Disa mijëra shqiptarë kanë dalë për të protestuar kundër dhunës që është ushtruar një ditë më parë ndaj shqiptarëve pas protestës së organizuar nga ish forcat e sigurisë maqedonase “Dinjiteti”.
Protesta që është organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, ka nisur në orën 12:30 prej qendrës tregtare ”Çairçanja” dhe duke kaluar nëpër Bit Pazar për të vazhduar para Qeversisë së Maqedonisë, njofton korrespodentja e Radios Evropa e Lirë në Shkup.
Një pjesë e protestuesve ka tentuar të dilte nga kolona dhe të nisej drejt sheshit të Shkupit, me ç’rast është përleshur me forcat policore.
Protesta thuhet se ka dalë jasht kontrollit kur një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të gjuajnë mbi objektet bri rrugës, në mesin e të cilave edhe ato të projektit “Shkupi 2014”.
Me këtë rast, forcat e sigurisë kanë shtuar radhët dhe në përforcim kanë mbërritur dhe autoblinda, të cilët kanë zmbrapsur protestuesit. Policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës dhe bomba tymi për të shpërndarë protestuesit, që hidhnin gurë dhe mjete të forta drejt policisë.
Ndryshe Hazret Jakupi, një nga organizatorët ka deklaruar se protesta nuk është e drejtuar kundër askujt, por shpreh dhimbjen dhe indinjatën për rrahjen e fëmijëve shqiptarë.
“Ne nuk duam incidente, duam paqe. Mjaft ishte rrahja e fëmijëve shqiptarë”, ka deklaruar Jakupi.