Nga Hajro Hajra/Arizona/
Organizuar nga Shkolla e Letërsive dhe e Gjuhëve Ndërkombëtare e Universitetit Shtetëror të Arizonës, më 4 tetor 2016 u mbajt një takim me zotin Genci Muçaj, ish-ambasador rezident i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë dhe ish-ambasador jorezident në Azerbeixhan, në Gjeorgji, në Iran, në Pakistan e në Kirghizstan, aktualisht drejtor i Marrëdhënieve Dypalëshe e Shumëpalëshe në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë.
Temat e ligjëratës që ambasadori Muçaj mbajti para profesorëve, studentëve e ish-studentëve shqiptarë e amerikanë të Universitetit Shtetëror të Arizonës si dhe disa qytetarëve shqiptarë e amerikanë ishin: konfliktet aktuale në Lindjen e Mesme, Turqia dhe Irani si fuqi rajonale dhe roli i tyre në Siri e në Irak, përvoja e ambasadorit gjatë shërbimit diplomatik në Turqi dhe terrorizmi si çështje globale.
Si gjatë ligjëratës, po ashtu edhe gjatë bashkëbisedimit në formë pyetjesh e përgjigjesh me të pranishmit në njërën nga sallat e universitetit, ambasadori Muçaj zgjoi kureshtjen e auditorit me njohuritë e thella që kishte për çëshjet për të cilat u fol aty.
Të pranishëm në këtë ligjëratë ishin edhe ambasadori i nderit Theodore Rooswelt Britton Jr., i cili në vitin 2006 ka qenë konsull i përgjithshëm nderi i SHBA-ve në Shqipëri, zonja Kathleen Evans-Romaine, drejtoreshë e Institutit të Gjuhëve të Rrezikuara në The Melikian Center të Universitetit Shtetëror të Arizonës, ndihmësdrejtori i Qendrës Melikian, zoti David Brokaw e të tjerë.