• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një saktësim historik dhe një perspektivë politike

August 31, 2021 by s p

Nga Genc Pollo

Refugjatët afganas po krahasohen me shqiptarët që lanë vendin duke ikur nga sytë këmbët në vitet 1990-1991. Ky krahasim po përdoret nga propaganda e qeverisë për të ngjallur emocione pozitive dhe për të prezantuar si moralisht të justifikuar strehimin e deri 4000 refugjatëve nga Afganistani. Si zakonisht propaganda nuk kujdeset shumë për vërtetësinë e saktësinë e narrativës së saj. Edhe ky rast nuk përbën përjashtim. Në 90-91 regjimi komunist ishte ekonomikisht e moralisht i drobitur dhe me përjashtim të disa segmenteve të Sigurimit të Shtetit e të rojeve kufitare kishte humbur vullnetin për ushtruar “dhunë revolucionare”. Ata mijëra e mijëra njerëz të paushqyer e të veshur keq që u dyndën në anijet e ndodhura në porte apo marshuan në male e pyje për gjetur diku një jetë më të mirë nuk kërcënoheshin (më) nga internimi, burgosja e pushkatimi. Ata thjesht ishin shpresëhumbur e të dëshpëruar (çdo krahasimi me vitet e fundit nuk është ose është i rastësishëm). Ata nuk ishin bashkëpunëtorë të shteteve të huaja me prani ushtarake, diplomatike apo ojf-iste në vend por njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë (asokohe njiheshin tre: klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste e inteligjenca popullore). Fillimisht ata u pranuan në shtetet fqinjë (Greqi, Itali e më tej në Europë); por kur u duk se u teprua me numrat e mjetet si në gusht 91 u kthyen me forcë në Rinas përmes një ure ajrore. Ndryshe nga refugjatët afganas atyre nuk ju ofrua evakuim me avion nga shtete të huaja dhe as nuk u pritën e përshëndetën në aeroport nga qeveritarë siç po shohim me kryeministrin ekzibicionist; ata u ndihmuan pjesërisht nga strukturat shtetërore e më së shumti nga qasja karitative e shoqërive në vendet strehuese. Krahasimet historike çalojnë në përgjithësi. Por nëse duhet patjetër të gjejmë një paralele shqiptare me minieksodin në Afganistan më e afërta që gjëndet është ajo e viteve 1944-1946. Ata që kolaboruan me Wehrmacht-in e autoritetet gjermane pjesërisht ikën nga deti e toka brenda vitit 1944. Ata që punuan me misionet anglo-amerikane pjesërisht mundën të largoheshin deri në vitin 1946. Ata që mbetën vuajtën keq pasojat e një vrulli ideologjik totalitar e çnjerëzor shumë të ngjashëm me atë të talebanëve në vitet 90. E vetmja gjë për të cilën tashti mund të shpresojmë e lipset të lutemi është që talebanët e vitit 2021 të jenë më pak dogmatikë e më shumë njerëzorë.Përveçse të shpresojmë e të lutemi lipset edhe të veprojmë që projekte idealiste të Perëndimit, si ai që filloi në v. 2001 në Afganistan, të mos dështojnë si pasojë e inkompetencës, paqartësisë, miopisë e korrupsionit. Për këtë sfidat i kemi këtu, në vendin tonë duke mos harruar se i zoti e nxjerr gomarin nga balta. 

30 gusht 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Afganistani, Genc Pollo, opinion

Ndjesëkërkesa rilindiste dhe preferimi i budallallëkut ndaj hipokrizisë

December 18, 2020 by dgreca

SHKRUAN:GENC POLLO/

“Unë kam futur për herë të parë kërkesën e faljes nga anëtarët e qeverisë” thoshte  Edi Rama para tre ditësh duke shpjeguar dorëheqjen e Sandër Lleshit. Më bëri përshtypje ky pretendim. Jo për shkak të dëshirës të gjithëpranishme të Ramës që të vendosë precedentë kudo. Mbaj mend  se në vitet intensive si ministër i arsimit i kam kërkuar ndjesë një kategorie maturantësh, të cilët padashje u defavorizuan në një procedurë; por ky ishte një episod gati i humbur në kujtesë të cilin e rrithirra jo për të denoncuar përvetësimet rilindiste (kam shkruar para një muaji për disa raste syresh) por për të vënë në dukje se, bazuar në kujtesën time e në ndihmën e gugllimit, kërkesa e ndjesës nuk duket fort e pranishme në diskursin publik shqiptar përfshi këtu edhe atë të politikanëve të lartë. 

Në këtë periudhë epidemie dhe inaktiviteti relativ gjeta kollaj kohën të hulumtoj mbi pendesën e ndjesën ndërpersonale (në dallim të asaj të njeriut ndaj Zotit), koncepte të pranishme në etosin klasik greko-romak por të zhvilluar thelbësisht në fetë abrahamitike: përzgjodha ndjesën judaike apo teshuvah, e cila mu duk si më e plotë e që përbëhet nga 1) pranoj gojarisht  gabimi tim e  kërkoj ndjesë; 2) shpreh pendesë të sinqertë e vullnetin për të mos përsëritur gabimin; 3) bëj çfarë është e mundur për të korrigjuar gabimin e për të kompensuar a qetësuar personin e lënduar; 4) veproj ndryshe nëse përsëritet e njëjta situatë. Kështu e përkufizon atë Tora e hebrenjve por edhe versionet e mëvonshme në moralin europian po aty rrahin. 

Përkundrejt këtij standarti le të shohim edhe modelin e demonstruar nga qeveria Rama

Para dy muajsh ministri i brendshëm Sandër Lleshaj  i tha një deputeti polemizues  se “polic ke qenë e polic do të mbetesh!” . Me sa duket i ndikuar  nga barcoletat e kohes se Partisë se Punës ku polici, përfaqsues zyrtar por i rëndomtë i pushtetit të frikshëm,  shfaqej përherë si kokëtrashë. Më vonë Lleshaj kërkoi falje! Kujt i kërkoi falje ? Policëve që ndodheshin në drejtimin politik të tij dhe që duhen motivuar e bërë të ndjehen mirë e krenarë për punën e tyre në zbatim të ligjit? Policëve në fytyrën e të cilëve ministri shquante vetveten? Jo tamam! Lleshaj shkruajti  ne facebook se u kërkoj sinqerisht ndjesë atyre që mund të kenë keqkuptuar thelbin e reagimit tim. Atyre ? Po kujt saktë? Tërë popullit ? Apo atyre brenda policisë që janë më të ndjeshëm se të tjerët?

Prirja për të shmangur ndjesëkërkesën ndaj atyre që ke lënduar nuk filloi me Lleshajn. Në prill 2016 në Kuvend, Ditmir Bushati, asokohe ministër i jashtëm, ulur në bankën qeveritare, hedh ujë me shishe mbi deputetët e opozitës që protestonin para foltores. Më pas, po në facebook, kërkon ndjesë. Kujt? Mbase kolegëve që i “vaditi” edhe pse i paprovokuar personalisht prej tyre? Jo tamam! “…jam i keqardhur për reagimin tim instiktiv….kërkoj ndjesë qytetarëve për faktin se nuk arrita të ruaj gjakftohtësinë…” Tërë pjesa tjetër e postimit, apo gati 95% e tij, flet për farmakun opozitar, Lulzimin që mërzitet nga vetingu, Monikën që saboton integrimin si dhe sinjalizon një sihariq pas dy muajsh lidhur me negociatat me BE; gjithësesi gjëra pa lidhje me temën tonë por informative për kontekstin). 

Por modelin e ndjesës rilindiste më rezulton se e ka dhënë shefi i tyre gjashtë vjet më parë: në mars 2014, po në Kuvend, duke ju drejtuar pas polemikës

një deputeti opozitar, Rama i përsëriti disa herë “o rrotë k…!” Të nesërmen në televizion ai deklaroi se nuk ka arsye që t’i kërkojë falje deputetit por i kërkon ndjesë dy herë shqiptarëve për gjuhën e papërshtatshme (dy herë meqë ishte shef qeverie; për të tjerët mjaftonte vetëm një herë – sqaroi ai). 

Me siguri ka shembuj të tjerë të ngjashëm nga kjo qeveri por edhe këta më lart mjaftojnë për të kuptuar se ndjesëkërkesa e tyre është larg së qeni një akti i denjë moral. Të paktën në përputhje me teshuvah-n e etikës bashkëkohore. Pretendimi se jemi të parët me ndjesën publike gjithashtu duket një ushtrim PiAri ku kjo qeveri investon pa kut e masë. 

Sa më lart nuk është detyrimisht kritikë e rreptë e aq më pak opozitare. Në debatin mbi moralitetin publik duhet të mbajmë parasysh se ata pa mëkate mund të hedhin gurin e parë dhe se shembulli vlen më shumë se predikimi. Por edhe pretendimet e rreme nuk ka arsye pse t’i lemë në qarkullim. 

Mendimtarët politikë të para luftës si Mit’hat Frashëri e Branko Merxhani theksonin pa u lodhur nevojën e shëndoshjes morale të popullit shqiptar. Debati bashkëkohor dëften se kjo shëndoshje kalon mes një udhe të gjatë me të përpjeta e të tatëpjeta; me hapa para por edhe pas. Ku çdo shtysë pozitive lipset të mirëpritet. 

P. S. Ndjesëkërkesa e Blendi Klosit duket si përjashtimi që konfirmon rregullin rilindist dhe është njëkohësisht më simpatikja syresh. Klosi tha në publik se muzika në bare favorizonte infektimin me covid. Ditën tjetër ai e tërhoqi thënien dhe u kërkoi falje muzikantëve (?!?!). Është e vërtetë se pohimi i parë dhe ai i dytë duken se janë në garë për çmimin “Idioti”. Po për këtë rast Klosit mund t’i thuash budalla por jo hipokrit. 

 Genc Pollo
Ish ministër e deputet – 18 dhjetor 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Genc Pollo, Ndjesëkërkesa rilindiste

From the National Theater of Tirana to the Haghia Sophia of Istanbul

August 1, 2020 by dgreca

By Genc Pollo-

In April 2009, then a Deputy Prime Minister I led the Albanian delegation to the Second Global Forum  Alliance of Civilizations that was held in Istanbul. This UN endorsed Alliance was initiated by the Turkish Prime Minister Erdogan and his Spanish counterpart Zapatero. It aimed to promote the tolerance, understanding and a peaceful or ideally amicable coexistence among the civilizations and the world’s cultural and religious traditions. Its inception four years after the attack on the New York Twin Towers, the profile of the two Prime Ministers and other elements made it obvious it was focusing mainly on the relationship between Europe, the West and the Muslim countries. Every participating state has to adopt a national plan to promote tolerance, understanding and amicable coexistence. A year later and in this spirit with Istanbul being European Capital of Culture Prime Minister Erdogan would declare: “This is a European city; with its heart, its culture, its civilization its people, its past, its future, it has always looked towards Europe. Istanbul has shaped European culture and has been shaped by it.”

Ten years later in Turkey,  the State Council rescinded a 1935 edict by state founder Atatürk which did turn into a museum a mosque that before the Ottoman seizure used to be Hagia Sophia, Constantinople’s biggest and most famous church. On the same day President Erdogan decreed that the building should be run again as mosque by Dianet, the religious affairs authority. He went further to announce the first day the Friday prayers would be held there. Interestingly in his Arabic language statement Erdogan also signaled that the next step would be the liberation of the Jerusalem al Aqsa mosque (!). The latter is controlled by Israel and managed by Jordan.

Since that day the debate rages wether the 20 century Atatürk secularism still fits in the 21 century increasingly sectarian Turkey, wether the museum status of Hagia Sophia was an offense for both Christendom and Islam or wether the shrine could have dual use. Questions are raised also wether Muslims in a Turkey with innumerable mosques did really need another one or wether the couples of hundreds open churches are sufficient for few Christians there. But these would be issues for another note.

What matters today is that Hagia Sophia’s reconversion into a mosque was widely condemned and criticized in Europe, in the West and elsewhere; including by Turkish and Muslim leaders who candidly believe in the tolerance, understanding and amicable coexistence between religions and cultures.

National sovereignty vs International law

The Hagia Sophia of Constantinople and the National Theater of Tirana differ a lot in terms of historical weight and symbolic power. The first is globally renown since fifteen centuries while the full history of our Theater since its founding as the Skanderbeg Circle in 1938 by Albanian royal authorities  was not known to many until the controversy of the last two years. What makes them resemble is the justification by both governments in front of the international criticism: “its an internal affair, a matter of national sovereignty”. In both cases though,  the reverberations of the actions go beyond the state borders and affect non material interests and feelings in Europe and the world. This is obvious in the case of the Church of Constantinople; for the Theater in Tirana this was clearly formulated by the chairman of the Foreign Affairs Committee of the European Parliament who opening a committee debate on Albania spoke of “destruction of European cultural heritage”. In both cases the governments refused dialogue with legitimate domestic and foreign stakeholders. Further to that more concerning is the disregard or even the violation on international rules and obligations. In 1985, following a request by the Turkish government, Hagia Sophia was admitted in the UNESCO World Heritage Sites. This status makes it obligatory that any legal or physical change of the site must occur after consultations and perhaps approval by this UN body.

The National Theater was included this year among the seven most endangered cultural sites by Europa Nostra, the first partner of the European Commission in this field, This organization, after exchanges with the government and with the encouragement of the Commission, had secured funds from the European Investment Bank Institute for a restoration project.

Unfortunately neither Tirana nor Istanbul cared to follow international rules or self-assumed obligations.

One more distinction between the cases of Hagia Sophia and the Tirana Theater – the motives of the Turkish government appear to be political and electoral, whereas in Tirana, the motives have been exposed as highly corrupt. In Istanbul, things were run through procedures, paperwork, and statements; formally things appeared right. In Tirana, from the first special law on demolishing the theater through to a public private partnership to the last municipal council vote, almost all were unconstitutional, illegal, and irregular. Beyond this, the government sent armed police and bulldozers in a pre-dawn raid against civil activists and the historical building complex – actions that were similar to the Taliban’s destruction of the ancient Buddha statues in Bamyan, Afghanistan.

*Genc Pollo-

Albanian MP and former Chairman of the Parliamentary Committee on European Integration. He is also an ex-Deputy Prime Minister, Minister of Education; Telecoms

 July  2020

Filed Under: Politike Tagged With: Genc Pollo, Haghia Sophia, National Theater, Of Istanbul, tirana

Tre shtete e një rezolutë, pa llogaritur Bushatin

January 8, 2018 by dgreca

1 Genc Pollo

Nga Genc Pollo, deputet/

Për të përshkruar si e shpjegoi qeveria firmën e saj në dokumentet antimerikane të samitit të Organizatës së Bashkepunimit Islamik (OBI) në Stamboll si dhe votën e saj në Asamblenë e Pëgjithshme pro rezolutës, që dënonte vendimin e Presidentit të ShBA për të transferuar ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem, të vjen në ndihmë edhe humori i novelistit anglez Jerome K. Jerome, romani i të cilit “Tre vetë në një barkë, pa llogaritur qenin”,  shumë popullor në Tiranë në vitet 80′, shpalos groteskun njerëzor me ironi të pamëshirshme dhe shembuj të pakohë. Por kujt nuk i ka rënë rasti të shfletojë këtë libër mund t’i ketë vajtur mendja tek një personazh edhe më i njohur e popullor ndër breza, tek Shvejku i shkrimtarit çek Hashek me batutat e tij alogjike e naïve, teksa dëgjonte Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Europiane të Republikës tonë të deklaronte më 22 dhjetor se rezoluta në fjalë “nuk ishte votë kundër ShBA”; përkundrazi ishte votë në linjë me “konsensusin ndëkombëtar” si dhe me vendet anëtare të plot organizatave ndër të cilat edhe “NATO”!  Po ky ministër, më 14 dhjetor në Kuvend e quajti “mungesë gjigandomanie” sulmin ballor  kundër Amerikës, që i dërguari i qeverisë kishte nënshkruar të djeshmen në Stamboll, në fund të  samitit urgjent të OBI. Lipset mbase t’i kërkohet ndjesë për krahasimin jo shumë të merituar personazhit Shvejk, të cilin shumëkush e kujton si shejtan-budalla simpatik. Në fund të fundit, të qenit ministër i Republikës është diçka shumë serioze edhe pse publikut, nën dritën e gjërave që ka parë së fundmi, mund ti ketë dalë nga mendja ky fakt. Edhe më serioze është se si vepron qeveria në të tilla raste në raport me ShBA-në e me shtete të tjera.  Këtë do të orvatem të shtjelloj, duke u nisur fillimisht jo nga nga paradigma e debatit të deritashëm, “a i bëmë apo jo pabesi aleatit të madh përtej oqeanit“, por nga merita e çështjes në vetvete. Dhe si do të lipsej të formulohej  qëndrimi i Shqipërisë edhe sikur, ruajna Zot, të mos ishte në lojë luajaliteti historik i yni ndaj Amerikës.

Izraeli, Palestina e Jeruzalemi 

Shteti i Izraelit u themelua pas nje vendimi  të OKB në vitin 1947 që parashikonte dy shtete: Izrael e Palestinë duke synuar, nën efektin e Holokaustit, korrigjimin e një  padrejtësie mijëvjeçare e zgjidhjen e një problemi aktual. Por në Tokën e Premtuar e të caktuar, hebrenjtë hasën armiqësinë e fqinjëve arabë. Pas konfliktesh me armë, Izraeli, ushtarakisht i suksesshëm, arriti të kontrollonte Jeruzalemin Perëndimor (1948) dhe dy vite më vonë, pasi vendosi aty selinë e parlamentit e të qeverisë, e shpalli kryeqytet të shtetit. Po ashtu në 1967 zgjeroi kontrollin mbi të gjithë qytetin e më tej deri në lumin Jordan. Por ambasadat e huaja në Izrael të vendosura fillimisht në Tel Aviv mbetën atje në pritje të një zgjidhje të negociuar e akorduar të konfliktit izraelito-palestinez. Por meqë kjo zgjidhje nuk ka ndodhur dhe nuk dihet se kur mund të ndodhë, Presidenti Trump vendosi të bëjë atë që i kërkonte Kongresi prej dy dekadash dhe që qysh atëherë e kishte premtuar çdo President amerikan para tij. Pra që të njihte realitetin faktik dhe të transferonte ambasadën aty ku ajo kishte punën, dmth pranë selisë së qeverisë izraelite. Bëhet fjalë për Jeruzalemin perëndimor që sido që të jetë zgjidhja e ardhshme e akorduar mes palëve, me të gjitha gjasat do të mbetet pjesë e shtetit të Izraelit, gjë që sot pranohet nga palesinezët si „kufijtë para 1967“. Ky veprim është qartazi  një gjest miqësie dhe demonstrim përkrahjeje për një shtet aleat të ShBA-së dhe që ka ekzistuar  nën kërcënimin e fqinjëve Disa syresh deri vonë (disa ende sot) kishin në kushtetutat e tyre një nen për  shkatërrimin e shtetit të Izraelit dhe hedhjen e hebrenjve në det. Indirekt bazohet edhe në argumentin historiko-fetar, për aq sa vlen ky, se pretendimi i hebrenjeve mbi Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit është gati tremijëvjecar nga koha e mbretërve izraelitë David e Solomon, të cilët e përzgjodhën kryeqytet të Izraelit të unifikuar dhe ndërtuan aty të parin tempull judaik. Ndërsa ringjallja e Krishtit tre ditë pas kryqëzimit, që përbën thelbin e doktrinës së krishterë, ka ndodhur aty në të sotshmen Kisha e Varrit të Shenjtë pas 9 shekujsh. Edhe ngjitja në qiell e shpirtit të Muhametit ka ndodhur 15 shekuj më vonë aty ku është xhamia Al Haram al Sharif, çka e bën Jeruzalemin për muslimanët qytetin e tretë më të shenjtë pas Mekës e Medinës.

Kritikët shohin këtë veprim si një shkëndijë të mundëshme për shpërthimin e dhunës në territoret palestineze, në Izrael dhe ndoshta në Lindjen e Mesme dhe si një rrezik, apo të paktën pengesë, për procesin e paqes dhe gjetjen e zgjidhjes së akorduar pasi palestinezët e kampi pro tyre do të ndjeheshin të provokuar e do të ishin më pak të gatshëm të negocionin

Përkrahësit vënë në dukje se ShBA e ka bërë të qartë se transferimi i ambasadës amerikane në Jeruzalem nuk kushtëzon a paragjykon statusin e ardhshëm të ketij qyteti në një zgjidhje të negociuar dhe as vetë përmbajtjen e zgjidhjes, pra kryesisht territoret ku do të shtrihet shteti palestinez në të ardhmen. Gjithashtu një muaj pas shpalljes së vendimit, megjithë reagimet pro-palestineze e kritikat nga një tufë vendesh e aktorësh, nuk është regjistruar as dhunë e as trazirë e madhe përjashto akte sporadike në territoret palestineze; i vetmi hap mbrapa në procesin e paqes është pezullimi i kontakteve me ShBA nga ana e Autoritetit Palestinez, por edhe kjo konsiderohet e përkohshme.

Në fakt ShBA gjithmonë e ka mbrojtur Izraelin e përballur me kërcënime ekzistenciale nga fqinjët dhe ka bërë gjënë e duhur! Por Amerika ka qenë edhe ndërmjetës  i ndershëm midis dy palëve si përshembull gjatë negociatave finale 17 vjet më parë nën kujdesin e Presdentit Clinton në Camp David, ku  paqja e shumëpritur nuk u arrit në rradhë të parë për faj të intranzigjencës së liderve palestinezë. Kjo qasje e skajshme nuk buron nga populli palestinez, i cili meriton patjetër një arranzhim të qëndrueshëm e territore të mjaftueshme. Ajo është injektuar nga shtetet arabe, më së shumti nga regjimet baathiste e filosovjetike nga Algjeri në Bagdad, të cilët çështjen palestineze e përdornin si gur shahu për interesat e veta. Fakti është që sot udhëheqësit palestinezë e mbështetësit e tyre kërkojnë me ngulm pranimin e kufijve të para 1967, të cilat vetë i refuzuan dhunshëm që nga viti 1947. Sa për pretendimin e njëanshmërisë amerikane le të kujtojmë edhe se bisedimet e paqes prej gati dy dekadash ndërmjetësohen nga Kuarteti i Lindjes së Mesme ku veç ShBA bëjnë pjesë OKB, Bashkimi Europian por edhe Rusia me preferencat, në mos njëanshmëritë e saj.

Shqipëria, Izraeli, Palestina 

Dhe tashti po orvatem të përkufizoj premisën mbi të cilën mund të formulohet qëndrimi i Republikës së Shqipërisë. Së pari po bëj një digresion historik të shkurtër duke sjellë në kujtesë që Shqipëria komuniste ishte përkrahëse absolute dhe e pakushtëzuar e luftës “me të gjitha mënyrat” të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP). Regjimi i Enver Hoxhës, përveçse trajnonte ushtarakisht militantët e OÇP-së famëkeqe për terrorizëm në v. 70-80, votonte rregullisht pro rezolutave anti Izrael në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Këto rezoluta  miratoheshin në sajë të shumicës së numrave që arrinin në Asamble, shtetet e Traktatit të Varshavës, ish kolonitë me regjime filosovjetike e marksiste në Afrikë, Azi e gjetiu e sidomos vendet e Lëvizjes të të Paangazhuarve duke i lënë në minorancë anëtarët e NATO-s e aleatët e tyre. Edhe këtyre rezolutave u referohet ministri ynë kur deklaron seriozisht se ai është “në linjë me “konsensusin ndërkombëtar historik”, me shtetet e NATO-s (!?) dhe se kurrsesi nuk doli “kundër SHBA-së”!

Në periudhën çerekshekullore të demokracisë tonë ndodhi që në fillim një ballancim i pozicionit duke vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin e duke shkëmbyer vizita të nivelit të lartë. Do të veçoja shkembimet e viteve të para, si pjesëmarrjen e Shimon Perez, asokohe ministër i punëve të jashtme i Izraelit në ceremoninë zyrtare të 28 nëntorit në Tiranë si dhe vizitën tek ne të liderit palestinez Jaser Arafat. Në OKB, vota e Tiranës në tërësi ka qenë pro rezolutave që kërkojnë avancimin e procesit të paqes dhe zgjidhje të drejtë për çështjen e Palestinës.  Por kur iniciativat atje kishin gjuhë ekstreme apo përmbajtje përjashtuese dhe hapnin konflikt me Washingtonin vota jonë në kthehej në abstenim siç ishte dhe rasti i shpeshcituar i vitit 2012.

Premisa e pozicionimit të Shqipërisë mund të shqyrtohet përmes prizmit të katër parimeve:

1- Parimi humanitar; shumëkush, edhe javët e fundit, ka përmendur vuajtjet e popullit palestinez në kampet e refugjatëve në rajon si arsye e justifikim për një qëndrim të qartë pro palestinez të Tiranës madje edhe të pozicionimit akut gjatë dhjetorit në Stamboll e New York. Është njerëzore të ndjesh empati për vuajtjet njerëzore dhe e drejtë ta demostrosh atë; por është më e dobishme të kontribuosh, qoftë edhe modestisht, për ti lehtësuar vuajtjet. Një zgjidhje kompromisi larg intranzigjencës “ose të gjitha, ose asgjë” do të kishte shërbyer më mirë për njerëzit në Cisjordani, Gaza apo kampe.  Është shumë e diskutueshme, ta themi butë, që rezoluta e OKB-së dhe akoma më pak komunikata e OBI-së do të sjellë një përmirësim qoftë edhe minimal. Për më tepër problemi palestinez duhet vënë në perspektivë: shekulli i 20 fatëkeqësisht ka parë me bollëk zhvendosje popullsie e valë refugjatësh si pasojë e luftrave ndërshtetërore e civile, dhunës qeveritare apo të faktorëve të tjerë. Armenët gjatë Luftës së Parë Botërore, çamët e pas Luftës së Parë e të Dytë Botërore, gjermanët e Sudeteve, Silezisë e Prusisë Lindore pas kapitullimit nazist,  boshnjakët në vitet 90 madje deri në ditët tona sirianët që lanë pas tmerret e dhunës pa kufi e rohingat  e përzënë nga ushtria birmaneze, janë shembuj nga një listë e gjatë dhe tragjike. Por zor se gjen ndër ta ndonjë rast tjetër që të ketë marrë më shumë vëmendje nga opinioni botëror, më shumë përpjekje për zgjidhje nga aktorët ndërkombëtarë e më shumë ndihma humanitare se sa palestinezët që nga viti 1948!

2- Parimi Kopenhagen: demokracitë pëlqejnë e përkrahin njera tjetrën! Ato bazohen në të njëtat vlera të cilat edhe i promovojnë në botë. Prandaj edhe mbështetja reciproke e bashkëpunimi i ngushtë janë të vetëkuptueshëm.  Kështu të paktën besojnë në Europë. Si dhe që regjimet shtypëse nuk i duan demokracitë pasi i shohin si rrezik: ekspozimi ndaj tyre shkakton procese politike me pasojë humbjen e pushtetit. Tiparet e demokracisë si votën e lirë, shtetin ligjor, të drejtat e njeriut e ekonominë e tregut (BE i quan Kriteret e Kopenhagenit), në Lindjen e Mesme i përmbush vetëm Izraeli. Ndoshta i afrohet deri diku Libani. Ndërkohë që shtetet arabe janë autokratike e teokratike, ku liderët ndërrohen kur vdesin ose kur rrëzohen me dhunë. Kurse në Izrael vetëm pasi voton populli  merret vesh tamam se kush është lideri. Pakica arabe 20 përqindëshe në Izrael mund të dëshëroje ose jo të jetojë në një shtet palestinez. Por të drejtat politike e civile të saj në Izrael përmbushen shumë më mirë se në çdo shtet arab. E kështu me rradhë. Prandaj nëse besojmë tek demokracia është rasti për të konsideruar qëndrimet tona me vendet e Lindjes së Mesme bazuar në parimin Kopenhagen.

3- Parimi i interesit shtetëror si me i vjetri e klasiku është mbase edhe më i thjeshti për të shyrtuar në rastin tonë. Republika e Shqipërisë, një vend i vogël ballkanik, është 1800 km larg në vijë ajrore nga Jeruzalemi prandaj nuk mund të ketë, dhe faktikisht nuk ka, interesa thelbësore aty. Shkëmbimet ekonomiko-tregtare me biznesin palestinez janë minimale nëse jo zero; me Izraelin diçka më shumë por përsëri jo domethënëse. Mund të shtojmë këtu një komunitet të vogël por plot gjallëri të hebrejve shqiptarë që emigruan në Izrael në vitin 1991, nderimin në Yad Vachem të shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë L2B (një nga gjërat tona për të cilat mund të krenohemi) e kështu me rradhë por prapë kandari nuk lëviz e parimi në shqyrtim do të rekomandonte ekuidistancë. Por nëse shohim si janë punët me Kosovën atëherë kandari lëviz përpjetë. Tirana e ka konsideruar njohjen ndërkombëtare të Kosovës si detyrim kombëtar e si kontribut për stabilitetin rajonal dhe ka bërë sa ka mundur në këtë drejtim. Pa sukses me Izrealin e Palestinën pasi asnjë syresh nuk e ka njohur. Por ka një dallim: mosnjohja nga Izraeli është e natyrës inerciale, pa ndonjë motiv të qartë dhe prandaj mund të ndryshojë. Por nga ofiqarët palestinezët kur janë në Beograd, prej Ambasadorit deri tek Presidenti, dëgjojmë vetëm betime patetike se kurrë nuk do e njohin Kosovën si shtet dhe se Serbinë e njohin në kufijtë e paraluftës.  Peshqesh nga nostalgjia për Titon e të Paangazhuarit.  Në këtë perspektivë parimi i interesit shtetëror flet vetë.

4- Parimi fetar është përmendur këto javë nga persona afër qeverisë njëlloj si ai humanitar: si arsye për një qëndrim të qartë pro palestinez të Shqipërisë, pasi kemi popullsi myslimane në shumicë, dhe si justifikim për Stambollin e New York-un. Është hera e parë që shprehet si motiv!  Unë nuk e kam dëgjuar as në luftën e NATO-s në Afganistan (2001), as në luftën e ShBA në Irak (2003), as në luftën kundër Al Qaedas (2001-2015) dhe as në atë kundër Kalifatit Islamik DAESh ose ISIS (2015-2017) ku Shqipëria u rreshtua me unanimitet politik, e sipas ratit me kontribute konkrete, përkrah Fuqive Perëndimore. Do të ishte me interes të hulumtonim pse ndodh kështu. Është hera e parë që tentohet të konfesionalizohet politika e jashtme e një shteti laik me popullsi multifetare. Do të ishte shumë mirë po të ishte edhe hera e fundit. Pasi nuk sjell asgjë të hajrit vetëm se do të nxisë radikalizimin fetar, instrumentalizimin politik të tij e do të trondisë orientimin euroatlantik çerekshekullor të republikës tonë. Pastaj askush nuk mori mundimin t’i pyesë qytetarët tanë, ata që janë besimtarë myslimanë por edhe të tjerët, se çfarë mendojnë apo ndjejnë për këtë çështje;  nëse vërtet mendojnë a ndjejnë diçka të qartë e të ndryshme nga politikanët e zgjedhur prej tyre.

Le të kthehemi një çast tek Kosova, me popullsi myslimane në përqindje më të larta se Shqipëria.  Nëse parimi fetar është i vlefshëm,  atëhere ai duhet të jetë edhe reciprok. Por si shpjegohet që nga 57 vendet anëtare të OBI-t, ata që kanë njohur Kosovën janë gati gjysma? Edhe këta në përgjithësi pas disa vitesh e pas shumë përçapjesh diplomatike? A është kjo nga dashuria nostalgjike për Jugosllavinë e Titos e Beogradin e sotëm? A e bëjnë këtë për inat të Amerikës dhe të Europës? Përgjigjen e këtyre pyetjeve mund ta lëmë për më vonë ashtu si dhe një debat të shtruar mbi dobinë kombëtare të antarësisë në OBI. Por një gjykim i qetë mbi qëndrimin zyrtar tonin në raportet Izrael-Palestinë e çështjet e nxehta të Lindjes së Mesme nuk do të çonte në llogore pro palestineze. Normalisht kandari i diplomacisë do të anonte disi nga Izraeli apo me pak sforco do të rrinte në barazpeshë.

Po me Amerikën ç’patën? 

Komunikata Finale pesëfaqëshe e samitit të OBI-së që siç thotë preambula e saj “u mblodh në Stamboll, Republika e Turqisë, në 25 Rabi’ Awwal 1439 AH (sipas hixhres, kalendarit islamik; shën. i autorit) – 13 dhjetor 2017 (sipas kalendarit a la frënga; shën. i autorit) përmban këto pasazhe:

Pika 1: Samiti OBI refuzon e dënon në mënyrën më të ashpër vendimin unilateral të Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të njohur Al Kuds-in (emri arab i Jeruzalemit; shën. i autorit), si të ashtuquajturin kryeqytet të Izraelit, të fuqisë pushtuese….  

Pika 9: Samiti OBI ….dhe dënon, përsa i përket kësaj çështjeje, njëanshmërinë e plotë e të pajustifikuar të Kongresit të ShBA-ve në favor të politikave imperialiste e raciste të Izraelit, fuqisë pushtuese. 

Rezoluta  e këtij Samiti,  pika 6: Konsideron Administratën e Shteteve të Bashkuara plotësisht përgjegjëse për të gjitha pasojat e mosanullimit të kësaj deklarate ilegale dhe e sheh atë si një deklarim të tërheqjes së Administratës së Shteteve të Bashkuara nga roli që ka luajtur në dekadat e fundit si një sponsor i paqes. 

Ndërsa në pikën 3 bëhet thirrje për të bojkotuar anëtarët e Kongresit të ShBA, të cilët mbështesin Izraelin, dmth shumicën e stërmadhe të legjislatoreve amerikanë

Nëqoftëse këto deklarata nuk janë antiamerikane, siç na siguroi ministri përgjegjës atëherë çfarë mendon ai se janë të tilla? Vetëm thirrjet për të vrarë amerikanë kudo që të jenë e me çdo mjet që nga thika e deri tek kamioni?!

Kurrë ndonjëherë Bashkimi Europian shtetet anëtare të  tij nuk do të nënshkruanin komunikata si kjo!  Le të gënjejë ministri me “linjëzimet” e tij, por një shtet që aspiron anëtarësinë në BE dhe që miraton këto tekste, vetëm e dëmton aspiratën e tij.  Edhe për rezolutën në OKB nuk kishte vendim të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së që do të ishte detyrues për ne si shtet kandidat.  E tregoi numri jo i vogël i vendeve abstenuese, ndoshta me kujtesë të freskët të kontributit amerikan në lirinë e tyre e të ndërgjegjshëm për rolin aktual të ShBA-së në sigurinë e tyre. Rezoluta në OKB nuk ishte nismë e amerikanëve arrogantë për t’ju imponuar gjithë botës që të ndiqnin shembullin e tyre e të çonin ambasadat në Jeruzalem sikurse e paraqesin propagandistët sofistë. Kjo rezolutë e iniciuar nga Turqia e Jemeni (mirë Turqia, po Jemeni copë-copë, në luftë civile e pa qeveri ç’neh?!) megjithëse jo me tonet e Stambollit përsëri është si një lloj fletë-rrufeje e kohës së Enverit që pasohet me një mbledhje ku i kritikuari bëhet qepaze para kolektivit e në fund duhet të bëjë autokritikë të thelluar! Pse kështu Amerikës? Sepse ambasadën e vet diku e lëvizi nga qyteti A në qytetin B. Këtë lloj poshtërimi publik jo Amerika por as vetë Jemeni nuk kishte pse ta toleronte. Ambasadorja e ShBA-së në OKB Nikki Haley, siç deklaroi vetë, i ka dërguar dy herë email çdo misioni shtetëror në New York duke i paralajmëruar se rezoluta ishte e papranushme për qeverinë e saj.  Ky shënim I fundit edhe në vemendje të apologjetëve të qeverisë tonë që pëshpërisin se Washingtoni nuk i kishte kërkuar Tiranës  të mos votojë pro teksti turko-jemenit. Dhe Nikki Haley është në të drejtën e saj pasi ShBA nuk ka ndonjë detyrim hyjnor të financojë shtetet që në mëngjes e shohin nga duart dhe mbasdite ja pështyjnë ato duar.
Rrugës për tek bananet

Një lavdërim që i bëhet me të drejtë Shqipërisë demokratike është se, që nga mesi i viteve 90 kur PS e kapërceu sindromin e bartur antiperëndimor, ka patur konsensus ndërpartiak të qëndrueshëm për politikën e jashtme e të sigurisë të bazuar në vektorin euroatlantik. Kritikat në Kuvend e më gjerë  mbi këto tema më së shumti kanë qenë për paaftësinë qeveritare për të arritur synimet e shpallura e jo për vetë synimet. Në këtë kontekst, konsultimet parlamentare kanë peshë politike relative. Por në rastin e mësipërm kur shfaqet një deviacion serioz çdo qeveri e mençur do të tentonte një dialog me palët e tjera edhe po të mos kishte shpresë për ujdi. Deputetët e Komisionit për Punë të Jashtëme, të majtë e të djathtë, gjatë dhjetorit e ftuan ministrin të shpjegohej e të konsultohej. Jo për të marrë leje siç thonë zëdhënësit e tij, por për të informuar ligjvënësit e për të dëgjuar mejtimet e tyre për temën. E njëjta vlen për Presidentin e Republikës, i cili u la qëllimisht në errësirë edhe pasi kërkoi informacion. E këtu trashet zullumi: nga praktika e keqe shkohet tek shkelja ligjore. Jam i sigurt që konsultimi me palët edhe në rast se nuk do të ndryshonte pozicionet, (abstenimi në New York e distancimi në Stamboll do të kishte qenë rrugëdalje), të paktën mund të moderonte reagimet që pasuan. Dhe që i treguan gjithkujt që kemi qeveri bananesh e cila edhe marrëdhëniet ndërshtetërore i vë në dispozicion të autokratëve të huaj e në shërbim të interesave të veta personale e partiake.

Filed Under: Politike Tagged With: Genc Pollo, pa llogaritur Bushatin, Tre shtete e një rezolutë

SHQIPERI: Censusi 2011, Popullsia 2.821.977 Banorë

December 13, 2012 by dgreca

Numri i popullsisë është 2.821.977 persona, nga këta janë numëruar si pjesëmarrës në census 2.800.138 persona; “83% ose 2.329.715 persona janë deklaruar shqiptarë. 14% nuk kanë preferuar të deklarohen. 99% e të pyeturve deklarojnë gjuhën shqipe si gjuhën e nënës, çka tregon se, për përbërjen etnike në Shqipëri nuk ka surpriza. Sipas censusit, 56.7% e popullsisë në Shqipëri është myslimane, 10.3% katolikë, 6.75% ortodoksë dhe 2.90% bektashinj./

Instituti i Statistikave (INSTAT) shpalli dje zyrtarisht rezultatet e censusit në lidhje me kombësinë dhe fenë. Ministri i Inovacionit, Genc Pollo, gjatë prezantimit të “Censusit 2011”, tha se realizimi me sukses i censusit ka qenë një ndër objektivat kryesorë të qeverisë, dhe se ajo ia arriti qëllimit. Sipas tij, të dhënat e censusit do të ndihmojnë vendimmarrësit në përcaktimin e politikave për komunitetin. 
“një rNumri i popullsisë është 2.821.977 persona, nga këta janë numëruar si pjesëmarrës në census 2.800.138 persona”, tha Pollo. Ai u shpreh se, ky nuk është ezultat surprizë, për shkak edhe të emigrimit. “83% ose 2.329.715 persona janë deklaruar shqiptarë. 14% nuk kanë preferuar të deklarohen. 99% e të pyeturve deklarojnë gjuhën shqipe si gjuhën e nënës, çka tregon se, për përbërjen etnike në Shqipëri nuk ka surpriza. 0.7% e të pyeturve refuzuan censusin”, tha ministri i Inovacionit, Genc Pollo. 
Ministri tha se, “Censusi 2021 do të ketë një taban të përgatitur dhe do të zhvillohet pa shumë tensione”. Gjithashtu, sipas censusit, 56.7% e popullsisë në Shqipëri është myslimane, 10.3% katolikë, 6.75% ortodoksë dhe 2.90% bektashinj. 
Procesi i regjistrimit të banesave dhe qytetarëve nisi më 1 tetor dhe u mbyll më 1 nëntor 2011. Censusi jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë.

Censusi, një operacion statistikor mjaft kompleks

Duke prezantuar rezultatet finale të censusit të popullsisë dhe banesave 2011, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja, tha se ky proces ka qenë i gjatë dhe angazhoi thuajse të gjithë stafin e INSTAT në Tiranë e Prefektura si dhe qeverinë shqiptare, shoqërinë civile, partnerët e INSTAT dhe komunitetin ndërkombëtar. 
“Ky census u krye, duke ndjekur rekomandimet dhe standardet europiane dhe INSTAT sot publikon të dhënat themelore statistikore socio-ekonomike për të ndërtuar politika të shëndosha për një jetë më të mirë të shqiptarëve. Madje këto të dhëna konform standardeve europiane do të japin kontributin e tyre në procesin e integrimit europian”, u shpreh Znj.Nurja. Ajo bëri të ditur se, Censusi i vitit 2011 është një operacion statistikor mjaft kompleks dhe ka kaluar në shtatë faza të ndryshme; përfshirjen e palëve të interesuara për përzgjedhjen e pyetjeve thelbësore dhe jo thelbësore, aktivitetet përgatitore, numërimin në terren, përpunimin e të dhënave, publikimin e rezultateve, vlerësimin e mbulimit dhe analizat e rezultateve. 
Të pestë fazat e para janë përfunduar, ndërsa publikimi i rezultateve finale do të kryhet sot me këtë publikim të parë, i cili do të ndiqet gjatë vitit që vjen me të tjera publikime të rëndësishme dhe së fundmi me analizat tematike deri në vitin 2014. 
Operacionet e censusit e kanë fillesën në vitin 2008 me përgatitjen e hartave dixhitale. Ndërsa në vitin 2009, INSTAT filloi një proces konsultativ me grupet e interesit, duke përcaktuar temat e regjistrimit ku qëllimi kryesor ishte për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me këtë proces si dhe për të patur përfshirjen e aktorëve të tjerë në këto aktivitete përgatitore. 
Gjatë këtij censusi u kryen disa testime të pyetësorit dhe në vitin 2010 u krye një census pilot në mënyrë që të testojë disa nga aspektet kryesore të funksionimit të plotë të Censusit në tetor të vitit 2011. 
Aktivitetet në terren për numërimin e popullsisë dhe banesave u organizuan dhe monitoruan me ndihmën e një mjeti mjaft efikas, atë të aplikacionit të menaxhimit Web GIS. 
Anketa e pas Censusit u krye për herë të parë në Shqipëri për të vlerësuar mbulimin e Censusit në terren si dhe cilësinë e disa variablave të përzgjedhur. 


Krahasuar me Censusin e vitit 2001 kemi një rënie të popullsisë banuese prej 8%

Sipas Census 2011 sot numërohen 722 262 familje

Sipas rezultateve të Census 2011 numri i familjeve ka pësuar një rënie krahasuar me shifrat e censusit të mëparshëm. Sot, numërohen 722 262 familje nga 726 895 që ishin në vitin 2001. Por, struktura brenda familjes (numri i anëtarëve) ka patur një ndryshim të rëndësishëm. Mesatarisht sot një familje shqiptare ka 3.9 anëtarë nga 4.2 që kishte në vitin 2001. 
Struktura demografike e Shqipërisë po ndryshon, duke patur parasysh që nga këto rezultate kemi rënie të koeficientit të fertilitetit, rritje të popullsisë urbane, ndryshim në strukturën e popullsisë, në karakteristikat etno-kulturore, në nivelin e arsimimit, në kushtet e jetesës dhe në strehim. 
Duke prezantuar disa nga rezultatet kryesore të këtij censusi, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja deklaroi se, “Nga rezultatet përfundimtare të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, rezulton se popullsia rezidente është 2 821 977. Numri total i refuzimeve është 21 839 persona. Siç shihet nga kjo panoramë, krahasuar me Censusin e vitit 2001 kemi një rënie të popullsisë banuese prej 8%. Ndaj analizat paraprake na dëshmojnë se, emigracioni dhe lindshmëria janë dy faktorët kryesorë përgjegjës të rënies së numrit të popullsisë, të cilat kërkojnë analizë të hollësishme në të ardhmen. Numri i femrave krahasuar me vitin 2001 ka pësuar një rënie prej 9.2%, ndërsa ai i meshkujve me 8.3%. Raporti gjinor në Shqipëri kërkon një vëmendje të veçantë nga demografët dhe studiuesit. 
Për herë të parë në historinë e censuseve në Shqipëri, popullsia që jeton në zonën urbane e ka tejkaluar numrin e popullsisë që jeton në zonën rurale. Tashmë në zonën urbane jetojnë 53,5% e popullsisë, ndërsa 46,5% e saj jeton në zonën rurale. 

Rritet me 16.8% numri i banesave krahasuar me vitin 2001

Numri i ndërtesave për qëllime banimi në censusin e vitit 2011 është 598 267 dhe është rritur me 16.8% krahasuar me vitin 2001. Fondi i banesave rezulton në 1 012 400 banesa, ku përfshihen jo vetëm banesat e banuara, por edhe ato të pabanuar që përbëjnë 29.8% të totalit në krahasim me 11.3% në 2001. Jo vetëm fondi i banesave është rritur në krahasim me vitin 2001, por dhe kushtet e jetesës në to kanë ardhur duke u përmirësuar përsa i përket aksesit në shërbimet bazë si dhe zotërimit të pajisjeve afatgjatë. Në ndryshim nga censusi 2001, lidhur me karakteristikat e kushteve të banesës INSTAT disponon edhe të dhëna mbi telefoninë fikse dhe mobile, të cilat i gjeni në këtë publikim. 
Një tjetër risi e këtij censusi ishte përfshirja e pyetjeve mbi gjuhën amtare, fenë dhe grupet etno-kulturore. Këto të dhëna interesante do të japin një panoramë më të qartë të disa karakteristikave të popullsisë shqiptare, të cilat u mungonin studiuesve prej një periudhe të gjatë kohe. Po t’i hedhim një vështrim të shpejtë, shohim se 98.77% e popullsisë ka si gjuhë amtare shqipen. Më pas, vijnë gjuha greke me 0.54%, maqedonase 0.16%, rome 0.14 % dhe arumune me përkatësisht 0.14. 
Një tjetër e dhënë, e cila do të analizohet më tej nga studiuesit është dhe ajo mbi përkatësinë fetare. Sipas vetëdeklarimit mbi përkatësinë fetare në censusin 2011, në territorin e Shqipërisë janë 56.70% muslimanë, 10.03% katolikë, 6.75% ortodoksë, 2.09 bektashinj, 0.14 ungjillorë. Ndërkohë që 5.49 janë vetëdeklaruar si besimtarë të pacilësuar dhe 2.5% ateistë. Numri i atyre që kanë preferuar të mos përgjigjen kësaj pyetje është 13.79% të totalit të popullsisë. 
Përsa i përket përkatësisë etno-kulturore, 82.58% kanë deklaruar se janë shqiptarë të 0.87% grekë, 0.30% romë, 0.30% arumunë dhe 0.20% maqedonas. Numri i mospërgjigjeve në këtë pyetje përbën 13.96% e totalit të popullsisë. 
Një tjetër analizë me mjaft interes do të ishte shpërndarja e numrit të refuzimeve (13.96 %) dhe përgjigjeve të pavlefshme apo të papërcaktuara (1.58%) lidhur me përkatësinë etno-kulturore. Po t’u referohemi këtyre shifrave, rezulton se 99.6% e tyre kanë deklaruar gjuhë amtare shqipen, 0.15 % gjuhen greke, 0.04% rome, 0.04% arumune dhe 0.03% maqedonase. 
Një vend të rëndësishëm në këtë publikim, zë dhe niveli i arsimimit të popullsisë. Po t’u referohemi shifrave, vërejmë se në popullsinë 10 vjeç e lart, 96,2% tyre e kanë ndjekur ose janë, duke e ndjekur shkollën. Në censusin e vitit 2011, bën dallim ndjekja e sistemit universitar dhe pasuniversitar nga 10.7% të popullsisë 10 vjeç e lart, tregues i cili në vitin 2001 ishte 5.5%. 
Për herë të parë, në një census është pyetur edhe për aftësinë e kufizuar të popullsisë. Këto të dhëna do të shërbejnë në të ardhmen për të bërë vrojtime më të specifikuara si dhe për të ndërtuar politika mbështetëse në funksion të kësaj kategorie personash. 
Unë me të vërtetë shpresoj se, këto të dhëna do të jenë shumë të dobishme për të interpretuar ndryshimet e vendit tonë dhe do të shqërbejë si bazë për të ndërmarrë aksionet e duhura për një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë në të ardhmen. 
Në përfundim të prezantimit të rezultateve të Censusit 2011, drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja falenderoi, Eurostat për mbështetjen e dhënë, qeverinë shqiptare, Komisionin Qendror të Censusit, Delegacionin Europian në Tiranë, Asistencën Teknike të BE-së si dhe stafin e INSTAT, i cili ka punuar me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal për realizimin me sukses të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. (Kortezi:Halil RAMA)

 

 

Filed Under: Sociale Tagged With: Censusi ne Shqiperi, Genc Pollo

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT