaqsuesit të një formacioni tjetër, në këtë rast koalicioni VLAN. Dhe pasi të dështonte dhe kjo përpjekje athere qytetarët e Kosovës gjithnjë në bazë të kushtetutës, duhej t’u drejtoheshin edhe një herë kutive të votimit. Por më shumë se tek zbatimi I kushtetutës, shkaku I vërtetë dhe I vetëm I “ngërcit” institucional në Kosovë, është përpjekja e dëshpëruar e kryeministrit në detyrë, Hashim Thaci, për të mos dorëzuar postin. Thjesht, vetëm si pasojë e këmbënguljes në këtë drejtim , apo të paktën, që partia e tij të vazhdojë të qëndrojë ende në pushtet, Gjykata Kushtetuese merr vendime të paargumentuara aspak bindshëm duke mohuar vullnetin e shumicës së parlamentarëve të dalë nga vota e tetë qershorit. Gjithashtu, në këtë kuadër, krerë të PDK-së e deputetë të saj etj, bëhen qesharakë ndërsa servirin “argumenta” të tillë si “vetëm partia më e madhe ka të drejtë të krijojë koalicion qeveritar”, se “është e papranueshme që partia më e madhe të jetë në opozitë”, se “kreu I parlamentit ose I ndonjë institucioni tjetër të rëndësishëm duhet t’i takojë detyrimisht PDK-së” etj. Nuk mungojnë dhe “profeci” të tilla si “cdo ndryshim përsa I përket qeverisë do të rezultojë me pasoja të rënda për të ardhmen e vendit” të cilat e kanë burimin nga zyra e Thacit. Dhe, po t’I mbledhim të gjitha këto, konkludohet se kryeministri I deritanishëm dhe partia e tij nuk njohin ose të paktën nuk pajtohen me realitetin politik të pas zgjedhjeve të tetë qershorit. Nga ana tjetër, gjë që del duke analizuar manovrimet diversive të PDK-së kuptohet se po synohet carja e VLAN-it duke joshur eksponentë të tij me n jë koalicion të tipit PDK-LDK, pa përjashtuar parti të tjera apo në rastin më të keq duke “blerë” deputetë të tyre. Vetë përmendja e “zgjedhjeve të reja” si pasojë e ngërcit të krijuar, nuk është gjë tjetër vecse shantazh ndaj deputetëve, të cilët mund të humbin mandatin pas zgjedhjeve të mundshme të jashtzakonshme. Mirëpo askush nuk përmend faktin që tek zgjedhjet e jashtzakonshme shkohet vetëm pasi të jenë ezauruar gjithë alternativat e tjera të mundshme. Athere, si mund të flitet për zgjedhje të tjera apo përsëritje të tyre në kohën që ende nuk është tentuar të provohet asnjë alternativë?
Ditët e fundit, ngerci institucional në Kosovë u bë temë edhe e zonjës Doris Pack, e cila praktikisht I u bashkua korit të atyre që mbështesin moslargimin e PDK nga pushtetit edhe pse nuk është në gjendje të sigurojëe votat e nevojshme duke qene se asnjë nga partitë me peshë të Kosovës, nuk dëshëron të komprometohet duke marrë mbi shpinë “mëkatet” e qeverisë “Thaci” kundër te cilave u shpreh shumica e qytetarëve në votën e tetë qershorit. Lidhur me këtë ajo nuk nguroi të deklaronte edhe ndonjë absurditet të tipit si “Haradinaj nuk mund të jetë kryeminstër kur partia e tij mori vetëm 10 përqind të votave” si dhe duke propozuar formulën “magjike” të koalicionit PDK-LDK. Përsa I përket zotit Haradinaj, zonja Pack e di fort mirë se në vendet e BE-së, ka raste të shumta, ku si pasojë e konjunkturave të krijuara, jo vetëm liderë të partive të vogla, por madje figura që nuk I përkasin ndonjë partie politike vendosen në krye të qeverisë. Shembulli më I prekshëm në këtë aspekt është Italia fqinje. Sa për idenë e koalicionit PDK-LDK, ky do të ishte dëmi më I madh që do t’I bëhej pluralizmit dhe jetës demokratike në Kosovë, pasi vendi, praktikisht, do të mbetej pa opozitë për një kohë relativisht të gjatë, në kohën që pushteti do të mbetej një ceshtje “familjare” e dy partive më të mëdha të vendit, duke përgatitur kështu funeralin e pluralizmit politik.
PROKURORIA, GUVERNATORI DHE KËSHILLI MBIKQYRËS I BANKËS KOMBËTARE
SHKRUAN: GAVROSH LEVONJA/New York/
Arrestimi i ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, që nga mënyra dhe rrethanat si u realizua, deri diku përbente dhe një surprizë, natyrisht që pati një jehonë të gjerë në opinionin publik, madje dhe në qarqet politike. Pjesën e luanit në këtë jehonë, pa dyshim, e pati prokuroria nga zyrat e së cilës doli dhe urdhëri për vënien nën pranga të zotit Fullani. Kështu, vetë prokurori firmën e të cilit mbante urdhër arresti do të ishte heroi i ditës në pjesën më të madhe të mediave shqiptare dhe sidomos në rrjetet sociale. Kuptohet se lavdet e përgëzimet në adresë të prokurorisë ishin dicka që pritej, po të kihet parasysh se prokuroria, e cila, për të qenë realistë, gjatë një periudhe shumëvjecare ka dështuar ose të paktën ka qenë e pafuqishme për të pasur sukses me dosjet e ceshtjeve të bujshme, ku të akuzuar kanë qenë personalitete nga politika apo qarqe të lidhura me të. Madje arrestimi i Fullanit, krijoi një frymë optimizmi se më në fund prokuroria po shkëputej nga prangat e politikës duke filluar luftën kundër krimit shtetëror. Mirëpo, duke analizuar zhvillimet menjëherë pas daljes në dritë të lajmit për vjedhjen në mjediset e thesarit të Bankës së Shqipërisë, në radhë të parë reagimet e klasës politike shqiptare, opozitës dhe qeverisë, mendoj se nuk ka vend për optimizëm përsa i përket të ardhmes së aktivitetit të organit të akuzës kur është fjala në raportet me politikën, më së pari me pushtetarët e radhës. Gjatë gjithë periudhës që nga dita e publikimit të vjedhjes së Ardian Bitrajt, politika shqiptare është ndodhur midis dy zjarresh; nga njëra anë presionit të pjesës më të madhe të opinionit publik i cili kërkonte ndëshkimin e guvernatorit si përgjegjës kryesor dhe nga ana tjetër një reagimi të mundshëm të ndërkombëtarëve, të cilët cdo hap që mund të conte drejt shkarkimit të guvernatorit të bankës, mund ta cilësonin si “cënim të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë”. Aq më tepër kur kryeministri, Rama ishte shprehur për “stabilitet financiar” gjë që nënkupton meritën e Bankës së Shqipërisë, në një kohë kur edhe Këshilli Mbikqyrës i bankës, pas një votimi, kishte hedhur poshtë, pothuajse unanimisht një shkarkim të mundshëm të Fullanit qoftë dhe në formë dorëheqjeje. Në dritën e një optike të tillë, mund të shpjegohet dhe “guximi” i një zyrtareje të bankës për të injoruar parlamentin duke mos denjuar të paraqitej për të dëshmuar para komisionit parlamentar për ekonominë. Fakt është se kushtet për të vënë në lëvizje mekanizmat për rrëzimin e Ardian Fullanit nga maja e piramidës bankare të Shqipërisë do të fillonin vetëm pas arrestimit të tij në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga prokurori Troci. Personalisht, duke pasur parasysh sa më sipër, urdhëri i prokurorisë për të prangosur guvernatorin e deriathershëm të Banksës së Shqipërisë, jo vetëm nuk më bën “optimist” për fillimin e një “sfide” të organit të akuzës kundër shkelësve të ligjit nga radhët e pushtetarëve, por, në të kundërt, them se duke arrestuar Fullanin, prokuroria i bëri shërbimin e radhës politikës duke e cliruar nga “barra” e rëndë për të vepruar kundër kreut të bankës qëndrore të vendit. Duke lexuar pesë shkeljet mbi të cilat prokuroria ka bazuar akuzën kundër ish-guvernatorit te Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, te krijohet përshtypja se gjithcka është bërë në kushtet e emergjencës së krijuar si rezultat i ndonjë presioni për të “bërë letrat” që do ta dërgonin numrin një të bankës prapa hekurave.
Zoti Fullani ndodhej ne krye të Bankës së Shqipërisë që nga tetori i vitit 2004, pra një periudhë dhjetëvjecare, gjë që natyrshëm të con tek pyetja: “Shkeljet” e konstatuara prej prokurorisë e kanë zanafillën që prej viti 2004, vitin e kaluar apo muajin e kaluar? Mirë, Fullani, nuk paska propozuar zv/guvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, po Këshilli Mbikqyrës si është e mundur që nuk i a ka kërkuar atij një gjë të tillë. Prokurori i ngarkuar për cështjen në fjalë, në komunikatën e publikuar nuk përmend ndonjë fakt si fjala vjen që “filan antar i këshillit mbikqyrës i a kërkoi por guvernatori nuk e përfilli”. E njejta gjë mund të thuhet edhe për “shkeljet” e tjera; Si ka mundësi që ky këshill i quajtur mbikqyrës paska bërë sehir Fullanin duke e lënë të shijë si të dojë qe nga dita e ardhjes në krye të bankës qëndrore të vendit? Ndoshta duke mos qenë në kontakt direkt me atë c’ka është bërë në Bankën e Shqipërisë në vite mund edhe të gaboj, por logjika më con në atë që “shkeljet” në fjalë duhet të kenë ekzistuar që para ardhjes së Fullanit. P.sh. nëse do të kishte pasur një zv/guvernator të dytë para Fullanit, kur pse dhe si u largua? Si ka mundësi që Fullani i akuzuar se ka mbushur bankën me miq, të afërm të tij dhe të politikanëve të rëndësishëm e paska lënë t’i shpëtojë një post i tillë pa emëruar dikë të vetin? Së dyti, kur flitet për “nisma juridike”, për “rregullore të thesarit”, për “politika për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme”, etj. të gjitha këto paskan qenë lënë të bëheshin ditën kur do të vinte këmbë në zyrën e guvernatorit, Ardian Fullani? Gjithashtu, po para Fullanit si kryheshin auditet në Bankën e Shqipërisë? Dihet se në Shqipëri ai që vjen në krye të një institucioni më shumë është i prirur të ndryshojë njerëzit se sa normat e stilin e punës. Nuk dihet saktësisht nëse është shtyrë prokuroria për të hetuar aktivitetin e Bankës së Shqipërisë para ardhjes në krye të saj të Fullanit. Nëse do të shpresohej për një hetim të suksesshëm, ky nuk do të ishte i mundur pa hetuar imtësisht aktivitetin e Këshillit Mbikqyrës. Konkretisht,shkeljet e evidentuara nga organi i akuzës, gjykuar nga përmbajtja e tyre duhej të kishin qenë objekt shqyrtimi i Këshillit Mbikqyrës të Bankës, antarët e të cilit duhej të kishin ngritur zërin edhe për shkëljen apo abuzimin më të vogël nga ana e kreut të bankës. Madje, më shumë se guvernatori, roli kryesor i të cilit janë probleme të tilla si politikat monetare, koordinimi i tyre me situatat ekonomike e sociale të vendit, me levizjet në qarqet financiare ndërkombëtare, i mbetej anëtarëve të këshillit të merreshin me atë që mund të konsiderohet si “prapavija” sic janë problemet e sigurisë, apo zbatimi i rregulloreve të brendshme, etj. Lidhur me këtë ma do mendja se në asnjë vend të botës guvernatori i një banke ka luksin të merret me problemet e sigurisë në një institucion bankar qoftë dhe të nivelit të dytë. Përsa i përket auditeve guvernatorja e re dëshmoi para prokurorisë se për auditet e munguara në vitet 2012, 2013 dhe 2014 përgjegjësia i takon ekskluzivisht kryeinspektores se arrestuar, Golemi, po athere si mund të mbetet jashtë përgjegjësive vetë guvernatorja e re, deri dje zv/guvernatore, të cilës nuk i paskan rënë në sy auditet e munguara gjatë një periudhë trevjecare? Të gjitha akuzat ndaj Fullanit duke pasur parasysh qëllimin dhe kuadrin ligjor të funksionimit të këshillit mbikqyrës, rëndojnë dhe mbi antarët e këtij këshilli i cili paska qenë një organizëm krejt formal, i ngjashëm me bordet e institucioneve e kompanive të ndryshme, ku të emëruarit e kanë kuptuar detyrën e tyre vetëm për të marrë rrogat e majme duke e pasur qenien në këshillin mbikqyrës si “punë të dytë”. Normalisht, antarët e këshillit mbikqyrës duhej të ndëshkoheshin me kthimin e këtyre rrogave për punë të pakryer.
Politika kosovare në provë
Nga Gavrosh LEVONJA/New York/
Zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit në Kosovë, me rezultatet që prodhuan shënojnë një moment prove për klasën politike të vendit, lidhur me atë që sa do të jetë në gjendje për të shmangur ngërcin në mënyrë që cdo gjë të funksionojë normalisht. Megjithëse pas zgjedhjeve të fundit, PDK e kryeministrit, Hashim Thaci, rezultoi partia me e votuar ne Kosovë, duke siguruar 37 vende në parlamentin e ardhshëm, ka shumë gjasa që ai të mos vazhdojë të jetë kryeministër I Kosovës. Kjo, sepse, votat e marra prej partisë se kryesuar prej tij, janë të pamjaftueshme që t’I sigurojnë zotit Thaci një mandat tjetër në krye të qeverisë së Kosovës. Nga ana tjetër kalimi I Thacit në opozitë bëhet edhe më I prekshëm për arsye se asnjë nga partitë të cilat me votat e tyre mund të ndikojnë balancat në parlament, jo vetëm nuk I ka ofruar ndonjë mbështetje kryeministrit aktual, por, në të kundërt, janë bashkuar në një koalicion për t’I dhënë fund vazhdimësisë së tij në krye të ekzekutivit kosovar. Më e rëndësishmja është se koalicioni në fjalë duket se I ka numrat e nevojshëm në parlament që një qeveri e dalë nga koalicioni LDK-AAK dhe “Nisma” e Limajt të votëbesohet nga parlamenti. Votimi I liderit të LDK, Isa Mustafa si kryetar I parlamentit,ndonëse, deri tani i mbetur pezull, në pritje të një vendimi definitiv të Gjykatës Kushtetuese, ishte sinjal konkret në këtë aspekt por dhe prova e pare e forcës që tregoi se cili është raporti real i forcave në parlamentin e dalë pas zgjedhjeve të fundit. Në vazhdën e kësaj edhe një kabinet qeveritar, i cili sipas marrëveshjes LDK-AAK – NISMA do të kryesohet nga lideri I AAK, Ramush Haradinaj, I ka të gjitha gjasat të fitojë votat e nevojshme nga ligjvënësit e Kosovës.
Por, kryeministri Thaci dhe mbështetësit e tij dukë përfshirë dhe ndonjë personalitet jashtë PDK-së, dukë mos u pajtuar me realitetin e ri, të krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit, nxjerrin si argument faktin se “është absurde që partia më e votuar të ndodhet në opozitë” apo “kjo parti ka të drejtën të propozojë kryeministrin” etj. Por ama, nga ana tjetër, tingëllon po aq absurde që një parti e cila ka mbështetjen e vetëm 33 përqind të elektoratit të bëhet shprehëse e vullnetit të gjithë popullit të Kosovës. E vërteta është se në Kushtetutën e Kosovës nuk gjen të shkruar në ndonjë vend që “partia më e votuar të jetë doemos në qeveri’” ose që “kryeministri duhet të jetë nga partia më e madhe”. Kushtetuta e Kosovës në këtë drejtim nuk le shtigje për asnjë ekuivok apo spekullime në mënyrën e të interpretuarit. Konkretisht, në pjesën ku flitet për formimin e qeverisë, aty është shkruar e zezë mbi të bardhë se: “Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.” Pra, sic shihet, nuk thuhet kërkund që partia, e cila ka fituar më shumë vota ka të drejtën të formojë qeverinë apo të caktojë kryeministrin, por bëhet fjalë për Partinë ose Koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar qeverinë dhe, 37 deputetët e partisë së kryeministrit të deritanishëm, Hashim Thaci, janë larg të qenit “shumicë e nevojshme” në një parlament me 120 vende. Në të vërtetë, shumë më pranë “shumicës së nevojshme” është koalicioni i kundërshtarëve të Thacit, i cili edhe mund shtojë vota të tjera në aktivin e tij. I ndërgjegjshëm për një realitet të tillë, kreu i PDK-së po bën edhe lëvizje vetëm për të shmangur kalimin në opozitë. Kështu, pak kohë më parë u fol për një ofertë drejtuar liderit të “Vetëvendosjes” Albin Kurti duke e joshur me postin e kryeministrit të mbështetur nga votat e PDK-së, gjë që u refuzua nga ky i fundit pa asnjë mëdyshje. Duke pasur parasysh se shumica e krediteve politike që kanë rritur ndikimin e “Vetëvendosjes” në skenën politike të Kosovës, kanë qenë kryesisht produkt i kundërshtimit dhe kritikave të politikave të ndjekura nga Thaci e qeveria e tij për probleme të ndryshme, pranimi i një oferte të tillë do të ishte vetëvrasje politike për liderin e “Vetëvendosjes” dhe vetë partia do të humbiste në përmasa dramatike elektoratin e saj. Pas kësaj duket se Thaci shpresat I ka mbështetur vetëm tek koha me idenë se me kalimin e saj, në forma të ndryshme do të mund të sigurojë votat e nevojshme për të ruajtur karriken e kryeministrit apo të paktën të evituar kalimin në opozitë.
Ndonëse kanë kaluar mëse dy muaj nga përfundimi I zgjedhjeve, Kosova vazhdon të drejtohet nga një qeveri “në ikje” gjë që e ka futur politikën kosovare në një farë ngerci, për më tepër kur vota e 8 qershorit ndëshkoi dhe disa nga ministrat e Thacit duke i lënë jashtë parlamentit. Në një situatë të tillë të tërheq vemendjen dhe apatia e presidentes së Kosovës. Në bazë të kushtetutës, fill pas zgjedhjeve ajo duhej të kishte filluar konsultimet me Thacin në cilësinë e partisë me numrin më të madh të votave dhe aktorëve të tjerë kryesorë të skenës politike të Kosovës për formimin e qeverisë së re. Në rast se kryeministri aktual do ta refuzonte mandatin, duke mos qenë në gjendje të siguronte numrat e nevojshëm, athere ajo do të ngarkonte dikë tjetër që do të ishte në gjendje t’I siguronte qeverisë së tij marrjen e votëbesimit në parlament. Në rast se zoti Thaci, do ta merrte përsipër formimin e qeverisë sipas kushtetutës athere brenda 15 ditëve duhej t’I nënshtrohej votëbesimit nga parlamenti dhe nëse do të dështonte, apo në se do ta refuzonte mandatin që në fillim, duke mos qenë në gjendje të siguronte numrat e nevojshëm, athere ajo do të ngarkonte dikë tjetër që do të ishte në gjendje t’I siguronte qeverisë së tij marrjen e votëbesimit në parlament. brenda 10 ditëve. Në qoftë se edhe qeveria ekandidatit të dytë do të rrëzohej nga kuvendi, athere, në bazë të kushtetutës, presidentja shpall zgjedhje të reja të cilat duhet të zhvillohen brenda 40 ditësh. Të gjitha mundësitë e mësipërme janë parashikuar nga Kushtetuta e Kosovës, prandaj nuk ka si të mos shkaktojë habi fakti qe presidentja e vendit i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, në një kohë që nuk ka bërë asnjë hap përsa i përket konsultimeve më forcat kryesore politike në përpjekje për ta bërë vendin me qeveri. Kjo ndodh pikërisht në momentin kur qeveria e re do të përballet me shumë sfida që ndodhen para shtetit të ri që synon të përparojë drejt integrimit në Evropë dhe mbi të gjitha të rimëkëmbë ekonomikisht vendin, i cili është vendi më i varfër i Evropës. Një nga sfidat është edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, marrëveshje që synojnë zgjidhjen e situatës në veriun e Kosovës të banuar më shumicë serbe, pa zgjidhjen e së cilës nuk mund të flitet për funksionim normal të shtetit të Kosovës. Përballë sfidash të tilla, shtoji dhe konsumimin gjatë viteve të qeverisjes, si dhe faktin që me një shumicë të brishtë do të bëhej pre, jo vetëm e pakënaqësive të aleatëve por dhe e tekave e humorit të ndonjë deputeti, cdo politikan, I ndodhur në pozitat e Thacit do të kishte preferuar t’I a linte stafetën e qeverisjes kundërshtarëve të tij, që pastaj ne rast dështimi të këtyre të fundit, të rikthehej shumë më I fortë. Qeveria e re do të përballet gjithashtu edhe me gjykatën e posaçme e cila do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte, ku një vend kryesor zenë pretendimet e ngritura në vitin 2010 nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dick Marty. Duke pasur në konsideratë këtë të lind dyshimi se, ndoshta frika se mos I figurojë emri në ndonjë nga listat me persona që do të hetohen Thaci këmbëngul për të qenë akoma kryeministër I vendit pasi nga një pozitë e tillë do të mund të ballafaqohej më me komoditet me ndonjë akuzë të mundshme. Duhet thënë se në këtë drejtim kundërshtarët e tij janë më të avantazhuar, pasi, Ramush Haradinaj ka dalë dy herë fitues në Gjykatën e Hagës, në kohën që edhe partneri tjetër I koalicionit, Limaj, gjithashtu I ka tashmë të zgjidhura problemet me drejtësinë.
New York, gusht 2014