Nga Gavrosh LEVONJA/New York/
Zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit në Kosovë, me rezultatet që prodhuan shënojnë një moment prove për klasën politike të vendit, lidhur me atë që sa do të jetë në gjendje për të shmangur ngërcin në mënyrë që cdo gjë të funksionojë normalisht. Megjithëse pas zgjedhjeve të fundit, PDK e kryeministrit, Hashim Thaci, rezultoi partia me e votuar ne Kosovë, duke siguruar 37 vende në parlamentin e ardhshëm, ka shumë gjasa që ai të mos vazhdojë të jetë kryeministër I Kosovës. Kjo, sepse, votat e marra prej partisë se kryesuar prej tij, janë të pamjaftueshme që t’I sigurojnë zotit Thaci një mandat tjetër në krye të qeverisë së Kosovës. Nga ana tjetër kalimi I Thacit në opozitë bëhet edhe më I prekshëm për arsye se asnjë nga partitë të cilat me votat e tyre mund të ndikojnë balancat në parlament, jo vetëm nuk I ka ofruar ndonjë mbështetje kryeministrit aktual, por, në të kundërt, janë bashkuar në një koalicion për t’I dhënë fund vazhdimësisë së tij në krye të ekzekutivit kosovar. Më e rëndësishmja është se koalicioni në fjalë duket se I ka numrat e nevojshëm në parlament që një qeveri e dalë nga koalicioni LDK-AAK dhe “Nisma” e Limajt të votëbesohet nga parlamenti. Votimi I liderit të LDK, Isa Mustafa si kryetar I parlamentit,ndonëse, deri tani i mbetur pezull, në pritje të një vendimi definitiv të Gjykatës Kushtetuese, ishte sinjal konkret në këtë aspekt por dhe prova e pare e forcës që tregoi se cili është raporti real i forcave në parlamentin e dalë pas zgjedhjeve të fundit. Në vazhdën e kësaj edhe një kabinet qeveritar, i cili sipas marrëveshjes LDK-AAK – NISMA do të kryesohet nga lideri I AAK, Ramush Haradinaj, I ka të gjitha gjasat të fitojë votat e nevojshme nga ligjvënësit e Kosovës.
Por, kryeministri Thaci dhe mbështetësit e tij dukë përfshirë dhe ndonjë personalitet jashtë PDK-së, dukë mos u pajtuar me realitetin e ri, të krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit, nxjerrin si argument faktin se “është absurde që partia më e votuar të ndodhet në opozitë” apo “kjo parti ka të drejtën të propozojë kryeministrin” etj. Por ama, nga ana tjetër, tingëllon po aq absurde që një parti e cila ka mbështetjen e vetëm 33 përqind të elektoratit të bëhet shprehëse e vullnetit të gjithë popullit të Kosovës. E vërteta është se në Kushtetutën e Kosovës nuk gjen të shkruar në ndonjë vend që “partia më e votuar të jetë doemos në qeveri’” ose që “kryeministri duhet të jetë nga partia më e madhe”. Kushtetuta e Kosovës në këtë drejtim nuk le shtigje për asnjë ekuivok apo spekullime në mënyrën e të interpretuarit. Konkretisht, në pjesën ku flitet për formimin e qeverisë, aty është shkruar e zezë mbi të bardhë se: “Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.” Pra, sic shihet, nuk thuhet kërkund që partia, e cila ka fituar më shumë vota ka të drejtën të formojë qeverinë apo të caktojë kryeministrin, por bëhet fjalë për Partinë ose Koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar qeverinë dhe, 37 deputetët e partisë së kryeministrit të deritanishëm, Hashim Thaci, janë larg të qenit “shumicë e nevojshme” në një parlament me 120 vende. Në të vërtetë, shumë më pranë “shumicës së nevojshme” është koalicioni i kundërshtarëve të Thacit, i cili edhe mund shtojë vota të tjera në aktivin e tij. I ndërgjegjshëm për një realitet të tillë, kreu i PDK-së po bën edhe lëvizje vetëm për të shmangur kalimin në opozitë. Kështu, pak kohë më parë u fol për një ofertë drejtuar liderit të “Vetëvendosjes” Albin Kurti duke e joshur me postin e kryeministrit të mbështetur nga votat e PDK-së, gjë që u refuzua nga ky i fundit pa asnjë mëdyshje. Duke pasur parasysh se shumica e krediteve politike që kanë rritur ndikimin e “Vetëvendosjes” në skenën politike të Kosovës, kanë qenë kryesisht produkt i kundërshtimit dhe kritikave të politikave të ndjekura nga Thaci e qeveria e tij për probleme të ndryshme, pranimi i një oferte të tillë do të ishte vetëvrasje politike për liderin e “Vetëvendosjes” dhe vetë partia do të humbiste në përmasa dramatike elektoratin e saj. Pas kësaj duket se Thaci shpresat I ka mbështetur vetëm tek koha me idenë se me kalimin e saj, në forma të ndryshme do të mund të sigurojë votat e nevojshme për të ruajtur karriken e kryeministrit apo të paktën të evituar kalimin në opozitë.
Ndonëse kanë kaluar mëse dy muaj nga përfundimi I zgjedhjeve, Kosova vazhdon të drejtohet nga një qeveri “në ikje” gjë që e ka futur politikën kosovare në një farë ngerci, për më tepër kur vota e 8 qershorit ndëshkoi dhe disa nga ministrat e Thacit duke i lënë jashtë parlamentit. Në një situatë të tillë të tërheq vemendjen dhe apatia e presidentes së Kosovës. Në bazë të kushtetutës, fill pas zgjedhjeve ajo duhej të kishte filluar konsultimet me Thacin në cilësinë e partisë me numrin më të madh të votave dhe aktorëve të tjerë kryesorë të skenës politike të Kosovës për formimin e qeverisë së re. Në rast se kryeministri aktual do ta refuzonte mandatin, duke mos qenë në gjendje të siguronte numrat e nevojshëm, athere ajo do të ngarkonte dikë tjetër që do të ishte në gjendje t’I siguronte qeverisë së tij marrjen e votëbesimit në parlament. Në rast se zoti Thaci, do ta merrte përsipër formimin e qeverisë sipas kushtetutës athere brenda 15 ditëve duhej t’I nënshtrohej votëbesimit nga parlamenti dhe nëse do të dështonte, apo në se do ta refuzonte mandatin që në fillim, duke mos qenë në gjendje të siguronte numrat e nevojshëm, athere ajo do të ngarkonte dikë tjetër që do të ishte në gjendje t’I siguronte qeverisë së tij marrjen e votëbesimit në parlament. brenda 10 ditëve. Në qoftë se edhe qeveria ekandidatit të dytë do të rrëzohej nga kuvendi, athere, në bazë të kushtetutës, presidentja shpall zgjedhje të reja të cilat duhet të zhvillohen brenda 40 ditësh. Të gjitha mundësitë e mësipërme janë parashikuar nga Kushtetuta e Kosovës, prandaj nuk ka si të mos shkaktojë habi fakti qe presidentja e vendit i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, në një kohë që nuk ka bërë asnjë hap përsa i përket konsultimeve më forcat kryesore politike në përpjekje për ta bërë vendin me qeveri. Kjo ndodh pikërisht në momentin kur qeveria e re do të përballet me shumë sfida që ndodhen para shtetit të ri që synon të përparojë drejt integrimit në Evropë dhe mbi të gjitha të rimëkëmbë ekonomikisht vendin, i cili është vendi më i varfër i Evropës. Një nga sfidat është edhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, marrëveshje që synojnë zgjidhjen e situatës në veriun e Kosovës të banuar më shumicë serbe, pa zgjidhjen e së cilës nuk mund të flitet për funksionim normal të shtetit të Kosovës. Përballë sfidash të tilla, shtoji dhe konsumimin gjatë viteve të qeverisjes, si dhe faktin që me një shumicë të brishtë do të bëhej pre, jo vetëm e pakënaqësive të aleatëve por dhe e tekave e humorit të ndonjë deputeti, cdo politikan, I ndodhur në pozitat e Thacit do të kishte preferuar t’I a linte stafetën e qeverisjes kundërshtarëve të tij, që pastaj ne rast dështimi të këtyre të fundit, të rikthehej shumë më I fortë. Qeveria e re do të përballet gjithashtu edhe me gjykatën e posaçme e cila do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte, ku një vend kryesor zenë pretendimet e ngritura në vitin 2010 nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dick Marty. Duke pasur në konsideratë këtë të lind dyshimi se, ndoshta frika se mos I figurojë emri në ndonjë nga listat me persona që do të hetohen Thaci këmbëngul për të qenë akoma kryeministër I vendit pasi nga një pozitë e tillë do të mund të ballafaqohej më me komoditet me ndonjë akuzë të mundshme. Duhet thënë se në këtë drejtim kundërshtarët e tij janë më të avantazhuar, pasi, Ramush Haradinaj ka dalë dy herë fitues në Gjykatën e Hagës, në kohën që edhe partneri tjetër I koalicionit, Limaj, gjithashtu I ka tashmë të zgjidhura problemet me drejtësinë.
New York, gusht 2014